Koncesionet e dhëna për toka bujqësore në zona të ndryshme të vendit do të anulohen dhe toka do t’u jepet me prioritet fermerëve të zonave ku ndodhen këto toka. Kjo është deklaruar nga kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha në bashkëbisedim me fermerë të fshatrave Zagorçan dhe Baçallëk.
Fermer: Ne kemi shqetësim sepse qeveria aktuale na ka grabitur tokën.
Basha: Javën e parë ky koncesion dhe dhjetëra koncesione të tilla nga e para tek e fundit, të gjitha këto kontrata do të anulohen. Kjo punë ka marrë fund. Në qoftë se kjo tokë është e lirë prioritet do të kenë fermerët e zonës.
Fermer: S’ka turp ai? Nafta është 800 lekë /litri në Maqedoni, 1500 lekë /litri në Shqipëri. Turp, ai të mbytet. Ç’të rrojë Rama, kot që rron! S’e sheh ai, s’e dëgjon çfarë bëhet.
Fermerët u ankuan se qeveria nuk ka dhënë asnjë subvencion dhe asnjë ndihmë për ta. Madje u ankuan se dhe për të shitur dy arka me qershi u kërkojne NIPT-in.
Fermer: Ne nuk kemi marrë ndonjë ndihmesë nga qeveria.
Basha: Ndihmesë?! Jo lekë që nuk të jep Edi Rama, po ti kokën andej ai të fut dorën të merr edhe atë që ke në xhep.
Basha: Vitin tonë të parë në qeverinë e ardhshme do të ketë 100 milionë dollarë subvencione për 200 mijë familje fermerë në të gjithë Shqipërinë. Që do të thotë se do të shkojë paraja siç bëhet ujitja me pikim ashtu do të vijë subvencioni edhe në çdo familje fermere. Nuk do t’iu kërkojnë as NIPT, as sigurime. Mbajeni mend këto që ua them, se sot ua them si kryetar opozite nesër do të vij të ballafaqohem me ju si Kryeministër me këto që iu them. Paratë ekzistojnë, por në vend që të vijnë tek ju shpërdorohen nga një grusht qeveritarësh në Tiranë.
Fermer: Ato qershitë që i bëra, ai më thotë nxjerr NIPT që t’i shesësh. Ore tri arka qershi kam unë, ç’të nxjerr NIPT unë?!
Basha: NIPT për fermerët s’ka për të patur. Fermeri ka kartën e identitetit si çdo qytetar, ka numrin e identitetit, ai shënohet në arkë, shënohet në faturë, ai shënohet për të marrë subvencionin, ai shënohet për të marrë rimbursimin. E keni ju numrin e identifikimit s’ka nevojë për NIPT.
Subvencionet janë parashikuar edhe për peshkatarët. Sipas përllogaritjeve 2.8 milionë euro është kostoja e buxhetit të shtetit për të subvencionuar bazën materiale, para që sot përfundojnë në një muaj në xhepat e oligarkëve. Shkatërrimi që u bë infrastrukturës së peshkatarëve ishte një tjetër shqetësim i peshkatarëve.
Banor: As gjermani nuk vinte ashtu me snajper, prishën e bënë. Unë kisha një ndërtesë, por nuk morëm as lekë, as asgjë.
Peshkatar: Ju me të ardhur në pushtet duhet të na premtoni, të na e bëni jo vetëm për ne sepse ky nuk është vetëm liqeni jonë është edhe i juaji, i gjithë Shqipërisë.
Basha: Do të ketë një skemë investimi dhe një skemë mbështetjeje. Rrjetat, kombinoshet, grepat do të jenë 100 për qind të rimbursuara nga shteti. Sa i kushton shtetit kjo, se e kemi bërë llogarinë ne? 2.8 milionë euro. 2.8 milionë euro i merr për një javë Koço Kokëdhima me një dorë.
Fermer: Do ta japin votën ty e kanë 100%, se varfëria ka shkuar ku s’mban më. Ishin diku 250 të punësuar në liqenin e Pogradecit. Tani ikën ata, s’janë më.
Zoti Basha u takua dhe me banorët të fshatit Beragozhd, ku pak muaj më parë 30 persona u plagosën nga shpërthimi i një bombole gazi. Ndonëse të paaftë për punë ata sot janë lënë në mëshirë të fatit nga qeveria dhe nuk u është dhe asnjë ndihmë as financiare dhe as në medikamente. Zoti Basha ka premtuar se qeveria e drejtuar prej tij përmes një vendimi të posaçëm qeverie do t’u japë KEMP të lënduarve.
Basha: Çfarë kemi në dorë si opozitë do ta bëjmë. Por po ju them nguliteni në mendjen nuk do t’ju lëmë vetëm. Edhe po s’e dhanë këta, ne do ta bëjmë me vendim të posaçëm qeverie KEMP-in për të gjithë të lënduarit e aksidentit të Beragozhdit.
Një takim të veçantë zoti Basha zhvilloi edhe me të rinjtë e Pogradecit. Garantimi i votës së lirë është deklaruar nga Lulzim Basha si beteja më e rëndësishme e Partisë Demokratike dhe Shqipërisë. E ka nisur me partinë që drejton duke zgjedhur drejtuesit e Forumit Rinor me votë e do ta vazhdojë edhe në përzgjedhjen e 49 kandidatëve të rinj për deputet në Kuvendin e Shqipërisë.
Basha: Përgjegjësia që ju jepet nuk është e lehtë është e vështirë. Veçanërisht me një shoqëri që nuk është e mësuar me votën e lirë. Por ju jeni mësuar me votën e lirë. Me votë të lirë zgjodhët kryetarin e forumit pas një debati primar. Me votë të lirë zgjodhët kryetarin e degës së forumit dhe me votë të lirë jam i sigurt që Partisë Demokratike dhe mbi të gjitha Shqipërisë do t’i ofroni të rinjtë dhe të rejat më dinjitozë që do të jenë deputetë të ardhshëm në Kuvendin e Shqipërisë.
Basha: Do të anulohen koncesionet korruptive me tokat bujqësore
Si po rikthehen piramidat, janë 4 mijë të mashtruar
“Monitor”
Pas bursave online, kursimet e qytetarëve shqiptarë po kërcënohen nga skemat të mundshme mashtrimi “Ponzi”. Të joshur nga premtimet për superfitime, shumë të rinj janë përfshirë në blerjen me çmime dhjetëfish më shumë se tregu të shërbimeve IT si domene dhe softe. Çdo blerës duhet të gjejë dy blerës të rinj dhe kështu me radhë. Kompania, që ofron këtë shërbim në Shqipëri, është akuzuar në Turqi nga organet e drejtësisë për mashtrim. Policia, në dijeni, por nuk ka përfunduar hetimin. Institucionet financiare apelojnë për kujdes.
Dy djem të rinj, të pashëm dhe të veshur me marka, vetëm në pak ditë kanë arritur të arkëtojnë vlera të mëdha parash ndër studentë të Universitetit të Vlorës nëpërmjet prezantimit të një skeme për të cilën agjencitë shtetërore dyshojnë se që ngjan me modelin e famshëm piramidal “Ponzi”.
Të prezantuar si trajnues të një kompanie turke, ata iu kanë kërkuar studentëve të bëhen pjesë e grupit, duke paguar 1000 lekë, ku më pas ata do të krijonin një adresë në portalin e tyre dhe do të kishin një program të sofistikuar që ti duhet të shpërndaje 10 postime në ditë për të fituar 4 dollarë. Këto para mund të tërhiqeshin kur të bëheshin 300 dollarë, por kur arrije një shumë të caktuar, ata të zeronin llogarinë dhe të dërgonin një mesazh që kishe vepruar gabim në sistem.
Skemat funksionin kështu edhe me produkte të tjera, trajnerët shesin ndër të rinj paketa domain, me vlerë 70-75 mijë lekë (rreth 600-700 dollarë) disa herë më shumë se vlera reale e tregut. Çdo blerës duhet të gjejë dy blerës të rinj e kështu me radhë.
Sipas ofertës, konsumatori përfiton 5% të shumës prej 600 USD për çdo referim të drejtpërdrejtë që do të arrijë të realizojë, të cilat kalojnë në Bonus Point Statement.
Fitimi i parë për konsumatorin arrihet kur plotësohen dy çiftet e para, nga të cilat 150 USD kalojnë në Bonus Point Statement dhe 50 USD në Voucher Statement. Fitimet në vazhdimësi për konsumatorin arrihen atëherë kur të plotësohen 3 çifte të tjera, shumë e cila ndahet në 225 USD në Bonus Point Statement dhe 75 USD në Voucher Statement.
Me këtë ofertë janë mashtruar qindra të rinj në vend, të cilët edhe pse kanë arritur të realizojnë referimet dhe të kapin bonuset nuk kanë marrë asnjë para mbrapsht. Trajnerët janë zhdukur duke lënë pas jo vetëm paratë e humbura, por edhe konflikte të shumta sociale.
Me një kërkim të thjeshtë në internet sheh se, çmimet e këtyre produkteve janë shumë më të lira. Një shitës britanik i produkteve të web-eve dhe hosteve “godaddy.com” e shet një domain me 11.9 euro dhe një host me 3.9 euro.
Kjo skemë e eksperimentuar në masë në Universitetin e Vlorës, pasi është strukturuar mirë edhe në nivel menaxherësh, pasi ka grumbulluar shumat, ka përhapur lajmin te kreditorët se organizata ka falimentuar, ndërkohë që aktiviteti i saj vijon edhe sot në qendër të Tiranës dhe në të gjitha rrethet kryesore.
Tre skema të tilla që shesin produkte virtuale me çmime marramendëse po përhapen në masë, sidomos në qytetet e Fierit dhe Vlorës.
Burimet pranë kompanive pohojnë se janë përfshirë në këto skema rreth 4000 të rinj. Burimet policore kanë pohuar zyrtarisht për “Monitor” se, janë në dijeni të aktivitetit të kompanisë, por nuk kanë zbardhur shumë detaje për shkak të konfidencialitetit.
Si po mashtrohen të rinjtë
20-vjeçarët e sotëm nuk i kanë të qarta përmasat negative që patën skemat piramidale të vitit 1997. Ekonomia e Shqipërisë dhe jeta sociale e vendit ka përjetuar dimensione të tjera pas atyre ngjarjeve, ku mbi 205 mijë shqiptarë humbën 1.2 miliardë dollarë kursime në 24 firma piramidale. Vendi për pak shkoi në luftë civile dhe pas këtyre ngjarjeve, një pjesë e madhe e vlerave kombëtare dhe sidomos dokumentacionit, u zhdukën. Teksa për shumë familje shqiptare këto plagë janë ende të hapura, 20-vjeçarët e sotëm duket se janë pak të informuar për këtë tragjedi dhe pasojat e saj.
Teknologjia dhe avancimi i saj nga njëra anë dhe papunësia e lartë ndër të rinj (32%) nga ana tjetër po joshin gjithnjë e më shumë skema të sofistikuara të mashtrimit. Pikërisht këta 20-vjeçarë që janë njohësit më të mirë të teknologjisë, në kushtet e mungesës së tregut serioz të punës dhe me etjen për të siguruar të ardhura shpejt dhe pa lodhje, po bien çdo ditë e më shumë pre e mashtrimeve.
Kompanitë që po grumbullojnë me shpejtësi vlerat financiare kanë zgjedhur një mënyrë të sofistikuar me marketing të drejtpërdrejtë, duke i kontaktuar personat jo nga telefoni, po direkt. Janë përzgjedhur përgjithësisht disa punonjës të rinj që bëjnë ofertat për të rinj. Ata prezantohen si modele të rreme të personave që fitojnë mijëra euro në muaj nga klikimet në internet. Takimet kryhen në ambiente universitetesh dhe në zona që popullohen nga të rinjtë. Bëjnë disa prezantime në ‘power point’ dhe në këtë mënyrë arrijnë të krijojnë besueshmëri të mjaftueshme. Aq sa shumë të rinj kanë hyrë në borxhe për të investuar në këto skema.
Personat që kanë rënë viktima të këtyre skemave, por që duan të ruajnë konfidencialitetin, për shkak se shpresojnë të marrin paratë, pohojnë se, kanë më shumë se një vit në marrëdhënie me kompaninë mashtruese dhe nuk po marrin paratë mbrapsht. Disa prej tyre janë në konflikte me familjet e tyre, pasi kanë nxitur të tjerë të afërm për të investuar në shërbime me vlerë më të shtrenjtë se tregu në këmbim të fitimeve që kurrë nuk i kanë marrë.
Disa prej të rinjve të mashtruar kanë zgjedhur të denoncojnë online skemën e mashtrimit, por të tjerët duket se janë drejtuar edhe në polici.
Ekspertët e IT zbërthejnë skemën e mashtrimit
Xhoen Osmenaj, një ekspert IT, administrator i disa faqeve informative, thotë se skema në të cilën kompania turke ka përfshirë shumë të rinj është tërësisht mashtruese. Duke mos njohur tregun e shërbimeve të IT, njerëzit po paguajnë shuma të mëdha mbi 60-70 mijë lekë për diçka që kushton 20 dollarë.
Osmenaj shpjegon se, shumica e njerëzve në qytetin e Fierit, sidomos të rinjtë, po gënjehen, sepse kanë dëgjuar që të tjerë fitojnë nga 2000 dhe 3000 euro dhe joshen se do të fitojnë shumë shpejt. Po ata kushtëzohen nga trajnerët që të ofrojnë edhe shumë persona të tjerë në skemë, në mënyrë që të fitojnë më shumë dhe rriten në hierarki. Xhoeni, i pasionuar që në vegjëli rreth teknologjisë, thotë i shqetësuar se nuk ka mundur të ndalojë as shokun e tij të ngushtë që është përfshirë në këtë skemë. Dhe pavarësisht se ka kaluar shumë kohë dhe ende nuk po i kthehet investimi, ai vazhdon të shpresojë, tregon Xhoeni. Ai shpjegon se, në këtë rrjet mashtrimi po përfshihen studentët, të cilët dihet që kanë nevoja të shumta për financimin e studimeve. Njëri prej pjesëmarrësve i pohon “Monitor”, se ishte nxitur nga trajnerët e kompanisë që të merrte para borxh se fitimet do të jenë të larta. Madje të sugjerojnë se mund të marrësh edhe kredi në banka dhe forma të tjera borxhi, që të blesh “ajrin” që ata shesin.
Prej shumë vitesh, Shqipëria ka lehtësuar së tepërmi skemën e regjistrimit të biznesit. Në vetëm një ditë, duke paraqitur një kërkesë të thjeshtë dhe disa dokumente identifikimi regjistrohesh në Qendrën Kombëtare të Regjistrimit. Madje tani regjistrimi mund të kryhet edhe online, pa u paraqitur fare në sportelet e QKR. Në këtë mënyrë, kompania Mega Holdings në tetor të vitit 2014 ka kryer regjistrimin në QKR me status sh.p.k. Sipas të dhënave në tatime, kompania ka siguruar të një xhiro prej 50 milionë lekësh dhe ka shpërndarë vetëm 40 për qind të kësaj shume bonuse. Madje kompania ka hapur edhe ëebsite-n në shqip ku ekspozon shitjen e produkteve të saj (shih linkun http://www.megaholdingsbalkan.com/index.php.)
Biznesi i punësimit, një tjetër mashtrim
Pasi kanë nuhatur humbjen e shpresës, mungesën e mundësive për punësim brenda vendit, shumë skema mashtruese duke premtuar punësim jashtë vendit kundrejt mijëra eurove po rezultojnë mashtruese. Vetëm pak ditë më parë, në qendër të Tiranës, pak metra larg selisë së qeverisë dhe Kuvendit, një skemë mashtrimi për punësimin në Kanada kishte grumbulluar 5 milionë euro nga qytetarët. Dy personat drejtues të kompanisë tashmë janë të arrestuar.
Mirëpo zbulimi i kësaj skeme duket se është bërë shkak për denoncimin e të tjerave. Një skemë e tillë në qytetin e Fierit ka grumbulluar mijëra euro për punësim në Dubai. Të interesuarit kanë bërë pagesën e një kësti në Fier dhe janë adresuar te Kullat Binjake në Tiranë për procedurat e tjera, teksa adresa e dhënë në Tiranë ka rezultuar mashtrim.
Hetimi në Turqi
Në vitin 2014, shteti turk do të vihej në lëvizje për të parë anën mashtruese të Mega Holding, por sipas mediave vendase, shteti atje është përshirë edhe në plotësimin e mungesave ligjore për të frenuar mashtrimin e kompanisë. Gazeta “Hyrriet”, ndër mediat më të mëdha print në Turqi, raporton se organet e hetimit atje kanë zbuluar një shumë parash të barabartë me 70 milionë paund të grumbulluara nga kompania. Lista e të dyshuarve në kompaninë Mega përfshin 160 persona me akuzën “Mashtrim i rëndë në progres”.
Zyra e Prokurorit të Stambollit, duke vepruar sipas instruksioneve nga zyra kundër krimeve financiare, ka treguar se kompania Mega ka mashtruar mijëra njerëz, duke përdorur skemën “Ponzi”.
“Hyrriet” shkuan në artikullin e saj të datës 12 qershor 2015 se website i skemës mashtruese, kishte anëtarë të rinj në moshë dhe kryesisht shtresën e mesme. Policia e Stambollit, për të thelluar hetimin, ka infiltruar 100 mbi policë në këtë skemë.
Kryeinspektori Shakir Engin Yüksel, i cili ka përgatitur raportin, ka argumentuar se Mega Holdings ka bërë “mashtrim të rëndë”.
Në përmbledhjen e raportit hetimor shihen qartë karakteristikat dalluese të sistemit të shitjes piramidë. “Të paktën 71.8% e anëtarëve kanë pësuar humbje në terma monetare. Anëtarët e sistemit krijohen përmes metodës psikologjike, duke premtuar shumë para te të rinjtë. Bëhet një ceremoni ku ofrohen bonuse. Produktet që shiten në webfaqe janë dukshëm më shtrenjtë se produktet e ngjashme në treg. Produkti (website) është përdorur si një mjet për të bërë regjistrimin si anëtar. Nuk është një model i qëndrueshëm i biznesit. Ata që janë në pjesën e poshtme të duarve piramidale (rreth 70%) janë gjithmonë të destinuar si humbës”, thuhet në deklaratën e kryeinspektorit të hetimeve Shakir Engin Yüksel.
Megjithatë, ekspertët ligjorë thonë se, produkti është vetëm një mbulesë për zinxhirin e financuar nga rrjedha e parave të fituara me anë të përfshirjes së konsumatorëve të rinj në sistem.
Prof. Ünal Tekinalp, një nga arkitektët e kodit të tregtar turk, e ka quajtur praktikën “mashtruese”. “Nuk ka vend për të cituar ligjet e tregtisë, sepse kjo skemë është mashtrim”, tha ai. Avokati Çagrı Çetin tha gjithashtu se baza website paraqitet si produkt me qëllim për të maskuar mashtrimin, shkruan “Hyrriet”. “Përdorimi i sistemeve të teknologjisë së informacionit për të kryer mashtrimet përbën krim të madh”, deklaroi avokati. Kur blerësit shesin faqen e internetit te njerëzit e tjerë, ata fitojnë 315 dollarë në fazën e parë dhe marrin aksione nga çdo shitje të konsumatorëve të rinj dhe të klientëve të tyre, të ngjashme me një skemë piramidale. Turqia u takua me skemën “Ponzi” në shtator të vitit 1997 me kompaninë e “Titan”.
Bashkitë e majta, rekord në tarifat e larta për ujin
Familjarët në qytetin e Korçës janë ata që paguajnë tarifën më të lartë për m3 për ujin e pijshëshëm, ndërsa Bulqiza është qyteti që aplikon tarifën më të ulët. Kështu, çmimi maksimal i aplikueshëm, që në rastin konkret korrenspondon me Korçën është 65 lekë/m3 dhe çmimi më i ulët që i përket Bulqizës është 17 lekë/m3. Qytetet që kanë edhe shërbim më të mirë të furnizmit me ujë, janë ato që aplikojnë për rritje tarifash në mënyrë të herëpashershme për investimet që kryejnë. Por ajo që vihet re është se ka edhe qytete, të cilat aplikojnë tarifa të larta për konsumatorët familjarë, por që nuk ofrojnë shërbim cilësor. Po të marrim në analizë 12 qytetet kryesore në vend vihet re se Tirana edhe pse ka numrin më të lartë të konsumatorëve ka një tarifë të konsiderueshme prej 45 lekë/m3, ndërkohë që shërbimi i furnizimit me ujë të pijshëm nuk është në gjendje të mirë. Përpos furnizimit me orare të caktuara, Tirana trashëgon një rrjet të amortizuar, duke bërë që uji që vjen në rubinet të mos jetë i pijshëm. Operatorët që ofrojnë furnizim të pandërprerë me ujë dhe me presionin e duhur janë vetëm Sh.a. UK Korçë Qytet, Sh. a. UK Pogradec dhe Sh. a. UK Librazhd. Shoqëritë që ofrojnë furnizim me ujë nën kufirin e performancës së dobët, me më pak se 8.0 orë/ditë janë respektivisht Durrësi që furnizon me 7.52 orë në ditë edhe pse është qyteti i dytë për tarifat më të larta të ujit dhe Saranda që furnizon me 4.55 orë në ditë edhe pse tarifa është 52 lekë/m3. Shoqëria që ka pasur rënie në orët e furnizimit me ujë është Berat¬-Kuçovë, e cila për të katërtin vit radhazi pëson vetëm rënie në këtë tregues, ndërkohë që familjarët vijonë të paguajnë tarifë të konsiderueshme për këtë shërbim prej 44 lekë/m3.
Bizneset thirrje qeverisë për uljen e taksave me 15%
Ulja e taksave do të përbëjë shtyllën kryesore të propozimeve të biznesit për paketën fiskale për 2017. Vera do të jetë e nxehtë edhe për debatet mes qeverisë dhe sipërmarrjes për taksat, pasi deri më tani, Ministria e Financave nuk kanë dhënë asnjë shenjë për ulje të tyre. Përfaqësuesit e biznesit deklarojnë se kanë gati listën e propozimeve që do të dorëzohet në dikasterin e Financave dhe ku në unison do të kërkohet që barra fiskale të zbresë nga 15 në 10%, pasi vetëm kështu sipërmarrja shqiptare dhe ekonomia mund të bëhen konkurruese. Biznesi do t’i kërkojë në unison qeverisë uljen e taksave vitin e ardhshëm. Ndërsa, Ministria e Financave ka hapur procesin për dorëzimin e kërkesave për paketën fiskale 2017, përfaqësuesit e shoqatave të biznesit rendisin në krye të listës së propozimeve uljen e barrës fiskale në 10%. Gjergj Buxhuku, administrator i Konfindustrisë: Është momenti që ne të kalojmë në barrë fiskale më të ulët, të ngjashëm për t’u rikthyer konkurrent me vendet e tjera, të thithin investimet e vendit dhe te huaja. 10% nuk mund të jetë më e lartë se 10%, më poshtë mund të jetë se jemi prapa tashmë. Dështimi në tre paketat fiskale të mëparshme e bën të detyrueshme këtë lëvizje. Bujar Bendo, përfaqësues i Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë, Tiranë: Kërkojmë që në këtë lloj situate duhet që të bëhet ulja e taksave. Për tatim fitimin kërkojmë që të kalojë prap në nivelin 10% dhe taksën e dividentit po ashtu në nivel 10%. Kërkesa të tjera që sipërmarrja do t’i paraqesë qeverisë kanë të bëjnë me saktësime në zbatimin e ligjeve, aty ku paraqiten edhe problemet më të mëdha në raport me administratën fiskale dhe që kanë të bëjnë kryesisht nga intepretimet. Alban Zusi, kryetar i Shoqatës së Eksportuesve: Deri tani si shoqatë kemi listuar mbi 20 problematika, të cilat janë të lidhura me mënyrën abuziviste të aplikimit të legjislacionit, pasi kjo krijon edhe deformimin më të madh, ndërsa problem tjetër është i lidhur me politika të bëra nga qeveria siç janë krijimi i lehtësirave për investime prodhuese dhe krijimi i lehtësirave për thithjen e investitorëve të huaj. Gjergj Buxhuku, administrator i Konfindustrisë: Kusht shumë i rëndësishëm është që politika fiskale në Shqipëri duhet të jenë të qëndreshme në kohë.
Taksat e larta, nafta dhe skanimi ulin konkurrueshmërinë e biznesit
Shqipëria ka humbur konkurrueshmërinë e saj sa i përket transportit të mallrave si në rrugë tokësore, ashtu edhe detare. Barra e lartë fiskale, çmimi i naftës, por edhe tarifa e skanimit (22 euro/deklaratë) kanë dhënë efekte jo të vogla në ofrimin e këtij shërbimi. Këto shqetësime, operatorët e këtij tregu ia kanë përcjellë edhe Këshillit të Investimeve, të cilit i kërkohet që të ndërhyhet, duke garantuar investime të qëndrueshme në infrastrukturë për të garantuar kushte të barabarta me vendet e tjera të rajonit. Genc Mataj, drejtuesi i shoqërisë së transporit “Pelikan” me qendër në Durrës thotë se, prej të paktën dy vjetësh në tregun e transportit të mallrave tranzit po ndihen efektet e rritjes së barrës fiskale. Në rastin e tarifës së skanimit 22 euro/deklarata, biznesi ngre shqetësimin se, pagesa e tij nuk shoqërohet me një faturë, por thjesht me mandat pagese dhe kjo është e pakonceptueshme.
Zbatimi i kësaj tarife ka bërë që të paktën me Kosovën kostot e transport të rriten jo pak. “Rreth 62 euro është rritur kostoja e skanimit me Kosovën dhe kjo për shkak të skanimit, por edhe të zbatimit nga ana e tyre e një takse preh 40 euro në terminale. Rritja e kostove çon në ulje të konkurrueshmërisë”, thonë drejtuesit e kësaj kompanie. Një tjetër efekt është edhe çmimi i naftës që vlerësohet rreth 30% më i lartë në Shqipëri, në krahasim me Maqedoninë apo me Kosovën. Tatimi mbi fitimin më i lartë se në këto dy vende, gjithashtu është një faktor që ka ndikuar te konkurrueshmëria. “Këto efekte ndihen prej dy vjetësh dhe ne i kemi kërkuar qeverisë që të marrë masa për të ndikuar në mjedisin e të bërit biznes, për ta bërë vendin më atraktiv”, thotë z.Mataj.
Por, Shqipëria arrin të amortizojë këtë situatë falë pozitës së favorshme gjeografike. “Porti i Selanikut në Greqi ka burokraci të lartë, si dhe zbaton kufizime në peshën e ngarkesës që duhet të ketë njësia transportuese, e cila nuk lejohet të jetë më e madhe se 40 ton. Porti i Durrësit është më fleksibël dhe ky është padyshim një avantazh. Nga ana tjetër porti i Barit në Mal të Zi nuk ka kapacitete për të përballuar flukste të larta dhe nuk është i krahasueshëm me Portin e Durrësit”, thotë z.Mataj, i cili thekson se investimet e qëndrueshme në portin më të madh të vendit janë domosdoshmëri. Në raportin teknik që Këshilli i Investimeve përgatiti për incentivat, për nxitjen e investimeve theksohej se portet detare konsiderohen si një avantazh i rëndësishëm në lidhje me vendet e tjera të rajonit, sa i përket mundësisë së lidhjes me tregjet ndërkombëtare. Megjithatë, raporti thekson se edhe avantazhi që sjell pozita gjeografike e vendit në raport me vendet e tjera të rajonit nuk po shfrytëzohet si duhet, ku problematike vlerësohet barra e shtuar nga skanimi në dogana.
Krizë parlamentare në Kosovë
Bojkotimi i punimeve të Kuvendit të Kosovës nga subjektet politike opozitare dhe mospjesëmarrja e disa deputetëve të koalicionit qeverisës në seanca parlamentare ka ndikuar negativisht në funksionimin e Kuvendit, duke e futur atë në një krizë institucionale dhe duke përgjysmuar numrin e ligjeve të parapara për t’u votuar, vlerësojnë përfaqësues të shoqërisë civile. Instituti Demokratik i Kosovës, i cili bën monitorimin e punës së Kuvendit të Kosovës, e konsideron të ulët dinamikën e punës së Kuvendit dhe në shpërputhje me përgjegjësitë që ka ky institucion për të trajtuar ligjet dhe çështjet e tjera.
Drejtori i Institutit Demokratik të Kosovës, Ismet Kryeziu, i ka thënë Radios “Evropa e Lirë” se intensiteti i mbajtjes së seancave plenare është zvogëluar dukshëm dhe është në shpërputhje me nevojat dhe përfaqësimin e qytetarëve. Ai shton se nëse krahasohet periudha e njëjtë e vitit të kaluar me këtë vit, ka 22 seanca parlamentare më pak. E gjithë kjo, sipas Kryeziut, ka marrë profilin e një krizë parlamentare.
“Gjithsesi mungesa e deputetëve të partive në pushtet, që janë në koalicion e që kanë dy të tretat në Parlament, si dhe mundësia e tyre për t’i pasur të gjithë deputetët e tyre në Parlament, shpërfaq fillimin e një krize parlamentare, e cila pati filluar me kundërshtimet e opozitës dhe tani ka kundërshtime apo jo mbarëvajtje të vetë subjekteve që udhëheqin me qeverinë apo pushtetin në Kosovë”, thekson Kryeziu.
Me këtë dinamikë të ulët të punës së Kuvendit të Kosovës, thekson Kryeziu, Kosova nuk do të arrijë t’i përmbushë obligimet që i ka, si brenda vendit ashtu edhe jashtë tij. “Ne kemi shumë sfida dhe nevoja që janë si rezultat i ecjes përpara, jo vetëm në aspektin e brendshëm, por edhe në aspektin e jashtëm të politikave ndërkombëtare dhe të gjitha këto janë ngecje dhe në disfavor për pritjet e qytetarëve dhe hapat që e presin shtetin e Kosovës”, thotë Kryeziu. Muaji gusht është koha kur deputetët e Kuvendit të Kosovës i japin fund sesionit pranveror, për të shkuar në pushime prej një muaji.
Deputetët e partive në pushtet dhe atyre opozitare thonë se në Kuvendin e Kosovës janë paraqitur vështirësi në përmbushjen e axhendës legjislative. Selvije Halimi, zëvendëskryetare e parë e Komisionit për Legjislacion nga Partia Demokratike e Kosovës, thotë për Radion “Evropa e Lirë” se mungesa e opozitës në Kuvendin e Kosovës ka penguar në njëfarë mënyre përshpejtimin e procedurave legjislative. “Mendoj se jemi duke shkuar me plan, por mungesa e opozitës në Kuvend domosdoshmërisht ndikon në përshpejtimin e procedurave të legjislacionit, sepse ne si pozitë tashmë jemi të ngarkuar dyfish më shumë dhe duhet të punojmë edhe për ata sa i përket bërjes së ligjeve. Po ashtu, vizitat që i kemi jashtë vendit po duhet të koordinohen me qëllim që të kemi kuorum në aprovimin e ligjeve”, thekson Halimi.
Kosovë, rritet konsumimi i produkteve vendore
Konsumimi i produkteve “Made in Kosova”, thuhet të ketë shënuar rritje, krahasuar me vitet e mëhershme. Produktet vendore, të cilat konsumohen më së shumti nga qytetarët janë uji dhe ato ushqimore. Kompania “Frutex” nga Suhareka, është një nga kompanitë më të mëdha për prodhimin e pijeve joalkoolike dhe energjike në Kosovë. Shaqir Palushi, pronari i kësaj kompanie, ka theksuar se rritja e konsumimit të produkteve vendore, ka ndihmuar në zhvillimin e afarizmit të tyre. “Të paktën në këto dy-tre vite të fundit ka filluar vetëdijësimi i të gjithëve për konsumimin e produkteve vendore. Ky vetëdijësim vërehet edhe tek prodhuesit të cilët kanë arritur të prodhojnë produkte cilësore, po ashtu vërehet një rritje e vetëdijesimit edhe tek institucionet e vendit për rëndësinë e përkrahjes së prodhuesve. Por, edhe qytetarët e kanë parë të nevojshme konsumimin e produkteve vendore, në mënyrë që të zhvillojnë prodhuesit vendor”, ka theksuar Palushi. Ndërkohë, një anketë e publikuar javë më parë nga Klubi i prodhuesve në Kosovë, kishte vënë në pah se nga 1064 qytetarë të anketuar, 60 për qind e tyre kishin deklaruar se kanë rritur konsumimin e prodhimeve vendore në krahasim me vitin e kaluar. Të anketuarit theksohet në këtë anketë, kanë përshtypje të mirë për prodhimet vendore, por që shumica e tyre kanë sugjeruar që cilësia duhet të përmirësohet.
Kryetari i organizatës joqeveritare për mbrojtjen e konsumatorit, Selatin Kaçaniku, thekson se për të pasur produkte më cilësore vendore, institucionet e shtetit duhet të fuqizojnë prodhuesit vendor. “Qytetarët e Kosovës janë jashtëzakonisht të interesuar të konsumojnë prodhime vendore, por problemi për mos konsumimin e këtyre produkteve nuk qëndron tek qytetari, por tek institucionet e shtetit, të cilat nuk arrijnë të fuqizojnë prodhuesit vendor dhe më pas të informojnë qytetarin për rëndësimin e konsumimit të produkteve vendore”, thekson Kaçaniku. Ndërkohë, disa qytetarë të anketuar nga Radio “Evropa e Lirë” thonë se kanë filluar të konsumojnë produktet vendore. Artani, një qytetar nga Prishtina tregon se në familjen e tyre çdo gjë që konsumohet është vendore. “Vetëm prodhimet vendore i konsumojmë, nuk i pëlqej produktet e huaja. Prodhuesve nga Kosova i duhet përkrahja jonë”, thotë ai.
Faton Hajdini, i cili punon në njërin nga restorantet në Prishtinë, tregon se në lokalin e tyre lëngjet dhe disa produkte të tjera janë vendore. “Ne jemi shumë të kënaqur që përdorim produktet tona. Cilësia e tyre në përgjithësi është e mirë, po ashtu edhe konsumatorët që vizitojnë lokalin tonë nuk kanë pasur ndonjë ankesë me atë që ne iu kemi shërbyer”, shprehet Hajdini. Vesa Ibrahimi, një qytetare tjetër, mendon se duke konsumuar produktet vendore, do të mund të zhvillohet sektori i prodhimtarisë në Kosovë. “Mundohem që t’i përdori të gjithë produktet të cilat janë vendore. Disa janë të mira që i përdorim patjetër, por janë edhe disa të tjera, të cilat nuk janë mjaft cilësore, por ne po i përdorim pasi që nëse i përdorim ne iu rrisim mundësinë që ata të përmirësohen dhe të rrisin cilësinë e produktit që e prodhojnë”, thotë ajo. Sidoqoftë, Kosova vazhdon të ketë nivelin e lartë të importit të produkteve që vijnë nga vendet e rajonit BE-së dhe më gjerë.
Të dhënat e Bankës Qendrore të Kosovës kishin treguar se mbi 2.5 miliardë euro ishte vlera e importit të produkteve të huaja në Kosovë, gjatë vitit të kaluar, kurse eksporti i produkteve të Kosovës në vendet e rajonit dhe Evropës ka arritur në vlerën mbi 300 milionë euro.
Normat e interesit për kredi të larta, shqetësuese për bizneset
Bankat komerciale që operojnë në Kosovë, me vite të tëra i kanë mbajtur të larta normat e interesit për kredi, të cilat kanë vështirësuar zhvillimin e veprimtarive të biznesit, por edhe nuk kanë qenë të favorshme as për kreditë familjare. Kryetari i Aleancës Kosovare të Biznesit, Agim Shahini, tha se kamata e lartë e interesit dhe provizionit të bankave komerciale po pengon zhvillimin e ekonomisë familjare e biznesore, duke shtuar se sektori më fitimprurës është sektori financiar. Sipas tij, 92 milionë euro bankat në Kosovë kanë fituar nga qytetarët përmes transaksioneve dhe interesit të lartë. Prandaj, ai vlerëson se bankat duhet të jenë më tolerante ndaj qytetarëve dhe bizneseve. Ndërsa, drejtori ekzekutiv i Shoqatës së Bankave të Kosovës, Petrit Balija, në emisionin “Euro Tribuna” kishte deklaruar se që nga paslufta sektori bankar ka dhënë 8 miliardë euro kredi për qytetarët. Sipas tij, përmes kreditimit bankar edhe shumica e bizneseve në vend janë ngritur, e sidomos korporatat e mëdha.
Luis Suarez rrezikon Kupën e Amerikës
Uruguaji në telashe. Luis Suarez u dëmtua gjatë finales së Kupës së Mbretit, ku Barcelona fitoi përballë Sevilla-s në stadiumin “Vicente Calderon”. Sulmuesi rrezikon seriozisht pjesëmarrjen në 100-vjetorin e Kupës së Amerikës. Golashënuesi më i mirë i kampionatit spanjoll u aktivizua për më pak se një orë në lojë, ndërsa u largua mes lotëve nga fusha, për atë që duket një dëmtim muskulor.
Zgjatja e sforcuar e këmbës së djathtë gjatë një sulmi të katalanëve i kushtoi Suarez lëndimin, ndërsa tani bomberi i blaugranave do t’i nënshtrohet kontrolleve mjekësore, për të verifikuar gradën e dëmtimit. Përpos momentit të largimit nga fusha, ku mori mbështetjen e yjeve të Barcelonës, si Iniesta e Mesi, telekamerat e treguan sulmuesin të përlotur në stolin e rezervave menjëherë pas zëvendësimit.
Luis Suarez u shfaq në ekran edhe në momentin kur skuadra e Luis Enriques festoi golin e avantazhit në kohën shtesë. Shqetësimi më i madh lidhet me ato momente, pasi lojtari ecte me kujdes dhe në disa momente dukej që ndjente dhimbje. Mungesa e sulmuesit më të mirë do të jetë një minus i madh për Uruguajin, skuadrën më të suksesshme në historinë e Kupës së Amerikës me 15 tituj, që do të debutojë më 5 qershor.
Barcelona rrëmben gjithçka edhe këtë sezon në Spanjë, duke mposhtur në finale Sevillan gola të Jordi Albas dhe Neymar në kohën shtesë. Katalanasit rrezikuan shumë përballë andaluzianëve në “Vincente Calderon”, ku luajtën për rreth 50 minuta me 1 lojtar më pak, por arritën të ruanin qetësinë, duke e çuar ndeshjen në kohën shtesë pas 90 minutave pa asnjë gol. Shkëndijën e parë e dha Mesi në minutën e 6, ndërsa Sevilla replikoi me Coke në të 17-ën. Një prej momenteve më delikate të ndeshjes u shënua në minutën e 36, kur Mascherano e la Barcelonën me 10 lojtarë pas ndërhyrjes së gabuar në dëm të Gameiros. Ndërkohë, Pique ishte shumë pranë golit të avantazhit në minutën e fundit të pjesës së parë. Sevilla u rikthye në fushë e transformuar, duke regjistruar një shtyllë me argjentinasin Banega, ndërsa në të 66-ën, Krichowiak nuk ishte i saktë. Skuadrat u barazuan në numër lojtarësh vetëm në fundin e ndeshjes kur Banega u ndëshkua me të kuq pas ndërhyrjes ndaj Lionel Mesit në hyrje të zonës së rreptësisë, por kapiteni katalanas nuk arriti të ekzekutonte saktësisht goditjen e dënimit, duke e çuar ndeshjen në kohën shtesë. 9 minuta nga rifillimi i ndeshjes, Sevilla reflektoi lodhjen në këmbët e saj, pasi linja mbrojtëse u kap në befasi nga asisti i Mesit për Jordi Alban që arriti ta ndalte topin në rrjetë.
Ishte Neymar ai që dyfishoi pak momente më pas. Minutat deri në fund nuk dhuruan asgjë më shumë. Katalanasit konfirmohen dominues në Spanjë ku edhe Sevilla nuk arriti t’u rrëmbente trofeun e dytë më të rëndësishëm, duke u mjaftuar vetëm me suksesin në Europa League.
Ikën Van Gaal!
Luis Van Gaal i jep fund aventurës në krye të Manchester United. Trajneri holandez deklaroi mëngjesin e kësaj të diele se tashmë gjithçka ka marrë, ndërkohë që po largohej nga hoteli pas suksesit 2-1 në finalen e FA Cup ndaj “Cristal Palace”. Në orët në vazhdim pritet edhe komunikata zyrtare e klubit, për të konfirmuar zërat për emërimin e Jose Mourinhos në vend të Van Gaal.
64-vjeçari largohet nga “Djajtë e Kuq” pas dy sezonesh, teksa mbërriti në “Old Traford” në vitin 2014 pas shkarkimit të David Moyes. Gjatë kësaj periudhe holandezi nuk i përmbushi përitshmëritë e tifozëve dhe të drejuesve të United, edhe pse shpenzoi me qindra milionë paund në merkato. Trofeu i FA Cup në dy vjet është shumë pak për një klub që nuk do të marrë pjesë në Champions League sezonin e ardhshëm.
Manchester United, e mbylli Premier Leaguen në vendin e pestë, ndërsa në Europa League u eliminua në çerekfinale nga Liverpuli i Jurgen Klopp. Drejtimin e United do ta marrë Jose Mourinho, që refuzoi një ofertë të Paris Saint Germmain në fund të vitit të kaluar pikërisht për djajtë e kuq. Portugezi do të prezantohet si trajneri i ri i Manchester United menjëherë sapo menaxheri ti ij, Jorge Menedez, të përpilojë detajet e fundit të kontratës.
Jose Mourinho është vetëm një hap larg stolit të Manchester United. Pas Rooney, Martial dhe Rashford, reparti i avancuar i skuadrës angleze pritet të përforcohet me një tjetër sulmues të jashtëzakonshëm. Edhe pse ende nuk ka firmosur asnjë kontratë, portugezi ka trazuar ujërat e merkatos dhe emri i parë në listën e “Special One” është sulmuesi Zlatan Ibrahimoviç. Prej kohësh emri i suedezit është i lidhur me Mananchester United por, duket se ardhmja e Zlatan përveçse si sulmues do të jetë dhe ajo e asistentit të Jose Mourinho. Sidoqoftë deri sa ky lajm të konfirmohet duket se bomberi sezonin e ardhshëm do të veshë fanellën e “Djajve të Kuq”. Në të kaluarën, Zlatan dhe Mourinho kanë bashkëpunuar me njëri-tjetrin gjatë kohës kur të dy ishin pjesë e Interit. 34-vjeçari ka thurur përherë elozhe për kampionatin e Premier League, duke e cilësuar si një nga më të fortët në botë. Shumë vite më parë kur Zlatan luante tek Malmo në Suedi, trajneri i Arsenalit e kish ftuar atë për një test me topçinjte. Por ftesa u refuzua nga ana e sulmuesit. Tashmë në fund të karrierës duket, se Zlatan do ta mbyllë aventurën e tij si futbollist në Angli, e ndoshta më pas së bashku me Mourinho të drejtontë “Djajtë e Kuq”. Ndërkohë në orët e fundit është konfirmuar dhe largimi i Louis Van Gal nga stoli i Man.United.
Menaxheri i Hysajt, presion Napolit
Mbrojtësi shqiptar i Napolit, Elseid Hysaj, është një nga emrat më të kërkuar në merkaton e futbollistëve, por çmimin e kartonit të tij, që i kalon 20 milionë euro, mund ta përballojnë vetëm klubet e mëdha Europiane. Barcelona dhe Bayern Munich po e monitorojnë me shumë kujdes 22-vjeçarin, që rezulton të jetë futbollisti me moshë më të re që ka luajtur në 37 ndeshje si titullar në 5 kampionatet më të forta në Europë. Megjithatë paga e tij krahasuar me rendimentin në fushën e blertë mbetet qesharake.
Për këtë arsye, menaxheri i futbollistit kuqezi, Mario Giuffredi, për të disatën herë u kujton drejtuesve napolitanë që duhet ta rishikojnë kontratën e Hysajt, para se të jetë vonë, duke i kërcënuar se mund të largohet para kohe nga skuadra. Giuffredi betohet se klienti i tij brenda një kohe të shkurtër do të bëhet një nga lojtarët më të mirë në botë në rolin e tij, ndaj Napoli nuk mund të qëndrojë indiferent për shkak të kohëzgjatjes aktuale të kontratës, e cila skadon në vitin 2020. Sugjerimi i menaxherit të Hysajt është që marrëveshja e re të firmoset para finaleve të Europianit, turne ku Shqipëria merr pjesë për herë të parë. Hysaj edhe ka më shumë minuta në këmbë se çdo lojtar tjetër i Napolit mbetet ndër më pak të paguarit, me rreth 500 mijë euro në sezon.