Të gjitha anijet që do të lundrojnë në ujërat territoriale të Shqipërisë do të duhet të zbatojnë një rregullore të rreptë sa u përket standardeve. Nga kjo rregullore do të përjashtohen mjetet turistike, ato për peshkim, për gara, apo ato që angazhohen në proceset e kërkim-shpëtimit. Ato do të duhet të pajisen me një hartë të qartë ku do të kenë të përcaktuar pozicionimin e saktë, pasi mund të ndeshen me ujëra të cekëta e shkëmbinj nënujorë. Në anën tjetër, edhe ekuipazhi do të duhet të jetë i trajnuar dhe i njohur me të gjitha rregullat. Në këtë dokument përcaktohen edhe masa të qarta për anijet në lidhje me ndalimin e derdhjes në det të mbetjeve të ndryshme me përmbajte nafte, vajra të krijuara gjatë lundrimit të anijes ose mbetjet shtëpiake, llumrat dhe mbetje të tjera
Anijet nuk lejohen të derdhin, shkarkojnë apo hedhin në det asnjë pjesë të mbetjeve të ngarkesës apo në lidhje me ngarkesën pa lejet përkatëse. Këtu përfshihen, gjithashtu, ambalazhimet dhe mjetet e sistemimit. Gjatë dy viteve të fundit janë konstatuar raste të derdhjeve të naftës në det, si në zonën e Durrësit, të Nartës, Zvërnecit apo edhe Shënjgjinit. Në rregullore përcaktohet edhe detyrimi për t’u licencuar me leje përkatëse nga Qendra Kombëtare e Regjistrimit për të gjitha ato anije që do të duan të kryejnë transport detar të brendshëm.
Rregulla të reja për lundrimin në det
Përgjysmohet fitimi i bankave për 8-mujorin, rriten interesat e kredive
Fitimi i sistemit bankar për tetë muajt e vitit ka shënuar rënie të ndjeshme prej 48% në raport me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar, sipas statistikave të raportuara nga Shoqata e Bankave. Për periudhën janar-gusht 2016, bankat fituan 5.7 miliardë lekë, nga 11 miliardë lekë në të njëjtën periudhë të një viti më parë. Ambienti me norma të ulëta interesi dhe rritja e shpenzimeve për provigjione, teksa kreditë me probleme vijojnë të zgjerohen – janë dy arsyet kryesore që kanë ndikuar në përkeqësimin e rentabilitetit të bankave. Kredia me probleme vijoi zgjerimin, duke arritur në 21.4% në gusht (duke i detyruar bankat që një pjesë të fondeve ta lënë si provigjione për huat që nuk kthehen në afat), ndërsa normat e interesit të kredive në lekë kanë zbritur në rreth 8%. Në të njëjtën linjë, raporti i kthyeshmërisë nga aktivet (fitimi mbi aktivet e ponderuara, që tregon me sa efektivitet i përdor banka mjetet e veta) ra nga 14.1% për 8-mujorin 2015, në vetëm 6.7% në të njëjtën periudhë të këtij viti. Kthyeshmëria nga kapitali (fitimi mbi kapitalin) gjithashtu u përkeqësua, në vetëm 0.6%, nga 1.3% për 8-mujorin 2015.
Bankat reagojnë duke shtrenjtuar kredinë
Që në fillim të vitit pritej që bankat të kishin vështirësi të operonin në mjedisin me interesa të ulëta dhe negative. Përballë kësaj situate dhe vazhdimit të politikës lehtësuese monetare, bankierët pohuan në fillim të vitit për “Monitor” se kjo nuk do t’i nxisë të japin kredi, për sa kohë që mjedisi mbështetës nuk do jetë pozitiv. Po si do të reagojnë ata. Disa janë alternativat e parashtruara. Së pari, ata do të vazhdojnë të dekurajojnë depozitat e reja, duke ofruar normë të ulët kthimi. Sidomos bankat e mëdha mund ta përballojnë një lëvizje të tillë. Së dyti, nuk është çudi, që në kërkim të normave të kthimit më të larta, bankat të tentojnë rritjen e normave të interesit të kredive. Në fakt, rritja e interesave të kredive ka filluar, pavarësisht se Banka e Shqipërisë ka ulur dy herë normën bazë në prill-maj të këtij viti, duke e çuar atë në rekorde minimale historike prej 1.25%. Statistikat e Bankës së Shqipërisë treguan se në gusht, interesi mesatar i ponderuar i kredive shënoi një rritje të fortë në 7.97%, nga 7.29% që kishte qenë muajin e mëparshëm, duke arritur në nivelin më të lartë që nga janari i këtij viti. Një tjetër element që po ndikon në shtrenjtimin e kredisë është dhe rritja e perceptimit të rrezikut nga bankat. Të anketuara nga Banka e Shqipërisë në lidhje me rreziqet që mund të kanosin aktivitetin e tyre gjatë këtij viti, bankat kanë renditur si rrezikun më të madh përkeqësimin ekonomisë së brendshme. Në kahun tjetër, ulja e normave të interesit nuk po e nxit kredinë. Statistikat e Bankës së Shqipërisë tregojnë se në gusht, stoku i kredisë për ekonominë arriti në 550.5 miliardë lekë, me një rritje fare të lehtë në raport me muajin e mëparshëm, prej 884 milionë lekësh. Me bazë vjetore, huaja për ekonominë ka mbetur pothuajse në vend, ajo është rritur vetëm me 0.1%.
Dobësimi i ekonomisë më 2016, rreziku kryesor i aktivitetit bankar
Ndryshe nga qeveria, institucionet e së cilës pohojnë se ekonomia e vendit po rritet në mënyrë të qëndrueshme rreth 3%, bankat tregtare në vendin tonë kanë një perceptim krejt të kundërt për zhvillimet ekonomike të këtij viti. Të anketuara nga Banka e Shqipërisë në lidhje me rreziqet që mund të kanosin aktivitetin e tyre gjatë këtij viti, bankat kanë renditur se rrezikun më të madh përkeqësimin ekonomisë së brendshme. Ndër pesë rreziqet që kanosin veprimtarinë e bankave, “përkeqësimi i ekonomisë më 2016” është renditur si rrezik shumë i lartë, duke lënë pas kështu edhe rreziqet që vijnë nga mosekzekutimi i kolateraleve dhe moskthimi i kredisë në banka. Perceptimi për rrezikun e përkeqësimit të ekonomisë është rritur ndjeshëm në gjashtëumujorin e parë të vitit, pasi kishte rënë për 3 6 mujorë radhazi, për të arritur në nivelin më të ulët në fund të vitit 2015 (shih grafikun).
“Përkeqësimi i ekonomisë së brendshme” vijon të mbetet rreziku më i rëndësishëm sistemik dhe në perceptimin e bankave, niveli i rëndësisë së tij është rritur nga “mesatar” në “i lartë”, pohoi Banka e Shqipërisë, duke analizuar elementë që kërcënojnë stabilitetin financiar. Vëmendja e sektorit ndaj rrezikut që lidhet me “vështirësitë në ekzekutimin e kolateraleve” vijon të shënojë rritje, në kushtet kur pesha e kredisë së kolateralizuar është e ndjeshme. Nga ana tjetër, shqetësimi lidhur me “rrezikun e goditjeve nga jashtë”, vijon. Përmirësimi i cilësisë së kredisë për bizneset dhe individët si rrjedhojë e pastrimit të bilanceve të bankave nga huat e humbura, rënia e nivelit të papunësisë në vend, si dhe ulja e luhatshmërisë në ecurinë e kursit të këmbimit, kanë ulur materializimin e rrezikut sistemik krahasuar me një vit më parë. Akumulimi i rrezikut sistemik dhe indeksi i stresit financiar, shfaqin rritje gjatë vitit të fundit. Në ecurinë e indeksit të akumulimit të rrezikut sistemik, tkurrja e kredisë në valutë ka zbutur akumulimin e rrezikut, ndërsa efekt të kundërt ka pasur ecuria e tregut të banesave, rritja e nivelit të kreditimit të bizneseve, si dhe rritja e nivelit të borxhit të jashtëm. Në rritjen e indeksit të stresit financiar, kanë ndikuar rritja më e vogël e depozitave dhe ulja e marzhit neto të normës së interesit në sektorin bankar. Gjatë periudhës, perceptimi i bankave mbi rreziqe të caktuara është rritur, por probabiliteti i materializimit në periudhën afatshkurtër dhe afatmesme vlerësohet “nën mesatar”.
Shoqata e Bankave: Të rritet siguria e informacionit
Shoqata Shqiptare e Bankave (AAB) dhe Komiteti për Sigurinë e Informacionit, më 13 Tetor 2016, organizuan Forumin për Sigurinë e Informacionit. Forumi u ndoq nga ekspertë të fushës nga bankat që operojnë në Shqipëri si dhe ekspertë ndërkombëtarë, përfaqësues të Agjencisë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit (AKSHI), Bankës së Shqipërisë, Shoqatës së Bankave të Kosovës, shoqërive të këshillimit, etj.
Spiro Brumbulli, Sekretari i Përgjithshëm i AAB, në fjalën e tij të hapjes ndër të tjera u shpreh se vëmendja dhe prioriteti i veçantë që po tregohet nga të gjitha institucionet shtetërore, publike dhe organizatat private për sigurinë ka të bëjë me të sotmen dhe të nesërmen e qytetarit si qendra e zhvillimit. Duke qenë se siguria e informacionit është një burim për risk sistemik, qëllimi i forumit është sensibilizimi për sigurinë dhe ndërgjegjësimi për të vepruar në botën elektronike njësoj si në botën reale. Siguria është nga ana e zhvilluesit dhe klientit, për të dhënat në transmetim dhe sulmet ndaj serverëve.
Aktiviteti u organizua në tre seksione gjatë të cilëve të ftuarit diskutuan dhe debatuan në panele të ndryshme mbi sfidat më të fundit në fushën e sigurisë së informacionit dhe bankingut dixhital, evoluimin e rreziqeve në teknologji, procedurat e reagimit në kushtet e rreziqeve të reja.
Muaji Tetor është shpallur nga vendet e Bashkimit Evropian si muaji i sigurisë. Gjatë këtij muaji zhvillohet një fushatë, e cila ka për qëllim të rris ndërgjegjësimin ndaj kërcënimeve të sigurisë kibernetike dhe të ofrojë informacion mbi sigurinë, përmes edukimit dhe ndarjes së eksperiencës dhe praktikave më të mira.
“Gazzetta dello Sport”: Strakosha është më i mirë se Berisha
Thomas Strakosha mposht Etrit Berishën në klasifikimin e portierëve më të mirë të Serisë A të publikuar dje nga “Gazzetta dello Sport”. E përditshmja më e madhe sportive në Itali ka bërë një renditje me dhjetë futbollistët më të mirë për secilin rol, bazuar në votën mesatare të marrë gjatë shtatë javëve të para të kampionatit.
Në renditjen e portierëve, Strakosha vlerësohet me notën 6.5 dhe pozicionohet i dyti, pas talentit të Milanit, Xhanluixhi Donaruma. 21-vjeçari i Lacios lë pas në radhë Sheznin e Romës, Handanoviçin e Interit, Konsiljin e Sasuolos dhe Etrit Berishën në vendin e gjashtë. Shqiptari i Atalantës ka notën 6.38 dhe klasifikohet sipër Bixarrit të Peskarës, Skorupskit të Empolit, Hartit të Torinos, Rafaelit të Kaljarit dhe Perinit të Xhenoas.
Ndërkohë, rivali i Strakoshës te Lacio, Federiko Marketi dhe ai i Berishës tek Atalanta, Marko Sportielo, bëjnë pjesë në listën e portierëve më të dobët.
Kështu, “derbin” e portierëve kuqezi në Serinë A për momentin e fiton Strakosha. Së shpejti këtë duel me shumë gjasa do ta shohim edhe në kombëtaren shqiptare, ku Berisha tani për tani është titullar i padiskutueshëm. Asnjë shqiptar, ndërkaq, në klasifikimet e mbrojtësve, mesfushorëve dhe sulmuesve, si për më të mirët ashtu edhe për më të dobëtit.
Nuk pranohet plani për rinovimin e stadiumit të Prishtinës
UEFA ka dhënë shumë rekomandime që duhet të përfshihen në projekt. Projekti i prezantuar nga pala kosovare muajin e kaluar në zyrat e UEFA-s është quajtur i papranueshëm. Ndryshimet në projekt pritet të kushtojnë rreth një milion euro shtesë.
Projekti i dorëzuar në UEFA nga pala kosovare, për rinovimin e stadiumit të qytetit të Prishtinës, nuk i përmbush kriteret. Kështu shkruan në rekomandimet që UEFA ia ka dërguar Federatës së Futbollit të Kosovës (FFK), të mërkurën.
Në letrën prej dy faqeve të UEFA-s, të cilën e ka siguruar gazeta, janë paraqitur punët shtesë që duhet të kryhen gjatë rinovimit, në mënyrë që stadiumi i Prishtinës të jetë i kategorisë së katërt për zhvillimin e ndeshjeve zyrtare ndërkombëtare.
UEFA ndër të tjera e ka quajtur “optimist dhe shumë të rrezikshëm” planin e palës kosovare që stadiumi të jetë i gatshëm në qershor.
Gashi kandidat për “Debutuesin e Vitit”
Shkëlzen Gashi ka qenë një ndër protagonistët e Kolorado Rapids, duke e ndihmuar skuadrën nga Denveri të sigurojë pjesëmarrjen në “play off” katër javë para përfundimit të sezonit të rregullt.
Pasi ka fituar një sërë çmimesh gjatë muajve të fundit, një tjetër vlerësim vjen për sulmuesin shqiptar. Gashi është përzgjedhur mes pesë kandidatëve për çmimin “Debutuesi i Vitit”, që vlerëson lojtarin më të mirë në sezonin e tij të parë në ligën amerikane të futbollit (MLS).
28-vjeçari ka shënuar tetë gola dhe ka kontribuar me katër asiste, shifra pozitive duke pasur parasysh faktin që Gashi nuk ka luajtur si sulmues i parë, si dhe ka qëndruar pa luajtur për disa javë si pasojë e një dëmtimi.
Ai vlerësohet nga mediat amerikane për nuhatjen para portës dhe gjuajtjet nga larg, ndërsa si pikë e dobët cilësohet pamundësia e tij për të dhënë pasin e fundit brenda zonës.
Sezonin e shkuar çmimi shkoi për italianin e Torontos, Sebastian Xhovinko, ndërsa rivalët e Shkëlzen Gashit këtë vit janë: mbrojtësi anglez Eshli Kol (Los Anxheles Galaksi); mesfushori ekuadorian Karlos Gruezo (FC Dallas); mbrojtësi belg Zhoel van Dam (Los Anxheles Galaksi) dhe mesfushori uruguaian Nikolas Lodeiro (Siatëll Saunders).
Show i radhës i Ramës me Vuçiç një pabesi ndaj Kosovës
Një show folklorik i Ramës me Kryeministrin Vuçiç është zhvilluar dje në Beograd për qëndrimin mbi Trepçën. Përmes këtij show Rama synon që të marrë pozat e heroit para shqiptarëve të Kosovës dhe po ashtu Vuçiç të marrë të njëjtat poza para serbëve. Kjo sepse në thelb, pabesia e të dyve ndaj Kosovës është diku tjetër. Është tek mënjanimi i faktorit Kosovë si shtet i pavarur në debate dhe dialogë të tillë. Kjo është një tezë e hershme e Serbisë, kartën e të cilës Rama po e luan prej kohësh në shërbim të Beogradit.
Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, gjatë një debati në kuadër të Forumit të Sigurisë në Beograd, të enjten ka kërkuar nga Kryeministri serb, Aleksandar Vuçiç, që Serbia ta njohë Kosovën sa më parë.
“Qëndrimi im është që Serbia duhet sa më parë ta pranojë Kosovën, sepse kështu do të jetë më mirë për të gjithë”, tha zoti Rama, dhe ka shtuar se, “ekziston procesi, të cilin e mbështes, e ky është dialogu, që është mjet i rëndësishëm për të ardhmen”.
Ai ka përsëritur se Kosova është çështje për të cilën Shqipëria dhe Serbia nuk pajtohen, ndërsa njëra nga çështjet aktuale e këtyre mospajtimeve, është pronësia e kombinatit Trepça.
Zoti Rama e ka shtruar pyetjen se ndoshta Serbia “dëshiron që ta transferojë” këtë ndërmarrje dhe theksoi se Trepça gjendet në territorin e Kosovës.
“Njerëzit duhet ta kuptojnë se Trepça është xeherore në territorin e Kosovës dhe iu takon qytetarëve të Kosovës, pavarësisht se a janë shqiptarë apo serbë”, tha Edi Rama.
Gjatë debatit, Kryeministri i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, tha se Beogradi do ta vazhdojë dialogun me Prishtinën.
“Kam shumë argumente të them se pala tjetër është fajtore, por këtë nuk do ta them”, tha Vuçiç dhe ka shtuar se, “konkludimi im është se do ta vazhdojmë dialogun në mënyrë energjike dhe të përkushtuar, sepse ky është kusht për zhvillim të të gjithë rajonit, përmirësimit të standardit në Serbi dhe këtë duhet ta bëjmë për të ardhmen e raporteve serbo-shqiptare, që janë dy kombet më të mëdha në Ballkan”.
Duke u shprehur për arrestimin e zyrtarit të lartë të Policisë së Kosovës, Nehat Thaçi, Vuçiç ka theksuar se edhe ai si Kryeministër i Serbisë ka mundur që si argument kyç për ndërprerjen e dialogut ta përdorë rastin e Oliver Ivanoviçit, i cili tash e dy vjet e gjysmë gjendet në burg në Mitrovicë.
“A mendoni me të vërtetë se dikush për shkaqe politike e ka arrestuar Thaçin”, e ka shtruar pyetjen Aleksandar Vuçiçi dhe ka shpjeguar se ai është arrestuar “në bazë të një fletarresti të vitit 1997”.
Kuvendi i Kosovës tashmë e ka miratuar një rezolutë, me të cilën kërkon lirimin e menjëhershëm të drejtorit rajonal të policisë, Nehat Thaçi, i cili po mbahet nën masën e arrestit në Serbi.
Duke u shprehur për integrimet euroatlantike, Aleksandar Vuçiç, tha se në mesin e popullit ekziston një mbështetje e gjerë për prani më të madhe të Rusisë në Serbi.
“Ju kam thënë qytetarëve se jam Kryeministër derisa jemi në rrugën evropiane, por njëherësh do të punoj për t’i ruajtur raportet e mira me Rusinë”, tha Vuçiç.
Për procesin e integrimit evropian, zoti Vuçiç, ka theksuar:
“Ne nuk duhet të turpërohemi se jemi nga Ballkani… por problemi është se shumë njerëz duhet ta kuptojnë vullnetin e popullit dhe atmosferën e përgjithshme, që të gjithë ne e kemi keqkuptuar, së bashku me udhëheqjen evropiane”, tha Vuçiç, dhe ka shtuar se në Ballkan po shtohet nacionalizmi.
Duke u shprehur për procesin e integrimit në Bashkimin Evropian, Kryeministri i Shqipërisë, Rama tha se, ky proces është “rrugë e modernizimit”.
“Mendoj se ne, së paku këtu në Ballkan, duhet ta kemi të qartë një pikë të thjeshtë. Procesi i Bashkimit Evropian për ne nuk është udhëtim për të shkuar diku, por është rrugë e modernizimit, e cila është e mundshme për shoqëritë tona, që ta plotësojmë hendekun kah e ardhmja. Kjo është e mundshme vetëm nëpërmjet procesit të integrimit evropian”, tha Edi Rama.
Pse Kosova anuloi takimin e Beogradit
Delegacioni i Kosovës, që ishte i ftuar të merrte pjesë në Forumin e Sigurisë në Beograd, i përbërë prej Bajram Gecajt, Ramadan Ilazit, Blerta Deliut dhe Ilir Dedës, e anuloi ditë më parë këtë takim. Mirëpo, në axhendën e këtij forumi që e posedon “Gazeta Express”, figuron edhe emri i pjesëtarit të ri të “Vetëvendosjes”, Dukagjin Gorani.
Forumi për Siguri në Beograd, fillimisht u planifikua të fillojë dje, mirëpo pa praninë e panelistëve nga Kosova, nuk u mbajt.
Për “Gazetën Express”, Bajram Gecaj ka treguar arsyen e vetme të anulimit të këtij takimi.
“E kemi anuluar vizitën tonë në Beograd për shkak të arrestimit të drejtorit të Policisë së rajonit të Mitrovicës, Nehat Thaçi”, thotë Gecaj, derisa tregon se kanë pritur deri të hënën lirimin e Thaçit, mirëpo pasi nuk ndodhi një gjë e tillë, vendimi i mospjesëmarrjes në këtë takim ishte i tij dhe i Ramadan Ilazit.
Edhe Blerta Deliu, deputete e Kuvendit nga PDK-ja, e ka konfirmuar për “Express” anulimin e vizitës, si pjesë e panelit që parashihej të merrnin pjesë në Forumin e gjashtë të Sigurisë në Beograd.
Pjesë e panelit ishin: Marko Gjuriç, drejtor i Zyrës për Kosovën në Serbi; Bajram Gecaj, përfaqësues i qeverisë së Kosovës; Ramadan Ilzai, përfaqësues i Ministrisë së Integrimeve Europiane; Ilir Deda, deputet në Kuvendin e Kosovës; Pierre Mirel, drejtori i Përgjithshëm i Komisionit Evropian; Dukagjin Gorani, Lëvizja “Vetëvendosje”; Sanda Rashkoviç-Iviç nga Partia Demokratike e Serbisë.
Vendimi i marrë nga Gjykata e Nishit për zyrtarin policor Nehat Thaçi, që të mbahet në paraburgim, ka shtyrë delegacionin nga Kosova i përbërë nga Blerta Deliu, Ilir Dedaj, Ramadan Ilazi dhe Bajram Gecaj që ta anulojë vizitën në Beograd, si pjesë e Forumit të Sigurisë.
Nehat Thaçi po akuzohet në Serbi për terrorizëm dhe për dëbimin e një familjeje serbe nga një fshat afër Lipjanit në vitin 1999. Këto akuza Thaçi i ka mohuar në procesin gjyqësor.
Takimi i dy kryeministrave si pjesë e këtij forumi, Edi Ramës nga Shqipëria dhe Aleksandar Vuçiçit nga Serbia u mbajt dje. Në këtë takim u bisedua edhe për relacionet e Serbisë dhe Kosovës, si dhe anasjelltas.
Lista serbe ankimon në Kushtetuese Trepçën
Përfaqësuesit e Listës Serbe dje e kanë dorëzuar për interpretim ligjin për gjigantin Trepça në Gjykatën Kushtetuese, i cili është miratuar ditë më parë në Kuvendin e Kosovës. Pas dorëzimit të kësaj ankese, kryetari i Listës Serbe, Sllavko Simiç ka thënë se me miratimin e ligjit për Trepçën janë thyer procedurat, të cilat është dashur të jenë në përputhshmëri me Kushtetutën e Kosovës.
“Me miratimin e ligjit për Trepçën nuk janë respektuar interesat themelore të popullit serb, me ç’rast ky ligj është dashur të miratohet në pajtim me Kushtetutën dhe nenin 81, pika 1. Po ashtu, miratimi i ligjit për Trepçën nuk është shqyrtuar në Komisionin për Komunitete me ç’rast është shkelur neni 78 i Kushtetutës së Kosovës. Ligjit nuk i është dhënë mundësia që të shqyrtohet në Këshillin për Komunitete, kështu është shkelur neni 60 i Kushtetutës. Me të gjitha këto shkelje dhe shkelje të tjera, të cilat nuk i kam përmendur, janë shkelur të drejtat e popullit serb që jeton në Kosovë. Andaj, ftojmë në përgjegjësi Kosovën sepse ka shkelur nenin 58 të Kushtetutës që ka të bëjë me minoritetet”, ka thënë ai.
Sipas tij, dhjetë deputetë të Listës Serbe kanë shfrytëzuar rastin që në bazë të nenit 113, pika 5 të Kushtetutës, ta dërgojnë kërkesën për vlerësimin e kushtetutshmërisë së këtij ligji.
“Rreth pjesëmarrjes tonë në institucionet e Kosovës, pa dyshim se do të vazhdojmë me konsultime si brenda Listës serbe, ashtu edhe me qeverinë e Beogradit, me institucionet në Prishtinë, si dhe me të gjithë përfaqësuesit relevantë ndërkombëtarë. Presim që ditët në vijim të zhvillojmë këto konsultime dhe natyrisht të tejkalojmë këtë sfidë, sepse duam të ftojmë në përgjegjësi përfaqësuesit ndërkombëtarë, si dhe të gjithë përfaqësuesit relevantë këtu në Prishtinë, në mënyrë që të kemi një konsensus të gjerë që rreth çështjes së Trepçës, të mos merren ata, të cilët nuk e njohin mirë këtë materie, dhe se rreth Trepçës të insistohet ekskluzivisht në bisedime e jo të prejudikohet e drejta, statusi dhe pronësia”, tha ai.
Në ditën kur u votua ligji për Trepçën, deputetët e Listës Serbe e kishin bojkotuar këtë seancë në shenjë pakënaqësie.
Ndryshe, 93 deputetë kanë marrë pjesë në votimin për miratimin e ligjit për Trepçën. Prej tyre 79 kanë votuar “pro”, asnjë “kundër” dhe ka pasur 14 abstenime.
Nëse ligji për Trepçën nuk do të hynte në fuqi deri më 2 nëntor, gjiganti ekonomik do të mund të shkonte në likuidim sipas vendimit të Dhomës së Veçantë të Gjykatës Supreme.
Shoku i Denisit
Bledi KASMI
Organizata kriminale imponoi dje vendimin e Gjykatës së Lartë për të liruar Elvis Roshin nga arresti shtëpiak. Vendimi është qesharak për nga argumentimi. I dënuari për përdhunim dhe një trafikant ndërkombëtar droge i dënuar si i tillë në Zvicër dhe në Gjermani u lirua nga gjykatat si “baba me fëmijë të mitur që duhet të kujdeset për edukimin e tij”.
Ky ka qenë edhe argumentimi qesharak i Gjykatës së Shkallës së Parë, që çuditërisht fshihet në mënyrë skrupuloze dhe është shpallur sekret nga Sekretaria e Gjykatës. Dhe çuditërisht, është nga të pakta vendime të gjykatave, i cili nuk është botuar asnjëherë në media.
Lirimi i Roshit u paralajmërua nga një raport i misionit të Bashkimit Europian, PAMECA, i cili është kthyer në një letër higjenike të Ramës dhe krimit të organizuar në vend, duke braktisur misionin e vërtetë policor për të cilin taksapaguesit europianë paguajnë miliona euro.
Vendimi për lirimin e njeriut me 5 emra përbën varrosjen e ligjit të dekriminalizimit dhe shërben për të kuptuar se pas kontrollit të gjykatave qëndron etja dhe babëzia e Ramës për të realizuar krimin elektoral të vitit 2017.
Nga dje ka nisur hapja e burgjeve. Në ditët dhe javët e ardhshme beteja do të përqendrohet tek individët e tjerë të krimit të organizuar në burgje, të cilët Rama po kërkon t’i ketë në krah të tij në fushatën elektorale të vitit të ardhshëm.
Po përse i duhen kaq shumë kriminelë Ramës? Njeriu që erdhi në pushtet përmes bashkimit të të gjitha qelbësirave, sot nuk ndjehet i sigurtë. Lirimi i Roshit, shfaqja me Tomën, kafet me Qifen, shpëtimi i Prengës, udhëtimet në Kinë me Tërmetin
janë vetëm disa shenja për të kuptuar gjendjen e Ramës jo si Kryeministër, por si një specie e një gjenerate të humbur në Tiranë prej shumë vitesh.
Kush e njeh Ramën e di se ai është një qen i rrahur. Ai ka një frustrim të hershëm. E mundon kompleksi i të “fortëve” të Tiranës të dikurshme. Që atëhere e ka pasur lepurin në bark dhe historitë që tregohen për të janë më shumë se qesharake për nga keqtrajtimi që ka pësuar prej tyre.
Denis Gina, një emër i hershëm i të fortëve të drogës në Tiranë e kishte bezdi kur ky që është sot Kryeministër i shkonte nga pas tek Rruga e “Durrësit”. Megjithëse Gina e poshtëronte, duke e lënë të priste me orë në tavolinën ngjitur ku ai qëndronte, Rama nuk e humbiste kurrë durimin për ta takuar. Jo vetëm për të marrë pak mall të mirë, por mbi të gjitha që të dukej se ishte shoku i Denisit.
Këto ishin kodet e rrugës së Tiranës së atëhershme. Statusi që Rama ëndërronte ishte të bëhej si Denisi. Aq i frustuar ishte pas tyre, sa pas vrasjes së Ginës, Rama nisi një marrëdhënie me ish të dashurën e tij. Sepse edhe e dashura e të fortëve ishte status në Tiranën e shumë viteve më parë dhe kjo e ndihmonte sado pak njeriun e frustuar që qoftë edhe për një kohë të shkurtër të hiqej sikur ai në të vërtetë ishte Denisi dhe jo Edi.
Vetëm duke njohur kodet e rrugës së Tiranës së dikurshme dhe frustimin që Rama ka pasur nga të fortët atëhere do të mund të kuptohet se pse sot ai kudo ku shkon si Kryeministër i merr të fortët me vete. Ai asnjëherë nuk është vetvetja. Nuk i pëlqen Elvis Roshit të qëndrojë me Ramën, por është Rama që do të duket si Elvis Rosh.
Ai bën çdo gjë të duket si i fortë, në komunikimin në Parlament, me ministrat, me drejtorët kudo ku gjendet, dhe vetëm kur ulet në tavolina me të fortët, apo kudo ku ai i has ata në variantin origjinal, ai rrin si pulë.