23.5 C
Tirana
E hënë, 28 Prill, 2025

Lufta e re e Parlamentit Europian kundër Rusisë

Propagandë me qëllim shkatërrimin e vlerave demokratike të Europës – këtë bën qeveria ruse. Me këtë ajo fokusohet tek gazetarë të veçantë dhe politikanë në BE. Kështu shkruhet në një rezolutë të Komisionit të Jashtëm të Parlamentit Europian, që u miratua në fillim të javës (10.10).
Më tej në rezolutë thuhet se, “qeveria ruse përdor në mënyrë agresive një gamë të gjerë mjetesh si thinktank, televizione në shumë gjuhë (për shembull, ‘Russia Today’), pseudoagjenci lajmesh, rrjetet sociale dhe troller në internet, për të sulmuar vlerat demokratike, për ta përçarë Europën, për të grumbulluar mbështetës në Rusi dhe për të krijuar përshtypjen, se ka shtete të dështuara në fqinjësinë lindore të BE-së”.
Eurodeputetët u bënë thirrje përfaqësuesve të mediave në BE, që të mbledhin dëshmi për këtë propagandë dhe artikuluan shqetësimin e tyre, se disa shtete anëtare të BE-së për shkak të mungesës së sensibilitetit mbi aktivitetet ruse bëhen objekt i propagandës së intensifikuar ruse dhe dezinformimit.
Në BE një grup pune për komunikimin strategjik duhet t’i kundërvihet kësaj propagande. Rezoluta tani nxit, që ky grup pune të zgjerohet në një “njësi të plotë” brenda diplomacisë së BE-së dhe të pajiset “konform me personel dhe mjete financiare”.
Anna Fotyga, raportuese për rezolutën i tha “DW” se, duhet bërë më shumë për t’i demaskuar “mekanizmat e propagandës”, që fokusohen ndaj vendeve të veçanta anëtare, BE-së dhe Perëndimit në tërësi.
Margarita Simonjan, kryeredaktore e RT (ish-“Russia Today”), mendon në bisedë me “DW”, se rezoluta do të thotë ndërhyrje në lirinë e mendimit në BE: “Ky është një interpretim mjaft interesant i vlerave të shumëvlerësuara, kryesisht sa i përket shprehjes së mendimit. Në praktikë kjo do të thotë, që ndër mijëra sipërmarrje mediatike europiane të sulmosh një ndër zërat e paktë ndryshe”, thotë Simonjan në një deklaratë me shkrim. “Nëse ka diçka që e minon besimin publik ndaj institucioneve europiane, atëherë është pikërisht kjo”.

Metodat “mjaft të rafinuara”
Tomas Olivier, shef i firmës konsultuese për shërbimet informative me seli në Holandë Lowlands Solutions thotë se, fushata ruse e ka zanafillën e saj në faktin se Perëndimi vazhdimisht i ka nxjerrë në pah deficitet demokratike të Rusisë. “Propaganda ruse synon gjithmonë që të minojë vlerat demokratike të Europës, sepse Perëndimi sistemin politik në Moskë përgjatë historisë shpesh e ka damkosur si totalitar, të keq dhe jo njerëzor”, i tha “DW” Olivier.
Olivier shpreh dyshim që rezoluta do të ketë vërtet efekt ndaj strategjisë së mediave ruse dhe përkrahësve të tyre: “Shumë masa ruse janë mjaft të rafinuara dhe të kamufluara, sa nuk mund të luftohen ose të neutralizohen. Rezoluta nuk do të çojë në forcimin e vetëdijes apo në qëndrim aktiv, për t’iu kundërvënë me efikasitet fushatës së propagandës dhe dezinformimit”.

Perëndimi “i korruptuar dhe dekadent”
Në gusht qendra thintank në Uashington Center for European Policy Analysis publikoi një raport, që analizon tendencat e propagandës ruse dhe propozon strategjitë e përballjes me të. Në të thuhet: “Fushata ruse e dezinformimit në Europën Qendrore dhe Lindore i tejkalon kufijtë gjuhësorë dhe politikë. Ajo i shfrytëzon politikanët e protestës, që drejtohen kundër establishmentit, nga të dyja anët e spektrit politik, për t’i diskredituar qeveritë, politikën dhe institucionet e Perëndimit si BE-në apo NATO-n. Njëkohësisht konfirmohet mesazhi i Kremlinit”.
Instituti i Uashingtonit e quan portalin rus të lajmeve “Sputnik” si një vegël vendimtare për të përhapur në Perëndim botëkuptimin rus. “Ajo që vlen për Kremlinin, nuk është ekuiblibri, por e kundërta: tendenca të njëanshme kundrejt linjës së përgjithshme. Sputnik u jep hapësirë politikanëve të protestës dhe kundër establishmentit nga vendet e Europës Qendrore dhe Lindore, e këtë e bën sistematiksiht. Edhe kur citon politikanë të qendrës ky portal përzgjedh ato deklarata, që i përshtaten imazhit për një Perëndim të korruptuar, dekadent dhe antirus”, thuhet në raport.
Me rezolutën e miratuar tani, BE-ja paralajmëron në mënyrë të përsëritur për pasojat e mundshme të propagandës ruse. Megjithatë kjo rezolutë hap një kapitull të ri në përpjekjet për të fituar influencë ndaj informacionit dhe formimit të opinionit. Votimi i rezolutës në mbledhje plenare është planifikuar për në nëntor.

Zyrtari serb: Rama, i besuari ynë si negociator me Mustafën

“Shqipëria në krye me Kryeministrit e qeverisë Edi Rama të jetë ndërmjetës në dialogun me Prishtinën”, ka thënë drejtori i Qendrës për Rajonalizim, Aleksandar Popov, citon “Presheva jonë” mediat e Boegradit.
“Edi Rama me Shqipërinë, e cila përveç në Shtetet e Bashkuara, ka ndikimin më të madh ndaj qeverisë së Kosovës dhe të qytetarëve të Kosovës, mund të luajnë rolin e ndërmjetësuesit në dialogun mes Beogradit dhe Prishtinës, duke bërë të mundur një normalizim të shpejtë të marrëdhënieve mes dy popujve”, tha për “Tanjug”-un drejtori i Qendrës për Rajonalizim, Aleksandar Popov.
Popov këto deklarata i dha në margjinat e Forumit të gjashtë të Sigurisë në Beograd.
Ai ka shtuar se deklarata e Ramës për një Kosovë të pavarur, dhe në lidhje me minierën e Trepçës, në fakt ka dërguar një mesazh te shqiptarët e Kosovës se në Shqipëri që do të qëndrojnë pas tyre, e cila, siç tha ai, duke u përpjekur për të fituar kredibilitet në mënyrë që “prapa perdes e bën pak më delikate”.
“Pengesa e qeverisë së Kosovës e marrëveshjes së Brukselit gërmon një gropë vetë, sepse ajo i eliminon vetes një perspektivë evropiane, duke menduar se për të bërë Serbinë. Ata duan të vijnë sa më shpejt në ‘listën e bardhë të Shengenit’, sepse kjo kërkohet prej tyre nga ana e qytetarëve, të cilët ndjehen si të ishin në geto”, tha Popov.
Ai shtoi se nëse shqiptarët e Kosovës do të vazhdojnë të pengohen në Bruksel bien dakord, kjo mund të tolerohet për një kohë, por konsiderohet, se më vonë mund të çojë në atë që ata që e kanë njohur Kosovën e pavarur të ndryshojnë vendim.

2 nëntori afati i fundit i gjykatës për Trepçën

Gjykata Kushtetuese e Republikës së Kosovës në mënyrë të përshpejtuar duhet të trajtojë lëndën e proceduar nga Lista Serbe për ligjin mbi Trepçën dhe të japë një interpretim ligjor para datës 2 nëntor, pasi kjo datë është afati i fundit kohor kur Trepça mund të shkojë në likuidim, thonë ekspertë të çështjeve juridike dhe ekonomisë.
Ndërkohë që zyrtarë të qeverisë së Kosovës kishin deklaruar se likuidimi i Trepçës nuk mund të vijë në shprehje, pasi që Gjykata Kushtetuese mund t’i pezullojë të gjitha veprimet e tjera ligjore, qoftë zbatimin e ligjit apo masën e likuidimit, deri në nxjerrjen e interpretimit final.
Deputetët e Listës Serbe i janë drejtuar të enjten Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Kosovës, me kërkesën për shqyrtimin e ligjshmërisë së miratimit të ligjit për Trepçën nga Kuvendi i Kosovës më datën 7 tetor.
Sipas Listës Serbe, me miratimin e ligjit për Trepçën, nuk janë respektuar interesat vitale të bashkësisë serbe dhe se ligji nuk është shqyrtuar në Komisionin parlamentar për Komunitete dhe Këshillin Konsultativ për Komunitet.

Krushqia e Ramës me Vuçiç lë në burg drejtorin e Policisë së Kosovës, Nehat Thaçi

Edhe Gjykata Speciale në Beograd ka refuzuar kërkesën për anulimin e arrestit të drejtorit rajonal të Policisë së Mitrovicës, Nehat Thaçit. Gjykata serbe ka vendosur që Thaçi të qëndrojë në burg, edhe pse Kuvendi i Kosovës miratoi një rezolutë në të cilën i kërkohej Serbisë që ta lironte menjëherë Thaçin.
“Me vendimin e gjyqtarit për procedurë paraprake më 13 tetor është refuzuar propozimi i palës mbrojtëse të të pandehurit për përfundimin e arrestimit”, ka thënë zëdhënësja e kësaj gjykate, Tanja Koljensiç për mediat serbe.
Një gjykatë në qytetin e Nishit në Serbinë Jugore i caktoi masën e paraburgimit prej 30 ditësh drejtorit rajonal të Policisë së Kosovës, për rajonin e Mitrovicës, Nehat Thaçi.
Gjykata në Nish tha se masa e paraburgimit u vendos për shkak të “rrezikut të ikjes nga drejtësia”.
Thaçi është arrestuar më datën 28 shtator me vendim të Gjykatës së Lartë në Nish që sipas tyre kishte një fletë arrest të lëshuar në vitin 2010.
Thaçi më pas u transferua në Beograd më datën 10 tetor, ku u theksua se ndaj tij po bëhet një hetim si i dyshuar për vepër penale, terrorizëm.

Kundërsulmi i Trump: Do të padis “New York Times” për mashtrim

Donald Trump i mohoi akuzat për ngacmim seksual dhe para mbështetësve të tij në Florida tha se ato janë plotësisht të rreme. Kandidati republikan për presidencën tha se, femrat që i bënë këto akuza ishin gjënjeshtare dhe po bëjnë reklamë, pasi mediat bashkëpunojnë me rivalen e tij Hillary Clinton.
Disa femra pretendojnë se Donald Trump i ka prekur në mënyrë të pahijshme apo i ka puthur kundër vullnetit të tyre. Në shfaqjen e tij të parë publike që pas këtyre akuzave, Trump tha se këto histori ishin një komplot kundër popullit amerikan nga media dhe politika. Miliarderi njujorkez tha se ka prova që tregojnë se akuzat nuk kanë bazë, por shtoi se do t’i publikojë ato në kohën e duhur.
Trump kërcënoi se do ta padisë gazetën “New York Times”, e cila publikoi akuzat e dy femrave. Gazeta reagoi duke thënë se është e gatshme dhe e mirëpret mundësinë që të mbrojë çështjen e saj në gjyq. Në debatin e fundit me Clinton, Trump deklaroi se kurrë nuk kishte puthur apo prekur femrat pa lejen e tyre, ndërsa theksoi se i respekton ato. Por, femrat që e akuzuan për këtë thanë se ishte pikërisht mohimi që ai bëri gjatë debatit që i shtyu të dilnin publikisht, pavarësisht se shumë vite pas incidenteve të tyre me Trumpin, në njërin rast, më shumë se 3 dekada.
Javën e shkuar, publikimi i një videoje në të cilën Trump bënte komente ofenduese për femrat, shkaktoi mjaft debat që përfshiu ashpër fushatën e tij. Megjithëse turmat në mitingjet e tij duket sikur shtohen, dhjetëra republikanë deklaruan se nuk mund ta mbështesin më dhe Trump është mjaft mbrapa Clintonit në sondazhe kombëtare dhe në rang shtetesh.

Një skenar i Moskës për të “kapur” Evropën Lindore?

Russia's President Vladimir Putin (R, back) walks in as he attends a session during the Week of Russian Business, organized by the Russian Union of Industrialists and Entrepreneurs (RSPP), in Moscow, March 19, 2015. Putin said on Thursday that the central bank's key rate remains rather high, but it is warranted by current conditions. REUTERS/Maxim Zmeyev

Sipas një raporti të publikuar dje nga një grup kërkimor privat në Shtetet e Bashkuara, Rusia ka nisur një fushatë me masa të fshehta ekonomike dhe politike për të manipuluar pesë vende të Evropës Qendrore dhe Lindore, për të diskredituar modelin liberal-demokratik të Perëndimit dhe për të dëmtuar marrëdhëniet ndëratlantike. Në raport thuhet se Moska është përpjekur të bëjë për vete një numër politikanësh që kanë simpati për Rusinë.
Sipas raportit, një ndër qëllimet e Rusisë është që, me anë të këtyre politikanëve, të dominojë tregjet e energjisë dhe sektorë të tjerë ekonomikë, si dhe të minojë masat kundër korrupsionit, për të ndikuar mbi qeveritë e vendeve si Bullgaria, Hungaria, Letonia, Serbia dhe Sllovakia.
“Në disa vende, thuhet në raport, ndikimi rus është përhapur aq shumë, saqë po sfidon stabilitetin kombëtar dhe orientimin perëndimor të vendit, së bashku me stabilitetin euroatlantik”.
Raporti është fryt i një studimi 16-mujor nga Qendra për Studime Strategjike dhe Ndërkombëtare në Uashington dhe Qendra për Studimin e Demokracisë në Sofje.
Studimi titullohet: “Skenari i Kremlinit: Si duhet kuptuar ndikimi rus në Evropën Lindore dhe Qendrore”. Botimi i tij përkon me një debat të paprecedent në Shtetet e Bashkuara rreth pikëpyetjeve se, a po përpiqet Rusia të ndërhyjë në zgjedhjet presidenciale me sulme kibernetike dhe me publikimin e e-mail-eve të fushatës së kandidates demokrate, Hillary Clinton. Fushata e zonjës Clinton ka thënë se Kremlini po përpiqet të ndihmojë republikanin Donald Trump për të fituar zgjedhjet.
Të premten, qeveria amerikane për herë të parë akuzoi zyrtarisht Rusinë për hakerim të Partisë Demokrate. Presidenti rus, Vladimir Putin i hodhi poshtë akuzat.
Të dielën, ministri i Jashtëm rus, Sergei Lavrov i tha televizionit shtetëror rus se, Shtetet e Bashkuara e kanë shtuar armiqësinë ndaj Moskës. Ai u ankua se NATO-ja vazhdon të lëvizë infrastrukturë ushtarake pranë kufijve të Rusisë me vendet e Evropës Lindore.
Zyrtarët amerikanë thanë se pajtohen me konstatimet e raportit mbi përfshirjen e Rusisë në Evropën Lindore.
Një prej tyre tha se, aktivitetet e Rusisë përfshijnë ryshfetet, propagandën dhe dezinformimin, për të minuar kundërshtarët dhe për të dobësuar institucionet perëndimore.
Sipas raportit, aktivitetet e Rusisë përfshijnë projektet gjigante, të tilla si kontrata prej 12.2 miliardë eurosh për të ndërtuar dy reaktorë të rinj bërthamorë në Hungari. Kushtet e kontratës janë të errëta, por ato synojnë të kultivojnë biznesmenë pro Moskës, të cilët më vonë fitojnë poste politike dhe mbrojnë interesat e saj.
Në Bullgari, thuhet në raport, prania ekonomike e Rusisë është aq e fortë, saqë vendi rrezikon mjaft të kapet nga Rusia.
Qeveri si ajo e Hungarisë dhe Greqisë, thotë raporti, simpatizojnë hapur Putinin dhe si pasojë, në Evropën Perëndimore dhe Qendrore është krijuar një kolonë e pestë, e cila e dobëson përgjigjen perëndimore ndaj agresionit rus.

AKIP thirrje qytetarëve: Të jeni gati

Perfaqesues te FRESSH, duke mbajtur parrulla ne duar gjate nje proteste perpara godines se Parlamentit, kunder ligjit te importit te plehrave.

Aleanca kundër Importit të Plehrave (AKIP) përshëndeti vendimin e Presidentit Nishani për të kthyer për rishqyrtim në Kuvend Ligjin për “Mbetjet”.
Përfaqësues të AKIP i kërkuan mazhorancës që të reflektojë pas këtij momenti, duke theksuar dhe një herë tjetër se mbetjet e importuara jo vetëm do të ndotin vendin, por njëherazi rrezikojnë edhe shëndetin e qytetarëve.
“Ne do të presim një moment qetësie që qeveritarët të reflektojnë ashtu siç kërkoi Presidenti sot, por nuk do ta lemë në asnjë moment që qeveria mos ndjejë trysninë e qytetarëve. Shqipëria është e jona dhe të gjithë bashkë mund ta bëjmë realitet që Shqipëria të mbetet pa plehra të importuara”, u shprehën përfaqësues të AKIP.
AKIP fton qytetarët që të jenë gati në rast se mazhoranca nuk reflekton ndryshimet në ligj.
“I bëjmë thirrje shqiptarëve të jemi gati se nuk e dimë çfarë na pret. Në çdo rast mund të kemi zhvillime që mund të mos na pëlqejnë”, thanë ata.

Shqipëria me nivelin më të ulët të përdorimit të Energjisë për frymë

Shqipëria është një vend që ka burime të panumërta të energjisë, por renditet e fundit në rajon për përdormini e elektricitetit për frymë. Në raportin, që u prezantua dje, varfëria në sektorin e energjisë është një problem në rritje në vendet e Evropës Juglindore dhe rezulton me borxhe (pamundësi për të paguar faturat e energjisë elektrike), shtëpi të ftohta dhe probleme shëndetësore.
Pas transportit, sektori i ndërtimit në Shqipëri ka konsumin e energjisë më të lartë. Për familjet shqiptare, studimi tregon se burimi kryesor i energjisë është elektriciteti (45%) dhe pasohet nga biomasa me 38%. Në raport cilësohet se Shqipëria ka një normë të lartë papunësie 19%. Në Shqipëri vetëm 40% e familjeve kanë pajisje elektrike për gatim, ngrohje të ujit apo të tjera pajisje që përdorin energjinë. 11.2% e familjeve nuk kanë paguar faturat e energjisë elektrike dhe 20.7% kanë ngrohje të papërshtatshme. Gjithashtu në raport theksohet se 12.5% e shtëpive në Shqipëri kanë mure, dysheme apo bodrume me lagështirë dhe 7.7% e tyre kanë një çati që rrjedh.
Raporti vë në dukje se në vend nuk ka asnjë politikë për të zhdukur varfërinë energjetike.
Hartuesit e raportit vizituan dhjetë familje në kryeqytet, ku të gjithë jetonin në shtëpi pa izolim dhe dritare me një xham. Të ardhurat mesatare për familje ishin 150 euro dhe kishin mesatarisht katër pjesëtare. Ata kishin probleme me shëndetit, vuanin nga sëmundje kronike apo paaftësi të ndryshme dhe treguan se problemet e shëndetit i privonin nga aktivitete të ndryshme. Njerëzit të cilët janë më të rrezikuar nga varfëria energjetike janë zakonisht ata me të ardhura të ulëta, të cilët i përkasin grupeve të marxhinalizuara (me aftësi të kufizuara, të moshuarit, të sëmurët) dhe kanë më shumë mundësi për t’u prekur nga pasojat e varfërisë energjetike.
Mesatarisht, fatura mujore e Energjisë Elektrike ishte 39 euro në dimër dhe 22 euro në verë. Energjinë Elektrike më së shumti e përdornin për të ngrohur ambientin dhe ujin, ndërsa për të gatuar përdornin gazin, të cilin e kishin të vështirë që ta matnin se sa harxhonin në një muaj.
Në studimin e fundit për sa i përket varfërisë në sektorin e energjisë, jepet një paraqitje e shkurtër e jetës së përditshme të familjeve në EJL, të cilat jetojnë në kushte të varfërisë së energjisë, si rezultat i të ardhura të ulëta dhe kostove të larta të energjisë në mënyrë disproporcionale, si dhe të shtëpive jo efiçente në energji. Varfëria e energjisë, në terma të përgjithshme, paraqet pamundësinë e një familje për të siguruar sasi të mjaftueshme të energjisë në shtëpi, për të mbajtur ngrohtë dhe për të ndriçuar mirë hapësirat e banesës në mënyrë të përshtatshme, të kenë përdorim të lehtësuar në një gamë të nevojshme të shërbimeve të energjisë, dhe të jenë në gjendje për të përballuar një sasi të mjaftueshme të energjisë për kërkesat e përditshme.

Marrëveshja mes qeverisë dhe FMN, në rrezik

Marrëveshja mes qeverisë dhe Fondin Monetar Ndërkombëtar është vënë seriozisht në rrezik.  Shkak është bërë deficiti buxhetor që qeveria ka programuar për buxhetin e vitit të ardhshëm. Në programin trevjeçar të nënshkruar në vitin 2014, qeveria dhe FMN kishin rëndë dakord që për vitin e ardhshëm buxheti të mbyllej me një suficit primar sa 0.9 për qind e Prodhimit Kombëtar. Por qeveria ka devijuar nga marrëveshja dhe ka vendosur që për vitin 2017 suficiti primar i buxhetit të jetë 0.3 për qind e Prodhimit Kombëtar. Qeveria ja ka komunikuar zyrtarisht parametrat e buxhetit 2017 ekspertëve të FMN, pak ditë më parë, gjatë Takimeve Vjetore në Uashington. Në këto takime një ekip i Ministrisë së Financave, i kryesuar nga ministri Arben Ahmetaj kanë zhvilluar negociata intensive me ekspertët e FMN. Një burim konfidencial nga FMN i tha SYRI.net se palët kanë patur përplasje të ashpra për shifrën e programuar të deficitit në buxhetin e vitit 2017, pa arritur të gjejnë një marrëveshje. Kjo do të thotë se aktualisht programi i qeverisë me FMN është pezull dhe nëse gjërat nuk zhbllokohen mund të ketë një mbyllje të hidhur. Ulja e suficitit primar nga 0.9 për qind e PBB-së në 0.3 për qind ka një diference prej rreth 10 miliardë lekë. Kjo do të thotë se qeveria ka programuar që vitin e ardhshëm të marr borxh rreth 10 miliardë lekë më shumë nga sa kishte rënë dakord me FMN në programin trevjeçar. Shifra përkon saktësisht me faturën e rritjes së pagave. “Ky është qartazi një devijim nga marrëveshja trevjeçare për të cilën kemi rënë dakord ” u shpreh për SYRI.net burimi konfidencial nga brenda FMN-së. Qeveria kërkon më shumë hapësirë për të marr borxh për të financuar rritjen e pagave për vitin e ardhshëm, e cila është lajmëruar se do të ketë një faturë nga 10-12 miliardë lekë.  Por huamarrja më e lartë nënkupton se vitin tjetër borxhi do ulet më pak nga sa ishte rënë dakord në programin me FMN. Negociatat mes palëve pritet të rifillojnë sërish pas pak javësh kur në Tiranë do të mbërrij misioni i radhës së FMN-së.

40 ose 48 skuadra në Kupën e Botës

Pas pjesëmarrjes historike në Kampionatin Europian, e ardhmja pritet të rezervojë edhe një tjetër shans për Kombëtaren kuqezi, që të realizojë edhe ëndrrën, duke luajtur në Kupën e Botës. Me Euro 2016 që dhuroi imazhe historike falë përfaqësimit të debutuesve si Shqipëria, Uellsi apo Irlanda e Veriut e Islanda, me turneun që u zgjerua me 24 skuadra, tashmë edhe FIFA mendon të rrisë numrin e skuadrave pjesëmarrëse në Botërorin e futbollit. Konfirmimi erdhi nga presidenti i FIFA-s, Gianni Infantino, që nga Zyrihu konfirmoi se po shqyrtohen disa skema të organizimit të evenimentit më të rëndësishëm në botë, por vendimi përfundimtar do të merret vetëm në janar të vitit 2017.
“Kemi zhvilluar biseda intensive, të cilat kanë qenë mjaft konstruktive, megjithatë kemi ende shumë punë për të bërë. Ndërkohë, pozitiv është fakti që tema e rritjes së numrit të përfaqësueseve pjesëmarrëse në Kupën e Botës po trajtohet në mënyrë pozitive. Vendimi përfundimtar do të merret gjatë mbledhjes së Këshillit të FIFA, i programuar në janar 2017”.
Njeriu që pasoi në krye të FIFA-s, Sepp Blatter, nuk heq dorë nga ideja e zgjerimit të turneut. Kupa e Botës mund të organizohet me 32 deri në 48 skuadra, megjithatë nuk përjashtohen edhe hipoteza të tjera.
“Në tryezën e bisedimeve kemi formate të ndryshme. Kupa e Botës mund të organizohet me 32, 40 apo 48 skuadra. Ndryshimet e reja do të hyjnë në fuqi prej Botërorit 2026”.
Infantino shpjegoi se, Botërori me 48 skuadra do të ndahej me 16 përfaqësuese që janë koka-serie dhe do të kualifikohen direkt në fazën e grupeve, ndërsa 32 ekipet e tjera do të luanin në ndeshje play-off për të përcaktuar 16 ekipet e tjera. Në këtë rast, evenimenti zyrtar do të organizohej gjithsesi me 32 skuadra finaliste, ashtu si në turneun aktual. Ndërkohë, FIFA po analizon edhe dy formate me 40 përfaqësuese: sipas variantit të parë do të luhet në 8 grupe me nga 5 skuadra, ndërsa varianti tjetër parashikon ndarjen me 10 grupe me nga katër përfaqësuese.