28.5 C
Tirana
E enjte, 21 Gusht, 2025

Pajisja e përgjimit e padeklaruar, fillimisht u vendos në Vlorë

Drejtori i Shërbimit Informativ të Shtetit, Visho Ajazi Lika raportoi dje në Komisionin e Sigurisë Kombëtare se pajisja e përgjimit që ndodhet në Drejtorinë e Policisë së Shtetit ka hyrë në Shqipëri pa lejen e Prokurorisë.
Kreu i Shërbimit Informativ deklaroi se ajo pajisje nuk ishte deklaruar në kufi.
“Dy muaj të shkuara morëm informacion se një pajisje kishte ardhur në Shqipëri. Ne u informuam që ajo pajisje ishte vendosur në Vlorë për trajnim. Se çfarë është kjo pajisje të gjithë mund ta shohin në internet.
Ajo pajisje na thanë se nuk ishte deklaruar. Për këto arsye, i shqetësuar se një pajisje e tillë mund të përdorej në mënyrë të paligjshme, raportova te prokurori i Përgjithshëm. Kaq informacion kishim ne. Lidhur se me çfarë është thënë në media, ne refuzojmë të shkojmë publikisht se kemi punën tonë.
I kërkuam Prokurorisë të marrë informacione më shumë për këtë pajisje. Për asnjë moment ne nuk kemi kërkuar të zbulojmë si përdoret kjo pajisje se ne nuk kemi tagër. Është tagri i Prokurorisë, i vetmi informacion që kishim është që pajisja kishte hyrë në Shqipëri dhe përdorej për trajnim nga policia italiane për policinë shqiptare. Të gjitha të tjerat janë nga Prokuroria, s’kemi asnjë informacion kush është përgjuar dhe si është përgjuar”, u shpreh në hyrje të fjalës së tij Visho Ajazi Lika.

-Kjo pajisje lejohet këtu? Është e ligjshme?
Nuk është në tagrin e shërbimit për të përcaktuar ligjshmërinë e saj. Organi i vetëm që ne njohim për përgjim parandalues është Prokuroria e Përgjithshme. Është ajo që përcakton nëse pajisje të tilla duhen përdorur. Kjo pajisje nëse hyn në Shqipëri, Prokuroria duhet të japë OK e saj. Unë e kam raportuar vetëm te Prokurori i Përgjithshëm këtë, më vonë kam biseduar edhe me institucione të tjera të shtetit.

-Pajisja është përdorur për trajnim apo keni informacione se është përdorur për përgjim? Prokurorin e Përgjithshëm e informuat me shkresë? Cilin drejtues të lartë të shtetit keni informuar? Keni kontaktuar ministrin e Brendshëm?
Ne nuk kishim informacion për çfarë është përdorur pajisja përderisa dinim se kishte shkuar për trajnim. Nuk kemi informacion që është përdorur për përgjim. Pas prokurorit të Përgjithshëm jam thirrur nga Presidenti. Nuk kam kontaktuar me ministrin e Brendshëm.

-Kush ka tagër të bëjë përgjim? Punonjësit e policisë që trajnohen? Çfarë kapaciteti ka kjo pajisje? Ka të drejtë ministri i Brendshëm ta përdorë pa lejen e prokurorit?
Është një pajisje e domosdoshme për të gjitha agjencitë e zbatimit të ligjit. Është krejt legjitime për ta pasur atë. Nuk e kam parë asnjëherë këtë pajisje, nuk kam informacion për kapacitetet. Pajisje të tilla janë mjaft të fuqishme.

-Në katër vjet ka pasur pajisje të tjera që kanë cenuar sigurinë kombëtare? Pse nuk e keni informuar Kryeministrin, pse nuk e keni zbatuar ligjin?
Për pyetjen e parë ruaj diskrecionin për t’u përgjuar. Duke informuar prokurorin e Përgjithshëm që është personi përgjegjës për përgjimet, unë kreva detyrën time. Ai ishte informacion i pakonfirmuar dhe nuk mund ta informoja Kryeministrin për një informacion të pakonfirmuar.

Pjerin Ndreu: Edhe një herë, sipas jush pajisja është përdorur për trajnim apo përgjim? Takimin me prokurorin e Përgjithshëm e keni bërë gojarisht apo me shkresa? Cilin drejtues të lartë të shtetit keni informuar? A e keni kontaktuar ministrin e Brendshëm për shqetësimin?
Kreu i SHISH: Ne nuk kishim informacion se për çfarë ishte përdorur përveçse ishte përdorur për trajnim.
Pjerin Ndreu: Për përgjim ju s’keni informacion?
Kreu i SHISH: Jo!
Noka: Me qetësi, qytetarët duan përgjigjen. Ju lutem, mos bëni debate me njëri– tjetrin.
Kreu i SHISH: I pari Llalla, pastaj jam thirrur nga Presidenti, e kam informuar. A jam thirrur nga Tahiri? Jo, se unë kisha detyrim kryeprokurorin.
Dogjani: Ju thatë se fillimisht ishte vendosur në Vlorë për trajnimin e punonjësve të policisë. Institucioni juaj ka disa aparatura për punën. Në dijeninë tuaj, punonjësit e trajnuar nga Interforca për këtë pajisje, a është e drejtë që të trajnohen dhe kush e ka tagrin të përgjojë? E dimë që e ka të drejtën Prokuroria të japë leje, por kush e kryen? E dyta: Desha ta di nga ju, çfarë kapaciteti ka, a përdoret për përgjimin apo siç kemi dëgjuar nga ministri e kam përdorur për përgjimin e personave në kërkimeve? A ka të drejtë ai ta përdorë pa lejen e Prokurorisë? A është kapur ndonjë person në kërkim nga përdorimi i saj?
Kreu i SHISH: Kjo është pajisje e dosmodoshme për të gjitha agjencitë e zbatimit të ligjit. Ne do të ishim të privilegjuar ta kishim një të tillë. Nuk ka asnjë problem me përdorimin e saj nëse është në zbatim të ligjit. Sa për kapacitete nuk e kam parë dhe asnjë punonjës i shërbimit s’ka pasur kontakt fizik me të. Pajisje të tilla janë të fuqishme, mund të bëjnë çdo gjë dhe siç tha ministri, vetëm për gjurmim ose… Pyetja tjetër ishte, a ka drejtë ministri për përgjimet? Kjo është komplet jashtë tagrit tonë kështu që nuk mund të përgjigjem.
Qefalia: Ju jeni në vitin e katërt të punës. A ka pasur pajisje të tjera që kanë cenuar sigurinë kombëtare? Ju keni detyrim ligjor të informoni direkt Kryeministrin? Pse nuk e keni informuar drejtpërdrejtë Kryeministrin?
Kreu i SHISH: Pse nuk e kemi informuar? Siç e thashë, duke informuar kryeprokurorin unë mendoj se e kreva detyrën time. Ai ishte një informacion i pakonfirmuar dhe unë nuk mund të shkoja tek Kryeministri me këtë informacion. Do të ishte në tagrin e kryeprokurorit për të informuar organet superiore. Ta përçonte nëse ishte e vërtetë dhe nëse vërtetohej, ndahej me Kryeministrin dhe ministrin e Brendshëm.
Keltis Kruja: Meqenëse nga parashtrimi juaj del se këtë pajisje nuk dihet kush e ka futur dhe me këtë kapacitet që ka mund të kryejë të gjitha funksionet dhe ne nuk e dimë se çfarë programesh ka. A përbën kjo pajisje një kërcënim për sigurinë kombëtare apo jo?
Kreu i SHISH: Në opinionin tonë po, përbën kërcënim gjithmonë nëse është e vërtetë. Një pajisje e tillë nëse është me kapacitete përgjuese, të gjithë janë vulnerabël ndaj pajisjeve të tilla. Gjithmonë nëse është e vërtetë. Kjo është arsyeja që unë e ndava me prokurorin e Përgjithshëm.
Stërkaj: A vazhdon Shërbimi Informativ me thashetheme? A nuk mund të jeni më të qartë nëse ajo pajisje ka hyrë kontrabandë apo ka hyrë nëpërmjet shërbimeve aleate? Pyetja e dytë: Këto pajisje shiten në treg të lirë në Londër, ju e dini mjaft mirë. Po a ka ardhur kjo për shërbimet aleate? Pse i rrëshkasim ne kësaj? Se edhe informacioni që i ke dhënë prokurorit ka qenë i cunguar. Dhe më shqetëson fakti që ju nuk e keni informuar Kryeministrin, sepse ai është njeriu më i lartë i qeverisë. Kjo ka lidhje me kulisat e lidhjet shoqërore? Ju vazhdoni me gojë në SHISH apo me shkresa? Marrëdhëniet me Presidentin i keni me gojë apo me shkresa? Kryeministri pse nuk është njoftuar? Se kjo me gojë ju komprometon rëndë. Prokurori i Përgjithshëm mund të tregohet oportunist dhe të cenojë sigurinë kombëtare?
Kreu i SHISH: Pse me gojë? Sepse ne kishim informacion me gojë, jo me shkrim dhe e ndava me gojë me prokurorin e Përgjithshëm. Arsyeja se pse nuk e dhashë me shkrim ishte se unë informacionin nuk e kam marrë me shkrim. Dhe për këtë do të flasim më mbrapa. Ka plot informacione të tjera që i kam ndarë gojarisht me Kryeministrin. Unë thjesht e iniciova këtë proces tek institucione të tjera për ta ndjekur, pra për çfarë konkretisht ishte kjo pajisje. Duke qenë se ishte një dyshim që lidhej me institucionin bazë, unë e ndava me prokurorin e Përgjithshëm. Lidhur me Presidentin, ka qenë ai që më ka kërkuar ta informoja për atë që dija. Kjo është ajo që kam bërë.
Astrit Patozi: Z. Ajazi i dha faktet e tij, kurse ne po e nxisim të japë opinionet. E gjithë kjo është një lojë e pavlerë. Tani na duhen faktet. Të tregohemi racionalë. Të marrim atë që na duhet nga dëgjesa dhe secili të nxjerrë konkluzionet e tij.
Pjerin Ndreu: Ne nuk kemi kërkuar opinionet e z. Ajazi, se ai është thirrur këtu në emër të SHISH dhe jo personalisht. Një informacion që transmetohet gojarisht. Nëse drejtuesi i SHISH thotë këtu se i takon prokurorit të Përgjithshëm t’i thotë Kryeministrin kjo është gafë. E treta, nëse drejtuesi i SHISH pretendon se problematika cenon rëndë sigurinë kombëtare dhe nuk përfshihet Kryeministri, kjo është një tymnajë që është gatuar me thashetheme, me internet. Të na thotë pse Kryeministri është lënë jashtë kësaj.
Flamur Noka: Ju bëj me dije se e kemi thirrur kreun e SHISH të na informojë për këtë pajisje që cenon të drejtat e njeriut dhe sigurinë kombëtare. Të lutem, të përmbahemi tek thelbi i asaj që jemi mbledhur dhe asaj që qytetarët presin prej nesh. Kush ka pyetje, të bëjë një pyetje dhe të vazhdojmë.
Luan Rama: Zoti drejtor i SHISH. Ju thatë se patët një informacion se në Vlorë është instaluar një pajisje e atyre të dhënave në një ambient trajnimi. Ishte ambient privat, publik apo çfarë lloji? Ambient policie, shkolle apo çfarë? Pyetja e dytë. Duke qenë se e konfirmoj se është një praktikë pune në komunikimin e funksionarëve të lartë dhe shkëmbimi në takime informale të informacioneve të konfirmuara apo jokonfirmuara, se nuk e shoh si problem ndarjen e këtij informacioni në mënyrë gojore me prokurorin e Përgjithshëm, por pas këtij, a e keni pyetur se çfarë u bë me atë informacion që ju ndatë? Ju thatë se ishit thirrur për këtë informacion tek Presidenti i Republikës. A shkuat me të njëjtin informacion atje apo shkuat tek prokurori i Përgjithshëm që të pyesnit se çfarë kishte ndodhur me këtë informacion. Ju thatë se edhe me Kryeministrin ndanit informacione gojore dhe kjo ishte një praktikë korrekte. Por në bazë të ligjit për SHISH, Kryeministri është ligjërisht drejtuesi i kësaj detyre, e keni atë epror përgjegjës ligjërisht. Pas takimit me Llallën dhe Nishanin, nuk e patë të arsyeshme ta ndanit këtë informacion me Ramën?
Kreu i SHISH: Lidhur me ambientet e trajnimit nuk kam informacion. Pas ndarjes së informacionit me kryeprokurorin nuk më është kërkuar të vazhdoj kërkimin për këtë pajisje. Pra, nuk mund të vazhdoja. Lidhur me, a keni folur sërish me prokurorin e Përgjithshëm. Sigurisht, kam folur dhe është pak a shumë ajo që dhashë në parashtrimin tim. Procedurialisht ne përjashtohemi kur Prokuroria fillon hetimin. Tek Presidenti, a kemi pasur informacione shtesë? Jo, unë kam informuar ekzaktësisht atë që kam informuar tek kryeprokurori.
Deputet: Informacionin e more nga burimet tuaja apo nga partnerë?
Kreu i SHISH: S’kam koment.
Çuko: Ju thatë se nga interneti duken qartë kapacitetet e kësaj pajisjeje. Tek ajo në Vlorë që paskeni zbuluar ju, çfarë kapacitetesh ka ajo? Më ka ngelur në mendje, deklarata e ish-Kryeministrit që tha: Rama, Kryeministri aktual ka 170 minuta telefonata me gjyqtarët e Kushtetueses për çështjen e Kokëdhimës. Ka lidhje kjo deklaratë me këtë aparaturë?
Kreu i SHISH: Unë besoj se ju përgjigja. Ne nuk kemi pasur asnjë kontakt fizik me këtë pajisje dhe nuk mund të them se çfarë kapacitetesh ka. Nuk kam informacion për të.
Dogjani: A ka detyrim drejtuesi i SHISH të informojë Kryeministrin për këto pajisje që futen në mënyrë të paligjshme. A ka ndodhur në praktikën tuaj që punonjësit tuaj ose ju keni pasur ndonjë përgjim? Kush ka të drejtë t’i trajnojë punonjësit e policisë? Pse në Vlorë dhe a ka të drejtë Interforca të përgjojë qytetarët e Shqipërisë dhe të trajnojë? Po mjetet që fusin diplomatët, të huajt, në territorin e Shqipërisë, a nuk kanë të drejtë institucionet shqiptare t’i kontrollojnë?
Kreu i SHISH: Për të parën nuk kam koment se nuk është target i yni.
Selami: Këtë informacion që ju thatë ishte i pakonfirmuar, që ishte si “thashethem” ju thatë se ishte i pakonfirmuar. Pse Presidentit ia thatë dhe Kryeministrit nuk ia thatë?
Kreu i SHISH: Unë raportoj rregullisht tek Kryeministri dhe atje flitet për probleme që ka siguria kombëtare. Ju thoni pse e keni ndarë, unë jua tregova se Nishani më kërkoi specifikisht ta informoja për këtë. Kur ne kemi indicie për një informacion, ne e ndajmë.
Lutaj: Z. Ajazi unë e vlerësoj shqetësimin tuaj se pajisja cenonte sigurinë kombëtare. Pse nuk keni respektuar detyrimin tuaj ligjor ndaj Kryeministrit dhe qeverisë për ta vënë në dijeni për këtë gjë. Pyetja ime: Inspektorin e Përgjithshëm e keni vënë në dijeni? Janë deklaruar në konferenca në shtypi 375 qytetarë të përgjuar? A keni dijeni ju qoftë dhe për një rast të tillë?
Noka: Ore, mos u mundoni të bëni mjegullnajë. Përmbajuni çështjes.
Lutaj: Lidhur me këtë pajisje do të ishte mirë të mos na çonit te interneti, po në dijeni tënde i përmbush kushtet ligjore të përgjimit apo jo?
Noka: Bëhuni seriozë, e dha përgjigjen.
Lutaj: Në kushtet e cenimit të sigurisë kombëtare, a nuk do të ishte e udhës të informonit Ministrinë e Brendshme? Keni komunikuar me shkresë apo me gojë me prokurorin e Përgjithshëm? Zyrtarisht apo informalisht?
Kreu i SHISH: Lidhur me pyetjen pse s’e kam informuar zyrtarisht Kryeministrin ishte se ishte informacion i pakonfirmuar. Po të ishte i konfirmuar unë do të kisha dërguar shkresë dhe do t’i thosha se cenon sigurinë kombëtare.

Largimi i Tahirit dhe i drejtuesve të policisë, parakusht për një hetim të plotë e të paanshëm

-Zoti Basha, thjeshtimi i arkitekturës, është kusht? Siç keni thënë për moskapjen e sistemit?
Ne jemi në procesin e dialogut dhe nuk hyjmë me kushte. Ne hyjmë me një kërkesë. Të jemi të arsyeshëm dhe të zbatojmë standardin europian dhe shpresojmë që edhe pala tjetër të ketë këtë vullnet. Sigurisht, që për disa mund të jetë e dhimbshme, jua thashë. Për Sajmirin mund të jetë e dhimbshme, sepse nga njëra anë i hoqën BKH-në dhe nga ana tjetër i ka rënë dhe valixhja e përgjimit.

-Po nëse mazhoranca nuk pranon?
Po pse të gjitha lajmet sot do t’i jepni. Shpresojmë që do të pranojë njëherë. Pastaj po nuk pranuan do të jemi përsëri këtu. Shpresojmë që t’i pranojnë. Të jemi pozitivë.

-Zoti Basha, keni ndonjë koment për historinë e përgjimeve. Në Kryesinë e Kuvendit ka më shumë se 5 orë debate për sa i përket një historie përgjimesh, opozita këmbëngul që ekziston një mundësi e tillë?
Ne kemi një pozicion të qartë për këtë çështje dhe pozicioni që kemi shpalosur përpara publikut është që ne kërkojmë transparencë. Transparenca është një detyrim kushtetues i ministrit të Brendshëm, i policisë, i organeve të tjera që janë thirrur sot në seancën dëgjimore të komisionit, i kryeministrit si personi me përgjegjësi politike për këtë çështje. Ne jemi investuar për transparencë, ata janë investuar për mjegull.  Shikoni vetëm deklaratat e ministrit të Brendshëm gjatë 48 orëve të fundit. Mohoi pajisjen, pohoi pajisjen, me trajnime ose jo, e ka, s’e ka policia, s’mund ta ketë policia. Vetëm në emisionin televiziv të para dy netëve e ka kundërshtuar veten e vet plotë 10 herë, duke rënë ndesh me ligjet e Kushtetutën. E gjitha kjo bëhet për të investuar në mjegull dhe jo në transparencë. Ne kërkojmë transparencë e para. Dhe  e dyta ne kërkojmë zbatimin e ligjit. Këta kërkojnë t’i ikin me propagandë zbatimit të ligjit.
Zbatimi i ligjit në rastin konkret do të thotë që Prokuroria të marrë në dorë e të hetojë pa ndikim, në mënyrë të plotë dhe të paanshme skandalin. Qëndrimi im, qëndrimi i Partisë Demokratike është se kjo nuk mund të ndodhë sa kohë që ministri i Brendshëm dhe drejtuesit e lartë të policisë pengojnë hetimin e Prokurorisë.
Largimi i Saimir Tahirit dhe i drejtuesve të policisë është parakusht, parakusht për një hetim të plotë, të paanshëm dhe të pandikuar. Kjo nuk është kërkesë me sfond politik. Sigurisht që duam dhe kemi kërkuar largimin e Tahirit për Balilin, për Shullazin, për dhjetëra skandale të tjera.
Në këtë rast dua që ta kuptojnë mirë të gjithë shqiptarët, nuk ka për t’u zbardhur ky skandal, Prokuroria nuk do ta zbardhë dot, sa kohë që personat drejtpërdrejt të implikuar, Saimir Tahiri dhe drejtues të lartë të Policisë së Shtetit vazhdojnë të kryejnë funksionet e tyre.
Nëse duam një hetim të pavarur, të paanshëm, të pandikuar, largimi i Saimir Tahirit dhe i drejtuesve të policisë është parakusht. Çdo investim i heshtur apo aktiv i Kryeministrit për të mos larguar ministrin e Brendshëm dhe drejtues të policisë implikon Edi Ramën në këtë skandal.
Një gjë është e sigurt, ashtu sikur ka qenë e sigurt edhe para 40 vitesh,  kur teknologjia ishte shumë më e prapambetur, dhe një presidenti amerikan i kushtoi detyrën, skandali do të zbardhet deri në fund dhe personat do të mbajnë përgjegjësi për shkeljen e ligjit.

Denoncimi i oficerit: Në pajisjen e përgjimit ndërhyrje për të fshirë të dhënat

Ish-Kryeministri Berisha publikoi denoncimin e një oficeri, i cili bën të ditur se në pajisjen e përgjimit janë bërë ndërhyrje me qëllim manipulimin e të dhënave dhe përgjimeve që janë bërë. Ai bën të ditur se pajisja e përgjimit është transferuar mbrëmë nga Drejtoria e Përgjithshme e Policisë në Akademinë e Rendit dhe është manipuluar gjatë gjithë natës.
“Përshëndetje Doktor, një oficer pedagog në Akademinë e Rendit më thotë që pajisja e përgjimit që ka qenë në Drejtorinë e Përgjithshme e kanë sjellë mbrëmë natën tek Akademia e Rendit. Ndërkohë mediave u kanë thënë se është dorëzuar në ambasadën italiane, gjë që është absolutisht e pavërtetë. Gjatë natës dy specialistë të Drejtorisë së Policisë kanë bërë ndërhyrje dhe fshirje dhe sot e ekspozuan si objekt mësimor për trajnim. Flm”, thuhet në denoncimin e publikuar nga Berisha.
Po dje, Berisha publikoi një tjetër postim përmes të cilit bëri të ditur se pajisja e përgjimit është futur në Shqipëri përmes rrugëve private, pra, duke anashkaluar çdo rrugë e procedurë ligjore.
“Pajisjen përgjuese manjaku Edvin Shullazi e ka siguruar në rrugë private antiligjore e antikushtetuese? Të dashur miq, burime të sigurta informojnë se pajisja me të cilën manjaku Edvin Shullazi ka përgjuar që nga fillimi i vitit kundërshtarët politikë dhe të tjerë ka hyrë në Shqipëri në mënyrë private në thyerje flagrante të ligjeve të vendit dhe marrëveshjes ndërshtetërore me palën italiane, në kundërshtim me çdo destinacion ligjor dhe kushtetues të saj”, shprehet Berisha.
Berisha thekson se policia e ka të ndaluar me ligj përdorimin e një pajisjeje të tillë pa marrë më parë lejen me shkresë të Prokurorisë së Përgjithshme. Nga ana tjetër, Berisha i bën thirrje Prokurorisë që të bëjë një hetim të plotë dhe të gjithanshëm ndaj ngjarjes. “Futja e pajisjeve të tilla në Shqipëri mund të bëhet vetëm në përputhje me ligjet e vendit dhe për destinacion të përcaktuar dhe të verifikueshëm qartë. Policia nuk mund të ketë kurrë një pajisje të tillë pa lejen me shkrim të Prokurorisë dhe për destinacionin e mirëpërcaktuar po nga Prokuroria, pra për personat apo grupin kriminal që përgjohet! I bëj thirrje Prokurorisë së Shtetit të bashkërendojë punën për një hetim të plotë dhe të gjithanshëm të këtij skandali të Edvin gait!”, shkruan Berisha në reagimin e tij.

Arben Shahini

Junta ka frikë nga gazetaria e lirë dhe kërkon ta mbyllë atë komisariateve

Gazetari i citynews, Genci Pishtari, është dhunuar nga policët e Bashkisë Tiranë vetëm sepse po filmonte një moment kur ata po gjobisnin një grua, shitëse ambulante në rrugën “Ferit Xhajko” në unazën e kryeqytetit. Gazetari i citynews po filmonte momentin kur policët e bashkisë po i vendosnin gjobë administrative një zonje, shitëse ambulante. Kamera i ka acaruar policët e bashkisë, të cilët i janë afruar gazetarit duke tentuar ti marrin telefonin dhe ushtruar dhunë ndaj tij. Në video dëgjohet qartë që gazetari G.Pishtari i është prezantuar që në fillim si gazetar, por kjo nuk i ka ndaluar policët, të cilët të frikësuar kanë dhunuar dhe ushtruar presion ndaj tij. Për herë të dytë, G.Pishtari i ka theksuar se është gazetar, por ka marrë një përgjigje jo të denjë nga njëri prej policive bashkiakë, i cili e kthen konfliktin në cështje personale dhe ushtron presion ndaj tij. Në lidhje me këtë ngjarje reagoi ashpër dje edhe deputeti demokrat, Luçiano Boçi i cili deklaroi se ngjarja në fjalë dëshmon frikën e pushtetit ndaj medias dhe fjalës së lirë.  “I ndodhur në ngjarje dhe duke filmuar aktin e dhunimit të një gruaje 60-vjeçare, shitëse ambulante në një nga rrugicat e Tiranës, gazetari i “CityNews” Genci Pishtari, ka rënë pre e dhunës së policëve Bashkiakë dhe më pas atyre të Rendit. Madje, duke “e plasur” atë në birucat e Komisariatit Nr. 4 banditizmit policesk që tashmë lëviz e koordinohet në linjën Polici Bashkiake-Polici e Rendit, ndaj gazetarit të “CityNews”, dukshëm tregon arrogancën e një pushteti të degraduar në çdo qelizë, e një pushteti të dalë duarsh e medsh! Të jesh sot gazetar në Shqipëri nuk është e lehtë. Të jesh gazetar denoncues i padrejtësive, i dhunës, i aferave, koncesioneve  zhvatëse, korrupsionit, në vendin tonë po bëhet gjithnjë e më e pamundur!! “Junta” policore e Ramës nuk të lë të ushtrosh profesionin tënd siç bëri sot me Genc Pishtarin dhe siç ka bërë me shumë të tjerë përgjatë këtyre tre viteve. Junta ka frikë nga gazetaria e lirë dhe kërkon ta mbyllë atë komisariateve, ta përgjojë e ta linçojë. Junta i trembet së vërtetës prandaj, kërcënon, dhunon e burgos. Junta s’ka arsye. Ajo ka vetëm urrejtje për qytetarët e saj dhe për ata që mbrojnë qytetarët! Banditizmi me uniformë policie i turret fjalës së lirë sikur kjo të ishte figurë krimi dhe jo figura e së vërtetës. Arrestimi dhe dhunimi i Genc Pishtarit, është ulërimë për lirinë e medias dhe nivelin e demokracisë, por dhe njëkohësisht grahma e një pushteti qesharak që numëron me ankth rënien e merituar. Sot krimi ka çelësat e shtetit që mbyllin portat e qelive, ndërsa gazetarëve dhe qytetarëve u janë lënë vetëm qelitë. PD dënon aktin e ndalimit të gazetarit Genci Pishtari të bërë sot dhe kërkon lirimin e tij të menjëhershëm! Së paku, Rama të vendosë një arnë në flamurin e bërë shoshë të pushtetit të tij të grisur!” u shpreh deputeti demokrat në reagimin e tij.

Gjykata e Krimeve të Rënda lë në burg Shukriun

Ish-kryetari i Bashkisë së Dibrës, Shukri Xhelili është njohur me masën e tij të sigurisë “Arrest me burg” marrë në mungesë nga togat e zeza, dy ditë më parë. Në seancën e vlerësimit, Gjykata për Krimet e Rënda nuk është ndryshuar masa, duke e lënë në burg ish-qytetarin e parë të Dibrës.
Xhelili akuzohet për korrupsion pasiv, pasi i ka kërkuar favore seksuale 20-vjeçares me iniciale A. A në këmbim të emërimit të saj në një nga strukturat në varësi të Bashkisë. Avokati i të akuzuarit sqaroi në përfundim të seancës se arrestimi ishte i padrejtë.
Pritet që në ditët në vijim Prokuroria për Krimet e rënda të marrë në pyetja vajzën e cila ka dhënë dëshmitë e saj në policinë e Dibrës. Gjithashtu sqarime do të japë edhe Shukri Xhelili, i cili në deklarimet e para e ka cilësuar ngjarjen si shantazh politk.
Ish-kreu i Bashkisë Dibër, Shukri Xhelili u arrestua para tre ditësh në Tiranë me akuzën për “Korrupsion pasiv” në formën e kërkimit të favoreve seksuale. Gjykata ka vendosur të pranojë kërkesën e Prokurorisë së Krimeve të Rënda dhe ka vendosur dje masën e sigurisë “arrest me burg” për kryetarin e Bashkisë Dibër deri para pak ditësh. Kryetari i Bashkisë së Dibrës fshihej në Tiranë që pas publikimit të skandalit seksual në media. Ai menjëherë pas lirimit nga Policia e Dibrës është vendosur në kryeqytet.  Xhelili u përfshi në një skandal seksual pas publikimit të video-përgjimit nga një 20-vjeçare me iniciale A. A., të cilës i kishte kërkuar marrëdhënie seksuale në këmbim të një vendi pune.

Si minjtë para tërmetit

Publikimi i skandalit të përgjimeve ka bërë që minjtë të lëvizin si para tërmetit në mënyrë konfuze. Nuk të duhet shumë vëmendje për të kuptuar se të inkriminuarit në operacionin e paligjshëm të përgjimeve po thyejnë turinjtë në muret e ligjit, pavarësisht sofistikimit, apo trajnimit rilindas për të mashtruar publikun. Ministri Tahiri thotë se nuk ka policia aparat përgjimi, ndërsa Çako thotë se e kemi një, por nuk kemi bërë përgjime. Çipa thotë se nuk e kemi në polici, por Duka i operacionales thotë se e kemi në polici dhe kemi përgjuar për të trajnuar. Në fund të gjithë pohojnë se krimi ka ndodhur, por duke e fragmentarizuar historinë mendojnë se dalin pa lagur dhe kanë qenë thjesht duke bërë detyrën. Kur mendojnë se nuk kanë përgjigje që i mbron, të gjithë përgjegjësinë ia kalojnë Interforcës.
Ministri dhe banditët që kryeministri Rama ka angazhuar në këtë operacion kriminal, me dëshmitë e dhëna dje në Komisionin parlamentar dhe në Prokurori kanë identifikuar veten si përgjegjësit kryesorë të këtij skandali. Tahiri dhe banda e tij pohojnë se një pajisje e fuqishme përgjimi ka hyrë e pa regjistruar përmes doganës së Durrësit, ka marrë rrugën drejt Tiranës, është futur në zyrat e drejtuesve të lartë të Ministrisë dhe Policisë së Shtetit, ka “trajnuar” policë, ka përgjuar banditë, ka ndihmuar operacionet e policisë. E gjithë kjo është as më pak as më shumë akuza që prangos Tahirin dhe drejtuesit kanabistë të Policisë së Shtetit.
Ligji shqiptar, në përpjekje për t’u përshtatur edhe me standardet europiane, ka një procedurë të qartë se kush i mban pajisjet e përgjimit, kush i autorizon përgjimet, kush i bën përgjimet, por edhe kush i trajnon efektivët që do të përdorin aparatet e përgjimit. Në Shqipëri, Prokuroria e Përgjithshme është autoriteti i vetëm ligjor, dhe përpjekja e Tahirit për ta marrë këtë të drejtë, apo për më tepër për t’ia njohur këtë të drejtë një misioni të huaj policor është tej çdo limiti ligjor dhe kushtetues.
Dëshmitë e dhëna prej Tahirit dhe bandës së tij, përkatësisht në Komisionin Parlamentar të Sigurisë dhe në Prokurori, implikojnë në të gjithë këtë operacion të paligjshëm një strukturë të huaj, që ndodhet prej vitesh pranë Policisë së Shtetit për të koordinuar përpjekjet në luftën kundër krimit të organizuar. Edhe sikur të jenë të vërteta këto pretendime, Tahiri dhe kanabistët harrojnë se ata vetë dhe të huajt janë të detyruar të respektojnë ligjet e shtetit shqiptar dhe marrëveshjet. Një ekspert i huaj mund të jetë njohës i shkëlqyer i bombave bërthamore, por nuk mund t’i sjellë ato në zyrën e Tahirit dhe të trajnojë kanabistët, sepse kështu i intereson kryeministrit.
Përpjekja për t’i ikur përgjegjësisë ligjore nuk do të thotë se ata kanë shpëtuar. Përkundrazi, këta minj të korrupsionit dhe krimit të organizuar harrojnë se përgjimet e tyre kanë lënë gjurmë, kanë dëshmitarë që ligji shqiptar, marrëveshjet, rregulloret dhe procedurat e brendshme dhe të jashtme i detyrojnë të gjithë ata të rrëfehen para drejtësisë.
Përfshirja e strukturave të armatosura në operacione të paligjshme përgjimi, me dijeninë dhe urdhërin e kryeministrit, ministrit të Brendshëm, drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit kërkon më së pakti largimin e tyre të menjëhershëm dhe verifikimin e hollësishëm të të gjitha pasojave që ka sjellë ky krim shtetëror. Nëse ata mbeten pa ndëshkuar fort dhe pa ekuivok, nuk është çudi që nesër Mrika të na marrshojë me trupa besnike nëpër rrugët e Tiranës për të na bindur se kryeministri është i miri, i drejti dhe shpëtimtari. Ligji duhet të veprojë me të gjithë forcën e tij. Askush nuk duhet të guxojë të bëjë dhe të mendojë të kundërtën. Ky nuk është një tender dhe koncesion. Ata që dalin pa lagur në momentin kur prekin sigurinë kombëtare janë rrezik i madh për demokracinë dhe lirinë e shqiptarëve, ndaj nuk duhet hezituar përgjigja e ashpër ligjore për të gjithë ata që ishin pjesë e këtij skandali.

Skandali i rafinerisë së Lushnjës. Qeveria i dha koncesionin kompanisë së bllokuar nga IQT

“AM-OIL” ëshë një shoqëri karburantesh në Lushnjë, e cila vitin e kaluar u bllokua nga Inspektorati Qendror Teknik për aktivitet të paligjshëm. Gjatë një kontrolli rutinë të inspektoratit, kompania u konstatua se tregtonte karburant të pashoqëruar me dokumentacion.
Por edhe pse u kap në shkelje, e cila çoi në bllokimin e saj, siç duket shoqëria ka arritur të rehabilitojë shpejt marrëdhëniet me institucionet e madje të sigurojë nga qeveria shqiptare koncesionin 30-vjeçar për një rafineri nafte në Lushnjë. Vendimi është marrë në mbledhjen e fundit të Këshillit të Ministrave.
“I jepet shoqërisë aksionare ‘AM-OIL’, me seli në ish-Uzina e Plastmasit, Lushnjë, licenca e koncesionit për rafineri për kryerjen e veprimtarisë së përpunimit të naftës bruto dhe për prodhimin e nënprodukteve të saj”, thuhet në vendimin e Këshillit të Ministrave.
Vendimi nuk ka përcaktuar se çfarë produktesh do të prodhojë rafineria, por ka saktësuar se ato do të jenë të përshkruara në kartën teknologjike që lëshon Inspektorati Shtetëror Teknik dhe Industrial. Megjithatë në të bëhet e ditur se rafineria do të ketë një kapacitet përpunimi të naftës bruto prej 500 tonë/24 orë.

Bllokimi

“AM-OIL” është një shoqëri aksionere e themeluar në vitin 2009. Ajo ka një kapital prej 3.5 milionë lekësh dhe figuron me zyrë qendrore tek ish-Uzina e Plastmasit në Lushnjë. Aksioneri i vetëm i “AM-OIL” rezulton të jetë shtetasi Idris Çela.
Sipas dokumentave në QKR, kompania rezulton të ketë si aktivitet projektimin, ndërtimin dhe përdorimin e rafinerive, tubacioneve dhe depozitave për përpunimin, transportimin, depozitimin dhe tregtimin e naftës, gazit dhe nënprodukteve të tyre, si dhe biokarburanteve.
Në maj të vitit të kaluar, saktësisht një vit më parë, kjo shoqëri u bllokua nga Inspektorati Qendror Teknik për aktivitet të paligjshëm. Siç tregohet në vendimin zyrtar të lëshuar nga IQT, kompania është konstatuar se tregtonte karburant në mungesë dokumentacioni.
Por pavarësisht kësaj, një vit më vonë ajo duket se i ka rehabilituar marrëdhëniet me autoritetet e zbatimit të ligjit, duke arritur të fitojë koncesion për ndërtimin e një rafinerie që do të përpunojë 500 tonë në ditë naftë bruto.
Skandali vjen pak ditë pasi në media u publikua lajmi se Kompanisë së akuzuar për “korrupsion” do ti jepet nga qeveria shqiptare koncesioni i ndriçimit të qyteteve. Të dhënat e siguruara nga “BIRN” tregojnë se qeveria shqiptare i ka hapur rrugën dhënies me koncesion të ndriçimit me llamba LED të Tiranës dhe Durrësit një kompanie daneze, e cila akuzohet për korrupsion dhe prishje të barazisë në tendera në Kosovë dhe në Mal të Zi. Kompania që propozoi koncesionin, me të cilën qeveria dhe autoritetet vendore shqiptare kërkojnë të hyjnë në një partneritet afatgjatë që pritet t’i kushtojë taksapaguesve miliona euro.

Tenderi, kryebashkiakia miliardere e Roskovecit, 32 mln lekë për një shtatore

Kryetarja e Bashkisë së Roskovecit, Majlinda Bufi, është një nga zyrtarët më të pasur në Shqipëri. Ajo ka deklaruar një pasuri prej 1.2 miliardë lekësh, si dhe 200 milionë kesh në shtëpi, plus pronave marramendëse të paluajtshme. Bufi është kryetare e Bashkisë së Roskovecit që prej zgjedhjeve të qershorit të vitit 2015, ndërsa ka qenë më parë deputete e Partisë Socialiste. Në bazë të deklarimit të zonjës Bufi, pjesa më e madhe e kësaj pasurie është vendosur nga puna në emigracion, por pa specifikuar se për çfarë pune bëhet fjalë.
Ndërkohë, “Bold News”, në përpjekje për të hedhur dritë mbi veprimtarinë publike, ka siguruar disa dokumente, ku kjo miliardere ka akorduar plot 32 milionë lekë për ngritjen e një shtatoreje. “Bashkia e Roskovecit ka hapur një prokurim me objekt ideimin, modelimin dhe realizimi në bronz të shtatores ‘Bukuroshja e Strumit’. Fondi limit është 3.250.000 lekë pa TVSH, vënë në dispozicion nga të ardhurat e bashkisë për vitin 2016”, thuhet në këto dokumente.
Sipas disa dokumenteve të tjera që disponon “Bold News”, rezulton se statuja “Bukuroshja e Strumit” është konceptuar në vertikalitet dhe simetri, rregulla dhe kanone, të cilat janë tashmë të konsoliduara dhe të njohura në skulpturën monumetale botërore. Kjo tendencë, shkruhet në tender, mendohet se do t’i shtojë shumë hijeshi dhe “indiferencë” bukurisë, kësaj simbolike të pamëshirshme dhe të pandryshueshme të “Bukuroshes së Strumit”, kreaturës popullore të zonës së Myzeqesë.
“Indiferenca ka të bëjë me simbolikën e bukurisë, sepse në atë shihet, ndërsa ajo duke qenë e përjetshme dhe eterne në brendinë e saj vështrimin e ka hyjnor. Statuja do të ketë veç të tjerash edhe elemente dekorative, lineamente dhe pjesë të kostumografisë pa i përshkruar dhe ilustruar në mënyrë të tillë që të garantojë funksionin e imazhit dhe shprehje simedjate. Ky konceptim është ngushtësisht i lidhur me vendin ku ajo do të ‘pozojë’ në rreth qarkullimin hyrës të qytetit, kësisoj ajo do të jetë dhe imazhi arketip i mirëseardhjes dhe i mikpritjes. Përveç këtyre në statujë do të jenë simbolet e ujit me shtamën mbi kryet e Bukuroshes dhe në përparësen e saj do të ketë shenja në vëllim, të frutave të zonës”, shkruajnë zyrtarët e Bashkisë së Roskovecit.
Disa të dhëna teknike:
1- Statuja do të jetë në bronz.
2- Dimensioni 350×80 cm (në ballor).
3- Bazamenti i statujës do të jetë në gur (i bardhë në okër) me përmasa: 150 x 100 x100 cm.
4- Pesha totale e objektit bronz dhe gurë do të jetë afërsisht 5 tonë.
5- Platforma në të cilën do të vendose skulptura do të jetë rrethi i përcaktuar në diametër 30 m.
6- Në këtë platformë do të vendosen 14 shenjëza të simbolikës së ujit që do të identifikojnë 14 fshatrat që rrethojnë qytetin e Roskovecit.

Veliaj vijon sulmin ndaj gjykatës dhe kërcënon qytetarët

Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj lëshoi dje të tjera akuza ndaj trupës së Apelit Administrativ në lidhje me ndërtimin poshtë digës së liqenit, duke thënë që nuk do ta respektojë vendimin e gjykatës. Ai tha se ky ishte një ekspozim i pacipë i gjykatës dhe se do t’i shkojë deri në fund duke bërë transparencën. Por në shpërthimin e tij kërcënues ai nxori në shesh edhe disa sekrete të marrëdhënies mes tij me qytetarët dhe gjyqtarëve dhe i kërcënoi ata hapur.
“Mos i bini më telefonit të kërkoni çudira. Kur merrni vendime kundër qytetit, qyteti nuk ju shërben”, tha Veliaj. Por ky kërcënim i Veliajt përbën një rast skandaloz. Bashkia e Tiranës ka detyrimin ligjor t’u shërbejë të gjithë qytetarëve të saj që paguajnë taksat, pavarësisht funksioneve që kryejnë, bindjeve politike apo vendimeve që ata marrin në punën e tyre.
Kryebashkiaku theksoi gjithashtu me siguri të madhe se kullat poshtë digës së liqenit nuk do të ndërtohen dhe këtë nuk do ta lejojë. Prej disa ditësh, Veliaj flet me gjuhë të ashpër ndaj qytetarëve dhe Presidentit të Republikës e gjyqtarëve. Por, dje kaloi çdo cak me kërcënimin e hapur se kryetari i bashkisë ligjin për t’u shërbyer qytetarëve do ta respektojë sipas interesave dhe preferencave të tij.

Olli: Veliaj po intimidon drejtësinë për të mbuluar skandalet e tij

Kreu i këshilltarëve të PD në Bashkinë e Tiranës, Leonard Olli dënoi ashpër dje sulmin dhe fyerjet e paprecedenta të kryebashkiakut Erion Veliaj ndaj Presidentit të Republikës, Bujar Nishani, ndërsa deklaroi se ai po përpiqet të intimidojë sistemin e drejtësisë me qëllim mbulimin e skandaleve të tij. “Kryetari i Bashkisë së Tiranës refuzon të plotësojë një detyrim të qartë ligjor sikundër është neni 51, pika 3 e Ligjit për Qeverisjen Vendore, informimin e këshilltarëve në çdo kohë dhe për gjithçka. Të ndodhur përpara kësaj mungese totale transparence, si një nga pikat më të rëndësishme të funksionit të këshilltarit, që të informohet dhe të kontrollojë punën e bashkisë, jemi detyruar t’i drejtohemi gjykatës. Ne kemi paditur z. Veliaj, sepse ligji përcakton që është kryetari i Bashkisë, i cili informon anëtarët e Këshillit Bashkiak. Kemi kërkuar informacion për mbarëvajtjen e bashkisë, shumë të thjeshta, janë kërkesa për pushimet nga puna dhe marrjen e personave të ndryshëm, informacion në lidhje me ristrukturimin dhe arsyet përse e ka bërë bashkia këtë. Tenderat që ka zhvilluar kjo bashki. Mostransparenca fsheh afera korruptive, sepse nuk ka asnjë arsye tjetër për të mos respektuar ligjin. E kemi parë këto ditë z. Veliaj në një shfaqje të paprecedentë, si një jakobin i shekullit XXI, që të sulmojë, rrethojë dhe të tentojë të intimidojë institucionet e pavarura të drejtësisë. Nga ana tjetër, jo më larg se dje nga një studio televizive, me një zhargon që nuk i takon kryeqytetasit të Tiranës, ka sulmuar sërish institucionin e Presidentit të Republikës. Për ne, është e qartë ai tashmë është shndërruar në një kamikaz të Edi Ramës. Tentativa e tij për intimidimin dhe krijimin  e këtij rasti të paprecedentë ka një prapavijë, është një prapavijë politike. Kërcënimi i hapur, që bëri se ai do të përndjekë çdo gjyqtar apo çdo punonjës të institucioneve të tjera shtetërore, të cilët dalin kundër dëshirave apo tekave dhe trilleve të tij personale, është shenja më e mirë që kemi të bëjmë me një element antishtet, antiligj, antisistem. Ai po përpiqet të intimidojë sistemin e drejtësisë për të mbuluar skandalet që pasojnë njëri-tjetrin dhe aferat e tij korruptive. E ka të kotë. Do të përgjigjet deri më një përpara drejtësisë për të gjitha shkeljet. Si për tenderat, ashtu edhe për veprat e tjera të shpërdorimit të detyrës duke filluar që nga liqeni, koncesionet dhe të gjitha të tjerat”.