30.5 C
Tirana
E shtunë, 12 Korrik, 2025

Europol: Shqipëria, jo pjesë e operacionit për Klement Balilin

Ish-Kryeministri Berisha publikoi deklaratën zyrtare të Europol, e cila hedh poshtë pretendimet e ngritura nga Rama se në operacionin e organizuar nga Greqia, me mbështetjen e Belgjikës dhe Europol-it ka pjesë edhe Shqipëria.
Në deklaratën zyrtare të Europol, Shqipëria nuk përmendet në asnjë rresht.
“Më 9 maj 2016, 17 individë (11 grekë dhe 6 shqiptarë) nga një rrjet i organizuar kriminal i përfshirë në një shkallë të lartë të trafikut të lëndëve narkotike u arrestuan në një operacion të koordinuar dhe të drejtuar nga Greqia dhe e mbështetur nga Belgjika dhe Europol.  Kryesisht, rrjeti e kishte bazën e tij në Greqi, ndërsa dyshohet se qindra miliona euro janë fituar duke trafikuar lëndë narkotike në një numër të konsiderueshëm të vendeve europiane. Sasi të mëdha kanabisi dhe kokaine janë trafikuar nga kompani që merren me transportin rrugor të vendosura në Bullgari e Austri dhe kanë shërbyer si kompani kyçe.  Ditën e aksionit, një aksion i gjerë u ndërmor bashkë nga Greqia dhe Belgjika. Nga kërkimet rezultoi një sasi prej 698 kilogramë kanabis e destinuar për t’u trafikuar në Greqi dhe 96.5 kilogramë hashash e destinuar për t’u trafikuar në Belgjikë. 15 persona u arrestuan në Greqi dhe dy në Belgjikë” thuhet në komunikatën zyrtare të Europol. “Hetimet ende vijojnë dhe arrestime të tjera pritet të ndodhin në të ardhmen. Europol po mbështet këto hetime duke lehtësuar analizën kriminale duke ofruar mbështetje operacionale. Focal Point Cola është ekipi i specialistëve dhe analistëve të Europol i dedikuar për gjurmimin e trafikut të kokainës.  Që nga 2001, FP ka luftuar aktivitetet e dyshuara të organizatave kriminale dhe rrjeteve të përfshira në prodhimin, procesimin dhe trafikun e kokainës”, thuhet në komunikatën zyrtare të Europol-it” thuhet në komunikatën e Europol.

Ngjarja

Në mars të këtij viti, autoritetet greke informuan policinë dhe Prokurorinë shqiptare se një shtetas me emrin “Keli” ishte kreu i një organizate narkotrafiku, me shtrirje në disa vende të Europës. Por pas përfundimit të operacionit në Greqi, për palën shqiptare nuk erdhi asnjë provë ndaj të dyshuarve. “CNN” grek bëri të ditur se Klement Balili ka lidhje të forta politike.
Kur ka kaluar një javë nga operacioni me 15 të arrestuar në Greqi dhe dy shqiptarë të prangosur në Belgjikë si pjesë e të njëjtit rrjet, në Shqipëri nuk ka asnjë të dhënë rreth të dyshuarve si krerë të grupit të narkotrafikut. Lidhjet e forta politike të Klement Balilit, të theksuara nga “CNN” grek, mund të jetë një nga arsyet përse DEA dhe Prokuroria greke përjashtuan nga hetimet dhe finalizimi i operacionit palën shqiptare.
Edhe pse fillimisht pala shqiptare kishte bashkëpunim me atë greke në hetimin e këtij grupi, në përfundim gjithçka ndryshoi. Tashmë nuk ka më asnjë dyshim se policia shqiptare janë përjashtuar nga hetimi i këtij rrjeti, pasi nuk e kanë justifikuar besimin e DEA-s dhe autoriteteve greke. Faktet e deritanishme e konfirmojnë këtë gjë, duke hedhur dyshime të forta për rolin e vërtetë të institucioneve të hetimit shqiptar.

Arben Shahini

KQZ fsheh formularët e krimeve e të zgjedhurve të pushtetit në Parlament e Bashki

Dje ka skaduar afati ligjor i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve për të publikuar në faqen e tij zyrtare, formularët e dekriminalizimit. Kryetari i Grupit parlametar demokrat, Edi Paloka denoncoi dje shkeljen e ligjit nga ana e KQZ ndërsa e cilësoi këtë akt si zbatimin e urdhrit të dhënë nga Rama.
“Nëse futeni tani në faqen zyrtare të KQZ, CEC.ORG.AL, do të zbuloni se ky institucion ka shkelur ligjin e dekriminalizimit, duke mos i publikuar të dhënat, pra formularët e vetëdeklarimit, siç e ka detyrim, sipas vendimit numër 17/2016 të Parlamentit.
Kuvendi i Republikës e ka urdhëruar KQZ që ta bëjë këtë publikim, por KQZ nuk e ka bërë. Shkelja e këtij urdhëri, është shërbimi që pjesa e kapur e këtij institucioni, i bën Edi Ramës dhe interesave kriminale.
Po ashtu, ka skaduar afati ligjor i publikimit të listës së funksionarëve që nuk kanë depozituar formularët e vetëdeklarimit, të cilët janë rreth 40 këshilltarë bashkiakë të mazhorancës. 40 funksionarë që po fshehin krimet e tyre.
Eshtë e qartë se, këto nuk janë skadenca kohore, por pengesa kriminale për zbatimin e ligjit të dekriminalizimit.
Partia Demokratike i kërkon sot Komisionit Qendror të Zgjedhjeve të zbatojë ligjin, dhe jo paktin me krimin. Të publikojë të dhënat e të mos fshehë krimet e të inkriminuarit.
Dekriminalizimi është një arritje e madhe e vendit dhe e qytetarëve, e vlerësuar nga ndërkombëtarët dhe nga Shtetet e Bashkuara si reformë model, dhe nuk mundet dhe nuk ka për t’u ndalur dot nga Edi Rama dhe lefteritë e tij” u shpreh Paloka.
Aia theksoi se “çdo pengesë, çdo ndalim që i bëhet dekriminalizimit, është një vepër e rëndë penale, dhe ne i sigurojmë ata që e kryejnë këtë vepër penale se do të përgjigjen deri në një para ligjit”.

Duhej të ishin në burg, të zgjedhurit e Ramës kërcënojnë deputetët me jetë

Edi PALOKA

Nuk po dimë si t’i rendisim skandalet në këtë vend, ka një javë që kjo qeveri është përballë skandaleve nga më të ndryshmet dhe nga më të rëndat. Vetëm në një javë tri skandale të rënda dhe askush nuk jep përgjigje. Askush nuk flet. Vetëm dalin, mashtrojnë. Njerëz që sot duhej të ishin prapa hekurave të burgut, që në momentin e parë që plasi skandali i përgjimit, këta që mashtruan bashkë me drejtorin e policisë dhe drejtuesit e policisë, duhej të ishin pas hekurave të burgut jo të vinin këtu. Tani sapo dëgjuam një kolegun tonë që denoncoi një akt tjetër të rëndë.
Një kryetar bashkie i “Rilindjes”, i mbrojturi i Edi Ramës, ka kërcënuar me jetë një deputet të Kuvendit të Shqipërisë, nuk ka rëndësi kush është ai, është i Partisë Demokratike, i Partisë Socialiste apo ish-Partisë Socialiste. Këtu po të jesh kundërshtar i Ramës kërcënohesh me jetë, burgosesh, të bëhen të gjitha të zezat. Kryeministri qesh, ngërdheshet aty prapa.
Sot unë bëra edhe një deklaratë nga Partia Demokratike. Komisioni Qendror i Zgjedhjeve po shkel ligjin e dekriminalizimit duke mos bërë publike, siç e ka detyrim ligjor, pikërisht formularët e këtyre kriminelëve që mbron ky Kryeministër dhe nuk është as harresë, as pakujdesi. Jo! Janë të lidhur me krimin me urdhër të këtij dhe po shkelin ligjin edhe KQZ nuk po i nxjerr përpara shqiptarëve kush janë të zgjedhurit e këtij, të kaluarën e tyre kriminale.
Sot, në vend që të ishin atje ku e meritojnë, marrin edhe guximin dhe kërcënojnë deputetët me jetë. Normale, sepse është ky, është kryesori, është ky që i mbron, ky i ka vënë aty dhe ky vazhdon t’i mbrojë.
Dhe na flet për drejtësi, për reforma, për ligj, për shtet. Cili shtet? Ai që burgos një baba të mjerë se donte të rregullonte çatinë e shtëpisë së fëmijëve të tij dhe nga ana tjetër e le të ikë kryemafiozin? Cilin shtet? Ai që burgos për 3 mijë lekë të vjetra, një fakir që nuk ka të paguajë dritat dhe lë të bredhin kriminelët. Ky është shteti? Nuk mund ta kalojmë ne z. kryetar kështu. Është e vërtetë që këtu skandalet zënë njëri-tjetrin, por ne nuk mund ta pranojmë, nuk mund të mësohemi me të keqen deri në këtë shkallë.
Të themi, iku edhe një e keqe tjetër, jo! Ka arritur aty ku s’mban më. Ndaj edhe ju si kryetar Parlamenti nuk mund ta kaloni kështu. Ky zotëria sigurisht që nuk guxon të japë përgjigje, origjinalit apo kopjes, ky duhet të japë përgjigje për origjinalin që ka në Kavajë që është kopja e këtij. Ai origjinali i Kavajës është kopja e këtij. Një i gjatë dhe një i shkurtër, por janë të dy siamezë. Për këto duhet të japë përgjigje!

Presidenca: Rama, i paburrë, sjellje ordinere në Parlament

Presidenca ka reaguar ashpër dje ndaj deklaratave skandaloze të Kryeministrit Rama në Parlament, i cili në mënyrë të paprecedent sulmoi dhe fyeu Presidentin, Bujar Nishani. Përmes një deklarate të shpërndarë për mediat, Presidenca  e cilëson sjelljen e Ramës si ordinere dhe një paburrëri të pashembullt, ndërsa i bën thirrje Kryeministrit të lërë retorikën e akuzave
“Institucioni i Presidentit të Republikës është i indinjuar nga sjellja e paprecedent e Kryeministrit aktual në Parlament, i cili duke keqpërdorur aulën e Kuvendit të Shqipërisë fyen dhe shpif ndaj Presidentit të Republikës. Sjellje kaq ordinere nuk ka ndodhur kurrë më parë në sallën e Parlamentit shqiptar. Të fyesh Kryetarin e Shtetit, duke shfrytëzuar një vend ku Presidenti nuk është prezent është paburrëri e pashembullt. Institucioni i Presidentit të Republikës i kërkon Kryeministrit aktual ta lerë më së fundi ‘shoën’ dhe ekzibicionin dhe të fillojë menjëherë nga puna për të cilën është ngarkuar që tre vjet më parë”, thuhet në reagimin e Presidencës.
Presidenca i bën thirrje Ramës që të nisë urgjentisht procesin e dekriminalizimit dhe t’u ofrojë qytetarëve shërbimet për të cilat u zgjodh tre vite më parë. Gjithashtu përmes kësaj deklarate për mediat, Ramës i bëhet thirrje që të heqë dorë nga bllokimi i Reformës në Drejtësi dhe të ofrojë konsensusin e nevojshëm për miratimin e saj.
“Gjithashtu i kërkon Kryeministrit aktual të largojë urgjentisht nga administrata e shtetit individët e përfshirë në veprimtari kriminale. Të krijojë mundësitë për punësim të qytetarëve të vendit, të cilët po vuajnë nga një situatë e rëndë ekonomike. Të luftojë bandat e krimit të organizuar. T’u ofrojë shërbimin shëndetësor publik qytetarëve që vuajnë çdo ditë nga nevoja për trajtim mjekësor. Të luftojë korrupsionin e përmasave shqetësuese në dëm të pasurisë publike dhe private të qytetarëve shqiptarë. Të mos bllokojë reformën e sistemit të drejtësisë, por të ofrojë kompromisin e nevojshëm për miratimin e saj. Institucioni i Presidentit të Republikës beson vendosmërisht se, përtej pengesave provizore, Shqipëria do të ecë përpara drejt forcimit dhe begatimit”, thuhet në reagimin e Presidencës.

Nishani me delegacionin e PE për situatën e rëndë në vend

Presidenti Bujar Nishani zhvilloi një takim me Delegacionin e Parlamentit Evropian kryesuar nga zonja Elly Schlein, që ndodhet në Tiranë për të marrë pjesë në takimin e Komitetit Ndër-parlamentar Shqipëri-BE
Në përgjigje të interesimit të delegacionit të eurodeputetëve lidhur me përmbushjen e 5 prioriteteve kyçe për hapjen e negociatave të anëtarësimit në BE, Kreu i Shtetit u shpreh se Reforma në Drejtësi dhe lufta ndaj krimit të organizuar dhe korrupsionit janë çështje prioritare në agjendën e vendit, duke përcjellë edhe shqetësimin e tij serioz për largimin masiv të shqiptarëve drejt vendeve të BE-së. Duke u pajtuar me konstatimin se kultura politike mbetet ende një sfidë në vend, Presidenti Nishani inkurajoi të gjitha palët për të shënuar sukses në takimin e Komitetit Ndër-parlamentar dhe miratimin e konkluzioneve dhe rekomandimeve që do të dalin prej tij.
Kreu i Shtetit u ripërcolli eurodeputetëve garancinë se, Shqipëria e sheh procesin e integrimit në Bashkimin Evropian si të vetmen alternativë të së ardhmes së saj, dhe në këtë kontekst vlerësoi mbështetjen e pakursyer dhe të plotë që BE i ofron vendit tonë në këtë rrugëtim. Presidenti Nishani theksoi gjithashtu, se është ky proces që përbën çelësin e zhvillimit dhe përparimit të Shqipërisë, dhe se vendi ynë i ka të gjitha kapacitetet e nevojshme për t’ia dalë mbanë. Duke bashkëndarë vlerësimin se është përgjegjësi e palës shqiptare që të realizojë reforma thelbësore për shtet-ndërtimin në vend, Presidenti Nishani vuri në dukje se fjalëkalimi i çdo reforme të suksesshme është vullneti.
Gjatë takimit, Presidenti Nishani ndau me eurodeputetët përshtypjet e shkëlqyera nga vizita zyrtare që zhvilloi më herët në Bruksel, dhe shprehu falënderimet për mbështetjen dhe vëmendjen që i kushtohet Shqipërisë, siç u konfirmua nga Presidentët Tusk dhe Schulz.

Eurodeputetët: Shqipëria po humbet shansin e anëtarësimit në BE

Raportuesit e PE për Shqipërinë, Eduard Kukan dhe Knut Fleckeinstein deklarojnë se nëse Reforma në Drejtësi nuk miratohet, atëherë Shqipëria humbet shansin e saj për t’u anëtarësuar në Bashkimin Europian
Nisi mesditën e djeshme në Tiranë takimi i 10-të i Këshillit të Asociim-Stabilizimit Shqipëri-Bashkimi Europian, i cili do të zgjasë edhe gjatë ditës së nesërme. Gjatë fjalës së tij raportuesi për Shqipërinë në Parlamentin Evropian, Knut Fleckenstein deklaroi se Shqipëria duhet të ecë përpara me miratimin e reformës në gjyqësor, pasi në të kundërt mund të humbasë shansin e anëtarësimit në BE
“Kemi 5 apo 6 javë deri në fund të qershorit, që të jeni sa më konstruktiv, sepse nuk është gabimi juaj, por i yni që nëse nuk arrini marrëveshje për Reformën në Gjyqësor mund të shtyni diskutime të rëndësishme për disa vite. Kjo nuk bëhet për të ndëshkuar Shqipërinë, por se ne jemi të dobët në BE. Nuk është koha e duhur për anëtarësime spektakolare, kjo është e vërteta edhe pse s’më pëlqen. Na lejoni të bëjmë më të mirën që të mos e humbni këtë shans, ju uroj më të mirën, duhet të vendosni ju. Nuk duhet ta humbim këtë shans. Miratimi i reformës nuk është i pamundur”, tha ai. Ndërsa, europarlamentari Eduard Kukan ka qenë më i drejtpërdrejtë në apelin e tij, kur tha se politika shqiptare në tërësi ka përgjegjësi për këtë reformë dhe se duhet të gjejnë konsensusin për miratimin e saj.
“Ia vlen të përmendim se pjesa më e madhe e Parlamentit e vlerëson progresin e bërë deri më tani, e konfirmuar edhe nga rezoluta e muajit prill. Ju kujtoj angazhimin e PE për procesin e reformave të Shqipërisë. Mund ta kujtoni se unë e zoti Fleckenstein vizituam Shqipërinë për të mbështetur punën në Reformën e Gjyqësorit, e di që ka shumë diskutime për këtë temë, por jo mjaftueshëm. Komuniteti ndërkombëtar, Europa dhe SHBA mbështesin Reformën në Drejtësi me ekspertizë dhe këshilla. Mbështetja e komisionit për draftin, në përgatitjen e reformës për të lehtësuar konsensusin politik.
Në këtë sens do të doja të mirëpres dëshirën për të vijuar me reformën, e duan edhe 90% e shqiptarëve këtë reformë. Është thënë shumë për nevojën e reformës, ka marrë vëmendje të paprecedentë. Rëndësia e saj është e qartë, ajo që duhet të përmendet është se bëhet fjalë për një reformë komplekse, ngritjen e rregullave të reja. Proces që ndihmonte Shqipërinë të forconte shtetin ligjor dhe hapjen e negociatave. Të mos nënvlerësohet dialogu politik. Kjo duhet të miratohet me mbështetje të gjerë, i gjithë spektri politik ka përgjegjësi. Të gjithë politikanët ta kenë parasysh se kanë përgjegjësi. Të gjejnë konsensus për amendamentet kushtetuese, është në duart e tyre”.

Arben Shahini

Tahiri ka shndërruar policinë në kupolën e mbrojtjes së krimit

Deputeti i Partisë Demokratike, Flamur Noka akuzoi ministrin e Brendshëm, Saimir Tahiri se e ka shndërruar policinë në një kupolë në mbrojtje dhe një shërbim të njerëzve të krimit dhe drogës, siç tha ai. “Tahiri e mori policinë, e shndërroi në pronare të parcelave të drogës, kupolë policie e menaxhuar nga Frrokajt, që e menaxhonte dhe ju shërbente Habilajve, kupolë të Shullazëve, kupolë policie në shërbimin dhe mbrojtjen e Balilajve që tani erdhi në skandalin e përgjimeve të paligjshme. Çfarë rezultoi nga kjo? Se drejtori i policisë ishte memec dje në seancën dëgjimore, mohonte ekzistencën e përgjimit, erdhi ky dhe kërcente si karkalec, iku se si përballonte dot pyetjet. Një gjë rezultoi e vërtetë se drejtori tha kjo pajisje s’ka punë me policinë, ministri tha se është, por nuk përdoret për përgjim. Mos vallë është përdorur nga një polici private, bandash siç e ka kthyer ky kupolën? Ky është ushtari më i bindur i Shullazit”, tha Noka. “Pse nuk përmend as Balilin, Shullazin as Habilajt. Është bërë publike ekzistenca e një pajisje përgjimi e futur në mënyrë të paligjshme, ajo është rrezik serioz për republikën shqiptare, ekzistenca ilegale”, shtoi ai. Më tej, Noka tha se kjo pajisje thuhet se mund të merrte IMEi-n, duke shtuar se, Tahiri duhet të shkojë në burg, pasi marrja e IMEi-t është antikushtetuese. Duke u ndalur tek pajisja, Noka tha se ajo ka hyrë në Tiranë. “Pajisja e përgjimit ka hyrë me BMW të zezë X5, ka lëvizur nëpër Tiranë”. Noka sqaroi dhe atë që ai e cilëson si lidhje të ministrit Tahiri me Klement Balilin, të njohur ndryshe si Eskobarin e Ballkanit. “Zagani përmendi që drejtori i Policisë së Vlorës me urdhër nga lart më urdhëroi të mos afrohem tek një vilë dykatëshe në Borsh, është çerdhja e trafikut të Balilajve është në pronësi të Spiro Dalanit, aty bëheshin dallaveret e trafikut të drogës dhe nga drejtuesit e lartë që shkonin tek ky zotëria, (Tahiri). Këtë gjë e di gjithë Jugu, shkoni në Borsh se jua thonë të gjithë”, tha ndër të tjera deputeti demokrat.

Rënia e konsumit dhe taksat e larta, bizneset tregtare në krizë

Kërkesa e bizneseve tregtare për kredi në Tiranë ka shënuar një rënie të fortë në tremujorin e parë të këtij viti, sipas statistikave tremujore të Bankës së Shqipërisë. Sipas të dhënave, në fund të marsit, huaja për tregti në kryeqytet ra me 1.6 miliardë lekë, apo me rreth 2%. Tkurrja e huasë në këtë segment ka dhënë ndikimin kryesor në rënien e kredisë për biznesin në Tiranë, por dhe në gjithë Shqipërinë (huaja totale për Tiranën ra me 1 miliardë lekë dhe ajo për gjithë vendin me 999 milionë lekë).
Kategoritë e tjera të bizneseve, si në Tiranë ashtu dhe në rrethe kanë reduktuar apo rritur lehtë huanë, ndërsa vetëm për tregtinë në kryeqytet është konstatuar kjo rënie e thellë.
Në Tiranë është dhënë gati 80% e stokut total të huasë në vend. Huaja për tregtinë, po në kryeqytet, në fund të marsit 2016 përbënte 25% të totalit të kredisë gjithsej në vend dhe 31% të stokut të dhënë në kryeqytet.
Në kryeqytet ndodhen dhe pjesa më e madhe e bizneseve tregtare që ushtrojnë aktivitet në vend. Së fundmi, kriza e konsumit, e konfirmuar edhe zyrtarisht (sipas INSTAT konsumi privat ra me 0.2% në 2015-n për herë të parë që nga viti 2001) dhe pasiguria nga taksat e larta vendore, që për bizneset e mëdha e të mesme janë rritur me disa herë, duket se e kanë vënë në pritje këtë sektor që është mjaft i rëndësishëm përsa i përket vetëpunësimit.

Rënia e konsumit

Shqipëria dhe Serbia janë dy shtetet ku konsumi privat ka qenë negativ në vitin 2015, përkatësisht me -0.2% dhe -0.6%. Të dhënat bëhen të ditura në tabelat e publikuara nga Komisioni Europian në raportin e tremujorit të parë 2016, për vendet kandidate dhe potenciale kandidate. Të gjitha vendet e tjera i janë “gëzuar” një konsumi privat në rritje, që ka qenë më i lartë në Kosovë me 4.9% dhe në Maqedoni me 3.2%. Edhe Mali i Zi e Bosnja kanë shënuar vlera pozitive, ndonëse në nivele të ulëta.
Serbia ka vuajtur nga një konsum negativ vitet e fundit, madje në 2015-n ritmi i rënies është ngadalësuar.
Ndërsa në Shqipëri sipas të dhënave më afatgjata nga INSTAT (që u referohet dhe Komisioni Europian) konsumi privat në vitin 2015 ka kaluar në territor negativ për herë të parë që nga viti 2001.
Sipas të dhënave tremujore të INSTAT, në Shqipëri, konsumi ishte në territor negativ në dy tremujorët e parë të vitit, përkatësisht -1.1% dhe -3%, për t’iu kthyer rritjes pozitive në gjysmën e dytë të vitit, përkatësisht me 1.74% dhe 2.42%. Teksa kjo periudhë përkon me fillimin e luftës ndaj informalitetit dhe rritjen e deklarimit të xhiros nga bizneset (kryesisht ato tregtuese të vogla) është e vështirë të bëhet ndarja nëse ky zgjerim konsumi ka qenë real apo fiktiv.
Ndërsa konsumi gjithsej (përfshirë dhe administratën publike) shënoi një rënie prej 0.5% në 2015-n, për herë të parë që nga viti 1998, teksa dhe administrata publike e kishte këtë tregues negativ. Banka e Shqipërisë shpreson që konsumi privat do të jetë një nga faktorët që do të orientojë rritjen në vitin 2016.

Kreditë për individitët

Janë vetëm banorët e Tiranës ata që kanë arritur të marrin një hua në bankë në tre muajt e parë të këtij viti, sipas statistikave tremujore të Bankës së Shqipërisë. Nga 1.6 miliardë lekë, që ka qenë shtesa e huasë në tremujorin e parë, në raport me fundin e vitit për gjithë vitin, në Tiranë ajo është rritur me rreth 1.7 miliardë lekë, ndërsa në rrethet e tjera është ulur lehtë.
Pjesa më e madhe e huasë që është dhënë në Tiranë për individët ka qenë për blerjen e pasurive të paluajtshme (72% e totalit). Huaja në kryeqytet është gjallëruar lehtë vetëm në tremujorin e parë të 2016-s, pasi kishte qëndruar konstante apo në rënie të lehtë gjatë gjithë vitit 2015.
Të dhënat e Bankës së Shqipërisë tregojnë se qytetarët e rrethev të tjera i kanë qëndruar larg bankave në muajt e parë të këtj viti, madje dhe kanë ulur ekspozimin e tyre, teksa stoku I kredisë ka rënë në disa qytete si Elbasan, Fier Korçë etj.
Në Tiranë është dhënë 60% e stokut të huasë për individë gjithsej. I dyti është Durrësi, me rreth 8% të totalit.
Në fund të vitit 2011 kredia për individë shënoi rënie të ndjeshme në vend, kryesisht si rrjedhojë e uljes së huave për shtëpi. Ajo u gjallërua sërish në 2014-n për të rënë më pas në vitin 2015 dhe duke njohur rigjallërim në tre muajt e parë të këtij viti.

Protesta para kryeministrisë, ARMO-s, mjerimi i 1200 punonjësve 10 muaj pa paga

Teksa Parlamenti po ziente nga debatet e deputetëve me njëri-tjetrin, pakkush e kishte mendjen pak metra më tej, aty ku dje paradite kishte zbritur mjerimi i mijëra punonjësve të rafinerisë së naftës ARMO, që po vuajnë pasojat e falimentit të një prej kompanive më të mëdha në vend. Ministri Gjiknuri ngre duart: Është privatizim i dështuar, kompani e falimentuar, nuk e shtetëzojmë dot. E vetmja gjë që mund të bëhet është ristrukturimi. Fatmir Bala është një nga 1200 punonjësit e rafinerisë së naftës, ARMO, i cili nuk ka marrë pagën prej 10 muajsh ndaj ka vendosur të protestojë para kryeministrisë për disa ditë më radhë. Aty e gjetëm edhe sot, përballë indiferencës së parlamentarëve, që ishin shumë të zënë duke u marrë me njëri-tjetrin.
Jeta e Fatmirit ka qenë e lidhur më industrinë e naftës dhe rroga ishte burimi i vetëm të ardhurave për familjen. Tani e ka të vështirë të sigurojë ushqimin e përditshëm për të paguar faturat e dritave dhe ujit dhe nuk po siguron as mbijetesën. Ai ende punon në Pontilin e Vlorës dhe në këto dy vite e fundit ka qenë dëshmitar i humbjes së katër kolegëve. “Ju nuk e dini, punonjësit e ARMOS-s nuk e gëzojnë pensionin. Kolegët e mi pothuajse të gjithë kanë vdekur në prag të pensionit dhe ose pak vite më pas. Punojmë në mes të squfurit dhe helmeve. Këta që janë gjallë janë gjithë sëmundje, pinë një barrë ilaçe në muaj”, tha Fatmiri më zë të fikur nga dhimbja teksa dhjetëra të tjerë e shoqëruan me ankesa.
Meçan Duraj është një tjetër histori tragjike. Ai është një mekanik profesionist dhe la Greqinë pak vite më parë për t’u kujdesur për prindërit e plakur në Fier. Fati e deshi të fillonte punë në ARMO dhe rroga ishte e mirë. Tani ka dy fëmijë të rritur, që ndjekin shkollën e mesme. Ka 11 muaj pa marrë rrogën, shpesh i është dashur t’i vërë kalamajtë në gjumë pa bukë. Nuk paska dhimbje më të madhe se kjo, shprehet, i fyer teksa ka dëgjuar edhe kryeministrin të thotë se vende pune ka, por nuk ka profesionistë.
Bashkë me 700 punonjës të tjera të ARMO-s, ata u ulën sot në sheshin para kryeministrisë. Kupa u mbush nuk mban më. Përballë nuk ka kush ti dëgjojë. I kanë informuar se Kryeministri është në Vlorë. Por në fakt është vetëm një kilometër larg tyre në sallën e Kuvendit duke shkëmbyer batuta me opozitën dhe Blushin.
Punonjësve në shesh iu ka mbërritur thika në palcë, borxhet për secilin janë 7-10 milionë lekë të vjetra. Ata e dinë që kanë punuar në një kompani private, por bëjnë qeverinë fajtore. Ende sot shteti shqiptar ka në pronësi 15 për qind aksioneve të ARMO-s dhe qeveria duhet të kishte ushtruar kontroll të paktën mbi kompanitë që po e shfrytëzojnë sot e kësaj ditë.
Që nga 2013 deri në mesin e 2015, Azerët kanë përpunuar 650 mije tonë naftë. E kanë shitur të gjithën. Ata e kanë ende në administrim. Ku i kanë paratë pse nuk na paguajnë, thonë punonjësit të dëshpëruar duke u shprehur se, ARMO është një strumbullar i madh abuzimesh dhe korrupsioni, i qeverisë me kompanitë që e kanë shfrytëzuar, por të paktën të na japin rrogat, shprehen punonjësit.

Borxhet 590 milionë dollarë

Kompania e rafinerisë së naftës, 15% të aksioneve të së cilës zotërohen nga shteti dhe 85% nga azerët e Heany Assets Corporation, është kreditori më i madh i keq i vetëm në Shqipëri.
Në fund të tremujorit të parë të 2016, detyrimet e kompanisë ARMO në total kanë arritur në 595 milionë dollarë sipas burimeve në Ministrinë e Energjetikës. Borxhet e kompanisë janë rritur në mënyrë të frikshme, teksa pronarët e kompanisë nuk janë prezentë, ndërsa punonjësit vijojnë protestat për mos marrjen e pagave prej muajsh.
Të njëjtat burime bëjnë dije se, nga totali i detyrimeve afërsisht 300 milionë dollarë janë kredi bankare dhe pjesa tjetër e borxheve ndahet ndërmjet Albpetrolit, tatim-taksave, të tretëve dhe punonjësve. Teksa ish- kompania shtetërore e naftës ka krijuar ajsbergun e borxheve rafineritë e saj kanë qenë në punë qysh nga privatizimi i saj. Por duket se, problematika e saj është përtej aftësive në administrim.

Monitor.al

Ndikimi i zbatimit të MSA në ekonominë e Kosovës

Ekspertë të çështjeve ekonomike dhe përfaqësues të bizneseve në Kosovë japin mendime të ndryshme lidhur me ndikimin e zbatimit të Marrëveshjes së Stabilizim Asocimit në gjenerimin e vendeve të punës. Përderisa ekspertë të ekonomisë shprehen të bindur se zbatimi i MSA-së, do të mundësojë krijimin e vendeve të shumta të punës, përfaqësuesit e bizneseve janë skeptik se kjo do të mund të ndodh. Eksperti i çështjeve ekonomike, Naim Gashi në një prononcim dhënë për Radion Evropa e Lirë, ka theksuar se krijimin i vendeve të reja të punës do të ndodh si rezultat i ardhjes së investitorëve të huaj në Kosovë. Sipas Gashit, këta investitorë potencial që do të investonin në Kosovë do të hapnin mijëra vende të punës, andaj edhe do të zhvillonin sektorin e prodhimit dhe më pas prodhimet e tyre do t’i eskortonin në Bashkimin Evropian.
“Funksionalizmi i MSA-së ka hapur shtigje të reja për prodhuesit kosovarë, por gjithashtu edhe për investitorët e jashtëm, për arsye se Kosova është bërë pjesë e një tregu prej 500 milionë konsumatorë në mbarë Bashkimin Evropian. Kompanitë nga Kosova tani më kanë qasje të pakufizuar në një treg prej 500 milionë banorë dhe kjo hapë mundësi të reja jo vetëm për afarizëm, por edhe në hapjen e vendeve të reja të punës”, thekson Gashi. Marrëveshja për Stabilizim Asocim ndërmjet Bashkimit Evropian dhe Kosovës ishte nënshkruar më 27 tetor të vitit 2015, derisa ka hyrë në fuqi më 1 prill të këtij viti. Në kuadër të Marrëveshjes së Stabilizim Asocimit, Komisioni Evropian, nëpërmjet fondeve të Instrumentit të Para-Anëtarësimit (IPA), deri në vitin 2020 do të investojë në Kosovë, mbi 600 milionë euro.
Komisioneri për Politikë Evropiane të Fqinjësisë dhe Negociata për Zgjerim, Johannes Hahn, gjatë një konference që ishte zhvilluar të martën në Prishtinë ka theksuar se Marrëveshja e Stabilizim Asocimit është mundësi shumë e madhe për gjenerimin e mijëra vendeve të punës. Por, lidhur me këtë përfaqësuesit e bizneseve në Kosovë, konsiderojnë se numri edhe më i madh i produkteve të vendeve të Bashkimit Evropian, të cilat do të hyjnë në Kosovë, do të mund të ndikojnë në uljen e nivelit të prodhimit në Kosovë. Kryetari i Aleancës Kosovare të Biznesve, Agim Shahini, ka thënë se MSA-ja është një perspektivë për vendet e zhvilluara dhe vendet që kanë politika zhvillimore më të avancuara, sesa Kosova.
“Deklarimet e komisionarit Hahn se MSA-ja hap vende të reja të punës duhet të merren me rezerva. Nëse ka investime dhe ka eksport të prodhimeve kosovare atëherë mund të ketë vende të reja të punës, pasi që do rritet kërkesa për prodhim. Megjithatë, kjo e ka edhe pjesën tjetër se mund të mbyllen vende të reja të punës, për shkak të konkurrencës që do të vjen nga kompanitë e fuqishme të BE-së”, thotë Shahini. Kohë më parë, edhe drejtori ekzekutiv i Këshillit të Investitorëve Evropian në Kosovë, Shpend Balija, pati thënë për Radion Evropa e Lirë, se ulja e nivelit të prodhimit tek kompanitë vendore, mund të vijë nga konkurrenca e madhe e produkteve të vendeve të Bashkimit Evropian. Sipas tij, kjo ulje e prodhimit, mund të lë pa punë shumë të punësuar në këto kompani./Rel

Zvicra, Petkoviç preferon 6 shqiptarë

6 futbollistë shqiptarë në listën paraprake të Zvicrës për finalet e “Euro 2016”. Ndër 28 lojtarët që do të grumbullohen nga Vladimir Petkoviç në kuadër të përgatitjeve për eventin madhor të futbollit që do të zhvillohet në Francë, nuk mund të mungonin Granit Xhaka dhe Xherdan Shaqiri, por as Blerim Xhemaili, Valon Behrami dhe Admir Mehmedi, ndërsa risi mund të konsiderohet përfshirja në listë e Shani Tarashajt, sulmuesit të Evertonit, që në pjesën e dytë të sezonit luajti në formë huazimi te Grasshopers. Ndër të vetmit lojtarë me origjinë shqiptare i mbetur jashtë përfaqësueses helvetike është Pajtim Kasami, aktualisht pjesë e Olimpiacos në kampionatin grek.
Petkoviç çuditërisht nuk ka preferuar Gokhan Inler, i saposhpallur kampion i Anglisë me Leicesterin. Në këtë listë paraprake janë 4 portierë, 10 mbrojtës, 9 mesfushorë dhe 4 sulmues, pesë prej tyre do të mbeten jashtë listës, kur trajneri serb të vendosë për 23 lojtarët me të cilët do të udhëtojë drejt Francës. Sfida e parë e Zvicrës në Grupin A do të jetë ajo me Shqipërinë me 11 qershor në stadiumin e Lensit.
Po zhduken nga dita në ditë enigmat e përfaqësimit të Shqipërisë në Europianin 2016, me trajnerin Gianni de Biasi që ka ravijëzuar listën provizore të turneut të kësaj vere, të cilën do ta zyrtarizojë këtë të hënë. Por në pritje të formalizimit, duket se edhe dëshirat kryesore dhe preferencat e tifozëve shqiptarë, përkojnë me zgjedhjet eventuale të teknikut të kuqezinjve. Etrit Berisha, Lorik Cana, Sokol Cikalleshi apo Shkëlzen Gashi janë më të votuarit për listën e Europianit 2016 që nis muajin tjetër.
Këta lojtarë së bashku me Sadikun, Xhakën apo Abrashin, janë mes më të pëlqyerve nga mbështetësit shqiptarë. Bie në sy votimi i lartë i Alban Mehës, mesfushorit të Koniaspor që me të gjitha gjasat do të jetë jashtë Europianit, duke parë zhvillimet e fundit. Në forume të ndryshme, ndërkohë qarkullon një shkresë e FSHF-së, e cila zyrtarizon “de facto” lojtarët e seleksionit për turneun transalpin, duke i kujtuar klubeve respektive që të mos i publikojnë detajet para 23 majit.
Shqipëria do të luajë premierën historike në një europian më 11 qershor ndaj Zvicrës në Lens në orën 15:00. Më pas, kuqezinjtë do të impenjohen ndaj Francës në stadiumin “Velodrom” të Marsejës, e më pas ndaj Rumanisë në Lion më 19 qershor.

James te Juventus

Të shtunën, Juventusi do të luajë ndeshjen e fundit të këtij sezoni, pasi do të sfidojë Milanin në finalen e Kupës së Italisë, por në shtëpinë bardhezi nuk mendojnë vetëm për duelin ndaj kuqezinjve, por edhe për merkaton. Shumë gjëra do të varen nga ajo çfarë do të ndodhë me të ardhmen e Alvaro Moratës, por nëse sulmuesi spanjoll largohet për t’u rikthyer te Reali i Madridit, është e sigurtë që kampionët e Italisë do të blejnë të paktën një futbollist të madh. Gazeta “Corriere Dello Sport” së fundmi ka raportuar për një interesim të mundshëm të Juventusit për mesfushorin kolumbian të Realit të Madridit, James Rodriguez. Në ditët e ardhshme do të ketë një takim mes drejtuesve të Los Blancos dhe atyre bardhezi për të disktuar çështjen Morata, dhe pikërisht në këtë takim, Juventusi do të tentojë të bindë klubin merengues të lejojë transferimin e James në Torino.
Mesfushori i Los Cafeteros nuk po kalon një moment të mirë në Madrid, pasi në këtë sezon si me Benitez, ashtu edhe me Zidane në drejtim ka gjetur shumë pak hapësira në formacionin e Realit, dhe kjo është një nga arsyet kryesore që Rodriguez po mendon largimin nga kryeqyteti spanjoll. Juventusi konsiderohet si një opsion i mirë për të vijuar karrierën nga ana e futbollistit kolumbian, por pengesë në këtë operacion merkatoje mund të bëhet shifra e lartë që kërkojnë Los Blancos për James. Drejtuesit e Realit duan të përfitojnë mbi 70 milionë euro nga shitja e tij edhe pse në shtëpinë bardhezi shpresojnë që gjithçka të mbyllet me sukses për një shumë jo më të lartë se 60 milionë euro.
Paulo Dibala nuk kënaqet me pak, përkundrazi, ka objektiva konkretë edhe për sezonin e ardhshëm. Pas fitores së Superkupës së Italisë dhe ndërkohë të kampionatit, sulmuesi argjentinas kërkon ta mbyllë në mënyrën më të mirë këtë sezon, duke fituar edhe Kupën e Italisë, kundër Milanit. “E kemi nisur këtë sezon duke fituar Superkupën ndaj Lacios, të luajtur në Shangai, një emocion i veçantë për mua, ndonëse atë nuk do ta krahasoja kurrë me suksesin në kampionat. Por këtë vit të parë te Juventusi dua ta mbyll ashtu siç e nisëm, duke festuar. Do të ishte e drejtë dhe ndoshta e detyrueshme që ta mbyllnim rrethin, duke fituar edhe Kupën e Italisë. Vetëm kështu ky sezon i parë si juventin do të kurorëzohej në mënyrën e duhur”, u shpreh Dibala.
Ai tha më tej se nuk i interesojnë kundërshtarët. “Unë mendoj për skuadrën time. Ne punojmë për të qenë superiorë kundrejt çdo rivali në fushën e lojës, sepse vetëm kështu mund të fitohet. Nuk po them që e nënvlerësoj Milanin, thjesht e respektoj. Në 90 minuta gjithçka mund të ndodhë, ndonëse unë jam i sigurt se ne jemi shumë më të fortë se ata, shpjegon Paulo Dibala, i cili në lidhje me interesimin e Realit të Madridit në orët e fundit, ai e pret shkurt”, tha ai.