Pas takimit të mbajtur me përfaqësuesit kryesorë të politikës kosovare, eurokomisioneri Johannes Hahn ka përsëritur edhe një herë thirrjet e Bashkimit Europian, të cilët kanë kërkuar ratifikimin e marrëveshjes së demarkacionit me Malin e Zi, në kuadër të vazhdimit të procesit për liberalizimin e vizave. Duke bërë thirrje për dialog mes qeverisë dhe opozitës, ai tha se BE-ja është e gatshme për të ndihmuar, por në fund të fundit, marrëveshja duhet të ratifikohet nga institucionet vendase. “Sa i përket çështjeve konkrete të lidhura me liberalizimin e vizave palët mbajtën qëndrimet e tyre tashmë të njohura dhe të kundërta në lidhje me marrëveshjen e demarkacionit me Malin e Zi. Unë isha shumë i qartë se pa një zgjidhje të këtij problemi nuk do të ketë liberalizim të vizave. Gjithashtu, u kam bërë thirrje të gjithë përfaqësuesve që të marrin pjesë në mënyrën konstruktive në proceset e zhvillimit të mëtejshëm të vendit. Bashkimi Europian, zyrtarët e këtij organizmi përfshirë këtu edhe unë, delegacionet dhe ambasadori janë gati që të ndihmojnë, por në përfundim, zgjidhja duhet të vijë nga institucionet e Kosovës”. Takimi i Hahn me përfaqësuesit kryesorë të qeverisë dhe opozitës u përshëndet menjëherë nga Presidenti i vendit, Hashim Thaçi, i cili nëpërmjet një postimi në rrjetin social Facebook vlerësoi dialogun si një pikë kyçe për funksionimin demokratik të institucioneve dhe për stabilitetin politik të Kosovës. Nga ana tjetër, kreu i Lëvizjes Vetëvendosje, Ymeri, shprehu edhe një herë kundërshtimin e forcës politike të drejtuar prej tij, duke shkruar se gjatë takimit i kishte komunikuar eurokomisionerit mospajtim në lidhje me kushtëzimin që po i bëhet Kosovës për liberalizimin e vizave, përmes vendosjes së Marrëveshjes së Demarkacionit si kusht për përmbushjen e këtij procesi. Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi reagoi pas takimit që komisioneri Johanes Hahn në Prishtinë zhvilloi me drejtues politikë atje, duke theksuar se mirëpret takime të tilla për t’i dhënë fund ngërçit politik. Thaçi thekson se dialogu politik dhe stabiliteti i institucioneve janë kushte të domosdoshme për Kosovën. “E mirëpres dhe përshëndes takimin e përbashkët të liderëve të partive politike parlamentare të mbajtur sot në Kuvendin e Republikës së Kosovës. Dua të ritheksoj se dialogu ndërpartiak është qenësor për funksionimin demokratik të institucioneve dhe për stabilitetin politik në vend. Ndërkaq, funksionimi demokratik i institucioneve dhe stabiliteti politik janë kushte të domosdoshme për zhvillimin ekonomik dhe për jetësimin e vizionit tonë euroatlantik”, shprehet Thaçi.
Prokuroria, asnjë përgjigjie nga ambasada e Interforca italiane
Prokuroria Tiranës ende asnjë përgjigjie nga Ambasada dhe interforca Italiane, për aparaturen që dyshohet se përdoret nga policia e shtetit për përgjimin e celularëve.
Burime pranë orgait të akuzës në kryeqytet, konfirmuan faktin se ende nuk ka një përgjigje për llojin e programeve dhe aparaturave që Interforca përdor në rast ndihme ndaj policisë së shtetit.
Sipas akuzës, krahas pritjes së përgjigjies nga ambasada, prokruoria i ka kërkuar zyrtarisht Drejtorisë së Përgjithshme të doganave të evidentoj nëse ndonjë pajisje e tillë përgjimi është regjistruar në sistemin e tyre apo të jetë zhdoganuar, duke kërkuar praktikën e ndjekur nga dogana në rastin konkret.
Për hetimin dhe zbardhjen e çështjes, ka apeluar edhe Presidenti Bujar Nishani, i cili ka kërkuar nga prokuroria të dërgoi para përgjegjësisë penale të gjthë ata individ të përfshirë në skandalin e përgjimeve.
Nga ana tjetër burimet pranë prokurorisë, i thanë ABC News se pajiset e identifikimit të numrave të telefonit të individëve të ndryshëm prej vitesh përdoret nga Policia e Shtetit. Kjo aparaturë, thonë burimet ka ekzistuar dhe është përdorur shpesh në operacione dhe goditje të personave me rrëzikshmëri të lartë shoqërore, qoftë në identifikimin e numrave që kanë në përdorim por edhe vendndodhjen dhe lëvizjet e tyre.
Kjo pajisje, thonë prokurorët, është përdorur edhe pranë ambienteve të burgjeve, për të identifikuar numrat që personat e ndaluar përdorin apo drejtonin grupe kriminale nga burgu me telefon.
Por të gjitha këto veprime proceduriale, thonë hetuesit janë kryer me miratimin dhe njoftimin e prokurorit të çështjes dhe në asnjë rast nga policia në rrugë operative.
Zyrtarisht, thonë burimet pranë akuzës, nuk dihet nëse kjo aparaturë përgjimi shërben vetëm për të identifikuar numrat e telefonit apo edhe për të përgjuar bisedat e personave nën survejim. Për të provuar këto dyshime të ngritur nga zyrtar të lartë të shtetit shqiptar, prokuroria ka kërkuar sekuestrimin e pajisjes që mendohet se i është dhuruar Policisë së Shtetit nga Interforca italiane.
Prokurorja Anisa Qilimi, e cila po heton dosjen mbi ekzistencën apo jo të pajisjes së përgjimit nga Policia e Shtetit, i ka shkruar të hënën, ambasadës italiane. Prokurorja Qilimi, duke iu referuar të dhënave të policisë, ka kërkuar nga ambasada italiane në Shqipëri të njoftojë organin e akuzës se me çfarë programesh dhe çfarë pajisjesh asiston Policinë e Shtetit në trajnime Interforca italiane.
Kjo shkresë, mësohet se është dërguar të premten, pasi Policia e Shtetit gjatë kontaktit me oficerët e Prokurorisë, i ka njoftuar se një pajisje të tillë nuk e disponojnë ata, por Interforca italiane që asiston në trajnime. Sipas akuzës, dyshimet janë se kjo pajisje përgjimi ka hyrë në Shqipëri pa u regjistruar në Doganën shqiptare dhe se me të policia kryen përgjime të paligjshme.
USAID: Investitorët e huaj duan garanci që të investojnë
Ndihmës Administratori i Përgjithshëm i USAID për Europën dhe Azinë, Thomas Melia u bëri dje thirrje partive politike shqiptare të gjejnë mirëkuptimin për të miratuar së bashku reformën në sistemin e drejtësisë. Melia tha se këtë javë agjencia amerikane për zhvillim ndërkombëtar USAID filloi në Shqipëri një projekt të ri për reformën në sistemin e drejtësisë, e cila është e rëndësishme për modernizimin e këtij sektori.
“Projekti synon të përmirësojë administrimin e gjykatave, efektshmërinë e tyre dhe të lehtësojë rastet e prapambetura”, tha zoti Melia. Ndërkohë në Parlament partitë po negociojnë reformimin e sektorit të drejtësisë. “Dua të kurajoj partitë politike që të punojnë drejt arritjes së një mirëkuptimi, tha Melia, sepse reforma në drejtësi kërkon mbështetje të gjerë. Kjo reformë e modernizon drejtësinë dhe USAID po bën pjesën e vet, duke sjellë ekspertë ndërkombëtarë që të ndihmojnë në disa nga aspektet administrative të procesit”, tha ai.
Përfaqësuesi i USAID për Europën dhe Azinë, Thomas Melia, i bëri këto komente në ditën e dytë të vizitës në Shqipëri gjatë një takimi mbi të ardhmen e bujqësisë shqiptare. Në këtë fushë projekti Agro-Kapital i agjencisë po mbështet prej 3 vjetësh me 14.8 milionë USD shumë fermerë dhe biznese përmes Creative Business Solutions (CBS). Edhe në këtë tryezë konsultative mbi ekonominë dhe bujqësinë, Melia gjeti rastin të theksojë nevojën për të reformuar sistemin e drejtësisë.
“Mënyra më e mirë se si ne mund t’i vijmë në ndihmë këtyre bizneseve është duke mbështetur reformat në sistemin gjyqësor dhe atë të drejtësisë në Shqipëri. Reforma për sektorin e drejtësisë, që po zhvillohet aktualisht në Parlament është një pjesë shumë e rëndësishme e këtij procesi. Garantimi i shtetit të së drejtës do të ketë një ndikim të dukshëm në krijimin e një mjedisi biznesi më transparent, më të barabartë dhe më të sigurtë, që mbështet kreditimin dhe mundësitë e financimit”, tha Ndihmës Administratori i Përgjithshëm i USAID për Europën dhe Azinë, Thomas Melia.
Agjencia Amerikane për Zhvillim Ndërkombëtar, USAID, paraqiti në Tiranë një projekt 9 milionë dollarësh për sektorin e drejtësisë. Melia u bëri thirrje udhëheqësve shqiptarë të ecin me miratimin e Reformës në Drejtësi, duke i quajtur jetike ndryshimet kushtetuese dhe ligjore të propozuara. Ai tha se vonesat dëmtojnë zhvillimin e vendit.
Melia theksoi angazhimin e plotë të qeverisë amerikane mbi përmirësimin e sistemit të drejtësisë dhe kthimin e besimit të qytetarëve shqiptarë tek sistemi gjyqësori. USAID-i do t’u ofrojë mbështetje edhe organizatave të Shoqërisë Civile, gazetarisë investigative dhe medias për të forcuar rolet e tyre si aktorë të rëndësishëm në procesin e Reformës në Drejtësi, në mënyrë që ky proces reformash të fitojë qëndrueshmëri dhe legjitimitet para publikut.
Dhoma Amerikane e Tregtisë propozime për paketën fiskale
Dhoma Amerikane e Tregtisë po liston ankesat që kanë bizneset për klimën e investimeve në vend, të cilat do të jenë për bazë për propozimet që do t’i bëhen Ministrisë së Financave për paketën fiskale 2017. Në një intervistë për “Ora News”, presidenti i Dhomës Amerikane, Mark Crowford rendit Reformën në Drejtësi, si kushtin e parë që duhet të përmbushë Shqipëria për të pasur investitorë të huaj. Dhoma Amerikane e Tregtisë po mbledh të gjitha ankesat e bizneseve të saj për problemet me të cilat ata hasen çdo ditë, që nga taksat e deri te procedurat administrative. Një listë shqetësimesh që përveçse do të bëhen publike brenda muajit, do t’i dërgohen qeverisë për zgjidhje në formën e kërkesave për paketën fiskale 2017.
“Ne do të fokusohemi sipas mendimeve të anëtarëve tanë. Kështu më pas është publikuar sondazhi që kemi dhe nëse ata thonë që taksat janë në krye, do të fokusohemi atje. Nëse ata thonë se është diçka tjetër do të fokusohemi atje. Nuk është se një është më e rëndësishëm se të tjerat, sepse ka shumë që janë të rëndësishëm”, tha Crowford. Dhoma Amerikane e Tregtisë ripërsëriti apelin për miratimin e Reformës në Drejtësi si kusht themelor që Shqipëria të ketë investitorë të huaj.
“Nëse ka përcaktim që vetëm me lekë mund të fitosh një gjyq kjo do të thotë se këtu në Shqipëri është e vështirë për të investuar, sepse je i pambrojtur. Besoj se këtë që e ka marrë përsipër ambasada amerikane dhe ambasadorët e Evropës ne si Dhomë kemi rënë dakord që të mbështesim ambasadën në procesin që janë”, u shpreh Crowford.
Reforma në Drejtësi po kërkohet me ngulm edhe nga shoqatat e tjera të biznesit, vendase dhe të huaja që kërkojnë garanci për zbatimin e kontratave dhe funksionimin e ligjit, elementë këta thelbësore për të pasur një klimë të favorshme për të bërë biznes.
Arben Shahini
Nga qershori, rritje e pensioneve në Kosovë
Nga muaji qershor pritet të fillojë ndarja e pensioneve me rritje për të gjithë pensionistët kontribut-dhënës. Mënyra e ndarjes së këtyre pensioneve është e paraparë me udhëzimin administrativ që ka dalë nga Ligji për skemat pensionale, thonë zyrtarë qeveritarë dhe përfaqësues të pensionistëve. Në bazë të këtij udhëzimi, i cili nga qeveria e Kosovës është miratuar në fillim të këtij viti, baza e pensionit kontribut-pagues është 158 euro, kurse pensioni më i lartë në Kosovë do të jetë 240 euro.
Kjo shumë është kategorizuar në bazë të përvojës së punës dhe kualifikimit arsimor të personit mbi 65 vjeç. Ndarjen e pensioneve me rritje nga muaji i ardhshëm e ka konfirmuar Musa Demiri, zëdhënës në Ministrinë e Punës dhe Mirëqenies Sociale. (Qeveria e Kosovës pensionet në bankat komerciale i shpërndan prej datës 20-24 të çdo muaji, që do të thotë pensionet dalin gjatë këtij muaji).
“Të gjithë pensionistët kontribut-pagues, që kanë aplikuar dhe kanë ofruar dëshmitë e kërkuara sipas legjislacionit që rregullon këtë çështje, nga muaji qershor 2016 do t’i marrin pensionet me rritje”, ka thënë Demiri. Edhe Shaban Kajtazi, udhëheqës i Lidhjes së Pensionistëve të Kosovës, në një prononcim për Radion “Evropa e Lirë” ka treguar se gjatë bisedave të zhvilluara me zyrtarë të Ministrisë së Punës është premtuar se gjatë këtij muaji pensionistët kontribut-pagues do të gëzojnë pensionet me rritje.
“Kategoria e parë e ka marrë pensionin nga 1 janari me lartësi 158 euro; kategoria e dytë me shkollë të mesme, shkollë të lartë dhe fakultet ende nuk i kanë realizuar pensionet e tyre, sipas udhëzimit administrativ. Dhe ne (Lidhja e Pensionistëve të Kosovës) më 25 prill jemi marrë vesh që mundësisht diferenca e pagesave të bëhet në prag të një majit. Por, ato u shtynë, ndërkaq tani presim dhe besojmë që gjatë këtij muaji do të realizohet ai premtim për pagesën e pensioneve sipas kategorizimit”, ka thënë Kajtazi. Për të marrë pensionin me rritje, personat mbi 65 vjeç, që nga 1 janari i këtij viti, është dashur të dorëzojnë dokumentacionin e nevojshëm, ku përfshihet përvoja e punës dhe kualifikimi arsimor.
Sipas Shaban Kajtazit, nga 41 mijë, sa llogariten të jenë pensionistë kontribut-dhënës, deri më tani dokumentet i kanë dorëzuar rreth 16 mijë pensionistë. Megjithatë, ai tregon se procesi i aplikimit do të vazhdojë dhe të gjithë pensionistët shumën financiare që u takon do ta marrin në mënyrë retroaktive.
“Ato jepen edhe në vazhdim, pasi qytetarëve u kanë humbur diplomat, janë djegur gjatë luftës së fundit, apo gjenden në vende të ndryshme. Por, mundësia është që edhe më tutje të aplikojnë. Dhe pensionet do t’i realizojnë prej ditës së aplikimit e tutje”, ka thënë Kajtazi. Çështja e kategorizimit është kërkuar me vite nga pensionistët, pasi këta të fundit, pavarësisht përvojës dhe kualifikimit kanë marrë pension 75 euro, vlerë kjo që marrin edhe personat, të cilët kanë mbi 65 vjeç, por nuk kanë punuar asnjëherë. Kjo çështje ishte aktualizuar në fund të vitit të kaluar, kur qeveria e Kosovës bëri të ditur se buxheti për kategorinë e pensioneve do të rritet për 23 milionë euro.
Qeveria e Kosovës masa për krijimin e lehtësive ndaj bizneseve
Qeveria e Kosovës, përkatësisht Ministria e Tregtisë dhe Industrisë, organizon sot konferencë informuese me palët e interesuara ku do të prezantohen aktivitetet e deritanishme që ndërlidhen me Raportin e Bankës Botërore “Të Bërit Biznes”, të ndërmarra nga institucionet kosovare. Qeveria e Republikës së Kosovës është duke ndërmarrë aktivitete të vazhdueshme reformuese, si në nivelin qendror, ashtu edhe në atë lokal për të krijuar një mjedis të përshtatshëm të të bërit biznes në Kosovë. Në fund të dhjetorit të vitit 2015, qeveria e Kosovës ka iniciuar procesin e koordinimit të reformave për “Të Bërit Biznes” në mënyrë që të identifikojë sfidat dhe të ndërmarrë veprimet për përmirësimin e vazhdueshëm të mjedisit afarist në përputhje me metodologjinë e Raportit të Bankës Botërore “Të Bërit Biznes”. Ministria e Tregtisë dhe Industrisë, e mbështetur nga projekti i USAID-it “Partneritetet për Zhvillim”, ka bërë koordinimin e aktiviteteve reformuese nëpërmjet grupeve punuese të ministrive përkatëse, të cilat janë përgjegjëse për dhjetë indikatorët e Raportit të Bankës Botërore “Të Bërit Biznes”. Më 16 maj 2016, qeveria e Kosovës, përkatësisht Ministria e Tregtisë dhe Industrisë, si koordinatore e këtij procesi, organizon konferencë informuese me palët e interesuara ku do të prezantohen aktivitetet e deritanishme që ndërlidhen me Raportin e Bankës Botërore “Të Bërit Biznes”, të ndërmarra nga institucionet kosovare. Qëllimi i organizimit të këtij takimi është që: • Të informojë palët e interesuara si dhe publikun e gjerë për progresin e bërë deri më tani nga qeveria e Kosovës në zbatimin e reformave të identifikuara; • Të përmirësojë dialogun publiko – privat në fushat e mbuluara nga Raporti i Bankës Botërore, duke kërkuar kontributin e përfaqësuesve të sektorit privat në fusha të ndryshme, si dhe identifikimin e reformave të mëtutjeshme që do të ndikojnë në rritjen e vazhdueshme të bashkëpunimit të institucioneve qeveritare me sektorin privat. • Në përputhje me sugjerimet e Bankës Botërore, të ofrojë mundësinë për nominime të reja të respodentëve potencialë në mënyrë që të rritet numri i respodentëve aktualë, veçanërisht nga sektori privat.
4 skenarë për të ardhmen e eurozonës
Marsel Fretzer
President i Institutit gjerman për Kërkime Ekonomike:
Gati një vit pas dramës së borxhit grek, e cila thuajse përfundoi me daljen e Greqisë nga eurozona, konflikti mes qeverisë greke dhe partnerëve të saj europianë është duke u riaktivizuar sërish. Lajmi i keq është se përparimi i reformave greke është i ngadaltë dhe i dhimbshëm. Lajmi i mirë është se teksa Greqia është bërë gjithnjë e më e izoluar, kriza greke nuk duket si një kërcënim i madh për stabilitetin ekonomik e politik të pjesës tjetër të Europës.
Lidhur me çështjen e lehtësimin e borxheve: borxhi publik i Greqisë është aktualisht afër 180 për qind të PBB-së, dhe ka të ngjarë të rritet deri në 200 për qind gjatë dy viteve të ardhshme. Edhe pse qeveria greke ka përfituar kushte shumë të favorshme për shërbimin e borxhit të saj, është realiste të parashikohet që normat e interesit të borxhit grek do të rriten në 5-6 për qind gjatë 5 viteve të ardhshme.
Kjo nënkupton se, shpenzimet e përgjithshme të shërbimit të borxhit, duke përfshirë shlyerjen e principalit, do të mund të kalojë 15 për qind të PBB-së greke, e cila është e paqëndrueshme.
Zgjidhja më e mirë ka të ngjarë të jetë një lehtësim i mëtejshëm të borxhit në formën e një maturimi të zgjatur dhe transformimin e tij, duke e lidhur atë me rritjen ekonomike në Greqi sesa me eurozonën, e kushtëzuar nga vendi suksesi i realizimit me sukses të paketës të saj të tretë të shpëtimit. Me pak fjalë, lehtësimi i borxheve për Greqinë, nuk do ta shpëtojë euron, por as nuk do ta kërcënojë atë.
Kristian Odendahl
Ekonomist kryesor në Qendrën për Reforma Europiane
Ekzistojnë 4 skenarë për të ardhmen e eurozonës. I pari, është integrimi më i fortë, duke përfshirë bashkimin fiskal dhe politik. I dyti, përfshin decentralizimin, me një rregullore të rreptë të mos-shpëtimit, opsionin që vendet të shpallin falimentin për borxhet e tyre, dhe autonomi maksimale të politikës kombëtare.
Midis këtyre dy opsioneve ka edhe një rrugë të mesme, në të cilën Europa fokusohet në fushat që kanë nevojë më shumë për integrimin, dhe ia lë pjesën tjetër vendeve anëtare të BE-së.
Dhe pastaj është edhe skenari i katërt: të ecet nëpër trajektoren aktuale, por që nuk është as ekonomikisht dhe as politikisht e qëndrueshme. Vetëm lehtësimi i borxheve nuk mund të shpëtojë euron. Sistemi financiar i Europës nuk është i përgatitur për një shok të tillë, dhe as nuk ka vullnet të mjaftueshëm politik për të hartuar lehtësimin e borxheve për të gjitha shtetet anëtare, për shembull, me anë të një nisme të madhe për reduktimin e borxhit europian.
Por rasti grek për lehtësimin e borxheve greke është mbizotërues. Pa lehtësimin e borxheve, kreditorët e Greqisë do të vazhdojnë të kërkojnë shkurtime fiskale që minojnë rimëkëmbjen ekonomike dhe harxhojnë kapital të çmuar politik për masat fiskale, në vend të përqëndrimit të të gjitha energjive tek reformat institucionale dhe politike, për të cilat vendi ka dëshpërimisht nevojë.
Jorgo Pagulatos
Profesor i politikës dhe ekonomisë në Universitetin e Ekonomisë dhe Biznesit në Athinë
Lehtësimi i borxheve duhet të jetë zgjidhja e fundit, nëse një vend nuk mund të shmangë kurthin e deflacionit të borxhit pa atë masë. Ky opsion duhet të kombinohet me disiplinën fiskale, dhe reforma të brendshme të guximshme. Procesi duhet të vijë me një union më të integruar ekonomik dhe monetar, dhe me mekanizmat e shpërndarjes së riskut për ta bërë atë të qëndrueshëm.
Greqia ka dëshmuar se një lehtësim i butë i borxhit, nëse shtyhet, mund ta bëjë të pashmangshëm një lehtësim tjetër. Athina hyri në krizën e eurozonës për shkak të menaxhimit të saj të pamatur fiskal deri në vitin 2009. Por, vendimi për të mos lejuar lehtësimin dhe ri-profilizimin e borxhit në vitin 2010 qe një gabim. Kostoja ishte kombinimi më i madh i kredive të shpëtimit me ristrukturimin e vonuar të borxhit (në vitin 2012), dhe një konsolidim i ashpër fiskal që e çoi në mbi 25 për qind rënien ekonomike dhe papunësinë.
Fiksimi i një ekonomie tek objektivi parësor për një tepricë buxhetore prej 3.5 për qind të PBB-së për vite me radhë, nuk është realist. Kjo është edhe më pak reale për një ekonomi si ajo greke me një rënie të ndjeshme të investimeve, dhe me një normë punësimi afër 50 përqindëshit, duke minuar kësisoj rritjen ekonomike potenciale.
Lehtësimi realist dhe në kohë i borxheve në raste të tilla, është gjithashtu një strategji për të adresuar rrezikun e shpërbërjes në Bashkimin Ekonomik dhe Monetar. Nëse eurozona lejon çdo anëtar të rrëshqasë drejt daljes, do të jetë e pamundur të parandalojë rrezikun që rivlerësimi i monedhës të përhapet edhe tek anëtarët e tjerë të rrezikuar, duke u shndërruar në këtë mënyrë në një profeci vetë-përmbushëse.
Stratos Purzitakis
Profesor në Departamentin e Qeverisë dhe Studimeve Ndërkombëtare në Universitetin Baptist të Hong Kongut:
Edhe pse mund të jetë disi e dobishme për ekonominë e tronditur të vendit, lehtësimi i borxhit grek nuk do të shpëtojë dot euron, thjesht sepse qëndrueshmëria e borxhit nuk përbën një sfidë të rrezikshme për jetën në Greqi, lerë me pastaj të BE-së. Në fund të fundit, duke patur parasysh kushtet koncensionare të kredive të BE-së, borxhi grek është i menaxhueshëm deri në vitin 2023.
Në një periudhë më afatgjatë, ndërmarrja e ndonjë lehtësimi të borxhit si zgjerimi i afatit të maturimit dhe ri-profilizimi mund të jetë e dobishme, por problemi është se çdo marrëveshje do të jetë e lidhur me tepricat utopike primare që nuk ka të ngjarë të arrihen, si dhe me masat shtrënguese, të cilat janë të dënuara të dështojnë, për shkak se ato parashikojnë taksa gjithnjë e më të larta dhe rritje të kontributeve të sigurimeve shoqërore.
FMN-ja dhe BE-ja u angazhuan në një lojë kundërproduktive pushtetesh mbi qëndrueshmërinë e borxhit të Greqisë, bazuar tek llogaritjet mikropolitike. Kjo përballje ka errësuar realitetin se kërcënimi më i madh për eurozonën që rrjedh nga Greqia, nëse ka një të tillë, është modeli i paqëndrueshëm ekonomik dhe social i vendit, së bashku me mungesën e vullnetit të të gjitha palëve për të përballuar koston politike dhe adresimin e problemeve të rrënjosura thellë. Edhe nëse një premtim për lehtësimin të borxheve, rezulton të jetë konkret, ai nuk do të ketë fuqi të ndryshojë fatin e lojës.
Aleksandër Privitera
Anëtar i Institutit Amerikan për Studimet Bashkëkohore Gjermane në Universitetin “Xhon Hopkins” në SHBA
Lehtësimi i borxheve nuk duhet të shihet si një mënyrë për të shpëtuar euron. Monedha e përbashkët e BE-së do të mbijetojë edhe pa të, me kushtin që mbështetja politike në vendet anëtare të mbetet e fuqishme. Megjithatë, reduktimi i borxhit tek disa nga vendet e goditura nga kriza, mbetet një domosdoshmëri për t’i çliruar këto ekonomi, dhe vendosur ato në rrugën e borxhit të qëndrueshëm, dhe në fund për ta bërë më të lehtë tërheqjen e investitorëve të huaj.
Natyrisht, lehtësimi i borxhit në vetvete nuk do të funksionojë, nëse një vend refuzon të zbatojë plotësisht reformat e rëndësishme strukturore, të cilat e vendosin buxhetin e tij në rrugë të mbarë dhe e bëjnë ekonominë kombëtare më konkurruese.
Ky është parimi i mirëkuptimit të përbashkët, mbi të cilin ka insistuar qeveria gjermane që nga shpërthimi i së ashtuquajturës eurokrizë. Çështja sot nuk është nëse do të ndodhë lehtësimi i borxheve, në çfarëdolloj forme që mund të marrë. Kjo gjë do të ndodhë me siguri. Përkundrazi, analistët duhet të pyesin nëse lehtësimi i borxheve është i kushtëzuar me përfundimin e axhendave ambicioze të reformave, apo nëse ajo duhet të bëhet më shpejt.
A ka luksin BE-ja të presë deri kur një vend të ndalojë së qëni një rrezik për kreditorët e saj, apo a kanë nevojë kreditorët – në rastin e Greqisë, tatimpaguesit e eurozonës, të ndajnë disa nga rreziqet më të hershme? Vëzhguesit duhet të ndalojnë së trajtuari çështjen e lehtësimit të borxheve, si të ishte një lloj Fata Morgana e largët. Çmimi që mund të paguhet, do të jetë një bashkim monetar i dënuar të jetë panevojshmërisht i brishtë.
Jamala: Fitova nga arti jo nga politika
Këngëtarja e Ukrainës, Jamala, i ka hedhur poshtë kritikat se kënga e saj “1944” e ka fituar çmimin e parë në Këngën e Eurovizionit për shkak të arsyeve politike e jo atyre artistike.
Duke folur sot në Kiev të Ukrainës, Jamala tha se fitorja e saj paraqet “fitore absolute, 100% për muzikë”.
Zyrtarët rusë janë ankuar në mediat sociale dhe në mediat tradicionale se kënga e Jamalës ishte qartas politike dhe se është dashur t’i ndalohej interpretimi në Eurovizion sipas rregullave që nuk lejojnë përmbajtje politike në interpretime.
Jamala, tartare nga Krimeja, 32-vjeçare, fitoi në Eurovizion më 15 maj me këngën për deportimet masive të tartarëve të Krimesë nga ana e Bashkimit Sovjetik, gjatë Luftës së Dytë Botërore.
Më parë, Jamala ka thënë se kënga paraqet dënim të aneksimit të Krimesë së Ukrainës nga ana e Rusisë dhe kundër represionit që prej atëherë po vuajnë banorët tartarë.
Tartarët përbënë 15% të popullatës prej afro 2 milionësh të Krimesë dhe gjërësisht e kanë kundërshtuar okupimin e Rusisë.
Puthja e Putinit dhe Trump
Në murin e një restoranti amerikan në Vilnius të Lituanisë, dizajneri grafik Mindaudas Bonanu, 34 vjeç, ka vizatuar një murale, e cila tregon duke u puthur presidentin rus, Vladimir Putin, dhe kandidatin republikan për president të Shteteve të Bashkuara, Donald Trump.
Incizimet e këtij vizatimi janë shpërndarë shpejt në internet. Titulli i tij është “T’i ribëjmë gjërat mirë” dhe është referencë për sloganin e Trumpit “Ta bëjmë Amerikën të suksesshme përsëri”.
Vizatimi është po ashtu perifrazim i murales së famshme të Dmitri Vrubelit, në Murin e Berlinit, e cila mban titullin: “Zot, më ndihmo ta mbijetoj këtë dashuri vdekjeprurëse”. Kjo murale tregon një puthje të zjarrtë midis Leonid Brezhnjevit dhe Erich Honeckerit, udhëheqësve të dikurshëm të Bashkimit Sovjetik dhe të Republikës Demokratike të Gjermanisë.
Bonanu tregon për Radion “Evropa e Lirë” arsyet e veprës së tij artistike:
“Edhe Trump edhe Putin janë jashtëzakonisht personalitete egocentrike. Ne nuk mendojmë për politikë; e kemi njëjtë. Por, kemi menduar se janë egoistë dhe do ta kishin më mirë sikur të ishin bashkë. Sikur të ishin bashkë, do të arrinin më shumë në jetë dhe do ta kishin më bukur”.
“Street-art, apo arti në rrugë, u lejohet të gjithëve”, thotë Bonanu.
Vendi ku ndodhet muralja është një restoran i njohur në Vilnius, me kuzhinë amerikane.
“Atje, zakonisht, grumbullohen të rinj, që e duan Amerikën. Është shumë mirë që ka një kënd të tillë amerikan, jo larg kufirit me Rusinë”, thotë Bonanu.
Muralja e Vrubelit ka shënuar në të vërtetë fundin e Republikës Demokratike të Gjermanisë dhe të Bashkimit Sovjetik. Bonanu nuk dëshiron të supozojë nëse heronjtë e tij do të jenë, ose jo edhe kohë të gjatë në skenë.
“Nuk më pëlqen të flas për këtë, nuk jam politolog. Por, të dy personazhet janë shumë qesharakë. Ata janë të dashuruar në veten e tyre dhe nuk mendojnë për të tjerët. Ata janë njerëz që do ta kishin më mirë pjesëmarrjen në ndonjë show-program dhe të mos luajnë me jetët e njerëzve, nga pozita e politikanit”, thotë Bonanu.
Rusia, viteve të fundit, ka ndërhyrë në Ukrainë. Jo rrallë është përmendur mundësia e ndërhyrjes së saj edhe në vendet e Baltikut.
Bonanu thotë se njerëzit atje nuk i tremben më Rusisë. Ai po ashtu thotë se nuk frikësohen për humbjen e mbështetjes së SHBA-së nëse vizatojnë Trumpin. Sipas tij, Trump është karakter qesharak, sikurse Miki Maus.
Obama, rikthehet tek plani i Xhorxh W. Bush pas 8 vitesh
Ushtarakё tё ftuar nga bota e jashtme si dhe ministri i Jashtёm polak morёn pjesё nё vendosjen e gurit themeltar pёr njё sistem tё ri tё NATO-s pёr mbrojtjen nga raketat nёn drejtimin e SHBA-sё nё fushёn pranё Słupskit. Deri tani kёtu ndodhet vetёm gardhi qё ka kushtuar dhjetё milionё euro.
Ka gardh izolon nga bota pёrreth edhe delegacionin e nivelit tё lartё. Vetёm tek porta tё ftuarit nga SHBA-ja, Rumania dhe Spanja e kuptojnё se jo tё gjithё gёzohen pёr rёndёsinё e nivelit botёror tё kёsaj fushase tё Pomeranisё. Disa qindra vetё protesojnё kundёr dislokimit tё sistemit tё raketave mbrojtёse nё rajonin e tyre, kryesisht pёr arsyen, sepse ata ndihen tё mashtruar lidhur me zhdёmtimin.
Sistemi i mbrojtjes nga raketat do tё ndёrtohet vetёm 3,5 km larg bashkisё. “Pёr ne kjo ёshtё njё katastrofё”, thotë Robert Biedroń, i cili ёshtё qё prej njё viti krytear bashkie nё qytetin me rreth 90 mijё banorё. “Nё njё distancё prej 15 km pёrreth kёsaj zone kёtej e tutje nuk lejohet tё ndёrtohet mё asgjё, pa miratimin nga State Department amerikan”, ankohet ai. “Madje, asnjё repart prodhimi nuk lejohemi tё ndёrtojmё”. Kёsisoj sistemi i raketave vёrtetё ka shkaktuar njё efekt tё madh frike ende pa u ndёrtuar, thotё ai “e nё radhё tё parё pёr investitorёt”. Ndonёse janё bёrё premtime pёr zhdёmtim, banorёt ndihen tё zhgёnjyer, thotё kryetari i Bashkisё.
Njё mini mburojё me efekt tё madh
Por politika nuk i merr parasysh shqetёsime tё tilla. Ndёrtimi i mburojёs nga raketat po ecёn me intensitet. Krahas Polonisё nё kёtё sistem bёn pjesё edhe njё impiant nё Deveselu nё jug tё Rumanisё. Qё nga fundi i vitit 2015, ai ёshtё i gatshёm pёr pёrdorim dhe tё enjten u vu zyrtarisht nё funksionim. Ky sistem ёshtё “njё pёrforcim i rёndёsishёm” i kapaciteteve tё aleatёve pёr mbrojtjen nga raketat tha Sekretari i Pёrgjithshёm i NATO-s, Jens Stoltenberg gjatё inaugurimit nё Rumani.
Tё dy komplekset nё Europёn Lindore janё pjesё e njё sistemi mbrojtёs Aegis, qё synon tё mbrojё partnerёt europianё nga sulmet me raketa nga Lindja e Mesme. Nё kёtё sistem mburojё bёn pjesё krahas dy bazave tё vogla mbrojtёse nё Poloni e Rumani edhe njё impant i madh radarёsh nё Turqi dhe katёr anije tё SHBA-sё me raketa mbrojtёse tё ankoruara nё Jug tё Spanjёs. Qendra e komandёs ndodhet nё Gjermani – nё bazёn e Aviacionit Luftarak tё SHBA-sё Rammstein. Nё Samitin e NATO-s nё fillim tё korrikut nё Varshavё ky sistem do tё vihet nёn kontrollin e NATO-s.
Ideja pёr kёtё lindi mё 2007. Ish-presidenti George W. Bush deklaroi ndёrtimin e njё sistemi kombёtar tё mbrojtjes nga raketat nё Europёn Lindore, duke indinuar me kёtё Moskёn. Kur u zgjodh president Barack Obama, e pezulloi pёrkohёsisht kёtё projekt, gjё qё i irritoi europiano-lindorёt. “Obama me kёtё vendim i lёshoi pe Moskёs pёr tё pёrmirёsuar marrёdhёniet”, thotё Gustav Gressel nga think tank-u ndёrkombёtar “European Council on Foreign Relations” nё Berlin. “Nё vend tё mburojёs sё SHBA-sё tё planifikuar nga Bushi, me njё rreze tё gjerё veprimi dhe raketa tё mёdha, Obama vendosi pёr njё variant mё tё zbehtё”.
Rusia ndihet e kёrcёnuar
Por kjo nuk ndihmoi shumё. Pak javё para samitit simbolik tё NATO-s nё Varshavё ky sistem do tё shndёrrohet sёrish nё politikё tё madhe. Rusia ndihet e provokuar dhe bёn fjalё pёr kёrcёnim ndaj sigurisё sё saj. Ky kompleks tek e fundit ka kapacitet edhe tё hedhё raketa dhe pёrbёn kёsisoj njё rrezik pёr ekuilibrin strategjik, argumenton Ministria e Jashtme ruse. Presidenti Vladimir Putin pas vёnies nё funksionim tё mburojёs sё re tё SHBA-sё nё Europёn Lindore sheh shkas pёr tё marrё masa kundёr. Pёrshtatja e shpenzimeve shtetёrore ёshtё e domosdoshme pёr tё neutralizuar kёrcёnimin e ri, sikurse formuloi ai.
“E gjitha vetёm propagandё”
Qendrimi rus nuk ёshtё asgjё tjetёr veçse propagandё, mendon eksperti i mbrojtjes Gustav Gressel nga Berlini. “Pёrpjekja e Obamas pёr ta orientur pozitivisht Rusinё ka dёshtuar, sepse Rusia pёr arsye tё politikёs sё brendёshme ka nevojё pёr armikun e urryer NATO-n dhe Amerikёn”.
Edhe politologu rumun Radu Magdin beson, se reagimi i ashpёr nga Moska ka mё shumё domethёnie simbolike, sepse “Moska ёshtё e indinjuar qё po e humbet qartё luftёn pёr dominancё gjeopolitke nё Europёn Lindore”, thekson Magdin.
Wolfgang Richter nga Fondacioni Shkenca dhe Politika nё tё kundёrt, thotё, se projekti duhet tё ketё nё thelb bashkёpunimi e nuk duhet tё kuptohet si kёrcёnim ndaj Rusisё.
Vendosja e gurit tё themelit nё Słupsk pak para samitit tё NATO-s megjithatё shёrben pёr vendet e Europёs Lindore si njё sinjal i rёndёsishёm.
Buffon paralajmëron: Kujdes Milanin!
Te Juventusi nuk mjaftohen vetëm me titullin kampion në Serinë A, por duan edhe trofeun e Kupës së Italisë. Për ta kuptuar diçka të tillë, mjafton të dëgjosh se çfarë thotë kapiteni i bardhezinjve dhe njeriu simbol i këtij Juventusi, portieri Gianluiggi Buffon. Sipas gardianit, misioni i kampionëve të Italisë në këtë sezon ende nuk ka përfunduar, pasi ka mbetur edhe një ndeshje që duhet fituar dhe ajo është finalja e “Kupës së Italisë” që do të luhet më 21 maj, në “Olimpico” të Romës, kundër skuadrës së Milanit.
Buffon nuk do të aktiziviohet në finale, pasi në këtë kompeticion është portieri brazilian Neto, ai që luan titullar, por gjithsesi ai nuk nguron të paralamërojë skuadrën e tij se ndaj kuqezinjve duhet bërë kujdes: “Milani po kalon momente jo të mira por, pavarëisht kësaj ne duhet të tregohemi të vëmendshëm. Ata kanë në skuadër shumë lojtarë cilësorë, shto këtu dhe faktin se në një ndeshje të vetme gjithçka mund të ndodhë. Prandaj përqendrimi duhet të jetë maksimal nga ana jonë”, u shpreh Bufon.
Më tej, kapiteni foli dhe për trajnerin Masimiliano Alegri. 38-vjeçari thuri elozhe për punën e teknikut toskan, duke e cilësuar atë si çelësin e suksesit të këtij Juventusi. “E nisëm kampionatin në mënyrën më të keqe të mundshme. Më pas erdhi dhe ringritja dhe kjo e gjitha falë punës së Alegrit. Arriti që t’u transmetonte lojtarëve shpirtin luftarak. Askush nuk besonte tek ne dhe në fund ja dolëm”, tha Bufon.
Ndërkohë në Itali është shpallur lista e futbollistëvë më të mirë për këtë sezon ku dominon Juventusi. Janë pesë lojtarët e Juventusit në formacionin më të mirë të vitit në kampionatin italian. Edhe këtë herë bardhezinjtë kanë dominuar 11-shen e publikuar nga “Sportmediaset”. Bufon, Bonuçi, Aleks Sandro, Pogba dhe Dibala, janë futbollistët e përfshirë në këtë formacion, ndërsa nuk ka asnjë vend për lojtarët e Milanit apo Interit.
Paulo Dibala, një lider i padiskutueshëm. Juventusi ka gjetur një tjetër yll për të synuar fronin europian nga sezoni i ardhshëm, ndonëse e ardhmja e sulmuesit argjentinas ka vetëm një emër, Milani.