13.5 C
Tirana
E mërkurë, 30 Prill, 2025

Tjetër avion me drogë ‘kapet’ në Lalëz

Një avion është ulur dje në Gjirin e Lalzit për t’u ngarkuar me kanabis sativa. Ishte deputeti i PD, Asllan Dogjani që deklaroi në sallën e Kuvendit se mbrëmjen e së enjtes ishte ulur një avion në Gjirin e Lalzit për t’u ngarkuar me drogë. “Një avion në Lalëz për t’u ngarkuar me drogë. Sapo u informuam me foto në rrjetet sociale. Avioni tjetër para ca ditësh, pista në Durrës. Në njërën anë procedohen fëmijë me pak gram hashash dhe në anën tjetër, qeveria krenohet me statistika dhe droga derdhet lumë”, deklaroi Dogjani. Në një lidhje telefonike, Dogjani ka konfirmuar se informacionin e ka marrë në rrjetet sociale dhe nga praktika ka dhënë “lajmin” në Parlament. “Unë pashë në rrjetet sociale një avion që ishte hedhur. Iu referova asaj që pashë në rrjetet sociale. Duke u nisur nga praktika, informacionet dhe rasteve të ndryshme. Nuk kam informacion tjetër”, ka thënë Dogjani.
Pas kësaj deklarate ka reaguar Policia e Durrësit, e cila pohon se avioni ka qenë me turistë. Sipas policisë, avioni ka fluturuar nga ora 16:00 deri në 17:00 mbi Gjirin e Lalzit, por nuk është ulur. Po kështu, policia deklaron se avioni kishte plan fluturimi të miratuar nga Aviacioni Civil. “Një avion sportiv turistik ka fluturuar nga ora 16:00 deri në 17:00 mbi Gjirin e Lalzit
Shërbimet e Policisë Lufitare kanë ndjekur avionin nëse do ulej në Gjirin e Lalzit, por nuk është ulur. Avioni sportiv i përket “Viva Air” dhe kishte plan fluturimi të miratuar nga Aviacioni Civil. Avioni kishte itinerar Rinas-Gjiri i Lalzit-Rinas, por pa ndalesë në Gjirin e Lalzit. Gjithë autoritetet policore kanë qenë në gatishmëri nëse avioni do ulej, por avioni nuk është ulur në asnjë vend”, deklaron Policia e Durrësit.
Megjithëse policia mundohet në cdo rast të fshehë gjurmët e avionëve të drogës, në zonën e Shqiërisë së mesme ka të paktën edhe dy pista të tjera avionësh që ngrihen të ngarkur me drogë.

Pista e Ishmit

Në mesin e muajit shtator një avion me drogë në Ishëm. Ky avion ishte i treti transportues i asaj dite që ngarkohej në pistën e Ishmit. Burimet bënë të ditur se, ngarkesa që mbante në bord avioni kishte 2 ton drogë. Ky ka qenë dhe gabimi i trafikantëve. Ata e kanë ngarkuar avionin më shumë se pesha që ai duhet të mbante. Avionë të tillë mbajnë deri në 1.5 ton ngarkesë, ndërsa trafikantët e kanë ngarkuar atë me 2 ton. Ky ka qenë edhe shkaku i rrëzimit të avionit.
Pasi ai ka rënë, trafikantët kanë bërë edhe krehjen e menjëhershme të zonës, duke e transportuar drogën në skafe. Kjo ka qenë edhe arsyeja që policia ka vonuar me tre orë reagimin për avionin e rrëzuar. Është provuar po ashtu se, avioni i pilotit italian, Giudi, nuk ka qenë i pari që ka bërë transportin e drogës drejt Italisë ditën e enjte. Ai ka qenë avioni i tretë i ngarkuar me kanabis. Dy avionët e tjerë kanë fluturuar para tij dhe nuk janë rrëzuar.
Grupi hetimor, ka kërkuar nga Ministria e Transporteve t’i vënë në dispozicion emrat e ekspertëve, të cilët kanë kualifikimin e duhur për të kryer ekspertizën e shkakut të rrëzimit të avionit. Burimet thonë se, pavarësisht kërkesës së organit të akuzës, kjo zyrë në bazë të Kodit Ajror duhet të hetojë shkaqet teknike të rrëzimit të avionit dhe më pas materialet t’i referojnë në Prokurori. Sipas hetuesve, në rastin e pilotit italian Guido Andra Guidi, kemi të bëjmë me incident edhe aksident. Pasi shkelja e hapësirës ajore dhe cënimi i saj nga piloti italian cilësohet si një incident, ndërsa rrëzimi i tij në pistën e sajuar në Gotull është aksident. Për këtë fakt, zyra për hetimin e incidenteve dhe aksidenteve ajrore në Ministrinë e Transporteve është e detyruar të kryejë hetimet konkrete për llogari të saj, pavarësisht kërkesës së Prokurorisë për kryerjen e ekspertizës së shkakut të rrëzimit.

Mbesa e Mogherinit në kartelin shqiptar të drogës

Mbesa e Mogherinit e përfshirë në bandën e kokainës, drejtohej nga një shqiptar dhe djali i një mafiozi
Autoritetet italiane shkatërruan një ditë më parë një organizatë që merrej me trafikimin e kokainës dhe marijuanës në lokalet, klubet dhe restorantet vip të Romës. Mes 15 personave të arrestuar është edhe mbesa e Federica Mogherinit, përfaqësuese e lartë e Bashkimit Evropian për Punët e Jashtme.
Sipas mediave italiane, organizata kriminale drejtohej nga shqiptari Rigers Durici dhe Manuel Zumpano, djali i një anëtari të organizatave mafioze në Romë, në vitet ‘80.
Në fakt, mbesa e zyrtares së lartë të BE-së është ndaluar, pasi dyshohet si bashkëpunëtore e të dashurit të saj Roberto Nicoletti, i cili ishte pjesë e organizatës që merrej me trafikun e kokainës në kryeqytetin italian.
Sipas përgjimeve, 26-vjeçarja, Gaia Mogherini rezulton se ka marrë nga Manuel Zumpano në 28 shkurt të vitit 2015 “një sasi të papërcaktuar lëndë narkotike të tipit kokainë, me qëllim që të siguronte tregtimin e saj”.
26-vjeçarja është vajza e vëllait më të madh nga një prind e shefes së diplomacisë së BE-së, Federica Mogherini.
Mediat italiane shkruajnë se organizata e drejtuar nga shqiptari Durici dhe djali i mafiozit Zumpano e siguronte drogën nga Spanja dhe Shqipëria. Sipas hetimeve, dyshohet se ky grup kriminal qarkullonte drogë me vlerë 100 mijë euro gjatë një jave.
Nuk dihet nëse përfshirja në kartelin e drogës e mbesës së Përfaqësueses së Lartë të Bashkimit Europian do të ndikojë në të ardhmen politike të Mogerinit. Deri tani nuk ka pasur asnjë reagim zyrtar nga Mogerini dhe as nga Italia që është edhe vendi që vendos për kuotat e veta në Komisionin Europian. Rasti konsiderohet si mjaft serioz. Ajo që të habit është fakti se mbesa e Mogerinit është pjesë e një karteli droge që drejtohet nga një shqiptar, ndërsa vetëm pak javë më parë Përfaqësuesja e Lartë e Bashkimit Europian dha një prononcim të zbehtë në lidhje me drogën nga Shqipëria në drejtim të vendeve të BE.
Ndërsa kartelet e drogës nga Shqipëria po inkriminojnë edhe familjarë të zyrtarëve të lartë perëndimorë në trafikun e drogës politikat vendimmarrëse të Brukselit nuk kanë një reagim të fortë ndaj këtyre karteleve që drejtohen nga Shqipëria dhe nga pushteti i lidhur direkt me kreun e qeverisë dhe ministrin e Brendshëm.

Deklarata e Mogerinit për drogën dhe Ramën

8 shtator
Për Komisionerin Hahn dhe Përfaqësuesen e Lartë; A jeni të shqetësuar për nivelin e korrupsionit dhe të krimit të organizuar në Shqipëri? Sepse Raporti i Transparency International tregon se sot Shqipëria ka nivelin më të lartë të korrupsionit në rajon. Përveç kësaj, shqetësuese mbetet dhe situata për drogën në vend. Ka një raport të inteligjencës italiane dhe gjermane, ku thuhet se në Shqipëri ka 363 plantacione kanabis, disa prej të cilave mbrohen nga persona të armatosur, dhe se disa kultivues kanë lidhje me policinë.
Zv. Presidentja e BE-së Mogherini:
Krimi i organizuar, korrupsioni, përfshirë gjithashtu edhe lufta kundër drogës, padyshim janë çështje që duhet të zgjidhë jo vetëm Shqipëria, por ajo që unë shoh është  vendosmëria e madhe për t’i zgjidhur këto çështje dhe ashtu siç e përmendi dhe Kryeministri, puna në këtë drejtim po vazhdon. Mbetet angazhim i përbashkët për ta përmirësuar këtë situatë. Gjithashtu, kjo çështje nuk është e rëndësishme vetëm për anëtarësimin në Bashkimin Europian, por kryesisht për vetë Shqipërinë dhe qytetarët e saj, të cilët kanë të drejtën e plotë që të jetojnë në një vend të çliruar nga një fenomen që ka qenë shumë problematik në të kaluarën dhe siç e shohim, trendi po shkon në drejtimin e duhur.
Komisioneri Hahn:
Mendoj se reforma në drejtësi është shumë vendimtare, është baza dhe nuk bëhet fjalë vetëm për miratimin e saj, por sidomos për zbatimin. Ndaj dhe ne presim të ndërmerren veprime vendimtare për të kryer hetime proaktive. E dimë se në rajon policia ka qenë gjithnjë e mirë, por ka pasur probleme në gjyqësor. Pas hetimit, do të vijoni me procedimet dhe pastaj dënimet. Dhe rezultatet do shihen pikërisht këtu. Sepse ne kemi parë disa gjyqe dhe vendime, por për disa peshq të vegjël ose të mesëm, por do shpresoja që të shikonim dhe peshq të mëdhenj dhe vetëm atëherë do mund të themi se ka arritje domethënëse në këtë sektor. Por kjo s’ka të bëjë vetëm me Shqipërinë dhe rajonin, por haset kudo. Por përsa i përket Shqipërisë, duhet të shohim se reforma në drejtësi do të vihet në zbatim.

Basha: Front qytetar kundër Ramës e krimit

Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha dëgjoi dhe bashkëbisedoi me drejtues të strukturave të Partisë Demokratike në Cërrik. Zoti Basha u ndal në fjalën e tij në shndërrimin e Shqipërisë në një hambar droge gjatë këtij viti, një realitet, i cili ka pushtuar faqet e para të mediave ndërkombëtare. Lidhjet e qeverisë me krimin dhe mbrojtja që Edi Rama dhe Saimir Tahiri u japin trafikantëve, theksoi kryetari i Partisë Demokratike, kanë shndërruar mijëra qytetarë që rropaten për një copë buke në argatë-skllevër në parcelat e hashashit. Droga është kthyer në një kërcënim serioz për të rinjtë dhe statistikat tregojnë rritje të përdorimit të drogës. Vendin e intelektualëve e kanë zënë trafikantët, tha zotit Basha, i cili apeloi për krijimin e një aleance të madhe qytetare kundër drogës e krimit në pushtet.
“E zeza që kemi përballë shkon përtej përballjes tradicionale mes të djathtës dhe të majtës. Përballë kemi krimin, korrupsionin, arrogancën e paimagjinueshme që prej kohës së diktaturës, që jo vetëm të vjedh e të poshtëron, por pastaj edhe të tall dhe të përqesh.
Çdo qenie njerëzore me dinjitet minimal nuk e pranon këtë. Ndaj bëjmë thirrje dhe kërkojmë të formojmë një front të bashkuar me Partinë Demokratike. Nëse na bashkon dekriminalizimi, lufta kundër drogës, vota e lirë, nuk duhet të kemi asnjë ngurrim të bashkëpunojmë me këdo, për t’u përballur dhe fituar kundër dikujt që bashkëpunon me të gjithë përveç qytetarëve, bashkëpunon me krimin, bashkëpunon me horrat, bashkëpunon me trafikantët, bashkëpunon me narkotrafikantët, bashkëpunon me banditët.
Ndaj është koha e një bashkimi të madh, e një aleance të madhe qytetare. Partia Demokratike është gati dhe nëse nisim marshimin tonë pa kthim për përmbysjen e tiranisë së krimit dhe varfërisë dhe kthimin e Shqipërisë në një vend normal ku qeveria iu shërben njerëzve dhe jo anasjelltas”.
Keqqeverisja, korrupsioni dhe arroganca e pushtetit, theksoi zoti Basha, po shkatërrojnë ëndrrën e mijëra maturantëve, të cilët pas vitesh të tëra mundi e përpjekjeje për të arritur rezultate të shkëlqyera e shohin sot veten pa mundësi për të vijuar arsimin e lartë. Mijëra të tjerë që i besuan Edi Ramës tri vite më parë se nuk do të sillte plehrat në Shqipëri sot ndihen të tradhtuar. Ndërsa e ashtuquajtura rilindje urbane tregoi se ishte një projekt për të mbushur xhepat e qeveritarëve. Asnjë investim serioz në tre vjet që të përmirësojë jetën e qytetarëve nuk është kryer nga kjo qeveri, e cila sot tallet me fermerët duke u thënë merrni kredi sepse subvencionet e premtuara ishin një mashtrim.
“Droga, krimi, korrupsioni ka një nyje që i mban bashkë dhe ky është Edi Rama. Ky është Edi Rama që merr çarterin për në Hamburg 100 mijë euro, sa katër muaj ndihmë sociale në Cërrik. Ky është Edi Rama, i cili tha se nuk do të sjellë mbetjet se janë helme. Tani që ja ka ngrohur xhepin mafia ndërkombëtare e plehrave merr vendime kundër popullit, helme për të helmuar shqiptarët dhe fëmijët e tyre.
Ky është Edi Rama, i cili po tallet me maturantët. I ka sjellë këtu me vendimet e tij korruptive dhe pa transparencë që nuk ka guximin t’i kthejë mbrapsht. Një brezi të tërë, 20 mijë të rinj shqiptarë do t’ua djegë ëndrrën.
Ky është Edi Rama me rilindjen urbane siç u pa në Kurbin. Kanalizime, ujësjellës, rrugët nuk bëhen, por mbulohen me një fasadë, me 10 m² pllaka dhe sa kalon nga pllakat fillojnë gropat sikur je në mesjetë”.

Vrasja e Ardit Gjoklajt në Sharrë është vrasje shtetërore

Ish kryeministri Berisha denoncoi ashpër dje censurimin nga Rama-Veliaj të investigimeve gazetareske mbi lidhjen direkte të Veliajt në vrasjen e 17-vjeçarit, Ardit Gjoklaj në Landfillin e Sharrës ndërsa e cilësoi vrasjen e Gjoklajt si vrasje shtetërore. “Çështja me të cilën doja të hapja fjalën është akti i shëmtuar, i paprecedent në këto 24 vite; kasaphana e fjalës së lirë. Për herë të parë në 24 vite, një emision investigativ, për një çështje jashtëzakonisht të rëndësishme, për një çështje që faktohet katërcipërisht vrasja e mirëfilltë shtetërore, nuk them me dashje, por vrasjet shtetërore janë me dashje dhe pa dashje. Dua ta them këtu, se Ardit Gjoklaj është vrasje shtetërore. Dhe njëlloj, sikur të ishte çdonjëri, jo një i ri, jo një 17-vjeçar që përballej me dinjitetin më të madh me aspektet më të vështira të jetës në këtë vend. Pasi dështuan ta mbulojnë dhe ta varrosin në plehra, atëherë bëjnë gjithçka, përpiqen ta vrasin për së dyti, të bllokojnë emisionin e tij. Dhe kjo është vepër e Edvin Kristaq Ramës. Këtë akt nuk mund ta bëj kush tjetër në Shqipëri përveç atij që ka fuqinë e ekzekutivit. Ky akt i shëmtuar është një damkë e zezë, është një dëshmi e qartë se si paratë e krimit po sundojnë çdo ditë dhe liritë dhe të drejtat më themelore të shqiptarëve; anulimin, censurimin, bllokimin e një hetimi gazetaresk për vdekjen e një të riu 17-vjeçar, ky është një krim i madh. Është krim ndaj fjalës së lirë. E para e lirisë është fjala, në librat e shenjtë dhe në të gjitha librat e tjera. Por nuk ka liri pa qenë shpirtkazmë që të mos i dridhet zemra, të mos i dridhet shpirti para një viktime, që zgjodhi këtë verë të punonte turni i tretë, për të gjetur më pas vdekjen vetëm e vetëm që të mund të vishej ditën e parë të shkollës, vetëm e vetëm që të mund të blinte librat e shkollës sepse nuk kishte mundësi të tjera” tha Berisha. Ish Kryeministri tha se në psikologjinë atërore, Edi Rama çdo ngjarje, çdo krim, çdo gjë që i pasqyrohet atij, ai adapton menjëherë qëndrim e tij armiqësor. “Ai nuk ka shqipëruar deri më sot emrin e atij djali (Arditit). Dhe asnjë nga kjo shumicë, nga këta ministra nuk shprehu një dhembje, nuk shprehu një keqardhje. A e dini që është vrasje shtetërore ajo, sepse kompania është shtetërore. Edhe një herë them se, nuk them se ishte e qëllimshme, por heshtja ndaj saj, heshtja ndaj një krimi të një kompanie shtetërore dhe një kryetari të Partisë Socialiste dhe kryetarit të Bashkisë të Tiranës, e bën shumë herë më të shëmtuar veprën tuaj, e bën praninë tonë këtu jashtëzakonisht të vështirë dhe të rëndë.  Dua të shpreh mbështetjen time më të madhe dhe falënderimin tim për të gjithë ato media sociale dhe më vonë dhe elektronike, të cilët e trajtuan problemin. Por mendoj se kjo është një goditje e rëndë për mbarë shoqërinë, dhe duhet të mbahen qëndrime” u shpreh Berisha.

Prokuroria të hetojë censurën që iu bë investigimit të vrasjes

Berisha i bëri thirrje Prokurorisë të shtojë në dosjen hetimore censurën e investigimit të kësaj vrasjeje, që, siç theksoi ai, për çdo njeri të qytetëruar dëshmon se cili është krimineli i vërtetë, se kush është vrasësi i vërtetë i 17-vjeçarit, që në mes të plehrave të Tiranës, me djersën e tij, turni i tretë donte të siguronte pak të ardhura për të blerë librat e shkollës e për t’u veshur më mirë për vitin shkollor. “. I bëj thirrje komisionit të mediave të mblidhet me urgjencë dhe të shqyrtojë licencën dhe çdo qëndrim tjetër ndaj atyre censorëve, xhelatë të fjalës së lirë. Është e kotë t’u flasësh lumturorëve, kjo racë e majmur duke vjedhur të varfërit shqiptarë. Nuk u flitet këtyre. Këta i ka çmendur pasuria, këtyre vetëm piktura u qarkullojnë nga 8000 euro dhuratë piktura. Këta nuk mund t’ja dinë kurrë atij prandaj e shtypin për së vdekuri. Këta shkelmojnë mbi të vdekurit, dhe kjo është më e rënda. Ndodhi akti, duhet të kesh burrërinë dhe të jesh i pari që ta shpallësh vdekje shtetërore, se aty shteti ka detyrime të tjera pastaj. Dhe me ato detyrime shteti lan veten. Ja u them këtu unë juve, se edhe Gërdecin duhet ta shpallni vrasje shtetërore, por nuk keni ndërgjegje njerëzore. Shkoni shihni Vorën si është rehabilituar. Qeveria ime bëri gjithçka për t’i kompensuar, por të vrarët nuk i kompenson dot. Por ama ne jemi njerëz që duhet të tregojmë integritet. Ajo kompani mbikëqyrej nga një kompani shtetërore. Që këtu, është përfshirja e tyre në vrasje shtetërore, pa dashje natyrisht. Ai ishte një aksident kjo s’ka diskutim. Kjo që po them do të thotë që shteti u jep familjeve dëmshpërblimin. Ky është shteti i qytetëruar. Qytetarët pësojnë çdo ditë edhe funde tragjike nga një aksident, por ato që janë të lidhura me shtetin, shteti mban qëndrim. Edhe ai që vdes në qeli, nëse vdes për faj të shtetit është vrasje shtetërore. Dhe ndërgjegjja pastrohet vetëm duke i trajtuar si vrasje shtetërore, por jo duke shkuar si horra” tha Berisha.

Maskat terror në Maliq, masakrojnë burrë e grua dhe u grabisin paratë

Dy persona të maskuar dhe të armatosur kanë ushtruar dhunë ndaj një çifti të moshuarish në Maliq të Korçës dhe kanë grabitur një sasi parash në banesën e tyre. Ngjarja ka ndodhur në fshatin Rov të Maliqit, ku dy personat e maskuar kanë hyrë në shtëpinë e 60-vjeçarit Xh.Z dhe pasi i kanë dhunuar barbarisht u kanë grabitur paratë. Ngjarja ka ndodhur në orët e para të mëngjesit të djeshëm rreth orës 2:00. Sipas policisë, i zoti i shtëpisë është kërcënuar dhe goditur me sende të forta nga maskat në prezencë të bashkëshortes së tij. Si pasojë e dhunës, ai ka marrë plagë në fytyrë dhe në trup. Pasi kanë marrë një shumë parash, dy maskat janë larguar në drejtim të paditur për policinë.
Nga deklarimet e marra dy bashkëshortëve, të cilët ndodheshin të vetëm në banesë, Policia bëri të ditur se grupi hetimor po punon për zbardhjen e rrethanave, identifikimin dhe kapjen e autorëve, si edhe dokumentimin e plotë të ngjarjes. Deri në orët e vona të ditës së djeshme nuk pati asnjë të ndaluar nga Policia për këtë ngjarje.
Ndërkohë, mbrëmjen e të mërkurës, pak para mesnatës ka ndodhur një grabitje me armë në një karburant në Selitë, ku një 20-vjeçar, i maskuar dhe nën kërcënimin e armës ka arritur të marrë paratë e xhiros ditore, rreth 15 mijë lekë të reja dhe është larguar me shpejtësi. Policia ka mbërritur në vendngjarje pas sinjalizimit të marrë, ndërsa po punon për identifikimin dhe kapjen e autorëve.
Në të njëjtën ditë u grabit një pikë karburanti në Fushë-Krujë nën kërcënimin e armëve. Maskat kanë ushtruar dhunë dhe terror ndaj rojes së pikës së karburantit dhe i kanë marrë të gjithë xhiron ditore. Njëri nga maskat i ka vënë pistoletën në kokë rojes së karburantit, shtetasit A.B., rreth 42 vjeç. Pasi i kanë marrë 100 mijë lekë maskat janë larguar.

Policia italiane konferencë për drogën e sekuestruar në Leçe

Dje është zhvilluar në selinë Qendrore të Komisariatit të Policisë së Leçes, konferenca e shtypit mbi operacionin e sekuestrimit gjatë ditës së mërkurë të rreth 300 kg marijuanë e trafikuar me gomone nga Shqipëria drejt Italisë. Sipas Policisë së Leçes, operacioni çoi në arrestimin e 4 shtetasve shqiptarë, 3 prej të cilëve të përfshirë në botën e krimit, ndërsa personi i katërt me precedent penal.
Katër shtetasit shqiptarë janë arrestuar në flagrancë, ndërsa po udhëtonin drejt qytetit të Leçes me një makinë ku ishte lidhur një gomone dhe nën shoqërimin e një automjeti tjetër. Dy automjetet, gomonia e 4 shtetasit shqiptar janë ndaluar në rrugën provinciale S.P. 374 në drejtim të Leçes. Katër shtetasit shqiptarë u arrestuan në akuzën e trafikut ndërkombëtar të drogës.
Në gomonen e gjatë 6 metra janë gjetur rreth 300 kg marijuanë e konfeksionuar në 277 pako. Në konferencën për shtyp, autoritetet italiane informuan se gjatë 8 muajve në qytetin e Leçes janë sekuestruar 4.3 tonë kanabis, 450 kg marijuanë, 260 kg kokainë, 1 kg e 800 gramë heroinë si dhe janë arrestuar 19 persona.

Dhunohet dhe kërcënohet një ish-e persekutuar

Persona të panjohur kanë dhunuar dhe kërcënuar me jetë ish-të persekutuarën dhe anëtaren e kryesisë së Partisë Demokratike, Zamira Bushati, (Kazazi). Ngjarja ka ndodhur mbrëmjen e djeshme rreth orës 20:00 në rrugën “Siri Kodra”. Dy persona të panjohur i janë afruar dhe pasi e kanë sharë me fjalë të rënda e kanë qëlluar me grushta dhe e kanë shtrirë për tokë, duke e gjuajtur me shkelma. Më pas, ata e kanë kërcënuar me jetën e saj dhe të fëmijëve, duke i thënë mos guxo më të shashë kryeministrin. Zamira është ndihmuar nga disa persona, të cilët e kanë dërguar në shtëpinë e saj, pasi nuk ka pranuar të shkojë në spital dhe as në polici nga frika se mund t’i bënin ndonjë gjë.
Ngjarja ka ndodhur një javë, pasi Zamira kishte dhënë një intervistë në televizionion “Shijak TV”, ku kishte folur kundër qeverisë dhe kryeministrit Rama për gjendjen e rëndë në të cilën ndodhet vendi. Ky nuk është rasti i parë që dhunohen të zgjedhurit e PD. Këto raste dhune janë denoncuar nga opozita, por policia nuk ka marrë asnjë masë për kapejn e autorëve.

Një 17 vjeçar u përdhunua nga një trafikant, policia fsheh ngjarjen

Një denoncim është bërë në Komisariatin e Policisë së Vlorës nga një djalë 17-vjeçar, i cili ka kallëzuar se është përdhunuar nga trafikantët e drogës. Sipas denoncimit të publikuar në Facebook-un e ish-Kryeministrit Sali Berisha, ngjarja e rëndë ka ndodhur në fshatin Babicë të Vlorë, ndërsa theksohet se adoleshenti punon si mëditës në parcelat me kanabis që ndodhen në fshatin Dukat. 17-vjeçari shkoi për të marrë lekët nga trafikantët, por u përdhunua prej tyre. Njëri prej trafikantëve është vëllai i një punonjësi të policisë në Vlorë. Berisha thekson se ky krim po fshihet nga Komisariati i Vlorës ndërsa i bën thirrje Prokurorisë së Shtetit të nisë me urgjencë hetimin për këtë ngjarje tronditëse.  “Përshëndetje Doktor.Dje Komisariati i Vlorës është tronditur nga një denoncim i një djali 17-vjeçar i cili si shumë të tjerë punon në parcelat e hashashit. Djali në fjalë është përdhunuar seksualisht (vërtetuar edhe nga mjeku) nga pronarët e parcelës dhe vazhdimisht kërcënohet nga këta persona. Dëshmia e këtij djali ka tronditur gjithë oficerët e policisë, duke i lënë të shokuar. Ata janë gati të bëjnë gjithçka për këtë ngjarje, por ka një vështirësi, një nga përdhunuesit njëkohësisht edhe pronar i parcelës ka vëllain e vet oficer policie, dhe kuptohet që elementë të tjerë të policisë janë në pjesë. Parcelat në fjalë janë në fshatin Dukat, ndërsa përdhunimi është bërë në Babicë të Vlorës, pasi kanë shkuar dhe e kanë marrë të riun në shtëpi, sepse ky i fundit u kërkonte lekët e punës dhe ata e ndëshkuan. Ju lutem Doktor ndihmoni këtë familje dhe oficerët e policisë ta çojnë ngjarjen deri në fund, sepse edhe ata kanë nevojë për mbështetje. Me respekt” thuhet në denoncimin e publikuar nga Berisha.

Grotesku i hidhur diplomatik i kryeministrit

Kreu i Departamentit të Politikës së Jashtme në PD, Kreshnik Çollaku ironizoi dje vizitën e Ramës në Beograd. Përmes një deklarate për mediat, Çollaku i cilësoi qëndrimet e Ramës si një groteskt të hidhur diplomatik. “Sot është një ditë kur kërcet shëmtuar shija bajate e sjelljes groteske e kryeministrit të Shqipërisë në një aktivitet jashtë vendit. Shumica e shqiptarëve zgjedhin ta përqeshin e përçmojnë me neveri këtë shfaqje megallomane protagonizmi naiv dhe delirant. Por ka disa gjëra që nuk mund të kalojnë thjesht duke përçmuar banalitetin. Sot është dita të kujtojmë se individi që tregohet me gisht nga e gjithë bota për kriminalizimin e shtetit, për kthimin e Shqipërisë në hambar e dispeçeri ndërkombëtare drogë guxon të jepte leksione demokracie.  Njeriu që dhunon me harbutëri parimet themelore të demokracisë, të drejtën e lirinë e votës, lirinë e të drejtën e fjalës, njeriu që shtyp median e lirë, drejtësinë, njeriu që rekruton ose shtyp çdo qelizë të opinionit dhe shoqërisë civile, guxon t’i japë mësim Evropës se si duhet të sillet e trajtojë refugjatët. Miku i afërt e sponsori politik i Elvis Roshit ofendon kryeministrin e Hungarisë Viktor Orban.  Miku i Arben Nokës tallet e ironizon Johanes Hahn. Kolegu i Armando Prengës e Mark Frrokut përqesh Greqinë. Avokati i Arben Frokut, Balilajt, Habilajt nuk mund të flasë përfaqësojë vullnetin e shqiptarëve për t’u bërë pjesë e Europës. Evropa i hedh tej mbetjet dhe ortakët e krimit. Çatuesi i orëve të vona i Vuçiç nuk mund të flasë në emër të Kosovës e të shpallë në emër të Shqiptarisë zgjidhjen e çështjeve madhore kombëtare. Nuk mund të përbetohesh për euroatlantizëm ditën e natën të lobosh për takim të nivelit të lartë në Moskë. Asnjë shfaqje prej komiku apo servili në Evropë apo arrogant katundi në Shqipëri nuk e shpëton as rehabiliton qeverinë dhe historinë e tij në qeverisje të shqiptarëve. Shqiptarët dhe miqtë e saj në botë do ta mbajnë mend si qeverinë më të paaftë e mediokre të kohrave dhe me të zhyturën e të ndoturën me mafien.  Shqiptarët do tia japin vendin e merituar në formën e merituar dhe miqtë perëndimore po ashtu, dhe kjo ditë është afër” u shpreh Çollaku.

Me 21 janar i nxorët në pritë dhe u fshehët poshtë Lanës

Ben Blushi replikoi ashpër dje gjatë seancës parlamentare me Taulant Ballën, i cili me urdhër të Ramës u ngrit të sulmonte Blushin si armik të partisë dhe popullit gjithashtu. Një nga akuzat e Taulant Ballës ndaj Ben Blushit ishte qëndrimi i këtij të fundit në lidhje me protestën e 21 janarit. Për pasojat tragjike të kësaj proteste, Blushi cilësoi si përgjegjës direkt Edi Ramës, i cili organizoi protestën e dhunshme që çoi deri në viktima por vet, siç theksoi ai, u fsheh poshtë Lanës.
“Më përmende 21 janarin. Po ju them dy fjalë që s’keni guxim të mbroni Arditin, ajo që ndodhi në Sharrë është 21 janari i mbetjeve. Në 21 janar ata i vrau Saliu, por i çuat ju në pritë dhe keni tre vjet që keni ardhur në pushtet, ju që qatë për 21 janarin, por nuk bëtë drejtësi. Kush i çoi në pritë ata Taulant, unë nuk marr pjesë në një miting që e thërras vetë dhe fshihem poshtë Lanës, apo në zyrë, njerëzit i çuat në pritë që t’i vrasin, duke i ditur, kam qenë kundër jush atë herë ju thashë të mos bojkotojmë Kuvendin, ata që ishin në pushtet hoqën rrogat 6 muaj, ju që ishit më fanatikët për të bojkotuar morët rrogat pafytyrësisht, shkuat të gjithë në gjyq morët nga 10 milionë, për çfarë, për një bojkot që e kishit bërë me ndërgjegje. Shumica e gjërave që kam thënë po dalin, nuk kam arsye të jem as aksioner në ndërmarrje private, as punëtor, e bëni se doni një punë, se kuvendi është burokraci, çfarë nderi keni ju, kur pranoni që në PS të mos ketë zgjedhje, votuat të gjithë pro, të gjithë votuat të hiqnin importin e mbetjeve dhe tani votuar për importin” u shpreh Blushi. Nga ana tjetër, ai ironizoi gjendjen skandaloze ku është shndërruar Partia Socialiste ndërsa tha se sot kjo parti i ngjason një foleje krimi duke përmendur edhe emra konkretë si Elvis Roshi,  Arben Ndoka, Armando Prenga etj.
“Ka nja dy vjet që në PS bëhet një tender që vazhdon përditë, kush shan më shumë Blushin, ti Taulant e ke fituar dhe të nxis ta fitosh, në fund të tij do jesh i pasur, por më shumë i shpifur, por merr pjesë në tender ti dhe shokët e tu. Ikja nga një parti pas 20 vjetësh nuk ndodh përditë dhe nuk hyj te ata që kam keqardhje për atë që ikën, por për atë që vjen. Duke e pasur dilemë ca bëhet me mandatin tim, në kushte normale do ua kisha dhënë nëse do besoja se mandati do vlente, do dinit ta përdornit, kujt t’ja jap unë këtë mandat Elvis Roshit, Armandos, Ndokës, banditëve që të vijnë këtu e të gjejnë strehë vorfnore që mos t’i kapë ligji, rilindjes kanabiste që i shpëton policisë me ndihmën tuaj, me kë ta shkëmbej mandatin.
Keni parë njeri që shkon nga pushteti në opozitë, po qeverisni me një parti që janë sot me ju, nesër do jenë prapë me Saliun, ne po shkojmë nga pushteti në opozitë, por jo në opozitë me këta, këta janë në pushtet me ju, po shkojmë në opozitë me mashtrimin elektoral, që voton për të hequr mbetjet dhe po importon mbetjet, që e hoqën Lazaratin, por e mbollën në çdo cep, që e rritën varfërinë dhe mjerimin, duke marrë 1 miliard e gjysmë euro borxhe, për të furnizuar me pllaka majolike, për këto i keni harxhuar, jam në opozitë me çdo mashtrim, kanabizimin, degradimin e arsimit që i përfaqësoni ju pikë për pikë” tha Blushi.