27.5 C
Tirana
E shtunë, 12 Korrik, 2025

Gara e re e armatimit, mes SHBA dhe Rusisë

Njëzetepesë vjet pas përfundimit të Luftës së Ftohtë, ekziston frika se Moska dhe Uashingtoni janë në kulmin e një gare të re të armatimit bërthamor dhe konvencional.
Në muajt e fundit, Rusia ka dërguar sinjale për armatimin e saj, duke hedhur raketa të reja nga Deti Kaspik në caqet në Siri, duke vendosur raketa balistike me rreze të shkurtër veprimi Iskander në enklavën e saj Kaliningrad dhe duke i vënë në operim nëndeteset e reja raketore-balistike.
Shtetet e Bahkuara, ndërkohë, kanë rritur operacionet e tyre ushtarake në Evropën Lindore dhe ujërat përreth. Pentagoni po katërfishon shpenzimet për mbrojtjen në Evropë.
Anijet dhe avionët amerikanë po kryejnë patrullime më të shpeshta të vëzhgimit pranë kufijve rusë. Një brigadë e re luftarake e ushtrisë amerikane pritet të vendoset në Evropë. Dhe, sistemi i mbrojtjes raketore është funksionalizuar në Rumani më 12 maj, duke shkaktuar zemërim te Presidenti rus, Vladimir Putin.
“Gara me armë, në disa forma, nuk ka përfunduar. Intensiteti i saj është ngadalësuar, por të dyja vendet kanë vazhduar të modernizojnë forcat bërthamore. SHBA është mjaft e ngazëllyer me mbrojtjen raketore në Evropë dhe rusët ndjehen të obliguar t’i përgjigjen”, thotë Jeffrey Lewis, ekspert për mospërhapjen bërthamore në Institutin e Monterejt për Studime Ndërkombëtare.
Sa i përket arsenalit bërthamor, kokat strategjike bërthamore kanë qenë në rënie edhe në SHBA, edhe në Rusi, falë marrëveshjes START të vitit 2010. Por, të dyja vendet janë duke modernizuar pjesë të tjera të arsenalit të tyre. SHBA, për shembull, është duke ndërtuar gjeneratën e pestë të avionit luftarak.
Dhe tani, në kohën kur Putin po shfaq fuqinë dhe ndikimin në Ukrainë dhe Siri, ekspertët e kontrollit të armëve thonë se shanset për një marrëveshje të re për reduktim të arsenalit janë të vogla ose fare.
Rrezik më i madh mund të jetë braktisja e marrëveshjeve ekzistuese, të tilla si Traktati i Forcave Bërthamore me Rreze të Mesme, i vitit 1987. SHBA dhe Rusia kanë akuzuar njëra-tjetrën për shkelje.
“Derisa nuk arrihet një marrëveshje e re për reduktim të armëve, në të ardhmen e afërt, tkurrja e arsenalit strategjik bërthamor të Rusisë, që ka karakterizuar dy dekadat e kaluara, duket se do të marrë fund”, kanë shkruar studiuesit e armëve Hans Kristensen dhe Robert Norris në një artikull të publikuar këtë muaj në Buletinin e Shkencëtarëve Atomikë.
Vitin e kaluar, televizioni rus ka transmetuar planet për një dron nënujor bërthamor, që do të mund të qëllonte një zonë bregdetare me mbetje radio-aktive, duke bërë të pabanueshme rajone të mëdha për dekada të tëra.
Tash për tash, ekzistojnë disa politika që frenojnë intensitetin e garës me armë, por, më shumë se çdo gjë tjetër, palët mund të kufizohen nga problemet financiare.
Shpenzimet në mbrojtje janë rritur nën Putinin, sidomos që nga viti 2007. Në vitin 2015, ato kanë kapur vlerën e 4.3% të bruto prodhimit të brendshëm. Megjithatë, qysh atëherë, ekonomia e Rusisë është dobësuar për shkak të çmimeve në rënie të naftës dhe sanksioneve të Perëndimit që lidhen me ndërhyrjen e Rusisë në Ukrainë.
Arsenali strategjik i SHBA-së, në anën tjetër, është duke kaluar nëpër një modernizim masiv, që Sekretari amerikan i Mbrojtjes, Ash Carter, ka thënë se do të kushtojë 350 miliardë dollarë. Analistët kanë thënë se kjo shifër paraqet një sfidë të madhe për ta përballuar.

Një mision i pamundur Kodi i Thaçit për “dekriminalizimin”?

Nadie Ahmeti

Zotimi i përsëritur i Presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi për “dekriminalizimin” e skenës politike përmes hartimit të një Kodi, për përfaqësuesit e Shoqërisë Civile shihet si një mision i pamundur.
Ndërkohë që disa nga hartuesit e Kodit Penal të Kosovës, konsiderojnë se një zotim i tillë mund të përmbushet, por me disa kushte.
Ditë më parë, Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ka paralajmëruar inicimin e hartimit të një kodi me të cilin nuk do të lejohej që njerëzit e dënuar të jenë pjesë e skenës politike dhe institucionale, kurse njerëz që janë nën hetime nuk do të mund të përfshiheshin në listat zgjedhore. Kjo nismë, është përkrahur edhe nga Kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa.
Profesori i të Drejtës Penale Ndërkombëtare, Ismet Salihu, në një prononcim për Radion “Evropa e Lirë” ka thënë se ligjërisht kjo çështje mund të ndryshohet. Sipas tij, njerëzit që kanë probleme me ligjin nuk duhet të jenë të përfshirë në pozita të larta në institucionet e Kosovës.
“Kodi penal duhet të ndryshohet në aspektin e krimit të organizuar, sepse krimi i organizuar përveç elementeve tjera, nënkupton edhe lidhjen e kryersve të veprave penale të personave që janë në pozita politike, partiake dhe shtetërore. Në këtë aspekt, mendoj që duhet të ndryshohet. Dhe, unë pajtohem që njerëzve që dyshohet se janë të ndërlidhur me krimin, duhet t’u pamundësohet përfshirja në listat zgjedhore dhe të jenë udhëheqës në pozita të larta”, ka theksuar Salihu.
Në anën tjetër, përfaqësues të Shoqërisë Civile thonë se është e paqartë që përmes Kodit Penal të Kosovës të rregullohet kjo çështje. Sipas tyre, nevojitet një vullnet i të gjitha subjekteve politike për miratimin e një ligji të veçantë, për dekriminalizimin e bartësve të funksioneve publike dhe shtetërore.
Juristi nga Instituti i Kosovës për Drejtësi, Ehat Miftaraj, për Radion “Evropa e Lirë”, ka thënë se në këtë kuadër duhet të merren parasysh edhe praktikat e shteteve të rajonit.
“Ne si institut e kemi të paqartë se si përmes Kodit Penal të Kosovës të rregullohet kjo çështje, pasi Kodi Penal përcakton veprat penale, të cilat ndiqen penalisht nga organet e ndjekjes. Prandaj, kjo në njëfarë mënyre e bën të pamundur që kjo fushë të rregullohet dhe t’iu pamundësohet vërtet personave, të cilët bartin funksione publike dhe shtetërore në ushtrimin e funksioneve të tyre”, ka thënë Miftaraj.
Nisma e Presidentit Thaçi, sipas Miftarajt, do të mund të konkretizohej nëse vetë partitë e politike nuk do të lejonin që personat, të cilët janë nën hetime të jenë pjesë e listave zgjedhore.
“Kjo pastaj do të mundësonte që në njëfarë mënyre të ketë njerëz pa dosje penale dhe me një qeverisje potenciale të mirë. Pasi, që personat që nesër mund të zgjidhen qoftë anëtar të Kuvendit, do të kishin dosje të pastër. Sidoqoftë, kjo do të kërkonte në radhë të parë vullnet politik të partive politike, të kryetarëve të këtyre partive, që të sigurohet që personat me dosje penale të mos kenë mundësi që të jenë pjesë e listave zgjedhore”, ka thënë tutje Miftaraj.
Ndryshe, bartës të funksioneve publike nën akuza apo edhe të dënuar për vepra penale në Kosovë aktualisht ka si në nivelin komunal ashtu edhe atë qendror.
Njohësit e çështjeve ligjore kanë potencuar se pavarësisht aktakuzave apo edhe shqiptimit të dënimeve, këta persona kanë vazhduar dhe vazhdojnë të ushtrojnë detyra zyrtare, duke i shfrytëzuar edhe disa zbrazësi ligjore në Kosovë.

Lufta kibernetike ndaj ISIS

Prej disa muajsh, hakerët e qeverisë amerikane e kanë hedhur vështrimin te grupi terrorist Shteti Islamik, për ta zhdukur atë nga hapësira kibernetike, paralelisht me përpjekjet e avionëve amerikanë dhe të koalicionit për ta eliminuar fizikisht. Por, disa prej zyrtarëve që kanë ndihmuar në këtë luftë virtuale, pranojnë se nuk është e qartë se sa të efektshme kanë qenë përpjekjet e tyre kibernetike. Ajo që i shton shqetësimet e zyrtarëve është se Shteti Islamik mund të shfaqë të njëjtat aftësi manovruese dhe përshtatjeje në betejën virtuale të hapësirës kibernetike, siç e ka treguar veten edhe në fushën e betejës.

Shtrirja e suksesit: e pasigurtë
“Lufta në fushën kibernetike po funksionon mirë” – tha këtë javë në Uashington Drejtori i Zbulimit Kombëtar amerikan, James Clapper. “Mendoj se ne jemi duke mësuar nga kjo eksperiencë, përmes një operimi të drejtpërdrejtë” tha ai, “Ndërsa vazhdojmë të përparojmë më tej, do të jemi të aftë të bëjmë një vlerësim më të përcaktuar”.
Deri tani, zyrtarët amerikanë kanë qenë të kujdesshëm kur flasin në publik lidhur me operacionet kibernetike amerikane kundër Shtetit Islamik, megjithëse Sekretari i Mbrojtjes Ash Carter tha në fund të shkurtit, se do të jetë përparësi “ndërhyrja dhe përçarja e komandës, si dhe e kontrollit të ISIL-it”.
Tjetër pikësynim në këtë luftë ka qenë mbingarkimi i rrjeteve kibernetike të Shtetit Islamik, deri në pikën kur ato të mos jenë më në gjendje të funksionojnë.

Ende pa një vlerësim të plotë
Ndërsa zyrtarët e fushës kibernetike refuzojnë të shpallin shumë prej metodave që përdoren, treguesit fillestarë janë se përpjekjet e tyre janë duke patur ndikim, që shihet edhe në praktikë.
“Kjo krijon shumë konfuzion në mesin e tyre”, i tha “Zërit të Amerikës” një zyrtar amerikan, në kushtet e anonomitetit. “Kapacitetet e tyre janë degraduar pikërisht për shkak të këtij konfuzioni”.
Masa e degradimit të këtyre kapaciteteve është pyetja më e vështirë për t’iu përgjigjur.
Sipas një zyrtari të lartë amerikan, që i njeh nga afër operacionet kibernetike kundër ISIS-it, është ende shumë herët që kjo të dihet me siguri. Zyrtari tha se Shtetet e Bashkuara vazhdojnë të jenë në procesin e vlerësimit të marrëdhënies mes rrjeteve kompjuterike të ISIS-it dhe lëvizjes së grupit, si dhe tek ekzekutimet në fushën e betejës, duke shtuar se ky proces do të kuptohet më mirë me shtimin e operacioneve kibernetike.
“ISIL deri tani është përdoruesi më i mirë i fushës kibernentike”, paralajmëroi drejtori i CIA-s, James Clapper. “Sfida jonë është të shtojmë kodimin, që e bën më të vështirë të kuptuarit nga pikëpamja e përmbajtjes, si dhe për të penetruar tek komplotimet e tyre”.

Bosnja, vendi i islamit evropian

“I dashur Zot, ndihmoje dhe mbështete perandorin tonë fisnik Franz Joseph I dhe forcoje ushtrinë e tij. Zoti i dashur, kujdesu për kënaqësinë dhe mbrojtjen e tij dhe mirëqenien e mbretërisë së tij”. Ky është një ekstrakt nga lutja e myftiut të madh të Bosnjës, Xhemaludin Çausheviç. Shkaku i kësaj faljeje para më shumë se njëqind vjetësh ishte lindja e perandorit austro-hungarez dhe mbretit Franz Josef. Që nga viti 1882 Austro-Hungaria ia kishte hequr nga dora sulltanit osman organizimin e jetës fetare të myslimanëve të Bosnjës. Emërimin e myftiut të madh (reis-ul-ulema) dhe të Këshillit të Dijetarëve (ulema mexhlis) e kishte që atëherë direkt në dorë perandori. Në këtë mënyrë u krijua një organizatë dhe hierarki unike e besimit islam në botë.
Bashkësia Islame në Bosnjë dhe Hercegovinë (Islamska Zajednica u Bosni i Hercegovini) dhe institucionet e saj veprojnë sot mbi parimin e shekullarizmit dhe janë autonome. “Autonomia e Bashkësisë Islame ka shumë përparësi për trajtimin e pavarur të çështjeve fetare, por edhe shumë përgjegjësi”, thotë Amir Duranoviç. Historiani boshnjak dhe ekspert në çështjet e Bashkësisë Islame thekson se në dallim me Bosnjë dhe Hercegovinën në shumicën e vendeve myslimane çështjet e fesë rregullohen nga institucionet shtetërore.
Karakteri shekullar dhe i moderuar i myslimanëve të Bosnjës u thellua edhe më tej në ish-Jugosllavi, ku edhe pse feja qe një element i rëndësishëm i identitetit kulturur, ajo nuk luante ndonjë rol të madh në jetën politike dhe shoqërore. Po ashtu edhe me fqinjët katolikë kroatë dhe ortodoksë serbë myslimanët bonjakë i lidhte gjuha e përbashkët dhe kultura.

Lufta si cezurë
Por me fillimin e luftës në vitin 1992 në Bosnjë ndryshoi çdo gjë për myslimanët. Për tre vjet me radhë deri në vitin 1995 ata u bënë objektivi kryesor i një spastrimi sistematik dhe dëbimi etnik, vrasjesh masive dhe të të vetmit gjenocidit në Evropë që nga Lufta e Dytë Botërore. Sipas Qendrës së Sarajevës për viktimat e luftës në Bosnjë, rreth 80% e viktimave civile në luftë ishin myslimanë. Lufta e shtoi për myslimanët në Bosnje-Hercegovinë në mënyrë të konsiderueshme rolin e besimit në krijimin e kombit të tyre. Ashtu si serbët ortodoksë dhe katolikët kroatë më shumë se 90% e myslimanëve boshnjakë në Bosnjë e Hercegovinë thonë se besojnë në fenë e tyre, e megjithatë, feja islame në Bosnje dhe Hercegovinë ka ruajtur ndjeshëm gjurmët e saj evropiane.

Radikalizim në sipërfaqe
Një vizitori nga vendet arabe mund t’i duken mjaft të çuditshëm myslimanët e Bosnje-Hercegovinës: shumë pak gra myslimane mbulohen me shami. Madje as në xhami burrat dhe gratë nuk janë të ndarë në mënyrë rigoroze. Gratë dhe burrat i japin dorën njëri-tjetrit kur takohen e kështu me radhë.
Në të njëjtën kohë po shtohen në media njoftimet se Bosnjë-Hercegovina shërben si bazë e IS-it. Në fakt që nga vitet 1990 dhe pjesëmarrjes së të ashtuquajturve muxhahedinë në luftën e Bosnjës, po rritet edhe ndikimi nga bota arabe dhe Turqisë. Arabia Saudite dhe shtetet e Gjirit Persik kanë ndërtuar xhami të shumta dhe institucione arsimore. Studentë dhe turistë nga Turqia dhe vendet arabe vijnë me shumicë në Bosnje dhe Herzegovinë. Qendrat e mëdha tregtare të ngritura prej investimesh të mëdha arabe janë kthyer në pikat e reja të referimit të qyteteve boshnjake.
Bosnja dhe Hercegovina është një nga vendet evropiane me numrin më të madh të luftëtarëve të IS-it për frymë popullsie. Shumica e këtyre xhihadistëve të vetëshpallur vijnë nga disa fshatra të largët salafistë që tani janë nën vëzhgim rigoroz. Në 20 vitet e fundit islami tradicional boshnjak filloi të provojë konkurrencën e strukturave paralele salafiste. Me këtë konkurrencë bashkësia fetare islame po merret në mënyrë aktive vetëm kohët e fundit – shumë thonë se kjo po ndodh shumë vonë.

Shfrytëzimi i përvojave
Është e qartë se shumica dërrmuese e myslimanëve të Bosnjës-Hercegovinës e refuzojnë ideologjinë salafiste. Pavarësisht religjiozitetit në rritje dhe traumave të luftës, ata këmbëngulin edhe më tej për një mënyrë jetese evropiane. Kjo reflektohet edhe në nivelin e lartë të integrimit, si në Gjermani apo Austri – që krahas Suedisë dhe Shteteve të Bashkuara vazhdojnë të jenë vendet klasike të emigracionit të boshnjakëve. Nëse në perspektivë afatgjatë ndikimin arab në Bosnjë dhe Hercegovinë do të rritet më tej, kjo varet edhe nga evropianët. Për sa kohë që investitorët evropianë do t’i kthejnë shpinën Bosnje-Hervegovinës, asaj do t’i duhet t’i kërkojë donatorët në botën arabe, Turqi dhe Rusi.
Fakti që në një nga vendet më të varfëra të Evropës ndikimi politik apo fetar shkojnë dorë për dore me paratë është i qartë. Myslimanët e Bosnje-Hercegovinës e kanë ruajtur për shekuj autonominë e tyre kulturore. Ata kanë zhvilluar në këtë kohë ndjenjën e nevojshme për bashkëjetesën me fetë e tjera. Ka ardhur koha që BE-ja ta kuptojë këtë – dhe t’i përdorë boshnjakët dhe përvojat e tyre si gurë të rëndësishëm themeli në dialogun evropiano-islamik.

IME-i, Interforca pranon përgjimin e paligjshëm, kush po gënjen për vendin?

Interforca pranon se ka një aparaturë përgjimi, por që shërben për identifikimin e numrave serial së kartave SIM dhe kodin IMEI të aparatit celular ose numrin identifikues të tij. Në fakt, ajo që Interforca ka pranuar dje është një shkelje e hapur e ligjit shqiptar,  pasi Parlamenti e rrëzoi projektin e qeverisë për përgjimin përmes IME-it. Kjo bën direkt përgjegjës shkelësit e ligjit. Kur Tahiri u pyet mbrëmë në lidhje me këtë fakt, ministri nuk dha përgjigje. Ai heshti duke pranuar shkeljen e ligjit.
Ajo çfarë dihet publikisht, ministri Tahiri dhe  titullarët e ministrisë janë shprehur se ajo ka qëndruar në ambjentet e Shkollës së Policisë. Atëherë pyetja që shtrohet është kush dhe pse po gënjen shqiptarët?
Mësohet se të dhënat e Interforca-s janë dërguar pas interesimit të Prokurorisë shqiptare nëpërmjet ambasadës italiane. Në dokumente pranohet ekzistenca e kësaj pajisje. Interforca në letrën e kthimit të përgjigjes, thotë se kjo pajijse ndodhet në zyrat e tyre dhe përdoret vetëm për trajnimin e agjentëve të policisë. Ata thonë, se kjo pajisje ka ardhur në rrugë ligjore në Shqipëri, por është e zhveshur nga të gjitha programet për kryerjen e një përgjimi.
Në shkresën që mban firmën e kreut të Interforcës italiane, Michele Grillo, thuhet se kjo pajisje shërben vetëm për identifikimin e numrave serik të kartës SIM dhe numrin identifikues të aparatit celular që njihet ndryshe si IME-i i telefonit. Kjo pajisje, thotë Grillo në shkresën dërguar prokurorisë, është përdorur në kuadër të bashkëpunimit dhe ndihmës që interforca italiane i jep policisë shqiptare dhe asnjëherë nuk është përdorur për ndonjë operacion policor. Edhe gjatë trajnimeve, thuhet në shkresë, përdorimi i saj asistohet vetëm me ekspert të policisë italiane, pasi pajisja është mjaft delikate.
Italianët sqarojnë prokurorinë, se programet e kësaj pajisje janë ligjëruar edhe nga autoritet policore italiane dhe janë programe që përdoren nga të gjithë vendet e BE-së.
Por në letrën e Interforca-s nuk sqarohet dhe nuk jepet përgjigje mbi detyrimin që policia italiane apo ajo shqiptare kanë që pajisja që futën të përdorej me miratimin e Prokurorisë.

Tahiri , i droguar në “Opinion”

Ministri i Brendshëm është shfaqur mbrëmë në intrevistën e dhënë në “Opinion” në një gjendje të rënduar nga efektet e lëndëve narkotike. Përgjigjet që ai jepte shpesh ishin pa lidhje me pyetjet. Ai refuzonte t’i përgjigjej pyetjeve kryesore të drejtuesit të emisionit duke lënë të kuptohet implikimin në krimin e përgjimeve. Tahiri nuk i përgjigjej pyetjeve se si është e mumjhur që një pajisje e tillë të futej pa lejen e Prokurorisë duke shkelur ligjin, ndërsa një praktikë krejt ndryshe ishte ndjekur një vit më parë. Fevziu i ka kujtuar se një vit më parë një pajisje e njëjtë ishte lejuar që të futej në Shqipëri për interes të policisë me lejen e  Prokurorisë, ndërsa kësaj radhe, ajo është futur në mënyrë të fshehtë. Tahiri nuk i’u përgjigj pyetjes, ndësa shpesh pinte ujë.

Corriere Della Sera: Letra u dërgua nga një i larguar

Pas një letre të mbërritur në Tiranë një ditë më parë me autor Alesandro Panza drejtorin e larguar, disa ditë më parë nga kreu i Policisë Italiane, kanë lindur dyshime të reja. Siç shkruan Corriere della Sera Franco Gabrielli, ish-prefekti i Romës dhe Akuilas, ka marrë zyrtarisht detyrën  mëngjesin e sotëm. E po pikërisht sot në Tiranë mësohet se ka mbërritur edhe letra e nënshkruar nga Panza, i cili sipas të njëjtës gazetë italiane ishte larguar nga detyra që në datën 29 prill, ditë para se të plaste skandali i përgjimeve në Tiranë. “Franco Gabrielli është bërë kreu i Policisë Italiane. Prefekti dhe polici, që më parë ka mbajtur edhe detyrën e drejtorit të Sisde, pastaj prefekt i Akuilas dhe shef i Departamentit të Mbrojtjes Civile dhe që nga prilli i 2015 zbuloi “Mafia Capitale”, që 29 prillit ishte emëruar si kreu i Policisë”, shkruan Corriere Della Sera. Ish drejtori i Policisë Italiane, Alesandro Panza i çon Adriatik Llallës përmes Ambasadës italiane, konfirmon se pajisja nuk është përdorur për asnjë lloj përgjimi dhe se ka qenë gjithmonë në zotërim të palës italiane vetëm për qëllime trajnimi. Sipas ish numrit një të Policisë italiane, me vënien në zbatim të kësaj marrëveshje, në 11 mars të 2016 janë nisur në Tiranë dy operatorë të specializuar nga forcat e policisë italiane me detyrën për të zhvilluar aktivitete ne për trajnimin e policisë lokale. “Në këtë pikë, personeli italian merr me vete, për aktivitet stërvitore të cituara, një autoveturë me në ekuipazh një aparaturë të quajtur ‘IMSICATCHER’, modeli Vortex i prodhuar nga kompania Ercom, e instaluar në brendësi të makinës”. Drejtori i Policisë Italiane, Alesandro Panza, mbyll çdo debat të javës së fundit lidhur me mundësitë që kjo pajisje të jetë përdorur për përgjime të të gjitha llojeve, përfshirë edhe “Ëhatsapp” apo “BBM”.

Tahiri nuk i përgjigjet pyetjes për leje nga Prokuroria për pajisjen

Ministri Tahiri i është shmangur përgjigjes së pyetjes nëse i ka marrë leje apo jo Prokurorit të Përgjithshëm në lidhje me pajisjen e përgjimit që Ministria e Brendshme ka marrë nga Interforca Italiane

Tahiri: “Mbi bazën e një marrëveshje të vitit 2007 të firmosur nga Presidenti aktual Nishani, që në atë kohë ishte Ministër i Brendshëm, ka një marrëveshje me qeverinë italiane për të trajnuar policinë shqiptare

Fevziu: Është pajisje që kryen përgjime apo jo?
Unë nuk jam teknik. Unë nuk jam ekspert teknologjie

Fevziu: Është pajisje përgjimi apo jo?

Tahiri: Policia e Shtetit ka një sërë pajisje por nuk ka asnjë pajisje që ti afrohet përgjimi. Policia italiane ka sjellë një aparaturë që nuk ka mundësi përgjimi.

Fevziu: Morët leje nga Prokurori i Përgjithshëm, edhe për të identifikuar numrin e atij personi që është në kërkim?

Tahiri: Unë jam shumë i qetë. Kjo pajisje as fizikisht….

A e dinit që Balili kishte dosje të pa pastër kriminale?

Tahiri: “Jo”

Po ai ka qenë i arrestuar më parë për trafik?

Tahiri: Po këtë e kishim si të dhënë

Fevziu: Po atëhere pse morri një post të lartë në administratën shtetërore

Tahiri: Ligji I dekriminalizimit…..

Drejtori i Ramës arrestohet në Itali për trafik klandestinësh

Aleksandër Çela, drejtor i Mjedisit në Korçë, është ndaluar nga policia italiane rreth një javë më parë dhe dyshohet se po trafikonte klandestinë sirianë. Burime jo zyrtare i thanë citynews.al se Aleksandër Çela, i njohur edhe si Dashi Çela, një nga drejtuesit kryesor të PS në Pogradec dhe në Qarkun e Korçës, nuk është hera e parë që ndalohet nga policia për trafikun e qenieve njerëzore apo kalimin e paligjshëm të kufirit.
Çela është drejtori i Mjedisit për Qarkun e Korçës si dhe anëtar i Këshillit Bashkiak të Pogradecit, i zgjedhur nga një parti aleate e socialistëve. Në fakt, Aleksandër Çela, është drejtues dhe militant me post drejtori si përfaqësues i PS-së në Qarkun e Korçës, por kandidimi nga një parti e vogël ka ardhur thjesht dhe vetëm për të marrë mandatin e këshilltarit.

Shkarkimi në heshtje nga detyra

Aleksandër Çela është “Rilindasi” i dënuar disa herë, sepse është kapur duke çuar klandestinë në Maqedoni dhe Greqi. Së fundi, Aleksandër Çela është ndaluar në Itali dhe për këtë arsye është shkarkuar nga detyra. Zyrtarët e Partisë Socialsite sapo kanë mësuar ndalimin e tij në Itali, kanë bërë në fshehtësi të plotë shkarkimin Aleksandër Çelës nga posti që mbante. Nga ana tjetër, në mbledhjen e Këshillit Bashkiak të Pogradecit, pak ditë më parë, është lexuar deklarata e dorëheqjes nga mandati i këshilltarit për Aleksandër Çelën. Një deklaratë dorëheqje që nuk tregonte arsyen e vërtetë të largimit, e cila ishte ndalimi nga policia italiane.
Partia Socialsite, krerët e saj, por edhe zyrtarë të lartë të qeverisë janë përpjekur ta mbajnë të fshehtë skandalin me drejtorin e tyre të mjedisit dhe për këtë arsye kanë filluar të lëvizin menjëherë për ta larguar nga posti.

Kush është Aleksandër Çela?

Aleksandër Çela, megjithëse ka qenë i dënuar për klandestinë kandidohet nga PS në vitin 2011 si kandidat për Komunën Dardhas në rrethin e Pogradecit në Qarkun e Korçës. Ai zgjidhet me një diferencë të vogël votash në krye të komunës, por më pas ai dënohet nga Gjykata për fshehje të pasurisë dhe për këtë arsye, në vitin 2011, qeveria e ish-kryeministrit Berisha e shkarkon nga detyra.
Megjithëse njihet si njeri me probleme të forta ligjore dhe i akuzuar dhe dënuar, në vitin 2013 ai emërohet drejtor. Në vitin 2015, në koalicion me Partinë Socialiste, ai gjen një parti të vogël dhe hyn këshilltar në Këshillin Bashkiak Pogradec, duke u zgjedhur nga votat e socialistëve.
Ndalimi në Itali i Aleksandër Çelës ka bërë që qeveria shqiptare dhe zyrtarë socialistë të Qarkut të Korçës të veprojnë direkt, ta largojë nga postet dhe ta mbajnë të fshehur skandalin. Por përgjegjësia morale dhe politike e PS-së me Aleksandër Çelën, nuk fillon dhe mbaron në Itali, por tek kandidimi i tij dhe emërimi në poste publike me mbështetjen  e qartë dhe të pastër të Partisë Socialiste.

Një nga vajzat u përdhunua nga djali i ish-drejtoreshës

Fakte tronditëse po zbardhen nga Prokuroria lidhur me abuzimin e tre vajzave në Jetimoren e Shkodrës. Një nga 3 vajzat e Qendrës Rezidenciale për fëmijë në Shkodër është abuzuar nga djali i ish-drejtoreshës, Albana Llazani. Në këtë përfundim kanë arritur prokurorët që po hetojnë skandalin. Hetimet kanë zbuluar se abuzimi seksual ka ndodhur gjatë një ekskursioni në Razëm.
Në vijim të marrjes së deklarimeve, organi i akuzës zbulon se si një prej tre vajzave të dhunuara u detyrua të heshtte pas rrahjes abuzive nga ish-drejtoresha Albana Lllazani tashmë e arrestuar.
Minorenia 12-vjeçare u ka rrëfyer prokurorëve se është abuzuar seksualisht në ambientet e Qendrës nga një djalë pak më i madh në moshë. Pasi ia ka treguar drejtoreshës së institucionit, reagimi i saj ka qenë akoma më i rëndë dhe tronditës se sa rrëfimi i vajzës së dhunuar. Llazani e ka detyruar të mbyllë gojën dhe të mos tregojë, duke e rrahur në mënyrë brutale me një thupër.
Ish-drejtoresha ishte në dijeni se kush ishte djali që kishte abuzuar seksualisht me të miturën dhe ka kërkuar me insistim që ta mbyllë këtë çështje pa zhurmë. Djali përdhunues ishte i vetë drejtoreshës. Rrëfimi i vajzës ka tronditur prokurorët, e cila në prani edhe të psikologes ka treguar me hollësi të veprimeve të dhunshme të agresorit ndaj trupit të saj të paformuar.
Ekspertiza mjeko-ligjore ka provuar se e mitura është e defloruar (zhvirgjëruar) pa arritur ende moshën e pjekurisë seksuale. Ky skandal i rëndë është munduar të mbahet i fshehtë dhe është zbuluar vetëm gjatë hetimeve të nisura për keqtrajtime ndaj të miturve në Qendrën e Fëmijëve në Shkodër.
Të miturit, gjithnjë nën shoqërinë e psikologut, kanë dëshmuar se kujdestaret e Qendrës iknin me orë të gjata nga institucioni, duke i lënë fëmijët vetëm. Gjatë kësaj periudhe pa kujdestarë, fëmijët meshkuj të moshës më të madhe i detyronin më të vegjëlit të shihnin filma “me pullë të kuqe” në platformën dixhitale televizive që kishin në Qendër. Për më tepër, të miturit detyroheshin që të kryenin të njëjta veprime me ato që kryenin personazhet në filmat për të rritur.
Raporti i Avokatit të Popullit që i është dorëzuar Prokurorisë së Përgjithshme zbulon dhe detaje të tjera të frikshme të dhunës dhe keqtrajtimeve. Fëmijët që rriheshin me këmbët e karrigeve apo që lanin banjot e institucionit.
Sipas dëshmisë së vajzave të dhunuara, ato kanë rrëfyer para hetuesve në prani edhe të psikologes, se detyroheshin që të shikonin filma erotikë. Vajzat e moshave 6, 8 dhe 11 vjeç thanë se në jetimore ka patur një platformë dixhitale dhe fëmijët më të mëdhenj i detyronin që të shikonin filma erotikë, ndërkohë që kujdestarët largoheshin nga qendra për orë të tëra.
I vetmi vend i dyshuar për abuzimin seksual me të miturat, janë familjet që i marrin ato për bamirësi herë pas here gjatë fundjavave apo nëpër festa të ndryshme. Kjo e thellon më tepër skandalin dhe zgjeron rrethin e të dyshuarve nëpër familjet shkodrane.
Prokuroria e Shkodrës ka krijuar dyshime të arsyeshme se, dhuna seksuale ka ardhur për shkak të neglizhencës së personelit të Qendrës Rezidenciale, thuhej në njoftimin e dhënë nga Prokuroria e Përgjithshme. Rezulton se me vajzat e vogla është abuzuar nga persona ende të paidentifikuar, jashtë ambienteve të jetimores.
Prokuroria e Shkodrës ka krijuar dyshime të arsyeshme se dhuna seksuale ka ardhur për shkak të neglizhencës së personelit të Qendrës Rezidenciale. Në qendër jetojnë 35 fëmijë, të gjithë me prindër. Por për shkak të ekonomisë së dobët i kanë sistemuar këtu. Për këtë arsye, ata kanë marrë dhe statusin jetim social. Pas lajmeve për abuzime seksuale, një nënë që në qendër ka sjellë tri vajza, duket e alarmuar.
Drejtori i Shtëpisë së Fëmijës ende nuk është i qartë çfarë ka ndodhur. Ai pret hetimet për ta zbuluar. Ndërkohë, Gjykata e Shkodrës vendosi arrest me burg për pesë zyrtarët e arrestuar mbrëmjen e së mërkurës. Të arrestuarit janë: ish-Drejtoresha e këtij institucioni Albana Llazani dhe katër punonjëse të tjera të jetimores. Ato akuzohen për keqtrajtim të të miturve dhe shpërdorim të detyrës. Gjatë hetimeve të kësaj çështjeje janë pyetur të gjithë fëmijët e institucionit dhe të Qendrës Rezidenciale të Fëmijëve Shkollorë 6-18 vjeç. Paraprakisht rezulton se ata janë dhunuar psikologjikisht e fizikisht.
Shqetësues mbetet fakti se po të njëjtat vajza të mitura ndaj të cilave është abuzuar seksualisht vazhdojnë të jetojnë në të njëjtin institucion me autorët e dyshuar.

Dëshmi tronditëse: Jetimorja ka një tunel ku rrihen fëmijët

Një rrëfim tronditës, që shkon përtej imagjinatës është ai i personazhit në fjalë. Spartak Sofia, është një nga dëshmitarët që ka jetuar në Qendrën e Fëmijës në Shkodër, ndërsa nxjerr një anë të errët të saj, ku sipas tij fëmijët aty dhunohen. “Në atë qendër ka dhunë, na godisnin me shkopinj. E kam ende shenjën në kokë nga rrahja çnjerëzore”, ka deklaruar Sofia. 30-vjeçari nga qyteti i Shkodrës, i cili pjesën më të madhe të jetës e ka kaluar në Shtëpinë e Fëmijës rrëfen për ‘News 24’ se në atë jetimore ushtrohet dhunë, ndërsa që në vogëli atij i ka mbetur shenja në kokë pas goditjes me shkop prej druri nga një punonjëse, e cila tashmë është në pension.
Spartaku tregon edhe një detaj shumë të rëndësishëm teksa thotë se, në pjesën e pasme të institucionit është një tunel ku punonjëset i marrin fëmijët dhe pasi i fusin aty i godasin me çfarë të munden. Si Spartaku ka edhe shumë jetimë, të cilët janë dhunuar në këtë jetimore, të cilët për shkaqe të ndryshme heshtin, pasi kanë frikë që të flasin.
Ditën e djeshme u arrestuan 5 persona, përfshi ish-drejtoreshën e Qendrës së Fëmijëve, pas zbulimit të një skandali, ku 3 vajza të mitura u abuzuan seksualisht.

E mitura: I tregova drejtoreshës për dhunimin, ajo më rrahu me thupër

Një ndër tre vajzat e abuzuara seksualisht në Qendrën Rezidenciale të Fëmijëve në Shkodër dha një dëshmi tronditëse para prokurorëve. Më pak se 12 vjeç, ajo tha se është abuzuar seksualisht në ambientet e Qendrës nga një djalë pak më i madh në moshë. Këtë fakt, ia ka treguar drejtoreshës së institucionit. Reagimi i Albana Llazanit ka qenë edhe më tronditës, se sa rrëfimi i vajzës së dhunuar. Ajo ka marrë një thupër dhe e ka rrahur, duke e detyruar të mbyllë gojën dhe të mos flasë.
Albana Llazani, ish-drejtoresha tashmë e arrestuar me urdhër të Prokurorisë së Shkodrës, është vënë në dijeni se kush ishte djali që kishte abuzuar seksualisht me të miturën dhe ka kërkuar me insistim që ta mbyllë këtë çështje pa zhurmë.
E mitura, e tronditur nga kjo ngjarje ka dëshmuar para prokurorëve në shoqërinë edhe të psikologut, detajet e veprimeve të dhunshme të agresorit ndaj trupit të saj të paformuar. Ekspertiza mjeko-ligjore ka provuar se e mitura është e defloruar (zhvirgjëruar) pa arritur ende moshën e pjekurisë seksuale.
Ky skandal i rëndë është munduar të mbahet i fshehtë dhe është zbuluar vetëm gjatë hetimeve të nisura për keqtrajtime ndaj të miturve në Qendrën e Fëmijëve në Shkodër. Të miturit, gjithnjë nën shoqërinë e psikologut, kanë dëshmuar se kujdestaret e Qendrës iknin me orë të gjata nga institucioni, duke i lënë fëmijët vetëm.
Gjatë kësaj periudhe pa kujdestarë, fëmijët meshkuj të moshës më të madhe i detyronin më të vegjëlit të shihnin filma “me pullë të kuqe” në platformën dixhitale televizive që kishin në Qendër. Për më tepër, të miturit detyroheshin që të kryenin të njëjta veprime me ato që kryenin personazhet në filmat për të rritur.
Një grua, nënë e 12 fëmijëve, dje në mëngjes ka vrapuar e shqetësuar drejt Qendrës Rezidenciale të Fëmijëve në Shkodër, ku ka strehuar 3 vajzat e saj. Në pamundësi për t’i mbajtur ekonomikisht, ajo i kishte dërguar në këtë qendër.
Gruaja me inicialet N. B thotë se edhe më parë kishte përcjellë shqetësimin se fëmijët dhunoheshin brenda në qendër, por kjo ishte mohuar nga ish-drejtoresha e Qendrës. Tashmë është e shqetësuar, pasi nuk di gjendjen shëndetësore të vajzave të saj. Nuk e di nëse edhe ato janë bërë viktima të keqtrajtimeve fizike apo abuzimit seksual. Ajo kërkon që 3 vajzat t’i nënshtrohen një ekspertize mjeko- ligjore, por dhe psikologjike.

Avokati i Popullit: Ngjarjet janë edhe më të rënda se i kemi gjetur ne

Lidhur me skandalin në Jetimoren e Shkodrës, Avokati i Popullit Igli Totozani në një intervistë për Ora News tha se bëhet fjalë për një çështje komplekse. Janë dërguar 2 grupe ekspertësh penalistë dhe psikologë të cilët, pasi kanë përpiluar dosjen ia kanë dërguar Prokurorisë rekomandim për fillimin e ndjekjes penale për “shpërdorimin e detyrës” për dy punonjës të kësaj qendre. Ka qenë Prokuroria e cila më pas me hetimet e saj më të zgjeruara ka bërë që hetimet të zgjerohen më pas në 5 persona “Bëhet fjalë për një hetim dy javor intensiv i Prokurorisë. Vërtet është rasti për ta falënderuar përzemërsisht për punën profesionale”, tha ai.
Sipas Avokatit të Popullit janë disa fëmijë që janë keqtrajtuar. “Rezultati i monitorimit tonë ka mbetur tek ngacmimet seksuale, ndërsa Prokuroria përmes hetimit të saj dhe ekspertëve mjeko ligjor ka arritur të konstatojë që ngjarjet janë edhe më të rënda se i kemi gjetur ne. Bëhet fjalë për disa fjalë, nuk mund të them një numër, por janë më shumë se dy që janë keqtrajtuar dhe janë detyruar të punojnë në atë qendër. Gjithashtu ka implikim të familjarëve, të fëmijëve të njërës prej personave, të cilët janë në ndjekje tashmë nga Prokuroria. Ngjarja është komplekse”, sqaron Totozani.
Ndërkohë, burime nga Policia e Shkodrës bëjnë të ditur se janë marrë në pyetje  3 vajza, 6, 8 dhe 11 vjeç, të cilat dyshohet se janë abuzuar seksualisht në Jetimoren e Shkodrës vajzat kanë rrëfyer se janë abuzuar seksualisht brenda institucionit nga fëmijët e tjerë më të rritur rezidentë në këtë qendër. Ata kanë pranuar abuzimin seksual por dhe ushtrimin e dhunës nga punonjës të këtij institucioni.

R.POLISI

Çfarë ndodhi me Balilin?

Sali BERISHA

Çfarë ndodhi me Balilin? Meqenëse policia greke dhe DEA njoftuan që kishin bërë hetim dhe kishin gjetur se ai është miliarderi i Ballkanit, me drogë, vetë kreu i Balilit në Parlament doli dhe iu tha qytetarëve shqiptarë dhe po ja u lexoj: “Një punë të mirë të Policisë së Shtetit shqiptar, e cila në bashkëpunim me DEA-n amerikane ka marrë pjesë aktive prej muajsh në hetime lidhur me çështjen e linjës së trafikut të drogës, ju e përdorni në mënyrë të paskrupullt për të sulmuar Policinë e Shtetit, për të sulmuar ministrin e Brendshëm, për të sulmuar qeverinë”. Këto ishin fjalët që iu tha Ediskobari shqiptarëve, ky ishte gjoksi që rrahu Ediskobari para shqiptarëve. Kurse zëdhënësi i tij i rendit, Saje Qorri shkroi po atë ditë në FB se “sipas PD, vetë ne, pra Policia e Shtetit dhe DEA dhe policia greke po heton me sukses një grup kriminal të lidhur me ne, me mua dhe me drejtuesit e policisë. Në SHQUP nuk ka kufi as mediokriteti e as makutëria politike për të sulmuar çdo rezultat të policisë. Vërtet kaq naivë i konsiderojnë shqiptarët”.
Kjo ishte deklarata e Saje Qorrit për Eskobarin. Haki Çako, drejtori i Ediscobarit tha sigurisht që kam dijeni. Dëgjoni o zotërinj se, ju dhe dëgjoni dhe harroni, ky është problemi juaj. Se po t’i dëgjoni këto, ju nuk mund të dilni kurrë këtu dhe të bëni avokatinë e tyre. S’i kam thënë unë, po këta këtu mbrapa.
Pra,  në deklaratën e policisë  thuhej “është një operacion i përbashkët në bashkëpunim me agjencinë kundër drogës, me DEA-n e SHBA, me partnerët tanë si policinë greke dhe partnerë të tjerë të Bashkimit Evropian. Është një nga operacionet më të suksesshme të organizuar në bashkëpunim midis strukturave policore në luftë kundër krimit të organizuar”. Mirëpo, Ediskobari ynë, që ka për krenari të mashtrojë qytetarët e vet, t’i përgjigjet me gënjeshtra e trillime për të mbuluar krimet dhe trafiqet e tij, e bën këtë, por Europoli nuk e bën këtë. Europoli përfaqëson Europën, përfaqëson standardin europian të policisë dhe ai, në përgjigje të këtyre mashtrimeve, informon shqiptarët dhe europianët në deklaratën e tij të datës 16 maj se 17 persona janë arrestuar, 11 grekë dhe 6 shqiptarë, që të gjithë ekskluzivisht nga bashkëpunimi midis policisë greke dhe belge, DEA-s amerikane dhe policisë italiane, e përjashtuar tërësisht policia shqiptare pasi kjo polici i kishte thënë policisë greke se Balili është vetë Ediskobari Kryeministër, është i lidhur i paprekshëm dhe se ai nuk mund të prekej. Dhe kur ambasadori ynë bëri marrëzinë e tij, demantoi “CNN” me notë zyrtare, “CNN” nxori letrën e policisë shqiptare ku thuhej se ky (Balili) është i bardhë si bora.
Çështja e Balilit është një çështje tronditëse për Shqipërinë, rajonin dhe Europën, sepse janë po këta që thanë se po e hetonin prej muajsh, këta që deklaruan se ai është i bardhë qelibar, ata që i thanë ik, mbathja nga Shqipëria dhe e përcollën. Pasi me urdhër të Ramës na kërcënoi me gjyq për shpifje, ja mbathi në drejtimin që ja mbathi Arben Frroku tre muaj më parë. Ai ja mbathi, por Ediskobari mbeti këtu, është ky këtu, për çdo shqiptar, për çdo ballkanas, për çdo europian. Pasi ja mbathi bëhet i gjallë i pari Koço dhe ngre akuza ndaj Berishës se po mbron LSI-në. Unë në mënyrën më absolute nuk mbroj asnjeri, por unë nuk mund të them se hekurat që i ka nxjerrë me qindra herë në televizion Ediskobari për ata që s’paguajnë një faturë drite, për ata që lëvizin dy tjegulla në çatitë e tyre, për të mjerët që shesin pesë speca e tri domate, por hekurat i ka Ediskobari, hekurat i ka Saje Qorri, nuk i ka as Edmond Panariti e as Ylli Manjani. Hekurat janë ekskluzivitet i Ediskobarit. Atëherë pse të mos i them unë se ti je Ediskobari? Më thoni ju o qytetarë a e kam gabim apo kam të drejtë? Po pse do t’i them se është i LSI-së në një kohë kur mbrojtjen totale atij ja jep Edi Rama.
Po ku ta di unë se sa para i ka dhënë Ramës ai, ku ta di unë se sa ia ka çuar valixhen me euro në zyrën e tij tek Gysi dhe sekretari i Përgjithshëm i mafies shqiptare, Agaçi? Të dhënat më thonë mua se atje e ka takuar në Rodos, e ka takuar atje me bosin më të madh të drogës në Rodos. Të dhënat më thonë mua se ka darkuar me të dhe Balilin në restorant “Livia” në Butrint, të dhënat më thonë si i ka dhënë koncesionin e Butrintit dhe peshkimit Tore Balilit. Të dhënat më thonë dhe shumë gjëra të tjera, por nuk po merrem me to. Po merrem me këto që janë substanciale. E përcolli në vend tjetër dhe tani si Ponc Pilati një herë nxjerr Koçon e një herë shkuan artikuj anonimë ku thotë s’ka turp PD-ja që nuk sulmon LSI-në për Balilin, një herë tjetër del vetë e kështu me radhë. Balilin e përcolle ti (i drejtohet Ramës) nga Shqipëria së bashku me Saje Qorrin dhe ti je “Ediskobari i Ballkanit”, i ke bërë një njollë të tmerrshme vendit, je bërë shefi i klanit më të tmerrshëm të drogës në Shqipëri dhe ky është një ndëshkim madhor për vendin. E ka shumë të drejtë deputeti që solli letrën, por problemi është se duhej t’i adresohej çimkës, kryeçimkës së vendit. Shiheni të gjithë këtë burrë, ky është çimkë, ky është kryeçimkë.

Rama i dha Ngjelës 5 mijë euro për çimkën ndaj Berishës

Ish kryeministri Berisha bëri të ditur dje në Parlament se Rama ka përdorur Spartak Ngjelën për përgjime.
“E harruat ju të dashur qytetarë kur më dërgoi kryeçakallin Ngjela me orë për të më regjstruar mua kur isha Kryeministër. E shndërroi njeriun në çimkë, e shndërroi hiçin në hiç. 5 mijë euro i futi në gojë njeriut që sa herë e kapin borxhli i fillon diarreja nga goja. 5 mijë euro i dha atij për të mbajtur orën e Çakullit në dorë dhe të më regjistronte, por më nderoi me regjistrimin e tij. Ja ku është çimka, ky është çimkë. Ky është Koleka në miniaturë, ky është shpirtziu në miniaturë.
Po burri që merret me regjistrimin e kundërshtarëve ça burri është? Është një kalec ordiner. Ja pra pse ky është kryeçimka. Pa u bërë Kryeministër përdori të keqpërdorurin e të gjitha kohërave, me një shumë ordinere, për të regjistruar Kryeministrin e asaj kohe.
Këtu u përmend edhe përgjimi. Një akt i shëmtuar. U përpoq të shpëtojë skllavin e tij Ngjela që e poshtëroi në mënyrë ekstreme. Po Ngjelën çimkë nuk e bëra unë. Unë përkundrazi kam respekt për dinjitetin njerëzor, as keni dëgjuar dhe as do të dëgjoni kurrë ju që unë të çimkoj një njeri.
Ndërsa ai e bëri me një 5 mijë euro. Vrapo ai, paraqiti produktin e çimkës, Edi Ramën. Unë nuk po rrëfej disa gjëra të tjera midis tyre, se po t’ua them ato ju do të lemeriseni. Një analizë thoshte diku se ata kanë një raport të veçantë, atë raport të veçantë e di mirë shumë unë, daton në vitin 1991, por në punët e tyre intime unë nuk futem në ato gjëra”.