Bavarezët kanë festuar këtë të shtunë marrjen e titullit, pasi siguruan fitoren në shtëpi në ndeshjen e fundit të sezonit. Fitorja 3-1 ndaj Hannover është pasuar nga festimet për titullin e radhës të Bundesligës, ku Pep Guardiola ka marrë pjesë si triumfant në prag të lamtumirës. Robert Lewandowski u dha kampionëve kryesimin në fillim të ndeshjes, duke u bërë lojtari i parë që arrin kuotën e 30 golave në një sezon në Bundesligë, rekord që mbahej nga Dieter Muller i Koln në sezonin 1976-‘77.
Mario Gotze, për të cilin përflitet gjithmonë e më shumë kalimi tek Liverpool, shënoi dy gola në secilën pjesë të ndeshjes. Guardiola pritet t’i japë fund zyrtarisht aventurës së tij gjermane fundjavën e ardhshme, pas takimit DFB-Pokal kundër Borussia Dotrmund.
Nuk ka shpëtim për Shtutgartin. Skuadra nga Baden Vyrtemberg është mundur nga Volfsburgu në javën e fundit të Bundesligës 1-3 dhe sezonin e ardhshëm do të luajë në Bundesligën 2. Një rënie e hidhur për Shtutgartin që pas shumë sezonesh do të luajë një kategori më poshtë pas një sezoni të dështuar tërësisht.
Një tjetër skuadër e rëndësishme në Bundesligë, Eintrahti i Frankfurtit do të jetë i detyruar të luajë në play-off me vendin e tretë në Bundesligën 2 për të siguruar qëndrimin në Bundesligë. Në ndeshjen direkte për të qëndruar në Bundesligë Verder Bremeni ka mundur Eintrahtin e Frankfurtit 1-0 me gol të shënuar nga Xhiloboxhi një minutë nga fundi i takimit që i ka siguruar mbijetesën në Bundesligë.
Evropa – Bundesliga ka përcaktuar dhe ekipet që sezonin tjetër do të luajë në Ligën e Evropës. Kështu Shalke 04 dhe Mainci do të futen në fazën në grupe në Ligën e Evropës, ndërsa Herta e Berlinit do të luajë në play off në Ligën e Evropës.
Bavarezët festojnë titullin
Unaza diamanti për Leicesterin
Sezoni i jashtëzakonshëm i Leicester pasurohet edhe me një unazë. Dhe nuk bëhet fjalë për një unazë të zakonshme, por një që përbëhet nga një diamant 5 karat i rrethuar nga një kurorë e artë si për të krijuar një lloj seti me Kupën e fituar të Premier League nga skuadra e Dhelprave. Është një unazë vlera e së cilës kap shifrën e 280 mijë eurove.
Ideja për krijimin e kësaj unaze u hodh nga argjendari Lumbers për të festuar në mënyrën më të mirë të mundshme triumfin e Ranierit dhe skuadrës së tij. Numri i unazave të prodhuara do të jetë i limituar në 80, 81 ose 83 ekzemplarë, në varësi të pikëve që do të ketë kjo skuadër në përfundim të kampionatit.
Efekti duket se ka qenë i menjëhershëm, pasi disa prej lojtarëve të Leicester me Jamie Vardy në krye kanë menduar të bëjnë prenotimet për blerjen e kësaj unaze, të cilën duan t’ia bëjnë dhuratë të fejuarave apo bashkëshorteve të tyre. Vetëm se këtë radhë, për ta paguar atë duhet të hapin portofolët e tyre, pasi padroni i klubit Srivadanapra nuk ka ndërmend të bëjë shpenzime në këtë aspekt.
Chelsi i ofron rinovimin e kapitenit Terry
Chelsea i ka ofruar rinovimin kapitenit të skuadrës, John Terry. Sipas zëdhënësit të klubit, Terry, kontrata e të cilit skadon këtë verë, ka në dorë një kontratë të re 1-vjeçare. “Marina Granovskaia dhe Bruce Buck janë takuar gjatë kësaj jave me John dhe agjentin e tij dhe i kanë ofruar një kontratë të re 1-vjeçare. Kjo ofertë vjen në fund të sezonit, prandaj John duhet të marrë një vendim të rëndësishëm. Ai dhe familja e tij janë duke e shqyrtuar”, u shpreh zëdhënësi.
Terry, 35 vjeç, ka bërë 703 ndeshje me fanellën e Chelseat, pasi debutimit në tetor të vitit 1998 dhe gjatë muajve të fundit e kishte bërë të qartë se dëshiron të qëndrojë në “Stamford Bridge” edhe për disa vite të tjera. Tifozët e Chelseat kishin nisur një fushatë javëve të fundit, duke i kërkuar klubit që t’i ofrojnë kontratë të re idhullit të tyre dhe duket se më në fund skuadra ka reaguar.
Juventus blen Pjaniç
Miralem Pjaniç do të jetë përforcimi i parë i rëndësishëm për Juventusin gjatë merkatos së verës. Sipas “Sport Mediasset”, bardhezinjtë kanë rënë dakord me drejtuesit e Romës për të paguar klauzolën e largimit në kontratën e mesfushorit boshnjak, më saktë plot 38 milionë euro, duke u paraprirë lëvizjeve të Barcelonës, Realit të Madridit apo të Paris Saint Germmain. Ky çmim konsiderohet i pranueshëm për kampionët në fuqi të Italisë, që do të bëjnë të tyrin një nga mesfushorët më të vlerësuar të momentit. Pjaniç është prej 5 sezonesh pjesë e Romës, periudhë gjatë së cilës e ka veshur 183 herë në total fanellën verdhekuqe, duke shënuar 30 gola, 27 vetëm në Serinë A.
26-vjeçari që i pëlqen shumë Alegrit, ka qenë truri i lojës së Romës, ndërkohë që Juventusit i ka munguar një lojtar me të tilla karakteristika që pas largimit të Andrea Pirlos. Futbollisti boshnjak konsiderohet përforcimi i duhur për mesfushën bardhezi, që edhe në këto momente është shumë e fortë. Claudio Marchisio pritet të rikthehet në fund të tetorit për shkak të dëmtimit të rëndë që pësoi në gju, por me zbarkimin të Vinovo të Pjaniç, do të ketë kohën e mjaftueshme në dispozicon për të rifituar formën e mëparshme.
Juventusi kërkon të bëjë gjëra të mëdha në të ardhmen e afërt dhe këtë e tha qartë edhe presidenti Andrea Anjeli, në konferencën e së mërkurës, me rastin e rinovimeve të Bufonit dhe Barzaljit. Por për të synuar fronin europian kërkohen edhe investime të mëdha dhe lojtarë cilësorë, prandaj, për të festuar më së miri titullin e pestë radhazi, padroni bardhezi ka vendosur që të mos kursehet, por kërkon t’i shtojë një emër të madh në mesfushë Juventusit, një organizator, lojtarin e shumëkërkuar nga trajneri Masimiliano Alegri prej dy vitesh. Pistat që po ndiqen tashmë njihen nga të gjithë, por risia është se në klubin torinez kanë vendosur që të hapin thesin dhe të paguajnë shifra stratosferike.
Prej më shumë se një jave, Juventusi po shqyrton edhe organizatorin e Realit të Madridit, Hames Rodriguez. Kolumbiani, i cili nuk po shkëlqen në radhët e “galaktikëve” është shndërruar në një objektiv serioz, aq sa pas mediave italiane, tashmë edhe ato spanjolle konfirmojnë kontaktet dhe lejen që ka marrë “Zonja e Vjetër” për të ngritur në këmbë një tratativë serioze. Në këto bisedime përfshihet pagesa e 50 milionë eurove, plus rikthimin gratis të Alvaro Moratës në “Santiago Bernabeu”, për një total prej 80 milionësh, e njëjta shifër që Reali pagoi dy vite më parë, për të siguruar amerikanojugorin.
Por nga Spanja lëshojnë edhe një tjetër bombë të vërtetë. Juventusit i pëlqen aq shumë mesfushori 22-vjeçar portugez i Valencias, Andre Gomes, aq sa për të është gati të bëjë një ofertë të frikshme. Pas refuzimit të ofertës prej 30 milionë eurosh, të bërë tri javë më parë dhe të refuzuar nga iberikasit, drejtori i përgjithshëm bardhezi është rikthyer në sulm me një tjetër ofertë: 30 milionë euro kesh, plus 20 milionë euro të tjera në formë bonusesh për tri vitet e ardhshme, për një total prej 50 milionësh. Dhe, në të tilla shifra, Valencia tundohet jo pak, ndonëse kjo tratativë është vetëm në hapat e saj të parë dhe bisedimet pritet që të bëhen më serioze, pas datës 21 janar, kur Juventusi të mbyllë zyrtarisht këtë sezon, me finalen e Kupës së Italisë kundër Milanit.
Finalja e Europa League, rritet çmimi i biletave
Finalja e Europa League po tërheq vëmendjen e tifozëve nga mbarë bota. Në 18 maj, në St.Jacob Park të Bazelit, Sevilla dhe Liverpool do të vihen përballë njëra-tjetrës për të diskutuar këtë trofe shumë të rëndësishëm europian. Sevilla është aktualisht skuadra kampione në fuqi e këtij turneu dhe ka rekordin me 4 trofe të fituar. Nëse spanjollët do të mposhtin Liverpoolin, atëherë ata do ta fitojnë Europa League për të tretin vit radhazi.
Në krahun tjetër, Liverpool ka fituar 3 herë këtë turne, e fundit ishte në vitin 2001. Nëse në mesjavën e ardhshme “të kuqtë” e drejtuar nga Jurgen Klopp do të triumfojnë, atëherë do të barazojë rekordin e Sevillas me 4 tituj.
Fakti që një skuadër angleze është në finalen e një turneu europian ka sjellë një rritje të shitjeve të biletave të finales, e dhënë kjo që konfirmohet nga portali ticketbis.net. duke bërë analizën e shifrave të publikuara për shitjet e biletave që nga viti 2012, rezulton se tifozë nga të paktën 32 shtete kanë arritur të sigurojnë një të tillë për finalen e këtij sezoni dhe shumica e tyre janë blerë nga tifozë britanikë, gjermanë e amerikanë.
Por jo vetëm kaq, sipas kësaj platforme për finalen e këtij viti është rritur edhe çmimi i biletave me 158 për qind në krahasim me mesataren e 4 viteve të fundit, gjë që tregon rritjen e popullaritetit të Europa League. Për finalen e këtij viti, tifozët kanë paguar mesatarisht 550 paund për biletë.
Basha sërish në Serinë B, e kërkon Avellino
E ardhmja e Migjen Bashës mund të jetë sërish në Serinë B të futbollit italian. 29-vjeçari kuqezi në përfundimin të këtij sezoni pritet të largohet nga Como, pasi kjo skuadër nuk arriti të mbijetonte, dhe më shumë gjasa do të kërkojë një destinacion të ri po në Serinë B. Mediat përtej Adriatikut raportojnë se, për mesfushorin shqiptar interesohet Avellino, e cila ka ambicie për t’u ngjitur në elitën e futbollit italian sezonin e ardhshëm.
Basha, i cili verën e kaluar u largua nga Torino për t’iu bashkuar Lucernës, në muajin janar u dha në formën e huazimit te Como, por pa mundur të bëjë asgjë për t’i siguruar mbijetesën ekipit italian.
Basha është aktivizuar në total 12 ndeshje me Comon, duke shënuar vetëm një gol, pikërisht më barazimin 1-1 me Avellinon një javë më parë. Ndikim në të ardhmen e lojtarit pritet të ketë edhe pjesëmarrja e tij e mundshme me Shqipërinë në Euro 2016. De Biasi ende nuk e ka shpallur listën përfundimtare për Europianin, por të paktën në atë paraprake Basha pritet të jetë i përfshirë.
Zyrihu në krizë, reagon Sadiku
Armando Sadiku shpërthen ndaj Zyrihut, skuadrës që zotëron kartonin e tij. Sulmuesi i kombëtares shqiptare, që aktualisht luan te Vaduzi në formë huazimi, shënjestron drejtuesit Zyrihut për situatën e rëndë që po kalon klubi, duke rrezikuar rënien një kategori më poshtë.
“Janë bërë shumë gabime te Zyrihu, deklaroi fillimisht Sadiku. Janë larguar disa lojtarë, të cilët nuk janë zëvendësuar me elementët e duhur. Nuk më takon mua të them nëse do t’i duhesha skuadrës së Zyrihut, vetë klubi më kërkoi të largohesha. Tani të kjo skuadër gjërat po shkojnë keq, kush ka faj le ta paguajë”, u shpreh Sadiku.
Sadiku, autor i një dygolëshi në fitoren e fundit me Sionin, është i bindur se nuk iu dha mundësia për të treguar sesa vlen te Zyrihu. “Në Zurih nuk jam ndier në asnjë moment i rëndësishëm dhe kurrë nuk më dhanë besim, vijon më tej sulmuesi shqiptar. Nëse gaboja në një ndeshje, në tjetrën isha jashtë. Kanë bërë shumë gabime, por ky është realiteti. Atje janë të bindur se ma kanë dhënë mundësinë për të treguar sesa vlej, por unë besoj se kjo nuk ka ndodhur”, tha ai.
Në ndeshjen e fundit të kampionatit, Zyrihu do të luajë në transfertë pikërisht ndaj Vaduzit të Sadikut. Sulmuesi shqiptar nuk ka asnjë dilemë, do të bëjmë gjithçka për të mundur skuadrën që zotëron kartonin e tij. Unë jap gjithçka aty ku ushqehem. Nuk ka asnjë dyshim, do të bëj më të mirën për Vaduzin dhe nëse do të më jepet mundësia për të shënuar, do ta bëj. Shpresoj që ta kemi siguruar mbijetesën më parë, që të mos udhëtoj fare drejt Zyrihut”, tha Sadiku.
Nuk mund të mungonte një dhumbim i 25-vjeçarit edhe për trajnerin Sami Hypia. “Ai nuk e njeh futbollin zviceran. Problemi më i madh nuk ishte ky, por niveli i komunikimit. Hypia nuk më lejonte që të flisja italisht me Chiumiento dhe Nef. Mos vallë duhet ta harronim këtë gjuhë”, përfundoi Sadiku.
Evropa kontinent krizash
Ata kalojnë të gjithë si në paradë në skenë. Presidenti i Komisionit Evropian Jean-Claude Juncker lëshon majtas-djathtas fjalë të ëmbëla. Gazetarët provojnë edhe një tjetër të marrin vesh nga kancelarja gjermane Angela Merkel ndonjë vizion, gjë që ajo e shmang si zakonisht ca fjali pragmatike për detyrat dhe sfidat.
Ministri i Jashtëm gjerman Frank-Walter Steinmeier ul kokën i shqetësuar seriozisht në lidhje me “krizën” që po zien aktualisht në Evropë. Dhe Martin Schulz, Presidenti i Parlamentit Evropian nuk është vërtet i pranishëm personalisht në takim, por të paktën me një video-mesazh. Radioja gjermane WDR ka ftuar në një debat për Evropën. Është si të thuash një takim politik i familjes evropiane.
Një pulovër e vjetër që po shqepet
Brenda familjes punët nuk duken mirë-në këtë pikë pleqtë e familjes janë të një mendimi. “Nëse do ta kemi edhe pas një viti Bashkimin Evropian që njohim sot, kemi arritur shumë”, paralajmëron ministri i Jashtëm gjerman. Kriza ekonomike, “matja globale e forcave” në vendet e trazuara si në Ukrainë dhe në Lindjen e Mesme, e “shpërbërja e perceptuar e kufijve” për shkak të globalizimit, shkaktojnë tek popujt e Evropës “frikën e humbjes së kontrollit”. Populizmi i djathtë që bren përfytyrimet që ka Evropa për veten, është një “tregues i këtyre frikërave.
“Jean-Claude Juncker e krahason strukturën politike të BE-së me “pulovër të vjetër” që është në rrezik të shqepet nëse i tërheq një fije. Ndjenja themelore dramatike lidhet sidomos me referendumin që pritet të zhvillohet në Britaninë e Madhe.
Votimi i britanikëve në qershor për çështjen nëse dëshirojnë të mbeten pjesë e BE-së, ka ngjallur frikën, se ky mund të jetë fija e parë. “Nëse ka një rajon që është i përgatitur për globalizimin, atëherë më tepër se të tjerët Evropa”, thekson Steinmeier. “Shpresoj se britanikët e shohin këtë gjë po kështu”. Në rast të daljes nga BE-ja, ai paralajmëroi për një ripërtëritje të konfliktit në Irlandën e Veriut.
Jean-Claude Juncker beson se britanikët nuk janë në gjendje të vlerësojnë pasojat e një daljeje nga BE-ja. “Ideja se edhe pas një rezultati negativ çdo gjë do të vazhdojë si deri tani është e gabuar”, theksoi ai. “Kushdo që largohet nga tryeza, nuk mund të hajë më në këtë tryezë.” Ambasadori britanik në Gjermani Sebastian Wood, bën sërish reklamë për kompromisin që qeveria britanike ka negociuar me BE-në – sidomos për të drejtën e veçantë për të mos marrë pjesë në “një bashkim gjithnjë e më të ngushtë. Nga këndvështrimi ynë, një union më fleksibël është edhe një union më i fortë”.
Më shumë punë për të rinjtë evropianë
“Evropa do të jetë gjithmonë një krijesë e larmishme”, thekson edhe Angela Merkel. “Identitetet kombëtare nuk duhet të hidhen poshtë”. Pranimi i Evropës do të arrihet vetëm nëse ia dalim mbanë që ajo të jetë ekonomikisht e suksesshme. “Nëse ne nuk jemi në gjendje t’u tregojmë të rinjve se edhe ju mund të siguroni nga kjo Evropë më shumë punë, atëherë do të kemi vështirësi”.
Edhe ajo lë të kuptohet se nuk e konsideron kontinentin e vjetër në formën e tij më të mirë. Pyetjes se pse ajo nuk flet për vizionin e saj, por për çështje praktike, ajo i përgjigjet në mënyrë lakonike: “Mua do të më pëlqente, në qoftë se kjo nuk konsiderohet si një vizion”.
Përplasje Rusi – SHBA – Putin: Moska po kërcënohet nga Uashingtoni
Një mekanizëm raketash i vendosur nga SHBA në Rumani me qëllim mbrojtjen e Amerikës dhe Europës nga një sulm i të ashtuquajturëve shtete të kuqe është një hap drejt një tjetër lufte të ftohtë. Kështu ka deklaruar presidenti i Rusisë Vladimir Putin, i cili po ashtu kërkoi ndryshimin e buxhetit për t’iu kundërpërgjigjur çdo kërcënimi.
Në fjalën e tij përpara zyrtarëve kryesorë të mbrojtjes dhe forcave ushtarake kreu i shtetit rus u shpreh se kjo lëvizje e SH.b. ka si qëllim të bllokojë arsenalin bërthamor të Rusisë.
“Nuk është një sistem mbrojtës. Kjo është një strategji e SHBA për të sjellë armët nukleare në periferi të Rusisë, siç është në këtë rast Rumania. Ata që morën këtë vendim duhet të dinë se deri më tani kanë jetuar në paqe e siguri, por tashmë që ato raketa ndodhen aty ne jemi të detyruar të mendojmë se federata ruse është nën kërcënim.
Më tej, Putin theksoi se shteti që ai drejton nuk do të përfshihet në këtë garë bërthamore, por do të vazhdojë të ndërtojë armë për forcat e saj ushtarake dhe flotën detare, dhe do të vijojë të shpenzojë në mënyrë që të ruajë balancat me të tjerët. Ai po ashtu tha se kërcënimi bërthamor që vjen nga Irani nuk duhet të merret seriozisht, pasi u shfrytëzua nga Uashingtoni për të ndërtuar mburojën me raketa.
Të enjten Zv/Sekretari amerikan i Mbrojtjes Robert Work deklaroi se kjo mburojë e vendosur në Rumani nuk do të përdoret për të kërcënuar Rusinë.
Paralajmërime për një cyber-ofensivë nga Rusia
Fusha e betejës interneti – Zyra Federale për Mbrojtjen e Kushtetutës (BfV) ka shumë vite që i është kushtuar kësaj teme. Në raportin e tij vjetor theksohet në mënyrë të veçantë kërcënimi nga Lindja. Sidomos Rusia duhet të jetë veçanërisht aktive në këtë fushë. Në perceptimin publik ky burim rreziku ka kaluar megjithatë pak në sfond. Arsyeja: zbulimet e Edward Snowden për përgjimin global nga shërbimi sekret i Shteteve të Bashkuara, National Security Agency (NSA).
Në hijen e kësaj çështjeje që ka nisur prej verës së vitit 2013 shumë vende të tjera e patën të lehtë të fshihen. Kjo e shqetëson tani presidentin e BfV-së Hans-Georg Maassen më fort se kurrë. Dhe duket se ai ka të drejtë, sikurse të bën të supozosh një sulm ndaj sistemit kompjuterik të CDU-së që dyshohet se e ka origjinën nga Rusia. Selia e partisë CDU në Berlin konfirmoi të enjten (12.05) njoftimet që kishin bërë më parë një firmë sigurie për IT dhe gazeta e përditshme “Die Ëelt”.
Në verën e vitit 2015 ishte përkohësisht off-line Bundestagu
Maassen është i alarmuar: “Siguria e informacionit në zyrat gjermane në qeveri, administratë, biznes dhe në institucionet kërkimore-shkencore është vazhdimisht e kërcënuar”, thuhet në një njoftim për shtyp. Zyra Federale për Mbrojtjen e Kushtetutës dyshon se pas sulmit mbi CDU-në është një grup hackerash i njohur në qarqet e sigurisë nën emrin “Sofacy” dhe “ATP 28”. Ky mendohet se është përgjegjës edhe për sulmin masiv në kompjuterat e Parlamentit gjerman në verën e vitit 2015.
Identiteti i sulmuesve vetëm mund të supozohet
Zyra Federale për Mbrojtjen e Kushtetutës nuk ka siguri absolute për identitetin e sulmuesve. Por për shkak të indikatorëve ajo supozon megjithatë se duhet të jetë fjala për sulme “shtetërore të drejtuara nga Rusia”. Sulmet kibernetike të spiunazhit mund të ndiqen pjesërisht për një periudhë prej shtatë deri në njëmbëdhjetë vjet.
Shumica e sulmeve që ka vërejtur BfV-ja synonin mbledhjen e informacionit. Me këtë kuptohet spiunimi klasik i kundërshtarit. Të kërkuar janë veçanërisht informacione të rëndësishme nga politika, ekonomia, shkenca dhe ushtria. Përveç zyrave të qeverisë dhe partive Zyra për Mbrojtjen e Kushtetutës ka konstatuar edhe një sërë objektivash të tjera si kompanitë e furnizimit me energji, ato të telekomunikacionit, universitetet dhe institucionet arsimore.
Tepër të rrezikuara infrastrukturat kritike
Maassen është sidomos i shqetësuar për të ashtuquajturat infrastruktura kritike: “Ndërkohë shërbimet ruse të spiunazhit po tregohen të gatshme edhe për të sabotuar”. Çfarë pasojash mund të rezultojnë nga sulme të tilla, e tregon përvoja e Ukrainës me të cilen Rusia është në një luftë të pashpallur. Pak para Krishtlindjeve luftëtarë kibernetikë hynë në sistemet kompjuterike të termocentraleve në Ukrainë dhe e paralizuan pjesërisht furnizimin e vendit me energji. Sulmet dyshohet se ishin drejtuar po ashtu nga Rusia.