23.5 C
Tirana
E mërkurë, 9 Korrik, 2025

Aeroporti fiton 15.5 milionë euro, qytetarët paguajnë biletat më të shtrenjta

Tirana International Airport (TIA), kompania që menaxhon me një kontratë koncesionare Aeroportin e Rinasit ka vendosur që të shpërndajë dividend prej 15.5 milionë eurosh nga fitimet e akumuluara dhe fitimin e vitit 2015.
Vendimi është marrë në Mbledhjen Vjetore të Asamblesë së Përgjithshme të TIA-s, të mbajtur në prill. Përfaqësuesit e ortakëve të TIA-s miratuan në mënyrë unanime që fitimet e mbajtura/akumuluara në shumën prej 5.5 milionë euro dhe fitimi i vitit financiar të vitit 2015, prej 11.26 milionë euro, të alokohen: 15.5 milionë euro si dividend dhe 1.25 milionë euro si fitim i mbajtur (shih shkresën).
Në mbledhje, ortakët shprehën mirënjohjen e tyre për Këshillin Administrativ dhe Stafin Menaxherial për kontributin për mbylljen me sukses të vitit 2015 dhe për të arritur në nënshkrimin e ndryshimit të marrëveshjes së koncesionit.
Pak javë më parë, qeveria shqiptare arriti një marrëveshje me Tirana International Airport për ndryshimin e marrëveshjes koncesionare, në bazë të së cilit TIA mori një zgjatje të menjëhershme të afatit të koncesionit me dy vite, në këmbim të hapjes së Aeroportit të Kukësit dhe në rast të vënies në punë të ndonjë aeroporti tjetër, afati i koncesionit do të zgjatet maksimumi me 4.5 vite në total, duke e çuar deri në 24.5 vjet, nga 20 vjet që ishte kontrata fillestare.
Pak pas rishikimit të marrëveshjes koncesionare, Grupi i shërbimeve financiare China Everbright me bazë në Hong Kong njoftoi zyrtarisht se ka nënshkruar marrëveshjen për blerjen e të drejtave koncesionare në Aeroportin Ndërkombëtar të Tiranës. Transaksioni nuk është regjistruar ende në QKR.

Në 2015-ën fitimi  i TIA u rrit me 31%

Tirana International Airport (TIA) është një ndër kompanitë më fitimprurëse në Shqipëri. Për vitin 2014, ajo ishte e 10-a në vend në një renditje të kompanive shqiptare me fitimet më të mëdha. Në 2014-ën, ndonëse shënoi ulje të të ardhurave me 30%, si rrjedhojë e rënies së trafikut ajror (pas daljes nga tregu të “Belle Air”), ia doli të rrisë fitimet me gati 10% në 1.2 miliardë lekë (8.6 milionë euro), duke mbajtur nën kontroll shpenzimet. Norma e fitimit në 2014-ën ishte 30%, ndërsa të ardhurat ishin 4.2 miliardë lekë (rreth 30 milionë euro), sipas bilancit të publikuar në QKB.
Në 2015-ën, sipas të dhënave nga Kompania, fitimi arriti në 11.26 milionë euro, me një rritje prej 31% me bazë vjetore. Të dhënat për qarkullimin vjetor për 2015-ën nuk janë bërë ende publike.

Shqipëria dhe Serbia të vetmet me ulje konsumi

Shqipëria dhe Serbia janë dy shtetet ku konsumi privat ka qenë negativ në vitin 2015, përkatësisht me -0.2% dhe -0.6%. Të dhënat bëhen të ditura në tabelat e publikuara nga Komisioni Europian në raportin e tremujorit të parë 2016, për vendet kandidate dhe potenciale kandidate.
Të gjitha vendet e tjera i janë “gëzuar” një konsumi privat në rritje, që ka qenë më i lartë në Kosovë me 4.9% dhe në Maqedoni me 3.2%. Edhe Mali i Zi e Bosnja kanë shënuar vlera pozitive, ndonëse në nivele të ulëta.
Serbia ka vuajtur nga një konsum negativ vitet e fundit, madje në 2015-ën ritmi i rënies është ngadalësuar.
Ndërsa në Shqipëri sipas të dhënave më afatgjata nga INSTAT (që u referohet dhe Komisioni Europian) konsumi privat në vitin 2015 ka kaluar në territor negativ për herë të parë që nga viti 2001.
Sipas të dhënave tremujore të INSTAT, në Shqipëri, konsumi ishte në territor negativ në dy tremujorët e parë të vitit, përkatësisht -1.1% dhe -3%, për t’iu kthyer rritjes pozitive në gjysmën e dytë të vitit, përkatësisht me 1.74% dhe 2.42%. Teksa kjo periudhë përkon me fillimin e luftës ndaj informalitetit dhe rritjen e deklarimit të xhiros nga bizneset (kryesisht ato tregtuese të vogla) është e vështirë të bëhet ndarja nëse ky zgjerim konsumi ka qenë real apo fiktiv.
Ndërsa konsumi gjithsej (përfshirë dhe administratën publike) shënoi një rënie prej 0.5% në 2015-ën, për herë të parë që nga viti 1998, teksa dhe administrata publike e kishte këtë tregues negativ.
Banka e Shqipërisë shpreson që konsumi privat do të jetë një nga faktorët që do të orientojë rritjen në vitin 2016.

Të gjithë kundër Autoritetit Rrugor

Kompanitë e ndërtimit të rrugëve dhe bizneset e tjera që janë të lidhura me sektorin janë përfshirë në konflikte gjyqësore si asnjëherë më parë me Autoritetin Rrugor Shqiptar.
Sipas të dhënave nga ARRSH vetëm gjatë vitit 2015 janë hapur 85 çështje gjyqësore të reja përveç atyre të mbartura nga viti paraardhës, të cilat janë në gjykim në Shkallën e Parë dhe në Apel.
Sipas të dhënave zyrtare në total gjatë vitit 2015 janë fituar 25 (njëzet e pesë) çështje gjyqësore në Shkallën e Parë si dhe në Gjykatën e Apelit.
Ndërkohë që janë humbur në Shkallë të Parë të gjykimit 15 (pesëmbëdhjetë) çështje për të cilat është paraqitur Ankim para Gjykatës Administrative të Apelit dhe vazhdon gjykimi për pjesën tjetër të çështjeve.
Më 2015 për vendimet gjyqësore janë çelur fonde në vlerën 104,489,653 lekë dhe kjo vlerë është paguar totalisht.
Sakaq stoku i detyrimeve nga gjyqet e humbura aktualisht është 656 milionë lekë ose 4.7 milionë euro që mbeten për t’u shlyer në vijim.
Burimet pranë ARRSH-së bëjnë me dije se pjesa më e madhe e çështjeve i takon ankesave të firmave për procesin e tenderimit. Kompanitë pretendojnë se tenderët janë fituar nga kompanitë që kanë dhënë vlerën më të lartë pa e justifikuar këtë me kriteret teknike.

Presidenti: Prokuroria të hetojë përgjimet, pajisja ka cënuar sigurinë kombëtare

Presidenti Nishani i bëri sot thirrje Prokurorisë që të hetojë aferën skandaloze të përgjimit të të gjithë strukturës shtetërore nga policia duke e konsidreuar këtë si një hunim të lirive të qytetarëve. “Ky përgjim ka rrezikuar sigurinë kombëtare dhe Prokuroria duhet të ndërmarrë të gjitha masat për të hetuar në detaje këtë krim. Të hetohet se si është futur në Shqipëri kjo pajisje, e cila nuk mund të lejohet pa lejen e Prokurosë. Kjo pajisje ka cënuar integritetin e cdo qytetari”, u shpreh Nishani.

Pajisja e përgjimit, Basha: Uzurpim mafioz i shtetit, Edi Rama është përgjegjësi direkt

Kryetari i PD, Lulzim Basha ka akuzuar direkt Kryeministrin Edi Rama si përgjegjësin kryesor për pajisjen ilegale të përgjimit që ndodhet në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë.

Në një deklaratë për mediat, Basha theksoi se qytetarët kanë nevojë të mësojnë të vërtetën dhe për këtë arsye opozita ka thirrur nesër në Komisionin e Sigurisë ministrin Tahiri, kryeprokurorin Llalla, kreun e SHISH dhe drejtorin e Policisë së Shtetit.

“Heshtin sepse me porosinë dhe nën mbrojtjen e tyre kjo pajisje është futur në Shqipëri pa u regjistruar dhe pa marrë lejen e prokurorisë njëlloj siç veprojnë organizatat kriminale. Në një vend ku skandali i zë vendin skandalit, ky skandal zë vendin e parë, përgjegjësia shkon drejtpërdrejt tek Rama. Përpjekjet e tij për të larguar vëmendjen nga skandali, janë një konfirmim më shumë se gjendet përpara një mine të madhe paligjshme.

Qytetarët kanë nevojë të mësojnë një orë e më parë të vërtetën. Vendi nuk mund të pajtohet për asnjë çast me uzurpimin mafioz të shtetit. Edi Rama duhet dhe do të mbajë përgjegjësi për krimin, të një shteti mafioz mbi shtetin, që nënkupton asgjësimin e Republikës”, deklaroi Basha.

Superskandali me përgjimet, deputetët e Ramës kërkojnë t’i mbyllin gojën Llallës dhe Ajazit

Deputetët e PS kanë dalë kundër thirrjes në Komisionin e Sugurisë te kreut të Prokurorisë Llalla dhe kreut të SHISH, Ajazi për t’u pyetur në lidhje me superskandalijn e përgjimeve. Deputetët e PS janë shprehur se janë kundër thirrjes së tyre në Komision. Një reagim i tillë e bën të qartë se kemi të bëjmë me përgjime masive dhe të paligjshme nga qeveria. Nëse vërtet nuk do të ekzistonin të tilla përgjime, natyrisht që Rama nuk kishte pse të kërkonte ti mbyllej goja Kryeprokurorit dhe Drejtorit të SHISH.

Superskandali që mund të sjellë destabilizimin

Cilët ambasadorë përgjoi Rama? Skandali mund të sjellë destabilizim

Ja disa nga personalitetet shtetërore dhe politike nga lista e 375 të përgjuarve nga institucionet shtetërore, partitë politike, biznesi, media dhe bota artistike të përgjuar prej 6 muajsh në kundërshtim me ligjin dhe Kushtetutën nga manjaku Edvin Shullazi!
Presidenti i Republikës, Bujar Nishani
Sekretari i Përgjithshëm i Presidencës, Florian Nuri
Kryetari i Parlamentit, Ilir Meta
Kryetari i PD, Lulzim Basha
Kryetari i Gjykatës Kushtetuese, Bashkim Dede
Kryetari Gjykatës së Lartë, Xhezair Zaganjori
Prokurori i Përgjithshëm, Adriatik Llalla
Ministri i Drejtësisë, Ylli Manjani
Ministri i Bujqësisë, Edmond Panariti
Kryetari i Bashkisë, Erion Veliaj
Drejtori i Shërbimit Informativ Shtetëror, Visho Ajazi
Kryetari i Komisionit të Kontrollit të Shtetit, Bujar Leskaj
Avokati i Popullit, Igli Totozani
Guvernatori i Bankës së Shtetit, Genti Sejko
Anëtarët e Gjykatës Kushtetuese dhe të Lartë
Kryetari i Gjykatës së Apelit për Tiranën, Alaudin Malaj dhe më vonë Hysni Demiri
Kryetari i Gjykatës Administrative, Kastriot Selita
Kryetari i Grupit parlamentar të PS, Gramoz Ruçi dhe deputetët Pandeli Majko, Anastas Angjeli, Esmeralda Shkjau, Vasilika Hysi
Kryetari i Grupit parlamentar të PD, Edi Paloka dhe deputetët Sali Berisha, Arben Ristani, Jozefina Topalli, Arben Imami, Genc Ruli, Ridvan Bode, Genc Pollo, Genti Strazimiri, Majlinda Bregu, Albana Vokshi, Albina Deda
Kryetari i PBDNJ, Vangjel Dule
Kryetari i Partisë për Drejtësi dhe Integrim, Shpëtim Idrizi
Kryetari i Partisë Republikane, Fatmir Mediu
Kryetari i Partisë Agrare, Agron Duka
Deputeti i Partisë Socialiste, Ben Blushi
Deputetët e LSI, Petrit Vasili, Monika Kryemadhi, Vangjel Tavo etj., etj.
Burimet dixhitale bëjnë me dije se në listën e të përgjuarve janë ambasadorët e vendeve të mëdha perëndimore dhe shefat e shërbimeve perëndimore, shefat e misioneve të institucioneve ndërkombëtare të akredituar në Tiranë.
Në listën e të përgjuarve ka pronarë e drejtues të mediave elektronike dhe të shkruara, portaleve dhe blogjeve kundërshtare apo kritike të qeverisë. Lista e të përgjuarve nga Edvin Rama, me alternim arrin në 375 persona vendas dhe të huaj.
Ky është një akt antikushtetues dhe antiligjor e banditesk i vërtetë dhe një krim i shëmtuar, të cilin organizata kriminale që e ka realizuar përpiqet ta ndajë me Interforcën italiane. I bëj thirrje prokurorit të Përgjithshëm të vendosë para ligjit kriminelin në krye të policisë, Çako, për krimin e tij të rëndë e antikushtetues, të vërtetojë akuzat që ky ka lëshuar për të ndarë krimin e tij drejt Interforcës italiane, e cila në asnjë rrethanë nuk mund të jetë e implikuar në një veprimtari të tillë antikushtetuese dhe në shkelje flagrante të marrëveshjes ndërshtetërore.
Por në rast se ekzistojnë dyshimet më të vogla të implikimit të Interforcës, që mesa duket Çako si të tillë njeh ndonjë Bolino, të ndërmarrë hetime të përbashkëta energjike me Prokurorinë italiane për të nxjerrë të vërtetën në shesh. I bëj thirrje presidentit të Republikës të informojë shqiptarët për të vërtetën e kësaj afere kriminale antikushtetuese të organizatës kriminale qeveritare të Edvin Shullazit!

Aksidenti në Kavajë, flet babai: Pas 4 muajsh në burg, i pashë të mbuluar

Më 7 maj, një aksident përgjaku aksin rrugor Kavajë–Rrogozhinë me gjakun e dy fëmijëve të vegjël. Silva Negollari ishte nisur për të takuar burrin e saj në burgun e Rrogozhinës, e shoqëruar nga tre fëmijët. Por Aliçen dhe Dritanin, babai i tyre Sokoli, do t’i shihte për herë të fundit në dy arkivolë të vegjël. “Dritare.net” shkoi në shtëpinë e familjes Negollari, një shtëpi dykatëshe, fshehur në rrugicat e Durrësit të ri, ku humbet, nëse nuk të ndihmojnë. Dhe të ndihmon çdokush sepse të gjithë e dinë shtëpinë e tyre, tani. Në oborrin e zbrazur, qëndron Sokoli, i cili është në arrest shtëpie. E gjejmë duke punuar kopshtin që më shumë ngjan si një arratisje nga realiteti që po përjeton, se aty kopsht nuk ka. Me zë gati të mbytur na tregon se ishte vetë gruaja e tij, e cila kishte nxjerrë një prej fëmijëve nga makina.
“Silva ka humbur kontrollin e makinës dhe makina është përplasur me trafikndarësen që ishte me llamarina. Por ajo nuk ishte shpejt, pasi në autostradën ku lejohet me 100km/h, ajo ishte vetëm me 60km/h”. Me shikimin e ulur, Sokoli na fton të hyjmë brenda dhe të takojmë të shoqen e dy gjyshet e fëmijëve, pa dashur të shtojë gjë më shumë. “Nuk kam çfarë të them, mua fëmijët më ikën. Nuk dua t’ia vë fajin askujt, madje as nuk dua të flas për arrestimin tim, për ndërtimin pa leje. Nuk m’i kthen kush dy fëmijët e mi, çfarëdo të them. Unë fëmijët për herë të parë, pas 4 muajsh, i pashë të mbuluar. Nuk do t’i dëgjoj më te ky oborr të më thërrasin babi, babi”,¬ thotë Sokoli zëmbytur dhe largohet për të qëndruar vetëm. Edhe pse dyert e mortit vazhdojnë të jenë të hapura, në shtëpi dëgjohet vetëm heshtja e trishtë. Por në moment del nga dhoma vajza 1 vjeç që i shpëtoi aksidentit. Ebi i vogël ndodhej në sediljen e parë të pasagjerit, në koshin e vet, ndërkohë Aliçe dhe Dritani ishin në pjesën e pasme të makinës, pikërisht aty ku hyri trafikndarësja e prerë, që i mori jetën dy engjëjve, djalit 5 vjeç dhe vajzës 3 vjeç.
Ebi mban në dorë një kukull dhe nuk i ndahet gjyshe Adiles. “Kur e lëshoj, vrapon nëpër cepat e shtëpisë dhe bërtet, Aniii, Içeee. Pastaj nuk gjen gjë dhe vjen tek unë prapë. Edhe pse është shumë e vogël, përsëri ia ndjen mungesën vëllait dhe motrës. Po ata nuk janë asgjëkundi”,¬ thotë Adile Dervishi, mamaja e Silvës, që rrotullon sytë nëpër shtëpi, ku nuk shikon asnjë fotografi të fëmijëve të vegjël. Mamaja e Silvanës, nuses 24-vjeçare të asaj shtëpie në mort që prej një jave, tashmë e bën jetën në dy qytete, një ditë rri në Tiranë, ku jeton dhe një ditë tjetër shkon në Durrës.
“Kam frikë ta lë vajzën, edhe pse është e rrethuar me njerëz, tashmë është momenti që ajo ka më shumë nevojë për mua. Se nuk është mirë. Herë-¬herë e çoj të flejë, se gjumi të ndihmon. Rri e ruaj, kur ajo befas çohet në këmbë në krevat dhe rri, rri në këmbë, pa folur. Më fut frikën dhe e ruaj gjithë kohën, edhe kur shkon në banjë. Më tmerron ideja që Silva të rrijë vetëm. Është e dobët, e përhumbur. Por në të njëjtën kohë në Tiranë është bashkëshorti, që është bërë një grusht dhe sidomos kam frikë për djalin. Është 20 vjeç dhe ishte atje në morg, për të marrë fëmijët. I pa dhe bërtiti. Bërtiti aq shumë sa u dëgjua në gjithë Durrësin. Tani nuk është mirë. I donte shumë ata engjëj të bukur. E di ti sa të bukur ishin!”. Znj. Adile tregon se Silva prej katër muajsh ishte bërë nënë e baba, por përsëri nuk i kishte treguar fëmijëve se Sokoli ndodhej në burg, pasi kishte nisur të ndërtonte një shtëpi pa leje në truallin e prindërve, në Gërmenj të Kavajës. “I thoshte që babi është sëmurë e është në spital dhe se do të vijë shumë shpejt. Por ata nuk duronin. E kërkonin përditë. Dhe Silva nuk ia u prishi dot. I mori të tre në makinë dhe u nis. Ditën që ata do të niseshin për në Rrogozhinë, fëmijët sikur e kishin ndjerë që diçka do të ndodhte. Në mëngjes këputën nga një lule, në oborr dhe i vendosën në kokën e krevatit të tyre”,¬ thotë Adile dhe pastaj nuk duron më, por shpërthen në lot. Edhe pse në të vërtetë kërkon ta harrojë, znj. Adile kujton momentin kur Silva i jep lajmin e hidhur. “Më mori në telefon, duke ulëritur e qarë. U terrorizova, derisa shkova në Spitalin e Durrësit.
Nuk doja ta besoja. Pastaj e gjeta atje, si lopë të therur, mes gjakut, me të voglën në kosh tek këmbët e krevatit. Me këtë yll që shpëtoi, që na e la Zoti gjallë”. Me duar që i dridhen Silva sjell kafetë, sytë e saj nuk janë në dhomë me ne, janë të zbrazët. Silva na përgjigjet, kur e pyesim, por nuk është në dhomë. “Më dhemb kraharori, pasi më kapi pjesa e timonit, por asgjë nuk më dhemb sa zemra”,¬ nis të qajë Silva. Pastaj pushon, lotët i thahen dhe ngre sërish kokën me shikimin bosh. Nuk është në gjendje të tregojë, por vetëm përqafon vajzën e vogël. T’i shohësh nënë e bijë në atë përqafim mbijetese, të bën të ulërish. Por askush nuk ulërin, madje as flet në atë heshtje pafajësie. Edhe znj. Adile nuk do t’ia lërë fajin kujt. “Nuk them dot se i kujt ishte faji, pasi faji është jetim, gjithmonë, sidomos për njerëz të thjeshtë, siç jemi ne. Por pse shkojnë e burgosin një njeri që vetëm donte të ndërtonte çatinë e shtëpisë? Pse nuk kujdesen më parë për rrugët? Por duhej të vdisnin nipi e mbesa ime që të nisnin punimet për t’u rregulluar.
Tani për ne nuk ka më ngushëllim dhe gishti mbi fajtorë, nuk ka vlerë”. Një nënë e shkatërruar, një baba me brengë në shpirt, një bebe që kërkon vëllain e motrën të luajë si më parë dhe heshtja që bërtet Ani, Içe, Ani, Içe; është kjo, e sotmja, e familjes Negollari.

“dritare.net”