20.5 C
Tirana
E premte, 4 Korrik, 2025

Nga podiumi në skenë, si e shndërroi PS politikën në argëtim

Nga Anjeza Xhaferaj

Fushata elektorale e Partisë Socialiste (PS) u shpalos si një film për familje me skenar perfekt — një zhanër që, siç duket, rezonon thellësisht me votuesit. Por pas buzëqeshjeve dhe koreografisë, u shfaq një spektakël shqetësues, ku propaganda u shndërrua në argëtim të pastër dhe politika në spektakël ‘par excellence’. PS tregoi se në politikë, nuk është gjithmonë e nevojshme të shpikësh rrotën nga e para. Receta është e thjeshtë: këngë, valle, buzëqeshje dhe shtrëngime duarsh për të shfaqur me njerëzit një afërsi që rreket të duket e vërtetë, por që nuk është. Ashtu si dikur, kur udhëheqja e partisë ulej “gju më gju me popullin” edhe kësaj here, armata e PS rendi të gjente popullin e përdellyer për të shtrënguar duart. Shtrëngimet e duarve nuk kanë munguar asnjëherë, por kësaj here, megjithatë, mund të thuhet se ata e shndërruan fushatën në një cirk të mirëfilltë — ose më saktë, në një amfiteatër romak, ku qëllimi nuk ishte debati i ideve, por kënaqësia momentale e publikut.

“Bukë dhe cirk” (“Pane et circenses”), formula e lashtë romake për të qetësuar masat, u ri-soll në një mënyrë të re në arenën politike shqiptare. Kandidatët e PS braktisën solemnitetin e podiumeve dhe u futën në skenë si gladiatorë të zbutur, gati për të ofruar një varg të pafund shfaqjesh për argëtimin e publikut. Një ditë një valle (herë e tropojës, e herë e Kukësit, ditën tjetër një seancë gatimi, pastaj një portret i ëmbël familjar — publiku duartrokiste pa shumë pyetje. Deputetët dukeshin gjithmonë të uritur, duke kaluar nga një pjatë tradicionale në tjetrën (diku japrak e diku pispili apo byrek), duke shijuar çdo kafshatë para kamerave. Politika u shkri pa mundim me spektaklin, duke lënë pak hapësirë për debat të thelluar, për përballje idesh, për programe dhe platforma serioze. Paralelisht, fotot familjare u kthyen në një shfaqje të kalkuluar: paraqitja e kandidatëve si njerëz të ngrohtë, si gjithë të tjerët, fshihte pas butësisë shtëpiake realitetin e pushtetit dhe përgjegjësive të paadresuara.

Duke ndërtuar një narrativë të lumturisë së padëmshme, socialistët penguan me qëllim përballjen politike. Është e vështirë të kundërshtosh një valle, një këngë ose një darkë të ndarë pa u dukur i hidhur ose i bezdisshëm. Në këtë fabrikim të gëzuar, zërat e opozitës tingëllonin si një zhurmë e padëshiruar, që binte në kontrast të fortë me buzëqeshjet e organizuara dhe sharmin e partisë. Ndërsa fushata mbështetej në spektakël, ajo shmangu çdo ballafaqim me çështjet e vërteta që rëndojnë mbi jetën e qytetarëve.

Megjithatë, si çdo shfaqje, edhe kjo përfundoi. Vallet kanë mbaruar. Vaktet janë ngrënë. Fotot familjare janë publikuar. Skena është bosh, ndërsa publiku kthehet në përditshmërinë e problemeve të pashfaqura në fushatë. Tani, me amfiteatrin e ftohtë dhe spektatorët të ulur përsëri përballë sfidave reale, mbetet pyetja: kur muzika ndalon, çfarë mbetet pas? Në fund të fundit, rrëfimi i PS i pozicionoi ata si protagonistë të një tregimi të ndjeshëm dhe optimist – një “familje e ëmbël” që aspiron të hyjë në Bashkimin Europian. Por, midis tërheqjes së një filmi me fund të lumtur dhe të vërtetave më të ashpra të jetës politike, votuesit duhet të pyesin: a mjafton spektakli për të ndërtuar të ardhmen?/liberale.al

Incident diplomatik në Banja-Luka, pala serbe refuzon himnin e Bosnjes

Një incident gjatë një ceremonie në kazermat ushtarake të Kozarës pranë Banja Llukës është kthyer në përplasje diplomatike mes Bosnjës dhe Serbisë.

Incidenti u shënua të hënën, gjatë Ditës e Regjimentit të Tretë të Këmbësorisë (Republika Srpska) të Forcave të Armatosura të Bosnjës dhe Hercegovinës.

Në këtë ceremoni u vu re prania e disa të arratisurve të kërkuar nga Gjykata Shtetërore e Bosnjës, ku ishin edhe presidenti i Republikës Srpska Milorad Dodik, kryetari i Asamblesë Kombëtare Nenad Stevandiç dhe kryeministri Radovan Viskoviç.

Tensionet u përshkallëzuan më tej kur Ministri serb i Mbrojtjes, Bratislav Gasic, qëndroi ulur pranë Dodikut gjatë interpretimit të himnit kombëtar boshnjak.

Ministri i Jashtëm Konakovic e dënoi aktin, duke e quajtur atë një shkelje të paprecedentë të normave dhe respektit diplomatik.

“Sot pamë sjelljen e ministrit të Mbrojtjes të Serbisë, i cili qëndroi ulur gjatë himnit kombëtar të Bosnjës dhe Hercegovinës. Një notë proteste po hartohet në zyrën time ndërsa flasim, të cilën do ta nënshkruaj urgjentisht”, u tha Konakovic gazetarëve pas një takimi të Këshillit të Ministrave.

“Do të lëshoj një notë të fortë proteste për autoritetet serbe dhe publikun e saj, në mënyrë që ata të jenë plotësisht të vetëdijshëm për llojin e ministrit të Mbrojtjes që kanë dhe nivelin e mungesës së respektit që ai tregoi ndaj vendit që po vizitonte”, tha ai.

Konakovic theksoi se një sjellje e tillë është e paprecedent si në aspektin diplomatik ashtu edhe personal, duke i quajtur veprimet e Gasic “shumë të papërshtatshme”.

Ai shtoi një mesazh të drejtpërdrejtë për Presidentin serb Aleksandar Vuçiç dhe Kryeministrin e sapoemëruar Djuro Macut: “Edhe një herë, ne i bëjmë thirrje udhëheqjes në Serbi të reflektojë mbi mënyrën se si e trajton Bosnjën dhe Hercegovinën.”

Programi i PS / Pilula të Ramës për oligarkët, ndërtuesit dhe bizneset; asgjë për ujë, drita, ilaçe apo shportën e ushqimeve

Brenda ditës së sotme pritet që KQZ të shpallë rezultatin paraprak të zgjedhjeve të 11 majit. Dukshëm Edi Rama dhe Partia Socialiste do të qeverisë edhe 4 vitet e ardhshme. Por teksa Rama pritet të marrë “bekimin” zyrtarë, vlen të bëjmë një analizë të programit të Partisë Socialiste.

Çfarë premtoi Rama për drejtimin e ardhshëm Shqipërisë përgjatë viteve 2025-2029?

Asgjë për familjen e thjeshtë shqiptare.

Asgjë për ujin, për dritat, për shportën e ushqimeve asgjë për cilësinë e ilaçeve.

Teksa premtoi mensa në shkolla dhe “afterschool”, asgjë për cilësinë e arsimit dhe teksteve shkollore. Premton rritje rrogash për mjekët, asgjë për spitalet dhe qendrat shëndetësore dhe sigurisht për check-up-in, kontrata do të vijojë, madje edhe me rritjen e moshave përfituese, d.m.th pensionisteve. Sa i takon, bizneseve premton kredi të lehtësuar dhe “paqe fiskale”, ndërsa për oligarkët, vijim të shtimeve të zonave të investimeve në male, fusha, bregdet, etj, deri edhe tek zonat e mbrojtura. Për drejtësinë ka premtuar që do reformojë sërish sistemin “Ne e dorëzuam shpatën. Sot, ajo shpatë është në duart e SPAK-ut. Duan votën në 11 maj, që në 12 maj të rimarrin shpatën dhe t’a zhveshin përsëri zonjën e drejtësisë nga fuqia për të imponuar barazinë para ligjit”, deklaronte Rama në prezantimin e parë të programit të PS, teksa për sistemin penitenciar, kryesisht për gratë dhe të miturit, eksperimentimin e një modeli inovativ nga vendet e BE-së. Ah, po, për bujqësinë dhe fermërët, sigurisht nëse vendi futet në Bashkimin Europiane, sepse sipas tij, “Shqipëria ka shansin historik t’i mbyllim për tre vjet, 2024-2027”, ndaj, deklaronte Rama në fushatë, “nga populli shqiptar i 11 majit, një mesazh përtej shumicës aritmetike, duam pasaportën e BE-së për Shqipërinë dhe për çdo shqiptar dhe shqiptare. Një pasaportë për çdo shqiptar është një ambicie që, deri pak vite më parë do të dukej çmenduri t’a kishim në prag të zgjedhjeve për mandatin e 4. “Kjo do t’i ndodhë Shqipërisë sapo të bëhet anëtare e Bashkimit Evropian. Një miliardë e diçka më shumë çdo vit dhe 90% para e falur, pra grant dhe vetëm 10% kredi, pra borxh, sepse në BE hyjmë në një familje që është e ndarë në dy pjesë kontribuuesit dhe përfituesit. Dhe një llogari shumë e thjeshtë për ta mbyllur; nëse deri më sot nga BE për bujqësinë, ne kemi marrë më pak në të gjitha këto vite sesa 200 milionë euro, shumë më pak, ne do të marrim 300 milionë euro në vit vetëm për bujqësi”.
“Duam votën”, bërtiste anëkënd Shqipërisë që sipas tij “rimarrim shpatën drejtësisë” Ne e dorëzuam shpatën. Sot, ajo shpatë është në duart e SPAK-ut. Sot, ajo peshore është në duart e Gjykatës Speciale dhe sot ne jemi garantët e vetëm të kësaj historie të re. Duan votën në 11 maj, që në 12 maj të rimarrin shpatën dhe t’a zhveshin përsëri zonjën e drejtësisë nga fuqia për të imponuar barazinë para ligjit.

Po tjetër çfarë do të bëjë Rama 4 vitet e ardhshme?!

Ekonomia dhe Tatimet
Paga mesatare publike synohet 1,200 euro në 2030, paga minimale 500 euro nga janari 2026.
“Paqe fiskale”. Marrëveshje 3-vjeçare me biznesin për tatim 15% mbi fitimin bazë dhe 5% mbi fitimin shtesë.
Mbështetje për biznesin e vogël: TVSH zero për xhiro deri në 100 mijë euro; kredi dhe garanci shtetërore prej 2 miliardë eurosh. 35 miliardë euro prodhim të përgjithshëm dhe 100 mijë vende të reja pune.

Puna dhe Pensionet
Objektiv për papunësinë: 6% në 2030.
Pension mesatar: 400 euro për ata me sigurime të plota, 200 euro për të tjerët.

Arsim dhe Rinia
Paga për mësuesit: 1,250 euro në 2030.
200 shkolla të reja, 1,000 laboratorë inteligjentë.
Programi “After School” dhe ushqim në shkolla.
Rritje e investimeve në arsimin profesional (60 milionë euro).
Strehim për çiftet e reja dhe profesionistët: 300 milionë euro për 50 mijë banesa.

Shëndetësia
Paga për mjekët deri në 2,000 euro.
Vazhdim i programit Check-up, me zgjerim për pensionistët.
Rindërtim i qendrave shëndetësore dhe ambulancave.
Transformim i QSUT në qendër prestigji ndërkombëtar.

Bujqësia dhe Mjedisi
500 milionë euro investime, synim 1 miliardë euro eksporte.
60 mijë hektarë tokë për ujitje shtesë.
“Paketa e maleve”: leje zhvillimi me procedurë të thjeshtuar dhe taksa zero për investimet në agroturizëm për 500 aplikantët e parë.

Drejtësia dhe Administrata
Reformim i drejtësisë: ruajtje e rolit të SPAK dhe Gjykatës Speciale.
Eksperimentim me modele të BE për sistemin penitenciar (femra e të mitur).

Infrastruktura
700 km rrugë të reja: Dhërmi–Sarandë, Tiranë–Krujë, Berat–Çorovodë, Ersekë–Leskovik, etj.
Fokus i veçantë te rrugët turistike dhe Korridori Blu.

Mbrojtja Sociale
Mbështetje për nënat me tre fëmijë dhe fëmijët me aftësi ndryshe (në veçanti ata me autizëm).
84 shërbime sociale të reja, do të zgjerohet më tej.

Të gjitha këto shqiptarët duhet t’i mbajnë me shënime dhe t’ia kujtojnë kreut të qeverisë për përmbushjen e tyre./ vna.al

BIRN: Bashkimi Evropian i shqetësuar për shkeljen e standardeve zgjedhore në Shqipëri

Dy zyrtarë të lartë të Bashkimit Evropian shprehën shqetësimin për shkeljen e standardeve zgjedhore nga Partia Socialiste në Shqipëri duke mbështetur kritikat e një dite më parë nga zyra e OSBE-së për Zgjedhjet Demokratike, ODIHR. Zyrtarët bënë thirrje për dialog me bazë të gjerë dhe paralajmëruan se po e monitorojnë situatën nga afër.

“Votimet u zhvilluan në një mjedis shumë të polarizuar, në të cilën pjesëmarrësit nuk patën kushte të barabarta loje,” thuhet në deklaratë duke iu referuar gjetjeve dhe konkluzioneve paraprake të Misionit të Vrojtimit të Zgjedhjeve nga OSBE/ODIHR.

“Për shkak të përdorimit të gjithëpërhapur të burimeve administrative dhe levës institucionale, mund të thuhet se shumica pati avantazhin e të qenit në fuqi. Aludime të shumta janë bërë mbi presionin mbi votuesit, në veçanti, për punonjësit e sektorit publik,” vijon më tej deklarata, në të cilën bëhet thirrje për hetime si zgjidhja e vetme e problemit.

“Bashkimi Evropian do të ndjekë nga afër zhvillimet zgjedhore deri në certifikimin e rezultateve. Të gjitha forcat politike duhet të sigurohen për funksionimin e vazhdueshëm të institucioneve të vendit,” vijon më tej deklarata.

Zëvendëspresidentja Kallas dhe komisionerja Kos bëjnë gjithashtu thirrje për dialog konstruktiv dhe gjithëpërfshirës mes partive politike dhe të gjitha sektorëve të shoqërisë, përfshirë organizatat dhe bashkësitë vendore.

Qeveria shqiptare apo Partia Socialiste nuk kanë komentuar publikisht mbi shqetësimet e ngritura nga opozita, vëzhguesit vendës dhe vëzhguesit ndërkombëtarë mbi shkeljen e standardeve zgjedhore.

Të hënën, vëzhguesit ndërkombëtarë deklaruan se praktikat e socialistëve, të tilla si përdorimi i burimeve shtetërore, frikësimi i votuesve përmes sistemit të patronazhistëve apo kontrolli mbi median “nuk janë në përputhje me standardet ndërkombëtare”.

Kritikat nga ndërkombëtarët për zgjedhjet e 11 majit janë më seriozet të shënuara në këtë drejtim që nga viti 2001, kur abuzimet masive të socialistëve në atë kohë i shtynë vëzhguesit të mos i njohin zgjedhjet si të rregullta. Një proces dialogu u imponua mbi qeverinë e kohës, proces që përfundoi me zgjedhjen e një presidenti konsensual në vitin 2003 dhe me reforma zgjedhore të cilat sollën tranzicionin relativisht paqësor të pushtetit në vitin 2005./Reporter.al

Eljan Kasa: E shkuara pret por Shqipëria dhe ardhmja e saj nuk mund të presë

Nga Eljan Kasa

Këto zgjedhje treguan se vazhdon votimi bardhë e zi.
Koha për një opozitë të re dhe të besueshme.

Pas zgjedhjeve të 11 majit, rezultati është i qartë: Partia Socialiste, nën drejtimin e Edi Ramës, ka siguruar një fitore të katërt radhazi. Sipas rezultateve paraprake, socialistët kanë marrë rreth 53% të votave, ndërsa “opozita” e udhëhequr nga Sali Berisha ka arritur vetëm 34%.

Kjo humbje e thellë është një sinjal alarmi për të gjithë ata që besojnë në nevojën për një opozitë të fortë dhe të besueshme. Partia Demokratike, nën drejtimin e Berishës, ka dështuar të ofrojë një alternativë reale për qytetarët shqiptarë.

Berisha, një figurë politike me një histori të gjatë, është përballur me akuza të shumta për korrupsion dhe është shpallur “non grata” nga Shtetet e Bashkuara jo pa shkak. Për më tepër, ai ka qenë nën arrest shtëpiak për gati një vit, përpara se të lirohej nga Gjykata e Posaçme me urdhër të atij që i dha dhe vulën për ta patur përballë dhe në këtë mënyrë të realizonte këtë fitore.

Nën drejtimin e tij edhe në disa raste në hije, opozita ka marrë vendime të diskutueshme, si dorëzimi i mandateve parlamentare dhe bojkotimi i zgjedhjeve lokale . Këto veprime kanë lënë një vakum në skenën politike shqiptare, duke i dhënë qeverisë një kontroll të plotë.
Është koha që Partia Demokratike dhe opozita në tërësi të reflektojnë mbi këtë situatë dhe të ndërmarrin hapa konkretë për të ndërtuar një lidership të ri, të pastër dhe të përkushtuar ndaj interesave të qytetarëve. Shqipëria ka nevojë për një opozitë që nuk është e ngarkuar me të kaluarën, por që shikon drejt së ardhmes me vizion dhe integritet.

Nëse kjo nuk ndodh, rrezikojmë të shohim një përqendrim edhe më të madh të pushtetit në duart e një partie të vetme, duke minuar parimet themelore të demokracisë. Shqiptarët meritojnë më shumë se kaq.

Është koha për ndryshim. Një opozitë e re, e besueshme dhe e përkushtuar është thelbësore për të ardhmen e Shqipërisë. Duhen falenderuar dhe përcjellë nëpër ish profesionet e tyre figurat e vjetra, pasi kanë më shumë se 10 vite që më shumë prishin punë se rregullojnë me shfaqen e tyre në publik. Eshte momenti i tokës së djegur për të rindertuar atë që do jetë opozita reale e së ardhmes, ajo opozitë që ringjall shpresën e humbur tek njerëzit.

Kreu i ARRSH del nga SPAK dhe pranon se është marrë i pandehur! I shtyn kamerën gazetares: Mos më hajde nga mbrapa

Kreu i Autoritetit Rrugor Shqiptar(ARRSH) Gentian Gjyli ka dalë nga SPAK dhe ka deklaruar se është marrë i pandehur kur u pyet nga gazetarët.

“Po, patjetër”, tha ai dhe i shtyu kameran gazetares, duke i thënë “mos më hajde nga mbrapa”.

Pas thirrjes sot në SPAK, Gjylit i është komunikuar se është marrë pandehur për shkelje barazie në tendera.

Te pandehur janë marre edhe anëtaret e Komisionit te Vlerësimit të Ofertave.

Xhemollari: Thirrja e protestës nga Berisha, manovër për të shmangur përgjegjësinë e humbjes së zgjedhjeve

Përfaqësuesi i lëvizjes “Qëndresa Qytetare”, Rigels Xhemollari ftuar në studion e lajmeve maratonë mbi zgjedhjet parlamentare të së dielës në “Ora News”, komentoi garën e 11 majit dhe protestën e thirrur nga kryedemokrati Sali Berisha në Tiranë më 16 maj në kohën kur në kryeqytetin shqiptar mbahet dhe samiti i nivelit të lartë të BE-së.

“Mendoj se kjo është një lloj shoë  ku në dy ditët e samitit do të vijnë të gjithë liderët evropianë për të zhvilluar punimet e këtij samiti dhe është lënë më datë 16 për t’i treguar atyre fenomenet negative që u shënuan në zgjedhje.

Por edhe nga ana tjetër për të treguar edhe një lloj force, agresioni për të prishur atë lloj atmosfere që z., Rama kërkon të krijojë në Tiranë, pasi janë shpenzuar shumë para për organizimin e tij.

Nga ana tjetër mund të ketë edhe një tjetër arsye të cilën ai e shprehu në deklaratën e tij për të shmangur pikërisht ato pyetje që do t’i bëjnë gjatë këtyre ditëve do të japë apo jo dorëheqjen pas humbjes së zgjedhjeve të 11 majit”, u shpreh Xhemollari.

Zgjedhjet e 11 Majit, vërtetuan se Ramën e mban në pushtet Berisha

Nga Endri Tafani

Demokratët që këto zgjedhje u larguan nga PD në drejtim të partive të tjera duke thënë që Berisha ishte problemi dhe do mbante në fuqi Ramen kishin të drejtë.
Ata demokrate ikën në drejtim të partive të tjera të djathta megjithëse e kishin shumë të qartë që nuk ishin projekte fituese. Në një vend ku në përgjithësi preferohet ti ngjitesh nga pas fitimtarit sjellja e tyre ishte kurajoze dhe për këtë arsye meritojnë respekt.
Ashtu siç meritojnë respekt edhe për faktin që nuk ranë pre e kultit të individit Berisha.
Ashtu siç meritojnë respekt edhe që ishin më të qartë politikisht (nga pjesa që ngeli me Berishën) me realitetin e elektoratit shqiptar dhe për të ardhmen e të djathtës që duhet të ishte ndryshe.
Tashmë një pjesë e PD po zgjohet nga gjumi dhe po e kupton që ata anëtarë partie, nuk po flas për liderat, por per ata anëtarë partie, që ikën jo vetëm që kishin të drejtë, por mund të ishin edhe një nga pjesët më të mira të saj. Me të qartë politikisht, të paverbuar nga kulti i individit dhe jo servila që i ngjiten fituesve nga pas.
Nëse PD do që të ringrihet përveç heqjes dorë nga berishizmi duhet dhe që të bëjë përpjekje për të marrë brenda saj pikërisht këta të larguar. Janë aset i çmuar jo vetëm për ato që thashë me sipër, por dhe për faktin që e njohin mirë PD.
Kjo është dhe sfidë e PD për të ardhmen, sepse nëse nuk arrin të marrësh brenda partisë këta njerëz qe kane po te njëjtat bindje të djathta dhe kane milituar me vite në PD, atëherë nuk ke shance që të rritesh si parti por vetëm do atrofizohesh.
Dhe diçka tjetër.
Nëse fillohet të veprohet në këtë drejtim, nuk mund të niset si negociator një berishist që shikon si armik cilindo që nuk mendon si ai. Atyre nuk mund tu shkohet për t’u kërkuar llogari por për tu kërkuar falje që nuk u kuptuan nga pjesa tjetër e partisë që kishin të drejtë.
Mbase një pjesë e tyre nuk do duan të rikthehen, por ky proces negocimi duhet bërë nga PD sepse i shërben dhe vetë asaj si një proces reflektimi, katarsisi dhe ndryshim qëndrimi nga kursi i mëparshëm.

“Nga 2021, PD-së në Kamëz i ikin 5161 votues”/Vendim Demaj: U humb dhe Paskuqani! Doktor mos ik demokratët e Ramiz Alisë kanë nevojë për ty

Zgjedhjet e 11 majit i dhanë një tjetër goditje PD në Kamëz. Kësaj here Paskuqani pësoi humbjen e parë në 35 vite sikurse edhe pse me 11 parti në garë PD krahasuar më PS ka humbur 5161 vota të cilat kuptohet i kanë shkuar forcës që fitoi zgjedhjet në vend, socialistëve.
Kjo ka bërë që ish-nënkryetari i PD dhe ish-nënkryetari i Bashkisë Vendim Demaj të reagoj ashpër sidomos ndaj trillimeve dhe justifikimeve sipas tij qe e shesin si fitore.

Statusi i Vendim Demajt ne FB:


Pas humbjes së Paskuqanit nga ana e PD për herë të parë në 35 vite,

vjen dhe tkurrja maksimale e PD në Kamëz.

Këto ndryshime drastike nuk kanë ardh si rezultat i justifikimeve ordinere të #nul_garos, sepse banorët e këtyre zonave nuk janë shitur as në kohën kur kandidatët e Rilindjes hidhnin në fushatë mbi 4 milion Euro (kujtojmë rastin Gjici),

por ky debakli LaCivitian i PD në këto 2 zona ka ardhu si shkak,

● shkrirja e degës së PD së Paskuqanit dhe

● emërimi për kryetar të PD Kamëz+Paskuqan të një ahmaku parazit, shërbëtor i Flamur Nokës, i cili vetëm me partinë dhe demokratët e këtyre zonave nuk kishte lidhje, por e konsideroi dhe ktheu strukturën e partisë në një staf të një lokali ku pihej raki dhe luhej pllakator.

Kamëz + Paskuqan = Minus 5161

Doktor mos gabo të ikësh, sepse Rama dhe demokratët e Ramiz Alisë kanë nevojë për ty.

“Kontrast i madh mes asaj që dëgjuam këto muaj dhe rezultatit në kuti”/ Joni Myshketa: Jam i zhgënjyer, koha për reflektim

Nga Joni Myshketa

Numërimi i votave pothuajse ka përfunduar. Qytetarët zgjodhën rrugën që do ndjekin për katër vitet e ardhshme. Nuk do ta fsheh – jam i zhgënjyer. Jo vetëm për rezultatin, por për kontrastin midis asaj që dëgjuam gjatë këtyre muajve dhe asaj që u reflektua në kuti.

Gjatë fushatës, takuam mijëra njerëz. Dëgjuam histori dhimbjeje, zhgënjimi, padrejtësie. Qytetarë që jetojnë ende në kushte të pasigurta pas tërmetit. Pensionistë që nuk arrijnë të blejnë as ilaçet bazë. Familje pa mbështetje. Të gjithë shprehnin një mospajtim të thellë me këtë kastë politike. Na dhanë dorën, na dhanë fjalën se do votonin për ndryshim, kundër një sistemi 35-vjeçar që ka konsumuar çdo shpresë.

Por a u përkthye kjo mërzitje në votë? Fatkeqësisht jo. Shumica zgjodhi sërish të njëjtën rrugë, ndoshta nga frika, nga varësia, apo nga mungesa e besimit te e reja. Ne u përpoqëm të sjellim një fytyrë tjetër të politikës – atë të familjes, të së drejtës, të besimit dhe pronës, larg llumit që ka mbuluar jetën publike. Por nuk ja dolëm. E keqja duket se ka rrënjë më të thella se ç’mendonim.

E pranoj, jam i zhgënjyer dhe i keqardhur. Do të gënjeja po të thosha të kundërtën. Por një gjë nuk kam humbur: lirinë time. Gjatë gjithë kësaj fushate nuk pranova të bëj kompromise me lirinë time – dhe kjo është fitore personale që s’mund të më marrë askush.

Zgjedhjet përfunduan, por misioni im si qytetar i Durrësit, si prind i dy fëmijëve që dua t’i rris në një vend më të drejtë, nuk mbaron këtu. Do vazhdoj të ngre zërin për çdo padrejtësi, do vazhdoj të jem i lirë, dhe shpresoj që zërit tim t’i bashkohen edhe të tjerë.

Këto zgjedhje patën probleme – padyshim. I gjithë aparati shtetëror u vu në lëvizje. Ligje u miratuan në minutën e fundit. Aeroporte u inauguruan papritur. Ligje u shkelën hapur. Presioni ishte i madh, shpesh nën rrogoz. Lista e parregullsive është e gjatë. Por të jesh i lirë dhe të bësh politikë do të thotë të mos e fshehësh realitetin pas justifikimeve.

Së pari, duhet të bëjmë reflektim për veten. Duhet të pranojmë që ndoshta nuk ishim ende gati ta bindnim shumicën për ndryshim. Që shoqëria jonë ka ende nevojë për kurajë – për ta parë të keqen në sy dhe për të thënë “MJAFT” vjedhjes, korrupsionit, padrejtësisë.

Unë nuk do të dorëzohem. Nuk do të ndalem. Kjo është një rrugë e gjatë, sepse e vërteta ecën ngadalë, por arrin gjithmonë në destinacionin e vet. Do të vazhdoj të ndjek vlerat që kam mbrojtur për 18 vite angazhim publik. Do të vazhdoj të them të vërtetën. Do të vazhdoj të jem i lirë.