24.5 C
Tirana
E martë, 29 Prill, 2025

“Loro Boriçi” mbyll dyert deri në nëntor

Vetëm dy ndeshje, kaq arriti të luante në stadiumin e rikonstrukuar “Loro Boriçi” skuadra e Vllaznisë. Skuadra veriore do të rikthehet sërish në “Reshit Rusi”, ku për rreth një muaj do të luajë të gjitha ndeshjet si pritëse, pasi tapeti i gjelbër i stadiumit do të rikonstruktohet për shkak të dëmtimeve të mëdha që pësoi gjatë dy muajve të fundit. Gjatë javëve të fundit, gjendja e terrenit në “Loro Boriçi” u rëndua shumë dhe firma që punoi me mbjelljen e barit gjatë rikonstruksionit, do të ndërhyjë sërish me disa modifikme për ta rikthyer katërkëndëshin në gjendje sa më optimale.
Në këtë mënyrë, pas ndeshjeve me Kukësin dhe Famurtarin, Vllaznia është e detyruar të rikthehet në “Reshit Rusi”, ku priti gjithë ndeshjet e sezonit të shkuar. Stadiumi “Loro Boriçi” do të rihapë dyert në datën 12 nëntor për ndeshjen eliminatore Shqipëri-Izrael dhe vetëm pas kësaj date, skuadra e Cungut mund të rikthehet të luajë në stadiumin kryesor të qytetit. Sipas parashikimeve, Vllaznia do të presë Partizanin në datën 19 nëntor për ndeshjen e vlefshme të javës së 11 të Kategorisë Superiore.

Durmishi: Zidane dhe Marcelo janë idhujt e mi

Riza Durmishi, mbrojtësi shqiptar i Real Betisit, ka folur për përballjen me Real Madridin. Durmishi gjatë verës u transferua te Real Betis nga skuadra daneze Brondby. Reprezentuesi i Danimarkës para ndeshjes me Real Madridin, e cila luhet sot nga ora 20:45, ka zbuluar se nga cilët lojtarë është inspiruar.
“Marcelo dhe Roberto Carlos janë referenca për pozitën time. Marcelo është një mbrojtës i madh që ka aftësi edhe të sulmojë, por sfida ime është për të shënuar gola më shumë dhe për t’u dhënë më shumë sikurse ai”, ka deklaruar Durmishi, shkruan “AS”.
“Real Madrid është klubi im i preferuar dhe Zidane është idhulli im që nga fëmijëria. Kur isha i vogël kam ëndërruar të luaj në Madrid, edhe pse duke luajtur në Betis kam përmbushur një ëndërr tjetër”, ka theksuar ai.
Real Madridi do të ketë vetëm 19 lojtarë në dispozicion për ndeshjen me Real Betisin, e cila luhet sot në orën 20:45. Sipas të përditshmes sportive madrilene, “AS”, James Rodriguez dhe Favio Conetrao janë stërvitur ndaras nga ekipi i Real Madridit. Dyshja është afër rikuperimit, por nuk do të luajë në ndeshjen ndaj Real Betisit, e cila luhet sot në ora 20:45.
Në këtë takim Realit do t’i mungojnë dhe Casemiro, Ramos dhe Modriç, të cilët gjithashtu vuajnë nga lëndimet.

Koncesioni i radhës për pullat fiskale, rritje e re e çmimit të ilaçeve

Cassetti contenenti farmaci all'interno di una farmacia a Roma, in una immagine di archivio. ANSA/VIRGINIA FARNETI

Qytetarët shqiptarë do të paguajnë më shtrenjtë për ilaçet, të cilat shumë shpejt do të pajisen me pullë fiskale nga koncesionari. Qeveria ka miratuar një projektligj, i cili ndryshon marrëveshjen e koncesionit me kompaninë SICPA, duke i dhënë kompanisë monopolin edhe të pajisjes së ilaçeve me pulla. Deri tani këtë detyrim e kanë patur cigaret dhe alkooli.
Sipas projektligjit, i cili tashmë ka mbërritur në Parlament, kostoja i pullës fiskale për ilaçet do të jetë sa 2.4 për qind e çmimit me pakicë. Kjo do të thotë se qytetarët shqiptare do të paguajnë minimalisht 2.4 për qind më shumë për ilaçet nga momenti që kontrata e re të hyjë në fuqi.
Pajisja e ilaçeve me pullë fiskale, ashtu si cigaret dhe alkooli ishte parashikuar që në kontratën fillestare të konçesionit të miratuar në vitin 2011. Por deri tani barnat nuk i janë nënshtruar këtij detyrimi, pasi fillimisht kjo u kundërshtua nga prodhuesit dhe importuesit e ilaceve e më vonë rezultoi e pamundur teknikisht. Në atë kohë ishte parashikuar që kostoja e pullës të ishte 2.3 lekë për copë.
Ndërsa me ndryshimin e ri që ka mbërritur në parlament, ajo shkon në 2.4 për qind të çmimit me pakicë të çdo medikamenti. Çmimi i ri është dukshëm më i lartë nga sa ishte parashikuar në kontratën fillestare, të konçesionit me kompaninë SICPA, pasi shumica dërrmuese e medikamenteve e kanë çmimin më të lartë se 100 lekë.
Kjo do të thotë që kosto 2.4 për qind është dukshëm më e lartë se sa ajo fikse prej 2.3 lekë  dhe do të çojë në një rritje të konsiderueshme të çmimit që paguajnë qytetarët për barnat. Gjatë kohës që ishte në opozitë, partia socialiste e pati kundërshtuar koncesionin si korruptiv dhe që vjedh qytetarët. Në atë kohë madje premtoi anulimin e tij. Por koncesioni jo vetëm që nuk u anulua, por qeveria është duke rritur koston për qytetarët, me qëllim që koncesionari të përfitojë më shumë.

Pak kohë më parë Banka Botërore evidentoi se barnat në Shqipëri janë më shtrenjtë se në të gjithë rajonin.   Përveç çmimeve të larta të barnave që sipas Bankës Botërore, kufizimi i furnizimit me barna mbetet një pengesë e madhe për uljen e çmimit, mjekët ju japin pacientëve doza më të larta mjekimi, pasi favorizojnë në këtë mënyrë kompanitë farmaceutike. Zbatimi i sukseshëm i rekomandimeve për sistemin farmaceutik sipas Bankës Botërore do të kërkojë bazë të mirë ligjore, vullnet politik, kapacitete për të imponuar zbatimin e rregullave dhe aftësi menaxheriale. Ndërsa barnat në vendin tonë shiten me çmim shumë herë më të lartë se sa në vendet e rajonit, denoncimi i ndryshueshmërisë së pajustifikueshme të çmimeve të barnave ka ardhur pak kohë më parë edhe nga kreu i Urdhrit të Farmacistëve të Shqipërisë.  Sipas këtij institucioni, shqiptarët paguajnë barnat e konsumit masiv me çmime shumë herë më të larta se sa ndodh në vendet fqinje. Ky fakt abuziv sipas ekspertëve po shndërrohet në një fenomen që po rëndon gjithnjë e më shumë xhepat e qytetarëve.

Hysaj: Do të mposhtim Romën edhe për Milik

Elseid Hysaj paralajmëron Romën. Mesditën e të shtunës në “San Paolo”, Napoli i Maurizzio Sarrit do të sfidojë skuadrën e Luciano Spalettit. Në vigjilje të kësaj sfide në një intervistë për radio “Kiss Kiss” mbrojtësi i kombëtares shqiptare u shfaq plot besim se të kaltërit do të arrijnë ta mposhtin Romën. “Do të jemi shumë të përqendruar dhe do të japim 100% të mundësive tona për të fituar”, deklaroi fillimisht Elseid Hysaj.
Më pas 22-vjeçari nga Shkodra shtoi: “Duhet të kthehemi ajo skuadër që ishim më parë, jemi të zhgënjyer për humbjen që pësuam në Bergamo”. Një mendim i kuqeziut shkoi edhe për polakun Arkadiuz Milik, i cili pak ditë më parë pësoi një dëmtim të rëndë që do ta mbajë jashtë fushave të futbollit për më shumë se 5 muaj. “Të gjithë në skuadër jemi mërzitur shumë për atë që i ndodhi Milik dhe ndaj Romës duam të fitojmë edhe për të”, theksoi në vijim djaloshi nga Shkodra.
Të mërkurën Napoli do të përballet me turqit e Beshiktash në Champions League, por sipas Hysajt ndeshjet duhen marrë një e nga një dhe për momentin të kaltërit mendojnë vetëm për sfidën ndaj Romës. Hysaj, i cili po luan sezonin e dytë me Napolin pak ditë më parë rinovoi zyrtarisht kontratën e tij me klubin jugor deri në vitin 2021. Mbrojtësi në fund të intervistës së tij theksoi se ndihet mirë te Napoli dhe dëshiron të qëndrojë gjatë aty.

Ligji për investime strategjike në Kosovë

????????????????????????????????????

Miratimi i Ligjit për Investime Strategjike nga Kuvendi i Kosovës do të lehtësojë procedurat dhe do të rrisë interesimin e investitorëve të huaj në Kosovë, thonë zyrtarë të Qeverisë së Kosovës. Përfaqësues të shoqërisë civile e konsiderojnë të domosdoshëm, por tërheqin vërejtjen për rrezikun e rritjes së nivelit të korrupsionit gjatë zbatimit të ligjit. Qëllimi kryesor i këtij ligji është eliminimi i barrierave, procedurave burokratike – penguese të deritashme – procedurave të stërgjatura e deri te rritja e transparencës për realizimin e investimeve të huaja në Republikën e Kosovës. Ai i mundëson qeverisë që të negociojë drejtpërdrejtë me investitorët e huaj, por edhe ata vendorë. Njëkohësisht, thuhet se ofron kushte të barabarta në aspektin e tërheqjes së investitorëve të huaj, në krahasim më vendet fqinje dhe vendet e rajonit. Kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Safet Gërxhaliu, e cilëson atë si një ligj të domosdoshëm për rritjen e nivelit të investimeve të huaja. Ai thotë se Ligji nuk është shkop magjik i zgjidhjes së problemeve të grumbulluara, por sipas tij, që ky ligj të zbatohet suksesshëm duhet të ketë angazhime për fuqizimin e sundimit të rendit dhe ligjit.
“Kosova ka një problem të madh sa i përket investimeve të huaja, me imazhin negativ të krijuar nga kompanitë ndërkombëtare të cilat kanë hasur në procedura burokratike”. “Por, është obligim institucional që kushdo që flet me investitorë të huaj të ketë transparencë dhe një dialog të mirëfilltë që mos të përsëriten rastet dhe dështimet nga e kaluara”, ka thënë Gërxhaliu për Radion Evropa e Lirë. Ligjet e tilla në shtetet e rajonit kanë nxitur reagime, thuhet në një analizë që ka zhvilluar Instituti për Studime të Avancuara – GAP. Berat Thaqi, analist i politikave në këtë Institut, thotë për Radion Evropa e Lirë se ligji krijon shumë lehtësime dhe mund të nxis investime, pasi eliminon problemet. Megjithatë, sipas tij, ekziston rreziku, pasi që qeveria merr shumë kompetenca, duke mos iu nënshtruar asnjë kontrolli të jashtëm. Rrjedhimisht, vijon ai, rritet edhe mundësia për korrupsion, marrë parasysh praktikat nga vende tjera të rajonit. “Duke marrë parasysh se ligj sjell një diskrecion më të madh në Qeverinë e Kosovës për dhënien në shfrytëzim të pronave të paluajtshme që janë pronësi e Kosovës dhe duke marrë parasysh se Kosova ka sundim të dobët të ligjit, atëherë një ligj i tillë paraqet edhe rreziqe më të mëdha sa i përket aferave korruptive”, ka thënë Thaçi.

Manaj titullar ndaj Sampdorias

Te Pescara është momenti i Rey Manajt. Sulmuesi shqiptar, i dhënë në formë huazimi nga Interi, pritet të luajë titullar edhe në transfertën me Sampdorian për javën e tetë të Serisë A. Talenti 19-vjeçar e ka lënë pas dëmtimin që pësoi në humbjen 0-2 me Chievon dhe është 100% në dispozicion të trajnerit Massimo Oddo. Në fakt pasojat fizike të sfidës me veronezët Manaj i vuajti edhe në kombëtare, duke lënë grumbullimin e kuqezinjve për sfidat me Lihtenshtejnin dhe Spanjën si masë paraprake.
Gjithsesi faza e riaftësimit ka shkuar sipas parashikimeve dhe talenti i lindur në Lushnjë mund të japë kontribut për skuadrën e tij ndaj Sampdorias. Mediat italiane raportojnë se, Manaj konsiderohet zgjedhje e parë nga Oddo, që kërkon nga sulmuesi të jetë pikë referimi në fazën sulmuese. Në 7 javët e para të Serisë A, Manaj është aktivizuar në 6 ndeshje, ku në 5 raste si zëvendësues. Në këtë fillim sezoni ka mundur ta dërgojë dy herë topin në rrjetë, pikërisht ndaj Sassuolos, sfidë të cilën Pescara e fitoi më pas 0-3 në tavolinë dhe në barazimin 1-1 në transfertë me Genoan.

Gazetarët në protestë kundër censurës

 

Gazetarët kanë protestuar para Bashkisë së Tiranës kundër censurës mediatike.
Protesta erdhi pas mbylljes së emisionit investigativ “Publicus” në “Vizion Plus” që po hetonte për vdekjen e 17-vjeçarit Ardit Gjoklajt në Sharrë.
Emisioni u mbyll me anë të “ndërhyrjes” së kryebashkiakut Veliaj.
Po ky i fundit ishte shkaktar edhe për shkarkimin e gazetares Alida Tota si drejtoreshë e “A1News”, që po hetonte pikërisht vdekjen e Arditit.
Sot Erion Veliaj duhet të japë përgjigje për vdekjen e 17-vjeçarit, ai duhet të japë llogari për institucionin që drejton. Unë kam besuar që Erion Veliaj do jetë një model, por ai u tregua më maskara se maskarenjtë. Turp të të vijë”, ka thënë Bledian Koka, gazetar i News 24. Në tubim folën edhe Armir Shkurti, Alida Tota dhe gazetarë të tjerë. Protesta e gazetarëve kundër censurës nuk u transmetua live nga televizionet kryesore informativë, por as nuk u pasqyrua në përgjithësi në faqet on-line të mediave më të rëndësishme.
Asnjë fjalë nga Top Channel, Tv Klan, Balkanweb, Ora News, ABC News e kështu me radhë. Për të mos folur për Vizion Plusin që shkruante për çelësin e qytetit të Goteborgut që i kishin dhënë Erion Veliajt në Suedi. Ndonëse nuk ka pasqyruar protestën, BalkanWeb ka pasqyruar qëndrimin e Maja Koçijançiç, zëdhënësja e përfaqësueses së Lartë të Bashkimit Europian, e cila ka reaguar në lidhje me censurën e medias në Shqipëri.
Teksa u pyet për ndalimin e një emisioni investigativ në vendin tonë, Kocijancic tha: Liria e shprehjes dhe e medias janë themelore për Bashkimit Evropian. Liria e medias, kyçe për procesin e zgjerimit. Po ndjekim zhvillimet në rajon dhe në Shqipëri. Censura do analizohet në raportin e përvitshëm”. Është e vërtetë se censura e medias nuk përbën më lajm në Shqipëri, por protesta kundër censurës ndoshta do t’i meritonte ca fjalë. Dhe jo vetëm kur bëhet shqetësim për të huajt.

Vendi po rrëshqet drejt destabilizimit

Deputetja e PD Albana Vokshi, duke folur gjate nje seance parlamentare, ku mazhoranca dhe opozita kane debatuar ne lidhje me vendimet e miratuara dite me pare ne Komisionin e Ligjeve per heqjen e kompetences se Presidentit per te propozuar kryetarin e ILDKP.

Albana Vokshi

“Mbrëmë vonë mora këtë mesazh në Facebook nga një banor i Milotit:
“Znj Albana. Prej dy ditësh shtatë familje në qytetin e Milotit janë përmbytur nga shirat. Asnjë nuk përgjigjet për ta, as Bashkia as komuna, vetëm e vetëm sepse jemi të djathtë. Çdo gjë ka marrë fund në qytetin tonë, rrugët janë prishur e çdo gjë tjetër”.
Mesazhi i familjeve të braktisura në Milot dhe bilanci tragjik i përmbytjeve të ditëve të fundit, me humbjen e një jete. 48-vjeçari i ndjerë përpiqej të shpëtonte biznesin nga përmbytja, por nuk ia doli. Duke i shprehur ngushëllimet e sinqerta familjarëve, i bëj thirrje qeverisë së propagandës të akordojë fondet dhe të veshë çizmet pasi në Kurbin, Milot, Rrëshen mbi 160 banesa ndodhen nën ujë dhe 2000 hektarë tokë bujqësore janë përmbytur. Ndërsa në Dibër janë dëmtuar dhjetëra banesa dhe janë bllokuar disa akse rrugore.
Kryeministri zgjodhi të mos bëjë pis këpucët, por të organizojë një nga ato takimet alla Çavez me fermerët në Manzë të Durrësit, ku nuk ja kurseu fyerjet një qytetari që kërkoi të fliste. Këtë herë nuk i kujtoi gruan, por rakinë… Fyes në absurditet, nuk guxon, denjon, nuk ka dëshirë, nuk i intereson të dëgjojë dikë që mbart halle pa fund në kurriz të tij, që nuk ka me ç’të ushqejë fëmijët, që nuk paguan dot dritat… Kjo, jashtë skenarit të parapërgatitur, i stonon ngjyrave të ndezura të propagandës së tij.
Të nesërmen, Rama zgjodhi një takim me “Policinë që Duan”. Rastësishëm apo jo, si për ironi, zgjodhi sallën “Ngjallja e Krishtit” për të folur për atë që ai e quan “policia e gjeneratës së re”, që të sjell ndërmend parullat e Enver Hoxhës: “Të krijojmë njeriun e ri!” Por edhe në këtë sallë, nuk foli për paqen, por i tregoi policisë që armiku i përbashkët nuk ishte as krimi, as bandat, as droga. Armiku ishte “opozita”, e cila me median dhe Prokurorinë qenkan bashkuar në atë që ministri i Brendshëm e quan “fronti i së keqes” që baltos atë dhe policinë pa të drejtë, ndërkohë që lajmet për kultivim dhe sekuestrim hashashi në Shqipëri, apo nga fqinjët i dëgjojmë disa herë në ditë…dhe kanë kapur (si asnjëherë më parë) të gjitha gazetat prestigjioze ndërkombëtare.
Pas deformimeve apo gabimeve trashanike në citimin e Kant, Kunderës, Shën Terezës, duke tallur policët, këtë herë citoi ish – Presidentin Regan. “Nuk ka qeveri të përsosur dhe çdo ditë e më shumë i besoj fjalës së Ronald Reagan, që qeveria nuk është zgjidhja, por problemi. Një problem që shoqëria duhet të mësojë të bashkëjetojë se nuk ka zgjidhje tjetër”, tha Rama. E meqë nuk kanë zgjidhje tjetër, sipas Ramës, shqiptarët të mos presin asnjë zgjidhje për ta, por të ulin kokën e të presin ndihmë veç nga Zoti…
Të nderuar qytetarë,
Vendi po rrëshket drejt një rendi destabilizues. Qeveria po vret çdo ditë, ka varfëruar gjysmën e popullsisë dhe po detyron profesionistët e të gjitha fushave të braktisin vendin nga pasiguria. Qeveria, administrata, ekonomia edhe vota janë kriminalizuar.
Edhe shpresa e fundit, media u shua nga kontrolli i papreçendentë i qeverisë dhe njerëzve të veshur me pushtet korruptiv.
Ngjarja kriminale në landfillin e Sharrës, çensurimi për herë të dytë nga Kryetari i Bashkisë së Tiranës i investigimit televiziv është dëshmia tronditëse se Tirana drejtohet nga një diktator. Denoncimet e gazetarëve të guximshëm si Alida, stafit profesional të Publicus, Artanit, Endrit, Jetmirit dhe Elvit, të cilët e kapën në flagrancë Erion Veliajn teksa kishte firmosur kontratën e vdekjes dhe të shfrytëzimit të fëmijëve, grave dhe burrave në landfillin e Sharrës.
Ndërsa Kryeministri vazhdon të heshtë përpara kësaj çensure, sepse landfillin e vdekjes dhe shfrytëzimit të njerëzve si skllevër e quan model për të ricikluar me urgjencë paratë që mafia pagoi për të firmosur fundin e Shqipërisë me miratimin e ligjit për importin e plehrave dhe mbetjeve të rrezikshme toksike.
Djaloshi kryebashkiak si duket me paratë e fiqve arriti të pushojë dy herë radhazi gazetarët nga puna dhe të censurojë median tradicionale, por fatmirësisht nuk mundi të kontrollojë lumin e shikuesve në rrjetet sociale që dëgjuan, panë dhe vërtetuan pse Erjon Veliaj nuk lejoi të zbardhej vrasja e fëmijës 17 vjeç, dhe nënës me 2 fëmijë.
Një shok fëmijërie që si duket e njeh më mirë se ne Erjonin,  i bënte një  thirrje ironike që të zinte shoqëri me Zuckerbergun për të censuruar edhe Facebook-un.
Kolegë deputetë,
Nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, një ish–ushtarak i lartë, eksperti i sigurisë dhe i shërbimeve inteligjente, analist i FOX NEËS, Bill Coëan, i bëri thirrje Kongresit Amerikan të nisë një hetim ndërkombëtar për përfshirjen e zyrtarëve të lartë të qeverisë së Shqipërisë në trafikun e drogës, krimin e organizuar dhe në veprimtaritë terroriste. Ai theksoi se një hetim i tillë mund të ketë sukses vetëm nën udhëheqjen e fortë të SHBA-së. Ai ngre shqetësimin se konvertimi i Shqipërisë në një strehë të drogës në Ballkan ka fluturuar nën radarët  e politikës dhe se ka nevojë për vëmendje të menjëhershme të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, sepse nuk mund të injorohet një krizë që po destabilizon një anëtar të Aleancës.
“Shqipëria është kthyer në një version ballkanik të Meksikës dhe Kolumbisë” shkruan Bill Coëan.
Edi Rama ja doli!!! Me pak mund arriti ta nxjerrë Shqipërinë në titujt kryesore të mediave prestigjioze ndërkombëtare, por jo për atë që ajo ofron për të huajt…por për drogën dhe krimin e lidhur me qeverinë.
Në Kongresin e Forumit të Gruas të Partive Popullore Europiane që u mbajt në Sofie të Bullgarisë, kërkova ndërhyrjen e Brukselit për të ndalur qeverinë në politikat e saj çnjerëzore për të përdorur të rinjtë dhe gratë për aktivitete të paligjshme, duke i kthyer në punëtorë me mëditje në parcelat e drogës; për të mos lejuar që Shqipëria të kthehet në një “Kolumbi” në Ballkan për shkak të lidhjeve të qeverisë me prodhuesit dhe trafikantët e drogës; për të mos lejuar pushtimin e Shqipërisë nga trafikantët e drogës dhe mafia e plehrave. Kërkova ndihmën e europarlamentareve dhe politikaneve të larta të vendeve anëtare apo aderuese në BE për të lobuar me kancelaritë perëndimore për ta nxjerrë Shqipërinë nga kjo situatë kritike që rrezikon edhe procesin e integrimit në BE.
Përfaqësuesi i qeverisë austriake deklaroi që 60 mijë shqiptarë ishin larguar vitin e fundit në BE dhe më shumë se 20 mijë ishin fëmijë…Reintegrimi në kushtet e kësaj, qeveria antisociale bëhet edhe më i vështirë, duke mos lënë hapësira për familjet, gratë e fëmijët përveç se të punojnë mbase në landfille (si ai i Sharrës) apo fusha kanabisi…
Është shqetësuese që numri i vrasjeve për shkak të konflikteve për parcelat e drogës, si dhe përdorimi nga ana e fëmijëve e të rinjve është rritur ndjeshëm (pavarësisht se policia në disa raste mundohet t’i fshehë). Trafikantët po shfrytëzojnë të rinjtë dhe familjet e varfëra për të mbjellë kanabis, duke sjellë edhe rënien e sektorëve të tjerë prodhues të ekonomisë (bujqësia, fasonët etj). Edhe në mediat më prestigjioze po shkruhet se qeveria e Tiranës po e përdor drogën për të mbajtur pushtetin.
Ndërsa, në një denoncim të oreve të fundit flitet se një lloj i rrezikshëm përzierje droge me lëndë kimike ka hyrë në Shqipëri dhe po konsumohet në lokalet e natës në Tiranë. Denoncuesit flasin për një substancë narkotike që shkakton vdekjen e shpejtë në 24 muaj.
Në kohën kur statistikat e BB, INSTAT apo institucioneve të tjera ndërkombëtare bërtasin për nivel të lartë varfërie, papunësie, në një kohë kur për 3 vjet radhazi pagat dhe pensionet reale janë ulur ndjeshëm…sot si për ironi, na sillni këtë projektligji për pensionet suplemenetare të disa nëpunësve të Agjencisë së Inteligjencës, agjenci tejet e rëndësishme për sigurinë kombëtare, por e shndërruar tani në një shërbim politik, si mjet presioni në Forcat e Armatosura dhe në Ministrinë e Mbrojtjes. Shërbimi Inteligjent i Mbrojtjes, ku së fundmi kanë gjetur fole dhe janë promovuar ish-sigurimsat e shtetit, e ka humbur pavarësinë politike dhe parimin “check and balance” në raport me autoritetet e komandimit dhe drejtimit strategjik në RSH. Misioni dhe detyrat janë kompromentuar nga politika dhe paaftësia profesionale, të cilën e dëshmon edhe buxheti i shpenzuar për operacione brenda dhe jashtë vendit (5-7%) nga 90-95% që ishte në qeverinë pararendëse për operacone në interes të sigurisë kombëtare. Pra, ky shërbim ose duhet reformuar totalisht ose duhet shkrirë e përgjegjësitë e detyrat e tij të kalojnë në struktura të tjera të sigurisë kombëtare.
Qeveria nuk dëgjon kërkesat e pensionistëve, të PAK, të grave e fëmijëve…por… nuk harron të shpërblejë spiunët që i zbardhin listat në demokratë apo socialistë…
Por nuk është koha të ndalemi as në foltore dhe as në deklarata, është koha të bashkohemi në koalicionin e vlerave kundër “Aleancës së Krimit”.
Opozita e ka nisur marshimin e saj: Qytetarët vendosin për Shqipërinë!
Edi Rama është rrëzuar në pistat e krimit dhe drogës, nuk meriton asnjë sekond t’ju qeverisë…

Nga po vjen skenari për trazira sociale

Kastriot Islami

Kultivimi i kanabisit është një çështje që prej disa ditësh merr vëmendjen kryesore të politikës e medias shqiptare, por jo vetëm. Shërbimet e ndryshme deri ato inteligjente vendase e të huaja kanë përgatitur raportet e tyre, kancelaritë partnere e kanë të gjithë informacionin mbi tavolinat e tyre; media perëndimore ka filluar të shkruajë intensivisht.
Fillimisht mendova se ndoshta do të ishte e tepërt të mbaja një fjalë për një çështje kaq të trajtuar. Por vendosa të flas sot për dy pasoja që lidhen me këtë dukuri, së pari, ndikimi i saj në zgjedhjet e ardhshme në Shqipëri dhe së dyti, ndikimi i kësaj dukurie në stabilitetin e sigurinë e vendit dhe në rolin e Shqipërisë si anëtare e NATO-s.
Ky shqetësim është ngritur nga një ekspert amerikan që merret me çështjet e NATO-s, të sigurisë, të terrorizimit, të shërbimeve inteligjente dhe të operacioneve speciale. E gjithë fjala ime do të synojë të ndriçojë publikun shqiptar pikërisht përmes analizës dhe shqetësimeve që ngre ky ekspert që dëgjohet me vëmendje nga publiku amerikan dhe politika amerikane…
Nga leximi i shkrimit të këtij eksperti arrihet në disa përfundime:
Kultivimi i kanabisit, në mënyrë të paligjshme për një vend si Shqipëria me ekonomi të brishtë, me shqetësime të konsiderueshme sociale, me institucione të dobëta, me nivel të lartë korrupsioni, me drejtësi ende të pangritur, me lidhje të fuqishme krim-politikë si në qeverisje ashtu edhe në Kuvend është një dukuri me shumë pasoja negative për një vend anëtar të NATO që mund të kthehet në një hallkë të dobët të Aleancës…
Një dukuri e tillë mbart rreziqe të konsiderueshme në periudhën afatmesme për stabilitetin e vendit, për funksionimin e shtetit ligjor aq më tepër që Shqipëria ndodhet në prag të hapjes së negociatave për anëtarësim në BE.
Në periudhën afatgjatë një dukuri e tillë e shtrirë në të gjithë vendin, e përhapur në nivel kapilar dhe për më tepër pjesë e një strategjie politike për manipulimin e zgjedhjeve, do të cenonte fillimisht rëndë sigurinë dhe eventualisht edhe mund të çonte në trazira sociale e destabilitet të vendit. Kjo ka ndodhur edhe gjetiu, konkretisht në Ukrainë, por edhe në Shqipëri në vitet 1996-1997.
Kultivimi i kanabisit në nivel kaq masiv dhe implikimi i shtetit, më konkretisht i rrjetit të policisë, s’është një çështje që mund të fshihet apo maskohet apo mohohet.
Këtë e ka thënë troç e qartë eurodeputeti Kukan: të gjithë e dinë se ç’ndodh me kultivimin e kanabisit në Shqipëri. Kukan është një politikan serioz, që s’ka interesa personale në Shqipëri dhe s’ka asnjë lidhje as ideologjike dhe as personale me politikën shqiptare. Dhe si për të konfirmuar këtë, tha Kukan, ditët e fundit ka pasur shkrime shumë të forta për vërtetësinë e tyre edhe gazeta zvicerane “Le Matin”, edhe media italiane, por edhe media “Hill” nga SHBA…
Unë gjykoj se nuk është as serioz dhe dinjitoz për ne debati lidhur me ekzistencën apo jo të kultivimit të kanabisit të Shqipëri. Kjo është një e vërtetë e patjetërsueshme. Madje edhe implikimi i policisë është i padiskutueshëm. I padiskutueshëm është e synimi i aplikimit të kësaj dukurie për qëllime elektorale, gjë që e vërtetuan zgjedhjet në Dibër… Por nuk po i futem sot këtij debati…
Do t’i përgjigjem disa pyetjeve që shtrohen nga publiku përmes përgjigjeve që ka dhënë eksperti amerikan…
Por para se të bëj këtë gjë dëshiroj të qetësoj të gjithë qytetarët e ndershëm dhe ata që kanë një arsyetim të shëndoshë që eksperti amerikan është i pavarur dhe nuk ka asnjë lidhje personale apo partiake me Shqipërinë, e thënë më troç, qëndrimi i tij është invariant nga çdo grup politik apo lider politik është në pushtet në Shqipëri. Ai flet vetëm për interesat strategjike të SHBA dhe meqenëse jemi në këtë pikë me duhet të evokoj edhe diçka që shqiptarët ndoshta e dinë…
Partneriteti strategjik SHBA–Shqipëri është rezultat i rezonimit të interesave të përbashkëta… Ato s’varen nga cili është në pushtet në SHBA apo Shqipëri. Ato kanë qenë dhe do të mbeten strategjike. SHBA gjithnjë ka pasur për synim të ndihmojë Shqipërinë të stabilizohet përmes demokratizimit.
Tani të kthehem te pyetjet e publikut dhe përgjigjet e ekspertit amerikan.

– Çfarë mendojnë në SHBA për kultivimin e kanabisit në Shqipëri?
Përgjigjja e ekspertit: Në Uashington, kohët e fundit kthimi i Shqipërisë në një strehë droge, është jashtë fokusit së politikës dhe ka nevojë për vëmendje të menjëhershme.

– Përse kjo çështje është e mprehtë për SHBA?
Përgjigjja e ekspertit: Së pari se Shqipëria është anëtare e NATO-s. Dhe së dyti, Shqipëria ka filluar të duket si një Meksikë dhe Kolumbi në Ballkan.

– A po hesht SHBA, përse? Dhe kur do të merret seriozisht?
Përgjigjja e ekspertit: Menjëherë pas zgjedhjes së Presidentit në SHBA… por kjo nuk ka lidhje as se kush do të zgjidhet dhe as kush është në pushtet në Tiranë…

– Vetëm SHBA ka dijeni për këtë dukuri? Dhe për çfarë tjetër stigmatizohet Shqipëria?
Përgjigja e ekspertit: Këto dhe të tjera raporte, e përcaktojnë Shqipërinë jo vetëm si një prodhues të madh të drogërave të paligjshme, por edhe si vend tranzit të drogës që vjen nga Azia dhe më pas kalon në të gjithë Evropën.

– Çfarë të këqijash ka kultivimi i marijuanës dhe tranzimit i drogave të forta? Përse mos të jetojnë më mirë shqiptarët duke shitur këtë bimë magjike përderisa përdoruesit janë në Perëndim?
Përgjigjja e ekspertit: Shqipëria është kthyer në një bazë nga e cila grupet kriminale kontrabandojnë heroinë, kokainë, kanabis dhe substanca të tjera të paligjshme në pjesën tjetër të Evropës, sipas Agjencisë së Drogërave të Evropës.

– A është kjo një dukuri që vjen si reagim spontan i qytetarëve për shkak të varfërisë apo prapa kësaj dukurie është shteti? Cili është implikimi i shtetit në këtë dukuri?
Përgjigjja e ekspertit: Disa raporte lidhin Kryeministrin Edi Rama dhe ministrin e Brendshëm Saimir Tahiri me familjarë të tyre të angazhuar fuqishëm në biznesin e drogës.

– Cili është rreziku më i madh që shqetëson në këtë rast Perëndimin?
Përgjigjja e ekspertit: Mediat në Mbretërinë e Bashkuar kanë shkruar se simpatizantë të ISIS kanë marrë kontrollin e plantacioneve të kanabisit në Shqipëri.

– Po Shqipërisë vetë çfarë rreziku i kanoset?
Përgjigjja e ekspertit: Korrupsioni mund të jetë shkaktar që udhëheqësit e lartë të qeverisë mbyllin njërin sy për tregtinë e drogës, duke bërë që i gjithë sistemi i sigurisë dhe i zbatimit të ligjit në Shqipëri të rrezikohet.

-Po pasoja, rreziku për vendet e tjera të Europës paraqet kjo gjendje e Shqipërisë?
Përgjigjja e ekspertit: Në një kohë që anëtarësimi i Shqipërisë në NATO është i rëndësishëm, transformimi i saj në një strehë droge është i papranueshëm. Lidhjet e drogës në Shqipëri nuk janë një shenjë e mirë për sigurinë afatgjatë të partnerëve tanë evropianë.

– Çfarë mund të bënte SHBA apo marrëdhëniet e qeverisë shqiptare me qeverinë amerikane janë të tilla që heshtja është zgjidhja e artë?
Përgjigjja e ekspertit: Gjithçka do të nisë pas zgjedhjeve të nëntorit në SHBA. Kongresi dhe autoritetet amerikane të zbatimit të ligjit duhet të shikojnë më thellë në këtë mjedis të rrezikshëm, duke përfshirë një hetim ndërkombëtar të zyrtarëve të lartë të qeverisë shqiptare të lidhur me krimin e organizuar, trafikun e drogës dhe veprimtaritë terroriste. Vetëm nën udhëheqjen e fortë të SHBA një hetim i tillë mund të jetë i suksesshëm.
Si përfundim: Kultivimi i kanabisit pas kriminalizimit të Parlamentit dhe administratës publike dhe pas Reformës në Drejtësi për ndëshkimin e politikanëve të korruptuar që kanë marrë peng shtetin është çështja e tretë madhore që shqetëson Perëndimin dhe rrezikon rëndë Shqipërinë. Këtë e dinë të gjithë. Heshtja është e përkohshme dhe për arsye rrethanash të momentit. Rruga më e qartë është e ajo e angazhimit serioz amerikan, e cila besoj shumë që do të japë rezultatet e saj në zgjedhjet e ardhshme.
Konkretisht bëhet fjalë për hetim ndërkombëtar të lidhjeve të politikës dhe politikanëve shqiptarë me korrupsionin, krimin dhe kultivimin e kanabisit.
Kjo është rruga që me shumë gjasa të ndodhë dhe përmes këtij diskutimi do të ftoja të gjithë deputetët e ndershëm dhe të arsyeshëm të këtij Kuvendi të reflektojnë thellësisht.
Qytetarët duhet të ndërgjegjësohen për nevojën e veprimit të tyre aktiv.
Përndryshe vendi do të rrezikohej nga futja në rrugë me shumë të papritura dhe pasiguri, ose drejt një regjimi autoritar me pasoja për sovranitetin dhe integritetin e vendit ose drejt trazirave sociale.
Unë shpresoj shumë në reflektimin e politikës dhe qytetarëve për të vijuar rrugëtimin drejt demokracisë perëndimore liberale…