Një ditë më parë, Gianni De Biasi publikoi listën e 27 lojtarëve kuqezi që do të grumbullohen në qendrën stërvitore në Austri. Pjesë e kësaj liste ishte edhe mesfushori kavajas, Andi Lila, i cili nga Aeroporti i Rinasit foli për Supersport, duke u shprehur mjaft optimist për një paraqitje sa më dinjitoze në Kampionatin Europian. “Me padurim po e presim, sepse kemi kohë që përgatitemi për këtë gjë. Është diçka që ndodh vetëm një herë në jetë. Shpresojmë ta shijojmë në maksimum si ne ashtu edhe të gjithë shqiptarët, edhe të bëjmë rezultate të mira si kemi bërë kohët e fundit. Është diçka e jashtëzakonshme. Shpresoj të jemi mirë edhe nga ana shëndetësore dhe në formën fizike për të bërë më të mirën”, u shpreh Lila për Supersport.
Edhe pse objektivi kryesor, ai i pjesëmarrjes në Kampionatin Europian u realizua, Andi Lila nuk përcakton kufij. Mbrojtësi i Pas Janinës ka besim. “Siç është edhe shprehja e urtë popullore “Oreksi vjen duke ngrënë”. I kemi të gjitha mundësitë, sepse në futboll nuk ka më diferenca. Përderisa quhen finale, skuadrat janë thuajse në të njëjtin nivel. Shpresoj që t’ia dalim”, u shpreh Lila.
Andi Lila: Do lëmë gjurmë në Francë
Përse De Biasi e la jashtë Salihin?
Mungesa e “Këpucës së artë” të Superiores, Hamdi Salihi, në listën e lojtarëve të grumbulluar për në fazën përgatitore të Austrisë, por edhe për finalet e Europianit, i ka bërë të gjithëve habi përveç vet Salihit, për shkak të marrëdhënieve të ftohura me trajnerin. “E kisha parandierë një gjë të tillë se mund të ndodhte, edhe pse shpresoja deri në ditën e fundit, duke ditur që kam bërë gjithçka mirë me kombëtaren nga fillimi e deri më sot”, shprehet Salihi. Optimizmi i goleadorit të Skënderbeut vjen edhe nga këshillimi i fundit që ka marrë nga trajneri i përfaqësueses në merkaton e verës së shkuar. “Nuk ka lidhje niveli i kampionatit shqiptar me mungesën time. Unë kam mbi 10 vite që luaj jashtë dhe nuk u bëra lojtar sot që luaj në Superiore. Madje në merkaton e verës së shkuar pata shumë oferta të ikja jashtë, por u konsultova me De Biasin, i cili më tha të qëndroja te Skënderbeu, sepse do të luaja në Europë e mund të bëja gjëra të mira”, tha më tej sulmuesi shkodran.
Aktualisht, Salihi është në moshën 32-vjeçare dhe do ta vazhdojë ende karrierën e tij, edhe pse duket se ajo me Skënderbeun mund të jetë eksperienca e fundit në Shqipëri për arsye familjare. “Mua në kombëtare nuk më ka çuar as De Biasi dhe as njerëzit që nuk më grumbulluan së fundi, por më kanë çuar këmbët e mia dhe do të ishte mirë që të ishin këmbët e mia, që të flisnin të fundit nëse është momenti i duhur për t’u tërhequr apo jo. Por kështu si kanë ardhur gjërat kohët e fundit, do ta mendoj edhe këtë gjë”, tha Hamdi Salihi.
Nisin përgatitjet për Euro 2016
Shqipëria nisi zyrtarisht përgatitjet për Europianin e Francës. Në orën 17:30, autobusi i Kombëtares ju drejtua fushës stërvitore në Bad Waltersdorf, ku i tërë ambjenti ishte përshtatur për kuqezinjtë, duke përfshirë madje dhe të gjithë sponsorët e skuadrës. Trajneri De Biasi kishte në dispozicion 19 lojtarë në total në këtë seancë të parë stërvitore, përfshi dhe 3 portierët, të cilët nisën menjëherë nga puna me trajnerin e tyre, Ilir Bozhiqi, ndërkohë që pjesa tjetër e skuadrës e nisi stërvitjen me një vrapim të lehtë rreth fushës.
Seanca e parë stërvitore kishte një ngarkesë të lehtë fizike, me trajnerin De Biasi që në ditët e para do të përqendrohet më shumë në çtensionimin e muskujve të futbollistëve të tij, që kanë jo pak ngarkesë nga një sezon i gjatë. Në pjesën e dytë të stërvitjes, trajneri ndau ekipin në dy grupe, duke zhvilluar dhe një ndeshje kontrolli mes dy skuadrave. Përgjithësisht futbollistët u shfaqën të qeshur në këtë seancë të parë drejt Francës, që është dhe pjesmarrja e parë e kuqezinjve në një kompeticion të rëndësishëm dhe qetësia dhe humori i mirë janë dy elementë që trajneri De Biasi do t’i kushtojë shumë rëndësi jo vetëm në stërvitje, por dhe në grumbullim.
Lazio, “shigjeta” mes Kloses dhe Tares

Miroslav Klose dhe Lazio i japin fund një marrëdhënieje 5-vjeçare në një mënyrë të atillë që askush nuk e kishte imagjinuar. Sulmuesi thumbon drejtuesit e klubit bardhekaltër se nuk i kishin dhënë asnjë sinjal për rinovimin e kontratës, ndonëse një gjë e tillë dëshirohej edhe nga tifozët, të cilët thërritën në kor emrin e tij për të goditur 11-metërshin në sfidën me Fiorentinën në “Olimpico”, takim që përfundoi me fitoren 2-4 të skuadrës vjollcë. Drejtori Sportiv i Lazios, Igli Tare, bashkëlojtar me Klosen nga periudha 1999-2001 te Kaiserslauterni, i përgënjeshtroi menjëherë deklaratat e bomberit gjerman. Drejtuesi shqiptar i Lazios u shpreh se kishte zgjedhur të mos përgjigjej menjëherë, për të mos i dhënë shumë rëndësi kësaj polemike, pasi gjithçka do të sqarohej në ditët në vijim.
Dhe në fakt reagimi i Tares erdhi nëpërmjet një qëndrimi zyrtar të klubit. Fola me Klosen para ndeshjes me Spartën e Pragës dhe i propozova rinovimin e kontratës për dy sezone, me mundësinë që ai të shndërrohej në pikë referimi e klubit edhe pas karrierës si futbollist. M’u përgjigj, jo. Më pas, Tare foli edhe për një propozim të dytë, më herët në kohë, që gjithashtu u refuzua nga 37-vjeçari. Menjëherë reagon Klose me versionin e tij për mediat gjermane. “Nuk e kuptoj gjithë këtë diskutim. Po e shpjegoj në mënyrën më të thjeshtë. As mua dhe as menaxherit tim nuk i ka ardhur një propozim qoftë verbal, pavarësisht se cili do të kishte qenë vendimi im”.
Interi rrezikon të humbasë Brozoviç
Marcelo Brozoviç mund të largohet nga Interi. Pas 18 muajsh tek zikaltërit, mesfushori kroat duket se sezonin e ardhshëm nuk do të jetë më pjesë e Interit. Agjenti i lojtarit shprehet se Brozoviç ka dhënë maksimumin në fushën e lojës, por, shton se vitin e ardhshëm mesfushori kërkon të luaj në Champions League. Gjithashtu, ai u shpreh se, nëse drejtuesit e klubit dëshirojnë që futbollisti të qëndrojë do t’i duhet t’i ofrojnë atij një kontratë të kënaqshme por, deri më tani palët nuk janë ulur për të biseduar rreth kësaj çështjeje. Nisur nga kjo e ardhmja e kroatit do të jetë jashtë Italisë. Në rast largimi alternativat për ta zëvendësuar atë nuk mungojnë.
Trajneri i Interit, Roberto Mançini ka dy emra në mendje. I pari, është Domenico Berardi i Sassuolos. Transferimi i tij tek Inter nuk do të jetë një mision i lehtë, pasi në garë për të është edhe Juventus. Bardhezinjtë janë më të favorizuar, pasi disponon gjysmën e kartonit të mesfushorit. Një tjetër emër është ai i Manolo Gabbiadini i Napolit. Pjesë e listës së dëshirave është dhe mesfushori i skuadrës së Lazios, Antonio Candreva. Për këtë të fundit, drejtuesit e klubit zikaltër kanë ofruar në shkëmbin dy lojtarë, Ranochian e Biabiany. Për Candrevan ka shfaqur interes dhe Atletico Madrid por, duket se lojtari preferon të vazhdojë të luaj në Itali. Alternativat nuk mungojnë, problem mbeten finanacat, e në rast se në dyert e Interit paraqitet një ofertë e mirë në drejtim të Brozoviç, atëherë drejtuesit e klubit do të nisin menjëherë punën nga merkato.
Dëshpërim te Milani
Në shtëpinë e Milanit ndjejnë keqardhje për humbjen në finalen e Kupës së Italisë ndaj Juventusit në dy aspekte. E para, Milani humbi mundësinë për të luajtur në Europa League sezonin e ardhshëm dhe e dyta, që i ka rrënjët në të shkuarën, karakterizon të sotmen dhe mund të kushtëzojë të ardhmen, ka të bëjë me diferencat në cilësi me bardhezinjtë, një fakt tashmë i njohur. Një varfëri teknike, që e bëri të pavlefshëm dominimin e kuqezinjve në pjesën e parë, por edhe lojën e mirë në aspektin mbrojtës gjatë gjithë takimit.
Për të fituar nuk mjafton vetëm ideja elojës, as projekti taktik i mirëpërcaktuar. Janë thelbësorë lojtarët, që bëjnë diferencën. Brocchi e kishte përgatitur në perfeksion finalen, duke ia bërë të vështirë jetën Alegrit në çdo zonë të fushës. Ishte një përballje e ekulibruar, por si gjithmonë, diferencën e bën cilësia e futbollistëve. Morata dhe Cuadrato erdhën nga stoli dhe zgjidhën ndeshjen.
Berlusconi prej kohësh kërkon një Milan të ri dhe italian. Sigurisht që ekziston një bazë e vlefshme që nis me potierin Dinarumma, i cili jep siguri mes shtyllave të paktën për një dekadë. Romagnoli gjithashtu zotëron cilësi të mira, edhe pse duhet të përmirësohet në markim, Calabria dhe De Sciglio treguan ndaj Juventusit se mund ta interpretojnë më së miri rolin e anësorit, Abate dhe Antonelli mbeten alternativa të rëndësishme, Kucka dhe Poli kanë frymë dhe karakter, Mauri mund të rritet më shumë, Locatelli ka shumë talent dhe mund të rritet si futbollist dhe pa dyshim Bonaventura, që ka rezultuar shpeshherë më i miri në radhët e Milanit. Te kjo 11-she 5 janë titullar, ndërsa 6 të tjerët duhen blerë. Tre duhet të jenë kampionë, nëse ekziston vërtet ambicia për të ribërë Milanin e madh.
Ndërkohë, e ardhmja e Christian Brocchi është në pikëpyetje. Për të tretin vit radhazi skuadra e Milanit do të qëndrojë jashtë kompeticioneve europiane. Pas humbjes në finalen e “Kupës së Italisë” kundër Juventusit, kuqezinjve nuk i mbetet gjë tjetër veçse të mendojnë për të ardhmen. Dilemat se si do të jetë Milani i së nesërmes janë të shumta dhe sigurisht që pikëpyetja më e madhe qëndron tek stoli. Presidenti i kuqezinjve Silvio Berlusconi i pyetur nga gazetarët, nëse trajneri aktual Brocchi do të qëndroj dhe sezonin e ardhshëm në krye të stolit të Milanit, ju përgjigj shkurt, duke thënë se ende nuk është vendosur, duke lënë kështu të hapur dhe mundësinë e largimit.
Pavarësisht situatës jo të mirë, pas përfundimit të takimit ndaj Juventusit, Presidenti Berlusconi komplimentoi skuadrën e tij, duke u shprehur se skuadra zhvilloi një ndeshje të mirë përballë një kundërshtari shumë të fortë siç janë bardhezinjtë. Tani që çdo gjë ka mbaruar, drejtuesit e klubit të Milanit, do të ulen për të nisur gjithçka nga e para, në mënyrë që sezoni i ardhshëm të jetë më i mirë se ky që u la pas.
Higuain pasuesi i Ibrahimoviç te PSG
Është Gonzalo Higuain i përzgjedhuri nga drejtuesit e Paris Saint Germain, për të zëvendësuar Zlatan Ibrahimoviç. Sikurse zbulon “Le Parisien”, qendërsulmuesi argjentinas ka mbetur i mahnitur nga projekti i klubit të kryeqytetit francez, madje kjo e përditshme shkruan se një javë më parë vëllai dhe njëkohësisht menaxheri i argjentinasit ka vizituar Parisin, për të studiuar terrenin.
60 milionë euro është shuma që klubi, që po dominon në Francë, është gati të derdhë në arkat e Napolit për kartonin e 28-vjeçarit, madje “Le Parisien” zbulon se ka patur një takim sekret mes zëvendëspresidentit të Paris Saint Germain, Olivier Letang dhe vetë futbollistit, të cilit i është shprehur zyrtarisht interesimi i klubit. Që në bisedën e parë me përfaqësuesit francez, Gonzalo Higuain është bindur për t’u transferuar në Ligën e Parë. Në fakt dashuria e Paris Saint Germain për Higuan nuk është e re. Që në vitin 2012, kur Drejtor Sportiv ishte Leonardo, braziliani tentoi, por pa sukses ta shkëpuste sulmuesin nga radhët e Realit të Madridit.
Në atë në “Parc des Prince”, zbarkoi Zlatan Ibrahimoviç, por 34-vjeçari e mbylli epokën e tij të artë për të nisur një aventurë të re, e cila mbetet për t’u zbuluar. Paga e lartë e sulmuesit nuk do të ishte aspak probleme për klubin, që ka financa të shëndosha. Gonzalo Higuain në fakt ka një lidhje të hershme me Francën, pasi ka lindur në Brest, ku babai i tij, luante me skuadrën e këtij qyteti. Ai ka nënshtetësi argjentinase dhe franceze, që do të thotë se konsiderohet komunitar.
Franca, Varane rrezikon europianin

Franca, rivale e Shqipërisë në Grupin A të Euro 2016 rrezikon të vijë në përballjen e 15 qershorit pa një tjetër lojtar të rëndësishëm. Raphael Varane pritet të mungojë në finalen e Championsit mes Realit dhe Atleticos, pasi klubi konfirmoi se vuan nga një dëmtim në kofshë, dhe media të ndryshme shkruajnë se ai është gjithashtu në dyshim për fushatën e Francës në Europianin që zhvillon në shtëpi. Varanë iu nënshtrua ekzaminimeve mjekësore që zbuluan një dëmtim të shkallës së dytë në muskujt e kofshës së majtë.
Për rikuperimin e tij nuk është dhënë një afat i saktë, por qendërmbrojtësi pritet të mungojë në finalen e Championsit mes Realit dhe Atleticos të shtunën e ardhshme. Dëmtimi gjithashtu hedh hije dyshimi mbi faktin, nëse Varane do të jetë i gatshëm për Francën në Euro 2016, që fillon me sfidën e Bluve kundër Rumanisë në 10 qershor. Ky padyshim është një lajm i keq për Deschamps, i cili përveç Benzema nuk do të ketë në Europian dhe Mamadou Sakho, që është përkohësisht i pezulluar, pasi rezultoi pozitiv në një teskt antidopingu. Në listën paraprake të Francës bëjnë pjesë tre qendërmbrojtës të tjerë të mirëfilltë, Elaquim Mangala, Jeremy Mathieu dhe Laurent Koscielny.
Lucescu largohet nga Shakhtar Donetsk
Mircea Lucescu nuk është më trajneri i Shakhtar Donetsk. Pas 12 vitesh dhe 22 trofesh të fituar, 70-vjeçari largohet zyrtarish nga ekipi ukrainas. Lajmin e publikoi vet klubi në një komunikatë, ku ndër të tjera falenderonte trajnerin rumun për gjithçka që ka bërë për skuadrën gjatë këtyre viteve, duke theksuar se Lucescu është pjesë e historisë së Shakhtar. Pavarësisht largimit, trajneri nuk e mendon aspak tërheqjen, pasi siç shkruajnë mediat ukrainase, Lucescu mund të firmosë me Zenitin.
Coleman rinovon me Uellsin
Chris Coleman ka gjetur akordin për të drejtuar Uellsin edhe 2 vitet e ardhshme, për Botërorin e Rusisë në vitin 2018. Kontrata aktuale e trajnetit të “Dragonjve”, skadonte këtë verë, me përfundimin e Europianit të Francës. Gjithsesi 45-vjeçari i ka dhënë fund zërave për të ardhmen e tij, duke rinovuar marrëveshjen me Federatën e Futbollit, pas disa muajsh bisedimesh. Zyrtarizimi do të bëhet këtë të hënë në një konferencë për shtyp, ku trajneri do të paraqitet së bashku me presidentin e Federatës, David Griffiths.