8.5 C
Tirana
E mërkurë, 30 Prill, 2025

Zbardhet gjobvënia e Shullazit, arrestohen dy ushtarët e tij

Kapobanda Emiljano Shullazi ka urdhëruar nga qelia e burgut ku ndodhet prej disa muajsh vënie gjobe 1 milion euro një biznesmeni. Dy ushtarët e tij, Endrit Qyqja dhe Endrit Zela, që ka dhe lidhje gjaku me Shullazin, u arrestuan dje pas kërkesës së Prokurorisë për Krime të Rënda. Sipas burimeve të Prokurorisë, Qyqja, nip i Shullazit, përfundoi në pranga sapo kishte mbaruar takimin me kapobandën në Burgun 313 në Tiranë. Ai u ndalua në lokalin përballë burgut. Ndërsa, Endrit Zela u arrestua brenda ambienteve të burgut, sapo kishte dalë nga takimi me Shullazin.
Burime nga Prokuroria kanë bërë të ditur se dy personat e arrestuar, në emër të Emiljano Shullazit, i kanë vendosur një gjobë 1 milion euro një biznesmeni të njohur në Tiranë. Ka qenë denoncimi i biznesmenit që Prokuroria ka nisur hetimet ndaj anëtarëve të bandës së Emiljano Shullazit që ka çuar edhe në arrestimin e tyre.
Prokuroria i dorëzoi policisë urdhër-arrestet rreth orës 12:30 dhe u ekzekutuan vetëm 5 minuta më vonë. Prokuroria i akuzon këta dy persona se në bashkëpunim me Emiljano Shullazin e Gilmano Danin, si edhe për llogari të këtyre të fundit, i kanë marrë shuma të konsiderueshme parash një biznesmeni, nëpërmjet kërcënimit dhe dhunës fizike. Biznesmeni që ka bërë denoncim në Prokurori, i ka identifikuar ata.
Në këtë mënyrë, Prokuroria e Krimeve të Rënda ka rikonfirmuar akuzat për Emiljano Shullazin.
Organi i akuzës thotë se, Shullazi dhe Dani dyshohet se i kanë marrë një biznesmeni shuma parash në kohë të ndryshme, duke e kërcënuar fizikisht, si edhe duke ushtruar dhunë fizike. Në disa nga rastet e kërcënimit për dhënie pasurie, në shoqërinë e Shullazit dhe Danit kanë qenë edhe Endrit Qyqja dhe Endrit Zela.
Po në bazë të veprimeve hetimore, rezulton se të dyshuarit Qyqja dhe Zela kanë qenë të pranishëm në disa momente, kur Emiljano Shullazi ka bërë kërkimin e padrejtë të sasisë monetare. Gjithashtu, këta persona kanë përfituar sasi monetare të lëvruara me çek nga ana e biznesmenit të dëmtuar, në favor të tyre, me porosi të Emiljano Shullazit.
Arrestimi i dy personave që janë pjesë e grupit të Shullazit vjen pak ditë pas publikimit të raportit të PAMECA 4, e cila për arrestimin e Shullazit tha se ishte kryer pa hetime të thelluara.

Hetimi i Prokurorisë

Me kërkesë të Prokurorisë për Krime të Rënda, Gjykata ka vendosur masën e sigurisë “arrest në burg” për Endrit Qyqja dhe Endrit Zela, të dyshuar për veprat penale të “Shtrëngimit me anë të kanosjes për dhënie pasurie”, në kuadër të grupit të strukturuar kriminal. Vendimi i Gjykatës është zbatuar nga ana e forcave të Policisë së Tiranës mesditën e së enjtes, në momentin që ata po linin ambientet e burgut, ku kishin patur një takim me Shullazin.
Prokuroria sqaron se, dy të arrestuarit e sotëm, në bashkëpunim me Emiljano Shullazin e Gilmano Danin, si edhe për llogari të këtyre të fundit, i kanë marrë shuma të konsiderueshme parash një biznesmeni, nëpërmjet kërcënimit dhe dhunës fizike. Prokuroria për Krime të Rënda bën të ditur se është duke zhvilluar hetime për një grup të strukturuar kriminal, i dyshuar për “gjobvënie”. Gjatë këtij hetimi fillimisht janë shtetasit Emiljano Shullazi, Gilmano Dani dhe Blerim Shullazi.
Në bazë të veprimeve hetimore ka rezultuar se, Shullazi dhe Dani dyshohet se i kanë marrë një biznesmeni shuma parash në kohë të ndryshme, duke e kërcënuar fizikisht, si edhe duke ushtruar dhunë fizike. Në disa nga rastet e kërcënimit për dhënie pasurie, në shoqërinë e Shullazit dhe Danit kanë qenë edhe Endrit Qyqja dhe Endrit Zela. Po në bazë të veprimeve hetimore rezulton se të dyshuarit Qyqja dhe Zela kanë qenë të pranishëm në disa momente, kur Shullazi ka bërë kërkimin e padrejtë të sasisë monetare.
Gjithashtu, këta persona kanë përfituar sasi monetare të lëvruara me çek nga ana e biznesmenit të dëmtuar, në favor të tyre, me porosi të Emiljano Shullazit. Në rastet e të dyshuarve Qyqja dhe Zela, rezulton se ndërmjet tyre dhe biznesmenit nuk ka asnjë marrëdhënie kontraktuale. Për këtë arsye, kërkimi i parave është realizuar në mënyrë të padrejtë, si edhe duke përdorur dhunën fizike dhe verbale.
Në këto kushte, Prokuroria për Krime të Rënda ka krijuar dyshimet e arsyeshme, bazuar në prova, se Endrit Qyqja dhe Endrit Zela kanë konsumuar elementët e veprave penale të “Shtrëngimit me anën të kanosjes për dhënie pasurie”, “Grupi i strukturuar kriminal” dhe “Veprime në kuadër të grupit të strukturuar kriminal”. Në bazë të veprimeve proceduriale të deritanishme, Prokuroria për Krime të Rënda kërkoi caktimin e masës së sigurisë “arrest në burg” për të dyshuarit Qyqja dhe Zela, të cilat janë miratuar nga ana e Gjykatës për Krime të Rënda.

Kush është biznesmeni që u gjobit me 100 mijë euro nga ushtarët e Shullazit

Zbardhet emri i biznesmenit ndaj të cilit bashkëpunëtorët e Emiljano Shullazit vendosën gjobë 100 mijë euro. Burime të Lapsi.al thonë se, bëhet fjalë për biznesmenin Ylvi Beqja nga Durrësi. Ky biznesmen pak kohë më parë deklaroi se i kishte dhënë 20% të hotel “Vollgës” Emiljano Shullazit, ndërsa më pas dy bashkëpunëtorët, Endrit Qyqja dhe Endrit Zela, i kishin vendosur gjobë prej 1 milion euro.  Qyqja dhe Zela u arrestuan dje, teksa dolën nga paraburgimi ku ishin takuar me Emiljano Shullazin.
Lidhur me çështjen e pronësisë së hotel “Vollgës”, pak kohë më parë administradori i firmës arabe, Ylvi Beqja, i kishte dërguar një letër kryeprokurorit Adriatik Llala, ku ndër të tjera i thoshtë se nuk kishte faj Emiljano Shullazi, por noterët, gjyqtarët dhe hipoteka. Ylvi Beqja është gjithashtu edhe pronari i kompanisë së kafes “Pascucci Albania”.
Me kërkesë të Prokurorisë së Krimeve të Rënda dje u arrestuan dy ushtarët e Emiljano Shulllazit vetëm pak çaste pasi kishin dalë nga paraburgimi, ku u takuan me kapobandën të akuzuar për gjobëvënie.
Endrit Qyqja dhe Endrit Zela dyshohet se janë pjesë e grupit, të dyshuar për disa gjobëvënie dhe atentate në Tiranë dhe Durrës. Sipas Prokurorisë dy të arrestuarit, në bashkëpunim me shtetasit Emiljan Shullazi e Gilmano Dani, si edhe për llogari të këtyre të fundit, i kanë marrë shuma të konsiderueshme parash biznesmenit, nëpërmjet kërcënimit dhe dhunës fizike.

Dëshmia e biznesmenit që “fundosi” Shullazin

Një biznesmen në fushën e bojërave në Shqipëri, ka dëshmuar kundër “bandës” së Emiljano Shullazit. Bëhet e ditur se Prokuroria i ofroi statusin e bashkëpunëtorit biznesmenit, i cili rrëfeu se ka paguar 100 mijë euro me çeqe dhe llogari bankare për Shullazin pas dhunës e kërcënimeve për jetën. Me dëshminë e tij, biznesmeni i bojërave ka fundosur Emiljano Shullazin dhe “bandën” e tij për akuzën e “gjobëvënies” në bashkëpunim. Prokuroria për Krime të Rënda bëri të ditur se, ka firmosur marrëveshjen e bashkëpunimit me një biznesmen të njohur në vend, që ka përfaqësi e një kompani të madhe bojërash në Shqipëri. Emri i biznesmenit, nuk bëhet i ditur për arsye sigurie, por mësohet se ai ka larguar familjen nga Shqipëria. Ndërkohë, vetë ka pranuar të bëhet pjesë e programit të bashkëpunëtorëve të drejtësisë, duke rrëfyer kërcënimet, dhunën fizike dhe gjobat që i ka paguar Shullazit dhe “bandës” së tij.
Burimet thonë se, për një periudhë 2-vjeçare, dyshohet se Shullazi i ka marrë me anë të kërcënimit dhe dhunës fizike biznesmenit rreth 100 mijë euro. Para, të cilat, mësohet se biznesmeni i ka paguar me çeqe, llogari bankare dhe me kompani transfertash të parave, duke lënë gjurmë në sistem. Kjo ka lehtësuar punë në mbledhjen e provave për Prokurorinë, pasi deklarimet e biznesmenit provohen edhe me faktet konkrete, si fatura të tërheqjes së parave nga të dyshuarit, Gilmando Dani, Endrit Qyqja dhe Endri Zela për llogari të Emiljano Shullazit.
Në dosjen e Prokurorisë, thuhet se është provuar se në disa raste ka qenë i pranishëm vetë Shullazi, gjatë dhunës fizike e kërcënimëve për jetën ndaj biznesmenit të bojërave, i cili i ka paguar në dorë me çeqe edhe vetë të dyshuarit si kreu i “bandës”.
Burimet thonë se nga hetimet e kryera, rezulton se mes biznesmenit dhe të dyshuarve nuk ka asnjë marrëdhënie kontraktuale apo biznesi të përbashkët, që të dyshuarit të përfitonin shumat e caktuara të marra nga biznesmeni.
Sipas Prokurorisë, pas administrimit të dëshmisë së biznesmenit u bë arrestimi i dy të dyshuarve Endrit Qyqja dhe Endri Zela, të cilët në bashkpëunim me Blerim Shullazin, Gilmando Danin dhe Emiljano Shullazin akuzohen për “Shtrëngim me anë të kanosjes për dhënie pasurie”, në kuadër të grupit të strukturuar kriminal dhe “Veprime në kuadër të grupit të strukturuar kriminal”.

R.POLISI

Shoferi i aksidentit me 4 viktima ndiqej nga policia

Një aksident tragjik ka ndodhur rreth orës 4:15 të mëngjesit të djeshëm në autostradën Tiranë Durrës. Përplasja ballore e dy automjeteve shkaktoi 4 viktima në afërsi të Sukthit. Policia bëri të ditur se, automjeti me targa AA 979 GV që drejtohej nga Dashnor Deliallisi po ecte në sens të kundërt me një shpejtësi kur u përplas me mjetin me targa AA 694 IL që drejtohej nga 23- vjeçarja Greta Sherifi. Nga përplasja e dy automjeteve humbi jetën në vend 36-vjeçari Deliallisi dhe 3 vajzat që udhëtonin në automjetin tjetër, Greta Sherifi 23 vjeç, banuese në Sarandë, pronare e makinës, Izabela Balla, 33 vjeç, si edhe Elona Kaçibaros, 34 vjeç, banuese në Tiranë. Ndërkohë sipas policisë drejtuesi i mjetit tip “Benz” Dashnor Deliallisi, një emigrant i sapo kthyer nga Italia po lëvizte me 150 km në orë. Rruga ku ndodhi aksidenti është zgjeruar nga të dy anët në tre korsi nga një subjekt privat.
Burimeve të policisë thonë se, shkak është bërë futja në krah të kundërt e automjetit tip “Benz” që pak minuta më parë nuk kishte ndalur një postblloku policie. Ai drejtohej nga 36- vjeçari Dashnor Deliallisi, nga Durrësi, baba i dy fëmijëve, emigrant në Itali. Sipas hetimeve paraprake të ekspertëve të policisë, për t’i shpëtuar ndjekjes së uniformave blu, ai ka kaluar në krahun e kundër të autostradës, ku është përplasur me automjetin ku udhëtonin 3 vajza dhe që drejtohej nga 23-vjeçarja Greta Sherifi nga Saranda. Në makinën e saj ndodheshin si pasagjere dy mikeshat e saj, Izabela Balla 33-vjeçe që jetonte në Greqi dhe Elona Koçibaros 34 -vjeçe nga Tirana, të treja humbën jetën.
Mësohet se të tre vajzat ishin nisur për një udhëtim drejt Greqisë ku jetonte njëra prej tyre. Automjetet në të cilat udhëtonin viktimat janë shkatërruar plotësisht, ndërsa është dashur ndërhyrja e policisë dhe zjarrfikëses për të nxjerrë trupat e pajetë.
Ekspertë të policisë kanë shkuar në vendin e ngjarjes dhe janë duke punuar për zbardhjen e plotë të rrethanave të këtij aksidenti të rëndë. Trupat e viktimave janë dërguar fillimisht në morgun e qytetit të Durrësit. Dyshohet se 36-vjeçari Deliallisi ka hyrë në rrugë nën efektin e pijeve alkoolike, por do të jetë ekspertiza që do të vërtetojë këto dyshime. Burime policore në vendin e ngjarjes thanë gjithashtu se, automjeti i tij ka qenë duke udhëtuar me një shpejtësi tej normave të lejuara dhe se në këtë aks rruga është e pandriçuar.
Pasi janë njoftuar mbi lajmin e kobshëm për ndarjen tragjikisht nga jeta e vajzave të tyre, familjarët e 3 vajzave kanë mbërritur në morgun e Spitalit të Durrësit për të identifikuar viktimat, si dhe për të marrë trupat e tyre të pajetë. Të zhytur në dhimbje të thellë e tronditje të pashoqe, familjarët e vajzave kanë thënë se 3 të rejat ishin në Greqi për disa ditë pushime. Njëra prej tyre, Izabela Balla, kishte familjen në Greqi ku jetonte prej vitesh. Paraprakisht, dyshohet se ajo ishte shoferja e mjetit, shkruan portali “Durrës lajme”.
Ndërsa për 36-vjeçarin nga Durrësi, Dashnor Deliallisi, mësohet se ishte emigrant në Itali, i martuar e me dy fëmijë. Nuk është ende e qartë se për çfarë arsye ai po lëvizte në sens të kundërt në autostradë, duke u përplasur me “Benz”-in tjetër ku udhëtonin 3 vajzat, përplasje e cila rezultoi fatale e tragjike.

Shoferi i aksidentit në krah të kundërt dhe me 150 km/orë

“Toni Montana”, është ky pseudonimi në rrjetet sociale i 36-vjeçarit, Dashnor Deliallisi, i cili është shkaktar i aksidentit në autostradën Tiranë-Durrës, në Sukth. Tre vajza, shoqe me njëra-tjetrën, gjetën vdekjen pasi u përplasën ballë për ballë me makinën e drejtuar nga Deliallisi, i cili ecte kundravajtje. Edhe 36-vjeçari gjeti vdekjen nga aksidenti. Automjeti i tij, me targa AA 979 GV, po ecte në sens të kundërt kur u përplas me automjetin me targa AA 694 IL, që drejtohej nga 23-vjeçarja Greta Sherifi.
Burime zyrtare bëjnë të ditur se mjeti që ecte në krah të kundërt dhe që drejtohej nga 36-vjeçari Dashnor Deliallisi ishte në ndjekje nga policia. Policia sqaron se ka qenë një patrullë e efektivëve rrugorë që ka konstatuar mjetin tip “Benz” në afërsi të një karburanti, duke ecur në krah të kundërt dhe me shpejtësi tej normave të lejuara, 120 km në orë. Ata i kanë bërë shenjë të ndalonte, por Deliallisi ka shtuar shpejtësinë, duke vënë në rrezik edhe jetën e punonjësve të policisë.
Pas kësaj, policia është vënë në ndjekje, por mjeti është shkëputur, duke përfituar në kohë, pasi lëvizte në sens të kundërt dhe shërbimet e policisë nuk kanë lëvizur në atë sens. Sipas të njëjtave burime, vetëm pak minuta më vonë është konstatuar se po ky mjet ishte përfshirë në një aksident në autostradën Tiranë-Durrës, në Sukth, rreth orës 04:15.
Pasi eci për rreth 12 kilometra në krah të kundërt, duke qenë se ndiqej nga policia, e cila e kishte pikasur duke qarkulluar tej normave të lejuara, ai u përplas në Sukth me një automjet tip “Benz”, aksident nga i cili 36-vjeçari dhe tre të rejat gjetën vdekjen. Dashnor Deliallisi ishte qytetar rom, i lindur në Fushë Krujë dhe me mbiemër të ndryshuar. Aktualisht, ai bashkëjetonte me një grua në qytetin e Durrësit. Në fakt ai rezultonte i papunë, por nga fotot e publikuara në rrjetet sociale duket që bënte jetë luksoze me makina të shtrenjta, në lokale nate, me orë e unaza prej ari.
Sipas burimeve zyrtare, Dashnor Deliallisi është një shtetas me precedentë penalë, i cilësuar si “kamikazi shkatërrues”. Ai rezulton të jetë arrestuar në vitin 2011 në lagjen 12 në Durrës, pasi tentoi të vriste një person me një armë pa leje. Në momentin e aksidentit në Sukth, Dashnor Deliallisi dyshohet të ketë qenë nën efektin e alkoolit dhe drogës, por ende nuk kanë dalë përgjigjet përfundimtare, përsa i përket analizave toksikologjike, nga Instituti i Mjekësisë Ligjore.

Prokuroria të hetojë dhe të zbardhë shkaqet e aksidentit

Një qytetar nga Durrësi i ka dërguar një mesazh ish-Kryeministrit Berisha ku shkruan se, policia është përgjegjëse për aksidentin që u mori jetën 4 të rinjve në Sukth. “Qytetari dixhital denoncon: përgjegjësinë e policisë në aksidentin që ju mori jetën 4 të rinjve në autostradën Tiranë-Durrës”, shkruan Berisha në një postim në Facebook.
“Duke shprehur ngushëllimet më të thella familjarëve të viktimave dhe ndarë me to dhimbjen e madhe, i bëj thirrje Prokurorisë të hetojë me përparësi këtë informacion për të zbardhur shkaqet e aksidentit tragjik që tronditi sot mbarë vendin. sb”, shkruan Berisha duke publikuar mesazhin e qytetarit.
“Përshëndetje, po ndjek parlamentin të lutem Dr., thuaj Saje qorrit se vdekja e 4 të rinjve në autostradë është shkaktuar nga policia. Burim i sigurtë. Djali që u përplas me makinën e 3 vajzave ishte në ndjekje nga policia që i ishte vënë pas me sirenë ndezur”, shkruan qytetari nga Durrësi.

Udhëtimi i vdekjes, sms e fundit të 33-vjeçares

Ndonëse ato u nisën së bashku për një udhëtim drejt Greqisë, rruga e tyre u pre në mes nga një aksident që i mori jetën tragjikisht në një moshë të re. Në profilin e ‘Facebook’ e të treja vajzave shihen foto që ato kanë dalë bashkë, ndërsa shihen të pandara. Në mesazhet e fundit të Izabela Ballës, shihen se si ajo bën dedikime me foto dhe thënie për njerëzit e saj të dashur, ndërsa disa prej tyre janë domethënës.
Po ashtu, shihet se në postimin e fundit Izabela Balla ka shpërndarë horoskopin e datës 11 tetor. “Ujori, Hëna vazhdon të jetë në shenjën tuaj. Mund të ndjeheni më emocionalë se zakonisht, ta ndjeni më shumë dashurinë për partnerin apo partneren. Vëmendja është tek ju dhe ju duhet ta shfrytëzoni gjithashtu”.
Ndërkohë, një foto që Greta Sherifi ka postuar në ‘Fb’ është një tato, dedikim për babain e saj. “Nëse dikush ka humbur 5 kg, të vijë t’i marrë se i kam unë”, thuhet në mesazhin e fundit që ka shpërndarë Elona Kaçibaros, 34 vjeçe, nënë e një fëmije.
Greta Sherifi, vetëm 23 vjeç, drejtonte mjetin tip ‘Benz’ ndërsa pasagjere ishin Izabela Balla, 33 vjeçe dhe Elona Kaçibaros. Vajzat ishin nisur në mëngjes herët për në Greqi, ku do të kalonin disa ditë tek Izabela Balla, e cila jetonte atje, ndërsa fati i keq deshi që ky të ishte udhëtimi i tyre i fundit.

Droga, muri i rrezikshëm i Shqipërisë në Evropë

Sali BERISHA

Ju zotërinj keni kohë që, në një marrëzi kolektive, nuk them të gjithë, por tre a katër nga ju, përpiqeni me çdo kusht t’u thoni shqiptarëve se është pakësuar kanabisi, se po e luftoni me sukses, në një kohë kur vetëm dje nga e mbarë bota ka katër artikuj që damkosin Shqipërinë dhe që s’ka ndodhur kurrë në një hark kohor të shkurtër të shkruhen katër shkrime, secili më i zi se tjetri për Kolumbinë e Evropës.  Qëndrimi ynë mbi këtë është denoncimi, nga mëngjesi deri në darkë, me të gjitha mënyrat e mundësitë, me të gjitha lidhjet, me të gjithë potencialin.  Mund të ketë prej jush që mendoni se kjo është e gabuar. Por ju garantoj se kjo është në interesin më absolut të fëmijëve tuaj. Edi Rama po e çon vendin drejt drogës sepse vetë është i droguar, është përdorues droge.  Mediat njoftuan se është futur Krokodili, droga letale, vdekësore, droga e të varfërve. Po nuk vumë kufi dhe po nuk qëndruam, këtë që i keni bërë ju Shqipërisë, s’ja ka bërë asnjë pushtues deri sot. Në mënyrë absolute asnjë nga pushtuesit nuk ka cenuar në këtë mënyrë qenien shqiptare sa ç’po e sulmoni ju me drogën. U bëj thirrje shqiptarëve të largohen prej saj, se në mënyrë absolute është alternativa më e dëmshme, më e rrezikshme, për veten e tyre, fëmijët, vendin e tyre, për kombin e tyre.  Unë që e them këtë e di shumë mirë që ka dhe shtete apo vende që po shkojnë drejt legalizimit. Hajt ta marrim variantin që po e legalizojmë, të mbjellim tokat me hashash. Ku do e çojmë? Fëmijëve tanë? Do të ketë një rënie katastrofale të çmimit, tregu europian nuk e merr kurrë. Ku do e çosh, çfarë do të bësh? Do të mbytesh në kanabis, do të mbytesh në drogë. Një gazetar amerikan investigativ dha një mesazh këto ditë për shqiptarët: mos u bëni si kolumbianët. 30 vjet ka vazhduar lufta në Kolumbi, vetëm me një qëllim, drogën dhe vetëm drogën. Sigurisht ja u qan hallin ky (Tahiri), sepse Habilajt e tij mbjellin gjysmën e Vlorës ndaj ja u qan hallin ky. Unë i mirëkuptoj ata që e mbjellin thotë. Sigurisht që i mirëkupton sepse është përfitues kryesor i drogës në Shqipëri. Ju në këtë mënyrë po ngrini një mur, por murin më të rrezikshëm të Shqipërisë në Evropë, po shkatërroni me shpejtësi të madhe imazhin e vendit dhe të kombit. Ata që përpiqen që të bëjnë krahasime me kombin e Spinozës apo e gjenive të tjerë, gabojnë shumë rëndë. Së pari, nuk njohin legjislacionin e atij kombi, së dyti, asgjë s’mund të nxijë as Rembrantin, as Rubensin, as Spinozën dhe asnjë nga gjenitë e atij kombi që i ka bërë dritë njerëzimit.
Nuk po ju quaj unë kanabista, po ju quan e gjithë Shqipëria, po ju quan e gjithë bota. Çfarë doni më shumë se sa 4 artikuj në të katër anët e planetit për Kolumbinë e Europës! A ju dhembset apo jo Shqipëria? Apo për xhepin tuaj jeni të gatshëm të shkelmoni çdo qelizë, çdo interes të këtij vendi dhe keni pafytyrësinë dhe paturpësinë dhe thoni se nuk ka kanabis në një kohë që çdo shqiptar e sheh sot se ka dy ministra bujqësie, njëri është zoti Panariti, tjetri është zoti kanabist Tahiri. Në një kohë kur gjitha Shqipëria e shikon se një vello e zezë krimi ka mbuluar Shqipërinë, nga thellësitë e Alpeve deri në Pogon. Vetën 3 ditë më parë, një djalë 31 vjeç u ekzekutua me kodin e mafies, në Shën Gjergj, me një plumb mbas koke dhe ky është viktima e tetë.

Qeveria socialiste i tha qeverisë greke se problemi çam nuk ekziston

Zoti kryetar kam dhe një çështje që dua të shpreh mendimin tim, lidhur me diskutimet që bëhen për marrëdhëniet me fqinjët dhe dua të të them këtu se, në tërësi marrëdhëniet me fqinjët, falë doktrinës së Davutoglu të “zero problemeve me fqinjët”, me keqardhje duhet të them se problemet me fqinjët janë sot më serioze se ndonjëherë më parë. Po pse? Nuk them se pala shqiptare ka bërë akte, të cilat e kanë përkeqësuar marrëdhënien, jo nuk e them këtë. Por them se pala shqiptare, si e papërgjegjshme ka pranuar fermentimin e problemeve. Fermentimi i problemeve është problem madhor në vetvete. Ne kemi probleme me fqinjët, por ne jemi të dënuar të bëjmë gjithçka për zgjidhjen e tyre me dialog dhe në mënyrë konstruktive. Unë mendoj se, gabimi më i madh është nëse këto probleme përdoren për qëllime elektorale. Ato nuk i shërbejnë cilitdo që i përdor. Me fqinjët ne duhet të jemi seriozë dhe sigurues, duke i trajtuar dhe qëndruar në çdo problem. Por mund të evitohet diplomacia e megafonit. Ajo nuk të sjell gjë. Të jep duartrokitje po asgjë tjetër. Unë po marr problemin çam.  Më datën 13 janar ‘91 në takimin e parë me një Kryeministër që kam patur unë me tre a katër bashkëpunëtorë në hotel “Dajti”, ja kemi ngritur çështjen çame. E ngrita në Stamboll, edhe aty kam qenë me tre a katër vetë, më tha Kryeministri Mitsotaqis se sa herë takohemi po këtë problem më ngre ti. Po, i thashë, unë këtë problem do të ngre, po të duash takohu ose jo me mua, por unë, sa herë të takohemi këtë problem do ta kem çështje të dytë ose të tretë. Pra, domethënia e kësaj ishte që, po të duash mos më tako, por nëse më takon unë këtë problem do ta ngre. Ky problem, me gjithë komplikimet që lindën, u trajtua në çdo diskutim dhe u konkretizua në traktatin e miqësisë dhe bashkëpunimit, i cili ka një meritë të jashtëzakonshme. Është dokumenti i parë ligjor që sanksionon kufijtë. As Enver Hoxha nuk kishte vënë kufij. Një pjesë e madhe e kufirit të Jugut ishte pa asnjë piramidë. Zona të tëra në kufij ishin pa piramida sepse shmangej sherri. Ne i thamë jo, ne do të njohim. U bënë kaq debate, pati pretendime për protokollon e Firenzes dhe për shumë gjëra, por ne thamë jo, duhet ta njohim bilateralisht dhe u arrit kjo.  Çfarë ndodhi? Qeveria socialiste që erdhi pas nesh i thotë qeverisë greke se nuk ekziston për ne problemi çam. Këtë ma ka thënë Simitis në ambasadën greke dhe e ka bërë publike që atë ditë. Jo i thashë, problemi çam ekziston. Dhe këtë ja thashë jo vetëm atij, por edhe Kancelarit Shreder në “Rogner”. Pra, e varrosën problemin çam. Dhe unë i them Kancelarit gjerman se këta heqin nga axhenda një gjë të tillë. E vërteta është se e mbajti shënim dhe e tha diku. Tani ç’ndodh? Unë nuk flas në mënyrë përfundimtare këtu, por u them shqiptarëve një gjë: në mënyrë absolute shumë shpejt do të kuptoni se në interes të kujt vepruan. Dhe u them këtu, në bindjen më absolute, se vepruan në interes të një pale të tretë. Historia do e provojë. Kjo është deklarata ime. Por unë nuk ngutem.

Çdo lloj insinuate për rivendikime territoriale është e gabuar

Duke thënë këto, në çdo takim që kam patur, kam insistuar pranë autoriteteve greke dhe insistoj ende edhe sot edhe pse nuk kam ndonjë peshë, se qeveria shqiptare nuk ka asnjë alternativë tjetër përveç zbatimit të vendimit të Gjykatës Kushtetuese, ndaj dhe çështja duhet të shkojë të zgjidhet sipas ligjit ndërkombëtar sepse qeveria nuk mund të thyejë vendimin e gjykatës pavarësisht, e them këtu dhe mbajeni mend mirë, e keni bërë për llogari të një pale tjetër. Kaq! Tani vijmë te kjo qeveri. Unë besoj se kjo qeveri greke, me dy vizita të ministrit tregoi një vullnet për t’i çuar gjërat përpara, sepse gjëja më e gabuar është t’i lësh ato në vendnumëro. Nga ana tjetër dëgjova edhe përfaqësuesit tanë që thanë se duhet ta rishqyrtojmë traktatin dhe do ta plotësojmë. Plotësisht dakord, nuk them se është i përsosur se kanë kaluar 20 vite. Le ta plotësojmë, por ajo është një bazë solide e pandryshueshme. Dhe është gabim i madh nga shqiptarët të heqin dorë, por dhe nga grekët që duan të përmirësojmë marrëdhëniet me Shqipërinë s’mund të heqin dorë nga ai traktat. Jo. A mund të thuash që çështja çame nuk ekziston? S’mund ta thuash kurrë, sepse ajo ekziston. Se ajo është një çështje ndërgjegje njerëzore në radhë të parë. Ka një spastrim etnik, ka një krim të papërshkrueshëm aty, ka një mashtrim. Kolaboracionizëm ka patur në gjithë Europën, por çamët kanë luftuar dhe nuk mund të shkelësh mbi gjakun e tyre nëse do t’i qëndrosh të drejtës historike. Natyrisht çdo lloj insinuate për rivendikime territoriale është absolutisht e gabuar. As kërkojmë as mund të kërkojmë ndryshimin e kufijve. Kërkojmë të zgjidhim mbi bazën e konventave ndërkombëtare dhe të drejtave ndërkombëtare ato çka u takon çamëve, dhe kjo vetëm e lartëson Greqinë, djepin e demokracisë botërore.

Urimi për ditëlindjen e Dritëro Agollit

Kam zgjedhur këtu një strofë nga poeti i talentuar, poeti i madh, kolosi i kulturës dhe letrave, në ditëlindjen e tij, Dritëro Agollit, por dhe si mesazh për t’ja uruar këtë ditëlindje:
“I dashur shok,
i miri vëlla,
etërit tanë mbathin opinga,
s’duhet të flas me fjalë të mëdha,
vetëm të lutem mos më bëj të liga”
Shqiptarët janë njerëzit e opingave, njerëz që vijnë nga varfëria, njerëz që vijnë nga vuajtje kolosale, pse doni t’i zhysni në kazanë dhe në kanabis?! Apo vetëm që të mbushni xhepin ju o zotërinj kanabistë dhe zonja kanabina? Apo vetëm e vetëm që t’u mbyllni gojën apo vetëm që të blini vota? Është një akt i shëmtuar dhe i papërgjegjshëm.

Investigimi i aferës së Sharrës nxori përfshirjen direkte të Veliajt

Partia Demokratike reagoi dje në lidhje me censurimin e emisionit “Publicus” mbi aferën e landfillit të Sharrës si dhe përgjegjësinë e Erjon Veliajt mbi vrasjen e 17 vjeçarit në këtë landfill. Sekretarja për Marrëdhëniet me Publikun, Grida Duma tha se ishte Veliaj që bëri çdo përpjekje për mostransmetimin e emisionit. “Mbrëmë Opinion bëri të mundur transmetimin e emisionit “Publicus”, një investigim mediatik që Erjon Veliaj e kishte bllokuar. Dhe mbrëmë u kuptua fare qartë pse Erjon Veliaj bëri çdo përpjekje për ndalimin e këtij emisioni. Investigimi mediatik nxori qartë aferën e madhe korruptive e kriminale të Sharrës dhe përgjegjësinë direkte të Erjon Veliajt në vdekjen e Arditit. Investigimi zbuloi firmën e Erjon Veliajt në kontratën me kompaninë 3R, e kryetarit socialist të Peqinit, që edhe sot e kësaj dite merret në mbrojtje nga Edi Rama e nuk i dorëzohet drejtësisë. Mbrëmë shqiptarët panë se në kantierin e Veliajt nuk zbatohej asnjë ligj, nuk respektohej asnjë kriter sigurie, nuk paguheshin siguracionet. Panë kushtet mizerabël të punës ku kishte humbur jetën para Arditit edhe një grua, një lajm i mbajtur i fshehur deri tani. Të rinj, të mitur, burra e gra shfrytëzoheshin në këtë landfill, ndërkohë që Erjon Veliaj kishte premtuar punë të sigurtë me thirrjen publike që u bëri qytetarëve. Publikimi i emisionit të censuruar nga Erjon Veliaj është një lajm i mirë që tregon se ka ende garanci në vend për lirinë e shprehjes, megjithë shtypjen kriminale që pushteti u bën mediave herë me kërcënime e herë me joshje. Transmetimi mbrëmë është një thirrje e fortë për Prokurorinë e Tiranës, që të mos dremisë mbi këtë dosje, por të çojë hetimin përpara e të bëjë drejtësi për jetët e humbura në këtë aferë korrupsioni e krimit të Erjon Veliajt” u shpreh Duma.

Çdo përpjekje për të vendosur në hije Kosovën, reminishencë e bllokmenëve të vjetër

Berisha ironizoi dje qëndrimet e Ramës gjatë vizitës në Beograd ndërsa theksoi se çdo përpjekje për të vendosur në hije Kosovën është reminishencë e tradhtisë së vjetër kombëtare dhe e qëndrimeve të bllokmenëve të vjetër. “Dua t’i them Edi Ramës dhe këto fjalë. Ka deklaruar sot aty se nuk çan kokën nëse e quajmë tradhtar apo hero. Në fakt zotëri nuk meriton të quhesh as tradhtar e as hero, por thjesht një batakçi. Je batakçi! Shkon për të shitur pikturat. Në Paris shiste ikonat e vjedhura, këtu shet shkarravinat që s’t’i blinte njeri. Nga shitës ikonash në shitës shkarravinash. A e dini ju që pa u bërë Kryeministër ai zotëri kishte gjithsej 3 mijë euro të deklaruara? Unë aty i kam të miat. Aq i kishin prodhuar atij pikturat dhe Kurbani. Pra, a shkon njeriu në konflikt të hapur interesi? Përdor postin e Kryeministrit për të shitur pikturat njësoj siç përdorje emigracionin në Francë për të shitur pikturat e vjedhura. Unë kërkoj që Parlamenti të hetojë të gjitha ekspozitat që ky zotëri ka hapur si Kryeministër. Që të gjitha me para shtetërore e në konflikt të hapur interesi. Në fakt ai është mr. Kazani. E filluan si mazhorancë qelbësirash e mbyllët dhe një herë si një pakicë e lemeritur plehrash. Shqiptarët sot ju urrejnë ju sa vetë plehrat që kanë mbushur rrugët e tyre!” u shpreh Berisha.  Nga ana tjetër, ai i cilësoi qendrimet e Ramës si servilosje ndaj Beogradit. “Këta kanë një gjë: Meka e neobllokmenëve është Beogradi. Vdesin për t’u servilosur, krekosur, për t’u plluqur me Beogradin, e kanë sëmundje. Sot e ndoqa aktivitetin. Dhe sot pashë një gjë të cilën unë e vlerësoj, sot Kryeministri i Serbisë deklaroi, për herë të parë që e dëgjoj unë, se jam i vendosur të punoj për marrëdhëniet, ai tha serbo-shqiptare ne themi shqiptaro-serbe. Dhe mendoj se ky është një zhvillim shumë pozitiv.  Mirëpo tani ç’na del? Nëse themi do të punojmë për marrëdhëniet shqiptaro-serbe, kjo nënkupton shqiptarët kudo që janë, vetëm me një kusht ama, që është jetik për suksesin e këtyre marrëdhënieve: Kosova në ballë. Në këto marrëdhënie udhëheq Kosova dhe këto marrëdhënie do të shkojnë në ato nivele ku duhet vetëm nëse për palën shqiptare të udhëheqë Kosova. Nuk them që Tirana të jetë jashtë, në asnjë mënyrë. Nuk them që Tirana të mos bëjë politikën e vet, në asnjë mënyrë. Por ama duhet të kemi një ndërgjegje, një vetëdije, nëse flasim për marrëdhënie shqiptaro-serbe, këto marrëdhënie do të njohin sukses dhe jemi të interesuar për sukses, atëherë kur ato për palën shqiptare prin Kosova. Çdo përpjekje për të vendosur në hije Kosovën është reminishencë e tradhtisë së vjetër kombëtare e bllokmenëve të vjetër, e kthyer nga bllokmenët e rinj. Çfarë do të thotë kjo? Thotë (Rama) se shkoi për rrugën Nish-Durrës. Kë do të mashtrosh ti me këtë, Nastradin? Ky është një segment rruge Nish-Merdare dhe ne e mirëpresim, por është program i mirëfilltë serb. Ti hajde mburru me ndonjë projekt tëndin, por s’ke marrë dot asnjë projekt nga iniciativa evropiane. Kosova mori 4-5 projekte, kurse Shqipëria mori korridorin e Bregut, 10 mln euro investim. Asgjë s’mori. Ndaj duhet të punojmë për marrëdhëniet, është detyrë, dhe duhet të jemi të vëmendshëm se ne trashëgojmë 47 vjet diktaturë, e cila na la me konceptet e marrëdhënieve të para 47 viteve, të cilat ishin marrëdhënie barbarie ndaj nesh, pushtim ndaj nesh. Dhe është në detyrimin tonë që ne të luftojmë për t’i kapërcyer ato. Pra, edhe në këtë çështjen e marrëdhënieve me Serbinë, dhe marrëdhëniet shqiptaro-serbe janë shumë të rëndësishme për Ballkanin dhe rajonin, por ama në ballë duhet të jetë Kosova dhe interes i parë duhet të jetë Kosova. Asnjë cenim, përveç interesave të vjetra pushtuese nuk bën Kosova” tha Berisha

Tjetër avion me drogë ‘kapet’ në Lalëz

Një avion është ulur dje në Gjirin e Lalzit për t’u ngarkuar me kanabis sativa. Ishte deputeti i PD, Asllan Dogjani që deklaroi në sallën e Kuvendit se mbrëmjen e së enjtes ishte ulur një avion në Gjirin e Lalzit për t’u ngarkuar me drogë. “Një avion në Lalëz për t’u ngarkuar me drogë. Sapo u informuam me foto në rrjetet sociale. Avioni tjetër para ca ditësh, pista në Durrës. Në njërën anë procedohen fëmijë me pak gram hashash dhe në anën tjetër, qeveria krenohet me statistika dhe droga derdhet lumë”, deklaroi Dogjani. Në një lidhje telefonike, Dogjani ka konfirmuar se informacionin e ka marrë në rrjetet sociale dhe nga praktika ka dhënë “lajmin” në Parlament. “Unë pashë në rrjetet sociale një avion që ishte hedhur. Iu referova asaj që pashë në rrjetet sociale. Duke u nisur nga praktika, informacionet dhe rasteve të ndryshme. Nuk kam informacion tjetër”, ka thënë Dogjani.
Pas kësaj deklarate ka reaguar Policia e Durrësit, e cila pohon se avioni ka qenë me turistë. Sipas policisë, avioni ka fluturuar nga ora 16:00 deri në 17:00 mbi Gjirin e Lalzit, por nuk është ulur. Po kështu, policia deklaron se avioni kishte plan fluturimi të miratuar nga Aviacioni Civil. “Një avion sportiv turistik ka fluturuar nga ora 16:00 deri në 17:00 mbi Gjirin e Lalzit
Shërbimet e Policisë Lufitare kanë ndjekur avionin nëse do ulej në Gjirin e Lalzit, por nuk është ulur. Avioni sportiv i përket “Viva Air” dhe kishte plan fluturimi të miratuar nga Aviacioni Civil. Avioni kishte itinerar Rinas-Gjiri i Lalzit-Rinas, por pa ndalesë në Gjirin e Lalzit. Gjithë autoritetet policore kanë qenë në gatishmëri nëse avioni do ulej, por avioni nuk është ulur në asnjë vend”, deklaron Policia e Durrësit.
Megjithëse policia mundohet në cdo rast të fshehë gjurmët e avionëve të drogës, në zonën e Shqiërisë së mesme ka të paktën edhe dy pista të tjera avionësh që ngrihen të ngarkur me drogë.

Pista e Ishmit

Në mesin e muajit shtator një avion me drogë në Ishëm. Ky avion ishte i treti transportues i asaj dite që ngarkohej në pistën e Ishmit. Burimet bënë të ditur se, ngarkesa që mbante në bord avioni kishte 2 ton drogë. Ky ka qenë dhe gabimi i trafikantëve. Ata e kanë ngarkuar avionin më shumë se pesha që ai duhet të mbante. Avionë të tillë mbajnë deri në 1.5 ton ngarkesë, ndërsa trafikantët e kanë ngarkuar atë me 2 ton. Ky ka qenë edhe shkaku i rrëzimit të avionit.
Pasi ai ka rënë, trafikantët kanë bërë edhe krehjen e menjëhershme të zonës, duke e transportuar drogën në skafe. Kjo ka qenë edhe arsyeja që policia ka vonuar me tre orë reagimin për avionin e rrëzuar. Është provuar po ashtu se, avioni i pilotit italian, Giudi, nuk ka qenë i pari që ka bërë transportin e drogës drejt Italisë ditën e enjte. Ai ka qenë avioni i tretë i ngarkuar me kanabis. Dy avionët e tjerë kanë fluturuar para tij dhe nuk janë rrëzuar.
Grupi hetimor, ka kërkuar nga Ministria e Transporteve t’i vënë në dispozicion emrat e ekspertëve, të cilët kanë kualifikimin e duhur për të kryer ekspertizën e shkakut të rrëzimit të avionit. Burimet thonë se, pavarësisht kërkesës së organit të akuzës, kjo zyrë në bazë të Kodit Ajror duhet të hetojë shkaqet teknike të rrëzimit të avionit dhe më pas materialet t’i referojnë në Prokurori. Sipas hetuesve, në rastin e pilotit italian Guido Andra Guidi, kemi të bëjmë me incident edhe aksident. Pasi shkelja e hapësirës ajore dhe cënimi i saj nga piloti italian cilësohet si një incident, ndërsa rrëzimi i tij në pistën e sajuar në Gotull është aksident. Për këtë fakt, zyra për hetimin e incidenteve dhe aksidenteve ajrore në Ministrinë e Transporteve është e detyruar të kryejë hetimet konkrete për llogari të saj, pavarësisht kërkesës së Prokurorisë për kryerjen e ekspertizës së shkakut të rrëzimit.

Mbesa e Mogherinit në kartelin shqiptar të drogës

Mbesa e Mogherinit e përfshirë në bandën e kokainës, drejtohej nga një shqiptar dhe djali i një mafiozi
Autoritetet italiane shkatërruan një ditë më parë një organizatë që merrej me trafikimin e kokainës dhe marijuanës në lokalet, klubet dhe restorantet vip të Romës. Mes 15 personave të arrestuar është edhe mbesa e Federica Mogherinit, përfaqësuese e lartë e Bashkimit Evropian për Punët e Jashtme.
Sipas mediave italiane, organizata kriminale drejtohej nga shqiptari Rigers Durici dhe Manuel Zumpano, djali i një anëtari të organizatave mafioze në Romë, në vitet ‘80.
Në fakt, mbesa e zyrtares së lartë të BE-së është ndaluar, pasi dyshohet si bashkëpunëtore e të dashurit të saj Roberto Nicoletti, i cili ishte pjesë e organizatës që merrej me trafikun e kokainës në kryeqytetin italian.
Sipas përgjimeve, 26-vjeçarja, Gaia Mogherini rezulton se ka marrë nga Manuel Zumpano në 28 shkurt të vitit 2015 “një sasi të papërcaktuar lëndë narkotike të tipit kokainë, me qëllim që të siguronte tregtimin e saj”.
26-vjeçarja është vajza e vëllait më të madh nga një prind e shefes së diplomacisë së BE-së, Federica Mogherini.
Mediat italiane shkruajnë se organizata e drejtuar nga shqiptari Durici dhe djali i mafiozit Zumpano e siguronte drogën nga Spanja dhe Shqipëria. Sipas hetimeve, dyshohet se ky grup kriminal qarkullonte drogë me vlerë 100 mijë euro gjatë një jave.
Nuk dihet nëse përfshirja në kartelin e drogës e mbesës së Përfaqësueses së Lartë të Bashkimit Europian do të ndikojë në të ardhmen politike të Mogerinit. Deri tani nuk ka pasur asnjë reagim zyrtar nga Mogerini dhe as nga Italia që është edhe vendi që vendos për kuotat e veta në Komisionin Europian. Rasti konsiderohet si mjaft serioz. Ajo që të habit është fakti se mbesa e Mogerinit është pjesë e një karteli droge që drejtohet nga një shqiptar, ndërsa vetëm pak javë më parë Përfaqësuesja e Lartë e Bashkimit Europian dha një prononcim të zbehtë në lidhje me drogën nga Shqipëria në drejtim të vendeve të BE.
Ndërsa kartelet e drogës nga Shqipëria po inkriminojnë edhe familjarë të zyrtarëve të lartë perëndimorë në trafikun e drogës politikat vendimmarrëse të Brukselit nuk kanë një reagim të fortë ndaj këtyre karteleve që drejtohen nga Shqipëria dhe nga pushteti i lidhur direkt me kreun e qeverisë dhe ministrin e Brendshëm.

Deklarata e Mogerinit për drogën dhe Ramën

8 shtator
Për Komisionerin Hahn dhe Përfaqësuesen e Lartë; A jeni të shqetësuar për nivelin e korrupsionit dhe të krimit të organizuar në Shqipëri? Sepse Raporti i Transparency International tregon se sot Shqipëria ka nivelin më të lartë të korrupsionit në rajon. Përveç kësaj, shqetësuese mbetet dhe situata për drogën në vend. Ka një raport të inteligjencës italiane dhe gjermane, ku thuhet se në Shqipëri ka 363 plantacione kanabis, disa prej të cilave mbrohen nga persona të armatosur, dhe se disa kultivues kanë lidhje me policinë.
Zv. Presidentja e BE-së Mogherini:
Krimi i organizuar, korrupsioni, përfshirë gjithashtu edhe lufta kundër drogës, padyshim janë çështje që duhet të zgjidhë jo vetëm Shqipëria, por ajo që unë shoh është  vendosmëria e madhe për t’i zgjidhur këto çështje dhe ashtu siç e përmendi dhe Kryeministri, puna në këtë drejtim po vazhdon. Mbetet angazhim i përbashkët për ta përmirësuar këtë situatë. Gjithashtu, kjo çështje nuk është e rëndësishme vetëm për anëtarësimin në Bashkimin Europian, por kryesisht për vetë Shqipërinë dhe qytetarët e saj, të cilët kanë të drejtën e plotë që të jetojnë në një vend të çliruar nga një fenomen që ka qenë shumë problematik në të kaluarën dhe siç e shohim, trendi po shkon në drejtimin e duhur.
Komisioneri Hahn:
Mendoj se reforma në drejtësi është shumë vendimtare, është baza dhe nuk bëhet fjalë vetëm për miratimin e saj, por sidomos për zbatimin. Ndaj dhe ne presim të ndërmerren veprime vendimtare për të kryer hetime proaktive. E dimë se në rajon policia ka qenë gjithnjë e mirë, por ka pasur probleme në gjyqësor. Pas hetimit, do të vijoni me procedimet dhe pastaj dënimet. Dhe rezultatet do shihen pikërisht këtu. Sepse ne kemi parë disa gjyqe dhe vendime, por për disa peshq të vegjël ose të mesëm, por do shpresoja që të shikonim dhe peshq të mëdhenj dhe vetëm atëherë do mund të themi se ka arritje domethënëse në këtë sektor. Por kjo s’ka të bëjë vetëm me Shqipërinë dhe rajonin, por haset kudo. Por përsa i përket Shqipërisë, duhet të shohim se reforma në drejtësi do të vihet në zbatim.

Basha: Front qytetar kundër Ramës e krimit

Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha dëgjoi dhe bashkëbisedoi me drejtues të strukturave të Partisë Demokratike në Cërrik. Zoti Basha u ndal në fjalën e tij në shndërrimin e Shqipërisë në një hambar droge gjatë këtij viti, një realitet, i cili ka pushtuar faqet e para të mediave ndërkombëtare. Lidhjet e qeverisë me krimin dhe mbrojtja që Edi Rama dhe Saimir Tahiri u japin trafikantëve, theksoi kryetari i Partisë Demokratike, kanë shndërruar mijëra qytetarë që rropaten për një copë buke në argatë-skllevër në parcelat e hashashit. Droga është kthyer në një kërcënim serioz për të rinjtë dhe statistikat tregojnë rritje të përdorimit të drogës. Vendin e intelektualëve e kanë zënë trafikantët, tha zotit Basha, i cili apeloi për krijimin e një aleance të madhe qytetare kundër drogës e krimit në pushtet.
“E zeza që kemi përballë shkon përtej përballjes tradicionale mes të djathtës dhe të majtës. Përballë kemi krimin, korrupsionin, arrogancën e paimagjinueshme që prej kohës së diktaturës, që jo vetëm të vjedh e të poshtëron, por pastaj edhe të tall dhe të përqesh.
Çdo qenie njerëzore me dinjitet minimal nuk e pranon këtë. Ndaj bëjmë thirrje dhe kërkojmë të formojmë një front të bashkuar me Partinë Demokratike. Nëse na bashkon dekriminalizimi, lufta kundër drogës, vota e lirë, nuk duhet të kemi asnjë ngurrim të bashkëpunojmë me këdo, për t’u përballur dhe fituar kundër dikujt që bashkëpunon me të gjithë përveç qytetarëve, bashkëpunon me krimin, bashkëpunon me horrat, bashkëpunon me trafikantët, bashkëpunon me narkotrafikantët, bashkëpunon me banditët.
Ndaj është koha e një bashkimi të madh, e një aleance të madhe qytetare. Partia Demokratike është gati dhe nëse nisim marshimin tonë pa kthim për përmbysjen e tiranisë së krimit dhe varfërisë dhe kthimin e Shqipërisë në një vend normal ku qeveria iu shërben njerëzve dhe jo anasjelltas”.
Keqqeverisja, korrupsioni dhe arroganca e pushtetit, theksoi zoti Basha, po shkatërrojnë ëndrrën e mijëra maturantëve, të cilët pas vitesh të tëra mundi e përpjekjeje për të arritur rezultate të shkëlqyera e shohin sot veten pa mundësi për të vijuar arsimin e lartë. Mijëra të tjerë që i besuan Edi Ramës tri vite më parë se nuk do të sillte plehrat në Shqipëri sot ndihen të tradhtuar. Ndërsa e ashtuquajtura rilindje urbane tregoi se ishte një projekt për të mbushur xhepat e qeveritarëve. Asnjë investim serioz në tre vjet që të përmirësojë jetën e qytetarëve nuk është kryer nga kjo qeveri, e cila sot tallet me fermerët duke u thënë merrni kredi sepse subvencionet e premtuara ishin një mashtrim.
“Droga, krimi, korrupsioni ka një nyje që i mban bashkë dhe ky është Edi Rama. Ky është Edi Rama që merr çarterin për në Hamburg 100 mijë euro, sa katër muaj ndihmë sociale në Cërrik. Ky është Edi Rama, i cili tha se nuk do të sjellë mbetjet se janë helme. Tani që ja ka ngrohur xhepin mafia ndërkombëtare e plehrave merr vendime kundër popullit, helme për të helmuar shqiptarët dhe fëmijët e tyre.
Ky është Edi Rama, i cili po tallet me maturantët. I ka sjellë këtu me vendimet e tij korruptive dhe pa transparencë që nuk ka guximin t’i kthejë mbrapsht. Një brezi të tërë, 20 mijë të rinj shqiptarë do t’ua djegë ëndrrën.
Ky është Edi Rama me rilindjen urbane siç u pa në Kurbin. Kanalizime, ujësjellës, rrugët nuk bëhen, por mbulohen me një fasadë, me 10 m² pllaka dhe sa kalon nga pllakat fillojnë gropat sikur je në mesjetë”.

Vrasja e Ardit Gjoklajt në Sharrë është vrasje shtetërore

Ish kryeministri Berisha denoncoi ashpër dje censurimin nga Rama-Veliaj të investigimeve gazetareske mbi lidhjen direkte të Veliajt në vrasjen e 17-vjeçarit, Ardit Gjoklaj në Landfillin e Sharrës ndërsa e cilësoi vrasjen e Gjoklajt si vrasje shtetërore. “Çështja me të cilën doja të hapja fjalën është akti i shëmtuar, i paprecedent në këto 24 vite; kasaphana e fjalës së lirë. Për herë të parë në 24 vite, një emision investigativ, për një çështje jashtëzakonisht të rëndësishme, për një çështje që faktohet katërcipërisht vrasja e mirëfilltë shtetërore, nuk them me dashje, por vrasjet shtetërore janë me dashje dhe pa dashje. Dua ta them këtu, se Ardit Gjoklaj është vrasje shtetërore. Dhe njëlloj, sikur të ishte çdonjëri, jo një i ri, jo një 17-vjeçar që përballej me dinjitetin më të madh me aspektet më të vështira të jetës në këtë vend. Pasi dështuan ta mbulojnë dhe ta varrosin në plehra, atëherë bëjnë gjithçka, përpiqen ta vrasin për së dyti, të bllokojnë emisionin e tij. Dhe kjo është vepër e Edvin Kristaq Ramës. Këtë akt nuk mund ta bëj kush tjetër në Shqipëri përveç atij që ka fuqinë e ekzekutivit. Ky akt i shëmtuar është një damkë e zezë, është një dëshmi e qartë se si paratë e krimit po sundojnë çdo ditë dhe liritë dhe të drejtat më themelore të shqiptarëve; anulimin, censurimin, bllokimin e një hetimi gazetaresk për vdekjen e një të riu 17-vjeçar, ky është një krim i madh. Është krim ndaj fjalës së lirë. E para e lirisë është fjala, në librat e shenjtë dhe në të gjitha librat e tjera. Por nuk ka liri pa qenë shpirtkazmë që të mos i dridhet zemra, të mos i dridhet shpirti para një viktime, që zgjodhi këtë verë të punonte turni i tretë, për të gjetur më pas vdekjen vetëm e vetëm që të mund të vishej ditën e parë të shkollës, vetëm e vetëm që të mund të blinte librat e shkollës sepse nuk kishte mundësi të tjera” tha Berisha. Ish Kryeministri tha se në psikologjinë atërore, Edi Rama çdo ngjarje, çdo krim, çdo gjë që i pasqyrohet atij, ai adapton menjëherë qëndrim e tij armiqësor. “Ai nuk ka shqipëruar deri më sot emrin e atij djali (Arditit). Dhe asnjë nga kjo shumicë, nga këta ministra nuk shprehu një dhembje, nuk shprehu një keqardhje. A e dini që është vrasje shtetërore ajo, sepse kompania është shtetërore. Edhe një herë them se, nuk them se ishte e qëllimshme, por heshtja ndaj saj, heshtja ndaj një krimi të një kompanie shtetërore dhe një kryetari të Partisë Socialiste dhe kryetarit të Bashkisë të Tiranës, e bën shumë herë më të shëmtuar veprën tuaj, e bën praninë tonë këtu jashtëzakonisht të vështirë dhe të rëndë.  Dua të shpreh mbështetjen time më të madhe dhe falënderimin tim për të gjithë ato media sociale dhe më vonë dhe elektronike, të cilët e trajtuan problemin. Por mendoj se kjo është një goditje e rëndë për mbarë shoqërinë, dhe duhet të mbahen qëndrime” u shpreh Berisha.

Prokuroria të hetojë censurën që iu bë investigimit të vrasjes

Berisha i bëri thirrje Prokurorisë të shtojë në dosjen hetimore censurën e investigimit të kësaj vrasjeje, që, siç theksoi ai, për çdo njeri të qytetëruar dëshmon se cili është krimineli i vërtetë, se kush është vrasësi i vërtetë i 17-vjeçarit, që në mes të plehrave të Tiranës, me djersën e tij, turni i tretë donte të siguronte pak të ardhura për të blerë librat e shkollës e për t’u veshur më mirë për vitin shkollor. “. I bëj thirrje komisionit të mediave të mblidhet me urgjencë dhe të shqyrtojë licencën dhe çdo qëndrim tjetër ndaj atyre censorëve, xhelatë të fjalës së lirë. Është e kotë t’u flasësh lumturorëve, kjo racë e majmur duke vjedhur të varfërit shqiptarë. Nuk u flitet këtyre. Këta i ka çmendur pasuria, këtyre vetëm piktura u qarkullojnë nga 8000 euro dhuratë piktura. Këta nuk mund t’ja dinë kurrë atij prandaj e shtypin për së vdekuri. Këta shkelmojnë mbi të vdekurit, dhe kjo është më e rënda. Ndodhi akti, duhet të kesh burrërinë dhe të jesh i pari që ta shpallësh vdekje shtetërore, se aty shteti ka detyrime të tjera pastaj. Dhe me ato detyrime shteti lan veten. Ja u them këtu unë juve, se edhe Gërdecin duhet ta shpallni vrasje shtetërore, por nuk keni ndërgjegje njerëzore. Shkoni shihni Vorën si është rehabilituar. Qeveria ime bëri gjithçka për t’i kompensuar, por të vrarët nuk i kompenson dot. Por ama ne jemi njerëz që duhet të tregojmë integritet. Ajo kompani mbikëqyrej nga një kompani shtetërore. Që këtu, është përfshirja e tyre në vrasje shtetërore, pa dashje natyrisht. Ai ishte një aksident kjo s’ka diskutim. Kjo që po them do të thotë që shteti u jep familjeve dëmshpërblimin. Ky është shteti i qytetëruar. Qytetarët pësojnë çdo ditë edhe funde tragjike nga një aksident, por ato që janë të lidhura me shtetin, shteti mban qëndrim. Edhe ai që vdes në qeli, nëse vdes për faj të shtetit është vrasje shtetërore. Dhe ndërgjegjja pastrohet vetëm duke i trajtuar si vrasje shtetërore, por jo duke shkuar si horra” tha Berisha.

Maskat terror në Maliq, masakrojnë burrë e grua dhe u grabisin paratë

Dy persona të maskuar dhe të armatosur kanë ushtruar dhunë ndaj një çifti të moshuarish në Maliq të Korçës dhe kanë grabitur një sasi parash në banesën e tyre. Ngjarja ka ndodhur në fshatin Rov të Maliqit, ku dy personat e maskuar kanë hyrë në shtëpinë e 60-vjeçarit Xh.Z dhe pasi i kanë dhunuar barbarisht u kanë grabitur paratë. Ngjarja ka ndodhur në orët e para të mëngjesit të djeshëm rreth orës 2:00. Sipas policisë, i zoti i shtëpisë është kërcënuar dhe goditur me sende të forta nga maskat në prezencë të bashkëshortes së tij. Si pasojë e dhunës, ai ka marrë plagë në fytyrë dhe në trup. Pasi kanë marrë një shumë parash, dy maskat janë larguar në drejtim të paditur për policinë.
Nga deklarimet e marra dy bashkëshortëve, të cilët ndodheshin të vetëm në banesë, Policia bëri të ditur se grupi hetimor po punon për zbardhjen e rrethanave, identifikimin dhe kapjen e autorëve, si edhe dokumentimin e plotë të ngjarjes. Deri në orët e vona të ditës së djeshme nuk pati asnjë të ndaluar nga Policia për këtë ngjarje.
Ndërkohë, mbrëmjen e të mërkurës, pak para mesnatës ka ndodhur një grabitje me armë në një karburant në Selitë, ku një 20-vjeçar, i maskuar dhe nën kërcënimin e armës ka arritur të marrë paratë e xhiros ditore, rreth 15 mijë lekë të reja dhe është larguar me shpejtësi. Policia ka mbërritur në vendngjarje pas sinjalizimit të marrë, ndërsa po punon për identifikimin dhe kapjen e autorëve.
Në të njëjtën ditë u grabit një pikë karburanti në Fushë-Krujë nën kërcënimin e armëve. Maskat kanë ushtruar dhunë dhe terror ndaj rojes së pikës së karburantit dhe i kanë marrë të gjithë xhiron ditore. Njëri nga maskat i ka vënë pistoletën në kokë rojes së karburantit, shtetasit A.B., rreth 42 vjeç. Pasi i kanë marrë 100 mijë lekë maskat janë larguar.