Aleanca kundër Importit të Plehrave (AKIP) përshëndeti vendimin e Presidentit Nishani për të kthyer për rishqyrtim në Kuvend Ligjin për “Mbetjet”.
Përfaqësues të AKIP i kërkuan mazhorancës që të reflektojë pas këtij momenti, duke theksuar dhe një herë tjetër se mbetjet e importuara jo vetëm do të ndotin vendin, por njëherazi rrezikojnë edhe shëndetin e qytetarëve.
“Ne do të presim një moment qetësie që qeveritarët të reflektojnë ashtu siç kërkoi Presidenti sot, por nuk do ta lemë në asnjë moment që qeveria mos ndjejë trysninë e qytetarëve. Shqipëria është e jona dhe të gjithë bashkë mund ta bëjmë realitet që Shqipëria të mbetet pa plehra të importuara”, u shprehën përfaqësues të AKIP.
AKIP fton qytetarët që të jenë gati në rast se mazhoranca nuk reflekton ndryshimet në ligj.
“I bëjmë thirrje shqiptarëve të jemi gati se nuk e dimë çfarë na pret. Në çdo rast mund të kemi zhvillime që mund të mos na pëlqejnë”, thanë ata.
AKIP thirrje qytetarëve: Të jeni gati

Shqipëria me nivelin më të ulët të përdorimit të Energjisë për frymë
Shqipëria është një vend që ka burime të panumërta të energjisë, por renditet e fundit në rajon për përdormini e elektricitetit për frymë. Në raportin, që u prezantua dje, varfëria në sektorin e energjisë është një problem në rritje në vendet e Evropës Juglindore dhe rezulton me borxhe (pamundësi për të paguar faturat e energjisë elektrike), shtëpi të ftohta dhe probleme shëndetësore.
Pas transportit, sektori i ndërtimit në Shqipëri ka konsumin e energjisë më të lartë. Për familjet shqiptare, studimi tregon se burimi kryesor i energjisë është elektriciteti (45%) dhe pasohet nga biomasa me 38%. Në raport cilësohet se Shqipëria ka një normë të lartë papunësie 19%. Në Shqipëri vetëm 40% e familjeve kanë pajisje elektrike për gatim, ngrohje të ujit apo të tjera pajisje që përdorin energjinë. 11.2% e familjeve nuk kanë paguar faturat e energjisë elektrike dhe 20.7% kanë ngrohje të papërshtatshme. Gjithashtu në raport theksohet se 12.5% e shtëpive në Shqipëri kanë mure, dysheme apo bodrume me lagështirë dhe 7.7% e tyre kanë një çati që rrjedh.
Raporti vë në dukje se në vend nuk ka asnjë politikë për të zhdukur varfërinë energjetike.
Hartuesit e raportit vizituan dhjetë familje në kryeqytet, ku të gjithë jetonin në shtëpi pa izolim dhe dritare me një xham. Të ardhurat mesatare për familje ishin 150 euro dhe kishin mesatarisht katër pjesëtare. Ata kishin probleme me shëndetit, vuanin nga sëmundje kronike apo paaftësi të ndryshme dhe treguan se problemet e shëndetit i privonin nga aktivitete të ndryshme. Njerëzit të cilët janë më të rrezikuar nga varfëria energjetike janë zakonisht ata me të ardhura të ulëta, të cilët i përkasin grupeve të marxhinalizuara (me aftësi të kufizuara, të moshuarit, të sëmurët) dhe kanë më shumë mundësi për t’u prekur nga pasojat e varfërisë energjetike.
Mesatarisht, fatura mujore e Energjisë Elektrike ishte 39 euro në dimër dhe 22 euro në verë. Energjinë Elektrike më së shumti e përdornin për të ngrohur ambientin dhe ujin, ndërsa për të gatuar përdornin gazin, të cilin e kishin të vështirë që ta matnin se sa harxhonin në një muaj.
Në studimin e fundit për sa i përket varfërisë në sektorin e energjisë, jepet një paraqitje e shkurtër e jetës së përditshme të familjeve në EJL, të cilat jetojnë në kushte të varfërisë së energjisë, si rezultat i të ardhura të ulëta dhe kostove të larta të energjisë në mënyrë disproporcionale, si dhe të shtëpive jo efiçente në energji. Varfëria e energjisë, në terma të përgjithshme, paraqet pamundësinë e një familje për të siguruar sasi të mjaftueshme të energjisë në shtëpi, për të mbajtur ngrohtë dhe për të ndriçuar mirë hapësirat e banesës në mënyrë të përshtatshme, të kenë përdorim të lehtësuar në një gamë të nevojshme të shërbimeve të energjisë, dhe të jenë në gjendje për të përballuar një sasi të mjaftueshme të energjisë për kërkesat e përditshme.
Marrëveshja mes qeverisë dhe FMN, në rrezik
Marrëveshja mes qeverisë dhe Fondin Monetar Ndërkombëtar është vënë seriozisht në rrezik. Shkak është bërë deficiti buxhetor që qeveria ka programuar për buxhetin e vitit të ardhshëm. Në programin trevjeçar të nënshkruar në vitin 2014, qeveria dhe FMN kishin rëndë dakord që për vitin e ardhshëm buxheti të mbyllej me një suficit primar sa 0.9 për qind e Prodhimit Kombëtar. Por qeveria ka devijuar nga marrëveshja dhe ka vendosur që për vitin 2017 suficiti primar i buxhetit të jetë 0.3 për qind e Prodhimit Kombëtar. Qeveria ja ka komunikuar zyrtarisht parametrat e buxhetit 2017 ekspertëve të FMN, pak ditë më parë, gjatë Takimeve Vjetore në Uashington. Në këto takime një ekip i Ministrisë së Financave, i kryesuar nga ministri Arben Ahmetaj kanë zhvilluar negociata intensive me ekspertët e FMN. Një burim konfidencial nga FMN i tha SYRI.net se palët kanë patur përplasje të ashpra për shifrën e programuar të deficitit në buxhetin e vitit 2017, pa arritur të gjejnë një marrëveshje. Kjo do të thotë se aktualisht programi i qeverisë me FMN është pezull dhe nëse gjërat nuk zhbllokohen mund të ketë një mbyllje të hidhur. Ulja e suficitit primar nga 0.9 për qind e PBB-së në 0.3 për qind ka një diference prej rreth 10 miliardë lekë. Kjo do të thotë se qeveria ka programuar që vitin e ardhshëm të marr borxh rreth 10 miliardë lekë më shumë nga sa kishte rënë dakord me FMN në programin trevjeçar. Shifra përkon saktësisht me faturën e rritjes së pagave. “Ky është qartazi një devijim nga marrëveshja trevjeçare për të cilën kemi rënë dakord ” u shpreh për SYRI.net burimi konfidencial nga brenda FMN-së. Qeveria kërkon më shumë hapësirë për të marr borxh për të financuar rritjen e pagave për vitin e ardhshëm, e cila është lajmëruar se do të ketë një faturë nga 10-12 miliardë lekë. Por huamarrja më e lartë nënkupton se vitin tjetër borxhi do ulet më pak nga sa ishte rënë dakord në programin me FMN. Negociatat mes palëve pritet të rifillojnë sërish pas pak javësh kur në Tiranë do të mbërrij misioni i radhës së FMN-së.
40 ose 48 skuadra në Kupën e Botës
Pas pjesëmarrjes historike në Kampionatin Europian, e ardhmja pritet të rezervojë edhe një tjetër shans për Kombëtaren kuqezi, që të realizojë edhe ëndrrën, duke luajtur në Kupën e Botës. Me Euro 2016 që dhuroi imazhe historike falë përfaqësimit të debutuesve si Shqipëria, Uellsi apo Irlanda e Veriut e Islanda, me turneun që u zgjerua me 24 skuadra, tashmë edhe FIFA mendon të rrisë numrin e skuadrave pjesëmarrëse në Botërorin e futbollit. Konfirmimi erdhi nga presidenti i FIFA-s, Gianni Infantino, që nga Zyrihu konfirmoi se po shqyrtohen disa skema të organizimit të evenimentit më të rëndësishëm në botë, por vendimi përfundimtar do të merret vetëm në janar të vitit 2017.
“Kemi zhvilluar biseda intensive, të cilat kanë qenë mjaft konstruktive, megjithatë kemi ende shumë punë për të bërë. Ndërkohë, pozitiv është fakti që tema e rritjes së numrit të përfaqësueseve pjesëmarrëse në Kupën e Botës po trajtohet në mënyrë pozitive. Vendimi përfundimtar do të merret gjatë mbledhjes së Këshillit të FIFA, i programuar në janar 2017”.
Njeriu që pasoi në krye të FIFA-s, Sepp Blatter, nuk heq dorë nga ideja e zgjerimit të turneut. Kupa e Botës mund të organizohet me 32 deri në 48 skuadra, megjithatë nuk përjashtohen edhe hipoteza të tjera.
“Në tryezën e bisedimeve kemi formate të ndryshme. Kupa e Botës mund të organizohet me 32, 40 apo 48 skuadra. Ndryshimet e reja do të hyjnë në fuqi prej Botërorit 2026”.
Infantino shpjegoi se, Botërori me 48 skuadra do të ndahej me 16 përfaqësuese që janë koka-serie dhe do të kualifikohen direkt në fazën e grupeve, ndërsa 32 ekipet e tjera do të luanin në ndeshje play-off për të përcaktuar 16 ekipet e tjera. Në këtë rast, evenimenti zyrtar do të organizohej gjithsesi me 32 skuadra finaliste, ashtu si në turneun aktual. Ndërkohë, FIFA po analizon edhe dy formate me 40 përfaqësuese: sipas variantit të parë do të luhet në 8 grupe me nga 5 skuadra, ndërsa varianti tjetër parashikon ndarjen me 10 grupe me nga katër përfaqësuese.
Ajeti nuk largohet
Ditët e fundit u përfol se mbrojtësi Arlind Ajeti do të largohej nga Torino në merkaton e janarit për shkak se dëmtimi i pësuar në fillim të sezonit, ia ka pakësuar shanset e fitimit të një vendi te Torino, por e përditshmja italiane “Tuttosport” hedh poshtë një lajm të tillë, duke shkruar se mbrojtësi shqiptar e ka lënë pas dëmtimin dhe tashmë është gati të luftojë për vendin e tij.
Ai u afrua në vetë me parametra zero nga Frozinone dhe menjëherë la një përshtypje të mirë në klub. Gjatë fazës përgatitore, ai fitoi besimin e trajnerit Mihajloviç dhe po projektohej titullar për sezonin e ri, por një dëmtim i pësuar para fillimit të kampionat prishi çdo gjë. Tashmë, prej disa ditësh, Ajeti i është rikthyer sërvitjeve me grupin dhe me shumë mundësi do të grumbullohet nga trajneri për në takimin në transfertë ndaj Palermos.
Lojtari do të jetë pjesë e skuadrës për sfidën e së hënës ndaj Palermos. Konkurrenca e madhe në mbrojtjen e Torinos dhe dy dëmtimet që e kanë penguar kuqeziun në këtë start të sezonit, e kanë bërë Pescara-n të besojë se mund të sigurojë shërbimet e mbrojtësit të kombëtares shqiptare. “Delfinët” kanë nisur të mendojnë për përforcimet e merkatos së dimrit, ku synojnë afrimet e një sulmuesi dhe një mbrojtësi. Alternativa e preferuar në repartin difensiv mbetet pikërisht Ajeti, pavarësisht dy tentativave të dështuara të mëparshme.
Ndërkohë, Donis Avdijaj është një talent i padiskutueshëm i futbollit gjerman, ndërsa si drejtues atomjeti lë për të dëshiruar. 20-vjeçari i Schalkes ka sërish probleme me policinë gjermane, pasi është përfshirë sërish në aksidente automobilistike. Sipas autoriteteve në Osnabryk, ku jeton futbollisti, më 3 tetor Avdijaj nuk ka respektuar sinjalistikën, duke kaluar semaforin me të kuqe, veprim që ka rrezikuar seriozisht jetën e një personi që po udhëtonte me biçikletë.
Dhe sikur të mos mjaftonte ky rast, Avdijaj ka dëmtuar një automjet tjetër gjatë parkimit, dhe ç’është më e keqja nuk ka njoftuar për dëmin që ka bërë. Sikurse njofton “Bild”, lojtari ia ka treguar ngjarjen drejtorit sportiv Chtistia Heidel, i cili më pas e ka ndëshkuar me gjobë në bazë të rregullores së klubit.
Mesfushori shqiptar është një person me precedent përsa u përket aksidenteve automobilistike. Dy vite më parë, ai ishte shkaktar i një aksidenti me “Benz”-in e tij që kushtonte 150 mijë euro. Donis Avdijaj ishte kthyer vetëm pak ditë më parë në stërvitje pas mungesës tremujorë për shkak të një dëmtimi që pësoi gjatë fazës përgatitore.
Sezonin e kaluar talenti shqiptar luajti në formë huazimi te Sturm i Gracit, por drejtuesit e Schalkes të kënaqur me zhvillimin e tij si futbollist e kthyen në shtëpi. Për Avdijajn kanë shfaqur interes klube të mëdha në Europë, çka e detyroi “blutë” mbretërorë të përfshinin në kontratën e tij një klauzolë largimi që shkon thuajse 50 milionë euro.
Presidenti: Tre arsyet pse Ligji i “Mbetjeve” nuk kalon
Në seancën plenare të datës 22 shtator 2016, Kuvendi i Shqipërisë ka miratuar Ligjin nr. 92/2016 “Për disa shtesa dhe ndryshime në Ligjin nr. 10 463, datë 22.9.2011, ‘Për menaxhimin e integruar të mbetjeve’, të ndryshuar”.
Përmes këtij ligji është rilejuar importi për mbetjet e ngurta jo të rrezikshme të listës së gjelbër, si lëndë e parë dytësore, për të plotësuar nevojat dhe kërkesat e industrisë ricikluese të vendit, për qëllime riciklimi dhe përdorimi si zëvendësues, të lëndëve të tjera nga burime jo të rinovueshme.
Sipas dokumenteve parlamentare, relacioni dhe raporti i projektligjit, aktualisht në Shqipëri operojnë disa industri, nevojat e të cilave për lëndë të parë siç mund të jenë mbetjet e listës së gjelbër, nuk përmbushen nga mbetjet e krijuara në vend, kështu që është kërkesë e vazhdueshme dhe e pranuar që nga viti 2003 importi i këtyre mbetjeve në bazë të procedurave e rregullave të forta. Sipas propozuesve të ligjit, në rast se nuk lejohet riciklimi i mbetjeve, atëherë të gjitha industritë duhet të bazohen në shfrytëzimin ekstensiv të burimeve natyrore të lëndëve të para, duke çuar në shterimin e plotë dhe më të shpejtë të burimeve ekonomike. Si rezultat, kjo industri krijon biznese të reja si ato që lidhen me transportin, përpunimin dhe shitjen e materialeve të ricikluara, si dhe kompani që lidhen me prodhimin dhe shpërndarjen e produkteve të prodhuara me material të ricikluar, duke u shoqëruar me krijimin e vendeve të reja të punës dhe shtim në të ardhurat në buxhetin e shtetit.
Referuar raportit të Komisionit të Veprimtarive Prodhuese, thuhet se projektligji është diskutuar në seancë dëgjimore me grupet e interesit të ricikluesve dhe me pjesëtarë të shoqërisë civile, shoqata ambientalistësh e ekspertë të ndryshëm të mjedisit.
Në lidhje me sa më sipër, në ushtrim të funksioneve të përcaktuara në Kushtetutë, kam dëgjuar grupet e interesit, të cilët e kundërshtonin ligjin e përcjellë për dekretim nga ana e Kuvendit të Shqipërisë, si dhe kam dëgjuar përfaqësuesit e shoqatave të ricikluesve. Nga ana tjetër kam kërkuar nga ana e Kuvendit dhe Ministrisë së Mjedisit, vlerësimet e ligjit nga ana e qeverisë, grupeve të interesit, ekspertëve, institucioneve të tjera, të cilat janë marrë në konsideratë nga ana e Komisionit përkatës.
Gjithashtu, kam marrë në konsideratë iniciativën e 65 mijë zgjedhësve, të cilët në nëntor të vitit 2011 paraqitën kërkesën për zhvillimin e një referendumi të përgjithshëm për shfuqizimin e pikës 3, të nenit 22 dhe të nenit 49 të Ligjit 10 463, datë 22.09.2011 “Për menaxhimin e integruar të mbetjeve”, e cila u pranua nga Gjykata Kushtetuese me vendimin nr. 8, datë 08.03.2013 dhe mbi bazën e të cilës vendosa dhe datën e zhvillimit të referendumit, me dekretin nr. 8093, datë 08.04.2013.
Ky referendum nuk u zhvillua, pasi Ligji 156/2013 “Për disa ndryshime në Ligjin nr. 10 463, datë 22.09.2011 ‘Për menaxhimin e integruar të mbetjeve’”, shfuqizoi pikërisht dispozitat që ishin dhe objekt i referendumit dhe si rezultat dekretit nr. 8093, datë 10.4.2013 “Për caktimin e datës për referendum të përgjithshëm” i pushoi fuqia.
Në bindje të Kushtetutës së Shqipërisë, në respektim të kuadrit ligjor ndërkombëtar të detyrueshëm për Republikën e Shqipërisë dhe në ushtrim të së drejtës të parashikuar në pikën 1, të nenit 85 të Kushtetutës kam vlerësuar se ky ligj, duhet kthyer për rishqyrtim Kuvendit mbështetur në arsyet dhe argumentet e mëposhtme:
Së pari: Ligji 92/2016 është në kundërshtim me Direktivën 2008/98/EC, sipas të cilit duhet të zbatohet parimi i “vetëmjaftueshmërisë dhe afërsisë” dhe për më tepër nuk është një detyrim që rrjedh nga Marrëveshja e Stabilizim-Asociimit apo ndonjë marrëveshje tjetër ndërkombëtare të ratifikuar nga Republika e Shqipërisë.
Marrëveshja e Stabilizim-Asociimit në nenin 108 të saj përcakton se: “Palët do të zhvillojnë dhe forcojnë bashkëpunimin në detyrën shumë të rëndësishme të luftës kundër degradimit mjedisor, me synim promovimin e qëndrueshmërisë mjedisore. Bashkëpunimi përqendrohet kryesisht në fushat prioritare që lidhen me acquis e komunitetit për fushën e mjedisi”. Përmes Ligjit nr. 10 463, datë 21.09.2011 “Për menaxhimin e integruar të mbetjeve” u hodh hapi i parë në drejtim të përafrimit me Direktivën 2008/98/EC, në drejtim të modernizimit të sektorit të menaxhimit të mbetjeve në Shqipëri. Me Ligjin nr. 156/2013 u ndalua importi i mbetjeve jo të rrezikshme, gjë që përmbushi edhe pritshmëritë e 65 000 zgjedhësve, të cilët i kërkuan KQZ zhvillimin e një referendumi me qëllim shfuqizimin e dispozitave përkatëse që lejonin importin e mbetjeve jo të rrezikshme.
Direktiva 2008/98/EC përmban një parim të rëndësishëm që është “vetëmjaftueshmëria dhe afërsia”, që do të thotë se çdo shtet duhet të synojë të menaxhojë mbetjet e veta dhe mbetjet duhet të trajtohen sa më afër burimit të prodhimit. Pra, nuk ekziston asnjë detyrim që Shqipëria të importojë mbetje jo të rrezikshme nga shtete të tjera. Përkundrazi, Shqipëria ka ratifikuar me Ligjin nr. 8216, dt. 13.05.1997 Konventën e Bazelit “Mbi kontrollin e lëvizjeve ndërkufitare të mbetjeve të rrezikshme dhe asgjësimin e tyre”, sipas të cilës: “Secila palë do të marrë masat e duhura: a) për të siguruar që prodhimi i mbetjeve të rrezikshme dhe mbetjeve të tjera, brenda saj është pakësuar në minimum duke marrë parasysh aspektet sociale, teknologjike dhe ekonomike; g) për të ndaluar importimin e mbetjeve të rrezikshme dhe mbetjeve të tjera në qoftë se ka arsye të besohet që mbetjet në fjalë nuk do të trajtohen në një mënyrë të shëndoshë nga ana mjedisore”.
Pra, është e qartë që Konventa e Bazelit nuk ka vendosur ndonjë detyrim për shtetet palë, përfshirë Shqipërinë që të parashikojnë dispozita në drejtim të importit të mbetjeve jo të rrezikshme.
Sipas propozuesve të ligjit, ndryshimet ligjore do t’i hapin rrugën implementimit të plotë të Direktivës nr. 1013/2006 të Parlamentit Evropian dhe të Këshillit për Qarkullimin e Mbetjeve, duke pretenduar se Ligji 156/2013 ishte në kundërshtim me të.
Në fakt, propozuesit e ligjit i referohen një direktive, ndërkohë që është një rregullore nr. 1013/2006 “Për tregtimin e mbetjeve”, e cila ka si parim themelor që në rastin e tregtisë së mbetjeve për disponim duhet të mbajë parasysh afërsinë, prioritetin që i jepet rikuperimit dhe vetëmjaftueshmërisë kur flitet në nivelin e komunitetit dhe në nivele kombëtare, gjithashtu.
Me Ligjin 156/2013 u shfuqizua dispozita që lejonte importin e mbetjeve jo të rrezikshme, duke arsyetuar se: “dispozitat që lejojnë importin e mbetjeve me qëllim riciklimin e tyre në Shqipëri, bien në kundërshtim me direktivën e BE-së për zbatimin e ‘Parimit të vetëmjaftueshmërisë dhe afërsisë’. Sipas direktivës 2008/98/EC (neni 16) çdo vend duhet të synojë të menaxhojë mbetjet e veta dhe mbetjet duhet të trajtohen sa më afër burimit të prodhimit. Gjithashtu, importi i mbetjeve bie ndesh me përparësi që duhet të ketë trajtimi i mbetjeve që prodhohen nga tregu shqiptar. Kjo do të thotë që me politika stimuluese fiskale, siç janë heqja e TVSH-së apo subvencionet, duhet stimuluar industria e riciklimit që të trajtojë mbetjet lokale. Lejimi i importit i bën të pamundura politika të tilla shtetërore, pasi nuk mund të subvencionohet trajtimi i mbetjeve që vijnë nga jashtë. Për më tepër, importi i mbetjeve nga jashtë ul interesin për trajtimin e mbetjeve që prodhohen brenda territorit tonë”.
Çuditërisht, pas tri viteve propozuesit e ligjit mohojnë diçka, të cilën e kishin pranuar më parë, duke sjellë pretekstin e përafrimit me një direktivë tjetër që në fakt është rregullore.
Referuar Konventës së Bazelit, Shqipëria duhet të marrë masa për minimizimin e mbetjeve të brendshme dhe në asnjë rast nuk është e detyruar të importojë mbetje të tjera (jo të rrezikshme) nga jashtë. Madje, ka të drejtën edhe ta ndalojë me ligj nëse ka arsye të besohet se nuk do të trajtohen në mënyrë të shëndoshë nga ana mjedisore. Në fakt, nga viti 2013 kur u shfuqizua ajo dispozitë, progres raportet për Shqipërinë nuk flasin për një pozitë të favorshme të Shqipërisë në menaxhimin e mbetjeve dhe në asnjë rast nuk janë lënë detyra për të parashikuar dispozita në lidhje me importin e mbetjeve të rrezikshme.
Në progres raportin e vitit 2013 thuhet se: “Menaxhimi i mbetjeve vazhdon të mbetet problem serioz për Shqipërinë. Ndarja nuk ka filluar ende, me disa përjashtime dhe niveli i riciklimit vazhdon të jetë shumë i ulët. Investimet e reja duhet të përqendrohen më tepër në ndarjen dhe riciklimin e mbetjeve”.
Edhe në progres raportin e vitit 2014 thuhet se: “… kapacitetet e autoriteteve të menaxhimit të mbetjeve mbeten të dobëta. Ndarja e mbetjeve është pothuajse inekzistente dhe niveli i riciklimit vazhdon të jetë shumë i ulët… Menaxhimi i mbetjeve vazhdon të jetë shqetësim për Shqipërinë”.
Ndërsa, në progres raportin e vitit 2015 thuhet se: “Planifikimi, koordinimi dhe zbatimi i politikave për menaxhimin e mbetjeve po përparon shumë ngadalë dhe kapacitetet administrative mbeten shumë të kufizuara. Legjislacioni zbatues në përputhje me acquis është miratuar në fushën e eksportimit dhe kalimit të mbetjeve jo të rrezikshme dhe të ndërtimit, si dhe në fushën e përdorimit të llumrave të ujërave të zeza. Veçimi i mbetjeve është shumë i kufizuar dhe niveli i riciklimit mbetet i rrallë”.
Shqipëria ka për detyrë të luftojë kundër degradimit mjedisor, duke marrë masa në drejtim të menaxhimit sa më të mirë të mbetjeve përmes ndarjes në burim dhe riciklimit të tyre, gjë e cila nuk ka ndodhur gjatë këtyre tri viteve. Ndërkohë, që ka dështuar në këtë drejtim, përmes këtij ligji do të lejojë importimin e mbetjeve nga jashtë, pa paraqitur një analizë transparente se këto mbetje do të trajtohen në mënyrë të shëndoshë nga ana mjedisore. Nga dokumentacioni i vënë në dispozicion nga ana e Ministrisë së Mjedisit dhe Kuvendit apo edhe referuar dokumenteve parlamentare në asnjë rast nuk rezulton të jetë bërë një analizë e tillë, përkundrazi shoqëria civile ka paraqitur të dhëna, të cilat e bëjnë edhe më të dyshimtë qëllimin e propozimit dhe të miratimit të ligjit. Këshilli i Ministrave në mendimin e dhënë në lidhje me projektligjin është shprehur se: “Mendojmë se përpara se të hapen mundësi për importim mbetjesh, duhet të shihet mundësia për rritjen e eficencës dhe sasisë së ricikluar në tregun vendas. Deri më tani nga të dhënat rezulton se në Shqipëri gjenerohen 386,728,650 kg mbetje në vit, nga të cilat vetëm 17% e tyre riciklohet. Kjo tregon që 83% e mbetjeve është ende një treg i paprekur nga kompanitë e riciklimit”.
Për më tepër, referuar relacionit të projektligjit, ky ligj nuk ka qenë i parashikuar në programin analitik të akteve të Ministrisë së Mjedisit, pasi për të miratuar një akt të tillë janë dashur të bëhen një sërë investigimesh pranë doganave të vendit dhe pranë impianteve të riciklimit të mbetjeve në vend.
Është plotësisht e qartë se Shqipëria nuk ishte në kushtet optimale që pasi kishte bërë një analizë dhe transparencë në lidhje me menaxhimin e mbetjeve, të merrte vendimin që të importonte dhe mbetje të tjera nga jashtë, gjë e cila në asnjë rast nuk rezulton të jetë e detyruar nga instrumentet ndërkombëtarë.
Së dyti: Ligji bie ndesh me nenin 59 të Kushtetutës, përmes të cilit përcaktohet se: “Shteti brenda kompetencave dhe mjeteve që disponon, si dhe në plotësim të nismës dhe të përgjegjësisë private, synon një mjedis të shëndetshëm dhe ekologjikisht të përshtatshëm për brezat e sotëm dhe të ardhshëm”.
Lejimi i importit të mbetjeve referuar ligjit, duke gjeneruar një ndotje shtesë në raport me popullsinë dhe territorin e vendit mund të komprometojë në mënyrë të pakthyeshme parimin e zhvillimit të qëndrueshëm të sanksionuar në Kushtetutë.
Shqipëria është një vend me shumë avantazhe bazuar në atë që i ka dhënë natyra dhe burimet njerëzore vendase dhe ka strategji zhvillimi në bujqësi, turizëm, energji, të cilat nëse vihen në eficencë krijojnë e do të krijojnë mjaftueshëm vende pune dhe mirëqenie në vend. Avantazhi konkurrues për Shqipërinë nuk mund të jetë riciklimi i mbetjeve të importuara.
Në kushtet që relacioni i projektligjit përmendte një investim prej 120 milionë euro dhe 35 mijë vende pune, Këshilli i Ministrave në mendimin e dhënë përmes Vendimit nr. 360, dt. 3.8.2016 ka sugjeruar që projektligjit t’i bashkëlidhet një raport i detajuar, i bërë nga kompani vlerësuese, qoftë nga ana teknike edhe nga ana financiare, i këtyre investimeve dhe punësimeve.
Sipas mendimit të Këshillit të Ministrave, nuk duhen marrë në konsideratë vetëm investimet e deklaruara, por edhe vlera reale në treg e makinerive ricikluese, sa kanë ricikluar ato nga mbetjet vendase dhe kapacitetet për të trajtuar dhe mbetjet e huaja. Gjithashtu, sugjerohen të përfshihen dhe të dhëna të sakta për të punësuarit lidhur me siguracionet e tyre, kushtet në punë, higjienën etj.
Nga dokumentacioni i vënë në dispozicion nga ana e Kuvendit nuk rezulton që të jetë bërë një raport i tillë vlerësimi. Përkundrazi, shifrat në lidhje me investimet dhe të punësuarit kanë ngjallur debat në diskutimin e projektligjit në Komision me grupet e interesit.
Referuar relacionit dhe raportit të projektligjit, në vitin 2013 u ndalua importi i mbetjeve për arsye riciklimi, pasi institucionet përkatëse nuk ishin në gjendje të inspektonin cilësinë e mbetjeve për shkak të mungesës së laboratorëve përkatës.
Referuar relacionit të projektligjit, pretendohet nga propozuesit se gjatë këtyre tri viteve, janë bërë përmirësime të dukshme në: (i) rinovim të Inspektoratit të Mjedisit, si në infrastrukturën përkatëse (e cila i mungonte), ashtu edhe (ii) në trajnimin e personelit si brenda dhe jashtë vendit. (iii) Agjencia Kombëtare e Mjedisit është pajisur me një laborator, i cili kryen analiza të ndryshme, dhe në rastet kur ai nuk ka mundësi t’i kryejë ato i bën në laborator privat të specializuar dhe akredituar për këtë qëllim. (iv) Gjithashtu, edhe në doganë ka përmirësime si në infrastrukturë dhe në personel të trajnuar. Sipas propozuesve të ligjit, nënshtrimi i këtyre mbetjeve ndaj analizave specifike të përbërjes dhe rrezikshmërisë së tyre, eliminon mundësinë e rrezikut të futjes së mbetjeve të rrezikshme në RSH-së, duke shtuar kështu edhe rrezikshmërinë për jetën dhe shëndetin e njerëzve.
Por, ndryshe nga sa pretendohet nga propozuesit e ligjit, ekspertë të mjedisit, mendimet e të cilëve më janë vënë në dispozicion nga ana e Kuvendit të Republikës së Shqipërisë, vënë në dukje se aktualisht nuk ekziston ndonjë raport për analizat/matjet laboratorike të mbetjeve dhe se Drejtoria e Akreditimit nuk ka akredituar asnjë nga laboratorët e Doganës apo Institutit të Fizikës Bërthamore. Sipas ekspertëve, kontrolli dhe inspektimi kanë rezultuar dobët dhe nuk kanë dhënë sigurinë e nevojshme që procesi i importit garantonte mbrojtjen e mjedisit dhe të shëndetit publik. Ekspertët hedhin dyshimet se, me këto mangësi sa më sipër, pavarësisht faktit se nuk do të importohen mbetje të rrezikshme, kjo nuk do të thotë që këto mbetje në një përqindje të caktuar do të kthehen në mbetje të rrezikshme. Sipas ekspertëve duhet të ishte bërë një studim dhe në përfundim të ishte përgatitur një raport i vlerësimit strategjik mjedisor që do të jepte përputhshmërinë e objektivave të importit të mbetjeve me objektivat mjedisore, me ato që prek shëndetin e një populli. Sipas ekspertëve, mungon një raport i vlerësimit të ndikimit në mjedis që përmes standardeve evropiane përcakton se si një aktivitet riciklimi të godasë sa më pak shëndetin mjedisor dhe atë të njerëzve.
Progres raportet për Shqipërinë flasin qartë se Shqipëria nuk ka kapacitetet e duhura të kontrollit dhe monitorimit institucional, të cilat do të lejonin kontrollin efektiv, moslejimin dhe mospërdorimin e importimit të mbetjeve jo të rrezikshme. Kjo do të thotë se pretendimi i propozuesve të ligjit referuar relacionit të projektligjit, referuar sa më sipër nuk qëndron.
Qeveria përmes Kuvendit dhe Ministrisë së Mjedisit ka dështuar të paraqesë një informacion të qartë në lidhje me masat konkrete të marra në drejtim të forcimit të kapaciteteve ekzistuese apo kapaciteteve të tjera shtesë kontrolluese/monitoruese që do t’i shtohen strukturave të doganave apo inspektorateve përkatëse, rritjes së buxhetit, ngritjes së laboratorëve etj., me qëllim krijimin e kushteve dhe standardeve bashkëkohore në menaxhimin e mbetjeve të importuara referuar ligjit me qëllim arritjen e objektivave socialë të përcaktuara në nenin 59/d të Kushtetutës. Menaxhimi i mbetjeve të importit kërkon fonde shtesë dhe hapësira publike shtesë për minimizimin e efektit të tyre në mjedis e shëndet. Në këtë mënyrë shteti shqiptar shpenzon fondet e tij publike në funksion të përpunimit dhe depozitimit të mbetjeve që prodhohen jashtë Shqipërisë.
Pra, është e qartë se Shqipëria nuk disponon infrastrukturën dhe kapacitetet njerëzore për monitorimin e kontrollin e importit të mbetjeve dhe ekziston rreziku i futjes ilegalisht të mbetjeve me rrezikshmëri të lartë. Sipas ekspertëve, Shqipëria është një vend i pasur me burime ujore dhe një sasi më e madhe e mbetjeve, sado i lartë qoftë standardi i menaxhimit të tyre rrit rrezikun e ndotjes së mjedisit dhe vë në rrezik shëndetin e qytetarëve.
Stukturat shtetërore qendrore dhe vendore duhet të miratojnë politika, kuadër ligjor dhe të forcojnë institucionet për të mundësuar ndarjen në burim, mbledhjen, menaxhimin dhe përpunimin e mbetjeve, të cilat ndodhen në Shqipëri.
Ministria e Mjedisit duhet të maksimizojë mbrojtjen e mjedisit, në funksion të mbrojtjes së shëndetit të shtetasve shqiptarë dhe jo mbrojtjen e interesave të industrisë ricikluese, ku në konkurrim mes tyre, mbizotërojnë shtetasit shqiptarë.
Nga ana tjetër, duke vlerësuar biznesin e shoqërive të riciklimit në Shqipëri, këtyre duhet t’u krijohen kushtet nga organet shtetërore në mbledhjen e lëndës së parë dytësore në Shqipëri dhe jo nga mbetjet e importuara, duke mundësuar në këtë mënyrë arritjen e objektivit për të siguruar një mjedis të shëndetshëm dhe ekologjikisht të përshtatshëm për brezat e sotëm dhe të ardhshëm.
Së treti: Procedurat e ndjekura në miratimin e ligjit kanë qenë të përshpejtuara, në mungesë informacioni, transparence dhe pjesëmarrje të qytetarëve shqiptarë, në kundërshtim me nenin 56 të Kushtetutës referuar të drejtës së qytetarëve për t’u informuar me gjendjen e mjedisit dhe për mbrojtjen e tij, si dhe Konventën e Aarhus “Për të drejtën e publikut për të pasur informacion, për të marrë pjesë në vendimmarrje dhe për t’iu drejtuar gjykatës për çështjet e mjedisit”.
Kushtetuta e RSH-së në nenin 56 të saj përcakton se: “Kushdo ka të drejtë të informohet për gjendjen e mjedisit dhe për mbrojtjen e tij”.
Nga ana tjetër, Shqipëria ka ratifikuar me Ligjin nr. 8672, datë 26.10.2000, Konventën e Aarhus “Për të drejtën e publikut për të pasur informacion, për të marrë pjesë në vendimmarrje dhe për t’iu drejtuar gjykatës për çështjet e mjedisit”. Në nenin 1 të Konventës së Aarhus përcaktohet se: “Me qëllim që të kontribuojmë në mbrojtjen e të drejtës së çdo individi të brezave të sotëm e të ardhshëm, për të jetuar në një mjedis të përshtatshëm për shëndetin dhe mirëqenien e tij, çdo palë do të garantojë të drejtën e publikut, për të pasur informacione për mjedisin, për të marrë pjesë në marrjen e vendimeve mjedisore”.
Sipas parimeve kryesore të kësaj Konvente e drejta e secilit për të marrë informacionin mjedisor që mbahen nga autoritetet publike mund të përfshijë:
(i) informacion mbi gjendjen e mjedisit, por edhe në politikat ose masat e marra, ose për gjendjen e shëndetit të njeriut dhe sigurisë kur kjo mund të ndikohet nga gjendja e mjedisit.
(ii) autoritetet publike janë të detyruar, në bazë të Konventës, që në mënyrë aktive të shpërndajnë informacionin mjedisor në posedim të tyre.
(iii) vendimmarrjet mjedisore duhet të bëhen publike nga autoritetet shtetërore për të mundësuar publikun e ndikuar dhe organizatat mjedisore joqeveritare për të komentuar mbi, propozimet për projekte që ndikojnë në mjedis apo planet dhe programet që kanë të bëjnë me mjedisin; këto komente duhet të merren në konsideratën e duhur në vendimmarrje dhe duhet dhënë informacion shpjegues në rast se nuk do të merren në konsideratë mbi arsyet se përse nuk janë marrë në konsideratë.
(iv) e drejta për të shqyrtuar procedurat për të kundërshtuar vendimet publike që janë bërë pa respektuar të drejtat e lartpërmendura apo ligjin e mjedisit në përgjithësi.
Konventa në nenin 6 të saj përcakton se publiku duhet të njoftohet në procedurën e hershme të marrjes së një vendimi për mjedisin dhe në një mënyrë të përshtatshme, efektive dhe në kohë. Në fushën e veprimtarive për të cilat ka të drejtë të marrë informacion dhe pjesë në vendimmarrje publiku është dhe administrimi i mbeturinave.
Në një rast të tillë është e qartë se procedura e konsultimit nuk ka qenë e hershme dhe nuk është zhvilluar në mënyrë të përshtatshme, efektive dhe në kohë. Në rastin konkret janë shkelur Konventa e Aarhusit dhe ligjet e brendshme si: Ligji “Për mbrojtjen e mjedisit”, “Për njoftimin dhe konsultimin publik”, “Për vlerësimin e ndikimit në mjedis”, etj., përmes të cilave garantohet aksesi në informacionin mjedisor, akses në vendimmarrjen mjedisore dhe aksesi në drejtësi për çështje mjedisore.
Ligji jo transparent, qytetarëve iu mohua e drejta e informimit
Në rastin e pranimit të kërkesës për referendum të përgjithshëm që kishte pikërisht të bënte me shfuqizimin e dispozitës së ligjit që përcaktonte importimin e mbetjeve jo të rrezikshme, Gjykata Kushtetuese në vendimin e saj ka rikonfirmuar qëndrimin e mbajtur edhe më parë nga ana e saj, duke konkluduar se: “Instrumentet e demokracisë direkte konsiderohen jo si pushtet konkurrues i organeve përfaqësuese, por si instrumente që mundësojnë mënjanimin e mungesës së veprimit nga ana e përfaqësuesve, ose balancimin e kësaj mungese. Ato nuk mundësojnë bërjen e ligjeve, funksion i cili i është ngarkuar ekskluzivisht ligjvënësit. Në këtë mënyrë, referendumi paraqitet si mjet për integrimin dhe stimulimin e procesit ligjvënës në Parlament, në rastet kur nuk gjen zbatim parimi i përputhjes së vullnetit të shumicës parlamentare me shumicën e popullit në një çështje konkrete. Pra, bëhet fjalë për një instrument që mundëson transmetimin e mendimit të zgjedhësve në drejtim të instancave politike.
Në fuksionin e Presidentit të Republikës përmes Dekretit nr. 8093, datë 8.04.2013 kam caktuar datën 22 dhjetor 2013 për zhvillimin e referendumit të përgjithshëm me objekt shfuqizimin e pikës 3, të nenit 22 dhe të nenit 49 të Ligjit nr. 10 463, datë 22.09.2011 “Për menaxhimin e integruar të mbetjeve”. Dispozitat e ndryshuara të Ligjit 10 463/2011 përmes Ligjit 156/2013 që hyri në fuqi në datë 14 nëntor 2013 kanë qenë dhe objekti i referendumit, i cili duhej të ishte zhvilluar në datë 22 dhjetor 2013.
Si rezultat hyrja në fuqi e Ligjit 156/2013, i cili është dekretuar nga Presidenti i Republikës ka sjellë si pasojë dhe pushimin e fuqisë juridike të tij, pasi është arritur qëllimi për të cilin do të mbahej ky referendum.
Në kushtet që pas tri viteve nuk konsiderohet zëri i publikut dhe zhbëhet ajo që u arrit nga ligjvënësi pas përfshirjes së publikut në vendimmarrje në vitin 2013 është në kundërshtim me çdo standard të vendosur nga Kushtetuta e Shqipërisë dhe Konventa e Aarhus-it e detyrueshme për RSH.
Është e drejta e publikut të përfshihet në një vendimmarrje kaq të rëndësishme sa ç’është ajo e importit të mbetjeve që ndikon direkt në mjedisin dhe shëndetin e qytetarëve.
Ka rezultuar se ky ligj nuk ka qenë në programin analitik të akteve të Ministrisë së Mjedisit, por pavarësisht kësaj, me hapa të përshpejtuar, pa asnjë konsultim paraprak me publikun siç kërkon Kushtetuta dhe Konventa e Aarhus është futur në kalendar, duke e vënë publikun para faktit të kryer dhe duke i dhënë mundësinë që vetëm në dy seanca të shpreheshin në lidhje me projektligjin. Ndërkohë, referuar procesverbaleve të seancave në Komision dhe dokumenteve të vëna në dispozicion nga ana e Kuvendit, ka rezultuar se koha ka qenë tepër e shkurtër, e papërshtatshme (korrik, shtator) dhe për më tepër edhe mendimet e dhëna me shkrim nga ana e ekspertëve apo grupeve të interesit nuk janë marrë në konsideratë.
Nga ana tjetër është pretenduar se ligji duhet të përafrohet me acquis të BE. Është e vërtetë që plani kombëtar për integrimin europian (2016-2020) ka vendosur si prioritet riciklimin e mbetjeve në burim, forcimin e kapaciteteve për menaxhimin e mbetjeve, si dhe ndarjen e mbetjeve në burim, por kjo nuk do të thotë që prioritet është rregullimi ligjor në lidhje me importin e mbetjeve.
Projektligjet që synojnë përafrimin e legjislacionit shqiptar me atë të Bashkimit Europian duhet të jenë të shoqëruara me relacionin shpjegues dhe tabelat e përputhshmërisë (instrumentet e përafrimit) dhe se organet e Kuvendit (kryetari i Kuvendit dhe Komisioni për Integrimin Europian) mund të kthejnë te nismëtari projektligjet e depozituara në Kuvend kur konstatojnë mangësi në dokumentacionin që shoqëron projektligjin. Gjithashtu, projektligjet e propozuara Kuvendit që synojnë përafrimin e legjislacionit shqiptar me atë të Bashkimit Europian (siç pretendohet se është rasti i ndryshimit të ligjit të mbetjeve) shqyrtohen nga Komisioni për Integrimin Europian, i cili ka në fushën e tij të përgjegjësisë përafrimin e legjislacionit shqiptar me atë të Bashkimit Europian. Sipas rregullores së Kuvendit, raporti i Komisionit për Integrimin Europian është i detyrueshëm për t’u shqyrtuar nga komisioni përgjegjës para miratimit në tërësi të projektligjit.
Në rastin konkret, duke patur parasysh parimet e përcaktuara në Konventën e Aarhus-it dhe kushtet e përputhshmërisë me acquis, duke patur parasysh se çështja është tepër sensitive, në kuadër të transparencës dhe gjithpërfshirjes, duhej që ky informacion të ishte bërë publik, gjë e cila është sugjeruar edhe nga ana e Këshillit të Ministrave përmes mendimit të dhënë në lidhje me projektligjin.
Së fundi, ligji është miratuar me votat e vetëm 63 deputetëve të Kuvendit, gjë që vë në dyshim rregullsinë dhe kushtetutshmërinë e këtij ligji, për të cilin duhet të kishte një bashkëvendimmarrje nga publiku.
Në përfundim, referuar sa më sipër kërkoj mirëkuptimin tuaj në rishqyrtimin e Ligjit nr. 92/2016 “Për disa shtesa dhe ndryshime në Ligjin nr. 10 463, datë 22.9.2011, ‘Për menaxhimin e integruar të mbetjeve’, të ndryshuar” pasi bie ndesh me Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë dhe marrëveshjet ndërkombëtare me fuqi detyruese në Republikën e Shqipërisë.
Alegri: Udinese na shkëput më shumë me ndjekësit
Juventusi po bën përgatitjet e fundit para sfidës së shtëpisë me Udinesen e Del Nerit. Për trajnerin Massimiliano Alegri ekzistojnë disa dyshime për sa i përket formacionit, që lidhen me problemet fizike të disa futbollistëve.
“Nuk janë të gatshëm për Udinesen Pjaca, Asamoah dhe Rugani. Benatia është gati të luajë në mbrojtje, por në qendër mund të aktivizohet edhe Evra. Bonucci do të bëjë pushim, ndërsa me aktivizimin e Marchisios duhet të jemi shumë të kujdesshëm. Nuk më pëlqen të rrezikoj me një kthim të parakohshëm në fushë. Në fazën sulmuese jemi të plotë dhe më duhet të zgjedh një mes Higuainit dhe Dybalas”, u shpreh Alegri.
Për trajneri bardhezi, ky është një tjetër rast i mirë për t’u shkëputur edhe më shumë me Napolin ose Romën, që do të kenë një përplasje direkte në “San Paolo”, ndërsa i quan të pavend kritikat ndaj Buffon, që gaboi rëndë në ndeshjen eliminatore të Italisë ndaj Spanjës.
“Kritikat ndaj Buffon janë blasfemi. Bëri një gabim me lojën me këmbë, ndërkohë që zakonisht luan me duar. Nuk mund të vihet në diskutim një portier që për 20 vite ka qenë në majë. Napoli – Roma? Nuk e di nëse do ta shoh, por është e qartë për gjithkënd që të paktën ndaj njerës prej këtyre dy skuadrave mund të fitojmë më shumë terren në klasifikimin e përgjithshëm”, përfundoi Alegri.
Katastrofa që do të ndodhë me djegien e plehrave në Elbasan e Fier
Sazan GURI
Në vitin 2004, në betejat për të zmbrapsur plehrat e importit kishim në dorë një kontratë me 16 faqe të kompanisë italiane me qeverinë e atëhershme shqiptare, e cila lexohej e lexohej nga dhjetëra ekspertë juristë dhe nuk kapesh se ku flinte lepuri, gjë të cilën e për hatër të së vërtetës z. Kokëdhima e ngulmonte këtë kërkesë, fort e më fort.
Dhe thoshte, më gjeni se ku është hileja me një rresht se në dukje të parë kontratë më të mirë s’gjeje dot?! Mbasi kishim punuar për një vit si studio të projekteve që financonte z. Kokëdhima, (kujdes, projekte që vinin pika mbi “i” për menaxhimin dhe trajtimin e integruar të mbetjeve të vendit) dhe në këto momente që ndodheshim të shkëputur, u thirrëm me urgjencë nga zotnia i mësipërm që me shkollën dhe eksperiencën që kishim krijuar të gjenim ku fle lepuri.
Dhe cila ishte dhe ku ishte? Vetëm në një rresht, që kompania kishte të drejtën të merrte plehrat nga jashtë për tre vjet, (pra të merrte pagesën e majme nga Malagrota italiane), i valorizonte (pra i ndante, cila për Sharrë e cila për Kashar), e më pas të blinte inceneratorin.
Dhe pikërisht për këtë zbulim kjo kauzë u fitua. Edhe sot po kjo situatë, me ndryshimin që atëherë na e bënë të huajt në bashkëpunim me ndoshta paaftësinë shqiptare, sot e bëjmë vetë me gjoja aftësinë parlamentare dhe na i servirin si shpikje dhe ndryshime e përmirësime me ligjin e mëparshëm.
Edhe na i fusin edhe na marrin për budallenj. Dhe ku e si? Neni 48/1 thotë shprehimisht se: “Në Republikën e Shqipërisë importohen vetëm mbetjet e ngurta jo të rrezikshme, të listës së gjelbër, si lëndë e parë dytësore, për të plotësuar nevojat dhe kërkesat e industrisë ricikluese të vendit, për qëllime riciklimi dhe përdorimi si zëvendësues, të lëndëve të tjera nga burime jo të rinovueshme, që përdoren nga industria, përveç atyre të përcaktuara në pikën 3, të nenit 48, të këtij ligji”.
Le t’i marrim me radhë:
Mbetjet janë jo të rrezikshme, të listës së gjelbër dhe lëndë e parë dytësore – ky është një togfjalësh korrekt që shpreh një terminologji juridike të përputhur me konceptin teknik. Togfjalëshi për të plotësuar nevojat dhe kërkesat e industrisë e kemi sqaruar në sa e sa shkrime, që përmbushja e kërkesave të kompanive të riciklimit mund të bëhet shumë mirë me ato të vendit, pa qenë nevoja e importit të tyre gjithsesi, le të themi se pranohen koncepte të tilla ku përgjigjja dhe deviza jonë është se pa menaxhuar e trajtuar në mënyrë të integruar mbetjet e vendit dhe kur t’i bësh ato zero dhe madje kur të kesh edhe 10 vjet përvojë pozitive, hajt ulemi e flasim për këto që më vë në ligj sot. Deri këtu, debati dhe lepuri duken sheshit.
Kur kap togfjalëshin e fundit të këtij neni ligjor, se mbetjet e listës së gjelbër ose ato “jo hazardous (jo të rrezikshme)” vijnë edhe për qëllime riciklimi dhe përdorimi si zëvendësues, të lëndëve të tjera nga burime jo të rinovueshme, që përdoren nga industria, përveç atyre të përcaktuara në pikën 3, të nenit 48, të këtij ligji” e përkthyer thjesht për qytetarët do të thoshte që mund të vijnë mbetje të briketuara në formë kubiku. Këto mbetje të përkufizuara si rubish ose rifuti urbani-plehra, i janë nënshtruar një procesi teknologjik në impiante që quhen impiante valorizimi, ku të gjitha mbetjet e një qyteti të caktuar shkojnë te impianti, ku iu hiqet metali dhe qelqi me një magnet të caktuar ose me krahë pune, dhe mbetjet e tjera (karton, letra plastik) mbasi thërrmohen gatiten për CDR (shkurt, italisht) ose për lëndë të djegshme ose për përdorim deri në masën 10% për TEC-e e fabrika çimentosh ose për përdorim 100% për inceneratorë.
Pikërisht për këtë e kanë fjalën këta zotërinj parlamentarë që kanë ndërhyrë në ligjin e mëparshëm, jo duke e përmirësuar, por duke e rënduar edhe më nenin për importin e mbetjes. Pra, dy TEC-et që po mendohet të ngrihen, njëri në Elbasan e njëri në Fier, do të duhet të hanë 24 orë rresht sepse një incenerator, sikundër edhe TEC-et nuk ndalen e ndizen sa herë të duash, veçse kur janë për rimont. Pikërisht këtu fle lepuri, që mbetjet e importit, gjoja do të furnizojnë kompanitë e riciklimit, të cilat bëhen kurban për inceneratorët, ato në fakt vijnë për të zëvendësuar lëndën djegëse, jo të rinovueshme që është qymyri dhe nafta që mund të përdorej për inceneratorët.
Kjo është shkelje e hapur e ligjit të mbrojtjes së mjedisit që mbetjet e importit apo plehrat në raste të caktuara nuk mund të vijnë kurrsesi për asgjësim me anë të groposjes dhe djegësve termikë ose inceneratorë. Sepse në këtë rast, këtë kemi që plehrat e një shteti “x”, mbasi përpunohen e kthehen në briketa ose kubikë në formë mbetjesh, vijnë për qëllim asgjësimi me anë të djegies termike. Hajde autogol hajde.
Ndaj qytetarë nuk qenkemi ndryshe, jo nga viti 2011, por as nga viti 2004 që na u duk sikur e kemi fituar këtë kauzë, por tashmë na vjen më “fine” e më e stërholluar. Ndaj, kompanitë e riciklimit nuk mund të sigurojnë mbetje lëndë e parë nga vendi, sepse shumica e saj do të shkojë toptan nëpër këto dy inceneratorë në nivel regjional dhe madje nuk i ngopin dot. Përveç atyre të përcaktuara nga pika 3 e nenit 48 do të thotë që këto mbetje të briketura ose kubikë janë tjetër gjë nga ato të teta që janë menduar të vijnë si mbetje importi, pra nuk kanë lidhje me mbetjet e importit të përcaktuar nga ky ligj, por jo 26 të ligjit të 2011, por tetë plus një mbetje CDR ose lëndë e djegshme urbane të këtij ligji.
Përfundimisht, në Shqipëri nuk vijnë mbetje, por plehra, kush të dojë të thojë të kundërtën. Gati për duel dhe nuk trembem të më çosh edhe në hexhel.
Maradona: Mafia kontrollon futbollin
Nëse në futboll duhet të gjesh personat e duhur për të thënë të vërtetat e këtij sporti, Diego Armando Maradona kryeson listën. I pakompromentueshëm dhe i drejtpërdrejtë si gjithnjë. Ikona e këtij sporti akuzon ashpër se mafia po kontrollon gjithçka. Duke përdorur menaxherët, sipas tij, po vendosen trajnerë të paaftë në klube të mëdha dhe kështu është e pamundur që sporti të evoluojë. Ai kritikon ashpër Platininë, ndërkohë që nuk mendon se, Serxhio Ramos dhe Pike janë mbrojtës të nivelit të lartë, por thjesht me fat që luajnë në ekipe të tilla…
-Me çfarë po merret aktualisht Maradona?
Po kaloj një periudhë të mrekullueshme, jam i lumtur. Po qëndroj me njerëzit që dua, fëmijët e mi dhe nipin Benxhamin. Jam duke përjetuar një moment paqeje dhe po miqësohem shumë me Franciskiton, Papa ynë. Sa i përket futbollit, kam folur me Infantinon (presidenti i FIFA-s) dhe i kërkova që të lobojë që ky sport t’u kthehet futbollistëve dhe jo drejtuesve.
Cila do të ishte gjëja e parë që do bënit, nëse do ishit president i FIFA-s?
Nuk mund të jetë drejtues një person që s’i ka rënë asnjëherë topit me këmbë dhe të vendosë fatet tona, të njerëzve që kanë luajtur futboll që fëmijë dhe që u kemi dhuruar emocione të tjerëve. Boban, Trezege, Hugo Sançez, Ruxheri… kam folur me të gjithë dhe jemi gati për të luftuar për futbollin. Infantino thotë që do të bashkëpunojë…
-Ka qenë Platini një zhgënjim për ju?
Po, nuk i ka sjellë asgjë futbollit. E humbëm respektin për të. Nuk na prezantoi dot asnjëherë dhe, mbi të gjitha, s’na dedikoi as një minutë.
-E keni lënë pas dore karrierën tuaj si trajner? Klubi i fundit që drejtuat ishte Al Uasl në vitin 2012…
Jo, aspak. Kam shumë motivim. Por, në futboll ka një mafie shumë të madhe. Nuk duket, por ekziston gjatë gjithë kohës. Bota e trajnerëve është e dominuar nga menaxherët dhe promovohen njerëz të paaftë. Ka shumë menaxherë që, nëse nuk i paguan, atëherë nuk merr dot drejtimin e asnjë ekipi. Kështu ndodh. Duhet të themi të vërtetën. Unë nuk i pranoj dot kurrë këto kushte.
-Florentino vendosi që t’ia besojë pankinën Zinedin Zidanit. Shpresoni që një prej klubeve ku keni luajtur gjatë karrierës t’iu japë një mundësi të ngjashme?
Mbase unë nuk jam gati për Barcelonën ose për një klub të madh, por mund të kem mundësinë që të luftoj me ekipe të tjera. Në kohët e sotme, me sa duket, nuk është e nevojshme të kesh qenë futbollist i mirë për të qenë trajner i suksesshëm. Unë lumturohem kur shikoj Zidanin që të fitojë, pasi nëse ai do dështonte, drejtuesit do thoshin: “Ka qenë lojtar i mirë, por nuk mund të bëhet dot trajner”. Johan Krujf u dha mesazhin e duhur të gjithëve. Pasi shkëlqeu në fushë, fitoi gjithçka si trajner.
Duke qenë se po flasim për trajnerët, besoni se Diego Simeone meriton të fitojë një Champions?
Po bën një punë të madhe dhe e respektoj shumë si person. Me Riverin, ai provoi të jetë nga kampion, në vendin e fundit. Nga triumfi në dështim brenda pak muajsh. Ndërsa, tani qëndron në nivel të lartë me Atletikon, duke sfiduar klube si Reali dhe Barcelona. Dy finalet e Ligës së Kampioneve i humbi, sepse nuk hoqi dorë nga filozofia e tij. Besoi te vetja dhe ndonjëherë jo gjithçka nuk preket.
Si e shikoni rivalitetin Mesi-Ronaldo në ditët e sotme?
Unë i shikoj të gjithë kampionatet. Vërtet. I ndjek kampionatet kryesore. Leo dhe Kristiano janë superiorë ndaj të gjithëve. Kristiano më kënaq kur e shikoj, pasi lufton në maksimumin. Ndërsa për Leon e kam thënë shumë herë dhe më bezdis fakti që duhet ta përsëris: ai nuk ka nevojë për të ngritur Kupën e Botës që të konsiderohet fenomen.
A është Nejmar në të njëjtin nivel me ta?
Mendoj se, Leo dhe Kris janë të paarritshëm për momentin. Por, pa dy nuk ka tre. Nejmarin e shikoj dhe argëtohem. Më pëlqen, pasi është një futbollist që driblon, dhuron spektakël dhe, mbi të gjitha, nuk ankohet, pavarësisht se mund të marrë 200 shkelma gjatë një ndeshje.
Riberi: Po më sulmojnë më shumë se kurrë
Frank Riberi nuk tërhiqet dhe u shpall luftë rivalëve, të cilët duan ta frenojnë me çdo mënyrë. Gjatë një interviste që dha për “Sport Bild”, numri shtatë i Bajernit komentoi për herë të parë reagimin e ashpër që ka pasur ndaj disa kundërshtarëve. “Jam i vetëdijshëm se duhet që të bëj kujdes. Gjithsesi dua të shpjegoj se nuk jam një lojtar që nuk i pëlqen sjellja korrekte. Mbase disa herë mund të humb arsyen dhe të reagoj keq, por këtë e bëj vetëm përballë atyre rivalëve që e ndiej se duan që të më dëmtojnë. Nuk kam asgjë kundër rrëshqitjeve ekstreme apo përplasjeve trup më trup, të jemi të qartë në këtë pikë.
Unë humb arsyen kur shikoj se rivalët duan që të më godasin në kockë për të më dëmtuar. Këtë nuk e pranoj”, shpjegoi Riberi. 33-vjeçari në vitet e fundit ka vuajtur shumë prej dëmtimeve që në të shumtën e rasteve kanë qenë pasojë e ndërhyrjeve josportive.
“E di fare mirë se me kalimin e viteve kam rritur tejmase nivelin e lojës dhe për rivalët jam thjesht një lojtar që duhet frenuar. Në çdo ndeshje kam 2-3 lojtarë përreth sa herë prek topin. Në këtë sezon shikoj se po sulmohen më shumë se kurrë më parë. Nuk do t’ia falja kurrë vetes nëse do të dëmtohesha gjatë për shkak të një faulli josportiv”, rrëfeu frikën e vet më të madhe 33-vjeçari.
Në një segment tjetër të intervistës, Frank Riberi preku argumentin e ndryshimit të brezave. “Lojtarë si Duglas Kosta dhe Kingslej Koman janë fondamentalë për klubin. Ata janë e ardhmja e skuadrës, pasi unë dhe Roben nuk jemi më në gjendje që t’i luajmë të gjitha ndeshjet”, pohoi Riberi.
I pyetur për Griezmanin, i cili prej shumë tifozëve të Francës është pasuesi i Riberisë në kombëtare, “Mbreti” i Bajernit bëri një prej atyre “ndërhyrjeve të ndaluara” duke e shigjetuar hapur sulmuesin e Atletikos: “Ende nuk është një ‘top player’ pasi nuk ka vazhdimësi. Pa dyshim ai po luan mirë tek Atletiko, por të luash për Bajernin është tjetër gjë”.