28.5 C
Tirana
E diel, 13 Korrik, 2025

1.5 miliard euro jashtë ekonomisë kosovare

Janë afro një miliard e 500 milionë euro mjete financiare të Fondit të Privatizimit dhe Trustit Pensional të Kosovës, të cilat mbahen ose të ngrira ose të investuara në tregjet ndërkombëtare, mjete këto, të cilat asnjëherë nuk u investuan në projektet zhvillimore të vendit. Ndërkaq, premtimet e koalicionit aktual të qeverisë së Kryeministrit Isa Mustafa se me të marrë pushtetin,ata do bëjnë çmos, në mënyrë që sa më parë t’i kthejnë paratë e AKP-së dhe ato të Trustit Pensional, nuk ishin gjë tjetër, pos një premtim mashtrues elektoral i partive në pushtet, shkruan gazeta “Kosova Sot”. Analistët e ekonomisë dhe fushës së financave dhe deputetët opozitarë thonë se me mbajtjen e këtyre parave nëpër bankat jashtë vendit, Kosova ka humbur shumë. Sipas tyre, këto para do të mund të ndihmonin për mëkëmbjen e ekonomisë së Kosovës dhe nga mbajtja e tyre jashtë vendit Kosova përfiton shumë më pak. Deputeti opozitar, Bali Muharremaj, në një prononcim për “Kosova Sot” thotë se sikur këto mjete të kishin hyrë në funksion përmes sistemit bankar për zhvillimin ekonomik të Kosovës, efektet në ekonomi do të ishin shumë më të mëdha. Sipas situatës së deritanishme, thekson Muharremaj, Kosova eksportin më të madh e ka pasur në eksportimin e parave, pikërisht mjeteve e Trustit. Po të ishin kthyer këto mjete të fondit të Privatizimit në Kosovë, do të kishin nxitur investime dhe do të krijoheshin vende të reja të punës, sepse do të rritej potenciali i kapitalit të bankave komerciale dhe do të jepnin kredi me kushte më të volitshme. Kjo nuk ka ndodhur. E njëjta gjë ndodhi edhe me Trustin Pensional edhe këto mjete për fat të keq janë jashtë sistemit bankar të Kosovës, vlerëson Muharremaj. Sipas deputetit opozitar, mjetet që Kosova ka mbajtur jashtë vendit, përveç që kanë ndikuar negativisht në moszhvillim ekonomik, kanë ndikuar edhe në tërheqjen e investitorëve të huaj në Kosovë. Sidoqoftë, qeveria e Kosovës ka të drejtë të themelojë fonde si ai i Kreditimit, mirëpo ato fonde duhet të bazohen në koncepte dhe strategji të zhvillimit ekonomik. “Në rast se këto mjete kthehen, duhet të bëhet një analizë më komplekse dhe të dimë se ku po shkojnë këto mjete dhe çfarë kahu po i japim. Hapi i parë, që duhet të bëhet, është të vendoset që këto mjete të kthehen dhe përmes sistemit bankar të orientohen, por me një projekt zhvillimor dhe jo me deklarata”, thotë deputeti Muharremaj.

Telegrafi

Mziu pret përfaqësues të qeverisjes vendore nga Britania e Madhe

Kryetari i Bashkisë Kamëz, Xhelal Mziu, priti dje përfaqësues të qeverisjes vendore nga Britania e Madhe dhe Kosova për çështjet e inovacionit dhe informimit. Konkretisht, mysafirë të kreut të Bashkisë ishte një delegacion nga Instituti për Demokraci Lokale dhe Informim (LGiU) me seli në Londër, Angli, i përbërë nga drejtori Ekzekutiv, dr. Jonathan Carr-West dhe zyrtari i lartë Operativ, dr. Andy Johnston; si dhe nga drejtori Ekzekutiv i Institutit Kosovar për Qeverisje Lokale (KLGI), z. Besnik Tahiri. Kryebashkiaku Mziu u uroi mirëseardhjen miqve nga Britania dhe Kosova. Ai e shfrytëzoi këtë takim për të bërë të njohura disa nga zhvillimet që kanë ndodhur në qytetin dhe Bashkinë e Kamzës vitet e fundit.
“Bashkia Kamëz ka disa ditë që ka mbushur 20 vjet, që gëzon statusin Bashki, duke u kthyer nga një zonë bujqësore me një popullsi prej 10.000 banorësh në Bashkinë e 5-të në Shqipëri për nga numri i popullsisë, ku popullsia aktuale i kalon numrin e 150.000 banorë, duke u kthyer në një zonë në 90% të saj në zonë urbane. Këto ndryshime kanë ardhur pikërisht në periudhën 2007-2015 dhe kjo periudhë përkon dhe me mandatet që unë kam qeverisur qytetin në këto vite, duke dhënë një kontribut të drejtpërdrejtë në përmirësimin e infrastrukturës me të gjitha elementet përbërëse të saj”, u shpreh Mziu.
“Krahas investimeve që janë kryer në qytetin e Kamzës, dua të theksoj se një punë shumë e madhe është bërë edhe në drejtim të shërbimeve. Jo pa qëllim dëshiroj të përmend që në fillim të bashkëbisedimit tim zhvillimin e shërbimeve. Një nga këto shërbime është One Stop Shop-i (shërbimet me një ndalesë), ku qytetarët marrin shërbimet në 35 sportele, duke arritur një standard të dukshëm evropian”, – pohoi kreu i Bashkisë, duke shtuar edhe disa prej arritjeve të kësaj njësie vendore, siç janë: sistemi i adresave, plani urbanistik, bashkëpunimet me institucionet prestigjioze që kanë operuar dhe operojnë në Shqipëri si, Banka Botërore, UNDP, USAID si dhe mjaft binjakëzime me qeverisje lokale në mbarë botën, duke u bërë promotorë të parë të qeverisjes vendore në përfitimin e projekteve të mëdha evropiane si ai IPA Adriatik apo dhe përfitime të tjera në nivele evropiane. Gjithashtu, Bashkia Kamëz ka organizuar workshope të ndryshme me përfaqësime të qeverisjeve vendore në Shqipëri dhe rajon, duke demonstruar buxhetimin me pjesëmarrje dhe mjaft eksperienca të vlefshme për qeverisjet e tjera vendore.
“Reforma territoriale, theksoi kryebashkiaku Mziu, është një reformë jo e standardeve strukturore, por reformë me një karakter të theksuar politik. Lë për të dëshiruar, për faktin se nuk u mor në konsideratë asnjë komponent që do të bënte të mundur mirëzbatimin e kësaj reforme, nga e cila Kamza është kthyer në një ishull ku kufizohet në 90% të saj nga njësitë administrative në përbërje të Bashkisë së Tiranës. Kamza mbetet qyteti më i vogël referuar sipërfaqes gjeografike dhe e 5-ta për sa i përket densitetit nga numri i popullsisë. Reforma administrative-territoriale ka krijuar një vakum të thellë ligjor, ku titullari i Bashkisë nuk mund të ushtrojë funksionet e veta për shkak të këtyre vakumeve. Sot në Shqipëri pushteti vendor është përfitues i 2.1% GDP duke u krahasuar me disa vite më parë që ishte 3,1%. Edhe pse jemi të fundit në Evropë dhe Ballkan për sa i përket përfitimit nga GDP-ja, dua të theksoj, tha Mziu, se vetëm 60% e 2.1% ndahet në buxhetet e qeverisjeve lokale, ndërsa 40% shpërndahet në bazë të projekteve konkurruese, ku asnjë nga njësitë e qeverisjeve të djathta nuk është përfituese e asnjë donacioni nga grantet konkurruese duke e bërë dhe diskriminuese reformën administrative-territoriale. Mungon kuadri ligjor i funksionimit.
Në bazë të kësaj reforme është bërë i mundur delegimi i shtatë kompetencave, nga të cilat mund të përmendim: arsimi parashkollor, ku vetëm u rrit barra fiskale dhe asnjë kompetencë për të ushtruar në këtë drejtim; pyjet, që ka për funksion vetëm ruajtjen dhe asnjë paketë financiare shoqëruese; sektori i zjarrfikëseve, e njëjta situatë; konviktet; sistemi i kullimit dhe i vaditjes dhe asnjë bazë funksionale e mbështetje financiare. Ndërkohë që është dërguar edhe inventari i rrugëve të Bashkisë. Kur kërkojmë financime për to, qeveria na thotë që ju jeni zonë rurale dhe nuk ka financime për Ju. Dhe kur kërkojmë financime për sistemin e vaditjes dhe të kullimit qeveria na përgjigjet ju jeni zonë urbane. Kërkojmë për të ushtruar funksionet për përmirësimin e vakumeve ligjore. Të rritet niveli i përfitimit të GDP-së nga 2.1% që është aktualisht në 6% që e ka rajoni. Të kemi vlerësimin e 1% të buxhetit të përgjithshëm të taksës kombëtare nga TVSH si dhe elemente të tjera të përfshirë në këtë taksë. Delegimi i buxhetit të shtetit për pushtetin vendor të bëhet në bazë të numrit të popullsisë. Këto dhe shumë elemente të tjera me bazë ligjore dhe drejtimi administrativ do të përmirësojnë reformën”, ishin disa nga shqetësimet që ngriti Mziu në takimin që pati me përfaqësuesit e qeverisjes vendore nga Britania dhe Kosova.
Ai më pas i ka shoqëruar miqtë në mjediset e Bashkisë, ku ata u njohën nga afër me shërbimet dhe funksionimin e kësaj njësie vendore. Instituti Kosovar për Qeverisje Lokale (KLGI) dhe Instituti për Demokraci Lokale dhe Informim (LGiU) me seli në Londër, Angli, nga data 18 deri më 20 maj 2016, kanë zhvilluar një seri vizitash rajonale (në Kosovë, Shqipëri dhe Maqedoni) në institucionet qendrore dhe vendore. Në Shqipëri delegacioni qëndroi këtë të premte, vizitë e cila kishte për synim të shihte mundësitë e bashkëpunimit dhe përfshirjen në proceset e qeverisjes vendore. Delegacioni i Institutit për Demokraci Lokale dhe Informim (LGiU) udhëhiqet nga drejtori Ekzekutiv, dr. Jonathan Carr-West dhe zyrtari i lartë Operativ, dr. Andy Johnston. Ky takim shërben për t’u njohur me sukseset, sfidat dhe mundësitë që ka Republika e Shqipërisë në fushën e qeverisjes lokale. Instituti LGiU ka shprehur gatishmërinë e tyre për të eksploruar mundësi të reja të shtrirjes në Ballkan përmes Institutit KLGI për të kontribuar në qeverisjen e mirë dhe fuqizimin e nivelit lokal.

Basha: Reformë në Drejtësi që lufton krimin dhe korrupsionin në nivele të larta

Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha priti dje eurodeputetët anëtarë të Komisionit parlamentar të Stabilizim-Asociimit BE–Shqipëri. Zoti Basha ka kërkuar që ky sesion i komitetit të përbashkët të vlejë për të bërë një thirrje për zbatimin e ligjit, për zbatimin e ligjit për dekriminalizimin, për reformën zgjedhore që garanton kushtet për zgjedhjet demokratike, për një Reformë në Drejtësi që nuk mbron, por lufton krimin dhe korrupsionin në nivele të larta.
– Zoti Fleckenstein tha nga Shkodra dy ditë më parë se kishte marrë garanci nga ju?
Partia Demokratike ka një qëndrim koherent, të parashikueshëm dhe transparent karshi qytetarëve shqiptarë dhe faktorit ndërkombëtar.
Ky qëndrim është për një reformë që nuk mbron, por lufton korrupsionin në nivele të larta dhe krimin e organizuar. Dhe për këtë Partia Demokratike që prej fillimit ka bërë propozimet e saj, kritikat e saj që janë pranuar dy herë nga Komisioni i Venecias dhe që tashmë janë materializuar në formën e propozimeve mbi draftin përfundimtar të propozuar nga ekspertët ndërkombëtarë.
Pra, kemi një propozim, i cili po diskutohet në Grupin parlamentar të Partisë Demokratike, njëkohësisht i është dhënë edhe ekspertëve ndërkombëtarë se si do të zgjidhim ato çështje, ato detyra që ka lënë “Venecia”, vendimmarrjen dhe arkitekturën e sistemit.
Partia Demokratike ka bërë propozimet e saj, presim që mazhoranca të cilës i takonte të kishte bërë propozimet për dialogun politik të vendosë për këto. Megjithatë nuk e ka bërë, duket se sa shumë e do reformën, duket se sa e interesuar është për kalendarin e reformës.
Ne i kemi marrë këto përgjegjësi, i kemi bërë këto propozime dhe presim që përmes dialogut politik, të ndihmuar nga faktori ndërkombëtar, t’i japim formë në mënyrë që Reforma në Drejtësi të përparojë dhe paketa kushtetuese t’i hapë rrugën miratimit të ligjeve.
Sigurisht ky është një proces formal, legjislativ. Shqetësimi më i madh që ngrita sot me europarlamentarët është zbatimi i ligjit.
Shqipëria ka një ligj antimafie, i cili kërkon konfiskimin e pasurive të krimit të organizuar. Këtu kemi një ministër të Brendshëm që jo vetëm nuk i konfiskon pasuritë, nuk bën hapat e duhur për të konfiskuar pasuritë e mafies, por merr mafien në telefon dhe i thotë se nuk e keni nga mua.
Kemi një ligj për dekriminalizimin që kërkon që Roshi me kompani të largohen nga mandati i fituar në kundërshtim me këtë ligj. Roshi kërcënon tashmë jo deputetin e opozitës, por deputetin e mazhorancës dhe Kryeministri qëndron si kukudh pa thënë asnjë fjalë. Që do të thotë se aprovon në heshtje, merr autorësinë me heshtje të përdorimit të Roshit dhe roshëve për të vetmit rol që i ka sjellë në politikë, për të kërcënuar, për të shantazhuar në këtë rast deputetët e vet partisë së tij.
Kemi rekomandimet e OSBE/ODIHR-it për zgjedhjet e prishura në Shqipëri dhe nuk kemi akoma asnjë sinjal të qartë të vullnetit të kësaj mazhorance për të garantuar zgjedhje të lira dhe të ndershme. Kemi ligje kundër kultivimit të kanabisit dhe Shqipëria po lulëzon me kanabis nga jugu në veri. Problem nuk janë ligjet, problem është zbatimi i ligjit dhe zbatimi i ligjit është detyra parësore dhe kryesore e qeverisjes.
Kjo qeveri ka dëshmuar se nuk është e aftë dhe se nuk ka vullnet të zbatojë ligjet e Republikës së Shqipërisë. Kjo qeveri ka dëshmuar e në veçanti ky Kryeministër ka dëshmuar se është në shtrat me krimin e organizuar dhe së bashku i kanë dhënë Shqipërisë rekordet më të zeza të prodhimit të drogës, të trafikimit të drogës, të mbrojtjes së narkotrafikantëve dhe kokave të krimit të organizuar përmes Policisë së Shtetit dhe të korrupsionit në nivelet më të larta 25 vite demokraci.
Zbatimi i ligjit është pra problemi, shteti ligjor i nëpërkëmbur e bashkë me to dhe të drejtat e liritë e qytetarëve për interesat e mafies, narkotrafikantëve dhe oligarkisë. Ndaj bashkë me europarlamentarët duke ndarë këtë shqetësim, kam kërkuar që ky sesion i komitetit të përbashkët të vlejë për të bërë një thirrje për zbatimin e ligjit, shtetit ligjor, për zbatimin e ligjit për dekriminalizimin. Për reformën zgjedhore që garanton kushtet për zgjedhjet demokratike. Dhe për një Reformë në Drejtësi që nuk mbron Koçon, Shullazin, Balilajn, por një Reformë në Drejtësi që lufton krimin dhe korrupsionin në nivele të larta.

Mashtrimi me formularët, të zgjedhurit do të burgosen

Në formularët e vetdeklarimit për dekriminalizimin, me dhjetra zyrtarë kanë mashtruar me të dhënat që kanë referuar mbi përfshirjen apo jo të tyre në vepra penale. Është një numër i konsiderueshëm zyrtarësh, deputetësh e kryebashkiakësh tw majtë, të cilët, të vetdeklarimet e tyre kanë mashtruar mbi veprat penale për të cilat janë akuzuar apo vuajtur dënimin në vitet e kaluara. Një numër i konsiderueshëm deputetësh, madje edhe ministrash rezultojnë të jenë ndjekur penalisht ndonëse i kanë shpëtuar dënimit me burg ndërsa nga ana tjetër shumë deputetë të njohur për preçedentët e tyre penalë kanë fshehur të dhënat duke kryer një tjetër shkelje që i çon ata drejt burgut.
Rasti tipik është ai i Elvis Rroshit, kryetarit të Bashkisë së Kavajës, i cili ndonëse ka deklaruar se është ndjekur penalisht në Gjermani e nga ana tjetër nuk mban mend arsyet përse, ka mashtruar në pjesën tjetër të vetdeklarimit duke fshehur dënimet penale që ka marrë nga Zvicra nën akuzën e trafikut të drogës.
Nga ana tjetër, Kryebashkiaku socialist i Poliçanit, Adriatik Zotaj, nuk e ka deklaruar të gjithë të shkuarën e tij në raport me hetimin apo shkeljen e ligjit në formularët e vetëdeklarimit që janë plotësuar nga zyrtarët në kuadër të ligjit për dekriminalizimin.
Zotaj ka fshehur arrestimin e 20 shkurtit 1997, për shkak se ka vjedhur një sasi kablli dhe 2 goma në Uzinën Mekanike të Poliçanit, si dhe ka tentuar të përdhunojë një shtetase nga ky qytet.  Zotaj është një nga prototipet e njohura pranë Ramës, i cili shpesh herë bëhet objekt i sulmeve të dhunshme në publik.
Probleme me ligjin ka pasur deputeti i Partisë Socialiste, Armando Prenga. Ai është përjashtuar nga kjo parti vitin e shkuar pas përplasjes me armë në Komisariatin e Kurbinit. Sikundër akuzohej nga opozita se ai më parë quhej Mondi Prengaj dhe e ka ndryshuar për shkak të së kaluarës kriminale me prostitucion në Itali, deputeti socialist i Laçit e pranon ndryshimin e emrit.
Por nga ana tjetër, bie në sy që ai nuk ka deklaruar asnjë hetim apo procedim nga autoritete të huaja, siç është akuzuar nga opozita. Në formula ai ka përfshirë vetëm ngjarjen e vitit të shkuar, për të cilën është ende në proces gjyqësor.
Gjithashtu, edhe Kryetari socialist i Bashkisë së Pustecit, Edmond Themelko rezulton se nuk ka treguar të vërtetën në plotësimin e formularit të vetëdeklarimit, që vjen në kuadër të ligjit për dekriminalizimin. Themelko pretendon se nuk ka qenë në hetim ose gjykim nga një autoritet i huaj për kryerjen e veprave penale, nuk është ndaluar dhe as arrestuar dhe as i është caktuar ndonjë masë sigurie.
Deputeti tjetër i PS-së, Parid Cara, rezulton të jetë dënuar nga një gjykatë në Itali për shkelje të Kodit Rrugor. Pjerin Ndreu, gjithashtu nga Partia Socialiste ka deklaruar se ka qenë nën hetim në vitin 2004 në Tiranë për përdorim me keqdashje të thirrjeve telefonike, por ka dalë i pafajshëm në Gjykatë. Ndërkohë, deputeti Tom Doshi, gjithashtu i përjashtuar nga Partia Socialiste deklaron se është dënuar me 1 vit burgim nga një gjykatë ushtarake shqiptare në vitin 1990 për akuzën “Shkelje e padenjë në shoqëri”.

Kryebashkiaku i Poliçanit ka fshehur arrestimin për tentativë përdhunimi

Kryebashkiaku i Poliçanit, Adriatik Zotaj, nuk e ka deklaruar të gjithë të shkuarën e tij në raport me hetimin apo shkeljen e ligjit në formularët e vetëdeklarimit që janë plotësuar nga zyrtarët në kuadër të ligjit për dekriminalizimin.
Zotaj ka fshehur arrestimin e 20 shkurtit 1997, për shkak se ka vjedhur një sasi kablli dhe 2 goma në Uzinën Mekanike të Poliçanit, si dhe ka tentuar të përdhunojë një shtetase nga ky qytet. Në formularin që Zotaj ka depozituar në KQZ, figurojnë vetëm dënimet e mëposhtme:
-Pranon se ka qenë i dënuar me 3 vjet burg nga Gjykata e Korçës në vitin 1991 për “shkelje të rregullave të qarkullimit rrugor”.
-Pranon se ka qenë i dënuar me 10 muaj burg nga Gjykata e Skraparit në vitin 2001 për “kundërshtim të punonjësve të rendit publik”.
-Pranon se ka qenë i dënuar me 1 vit burg nga Gjykata e Tiranës në vitin 2002 për kundravajtje penale. Në të gjitha rastet ndaj tij është caktuar masa e sigurisë “arrest me burg”.

Mashtrimi i kryetarit të Bashkisë së Pustecit

Kryetari i Bashkisë së Pustecit, Edmond Themelko rezulton se nuk ka treguar të vërtetën në plotësimin e formularit të vetëdeklarimit, që vjen në kuadër të ligjit për dekriminalizimin. Themelko pretendon se nuk ka qenë në hetim ose gjykim nga një autoritet i huaj për kryerjen e veprave penale, nuk është ndaluar dhe as arrestuar dhe as i është caktuar ndonjë masë sigurie.
Por në shkurt të vitit 2016, Prokuroria Speciale në Maqedoni përfshiu në hetimin për çështjen “Titaniku” edhe Edmond Themelkon, dhe u lajmërua zyrtarisht se Themelko u arrestua së bashku me zyrtarë të tjerë të lartë maqedonas. Themelko u akuzua për manipulim të zgjedhjeve në Maqedoni pasi rreth 400 banorë të kësaj bashkie që mbajnë dhe pasaportë maqedonase votuan në shtetin fqinj. Themelko fitoi postin e kryebashkiakut të Pustecit, në zgjedhjet lokale të vitit 2015, nën siglën e ASHE.

Klodeta Dibra nuk ka dorëzuar formularin e dekriminalizimit, humbet mandatin

Kandidatja për rektore të Universtitetit të Tiranës, dhe anëtarja e Këshillit bashkiak të PS, Klodeta Dibra nuk ka dorëzuar formularin e dekriminalizimit. Kjo bën që Dibra të humbasë mandatin e këshilltares në Bashki. Dibra u bë e njohur pasi kryekrimineli Shullazi kërcënoi kandidatin tjetër për rektor të Universitetit që të tërhiqej nga kandidimi për ti hapur rrugën kandidaturës së Ramës.

Arben Shahini

Përgjimet, Berisha: Hetime të përbashkëta nga Italia e Shqipëria

Ish-Kryeministri Berisha ka kërkuar hetime të përbashkëta nga Italia dhe Shqipëria për përgjimet dhe ekspertizë e plotë nga institute të pavarura të pajisjes së përgjimit. Përmes një postimi në profilin e tij në rrjetin social Facebook, Berisha ka reaguar në lidhje me letrën që ish Drejtori i Policisë së Shtetit italian i ka dërguar Prokurorisë së Përgjithshme shqiptare, pas një shkrese të dërguar prej kësaj të fundit.
Në reagimin e tij, Berisha sjell në vëmendje se i gjithë teksti i letrës së ish drejtorit italian është në sintoni të plotë me deklaratat e mbajtura nga Kryeministri Rama.
“Së pari, dua të shpreh respektin tim për ish-drejtorin e policisë italiane, Alesandro Panza për kontributin e tij në bashkëpunimin e suksesshëm bilateral dhe ndihmën e çmuar dhënë ndër vite policisë shqiptare. Letra e ish-kryepolicit të Italisë ngjason si e shkruajtur në Tiranë në zyrat e Edi Ramës. Ajo, jo vetëm që nuk zgjidh problemin e përgjimit, nuk ju përgjigjet pyetjeve të ngritura nga institucionet shtetërore dhe opozita shqiptare, por i bën më të mëdha dimensionet e këtij skandali.
Teksti i letrës përsërit fjalë për fjalë thëniet e autoriteteve zyrtare shqiptare të akuzuara, por problem i veçantë në letër është citimi që i bëhet nenit të marrëveshjes për imunitetin e anëtarëve të Interforcës italiane në Shqipëri.
Ky nen është i vërtetë, por ai, në një marrëveshje midis dy vendeve mike nuk nënkupton kurrsesi bllokimin e transparencës, aq më tepër kur bëhet fjalë apo ka akuza për regjistrimin e Presidentit të Republikës, kryetarit të opozitës, diplomatëve të vendeve mike” shprehet Berisha.
Ndaj ish kryeministri, ka kërkuar si të domosdoshëm nisjen e një hetimi të përbashkët të dy prokurorive, shqiptare dhe asaj italiane për çështjen e përgjimeve ndërsa sugjeron edhe kontributin e komisioneve parlamentare të sigurisë së dy vendeve për të bërë transparencën e gjithë ngjarjes.
“Këto akuza nuk mund të mbyllen me një letër, në të cilën është njëlloj si të thuhet mace është po nuk gjuan minj. Prandaj dhe mendoj që kjo letër bën edhe më të domosdoshme sa vijon:
1-Hetim të përbashkët nga Prokuroria e dy vendeve tona partnere eficiente në luftën kundër krimit të të gjithë kësaj afere
2-Ekspertizë e plotë nga institute të pavarura të pajisjes së përgjimit futur në Republikën e Shqipërisë në kundërshtim me ligjet e vendit.
3- Në rast nevoje, kontributin e komisioneve parlamentare të sigurisë së dy vendeve për transparencën e plotë” thekson Berisha në reagimin e tij.

Pikëpyetjet mbi pajisjen

Drejtoria e Doganave nuk e ka regjistruar pajisjen e përgjimit që u fut në Shqipëri më 11 mars 2016 nga dy ekspertë të policisë italiane nëpërmjet portit të Durrësit. Ajo nuk ka patur dijeni për ekzistencën e saj. Pajisja përgjuese ishte në bordin e një autoveture, siç thotë në një letër dërguar Prokurorit të Përgjithshëm Adriatik Llalla, kreu i policisë italiane Alessandro Pansa, një ditë më parë e la këtë detyrë. Më 11 mars 2016 u dërguan në Tiranë  dy specialistë të policisë italiane për të kryer trajnime të policisë shqiptare. Për trajnimet, personeli italian mori me vete një autoveturë të pajisur me një aparaturë të quajtur “IMSI CATCHER, me modelin Vortex prodhuar nga Ditta Ercom, të instaluar në bordin e saj”, thuhet në shkresën e Alessandro Pansa. Një aparaturë e tillë duhej të ishte regjistruar në zyrat e doganës dhe për më tepër, për përdorimin e saj duhet të ishte njoftuar edhe Prokurori i Përgjitshëm, thotë opozita. Një rasti i ngjashëm ka ndodhur në vitin 2015. Kjo pajisje përgjimi rezulton të ketë hyrë në territorin e Shqipërisë një vit më parë, është regjistruar në doganë, është njoftuar dhe prokurori i Përgjitshëm dhe në fillim të verës, me vënien në përdorim të saj, është arritur të kapet një i shumëkërkuar nga drejtësia shqiptare.  Po përse kjo pajisje nuk u deklarua në doganë kur u fut sërish një vit më vonë? Pëse nuk u ndoq e njëjta procedurë? Përse e mbajtën të fshehtë specialistët e policisë italiane? Shefi i policisë italiane, Alessandro Pansa, nuk jep sqarime në lidhje me këtë çështje në letrën për kryeprokurorin.

Në zyrën e Tahirit gjendet një çimkë

Ish kryeministri ka bërë të ditur dje se zyra e Ministrit të Brendshëm, Saimir Tahiri është përgjuar. Berisha bën të ditur se
“Në zyrën e Saje qorrit gjendet një çimkë! Të dashur miq, parmbrëmë, në zyrën e Saje qorrit, konkretisht në anën e pasme të grirëses së letrave gjendet një goxha çimkë! Kjo e ka tmerruar Saje qorrin, i cili ka dyshim kryesor:1- zëvendësministrin e LSI dhe 2-njërin nga asistentët e tij.  Por njerëzit afër tij flasin edhe për dy burime të tjera më të mundshme, njëri i huaj kurse burimi tjetër është intim! “ shprehet Berisha në postimin e tij.

Basha Fillimi i fundit për Perandorinë e Krimit

Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha e ka cilësuar dje zbardhjen e rekordeve kriminale të deputetëve dhe kryebashkiakëve të majtë si fillimin e fundit të Perandorisën së Krimit. Në një reagim në profilin e tij në rrjetin social Facebook, Basha ironizon formularin e vetdeklarimit të Ramës, në të cilin ai ka ndryshuar emrin e tij nga Edvin në Edi. Basha theksoi se shumë prej banditëve të Ramës kanë fshehur të dhënat ndërsa paralajmëroi se ky është vetëm fillimi i fundit të pushtetit të inkriminuar.
“Edvini deri më 2002 apo Edi prej atij viti e këtej, duhej të kërkonte falje publikisht sot që doli në sytë e shqiptarëve se si ai ka zgjedhur me dorën e tij deputetë e kryetarë bashkie, që megjithëse kanë ndërruar disa emra, në secilin prej tyre kanë një krim. Nëse nuk e ka këtë minimum integriteti, të paktën sot të fshihej, duhej të mbyllte gojën. Por joooo, del e kakaris majë stivës së të zgjedhurve të inkriminuar, më të besuarve që ka. Dhe sfidon, a janë 19. Nëse janë fjala vjen 18, ai del i pastër. Po Frrokun vrasës, e quan? Po Ndokën tutor e rrëmbyes, e quan? Hoqi nga lista dy gra për ta bërë deputet.
Po Mondin e gjakderdhjes në derë të komisariatit, kush e bëri deputet? Apo e njeh për Armando. Të mos shkojmë tek Bushi e Roshi që nuk u dilte formulari për të treguar sa herë janë ndaluar nga policitë europiane për krime e drogë. Apo Tur Bardhi që edhe pse ka deklaruar plot 4 emra ka lënë edhe 2 emra pa deklaruar e ndaj e pret ndjekja penale dhe largimi njësoj. Ka shumë prej banditëve të Ramës që kanë fshehur të dhënat. Ne, bashkë me qytetarët do t’i gjejmë. Do ta pastrojmë politikën nga kriminelët. Po me të vërtetë ky është fillimi. Fillimi i fundit për Perandorinë e Krimit që ngriti në pushtet me dorën e tij Edi(vini)”.

Marrëveshja e Balilit me grekët për trafikun e drogës u bë në Fier

Gazeta greke “Kathimerini” ka botuar këtë të premte një tjetër shkrim për rrjetin e trafikut të lëndëve narkotike të drejtuar nga Klement Balili. Aty jepen pjesë nga dosja hetimore e policisë greke mbi përgjimet dhe mënyrën si funksiononte ky rrjet. Njëri nga shtetasit grekë të arrestuar për trafikun e 700 kg hashash ka pranuar se drogën e ka marrë në Shqipëri. Ai ka deklaruar se marrëveshja për këtë transport droge është bërë në Fier me njerëzit e Klement Balilit. Gazeta greke “Kathimerini”, në një shkrim publikuar lidhur me procesin gjyqësor pas arrestimeve të rrjetit të trafikantëve të drogës, pas të cilit u shpall në kërkim edhe Klement Balili, raporton se të ndaluarit i mohuan akuzat. Ata i quajtën marrëveshjet e dyshimta si plane tregtare për eksport karpuzi dhe sufllaqesh në Holandë me të akuzuarit kryesorë të trafikut të hashashit nga Shqipëria për në Belgjikë e Holandë.
Para hetuesve, shumica e tyre nuk pranuan të kenë lidhje me trafikun e drogës dhe u përpoqën t’i justifikonin lidhjet e tyre dhe “vajtje-ardhjet” në Greqi, Shqipëri, Holandë e Belgjikë si veprimtari të ligjshme tregtare. 59-vjeçari Th. A, ose “Tom”, i cili sipas Policisë greke koordinonte nga Belgjika lëvizjet e hashashit, u shpreh para hetueses se, “qëllimi im ishte që të koordinoja importin e produkteve bujqësore dhe ushqimore nga Greqia dhe vendet e treta në Holandë. Për këtë kisha ardhur në kontakt me njerëz në Holandë, si z. Dhimitër P, si dhe me tregtarë grekë si Z. ….., importues karpuzi nga Killini”.
Ndërkohë, 56-vjeçari M.S, i cili akuzohet se modifikonte kamionët me vende të fshehta për transportin e drogës, u shpreh në lidhje me udhëtimet e tij në Holandë dhe kontaktet me të bashkëakuzuarin: “Z. A, e njoh prej 2005 për shkak të punës sime, sepse merresha me importin e makinave. Prej qershorit 2014, shkova në Holandë që të punoja në një fast-food sufllaqesh dhe ta bleja nëse shkonte mirë. Unë kam para nga shitja e makinave”.
Tjetër qëndrim mbajti para hetueses 46-vjeçari J.A, i cili sipas dosjes hetimore, kishte detyrën e magazinimit të drogës në Greqi para se të shkonin në Europën Qëndrore dhe Perëndimore. Ai pranoi përfshirjen në trafikun e 673 kg hashash përmes Zakinthos dhe tha emrat e 3 shqiptarëve, me të cilët, siç u shpreh, kishte rënë dakord për transportin e drogës. “Në fillim të 2015, shkova në Fier të Shqipërisë, ku njoha disa zotërinj me emrat…. Vura re një lehtësim të madh  ekonomik, pasi, siç më thanë, kishin një rrjet zinxhir taksish dhe restorantesh. Më pyetën nëse isha i interesuar të bëja një transport “të veçantë”.
Ndërkohë 33-vjeçari K.P, i cili ishte shofer në disa raste transporti droge, tha: “Njoha J.A para 5 vjetësh. Më ofroi të hapja kompaninë TSAF TRANS në Petrici të Bullgarisë. Në fillim kompania kishte veprimtari të ligjshme, ndërsa më vonë më kërkoi të transportoja hashash nga Shqipëria në Holandë”.
Ndërkohë, krahu i djathtë i Klement Balilit, shtetasi grek Ksenofondos Anagnostopoulo ka hyrë disa herë në Shqipëri dhe e ka takuar ish-drejtorin e Transportit në Sarandë. Ksenofondos Anagnostopoulo ishte përgjegjës për sigurimin e shoferëve të rinj për transportin e lëndës narkotike drejt Gjermanisë dhe që kishte rolin e kujdestarit për të arrestuarit e grupit të Kelment Balilit. “Tv Klan” informoi se, Anagnostopoulo rezulton se ka qenë disa herë në Shqipëri. Sipas të dhënave, për herë të fundit, ai ka hyrë në Shqipëri nga pika kufitare e Kakavijës më 5 mars të këtij viti dhe ka dalë dy ditë më pas.
Kryesisht, hyrje-daljet në pikat kufitare, 52-vjeçari i bënte në këmbë dhe përgjithësisht, përdorte pikën kufitare të Qafë Botës, për të arritur më shpejt në Sarandë. Në informacionet e mbledhura, Anagnostopoulo rezulton se herën e fundit, në Shqipëri ka qëndruar në resortin e  Balilit, ku dyshohet se është planifikuar transporti nëpërmjet detit i 700 kg kanabis të papërpunuar.

Hetim i pasurisë së “Escobarit të Ballkanit”

Pasi u shpall në kërkim për llogari të autoriteteve greke, pasuria që Klement Balili zotëron në Shqipëri apo jashtë vendit është vënë nën hetim nga Prokuroria, Drejtoria e Parandalimit dhe Pastrimit të Parave dhe ILDKPI.
ILDKPKI pranon se ka urdhëruar dhe po kontrollon pasurinë e Balilit, i cili ka mbajtur për rreth dy vjet e gjysmë, detyrën e Drejtorit Rajonal të Transportit Rrugor Sarandë, raporton “Tv Klan”.
Balili thuhet se është pronar i një kompleksi të njohur turistik në Sarandë. Por në deklaratën e pasurisë, ai nuk ka të regjistruar një pronë të tillë.
Në deklaratën e fundit të dorëzuar më datën 21 mars të vitit 2015, rezulton se Balili ka para “cash” të kursyera, në vlerën e 3.3 milionë lekëve dhe 400 mijë lekë të përfituara nga shitja e një automjeti tip “Benz”. Ai ka deklaruar një banesë private në proces legalizimi në fshatin Stjar të Delvinës, me vlerë çmimi të papërcaktuar.
Ndërsa bashkëshortja e tij ka deklaruar se ka marrë hua pa interes, rreth 30 mijë euro, që djali i Balilit të fillojë shkollën jashtë vendit. I ashtuquajtur “Eskobari i Ballkanit”, Balili akuzohet si kreu i një rrjeti të trafikut ndërkombëtar të drogës, që transportonte sasi të mëdha marijuanë nga Shqipëria në drejtim të Greqisë, Italisë, Holandës e Belgjikës.

R.POLISI

Kush ka ndryshuar emrat dhe pse?

Pas publikimit të formularëve të vetëdeklarimit, në portalet dhe mediat shqiptare është parë një numër i madh deputetësh dhe zyrtarësh të lartë të administratës që kanë ndërruar emrin. Kjo ndoshta ka ardhur për shkaqe të ndryshme, por fakt është që lista e tyre është e gjatë.
I pari është vetë Edi Rama, Kryeministër i vendit. Sipas formularit të vetëdeklarimit në KQZ, deri në vitin 2002 Kryeministri rezulton të ketë mbajtur emrin Edvin dhe pas kësaj periudhe ai e ka ndërruar atë në Edi. Ndoshta për motive estetike.
Një tjetër kryetar partie po ashtu figuron të ketë ndryshuar gjeneralitetet, por këtë radhë mbiemrin. Bëhet fjalë për kreun e Partisë Republikane, Fatmir Mehdiu, i cili më parë është quajtur Fatmir Mehdihoxha.
Ilir Xhakolli, deputet i Partisë Socialiste në Korçë rezulton që më parë të ketë mbajtur emrin Ilirjan.
Robert Bitri, deputet i Lëvizjes Socialiste për Integrim në Fier, më parë është quajtur Albert.
Nard Ndoka, deputet i PDK-së me parë ka mbajtur emrin Mark Ndokaj.
Shkëlqim Selami, deputeti i LSI në Vlorë po ashtu ka ndryshuar mbiemrin, që më parë e ka pasur Selamini.
Ndërrime emrash ka edhe në radhët e kryebashkiakëve.
Elvis Roshi, kryetari i Bashkisë së Kavajës, deri në vitin 2002 ka mbajtur emrin Ervin Roshi.
Një tjetër kryebashkiak, ai i Hasit, Adem Lala, më parë është quajtur Dem Lala.
Por zyrtari rekordmen në ndryshimin e emrit është një kryetar bashkie.
Artur Bardhi i Laçit rezulton që ta ketë ndërruar katër herë emrin e tij.
Më parë ai ka mbajtur emrat Gentian Lila, Altin Tanushi dhe Gent Bushi.

Skandali në Jetimore, Prokuroria: Një nga të miturat shenja djegieje me cigare

Zbardhen të tjera detaje nga skandali i rëndë seksual që është zbuluar në Rezidencën e Fëmijëve në Shkodër, ku 3 vajza të mitura u abuzuan seksualisht. Burime nga Prokuroria bënë të ditur se në trupin e një prej vajzave janë konstatuar shenja djegie të bëra me cigare. Po sipas këtyre burimeve, vajza ka hematoma në disa vende në trup. Skandali thellohet akoma më tej, pasi ka dyshimet se abuzimi seksual ka ndodhur brenda Shtëpisë së Fëmijës.
Vajzat, 6, 8 dhe 11 vjeç kanë rrëfyer se janë abuzuar seksualisht brenda ambjenteve të institucionit nga fëmijë të tjerë më të rritur, të cilët sipas tyre i detyronin të shikonin edhe filma porno. Por veç kësaj në raportin e Prokurorisë theksohet se, fëmijët kanë treguar edhe për dhunë që i kalonte kapacitetet njerëzore. Rrahje me shkopinj dhe këmbë karrige nga fëmijë të tjerë edhe nga punonjës të jetimores. Vajzat e mitura kanë treguar se edukatoret largoheshin me orë të tëra nga institucioni.
Madje sipas tyre, ato dinin gjithçka për abuzimet seksuale, por ju thonin të mbyllnin gojën. Një prej të miturave u ka treguar oficerëve se në 2014, dy prej vajzave në Shtëpinë e Fëmijës janë larguar, duke qëndruar jashtë gjatë gjithë natës. Dhunë kjo e pohuar edhe nga një nënë rome. Ndërkohë, drejtori i këtij institucioni thotë se duhet pritur përfundimi i hetimeve. Ka qenë pikërisht institucioni i Avokatit të Popullit, ai që i ka referuar rastin Prokurorisë, e cila më pas nisi hetimet për këtë skandal të rëndë abuzimi, ngjarje e cila ka tronditur mbarë opinionin publik.
Ish-drejtoresha e Jetimores Albana Llazani kishte përgatitur mbrojtjen e saj pas hetimeve të nisura nga Prokuroria, duke i detyruar fëmijët që të mohojnë dhunën. Pas skandalit në Shtëpinë e Fëmijës në Shkodër, ku janë rezidentë 34 fëmijë të moshës 6-18 vjeç, “Ora News” ka mundur të sigurojë dy video të xhiruar nga ish-drejtorja e Qendrës, Albana Llazani.
Burime konfidenciale të “Ora News” thanë se videot janë bërë nga Llazani dy javët e fundit, pra pas inspektimit të Avokatit të Popullit, i cili ishte në qendër në 16 prill 2016.
Në njërën video shfaqet ish-drejtorja, aktualisht në postin e psikologes, që i kërkon informacion prindërve të një fëmije 6 vjeç për shenjat e djegies që ka në trup, pasi vajza është marrë në pyetje në Prokurori.

Arrest me burg” për ish-drejtoreshën dhe 4 punonjëset e Qendrës së Fëmijëve

Mbeten në qeli 5 punonjëset e Shtëpisë së Fëmijës ku janë abuzuar seksualisht tre fëmijë të mitur. Në seancën për caktimin e masës së sigurisë të zhvilluar me dyer të mbyllura, 5 punonjëset e arrestuara si përgjegjëse për këtë skandal kanë mohuar akuzat.
Gjykata e Shkallës së Parë Shkodër i ka lënë në burg 5 punonjëset e Shtëpisë së Fëmijës, mes tyre edhe ish-drejtoreshën Albana Llazani.
Në seancën gjyqësore që zgjati rreth 3 orë, e zhvilluar me dyer të mbyllura pa praninë e mediave dhe familjarëve, gjykatësi Hasan Selimi miratoi kërkesën e Prokurores së çështjes Arta Marku, duke e cilësuar të ligjshëm arrestimin e tyre.
Pesë të pandehurat kanë deklaruar se akuzat ndaj tyre janë të pabaza, ndërsa avokatët mbrojtës kanë theksuar se dëshmitë që paraqiten si provë janë kontradiktore, përfshirë dhe ato për dhunë seksuale të ushtruar nga djali i ish-drejtoreshës, pasi 15-vjeçari vuan nga autizmi dhe prapambetja e thellë mendore.
3 fëmijët që rezultojnë të jenë abuzuar seksualisht në këtë qendër janë vajza të moshave 6, 8 dhe 12 vjeç, ndërsa nuk kanë munguar rastet e vazhdueshme të dhunës fizike e psikologjike. Avokatit të Popullit, institucionit që sinjalizoi këtë skandal, iu deshën 2 muaj hetime për të zbuluar përmasat e frikshme dhe tronditëse të tij. Një skandal që ka ndodhur në institucionin ku presupozohej se duhej të ishin më të sigurtë dhe të mbrojtur se askund tjetër.

I ati i deputetit Armando Prenga në gjyq për grabitjen e një prone

Babai i deputetit të PS, Armando Prenga është vënë nën akuzë nga Prokuroria, pasi akuzohet për grabitjen e një prone. Prokuroria e Kurbinit bëri të ditur se ka përfunduar hetimet dhe ka dërguar për gjykim kërkesën kundër shtetasit Ndue Prenga, babai i deputetit Armando Prenga, i akuzuar për veprën penale të “Falsifikimit të dokumentave”, nëpërmjet të cilave ka ndërtuar dhe ka kërkuar regjistrimin në Hipotekë të një lokali dy¬katësh në qytetin e Laçit.
Prokuroria e Kurbinit ka nisur hetimin, në bazë të kallëzimit të personave që pretendojnë se janë trashëgimtarë të ligjshëm të truallit, në të cilin është ndërtuar biznesi privat i familjes Prenga. Nga hetimi ka rezultuar se Ndue Prenga, në vitin 2014, i është drejtuar Gjykatës me një padi civile, në bazë të të cilës kërkon njohjen e pronësisë së truallit ku është ndërtuar lokali, me pretendimin se kjo hapësirë është pronë shtet dhe e posedon atë që prej vitit 1992.
Organi i hetimit ka dërguar në Gjykatë kërkesën për gjykim ndaj Ndue Prengës. Prokuroria e Kurbinit bën me dije se, Prenga nëpërmjet falsifikimit ka ndërtuar dhe ka kërkuar regjistrim në Hipotekë të një lokali dykatësh në qytetin e Laçit. Hetimet ndaj tij kanë nisur në vitin 2014.
Në fakt, ishte vetë Prenga që ju drejtua me një padi civile Gjykatës, duke kërkuar njohjen e pronësisë së truallit ku ishte ndërtuar lokal, duke pretenduar se “kjo hapësirë është pronë shtet dhe e posedon atë që prej vitit 1992. Për të provuar pretendimet e tij, i pandehuri Ndue Prenga ka dorëzuar në Gjykatë gjatë procesit civil edhe lejen e sheshit të ndërtimit dhe lejen e ndërtimit, të cilat sipas tij i ka marrë nga autoritetet lokale në vitin 1996”.
Nga ana tjetër, sipas Prokurorisë, pjesë e procesit gjyqësor ishte edhe familja Nokaj, e cila pretendon se është trashëgimtare e ligjshme e truallit ku është ndërtuar lokali. Ishte kjo familje që ka bërë kallëzim në Prokurorinë e Kurbinit, duke deklaruar se dokumentet ishin të falsifikuara.
Sqarimi i Prokurorisë së Kurbinit:
Prokuroria e Kurbinit ka zhvilluar hetimin, në bazë të të cilave ka rezultuar e provuar me aktin e ekspertimit se, dokumentat e paraqitura në procesin civil nga ana e shtetasit Ndue Prenga, janë tërësisht të falsifikuara.
Me aktin e ekspertimit teknik-grafik, datë 01.04.2016, është arritur në konkluzionin se:
Nënshkrimi tek rubrika “Kryetari i Këshillit të Bashkisë” në dokumentin për dhënie shesh ndërtimi nr.9 datë 24.05.1996, z.Ndue Prenga, është tërësisht i falsifikuar.
Nënshkrimi te rubrika “Kryetari i KRRT Kurbin”, në dokumentin “Leje ndërtimi nr.6 datë 06.06.1996, nuk është nënshkruar nga kryetari i asaj kohe, shtetasi B. R. Shenja e vulës në këtë dokument është tërësisht e falsifikuar.
Nënshkrimi te rubrika “Miratohet P/KRRT Kurbin, B.R., në dokumentin planvendosje “bar-bufe” për Ndue Prenga, nuk është shkruar nga shtetasi B.R. Nënshkrimi në këtë rubrikë është tërësisht i falsifikuar. Shenjat e vulave në këtë rubrikë, për dokumentin plan-vendosje janë tërësisht të falsifikuara.
Nënshkrimi te rubrika “Miratohet P/KRRT Territorit Kurbin Kryetar” në dokumentin “studim urbanistik pjesor “bar-kafe” për Ndue Prenga, është tërësisht i falsifikuar.
Falsifikimi i dokumenteve të mësipërme, është realizuar nëpërmjet fotokopjimit të tyre me anën e fotokopjes me ngjyra.
Në këto kushte, Prokuroria e Kurbinit e akuzon të pandehurin Ndue Prenga për konsumimin e veprës penale “Falsifikimi i dokumenteve”.