26.5 C
Tirana
E mërkurë, 20 Gusht, 2025

Champions League Aziatike, shënon Berisha

Besart Berisha nuk ndalet as në Champions League-n Aziatike. Sulmuesi shqiptar ishte përcaktues në sfidën e parë të raundit të 1/8-ve mes Melbourne Victory dhe Jeonbuk Hyunday Motors, e cila përfundoi në barazim 1-1. Në këtë duel 30-vjeçari nga Prishtina realizoi golin e vetëm për skuadrën australiane, por finalizimi i Berishës nuk arriti t’i jepte fitoren Melbourne-it, pasi skuadra koreano jugore ia doli të barazonte shifrat. Ish-lojtarit të Hamburgut në Bundesligën gjermane iu deshën vetëm 5 minuta për të zhbllokuar shifrat.
Berisha bëri bomberin e vërtetë brenda zone, duke përfituar nga një top kthyer nga Broxham për mposhtur me kokë portierin e Jeonbuk. Ky ishte goli i 3-të për Besart Berishën në këtë edicion të Champions Leagues aziatike. Megjithatë nuk vonoi shumë dhe skuadra nga Korea e Jugut barazoi rezultatin falë një goli të realizuar nga braziliani Leonardo. Pavarësisht përpjekjeve të sulmuesit shqiptar dhe shokëve të tij të skuadrës, shifrat në stadiumin “AAMI Park” nuk ndryshuan më deri në fund, dhe për të përcaktuar ekipin që do të avancojë në çerekfinale duhet pritur ndeshja e kthimit që do të zhvillohet në Korenë e Jugut, pas një jave.

Granit Xhaka qëndron te Zvicra

Është Granit Xhaka i pari në radhën e lojtarëve kosovarë që duhet të vendosin nëse do të bashkohen me përfaqësuesen e vendit të origjinës së tyre pas anëtarësimit në UEFA dhe FIFA. Mesfushori me origjinë shqiptare del hapur me një vendim të qartë, duke deklaruar se nuk do të bashkohet me skuadrën e Albert Bunjakit për eliminatoret e Botërorit 2018. Lojtari i Borussia Mounchengladbach që aktualisht ndodhet bashkë me skuadrën gjermane për një turne të shkurtër në Zvicër, i ka idetë e qarta.
“Unë vendimin tim e kam marrë disa kohë më parë për të luajtur për Zvicrën. Në atë periudhë nuk e kisha idenë se, Kosova do të anëtarësohej në FIFA. Në familjen time, kjo nuk ka qenë asnjëherë një çështje shqetësuese. Unë kam zgjedhur Zvicrën dhe kaq”, thekson vëllai më i vogël i familjes Xhaka. Në vijim të prononcimit të shkurtër dhënë për mediat zvicerane, ai theksoi se të rinjtë kosovarë duhet të kenë më shumë hapësira në përfaqësuese. Xhaka deklaroi gjithashtu se Shaqiri, Behrami apo vetë ai kanë kontribuar me imazhin e tyre për të dhënë kontributin e tyre për Kosovën.

Sërish në formacionin më të mirë të javës

Jahmir Hyka është njeriu i momentit në Superligën zvicerane. Futbollisti shqiptar ishte më i miri në fushë në suksesin e thellë që Lucerna arriti ndaj Baselit në javën e 34-t të kampionatit helvet, duke treguar edhe njëherë se po përjeton një moment të shkëlqyer forme. Falë edhe paraqitjeve të Jahmir Hykës skuadra e trajnerit Markus Babbel tashmë e sheh veten në vendin e 3-t të Superligës zvicerane, pozicion që e kualifikon në Europa League. Në fitoren fantastike me shifrat 4-0 ndaj Baselit, 28-vjeçari kryeqytetas fillimisht fitoi një 11-metërsh, pasi në minutën e 10-të u pengua brenda zone, ndërsa kur kishin kaluar pak minuta nga starti i pjesës së dytë realizoi një gol të mrekuellueshëm, duke e thelluar avantazhin e vendasve në 3-0.
Paraqitja e mirë e Jahmir Hykës nuk ka mbetur pa u vlerësuar nga mediat zvicerane dhe më konkretisht nga gazeta prestigjoze Blick, e cila e ka përfshirë shqiptarin për të disatën herë në këtë sezon në formacionin më të mirë të javës në Zvicër. Hyka i cili në mars u shpall lojtari më i mirë i muajit nga “Blick”, është në 11-shen më të mirë të javës është rreshtuar në repartin e mesfushës përkrah emrave të tillë si shoku i skuadrës Jakob Jantscher, Mario Mutsch e Marco Aratore.
Me formën e tij fantastike gjatë kësaj periudhe, Jahmir Hyka në një farë mënyre po kërkon të bindë trajnerin e kombëtares shqiptare Gianni De Biasi t’i japë një shans, duke e grumbulluar në Euro 2016. I intervistuar nga kanali zyrtari i klubit të Lucernës në përfundim të sfidës ndaj kampionëve të Baselit, Hyka u shfaq shumë i kënaqur për golin e realizuar, duke shtuar se dëshira e tij në këto momente është një dhe e vetme të ndihmojë skuadrën të arrijë kualifikimin në Europa League për sezonin e ardhshëm.

Italia, Ventura “parakalon” De Biasin

Federata Italiane e Futbollit kërkon të planifikojë të ardhmen disa muaj përpara largimit të Antonio Contes nga stoli i të kaltërve. Mediat italiane njoftojnë se, drejtuesit më të lartë të institucionit po punojnë për të zyrtarizuar emrin e ri të stolit që do të pasojë trajnerin aktual dhe sipas të gjitha gjasave ai do të bëhet publik menjëherë pas finales së Kupës së Italisë. Mediaset thekson se në pole position qëndron 68-vjeçari Giampiero Ventura, i cili ka një kontratë që e lidh me Torinon deri në vitin 2018, por nuk do të mendohej dy herë nëse presidenti i federatës, Carlo Tavecchio do t’i propozojë kontratën për të marrë në dorëzim çelësat e Kombëtares së Italisë. Gjithsesi, gara nuk është mbyllur ende, pasi “Mediaset” thekson se Montella dhe De Biasi vazhdojnë të mbeten dy alternativa të mundshme.
Është vetë presidenti i Torinos, Urbano Cairo ai që shtyn Venturën drejt Italisë, duke deklaruar se nuk do të bëhet pengesë në rast se federata arrin marrëveshjen me trajnerin. Federata Italiane beson se, Ventura është njeriu i duhur për të marrë përsipër detyrën e vështirë të ringritjes së grupit të kaltër pas largimit të Contes në fund të europianit, por në krahun tjetër edhe trajneri i Kombëtares Shqiptare vazhdon të mbetet një emër që ngjall kureshtjen e presidentit Tavecchio, i cili vlerëson punën e madhe të bërë nga De Biasi me kuqezinjtë. Për të larguar gjithë mjegullnajën e krijuar do të futet në lojë vetë federata që pas rreth një jave do të qartësojë edhe pozitat e saj në lidhje me emrin që do të përzgjedhë përfundimisht, për t’i dhënë fund telenovelës së gjatë që vazhdon të mbajë pezull disa nga emrat më të lakuar të stolit italian.
Ndërkohë, Antonio Conte ka marrë një lajm të mirë nga Gjykata e Kremonës. Selektori i Italisë është liruar nga akuzat për kurdisje të ndeshjeve në sezonin në 2010-2011, njoftojnë mediat italiane. Prokurori i Kremonës, Roberto Martino ka kërkuar gjashtë muaj dënim me kusht dhe një gjobë prej 8 mijë eurove për Conten me pretendimet se ka kurdisur ndeshjen mes AlbinoLeffes dhe Sienas në sezonin në 2010-2011. Ky vendim është përshpejtuar për shkak të angazhimit të Contes në Euro 2016 me Italinë. Kurse, pas Kampionatit Evropian, italiani do ta marrë drejtimin e Chelseas.

Do fitojë Liverpuli

Jurgen Klopp dhe Liverpooli i tij janë gati. Këtë të mërkurë, “The Reds” do të sfidojnë Sevillan në finalen e Europa League që do të zhvillohet në St Jakob Park të Baselit. Përballë kampionëve në fuqi, misioni për të fituar trofeun e 4-t në historinë e këtij kompeticioni nuk do të jetë i thjeshtë për Liverpoolin, por Klopp ka besim te skuadra që ai drejton dhe është i bindur se në fund do të jenë Të Kuqtë, ata që do festojnë. “Fakti që Sevilla ka një përvojë të madhe në këtë kompeticion, pasi e ka fituar 4 herë në dekadën e fundit nuk do të thotë që është e avantazhuar ndaj nesh. Është një ndeshje e vetme dhe gjithçka mund të ndodhë. Sevilla është kampionia e dy edicioneve të kaluara në Europa League? Për mendimin tim, aktualisht kjo nuk do të thotë asgjë, pasi në Basel do të jetë një tjetër histori. Nuk ishim ne ata që luajtëm ndaj tyre vitin e kaluar në finale, as përpara dy sezonesh. Kjo është hera e parë që Liverpooli luan ndaj Sevillas, kështu që ne i kemi të gjitha mundësitë për të fituar”, u shpreh Klop.
Më pas, trajneri gjerman u bëri thirrje futbollistëve të tij të besojnë te aftësitë e tyre, pasi ata i kanë të gjitha mundësitë për ta mposhtur ekipin andaluzian. “Për të mbërritur deri këtu, kemi nxjerrë jashtë skuadra të tilla si Manchester United, Borussia e Dortmundit dhe Villareali dhe e kemi bërë diçka të tillë, duke treguar grintë në fushën e lojës dhe duke dhënë maksimumin deri në fund. Unë jam i bindur se, nëse besojmë te forca jonë si skuadër, nëse besojmë te cilësitë tona do ta fitojmë trofeun”, përfundoi trajneri I Liverpulit.
Barcelona dominuese në futbollin europian të dekadës së fundit? E gabuar! Ka një tjetër skuadër që eklipson arritjet e katalanasve në kontinent dhe ajo është Sevilla. Një klub që nuk dallohet për planifikim afatgjatë me dhjetëra lojtarë të larguar dhe të afruar në vitet e fundit, por gjithmonë i suksesshëm në Europë. Gjatë dekadës së fundit, andaluzianët numërojnë 5 finale europiane. Fitues në vitet 2006, 2007 kur në drejtimin e skuadrës ishte Juande Ramos gjatë kohës kur Europa League ishte ende Kupa UEFA. Dy tituj të tjerë, Sevilla i ka fituar nën drejtimin e Unai Emery, ndërsa të mërkurën në Basel do të kërkojë të shtojë Kupën e pestë dhe të tretën rresht. Që prej vitit 1972, kur startoi ky kompeticion, vetëm Juventus, Inter dhe Liverpool kanë arritur ta fitojnë nga tre herë, ndërsa më pas vijnë Reali i Madridit me dy, Bayerni i Mynihut, Napoli dhe Chelsea me nga një, pra askush më shumë se Sevilla që është kthyer në ekipin simbol të Europa League.
10 vjet më parë, Sevilla fitoi trofeun e parë europian, pasi kaloi 4-0 në Eindhoven skuadrën e Middlesbrough, ndërsa sezonin tjetër triumfoi falë lotarisë së 11-metërshave në finalen e Glasgoë kundër Espanyol. 7 vite më pas, andaluzianët u kualifikuan sërish për në ndeshjen finale ku triumfuan ndaj Benficas, ndërsa viktima e fundit e andaluzianëve janë ukrainasit e Dnipro Dnipropetrovsk që u dorëzuan 3-2 edhe pse në stol drejtoheshin nga ish-trajneri i Sevillas, Juande Ramos.

Hyka në superformë, tjetër gol te Luzerna

Duket se nuk kanë të mbaruar ditët e shkëlqyera për Jahmir Hykën në këtë sezon. Pasditen e të hënës skuadra e tij Luzern mori një fitore të madhe në shtëpi ndaj kampioneve të Basel dhe fantazisti 27-vjeçar ishte protagonisti kryesor në këtë fitore. Fillimisht avantazhi i vendasve erdhi me anë të një goli nga Shneuvli në minutën e 7-të, ndërsa 4 minuta më pas, Hyka u pengua brenda zonës, duke fituar një penallti që u shndërrua ne gol nga Jançer. Fillimi i pjesës së dytë solli edhe supergolin e Hykës me një goditje me shumë finese në hyrje të zonës. Ky ishte goli i 7 sezonal për Hykën, 4 në kampionat dhe 3 në Kupën e Zvicrës, ndërsa ai ka qenë protagonist gjatë këtij sezoni edhe me 6 asist dhe 5 penallti të fituara.
Kështu pas këtij suksesi, por dhe barazimit te Sion e humbjes së Grasshopers, Luzerna e Hykës është ngjitur në vendin e 3-të, duke qenë shumë pranë kualifikimit për në Europa League sezonin e ardhshëm. Më herët me fillimin e kësaj ndeshje, Hyka u vlerësua edhe me 2 çmime personale, fillimisht ai mori çmimin si lojtari më i mirë i Superligës zviceriane për muajin mars, çmim i dhënë nga gazeta “Blik”, por edhe si lojtari më i mirë i sezonit 2015-2016 tek Luzern, çmim  të cilin e fiton për herë të 3-të në 5 sezone tek kjo skuadër. Forma e mirë që po kalon mesfushori nga kryeqyteti është edhe një mesazh i qartë për trajnerin Xhani te De Biazi, i cili e ka lënë në hije gjatë eleminatoreve të fundit, duke mos e përfshirë në skuadër, por Hyka po jep sinjale të qarta se meriton të jetë pjesë e kombëtares.

UEFA, Hysaj në formacionin ideal

Elseid Hysaj në Formacionin Ideal të UEFA-s për të rinjtë në Serinë A. Vlerësimi për mbrojtësin shqiptar që shkëlqeu gjatë këtij sezoni me Napolin erdhi nga redaksia italiane e “UEFA.com”. Me mbylljen e kampionatit, u përzgjodhën 11 lojtarët më të mirë deri në moshën 22 vjeç. Elementë që u shndërruan në protagonistë gjatë sezonit 2015/16. Duke nisur nga porta, ku Gianluigi Donnarumma u shndërrua në titullar të padiskutueshëm te Milani, prej debutimit në moshën 16 vjeç e tetë muaj.
Elseid Hysaj u rreshtua në krahun e djathtë të mbrojtjes, ku pas shpërthimit me Empolin një vit më parë, tashmë u ngrit në nivelin e yjeve europianë te Napoli i Maurizio Sarri. Faqja zyrtare e UEFA-s theksonte se napolitanët e mbyllën Serinë A në vendin e dytë falë sulmit të jashtëzakonshëm, por mbrojtja dha mjaft garanci dhe një prej protagonistëve ishte mbrojtësi kuqezi, i cili humbi vetëm një nga 36 javët e kampionatit.
Shqiptari rreshtohej në mbrojtje përkrah Romagnoli-t të Milanit, Rugani-t të Juventusit dhe marokenit Masina të Bologna-s. Në formacionin më të mirë spikasnin edhe Bernardeschi i Fiorentinës në mesfushë, sulmuesi i Sassuolo-s, Berardi apo debutuesi i Torinos, Belotti. Për Hysaj-n, përfshirja në skuadrën ideale të Serisë A për të rinjtë, duket vetëm vlerësimi i parë për një sezon fantastik, pasi lojtari i lindur në Shkodër është cilësuar gjërësisht gjatë gjithë sezonit si mbrojtësi më i mirë i djathtë i Serisë A italiane.

Biznesi në depresion, Shoqata e Tregtarëve: Të ulen taksat vendore

Nikollaq Neranxi, kryetar i Shoqatës së Tregtarëve, ka kërkuar uljen e taksave vendore në nivelin e mëparshëm. Këtë deklaratë e ka dhënë në aktivitetin e organizuar për diskutimin për taksat vendore, ku ka thënë se gjendemi në një situatë emergjence, 36 000 biznese kanë kaluar në status pasiv, sot konsumohet më pak. “Sipërmarrjes i është bërë gropa. Çdo gjë po merr fund”, ka thënë kreu i Shoqatës së Mbrotjes së Tregtarëve.
Duke deklaruar më tej se s‘ka pasur dialog transparence, ai shtoi: “Kemi çuar çështjen në Gjykatën Administrative, por po vonohet. Edhe në Kushtetuese ka kaluar kjo çështje. Dëmi është i madh, biznesi në depresion nga politika të papërgjegjshme”.
Mira Bogaçe, e pranishme në këtë takim si përfaqësuese e biznesit Vip ka bërë të ditur se, për vendimin e ndryshimit të taksave, bizneset nuk janë njoftuar në avancë.
“Këshilli Bashkiak s‘mund të rrisë ngarkesën me 100 apo 200 herë. Është keqinterpretuar ligji. Taksa e arsimit është një shembull i kësaj. Linjat e transportit, për çdo mjet do paguajnë taksën, pra për çdo Nipt secondar”, ka deklaruar ajo.
Duke iu referuar rritjes së taksës për tabelën e bizneseve, znj. Bogaçe ka bërë edhe një krahasim rajonal.
“Taksa e tabelës është shumëfishuar dhe kjo ka rënduar barrën për të gjithë bizneset. Maqedonia e ka taksën e tabelës 2.5 euro për m2, ndërsa Italia e ka 32 euro m2”, ka përfunduar ajo.
Alban Zusi, nga ana tjetër, ka bërë me dije se Taksat e shtuara çojnë në rritjen e kostos së qytetarëve.
“Edhe pse kanë hyrë në fuqi ligjet e informimit, s’ka pasur transparencë për këtë çështje. Të dalim nga një traditë jo pozitive. Taksat, por edhe elementë të tjerë, po çojnë në faliment biznesin. Paketa fiskale në tërësi është e diskutueshme, veçanërisht për tarifat”, ka thënë z. Zusi, i cili në fund ka sugjeruar që të hartohet një manual për hartimin e Paketës Fiskale, pasi konsultimi duhet të ndodh realisht.
Leonard Olli, kryetar i Grupit të këshilltarëve të PD, ka deklaruar në këtë mbledhje se të majtët nuk na u bashkuan në këtë nismë. “Konstatuam problematikën, kërkuan reflektim, por nuk pati ndryshime. Ne besojmë se kjo është paketë falimentuese, pasi në 6 muaj s’po jep efekte. Kanë nisur abuzimet në zbatimin në terren. Po i hap rrugë korrupsionit masiv”, deklaroi z. Olli.

Vështirësi në çregjistrimin e biznesit nga borxhet

Në sportelin e QRK-se kohët e fundit janë shtuar kërkesat për çregjistrimin e bizneseve, por personat e interesuar po shohin se të çregjistrohesh është më vështirë se të regjistrohesh.
QKR, në bazë të ligjit, ka sqaruar se detyrohet të refuzojë kërkesat për çregjistrimin, pasi bizneset duhet që më parë të kenë shlyer të gjitha detyrimet tatimore. Por bizneset në sportelet e QKR, kryesisht persona fizike pohojnë se duan të mbyllin aktivitetin për shkak se nuk kanë aftësi paguese të detyrimeve.
Për shoqëritë tregtare edhe kur janë borxhlije në tatime, falimenti kalon me një proces të kërkuar në Gjykatë nga tatimet ose nga vetë ndërmarrje në faliment, por personat fizik kjo procedurë është e pamundur për shkak të kostove dhe të procesit të gjatë. Por ndërkohë që bizneset e vogla nuk arrijnë çregjistrimin, borxhi tatimor i tyre vijon të rritet ndonëse ata nuk kanë aktivitet.
Violeta që në vitet 2000 kishte hapur vetëm për 1 vit një dyqan me aroma indiane sot është debitore me rreth 1 milion lekë në tatime vetëm se nuk ka arritur të çregjistrojë biznesin.
QKR-ja njofton se për personat fizikë, çregjistrimi në mënyrë vullnetare kryhet nëpërmjet aplikimit për çregjistrim. Ky aplikim mund të bëhet së bashku me njoftimin e pushimit të aktivitetit ekonomik ose në një moment të dytë. Por kjo vetëm në rast se llogaritë me tatimet dhe pushtetin lokal duhet të jenë të pastra.
Kërkesat për çregjistrim janë shtuar në muajt e fundit, teksa 91 mijë biznese (50% e totalit të bizneseve) kanë kaluar në regjistrin pasiv.
Procedurat e komplikuara të çregjistrimit të biznesit janë ndër rekomandimet kryesore të Bankës Botërore për përmirësimin e klimës së biznesit.

U trefishua numri i falimenteve

Çështjet e falimentit në Gjykatën e Shkallës së Parë gjatë vitit 2015 pothuajse u trefishuan. Statistikat tregojnë se u regjistruan në total 64 çështje nga rreth 22 që ishin në vitin 2014.
Mungesa e gjyqtarëve të specializuar për çështjet e falimentit ishte një ngërç më vete dhe pengonte jo pak trajtimin dhe përfundimin e çështjeve. Për këtë qëllim për herë të parë në vitin e kaluar u ngrit një seksion i posaçëm për të gjykuar çështjet tregtare dhe të falimentit. Në bashkëpunim edhe me IFC-në (Banka Botërore) u bë e mundur edhe trajtimi i gjyqtarëve. Aktualisht, në Gjykatën e Shkallës së Parë po trajtohen çështjet e falimentit për emra të njohur kompanish, si ajo për Kurum, Albania Airlines, Praktiker Albanien, Volalba, Italcrom, Vaporusa-Alb, etj.
Nga të dhënat vihet re se në total kjo Gjykatë gjatë 2015-ës regjistroi mbi 38,700 çështje, ku pjesa më e madhe mbi 27,000 ishin me subjekt civil. Sa i përket çështjeve të përfunduara numri i tyre u rrit me rreth 6% në krahasim me periudhën paraardhëse. Në total norma e likuidimit u llogarit në rreth 98%.
Në po këtë shkallë rritje të çështjeve të regjistruara pati edhe për natyra të tjera, ku bie në sy ajo për “Vjedhjen e energjisë dhe impulseve telefonike”. Gjatë 2015-ës u regjistruan si të tilla mbi 1,400 çështje nga rreth 158 që ishin në vitin 2014. Një shifër e cila tregon tendencën e fushatës që realizoi qeveria kurndër vjedhjes së energjisë.

Edhe kreditë në pikiatë

Janë vetëm banorët e Tiranës, ata që kanë arritur të marrin një hua në bankë në tre muajt e parë të këtij viti, sipas statistikave tremujore të Bankës së Shqipërisë. Nga 1.6 miliardë lekë, që ka qenë shtesa e huasë në tremujorin e parë, në raport me fundin e vitit për gjithë vitin, në Tiranë ajo është rritur me rreth 1.7 miliardë lekë, ndërsa në rrethet e tjera është ulur lehtë.
Pjesa më e madhe e huasë që është dhënë në Tiranë për individët ka qenë për blerjen e pasurive të paluajtshme (72% e totalit). Huaja në kryeqytet është gjallëruar lehtë vetëm në tremujorin e parë të 2016-ës, pasi kishte qëndruar konstante apo në rënie të lehtë gjatë gjithë vitit 2015.
Të dhënat e Bankës së Shqipërisë tregojnë se, qytetarët e rretheve të tjera i kanë qëndruar larg bankave në muajt e parë të këtj viti, madje dhe kanë ulur ekspozimin e tyre, teksa stoku i kredisë ka rënë në disa qytete si Elbasan, Fier, Korçë, etj.
Në Tiranë është dhënë 60% e stokut të huasë për individë gjithsej. I dyti është Durrësi, me rreth 8% të totalit.
Në fund të vitit 2011, kredia për individë shënoi rënie të ndjeshme në vend, kryesisht si rrjedhojë e uljes së huave për shtëpi. Ajo u gjallërua sërish në 2014-ën për të rënë më pas në vitin 2015 dhe duke njohur rigjallërim në tre muajt e parë të këtij viti.

Kompania e akuzuar për “korrupsion” kërkon koncesionin e ndriçimit të qyteteve

Besar LIKMETA

Më 27 prill, Këshilli i Ministrave miratoi një vendim për përcaktimin e Ministrisë së Energjisë dhe Industrisë si autoriteti që do të administrojë procedurat për dhënien me koncesion të ndriçimit publik në dy njësi administrative vendore, Tiranë dhe Durrës.
Vendimi përcakton ministrinë, së bashku me dy bashkitë si autoritete kontraktore në vlerësimin e propozimit të pakërkuar nga kompania daneze “HeSaLight” A/S, për sistemin e ndriçimit të Bashkisë Tiranë dhe të Bashkisë Durrës, në kuadër të programit të eficencës së energjisë.
Sipas Ministrisë së Energjisë përfshirja e një operatori privat për menaxhimin e shërbimit të ndriçimit dhe sinjalistikës, nëpërmjet një koncesioni PPP ka për qëllim rritjen e eficencës së energjisë –një nga objektivat kryesore të qeverisë shqiptare.
Megjithatë, të dhënat e siguruara nga “BIRN” tregojnë se kompania që propozoi koncesionin, me të cilën qeveria dhe autoritetet vendore shqiptare kërkojnë të hyjnë në një partneritet afatgjatë që pritet t’i kushtojë taksapaguesve miliona euro, është përndjekur nga akuzat për korrupsion në tendera të ngjashëm në vendet fqinje.
Sipas një aktakuze të Prokurorisë Speciale në Kosovë, një kopje e së cilës është siguruar nga “BIRN”, drejtori i “HeSaLight” A/S për Shqipërinë e Kosovën, Gazmend Kelmendi është aktualisht i pandehur dhe po gjykohet për një tender të dyshimtë për ndriçimin me llamba LED në Komunën e Mitrovicës.
Akuza të ngjashme ndaj kompanisë daneze janë bërë dhe në Mal të Zi, ku ajo ka fituar një tender për ndriçimin e Bashkisë së Herceg Novit, të cilin opozita malazeze e ka denoncuar si të “dyshimtë”.
E kontaktuar nga “BIRN” nëpërmjet e-mail-it në lidhje me propozimin e saj të pakërkuar për koncesion në Shqipëri dhe procedimin penal të drejtorit Kelmendi në Kosovë, “HeSaLight” A/S refuzoi të komentonte.
E kontaktuar nga “BIRN” në lidhje me akuzat për korrupsion që rrethojnë punën e kompanisë “HeSalight” A/S në Ballkan, qeveria shqiptare nëpërmjet një zëdhënësi u shpreh që në fazën aktuale të procedurës koncesionare, ajo nuk kishte informacion “për statusin e gjendjes penale të shoqërisë apo të funksionarëve të saj drejtues”.
“Bazuar në ligj, nëse do të merret vendimi për të kaluar në një procedurë tenderimi, një nga dokumentet e kërkuara për përmbushjen e kritereve ligjore është edhe dokumenti nga institucione përkatëse për gjendjen penale të shoqërive pjesëmarrëse në cilësinë e operatorit ekonomik (ofertues)”, tha për “BIRN” Endri Fuga, këshilltar për median i Kryeministrit Edi Rama.
“Është kjo faza në të cilën autoritetet kontraktore kryejnë verifikimet përkatëse dhe më tej veprojnë në përputhje me përcaktimet ligjore për çdo rast”, shtoi ai.

Aktakuza penale në Kosovë

“HeSaLight” A/S është një prodhues llambash LED e themeluar në vitin 2008. Kompania daneze është prezente në të paktën 20 vende, përfshirë vendet e Ballkanit ku ofron zgjidhje për ndriçimin e ambienteve të ndryshme publike dhe private.
Sipas materialeve reklamuese të saj, “HeSaLight” ofron zgjidhje të plota për ndriçimin e ambienteve publike, duke premtuar kursime “të mëdha” në shpenzimet për energji elektrike, si dhe reduktim të dioksidit të karbonit që çlirohet në atmosferë.
Ministria e Energjisë dhe Industrisë iu përgjigj negativisht një kërkese të “BIRN”, të bazuar në ligjin e të drejtës së informimit, për të bërë publike një kopje të propozimit të pakërkuar të kompanisë “HeSaLight” A/S për sistemin e ndriçimit të qyteteve Tiranë dhe Durrës.
Megjithatë, dokumentet e siguruara nga “BIRN” tregojnë që një kontratë e ngjashme me negocim të drejpërdrejtë, e bërë nga kompania daneze për sistemin e ndriçimit të Komunës së Mitrovicës në Kosovë, e ka çuar drejtorin e saj për Shqipërinë dhe Kosovën, Gazmend Kelmendi në gjykatë – i akuzuar për marrëveshje të paligjshme që kufizojnë konkurrencën, e parashikuar nga neni 309/1 i Kodit Penal të Republikës së Kosovës.
Së bashku me Kelmendin, nën akuzë për tenderin e ndriçimit janë vënë dhe kryetari i Komunës së Mitrovicës, Agim Bahtiri, si dhe shefi i zyrës së prokurimit, Haxhimet Ferhati – të cilët akuzohen për keqpërdorim të pozitës publike.
Bahtiri dhe Ferhati akuzohen se kanë shpërdoruar detyrën për përfitim personal në dobi të operatori ekonomik “HeSaLight” A/S, ndërsa Kelmendi se ka paraqitur oferta bazuar në një marrëveshje të paligjshme pranë Komunës Mitrovicë, që të kufizonte konkurrencën në mënyrë që kompania daneze të shpallej fituese e tenderit të ndriçimit.
Kontrata midis kompanisë “HeSaLight” A/S dhe Bashkisë Mitrovicë, që kishte për qëllim “furnizimin, montimin dhe mirëmbajtjen e ndriçimit publik eficent në të gjitha rrugët e qytetit” është lidhur më datë 16 janar 2015, me një vlerë prej 767,940 eurosh.
Sipas aktakuzës ndaj tre të pandehurve, kjo kontratë është lidhur në kundërshtim me ligjin e prokurimit publik në Kosovë. Prokuroria Speciale e Kosovës nënvizon se procedura e prokurimit ka pasur një seri shkeljesh që kishin për qëllim shpalljen e “HeSaLight” A/S fitues, duke i shkaktuar një dëm buxhetit në vlerën totale të kontratës.
Sipas Prokurorisë, në procedurën e tenderit ka disa shkelje të evidentuara: fillimi i negociatave midis komunës dhe “HeSaLight” A/S pa njoftuar Komision Rregullativ të Prokurorimit Publik, KRPP, dështimi për të mbajtur procesverbale për negociatat, si dhe përdorimi i procedurës me negocim të drejtpërdrejtë, ndërkohë që të paktën 8 kompani të tjera në tregun e Kosovës ofronin produkte të ngjashme.
Gjithashtu, hetimi ka zbuluar se garancia e dhënë nga kompania “HeSaLight” A/S për produktet e saj ka qenë 10 vjet dhe jo 20 vjet -siç është pretenduar në njoftimin për tenderin, që komuna i ka bërë KRPP-së.
Hetimi kundër tre të pandehurve është filluar nga Departamenti i Krimit Ekonomik dhe Korrupsionit në Policinë e Kosovës, i cili ka dorëzuar një kallëzim penal në Prokurorinë Speciale më 18 nëntor 2015.
Tenderi problematik e ka zanafillën më 8 korrik 2014, kur kompania “HeSaLight” A/S ka bërë ofertën e parë në Komunën Mitrovicë me një vlerë prej 688,751 eurosh, pa kosto shtesë.
Më 29 shtator 2014, po kjo kompani ka bërë një ofertë të dytë me vlerë 642,377 euro. Ofertës së dytë, kompania i ka bashkëngjitur një tabelë me ofertën e parë, “jo me çmimin fillestar, por me një çmim prej 878,846 eurosh”. Rritja e çmimit të ofertës së parë me 190,095 euro është justifikuar me koston e tatimeve.
Oferta e tretë dhe finale nga “HeSaLight” A/S është dhënë më 15 dhjetor 2014, me çmimin që është shpallur fitues prej 767,940 eurosh.
Të marrë në pyetje nga Prokuroria Speciale, të tre të pandehurit i kanë mohuar akuzat inkriminuese.
I shtrënguar të shpjegojë diferencën midis dy ofertave të para dhe asaj finale, i pandehuri Gazmend Kelmendi ka pretenduar se në ofertën fillestare nuk përfshihej kostoja e tatimeve.
“Sa i përket dy ofertave paraprake të kompanisë ‘HeSaLight’, Kelmendi thekson se në ofertat e mëhershme nuk ka qenë i përfshirë tatimi, ngase ofertat përgatiten në zyrën e ‘HeSaLight’ në Danimarkë dhe është menduar që Kosova është në Evropë dhe nuk përfshihen tatimet”, shkruan aktakuza.
Kryetari i Mitrovicës, Agim Bahtiri ka pretenduar para prokurorëve se ai “nuk merret me prokurime” duke ia ka kaluar përgjegjësinë shefit të zyrës së prokurimit publik në komunë, Haxhimet Ferati.
Ferati e ka mbrojtur procedurën e prokurimit me negocim të drejtpërdrejtë, duke argumentuar që kontrata i jepte mundësi komunës ta paguajë investimin me këste.
“Kjo procedurë, po të ishte dhe ca vjet më shumë mund të shkonte dhe në PPP (Partneritet Publik Privat)”, ka theksuar ai.
Ferati dhe Bahtiri e kanë cilësuar njoftimin paraprak për një garanci 20-vjeçare si një “gabim teknik”.

Akuza dhe në Mal të Zi

Kompania daneze “HeSaLight” A/S, qendra e së cilës është në qytetin Roskilde në ishullin Zealand, rreth 30 kilometra larg Kopenhagenit, ka lidhur kontrata për projekte ndriçimi edhe me dy bashki në Mal të Zi – Bashkinë e Plavës, si dhe atë të Herceg Novit. Kontrata me Bashkinë e Plavës ka pasur një vlerë prej 214,800 eurosh, ndërsa ajo me Bashkinë Herceg Novit një vlerë prej 2.7 milionë eurosh.
“HeSaLight” ka qenë operatori i vetëm i cili ka paraqitur një ofertë në tenderin e ndriçimit të mbajtur nga Bashkia e Herceg Novit dhe është shpallur fituese në nëntor 2015. Kontrata përfshinte zëvendësimin e llambave nga 70W deri në 400W, zëvendësimin e ndriçuesve, një sistem wi-fi kontrolli, si dhe mirëmbajtjen dhe operimin e sistemit.
Por megjithatë, opozita në qytetin e vogël bregdetar prej 33 mijë banorësh, i lokalizuar në hyrjen e gjirit të Kotorrit, e ka cilësuar këtë kontratë si të dyshimtë, pasi një kompani lokale “Electro Energy”, ishte ofruar të bënte të njëjtën punë për 700,000 euro.
“’Electro Energy’ ka paraqitur një ankimim te kreu i Bashkisë së Herceg Novit, Natasa Acimovic, duke i akuzuar autoritetet vendore se tenderi ka qenë i ‘shitur’”, tha Mirko Mustur, përfaqësuesi i Partisë Demokratike në një konferencë për shtyp më 20 janar, duke i kërkuar Prokurorisë malazeze që të nisë hetimet.
Bashkia e Herceg Novit i hodhi poshtë akuzat, duke nënvizuar që “HeSalight” A/S ka qenë ofertuesi i vetëm dhe se “Electro Energy” nuk kishte paraqitur ofertë.
Megjithatë, Zoran Miskovic –drejtori i degës së Malit të Zi të kompanisë “Electro Energy’”, i tha “BIRN” se kushtet e tenderit ishin “diskriminuese dhe të dyshimta”, dhe nuk i kishin lejuar dhjetëra kompani lokale të jepnin një ofertë për tenderin.
Miskovic nënvizoi që avokatët e kompanisë së tij po vlerësonin mundësinë për një padi penale në zyrën e Prokurorisë Speciale për Krimin e Organizuar dhe Korrupsionin.
“Si ka mundësi që autoritetet vendore hapën një tender, kushtet e të cilit lejojnë vetëm një kompani të aplikojë pa ofruar mundësi alternative, edhe pse Mal i Zi ka dhjetëra kompani të përshtatshme për ta bërë atë punë”, tha me dyshim Miskovic.
Ai ngriti pikëpyetje mbi pretendimet e bashkisë që projekti prej 2.7 milionë eurosh për instalimin e llambave LED do të sillte kursime në miliarda për buxhetin dhe pretendon që ato duhet të ndërrohen pas 10 vjetësh.
Miskovic tha që kompania e tij kishte bërë një projekt pilot me Bashkinë e Herceg Novit, i cili ishte aprovuar nga ish-krerë të qeverisë vendore që i përkasin partive që tashmë janë në opozitë në nivel kombëtar. Sipas Miskovic, dy vjet më parë Partia Demokratike e Socialistëve, e udhëhequr nga Kryeministri Milo Gjukanoviç fitoi zgjedhjet vendore dhe gjithçka ndryshoi.
Ai shpjegoi se drejtuesit e rinj vendorë nuk ishin më të interesuar në projektin alternativ, i cili përfshinte instalimin e një kontrollori për kursimin e energjisë, një teknologji që sipas tij është më eficente se llambat LED dhe e cila do t’i kushtonte taksapaguesve 700,000 euro dhe kishte një garanci 25-vjeçare.
“Është e vështirë të shpjegosh përllogaritjet ekonomike që i shtynë autoritetet vendore të paguajnë 2.7 milionë euro për 10 vjet, në vend të 700,000 euro për 25 vjet”, përfundoi ai.

Paste Magazine: Vizitoni Beratin

Bridget Nurre Jennions, e cila shkruan për Paste Magazine ka publikuar pjesën e dytë të artikullit të saj me titull “Një Ballkan që të lë pa frymë”.
Pas artikullit të parë, në të cilin ajo kishte zgjedhur Sarandën si destinacion turistik kësaj herë gazetarja e njohur reklamon Beratin.
“Edhe pse rajoni është i njohur për konfliktet në vitin 1990, ai që e ka vizituar këtë cep të pazbuluar të Evropës Juglindore, e di se këto çështje kanë kaluar me kohë. Ata gjithashtu e dinë se, dendësia e kulturës dhe bukurisë së virgjër që gjenden këtu janë mbresëlënëse”, shkruhet në artikull.
Qyteti i Beratit është i mbrojtur nga UNESCO, shtrihet mes maleve të Tomorit dhe Shpiragut dhe ka një histori të gjatë. Ky qytet besohet të ketë qenë kështjella ilire e Antipatreia dhe është mbajtur nën syrin vigjilent të një kështjelle të importuar të epokës bizantine.
I njohur si “Qyteti i një mbi një dritareve”, tipari më i spikatur i Beratit është arkitektura e saj, me rreshta prej fildishi dhe me shtëpitë të stilit osman, që vijnë të gjarpëruara në rrugën e tyre deri në kodër, në kala.
Sigurohuni që të ngjitni shkallët për te Kalaja, e cila ende mbetet një lagje tradicionalisht e krishterë e qytetit, së bashku me rreth një duzinë kisha dhe pak xhami.