28.5 C
Tirana
E hënë, 16 Qershor, 2025

Mëngjeset me 400 kalori: Shijoni ushqimet tuaja të preferuara pa shtuar në peshë

Jeni në kërkim të ideve të mëngjesit që janë të shijshme dhe të shëndetshme njëkohësisht? Më poshtë do të gjeni katër receta të shkëlqyera që jo vetëm që janë të mbushura me vlera ushqyese por gjithashtu janë brenda limitit të 400 kalorive. Këto mëngjese të lehta për t’u përgatitur do t’ju ndihmojnë të filloni ditën tuaj në mënyrën më të mirë të mundshme.

1. Tost me Avokado dhe Salmon të tymosur – 369 kalori

Kombinimi i avokados kremoze me salmonin e tymosur ofron një mëngjes të pasur me yndyra të shëndetshme dhe proteinë. Shtoni disa feta të trasha domate ose disa gjethe rukola për një shtesë të vlerave ushqyese dhe një porcion perimesh.

Përbërësit:

  • ½ avokado (161 kalori)
  • 1 fetë bukë me grurë të plotë (109 kalori)
  • 3 oz salmon i tymosur (99 kalori)

Si ta përgatisni?

Si fillim thekni bukën, shtypni avokadon tuaj dhe shpërndajeni mbi tostin tuaj. Shtoni sipër bukues salmonin e tymosur dhe perimet e zgjedhura dhe konsumojeni.

2. Tërshërë me Luleshtrydhe dhe Gjalpë Kikiriku – 391 kalori

Tuershëra e pasur me fibra, kur kombinohet me fruta shton edhe më shumë fibra e shëndet në pjatë, dhe gjalpi i kikirikut  shton yndyra të shëndetshme dhe proteinë. Për një opsion me më shumë proteinë që mbetet rreth 400 kalorive, mund të shtoni edhe një porcion të pluhurit të proteinës që mund të përdorni.

Përbërësit:

  • ½ filxhan tërshërë (154 kalori)
  • 2 lugë gjelle gjalpë kikiriku (188 kalori)
  • 1 filxhan luleshtrydhe, të ndara në gjysmë (49 kalori)

Si ta përgatisni? 

Përgatisni tërshërën, vendoseni ujin në zjarr dhe kur të marrë valë, uleni temperaturën dhe hidhni tërshërën. Përziejini rregullisht dhe lëreni të gatuhet për 5 minuta deri sa drithi të zbutet dhe të përthithë shumicën e ujit. Më pas lëreni të ftohet dhe shtoni gjalpin e kikirikut bashkë me luleshtrydhet.

3. Smoothie – 360 kalori

Smoothiet janë një mënyrë e shkëlqyer për të kombinuar të gjitha përbërësit e mëngjesit në një enë të vetme. Kjo recetë merr proteinat e saj nga pluhuri i proteinës së serumeve të qumështit, por mund të zëvendësohet lehtësisht me çdo lloj tjetër të pluhurit të proteinës.

Përbërësit:

  • 1 banane, e prerë (122 kalori)
  • 1 filxhan fruta të ngrira (63 kalori)
  • 1 lugë gjelle fara kanepi (55 kalori)
  • 1 filxhan lakër jeshile (7 kalori)
  • 1/3 filxhan pluhur proteinë serumi (113 kalori)

Si ta përgatisni? 

Në një mikser, shtoni gjysmë gote ujë dhe të gjithë frutat e grira. Përzieni mirë derisa e gjithë masa të jetë kremoze.

4. Bukë me Krem Djathi, Djathë Dhie dhe Kastravec – 277 kalori

Një fetë buke mund t’ju kushtojë më shumë se 300 kalori dhe 50 gramë karbohidrate. Por një fetë buke e hollë është një alternativë e shkëlqyer për një vakt me pak karbohidrate dhe kalori. Shoqërojeni me krem djathi dhe kastravecë për shije më të lehtë në mëngjes.

Përbërësit:

  • 2 feta buke me grurë të plotë (115 kalori)
  • 1 lugë gjelle krem djathi (60 kalori)
  • 50 gr djathë dhie (90 kalori)
  • 1 kastravec (12 kalori)

Thekni pak bukën dhe shijojeni duke e lyer me krem djathi, djathë të thërrmuar dhie dhe pak kastravec

Këto receta janë perfekte për ata që dëshirojnë të mbajnë një dietë të balancuar pa u mohuar kënaqësitë e vogla. Të lehta për t’u përgatitur dhe të mbushura me vlera ushqyese, ato janë ideale për të nisur ditën tuaj me energji dhe shëndet.

Izraeli ndalon anijen me ndihma për në Gaza, ndalon Greta Thunberg dhe aktivistë të tjerë të shquar

Izraeli ka ndaluar një anije ndihmash që udhëtonte për në Gaza dhe aktivistë të tjerë të shquar, duke i ndaluar ata që ishin në bord dhe duke e çuar anijen në Izrael.
Koalicioni i Flotiljes së Lirisë (FFC) tha më parë se ushtria izraelite kishte hipur në anijen “Madleen”, e cila po përpiqej të dërgonte ndihma në Gaza.

“Pasagjerët pritet të kthehen në vendet e tyre të origjinës, grupi u përpoq të organizonte një provokim mediatik, qëllimi i vetëm i të cilit ishte të fitonte publicitet. Ka mënyra të tjera për të dërguar ndihmë në Rripin e Gazës — ato nuk përfshijnë selfie në Instagram” tha Ministria e Jashtme e Izraelit në një postim në X
Izraeli kishte paralajmëruar që do të ndalonte mbërritjen e anijes me ndihma në Gaza dhe e përshkroi anijen si një “jaht selfie” që transportonte “të famshëm”.

Kosovë/ Sot tentativa e 29-të për konstituimin e Kuvendit, tentohet zhbllokimi pas ngërçit 2-mujor

Pas gati dy muaj bllokadash dhe përpjekjesh të pasuksesshme, sot në ora 11:00 pritet të mbahet tentativa e 29-të për konstituimin e Kuvendit të Kosovës, me synim zgjedhjen e kryetarit dhe hapjen e rrugës për formimin e institucioneve të reja pas zgjedhjeve të 9 shkurtit.

Procesi ka ngecur për shkak të mospajtimeve mes partive politike, ndërsa Lëvizja Vetëvendosje, fituese e zgjedhjeve, nuk ka arritur të sigurojë mbështetjen e nevojshme për kandidaturën e Albulena Haxhiut për kryetare të Kuvendit. PDK, LDK, AAK dhe NISMA kanë kundërshtuar emrin e propozuar, duke e bërë të pamundur zgjedhjen në gjashtë raunde të votimit të zhvilluara deri më tani.

Vetëvendosje, së bashku me partnerët Guxo dhe Alternativa, po kërkon që votimi të bëhet në mënyrë të fshehtë, në përpjekje për të thyer bllokadën.

Ndërkohë, kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, paralajmëroi përmes një postimi në Facebook se edhe seanca e sotme mund të përfundojë pa rezultat. Ai ka propozuar formimin e një “Qeverie të Unitetit”, duke premtuar një agjendë 15-pikëshe dhe një platformë bashkëpunimi ndërpartiak.

Nëse edhe kjo përpjekje dështon, Kosova rrezikon të përfshihet në një krizë të thelluar institucionale që mund të çojë në shpërbërjen automatike të Kuvendit dhe, potencialisht, në zgjedhje të reja.

Si Shqipëria ka instaluar “me ligj”, farsat zgjedhore!

Nga Erl Kodra

Shqipëria nuk bën zgjedhje parlamentare, por farsë zgjedhore
Analizë Juridike e Papajtueshmërisë së Kodit Zgjedhor me Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë

I. Objekti
Objekti i kësaj analize është konstatimi i shkeljes së drejtpërdrejtë dhe flagrante të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë nga dispozitat e Kodit Zgjedhor që rregullojnë sistemin e shpërndarjes së mandateve parlamentare.

II. Fakti juridik
Sistemi aktual zgjedhor i Republikës së Shqipërisë, ndonëse formalisht etiketohet si “proporcional me lista shumemërore”, në substancë funksionon si një sistem thellësisht jo proporcional dhe diskriminues, në të cilin:
Partia e parë fituese (zakonisht Partia Socialiste) siguron 1 mandat deputeti me rreth 10,000 vota;
Partia e dytë (zakonisht Partia Demokratike) siguron 1 mandat me rreth 10,200 vota;
Ndërsa partitë e tjera, të quajtura “të vogla”, arrijnë të sigurojnë vetëm 1 mandat me mbi 60,000–70,000 vota.
Kjo asimetri brutale në peshën efektive të votës nuk është thjesht një “imperfeksion teknik”, por përbën një shkelje të drejtpërdrejtë të normave themelore të rendit kushtetues demokratik.

III. Dispozitat e shkelura të Kushtetutës
1. Neni 1, pika 2
“Qeverisja bazohet në një sistem zgjedhjesh të lira, të barabarta, të përgjithshme dhe periodike.”
Shkelja është e plotë dhe e drejtpërdrejtë.
Vota e qytetarëve nuk është e barabartë në peshë, sepse 10,000 vota për një parti nxjerrin një deputet, ndërsa 70,000 vota për një tjetër parti nxjerrin po një deputet.
Kjo nuk është “shmangie” nga barazia, por nënshtrimi i një pjese të qytetarëve ndaj peshës inferiore të votës së tyre, çka bie drejtpërdrejt në kundërshtim me parimin e barazisë zgjedhore.

2. Neni 45, pika 2
“Zgjedhësit gëzojnë votën e barabartë, të lirë dhe të fshehtë…”
Shkelja është thelbësore dhe e pakundërshtueshme.
Kur një parti ka nevojë për 7-fishin e votave për të marrë një mandat në krahasim me një parti tjetër, votuesit nuk gëzojnë të njëjtën fuqi përfaqësimi.
Vota e një qytetari që voton për një parti “të madhe” ka 7 herë më shumë vlerë reale në përfaqësimin parlamentar sesa ajo e një qytetari që voton për një subjekt më të vogël.
Kjo është pabarazi kushtetuese në formën më të pastër dhe më të rrezikshme të saj.
Barazia e votës nuk është simbolike — është matematikore. Ose ekziston, ose është shkelur. Dhe në këtë rast është shkelur në mënyrë flagrante.

3. Neni 64, pika 1
“Deputetët zgjidhen me sistem proporcional, me lista shumemërore.”
Shkelja është strukturore.
Kodi Zgjedhor prodhon rezultate që janë numerikisht jo proporcionale. Kjo nuk është një “devijim metodologjik”, por mohim substancial i proporcionalitetit zgjedhor.
Kur një parti me 70,000 vota merr po aq mandate sa një parti me 10,000 vota, sistemi nuk është më proporcional — është manipulues dhe i dhunshëm ndaj përfaqësimit të drejtë.
Kodi Zgjedhor ka shndërruar një sistem të deklaruar proporcional në një mekanizëm dominues për partinë e parë, duke e bërë në praktikë një sistem mazhoritar të deformuar dhe antikushtetues.

IV. Pasojat mbi rendin kushtetues dhe demokracinë përfaqësuese
Kjo shkelje nuk është thjesht teknike, por ka pasoja të drejtpërdrejta dhe të rënda mbi:
Legjitimitetin demokratik të Kuvendit të Shqipërisë,
Përfaqësimin real të popullsisë shqiptare në organin ligjvënës,
Besimin e qytetarëve në sistemin demokratik,
Kushtetutshmërinë e vetë qeverisjes që del nga ky përfaqësim i deformuar.

Me fjalë të tjera:
Ky sistem e zhvesh demokracinë përfaqësuese nga përmbajtja reale dhe e redukton në një procedurë formale të kontrolluar nga një mekanizëm i pabarabartë votash.

V. Konkluzion juridik
Kodi Zgjedhor i Republikës së Shqipërisë është në shkelje të drejtpërdrejtë dhe flagrante të Kushtetutës, në veçanti të:
Nenit 1, pika 2 — mbi barazinë e zgjedhjeve;
Nenit 45, pika 2 — mbi barazinë e votës si të drejtë kushtetuese individuale;
Nenit 64, pika 1 — mbi detyrimin për përfaqësim proporcional.

Ky sistem është antikushtetues. Ai nuk prodhon përfaqësim të drejtë, nuk garanton barazi, dhe nuk respekton demokracinë përfaqësuese.

VI. Ndërhyrje institucionale
Në përputhje me këtë analizë, kërkohet me urgjencë institucionale:
Shqyrtimi i kushtetutshmërisë së dispozitave përkatëse të Kodit Zgjedhor nga Gjykata Kushtetuese;
Ndërhyrje legjislative për të rikthyer përfaqësimin proporcional real dhe barazinë efektive të votës;
Ndërprerja e menjëhershme e tolerimit të një sistemi që shkel në themel të drejtën kushtetuese të qytetarëve shqiptarë për përfaqësim të barabartë.

Agim Baçi: Mosdënimi i së shkuarës, është ‘ridënimi’ ynë si shoqëri

Nga Agim Baçi

Shumë vende evropiane që kaluan mallkimin e diktaturave komuniste kanë mundur që të ringrihen pasi kanë mundur të shohin në sy vetveten. Pendesa e mjaft prej aktorëve të së ligësisë kriminale dhe, sidomos, kërkesa e fortë e shoqërisë për të zbardhur të shkuarën e vet, solli në këto vende që gabimet e ndërtimit të institucioneve në demokraci të ishin më të kapërcyeshme.
Ndërsa ne, në 35 vite, në vend të ndëshkimit të së keqes, e lamë të shkuarën të ishte pjesë e përditshmërisë pa asnjë ndjenjë faji, pa asnjë pendesë. E për pasojë, rifituam servizlimin, hipokirizinë dhe një shoqëri të gënjeshtërt, që mbeti peng i së shkuarës. Të edukuarit me fabrikimin e së keqes na drejtuan në gjykata, prokurori, e për më tepër, në politikërje, duke i lënë rrugën të keqes që të bashkëjetojë pa u turpëruar për atë që ndodhi në gati pesëdhjetë vite krimesh e dhunimesh. Ky mosdënim i së shkuarës është edhe “ridënimi” ynë si shoqëri- një ridënim që e lamë vetë të ndodhte, sepse “dëshmitarët e rremë” të së ardhmes i morëm nga ata që diktatura i kish përgatitur për të mbajtur gjallë perversitetin e përditshëm, pa u penduar për asgjë kriminale që bënë në atë sistem.
Kështu, pasi kemi lënë këtë të keqe të triumfojë, nuk ka pse habitemi sot që Spaçi apo Qafë Bari të shkojnë drejt rrënimit, drejt zhdukjes, e në vend të tyre të lulëzojë turizmi te ish Piramida, apo te ish shtëpia e diktatorit, duke e sjellë të shkuarën kriminale të estetizuar për turistë.
“Nuk ndërtohet parajsa me muratorët e ferrit”, shkruan shkrimtari Kim Memhemti. Por ne e sfiduam këtë shprehje, duke i lënë projektuesit e ferrit të djeshëm të na shesin projektet e tyre për parajsën e demokracisë. Dhe harruam që demokracia bëhet nga ata që mendojnë si të tillë, që veprojnë si të tillë, e jo nga nostalgjikët e një sistemi që vetëm Njeriun me Dinjitet dhe të Drejtën nuk e përfillte kurrë.

Miqtë që u bënë armiq, si nisi lufta e shokëve të fëmijërisë. 7 vrasje, Erjon Alibej pagoi 388 mijë €

“…kur vendosa të trokas në këtë institucion (SPAK), për të dhënë shpjegime dhe për të sqaruar pozicionin tim mbi gjithçka ka ndodhur në jetën time dhe familjarëve të mi, kam hequr dorë nga çdo gjë, përfshirë këtu dhe hakmarrjen për ato që mua dhe familjes time, i kanë ndodhur. Unë tashmë ia kam lënë në dorë gjithçka drejtësisë…”.

Kjo është fjalia e parë që Erjon Alibej, njëri prej të penduarve nga Elbasani, u ka thënë tre oficerëve të BKH-së dhe 3 prokurorëve të SPAK, përpara se ai të niste rrëfimin e tij për të treguar serinë e ekzekutimeve të përgjakshme që tronditën vendin në vijën rrugore Durrës-Rrogozhinë-Peqin-Papër-Elbasan.

Një serial vrasjesh, që mori fillesën nga përplasja e trafikantëve ndërkombëtarë të kokainës, të cilët fillimisht vepronin në një grup të vetëm dhe ishin shokë fëmijërie mes tyre si dhe bashkëpunëtorë në tregtinë e kokainës.

Por interesat, konjukturat, vjedhja dhe ekskluziviteti i linjave të trafikut të kokainës, çoi në shpërbërjen e grupit, nga ku lindi krijimi i dy klaneve brenda grupit, që më pas solli një përplasje me viktima nga të dyja anët.

Klani “Çopja” që drejtohej nga vëllezërit Hajdar e Franc Çopja si dhe Klani “Alibej”, që drejtohej nga vëllezërit Enea dhe Erjon Alibej, ishin dy grupimet që gati të shkatërronin komplet qytetin, vetëm që fitues i kësaj lufte të ishte njëri prej tyre.

Të dyja klanet, për gati tre vite kontraktuan skuadra ekzekutorësh me pagesë. Ku nga njëra anë vepronte Talo Çela, personazh ky me eksperiencë të gjatë në krime dhe ende i pa arrestuar nga strukturat e Policisë së Shtetit.

Dhe nga ana tjetër vepronte si kundërshtar, nxënësi i tij Nuredin Dumani, i cili kishte fiksim të vriste Talo Çelën dhe njëkohëshit kryente vrasje me pagesë për llogari të Erjon Alibej dhe Arjan Spahisë.

Mijëra dhe miliona euro të ofruara nga të dyja klanet e futura në luftë, për marrjen e jetëve të djelmoshave të rinj, që në shumë raste ishin krejtësisht të pafajshëm.

Vetëm Erjon Alibej, ka kontraktuar dhe paguar për 7 vrasje dhe shkatërrimin e shtëpisë me eksploziv të Talo Çelës shumën prej 388 mijë euro. Pa llogaritur këtu kostot financiarë të blerjes së armëve moderne dhe korrupsionin e zyrtarëve të lartë.

Kundrejt pagesave të Alibejt janë vrarë 7 persona si i Angjelo Avdija, Dorjan Shkoza, vëllezërit Besmir dhe Viktor Kola, Emiljano Ramazani, Bujar Çela, Regis Runaj. Ndërsa kundrejt pagesës është hedhur në erë dhe shkatëruar shtëpia e Talo Çelës.

Kundrejt pagesave dhe mjeteve të tjera janë siguruar kushtet për të vrarë Talo Çelën, Dine Çamin, Altin Ndoci dhe persona të tjerë.

Oferta mjaft të shtrenjta në euro, kanë dhënë dhe klani kundërshtar i Erjon Alibej, të cilit i kanë shkaktuar familjes së tij 6 anëtarë të vrarë si Enea Alibej, Arben Dylgjeri, Erdal Durunay, Arjan Spahiun, Andi Zylyfin dhe Everest Çaka.

Ndërsa grupit të Nuredin Dumanin, i shkaktuan vetëm vrasjen e Klevis Kapllanit në Sinaballaj të Kavajës.

Tashmë prej gati 3 vite Erjon Alibej, ka fituar statusin e bashkëpunëtorit të SPAK, falë rrëfimit të tij të dhënë në 7 procesverbale të ndryshme.

Ndërkohë në dy seanca gjyqësore rrëfimi i Erjon Alibej është dëgjuar nga gjykata, avokatët dhe të pandehurit e pranishëm në seancën gjyqësore.

Alibej ka treguar kalvarin e familjes së tij dhe përfshirjen në vorbullën e eleminimit të njerëzve të afërm të tij. Ai ka treguar fillimisht dyshimet që kishte mbi Suel Çelën dhe takimet që ka zhvilluar me të.

Ka treguar punën kërkimore dhe hetimin paralel që ai ka kryer për të zbuluar emrat që kishin goditur dhe vrarë anëtarët e familjes së tij.

Njëherësh ka treguar se të gjitha zbulimet që ai kryente ja vinte në dispozicion Policisë dhe prokurorisë Elbasan, duke përmendur emra konkretë policësh dhe prokurorësh, të cilët sipas tij nuk vepronin ndaj ai humbi besimin tek prokuroria, ndaj ju fut rrugës së hakmarrjes dhe vrasjeve.

Por në fakt ka disa kundërshti në rrëfimin e Alibej. Pasi, kanë qenë pikërisht ata prokurorë që përmendi Alibej, në seancës që kanë bërë zbardhjen e ngjarjes së masakrës së Bradasheshit, duke shpallur në kërkim Mikal Kamamin si pjesëmarrës kryesor në këtë vrasje me 3 viktima.

Përmendja nga ana e Alibejt, e policëve dhe prokurorëve në sallën e gjyqit, duke i anatemuar ata si zyrtarë që nuk kishin vepruar, i prishi qetësinë prokurorit të SPAK, Behar Dibra, që ishte prezent në sallë.

Dibra, i kërkoi Alibejt që të përqendrohej tek faktet dhe të tregonte me detaje krimet për të cilat Alibej është marrë i pandehur dhe akuzat që janë objekt gjykimi në këtë proces gjyqësor.

Të njëjtën gjë kërkuan nga gjykata dhe avokatët mbrojtës të të pandehurve, të cilët i kujtuan gjykatës që të ndërpriste dëshminë e Alibej, pasi për dy seanca gjyqësore, nuk kishin dëgjuar asgjë nga bashkëpunëtori i SPAK për krimet që ka kryer, pasi ai ka folur vetëm për jetën familjare të tij dhe hetimet private që ka kryer, duke mos thënë asgjë për krimet që ka kryer vetë.

Por Alibej nga qendra e fjalimit të tij, ju drejtuar gjykatës me fjalët:

”…e nderuar gjykatë, unë kam kohë që mezi e kam pritur këtë moment dhe të flas për gjithë kalvarin dhe t’ju shpjegoj juve se çfarë ka ndodhur…”.

Në këto moment çohet në këmbë prokurori Dibra duke ju drejtuar Erjon Alibej me fjalët:

“…nuk ke ardhur këtu nga qejfi dhe të flasësh çfarë do ti, ke ardhur nga halli se të kemi sjellë ne këtu, nuk ke ardhur nga qejfi. Fol për krimet që ke kryer dhe je marrë i pandehur. Për akuzat që janë objekt i këtij gjykimi dhe jo jashtë objektit, se çdo gjë jashtë gjykimit, nuk ka vlerë…”.

Salla u përfshi nga debati, ku të pandehur dhe avokatë po flisnin pa lejë drejt trupit gjykues. Situatë kjo që solli largimin e revoltuar të prokurorit Behar Dibra nga salla e gjykimit, i cili u kthye disa minuta më pas.

Më tej Alibej vijoi me deklarimin e tij, duke treguar detajet e përgatitjes me Arjan Spahinë dhe Nuredin Dumanin, të vrasjes së Dorjan Shkozës dhe Anxhelo Avdisë, vëllezërve Besmir e Viktor Haxhiaj dhe planin e vrasjes së Altin Ndocit, të cilët nuk e vunë dot në zbatim.

Këtë javë që vjen Alibej do tregojë dhe serinë e ekzekutimeve të tjera.

Lista e vrasjeve me pagesë

100 mijë euro për vrasjen e Besmir dhe Viktor Haxhisë

100 mijë euro për vrasjen e Dorjan Shkozës dhe Anxhelo Avdisë

60 mijë euro për vrasjen e Bujar Çelës

8 mijë euro për vrasjen e Regis Runaj

100 mijë euro për vrasjen e Emiljan Ramazanit

20 mijë euro për tritolin e shtëpisë së Talo Çelës/ORA NEWS

Murtaja që vret bagëtitë, sëmundja shfaqet në Shqipëri/ Një vit më parë, në Greqi vrau 160 mijë dele dhe dhi

Murtaja e ruminantëve nuk është një sëmundje e rrezikshme për njeriun, por është katastrofike për popullatën e të imtave.

Ky infeksion përhapet në mënyrë të shpejtë te kafshët, duke sjellë mortalitet 100% të tufës ku shfaqet. Murtaja e të imtave është një sëmundje e re për veterinarët shqiptarë.

Një vit më parë, në Greqi, brenda një muaji murtaja e bagëtive u përhap në 11 rajone të Greqisë nga 13 që ka gjithsej. Kjo sëmundje solli një krizë të rëndë për sektorin e blegtorisë, pasi u asgjësuan 160 mijë dele dhe dhi.

Ervin Resuli, mjek veterinar: “Është një sëmundje e cila jep më tepër dëm ekonomik, pasi shkon deri në 100% të tufës. Ka më tepër probleme në aspektin ekonomik dhe dëme te popullata e të imtave.”

Murtaja e ruminantëve në Greqi u transmetua nga kafshët e importuara nga Rumania dhe Turqia, të cilat nuk ishin të shoqëruara me një certifikatë shëndetësore. Ndërsa në Shqipëri ende nuk kemi një përgjigje se si kjo sëmundje u shfaq në fermën e dhive në Postribë të Shkodrës.

Ervin Resuli, mjek veterinar: “Para një viti kemi pasur në shtetin fqinj, në Greqi, ku bëri dëme të mëdha në atë vend, dhe Shqipëria mori masa për të parandaluar transmetimin e virusit nga Greqia në Shqipëri.”

Blegtorët duhet të jenë të vëmendshëm dhe të lajmërojnë menjëherë nëse kafshët e tyre kanë shenja të sëmundjes që shfaros bagëtinë.

Ervin Resuli, mjek veterinar: “Kërkon një vigjilencë të shtuar për sa i përket shërbimit veterinar dhe blegtorëve të kafshëve. Ata duhet të kenë kujdes nëse shohin që bagëtia ka rrjedhje nga hundët, sytë, ulje të nivelit të qumështit apo aborte të shtuara.”

Veterinerët e Ministrisë së Bujqësisë dyshojnë se kjo sëmundje nuk është prezente vetëm në Shkodër, por edhe në Dibër, pasi në një tjetër fermë janë regjistruar humbje të kafshëve të imta./ Top Channel

Shqipëri-Serbi, media angleze: Paqja e brishtë do vazhdojë deri në tetor

Brenda “Arenës Kombëtare”, mbi 20,000 tifozë mbajtën frymën dhe përqendruan çdo grimcë vëmendjeje tek Rey Manaj. Jashtë, mijëra të tjerë që kishin mbushur Tiranën gjatë gjithë ditës, disa duke pritur në radhë nëpër kufij dhe më pas duke vrapuar drejt bareve apo ekraneve publike për të ndjekur ndeshjen, shtrënguan gotat e birrës në duar. Shqipëria kishte fituar një penallti dhe askujt nuk i interesoi nëse ajo ishte e dyshimtë. Nëse Manaj do të ruante qetësinë, ndoshta më në fund do të lindte një hero i futbollit dhe mallkimi që kishte rënduar mbi këtë përballje do të zhdukej njëherë e mirë.

Manaj u drejtua për të gjuajtur, ndoshta pak më i ngrirë nga sa duhej, dhe iu afrua topit ballë për ballë. Nëse kishte nevojë për një kujtesë të kontekstit, mjaftonte të dëgjonte jehonën e thirrjeve “Serbia, Serbia, …. motrën” që kishin qenë banda zanore e ditës dhe sapo ishin ndalur pak para se ai të merrte hapin vendimtar. Goditja ishte e ulët, shumë afër portierit serb Djordje Petrovic, i cili e priti pa shumë vështirësi. Menjëherë pas kësaj u dëgjua vërshëllima e pjesës së parë, ndërsa delegacioni serb zbriti me nxitim në fushë për të përqafuar portierin e tyre. Për Manajn, ajo që mbeti ishte vetëm një imazh i ngrirë i një momenti që nuk arriti ta përmbushte.

Në fund, kjo ndeshje arriti ta kalojë një provë të madhe, por vetëm me shumë vështirësi dhe jo pa pasoja të mundshme. Barazimi pa gola ishte gjithnjë rezultati më i sigurt për të ruajtur paqen dhe, duke pasur parasysh takimin katastrofik të këtyre dy skuadrave në Beograd gati 11 vite më parë, suksesi i vërtetë ishte përfundimi pa incidente. Nuk pati dronë që të thyenin sigurinë e rreptë, nuk pati përleshje që të vazhdonin në orët e vona të një nate të ngarkuar, të nxehtë dhe të tensionuar. Askush nuk mund të mburrej se kishte përmbysur rrjedhën e ngjarjeve, as në fushë dhe as jashtë saj.

Megjithatë, delegati i ndeshjes nga UEFA, ish-shefi i policisë zvicerane Jacques Antenen, kishte mjaft për të menduar teksa kalonte nëpër tribunë gjysmë ore pas përfundimit dhe ulej për të diskutuar me kolegët nga FIFA. Ai ishte zgjedhur enkas për eksperiencën e tij me ngjarje me rrezik të lartë, dhe duket se kishte shumë për të raportuar kur në minutën e 65-të, arbitri Davide Massa ndaloi ndeshjen për herë të tretë.

Objekte të ndryshme kishin rënë herë pas here mbi lojtarët serbë nga tribuna lindore e stadiumit, duke detyruar zërin e stadiumit të bënte thirrje për qetësi kur Sasa Lukic u godit ndërsa po përgatitej të gjuante një këndore. Pak para minutës së 60-të, Strahinja Erakovic u godit afër vijës anësore, dhe pasoi një thirrje tjetër për ndalim. Kur edhe Andrija Zivkovic u prek në mënyrë të ngjashme, sinjalet paralajmëruese ishin të qarta.

Massa në dy raste duket se i kërkoi skuadrave të largoheshin nga fusha, por më pas zgjodhi të bisedonte gjatë me lojtarët e të dyja palëve pasi i mblodhi në qendër të fushës. Kjo përfundoi me ndërhyrjen e kapitenit shqiptar Berat Gjimshiti, i cili iu afrua sektorit nga ku kishin ardhur sendet. Policia ndërhyri menjëherë për të parandaluar përsëritjen, dhe pjesa e mbetur e ndeshjes kaloi në qetësi relative. Në fund, Massa meriton vlerësim për mënyrën si menaxhoi një situatë të papranueshme, duke kuptuar se një vendim më ekstrem mund ta kishte përkeqësuar situatën.

Shqipëri-Serbi, media angleze: Paqja e brishtë do vazhdojë deri

Kështu, një paqe e brishtë do të vazhdojë deri në tetor, kur këto dy kombëtare do të përballen sërish, dhe Serbia do të ketë për detyrë të përmbahet vetë nga elementët e saj të rrezikshëm. Nuk kishte vend për dyshime në rrugët drejt stadiumit, sidomos në Bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, ku atmosfera para ndeshjes ishte ngarkuar. Shqipëria dhe Serbia do të organizojnë bashkë Kampionatin Europian U-21 në vitin 2027, por ultrasit vendas nuk ndajnë optimizmin e diplomatëve që kanë ideuar këtë bashkëpunim.

“Armiqtë e vjetër nuk bëhen miq të rinj,” shkruhej në një banderolë të madhe mbi Piramidën e Tiranës, e shoqëruar nga fotografia e heroit të rezistencës shqiptare, Elez Isufi. Tifozë ngjitën mbi 100 shkallë për t’u bërë pjesë e spektaklit; të rinj me biçikleta ndezën flakadanë të kuq poshtë. Përballë, anëtarë të “Tifozat Kuq e Zi”, grupi i njohur që ishte përjashtuar nga kjo ndeshje pasi nuk mori biletat e zakonshme, u përgatitën të marshonin me një pankartë që godiste Federatën Shqiptare të Futbollit.

Mesazhi i tyre ishte i qartë: “Na merrni biletat, na sillni policinë përballë, por nuk mund të vrisni zemrën që rreh për Shqipërinë.” Brenda stadiumit, ata që kishin fituar në short apo që kishin paguar me mijëra euro në tregun e zi, u përpoqën ta ndezin atmosferën. Nuk dukej aspak si një ndeshje e ftohtë e ngjashme me ato të sponsorizuara kur Serbia doli në nxemje mes fishkëllimave dhe sharjeve të pandërprera. Këto vazhduan edhe gjatë himnit të tyre kombëtar, kur fëmijët që shoqëronin lojtarët serbë Lazar Samardzic dhe Aleksandar Mitrovic bënë me duar simbolin e shqiponjës – një veprim që ka vënë në punë institucionet drejtuese të futbollit në turnetë e fundit.

Ndeshja, siç pritej, ishte e tensionuar dhe nuk tregoi shenja se ndonjëra nga këto skuadra mund t’i bëjë konkurrencë Anglisë në krye të Grupit K. Përkundër teknikës së lartë, Serbia tregoi pak rrezik përpara, ndonëse u desh një pritje e jashtëzakonshme nga Thomas Strakosha për të ndalur një goditje perfekte me kokë nga Mitrovic pas pushimit. Mitrovic humbi edhe një tjetër mundësi, por ishte Shqipëria, e shtyrë përpara nga tifozët me çdo sinjal të vogël, që duhet ta kishte fituar. Manaj e humbi rastin e tij për pavdekësi, por Nedim Bajrami duhej ta kishte bërë të harrohej ajo penallti kur iu dha një rast i pastër për të përmirësuar situatën. Goditja e tij e dobët nuk i krijoi aspak vështirësi Petrovic-it dhe përfaqësoi në mënyrë të përsosur gjithë atë që ishte kjo ndeshje.

“Merituam më shumë, por ky është futbolli,” tha trajneri i Shqipërisë, Sylvinho. Këto fjalë të zakonshme do të bëjnë pak për ta ngushëlluar Manajn. Por ndoshta fakti që sporti mundi, sadopak, të dominojë diskutimin pas ndeshjes, është tregues se ka një rrugë më të mirë përpara, qoftë për miq, qoftë për armiq. /Përshtatur nga The Guardian/

Vëzhguesit raportojnë për parregullsi në zgjedhjet lokale në dy komuna të Serbisë

Dy komuna të vogla në Serbi janë duke i mbajtur zgjedhjet lokale më 8 qershor – proces zgjedhor që konsiderohet test për Qeverinë, pasi është i pari prej nisjes së bllokadave të studentëve nëpër fakultete, në nëntor të viti 2024, të nxitura nga vdekja e 16 personave, si pasojë e shembjes së një strehe betoni në stacionin hekurudhor të Novi Sadit.

Në të dyja këto komuna, prej vitesh, është në pushtet Partia Përparimtare Serbe (SNS), e themeluar nga presidenti serb, Aleksandar Vuçiq.

Qendrat e votimit janë hapur në orën 7:00 në të dyja komunat, dhe do të mbyllen në orën 20:00.

Në Zajeçar, qytetarët do t’i zgjedhin 50 anëtarë të Asamblesë komunale ndërsa në Kosjeriq 20 të tillë.

Në territorin e Zajeçarit, të drejtë vote kanë 47.357 banorë, ndërsa në Kosjeriq, 8.898.

Sipas të dhënave të Komisionit Zgjedhor, deri në orën 12:00 në Kosjeriq kanë votuar 4.225 qytetarë, apo 47.48 për qind.

Deri në atë orë në Zajeçar kanë votuar 32.64 për qind e banorëve me të drejtë vote, ka bërë të ditur Komisioni.

Ministria për Punë të Brendshme e Serbisë ka thënë se në disa qendra votimi në Kosjeriq “ka pasur tentime për të bllokuar ilegalisht qendrën e votimit, dhe për të penguar procesin zgjedhor”, mirëpo që “ato janë shmangur në përputhje me ligjin”.

“Zyrtarët policorë nga stacioni policor në Kosjeriq janë duke vepruar pas raportimeve nga presidenti i Komisionit të Zgjedhjeve se në qendrën e votimit 22, në fshatin Dërmanovina, vëzhguesi Veselin Ristanoviq, duke përfaqësur listën ‘Të bashkuar për Kosjeriqin’ e ka djegur listën e votimit për personat që mund të votojnë nga shtëpitë. Policia është duke punuar në këtë rast”, është thënë në deklaratë.

Qendra për Kërkim, Transparencë dhe Llogaridhënie (CRTA) ka thënë se ka raportuar në polici se disa vëzhgues të organizatës në Kosjeriq kanë pranuar kërcënime dhe provokime përmes thirrjeve telefonike.

Aktivistët dhe banorët e Kosjeriqit e kanë rrethuar një depo, pasi besojnë se prej asaj pike partia në pushtet është duke transportuar votuesit nëpër qendra votimi.

Turma nuk është duke lejuar askënd që të lëvizë, ndërsa të pranishme janë edhe forcat policore.

Sipas CRTA-s, në një qendër votimi në Zajeçar, në dy raste votuesve u janë dhënë fletëvotime të plotësuara.

Edhe në këtë komunë është raportuar për presion ndaj vëzhguesve nga ana e udhëheqësve të qendrave të votimit.

Në Zajeçar garojnë tetë lista elektorale, ndërsa në në Kosjeriq vetëm tri.

Në Kosjeriq garojnë listat: “Nuk do të heqim dorë nga Serbia – Aleksandar Vuçiq”, “Partia ruse – Serbia në BRICS, Sllobodan Nikoliq” dhe “Të bashkuar për Kosjeriqin”.

Në Zajeçar garojnë listat: “Nuk do të heqim dorë nga Serbia – Aleksandar Vuçiq”, “Ndryshimi që e besojmë në Ugljesha Gjuriçkoviq, Dragana Rashiq”, “Të bashkuar për të ruajtur Zajeçarin, Mirko Jellenkoviq, Milladin Kërstiq”, “Doktor Nenad Ristoviq – Vendas për Zajeçarin”, “Ivica Daçiq – SPS – Të vendosur për Zajeçarin”, lista minoritare “Koalicioni për Serbinë Lindore – Sasha Radulloviq Gërlanac”, “Ne, Forca e Popullit – profesor Branimir Nestoroviq” dhe “Serbët Liberalë – Vlladimir Kovaçeviq”.

Qendra për Kërkim, Transparencë dhe Llogaridhënie (CRTA) ka bërë të ditur në mëngjesin e 8 qershorit se të gjithë vëzhguesit e organizatës janë në Zajeçar dhe Kosjeriq.

Ndonëse në parim mund të mos duken zgjedhje shumë të rëndësishme, fushata zgjedhore në dy komunat është përcjellë nga incidentet, përleshjet mes mbështetësve të Qeverisë dhe opozitës dhe sulmeve ndaj ekipeve të gazetarëve.

Pavarësisht se kanë pak banorë, ato janë kthyer në një temë të rëndësishme javëve të fundit dhe në destinacione të domosdoshme vizitash për zyrtarët e lartë shtetërorë, përfshirë edhe vetë Vuçiqin./REL

Në BE janë të shqetësuar për sigurinë, në Ballkan prioritet është mbijetesa

Qytetarët e Bashkimit Evropian dhe të Ballkanit Perëndimor kanë prioritete dhe pikëpamje të ndryshme jetësore, tregon një anketë e Eurobarometrit, e kryer në pranverë të këtij viti.

Derisa ata të BE-së mbeten të përqendruar në çështje të sigurisë që lidhen me pushtimin rus të Ukrainës, në Ballkanin Perëndimor më të shqetësuar janë për rritjen e çmimeve të ushqimeve, krimin, korrupsionin dhe cilësinë e kujdesit shëndetësor.

Anketa shpërfaq, gjithashtu, dallime mes vendeve të Ballkanit Perëndimor, sidomos Serbisë dhe pjesës tjetër të rajonit, për sa i përket optimizmit, besimit në BE, mosbesimit në NATO dhe mbështetjes për anëtarësimin e mundshëm.

Për tre vjet me radhë, më shumë se një e katërta e të anketuarve nga 27 vende pajtohen se lufta në Ukrainë përbën një kërcënim të drejtpërdrejtë për sigurinë e BE-së, ndërsa një e pesta i jep përparësi mbrojtjes dhe sigurisë.

Ballkani Perëndimor, në anën tjetër, përqendrohet te mbijetesa e përditshme. Krahasuar me anketën e njëjtë të kryer në vjeshtë, Maqedonia e Veriut regjistroi rritjen më të madhe të shqetësimeve në lidhje me krimin, ndërsa Kosova regjistroi rritjen më të madhe të shqetësimeve në lidhje me rritjen e çmimeve.

Kosova dallohet krahasuar me pjesën tjetër të Ballkanit Perëndimor për optimizmin, ku 76 për qind e të anketuarve shprehen të kënaqur me tregun e punës. Rreth 40 për qind e të anketuarve në vendet e tjera mendojnë se mundësia për të gjetur punë në vendin e tyre është e mirë, që është në përputhje me mesataren e Bashkimit Evropian.

Krahasuar me sondazhin e Eurobarometrit në vjeshtë, Shqipëria shënon rritjen më të madhe të optimizmit – për 17 për qind, ndërsa Bosnje dhe Hercegovina rritjen më të madhe të pesimizmit – për 6 për qind.

Sa i përket gjendjes së përgjithshme në vend, dy të tretat e të anketuarve në Serbi mendojnë se ajo është e keqe. Njëkohësisht, kjo është edhe rritja më e madhe e perceptimit negativ: 19 për qind.

Ndryshe nga të tjerët, 80 për qind e të anketuarve në Kosovë e kanë vlerësuar gjendjen në vendin e tyre si të mirë. Pesimizmi për këtë çështje është rritur më së shumti në Serbi – për 19 për qind – krahasuar me tetorin e vitit 2024.

Të anketuarit në Kosovë dhe në Mal të Zi janë optimistë sa i përket drejtimit që po ndjekin vendet e tyre.

Ndërkohë, në Bosnje dhe Hercegovinë është rritur ndjeshëm pesimizmi – 14% më shumë njerëz se në vjeshtën e vitit 2024 mendojnë se vendi është në rrugë të gabuar.

Rritje e ngjashme e mendimit negativ është shënuar edhe në Serbi, me 11%. Ndërsa shumica e qytetarëve të BE-së dhe Ballkanit Perëndimor besojnë se jeta e tyre nuk do të ndryshojë vitin e ardhshëm, në Kosovë dhe në Shqipëri dominon optimizmi.

Në këto dy vende, shumica besojnë se jeta e tyre do të përmirësohet, ndërsa çdo i pesti i anketuar në Serbi dhe në Maqedoni të Veriut ka frikë se e ardhmja do të jetë më e vështirë.

Në krahasim me të njëjtën anketë të kryer në vjeshtën e vitit 2024, në Mal të Zi është rritur për 20 për qind numri i atyre që mendojnë se gjithçka do të mbetet e njëjtë, ndërsa në pjesën tjetër të rajonit rezultatet janë afërsisht të njëjta.

Në Serbi, Mal të Zi dhe Bosnje e Hercegovinë, shumica e qytetarëve parashikojnë përkeqësim të situatës së përgjithshme në vendet e tyre, gjatë vitit të ardhshëm.

Kosova dhe Shqipëria dallojnë nga ky trend, pasi shumica e të anketuarve presin përmirësim në të ardhmen, madje më shumë se në vjeshtën e kaluar.

Pesimizmi është rritur më së shumti në Bosnje e Hercegovinë, për 6 për qind.

Anëtarësimi në Bashkimin Evropian, ndërkaq, mbetet i dëshirueshëm për të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor, përveç Serbisë. Entuziazmi është më i lartë në Shqipëri dhe Mal të Zi, ku shumica e të anketuarve besojnë se anëtarësimi do të sjellë përfitime për vendet e tyre.

Në Serbi, mendimet për anëtarësimin në BE janë të ndara në mënyrë të barabartë midis atyre që e përkrahin, e kundërshtojnë ose janë indiferentë. Në Mal të Zi është shënuar rritja më e madhe e optimizmit për anëtarësim në BE, krahasuar me anketën e mëparshme të vjeshtës – për 13 për qind.

BE-ja gëzon besim të madh në Mal të Zi, Shqipëri dhe Kosovë – gjë që përputhet me orientimet e tyre proevropiane.

Në anën tjetër, 57 për qind e të anketuarve në Serbi thonë se nuk besojnë në BE.

Sa u përket qytetarëve të BE-së, 52 për qind besojnë në institucionet evropiane, ndërsa 41 për qind nuk besojnë. Në krahasim me anketën e mëparshme, besimi ka mbetur thuajse i pandryshuar – me një rritje për 9 për qind në Kosovë.

Mungesa e besimit ndaj NATO-s në Serbi është edhe më e theksuar, ku 92 për qind e të anketuarve nuk besojnë në këtë organizatë. Ndryshe është situata në Kosovë, ku 95 për qind e njerëzve shprehin besim në NATO.

Shumica e qytetarëve të BE-së dhe mbi 60% e banorëve të Malit të Zi dhe Maqedonisë së Veriut – të dyja vende anëtare – kanë besim në Aleancën Veriatlantike. Rritja më e madhe e besimit në NATO është regjistruar në Bosnje e Hercegovinë – për 11 për qind. /REL