Një denoncim është bërë në Komisariatin e Policisë së Vlorës nga një djalë 17-vjeçar, i cili ka kallëzuar se është përdhunuar nga trafikantët e drogës. Sipas denoncimit të publikuar në Facebook-un e ish-Kryeministrit Sali Berisha, ngjarja e rëndë ka ndodhur në fshatin Babicë të Vlorë, ndërsa theksohet se adoleshenti punon si mëditës në parcelat me kanabis që ndodhen në fshatin Dukat. 17-vjeçari shkoi për të marrë lekët nga trafikantët, por u përdhunua prej tyre. Njëri prej trafikantëve është vëllai i një punonjësi të policisë në Vlorë. Berisha thekson se ky krim po fshihet nga Komisariati i Vlorës ndërsa i bën thirrje Prokurorisë së Shtetit të nisë me urgjencë hetimin për këtë ngjarje tronditëse. “Përshëndetje Doktor.Dje Komisariati i Vlorës është tronditur nga një denoncim i një djali 17-vjeçar i cili si shumë të tjerë punon në parcelat e hashashit. Djali në fjalë është përdhunuar seksualisht (vërtetuar edhe nga mjeku) nga pronarët e parcelës dhe vazhdimisht kërcënohet nga këta persona. Dëshmia e këtij djali ka tronditur gjithë oficerët e policisë, duke i lënë të shokuar. Ata janë gati të bëjnë gjithçka për këtë ngjarje, por ka një vështirësi, një nga përdhunuesit njëkohësisht edhe pronar i parcelës ka vëllain e vet oficer policie, dhe kuptohet që elementë të tjerë të policisë janë në pjesë. Parcelat në fjalë janë në fshatin Dukat, ndërsa përdhunimi është bërë në Babicë të Vlorës, pasi kanë shkuar dhe e kanë marrë të riun në shtëpi, sepse ky i fundit u kërkonte lekët e punës dhe ata e ndëshkuan. Ju lutem Doktor ndihmoni këtë familje dhe oficerët e policisë ta çojnë ngjarjen deri në fund, sepse edhe ata kanë nevojë për mbështetje. Me respekt” thuhet në denoncimin e publikuar nga Berisha.
Grotesku i hidhur diplomatik i kryeministrit
Kreu i Departamentit të Politikës së Jashtme në PD, Kreshnik Çollaku ironizoi dje vizitën e Ramës në Beograd. Përmes një deklarate për mediat, Çollaku i cilësoi qëndrimet e Ramës si një groteskt të hidhur diplomatik. “Sot është një ditë kur kërcet shëmtuar shija bajate e sjelljes groteske e kryeministrit të Shqipërisë në një aktivitet jashtë vendit. Shumica e shqiptarëve zgjedhin ta përqeshin e përçmojnë me neveri këtë shfaqje megallomane protagonizmi naiv dhe delirant. Por ka disa gjëra që nuk mund të kalojnë thjesht duke përçmuar banalitetin. Sot është dita të kujtojmë se individi që tregohet me gisht nga e gjithë bota për kriminalizimin e shtetit, për kthimin e Shqipërisë në hambar e dispeçeri ndërkombëtare drogë guxon të jepte leksione demokracie. Njeriu që dhunon me harbutëri parimet themelore të demokracisë, të drejtën e lirinë e votës, lirinë e të drejtën e fjalës, njeriu që shtyp median e lirë, drejtësinë, njeriu që rekruton ose shtyp çdo qelizë të opinionit dhe shoqërisë civile, guxon t’i japë mësim Evropës se si duhet të sillet e trajtojë refugjatët. Miku i afërt e sponsori politik i Elvis Roshit ofendon kryeministrin e Hungarisë Viktor Orban. Miku i Arben Nokës tallet e ironizon Johanes Hahn. Kolegu i Armando Prengës e Mark Frrokut përqesh Greqinë. Avokati i Arben Frokut, Balilajt, Habilajt nuk mund të flasë përfaqësojë vullnetin e shqiptarëve për t’u bërë pjesë e Europës. Evropa i hedh tej mbetjet dhe ortakët e krimit. Çatuesi i orëve të vona i Vuçiç nuk mund të flasë në emër të Kosovës e të shpallë në emër të Shqiptarisë zgjidhjen e çështjeve madhore kombëtare. Nuk mund të përbetohesh për euroatlantizëm ditën e natën të lobosh për takim të nivelit të lartë në Moskë. Asnjë shfaqje prej komiku apo servili në Evropë apo arrogant katundi në Shqipëri nuk e shpëton as rehabiliton qeverinë dhe historinë e tij në qeverisje të shqiptarëve. Shqiptarët dhe miqtë e saj në botë do ta mbajnë mend si qeverinë më të paaftë e mediokre të kohrave dhe me të zhyturën e të ndoturën me mafien. Shqiptarët do tia japin vendin e merituar në formën e merituar dhe miqtë perëndimore po ashtu, dhe kjo ditë është afër” u shpreh Çollaku.
Me 21 janar i nxorët në pritë dhe u fshehët poshtë Lanës
Ben Blushi replikoi ashpër dje gjatë seancës parlamentare me Taulant Ballën, i cili me urdhër të Ramës u ngrit të sulmonte Blushin si armik të partisë dhe popullit gjithashtu. Një nga akuzat e Taulant Ballës ndaj Ben Blushit ishte qëndrimi i këtij të fundit në lidhje me protestën e 21 janarit. Për pasojat tragjike të kësaj proteste, Blushi cilësoi si përgjegjës direkt Edi Ramës, i cili organizoi protestën e dhunshme që çoi deri në viktima por vet, siç theksoi ai, u fsheh poshtë Lanës.
“Më përmende 21 janarin. Po ju them dy fjalë që s’keni guxim të mbroni Arditin, ajo që ndodhi në Sharrë është 21 janari i mbetjeve. Në 21 janar ata i vrau Saliu, por i çuat ju në pritë dhe keni tre vjet që keni ardhur në pushtet, ju që qatë për 21 janarin, por nuk bëtë drejtësi. Kush i çoi në pritë ata Taulant, unë nuk marr pjesë në një miting që e thërras vetë dhe fshihem poshtë Lanës, apo në zyrë, njerëzit i çuat në pritë që t’i vrasin, duke i ditur, kam qenë kundër jush atë herë ju thashë të mos bojkotojmë Kuvendin, ata që ishin në pushtet hoqën rrogat 6 muaj, ju që ishit më fanatikët për të bojkotuar morët rrogat pafytyrësisht, shkuat të gjithë në gjyq morët nga 10 milionë, për çfarë, për një bojkot që e kishit bërë me ndërgjegje. Shumica e gjërave që kam thënë po dalin, nuk kam arsye të jem as aksioner në ndërmarrje private, as punëtor, e bëni se doni një punë, se kuvendi është burokraci, çfarë nderi keni ju, kur pranoni që në PS të mos ketë zgjedhje, votuat të gjithë pro, të gjithë votuat të hiqnin importin e mbetjeve dhe tani votuar për importin” u shpreh Blushi. Nga ana tjetër, ai ironizoi gjendjen skandaloze ku është shndërruar Partia Socialiste ndërsa tha se sot kjo parti i ngjason një foleje krimi duke përmendur edhe emra konkretë si Elvis Roshi, Arben Ndoka, Armando Prenga etj.
“Ka nja dy vjet që në PS bëhet një tender që vazhdon përditë, kush shan më shumë Blushin, ti Taulant e ke fituar dhe të nxis ta fitosh, në fund të tij do jesh i pasur, por më shumë i shpifur, por merr pjesë në tender ti dhe shokët e tu. Ikja nga një parti pas 20 vjetësh nuk ndodh përditë dhe nuk hyj te ata që kam keqardhje për atë që ikën, por për atë që vjen. Duke e pasur dilemë ca bëhet me mandatin tim, në kushte normale do ua kisha dhënë nëse do besoja se mandati do vlente, do dinit ta përdornit, kujt t’ja jap unë këtë mandat Elvis Roshit, Armandos, Ndokës, banditëve që të vijnë këtu e të gjejnë strehë vorfnore që mos t’i kapë ligji, rilindjes kanabiste që i shpëton policisë me ndihmën tuaj, me kë ta shkëmbej mandatin.
Keni parë njeri që shkon nga pushteti në opozitë, po qeverisni me një parti që janë sot me ju, nesër do jenë prapë me Saliun, ne po shkojmë nga pushteti në opozitë, por jo në opozitë me këta, këta janë në pushtet me ju, po shkojmë në opozitë me mashtrimin elektoral, që voton për të hequr mbetjet dhe po importon mbetjet, që e hoqën Lazaratin, por e mbollën në çdo cep, që e rritën varfërinë dhe mjerimin, duke marrë 1 miliard e gjysmë euro borxhe, për të furnizuar me pllaka majolike, për këto i keni harxhuar, jam në opozitë me çdo mashtrim, kanabizimin, degradimin e arsimit që i përfaqësoni ju pikë për pikë” tha Blushi.
Dy deputetë largohen nga PS, Blushi: Kriminalizuan vendin
Ben Blushi dhe Mimoza Hafizi vendosën sot të largohen nga Grupi parlamentar i PS. “Nuk do të jemi më deputetë të rilindjes”, lajmëroi Ben Blushi në Parlament. “S’mund të jemi në një qeveri me banditë, përdhunues, trafikantë, injorantë. Rilindja është një fatkeqësi kombëtare që duhet ndëshkuar me votë”, dekaroi ai.
Pse po ikim nga Rilindja!
Ben BLUSHI
Dua të bëj sot me dije një vendim që kam marrë bashkë me kolegen time të nderuar, zonjën Mimoza Hafizi.
Nga sot zonja Hafizi dhe unë nuk do të jemi më deputetë të Rilindjes.
Sot jemi të çliruar, si njerëz të lirë, të cilët kanë vendosur të ndahen nga e drejta e qeverisë për të qenë e padrejtë, nga tendenca e partive për të qenë private dhe nga vesi i ëshqiptare për të qenë e dëmshme.
Nëse doni një arsye po jua them: Ne vendosëm të largohemi nga një grup politik që zgjodhi të eliminojë zgjedhjet e lira.
Ne nuk bashkëjetojmë dot në një parti që nuk do zgjedhje.
Në fillim të këtij viti, për çudinë e gjithkujt, por jo tonën, Rilindja vendosi që në Partinë Socialiste të Shqipërisë të mos ketë më zgjedhje.
Ky ishte një akt pushtimi, me të cilin as kemi rënë dakord dhe as do biem kurrë dakord, pasi konkurrencën e lirë të ideve e konsiderojmë themelin e një shoqërie të bazuar mbi lirinë dhe demokracinë.
Besoj se është rasti këtu të kujtoj se në mënyrë absurde Rilindja vendosi që njeriu që do drejtojë Partinë Socialiste të mos zgjidhet me vota, por me referendum, sikur të ishte një çështje dhe jo një njeri, çka duket sot edhe më qesharake në kushtet kur të njëjtit njerëz që zgjodhën kryetarin e tyre me referendum, i mohojnë referendumin gjithë shqiptarëve, të cilët nuk janë dakord me importimin e mbetjeve në vend.
Megjithatë nuk jemi as të fundit dhe as të parët, të cilëve u rastisi të hyjnë në një parti demokratike, e cila u kthye në një ndërmarrje private, që përveç pasurisë së ortakëve, nuk respekton asnjë normë tjetër. Partia Socialiste nuk është as i pari dhe as i fundit aset publik që blihet nga disa aksionerë për t’u administruar si një biznes privat.
Natyrisht ky privatizim është një nga arsyet për të ikur me vrap. Ne besojmë se partitë duhet të jenë publike dhe vendimet e tyre të merren në mënyrë kolegjiale. Çdo gjë tjetër është një sipërmarrje që i shërben interesit privat dhe jo atij publik.
Megjithatë nuk është vetem kaq. Sigurisht që nuk është kaq pak.
Ne besojmë se, Rilindja nuk ka mbrojtur asnjë ditë interesin publik, përkundrazi ka thelluar traditën e qeverisë së vjetër, duke mbështetur të pasurit kundër të varfërve, të fortët kundër të dobtëve, të ligjshmit kundër të paligjshmëve, duke nxitur kësisoj pabarazinë dhe polarizimin social, që është plaga më e thellë e një vendi, i cili po zhytet çdo ditë në depresion, në korrupsion dhe emigracion kronik, për shkak të qeverisjeve të dobëta dhe klienteliste.
A ka rast më tipik se sa vrasja e një fëmije që punonte në Sharrë, për bukën e gojës dhe për të cilin Rilindja nuk ka thënë qoftë edhe një ngushëllim, megjithëse ai humbi jetën, duke punuar në një territor publik, për të cilin shteti ka përgjegjësi?
Shumë njerëz me siguri ikin nga Shqipëria për të shpëtuar fëmijët e tyre nga fati i Ardit Gjoklajt. Ne po bëjmë shumë më pak se ata: po ikim nga partia që nuk mbrojti Arditin, por vrasësit e tij. Çfarë duhej të na detyronte të bëheshim me pronarët kundër punëtorëve? Asgjë, në asnjë rast! Ne zgjodhëm të mbrojmë Arditet, Rilindja zgjodhi të mbrojë importuesit dhe kjo na ndau.
Megjithatë nuk është vetëm kaq.
Ne besojmë se, Rilindja ka ushqyer me qëllim banalizimin dhe vulgarizmin e politikës, duke sjellë në këtë Parlament si dhe në administratën shtetërore njerëz që më parë kishin vrarë, kishin dhunuar dhe kishin trafikuar, duke e kthyer banditizmin në një normë shoqërore dhe duke i krijuar vendit imazhin e një xhungle, ku fiton i forti dhe ku humb gjithmonë ai që respekton ligjin.
Rilindja e ktheu Shqipërinë në një ferr për të varfërit, në një burg për të mjerët dhe një parajsë për spekulantët, kriminelët dhe shkelësit e ligjit. Ndoshta edhe pak më shumë se kaq: Parlamentin e Shqipërise e ktheu në konviktin më të madh politik të atyre që kërkohen nga drejtësia ndërkombëtare dhe atyre që duan t’i shpëtojnë drejtësisë shqiptare.
Ne nuk duam të jemi bashkë me këta njerëz në një parti. Nuk kemi asnjë arsye të kthehemi në çadër të banditizmit që mbrohet nga shteti.
Ne largohemi sot si njerëz të lirë, të cilët besojnë se Rilindja i tradhëtoi me ndërgjegje të varfërit dhe shtresën e mesme të këtij vendi, duke marrë vazhdimisht masa që cënojnë jo vetëm besimin e tyre tek një rend demokratik, por duke i varfëruar ata edhe më shumë për shkak të masave represive, çnjerëzore, të cilat nuk ishin asnjë ditë reforma, por një eksperiment njerëzor që duhej të ushqente nënshtrimin para detyrimit dhe të testonte poshtërimin e dinjitetit në emër të delirit të pushtetit.
Rilindja beson se një vend duhet të ketë shumë të varfër dhe pak të pasur, kurse ne besojmë se një vend duhet të ketë sa më pak të varfër, në mënyrë që të ketë më shumë të pasur dhe në këtë çështje ndoshta nuk do jemi kurrë dakord.
Rilindja ka zgjedhur të mbrojë pakicën, ne duam të mbrojmë shumicën.
Ne jemi të bindur se Rilindja e cënoi me qëllim arsimin publik, duke lënë rrugëve mijëra fëmijë dhe studentë, në emër të të cilëve prindërit e tyre kishin paguar taksa për një të ardhme më të mirë se ajo që kishin patur.
Nëse një regjim vendos t’i tradhëtojë qytetarët e vet, këtë nuk e bën as tek ushqimi, as tek kurimi, as tek taksimi, as tek pensionimi, por tek arsimi. Në këtë drejtim Rilindja është unike. Të gjitha qeveritë zakonisht tradhëtojnë të shkuarën. Rilindja ka vendosur të tradhëtojë të ardhmen, duke e nisur me arsimin, të cilin e degradoi krejtësisht. Kurrë një vend nuk ka prodhuar më tepër injorancë dhe mediokritet. Rilindja do mbahet mend si laboratori më i madh i injorancës në historinë e këtij vendi dhe nuk ka nevojë të shkojmë shumë larg: Shihni çfarë ka sjellë në Parlament, për ta kuptuar dashurinë e Rilindjes për budallallëkun dhe injorancën.
A mund të bashkëjetonim ne në këto kushte?
Pothuajse e pamundur dhe e panevojshme.
Ne jemi të bindur se Rilindja e ktheu në politikë shtetërore kanabizimin e vendit, duke shkatërruar ëndrrën e një vendi normal, që e bazon të ardhmen e vet mbi punën dhe meritën dhe jo mbi ekonominë e zezë, e cila po shton skllavërimin e të papunëve, po korrupton institucionet dhe po ndez vatrat e konflikteve hakmarrëse në mbrojtje të aktiviteteve ilegale.
Ne kemi qenë vazhdimisht kundër kanabizimit, por ai fitoi të drejtën e qytetarisë me shumicën e votave të Rilindjes dhe pa asnjë votë kundër. Kanabisi sot është e vetmja politikë ekonomike që Rilindja ka çuar deri në fund me sukses të dukshëm dhe të merituar.
Vetëm kaq do mjaftonte për të ikur nga Rilindja me vrap dhe nëse unë kam një pendesë, është si nuk e kam bërë këtë më përpara. Nëse diçka më ka mbajtur, ka qenë nevoja për të kuptuar deri në fund dëmin dhe peshën e tmerrshme mbi shoqërinë, por ndoshta dhe shpresa se diçka mund të ndryshojë.
Por sot nuk kam më shpresë dhe dua t’i them gjithë shqiptarëve që Rilindja është një fatkeqësi kombëtare, e cila duhet ndëshkuar me votë.
Për këtë arsye kemi vendosur t’i bashkohemi me mijëra shqiptarëve të tjerë, të cilët besojnë se vendi ka nevojë për një projekt të ri politik, i cili garanton barazi, drejtësi, mbrojtje të interesit publik dhe mbi të gjitha modesti.
Ne besojmë me bindje se, Shqipëria sot është më e gatshme se kurrë t’i bashkohet një iniciative politike, e cila ju jep mundësi njerëzve të zakonshëm ta drejtojnë Shqipërinë.
Dhe kjo është ajo që do bëjmë: një projekt për njerëzit e zakonshëm, të cilët nuk ndahen për shkak të pasurisë, por bashkohen për shkak të drejtësisë së bindjeve të tyre.
Prokurori Gratteri: Droga në Shqipëri, se policia nuk e lufton
Prokurori Nicola Gratteri mbrohet nga policia që në vitin 1989 për shkak të kërcënimeve nga Ndragheta, organizata më e rrezikshme mafioze në Itali. Nicola Gratteri, kryeprokurori i rajonit të Kalabrisë, gjatë një interviste për rritjen e kultivimit të kanabisit në Itali, foli edhe për legalizimin e kanabisit dhe luftën e policisë me mafien.
Megjithëse prokurori flet më shumë për Italinë, fjalët e tij i përshtaten më së miri situatës aktuale në vendin tonë.
“Marrim si shembull Ndraghetën, që kultivon marijuanë në Aspromonte dhe shqiptarët, të cilët e kultivojnë në Shqipëri dhe në disa zona të Basilikës. Nuk paguajnë drita, ujë, paguajnë në të zezë punëtorët dhe e shesin me katër euro për gram. Nëse shteti vendos të prodhojë marijuanë, duhet të paguajnë serra, drita, pleh organik, tharëse dhe shpërndarjen nëpër farmaci, me kosto nga 12 euro deri në 10 euro për gramë. Por, personi i varur nga droga, i cili nuk ka para, do të vazhdojë ta blejë drogën me katër euro.
Asnjëherë nuk mund të konkurrosh në këtë pikë me organizatat kriminale, duhet të përpiqemi të jemi realistë” shprehet ai.
– Plantacionet me kanabis të sekuestruara në Itali gjatë 2016 janë trefishuar. Çfarë po ndodh?
E thjesht: kërkesa është rritur. Por gjatë këtyre viteve falë teknologjisë, kemi bërë hapa përpara në zbulimin e aktiviteteve kriminale.
– Sa janë plantacionet e mbjella me marijuanë që i shpëtojnë kontrollit të policisë?
Është e vështirë të thuash shifra. Studime të ndryshme thonë se për çdo kilogramë kokainë të sekuestruar, ka nëntë kilogramë të tjerë që trafikohen. Besoj se edhe për kanabisin lëvizim në një përqindje të njëjtë.
– A ka rezultuar e dobishme dërgimi i njerëzve dhe mjeteve në Tiranë?
Jo. Kontrollet janë shtuar, por kjo nuk mjafton. Në Shqipëri ka përhapje të madhe të kultivimit të marijuanës sepse sulmet e policisë janë pa rezultat dhe ka nivel të frikshëm korrupsioni.
– Çfarë mendimi keni për legalizimin e kanabisit?
Kam dëgjuar të thuhet se duke legalizuar drogërat e lehta do të varfërohen organizatat mafioze, por ky është një budallallëk. Në 100 persona me varësi ndaj drogës, vetëm 5 për qind është e varur nga drogërat e lehta, nga këto vetëm 25 për qind mbi moshën 18 vjeç dhe 75 për qind minorenë, pra droga duhet t’i shitet 5 për qindëshit të 25 për qindëshit.
– Të dhënat e tregut janë qesharake: në tregun e zi një gram marijuanë kushton më pak se katër euro, ndërsa një gram kokainë kushton 500 euro, ku është fitimi i munguar i mafies?
Atëherë për koherencë, duhet të legalizohet kokaina, nëse kjo është rruga që po ndiqni…..
– Një shtet demokratik nuk mund t’i lejoj vetes luksin të legalizojë atë që bënë keq. Edhe lojërat elektronike nëpër bare, pijet alkoolike, dhe duhani janë një hipokrizi…..
Marrim si shembull Ndraghetën, që kultivon marijuanë në Aspromonte dhe shqiptarët, të cilët e kultivojnë në Shqipëri dhe në disa zona të Basilikës. Nuk paguajnë drita, ujë, paguajnë në të zezë punëtorët dhe e shesin me katër euro për gram. Nëse shteti vendos të prodhojë marijuanë, duhet të paguajnë serra, drita, pleh organik, tharëse dhe shpërndarjen nëpër farmaci, me kosto nga 12 euro deri në 10 euro për gramë. Por, personi i varur nga droga, i cili nuk ka para, do të vazhdojë ta blejë drogën me katër euro.
Asnjëherë nuk mund të konkurrosh në këtë pikë me organizatat kriminale, duhet të përpiqemi të jemi realistë.
– Cila është zgjidhja?
Kur politika të ketë lirinë, dëshirën dhe kurajën për të krijuar një sistem gjyqësor, në respekt të Kushtetutës, në proporcion me realitetin kriminal dhe do ta kthejë të qenit i jashtëligjshëm në të paleverdisshëm, në një periudhë shumë të shkurtër, katër deri në pesë vite, do të mundi 80 për qind të mafies…
Më pas ka një recetë më të gjatë, ku duhet edhe 20 vjet të tjerë për të ndryshuar mendimin mafioz, sepse edhe kur nuk na censurojnë ne logjikojmë si mafiozë dhe kemi sjellje mafioze.
“Exit.al”
Laura Boldrini: Shqipëria dhe Italia duhet të luftojnë drogën
Kryetarja e Dhomës së Parlamentit Italian, Laura Boldrini bëri thirrje dje nga Tirana për intensifikimin e luftës kundër drogës. “Unë besoj se është në interes të dy vendeve tona për të luftuar trafikun e narkotikëve, sikurse duhet të luftojmë me forcë trafikun e qenieve njerëzore, të administrojmë edhe flukset migratore dhe duhet të bëjmë dallimin mes viktimave dhe atyre që janë elementë kriminale” tha Boldrini gjatë një konference të përbashkët për shtyp me kryetarin e Parlamentit, Meta. Po dje, Boldrini u prit edhe nga Presidenti i Republikës, Bujar Nishani, i cili, i sapokthyer nga një vizitë zyrtare në Itali, shprehu kënaqësinë për takimin me zonjën Boldrini në Tiranë, duke e vlerësuar këtë takim si pjesë të axhendës shumë intensive dhe në nivelet më të larta të bashkëpunimit mes dy vendeve. Presidenti Nishani e konsideroi shkëmbimin e këtyre vizitave si shprehje të qartë dhe shumë domethënëse të nivelit të shkëlqyer e të partneritetit të veçantë strategjik të bashkëpunimit mes dy vendeve. Kreu i shtetit përshëndeti kontributin personal të zonjës Boldrini në ndihmë të popullit shqiptar, në Shqipëri dhe Kosovë, veçanërisht përgjatë viteve 1997-1999, si dhe për forcimin e marrëdhënieve mes dy parlamenteve. Gjithashtu, kreu i shtetit vlerësoi edhe rolin e dhënë në përgjithësi nga Parlamenti italian në mbështetje të politikave të bashkëpunimit dhe të proceseve të integrimit të Shqipërisë në strukturat euroatlantike dhe ato evropiane, ku sigurisht zonja Boldrini ka luajtur një rol të veçantë. Të dy bashkëbiseduesit i kushtuan një vëmendje të veçantë krizës së refugjatëve dhe implikimit të saj në politikat dhe sigurinë e Evropës, si dhe domosdoshmërisë për të ridimensionuar sensin e solidaritetit së pari mes vendeve të Bashkimit Evropian, por edhe të Unionit me vendet e Ballkanit Perëndimor. Kreu i shtetit përshëndeti gjithashtu vendimin e marrë mes drejtuesve të të dy parlamenteve për të arritur një marrëveshje ndërinstitucionale për forcimin e bashkëpunimit dhe të koordinimit mes tyre, në funksion edhe të mbështetjes së afrimit sa më të shpejtë të Shqipërisë dhe të vendeve të tjera të Ballkanit me Bashkimin Evropian. Pas takimit, kreu i shtetit në një ceremoni të veçantë i akordoi, me sugjerim të kryetarit të Kuvendit të Shqipërisë, dekoratën e lartë “Gjergj Kastrioti Skënderbeu”, me motivacionin: “Për kontributin e jashtëzakonshëm dhënë në çaste të vështira për kombin shqiptar gjatë viteve 1997-1999 si përfaqësuese e UNHCR-së në viset verilindore të Shqipërisë: në Kukës, Has, Tropojë, si dhe në Kosovë; për bashkëpunimin e suksesshëm dhe shembullor me autoritetet vendore si dhe ato ndërkombëtare të UNHCR-së, në përballimin e pasojave katastrofike të krizës së të shpërngulurve shqiptarë, të cilët u shpëtuan nga spastrimi etnik i regjimit të Milosheviçit; si dhe për kontributin e çmuar në përparimin e marrëdhënieve dypalëshe mes Republikës së Italisë dhe Republikës së Shqipërisë, në mënyrë të veçantë në atë të dimensionit parlamentar, të cilat përfaqësojnë denjësisht modelin e marrëdhënieve tradicionalisht të shkëlqyera mes dy fqinjëve në brigjet e detit Adriatik dhe Jon”.
PD, rezolutë për dënimin e krimeve të regjimit komunist ndaj klerit, kërkon votimin
Partia Demokratike ka paraqitur dje në Kuvend një rezolutë ku kërkon dënimin e krimeve të regjimit komunist ndaj klerit shqiptar. Rezoluta shpreh gjithashtu mirënjohjen e veçantë për rolin dhe veprimtarinë e përfaqësuesve të klerit në mbrojtjen e vlerave demokratike dhe të drejtave e lirive themelore të njeriut.
Kjo nismë e Partisë Demokratike synon gjithashtu nxitjen e hulumtimeve të mëtejshme nga studiues e akademikë për të zbardhur plotësisht krimet e tmerrshme ndaj klerit, torturat, dënimet dhe ekzekutimet e tyre.
Partia Demokratike kërkon që kjo rezolutë të miratohet nga Kuvendi para datës 5 nëntor kur Vatikani do të bëjë lumturimin e martirëve të klerit katolik.
SHPPL kundër PAMECA IV: Mbron të inkriminuarit dhe ministrin
Shoqata e Punonjësve të Policisë në Lirim – 2013 u njoh nga mediat me qëndrimin e misionit policor të Bashkimit Europian, PAMECA IV në lidhje me disa çështje të rëndësishme që janë në proces hetimi nga Prokuroria e Krimeve të Rënda dhe subjekt i vendimeve të gjykatave.
PAMECA IV ka reaguar ndaj disa dosjeve hetimore me sensibilitet të lartë për opinionin publik për shkak të ngarkesave të mëdha kriminale të autorëve.
Do të ishte mirëpritur ky reagim i Misionit PAMECA IV nëse do të inkurajohej drejtësia për të goditur krimin e organizuar. Në të vërtetë ajo që ne konstatojmë fatkeqësisht, është dalja e Misionit PAMECA IV jashtë objektit të punës duke u bërë pjesë e lojës politike të ministrit të Brendshëm, i cili njihet për lidhjet e dyshimta me botën e krimit dhe në veçanti me këta persona që janë objekt i hetimit nga drejtësia.
Ky mision ka heshtur ndaj emërimeve të hapura në kundërshtim me ligjin brenda organizatës së policisë edhe kur janë provuar lidhjet e tyre me krimin e organizuar.
Ky mision nuk ka reaguar mbi paligjshmëritë e ministrit të Brendshëm që kanë shoqëruar në vazhdimësi punën e tij në këtë detyrë duke politizuar dhe inkriminuar organizatën e policisë.
Nuk ka asnjë reagim zyrtar nga ana e tyre për situatën tejet shqetësuese të kultivimit dhe trafikimit të lëndëve narkotike, si dhe përfshirjen e ministrit dhe drejtuesve të lartë të policisë në këtë aktivitet kriminial.
Ky mision, fatkeqësisht konstatohet se po devijon nga pritshmëritë që qytetarët shqiptarë kanë pasur ndaj tij, por edhe taksapaguesit europianë, që nuk do të donin që taksat e tyre të shpërdoroheshin. Ata presin që PAMECA IV të jetë garante e ligjit dhe jo mbrojtëse e paligjshmërisë.
“SHPPL-2013” njeh dhe vlerëson të gjithë kontributin e këtyre misioneve në vite për ngritjen e profesionalizmit të organizatës së policisë dhe forcimin e kapaciteteve të saj.
“SHPPL-2013” është në mbështetje të çdo anëtari të organizatës së policisë që i shërben ligjit dhe sigurisë në vend dhe çdo misioni që kontribuon në këtë drejtim.
Auditimi, institucionet keqmenaxhuan 25 milionë euro

Mbetet shqetësuese për Audituesin e Pëgjithshëm dhe deputetët e Kuvendit vlera prej 25 milionë eurosh për keq planifikim të shpenzimeve nga institucionet e Kosovës për vitin 2015. Problem tjetër është edhe trendi i rritjes së shpenzimeve si pasojë e vendimeve gjyqësore. Për vitin paraprak, nga buxheti i shtetit janë paguar 12 milionë euro për rastet e humbura në proceset gjyqësore. Kështu u bë e ditur gjatë shqyrtimit të raporteve vjetore të Auditimit për Ministrinë e Financave dhe për Ministrinë e Administratës Publike në komisionin parlamentar për Mbikëqyrje Financiare. Auditori i Përgjithshëm, Besnik Osmani tha se shqetësim tjetër është edhe angazhimi i numrit të madh të të punësuarve me kontratë mbi vepër nëpër institucionet e shtetit dhe rritja e shpenzimeve në fund vit. “Janë shqetësuese mbulimi i pozitave me ushtrues detyre dhe lidhja e kontratave të shumta për shërbime të veçanta, të cilat po e sulmojnë disiplinën fiskale dhe kemi nevojë që të shmangim volumin e lartë të pagesave të fund vitit, sepse kjo po rritë rrezikun për pagesat e pa rregullta dhe blerje të pa nevojshme. Një rast i veçantë i cili donë një trajtim është rritja e pagesave drejtpërdrejt nga Thesari si pasojë e vendimeve gjyqësore që ka shkuar rreth 12 milionë euro sipas vendimeve gjyqësore tregon që megjithatë kemi një mos kujdes nga ana e organizatave buxhetore”, tha Osmani. Në komisionin parlamentar për Mbikëqyrje Financiare raportoi Ministri i Financave Avdullah Hoti, i cili theksoi se ka një tendencë të rritjes së menaxhimit më të mirë të financave publike, ku sipas tij, janë duke implementuar një varg reformash për rregullimin e kornizës ligjore që adreson implementimin e rekomandimeve. Hoti tha se kanë në plan formimin e një Këshilli që përfshin institucionet përkatëse për mbikëqyrjen e implementimit të rekomandimeve. “Ne kemi analizuar me kujdes raportin e audituesit si Ministri e Financave. Mua më gëzon fakti si ministër që numri i raporteve të auditorit që janë të pamodifikuara ose me theksim të çështjes është rritur krahasuar me vitin 2014 për 9.23 për qind. Normalisht nuk është nivel i kënaqshëm për të cilin mund të ndihem i kënaqur, por ka një tendencë të përmirësimit të menaxhimit financiar nëpër organizatat buxhetore… besoi se ka nevojë që të thellohen më tutje reformat”, tha ministri Hoti. Edhe ministri i MAP-së, Mahir Yagcilar, tha para anëtarëve të këtij komisioni se janë në përpjekje që të përmirësojnë punën e Qeverisë, por edhe të institucioneve ku interferon edhe Ministria e Administratës Publike, në mënyrë që të ketë organizim më të mirë në përmirësimin e menaxhimit të financave publike. Kryetari i këtij Komisioni, Faton Topalli nga radhët e LVV-së, tha se sheh një vështirësi të planifikimit dhe organizimit për menaxhimin e financave publike. Si shqetësim tjetër, Topalli sheh edhe mos implementimin e rekomandimeve të auditorit, dhe sipas tij qeveria nuk ka pasur asnjë plan në vitet e kaluara për këtë çështje. “Ajo që më së shumti më shqetëson është që krahas punëve të mira që janë duke u bërë, p.sh. kjo e kontrollit të brendshëm, është një punë që unë e vlerësoi shumë… e shoh në përgjithësi në organizatat buxhetore një vështirësi në kuptimin e planifikimit, të organizmit, të përcaktimit të përgjegjësive, këto janë problemet kryere të cilat nga pikëpamja janë të dalura. Ajo që më shqetëson më së shumti është që rekomandimet e auditorit të përgjithshëm nuk po implementohen dhe vazhdimisht Qeveria nuk dorëzon plan për implementimin”, tha Topalli.
Surpriza e Çmimit Nobel në Letërsi për Bob Dylan
Bob Dylan vlerësohet me Çmimin Nobel në Letërsi për “krijimet poetike në traditën e madhe të këngës amerikane”, komunikoi Akademia suedeze. Me këtë këngëtari i protestës dhe autor i teksteve, Bob Dylan bëhet pjesë e krijimtarisë klasike letrare në tërësi.
Çmimi Nobel në Letërsi normalisht shpallet në javën, kur akordohen edhe çmimet e tjera. Rrallë herë ndodh që kjo datë të shtyhet nga Akademia suedeze. Sidoqoftë shpallja e çmimit pritet gjithmonë me mjaft interes. Deri në çastet e fundit vazhdonin spekulimet për favoritët e mundshëm. Për vitin 2016 – ashtu si edhe një vit më parë – si kandidatë të mundshëm në krye të listës konsideroheshin japonezi Haruki Murakami, amerikani Philip Roth, keniani Ngugi Wa Thiong’o dhe poeti sirian Adonis.
“Këngëtari i madh pa zë”, është shprehur dikur dikush për të. Një përpjekje pa rezultat për t’iu afruar sadopak fenomenit Bob Dylan, po ashtu siç ka dështuar edhe përpjekja për ta klasifikuar atë si një këngëtar folklorik apo rock-u. Këto përshkrime janë mjaft sipërfaqësore dhe nuk e përkufizojnë artistin Dylan. Një artist, i cili gjithmonë ia ka dalë që t’u shmanget klisheve e të çlirohet prej shabloneve muzikore.
Dylan nuk do të jetë idhull
Duket se konstantja është edhe kthesa. Ai i ofroi tifozëve të vet një kurë radikale të parë pikërisht në vitin 1965 në festivalin Newport Folk Festival. Ishte kjo koha kur ai sapo kish nisur të futej në historinë e muzikës si një ikonë e lëvizjes Folk-, Blues- dhe Protestë, kur papritur Dylani vendosi kitarën në një amplifikator elektrik dhe u shfaq me një grup tërësisht rock-u në skenë. Simpatizanët ishin më shumë se sa vetëm të irrituar: ata e konsideruan koncertin si një tradhti ndaj muzikës folk dhe e fishkëllyen Dylanin. Deri në këtë periudhë karriera e tij kish kaluar relativisht pa degëzime. Ende me emrin e tij Robert (“Bobby”) Allen Zimmerman që vinte nga Duluth në Minnesota si kitarist dhe pianist në vitet ‘50 ai luante në formacionet rock të shkollës së mesme. Pasionin për lëvizjen e re Folk ai e zbuloi në qytetin, ku kreu studimet, në Minneapolis në vitin 1959. Bob Dylan vinte nga një familje me origjinë hebreje. Autori i këngëve “Tramp Woody Guthrie” dhe ikona e së majtës në SHBA Pete Seeger u bënë më të rëndësishëm për të se sa Little Richard apo Gene Vincent.
Artisti folk Dylan
Kjo e tërhoqi të riun Dylan në skenën e Nju Jorkut në lagjen Greenwich Village. Këtu ai ra për herë të parë në kontakt me të famshmen Joan Baez, e cila e mori atë me vete në turne. Ai pati kësisoj shansin jo vetëm të interpretojë këngët e tij para një publiku të zgjeruar, por u etablua si një figurë politike proteste. Këngë të ashpra, me shprehje indinjate si “Masters Of War” ose “A Hard Rain’s A-Gonna Fall” e kualifikuan Dylanin për lëvizjen Folk të Protestës. Bashkë me Joan Baez ai mori pjesë në marshimin e mbrojtësve të të drejtave të njeriut. Bob Dylan u shkëput prej hijes së mentores së tij edhe influenca e tij në skenë u rrit duke u bërë gjithnjë e më e prekshme. Sipas revistës “Newsweek” Dylan është po aq i rëndësishëm për muzikën pop sa edhe Einsteini për fizikën.
Vite të vështira
Pas një aksidenti me motor në verën e vitit 1966 Dylan u tërhoq nga skena publike, e la pasdore edhe kulturën e protestës që identifikohej me emrin e tij dhe bashkë me gruan Sara Lowndes e fëmijët u vendos në afërsi të Woodstock pranë Nju Jorkut. Kur atje në vitin 1969 u organizua festivali më i rëndësishëm i dhjetëvjeçarit, pikërisht më i rëndësishmi, pionieri i muzikës rock e pop krahas Beatles dhe Rolling Stones nuk ishte i pranishëm. Kjo shkëputje nga skena ishte për të edhe një çlirim nga kalendari rraskapitës i koncerteve dhe nga stili i jetesës së muzikantëve të rrokut, që i sëmur ata. Vitet ‘70 ishin plot luhatje dhe të vështira për Dylanin: divorci nga Sara Lowndes, njëfarë stanjacioni artistik dhe në fund të dekadës përkushtimi ndaj krishterimit, gjë që tifozët nuk ia zunë për mirë. Edhe në vitet ‘80 bilanci është disi i zbehtë: disa disqe pa ndonjë sukses, probleme me alkoolin, koncerte kaotike. Në kurriz ai ka dy martesa, suksese komerciale me “All-Star-Band Traveling Wilburys” dhe fillimi i turit të njohur “Never Ending Tour” me 100 koncerte në vit duke nisur nga 1988.
Çmime dhe vlerësime të pafundme
Çmimet e Bob Dylanit as që mund të numërohen: 11 Grammy, Oscar për këngën e një filmi, Çmimi Pulitzer për “kompozime lirike me forcë të jashtëzakonshme poetike”, më 2012 Presidenti Barack Obama e dekoron me medaljen “Presidential Medal of Freedom” vlerësimi më i lartë në SHBA. Por Bob Dylan ka qenë aktiv edhe si aktor për shembull, në filmin “Pat Garrett ndjek Billy the Kid” i vitit 1973. Rreth 100 milionë disqe ka shitur ai deri më sot e kjo me siguri që i shkakton vuajtje, sepse janë më pak se ato të shitura nga Justin Bieber.
Në 75-vjetorin e lindjes Bob Dylani ka pushim, “Never Ending Tour” është ndërprerë. Kjo i jep kohë artistit të mendojë, se cili do të jetë roli i tij në historinë e muzikës. Por me siguri që këtë ai nuk do ta bëjë, sepse këtë e bëjnë të tjerët për të. Profesori amerikan i historisë dhe ekspert i Bob Dylanit, Sean Wilentz ka një vlerësim: “Çfarë ka bërë Bob Dylan kryesisht në vitet ‘60: ka shprehur me fjalë, ide dhe ndjenja, që njerëz të tjerë nuk do të ishin në gjendje t’i përshkruanin me fjalë”.
Tani Bob Dylanit i shtohet edhe çmimi prestigjioz Nobel në Letërsi.