31.5 C
Tirana
E diel, 13 Korrik, 2025

Prokuroria nis hetimin pasuror për vëllezërit Poti të arrestuar në Belgjikë

Drejtoria e Pastrimit të Parave pranë Policisë së kryeqytetit, rihap hetimin pasuror ndaj dy vëllezërve Dhimitër dhe Xhevahir Poti, të arrestuar në Belgjikë si pjesë e grupit të trafikut të drogës, ku dyshohet se është përfshirë edhe Klement Balili. Bëhet e ditur se Drejtoria e Pastrimit të Parave, ka referuar një material voluminoz pranë Task-Forcës së Prokurorisë së Tiranës, duke kërkuar rihapjen e hetimeve të pezulluara që në vitin 2015 po nga kjo prokurori. Burimet thonë, se pas arrestimit të tyre në Belgjikë si të dyshuar për trafik droge, ka nis hetimin pasuror në Shqipëri, pasi mendohet se këtu ata kanë investuar dhe fshehin pasuri të paligjshme. Për këtë fakt, hetuesit thonë se është kërkuar nga prokurori Armand Gurakuqi të rihapë çështjen e pezulluar.
Në vitin 2015 mësohet se hetimi pasuror ndaj vëllëzërve Poti është pezulluar për shkak të mos ardhjes së përgjigjes nga autoritet greke. Në vendimin e pezullimit, thuhet se është dërguar një letër-porosi në Greqi, ku kërkohet identifikimi i origjinës së parave që vëllezërit kuksianë kanë dërguar në Shqipëri nëpërmjet bankave të nivelit të dytë. Sipas akuzës, në mars të 2008 Prokuroria ka hap çështje penale ndaj kompanisë së barnave “Chim Prod” të vëllezërve Poti, pasi gjatë viteve 2007-2009, kjo kompani ka pranuar transferta parash nga Greqia të shumës që kap shifrën e 826 mijë euro. Këto para kanë ardhur në llogarinë bankare të kompanisë farmaceutike CHIM Prod dhe në llogarin personale të Dhimitër Potit.
Në dosjen e pezulluar, thuhet se më 3 gusht të vitit 2007 në llogaritë bankare të kompanisë dhe Dhimitër Potit janë transferuar 160 mijë euro. Më pas, më 31 dhjetor të 2008 një shumë tjetër prej 80 mijë eurosh. Dhe tre transferta të ndryshme brenda vitit 2009, në shkurt, prill dhe shtator Dhimitër Potit i janë derdhur në llogarinë e tij personale një shumë në total prej 586 mijë euro. Këto para, u sekuestruan paraprakisht nga Prokuroria, por më pas u liruan, pasi autoritetet greke nuk sollën të dhëna për origjinën e tyre. Por pavarësisht kësaj, me kërkesë të Policisë, organi i akuzës ka rihapur çështjen, duke nisur verifikimin e llogarive bankare dhe pronave të familjes Poti në Shqipëri. Këto prona dhe pasuri, në momentin që do të evidentohen, thonë burimet do të kërkohet bllokimi i tyre.
Vëllezërit Poti, sipas Policisë greke, janë pjesë e rrjetit të trafikut të drogës të drejtuar në Shqipëri nga personi tashmë i shpallur në kërkim Klement Balili. Për llogari të këtij rrjeti, Policia greke dyshon se këta të dyshuar brenda dy viteve kanë trafikuar drejt vendeve të BE-së rreth 2400 kg hashash, 100 kg cannabis çokollatë, 24 kg kokainë dhe 1.2 kg heroinë.

Identetet e trukuara të mazhorancës

Dikur Edvin, tani Edi Rama. Dikur Ervin, tani Elvis Roshi. Dikur Gentian Lila dhe Gent Bushi, tani Artur Bardhi. Dikur Mondi Prenga, tani Armando Prenga. Dikur vrasës dhe trafikantë, tani kryeministër, deputetë dhe kryetarë bashkish. Kjo është Rilindja e krimit në Shqipëri.
Beteja disa vjeçare e Partisë Demokratike për dekriminalizimin dëshmoi se nuk ishte një luftë thjesht politike, por përpjekja më serioze që është bërë ndonjëherë në Shqipëri për të pastruar politikën nga krimi. Surprizat nuk kanë të sosur, por ajo çfarë i bashkon rilindasit është e kaluara e tyre e rënduar kriminale. Aq të nxira i kanë dosjet e tyre personale me krime të kryera në Shqipëri dhe në Europë, aq turp ju vinte për emrat që mbanin, sa kanë vendosur të shuajnë edhe emrat e tyre nga rekordet civile.
Kjo bandë kriminelësh që erdhi në pushtet në 2013, aq seriozisht e ka përjetuar ndryshimin e emrave që ju kishin vënë prindërit, sa mendonin se me këtë do të fshinin një herë e mirë të shkuarën e tyre kriminale. Jo krejt pa kuptim, paska qenë edhe emri që i vunë pushtetit të tyre rilindje. Në trurin e sëmurë të këtyre banditëve, ndryshimi i emrave është përjetuar si kalimi i ylberit.
Ndryshimi i emrave dhe kalimi nga burgjet në zyrat e shtetit, në të vërtetë nuk ka ndryshuar as Ramën, as Roshin, as Prengën, as Bardhin. Njësoj vrasës, njësoj grabitës, njësoj trafikantë, njësoj të degjeneruar kanë mbetur. Krimet e tyre, pavarësisht se kanë grabitur vota dhe kanë blerë ofiqe, kanë mbetur njësoj të rënda.
Vetë arkitekti i Rilindjes së krimit, kryeministri Edi Rama, dikur Edvin Rama është akuzuar publikisht nga Fatos Nano, paraardhësi i tij, ish-kryeministër dhe kryetar i Partisë Socialiste. Nano nuk e ka fshehur kurrë krenarinë për faktin se nxorri Edvin Ramën nga poshtë urave të Parisit ku trafikonte veprat e artit dhe e bëri ministër. Kjo akuzë është qarkulluar pafundësisht ndaj Edi Ramës, dhe është e sigurtë se ndryshimi i emrit nuk ka patur të bëjë vetëm me urrejtjen që Rama kishte ndaj të atit, që Mero Baze e ka provuar përmes transkriptimit të vendimit të gjyqit të divorcit.
Arsyeja kryesore e ndryshimit të emrit nga Edvin në Edi Rama duhet të hetohet gjatë kohës së qëndrimit në Francë. Rreth 20 vite më parë, gjatë viteve kur ai jetonte në Paris, përdorimi i drogës, homoseksualizimi dhe një sërë aspektesh të stilit të jetesës së Ramës cilësoheshin krime dhe dënoheshin nga ligjet franceze dhe Europiane.
Evidentimi i kriminelëve në politikë dhe në administratë është një prej fazave më të rëndësishme të dekriminalizimit. Shumicën e këtyre vrasësve dhe trafikantëve që Rama i katapultoi në krye të shtetit, shqiptarët i kanë njohur fare mirë dhe PD i ka denoncuar sistematikisht në përpjekjen e vet për të shtrënguar koalicionin e qelbësirave të pranonin votimin e dekriminalizimit.
Verifikimi është faza edhe më e rëndësishme e këtij ligji. Shumë prej këtyre kriminelëve mendojnë dhe mbajnë shpresë se identitetet e rreme dhe të ndryshuara mund t’i mbajnë ende në karrigen e kryeministrit, deputetit dhe kryebashkiakut. Verifikimi do të tregojë se sa të tjerë kanë gënjyer dhe kanë fshehur të dhënat në formularin, pasi në formularë shumë prej tyre nuk japin shpjegime, hiqen sikur i ka zënë skleroza, apo si modernë. Ta bësh emrin Edi, Elvis, Artur, Armando, i hap pak më shumë punë, prokurorëve shqiptarë, apo homologëve të tyre në Francë, Itali dhe Gjermani, por nuk do të thotë se nuk je njësoj vrasës, trafikant, përdhunues, apo kriminel i detyruar nga Ligji dhe Kushtetuta që të lësh detyrën, të lësh zyrat e shtetit që i kanë uzurpuar me para dhe krime.
Edvin Rama, si i pari mes të barabartëve i zgjedhur nga bota e krimit, duhet të largohet. Askush nuk mund të besojë se emrin e ndryshoi, pasi vetëm dhe thjesht kishte inat me babi Kristaqin, askush nuk mund të besojë se e ndryshoi emrin, pasi donte të largohej nga mendimet e liga që i jepte gruaja apo djali i parë. Fatos Nano na tha se e mori nga papafingot e Parisit me thonj të paprerë, pasi e gjeti në një gjendje të mjerueshme, duke shitur ikona të vjedhura poshtë urave. Fatos Nano na ka thënë shumë për të verifikuar se çfarë krimesh dhe dënimesh ka marrë Edvin Rama në Francë. Edi Rama na tha se e ndryshoi emrin në vitin 2002, tre vite pasi Nano e solli në Tiranë si Edvin, me thonj të paprerë, i palarë, por edhe trafikant i ikonave të vjedhura.

Ke fat, por e ke të zi…

Albana VOKSHI

Prej disa ditësh tashmë, mendjet e të gjithë shqiptarëve janë “mpirë” nga lajmet tronditëse që po vijnë njëri pas tjetrit.
Dëgjuam që në Sarandë, paskë kishim pasur Eskobarin e Ballkanit, i cili edhe sfidoi me intervistat pompoze nga zyrat e shtetit. Emri i Shqipërisë doli në të gjitha mediat prestigjioze që na kishin në faqe të parë, si rrallë herë ishim në vendin e parë në Ballkan, por për trafik droge. Si thonë? Ke fat, por e ke të zi… Shqiptarisë nuk iu evidentua ndonjë tipar i mirë, por u përfol si vendi që kishte prodhuar një Eskobar të dytë që mund edhe t’ja kalonte atij të parit.
Të njëjtët media prestigjioze shkruajtën që ishte nën mbrojtjen e politikës, ndaj nuk e arrestonin. U zemërua qeveria dhe i kërkoi gazetave që ta përgënjeshtronin. Filloi loja me pasa, jo i imi, jo i joti, jo i PS, por i LSI, financoi apo nuk financoi… e sa ta zgjidhnin mediat vendase apo qytetarët këtë puzzle të çështjes Balilit iu dha mjaftueshëm kohë dhe mundësi që të zhdukej.
Policia nuk hezitoi të arrestonte babain e 3 fëmijëve vetëm sepse rregulloi çatinë e shtëpisë që fëmijët e tij të kishin një strehë të sigurt.
Policia dhe institucionet nuk hezituan të shkatërronin një familje të tërë, e cila pati fatkeqësinë më të madhe të humbjes së dy fëmijëve që po shkonin të takonin babain e tyre në burg.
Por e njëjta polici nuk gjeti mjuaftueshëm fakte për të arrestuar Eskobarin e Ballkanit. Si në rastin Frroku, sistemi TIMS nuk funksionoi, çdo dënim dhe precedent u fshi nga file i tij, Eskobari i Ballkanit tani është i pastër si qelibari, më i pastër se shumë prej jush në këtë sallë, e më tej u ndihmua prej jush të arratisej deri në Kubë siç raportojne disa burime.
Por pa a e marrë veten nga Eskobari që u “arratis”, mediat denoncuan një lajm skandaloz: një pajisje përgjuese ishte futur ilegalisht në Shqipëri, po shfrytëzohej nga Rama prej muajsh për të përgjuar… prej muajsh tashmë. Për Balilin u tha s’ka fakte, s’ka komunikime e përgjime, por për ne, ju siguroj Rama na është futur në çdo shtëpi, e keni prezent në çdo orë të ditës e kudo. Lista prej 375 vetësh e publikuar nga Berisha përfshin politikanë, gazetarë, akademikë, biznesmenë, të cilët ose përbëjnë rrezik ose interes për Ramën. Kjo sjellje s’është gjë tjetër veçse diktatoriale. Të gjithë shqiptarët e moshës mbi 40 vjeç i kanë përjetuar dhe i mbajnë mend metodat e sigurimsave që të hynin në shtëpi me çimka regjistruese.
Por teoricientët rilindas, që këto ditë po merren me zbardhjen e përgjimeve të kundërshtarëve politikë e atyre mediatike, u bënë hit edhe në “Disco lajm” me “meritokracinë Shukriu”. Por siç ka ndodhur me të gjithë abuzuesit e rilindjes, jam e sigurtë që edhe Shukriu do të riintegrohet në Bashkinë e Veliut.
A ju kujtohet drejtoresha këngëtare e qendrës së fëmijëve 3-6 vjeç në Shkodër? Pas rastit të abuzimit me fëmijët në atë qendër, doli ministri Klosi dhe deklaroi se drejtoresha dhe dy kujdestarë janë pushuar nga puna. Po a e dini ku është sot drejtoresha këngëtare? Pasi e bënë anëtare të Asamblesë së PS, tani është emëruar nëndrejtoreshë e Drejtorisë së Konvikteve në Bashkinë Tiranë. Ajo tani është edhe promovuar e do të punojë përsëri me fëmijë të një moshe shumë delikate, me adoleshentë. E keni kthyer Bashkinë Tiranë se punishte riciklimi abuzuesish. I hiqni gjoja nga pushteti vendor dhe i emëroni në Bashkinë e Tiranës.
Pra, cilët janë zanatet që kryesojnë në listën e Rilindjes ku ka vende për t’u punësuar?
Fillon me zanatin: Kriminel?, pastaj abuzues me fëmijë, abuzues me gra; abuzues me postin e punës, trafikant droge, trafikant njerëzish e kështu lista vazhdon më tej me disa nga zanatet që merren nga arsimi profesional për të cilin keni dhënë shumë mbështetje e fonde.
Ishte tronditës lajmi për dhunën fizike dhe seksuale të ushtruar në Qendrën Rezidenciale të Fëmijëve Shkodër. Përshëndes punën e Avokatit të Popullit dhe të Bashkisë Shkodër për zbardhjen e këtij rasti skandaloz. Për ironi, të gjithë dhunuesit i kishin kaluar testet e ministrisë. ?Pra, sistemi i shërbimit social që ju po implementoni ka dështuar, nuk po funksionon.
Prej shumë kohësh po ulërasim sepse mekanizmat mbrojtës dhe koordinues për gratë e fëmijët janë shkatërruar e nuk funksionojnë.
Opozita është e gatshme dhe e ka prioritet ngritjen e një sistemi funksional në mbrojtje të grave e fëmijëve. Po a është ky prioriteti i qeverisë Rama? Dyshoj shumë për këtë.
Pothuajse e gjithë shoqëria reagoi nëpërmjet rrjeteve sociale, të gjithë e dënuan rastin, vetëm dy aktorë nuk reaguan, ende sot nuk kanë reaguar: shoqëria civile, (shoqatat që trajtojnë çështjet e të drejtave të grave) dhe Kryeministri Rama. E keqardhur për mosreagimin e organizatave jo qeveritare, të cilat minimalisht mund të tregonin solidaritet e të krijonin për denoncuesen një bazë sigurie e mbrojtjeje për aktin e saj të guximshëm. Por aspak e suprizuar nga Rama, i cili për çdo budallallëk komenton në faqen e tij në FB, foli edhe për homofobinë që sigurisht e ka prioritet më të madh, por nuk foli për familjen që shkatërroi në ditën ndërkombëtare të familjes. Nuk foli për mijëra familjet shqiptare që i ka rrënuar dhe i ka çuar në varfëri ekstreme. Nuk foli as për të zgjedhurin e tij në Dibër.
Rama premtoi 300 mijë vende pune. Sot, na ?tingëllon ironik deri në acarim slogani bajat i Kryeministrit: vende pune ka, por s’ka zanatçinj.
Sot, bazuar edhe në rastin Shukriu dua të pyes Kryeministrin:
– Çfarë zanati duhet të kishte vajza 20-vjeçare që të punësohej nga Shukriu që ti e përzgjodhe më shumë kujdes si drejtimin e duhur për Dibrën?
– Çfarë zanati duhet të kishte gruaja dhe fëmija e saj 14-vjeçare në Sarandë, të cilës sekretari i partisë i kërkoi favore seksuale në këmbim të një vendi pune për nënën?
– Çfarë zanati duhet të kishin vajzat dhe gratë e Lushnjës që Luiza e Partisë t’í emëronte në arsim?
Vende pune ka, por s’ka zanatçinj – thotë Rama. Vallë për cilin zanat po flet Kryeministri?
– Po cilin zanat apo kriter duhet të plotësonin ato mijëra gra që ju i hodhët në rrugë në shkelje të ligjit për nëpunësin civil?
– Cilin zanat duhet të kenë mijëra gratë që po i hedh në rrugë me të ashtuqujturën reformë spitalore e të cilat mbartin secila një histori më vete profesionalizmi, por të lëna në varfëri e vuajtjeje?
Një grua dje nga Tepelena u shtrua me urgjencë në QSUT Tiranë sapo mori vesh lajmin që u pushua nga puna. Nënë e dy fëmijëve që s’do të ketë me se t’i ushqejë ata. Po çfarë zanati duhet të ketë kjo zonjë për të mbajtur vendet e punës?
Sot, gjithsecila nga të pushuarat nga puna mund të jenë viktima e radhës e ngacmimeve seksuale në këmbim të rikthimit në vende pune?
Punë ka, por zanatçinj nuk ka…- vazhdon thotë Rama…
Gjatë fushatës elektorale për zgjedhjet vendore, Rama vajti disa herë në Dibër, bëri fushatë për Shukriun që ia sugjeruan miqtë biznesmenë, të cilët i siguruan që ai mund t’i blinte votat. S’kishte rëndësi çfarë mendonte partia, as kishte rëndësi as çfarë mendonin strukturat e partisë, s’kishin rëndësi çfarë kontribute, madje as opinioni i publikut dibran për Shukriun s’pati asnjë rëndësi. Shoku biznesmen i kishte qepur pazaret. Rama kërkoi votat e PS-istëve, LSI-stëve, qendëristëve, madje Rama guxoi pa iu dridhur syri, të kërkonte ?edhe votat e grave dibrane duke i thënë: Mos votoni për pelihvanin e madh, por votoni për Shukriun, se Shukriu është drejtimi i duhur edhe për gratë dibrane. Ndaj Rama sot i detyrohet një ndjesë të madhe dibranëve dhe një ndjesë akoma më të madhe grave dibrane.
E meqë jemi të fenomeni “Shukri” a e dini të nderuar kolegë se cili ishte dënimi që merrnin pushtetarë si ai në vitet ’30 për abuzim me postin dhe lidhje jomartesore?
Po i referohem një dokumenti ku pasqyrohen rastet kur qeveria parasheh ashpërsimin e ligjit ndaj këtyre fenomeneve:
“?Ju njoftojmë se Prefektura e Tiranës, na raporton se si në bashkinë e kryeqytetit dhe në komunat e qarkut të saj janë vërtetuar raste të bashkëjetesës ilegale, shkelje kurore, më tepër mashtrime me fejesën, me qëllim që të bëhet tregti me femrat, në dëm të moralit dhe të qetësisë publike.
Prefektura e sipërpërmendur posaçërisht në rastin e fundit, propozon internimin e disa personave si masë më efektive respektive, për shkak se gjykimi i çështjeve të paraqitura ndër gjyqet, përveç se vonojnë, ngadonjëherë për mungesë provash dalin të pafajshëm.
Mirëpo siç duket, meqenëse ligji relativ për fajet asodore, nuk parasheh masa të atilla, ju shkrue Prefekturës me fjalë që urdhërojnë organet përkatëse për procedimin e tyne dhe reformimin e akteve të Drejtësisë, për t’u bërë ndjekës në bazë të ligjeve sot në fuqi”.
Fenomeni Shukriu nuk është aspak i shkëputur. JO! Të gjithë jemi koshientë për këtë. Ai në fakt është fytyra dhe modeli i kësaj qeverie të mbërthyer nga korrupsioni, kriminaliteti dhe imoraliteti.
Fenomeni Shukriu është modeli politik i promovuar nga Rama: nuk kanë rëndësi vlerat, por ka rëndësi sigurimi i votave me çdo lloj mënyre (blerje, presion etj.) për “blerjen” e pushtetit edhe për 4 vitet e ardhshme.
Pra, cili është modeli rilindas i Ramës?
Në Parlament Rama solli dhjetëra persona me precedentë penalë në Shqipëri apo jashtë. Askush në botën demokratike nuk arrin edhe në imagjinatën më të shfrenuar të mendojë që Rama mund të sillte në Parlamentin e Shqipërisë, një vend mu në mes të Europës, një kaubojs që qëlloi si në filmat western mbi njerëz brenda një komisariati policie e provat më vonë të zhdukeshin.
Askush, as në imagjinatën më të shfrenuar nuk mund të konceptojë që një deputet i Kuvendit, me bekimin e Kryeministrit të marrë 150 tendera publikë në abuzim flagrant me postin e tij.
Por, a mbaron këtu?
Jo, ndër 46 emrat e PS për pushtetin lokal, Rama përzgjodhi me kujdes njerëz si Roshi, si Shukriu, etj., lista e emrave të kryebashkiakëve të PS me probleme me drejtësinë vazhdoi, gjatë… Roshi ishte viktima e parë e dekriminalizimit, të tjerë do të bien si ai shumë shpejt pas tij.
Dua të ndaj me ju një artikull të shkruar nga z. Ledio Braho, avokat në Dhomën e Avokatisë që e ka analizuar Shukriun si kazuz në të drejtën e punës. Çfarë shkruhet në këtë artikull?? Po citoj:
“Për të gjithë ata punëmarrës marrëdhëniet e punës të të cilëve rregulloheshin nga Kodi i Punës, me apo pa procedura dhe afate njoftimi të respektuar nga Bashkia Peshkopi, që nga dita e sotme kanë të drejtë t’i drejtohen Gjykatës Administrative të Tiranës me padi me objekt ‘Dëmshpërmblim për zgjidhje të kontratës së punës pa shkaqe të arsyeshme në masën e një viti page dhe rikthim në vendin e punës’. Një e drejtë e tillë lind pikërisht për shkak të nenit 1s6 të këtij Kodi që rrallë herë mund të jetë aplikuar në jurisprudencën shqiptare për shkak të specifikës së motivit abuziv. Në rastin konkret, jemi në kushtet e motiveve të pandashme nga personaliteti i punëmarrësit, por që nuk kanë lidhje legjitime me raportet e punës siç janë seksi, mosha, gjendja civile dhe gjendja shpirtërore. Normalisht çdo mashkull i punësuar në Bashkinë Peshkopi mund ta ngrejë si pretendim se është larguar nga puna se nuk është femër. Po ashtu çdo femër mbi 20 vjeç mund të ngrejë si pretendim faktin se nuk është 20 vjeç dhe kjo nuk përputhej me shijet e kryetarit për të vazhduar më tej me motive si gjendja civile dhe ajo shoqërore që doemos duhet të plotësojnë disa kritere specifike për t’u përputhur sërish me shijet e kryetarit.
Shukriu, me veprimet e tij është i dënueshëm moralisht dhe ligjërisht, por të paktën do të vërë një standard në jurispudencën e të drejtës së punës, rasti tipik i zbatimit të nenit 146 të Kodit të Punës (ndryshe Neni ‘Shukriu’)”.
Gjej rastin edhe një herë të denoncoj me neveri, edhe në emër të Forumit të Grave të PD, abuzimet në zyrat e shtetit me gratë e vajzat shqiptare.
Kemi denoncuar pushimet e padrejta nga puna për motive politike të mbi 3000 grave dhe vajzave, në mes tyre shumë kryefamiljare, nga administrata publike.
Po denoncojmë pushimet me motiv politik të rreth 1000 grave nga sistemi spitalor, pothuajse të gjitha me probleme sociale.
Gruaja shqiptare është viktima më e madhe e qeverisjes së Edi Ramës. INSTAT informon që papunësia ndër gra e vajza është 35-50% dhe vazhdon të rritet çdo tremujor. Rritja e taksave qendrore e vendore, mbyllja e bizneseve, rritja e çmimeve, mohimi i të drejtave kushtetuese për arsimim dhe shërbim shëndetësor, prishja e mekanizmave të mbrojtjes së të drejtave të grave e kanë përkeqësuar statusin e gruas në shoqërinë shqiptare.
Rama premtoi 300 mijë vende pune?, por solli diskriminim dhe përndjekjen gjinore.
Rama premtoi 300 mijë vende pune, por ngriti një sistem të tërë paralel korruptiv që ofron zgjidhje apo vende pune në këmbim të favoreve të llojeve të ndryshme.
Sot, dua t’i bëj thirrje aktivistëve të të drejtave të grave të mos heshtin, por të mbështesin kurajon e grave dhe vajzave që guxojnë të denoncojnë rastet abuzive.
Sot shoqëria duhet të dalë nga indiferentizmi e të reagojë në mbrojtje të grave dhe vajzave që abuzohen verbalisht, psikologjikisht apo seksualisht në zyrat e rilindasve.
I bëj thirrje organit të akuzës dhe drejtësisë të hetojnë dhe të vënë para drejtësisë të gjithë abuzuesit e grave dhe fëmijëve.
Dua ta mbyll fjalën time me një fjali në një postim të fundit të Joe Biden:
“A job is about a lot more than a paycheck. It’s about dignity and resket!!”.

Edvin pse e ndryshove emrin? U ndalua dy herë në Paris për ikonat e vjedhura

Edi apo Edvin? Rama i ka dhënë përgjigje kësaj pyetjeje në formularin e dekriminalizimit. Pyetjes nëse ai ka pasur gjeneralitete të mëparshme, Rama i përgjigjet se ka pasur emrin Edvin deri më 27 nëntor të vitit 2002. Ndryshimi i emrit të Edvinit është bërë vetëm pak muaj pasi Rama ka hyrë në Bashkinë e Tiranës. Ai asnjëherë nuk i ka dhënë përgjigje pyetjes se përse ka ndryshuar emrin. Madje, ai as nuk ka pranuar që të ketë pasur një emër tjetër.
Kryeministri i Shqipërisë mund të jetë i vetmi në botë që ka ndryshuar gjeneralitetet dhe nuk ka dhënë asnjëherë shpjegim për këtë.
Ndryshimi i emrit është një e drejtë e kujtdo në bazë të ligjeve dhe ajo mund të bëhet në zyrat e gjendjes civile. Mirëpo në Shqipëri ndryshimi i emrave gjatë këtyre 25 viteve nuk ka ndodhur kryesisht për shkak se nuk i kanë pëlqyer emrat që i kanë vendosur prindërit e tyre, por për të fshehur njollat e të shkuarës së tyre.
Rama është kështu i pari në bandën e gjatë të emrave të kësaj mazhorance që kanë tentuar të fshehin emrat dhe mbiemrat e tyre. Për të gjithë deputetët, kryetarët e bashkive dhe të zgjedhurve të tjerë nga bota e krimit në administratë, ndryshimi i emrave ka ndodhur për shkak të implikimit të tyre në krimin e organizuar, në vrasje, trafiqe droge dhe prostitucioni apo vjedhje vilash.
Në rastin e Ramës duhet një sqarim ligjor dhe i verifikuar se përse ai ka vendosur që të ndryshojë emrin nga Edvin në Edi. Në bazë të ligjit të dekriminalizimit, Prokuroria duhet që në bazë të gjurmëve të gishtërinjve të kërkojë nga autoritetet franceze të dhënat e plota për të shkuarën e Ramës, pasi në dosjen e tij ai figuron si trafikant ikonash në Francë. A është ndaluar ndonjëherë Rama në Francë nga policia e këtij vendi për trafikun e ikonave?

Akuzat e Nanos

Gjatë fushatës për katharisis brenda PS, Nano e akuzoi Ramën si një shitës i ikonave të vjedhura në Paris. “E gjeta duke shëtitur me thonj të paprerë në Paris dhe duke shitur ikona të vjedhura”, u shpreh Nano në atë kohë. Kjo deklaratë e Nanos në atë kohë dhe ndryshimi i emrit nga Edvini vetëm katër vite pas mbërritjes në Shqipëri meriton të zbardhet në mënyrë ligjore dhe për këtë Prokuroria dhe institucionet ligjzbatuese nuk kanë përse të tërhiqen.
Deklarata nuk është bërë në atë kohë nga kryetari i PD, por nga ish-kreu i PS dhe Kryeministri i kësaj partie, i cili pasi e mori me thonj të paprerë dhe si shitës të ikonave të vjedhura, e bëri Ramën ministër Kulture. Burime konfidenciale të njerëzve që kanë njohur Ramën në Paris dëshmojnë se, Rama është ndaluar të paktën dy herë nga policia franceze për shitjen e ikonave të vjedhura, ndërsa nuk saktësohet nëse Edvini është penalizuar nga autoritetet franceze, ndaj kërkohet edhe verifikimi i plotë nga Prokuroria. Nëse kemi të bëjmë me një fshehje të këtyre të dhënave, atëherë Rama rrezikon burgun si shumë nga banditët dhe kriminelët e tjerë që kanë mashtruar me formularët e dekriminalizimit.

Akuzat e Gjergji Thimos

Koleksionisti Gjergji Thimo akuzoi nga salla e gjyqit Kryeministrin Edvin dhe deputetin e PS-së, Koço Kokëdhima se ata ishin hakmarrë ndaj tij për shkak se ai kishte refuzuar që t’i jepte pikturën origjinale të Onufrit, të cilën Kryeministri donte t’ia bënte dhuratë këshilltarit të tij, ish-Kryeministrit britanik, Toni Blair.
“Akuzat ndaj meje ishte trillim. Refuzova të jepja një pikturë origjinale të Onufrit. Piktura që kushtonte 1 milion euro ma kërkoi deputeti Koço Kokëdhima, Artan Lame dhe Kryeministri Edi Rama. Pikturën donin t’ja jepnin dhuratë ish-Kryeministrit të Britanisë, Toni Blair. Pas refuzimit tim për t’u dhënë pikturën që e kisha trashëgimi personale, u ngritën akuzat ndaj meje. Kërkoj drejtësi sepse nuk jam trafikant. 2300 objekte mungojnë nga muzeu personal”, ishte dëshmia e Gjergji Thimos.
Gjergji Thimo, i njohur si koleksionist i veprave të artit, u arrestua në tetorin e vitit 2013, i akuzuar për trafik të veprave të artit.
Thimo tha se Koço Kokëdhima e kishte kërcënuar dhe i kishte thënë se do t’ia merrte koleksionin e çmuar me çdo lloj mënyre.
Pasioni i Ramës për ikonat e vjedhura është e vjetër, të paktën që në vitin 1998.
Kur bëhet fjalë për tregtim të ikonave të vjedhura sikurse dëshmonte Nano për Ramën, atëherë kemi të bëjmë me një trafik të pastër të këtyre veprave të artit. Si një trafikant i vjetër i këtyre ikonave të vjedhura, Rama e ka ditur shumë mirë vlerën e këtij thesari që dispononte koleksionisti Thimo. Vetë ky i fundit ka kërkuar disa herë, që ta takojë gjatë kohës që ishte ministër Kulture për t’i kërkuar hapjen e një muzeu, ku të strehonte këto ikona të lashta dhe Rama sikurse dëshmon edhe bashkëshortja e tij, pavarësisht se na njihte nuk na ndihmoi asnjëherë.

Ekspozita në Gjermani me ikonat që nuk e kthyen më

Ish-Kryeministri Berisha ka dhënë detaje të reja në lidhje me aferën e ikonave të Ramës përgjatë kohës që ai ka qenë ministër Kulture në vitin 1998. “Pasi u bë ministër Kulture, Edi Rama hapi në Gjermani një ekspozitë të madhe me ikonat më të çmuara të fondit shtetëror, disa prej tyre të dekoruara me gurë të çmuar dhe me vlerë të pallogaritshme. Pas mbylljes së ekspozitës asnjë prej ikonave nuk u kthye kurrë më në Shqipëri. Dihet se ato udhëtuan për në Francë dhe u zhdukën pa lënë gjurmë”, ka qenë deklarata e Berishës.
Rama rrëmbeu dhe transportoi në drejtim të paditur mbi 1200 ikona, shumë prej tyre mesjetare me vlerë mbi 1.3 milionë euro të ruajtura në Galerinë e Arteve dhe të konfiskuara nga Rama koleksionistit Gjergji Thimo. Edi Rama është akuzuar si vjedhës ikonash të grumbulluara nga bllokmenët gjatë gjenocidit kulturor të diktatorit Hoxha. I ati i Edi Ramës ka qenë një ndër arkitektët kryesorë të gjenocidit kulturor të diktatorit Enver Hoxha ndaj kombit shqiptar.

Arben SHAHINI

Rekordi i Kryebashkiakut të Kurbinit me 4 emra për krimet

Artur Bardhi, kryetar i Bashkisë së Kurbinit, ka pranuar në Formularin e Dekriminalizimit se, para se të njihej me gjeneralitetet që mban sot, ka mbajtur respektivisht katër emra dhe mbiemra të ndryshëm; Gentian Lila, Altin Tanushi, Gent Bushi, në Bashki e njohin dhe firmos si Artur Bardhi, ndërsa në çertifikatë është Artur Ndoi, i biri i Ndues dhe Gjelës.
Në formularin e vetëdeklarimit në KQZ për efekt të ligjit të dekriminalizimit, kryebashkiaku i Kurbinit, Bardhi e ka pranuar vetë se ka përdorur katër emra të ndryshëm. Këto 4 emra, ai i ka vendosur në seksionin “emra të padokumentuara”, por nuk sqaron përse i janë dashur 4 emra.
Bardhi nuk jep asnjë sqarim se përse e ka ndryshuar katër herë emrin dhe ky fakt lë të dyshosh se ndryshimi katër herë i emrit ka të bëjë me të kaluarën e tij të errët dhe me problemet me ligjin. Kjo pritet të zbardhet nga Prokuroria.
Në Formular, Bardhi shkruan se ka qenë në Itali në Milano nga viti 2000 deri në vitin 2003 në emigracion. Bardhi thotë se nuk ka qenë i dënuar asnjë herë me emrin Artur Bardhi, por nuk thotë asnjë fjalë nëse ka qenë i dënuar me tre emrat e tjerë.
Emri që është i njohur si kryetar i Bashkisë së Kurbinit është ai i Artur Bardhi, ndërsa tre emrat e tjerë siç thuhet dhe në formularin e tij, janë gjeneralitete të përdorura dhe me këto tre emrat ai është akuzuar në media se ka qenë i arrestuar në Itali për trafik droge.
Artur Bardhi është një nga emrat bandës së të inkriminuarve të Ramës, të cilët drejtojnë bashkitë. Mediat kanë shkruajtur se Bardhi ka precedentë penalë të arrestimit në Itali për trafikun e drogës dhe konsiderohet si pjesë e krimit të organizuar në rajon. Ai është mbështetur personalisht nga Rama dhe elementë të tjerë të inkriminuar të zonës, të cilët edhe pse nuk ka pasur garë kanë manipuluar të gjithë procesin farsë të Kurbinit.
Artur Bardhi u zgjodh kryetar i Bashkisë së Kurbinit në zgjedhjet e qershorit të vitit 2015 pa garuar, pasi kandidati i opozitës u tërhoq nga gara, ndërsa KQZ i mohoi të drejtën opozitës që të garonte me një kandidat të sajin. Komisioni Qendror i Zgjedhjeve e ligjëroi Bardhin kryetar Bashkie në kundërshtim me ligjin. Opozita nuk i njohu zgjedhjet në Bashkinë e Kurbinit. Në këto zgjedhje PD iu mohua të garonte me një kandidat pas dorëheqjes së parevokueshme që bëri kandidati Altin Biba. Që nga shkarkimi i kryetarit të KZAZ-së Nr.15 nis kalvari i gjatë i paligjshmërisë, duke emëruar anëtarë të presupozuar të Shoqërisë Civile, por që në të vërtetë janë militantë të PS e më pas, duke shkarkuar të gjithë anëtarët e PD në mes të natës, duke shkelur hapur ligjin.
Paligjshmëria për këtë bashki nisi që në momentin kur KQZ shkarkoi 8 anëtarë të një KZAZ në Kurbin. Kjo ishte një shkelje e hapur e ligjit, pasi duke cituar nenin 8, pika 29 ku theksohet se anëtari zëvendësohet vetëm në rast se vendi mbetet vakant ose në ditën e zgjedhjeve nuk paraqitet për tre orë. Kaso në fjalën e tij nënvizoi faktin se në Kurbin mund të flasim për çfarëdo gjëje, por jo për zgjedhje të drejta.

R.POLISI

Ministri Klosi, i gjykuar për tërheqje të të miturve nën moshën 14 vjeç

Ministri për Mirëqenien Sociale, Blendi Klosi, i cili nën përgjegjësi ka edhe kategorinë e fëmijëve, në vetëdeklarimin që ka kryer në formularin e dekriminalizimit pranon se në vitin 1994 është ndaluar nga policia, ndërsa çështja ka shkuar në gjykatë. Sipas formularit të plotësuar nga vetë Klosi, rezulton se pasi është ndaluar, ka qenë Gjykata e Tiranës, e cila ka pushuar çështjen. Vendimi i Gjykatës së Tiranës mban numrin 819 dhe është i formës së prerë. Po sipas mediave, vendimi në fjalë ka të bëjë me akuzën e shfrytëzimit të të miturve ose cituar si shtytje ose tërheqje e të miturve nën moshën 14 vjeç. Këto të dhëna bëhen komprometuese në një kohë kur opinioni publik është shokuar nga skandali që po ndodh me të miturit në jetimoren e Shkodrës, Sarandës dhe jo vetëm ku jetimët, përdhunohen e keqtrajtohen e ku të implikuar direkt janë drejtuesit e këtyre institucioneve. Sot, Blendi Klosi, i akuzuar vite më parë për shfrytëzim të të miturve edhe pse i padënuar është ministri përgjegjës që duhet të garantojë mbrojtjen e të drejtat e këtyre fëmijëve. Por krahas kësaj, Bledi Klosi është akuzuar disa herë nga opozita për lidhje të forta me trafikun e drogës.

ipokrizia e Klosit me Jetimoren e Shkodrës

Anjezë Gjeluci, drejtoresha e Shtëpisë së Fëmijës në Shkodër, u shkarkua vjet nga ky post me urdhër të Blendi Klosit pas publikimit të videoskandalit me fëmijët e këtij institucioni, ku tri kujdestare ishin filmuar duke ushtruar dhunë fizike dhe psikologjike ndaj fëmijëve jetimë. Por shkarkimi i Gjelucit nga Klosi është bërë sa për show mediatik, pasi bëhet e ditur se Gjeluci tashmë është emëruar në një post drejtues në Bashkinë Tiranë.  “Pas rastit të abuzimit me fëmijët në atë qendër, doli ministri Klosi dhe deklaroi se drejtoresha dhe dy kujdestare janë pushuar nga puna. Po a e dini ku është sot drejtoresha këngëtare? Pasi e bënë anëtare të Asamblesë së PS, tani është emëruar nëndrejtoreshë e Drejtorisë së Konvikteve në Bashkinë Tiranë. Ajo tani është edhe promovuar e do të punojë përsëri me fëmijë të një moshe shumë delikate, me adoleshentë. E keni kthyer Bashkinë Tiranë si punishte riciklimi abuzuesish. I hiqni gjoja nga pushteti vendor dhe i emëroni në Bashkinë e Tiranës. Pra, cilët janë zanatet që kryesojnë në listën e Rilindjes ku ka vende për t’u punësuar? Fillon me zanatin: Kriminel?, pastaj abuzues me fëmijë, abuzues me gra; abuzues me postin e punës, trafikant droge, trafikant njerëzish e kështu lista vazhdon më tej me disa nga zanatet që merren nga arsimi profesional për të cilin keni dhënë shumë mbështetje e fonde”, ka denoncuar deputetja demokrate Albana Vokshi.

Arben Shahini

Thellohet skandali i përgjimeve, Tahiri dhe Çako drejt largimit

Partia Demokratike ka hedhur akuza të reja ndaj qeverisë në lidhje me pajisjen përgjuese që është në Shqipëri. Në një deklaratë për median, sekretari i Përgjithshëm i PD-së, Arben Ristani u shpreh se, “letra nga Italia rrëzon mashtrimet dhe alibitë e Tahirit”. “Debati për përgjimin e paligjshëm jo vetëm nuk është mbyllur, por përkundrazi skandali është thelluar akoma më shumë. Letra e ish-drejtuesit të policisë italiane konfirmon, pohon drejtpërdrejt, se pajisja ka hyrë në Shqipëri ilegalisht. Sepse një pajisje e tillë, gjurmimi e përgjimi, është ilegale kur futet pa u regjistruar në doganë dhe është ilegale kur përdoret pa u vënë në dijeni dhe pa dhënë miratimin e tij prokurori i Përgjithshëm”, tha Ristani. Ai theksoi se fakti se pajisja është futur në mënyrë të paligjshme tregon se ajo do të përdorej, siç është përdorur nga Saimir Tahiri në mënyrë të paligjshme. “Tahiri ka zgjedhur të tradhtojë të gjithë vartësit e tij që janë përlyer në këtë krim, duke thënë se nuk është përgjegjësi e tij. Pyesni policinë, thotë Tahiri. Pyesni doganat, thotë Tahiri. Kërkon të lajë duart ministri i Brendshëm, kur gjithkush e di se pajisja ka hyrë, është përdorur, me porosinë e tij dhe me dijeninë e Edi Ramës”, theksoi Ristani.  Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Haki Çako mashtroi publikisht në Komisionin e Sigurisë duke mohuar ekzistencën e pajisjes së përgjimit dhe përdorimin e saj nga ana e Policisë së Shtetit. Çako ishte pak ditë më parë në Komisionin e Sigurisë për t’iu përgjigjur deputetëve lidhur me pajisjen e përgjimit. Ai tha që në nisje se nuk ka dijeni për përgjimet dhe se ka vënë në dispozicion të hetimit për këtë pajisje gjithë burimet e nevojshme policore. Por ndryshe nga Çako, ishte vet Ministri i Brendshëm, Saimir Tahiri, i cili pranoi ekzistencën e pajisjes së përgjimit dhe përdorimin e kësaj pajisjeje, sipas për qëllime trajnimi. E gjithashtu, deklarata e tij doli bllof edhe më shumë nga letra që dërgoi ish shefi i policisë së italisë, i cili pranonte ekzistencën e pajisjes. Duke iu referuar pikërisht këtij rasti, Ristani tha: “Shihni kushtet e flagrancës ku janë kapur Tahiri e shefi i tij i policisë. Të dy thanë në fillim se një pajisje e tillë nuk ekziston. Më vonë Tahiri e pranoi se pajisja ekziston. Më pas drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Haki Çako deklaroi në Komisionin e Sigurisë se pajisja nuk ekziston. Ndërkohë, ish-drejtori i policisë italiane e hedh poshtë deklaratën e Çakos dhe thotë se pajisja ekziston, ka hyrë në Shqipëri dhe është përdorur. Këto qëndrime kontradiktore, të mbushura me alibi e mashtrime, janë provë e krimit që kanë kryer Tahiri me vartësit e tij”, vijoi më tej Ristani. Sekretari i Përgjithshëm i PD, Ristani i bëri thirrje organit të akuzës të zbardhë sa më shpejt çështjen. “Prokuroria duhet të zbardhë sa më shpejt këtë çështje, kemi të bëjmë me sigurinë kombëtare, me liritë dhe të drejtat themelore të njeriut, me interesin më të lartë publik. Por ky hetim që e pret mbarë vendi, pengohet çdo ditë nga qenia në detyrë e Tahirit dhe e Çakos dhe e rrjetit të tyre drejtues. Ata duhet të largohen menjëherë nga detyra, që të kemi shpejt një drejtësi të plotë e objektive”, tha Arben Ristani gjatë deklaratës së tij.

Bumçi: Shqipëria, në udhëkryq

Në takimin e Komitetit parlamentar të Stabilizim-Asociimit së bashku me eurodeputetët u konstatua që Shqipëria është në një udhëkryq të rrezikshëm për shkak të korrupsionit galopant, krimit të organizuar dhe mungesës së shtetit të së drejtës dhe zbatimit të ligjit. Deputeti i Partisë Demokratike, Aldo Bumçi deklaroi dje se  dekriminalizimi, lufta kundër korrupsionit e krimit të organizuar janë pikat kyçe që pengojnë vendit drejt anëtarësimit europian. “Dalja nga ky udhëkryq dhe përparimi në procesin e integrimit europian ka vetëm një rrugë dhe ajo është: Zbatimin pa asnjë vonesë të Ligjit për Dekriminalizimin dhe nxjerrjen nga politika dhe funksionet publike të personave me të shkuar kriminale. Garantimin e kushteve për mbajtjen e zgjedhjeve të lira dhe të ndershme. Miratimin dhe zbatimin e Reformës në Drejtësi që nuk mbron korrupsionin dhe krimin e organizuar, por lufton korrupsionin dhe krimin e organizuar. Eurodeputetët ringritën shqetësimin për azilkërkuesit nga Shqipëria, duke theksuar dhe kërkuar që qeveria të zgjidhë arsyet e brendshme që shtyjnë shqiptarët të kërkojnë azil në vendet europiane. Shqiptarët e dinë se keqqeverisja, varfëria, papunësia, dhunimi i të drejtave të qytetarëve, vrasja e shpresës janë arsyet e këtij eksodi masiv” është shprehur Bumçi.

Pas kërkesës së PD, KQZ publikon formularët e dekriminalizimit

Sekretari për Zgjedhjet në PD, Ivi Kaso u bëri thirrje dje qytetarëve që kanë të dhëna t’i dërgojnë në portalin e Partisë Demokratike. “KQZ në një nga vendimmarrjet e sotme trajtoi kërkesën e PD për vënien në dispozicion të listës së të gjithë atyre zyrtarëve të lartë që kanë detyrim deklarimin dhe që kishin deklaruar në kohë dhe po ashtu të zyrtarëve të lartë, të cilët brenda afatit të përcaktuar në ligj dhe në aktin nënligjor, nuk kishin deklaruar në kohë formularin e dekriminalizimit. Kërkesa jonë kishte të bënte dhe me vënien në dispozicion, sipas detyrimit ligjor, që ligji dhe vendimi i Kuvendit përcakton të gjitha organet, të informacioneve, publikut, qytetarëve, kujtdo subjekti të interesuar dhe njëkohësisht detyrimin për publikim në faqe zyrtare të të gjithë vetëdeklarimeve, pra jo vetëm listën, por edhe të dhënat, të cilat përmbajnë vetëdeklarimet e të gjithë subjekteve që preken nga ky ligj dhe dokumentacionin që administron KQZ.
Siç jeni në dijeni, PD si iniciatore për ligjin e dekriminalizimit, i ka kërkuar KQZ-së, po ashtu për interesin e qytetarëve, gjithë informacionin, i cili po sipas ligjit, duhet ishte bërë tashmë publik nga KQZ.
Ne përshëndesim vendimmarrjen e sotme të KQZ, e cila në këndvështrimin tonë shënon një fitore tjetër të PD dhe qytetarëve në betejën për dekriminalizimin, por gjithashtu shprehim keqardhjen që kjo në këndvështrimin tonë është një vendimmarrje e vonuar. Dje, duhej të ishin bërë publike në faqen e KQZ gjithë këto të dhëna që ne kërkuam, çka demonstron në këndvështrimin tonë përpjekjet e mazhorancës qeverisëse për ta vonuar sa të jetë e mundur hyrjen në fuqi dhe bërjen efektive në mënyrë të plotë të ligjit për dekriminalizimin.
Ne i bëjmë thirrje qytetarëve që të verifikojnë të zgjedhurit e tyre, ata që i përfaqësojnë. Gjithashtu të përcjellin dhe të denoncojnë çfarëdolloj informacioni që kanë ata për zyrtarë të lartë qofshin këta të zgjedhurit, qofshin zyrtarë të lartë të administratës lidhur me implikimet e tyre në krime dhe të gjitha këto t’i bëjnë publike dhe t’i denoncojnë në portalin e posaçëm që është i disponueshëm në faqen e PD për këtë qëllim”.
Partia Demokratike i kërkoi dy ditë më parë Komisionit Qendror të Zgjedhjeve të zbatojë ligjin, dhe jo paktin me krimin dhe të publikojë të dhënat e të mos fshehë krimet e të inkriminuarit.
“Dekriminalizimi është një arritje e madhe e vendit dhe e qytetarëve, e vlerësuar nga ndërkombëtarët dhe nga Shtetet e Bashkuara si reformë model, dhe nuk mundet dhe nuk ka për t’u ndalur dot nga Edi Rama dhe lefteritë e tij.
Çdo pengesë, çdo ndalim që i bëhet dekriminalizimit, është një vepër e rëndë penale, dhe ne i sigurojmë ata që e kryejnë këtë vepër penale se do të përgjigjen deri në një para ligjit” u desh kjo deklaratë, që KQZ të publikonte dje formularët e vetdeklarimit.