23.5 C
Tirana
E hënë, 28 Prill, 2025

SHBA e Britania, paqartësi për Sirinë dhe rolin e Rusisë

Patrick Wintour
Shtetet e Bashkuara dhe Britania thanë ditën e dielë se janë duke shqyrtuar mundësinë e implementimit të sanksioneve të reja ekonomike kundër qeverisë siriane dhe mbështetësve të saj në kundërpërgjigje të bombardimeve të vazhdueshme të Alepos, por nuk arritën të gjenin konsensusin politik për të ndërmarrë veprime ushtarake, përfshirë edhe vendosjen e një zone ku nuk lejohen bombardimet.
Në fund të bisedës katër orëshe në Londër ndërmjet vendeve që mbështesin opozitën siriane, sekretari i Jashtëm britanik, Boris Johnson, u detyrua të deklaronte se, “mungon oreksi politik, për ta thënë me fjalë të tjera” ndërmjet vendeve perëndimore për të hyrë në luftë me Sirinë.
Johnson tha se po diskutohet mbi mbështetjen për caktimin e zonës ku nuk lejohen bombardimet, por nuk ka mbështetje për propozimin si nga Shtëpia e Bardhë dhe as Downing Street, për shkak të frikës se kjo mund të sillte një kundërsulm nga Rusia dhe thellim të mëtejshëm të konfliktit. Figura të ndryshme të opozitës siriane po përpiqen të bindin Hillary Clintonin që të mbajë një qëndrim më të egër, nëse bëhet presidente e Shteteve të Bashkuara muajin tjetër.
John Kerry, sekretari amerikan i Shtetit tha se, Perëndimi do të intensifikojë më shumë sanksionet ekonomike, po nuk ka specifikuar Rusinë si pjesë e tyre. “Po shqyrtojmë sanksione të tjera dhe po sigurohemi që Presidenti Barack Obama të mos heqë asnjë nga opsionet nga tavolina”, tha Kerry. Kuptohet se Kancelarja gjermane, Angela Merkel, një figurë kyçe e sanksioneve të BE-së, është e gatshme të ndërmarrë veprime më të egra, por e ka të vështirë të bindë aleatët e koalicionit të saj.
Johnson tha se Perëndimi po shqyrton propozime të reja po shtoi: “Nuk do të pretendoj se në këto propozime ka ndonjë zgjidhje magjike për luftën e përgjakshme, sepse përgjigjja e vërtetë ndodhet tek ata që janë duke e kryer dhe ata janë regjimi sirian në bashkëpunim me rusët dhe iranianët”.
“Asnjë nga mundësitë nuk është hequr nga tavolina, por nuk ka dyshime se e ashtuquajtura ndërhyrje ushtarake është tmerrësisht e vështirë për t’u arritur. Për ta thënë më thjeshtë, mungon oreksi politik nga shumica e kryeqyteteve europiane dhe në Perëndim për këtë lloj zgjidhjeje për momentin. Kështu, do të na duhet të punojmë me mjetet që kemi për momentin dhe ato janë vetëm mjete diplomatike”.
“Mendoj se arma më e fuqishme që kemi në këto çaste është aftësia jonë për ta bërë Presidentin Vladimir Putin dhe rusët që të ndjejnë pasojat e veprimeve që po kryejnë”, vazhdoi Johnson. Johnson dhe Kerry konfirmuan edhe një herë se, kanë rënë dakord që të nisin një raund të ri sanksionesh ekonomike kundër regjimit sirian dhe mbështetësve të tyre.
Johnson e përshkroi si tepër të rëndësishëm edhe vendimin e Francës për të refuzuar një vizitë të Presidentit Putin në Paris për të diskutuar çështjen e Sirisë, gjë që e detyruan Presidentin rus të tërhiqte vizitën e tij. “Ata po fillojnë të ndjejnë presionin dhe është thelbësore që këtë presion të vazhdojmë ta rrisim”, tha Jonhson.
“Ka shumë masa që jemi duke propozuar të ndërmarrin së bashku me sanksionet e reja mbi regjimin sirian dhe mbështetësve të tyre, masa që do t’i përgjigjeshin krimeve të luftës përpara Gjykatës Kriminale Ndërkombëtare. Këto masa do të arrijnë shumë shpejt të prekin përgjegjësit e krimeve të luftës dhe ata duhet ta mendojnë mirë këtë”.
Johnson tha se është tepër e dyshimtë që qeveria e Assadit dhe aleati i saj Rusia të arrijnë të rimarrin në dorë kontrollin e qytetit të Alepos apo të fitojnë luftën, duke i bërë thirrje Rusisë dhe Iranit që të shfaqin lidershipin e nevojshëm për t’i dhënë fund konfliktit. “Është në dorën e tyre të shfaqin mëshirë për njerëzit e pafajshëm të qytetit dhe të miratojnë një armëpushim”, shtoi Johnson.
Mungesa e ideve të reja ka pak gjasa të arrijë të frenojë Rusinë apo Presidentin sirian, Bashar al-Assad, nga qëllimi i tyre për të vazhduar sulmet kundër qytetit të Alepos. Johnson tha përpara komitetit të zgjedhur të çështjeve të jashtme se sanksionet ekonomike të imponuara kundër Rusisë për shkak të veprimeve agresive në Ukrainë e kanë goditur rëndë, por pranoi se është vështirë të kuptohet nëse ekonomia ruse ka pasur vështirësi për shkak të sanksioneve apo për shkak të rënies së çmimeve të naftës.
Kerry është shfaqur veçanërisht i dobët politikisht duke deklaruar javën e kaluar se kontaktet me Rusinë për çështjen e Sirisë janë duke u prishur për shkak të shkeljes së armëpushimit nga ana e rusëve, por më pas rifilloi të njëjtat bisedime ditën e shtunë në Lausanne së bashku me Turqinë, Iranin, Irakun, Arabinë Saudite dhe Emiratet e Bashkuara Arabe. Duket se Rusia e ka përjashtuar Francën dhe Britaninë e Madhe nga këto biseda për të shfaqur publikisht se Grupi i Mbështetjes Ndërkombëtare të Sirisë tashmë është prishur.

Përgatiti
KLARITA BAJRAKTARI

Grindjet rreth rolit të FMN

Shumë i rëndësishëm këtu është edhe roli i Fondit Monetar Ndërkombëtar, rreth të cilit ka shumë grindje. FMN mendon se borxhet greke janë të paqëndrueshme. Ai kërkon që Greqia të jetë pjesë e financimeve të programit të shpëtimit. Disa vende të BE-së, ndër to edhe Gjermania, kanë kundërshtuar kërkesat për faljen e disa borxheve të Greqisë. Kryeministri Alexis Tsipras thotë se krahas kontrolleve për vlerësimin e ekonomisë greke, duhet të ndërmerren edhe masa për faljen e borxheve. Ndërkohë që Greqia duhet të anëtarësohet edhe në programet e Bankës Qendrore Evropiane. Tsipras tha se së pari duhet të kryhen detyrat e shtëpisë e më pas do të shohim. Por kritikat kundër Berlinit nuk mund të pranohen. Për rolin e saktë të FMN ende nuk dihet saktë.
Por është shumë me rëndësi që FMN të mbetet në bord, jo vetëm për shkak të Greqisë, thotë analisti Nikos Filippidis në “TV-Skai”. Athina ka parashikuar që në vitin 2017 të rikthehet në tregje. Më së largu atëherë parashikohet një rritje ekonomike prej 2,5%, premton Tsipras. Profesori Petrakis thotë se kjo prognozë nuk është e sigurt.

Pika më e rëndësishme, reforma e tregut të punës
Për Athinën pjesëmarrja e FMN në programin e shpëtimit i ka edhe anët negative. Sepse askush tjetër nuk insiston kaq shumë në reformat e tregut të punës, në radhë të parë sa i përket mbrojtjes së punëtorëve nga largimi prej punës dhe dinamikës së re në treg. Për zgjedhësit majtistë të qeverisë, receptet “neoliberale” “janë linja e kuqe” e reformave. Ministri  i Punës, Jorgos Katrougalos po përpiqet të fitojë kohë. Ai po pret së pari një vendim të Gjykatës Evropiane për mbrojtjen e punëtorëve, për të miratuar reformën e tregut të punës. Ekonomisti Petrakis thotë se edhe kjo është një dëshmi se Athina po përpiqet të ngadalësojë reformat, sepse nuk dihet nëse gjykata do të marrë vendim deri në fund të këtij viti.

Greqi, agonia vazhdon

Helena SMITH

Përpjekjet për ta vendosur Greqinë përsëri në rrugën e duhur intesifikohen këtë javë kur revizorët që përfaqësojnë kreditorët e vendit të zhytur në borxhe të mbërrijnë në Athinë për shqyrtimin e radhës mbi ekonominë greke. Katërmbëdhjetë muaj pasi iu dha paketa e shpëtimit prej 86 miliardë eurosh, paketa e tretë e dhënë për Greqinë pas vitit 2010, përfaqësuesit e Bashkimit Europian dhe Fondit Monetar Ndërkombëtar fluturuan të hënën për të shqyrtuar progesin mbi reformat ekonomike që qeveria ka premtuar në këmbim të fondeve.
Vizita e kreditorëve po ndodh në kuadër të vështirësive ekonomike të vazhdueshme të vendit. Shtatë vjet pas rënies më të rëndë ekonomike të historisë së pasluftës, hallka më e dobët e zinxhirit të BE-së karakterizohet sërish me rritje ekonomike anemike, papunësi të lartë kokëfortë, pesimizëm të forcës konsumatore dhe një borxh prej 330 miliardë dollarësh.
Instituti Bruegel, firma këshillimore ekonomike në Bruksel, paralajmëroi javën e kaluar se, Athina do të ketë nevojë për një paketë shpëtimi të katërt kur litari i shpëtimit t’i shpëtojë në vitin 2018. “Greqia nuk do të jetë e aftë të marrë borxh nga tregjet”, thotë Zsolt Darvas, një ekonomist i institutit. “Kështu do të nevojitet një paketë e katërt asistence”.
FMN-ja ka thënë se ripërtëritja është e pamundur derisa Athinës t’i miratohet një falje pjesore e borxhit. Me Gjermaninë që ndodhet përpara zgjedhjeve të ardhshme kombëtare vjeshtën e ardhshme, ministri i egër i Financave, Wolfgang Schäuble, është shprehur tërësisht kundër heqjes së një pjese të borxhit grek.
Fërkimet janë aq të forta sa shtypi gjerman ka filluar sërish të ngrejë hipotezën e vjetër të largimit të Greqisë nga eurozona – “Grexit” – duke thënë se largimi i vendit nga monedha e përbashkët mund të jetë mundësia më e mirë për të luftuar rënien e standardit të jetesës. Dhoma e ulët e Gjermanisë miratoi paketën e fundit të shpëtimit të Greqisë me kushtin që edhe FMN-ja të përfshihej.
Në muajin maj, ministrat e Financave të eurozonës thanë se plotësimi i shqyrtimit të parë – plotësuar me disbursimin e 1,1 miliard eurosh fonde një javë më parë – do t’i hapnin rrugën lehtësimit të borxhit grek. Qeveria e drejtuar nga të majtët në Athinë e ka bërë uljen e borxhit platformën kryesore politike të ekonomisë dhe zyrtarët besojnë se kjo është mënyra e vetme për të garantuar rihyrjen në tregun e bonove. Kjo do ta lejonte gjithashtu Bankën Qendrore Europiane që të blinte borxhin qeveritar grek falë programit të lehtësimit sasior të borxhit.
Kreditorët po kërkojnë tani implementimin e reformave të premtuara që kanë për qëllim kufizimet e disa praktikave të punës, përfshirë edhe atësinë për të negociuar pagat kolektivisht dhe për të nisur padi industriale. Duke adresuar delegatët në fillim të kongresit të partisë Syriza javën e kaluar, Kryeministri grek, Alexis Tsipras i hoqi dorezat duke i bërë thirrje kreditorëve që të mbanin premtimet e dhëna.
“Marrëveshja duhet të respektohet nga të gjitha palët. Nuk ka më ‘të shohim’”, tha ai, duke ia fajësuar mungesën e zhvillimit, konfliktit të Greqisë me kreditorët për faljen e borxhit. “Populli grek ka vuajtur mjaftueshëm për kaq shumë vjet dhe meritojnë të kompensohen”.
Pasi e bazoi të gjithë karrierën e tij që mori hov menjëherë duke kundërshtuar masat e egra ekonomike – çmimi që duhej paguar për të marrë më shumë se 300 miliardë euro në fonde shpëtimi – Tsipras i ka përqafuar me gjithë zemër reformat që dikur ishin armiku kryesor për të, pavarësisht rënies së ndjeshme të popullaritetit të tij në vend.
Nëse lehtësimi i borxhit dhe aksesi në programin e lehtësimit sasior arrihen me sukses, thuhet se qeverisë do t’i lejohet të ndjekë politikën e zhvillimit duke ndihmuar ata që janë prekur më shumë nga kriza. Duke u zotuar se do ta kalojë me sukses shqyrtimin e kësaj jave, Tsipras këmbënguli se kreditorët duhet të arrijnë një marrëveshje mbi borxhin deri në dhjetor.
Por implementimi i reformave të nevojshme nuk ka për të qenë i lehtë. Historia e suksesit që qeveria nxiton të promovojë ka edhe kundërshtarë të fortë brenda Syrizës. Të majtët, drejtuar nga ministri i Financave, Euclid Tsakalotos e përdorën kongresin e Syrizës për të paralajmëruar një shkëputje të madhe ndërmjet njerëzve të zakonshëm dhe pretendimi se marrëveshja e fundit me kreditorët do të jetë sukses. Sipas kritikëve, paketa e tretë e shpëtimit nuk ishte asgjë përveç se një dështim i madh për të majtët. Me shqyrtimin e radhës që përqendrohet në implementimin e reformave të punës, pakënaqësia pritet të rritet.
“Reformat e punës, elementi kryesor i reformave, janë kufiri i kuq ideologjik i Syrizës si parti, duke qenë se ideologjia e majtë e partisë mbështet fuqimisht të drejtat e punëtorëve dhe sindikatave”, thotë Mujtaba Rahman, analiste risku. “Nëse marrëveshja deri në dhjetor nuk duket e mundshme, ka gjasa që qeveria të tërhiqet dhe të dalë në zgjedhje të parakohshme në gjysmën e parë të vitit 2017. Kjo do të shtojë një tjetër sfidë me të cilën liderët europianë do të duhet të përballen”.

Përgatiti:
KLARITA BAJRAKTARI

Leipzig mahnit në Bundesliga, fiton edhe Mainz

Mainz i afrohet zonës së Europës në Bundesligë pas një fitoreje 2-1 në “Coface Arena” ndaj Darmstadtit. Vendasit e Schmidt ishin me fat në marrjen e 3 pikëve pas një ndeshje shumë të luftuar, ku u akorduan plot 3 penallti. Mainz gjeti shpejt epërsinë me golin e De Blasis që realizoi që në minutën e 5-të.
Damstadt pati mundësinë për të barazuar rezultatin në minutën e 45-të, por Coplak goditi në mënyrën më të keqe të mundshme penalltinë, duke mos dërguar topin në rrjetë. Nga pika e bardhë nuk gaboi, ndërkohë Malli në minutën e 56-të që dyfishoi shifrat për vendasit.
Darmstadt megjithatë e shënoi gjithashtu një 11-metërsh në minutën e 92-të me Gandorf, por nuk pati ndikim te rezultati përfundimtar, pasi në fund Mainz fitoi 2-1. Penallti të humbura u regjistruan dhe në ndeshjes mes Wolfsburg dhe Lajpcig, ku miqtë shpërdoruan një 11-metërsh në pjesën e parë me Forsberg, përpara se po Forsberg në pjesën e dytë të shënonte golin e fitores për Lapcigun që ruajti vendin e dytë në renditje, duke qëndruar ende i pathyer në Bundesligë.

Berisha: “Atalanta në rrugën e duhur”

Etrit Berisha është i kënaqur me barazimin 0-0 në një fushë të vështirë si ajo e Fiorentinës, edhe pse sipas tij, Atalanta mund të kishte dalë me pikë të plota nga ndeshja e sotme. “Sot u pa një Atalanta me dëshirë dhe vendosmëri të madhe. Mund të merrnim në shtëpi diçka më tepër, pasi krijuam shumë raste. Por edhe një pikë në këto momente është rezultat i mirë. Jemi shumë të kënaqur”, u shpreh portieri shqiptar për ueb-faqen zyrtare të klubit bergamask.
Barazimi i sotëm vjen pas fitores 1-0 kundër Napolit në javën paraardhëse dhe bluzinjtë duket se janë në rrugën e duhur pas nisjes së vështirë të kampionatit. “Kemi luajtur kundër dy skuadrave me dy prej sulmeve më të mira në kampionat. E kemi nisur keq sezonin, por tani jemi në udhë të mbarë”, shtoi 27-vjeçari nga Prishtina.
Berisha edhe sot ishte një nga pikat më të forta të Atalantës, dhe tashmë “gardiani” kuqezi e ka blinduar vendin e titullarit mes shtyllave. “Jam i lumtur që po mund ta ndihmoj ekipin. Trajneri dhe shokët e skuadrës kanë besim tek unë. Të gjithë bashkë po punojmë fort për të bërë diçka për së mbari”, përfundoi portieri i huazuar nga Lacio në ditën e fundit të merkatos së verës.

Mungojnë 11 lojtarë

Borusia Dortmund po përballet me një krizë të paprecedent dëmtimesh. Ndaj Hertës së Berlinit, u dëmtua edhe Marcel Shmelcer, duke çuar në 11 numrin e futbollistëve që trajneri Tuhel nuk do të ketë të gatshëm për duelin ndaj Sporting Lisbonës. Bëhet fjalë për futbollistë të rëndësishëm, pjesa më e madhe e të cilëve do të luanin titullar në radhët e kësaj skuadre dhe që me mungesën e tyre kanë dëmtuar ndjeshëm objektivat që Dortmundi kishte caktuar në këtë edicion.
Në Ligën e Kampioneve, për ekipin gjerman nuk do të jenë të gatshëm Marko Rojs, Gonzalo Kastro, Neven Subotiç, Andre Shyrle, Adrian Ramos, Rafael Guerreiro, Marcel Shmelcer, Sven Bender, Lukash Pishçzek, Sokratis Papastatopulos dhe Erik Durm. Ndërkaq, në fundjavë, për ndeshjen e Bundesligës kundër Ingolshtad, kësaj liste i shtohet edhe talenti Emre Mor, i cili ndaj Hertës u ndëshkua me karton të kuq.
Borussia e Dortmundit është e hapur për të nisur bisedimet me Realin e Madridit për Pierre-Emeric Aubameyang. Shefi ekzekutiv i skuadrës verdhezi, Joakim Watzke la të kuptohet se nëse drejtuesit e Los Blancos do të bëjnë ofertën e duhur, kalimi i 27-vjeçarit në kryeqytetin spanjoll mund të bëhet realitet. “Nëse Reali do të vijë te ne për Aubameyang, jemi të hapur për të biseduar, por nuk do të jetë e lehtë. Dëshirojmë që ai të qëndrojë me ne. Ndryshe nga disa lojtarë të tjerë që janë larguar së fundmi nga Borussia, ai ka kontratë deri në vitin 2020. Kam përshtypjen se edhe ai vetë nuk dëshiron të largohet”, u shpreh Watzke.
Kështu shprehet Warzke, por sulmuesi që këtë sezon ka shënuar 8 gola me Borussian, kurrë nuk e ka fshehur admirimin për Realin e Madridit. Mirëpo përveç Borussias, pengesë për blerjen e Aubameyang nga Los Blanos është edhe FIFA. Gjykata e Arbitrazhit Sportiv la në fuqi vendimin për pezullimin e merkatos së Realit për shkak të parregullsive me kontratat e minorenëve dhe nëse kjo masë ndëshkimore do të qëndrojë në fuqi, atëherë Reali nuk do të mund të bëjë asnjë blerje gjatë 2017-ës, pra as në janar dhe as verën e vitit të ardhshëm. Përveç klubit spanjoll për sulmuesin nga Gaboni kanë shfaqur gjithashtu interes Manchester City dhe Paris Saint Germain.
Një tjetër element për të cilin Reali interesohet është Gelson Martins i Sportingut të Lisbonës. Sipas “AS”, në ndeshjen e Championsit mes skuadrës portugeze dhe Borussias së Dortmundit, spanjollët do të dërgojnë specalistët e tyre për të vëzhguar evolucionin e 21-vjeçarit, që shkëlqeu pikërisht në “Santiago Bernabeu” në takimin e parë të Championsit, që u fitua 2-1 nga skuadra e Zidan.

Mërgim Mavraj mes yjeve të Bundesligës

Mërgim Mavraj tashmë mund të cilësohet pa frikë si një prej yjeve të Bundesligës gjermane. Mbrojtësi i përfaqësueses shqiptare po kalon një formë të jashtëzakonshme me fanelën e Këlnit dhe nuk është rastësi që sot është përzgjedhur përsëri në formacionin ideal të kampionatit nga e përditshmja sportive gjermane “Kicker”.
Skuadra e Këlnit po bën mrekullinë në këtë sezon, ndërsa aktualisht mban vendin e dytë në Bundesligë. Një meritë shumë të madhe për këtë arritje ka mbrojtja e kësaj skuadre, ku Mavraj është kthyer shumë shpejt në lider, edhe pse në fillim të sezonit kishte dyshime, nëse futbollisti shqiptar duhej të ishte titullar apo jo.
Besimi i trajnerit u shpërblye siç duhet, pasi Mavraj po dhuron paraqitje të shkëlqyera, aq sa për të dytën herë në vetëm 7 javë kampionat, u zgjodh në formacionin ideal të javës. Aty ai formon dyshen e qendrës të prapavijës me mbrojtësin e Bajern Mynih dhe kombëtares gjermane, Mats Humels, për të cilin kjo ishte hera e parë që rreshtohej mes më të mirëve.
Në këto 7 javë, vetëm Frank Riberi i Bajern Mynih, ka regjistruar më shumë prani në formacionin ideal, ku është përzgjedhur 3 herë. Ndërsa Mavraj është pjesë e një grupi prej 9 lojtarësh, mes të cilave ka emra si Lahm, Martinez apo Ibisheviç, të cilët koleksionojnë nga dy prani në formacionin ideal.

Botërori 2018, Shqipëria rrezikon mbylljen e stadiumit

Shqipëria rrezikon seriozisht të zhvillojë të paktën një ndeshje kualifikuese, atë ndaj Izraelit më 12 nëntor, me dyer të mbyllura. Kjo u konfirmua nga Sekretari i Përgjithshëm i Federatës së Futbollit, Ilir Shulku përpara mediave. Drejtuesit e futbollit shqiptar po presin me ankth vendimin e Disiplinorit të UEFA-s, pasi bëhet fjalë për një rast të përsëritur.
“Incidentet e ndeshjeve me Lihtenshtejnin dhe Spanjën, me flakadanë dhe shashka janë raste të përsëritura. Ndaj Maqedonisë u gjobitëm me 50 mijë euro, ndërsa tani rrezikojmë që të luajmë në fushën tonë pa tifozë. UEFA ka hapur çështjen dhe jemi në pritje të vendimit. Të vjen keq që për një grup të vogël personash, të dënohen të gjithë tifozët”, u shpreh Shulku.
Për të evituar ndëshkimet kolektive, të cilat padyshim do të ndikonin në mënyrë të drejtpërdrejtë edhe te rruga e Kombëtares drejt Botërorit 2018, federata do të nisë një fushatë sensibilizimi dhe takimesh me të gjithë aktorët e përfshirë. “Do të zhvillojmë takime me grupimet e tifozëve, policinë dhe më gjërë. Të gjithë bashkë të kontribuojmë për të sensibilizuar një mënyrë që të jemi korrekt në ndeshjet e ardhshme. Nuk kemi menduar për të ndëshkuar askënd nga grupimet në sektorët ku janë shfaqur këto probleme, pasi jemi ende në fazën ku do të bisedojmë”, tha ai.
Në situatën e krijuar, sekretari i Federatës së Futbollit, premtoi masa më të forta sigurie për hyrjen në stadium gjatë ndeshjeve ndërkombëtare. “Padiskutim që do të ketë ashpërsim të masave të sigurisë, sepse ky fenomen po vazhdon prej kohësh. Ne kërkojmë që tifozët në stadiumin “Loro Boriçi” të sillen njësoj si në Kampionatin Europian”, përfundoi Shulku.
Kërcënimi për këtë masë vjen nga UEFA, e cila ka gjobitur Federatën Shqiptare të futbollit në dy raste, në ndeshjen me Maqedoninë, por edhe në atë me Spanjën, për flakadanët dhe tymueset të hedhura në fushë nga grupimet e tifozërive.

Xhaka në 11-shen më të mirë

Taulant Xhaka përfshihet në formacionin e javës së 11 të Superligës së Zvicrës. Mesfushori i Baselit, ishte ndër më të mirët në fushën në takimin e fituar 3-0 ndaj Luzernës, duke ruajtur ekuilibrat në të dyja fazat e lojës së kampionëve në fuqi të Zvcrës. Në fakt në këtë përballje Xhaka fitoi derbin e shqiptarëve me Jahmir Hykën, i cili qëndroi në fushë 60 minuta në radhët e Luzernës, që u detyrua të largohej pa pikë nga “Saint Jakob Park”.
Xhaka zhvilloi një ndeshje të shkëlqyer, duke dhënë asist në rastin e golit të dytë të shënuan nga Lang. 25-vjeçari është një nga elementët më të rëndësishëm për trajnerin Ficher, pasi mund të luajë në pozicione të ndryshme. Në Champions League ndaj Arsenalit në transfertë Xhaka luajti madje në qendër të mbrojtjes. Këtë sezon futbollisti kuqezi është aktivizuar titullar në të gjitha takimet e kampionatit zviceran.

Montela: Larg duart nga Milani

Largoni duart nga Milani im! Ky mund të ishte slogani i trajnerit Viçenco Montela në prag të ndeshjes Kievo-Milan. Trajneri i kuqezinjve nuk i ka pritur aspak mirë diskutimet e shumta që janë bërë për fitoren e Milanit ndaj Sasuolos, ndërsa ka kërkuar që vëmendja të përqendrohet te ndeshja e sotme ndaj të besuarve të Maran.
“Treguam temperament dhe bëmë një ndeshje spektakolare, por polemikat kanë nxjerrë në plan të dytë përmbysjen magjike të Milanit. Unë jam shumë i kënaqur për reagimin që tregoi skuadra, por të tjerët kanë hedhur baltë”, tha trajneri i Milanit. Ai e vlerësoi maksimalisht rivalin, duke thënë se është një skuadër shumë e fortë dhe duhet marrë në konsideratë. “Është një Juventus i vogël. Kanë agresivitet në fushën e tyre dhe kanë ndërtuar baza të forta. Duhet të bëjmë shumë kujdes”, tha trajneri i kuqezinjve.
Numri një i Milanit ka dyshime të forta mbi formacionin që do të zbresë në fushën e lojës dhe thotë se do t’i bëjë zgjedhjet pak orë përpara fillimit të ndeshjes. Balotazhi i parë është ai mes Lapadulës dhe Bakës, me të parin që është më i avantazhuar, ndërsa balotazhi i dytë mes Sozës dhe Lokatelit. “Lokateli ka besimin tim dhe e vlerësoj shumë. Ai që tani i ka në dorë çelësat e mesfushës, sepse ka luajtur në 4 ndeshje shumë të rëndësishme për Milanin. E kam të vështirë të zgjedh, sepse edhe Soza është një lojtar me shumë potencial. Në të ardhmen mund të luajnë më shumë”, shtoi më tej Montela.
Tekniku kuqezi ka besim se skuadra e tij do të arrijë në Kupat e Europës këtë herë. “Nëse gjërat shkojnë ashtu siç duhet, ndjej që mund të shkojmë në Europë. Diçka të tillë e kam thënë shumë javë më parë, por sa më shumë kalon koha, aq më shumë bindem se kemi potencial për të shkuar në Europë.
Montolivo? Është një mungesë shumë e rëndësishme për ne, sepse është një lojtar me vlera të mëdha teknike. Është i pazëvendësueshëm, por nuk dua të krijoj alibi për vete, sepse ne duhet të fitojmë edhe pa të në fushë”, theksoi Montela. Ndeshja e sotme mes Kievos dhe Milanit do të luhet në orën 20:45.