18.5 C
Tirana
E enjte, 21 Gusht, 2025

Presidenti-qeverisë: Mos pengoni Prokurorinë, dorëzoni pajisjen e përgjimit

Presidenti i Republikës, Bujar Nishani i kërkon qeverisë shqiptare që të mos pengojë më tutje ushtrimin e funksionit kushtetues dhe detyrën ligjore të Prokurorisë së Shtetit për hetimin e ekzistencës dhe përdorimit të një pajisjeje interceptuese nga ana e Ministrisë së Brendshme.
Përmes një deklarate të shpërndarë për mediat, Presidenti Nishani i ka bërë thirrje dje qeverisë t’i dorëzojë sa më parë autoriteteve të hetimit pajisjen e kërkuar nga organi i Prokurorisë dhe të gjithë dokumentacionin tjetër të nevojshëm për procesin e hetimit.
Nishani ka i bërë thirrje gjithashtu qeverisë të ndalë çdo përpjekje për të manipuluar dhe mashtruar opinionin publik ndërsa ka sqaruar se pretendimi i ngritur nga Tahiri për pajisjen e firmosur nga Presidenti Nishani sipas një marrëveshjeje mes dy vendeve, Shqipërisë e Italisë.
“Qeveria të ndalojë përpjekjet për mashtrimin e opinionit publik në lidhje me marrëveshjet e bashkëpunimit me shtetin italian.
Marrëveshja e bashkëpunimit midis shtetit shqiptar dhe atij italian në luftën kundër krimit të organizuar nuk ka asnjë lidhje me veprimet antiligjore dhe të dënueshme të përdorimit të mjeteve ilegale dhe të paligjshme nga policia shqiptare.
Presidenti i Republikës dënon dhe distancohet nga tentativa e papërgjegjshme e qeverisë për të ngatërruar bashkëpunimin dhe partneritetin e shkëlqyer midis Shqipërisë dhe Italisë në luftën kundër krimit të organizuar, me veprime ilegale dhe të paligjshme të segmenteve të caktuara të Ministrisë së Brendshme në Shqipëri.
Presidenti i Republikës i kërkon prokurorit të Përgjithshëm të ushtrojë të gjithë autoritetin ligjor për të shmangur çdo pengesë që krijohet në hetimin dhe zbulimin e së vërtetës.

Kapja e SHKB nga Shullazi e lidhjet në dogana me Shtyllën dhe Qebinin

Kapobanda Emiliano Shullazi ka kapur edhe SHKB-në në Ministrinë e Brendshme dhe doganat nëpërmjet Arben Skëndos dhe Zamir Shtyllës. Ish-kryeministri Berisha ka denoncuar publikisht në një postim në Facebook kapjen e Shërbimit Sekret të Policisë nga Emiliano Shullazi, nëpërmjet avokatëve të tij, drejtorit të SHKB-së, Arben Skëndo dhe Zamir Shtylla. Duke ju referuar mesazhit që i ka dërguar një oficer i Policisë Gjyqësore (OPGJ), Berisha zbulon edhe skemën e kësaj kapje.
“OPGJ dixhital dëshmon si futi në dorë dhe kriminalizoi Mili i Partisë, SHKB-në, shërbimin informativ të Policisë së Shtetit! Më poshtë keni mesazhin e plotë të OPGJ dixhital! Sb”, shkruan Berisha në Facebook, duke publikuar të plotë mesazhin e OPGJ.
“Përshëndetje zoti Berisha do doja të ju bëja me dije që ky Besmir Qebini lidhjet e tij nuk ndalen tek Shullazi, por tek drejtori i SHKB, Arben Skëndo, i cili bashkë me ish-zëvendësuesin e tij Zamir Shtyllën ka qenë avokati i Emiliano Shullazit. Zamir Shtylla tashmë punon me Besmir Qebinin, duke bërë lekë me thasë në dogana. Besmiri është një mik me Arben Skëndon, drejtori i Përgjithshëm i SHKB. Kam shumë fakte se si Arben Skëndo e ka mbrojtur Besmirin, kur mbulonte aksidentet rrugore në kohën, kur ishte shef qarkullimi. Dhe sa për Arben Skëndon në rast se një oficer policie do të bënte Sk1 Sk2 për Shullazin, Arben Skëndo do e thërriste në Ministri për t’i bërë presion që të mbyllte gojën se po shkel në dërrasë të kalbur. Edhe për bombën që ju vendos babait të ministrit të Brendshëm, me shumë guxim kam përpiluar informacion që bombën e vendosi ushtari i Shullazit, por kërcënimet erdhën nga drejtori i Përgjithshëm i SHKB, që “policia duhet të mendojë se bombën e vendosi familja Gjuta”. E kuptoni zotëri se çfarë mafie është. Janë mbytur policët e pafajshëm OPGJ dhe shefat e vegjël, se Besua që s’di të shkruajë emrin e vet dhe ka frikë të mbaj armën me vete, por ja jep të fortit të lagjes ngjitet në karrierë kjo është fytyra e kupolës së policisë…. Me rrespekt OPGJ”, përfundon mesazhi i oficerit të Policisë Gjyqësore.
Emiliano Shullazi është arrestuar pas kërcënimit dhe dhunimit ndaj profesorit Mynir Koni që të tërhiqej nga gara për Rektor i Universitetit të Tiranës. Tashmë, ai po hetohet nga Prokuroria edhe për gjobëvinie ndaj biznesmenëve dhe rrëmbim pronash nën kërcënimin e armëve nga banditët e tij. Një grua biznesmene ka dëshmuar në Prokurorinë e Krimeve të Rënda se si Emiliano Shullazi i ka grabitur një pronë me vlerë 1 milion euro, duke e kërcënuar. Prokuroria bëri të ditur se, emri i biznesmenes nuk bëhet publik për arsye sigurie.
Sipas Prokurorisë, biznesmenia ka denoncuar direkt Emiliano Shullazin dhe krahun e djathtë të tij, Gilmando Danin për marrjen e një prone në afërsi të zonës së njohur si “Zogu i Zi” në Tiranë. Prokuroria i kërkoi policisë që ta marrë në mbrojtje biznesmenen, pasi i rrezikohet jeta nga banda e Shullazit. Mjaft biznesmenë të tjerë kanë frikë të denoncojnë Shullazin për gjobëvënie, pasi kanë frikë se u rrezikohet jeta nga banditët e Shullazit që janë të lirë.

R.POLISI

Pajisja hyri me 12 mars nga Durrësi në bagazhin e një makine me targa italiane

Nga Blendi FEVZIU

Debati mbi një pajisje ilegale përgjimi ka dominuar dhe duket se do të dominojë javën politike që sapo nisi. I kthyer nga një debat mediatik në një debat legal, ku janë përfshirë Ministria e Brendshme, Prokuroria, Presidenti i Republikës, Parlamenti dhe partitë politike, përgjimi po dominohet më shumë nga misteri mbi pajisjen që e kryen atë dhe ekzistencën e saj. Policia ka pranuar se një pajisje e tillë gjendet në Shqipëri, por ka sqaruar se ajo shërben jo për përgjim, por për identifikim të vendndodhjes së numrave të caktuar telefonikë.
Po si qëndron e vërteta e pajisjes dhe përse mund të përdoret ajo? Burime nga shërbime të inteligjencës kanë deklaruar për “opinion.al” se pajisja ndodhet në Shqipëri prej më shumë se dy muajsh. Një informacion i rezervuar dëshmon se ajo është futur në Shqipëri mëngjesin e datës 12 mars 2016, nga Porti i Durrësit, në bagazhin e një makine “BMW” me targa italiane. Ne nuk kemi arritur të zbulojmë përkatësinë e makinës dhe poseduesin e saj. As lidhjet e tij me shërbimet policore apo sekrete italiane. Por dihet se pajisja nuk është deklaruar as në doganë dhe as në Prokurori, ku sipas ligjit duhej të ishte regjistruar, duke shënuar se kush do ta përdorte dhe për çfarë qëllimi.
Pajisja është një pajisje e sofistikuar izraelite e modelit “IMSI-Catcher”, e cila shërben si për identifikimin e numrave telefonikë në një distancë të madhe, ashtu edhe për dekriptimin e bisedave të kriptuara si Viber dhe Whatsaap. Pajisja luan rolin e një antene të telefonisë celulare falso dhe klonon në moment numrin, i cili do të përgjohet. Që nga ky moment, çdo bisedë audio dhe çdo sms shkon si tek numri ku është nisur ashtu edhe në numrin e klonuar që ndodhet në këtë pajisje.
Sipas një kërkimi në internet, pajisja mund të shërbejë për të bllokuar numra të caktuar, për t’i nxjerrë ata jashtë shërbimi ose për të zhurmuar telefonatat. Me një soft më të përparuar, IMSI, mund të hapë dhe të lexojë bisedat e kriptuara të platformave të ndryshme, por kjo ka një kosto shumë të lartë. Në një rrethanë tjetër, ajo mund ta kthejë telefonin e përgjuar në një mikrofon për përgjim ambiental ose përmes instalimit të padukshëm të një programi, mund të marrë të gjitha datat që ai ka, pra fotot apo testet dhe dokumentet që dikush ruan në telefon. Pajisja kushton rreth 1 milion USD, por programet e saj kanë kosto shtesë.
Policia shqiptare mendohet se e ka përdorur atë në disa operacione për identifikim të numrave në ndjekje, por nuk thuhet nëse pajisja ka modulin që përgjon apo atë që dekripton bisedat. Pra, nëse ajo është thjesht pajisja bazike që përdoret si GPS siç shprehet ministri apo është pajisja e apdejtuar me programet e përgjimit. Nuk dihet nëse herë tjetër ajo është përdorur në Shqipëri dhe për momentin mendohet se ka lëvizur nga ambientet e Policisë së Shtetit. Ajo që të bën të dyshosh është se përse policia heshti më shumë se 48 orë dhe e pranoi ekzistencën e saj me aq vonesë. Por kjo mbetet të shihet nga hetimi. Nëse gjithçka është kaq e thjeshtë sa thuhet apo pas saj ka operacione ilegale që mund të ktheheshin në një skandal politik.
“Opinion.al” ka informacione se variante më minore të së njëjtës pajisje, disponohen edhe privatisht në Shqipëri. Gjë që është krejtësisht e paligjshme dhe problematike. Por edhe kjo mbetët për t’u vërtetuar.
Debati mbi përgjimin mbetet deri këtu për momentin, por ditët në vijim me siguri do të japin një informacion më të hollësishëm…

Emërimet nepotike, Gjermeni 6 familjarë drejtora në Lushnjë

Kryetari i degës së PD në Lushnjë, Myslim Murrizi ka denoncuar publikisht emërimet nepotike në Lushnjë. Në një postim në Facebook, Murrizi shkruan se vetëm Elida (Korreshi) Gjermeni, anëtare kryesie e PS, Kryetare e Gruas Socialiste dhe Kryetare e Këshillit Bashkiak Lushnjë ka emëruar 6 familjarë të saj në poste të rëndësishme. “Denoncimet e qytetarëve lushnjarë për nepotizëm në administratën shtetërore janë një shqetësim jo i vogël. Kur qindra të tjerë hiqen nga puna për motive politike e shumë të tjerë nuk kanë mundësi punësimi, pasi edhe pse kanë votuar e mbështetur “Rilindjen” nuk janë pjesë e klaneve që komandojnë në emër të pushtetit. Pas denoncimit të bërë nga ana e degës PD Lushnjë për një listë emërimesh nepotike të lidhura me një ish-deputet dhe ish-kryetare e Këshillit Bashkiak Lushnjë ja se çfarë më shkruan një qytetar për kryetaren e Këshillit Bashkiak të sotëm Lushnjë”, shkruan Murrizi, duke publikuar të plotë mesazhin e qytetarit.
“Përshëndetje kryetar i PD Lushnjë. Jam një qytetar lushnjar që edhe pse nuk kam votuar për PD, doja të denoncoja tek ju disa emërime lidhur me Elida (Korreshi) Gjermeni anëtare kryesie e PS, Kryetare e Gruas Socialiste dhe Kryetare e Këshillit Bashkiak Lushnjë. 2-Vladimir Gjermeni, burri i Elidës, drejtor i Shkollës së Mesme Mekanike në Lushnjë 3-Islam Korreshim vëllai i Elidës, në Ndërmarrjen e  Shërbimeve Publike në Bashkinë e Lushnjës 4-Namik Korreshi, vëllai i Elidës, së fundi është emëruar tek kunati i tij në Shkollën Mekanike si instruktor 5-Mbesa e Elida Korreshit, vajza e Islamit, punon në Bashkinë Lushnjë. 6- Zija Kurti, nipi i Elida Korreshit, drejtor i Shkollës së Mesme të Bashkuar Çermë Shkumbin”, shkruan ai.
Kreu i PD të Lushnjës ka denoncuar publikisht edhe përgjegjësin e zyrës Arsimore Lushnjë, i cili ka pushuar nga puna mësues me eksperiencë, duke i zëvendësuar me militantë partiakë. “Përgjegjësi i Zyrës Arsimore Lushnjë është kallëzuar penalisht për shpërdorim detyre i duket vetja si shef kuadri i PPSHh dhe së bashku me ish-Sekretarin e Byrosë së Shmilit të Galigatit Hasan Qokun që shihni të ngazëllyer në foto me deputetin bëjnë presione politike mbi mësuesit dhe emërime e shkarkime sipas Partisë së Punës. Që të dy ju mbeturinat e regjimit të Enverit nuk ju ka parë njeri si të zgjebosur politik gjatë 13 viteve të qeverisjes së PD përkundrazi ju kanë trajtuar me mëshirë që vetëm mostra si ju dinë të lypin me një servilizëm të pështirë ndaj kujdo që ka qenë në pushtet. Shumë shpejt do të trajtoheni ashtu siç jeni në fakt. Ja çfarë më shkruajnë dy mësues për Shkollën Shenepremte ku Sekretari i Byrosë është bërë drejtor dhe për Shkollën Çermë Shkumbin: Ornela Metalla. 4 vjet pune ka marrë jashte ligjit kategorinë e 3. Duhen të keshe 5 vjet pune dhe të keshë dhënë provim (ta marrësh provimin) që të keshë kategorinë e 3. Edukatorja në Çermë Shkumbin Arta Mynyr Muça. Ka mbaru Histori-Gjeografi në Elbasan pa punuar asnjë ditë në arsim”, shkruan Murrizi.
Murrizi shkruan më tej se, Ylli Krakulli i komanduar përgjegjës i Zyrës Arsimore Lushnjë i është djegur makina, ndërsa policia e ka mbajtur të fshehtë ngjarjen. “Të martën më datë 10 maj 2016 rreth orës 21:00 i digjet makina “Ford Focus” e vitit 2008 në parkimin poshtë shtëpisë së tij. A di gjë policia e komisariatit Lushnjë për këtë ngjarje? Apo ka qenë “difekt” elektrik meqenëse ka qenë parkuar afër një gabine elektrike? Apo ndonjë “hesap” larje? E çuditshme me këta drejtorët e Arsimit Lushnjë! Dhe këta kanë qenë “shumë korrekt”, por çështje fati më duket se kurrë nuk marrin lekë për emërime mësuesish!?, shkruan Murrizi në një postim në rrjetin social.

R.POLISI

Thirrje kundër qeverisë në shfaqjen e Teatrit në Elbasan

Pasditen e së hënës në Teatrin “Skampa” në Elbasan u dha shfaqja kushtuar pasojave të diktaturës me titull “Ata hynë pa trokitur”, nën drejtimin e Armand Borës dhe aktorëve protagonistë Alfred Trebicka dhe Rozi Kostani. Aktiviteti mbështetej nga prezenca e OSBE në Elbasan.
Por shfaqja ka përfunduar me reagim proteste të disa personave në sallë. Sipas infoelbasani.al në fund të aktivitetit disa persona kanë vlerësuar mesazhin e përcjellë nga shfaqja, por janë shprehur mjaft të revoltuar me situatën e tanishme.
Sipas tyre, mesazhi është kuptimplotë, por ai nuk ka vlerë, sepse në Shqipëri është instaluar klika komuniste, e cila po e shtyp dhe po e rrjep popullin dhe të ish-persekutuarit po vazhdojnë të persekutohen.
“E gjitha kjo është një hipokrizi. Ata janë në pushtet dhe po na degjenerojnë çdo ditë”, u shpreh një spektator. Është dashur ndërhyrja e aktorit Alfred Trebicka, i cili ju drejtua spektatorëve të revoltuar se kjo ishte një shfaqje dhe se nuk duhet të ngatërrohet me politikën.
Ambasadori i OSBE Rauning, që ishte pjesëmarrës në këtë takim deklaroi se, “pikërisht ky ishte qëllim i kësaj shfaqje që njerëzit të fillojnë të diskutojnë për të kaluarën madje dhe të kundërshtojnë”.

Ndërron jetë gazetari Agim Nezaj

Ndërroi jetë mbrëmjen e djeshme gazetari i njohur, pedagogu i shkencave të komunikimit dhe mjeshtri i marrëdhënieve me publikun, Agim Nezaj. Për më shumë se një vit u përballua me një sëmundje të rëndë deri sa dha shpirt në moshën 53-vjeçare në Nju Jork.
Agim Nezaj ka përfunduar studimet në Fakultetin e Gjuhëve të Huaja në Tiranë. Prej 25 vitesh, ai punoi si gazetar, pedagog i komunikimit dhe këshilltar për komunikimin në zyrat më të larta të shtetit.
Fillimet si gazetar i kishte në gazetën “Alternativa SD”, ndërsa deri para dy vitesh kur nisi betejën me sëmundjen e rëndë ishte kryeredaktor i gazetës “Koha Jonë”. Përgjatë kësaj periudhe ai shkruajti artikuj dhe analiza politike tek “Panorama”, “Gazeta Shqiptare”, ndërkohë që nga 1997 ishte për disa vite korrespondent i televizionit britanik, “Sky News” etj.
Por pasioni i madh i Agimit ishte njohja e Shqipërisë për të huajt. Në vitin 1991, ai botoi guiden e parë për turistët nga një autor shqiptar “Albania – Travel Guide”, guidë që njohu përmirësime, plotësime dhe u ribotua disa herë që prej atij viti. Publikimi i fundit i përket vitit 2014. Ndërkaq në lëmin e turizmit, ai pati edhe botime të tjera të gjitha në anglisht.
Po Agim Nezaj botoi edhe dy libra të tjerë për komunikimin, ndërkohë që jepte lëndët e marrëdhëniet me publikun dhe zyrën e shtypit në Universitetin e Tiranës, Departamentin e Gazetarisë si dhe në disa universitete private të kryeqytetit.
Si rrallë ndonjë zyrtar i lartë i administratës publike, ai punoi për shumë vite në stafe të ndryshme politike si rezultat i profesionalizimit dhe integritetit të tij.
Gazetarët e viteve ’90 e njohin Agimin si themeluesin e institucionit të zëdhënësit në institucionet shtetërore. Ai punoi si zëdhënës dhe më pas këshilltar për mediat fillimisht në Ministrinë e Drejtësisë, ndërkohë që u ndërruan 7 ministra, por jo zëdhënësi nga viti 1994 deri në vitin 2000.
Më pas punoi si këshilltar për mediat dhe komunikimin i Prokurorit të Përgjithshëm Sollaku, këshilltar dhe shef i kabinetit të Inspektorit të Lartë të Deklarimit të Pasurive, Lalla, Këshilltar për mediat dhe komunikimin i ministrit të Jashtëm dhe Zëvendëskryeministrit, Meta dhe më pas këshilltar për mediat i Kryetares së Parlamentit, Topalli deri në vitin 2012.
Agimi la në hidhërim te thelle dy vajzat e tij Ergian dhe Edonën, të shoqen Mira, prindërit Bajrami dhe Zoja, pjesëtarë të tjerë të familjes, të afërm dhe miqtë e shumtë të tij.

Gjykata e Tiranës, në 2015-ën u trefishua numri i falimenteve të bizneseve

Çështjet e falimentit në Gjykatën e Shkallës së Parë gjatë vitit 2015 pothuajse u trefishuan. Statistikat tregojnë se u regjistruan në total 64 çështje nga rreth 22 që ishin në vitin 2014.
Mungesa e gjyqtarëve të specializuar për çështjet e falimentit ishte një ngërç më vete dhe pengonte jo pak trajtimin dhe përfundimin e çështjeve. Për këtë qëllim për herë të parë në vitin e kaluar u ngrit një seksion i posaçëm për të gjykuar çështjet tregtare dhe të falimentit. Në bashkëpunim edhe me IFC-në (Banka Botërore) u bë e mundur edhe trajtimi i gjyqtarëve. Aktualisht në Gjykatën e Shkallës së Parë po trajtohen çështjet e falimentit për emra të njohur kompanish, si ajo për Kurum, Albania Airlines, Praktiker Albanien, Volalba, Italcrom, Vaporusa-Alb, etj.
Nga të dhënat vihet re se në total kjo gjykatë gjatë 2015-ës regjistroi mbi 38,700 çështje, ku pjesa më e madhe mbi 27,000 ishin me subjekt civil. Sa i përket çështjeve të përfunduara numri i tyre u rrit me rreth 6% në krahasim me periudhën paraardhëse. Në total norma e likuidimit u llogarit në rreth 98%.
Në po këtë shkallë rritje të çeshtjeve të regjistruara pati edhe për natyra të tjera, ku bie në sy ajo për “Vjedhjen e energjisë dhe impulseve telefonike”. Gjatë 2015-ës u regjistruan si të tilla mbi 1,400 çështje nga rreth 158 që ishin në vitin 2014. Një shifër e cila tregon tendencën e fushatës së realizoi qeveria kurndër vjedhjes së energjisë.

Hahn në Kosovë: Kriteri është i qartë, pa ratifikuar marrëveshjen nuk ka viza

Pas takimit të mbajtur me përfaqësuesit kryesorë të politikës kosovare, eurokomisioneri Johannes Hahn ka përsëritur edhe një herë thirrjet e Bashkimit Europian, të cilët kanë kërkuar ratifikimin e marrëveshjes së demarkacionit me Malin e Zi, në kuadër të vazhdimit të procesit për liberalizimin e vizave. Duke bërë thirrje për dialog mes qeverisë dhe opozitës, ai tha se BE-ja është e gatshme për të ndihmuar, por në fund të fundit, marrëveshja duhet të ratifikohet nga institucionet vendase. “Sa i përket çështjeve konkrete të lidhura me liberalizimin e vizave palët mbajtën qëndrimet e tyre tashmë të njohura dhe të kundërta në lidhje me marrëveshjen e demarkacionit me Malin e Zi. Unë isha shumë i qartë se pa një zgjidhje të këtij problemi nuk do të ketë liberalizim të vizave. Gjithashtu, u kam bërë thirrje të gjithë përfaqësuesve që të marrin pjesë në mënyrën konstruktive në proceset e zhvillimit të mëtejshëm të vendit. Bashkimi Europian, zyrtarët e këtij organizmi përfshirë këtu edhe unë, delegacionet dhe ambasadori janë gati që të ndihmojnë, por në përfundim, zgjidhja duhet të vijë nga institucionet e Kosovës”. Takimi i Hahn me përfaqësuesit kryesorë të qeverisë dhe opozitës u përshëndet menjëherë nga Presidenti i vendit, Hashim Thaçi, i cili nëpërmjet një postimi në rrjetin social Facebook vlerësoi dialogun si një pikë kyçe për funksionimin demokratik të institucioneve dhe për stabilitetin politik të Kosovës. Nga ana tjetër, kreu i Lëvizjes Vetëvendosje, Ymeri, shprehu edhe një herë kundërshtimin e forcës politike të drejtuar prej tij, duke shkruar se gjatë takimit i kishte komunikuar eurokomisionerit mospajtim në lidhje me kushtëzimin që po i bëhet Kosovës për liberalizimin e vizave, përmes vendosjes së Marrëveshjes së Demarkacionit si kusht për përmbushjen e këtij procesi. Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi reagoi pas takimit që komisioneri Johanes Hahn në Prishtinë zhvilloi me drejtues politikë atje, duke theksuar se mirëpret takime të tilla për t’i dhënë fund ngërçit politik. Thaçi thekson se dialogu politik dhe stabiliteti i institucioneve janë kushte të domosdoshme për Kosovën. “E mirëpres dhe përshëndes takimin e përbashkët të liderëve të partive politike parlamentare të mbajtur sot në Kuvendin e Republikës së Kosovës. Dua të ritheksoj se dialogu ndërpartiak është qenësor për funksionimin demokratik të institucioneve dhe për stabilitetin politik në vend. Ndërkaq, funksionimi demokratik i institucioneve dhe stabiliteti politik janë kushte të domosdoshme për zhvillimin ekonomik dhe për jetësimin e vizionit tonë euroatlantik”, shprehet Thaçi.

Prokuroria, asnjë përgjigjie nga ambasada e Interforca italiane

Prokuroria Tiranës ende asnjë përgjigjie nga Ambasada dhe interforca Italiane, për aparaturen që dyshohet se përdoret nga policia e shtetit për përgjimin e celularëve.
Burime pranë orgait të akuzës në kryeqytet, konfirmuan faktin se ende nuk ka një përgjigje për llojin e programeve dhe aparaturave që Interforca përdor në rast ndihme ndaj policisë së shtetit.
Sipas akuzës, krahas pritjes së përgjigjies nga ambasada, prokruoria i ka kërkuar zyrtarisht Drejtorisë së Përgjithshme të doganave të evidentoj nëse ndonjë pajisje e tillë përgjimi është regjistruar në sistemin e tyre apo të jetë zhdoganuar, duke kërkuar praktikën e ndjekur nga dogana në rastin konkret.
Për hetimin dhe zbardhjen e çështjes, ka apeluar edhe Presidenti Bujar Nishani, i cili ka kërkuar nga prokuroria të dërgoi para përgjegjësisë penale të gjthë ata individ të përfshirë në skandalin e përgjimeve.
Nga ana tjetër burimet pranë prokurorisë, i thanë ABC News se pajiset e identifikimit të numrave të telefonit të individëve të ndryshëm prej vitesh përdoret nga Policia e Shtetit. Kjo aparaturë, thonë burimet ka ekzistuar dhe është përdorur shpesh në operacione dhe goditje të personave me rrëzikshmëri të lartë shoqërore, qoftë në identifikimin e numrave që kanë në përdorim por edhe vendndodhjen dhe lëvizjet e tyre.
Kjo pajisje, thonë prokurorët, është përdorur edhe pranë ambienteve të burgjeve, për të identifikuar numrat që personat e ndaluar përdorin apo drejtonin grupe kriminale nga burgu me telefon.
Por të gjitha këto veprime proceduriale, thonë hetuesit janë kryer me miratimin dhe njoftimin e prokurorit të çështjes dhe në asnjë rast nga policia në rrugë operative.
Zyrtarisht, thonë burimet pranë akuzës, nuk dihet nëse kjo aparaturë përgjimi shërben vetëm për të identifikuar numrat e telefonit apo edhe për të përgjuar bisedat e personave nën survejim. Për të provuar këto dyshime të ngritur nga zyrtar të lartë të shtetit shqiptar, prokuroria ka kërkuar sekuestrimin e pajisjes që mendohet se i është dhuruar Policisë së Shtetit nga Interforca italiane.
Prokurorja Anisa Qilimi, e cila po heton dosjen mbi ekzistencën apo jo të pajisjes së përgjimit nga Policia e Shtetit, i ka shkruar të hënën, ambasadës italiane. Prokurorja Qilimi, duke iu referuar të dhënave të policisë, ka kërkuar nga ambasada italiane në Shqipëri të njoftojë organin e akuzës se me çfarë programesh dhe çfarë pajisjesh asiston Policinë e Shtetit në trajnime Interforca italiane.
Kjo shkresë, mësohet se është dërguar të premten, pasi Policia e Shtetit gjatë kontaktit me oficerët e Prokurorisë, i ka njoftuar se një pajisje të tillë nuk e disponojnë ata, por Interforca italiane që asiston në trajnime. Sipas akuzës, dyshimet janë se kjo pajisje përgjimi ka hyrë në Shqipëri pa u regjistruar në Doganën shqiptare dhe se me të policia kryen përgjime të paligjshme.

USAID: Investitorët e huaj duan garanci që të investojnë

Ndihmës Administratori i Përgjithshëm i USAID për Europën dhe Azinë, Thomas Melia u bëri dje thirrje partive politike shqiptare të gjejnë mirëkuptimin për të miratuar së bashku reformën në sistemin e drejtësisë. Melia tha se këtë javë agjencia amerikane për zhvillim ndërkombëtar USAID filloi në Shqipëri një projekt të ri për reformën në sistemin e drejtësisë, e cila është e rëndësishme për modernizimin e këtij sektori.
“Projekti synon të përmirësojë administrimin e gjykatave, efektshmërinë e tyre dhe të lehtësojë rastet e prapambetura”, tha zoti Melia. Ndërkohë në Parlament partitë po negociojnë reformimin e sektorit të drejtësisë. “Dua të kurajoj partitë politike që të punojnë drejt arritjes së një mirëkuptimi, tha Melia, sepse reforma në drejtësi kërkon mbështetje të gjerë. Kjo reformë e modernizon drejtësinë dhe USAID po bën pjesën e vet, duke sjellë ekspertë ndërkombëtarë që të ndihmojnë në disa nga aspektet administrative të procesit”, tha ai.
Përfaqësuesi i USAID për Europën dhe Azinë, Thomas Melia, i bëri këto komente në ditën e dytë të vizitës në Shqipëri gjatë një takimi mbi të ardhmen e bujqësisë shqiptare. Në këtë fushë projekti Agro-Kapital i agjencisë po mbështet prej 3 vjetësh me 14.8 milionë USD shumë fermerë dhe biznese përmes Creative Business Solutions (CBS). Edhe në këtë tryezë konsultative mbi ekonominë dhe bujqësinë, Melia gjeti rastin të theksojë nevojën për të reformuar sistemin e drejtësisë.
“Mënyra më e mirë se si ne mund t’i vijmë në ndihmë këtyre bizneseve është duke mbështetur reformat në sistemin gjyqësor dhe atë të drejtësisë në Shqipëri. Reforma për sektorin e drejtësisë, që po zhvillohet aktualisht në Parlament është një pjesë shumë e rëndësishme e këtij procesi. Garantimi i shtetit të së drejtës do të ketë një ndikim të dukshëm në krijimin e një mjedisi biznesi më transparent, më të barabartë dhe më të sigurtë, që mbështet kreditimin dhe mundësitë e financimit”, tha Ndihmës Administratori i Përgjithshëm i USAID për Europën dhe Azinë, Thomas Melia.
Agjencia Amerikane për Zhvillim Ndërkombëtar, USAID, paraqiti në Tiranë një projekt 9 milionë dollarësh për sektorin e drejtësisë. Melia u bëri thirrje udhëheqësve shqiptarë të ecin me miratimin e Reformës në Drejtësi, duke i quajtur jetike ndryshimet kushtetuese dhe ligjore të propozuara. Ai tha se vonesat dëmtojnë zhvillimin e vendit.
Melia theksoi angazhimin e plotë të qeverisë amerikane mbi përmirësimin e sistemit të drejtësisë dhe kthimin e besimit të qytetarëve shqiptarë tek sistemi gjyqësori. USAID-i do t’u ofrojë mbështetje edhe organizatave të Shoqërisë Civile, gazetarisë investigative dhe medias për të forcuar rolet e tyre si aktorë të rëndësishëm në procesin e Reformës në Drejtësi, në mënyrë që ky proces reformash të fitojë qëndrueshmëri dhe legjitimitet para publikut.

Dhoma Amerikane e Tregtisë propozime për paketën fiskale

Dhoma Amerikane e Tregtisë po liston ankesat që kanë bizneset për klimën e investimeve në vend, të cilat do të jenë për bazë për propozimet që do t’i bëhen Ministrisë së Financave për paketën fiskale 2017. Në një intervistë për “Ora News”, presidenti i Dhomës Amerikane, Mark Crowford rendit Reformën në Drejtësi, si kushtin e parë që duhet të përmbushë Shqipëria për të pasur investitorë të huaj. Dhoma Amerikane e Tregtisë po mbledh të gjitha ankesat e bizneseve të saj për problemet me të cilat ata hasen çdo ditë, që nga taksat e deri te procedurat administrative. Një listë shqetësimesh që përveçse do të bëhen publike brenda muajit, do t’i dërgohen qeverisë për zgjidhje në formën e kërkesave për paketën fiskale 2017.
“Ne do të fokusohemi sipas mendimeve të anëtarëve tanë. Kështu më pas është publikuar sondazhi që kemi dhe nëse ata thonë që taksat janë në krye, do të fokusohemi atje. Nëse ata thonë se është diçka tjetër do të fokusohemi atje. Nuk është se një është më e rëndësishëm se të tjerat, sepse ka shumë që janë të rëndësishëm”, tha Crowford. Dhoma Amerikane e Tregtisë ripërsëriti  apelin për miratimin e Reformës në Drejtësi si kusht themelor që Shqipëria të ketë investitorë të huaj.
“Nëse ka përcaktim që vetëm me lekë mund të fitosh një gjyq kjo do të thotë se këtu në Shqipëri është e vështirë për të investuar, sepse je i pambrojtur. Besoj se këtë që e ka marrë përsipër ambasada amerikane dhe ambasadorët e Evropës ne si Dhomë kemi rënë dakord që të mbështesim ambasadën në procesin që janë”, u shpreh Crowford.
Reforma në Drejtësi po kërkohet me ngulm edhe nga shoqatat e tjera  të biznesit, vendase dhe të huaja që kërkojnë garanci për zbatimin e kontratave dhe funksionimin e ligjit, elementë këta thelbësore për të pasur një klimë të favorshme për të bërë biznes.

Arben Shahini