13.5 C
Tirana
E premte, 25 Prill, 2025

Pse Kosova anuloi takimin e Beogradit

Delegacioni i Kosovës, që ishte i ftuar të merrte pjesë në Forumin e Sigurisë në Beograd, i përbërë prej Bajram Gecajt, Ramadan Ilazit, Blerta Deliut dhe Ilir Dedës, e anuloi ditë më parë këtë takim. Mirëpo, në axhendën e këtij forumi që e posedon “Gazeta Express”, figuron edhe emri i pjesëtarit të ri të “Vetëvendosjes”, Dukagjin Gorani.
Forumi për Siguri në Beograd, fillimisht u planifikua të fillojë dje, mirëpo pa praninë e panelistëve nga Kosova, nuk u mbajt.
Për “Gazetën Express”, Bajram Gecaj ka treguar arsyen e vetme të anulimit të këtij takimi.
“E kemi anuluar vizitën tonë në Beograd për shkak të arrestimit të drejtorit të Policisë së rajonit të Mitrovicës, Nehat Thaçi”, thotë Gecaj, derisa tregon se kanë pritur deri të hënën lirimin e Thaçit, mirëpo pasi nuk ndodhi një gjë e tillë, vendimi i mospjesëmarrjes në këtë takim ishte i tij dhe i Ramadan Ilazit.
Edhe Blerta Deliu, deputete e Kuvendit nga PDK-ja, e ka konfirmuar për “Express” anulimin e vizitës, si pjesë e panelit që parashihej të merrnin pjesë në Forumin e gjashtë të Sigurisë në Beograd.
Pjesë e panelit ishin: Marko Gjuriç, drejtor i Zyrës për Kosovën në Serbi; Bajram Gecaj, përfaqësues i qeverisë së Kosovës; Ramadan Ilzai, përfaqësues i Ministrisë së Integrimeve Europiane; Ilir Deda, deputet në Kuvendin e Kosovës; Pierre Mirel, drejtori i Përgjithshëm i Komisionit Evropian; Dukagjin Gorani, Lëvizja “Vetëvendosje”; Sanda Rashkoviç-Iviç nga Partia Demokratike e Serbisë.
Vendimi i marrë nga Gjykata e Nishit për zyrtarin policor Nehat Thaçi, që të mbahet në paraburgim, ka shtyrë delegacionin nga Kosova i përbërë nga Blerta Deliu, Ilir Dedaj, Ramadan Ilazi dhe Bajram Gecaj që ta anulojë vizitën në Beograd, si pjesë e Forumit të Sigurisë.
Nehat Thaçi po akuzohet në Serbi për terrorizëm dhe për dëbimin e një familjeje serbe nga një fshat afër Lipjanit në vitin 1999. Këto akuza Thaçi i ka mohuar në procesin gjyqësor.
Takimi i dy kryeministrave si pjesë e këtij forumi, Edi Ramës nga Shqipëria dhe Aleksandar Vuçiçit nga Serbia u mbajt dje. Në këtë takim u bisedua edhe për relacionet e Serbisë dhe Kosovës, si dhe anasjelltas.

Lista serbe ankimon në Kushtetuese Trepçën

Përfaqësuesit e Listës Serbe dje e kanë dorëzuar për interpretim ligjin për gjigantin Trepça në Gjykatën Kushtetuese, i cili është miratuar ditë më parë në Kuvendin e Kosovës. Pas dorëzimit të kësaj ankese, kryetari i Listës Serbe, Sllavko Simiç ka thënë se me miratimin e ligjit për Trepçën janë thyer procedurat, të cilat është dashur të jenë në përputhshmëri me Kushtetutën e Kosovës.
“Me miratimin e ligjit për Trepçën nuk janë respektuar interesat themelore të popullit serb, me ç’rast ky ligj është dashur të miratohet në pajtim me Kushtetutën dhe nenin 81, pika 1. Po ashtu, miratimi i ligjit për Trepçën nuk është shqyrtuar në Komisionin për Komunitete me ç’rast është shkelur neni 78 i Kushtetutës së Kosovës. Ligjit nuk i është dhënë mundësia që të shqyrtohet në Këshillin për Komunitete, kështu është shkelur neni 60 i Kushtetutës. Me të gjitha këto shkelje dhe shkelje të tjera, të cilat nuk i kam përmendur, janë shkelur të drejtat e popullit serb që jeton në Kosovë. Andaj, ftojmë në përgjegjësi Kosovën sepse ka shkelur nenin 58 të Kushtetutës që ka të bëjë me minoritetet”, ka thënë ai.
Sipas tij, dhjetë deputetë të Listës Serbe kanë shfrytëzuar rastin që në bazë të nenit 113, pika 5 të Kushtetutës, ta dërgojnë kërkesën për vlerësimin e kushtetutshmërisë së këtij ligji.
“Rreth pjesëmarrjes tonë në institucionet e Kosovës, pa dyshim se do të vazhdojmë me konsultime si brenda Listës serbe, ashtu edhe me qeverinë e Beogradit, me institucionet në Prishtinë, si dhe me të gjithë përfaqësuesit relevantë ndërkombëtarë. Presim që ditët në vijim të zhvillojmë këto konsultime dhe natyrisht të tejkalojmë këtë sfidë, sepse duam të ftojmë në përgjegjësi përfaqësuesit ndërkombëtarë, si dhe të gjithë përfaqësuesit relevantë këtu në Prishtinë, në mënyrë që të kemi një konsensus të gjerë që rreth çështjes së Trepçës, të mos merren ata, të cilët nuk e njohin mirë këtë materie, dhe se rreth Trepçës të insistohet ekskluzivisht në bisedime e jo të prejudikohet e drejta, statusi dhe pronësia”, tha ai.
Në ditën kur u votua ligji për Trepçën, deputetët e Listës Serbe e kishin bojkotuar këtë seancë në shenjë pakënaqësie.
Ndryshe, 93 deputetë kanë marrë pjesë në votimin për miratimin e ligjit për Trepçën. Prej tyre 79 kanë votuar “pro”, asnjë “kundër” dhe ka pasur 14 abstenime.
Nëse ligji për Trepçën nuk do të hynte në fuqi deri më 2 nëntor, gjiganti ekonomik do të mund të shkonte në likuidim sipas vendimit të Dhomës së Veçantë të Gjykatës Supreme.

Shoku i Denisit

Bledi KASMI

Organizata kriminale imponoi dje vendimin e Gjykatës së Lartë për të liruar Elvis Roshin nga arresti shtëpiak. Vendimi është qesharak për nga argumentimi. I dënuari për përdhunim dhe një trafikant ndërkombëtar droge i dënuar si i tillë në Zvicër dhe në Gjermani u lirua nga gjykatat si “baba me fëmijë të mitur që duhet të kujdeset për edukimin e tij”.
Ky ka qenë edhe argumentimi qesharak i Gjykatës së Shkallës së Parë, që çuditërisht fshihet në mënyrë skrupuloze dhe është shpallur sekret nga Sekretaria e Gjykatës. Dhe çuditërisht, është nga të pakta vendime të gjykatave, i cili nuk është botuar asnjëherë në media.
Lirimi i Roshit u paralajmërua nga një raport i misionit të Bashkimit Europian, PAMECA, i cili është kthyer në një letër higjenike të Ramës dhe krimit të organizuar në vend, duke braktisur misionin e vërtetë policor për të cilin taksapaguesit europianë paguajnë miliona euro.
Vendimi për lirimin e njeriut me 5 emra përbën varrosjen e ligjit të dekriminalizimit dhe shërben për të kuptuar se pas kontrollit të gjykatave qëndron etja dhe babëzia e Ramës për të realizuar krimin elektoral të vitit 2017.
Nga dje ka nisur hapja e burgjeve. Në ditët dhe javët e ardhshme beteja do të përqendrohet tek individët e tjerë të krimit të organizuar në burgje, të cilët Rama po kërkon t’i ketë në krah të tij në fushatën elektorale të vitit të ardhshëm.
Po përse i duhen kaq shumë kriminelë Ramës? Njeriu që erdhi në pushtet përmes bashkimit të të gjitha qelbësirave, sot nuk ndjehet i sigurtë. Lirimi i Roshit, shfaqja me Tomën, kafet me Qifen, shpëtimi i Prengës, udhëtimet në Kinë me Tërmetin
janë vetëm disa shenja për të kuptuar gjendjen e Ramës jo si Kryeministër, por si një specie e një gjenerate të humbur në Tiranë prej shumë vitesh.
Kush e njeh Ramën e di se ai është një qen i rrahur. Ai ka një frustrim të hershëm. E mundon kompleksi i të “fortëve” të Tiranës të dikurshme. Që atëhere e ka pasur lepurin në bark dhe historitë që tregohen për të janë më shumë se qesharake për nga keqtrajtimi që ka pësuar prej tyre.
Denis Gina, një emër i hershëm i të fortëve të drogës në Tiranë e kishte bezdi kur ky që është sot Kryeministër i shkonte nga pas tek Rruga e “Durrësit”. Megjithëse Gina e poshtëronte, duke e lënë të priste me orë në tavolinën ngjitur ku ai qëndronte, Rama nuk e humbiste kurrë durimin për ta takuar. Jo vetëm për të marrë pak mall të mirë, por mbi të gjitha që të dukej se ishte shoku i Denisit.
Këto ishin kodet e rrugës së Tiranës së atëhershme. Statusi që Rama ëndërronte ishte të bëhej si Denisi. Aq i frustuar ishte pas tyre, sa pas vrasjes së Ginës, Rama nisi një marrëdhënie me ish të dashurën e tij. Sepse edhe e dashura e të fortëve ishte status në Tiranën e shumë viteve më parë dhe kjo e ndihmonte sado pak njeriun e frustuar që qoftë edhe për një kohë të shkurtër të hiqej sikur ai në të vërtetë ishte Denisi dhe jo Edi.
Vetëm duke njohur kodet e rrugës së Tiranës së dikurshme dhe frustimin që Rama ka pasur nga të fortët atëhere do të mund të kuptohet se pse sot ai kudo ku shkon si Kryeministër i merr të fortët me vete. Ai asnjëherë nuk është vetvetja. Nuk i pëlqen Elvis Roshit të qëndrojë me Ramën, por është Rama që do të duket si Elvis Rosh.
Ai bën çdo gjë të duket si i fortë, në komunikimin në Parlament, me ministrat, me drejtorët kudo ku gjendet, dhe vetëm kur ulet në tavolina me të fortët, apo kudo ku ai i has ata në variantin origjinal, ai rrin si pulë.

Gjyqtarët e tredhur lirojnë Kërrmën e Kavajës

Gjyqtarë të keqpërdorur dhe nën kërcënim nga organizata kriminale lirojnë përdhunuesin dhe trafikantin.
Gjykata e Lartë ka liruar nga arresti shtëpiak duke vendosur masën e sigurisë detyrim paraqitjeje për kreun e Bashkisë së Kavajës, Elvis Roshi. Lirimi i Roshit është bërë pas presioneve të Ramës. Elvis Roshi akuzohet nga Prokuroria se ka falsifikuar të dhënat në formularin e dekriminalizimit.
Gjykata nuk dha argument për ndryshimin e masës së sigurisë, që shfuqizoi vendimin e Gjykatës së Shkallës së Parë dhe të Apelit, të cilët e patën izoluar në “arrest shtëpiak” kreun e Bashkisë së Kavajës, Elvis Roshi. Ky i fundit nuk ishte i pranishëm në gjykatë, që u përfaqësua nga avokati Theodhori Sollaku. Nga ana tjetër, pesë gjyqtarët e Kolegjit Penal nuk pranuan kërkesën e Prokurorisë, që kreu i Bashkisë së Kavajës të qëndrojë i izoluar në shtëpi siç kishte vendosur në qershor të këtij viti dy shkallët më të ulëta të gjyqësorit në vend.
Prokuroria thotë se, në çështjen e kryebashkiakut të dorëhequr të Kavajës, Elvis Rroshi ka si prova kundër tij përveç formularit të vetëdeklarimit edhe dy shkresa të përcjella përmes Interpol Tiranës në të cilat autoritetet e huaja përcjellin informacion për të. Më pas Roshi e anuloi dorëheqjen.
Në qershor Gjykata e Tiranës dha masën arrest shtëpie për Elvis Rroshin, ndërsa në korrik Gjykata e Apelit la në fuqi vendimin e Shkallës së Parë, teksa kreu i Bashkisë Kavajë kërkoi shfuqizimin e kësaj mase dhe kthimin në detyrë.
Elvis Rroshi akuzohet se ka përdorur 5 emra të rremë në vende të ndryshme të BE-së, të cilat nuk ishin deklaruar në formularët e dekriminalizimit. Roshi figuron i dënuar në Itali në vitet ’90 për përdhunim në grup. Sipas Prokurorisë ai ka përdorur të paktën 5 emra të ndryshëm gjatë kohës kur ka qenë emigrant. Në përgjigje të 8 qershorit Zvicra njofton Shqipërinë se, ky shtetas njihet me emrat Ervin Rroshi, Elvis Rroshi, Bashkim Hallulli, Enver Rroshi, Enver Proshi.
Zvicra shton se në prill 1993 Roshi ka hyrë në mënyrë të paligjshme dhe ka kërkuar azil. Në datën 14 maj ai është ndaluar nga policia e Zyrihut për një rast të dyshuar droge. Akuza janë ngritur nga Prokuroria pas shkresave të EUROPOL-it që tregojnë të kaluarën kriminale të Elvis Roshit ndër vite në Itali, Gjermani e Zvicër.
Prokuroria e Tiranës, e cila po heton Elvis Rroshin, deklaroi se ky i fundit nuk ka deklaruar dënimin e dhënë nga autoritetet italiane të drejtësisë për veprën penale të përdhunimit të kryer në vitit 1995 në Campobasso, duke pasqyruar të dhëna të rreme në rubrikën 1 të formularit të vetëdeklarimit.
Rroshi nuk ka deklaruar se është dëbuar nga shteti italian dhe ai zviceran, respektivisht në vitin 1995 dhe 1993, duke pasqyruar të dhëna të rreme në rubrikën 7 të formularit të vetëdeklarimit.
“Gjithashtu, Elvis Rroshi nuk ka deklaruar se është arrestuar në gusht të vitit 1997 në Zvicër me urdhër të Gjykatës së Shtetit të Zyrihut dhe është dëbuar sërish, duke pasqyruar të dhëna të rreme në rubrikat 5 dhe 7 të formularit të vetëdeklarimit”, deklaroi Prokuroria.

5 identitetet e fshehta të Roshit

Sipas provave të sjella nga EUROPOL-i, kreu i Bashkisë së Kavajës njihet me 5 emra, si Elvis Rroshi, Ervin dhe Enver Rroshi, Bashkim Hallulli dhe me emrin Enver Proshi. Të pesë këto emra, kreu i Bashkisë i ka përdorur në vende të ndryshme të Evropës, emra për të cilët edhe është proceduar penalisht. Sipas vendimit, e kaluara e tij kriminale ka nisur në prill të vitit 1993, kur Roshi ka hyrë ilegal në Zvicër, duke kërkuar azil. Vetëm pak ditë më pas, konkretisht më 14 maj 1993 është arrestuar nga autoritetet zvicerane me drogë. 4 muaj pas arrestimit, më 24 shtator të 1993, Roshi rezulton se është dëbuar me vendim të gjykatës zvicerane, duke mos e dënuar për drogën, pasi dyshohet se mund ta kishte për konsum. Për të vazhduar më pas në vitin 1995 është arrestuar në Itali, për përdhunim në grup në një kamp emigrantësh të paligjshëm. Ditën e arrestimit ndaj tij është dhënë vendim dëbimi për t’u larguar nga Italia. Në korrik të vitit 1997 me gjeneralitete të ndryshuar, Roshi ka hyrë përsëri në mënyrë të paligjshme në Zvicër, duke kërkuar azil. Por një muaj më pas është arrestuar dhe është dëbuar përsëri nga shteti zviceran. Po në vitin 1997, rezulton se është ndaluar nga policia italiane në Milano dhe është pyetur për akuzën e përdhunimit, ku Rroshi rezulton se ka bërë deklaratë të rreme, pasi kishte ndryshuar edhe gjeneralitetet. Po për të njëjtin fakt, Roshi është kontrolluar edhe në vitin 2000 për akuzën e vitit 1993 dhe më pas është lënë i lirë. Sipas Prokurorisë, të gjitha këto të dhëna, si emrat e përdorura, arrestimet, dëbimet dhe dënimet Elvis Rroshi nuk i ka pasqyruar në formularin e deklarimit.

Dosja e DEA-s, Roshi pjesë e hetimit ndërkontinental për trafik droge

Në materialet e ardhura nga zyra kombëtare e EUROPOL-it drejtuar Prokurorisë për shtetasin Elvis Rroshi, njoftohet edhe për një hetim ndërkontinental të trafikut të drogës. Sipas këtyre të dhënave, thuhet se në vitin 2015, administrata për luftën kundër drogës e njohur si DEA ka njoftuar autoritetet zvicerane për nisjen e një hetimi të zgjeruar për një rrjet të fuqishëm të trafikut të drogës dhe pastrim të parave. Autoritetet zvicerane i konfirmojnë palës shqiptare se DEA amerikane ka kërkuar informacion për një grup personash, në mesin e tyre edhe për shtetasin Enver Rroshi, emër ky i përdorur nga kreu i Bashkisë së Kavajës në Zvicër. Për këtë rast, thonë burimet zyrtare të Prokurorisë shqiptare, autoritetet zvicerane dhe DEA amerikane po vazhdojnë hetimet dhe për këtë fakt janë treguar shumë të rezervuara në dhënien e detajeve. Sipas shkresës së ardhur nga zyra kombëtare e EUROPOL-it, autoritetet zvicerane kanë premtuar se nëse do të kenë më shumë informacione për vazhdimin e këtij hetimi do të njoftohet pala shqiptare. Nga ana tjetër, mësohet se Prokuroria e Përgjithshme ka kërkuar informacion edhe nga autoritetet e drejtësisë gjermane, pasi dyshohet se Elvis Rroshi ka kryer aktivitet të paligjshëm edhe në këtë shtet. Pasi edhe në formularin e deklarimit ai jep të dhëna të paqarta për rastin e përplasjes së tij me policinë gjermane. Por, autoritetet gjermane, në përgjigjen e tyre, theksojnë faktin se sipas legjislacionit gjerman nuk lejohet transmetimi i të dhënave personale pa u informuar më parë mbi faktet ekzakte të këtij hetimi në Shqipëri. Ata thonë, se nëse flitet për drogë, duhet të jepen detaje të origjinës së mallit, rrugën që ka ndjekur etj. Nëse flitet për raste të konfiskimit të drogës, gjermanët kërkojnë të dhëna si sasinë e konfiskimit, datën apo vendin, si dhe mbi rrethanat e plota të rastit ose lidhjet e mundshme me Gjermaninë për të hyrë në arkivën e tyre që të nxjerrin të dhëna.  Elvis Rroshi, kreu i Bashkisë së Kavajës është arrestuar për falsifikim, pasi nuk ka pasqyruar në formularin e dekriminalizimit 5 emrat që ka përdorur në vende të ndryshme, si dhe kontrollet, arrestimet, dënimet dhe dëbimet nga shteti italian e zviceran.

6 tonë drogë nga Shqipëria u bllokua në Itali në një javë

Rreth 6 tonë kanabis sativa e nisur nga Shqipëria janë sekuestruar nga policia italiane vetëm në një javë në katër operacione. Sipas mediave italiane, vlera e drogës së sekuestruar përllogaritet në 60 milionë euro nëse do të dilte në treg.
Më 4 tetor, Guardia di Finanza në Rimini sekuestroi 2 tonë kanabis, 10 kg kokainë dhe 90 kg heroinë. Operacioni i koduar “100%” i kishte nisur hetimet në gusht të vitit 2013. Sipas mediave italiane, 16 persona janë arrestuar e disa të tjerë janë vënë nën hetim. Mediat e vendit fqinj shkruajnë se, droga trafikohej me anë të mjeteve lundruese përmes detit nga Shqipëria.
Më 5 tetor një gomone me 750 kg drogë nag Shqipëria u kap në Leçe. Mediat italiane shkruanin se, gomonia me drogë ishte nisur nga Vlora, ndërsa autoritetet italiane e kanë pikasur në kanalin e Otrantos. “Ka qenë një patrullë e Policisë Financiare me helikopter që ka pikasur gomonen oqeanike tek përpiqej të arrinte brigjet e Salentos në veri të Otrantos”, shkruanin mediat italiane. Sipas tyre, operacioni u zhvillua në ngushticën e Otrantos.
Kështu ndodhi dhe në orët e para të së martës. As deti i trazuar i mesnatës, nuk i ka ndaluar dy skafistë nga Vlora që të përshkojnë hapësirën detare mes vendit tonë dhe Italisë. Me skafin e ngarkuar me mbi 700 kg kanabis, ata kanë mundur t’i rrëshkasin autoriteteve shqiptare, por kanë rënë në rrjetat e policisë italine në Torre Chianca-Leçe. Në orët e para të së martës, autoritetet policore italiane njoftuan sekuestrimin e 734 kilogram hashash i nisur nga Shqipëria me një gomone. Policia njoftoi se, njësitë aerodetare të Guardia di Finanza kanë arritur të ndalojnë një gomone rreth 6 metra të gjatë, që po transportonte rreth 734 kg kanabis.
Në pranga ranë dy shqiptarë 43 dhe 39 vjeç që ishin në bordin e gomones. Sipas policisë, gomonia kishte dy motorë prej 250 kuaj fuqi dhe një tjetër motor rezervë në bord. Pak pas orës 01:00 të së martës, anijet e repartit operativ aeronaval të Barit kanë vërejtur një barkë të dyshimtë që ecte me shpejtësi drejt brigjeve salentine. Edhe skafistët kanë parë policinë dhe janë munduar më kot t’i shpëtojnë. Ndjekja, sipas mediave italiane, ka zgjatur pak dhe policia ka mundur që të sekuestrojë dhe sasinë e kanabisit dhe gomonen.
Droga ishte e paketuar në 30 pako të dimensioneve të ndryshme. Ngarkesa e kapur mendohet të ketë vlerën e 7 milionë eurove.
Ndërkohë vetëm në ditët e fundit janë kapur në katër raste sasi të konsiderueshme bimësh narkotike të nisura nga Shqipëria drejt Italisë. Në mesin e shtatorit, në një tjetër udhëtim droge rreth 30 km larg Brindisit është bllokuar një tjetër gomone me gati 700 kg që vlente po rreth 7 milionë euro.
3 kuintalë kanabis kapet në brigjet italiane
Policia italiane ka sekuestruar ditën e djeshme 3 kuintalë kanabis të mbërritur nga Shqipëria në dy operacione. Një skafist shqiptar me një skaf 125 kuaj fuqi ka tentuar dje të shkarkojë në brigjet italiane, në San Cataldo, 277 kg kanabis. Aty po e prisnin tre bashkëpunëtorët e tij, por policia italiane i ka pritur në breg, ndërsa shkarkonin mallin dhe i ka arrestuar në flagrancë që të 4 trafikantët. Policia italiane bëri të ditur se, tashmë janë sekuestruar 277 kg kanabis si dhe mjeti lundrues skaf që i transportonte.
Nga të arrestuarit, njëri prej tyre ishte skafist, ndërsa tre të tjerët e prisnin në breg dhe konkretisht: E.D, 39 vjeç, banues në Vlorë, drejtuesi i skafit, B.S, 29 vjeç, nga Vlora, rezident në Itali, A.M, 29 vjeç, nga Vlora, rezident në Itali, G.D, 39 vjeç, nga Vlora, rezident në Itali. Po vijojnë hetimet për zbardhjen e plotë të këtij rasti të trafikut ndërkombëtar të lëndëve narkotike.
Po ditën e djeshme, një sasi prej 42.5 kg drogë e llojit marijuanë është sekuestruar nga policia italiane në Agi, ndërsa në pranga ka përfunduar një 38-vjeçar shqiptar. Shqiptari me iniciale O.N, ma banim në Cesena, u kap në afërsi të autostradës A14 në Forlì. Shqiptari nuk i ndali policisë pavarësisht thirrjes, ndërsa la automjetin në rrugë, duke ikur nëpër fusha në këmbë. Forcat e rendit arritën që ta kapnin. Ishte ndarë në tri qese të mëdha, në 35 pako të vogla të mbështjella me celefon.

Sekuestrohen 3.3 kuintalë drogë në Itali dhe Greqi

Një aksion i madh i policisë italiane i zhvilluar gjatë natës ka çuar në pranga 53 persona, mes të cilëve dy shqiptarë. 18 nga të arrestuarit janë dërguar në burg, ndaj 15 të tjerë janë nën masën e arrestit shtëpiak, ndërsa për 20 të tjerë është vendosur masa e ndalimit të shoqërimit në vende të caktuara pa pasur më parë një leje nga Gjykata.
Gjatë 18 muaj hetimesh, operacioni “Taraqa” ka çuar në zbulimin e një organizate që trafikonte sasi të mëdha droge (kokainë dhe hashash). Gjithçka ka nisur nga monitorimi i lëvizjeve të një marokeni, me banim në provincën Rovigo. Më pas, hetimet janë thelluar dhe kanë çuar në konfiskimin e sasive të mëdha të drogës dhe arrestimin e trafikantëve të rëndësishëm ndërkombëtarë.
Gjithsej, gjatë operacionit “Taraqa”, janë sekuestruar më shumë se 1 kuintal drogë, 100 kg hashash dhe 2 kg kokainë. Këtyre numrave u shtohet edhe droga e sekuestruar më herët në vrazhdën e hetimeve, ku janë arrestuar edhe 22 persona në flagrancë. Gjatë këtij operacioni janë angazhuar 360 agjentë policie, 8 qenë dhe një helikopter.

Kapen në Greqi 230 kg kanabis nga Shqipëria

Policia greke ka sekuestruar 230 kg kanabis në vendin e quajtur Eksarkia, ndërsa gjatë operacionit janë vënë në pranga disa shtetas shqiptarë dhe grekë. Mësohet se droga ishte futur në Greqi nga Shqipëria dhe ishte e destinuar për tregun vendas. Në operacion janë angazhuar dhjetëra forca policie, ndërsa është njoftuar edhe një konferencë për mediat nga ana e autoriteteve greke ku do të bëhen të ditura të tjera detaje të aksionit. Policia greke po heton për bashkëpunëtorët e tjerë në trafikimin e drogës nga Shqipëria.

R.POLISI

Policia fshehu vrasjen në një magazinë me hashash

Prokuroria e Tiranës nis hetimet për vrasjem e shtetasit Bledar P. me një plumb në kokë në një magazinë me hashash në fshatin Kologjesh të Njësisë Administrative Shëngjergj të Tiranës. Të shtunën e 7 tetorit, Policia e Tiranës raportoi se kishte gjetur të vrarë me armë zjarri një 36-vjeçar në një stan në Kollogjesh të Shëngjergjit. Ajo tha në një njoftim zyrtar se, shtetasi B.P. dyshohet të jetë vetëvrarë. Nuk pati njoftim tjetër për këtë ngjarje. Po të shohësh edhe titujt e gazetave, TV e portaleve s’ka asgjë më shumë se njoftimi i policisë, përveç portaleve online që hidhnin dyshime se ngjarja mund të ishte e lidhur me kultivimin e kanabisit.
Burime nga Prokurorias bëjnë të ditur se,bëhet fjalë për një vrasje të pastër. Bledar P., është qëlluar me plumb pas koke. Një plumb pistolete e ka goditur pas veshit dhe i ka dalë në pjesën e syrit. Ekspertiza mjeko-ligjore vërtetoi se ai është qëlluar nga fare afër. Në vendin e ngjarjes janë gjetur gëzhoja pistolete TT dhe kashallshnikovi.
Policia e Tiranës i fshehu këto detaje dhe e “shiti” ngjarjen si vetëvrasje. Por kjo është vetëm një pjesë e skandalit. Burime të Prokurorisë thanë se Bledar P., nuk u gjet në ndonjë stan. Vendi ku ai ishte qëlluar ishte një magazinë hashashi. Ishte një magazinë e ndërtuar me llamarina, thuajse 3 metër e lartë dhe me sipërfaqe afro 200 metër katrorë, e mbushur plot me kanabis të tharë. Përballë magazinës u gjetën edhe disa parcela me kanabis të pa korrur.
Në rrethana të tilla, përse duhej që policia të bënte një njoftim për vetëvrasje? Çfarë e shtyu Policinë e Tiranës ta klasifikonte si të tillë vrasjen e 36-vjeçarit nga Shkoza që u gjet me plumb pas koke mes grumbullit të hashashit? Përse duhej mbuluar kjo vrasje? Përse duhej fshehur magazina përplot me hashash?
Një burim i Prokurorisë tha se, sasia e madhe e drogës u dogj pa u mbajtur raport, pa u peshuar. Pra, nuk dihet se sa drogë kishte në magazinën ku u gjet Bledar P., i vrarë.
Nxitimi i Policisë së Tiranës dhe Komisariatit Nr.4 që mbulon zonën për ta zhdukur kanabisin me shpejtësi ngre të tjera dyshime, ashtu si nxitimi për ta klasifikuar vrasjen si vetëvrasje. Nuk dihet nëse hetimet e Prokurorisë do të përshijnë edhe veprimet e policisë, për të zbuluar arsyen e vërtetë të fshehjes së një krimi të rëndë nga forcat e rendit, atë të vrasjes për pazare droge.
Burimet bënë të ditur se trupi është gjetur nga të afërmit, së bashku me një pistolet të llojit TT pranë tij dhe disa plumba pistolete dhe automatiku. Por ekspertët dyshojnë se, ai mund të jetë vrarë pasi ka një plumb në kokë, në afërsi të veshit dhe me dalje para fytyrës.

Droga “Krokodil”, brenda dy vitesh përdoruesi vdes

Ish-Kryeministri Berisha ka publikuar një mesazh lidhur me drogërat që qarkullojnë në lokalet e Tiranës, të publikuara nga emisioni “Stop”. Qytetari dixhital informon: Të dhëna tronditëse për llojet e drogave që përdoren në lokalet e Tiranës, ndër to droga vdekjeprurëse “Krokodil” që u njoftua në emisionin “Stop” të “TV Klan”. sb”, shkruan ish-Kryeministri Berisha në një postim në Facebook, duke publikuar të plotë mesazhin e qytetarit.
“Përshëndetje zoti Berisha,
Mbrëmë u dha një kamera e fshehur tek emisioni ‘Stop’, në një lokal në Tiranë që shisnin drogëra të ndryshme, por ma zuri veshin njëra që quhet “Krokodil”. Unë kam parë emisione në Francë, të bëra në Rusi për këtë lloj droge. Dhe nëse ka çështje nesër për t’u diskutuar në Parlament është kjo, sepse është një drogë që kur e fillon ditën e parë, pas 2 vitesh je i vdekur, prandaj e ka emrin kështu, sepse lëkura në fillim merr ngjyrën e gjelbërt pastaj kalbet dhe sulmon organet e trupit. Kjo lloj droge bëhet me përzierjen e medikamenteve me benzinën dhe injektohet sapo bëhet përzierja. Përdoret në shtetet e varfëra, sepse një dozë kushton maksimumi 5 euro. Prandaj ju kërkoj që të merreni seriozisht me këtë çështje, sepse çdo lloj droge është e keqe, po kjo është e tmerrshme. Ta marrë vesh Saje Qorri e Edvini, se nuk ka vetëm hashash, por tani kanë futur dhe drogën më të keqe në glob”, shkruan qytetari.

Skandali, OSHEE shpall tender për projektin e përfunduar 3 muaj më parë

Babëzia e OSHEE me zhvatjen e parave publike nuk ka fund. Së fundmi, ky institucion ka shpallur një tender prej 260 milionë lekësh për një projekt, i cili faktikisht ka përfunduar në muajin korrik. Ish-Kryeministri Berisha ka publikuar dje denoncimin e një zyrtari sipas të cilit, tenderi në fjalë shpallet në një kohë kur projekti ka përfunduar. “Zyrtari dixhital denoncon: Hajdutin me fytyre njeriu, Ardian Çela i cili shpall tenderin me dt 11.9.2016 për një objekt të përfunduar sipas të gjitha dokumentave që në korrik të vitit 2016 . I bëj thirrje Prokurorisë të nisë menjëherë hetimin për këtë vjedhje të hapur dhe të paskrupull!”, shkruan Berisha ndërkohë që në denoncimin e zyrtarit dixital thuhet: “Përshëndetje doktor, Objekti i tenderit të mëposhtëm është mbaruar që në korrik dhe është ndërtuar nga firma Gjikuria. Sot në datë 11.9, APP, shpall tenderin me objekt investimi: “Segmenti i ri i linjës kabllore kthesa e Pilurit-N/ST Himarë 110/35/20 kv ( Bypass i Fiderit 6 N/ST 35/10 kv Himarë) “Njoftimi i kontratës është bërë nga OSHEE sh.a. Drejtoria e njësisë Vlore, njësia e prokurimit. Fondi limit 26,689,939 pa TVSh me kohëzgjatje për ekzekutim 2 muaj. Afati i hapjes së ofertave 3.11.2016”.

Rama ka 3 vite që drejton vendin me krimin

Kreu i PD, Basha reagoi dje pas show-t mediatik të Ramës e Tahirit në lidhje me Policinë e Shtetit si dhe deklaratave të tyre se opozita sulmon policinë. Përmes një reagimi në rrjetin social Facebook, Basha deklaron se Rama ka tre vite që drejton vendin me krimin e ka tradhëtuar policinë për pazaret me krimin.
“Nuk ka pasur kohë më të vështirë për policinë se këto 3 vite, kur duhej të bënte kujdes të mos i dilte para Emiliano Shullazit, të mos i prishte punë Balilajt, të mos pengonte Habilajt, t’i hapte rrugën vrasësve me pagesë që pret Tahiri në zyrë, të mbyllte sytë kur arratisej Frroku që vrau komisarin Lamaj, të nderonte Rroshin e Bushin, të ishte në shërbim të Ndokës e t’i thonte “po shef” shumë banditëve, trafikantëve, vrasësve, të gjithë miq të Edi Ramës.
Kur pranoi sot se ka policë që duhet të ishin në burg, nuk e tha pse nuk janë në burg: sepse i duhen për të ruajtur drogën e miqve të tij. Prandaj i mori nga burgu ata që policët e ndershëm i kishin futur aty, dhe jua vuri mbi kokë si “shefa”.
Rama tradhëtoi policinë për pazaret e tij me krimin. Opozita ka 3 vite që lufton me krimin, ndërsa Edi Rama ka 3 vite që drejton vendin me krimin. Policia, rendi dhe siguria do të jenë më mirë pa Edi Ramën”, shprehet Basha në reagimin e tij.