18.5 C
Tirana
E enjte, 21 Gusht, 2025

Ja pse mund të fitojë Donald Trump

Gjashtë javë të kaluara në Universitetin e Cikagos, në kontakt me nxënësit dhe pedagogët e Institutit të Politikës, nënkuptojnë edhe një zhytje të plotë në fushatën zgjedhore amerikane. Nga pak e pranojnë të gjithë, nga Dejvid Akselrod, ish-strategu i dy fushatave fitimtare të Barak Obamës, tek Majk Mërfi, strateg i republikanëve, se fillimisht e patën nënvlerësuar fenomenin Tramp.
Ky i fundit jo vetëm ia doli të fitojë emërimin e Partisë Republikane, diçka për të cilën pak vetë do të kishin vënë bast, por rrezikon të jetë kandidati që do të shkojë në Shtëpinë e Bardhë, mbi të cilën do të diskutohet shumë nga tani deri në nëntor. Deri tani ka arsye të forta për të besuar në fitoren e tij.
Sikurse u shpreh profesor Lerri Sabato “nuk mund të shqitësh vëmendjen nga ai”. Donald Tramp ka pushtuar thuajse të gjithë skenën politike amerikane dhe tashmë edhe atë evropiane. Nuk ka ditë, madje do të thoja edhe orë, në të cilën mediat amerikane të privohen nga marka Tramp, të detyruara të përtypin lajme të përsëritura për të ndjekur Twitter dhe Facebook, të detyruar ta bëjnë këtë edhe kur nuk ka lajme.
Pra, arsyeja e parë e suksesit të manjatit njujorkez, pikërisht aftësia e tij për të shfrytëzuar urinë e mediave. Ditën kur nuk kishte asnjë lajm, asnjë  tubim elektoral, Tramp u ofronte të përditshmeve të mëdha dhe rrjeteve televizive në krizë, sasinë e duhur të postimeve të ashpra në rrjetin social. 140 gërma të gatshme për t’u bërë kryetitull.
Rregulli i parë që strategët amerikanë u shpjegojnë klientëve të tyre politikë, është se fyerja gjatë fushatës zgjedhore kushton. Vite më parë, ishte e mjaftueshme të sulmoje, befasoje. Funksionoi për Silvio Berluskoni: njoftoi se në Romë, mes Finit dhe Rutelit, do të votonte për të parin, trashëgimtarin e Lëvizjes Socialiste Italiane të Almirantes. Asokohe, në vitin 1993, kjo do të thoshte të shkelje një tabu.
Më shumë se 20 vjet më vonë, duhet diçka tjetër për të habitur, pikërisht komunikimi përmes fyerjeve. Terren mbi të cilin jo të gjithë mund të lëvizin lehtësisht. Për shembull në Itali po e provon Mateo Salvini, ndërsa në Shtetet e Bashkuara, Donald Tramp. Një mjeshtër. Një talent natyral. Një dallavere i lindur.
E filloi duke i rikujtuar Hillari Klintonit: “Si mund të pretendoni të respektoheni nga amerikanët, kur burri juaj ju tradhëtonte?” Dhe po vazhdon duke i mëshuar skandalit seksual Levinski. Në mes ishte përqindja imagjinare: “Në rast se Hillari nuk do të ishte grua, për të do të votonin vetëm 5 për qind e amerikanëve” dhe sulme të ndryshme kundër hispanikëve, grave dhe myslimanëve.
Në epokën e Snapchat, të qenit telegjinikë dhe komunikues nuk mjafton më. Lipset të kesh një personalitet.
Tramp ka zgjedhur fyerjen, teknikë e testuar në fillim për t’u bërë i njohur, vendosur në qendër të vëmendjes dhe tashmë e çuar përpara në faza të alternuara, kur nuk luhet pjesa e “kandidat për president”. Megjithatë teknika ka nevojë për origjinalitet: Tramp nuk reciton. Ai është fiks vetëvetja. Tek e fundit te shfaqja e njohur televizive “Talenti”, që e udhëhoqi për 11 vjet,  i pëlqente shumë fraza: “Jeni i pushuar!”.
Natyrisht kandidati Tramp e bazon suksesin e tij, edhe mbi nevojat reale të asaj që është bërë elektorati i tij. Nevoja më emergjente? Vetmia, ndjenja e të qenit “të lënë mënjanë”. Asnjë parti nuk mendon për ne. Kujdesen vetëm për punët e tyre. Siç shkruan Eduard Lumen në “Financial Times”, në artikullin e titulluar me vend “Fundi i meritokracisë amerikane”, në 60 vitet e fundit amerikanët kanë besuar tek ëndrra amerikane, tek ashensori social që do t’i lejonte fëmijët e tyre të bënin më mirë se prindërit.
Sot pjesa më e madhe e klasës së mesme të bardhë ballafaqohet me realitetin: në universitetet më të mira shkojnë Malia Obama (Harvard) dhe Celsi Klinton. Fëmijët e të rëndësishmëve e kanë rrugën e shtruar. Të tjerëve u rezervohet një e ardhme në të cilën siç më shpjegoi një pedagog nga Universiteti i Cikagos, “nëse je mashkull, i bardhë dhe pa arsimimin e mjaftueshëm, ke shumë mundësi të mbeteni të papunë përgjatë gjithë jetës”. Zezakët dhe hispanikët, nëse janë të aftë dhe ambiciozë, mund të shpresojnë tek kuotat. Të bardhët e Mesperëndimit të de-industrializuar, të zhgënjyer nga republikanët dhe demokratët, shpresojnë dhe votojnë Trampin.
Ekonomisti italian, Luixhi Zingales, profesor në “Chikago Booth Schol” shkroi së fundmi në të përditshmen “Chicago Tribune”: Për të kuptuar tërheqjen e amerikanëve ndaj Trampit, shikoni pse Italia zgjodhi Berluskonin. Krahasimin mes të dyve e përdora si temë të seminarit të parë që mbajta në Institutin e Politikës, dhe në fakt Tramp po përsërit (kopjon?) të gjitha lëvizjet, përmes së cilave në vitet 1993-1994 Berluskoni arriti të korrte suksesin e parë politik.
Asokohe në Itali ai dukej si një risi absolute. Dhe risi iu duket sot amerikanëve Tramp, të befasuar nga një personazh televiziv që i imponohet një partie (Berluskoni e krijoi partinë nga e para), një miliarder populist i aftë të bindë të papunët.
Kur Tramp thotë: “Jam vetë i pasur, s’kam nevojë të varem nga sistemi i donacioneve” të tjerët e besojnë. Përveç faktit që tani, në prag të konventës republikane, i njëjti Tramp po josh lidershipin republikan që mban fijet në çantë. Gara tashmë fillon të kushtojë, dhe pa investime të tjera nuk mund të rezistohet deri në nëntor. Por, dhe në fakt edhe ky është lajm. Edhe për këtë javë Tramp do të ushqejë mediat.
Për të qëndruar tek krahasimi Tramp-Berluskoni, në vitin 2016 Hilari Klinton ka gjasa që të përfundojë si Akile Oketo i kësaj fushate presidenciale amerikane. Nuk mund të përfitojë plotësisht nga efekti i “gruas së parë në Shtëpinë e Bardhë”, pasi Tramp është më i ri, tallës dhe shpotitës me të. Në këtë pikë, ajo vetëm mund të shpresojë që votuesit amerikanë do të zgjedhin njeriun e provuar si mënyra më e sigurtë. Por në këto kohë, përveç Gjermanisë, prirja nga Austria në Spanjë, shkon në drejtimin e kundërt.

Vezët kundër Edi Ramës “pjellin” akuza penale për aktivistët e majtë

Besar LIKMETA

Të mërkurën në Gjykatën e Tiranës filloi shqyrtimi i çështjes së ngritur nga Prokuroria kundër 8 studentëve, të cilët akuzohen për goditje për shkak të detyrës dhe kundërshtim të forcave të rendit, gjatë një proteste simbolike kundër Kryeministrit Edi Rama.
Ngjarja nën hetim gjyqësor ka ndodhur më 2 nëntor në Fakultetin e Shkencave Sociale të Universitetit të Tiranës, në momentin që Rama po largohej nga një takim me grupe interesi të bizneseve të vogla. Pas hedhjes së vezëve, 8 studentë u shoqëruan në polici dhe u mbajtën të ndaluar për rreth 6 orë. Pas incidentit, studentët e akuzuan policinë dhe rojet e gardës se kishin ushtruar dhunë gjatë shoqërimit të tyre. Policia nga ana e saj e mohoi ushtrimin e dhunës.
Studentët nën akuzë i përkasin Lëvizjes Për Universitetin, një grupim aktivistësh të majtë që gjatë dy viteve të fundit ka organizuar protesta masive kundër reformës së arsimit të lartë.
Sipas avokatit Dorian Matlija nga qendra Res Publica në Tiranë, i cili është përfaqësuesi ligjor i aktivistëve të akuzuar nga Prokuroria, dy nga studentët akuzohen për goditje për shkak të detyrës të Kryeministrit, ndërsa të tjerët për kundërshtim të forcave të rendit, sepse presupozohet se kanë bërë një lloj rezistence në momentin që kanë dashur t’i shoqërojnë në makinat e policisë.
“Është e paqartë sa vezë janë hedhur, por në dosje kam parë vetëm një fotografi të një veze të rrëzuar në tokë. Ndoshta në filmim mund të duken më shumë se një”, i tha Matlija “BIRN”.
“Asnjë nga vezët nuk e ka prekur Kryeministrin, por ligji parashikon dhe një vepër të mbetur në tentativë në qoftë se për rrethana objektive nuk është realizuar- për shembull në qoftë se nuk ka pasur nishan”, shpjegoi Matlija.
Në një deklaratë për shtyp të mërkurën jashtë Gjykatës së Tiranës- ku u mbajt dhe seanca e parë kundër studentëve – Lëvizja Për Universitetin ironizoi akuzat e ngritura nga Prokuroria si të motivuara politikisht.
“Studentët nuk goditën Kryeministrin për shkak të detyrës, por protestuan ndaj një Kryeministri të katandisur në shërbëtor të diplomoreve private, për shkak të moskryerjes së detyrës nga ana e tij: mbrojtjes së interesit publik”, thuhej në deklaratë.
“Studentët nuk refuzuan t’u bindeshin urdhrave të ligjshme të Policisë së Shtetit, por u mbrojtën nga dhuna e badigardëve dhe policëve të ndërsyer, që në shkelje të ligjit i rrahën dhe i tërhoqën zvarrë në oborrin e fakultetit”, shtoi lëvizja.
Klodi Hoxha, 22 vjeç nga Tropoja është një nga dy studentet që akuzohet nga Prokuroria se ka goditur Kryeministrin Edi Rama me vezë. Studentja e vitit të tretë në Departamentin e Shkencave Politike të Universitetit të Tiranës thotë se Fakulteti i Shkencave Sociale – auditorin e të cilit Rama zgjodhi për të mbajtur konferencën me bizneset – konsiderohet si vatra e rezistencës studentore dhe vendi ku është ngjizur Lëvizja Për Universitetin.
Hoxha kujton se më 2 nëntor, pasi kishin marrë vesh se “i gjati” kishte ardhur në fakultet, aktivistët e lëvizjes kanë tentuar të hyjnë në auditorin ku mbahej mbledhja, por janë ndaluar nga siguria me argumentin se ajo ishte e mbyllur për publikun.
“Rama asnjëherë nuk na ka dëgjuar gjatë dy viteve që kemi protestuar dhe dërguar peticione dhe erdhi në fakultet për të folur për bizneset. Kjo ishte fyerje për ne”, tha Hoxha, duke shpjeguar vendimin e aktivistëve për ta goditur Kryeministrin me vezë.
Pamje të incidentit të postuara në YouTube, të cilat janë filmuar nëpërmjet një telefoni celular, tregojnë një studente që i afrohet Kryeministrit teksa ai largohet nga godina e fakultetit dhe hedh diçka që nuk dallohet në drejtim të tij, ndërkohë që të tjerë studentë dëgjohen të thërrasin “hajdut” dhe “sharlatan”. Videoja mbyllet me forcat e Gardës që i vërsulen studentëve për t’i neutralizuar dhe më pas i shoqërojnë me forcë drejt një patrulle policie.
Klodi Hoxha kujton se hedhja e vezëve kundër Ramës nuk kishte për qëllim ta lëndonte atë.
“Shpëtoi, por nuk është e rëndësishme e kapi apo s’e kapi, se po të donim ta lëndonim ne e gjuanim me diçka tjetër dhe jo me vezë. Ne e kemi thënë vazhdimisht që kjo ishte protestë- një formë proteste brenda limiteve të shprehjes”, tha ajo.
Avokati Matlija bie dakord duke thënë që për sa i përket akuzës së ngritur nga Prokuroria për “goditje për shkak të detyrës” kemi të bëjmë me një “veprim që është në kuadër të lirisë së shprehjes, edhe pse mbase në kapërcim të kufirit të lejueshëm”.
“Qëllimi i tyre nuk ka qenë ta dhunojnë Kryeministrin, për t’i bërë atij dëmtime fizike… por ka qenë më tepër për ta bërë pis”, tha Matlija.
Sipas avokatit të të drejtave të njeriut, ndërhyrja e policisë dhe e gardës brenda ambienteve të universitetit për të shoqëruar studentët ka qenë e paligjshme.
“Ligji për Arsimin e Lartë i jep një lloj imuniteti territorit të universitetit dhe forcat policore mund të hyjnë aty vetëm me leje të titullarit ose kur është duke u kryer një krim në flagrancë e sipër”, tha Matlija.
Viki Çipi, një nga studentet e akuzuara për kundërshtim të policisë, i tha “BIRN” që forcat e gardës jo vetëm që i kanë marrë me forcë nga ambientet e universitetit, por kanë ushtruar dhe dhunë ndaj tyre.
“Ne na kanë tërhequr zvarrë truprojet civile dhe jashtë kangjellave jemi përballur me policë që ka ushtruar dhunë”, tha 22-vjeçarja. “Ne na kanë rrëmbyer nga fakulteti, ndërkohë na kanë vënë nën akuzë se kemi kundërshtuar forcat e policisë”, shtoi ajo.
Çipi i tha “BIRN” që më 2 nëntor, studentët ndjeheshin të provokuar nga Kryeministri, i cili pasi kishte bërë një vesh shurdh ndaj protestave të tyre për dy vjet, kishte zgjedhur pikërisht fakultetin e tyre për të biseduar me bizneset.
“Në qoftë se kthej kokën mbrapa dhe të isha në të njëjtën situatë, prapë do ta bëja këtë gjë”, tha Çipi. “Unë po protestoja kundër Kryeministrit për t’i treguar që arsimi nuk është e drejtë vetëm për të pasurit që i kanë xhepat plot, por edhe për të varfrit”, shtoi ajo.
Arlind Qori, profesor në Fakultetin e Shkencave Politike në Universitetin e Tiranës i tha “BIRN” se sot i gjithë pushteti është investuar për t’i ndërshkuar këto studentë në mënyrë shembullore, të cilat “nuk e cenuan fizikisht zotin Rama, por prekën pushtetin e tij simbolikisht”.
“I treguan atij që në oborrin e fakultetit ai nuk mund të jetë zot i pakufizuar, siç tenton të jetë në qeverisjen e vendit”, tha ai.
“Vajzat po tentohet të ndëshkohen, sepse tek organizimi i tyre, pushtetarët kanë parë farën ose potencialin e një organizmi më masiv që do të nxjerrë dobësinë e tyre në shesh”, përfundoi Qori.

BIRN

Kosovë, në vitin 2016, sektori bankar me plan dinamik

Drejtori ekzekutiv i Shoqatës së Bankave të Kosovës, Petrit Balija, ka thënë se momentalisht sistemi bankar i Kosovës është stabil, i kapitalizuar mirë dhe rentabil.
Sipas tij, niveli i kredive joperformuese vazhdon të mbahet në nivele të ulëta. “Asetet kanë shënuar vlera pozitive të rritjes duke arritur në 3.371 miliardë euro”, është shprehur ai. Ndërkaq sa i përket raportit të kredive me depozita, Balija ka thënë se ky raport qëndron në proporcionin 75 %. “Raporti i kredive ndaj depozitave është rreth 75 %, që do të thotë se ka një likuiditet të mjaftueshëm në sistemin bankar, i cili mund të plasohet në ekonomi në rast se kemi një rritje ekonomike më të madhe dhe kërkesë të shtuar për financim”, ka deklaruar ai.
Balija në këtë intervistë për gazetën “Epoka e re” ka bërë me dije se Shoqata e Bankave të Kosovës ka një plan mjaft dinamik për vitin 2016 në disa fusha, përfshirë këtu harmonizimin e legjislacionit të Kosovës me praktikat më të mira ndërkombëtare dhe implementimin e standardeve ndërkombëtare financiare, adresimin e çështjeve rreth efikasitetit të sistemit gjyqësor, çështjet me procedurat e përmbarimit, përmirësimin e regjistrit të pengut, ngritjen e kapaciteteve të sektorit etj. “Gjithashtu, Shoqata e Bankave ka lansuar fushatën e edukimit financiar, e cila tanimë është duke prodhuar efekte pozitive për klientët bankarë. Ndërsa nga bankat pritet të vazhdojë trendi i përmirësimit dhe zgjerimit të ofertës financiare, gjithnjë duke u bazuar edhe në përmirësimet që duhet të ndodhin në ambientin e të bërit biznes dhe në shkallën e zhvillimit ekonomik në vend”, ka thënë ai.
I pyetur për shtrenjtimin e shërbimeve bankare në bankat e Kosovës, Balija është përgjigjur se deri te kjo ka ardhur, pasi kostoja e fuqisë punëtore në Kosovë është në rritje e sipër. “Përveç rritjes së natyrshme të kostove që ndodhin në ekonomi në lidhje me shkallën e inflacionit, në Kosovë po shohim edhe një tendencë të ngarkesës së punëdhënësve me tatime, tarifa dhe obligime shtesë ndaj resurseve njerëzore, të cilat mund t’i ngrenë kostot e operimit, në veçanti për ofruesit e shërbimeve siç janë edhe bankat komerciale. Në këtë drejtim edhe në sistemin bankar ka një rritje të këtyre kostove dhe bankat komerciale po ofrojnë alternativa nëpërmjet shërbimeve elektronike, të cilat janë shumë më të lira dhe më të shpejta sesa shërbimet manuale”, ka deklaruar Balija, duke shtuar se në këtë drejtim ligjvënësit dhe Qeveria duhet të kenë kujdes të veçantë për ligjet mbi tatimet; Ligjin e Punës dhe aktet e tjera të ndërlidhura; sanksionet e parashikuara në ligje, të cilat duhet të përshtaten me madhësinë e bankave komerciale në Kosovë; si dhe tarifat e tjera që aplikohen në sektorin bankar nga instanca të tjera shtetërore. Sipas tij, në mënyrë që bankat komerciale ta arrijnë përafërsisht fitimin e njëjtë si në vitin e kaluar, është e rëndësishme që ligjet mbi tatimet, obligimet ndaj punëdhënësve si dhe tarifat e tjera shtetërore të mos rriten pasi, sipas tij, kjo do të ndikonte negativisht në trendin e zhvillimit të afarizmit jo vetëm për bankat, por për të gjithë sektorët.

Edhe Guvernatori kërkon përmirësim të klimës së biznesit

Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, z. Gent Sejko, në një takim zyrtar në mjediset e Bankës së Shqipërisë me ambasadorët e vendeve të huaja të akredituar në Shqipëri e ka vënë theksin ndër të tjera në rëndësinë e vazhdimit të reformave strukturore, të cilat do të ndikonin në përmirësimin e mëtejshëm të klimës së biznesit dhe në përshpejtimin e zhvillimit ekonomik të vendit.
Kjo është hera e dytë brenda pak ditësh që Sejko thekson nevojën e reformave dhe përmirësimit të klimës së biznesit. Këtë mesazh ai e dha qartë kur Banka e Shqipërisë uli sërish normën bazë në 1.25% gati dy javë më parë, duke e çuar në nivele minimale rekord.
Takimi me ambasadorët ishte pjesë e angazhimit të BSH-së për të zhvilluar një komunikim produktiv e konsultativ me grupe të ndryshme interesi, të cilët mund të luajnë një rol pozitiv në të mirë të sistemit financiar në veçanti e ekonomisë shqiptare në tërësi. Përveç ambasadorëve të vendeve të huaja të akredituar në Shqipëri, në këtë takim merrnin pjesë edhe përfaqësuesit rezidentë të institucioneve ndërkombëtare financiare.
Gjatë takimit, fillimisht Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, z. Gent Sejko, bëri një prezantim të situatës makroekonomike të vendit, duke parashtruar se, pavarësisht zhvillimeve të pafavorshme ndërkombëtare, Shqipëria ka shënuar një trend pozitiv në përmirësim të rritjes ekonomike. Stabiliteti makroekonomik i vendit është mbështetur nga harmonizimi i politikës monetare lehtësuese me politikën fiskale konsoliduese. Duke përfituar nga rasti, Guvernatori konfirmoi dhe njëherë angazhimin e Bankës së Shqipërisë për të mbështetur qëndrueshmërinë financiare të vendit dhe rritjen ekonomike të saj nëpërmjet politikës monetare stimuluese. Në këtë kuadër, ai theksoi si mjaft të rëndësishëm vazhdimin e reformave strukturore, të cilat do të ndikonin në përmirësimin e mëtejshëm të klimës së biznesit dhe në përshpejtimin e zhvillimit ekonomik të vendit.
Në prezantimin e tij, Guvernatori Sejko u ndal më në veçanti në zhvillimet e sektorit financiar në Shqipëri dhe reformat e ndërmarra për të rritur ndërmjetësimin financiar në ekonomi. Guvernatori u shpreh: “…Shqipëria është një vend me stabilitet financiar, ku një ndër promotorët e këtij zhvillimi ka qenë edhe sektori bankar, i cili ka mbështetur ekonominë dhe biznesin në rrugën e zhvillimit ekonomik. Ky sektor është likuid, i mirëkapitalizuar dhe i aftë të përballojë kërkesat e tregut për fonde. Këto parametra optimalë krijojnë kushtet e nevojshme që ky sektor të mbështesë të gjitha iniciativat e investitorëve të brendshëm dhe të huaj”.
Një çështje me rëndësi të veçantë, e diskutuar gjatë takimit ishte dhe ngjallja e interesit për rritjen e bashkëpunimit ekonomik dhe vlerësimi i mundësive për nxitjen e investimeve të huaja direkte në vendin tonë. Në këtë kuadër, Guvernatori Sejko i ftoi përfaqësuesit e trupit diplomatik të akredituar në vend që këtë tablo të ekonomisë shqiptare ta përcjellin tek investitorët për t’i bindur ata se Shqipëria ofron potenciale të mëdha për investime.
Shqipëria po ecën drejt një modeli të ri zhvillimi të orientuar drejt sektorëve prodhues, të cilët kanë nevojë për mbështetje. “…Ambienti financiar në Shqipëri karakterizohet nga likuiditet i bollshëm, norma të ulëta interesi, kurs i qëndrueshëm këmbimi, standarde të lehtësuara kreditimi; ky ambient rrit perspektivën potenciale ekonomike të vendit tonë …” u shpreh Guvernatori. Prandaj, është e rëndësishme që ambasadorët e huaj të përdorin influencën e tyre për promovimin e Shqipërisë dhe nxitjen e investimeve të huaja në sistemin financiar shqiptar dhe më gjerë.
Në përgjigje të interesit të ambasadorëve, Guvernatori ndau me ta pikëpamjet e tij mbi çështjet e ngritura të tilla si perspektivat e zhvillimit të vendit, pavarësia e bankës qendrore, perceptimi i realitetit ekonomik, ndikimi i reformës në drejtësi dhe përforcimi i zbatimit të ligjit, dhe integriteti i sektorit bankar. Nga ana e tyre, ambasadorët theksuan se është e rëndësishme që institucionet shqiptare të jenë më vokale në promovimin e Shqipërisë, e cila ka njohur ndryshime të dukshme ndër vite.

Rritet çmimi i kafesë

Edhe pse nën presionin e uljes së çmimeve në tregjet ndërkombëtare, çmimi i kafesë në lokale dhe bare ka reaguar me rritje këtë vit.
Produkti më miqësor për shqiptaret, kafeja ka qenë në trajektore rënëse gjatë vitit që shkoi, por tani kurba i është kthyer rritjes.
Të dhënat e INSTAT tregojnë se rritja vjetore te çmimeve për kafenë ishte 1.1%, vlera më e lartë që nga 2014. Ky ndryshim një vit më parë ishte 0.4 për qind.
Burimet nga tregu pohojnë se, shkaqet e rritjes së çmimeve lidhen me nismën e antiinformalitet dhe rritjen e taksave vendore. Barra fiskale në fillim të këtij viti është dyfishuar për bizneset e vogla, të cilat duket se kanë nisur t’i reflektojnë këto masa në rritjen e çmimeve.
Të dhënat e importit për tremujorin e parë tregojnë se kafeja nuk është prekur nga kriza e konsumit. Për janar-mars janë importuar 2.4 për qind më shumë se e njëjta periudhë më parë. Kafeja është nga të paktat produkte që nuk është prekur nga kriza.
Që kur qeveria në vitin 2009 nisi të lehtësojë taksimin me akcizë mbi kafene, importet e saj krahasuar me këtë vit gati janë dyfishuar.
Si për të gjithë mallrat e tjerë të akcizës edhe për kafenë niveli i taksimit ka ndryshuar disa herë.
Nga 30 për qind të vlerës së importit në 1996 akciza u bë fikse në 2003. Në vitin 2013 vlera e akcizës u rrit, ndërsa lehtësimi nisi pas 2010.
Duke ndjekur modelin e shumicës së vendeve të BE në 2012 akciza për kafenë e papjekur u bë 0 nga 30 lekë kilogrami që ishte, ndërsa për kafen e papjekur taksimi me akcizë u ul ndjeshëm.

Shqipëria, me rritjen më të ulët të kredisë dhe depozitave në rajon, në 2015-ën

Bizneset shqiptare kanë marrë më pak hua dhe individët kanë vendosur më pak kursime në banka në krahasim me të gjitha vendet e tjera të rajonit në vitin 2015. Të dhënat krahasuese të raportit të tremujorit të parë 2016 të Komisionit Europian për shtetet kandidate dhe ato potenciale kandidate në BE tregojnë se Shqipëria rezulton vendi që ka pasur rritjen më të ulët vjetore si të kredive ashtu dhe të depozitave.
Kredia për ekonominë me bazë vjetore në Shqipëri u rrit me 0.3% në vitin 2015. Kjo është ecuria më e dobët në gjithë rajonin. Pas Shqipërisë, kreditimin më të ulët e ka shënuar Mali i Zi, që pa një zgjerim prej 0.9%. Më mirë rezulton Maqedonia, bizneset dhe individët e të cilës i janë gëzuar rritjes më të lartë në rajon. Ritme të larta kanë pasur edhe Serbia e Kosova.
Sipas raportit të Komisionit Europian, rritja vjetore e kredisë në Ballkanin Perëndimor në 2015-ën ka mbetur përgjithësisht pozitive për shkak të normave të ulëta të interesit. Kjo e fundit ka bërë që huaja të rritet ndjeshëm për individët, ndërsa kredia për bizneset veçanërisht firmat e mesme dhe të vogla, ka mbetur përgjithësisht e zbrehtë.
Edhe për depozitat, Shqipëria ka shënuar rritjen më të ulët në rajon, me 1.9% me bazë vjetore në 2015-ën. Ecurinë më të mirë në rajon e ka shënuar Mali i Zi që ka parë një rritje të kursimeve në banka me 13.7%.
Të gjitha shtetet e tjera të Ballkanit Perëndimor, me përjashtim të Shqipërisë kanë shënuar një rritje vjetore të depozitave me më shumë se 6%.

Qeveria mund të bllokojë rishitjen e koncesioneve

Ministria e Energjetikës ka bërë gati disa ndryshime në ligjin për kërkimin dhe prodhimin e hidrokarbureve, nëpërmjet të cilit janë futur disa koncepte të reja që kanë të bëjnë me sigurinë kombëtare.
Në rastet kur dega në Shqipëri është u transferuar nga një tek një tjetër, ligji i ri ja njeh shtetit shqiptar të drejtën që për shkaqe të sigurisë kombëtare mund të mos e miratojë një kalim licence koncesionare nga një kompani tek një tjetër.
Projektligji gjithashtu kufizon trajtimin fiskal të koncesionarëve nga 35 vite që është aktualisht, afërsisht sa kohëzgjatja e koncesionit në 10 vite.
Ndryshimet gjithashtu realizojnë një ndarje më të qartë e afateve kohore që përfshihen në periudhën e kërkimit me atë të vlerësimit të një zbulimi (7 vite kërkim dhe 3 vite vlerësim).
Burimet nga Ministria e Energjetikës pohuan se, me rritjen e stabilitetit të Republikës së Shqipërisë, kalohet nga përfshirja në Marrëveshjet Hidrokarbure të klauzolave të hapura dhe të pakufizuara në kohë lidhur me stabilitetin e regjimit fiskal në aplikimin e tyre në një afat kohor të kufizuar (10 vjet nga data e fillimit të prodhimit të hidrokarbureve).
Përcaktohet që aktiviteti i kërkimit dhe prodhimit të lëndëve hidrokarbure të kryhet nga ekspertë të pajisur me çertifikatën e lejes profesionale për veprimtarinë studimore-projektuese dhe zbatuese për kërkimin dhe prodhimin e naftës dhe të gazit.
Regjimi fiskal do të përcaktohet në legjislacionin tatimor në fuqi, duke përfshirë dhe ligjin specifik nr. 7811, datë 12.4.1994 “Për miratimin me ndryshime të dekretit nr.782, datë 22.2.1994 “Për sistemin fiskal në sektorin e hidrokarbureve (kërkim-prodhim), të ndryshuar.

Reagon Bashkia Kamëz: Veliaj dordolec bastard, hoqi nga ndihma ekonomike 6 mijë familje

Bashkia Kamëz ka reaguar sot ndaj kreut të Bashksië së Tiranës, Erion Veliaj për racizmin ndaj banorëve të Kamzës. Në një njoftim për shtyp të Bashkisë Kamëz thuhet se, Veliaj vijon gjuhën e tij raciste dhe diskriminuese ndaj qytetarëve dhe Bashkisë së Kamzës.

“Kjo gjuhë bastarde që përdor kryetari i Bashkisë së Tiranës ka në nëntekst largimin e vëmendjes nga punët e mëdha që ka qyteti i tij. Ky dordolec duhet të mbajë gojën e të mos i fyejë banorët e Kamzës dhe Paskuqanit, këta banorë punëtorë dhe të zgjuar, pasi me djersën e tyre këto 25 vite ndërtuan një jetë nga fillimi duke e nisur nga zero, duke punuar e fituar paranë me djersën e ballit dhe jo si ti dhe Mjaft-istët dhe G99-shat që me zero ditë pune na u bënë ministra, kryetar bashkie, uzurpuan administratën, u bënë milionerë dhe menjëherë iu sulën të ardhurave duke u hequr edhe ndihmën ekonomike, vetëm në Kamëz 6 mijë familjeve, pra duke u hequr bukën e gojës. Këtë gjë nuk ta falin banorët e Kamzës”, thuhet në njoftimin për shtyp.

Sipas Bashkisë Kamëz, Veliaj nuk po bën gjë tjetër, por po ecën nën gjurmët e padronit të tij Edi Rama dhe po nxitin një konflikt që asnjë në këto 25 vite nuk e ka bërë, pra që të dy janë antiveriorë. “E kanë shprehur këtë gjuhë urrejtjeje dhe më parë siç Rama shefi i Veliajt, duke i ironizuar në një takim elektoral veriorët, kur tha që na vijnë nga Alpet; i quajti shpellarë, Veliaj vandalë se nuk na ditkan ku është liqeni etj.

Erioni le të merret me investimet në territorin e Bashkisë së Tiranës në kufi me Kamzën siç është lumi i Tiranës, që e ka kthyer në një geto të vërtetë. E vetmja gjë që ka në vizionin e tij është rritja e taksave, që ky kryebashkiak i Tiranës përdor çdo ditë ndaj qytetarëve dhe bizneseve të Tiranës. Ndërsa kërkon të merret edhe me administrimin e Kamzës, pyesim se çfarë bëre mirë deri tani ti Erion, që të ta lëmë edhe Kamzën që ta bësh “dritë”?! Nuk duam të përmendim mynxyrën, duke lënë në harresë të gjitha njësitë administrative që janë pjesë e kryeqytetit, si rezultat i reformës administrative-territoriale.

Je i vetmi pushtetar që ngrihesh dhe u bën presione institucioneve gjyqësore dhe ndërsa ne mendojmë që ti duhet t’i drejtohesh drejtësisë për shkelje të rënda të Kushtetutës, vjen e bën dordolecin duke futur hundët në punët e njësive të tjera administrative. Edhe si ministër Erion vetëm për një gjë u bëre mediatik, për dasmën mbi kala! Qytetarët e Kamzës kanë ditur dhe dinë të orientohen drejt në zgjedhjet e tyre”, thuhet në njoftimin për shtyp të Bashkisë Kamëz.

Përgatiti:
Edmond DURAKU

Përgjimet, fundi i Ramës, ka kaluar vijën e kuqe

Të gjitha detajet në lidhje me pajisjen e përgjimit, të cilat kanë nisur të bëhen publike hedhin dritë mbi skandal dhe krim shtetëror, i cili vendos përpara përgjegjësisë direkte kreun e qeverisë dhe ministrin e tij të Brendshëm. Tahiri e ka përgënjeshtruar fillimisht ekzistencën e një pajisje të tillë. Më pas, ai ndryshoi qëndrim dhe e pranoi ekzistencën e saj, por deklaroi se përdoret për trajnim.
Në një skandal të mirëfilltë shtetëror, policia refuzoi urdhërin e Prokurorisë, e cila kërkoi sekuestrimin e kësaj pajisje përgjimi me pretekstin se ajo i përket Interforcës italiane, e cila nga ana e saj deri tani ka heshtur përpara një shkrese zyrtare të dorëzuar nga Prokuroria. Po ashtu doganat kanë mohuar zyrtarisht deri tani që të tregojnë dokumentat se si kjo pajisje ka hyrë në Shqipëri, duke e bërë të qartë se ajo nuk është regjistruar zyrtarisht sikurse e kërkon ligji.
Është thënë nga goja e ministrit se kjo pajisje është përdorur për trajnime, ndërsa ligji e saktëson se edhe këto trajnime nuk mund të bëhen nga policia pa lejen e Prokurorisë, madje është ky institucion, ai i cili duhet të bëjë trajnime të tilla.
Gazetari Fevziu, duke iu referuar burimeve të shërbimeve sekrete ka paraqitur mënyrën klandestine të hyrjes në Shqipëri të kësaj pajisje. Sipas tij, pajisja ka hyrë më 12 mars në Shqipëri dhe ajo ka qenë në bagazhin e një makine model BMW X3 me targa italiane. Ky informacion le të kuptosh se futja e pajisjes është evidentuar nga institucionet jashtë kontrollit të qeverisë që ditën e parë të futjes së saj.
Informacioni tjetër është se pajisja është kapur, duke përgjuar përmes metodave të specializuara të shërbimeve inteligjente. Frekuencat e këtyre përgjimeve janë një tjetër provë e rëndë me të cilën do të duhet të përballet Tahiri dhe Rama. Ish-Kryeministri Berisha deklaroi tre ditë më parë se me këtë pajisje nuk janë përgjuar gjatë këtyre dy muajve jo vetëm krerët e shtetit shqiptar, duke nisur nga Kreu i Shtetit tek, Kryetari i Parlamentit dhe Kryetari i opozitës, por janë përgjuar edhe ambasadorë të vendeve mike.
Kjo deklaratë e ish-Kryeministrit Berisha nuk është përgënjeshtruar. Vendi është në prag të një megaskandali politik, i cili prej tre ditësh i ka kaluar kufijtë e territorit të këtij vendi. Mediat italiane kanë mundur që të evidentojnë edhe mënyrën e futjes në Shqipëri në mënyrë klandestine të kësaj pajisje përgjimi. Ata sqarojnë se kemi të bëjmë me një plan privat mes krerëve të qeverisë në Shqipëri dhe familjarëve të kreut të Interforcës italiane. Burimet saktësojnë gjithashtu se në këtë biznes janë të përfshirë emra të njohur të përfshirë në struktura të hetimit të krimit, por që janë të evidentuar për lidhjet me trafikantë dhe kriminelë.
Burimet saktësojnë se pajisja është marrë në mënyrë private, sepse ajo disponohej në një nga banesat e këtyre zyrtarëve me lidhje të dyshimta me krimin në vendet fqinje dhe që mbahej po ashtu në mënyrë klandestine dhe të paautorizuar. Të njëjtat burime saktësojnë se personi që mendohet se ka futur këtë pajisje në mënyrë klandestine në Shqipëri ka në banesat e tij edhe dy pajisje të tjera të të njëjtës markë.

Pajisja është përdorur

Gazetari i afërt me ministrin e Brendshëm, Tahiri deklaroi mbrëmë se pajisja nuk është përdorur vetëm për trajnime, por edhe për të hetuar dhe arrestuar eksponentë të krimit. Ai solli rastin e një pengmarrjeje të pak javëve më parë, që sipas tij ishte bërë e mundur që të kapej autori pikërisht, sepse ishte vënë në punë kjo pajisje. Në këtë rast, gazetari i afërt që shpalos në debate qëndrimin e Tahirit nuk dëshmoi nëse për një përgjim të tillë a kishte marrë policia leje për përgjim nga Prokuroria? Nëse është përdorur në një rast pengmarrje dhe pa vënë në dijeni Prokurorinë, atëherë kjo pajisje përgjimi provohet se po përdoret gjërësisht nga policia në kundërshtim me ligjin.
Rama edhe Tahiri dhe mercenarët e tyre në media nuk mund të bindin askënd se qëllimi i këtyre përgjimeve është lufta ndaj krimit, sepse është e vështirë sot që të gjendet qoftë që ta besojë këtë. Kjo është një qeveri me lidhje kriminale të forta dhe ajo vetëm krimin nuk mund të luftojë. Arsyeja se përse kjo pajisje ka mbërritur në Shqipëri është e mirëfilltë për qëllime politike. Përfshirja në hetim edhe e ambasadorëve dhe evidentimi i këtyre përgjimeve nga autoritete të specializuara është një fakt që tregon se Rama e ka kaluar vijën e kuqe. Këto përgjime janë fundi politik i Ramës. Se cila do të jetë kostoja e këtij fundi, kjo mbetet për t’u parë gjatë ditëve të ardhshme, por askush sot në Shqipëri nuk mund të pranojë që të jetë i përgjuar për interesat politike dhe mafioze të Ramës dhe Tahirit dhe aq më pak mund ta pranojnë këtë përfaqësues ndërkombëtarë të vendeve mike.

Arben SHAHINI

Basha-Majko, takim për Asamblenë e NATO-s

Kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha zhvilloi dje një takim me deputetin e Partisë Socialiste Pandeli Majko, një takim që ngjalli së tepërmi interesin e gazetarëve dhe të opinionit publik. Takimi mes tyre u zhvillua në ‘Rogner’ dhe zgjati rreth 40 minuta. Për këtë takim mes Bashës dhe Majkos nuk pati njoftim zyrtar, ndërsa sapo gazetarët mësuan rreth kësaj çështje nxituan të merrnin informacion pikërisht në vendin ku po zhvillohej ky takim surprizë. Në përfundim të bisedës mes kryedemokratit dhe deputetit socialist, Basha dha edhe një shpjegim për mediat se për çfarë foli në takimin 40 minuta me Majkon, që ngjalli interes. Sipas kreut të demokratëve, në takim u diskutua për Asamblenë e NATO-s që do të zhvillohet në Tiranë, duke qenë se Majko është kryetari i delegacionit shqiptar në NATO. “Respektoj z.Majko për kontributin e tij ndër vite dhe shpresoj që komunikimi politik normal mos të përbëjë lajm në Shqipëri. Tema kryesore e diskutimit ishte Asamblea e NATO”, tha kryedemokrati Basha pas takimit. Në fund të muajit maj në Tiranë zhvillohet për herë të parë Asamblea e NATO-s, ku do të marrin pjesë zyrtarë të lartë së aleancës ushtarake.