24.5 C
Tirana
E hënë, 28 Prill, 2025

“La Gazzetta del Mezzogiorno” Italia: Mafia në polici, droga po pushton italinë

Nga Veriu në Jug, herë pas here me hope, nga Vlora në një rrip toke që shkon përgjatë lumit Vjosa, në pjesën jugore të “vendit të shqiponjave”. Zonat malore që nga një këndshtrimi klimaterik, ofrojnë më të mirën për mbjelljen dhe rritjen e mijëra plantacione të marijuanës. Një biznes që prodhon në Shqipëri një biznes me shifra të habitshme dhe voluminoze. 100 kilogramë në treg, kanë një vlerë 1 milion euro. Vlera vazhdon të rritet dhe brigjet e Barit dhe të Pulias, mirëpresin motoskafe që vijnë nga ana tjetër e Adriatikut. Si në ditët e kontrabandës “bjondeve”.

Pas Lazaratit

Rrugët e drogës mes Tiranës, Durrësit, Vlorës dhe rrethinave shqiptare po rriten çdo ditë. Trafiku i preferuar nga organizatat kriminale lokale, nga viti 2011 e në vijim nuk njohin kufij. Me përjashtim të një ndërprerjeje të shkurtër në vitin 2015, pas shkatërrimit të fshatit të njohur Lazarat (mbjellë tërësisht me kanabis), me operacionin e madh të bërë nga Forcat Speciale Shqiptare. Vetëm një vit pati rënie të prodhimit, për shkak të kohës së nevojshme që iu duhej trafikantëve për t’u kthyer në treg madje edhe më të fuqishëm. Dhe sot jemi në këtë pikë. Që nga janari i këtij viti, “malli” po kalon nga njëra anë në tjetrën me një ritëm të pamëshirshëm, mbresëlënës. Skafistët nisen në të gjitha orët e ditës për të arritur brigjet e Barit, Brindisit dhe Leçes. Një aktivitet më shumë se fitimprurës. Të vetëdijshëm për këtë janë efektivët e Repartit Aeronaval të Departamentit të Pulias. Helikopterë, gomone, skafe, anije patrullimi të pajisura me sensorë super të sofistikuar: pajisje të vëna në terren nga agimi deri në muzg, duke u përpjekur për të luftuar këtë fenomen. Dhe rezultatet janë duke folur: nga fillimi i vitit janë konfiskuar nga grupi Roan i GDF mbi 7 ton narkotikë; 21 kontrabandistëve të arrestuar dhe 16 mjete të konfiskuara.

Futja në lojë e ministrisë

Kontrasti fillon në Shqipëri, në sajë të monitorimit nga ajri të Guardia di Fiannza në mbështetje të forcave policore lokale në tokë dhe në det në një bërthamë të kësaj lufte, fillimisht në Durrës që nis në vitin 1997 dhe tani edhe në Vlorë. Verifikimet janë drejtuar nën kujdesin e Ministrisë italiane të Punëve të Brendshme. Një partneritet i vlefshëm se sot, më shumë se kurrë, qeveria shqiptare njeh. Një vetëdije e ndryshme nga e kaluara, që nxiti udhëheqësit e qeverisë për të kuptuar, natyrisht, ashpërsinë e fenomenit. Për këtë, disa muaj më parë, policia shqiptare vendosi bashkëpunim të ngushtë me bërthamën e GDF në Durrës dhe të gjitha forcat e tjera policore të huaja në gjithë territorin. Shkëmbimi i informacionit është i vazhdueshëm dhe shënon një hap vendimtar në luftën kundër trafikantëve të marijuanës. Edhe pse, në mjediset hetimore shqiptare, ka një besim të fortë se, infiltrimi i mafias në polici është rezistent dhe nuk është aspak e lehtë për ta çrrënjosur.

Profesioni: Kultivues droge

Për të kuptuar mënyrën se si kultivimi i marijuanës gjeneron të ardhura, është e nevojshme të kthehesh pak prapa në kohë. Në vitin 2011, kur shqiptarët zbuluan se kanabisi mund të bëhet një “minierë ari”,  filluan ta kultivojnë në disa dhjetëra hektarë. Mjaftonin pak fara, një sistem i vogël dhe rudimentare i ujitjes, një grup të vogël njerëzish (edhe me pak përvojë në bujqësi) për të menaxhuar rritjen e bimës. Janë kushtet klimatike dhe cilësia e tokës për ta bërë këtë farë të mahnitshme të cilësisë së mirë. Me kalimin e kohës, prodhimet u rritën. Një situatë që GDF filloi menjëherë ta kontrollojë me avionë Piaggio P166/DP1. Sensorë të veçantë u vendosën në bordin e tyre (shumë më të sofistikuara se ato të helikopterëve) dhe filluan për të zbuluar zonat më të kultivuara. Të dhënat që mblidheshin në tokë analizoheshin porsa i përket ngjyrës së plantacioneve dhe kushteve termike të territorit. Konfirmimi vjen menjëherë: “Në Shqipëri marijuana është e kultivuar dhe duket me sy. Forcat e policisë shqiptare të fillojnë të bëhen të vetëdijshme për fenomenin. Në vitin 2014, u zbulua fshati Lazarat. Qeveria shqiptare, këtë herë, vendos të ndërhyjë masivisht për të rimarrë një fshat, i cili për muaj kishte nxitur tregtinë e paligjshme, duke shtuar të ardhurat e dhjetëra familjeve lokale, duke përfshirë edhe udhëheqësit e një klani të caktuar. Pas Lazaratit, në vitin 2015 ka pasur një rënie dramatike të prodhimit të marijuanës. Ky ishte një vit tranzicioni që ka lejuar prodhuesit të rigrupohen, për t’u kthyer në tregun më të fuqishëm të specializuar në llojin e farës të përdorur.

Vjen vjetnamezja

Këtë vit, për herë të parë, rritja e plantacioneve në natyrë është për shkak të përhapjes së farërave të shkurtër të ciklit, i njohur si “vjetnamezja”. Kjo të lejon për të nisur të korrat në 45 ditë, në krahasim me bimën tradicionale që merr rreth 120-150 ditë. Futja e farës së re, sipas autoriteteve u gjet në rreth 70% të plantacioneve. Ajo lejon prodhuesit për të nisur korrjet më shpejt, duke reduktuar rrezikun e humbjes në rast të ndërhyrjes së policisë.
“Kontrasti në trafikimin marijuanës nga Shqipëria në Pulia është një nga prioritetet tona, së bashku me atë të emigracionit të paligjshëm”, tha komandanti i Departamentit Operacional Aeronaval të GDF të Barit, Kolonel Antonello Maggiore.
“Ka rëndësi bashkëpunimin i të gjitha departamenteve, në veçanti ai i grupit detaro-ajror të Tarantos, i specializuar në operacionet në det të hapur si dhe qendra lokale koordinuese të misionit “Triton” Frontex. Për të transportuar lëndën narkotike, organizatat përdornin anije të shpejta, të ndihmuara nga distanca e shkurtër mes shqiptarëve dhe bregdetit puliez. Ne flasim për rrugë nga 80 në 100 milje apo dhe në 200 milje vajtje-ardhje. Ata përdorin anijeve me madhësi të ndryshme dhe me motorë të ndryshëm, që janë më të aftë se një motoskaf normal, duke qenë të aftë të lundrojnë edhe në një det të trazuar”.

Gomone më të vogla

“Deri disa vite më parë – shpjegon koloneli Maggiore, mjetet e përdorura ishin më së shumti kryesisht gomone të mëdha me 2 ose 3 motorë nga 250 kuaj fuqi secili. Tani ne shohim përdorimin e skafeve të vegjël, më pak të shtrenjtë, për të shmangur investimet e mëdha në të holla. Sepse trafikantët kanë marrë parasysh se mund ta humbin drogën dhe motoskafin. Sigurisht, ato janë më të shumta se motoskafet e mëdha. Në kohët e fundit-përsërit koloneli, në Shqipëri kanë intensifikuar kontrollin dhe monitorimin e këtyre gomoneve të fuqishme (shumë të përdorura për trafiqe të paligjshme) nga ana e policisë lokale. Sot, është e detyrueshme t’u komunikosh autoriteteve detare shqiptare sa herë duhet të lëvizësh nga njëri port në tjetrin. E gjithë kjo, sigurisht ka lehtësuar punën tonë në një klimë të bashkëpunimit të frytshëm dhe sinergjik. Ky shkëmbim informacioni, shton kolonel Major, për ne është shumë i dobishëm, sepse ajo deri tani ka lejuar për të prodhuar rezultate të mira në drejtim të kundërt. Të dhënat që policia lokale siguron të na lejojnë që të punojmë më mirë në fushën operacionale, para dhe sidomos pasi kanë përfunduar hapat për zhvillime të mëtejshme hetimore”.

Avioni i drogës në Ishëm, hetimet: Nuk kishte asnjë defekt

Italiani Guido Guidi ka ulur avionin e tij në Ishëm vetëm për të marrë drogën dhe mjeti i tij fluturues nuk ka pasur asnjë defekt dhe në zonën e Ishmit në Durrës nuk ka pasur asnjë turbulencë ajrore që mund të sillte rrëzimin e tij. Burimet nga organi i akuzës bëjnë të ditur se, pas kryerjes së hetimeve ka rezultuar se avioni është ulur qëllimisht në Ishëm në pistën e përgatitur posaçërisht. Pas hetimeve që ka bërë grupi hetimor në lidhje me gjendjen teknike të mjetit fluturues që u ul në Ishëm, janë pyetur edhe drejtuesit e Aviacionit Civil Shqiptar, të cilët kanë deklaruar se avioni nuk ka pasur asnjë defekt.
Fillimisht Guido Guidi tha se, kishte pasur defekt dhe prandaj ishte ulur aty, por më pas pranoi se kishte ardhur për të provuar pistën nga ku do të ngarkohej me drogë. Avioni i drogës u ul në Ishëm në mesin e muajit shtator. Burimet bënë të ditur se, ngarkesa që mbante në bord avioni kishte 2 tonë drogë dhe nuk ka arritur që të ngrihej në fluturim. Ky ka qenë dhe gabimi i trafikantëve. Ata e kanë ngarkuar avionin më shumë se pesha që ai duhet të mbante. Avionë të tillë mbajnë deri në 1.5 tonë ngarkesë, ndërsa trafikantët e kanë ngarkuar atë me 2 tonë, duke mos arritur që avioni të ngrihej.
Avioni i pilotit italian, Guidi, nuk ka qenë i pari që ka bërë transportin e drogës drejt Italisë. Ai ka qenë avioni i tretë i ngarkuar me kanabis. Dy avionët e tjerë kanë fluturuar para tij dhe nuk janë rrëzuar.

Maskat, tre grabitje në një javë në Tiranë, asnjë i arrestuar nga policia

Maskat kanë grabitur sërish nën kërcënimin e armëve një pikë karburanti në rrugën “Isuf Elezi” në kryeqytet. Sipas burimeve, ngjarja ka ndodhur pas mesnatës të së dielës ku një i ri, rreth 25 vjeç, i maskuar me kapuç në kokë dhe një shami në fytyrë, pasi ka kërcënuar me armë punonjësin e karburantit, 42-vjeçarin me inicialet H.S i ka vjedhur atij 80 mijë lekë dhe një celular tip “iPhone 6”. Menjëherë pas vjedhjes, autori është larguar me shpejtësi në drejtim të paditur për policinë.
Ky është rasti i tretë në një javë që grabiten pikat e karburantit në Tiranë. Më 11 tetor, në rrugën nacionale Tiranë-Fushë Krujë është grabitur një pikë karburanti nga persona ende të paindentifikuar. Dy persona të maskuar dhe nën kërcënimin e armës i kanë marrë rojes së karburantit, shtetasit A.B, rreth 42 vjeç, 10 000 lekë (të reja) dhe më pas janë larguar.
Ndërsa të dielën e 10 tetorit ka ndodhur një grabitje me armë në një pikë karburanti në Unazë të Re në Tiranë. Një person i paidentifikuar, rreth 16 vjeç, nën kërcënimin e armës i ka marrë xhiron ditore punonjësit të karburantit. Më pas. ai është larguar sëbashku me një person tjetër të paidentifikuar me motor, në drejtim të Sheshit “Shqiponja”.
Ndërsa në ditët e para të muajit tetor, grabitësi kërcënoi me armë dhe mori xhiron ditore të një karburanti në qendër të Tiranës shumë pak metra larg Drejtorisë së Policisë në rrugën “Myslym Shyri”. Sipas burimeve, dyshohet se gjatë muajit shtator i njëjti person ka kryer dhe disa grabitje të tjera në Fushë-Krujë.
Tre rastet e sipërpërmendura janë ende të pazbuluara nga policia. Nuk ka asnjë person të arrestuar për grabitjet seriale të karburanteve në kryeqytet. Megjithëse të gjitha këto grabitje kanë qenë të regjistruara me kamera, Policia e Tiranës nuk ka mundur të identifikojë autorin. Në 6 muajt e parë të këtij viti në Qarkun Tiranë janë regjistruar rreth 2200 krime ndaj pronës.

Përplasje me armë në Vlorë, një i plagosur në të dy këmbët

Një përplasje me armë zjarri ka ndodhur në qytetin e Vlorës, ku si pasojë ka mbetur i plagosur një 34-vjeçar në të dy këmbët. Ngjarja ka ndodhur pasditen e djeshme në lagjen “Pavarësia”. Bëhet e ditur se, autorët kanë ardhur në vendin ku ndodhej 34-vjeçari dhe kanë qëlluar në drejtim të tij. Por vetëm një plumb e preku në këmbë. Ndërkohë, policia bllokoi dhe një makinë pranë vendit të ngjarjes, që dyshohet se mund të jetë përdorur në krim.
Policia e Vlorës ka mundur të identifikojë autorin e plagosjes me armë zjarri në lagjen “Pavarësia”, i cili është shpallur në kërkim. Sipas Policisë, 34-vjeçari, nën efektin e alkoolit është konfliktuar në lokalin e fshatit Kuç me 44-vjeçarin V.L. Pas sherrit, Zeneli ka shkuar në banesë dhe ka marrë kallashnikovin, me 2 fishekë në krehër dhe e ka kërcënuar. Falë ndërhyrjes së policisë 34-vjeçari është arrestuar.
Gjatë kontrollit të ushtruar në banesën e tij, është gjetur një tjetër armë zjarri tip “Shars”, me 30 fishekë në krehër. Rreth dy javë më parë, një 33-vjeçar në Dajç të Shkodrës vrau dy persona dhe plagosi katër të tjerë. I gjithë konflikti nisi pas një loje pokeri në lokalin e fshatit. Policia e Vlorës bëri të ditur se ka ngritur pika kontrolli në rrugët hyrëse dhe dalëse të qytetit për të kapur autorin e plagosjes.

Tmerr në Tiranë, makina i pret kokën 60-vjeçarit tek po kalonte autostradën

Një ngjarje tronditëse ka ndodhur mbrëmjen e djeshme në Tiranë. Një 60-vjeçar ka humbur jetën pasi u përplas nga një automjet, teksa tentoi të kalonte nga njëra anë e rrugës në tjetrën. Burime nga vendi i ngjarjes bëjnë të ditur se, kalimtari u përplas për vdekje nga një makinë me targa AA 730 MP, në afërsi të një qendre tregtare, në autostradën Tiranë-Durrës. Sipas dëshmitarëve, përplasja ishte aq e fortë, sa makina i preu kokën kalimtarit. Nuk dihet ende identiteti i viktimës, ndërsa policia ka shoqëruar drejtuesin e automjetit.
Viktima ka qëndruar i shtrirë në mes të rrugës për shumë minuta pa shenja jete. Sipas dëshmitarëve, viktima tentoi të kalonte rrugën, kur dritat e autostradës ishin të fikura dhe për pasojë shoferi nuk e vuri re. “Më datë 17.10.2016, rreth orës 19:05, në autostradën Tiranë-Durrës, pranë një qendre tregtare, një automjet  me targa AA 730 MP që  drejtohej nga shtetasi A. M., ka aksidentuar këmbësorin e seksit mashkull, rreth 60 vjeç, i cili  ka ndërruar jetë në moment si pasojë e plagëve të marra. Grupi hetimor po punon për identifikimin e viktimës dhe zbardhjen e rrethanave të aksidentit. Drejtuesi i mjetit është ndaluar në flagrancë dhe është shoqëruar nga shërbimet e Qarkullimit Rrugor Tiranë”, thuhet në njoftimin e policisë.
Ndërkohë, një aksident me pasojë vdekjen e një të moshuari është regjistruar rreth një muaj më parë në autostradën Rrogozhinë-Kavajë. Sipas policisë, kalimtari 68 vjeç u përplas teksa tentoi të kalonte në anën tjetër të rrugës. “Jeta osh qef” ka publikuar pamjet e aksidentit tragjik, ku duket qartë këmbësori që vrapon për të dalë në anën tjetër të rrugës, duke mos parë pas dhe aq më tepër në autostradë. Goditja ishte e fortë dhe fatale për jetën e tij.
I afërmi i viktimës, që mundësoi video, shprehet se drejtuesi i automjetit që shkaktoi aksidentin ka qenë duke udhëtuar me shpejtësinë 240 km/h. Sipas tij, fajtor është drejtuesi i mjetit që po ecte me një shpejtësi shumë të madhe, duke e pasur të pamundur ndalimin e makinës për të shmangur aksidentin fatal.

Njërës nga viktimat i kanë zhdukur telefonat

Familjarët e Greta Sherifit, vajzës që vdiq bashkë me dy shoqet e saj në aksidentin tragjik të ndodhur në autostradën Tiranë-Durrës, në afërsi të Sukthit, kanë denoncuar publikisht humbjen e sendeve personale të saj. Kushërira e Greta Sherifit me iniciale N.E., ka kontaktuar pranë redaksisë së “Jeta Osh Qef”, duke kërkuar ndihmë nga ndjekësit për telefonat e 23-vjeçares.
Sipas saj, familjarëve u janë dorëzuar disa sende pa vlerë, por jo telefonat. Ata janë të gatshëm të paguajnë në vlerë monetare, vetëm që telefonat t’ju kthehen, pasi aty kanë kujtimet me Gretën.
“Përshëndetje JOQ! Dua ndihmën tuaj. Nga vendi i aksidentit më 13 tetor, në Sukth me viktima tre gocat, janë humbur dy telefonat e Greta Sherfiti, 1 iPhone 6 e një iPhone 7. Ju lutemi postojeni nëse dikush i ka ose di diçka, ne si familje jemi të gatshëm t’ju japim në lekë vlerën e telefonave që t’i blejnë të rinj. Telefonat e Gretës i duam pas se aty na ka lënë tërë kujtimet e saj. Ju lutemi, të na i kthejë pas kush i ka. Shumë faleminderit, ju lutem postojeni. Unë jam kushërira e saj, por u rritëm në një shtëpi, qe motra ime e vogël. Javës tjetër do të bëhet edhe denoncimi në polici se prindërit s’janë akoma në gjendje. Është gjetur vetëm çanta e saj e hapur me cigaret, portofolin me 4 mijë lekë brenda e ca gjëra pa vlerë, por telefonat nuk u gjetën”, thotë kushërira e Gretës.
Sipas denoncueses, sendet e dy shoqeve të tjera janë dorëzuar tek familjarët. “Po, të afërmit e dy shoqeve të tjera i kanë marrë, thanë policët, por ishin telefona me vlerë më të vogël, për një telefon të Gretës e dimë sigurisht që ishte tek çanta e saj e tjetrin në dorë kur ndodhi aksidenti. I kanë marrë ndoshta nga vlera e lekëve pa menduar vlerën e fotove për neve. Kur na dhanë çantën të hapur i thamë se mungojnë telefonat e na thanë nuk u gjendën, shkoni e kërkoni në makinë. Por, çanta po të qe hapur në momentin e aksidentit gjërat që kishte brenda do të ishin shpërndarë, policët thanë se çantën e gjetën veç me ato gjëra brenda”.
Kjo nuk është hera e parë që bëhen denoncime për humbje të sendeve personale me vlerë në aksidentet rrugore. Vitin e kaluar u denoncua humbja e një valixheje me para në një aksident të ndodhur në Kavajë dhe u akuzuan policët rrugorë. Në aksidentin e Sukthit ishte 36-vjeçari, Dashnor Deliallisi që e shkakatoi atë, pasi udhëtonte me 150 km/h në krah të kundërt të autostradës, duke e goditur përballë makinën e 3 vajzave që ishin nisur për në Greqi.

Shuhet Gëzim Kasmi, futbollisti që bëri histori tek “Tirana”

Ish-futbollisti që bëri histori tek skuadra e Tiranës, Gëzim Kasmi, ka ndërruar jetë mbrëmjen e djeshme. Kasmi ka luajtur për shumë vite tek skuadra e Tiranës, duke mbajtur pozicionin e mbrojtësit të majtë. Ai shquhej për lojën e fortë dhe konsiderohej si një nga mbrojtësit më të mirë që ka pasur skuadra e Tiranës përgjatë historisë së saj si ekip. Ai ishte po ashtu një nga mbrojtësit më të mirë të Kombëtares në pozicionin e vet. Emri i Gëzim Kasmit është po ashtu në këngët që tifozët e Tiranës kanë bërë skuadrën e tyre. Homazhet do të zhvillohen sot në orën 11:00 tek stadiumi “Selman Stërmasi”.

Eurodeputeti Fleckenstein: Negociatat me Shqipërinë nuk do hapen

Socialdemokrati gjerman, Knut Fleckenstein, raportues i PE për Shqipërinë has vështirësi për të besuar shtyrjen e dytë të datës së publikimit të raportit të progresit nga ekzekutivi europian, qoftë për Turqinë, qoftë për sebepin e PPE-së. Ai këshillon shqiptarët të vazhdojnë në rrugën e duhur, por dhe që të mos kenë pritshmëri të larta nga raporti i radhës.
“Unë nuk do të doja të bëhej kjo (shënim: shtyrje), por nuk besoj se këto zëra janë të vërtetë. Nuk arrij ta besoj dot se komisioneri përgjegjës për këtë paketë tani, nuk e prezanton dot pse nxiton për një takim partiak të PPE-së në Madrid. Unë nuk mendoj se zgjerimi nuk është më kaq i rëndësishëm. Por, mesazhi im kryesor për Shqipërinë është ‘vazhdoni të ecni’ sepse Shqipëria është në një rrugë mjaft të mirë. Edhe pse e dimë se ka ende shumë për t’u bërë, por, për shembull për reformën në drejtësi është bërë shumë punë dhe tani priten komentet e Komisionit të Venecias dhe më pas, ka shumë më tepër rëndësi madhore, që kjo reformë të marrë shumicë të gjerë në Parlamentin tuaj, të gjitha ndryshimet kushtetuese, sepse kjo reformë është baza për gjithçka tjetër, si dekriminalizimi, lufta ndaj korrupsionit e me radhë, ndaj mendoj se jemi tashmë në një fazë emocionuese”, është shprehur Fleckenstein.

– Çfarë duhet të presin shqiptarët nga raporti i ri?
Unë do ju thosha mos prisni shumë. Kësaj radhe do të përmendet vetëm se ku ka pasur progres, sigurisht, për 5 prioritetet kyçe ka pasur progres dhe se cilat janë hapat e radhës për t’u marrë, që ju i dini më mirë se Komisioni. Kështu që shpresoj se vitin tjetër do të mund të ecim para me hapin e mëtejshëm.

– Pra, vitin tjetër mund të nisin negociatat për anëtarësim?
Unë shpresoj vërtet kështu, që ato të nisin vitin e ardhshëm, dhe jam i bindur se do të ishte e drejtë dhe e ndershme të veprohej kështu.

Dritan Hajro, kandidati i opozitës për Bashkinë e Kolonjës

Dritan Hajro është emri i kandidatit të opozitës që do të kandidojë për kryetar Bashkie në Kolonjë. Hajro, një kandidat i propozuar nga Partia Agrare  Ambientaliste dhe i mbështetur nga Partia Demokratike, është prezantuar nga zoti Basha në një takim me drejtues të strukturave të PD në Kolonjë. Kolonja, tha zoti Basha, do të jetë shembulli i bashkimit të madh qytetar për t’iu kundërvënë aleancës së krimit dhe drogës.
“Kandidati është i propozuar nga PAA dhe i miratuar nga Kryesia e Degës së Ersekë është z.Dritan Hajro. Ai vjen nga një background i majtë, por ndan me ne demokratët, ndan me të djathtën shqiptare, me koalicionin tonë opozitar domosdoshmërinë e përballjes me të keqen që kemi përballë. Domosdoshmëri e qendresës, refuzimit dhe përballjes me Edi Ramën, me krimin, me drogën, me korrupsionin. Dhe është njësoj si dhjetëra, qindra, mijëra shqiptarë me prejardhje politike të majtë i rreshtuar pa asnjë hezitim në një aleancë të madhe që po zmadhohet dita-ditës dhe që ka për qëllim bashkimin e fuqive të gjithë shqiptarëve të ndershëm, të djathtë, të qendrës dhe të majtë, që kanë marrë një zotim para qytetarëve shqiptarë dhe një zotim para historisë në këtë moment delikat për Shqipërinë dhe për shqiptarët. Për të mos ia lënë Shqipërinë në dorë krimit, për të mos ia lënë Shqipërinë në dorë drogës, për të mos ia lënë Shqipërinë në dorë një bande të korruptuarish që buxhetin e shtetit e shohin si pronën e tyre. Këtu nga Kolonja të ndërtojmë së bashku një model, modelin e bashkimit qytetar, modelin e aleancës qytetare me të gjithë faktorët për t’ia kundërvënë koalicionit të krimit”, theksoi zoti Basha.
Duke parë situatën e rëndë ekonomike që po kalojnë qytetarët e Kolonjës, pavarësisht nëse janë të majtë apo të djathtë, i bindur se bashkë me qytetarët, pa dallim bindjesh politike do të mund ta ndryshojmë këtë realitet, pranova propozimin e opozitës për të kandiduar për kryebashkiak, theksoi Dritan Hajro.
“Këto janë zgjedhje administrative, nuk janë zgjedhje politike. Unë do të jem kryetari i Bashkisë për të gjithë qytetarët e Kolonjës pa dallim bindjeve politike. Do të jemi bashkë me qytetarët për të zgjidhur hallet dhe problemet e tyre”, u shpreh kandidati Hajro.
Koalicionit të madh opozitar, tha kryetari i Partisë Agrare Ambientaliste, Agron Duka, po i bashkohen shumë socialistë, pasi sot në qeverisje nuk janë socialistët, por vetëm një grusht njerëzish të lidhur me Edi Ramën.
“Të bashkohemi bashkë demokratët, anëtarë dhe simpatizantë të PAA-së, qoftë edhe njerëzit e majtë, të cilët ndihen të diskriminuar nga qeveria e rilindjes. Se ka edhe një gjë nuk është më e majta e majtë, por është rilindja e Edi Ramës”, deklaroi kryetari i PAA, Agron Duka.

PD: Antimafia italiane flet për të vërtetën e drogës që mohon Rama

Partia Demokratike reagoi dje pas deklaratave të prokurorit italian të Leçes, Cataldo Motta, sipas të cilit autoritetet shqiptare s’janë të interesuara për të luftuar drogën. Përmes një deklarate për mediat, kreu i Departamentit për Rend dhe Siguri, Enkelejd Alibeaj tha se, Antimafia italiane flet për të vërtetën e drogës që mohon Rama. “Zyrtari kryesor i Antimafias italiane që heton drogën e nisur çdo ditë nga Shqipëria për në vendin fqinj, Cataldo Motta, jep alarmin për sasitë e mëdha me kanabis, të pahasura më parë. Edi Rama e mohon, por prokurori që heton direkt këtë aktivitet kriminal, përmend se vetëm në një javë janë kapur nga policia italiane 3 tonë e 800 kg kanabis e mbërritur nga Shqipëria. Edi Rama e mohon, por Cataldo Motta ka një akuzë të fortë: autoritetet shqiptare s’janë të interesuara për të luftuar drogën”, u shpreh Alibeaj. Ai tha se këto denoncime janë bërë publike në kanalin “RAI3” dhe i ka parë gjithë bota. “Deklaratat e prokurorit të Antimafias, Motta, janë e vërteta e drogës në Shqipëri, që e di i madh e i vogël. Ekonomia e drogës është e vetmja ekonomi që funksionon, ku janë orientuar të gjitha burimet dhe asetet. E dinë të gjithë, por e thotë hapur një kultivues i Krujës për ‘RAI3’”, tha ndër të tjera kreu i Departamentit të PD për Sigurinë. Ai i bëri thirrje qytetarëve që të bashkohen kundër regjimit që po destabilizon shoqërinë. “100 euro merren nga një bimë, 40 euro i merr policia. 40 eurot për policinë, janë 40 euro për fondin që ka ngritur Edi Rama për të mbajtur pushtetin me çdo kusht, për të blerë votat si në Dibër, për të kapur zgjedhjet që po vijnë. 40 euro për secilën nga miliona rrënjë kanabis, janë paratë e krimit me të cilat Edi Rama dhe karteli i tij i drogës po sundojnë vendin, po drogojnë vendin, po destabilizojnë shoqërinë. Droga po shkatërron shoqërinë, po shkakton vrasje, po helmon fëmijët, sigurinë e shkollave, të ardhmen e tyre. Nuk duhet ta lejojmë këtë të zezë të mbërthejë Shqipërinë. Duhet të bashkohemi të gjithë e t’i tregojmë vendin Edi Ramës e bandave të tij të drogës, të dëshmojmë se Shqipëria meriton zhvillim, rend e siguri dhe jo drogë”, u shpreh Alibeaj.