20.5 C
Tirana
E premte, 25 Prill, 2025

Surpriza e Çmimit Nobel në Letërsi për Bob Dylan

Bob Dylan vlerësohet me Çmimin Nobel në Letërsi për “krijimet poetike në traditën e madhe të këngës amerikane”, komunikoi Akademia suedeze. Me këtë këngëtari i protestës dhe autor i teksteve, Bob Dylan bëhet pjesë e krijimtarisë klasike letrare në tërësi.
Çmimi Nobel në Letërsi normalisht shpallet në javën, kur akordohen edhe çmimet e tjera. Rrallë herë ndodh që kjo datë të shtyhet nga Akademia suedeze. Sidoqoftë shpallja e çmimit pritet gjithmonë me mjaft interes. Deri në çastet e fundit vazhdonin spekulimet për favoritët e mundshëm. Për vitin 2016 – ashtu si edhe një vit më parë – si kandidatë të mundshëm në krye të listës konsideroheshin japonezi Haruki Murakami, amerikani Philip Roth, keniani Ngugi Wa Thiong’o dhe poeti sirian Adonis.
“Këngëtari i madh pa zë”, është shprehur dikur dikush për të. Një përpjekje pa rezultat për t’iu afruar sadopak fenomenit Bob Dylan, po ashtu siç ka dështuar edhe përpjekja për ta klasifikuar atë si një këngëtar folklorik apo rock-u. Këto përshkrime janë mjaft sipërfaqësore dhe nuk e përkufizojnë artistin Dylan. Një artist, i cili gjithmonë ia ka dalë që t’u shmanget klisheve e të çlirohet prej shabloneve muzikore.

Dylan nuk do të jetë idhull
Duket se konstantja është edhe kthesa. Ai i ofroi tifozëve të vet një kurë radikale të parë pikërisht në vitin 1965 në festivalin Newport Folk Festival. Ishte kjo koha kur ai sapo kish nisur të futej në historinë e muzikës si një ikonë e lëvizjes Folk-, Blues- dhe Protestë, kur papritur Dylani vendosi kitarën në një amplifikator elektrik dhe u shfaq me një grup tërësisht rock-u në skenë. Simpatizanët ishin më shumë se sa vetëm të irrituar: ata e konsideruan koncertin si një tradhti ndaj muzikës folk dhe e fishkëllyen Dylanin. Deri në këtë periudhë karriera e tij kish kaluar relativisht pa degëzime. Ende me emrin e tij Robert (“Bobby”) Allen Zimmerman që vinte nga Duluth në Minnesota si kitarist dhe pianist në vitet ‘50 ai luante në formacionet rock të shkollës së mesme. Pasionin për lëvizjen e re Folk ai e zbuloi në qytetin, ku kreu studimet, në Minneapolis në vitin 1959. Bob Dylan vinte nga një familje me origjinë hebreje. Autori i këngëve “Tramp Woody Guthrie” dhe ikona e së majtës në SHBA Pete Seeger u bënë më të rëndësishëm për të se sa Little Richard apo Gene Vincent.

Artisti folk Dylan
Kjo e tërhoqi të riun Dylan në skenën e Nju Jorkut në lagjen Greenwich Village. Këtu ai ra për herë të parë në kontakt me të famshmen Joan Baez, e cila e mori atë me vete në turne. Ai pati kësisoj shansin jo vetëm të interpretojë këngët e tij para një publiku të zgjeruar, por u etablua si një figurë politike proteste. Këngë të ashpra, me shprehje indinjate si “Masters Of War” ose “A Hard Rain’s A-Gonna Fall” e kualifikuan Dylanin për lëvizjen Folk të Protestës. Bashkë me Joan Baez ai mori pjesë në marshimin e mbrojtësve të të drejtave të njeriut. Bob Dylan u shkëput prej hijes së mentores së tij edhe influenca e tij në skenë u rrit duke u bërë gjithnjë e më e prekshme. Sipas revistës “Newsweek” Dylan është po aq i rëndësishëm për muzikën pop sa edhe Einsteini për fizikën.

Vite të vështira
Pas një aksidenti me motor në verën e vitit 1966 Dylan u tërhoq nga skena publike, e la pasdore edhe kulturën e protestës që identifikohej me emrin e tij dhe bashkë me gruan Sara Lowndes e fëmijët u vendos në afërsi të Woodstock pranë Nju Jorkut. Kur atje në vitin 1969 u organizua festivali më i rëndësishëm i dhjetëvjeçarit, pikërisht më i rëndësishmi, pionieri i muzikës rock e pop krahas Beatles dhe Rolling Stones nuk ishte i pranishëm. Kjo shkëputje nga skena ishte për të edhe një çlirim nga kalendari rraskapitës i koncerteve dhe nga stili i jetesës së muzikantëve të rrokut, që i sëmur ata. Vitet ‘70 ishin plot luhatje dhe të vështira për Dylanin: divorci nga Sara Lowndes, njëfarë stanjacioni artistik dhe në fund të dekadës përkushtimi ndaj krishterimit, gjë që tifozët nuk ia zunë për mirë. Edhe në vitet ‘80 bilanci është disi i zbehtë: disa disqe pa ndonjë sukses, probleme me alkoolin, koncerte kaotike. Në kurriz ai ka dy martesa, suksese komerciale me “All-Star-Band Traveling Wilburys” dhe fillimi i turit të njohur “Never Ending Tour” me 100 koncerte në vit duke nisur nga 1988.

Çmime dhe vlerësime të pafundme
Çmimet e Bob Dylanit as që mund të numërohen: 11 Grammy, Oscar për këngën e një filmi, Çmimi Pulitzer për “kompozime lirike me forcë të jashtëzakonshme poetike”, më 2012 Presidenti Barack Obama e dekoron me medaljen “Presidential Medal of Freedom” vlerësimi më i lartë në SHBA. Por Bob Dylan ka qenë aktiv edhe si aktor për shembull, në filmin “Pat Garrett ndjek Billy the Kid” i vitit 1973. Rreth 100 milionë disqe ka shitur ai deri më sot e kjo me siguri që i shkakton vuajtje, sepse janë më pak se ato të shitura nga Justin Bieber.
Në 75-vjetorin e lindjes Bob Dylani ka pushim, “Never Ending Tour” është ndërprerë. Kjo i jep kohë artistit të mendojë, se cili do të jetë roli i tij në historinë e muzikës. Por me siguri që këtë ai nuk do ta bëjë, sepse këtë e bëjnë të tjerët për të. Profesori amerikan i historisë dhe ekspert i Bob Dylanit, Sean Wilentz ka një vlerësim: “Çfarë ka bërë Bob Dylan kryesisht në vitet ‘60: ka shprehur me fjalë, ide dhe ndjenja, që njerëz të tjerë nuk do të ishin në gjendje t’i përshkruanin me fjalë”.
Tani Bob Dylanit i shtohet edhe çmimi prestigjioz Nobel në Letërsi.

SHBA dhe paga minimale

A janë të detyruar punëdhënësit t’i paguajnë punonjësit mirë, me një rrogë me të cilën mund të jetohet? Rritja e pagës për disa nga punëtorët që paguhen më pak është një çështje shumë e debatuar gjatë këtij sezoni zgjedhjesh në SHBA. Korrespondentja e “Zërit të Amerikës”, Katherine Gypson shkoi në qytetin Portland, të shtetit Mein për të parë se si votuesit e shohin këtë çështje që mund të ndikojë në ekonominë e shtetit.
Hillary Morrison ka shumë për të menduar. Koston e qirasë, ushqimet, kredinë studentore… “Nuk mund të kem vetëm një punë. Më duhet të marr dy ose tre punë vetëm për të përballuar jetesën”, thotë ajo. Ajo jeton në një qytet ku kostoja e jetesës është e lartë dhe nuk është si punëtorët e tjerë të restoranteve, sepse fiton pothuajse tre herë më shumë se paga minimale. “Është e mrekullueshme që paguhem më shumë”, shton ajo. T’u japësh njerëzve një rrogë me të cilën mund të jetojnë është një çështje morale, thotë shefi i Hillary-t, Steve Corman.
“Po përpiqem të mbaj punëtorët që kam”, thotë ai. Zoti Corman thotë se shërbimi në restorantin e tij përmirësohet, kur ai i paguan punonjësit më shumë se paga minimale prej 3.75 dollarësh në orë.
“Gjatë një të premteje apo të shtune, ata fitojnë më shumë se 30 dollarë në orë. Në qoftë se e bëjnë këtë dy apo tre ditë në javë, mund të fitojnë një rrogë të arsyeshme”, thotë zoti Corman. Kjo është arsyeja pse ai mbështet një ligj që po shqyrtohet në shtetin Mein këtë sezon zgjedhor dhe që do ta bënte situatën e Hillary Morrison-it realitet për të gjithë punëtorët.
Kudo në Amerikë, punëtorët kanë protestuar për paga më të larta, duke e bërë çështjen e pabarazisë së të ardhurave një nga më të debatuarat këtë vit zgjedhor.
“Nëse besoni se paga minimale duhet të jetë e mjaftueshme për të jetuar dhe se askush që punon me kohë të plotë nuk duhet t’i rrisë fëmijët në varfëri, bashkohuni me ne!”, tha Hillary Clinton. Kundërshtari i saj, Donald Trump, ka bërë thirrje që qeveritë lokale të vendosin vetë për zgjidhjen më të mirë. “Shtetet duhet të vendosin”, tha ai.
Propozimi për pagën minimale dështoi në Dhomën e Përfaqësuesve të Meinit, por sipas sistemit jashtëzakonisht të hapur të këtij shteti, qytetarët mund ta risjellin ligjin në fletën e votimit në nëntor.
Një ndryshim në pagën minimale mund të detyrojë disa pronarë të restoranteve të rrisin çmimet ose të shkurtojnë shpenzimet për të mbuluar rritjen e pagës. “Nuk besoj se vlera e një personi duhet të etiketohet sipas pagesës që merr. Nuk them se dikush vlen dymbëdhjetë dollarë në orë, por paga do të rritet nëse ne si shoqëri pranojmë të paguajmë 30 dollarë për një picë”, thotë Chris Tyll, pronar restoranti.

Putin mohon krimet e luftës në Alepo dhe akuzon SHBA

Presidenti i Rusisë, Vladimir Putin, i hodhi poshtë pretendimet se vendi i tij mund të përballet me akuzat për krime lufte, për shkak të bombardimeve në Alepo të Sirisë.
Ai i tha medias franceze se, akuzat janë “retorikë” që nuk përkon me realitetet në Siri.
Presidenti i Francës, Francois Hollande, ka thënë, ditë më parë, se sulmet ajrore të Rusisë në Alepo mund të llogariten krime lufte.
Pjesa lindore e këtij qyteti, e cila kontrollohet nga rebelët, është cak i bombardimeve të vazhdueshme që nga kolapsimi i armëpushimit, disa javë më parë.
Pavarësisht akuzave të ndërsjella se kush është fajtor për dështimin e armëpushimit, Rusia dhe Shtetet e Bashkuara janë pajtuar të mërkurën që të rinisin bisedimet për Sirinë.
Ministri i Jashtëm rus, Sergei Lavrov, do të takojë homologun amerikan, John Kerry dhe përfaqësues të tjerë të fuqive rajonale, të shtunën në Zvicër.
Putin tha se Rusia do t’i ndjekë terroristët edhe nëse ata fshihen në mesin e civilëve.
“Nuk mund t’i lejojmë terroristët që t’i përdorin njerëzit si mburoja dhe të shantazhojnë gjithë botën”, tha Putin në një intervistë për kanalin “TF1”, duke shtuar se vdekjet e civilëve janë “realiteti i hidhur i luftës”.
Duke iu përgjigjur pretendimeve se, sulmet ajrore të Rusisë mbi zonat e populluara me civilë llogariten si krime lufte, Putin tha se, “kjo është retorikë politike që nuk do të thotë shumë dhe nuk përkon me realitetet në Siri”.
“Jam thellësisht i bindur se janë partnerët tanë perëndimorë, para së gjithash Shtetet e Bashkuara natyrisht, ata që janë përgjegjës për situatën”, tha Putin.
Rusia ka akuzuar SHBA-në se mbështet fshehurazi xhihadistët e lidhur me Al-Kaidën në Siri, në përpjekje për të rrëzuar Presidentin sirian, Bashar al-Assad. SHBA i hedh poshtë këto akuza.
Këtë javë, Putin ka shtyrë një vizitë të planifikuar në Francë, pasi homologu i tij francez ka këmbëngulur që bisedimet të përqendrohen vetëm te çështja e Sirisë.
“Vladimir Putin ka refuzuar të vijë dhe të bisedojë për Sirinë… Ai ka intensifikuar bombardimet në Alepo dhe e imagjinoj se sa e turpshme do të ishte për Putinin të vinte në Paris dhe të fliste për Sirinë”, tha ministri i Jashtëm francez, Jean-Marc Ayrault, për radion “Europe 1”.
Moska vazhdimisht mohon se sulmon civilët në Siri, duke thënë se shënjestër e saj janë grupet terroriste.
Departamenti amerikan i Shtetit ka thënë se në bisedimet e së shtunës, sekretari Kerry do të diskutojë “qasje të ndryshme” për t’i dhënë fund krizës, “përfshirë armëpushimin e qëndrueshëm dhe rifillimin e dërgesave humanitare”.
Fuqitë kryesore rajonale: Arabia Saudite, Turqia dhe Irani pritet po ashtu të marrin pjesë në bisedimet në Lozanë.
Të mërkurën, së paku 40 veta, përfshirë fëmijë, janë raportuar të vrarë nga sulmet ajrore në Alepo.
Alepo, dikur qyteti më i madh i Sirisë dhe qendër komerciale dhe industriale e vendit, është i ndarë qysh në vitin 2012; forcat e Assadit kontrollojnë pjesën perëndimore, ndërsa fraksionet rebele atë lindore.

Sulm me mortaja ndaj ambasadës ruse në Damask

Rusia tha se një sulm me mortaja ka goditur ambasadën e saj në Damask të Sirisë. Ky është sulmi i dytë i raportuar në këtë kompleks, brenda këtij muaji. Asnjëri prej sulmeve nuk ka shkaktuar pasoja në njerëz. Ministria e Jashtme ruse tha se mortajat janë hedhur nga një qark që kontrollojnë rebelët. Duke e dënuar, siç tha, sulmin terrorist, ministria tha se Rusia mbetet e përkushtuar të luftojë pa kompromis terroristët në Siri. Moska është aleat i rëndësishëm i Presidentit sirian, Bashar al-Assad, regjimi i të cilit, qysh në vitin 2011, po lufton forcat rebele.

Si po ndryshojnë mediat në Maqedoni?

Raportimet e mediave maqedonase muajin e fundit kanë shënuar përparime krahasuar me periudhën paraprake kur ishte regjistruar raportim i pabalancuar, gjuhë e urrejtjes apo jo profesionalizëm në të gjitha segmentet e mbulimit të ngjarjeve qoftë politike, ekonomike apo të jetës së përditshme.
Ndryshimi pason fillimin e punës së komisionit ad hoc, organ ky i paraparë me marrëveshjen politike për monitorimin e punës së mediave, në mungesë të një zgjidhjeje gjithpërfshirëse për reforma në media.
Lulzim Haziri, anëtar i komisionit ad hoc, thotë se në të gjitha raportet e deritanishme, me përjashtime të vogla, mediat kanë ndryshuar qasjen e raportimit.
“Besoj se mediat kanë filluar të jenë pak më të vetëdijshme, duke e kuptuar se një mënyrë e tillë e raportimit nuk është profesionale dhe nuk shihet me sy të mirë. Aq më tepër kur kjo çështje tani mbikëqyret dhe priten edhe sanksionet ligjore lidhur me këtë formë të raportimit”.
“Vlerësoj se situata para një shtatorit dhe pas një shtatorit dukshëm ka ndryshuar, aq më tepër kur shqyrtojmë raportet mbikëqyrëse të muajit prill dhe të raporteve të tanishme. Atëherë, një televizion i kishte 24-25 shkelje, ndërsa tani ka 3, 4 apo 5 shkelje të tilla”, thotë Haziri.
Ndryshimet në raportimet e mediave janë regjistruar edhe nga ekspertët e komunikimit.
Mirçe Adamçevski, nga Komisioni për Ankesa pranë Këshillit të Etikës, thotë se rezultatet e monitorimit njëmujor tregojnë se mediat dinë si të raportojnë profesionalisht, por disa prej tyre këtë nuk e kanë bërë për shkak të mungesës së vullnetit dhe dirigjimit nga qendra të caktuara.
“Analizat e bëra nga ana e këtij organi tregojnë se mediat tona mund të raportojnë në mënyrë të balancuar, por që kjo të ndodhë, ato duhej të detyroheshin në një gjë të tillë”.
“Se a janë në pyetje gjobat apo sanksionet e tjera të parapara, nuk mund ta them, por me rëndësi është të konstatojmë se ato mund të punojnë në mënyrë profesionale, madje këtë mund ta bëjnë edhe ato media që gjithmonë kanë qenë në shënjestër të kritikave të ndryshme”, thotë Adamçevski.
Sefer Tahiri, profesor në Fakultetin e Shkencave të Komunikimit pranë Universitetit të Evropës Juglindore, pret që mediat ta vazhdojnë këtë lloj raportimi edhe në të ardhmen. Ai vlerëson se mediat nuk frikësohen nga gjobat që mund t’u shqiptohen, por më tepër kanë frikë nga reagimet e opinionit.
“Vlerësoj se raportimi i mediave ka ndryshuar për dallim nga e kaluara dhe kjo më tepër është rezultat i punës së komisionit ad hoc sesa i agjencisë së medaljeve, që vazhdon të jetë një organ politik. Mendoj se kjo mund të jetë edhe nga frika e sanksioneve, pasi gjobat arrijnë deri në 4 mijë euro. Por, kjo vlerësoj se më shumë është si pasojë e faktit se dënimi moral apo publik nga ana e qytetarëve është më i madh”, thotë Tahiri.
Çështja e mediave ka qenë një ndër pikat kryesore të mospajtimeve mes partive politike. Opozita kërkonte ndryshimin e gjithë strukturës së agjencisë së mediave, organit më të lartë për kontrollin e punës së mediave, ndryshime ligjore në çështjen e raportimit, reklamave qeveritare, gjobave, si dhe transformimin e transmetuesit publik, por ato janë refuzuar nga partitë në pushtet, duke ofruar zgjidhjen e tyre, që në fund bisedimet të përfundojnë me formimin e komisionit ad hoc.
Ndryshe, Maqedonia në të gjitha raportet e organizatave ndërkombëtare është radhitur në grupin e shteteve me liri të kufizuar të shprehjes.

Kosova me nivelin më të lartë të ndotjes

Banorët e Kosovës kërcënohen nga mjedisi i ndotur jetësor, i cili po ndikon në rritjen e numrit të të sëmurëve nga mushkëritë dhe sëmundjet e tjera respiratore e madje edhe shkakton vdekjen e njerëzve. Kështu thonë ekspertë të çështjeve të ruajtjes së ambientit.
Për kah degradimi i mjedisit jetësor, Kosova ishte kritikuar edhe nga mekanizmat ndërkombëtarë.
Në raportet e këtyre mekanizmave, Kosova ishte renditur në nivelin më të ulët të standardeve mjedisore në Ballkanin Perëndimore dhe në Evropë.
Përfaqësues të organizatave joqeveritare që merren me mbrojtjen e mjedisit në Kosovë, flasin për rreziqet e mëdha që vijnë nga ndotja e ambientit.
Agron Bektashi nga Qendra Rajonale e Mjedisit (REC), në një prononcim për Radion Evropa e Lirë, thotë se Kosova është duke u përballuar me ndotje të madhe të ajrit, ujërave dhe tokave.

Saki: Dibalan ia ofrova dy vite më parë Milanit

Fito, bind dhe dëfre. Arrigo Saki nuk ka ndër mend të heqë dorë nga tri parimet e tij mbi futbollin, edhe tani që nuk stërvit më, ide loje të cilat i ka ndarë gjithmonë me Silvio Berluskonin. “Mund të fitosh edhe duke luajtur futboll, duke u mëshuar më shumë ideve sesa cilësisë. Por sot nuk ndodh gjithmonë kështu. Madje, unë do të thosha se kjo është një sëmundje e trashëguar prej shumë kohësh, nga e cila kemi frikë që të shkëputemi, vazhdon ish-trajneri i Milanit. Një ditë, shkova të shihja një ndeshje të 12- vjeçarëve, Inter-Milan, në të cilën pashë më shumë krosime të gjata sesa pasime, gjëra që në Spanjë do të ofendonin edhe prindërit e atyre fëmijëve. Ndërsa ne mendojmë vetëm që të mbijetojmë. Nuk guxojmë ende të ndryshojmë, të mësojmë, të sulmojmë. Duam gjithmonë të fitojmë, duke i rënë gjithmonë nga rruga më e shkurtër”.
Dhe “rregullat” e Sakit nuk pasqyrohen te Juventusi, i cili sipas Arrigos nuk fiton në Europë, sepse ka vetëm një parim: “Historikisht Juventusi ka ecur mbi një parim dhe nuk ka dalë jashtë tij: Fito! Edhe pse ky mentalitet vlen gjithmonë në futboll, ka gjithmonë kohë dhe vend për të ndryshuar sadopak. Shihni Bajernin, Barcelonën, tanimë edhe Mançester Sitin, skuadra që e kanë larguar nga mentaliteti i tyre takticizmin.
Gjithsesi, së fundmi edhe Juventusi po ndryshon shumë mbi këtë aspekt dhe më pëlqen ky fakt. Ata janë një klub madhështor, shumë përpara të gjithëve në Itali, dhe tashmë e kanë rritur edhe piacën, duke arritur që të shpenzojnë. Më bëhet shumë qejfi për Juven.
Madje, një ditë, mikut tim Marota i thashë: ‘Bepe, përveçse të fitoni, ju mungojnë ende dy parime që duhej të ndiqni: bind dhe dëfre. Nëse do i fusni edhe këto në ‘fjalorin’ tuaj është e sigurt se do të keni më shumë mundësi për të fituar Champions-in. Higuain te Juventusi? Bënë shumë mirë që e blenë, përderisa kishin për ta bërë këtë, pse jo”.
Në fund, ish-trajneri i Italisë e mbyll me kombëtaren. “Rikthimi i Verratit? Edhe ai është një nga lojtarët që ia kam propozuar Milanit në të kaluarën, por as aty nuk më dëgjuan. Marko është një lojtar i madh, por në kombëtare duhet të mbështetet nga disa lojtarë të tjerë në mesfushë, jo si ata që i vuri Ventura në ndeshjen ndaj Maqedonisë.
Kur unë e mora te Milani (po flet për Karleton në kohën që ai ishte futbollit), Ançeloti ishte edhe më i ngadaltë se unë me topin në fushë, por përkrah tij luanin njerëzit e duhur dhe Ançeloti më dhuronte gjëra fantastike në fushë”.

Klani “Mesi”!

Ndonjëherë nuk mjaftojnë as golat. Mauro Icardi në këtë sezon ka shënaur 6 në Serie A, duke u shfaqur dukshëm më mirë dhe në këndvështrimin në ndihmën që i jep lojës së skuadrës, diçka për të cilën është kritikuar më parë, por të gjitha këto nuk i kanë mjaftuar për të rifituar fanellën e Argjentinës. Në Kombëtare, trajneri Bauza vazhdon të konfirmojë se preferon sulmues të tjerë. Fusha nuk i ka dhënë të drejtë, duke parë edhe rezultatet e Argjentinës në ndeshjet e fundit kualifikuese të Botërorit, me vetëm dy pikë të siguruara në tre takime. Nga Argjentina dhe në veçanti nga programi shumë i ndjekur televiziv atje, “Debate Final”, zërat flasin për krijimin e një fronti kundër Ikardit në kombëtaren albiceleste me akuza të drejtpërdrejta.
Para së gjithash akuzohet Lionel Mesi, i cili së bashku me lojtarë të tjerë besnikë ndaj tij, kanë shkuar deri aty sa t’i vënë veton grumbullimit të Icardit në kombëtare. Ai që në Argjentinë e quajnë “klani Mesi” në brendësi të Albicelestes qëndron pas përjashtimit të sulmuesit interist nga ekipi përfaqësues. Kjo, gjithmonë sipas analistëve argjentinas, ndodh për faktin e thjeshtë se Mesi është mik i Maxi Lopez, që nga kohët kur të dy ishin te Barcelona ndaj dhe nuk i fal Ikardit tradhëtinë që i bëri Maksi Lopez, duke i rrëmbyer ish-bashkëshorten e tij Wanda Nara. Një rrëfim ky që është i destinuar të krijojë mjaft polemika.
Serxhio Aguero nuk e ka fshehur dot zhgënjimin për paraqitjen që zhvilloi, por theksoi se kjo i ndodh vetëm kur luan me Kombëtaren. “Nuk di se si ta shpjegoj që unë jam një lojtar i keq kur luaj me Argjentinën. Në Argjentinë nuk më ndodh. Ishte vërtet një mbrëmje katastrofë për mua. Humba penalltinë dhe nuk finalizova dot si duhet. Ndonjëherë nuk ka rëndësi se si luan me klubin tënd, por se çfarë jep me përfaqësuesen. Për këtë arsye nuk do befasohesha nëse trajneri nuk do më grumbullonte për ndeshjen e radhës”, u shpreh ai.
Sa i përket humbjes me Paraguain, shtoi: “Në futboll ndodhin edhe raste të tilla, kur fati i keq të dënon. Kemi prodhuar lojë, kemi pasur raste, por nuk i finalizuam. Për asnjë arsye nuk merituam të humbisnim, por nuk mund të gjejmë alibi justifikimi tashmë”.
Argjentina pësoi një humbje shokuese me Paraguajin në fushën e saj në ndeshjen e 10 kualifikuese për botërorin “Rusi 2018”. Skuadra bardhekaltër u mposht 0-1 në stadiumin “Mario Alberto Kempes të Kordobas”, duke vënë seriozisht në diskutim renditjen mes 4 skuadrave më të mira të Amerikës së Jugut, që kualifikohen direkt në botëror. Goli i Gonzalez i shënuar që në minutën e 18-të mbeti në fuqi deri në vërshëllimen e fundit të gjyqtarit, me vendasin që ishin të paaftë për të kthyer rezultatin edhe pse iu dha mundësia me një 11 metërsh në fillim të pjesës së dytë, por që nuk u shndërrua në gol nga Aguero. Ky ishte takimi i tretë radhazi që Argjentina nuk arrin të fitojë pa Lionel Mesin, i cili ka munguar në përfaqësuese për arsye dëmtimi.

Riberi: Griezmann, jo lojtar i klasit Botëror

Franck Ribery sulmon ashpër Antoine Griezmann. Për sulmuesin e Atletico Madrid dhe të Kombëtares Franceze, 2016 ka qenë një vit jo dhe aq me fat, duke humbur dy finale shumë të rëndësishme, siç ishte Champions League dhe Kampionati Europian. Pavarësisht kësaj 25-vjeçari është rikthyer sërisht në formën e tij më të mirë, duke lënë pas këto dy episode të pakëndshme. Elozhet në drejtim të Grizman nuk kanë munguar nga ana e gazetarëve dhe specialistëve të futbollit, por i të njëjtit mendim nuk është sulmuesi i Bayern Mynih, Frank Ribery, i cili shprehet për bashkombasin e tij se, arritjet e Grizman nuk mjaftojnë për ta cilësuar atë si një futbollist shumë të mirë.
“Sipas mendimit tim, Grizmann nuk është një lojtar i klasit botëror, pasi ai nuk ka pasur ecuri pozitive ndër vite, si në kampionatin spanjoll ashtu edhe në kupat e Europës. Nëse ai shfaqet gjithmonë në formë për 10 apo 15 vitet e ardhshme, atëherë unë do ta komplimentoj atë. Unë pësova një dëmtim të rëndë dhe tani që jam rikthyer jam, po ai që isha para dëmtimit. Në 10 sezonet e fundit kam qenë gjithmonë mes më të mirëve”, u shpeh Riberi.
Deklarata e ashpër e Ribery mund të konsiderohet dhe një hakmarrje personale, pasi sulmuesi i Atletico Madrid tek Kombëtarja franceze mban mbi shpinë numrin 7. Ndoshta kjo nuk i ka pëlqyer sulmuesit të bavarezëve, pasi ky numër më parë i përkiste Franck Ribery gjatë kohës kur ai ishte pjesë e Kombëtares së Gjelave.

Gati kontratën e re për Lëvin

Joakim Lëv është siguria e madhe e Gjermanisë. Trajneri që riktheu teutonët në majën e botës tashmë nuk më ka çfarë u tregon kritikëve dhe është shumë pranë rinovimit të akordit aktual (i skadon më 31.07.2018). Gjermania po fluturon në grupin e saj në eliminatoret e “Rusi 2018” dhe po përgatitet për dy vitet në vazhdim ku do të jetë përballë sfidës të madhe, atë të mbrojtjes së kurorës që fitoi në Brazil. Në këtë situatë, krerët e Federatës Gjermane të Futbollit janë të bindur se Lëv është njeriu i duhur dhe shumë shpejt do t’i ofrojnë një akord të ri 56-vjeçarit. Sa i përket firmës, pritet që të vijë në fund të verës të 2017-ës.
Praktika e punës e Lëvit është e qartë, ai nuk dëshiron që të futet në një kompeticion të madh me një kontratë në skadencë. Të njëjtën gjë bëri edhe në 2009, kur rinovoi deri në 2012 akordin. Edhe tani duket se do të përsëritet e njëjta lëvizje, pasi Lëv pritet të shkojë në “Rusi 2018” më një marrëveshje që do të mbyllet në 31.07.2020.
“Kam thënë se Lëv është i duhuri për ne që pas përfundimit të aventurës në Europianin e kaluar. Duam që të punojmë me Joakimin edhe për shumë vite të tjera”, tha dje numri një i Federatës Gjermane të Futbollit, Rajnhard Grindel.
Vetë trajneri nuk është ekspozuar shumë mbi këtë çështje, por puna që po bën me lojtarët tregon se nuk do të tërhiqet. Ai ka nisur që të përgatisë teutonët për të mbrojtur titullin kampion në Rusi, për t’u kthyer kështu në një legjendë, pasi kurrë Gjermania nuk ka fituar dy Botërorë radhazi. Zëvendësimi i Ozilit dhe i Boatengut pas 60 minutash lojë është një tregues i qartë nga ana e teknikut, i cili dëshiron që t’u japi eksperiencë të rinjve, të cilët kanë një pjesë të rëndësishme në punën e tij.