28.5 C
Tirana
E enjte, 28 Gusht, 2025

Bankat italiane, katastrofa është shmangur, por përpara ka ende trazira

Kur institucionet financiare italiane krijuan Atlante, një fond i shpëtimit të bankës prej 4.3 miliard eurosh, me urdhër të qeverisë gjatë muajit të fundit, ato e bënë këtë pjesërisht për të garantuar shitje të aksioneve nga Banco Popolare di Vicenza (BPVi), banka e dhjetë më e madhe e vendit. Ato gjithashtu shpresuan se ekzistenca e thjeshtë e Atlante do të inkurajonte regjistrimin e investitorëve të tjerë.
Shans i madh. Më 2 maj, bursa tha se shumë pak kishin nënshkruar për të vijuar listimin në aksionet e tregut të saj. Atlante (një gjigant mitik i cili mbante qiellin) do të garantojë të gjithë emetimin prej 1.5 miliardë eurosh, duke i lënë pronarit pothuajse të gjithë huadhënësin problematik. Ndërhyrja e Atlante ka shmangur një krizë të menjëhershme: pas dështimit së paketës publike të katër bankave të vogla, ku investitorët e shitjes me pakicë humbën para, dështimi për të rritur kapitalin e ri për BPVi ishte i paimagjinueshëm. UniCredit, banka më e madhe e Italisë, do të shpëtohet në veçanti, duke anashkaluar angazhimin e keqkëshilluar për të garantuar tërësisht këtë emetim.
Dështimi i BPVi ‘ndjell keq’ për Banca Veneto, një tjetër bankë e vogël e cila planifikon një rritje të kapitalit prej 1 miliard eurosh në qershor. Por parashikimet e Veneto janë më pak të tmerrshme; dhe Intesa Sanpaolo, një prej bankave më të forta të Italisë, ka publikuar njëkohësisht garancinë e saj të emetimit të të drejtave, të cilat ka dështuar t’i bëjë UniCredit për BPVi. Kryetari Veneto thotë se ai nuk pret që të ketë nevojë për ndihmën e Atlante.
Testi më i madh i fondit të forcës do të ndikojë grumbullin gjigant të borxheve të këqija të Italisë. Kreditë problematike bruto arrijnë 360 miliardë euro, nga të cilat 196 miliardë euro janë veçanërisht shqetësuese. Mediobanca, një bankë investimesh, llogarit se Atlante mund të ‘përthithë’ 21 miliardë euro. Equita, tjetër bankë, sugjeron se fondi mund të blejë deri në 33 miliardë euro.
Qëndrueshmëria e Atlante do të varet pjesërisht se si do të shkojë rritja e kapitalit të Veneto: nëse fondi kontribuon shumë, do të ketë më pak të mbetura për kreditë e këqija. Një reformë e falimentimit për të përshpejtuar rimëkëmbjen e kredive, miratuar më 29 prill, mund të ndihmojë duke i bërë kreditë e këqija pak më të dobishme.
Gjithsesi mbeten pikëpyetje rreth mënyrës së qeverisjes së fondit, se si do i trajtojë bankat që mbështet dhe se si do i klasifikojë kreditë që blen. Autoriteti Bankar Europian duhet të kryejë “teste të mëtejshme të stresit” mbi bankat që mbikëqyr këtë verë, për të vlerësuar qëndrueshmërinë e tyre ndaj goditjeve ekonomike. Italianët do të shpresojnë që ai të mos e ngarkojë me një barrë edhe më të rëndë Atlante.

Aktiviteti ekonomik në eurozonë

Aktiviteti ekonomik në eurozonë u rrit përsëri gjatë majit. Por, parashikimet e bëra publike në raportin më të fundit të Markit flasin për një rritje më të ngadaltë në tremujorin e dytë. “Indeksi PMI ishte në nivelin e 52.9 pikë në maj. Kjo është vlera më e ulët prej thuajse një viti e gjysmë”- thuhet në raport. Një muaj më parë, indeksi ishte 53 pikë. Fluksi i bizneseve të reja është dobësuar në maj duke sinjalizuar tashmë se ritmi i rritjes ekonomike në qershor mund të dobësohet edhe më tutje.
Sektori i shërbimeve përjetoi një rritje të balancuar të aktivitetit në muajin e tretë me radhë, ndërsa sektori i prodhimit, pati ritmin më të dobët të aktivitetit që nga shkurti i vitit të kaluar. Prodhuesit tregojnë se patën vlerën më të ulët të porosive të eksportit në 16 muaj. Ritmet e rritjes ekonomike kanë shënuar stabilizim në Gjermani, ndërsa Franca nuk ka paraqitje po aq të mirë.

Shënon Berisha, por Victory eliminohet

Besart Berisha nuk mjafton. Sulmuesi shqiptar gjeti sërish rrugën e golit në Champions League-n aziatike, por finalizimi i 30-vjeçarit nuk i vlejti Melbourne-it, pasi skuadra australiane u eliminua nga ky kompeticion. Vicotory u mposht me rezultatin 2-1 nga koreano jugorët e Jeonbuk, Hyundai Motors në sfidën e kthimit të ruandit të 1/8-ve të Championsit aziatik, dhe pas barazimit 1-1 që ishte regjistruar në ndeshjen e parë të zhvilluar në Australi i dhanë lamtumirën turneut.
Braziliani Leonardo me dy finalizime në minutat  28 dhe 71-t hipotekoi kualifikimin e Jeonbuk, por të të rihapur sfidën dhe për të rindezur shpresën për skuadrën e trajnerit Kevin Muscat mendoi Berisha që në minutën e 84-t tregoi gjithë klasin e tij brenda zone, duke shfrytëzuar një harkim të Ingham për të ngushtuar shifrat. Ky ishte goli i 4-t për bomberin nga Prishtina në këtë edicion të Champions Leagues-aziatike. Megjithatë deri në fund nuk ndryshoi më asgjë me skuadrën koreano-jugore që avancoi për më tej, pasi triumfoi me rezultat të përgjithshëm 3-2.

Ajeti kërkohet nga Lacio

Arlind Ajeti i ka dhënë lamtumirën Frosinones pas një sezoni pozitiv në aspektin personal, por që u mbyll me rënien e skuadrës nga Seria A. Paraqitjet pozitive të shqiptarit gjatë sezonit të fundit nuk kanë kaluar pa rënë në sy, sepse pak ditë më parë Torino dha sinjale interesimi, ndërsa gjatë orëve të fundit në garë ka hyrë edhe Lazio. Drejtori sportiv, Igli Tare, ka nisur kontaktet me përfaqësuesit e mbrojtësit kuqezi, të cilin e ndjek me vëmendje që në kohën kur ai luante për Baselin. “Lalaziosiamonoi.it” shkruan se, Ajeti është një lojtar agresiv, por i pastër në ndërhyrje, duke mos lejuar shumë hapësira dhe fakti që ai nuk ka rinovuar me Frosinonen mund të jetë një asist i mirë për skuadrën romane.
“Ajetit iu deshën disa muaj për të gjetur formën ideale, por më pas u bë një kolonë kryesore në mbrojtjen e Frosinones, duke zhvilluar 16 ndeshje që prej muajit janar. Presidenti Stripe dëshiron ta mbajë edhe në Serinë B, por ky është një mision i pamundur”, shkruan faqja e specializuar pranë klubit të Lazios. Gjithsesi, sipas analistëve të merkatos italiane, Ajeti do ta mësojë të ardhmen vetëm pas Europianit ku bashkë me Shqipërinë e tij ka mundësinë të tregojë se është një mbrojtës i gatshëm për të bërë hapin e madh të karrierës.

Austria vendi perfekt, uroj të mos kemi dëmtime

Nga grumbullimi i Kombëtares Shqiptare në Kapfenberg të Austrisë, menaxheri i ekipit përfaqësues, Alban Bushi për mikrofonin e Supersport, u rikthye të flasë për atë kualifikim historik të kuqezinjëve në Euro 2016. Një ëndërr e bërë realitet, sipas Bushit, por pjesa më e bukur vjen tani. “Ne jemi të lumtur që ishim pjesë e këtij kualifikimi dhe që do të marrim pjesë në këtë eveniment kaq të madh, që Shqipëria ka kaq shumë kohë që e ëndërron”, tha Bushi.
Pozitive në këtë grumbullim është që nuk ka asnjë futbollist të dëmtuar dhe sipas ish-sulmuesit të kombëtares shqiptare është kjo gjëja së cilës i druhet më shumë stafi teknik deri në fillimin e kampionatit europian. “Sot është dita e parë e grumbullimit dhe grupi i futbollistëve nuk është i plotë, por e rëndësishme është që nuk kemi dëmtime. Shpresoj që të gjithë lojtarët të jenë të gatshëm edhe për sfidat e kampionatit europian”, tha ai.
Janë 27 futbollistët e grumbulluar nga trajneri Gianni De Biasi në listën paraprake, por 4 prej tyre do të mbetën jashtë listës përfundimtare. Sipas Bushit, ankthi në radhët e futbollistëve është i madh, pasi bëhet fjalë për një eviniment madhor, të cilin këta lojtarë nuk e kanë luajtur asnjëherë më parë. “Normalisht që ankthi te futbollistët është i madh, por ata janë profesionistë dhe unë jam i sigurtë se do të pranonin çdo vendim të trajnerit. Edhe nëse mbetën jashtë listës përfundimtare, lojtarët do të bëjnë tifo për Shqipërinë nga televizori”, u shpreh Bushi. Menaxheri i kombëtares e cilësoi Austrinë si vendin perfekt për të zhvilluar këtë fazë përgatitore përpara Euro 2016, ndërsa zbuloi se gjatë këtyre ditëve nuk do të kenë një ngarkesë të lartë fizike për futbollistët.
Ndërkohë, ekipi kombëtar shqiptar U-21 ka barazuar edhe në ndeshjen e dytë kundër Republikës Çeke. Takimi është luajtur sot në stadiumin “Sportplatz Mittersill”, të Austrisë në orën 18:00. Edhe ndeshja e dytë është mbyllur me të njëjtin reuzltat 1-1, si edhe i pari. Ekipi i drejtuar nga ana e trajnerit Redi Jupi, ka zhvilluar një lojë të mirë në një ndeshje me terren të rënduar. Të parët kanë kaluar në avantazh djemtë kuqezinj me anë të Çekiçit në minutën e 33. Dy minuta më pas Jankto, ka realizuar për çekët 1-1. Pavarësisht përpjekjeve të të dy skuadrave, rezultati i ndeshjes nuk ndryshoi deri në fund.

Cana: Kualifikohemi!

Kapiteni i kombëtares shqiptare të futbollit Lorik Cana ka ngritur siparin e konferencave për shtyp në Austri. Në prezantimin e parë për mediat në “Bad Waltersdorf” lideri i kuqezinjve shprehet i lumtur për momentin që po kalon së bashku me skuadrën, duke lëshuar kushtrimin se në Francë Shqipëria nuk shkon për turizëm. “Nuk e mbaj mend konferencën e parë, por mbaj mend detaje të tjera. Konferencat për shtyp nuk na lënë diçka të veçantë. Është kënaqësi që jemi këtu për të përgatitur një event kaq të madh, të cilin e kemi pritur kaq shumë. Eshtë e vështirë për të thënë sa pikë. Kemi mundësi që me një fitore të kualifikohemi, dhe deri në ndeshjen e fundit jemi në lojë. Edhe këtë radhë nuk është ndryshe, pasi ndeshja e parë është e rëndësishme. Është kundërshtar i vështirë dhe do përgatitet po ashtu si ne”, u shpreh Cana.
Duket si një skenar ideal i filmave hollivudian, por për kapitenin Cana ky europian është i tillë. Fati i ka vendosur një surprizë të jashtëzakonshme tashmë i mbetet kuqezinjve të dirigjuar nga qendërmbrojtësi të aktrojnë në mënyrën e duhur.
“Në jetë disa gjëra simbolike apo shenja të fatit që janë për t’u habitur. Përveç evenimentit që të gjithë prisnim për mua është e veçantë, pasi luhet në Francë aty ku unë kam luajtur, do të luajmë në Marsejë ku jeton familja ime. Do të luajmë ndaj Zvicrës ku jam rritur. Ndeshja e parë ndaj Zvicrës ka qenë më 11 qershor 2003, edhe kësaj radhe ndaj tyre, luhet më 11 qershor dhe kjo është diçka e veçantë”, tha ai.
33-vjeçari nga Prishtina i njeh mirë të 3 stadiumet ku do të luajë kombëtarja, teksa shpresa më e madhe është të mos zhgënjejë të gjithë shqiptarët në mbarë botën. “Në Velodromë kam ecuri të mirë me 70% fitore, në Lens 50 -50, ndërsa në Lion diçka më pak. Një arritje e madhe, pasi ka bërë jehonë në skenën botërore. Flitet për Shqipërinë në Azi, Afrikë dhe Amerikë, na bën krenar. Shton kuriozitetin e njerëzve të na shohin për herë të parë në Europian. Duhet t’i përgjigjemi këtij kurioziteti. Ne jemi rritur shumë në nivel futbolli. Po dalin shumë talente që dalin nga Shqipëria. Kjo është fryt i një pune 20-vjeçare”, u shpreh kapiteni.
Një nga temat më të nxehta të muajit të fundit ka qenë e ardhmja e kombëtares kuqezi, pas pranimit të Kosovës në FIFA. Ambasadori i shqiptarëve është në sinkron me drejtuesit e dy federatave, duke shpjeguar se sot ekziston vetëm një kombëtare.
“Gjithmonë ka patur përfaqësuese, ndërsa tani kemi një kombëtare, pasi përfaqësohen të gjithë shqiptarët. Ashtu siç ka thënë edhe presidenti Armando Duka e kemi mbështetur Kosovën dhe duhet parë si një mundësi për zhvillimin e sportit dhe jo si përfaqësim në vetvete. Duhet ta shohin si mundësi zhvillimi ndoshta në të ardhmen të shpresojmë në një bashkim”, tha Cana.
Lorik Cana mbetet lideri i kombëtares, teksa dëmtimet e kanë shoqëruar këtë sezon. Megjithatë 33-vjeçari ka zhvilluar 25 ndeshje me Nantë, duke ruajtur një ritëm të kënaqshëm. Sensi i humorit është i lartë dhe ky është një tregues pozitiv në aspektin psikologjik që mbizotëron përreth skuadrës.
“Kam luajtur mjaftueshëm, 25 ndeshje me skuadrën, 7 me kombëtaren dhe për një sezon është numër i kënaqshëm. Kam ritëm, kam vuajtur pak nga mesi, problemet e pleqnisë (qesh), por tani jam mirë. Kemi dy javë në dispozicion, por do të jemi gati. Pushimet nuk i kam rezervuar, ku nuk e di, por datën, pas 11 korrikut”, përfundoi Cana.

Cikalleshi: Do shënoj gol kundër Zvicrës

Ndërkohë, sulmuesi kryesor i Kombëtares së Shqipërisë, Sokol Cikalleshi ka theksuar se, nëse do t’i jepet mundësia ai është i gatshëm që të bëjë shqiptarët të gëzojnë me lot në sy. Në një konferencë për medait, Cikalleshi theksoi se do të japë maksimumin e formës së tij në mënyrë që shqiptarët në këtë Europian të gëzojnë duke qarë.
I pyetur për golin e realizuar në Turqi për të cilin qau gjithë stadiumi, a do ishte i gatshëm Cikalleshi që të shënojë në Francë dhe këtë herë të bëjë që një komb të qajë nga gëzimi. “Sigurisht ato pamje në stadium, ato lot nuk janë të mira, por unë shënova, pasi skuadrës sonë i duhej ai rezultat për t’u pozicionuar në vendin e katërt. Përsa i përket golit me Shqipërinë jam i gatshëm të shënoj shumë dhe të shpresoj për ndonjë arritje historike. Është kënaqësi që të bëj shqiptarët të qajnë nga gëzimi, unë do jap maksimumin tim dhe jam i gatshëm për të bërë çdo surprizë”, u shpreh Cikalleshi.
Cikalleshi ka shprehur dëshirën e madhe për të shënuar dhe fituar ndaj Zvicrës. Në një deklaratë për mediat nga Austria, Cikalleshi theksoi se, në rast fitoreje me Zvicrën atëherë Kombëtarja kuqezi do të jetë në fazën tjetër të ‘Euro 2016’. “Dua që të shënoj në ndeshje me Zvicrën, pasi në rast fitoreje do të jetë një hap i rëndësishëm drejt kualifikimit nga faza e grupeve. Ndeshja më e mirë për të përballur forcat padyshim do të jetë ajo me Zvicrën të gjithë do të japim maksimumin që të fitojmë. Ndihem mirë fizikisht dhe në këtë moment dua vetëm të ndihmoj kombëtaren të shënoj dhe të sigurojmë kalimin nga grupet e ‘Euro 2016”, u shpreh Cikalleshi.

De Biasi, nga stërvitja në hotel kthehet me vrap

Pas përfundimit të seancës së parë stërvitore me Kombëtare, të zhvilluar në Kapfenberg të Austrisë, trajneri De Biasi ka preferuar të kthehet me vrap në hotel. Në foton ekskluzive për Digitalb, tekniku italian duket teksa preferon të vrapojë, nga qendra stërvitore deri në hotel, një largësi prej 2 km. Megjithatë De Biasi nuk ka qenë i vetëm, pasi nga pas e kanë ndjekur edhe Bogdani me Bulkun.
Nga ana tjetër, stafi i kuqezinjve është shfaqur i bashkuar gjatë grumbullimit, ku si gjithmonë nuk harrojnë të bëjnë edhe simbolin e Shqiponjës dy krenare, që kësaj radhe kanë qenë Ervin Bulku, Paolo Tramezzani dhe Erjon Bogdani.

Kombëtarja në ditën e dytë të stërvitjes

Humor dhe batuta mes lojtarëve, por mbi të gjitha shumë punë taktike. Dita e dytë e përgatitjes së Kombëtares në “Bad Waltersdorf” nisi me një risi. Peshim, matje e tensionit dhe check up i përgjithshëm për futbollistët, me 20 kuqezinjtë që janë në gjendje optimale fizike. Puna vazhdoi me stërvitje shkrydhëse në palestër, në drejtimin e përgatitësit fizik, Alberto Belle. Më pas skuadra hëngri mëngjesin dhe në orën 10:00 të paradites zhvilloi seancën e parë stërvitore në fushë. Përgatitjet, që u karakterizuan nga rreshjet e shiut, nisën me ushtrime nxehje me top, ndërsa futbollistët u ndanë në grupe.
Ushtrime taktike, duke simuluar situata të mirëfillta loje, ku mbrojtësit ishin përballë mesfushorëve dhe sulmuesve. Gjithçka e drejtuar dhe e orientuar nga zv/.trajneri kuqezi, Paolo Tramezzani, që ka hartuar edhe planin e ndarjes së ngarkesës së punës për Kombëtaren. Trajneri Gianni De Biasi u pozicionua mbi kodrën prapa portës, për të vëzhguar më mirë fazat e stërvitjes dhe orientimin e lojtarëve në fushë, nga manovrat e sulmuesve e mbi të gjitha reagimin e mbrojtësve.
Në grumbullimin në Austri, Kombëtares iu bashkua edhe Ledian Memushaj, që u paraqit në rezidencën e skuadrës gjatë mbrëmjes së të hënës. Pas sezonit fantastik te Pescara, me skuadrën që do të luajë në fazën play off për një biletë në Serinë A, Memushaj shfaqi klasin e jashtëzakonshëm prej momentit të parë kur preku topin, duke realizuar një gol të shkëlqyer.
Në situatat e improvizuara të lojës, me duele të forta dhe të vërteta nuk mungoi as një përplasje ndërmjet Andi Lilës me Mërgim Mavrajn, që fatmirësisht kaloi pa pasoja. Lojtari i Pas Janinës ishte protagonist i një driblimi të shkëlqyer përballë Ajetit, ashtu si edhe Herolind Shala. Stërvitja taktike kaloi në situatën me dy sulmues kundër një mbrojtësi, e ndërsa rreshjet e shiut përfunduan, puna e repartit difensiv u lehtësua në duelet e barabarta në numër. Për herë të parë në histori, stërvitja e Kombëtares shqiptare u transmetua direkt në Supersport. Një traditë që do të vazhdojë gjatë përgatitjeve në Austri dhe gjatë aventurës së kuqezinjve në Euro 2016.
Dita e parë e stërvitjes së kuqezinjve në Austri pati jo pak momente të veçanta për Kombëtaren, që e nisi në mënyrën e duhur këtë fazë përgatitore. Për këtë u kujdes në veçanti trajneri Gianni De Biasi, që mori gjithçka vetë përsipër madje dhe në vendosjen e pajisjeve stërvitore në fushë, dhe pse në fakt punën e rëndë ja la pjesës tjetër të stafit, pasi lojtarët ishin të angazhuar me një shkrydhje në stil belly-dancing.
Sokol Cikalleshi ishte më i mirë në ditën e parë teksa shënoi 3 gola në ndeshjen e kontrollit të kuqezinjve. Forma e sulmuesit të Basaksehir zilepsi Roshin që qëndroi më gjatë se të tjerët në stërvitje nën shoqërinë e Tramezzanit. Pati disa probleme të vogla për Arlind Ajetin, por që për fat kaloi pa pasoja dhe lojtari u rikthye shpejt në fushë, ndërsa jo pak punë në stërvitje kishin dhe portierët që ju përgjigjën mirë kërkesave të Bozhiqit. De Biasi vazhdimisht u pa të mbante shënime, përmbajtjen e së cilave nuk e mësuan dot as lojtarët e tij.

Tiranë, mbyllen 5% e bizneseve të grave dhe 3 % të burrave

Formalizmi i ekonomisë nëpërmjet një aksioni të targetuar në bizneset e vogla dhe te mesme që nisi në mes të vitit të kaluar ka ndikuar në rritjen  e ndërmarrjeve të reja me 6 për qind. Por sipas të dhënave të INSTAT kjo rritje ka ardhur nga regjistrimi i bizneseve informale nëpër qarqet e vendit teksa në Tiranë  bizneset nuk i kanë bërë ballë formalizimit.  INSTAT raporton se në kryeqytet  5 për qind bizneseve të drejtuara nga femrat dhe 3% e bizneseve të drejtuara nga burrat janë mbyllur.
Prefekturat ku formalizimi i ndërmarrjeve të drejtuara nga gratë ka qenë shumë i ndjeshëm është Fieri, me gati 17% krahasimisht me një vit më parë, i ndjekur nga Dibra, Kukësi, Gjirokastra dhe Vlora. Në vitin 2015, sipas shpërndarjes së ndërmarrjeve me pronare apo drejtuese gra nëpër qarqe, vërejmë se në qarkun e Tiranës ku kemi përqendrimin më të madh të ndërmarrjeve kemi një rënie prej 5 % krahasuar me një vit më parë.
Ndërmarrjet e zotëruara apo drejtuar nga burrat në 2015 të përqendruara më shumë në qarkun e Tiranës sërish kanë pasur një rënie prej 3 % nga 42,6 % në 39,3 %. Ndërmarrjet e reja në vitin 2015 janë të përqendruara kryesisht në Tiranë.
Në vitin 2015 % e administratoreve gra është 31,3 %, me një rritje prej 3 % për një vit. % e grave pronare apo administratore në ndërmarrjet e vogla (1-4 të punësuar) është më e lartë se në kategoritë e tjera.
Sipas iNSTAT, nga viti 2005 deri në vitin 2015 % e pronareve gra është rritur në të gjitha kategoritë, me rritjen më të madhe në ndërmarrjet me 1-4 të punësuar, me afërisht 5 %. Ndërkohë qe në kategorinë e bizneseve me 5 deri në 9 punëtorë kemi një rritje me gati dyfish të numrit të grave administratore ose pronare ne pesë vitet e fundit.

Kriza shkatërruese e besimit në ekonomi

“Monitor”

Alarmante janë sinjalet se kriza e besimit në politikëbërje po kthehet në një krizë besimi për të gjithë shoqërinë shqiptare. Publiku po gjendet mes irracionales, që po i imponohet virtualisht nga të katër anët dhe përditshmërisë reale, që është e një dimensioni krejt tjetër. Dhe secili (individ apo biznes) po zgjedh të reagojë në mënyrën e vet….
Filmi me tematikë nga jeta reale shqiptare është gjithçka përveçse i mërzitshëm. Skandale seksuale, akuza dhe kundërakuza mes politikanëve që shpesh i kalojnë kufijtë e etikës, negociata të stërzgjatura për reformën në drejtësi, që edhe kur duket sikur mbarojnë, kthehen papritmas në pikën zero, dekriminalizimi etj., etj., janë ushqimi i përditshëm, i mediave.
Dhe përmes këtyre të fundit, informacioni i përçohet publikut, që bombardohen minutë pas minute me lajme sensacionale. Një publik që po gjendet mes irracionales, që po i imponohet virtualisht nga të katër anët dhe përditshmërisë reale, që është e një dimensioni krejt tjetër. Dhe secili (individ apo biznes) po zgjedh të reagojë në mënyrën e vet.
Mbi 100 mijë shqiptarë u dyndën dyerve të vendeve të Bashkimit Europian vitin e kaluar, në një protestë diskrete ndaj zhgënjimit shumëvjeçar ndaj politikëbërësve, që përkundrejt pritshmërive të larta nuk shfaqi asnjë shenjë përmirësimi dy vitet e fundit, përkundrazi. Megjithatë, shumica e tyre po detyrohen të kthehen (javën e kaluar një avion mbërriti nga Holanda) sepse Bashkimi Europian na e ka bërë të qartë: Prioritet kanë refugjatët e tjerë, që po i ikin luftës, ndërsa Shqipëria ka hyrë në rrugën e integrimit drejt BE-së dhe Europën duhet ta krijoni aty.
Të tjerë kanë zgjedhur të bëjnë indiferentin, teksa nuk e fshehin zhgënjimin, lodhjen e post tranzicionit dhe humbjen e besimit. Një indiferentizëm ky që nuk është pa pasoja, pasi ul llogaridhënien e publikut ndaj politikëbërësve, por edhe reagimin e tyre ndaj reformave të ndryshme. Një shembull i thjeshtë: Konsumatorët nuk shprehin aktualisht asnjë interes për të marrë kuponin tatimor, edhe pas fushatave të ndërgjegjësimit e masave ndëshkimore, që u ndërmorën në kuadër të aksionit antiinformalitet, pikërisht sepse nuk kanë besim se paratë e taksave do të mirëpërdoren në interes të tyre. Indeksi i besimit të konsumatorëve të Bankës së Shqipërisë në tremujorin e parë të vitit tregoi për një rënie të këtij treguesi dhe shtyrjen e vendimeve për blerjet e mëdha. Të dhënat zyrtare të INSTAT flasin dhe për një rënie të konsumit privat në 2015-ën, për herë të parë që nga viti 2001.
Bizneset, nga ana tjetër, janë në një krizë ekzistenciale. Sipërmarrjet e vogla, që kanë qenë oksigjeni i ekonomisë dhe vetëpunësimit, kanë hyrë në një cikël rënës të pakthyeshëm, që më së shumti është strukturor (pas 25 vitesh shumë biznese mikro nuk po arrijnë të mbijetojnë më për shkak të shtimit të konkurrencës dhe rënies së konsumit), por që agonia e tyre po përshpejtohet nga politikat fiskale. Kujtojmë këtu ambientin negativ të krijuar nga terrori antiinformalitet në muajt e fundit të 2015-ës (që për fat të mirë politikëbërësit u ndërgjegjësuan dhe u tërhoqën), apo dhe barrën e shtuar të taksave lokale në kryeqytet, ku statistikisht kanë aktivitet gjysma e ndërmarrjeve në Shqipëri.
Sipërmarrjet e mëdha në kahun tjetër, edhe ato në krizë maturimi, kanë ulur investimet. Indeksi i besimit të Bankës së Shqipërisë tregoi rënie të ndjeshme edhe për këtë kategori të rëndësishme për ekonominë e vendit dhe punësimit. Gjithnjë e më shumë po ndesh sipërmarrës të mëdhenj që thonë se janë gati të shesin gjithçka dhe të ikin sa më parë nga sytë këmbët.
Ekonomia është sa shkencë, aq edhe psikologji. Një shembull i qartë i kësaj është mungesa e reagimit të ekonomisë ndaj politikës agresive lehtësuese monetare të Bankës së Shqipërisë, që ka ulur normën bazë në 1.25%. Ndonëse kosto e parasë është më e lirë se kurrë ndonjëherë, askush nuk i do, sepse nuk ka çfarë ta bëjë në një ambient ku të gjithë janë të pasigurt. Guvernatori i Bankës së Shqipërisë po e përsërit shpesh që ata e kanë bërë të vetën dhe për të siguruar rritjen afatgjatë ka nevojë për reforma strukturore dhe për përmirësimin e klimës e besimit te biznesi e individët. Por, kjo thirrje po bie në vesh të shurdhët. Askush nuk e ka mendjen. Reforma në drejtësi, që do nxiste investimet, po shtyhet e po shtyhet. Parlamentarët janë shumë të zënë me hallet e veta, nga dekriminalizimi e konfliktet e brendshme.
Dhe më alarmante janë sinjalet se kriza e besimit në politikëbërje po kthehet në një krizë besimi për të gjithë shoqërinë shqiptare. Nuk është vetëm dëshira e shtuar për të ikur jashtë. Të dhënat e fundit të INSTAT për vitin 2015 janë vërtet tronditëse: Më 2015, numri i vdekjeve është rritur me 8% në krahasim me një vit më parë. Teksa numri i lindjeve është ulur me 8.5%, abortet i janë rikthyer rritjes. Nga ana tjetër, martesat që shkuan në divorc ishin 24% më shumë se në vitin 2014. Dhe pikërisht ky është rreziku më i madh që degradimi i politikës rrezikon një “shthurje” të së gjithë shoqërisë shqiptare, me pasoja të rënda ekonomike e sociale, nëse nuk ndërhyhet sa nuk është vonë.