Pol Pogba dhe Juventusi duket një bashkëjetesë, e cila do të vazhdojë edhe sezonin e ardhshëm. Të paktën është kjo që lë të nënkuptojë mesfushori francez gjatë intervistës së tij për “Sky Sport”, në pritje të finales së Kupës së Italisë kundër Milanit, nesër në mbrëmje. “Duhet që të tregohemi të përulur, të përqendruar dhe të ndërgjegjshëm se në ndeshje të tilla jo gjithmonë fiton skuadra më e fortë. Edhe pse kampionati ka përfunduar, sezoni ynë mbyllet të shtunën, prandaj, nëse nuk tregojmë qëndrueshmëri psikologjike, do të gabonim.
Finalet luhen për t’u fituar, por mbi të gjitha Milani nuk do të vijë kurrsesi në Romë për të na e dorëzuar ne trofeun e Kupës së Italisë, përkundrazi.
Do të jetë një ndeshje e vështirë, pa favoritë. Prandaj, nëse duam që të dërgojmë në Torino edhe këtë trofe, duhet të bëjmë ndeshjen tonë më të mirë”, bëri hyrjen e tij 23-vjeçari. Bufon thotë se jeni rritur, qoftë nga pikëpamja fizike dhe teknike, por edhe nga ajo e vetëbesimit, duke u shndërruar në një nga liderët e këtij Juventusi. Ndihem shumë më i përgjegjshëm, sepse këtë sezon humbëm disa lojtarë të rëndësishëm, jo vetëm teknikisht, por edhe në aspektin e lidershipit.
Për këtë arsye, mua më është dashur që të marr më tepër përgjegjësi mbi shpatulla. Nga pikëpamja teknike, ju jeni lojtari i dytë në Itali për sa u përket driblimeve të bëra, 102, por edhe i pari në pesë kampionatet më të rëndësishme të Europës, për goditje në portë.
Ndërkohë, Sinisa Mihaljoviç është shkëputur zyrtarisht nga Milani. Trajneri serb dhe drejtuesit e klubit kuqezi gjetën konsensusin për zgjidhjen e kontratës mes tyre me 47-vjeçarin që tashmë është i lirë të kërkojë një tjetër skuadër. Marrëveshja për zgjidhjen konsensuale mes Milanit dhe Mihajloviçit u arrit pas një takimi të zhvilluar në Romë mes tij e Galianit, me klubin që pranoi të paguajë për llogari të trajnerit edhe një dëmshpërblim. Sipas medias italiane, destinacioni i ardhshëm për Mihajloviç duket se është Torino. Trajneri aktual i kësaj skuadre, Giampiero Ventura do të marrë drejtimin e përfaqësueses italiane, duke e lënë të lirë vendin e tij.
Pogba: Milani nuk vjen për shëtitje
120 mijë dollarë në vit për mirëmbajtjen e Aeroportit të Kukësit
Aeroporti i Kukësit që kur u ndërtua në vitin 1999 nuk është vënë asnjë ditë në punë, por ndërkohë ka krijuar harxhime të konsiderueshme në financat publike te vendit.
Aviacioni Civil vetëm për këtë vit ka planifikuar të prokurojë rreth 15 milionë lekë për mirëmbajtjen e objektit, pa përfshirë rrogat e punonjësve. Shpenzimet më të mëdha janë për shërbimet e ruajtjes dhe sigurisë së aeroportit, që llogariten në 14 milionë lekë vetëm për këtë vit.
Gjithashtu për mirëmbajtjen dhe riparimet e zyrave janë planifikuar 333 mijë lekë për këtë vit dhe po kaq para janë planifikuar të tenderohen për mirëmbajtjen e objekteve. Me gjithë rrogat e punonjësve shpenzimet publike për Aeroportin e Kukësit llogariten në miliona euro që kur ai u ndërtua në vitin 1999.
Por nëse objekti vihet në punë sipas planit të qeverisë do të duhen miliona euro shtesë investime për ta bërë funksional. Duke qenë se kanë kaluar 15 vite nga ndërtimi i tij kostot e amortizimit janë të larta ndaj duhen investime të reja. Mirëpo qeveria shqiptare shpreson t’i faturojë këto harxhime kompanisë që do të ofrohet për të marrë në administrim këtë aeroport.
Objekti aktualisht është ndërtuar në anë të qytetit në afërsi të Autostradës së Kombit dhe shihet të jetë me leverdi për fluturimet low cost. Ndërtimi i aeroportit verior kushtoi rreth 12 milionë dollarë, por studimet e fizibilitetit të bëra në dekadën e fundit nuk kanë qenë shumë optimiste. Ndërkohë Ministria e Transportit ka sqaruar se, kompanitë e huaja po interesohen për Aeroportin e Kukësit.
Tohir: Bëjmë tre goditje të mëdha
Erik Tohir ka lajme të mira për Roberto Mançinin. Presidenti i Interit duket se është bindur nga këshilltarët e tij dhe më në fund ka vendosur që të shpenzojë disa miliona euro për Interin. Sezoni që sapo u mbyll ka bërë që indoneziani të kuptojë se për të fituar një titull, nuk mjafton një strategji e zgjuar në merkato dhe një trajner fitues.
I pyetur për sezonin që sapo u mbyll, Erik Tohir ruajti të njëjtën linjë, duke vlerësuar lojtarët për punën e bërë. “Vendi i katërt ishte pozicioni më i mirë që mund të merrte Interi në këtë sezon. Shpresoj shumë që edicionin e ardhshëm ekipi të tregojë dhëmbët”, tha Tohir gjatë intervistës që dha për gazetën indoneziane “Sundul”. Besimi – Në fjalën e tij, presidenti zikaltër ishte optimist për të ardhmen dhe la të kuptohej se e kishte planifikuar Interin e ri me Mançinin në qendër. “Jam i bindur se ai ka besimin e lojtarëve dhe do të vazhdojë që të jetë trajner i Interit. E pranoj, është një trajner i madh”, u shpreh 45-vjeçari.
Numri një i Interit nuk u tërhoq, kur e pyetën për ekipin që priste të ndërtonte këtë verë. Në këtë temë, ai u zhbalancua dhe zbuloi strategjinë që kishte studiuar me trajnerin. “Unë dhe Roberto Mançini kemi diskutuar gjatë rreth merkatos. Kemi rënë dakort që të përforcojmë të tre repartet, duke afruar të paktën nga një futbollist të talentuar dhe ekspert në sulm, mesfushë dhe mbrojtje”, tha Erik Tohir.
Një tjetër pyetje që nuk trembi Tohirin ishte edhe ajo rreth stadiumit. “Sigurisht, që nuk kemi hequr dorë nga projekti i stadiumit. Ne duam që të jemi të vetëm në “San Siro”. Shpresoj që sa më shpejt të jetë e mundur të zgjidhet kjo situatë e sikletshme”, pohoi presidenti i Interit.
Ferguson: Ja ku ndryshon CR7 nga Mesi
Në një konventë të mbajtur në Dublin, Sër Aleks Ferguson ka dhënë mendimin e tij rreth një debati që “mundon” sportdashësit në të katër cepat e botës. Ish-menaxheri i famshëm skocez i Mançester Junajtid është zhbalancuar, duke dhënë mendimin e tij mbi konkurrencën e madhe mes Kristiano Ronaldos dhe Leonel Mesit.
“Për mua nuk është aspak interesante kur dëgjoj të flitet vetëm për dy lojtarë. Nëse doni që të dëgjoni atë çfarë kam për të thënë për rivalitetin mes Ronaldos dhe Mesit, atëherë do t’ju kërkoj që të mos më keqkuptoni kur them se Mesi duket sikur vesh papuçe nate kur kontrollon topin. Ai është një lojtar fantastik, por është një lojtar i Barcelonës, pra funksionon në atë realitet. Ndërsa për Ronaldon them se do të ishte i aftë që të shënonte tregolësh edhe nëse do të luante për Stokport Kauntrin. Ai ka gjithçka që i duhet një futbollisti për t’u konsideruar si i kompletuar. Ai godet mirë topin me të dyja këmbët, përdor mirë kokën dhe është kurajoz si një luan”, tha Sër Aleks për “krijesën” që e ndihmoi të përmirësonte teknikën në “Old Trafford”.
Ish-trajneri i famshëm skocez zbuloi se Ronaldo, ndryshe nga lojtarët e tjerë, ka arritur të tilla nivele falë punës së bërë. “Gjatë kohës që kam qëndruar te Junajtid isha me fat që kisha shumë lojtarë, të cilët kalonin orë ekstra në stërvitje me qëllim që të përmirësoheshin. Falë etikës në punë, Geri Nevill u kthye nga një lojtar normal, në një futbollist të bukur. E njëjta gjë vlen edhe për Devid Bekhamin. Por Ronaldo, ndryshe nga ata, e sfiliste veten duke u stërvitur. Ai vazhdon të bëjë të njëjtën gjë edhe tani, ai nuk pushon, pasi do që të jetë më i miri në botë”, tha Fergi.
Në lidhje me kulturën e punës, Ferguson kujtoi edhe një episod që i kishte ndodhur gjatë kohës që për Mançester Junajtidin luante edhe Erik Kantona. “Mbaj mend se, pas stërvitjes së parë që bëri me ne Eriku, m’u afrua dhe më kërkoi që t’i vendosja në dispozicion një portier, dy lojtarë të ekipit të rinjve dhe disa topa futbolli. Unë e pyeta se për çfarë i donte, dhe ai më tha se do të qëndronte në fushë për t’u praktikuar. Kur kjo praktikë e tij u përhap në ekip disa ditë më vonë, Kantona nuk ishte i vetmi që bënte stërvitje shtesë”, tha Fergi.
Mbi 1 milion euro për fizibilitetin e “Trepçës“
Agjencia Kosovare e Privatizimit e ka bërë hapin e parë për “Trepçën”, duke e iniciuar studimin e fizibilitetit për këtë ndërmarrje. Nëse gjithçka shkon sipas planifikimit të bërë nga AKP-ja, atëherë deri në fillim të muajit nëntor do ta dihen parametrat ligjorë dhe ekonomikë, por edhe kapacitetet e “Trepçës” dhe arsyeshmëria e investimeve në të, shkruan sot Koha Ditore. Fillimi i muajit nëntor përkon edhe më obligimin që ka AKP-ja për të dorëzuar në Dhomën e Veçantë të Gjykatës Supreme planin e riorganizimit të “Trepçës” në mënyrë që të shmanget likuidimi. Mirëpo, miratimi i një ligji të veçantë për Trepçën që do ta bënte atë ndërmarrje publike do ta bënte ligjin aktual për riorganizimin e ndërmarrjeve të veçanta të pazbatueshëm për “Trepçën”. Edhe pse koston e studimit të fizibilitetit të “Trepçës” pritet ta përcaktojë tregu, AKP-ja ka planifikuar buxhet mbi 1 milion euro për këtë studim. Gjiganti metalurgjik “Trepça” pritet që shumë shpejt të bëhet me status të ri. Ndërmarrja më e madhe në Kosovë do të ketë karakterin e ndërmarrjes publiko-qendrore me mundësi të partneritetit publiko-privat. Ky është definimi i kësaj ndërmarrjeje që është bërë në projektligjin për “Trepçën”, i cili projektligj pritet të dërgohet gjatë javës së ardhshme në Qeveri të Kosovës. Këtë e ka bërë të ditur për gazetën “Zëri” Ahmet Tmava, drejtor i ndërmarrjes “Trepça”, i cili njëkohësisht ka qenë edhe në komision ndërinstitucional. Sipas tij, ky emërtim do të jetë një mundësi e zhvillimit të mëtutjeshëm të kësaj ndërmarrjeje.
Qeveria e Kosovës miraton rritjen e pensioneve
Qeveria e Kosovës, në mbledhjen e mbajtur dje ka miratuar propozim-vendimin për rritjen e pensionit kontributpagues të moshës, sipas përgatitjes shkollore. Sipas këtij propozim-vendimi, pensioni bazë më i ulët do të jetë 158 euro. Pensioni për ata që kanë punuar me shkolla të mesme dhe që e kanë vërtetuar këtë do të jetë 172 euro. Ndërs, pensioni për të gjithë ata që kanë pasur shkollimin e lartë do të jetë 186 euro dhe pensioni për ata që kanë pasur arsimimin superior, përkatësisht diplomat e fakultetit, universitetit do të jetë 230 euro. Shprehur në përqindje i bie se kjo është një rritje prej rreth 33 për qind. Kryeministri i vendit, Isa Mustafa tha se ky është kontribut i madh i Qeverisë dhe po e përmbyll këtë kërkesë shumëvjeçare të pensionisteve.
Gjithashtu qeveria e Kosovës ka miratuar vendimin për rritjen e pensionit kontributpagues të moshës sipas përgatitjes shkollore. Ministri Arban Abrashi tha se ministria që ai udhëheq do ta zbatojë këtë vendim me qëllim të një jete më të dinjitetshme për pensionistët. Ndërsa, ministri i Financave, Avdullah Hoti i siguroi pensionistet që pagesa do të jetë retroaktive nga muaji janar. Kryeministri i vendit, Isa Mustafa tha se ky është kontribut i madh i Qeverisë që po e përmbyll këtë kërkesë shumëvjeçare të pensionisteve. “Edhe pse s’kemi mundur të sigurojmë pension në bazë të kontributeve që kanë dhënë pensionistet, megjithatë është një shumë e dinjitetshme për përmirësimin e standardeve. E vlerësoj këtë vendim kaq të rëndësishëm për jetën e pensionistëve”, tha Mustafa. Ndryshe, kryeministri i vendit, Isa Mustafa, dje pas takimit që kishte me përfaqësues të Shoqatës së Pensionistëve, tha se rritja është rreth 33 përqind dhe se kjo do të bëhet në bazë të strukturave kualifikuese të pensionistëve.
Mustafa: Është një kontribut i madh i Qeverisë
“Është një kontribut shumë i madh i Qeverisë dhe institucioneve tjera të Republikës së Kosovës, që po arrijnë të përmbyllin këtë kërkesë shumë vjeçare të pensionistëve. Unë mendoj se edhe përkundër asaj që s’kemi mundur të sigurojmë nivel të pensionit, çfarë është dashur ta kenë, në bazë të kontributeve që kanë dhënë dhe të cilat tani nuk mund të shfrytëzojnë, megjithatë është një shumë e dinjitetshme, përmes të cilës ne po kontribuojmë që të përmirësohet standardi i tyre dhe të iu mundësohet që ata të kenë një jetë dinjitoze. Prandaj, e vlerësoj shumë të rëndësishëm këtë vendimë”, tha ai. Ndërsa ministri i Punës dhe Mirëqenies Sociale Arban Abrashi tha se ministria që ai udhëheq do ta zbatojë këtë vendim me qëllim të një jete më të dinjitetshme për pensionistët. Ndërsa, tha se pensionistët do t’i marrin pensionet me rritje që nga ky muaj dhe pagesa do të jetë retroaktive nga muaji janar.
Abrashi: Këtë muaj pensionet me ngritje
“Këtë muaj ata i marrin pensionet me ngritje, plus diferencën nga secila shkallë e marrin nga janari. Ky është një përkushtim i Qeverisë. Siç kanë thënë dhe pensionistët pas 17 viteve po kthehet shpresa dhe në shtetin e Kosovës dhe Qeverinë… Ne me këtë e mbyllim një kapitull dhe i hapim rrugë vetes që të punojmë dhe për kategoritë tjera”, tha ai. Qeveria po ashtu ka marrë vendim për ndarjen e mjeteve financiare për Shërbimin spitalor dhe Klinik universitar të Kosovës, për st imulim të pagave për 43 punëtorë të Klinikës së Kardiokirurgjisë dhe Kardiologjisë invazive në shumën prej 32 mijë e 200 euro, me qëllim të funksionalizimit të plotë të kësaj klinike, për ofrim të shërbimeve 24 orë me ekip vendor. Ministri Imet Rrahmani tha se gjendja në këtë klinikë është brengosëse.
“Blindojeni” Hysajn
Menaxheri i Elseid Hysajt, Mario Giuffredi, ka paralajmëruar sërish skuadrën e Napolit që të nxitojë me rishikimin e kontratës për klientin e tij, ndryshe gjërat mund të komplikohen, pasi skuadra të tjera i janë vënë pas. “Zërat për Bayern? Unë i këshilloj Napolit ta blindojë Hysajn para fillimit të Europianit, duke i zgjatur dhe përmirësuar kushtet financiare në kontratë. Gjatë Europianit, ai mund të konfirmohet me paraqitje të jashtëzakonshme, siç ka bërë me klubin”, tha ai.
Giuffredi tha se, Napoli ka bërë një lëvizje shumë të zgjuar gjatë vitit të kaluar, kur nënshkroi me mbrojtësin. I blerë për vetëm 5 milionë euro nga radhët e Empolit, vlera aktuale e kartonit të lojtarit përllogaritet sa pesëfishi i kësaj shifre të shpenzuar asokohe. “Aktualisht, kartoni i Hysajt vlen mes 20 dhe 25 milionë eurove. Napoli ka bërë një lëvizje të shkëlqyer teknike dhe ekonomike, kur nënshkroi me të, pasi për Hysajn do të vihen në lëvizje skuadra të rëndësishme që do të mundohen t’ia rrëmbejnë”, theksoi ai.
Duke folur për “Radio CRC”, Giuffredi e cilësoi Hysajn një luftëtar, pasi sipas tij, mbrojtësi flet pak, por bën shumë gjëra në fushë. “Ai është djalosh me shumë cilësi, që di të bëjë shumë gjëra, të cilat janë çertifikuar tashmë nga statistikat sezonale”, deklaroi Giuffredi.
Ndërkohë, Arlind Ajeti mund të mbetet në Serinë A, pavarësisht se skuadra e tij aktuale, Frosinone nuk mundi të mbjetonte në elitën e futbollit italian. Për 22-vjeçarin e kombëtares shqiptare interesohet Torino, që kërkon një qendërmbrojtës të ri dhe cilësor dhe që jep garanci për të ardhmen.
Për të siguruar kartonin e Ajetit, drejtuesit e Torinos do t’i ofrojnë Frosinones mbrojtësin ukrainas Vasyl Pryyma, që këtë sezon është aktivizuar po te Frosinone në formën e huazimit në pjesën e dytë të sezonit.
Të dy kishim kontratë për një vit me të drejtën e rinovimit, shqiptari me Frosinonen dhe ukrainasi me Torinon, që do të thotë se një shkëmbim i mundshëm mes tyre, është mëse i pranueshëm, me klubin lazial që gjithsesi nuk do të hiqte dorë plotësisht nga kartoni i Ajetit.
Arlind Ajeti që kur mbërriti në Serinë A në muajin nëntor, u shndërrua në titullar i padiskutueshëm në radhët e Frosinones, ku ka luajtur në 16 ndeshje, për një total prej 1218 minutash. Në rast se, skuadra e Stellones do të mbijetonte, kontrata e Ajetit do të rinovohej automatikisht për dy sezonet e ardhshme.
Përcaktues për të ardhmen e qendërmbrojtësit shqiptar pritet të jetë dhe aktivizimi i tij në finalet e Europianit. Në rast se Shqipëria do të ketë një ecuri pozitive, sigurisht që edhe kuotat e lojtarëve të kombëtares në tregun e futbollistëve do të rriteshin ndjeshëm.
Milioneri Gashi, i 14-ti më i paguar në MLS
Kur Shkëlzen Gashi u largua gjatë merkatos së janarit për të firmosur në MLS me Colorado Rapids, pati rezerva në opinionin sportiv shqiptar për mundësitë që i jep ky kampionat për të qenë protagonist me Shqipërinë. Sigurisht që largësia dhe ndryshimi i ambientit nuk e ndihmojnë shumë sulmuesin 27-vjeçar për vendin e titullarit te kuqezinjtë, megjithatë ish-sulmuesi i Baselit kishte një arsye të fortë për të mos e refuzuar ofertën e Colorado Rapids.
Publikimi i listës së futbollistëve më të paguar në MLS, nxjerr në dritë faktin se Shkëlqen Gashi përfiton në Amerikë një shumë që as që nuk do ta kishte imagjinuar në Europë. Ai renditet i 14-ti me një pagë vjetorë 1 665 750 dollarë në vit, një pozicion poshtë Didier Drogba, që arkëton 2 166 667 në vit në radhët e kanadezëve të Montreal Impact.
Sigurisht që diferenca e pagës së Gashit me atë të lojtarit më të paguar në Mls, që është Ricardo Kaka, mbetet shumë e ndjeshme. Ish-ylli i Milanit dhe i Realit të Madridit, aktualisht pjesë e Orlando City përfiton 7 167 500 dollarë në sezon, i ndjekur nga italiani i Giovinco, që merr rreth 50 mijë dollarë më pak te Toronto.
Më poshtë renditen Bredley, Gerrad, Lampard, Pirlo, Villa etj. Edhe pse është futbollisti i dytë më i paguar te Colorado Rapids, pas portierit Howard, Shkëlzen Gashi ka shënuar vetëm 2 gola në 10 ndeshjet e para të sezonit, madje në 7 raste është larguar para kohe nga fusha. Ndoshta ky ka qenë thjesht një fillim i vështirë për futbollistin e kombëtares kuqezi në MLS.
Rashica shpreson të luaj në Euro 2016
Faqja zyrtare e klubit të Vitesses në Youtube i kushton një hapësirë të madhe sulmuesit të Kombëtares, Milot Rashica, i cili konfirmoi talentin e tij brenda një sezoni të vetëm, duke u bërë simboli i skuadrës holandeze. Gola, asiste dhe shpërthimet e vazhdueshme nga krahu e kanë bërë Rashicën një prej talenteve më të kërkuar ët Europës. Vetë 19-vjeçari rrëfen momentet magjike të këtij sezoni.
“Është një moment fantastik. Erdha në provë këtu te Vitesse, ku u stërvita 2-3 javë me skuadrën e dytë ku luajta disa miqësore dhe më pas u bashkova me skuadrën e parë, ku u stërvita për dy javë dhe më pas nënshkrova kontratën”.
I pyetur nëse e priste ecurinë fantastike gjatë këtij sezoni, Rashica përgjigjet: “Gjithçka ndodhi shumë shpejt dhe nuk e prisja se do të zhvilloja një sezon të tillë. Mendoja se pas 1 apo 2 vitesh në ekipin e dytë më pas do të luaja disa minuta në ekipin e parë, por as unë vetë nuk e prisja që gjithçka të konkretizohej brenda një periudhe kaq të shkurtër”.
Rashica cilësohet një lojtar oportunist që jep shumë për ekipin, por pavarësisht sezonit fantastik, ai veçon një ndeshje dhe golin që do ta mbajë mend gjatë.
“Ndeshja më e mirë për mua ka qenë ajo e debutimit kundër Sauthampton në Europa League. Goli më i bukur besoj se ka qenë ai i shënuar ndaj Heracles në transfertë ku barazuam 1-1”.
Që prej një viti, talenti shqiptar jeton në qytezën e Arnheim ku ai është përshtatur menjëherë me realitetin e ri.
“Arnheim është një qytet shumë i mirë edhe pse jo i madh. Nëse ke nevojë për diçka e gjen shumë shpejt, sepse çdo gjë është shumë pranë. Është pak më i madh se qyteti i Vushtrisë”.
Pas çdo goli, Rashica nuk ngurron të festojë me shqiponjën e flamurit kuqezi. Ai shpjegon për gazetarin holandez arsyen se përse ka zgjedhur të festojë në këtë mënyrë.
“Festoj duke bërë shqiponjën, sepse është simboli i vendit tim. Kur erdha këtu askush nuk më njihte dhe dëshiroja t’u tregoja se nga vija”.
Edhe pse debutimin me Kombëtaren Shqiptare e ka bërë, Rashica nuk është ende i sigurt për një thirrje nga De Biasi në Euro 2016, por sulmuesi i lindur në Kosovë, ashtu si në fushën e lojës, tregohet altruist.
“Shpresoj që të shkoj në Francë, por nuk e di nëse do të ndodhë. Edhe nëse nuk grumbullohem, shpresoj që Shqipëria të luajë një futboll të mirë dhe të japë më të mirën. Në futboll, asnjëherë nuk e di se çfarë do të ndodhë. Jemi në një grup të vështirë me Rumaninë, Zvicrën dhe Francën, por ne kemi një skuadër të mirë dhe mund t’ia dalim mbanë”.
Në fund, Rashica flet edhe për të ardhmen, duke lënë të kuptohet se aventura e tij do të vazhdojë në Holandë.
“Po shikojmë përpara për sezonin e ardhshëm. Jemi një skuadër e mirë. Nëse shkoj në Francë do të rikthehem në korrik për të nisur stërvitjen dhe për të zhvilluar një tjetër sezon pozitiv”.
Çmenduria e Beogradit
Kohë më e mirë nuk mund të gjendej: mbrëmjen e së dielës, më 24 prill, kur e gjithë Serbia qe ulur si e hipnotizuar para televizioneve, duke pritur rezultatet e para të zgjedhjeve parlamentare, mbi 30 burra të maskuar dhe të pajisur me shkopa bejsbolli dhe tre ekskavatorë, shkatërruan disa ndërtesa, objekte ndërmarrjesh dhe një restorant në lagjen “Savamala”. Autorët e bllokuan për këtë arsye rrugën me dy kamionë, arrestuan kalimtarët e rastësishëm, kërcënuan me dhunë dhe konfiskuan telefonat celularë. Gjithë natën eskavatorët dhe makineritë e tyre bubullinë, por as zhurma, as telefonatat e qytetarëve nuk i bënë nëpunësit e rajonit të policisë aty pranë që të ndërhynin. Në agim kishin mbetur vetëm rrënoja – dhe kjo në mes të kryeqytetit serb Beograd.
“Objekte ilegale”
Vladimir Miljeviç, drejtor i një firme ndërtesa, e së cilës u shkatërrua, tregon se kishte marrë në telefon edhe tek Policia Ndërtimore dhe në bashki, por kudo i kishin dhënë të njëjtën përgjigje: ne nuk jemi përgjegjës për këtë dhe nuk e kemi idenë, se kush mund të kenë qenë të maskuarit.
Mediat kryesore heshtën për këtë ngjarje. Informacione mbi “fantazmat e “Savamalas” u shpërnda vetëm përmes rrjeteve sociale, si dhe disa portaleve të pavarura të internetit apo gazetave javore, që i referoheshin edhe Avokatit të Popullit, Sasha Jankoviç, të cilin qeveria konservatore e ka prej kohësh halë në sy, i cili vuri në dukje në raportin e tij se kemi të bëjmë me krim të organizuar që mbulohet nga shteti.
Në Serbi po lind një vakum ligjor, sepse ligjet shfuqizohen sipas dëshirës në mënyrë arbitrare, mendon avokati dhe ish-ministri i Brendshëm, Bozo Preleviç. Ashtu si shumë kritikë të tjerë, ai arrin në përfundimin se bandën e kanë organizuar, ose të paktën toleruar, ata që janë në pushtet. “Askush tjetër nuk do të guxonte që në mes të natës të shembte ndërtesa të tilla pa pasur pas vetes qeverinë dhe policinë”, tha Preleviç në intervistë për DW.
Kryeministri Aleksandër Vuçiç u përpoq t’i minimizonte ngjarjet dhe i bëri thirrje publikut, që të presë me durim hetimet. Faktin që shërbimi komunal i qytetit i pastroi mbeturinat pa pritur që policia të siguronte provat, Vuçiçi nuk e përmendi.
Spastrim për investitorët?
Dyshohet se operacioni i natës duhet të lidhet me projektin e diskutueshëm “Beogradi në ujë”. Pjesa më e mirë e kryeqytetit serb në bregun e lumit të Savës është e rezervuar për një lagje për zyra, apartamente luksoze dhe qendra tregtare. Ky është projekti më i dashur i Partisë së Progresit dhe liderit të saj Vuçiç. Ish-nacionalisti tani shitet si evropian i madh që angazhohet për një klimë të mirë për investime. Madje edhe pse kjo nuk është e qartë se sa para duan të investojnë saktësisht investitorët nga Emiratet e Bashkuara Arabe, se çfarë do të ndërtojnë dhe se kur do të përfundojë ndërtimi, zona tashmë është spastruar, sepse një gjë të tillë qeveria ua ka siguruar me kontratë investitorëve.
Megjithë për protestat kundër këtij projekti, në të cilat morën pjesë rreth 5000 vetë dhe që mbështeten edhe nga partitë e opozitës, avokati Bozo Preleviç mendon se ato nuk do të sjellin shumë. “Në këtë mjedis politik qytetarët kanë vetëm dy mundësi: ose të jenë anëtarë të partive në pushtet – ose të emigrojnë, sepse aty ku disa janë mbi ligjin, nuk ka më shtet”. Duke aluduar për mbështetjen pothuajse plebishitare dhe një shumicë absolute që partia e Vuçiçit fitoi në zgjedhjet në fund të prillit, Preleviç tha: “Shumë njerëz duket se e pëlqejnë stilin e tij të qeverisjes, por unë mendoj se investitorët ndërkombëtarë dhe Bashkimi Evropian janë të një mendimi tjetër. Diçka e tillë nuk ndodh në një shtet të organizuar në një lloj mënyre”.