35.5 C
Tirana
E hënë, 11 Gusht, 2025

Kreditë e këqija, rriten me 70 milionë USD në janar-mars

Në tre muajt e parë të këtij viti, kredia për ekonominë u rrit me vetëm 200 milionë lekë në total. Por për të njëjtën periudhë, kreditë e këqija u rritën me mbi 8 miliardë lekë ose 40 herë më shumë.
Pas uljes iluzive gjatë vitit të kaluar, kreditë e këqija kanë nisur të rriten sërish me ritme të shpejta. Të dhënat e fundit zyrtare nga Banka e Shqipërisë tregojnë se në tremujorin e parë të vitit, huatë me probleme u rritën me 1.5 pikë përqindje, duke përmbysur trendin e vitit të kaluar.
Sipas Bankës nga 17.37 për qind e totalit që ishin në dhjetorin e vitit të kaluar, kreditë e këqija kërcyen në 18.9 për qind në fund të muajit mars të këtij viti. Kjo do të thotë se në vlerë kreditë me probleme në rang vendi janë rritur për tremujorin e parë me mbi 8 miliardë lekë ose rreth 70 milionë dollarë.

Efekt kontabël

Syri.net e kishte paralajmëruar disa herë se, ulja e shumëtrumbetuar e kredive të këqija nga qeveria dhe Banka e Shqipërisë nuk ishte rezultat i përmirësimit të ekonomisë dhe aftësisë paguese të bizneseve, por vinte nga fshirja e tyre nga bilancet e bankave.  (Lexo http://www.syri.net/2016/04/14/iluzioni-i-uljes-se-kredive-te-keqija-bankat-fshine-220-milione-usd-hua-me-probleme-ne-2015-en/)
Vitin e kaluar qeveria dhe Banka e Shqipërisë miratuan disa rregullore, të cilat detyronin bankat të fshinin nga bilanci çdo kredi me probleme, që ishte klasifikuar si e tillë prej më shumë se 3 vjetësh.  Meqenëse ky detyrim vendosej për herë të para, ai prekte të gjithë stokun e kredive të këqija që janë krijuar që nga fillimi i tranzicionit.
Si rezultat, vitin e kaluar bankat private fshinë 26.5 miliardë lekë ose rreth 220 milionë dollarë amerikanë kredi të këqija nga bilancet e tyre. Ajo që qeveria dhe Banka e Shqipërisë raportonin si ulje në fakt ishte fshirje e kredive të këqija nga bilanci. Kjo ishte arsyeja se pse shifra kombëtare e kredive me probleme zbriti nga 24 për qind në 2014-ën  në 17 për qind në fund të vitit të kaluar.

Ristrukturim borxhesh

Nga ana tjetër, veç nxjerrjes masive jashtë bilancit, gjatë muajve të fundit Banka e Shqipërisë ka ndërmjetësuar ristrukturimin e disa portofoleve problematike. Burime nga Banka e Shqipërisë bëjnë të ditur se ka përfunduar ristrukturimi për disa kompani që bëjnë pjesë tek 35 debitorët më të mëdhenj problematikë në vend, të cilët kanë mbi gjysmën e kredive të këqija.
Këto shifra tregojnë se kreditë e këqija nuk po ulen për shkak të përmirësimit të situatës ekonomike në vend apo gjendjes financiare të bizneseve. Por arsyet kryesore të rënies janë fshirjet masive të kredive me probleme dhe ristrukturimi i tyre me ndërmjetësimin e Bankës së Shqipërisë

Shoqata e bankave

Cilësia e portofolit të kredisë shënon një përkeqësim prej 1.1%, në krahasim me dhjetorin 2015, si pasojë e rritjes së kredive në grupet nënstandard dhe të dyshimta. Niveli i kredive me probleme ndaj totalit të kredive në fund të muajit mars arriti në 19.3%…
Shoqata e Bankave ka publikuar të dhënat financiare të paaudituara të bankave tregtare për tremujorin e parë të vitit 2016 sipas IFRS dhe të dhënat e agreguara mbi sistemin për muajin mars 2016 sipas të dhënave të Bankës së Shqipërisë. Sipas të dhënave për muajin mars, totali i aktiveve të bankave tregtare arriti në 1,328 miliardë lekë, me një rritje vjetore prej 1.3%. Sistemi bankar mbetet likuid dhe i qëndrueshëm, me një raport të kredisë ndaj depozitave rreth 53.1%, dhe i mirëkapitalizuar me raport të mjaftueshmërisë së kapitalit prej 16.0% nga 15.7% në fund të muajit dhjetor 2015. Totali i depozitave të vendosura pranë bankave, së bashku me interesat e përllogaritura, arriti në 1,109.4 miliardë lekë, me një rritje vjetore prej 2.8%, duke reflektuar besimin e vazhdueshëm të klientëve në sistemin bankar. Në rritje paraqiten si depozitat e individëve, ashtu edhe ato të bizneseve, por këto të fundit me një ritëm më të lartë rritjeje vjetore prej 11.4%.
Teprica e kredisë, në krahasim me një vit më parë, është 1.4% më e ulët. Kurse në krahasim me fundin e vitit 2015, teprica e kredisë paraqitet në rritje prej 0.53%, e ndikuar nga rritja e kredisë për individët me 0.51% dhe nga rritja e kredisë për bizneset prej 2.66%. Brenda kredisë për biznes, kërkesa për kredi e biznesit të madh ka mbetur e dobët përgjatë tremujorit të parë. Kredia e re e dhënë gjatë tremujorit të parë të vitit 2016 është rreth 48.1 miliardë lekë. Në krahasim me tremujorin e katërt të vitit 2015, kjo shumë e kredisë së re është më e ulët, gjë që shpjegohet me ndikimin sezonal të biznesit: fundi i vitit kërkon realizimin e detyrave të parashikuara, kurse fillimi i vitit përkon me organizimin për detyrat e reja. Rreth 78.6% e totalit të kredive të reja janë dhënë për bizneset. Nga këndvështrimi i qëllimit të përdorimit, rreth 42% e këtyre kredive të reja ishin overdraft-e, të cilat kanë afate të shkurtra shlyerje dhe ofrohen në bazë rinovimi të vazhdueshëm, dhe 40.8% e këtyre overdrafteve të reja janë në monedhën lekë.
Cilësia e portofolit të kredisë shënon një përkeqësim prej 1.1%, në krahasim me dhjetorin 2015, si pasojë e rritjes së kredive në grupet nënstandard dhe të dyshimta. Në krahasim me dhjetorin 2015 kreditë nënstandard janë rritur me 15.5% dhe kreditë e dyshimta me 11.6%. Kreditë që kërkojnë vëmendje të veçantë janë ulur me 5%. Kredia me probleme, për shkak të fshirjes së kredive të humbura, në mars 2016 është 22.7 miliardë lekë ose 16.6% më e ulët se në fund të marsit 2015. Kredia me probleme për bizneset ka rënë me 16.1%, ndërsa ajo për individët ka rënë me 18.9%.
Niveli i kredive me probleme ndaj totalit të kredive në fund të muajit mars arriti në 19.3%.

BB: Rritje e shpejtë e borxhit në Kosovë

Borxhi jashtëm publik dhe privat i Kosovës vjet në krahasim me vitin 2014 u rrit për 12.93 për qind. Ky borxh në vitin 2015 arriti në 1.93 miliardë euro nga 1.74 miliardë euro që ishte në vitin 2014. Borxhi në Produktin e Brendshëm Bruto (PBB) mori pjesë me 29.69 për qind.
Në bazë të të dhënave mbi Borxhin e Përgjithshëm të Ministrisë së Financave (MF), stoku i borxhit të përgjithshëm publik në fund të vitit 2015 arriti vlerën prej 748.95 milionë euro nga 719.48 milionë euro që ishte në tremujorin e tretë të këtij viti me një rritje prej 3.93 për qind.
Gjithsej borxhi i përgjithshëm në fund të vitit 2015 arriti në 12.98 për qind të Produktit të Brendshëm Bruto, ndërsa në vitin 2014 ky borxh ishte 10.63 për qind. Nga viti 2009 deri në vitin 2015 ky borxh mesatarisht ishte 506.54 milionë euro. Më i ulëti ishte në tremujorin e katër të vitit 2009-249.01 milionë euro, ndërsa vlera më e lartë u tij arrit në tremujorin e katërt të vitit 2015 prej 748.95 milionë euro.
Sipas raportit të fundit të Thesarit të Ministrisë së Financave del se Kosova për fundin e vitit 2015 u karakterizua me rritje të borxhit të brendshëm kundrejt atij të jashtëm. Në tremujorin e tretë të këtij viti, borxhi ndërkombëtar ishte 367.23 milionë euro, ndërsa borxhi i brendshëm ishte 352.25 milionë euro.
Borxhi i brendshëm publik deri në fund të vitit 2015 kryesisht përbëhet nga stoku i borxhit me vlerë prej 377.78 milionë euro, apo 6.46 për qind të Produktit të Brendshëm Bruto. Pjesa e tjetër e këtij borxhi vjen nga emetimet e reja të letrave me vlerë në shumën prej 25.53 milionë eurove.
Në anën tjetër, borxhi ndërkombëtar në fund të viti 2015 arriti në 371.2 milionë euro, ku 339.87 milionë euro shfrytëzohen nga qeveria për nevojat e nivelit qendror, ndërsa 31.30 milionë euro është borxh i nënhuazuar. Ky borxh përbën 6.35 për qind të Produktit të Brendshëm Bruto.
Stoku i borxhit paraqet borxhin e jashtëm dhe të brendshëm që ende nuk është shlyer. Më së shumti borxh ndërkombëtar Kosova për vitin 2015 i ka Bankës Ndërkombëtare për Rindërtim dhe Zhvillim në shumën prej 180.99 milionë euro, ndjekur nga Fondi Monetar Ndërkombëtar në vlerë prej 127.74 milionë euro, kurse pjesën tjetër e përbënë KfW-ja me 30.62 milionë euro, Agjencia Ndërkombëtare për Zhvillim me 28.86 milionë euro dhe “UniCredit” me 2.96 milionë euro.
Në bazë të Marrëveshjeve Financiare Ndërkombëtare për tremujorin e katërt të vitit 2015 ekzistojnë katër kredi me vlerë të përgjithshme prej 83.8 milionë euro, për të cilat janë lidhur marrëveshjet, por që ende nuk janë ratifikuar.
Kredia “Modernizimi i Shërbimeve të Kardiologjisë Invazive” është marrë si huazim direkt nga “UniCredit” me një vlerë prej 2.6 milionë euro. Kredia “Projekti për Përmirësimin e Sistemit të Arsimit” është marrë nga Agjencia Ndërkombëtare për Zhvillim si huazim direkt me vlerë prej 10.2 milionë eurove. Kredia për “Projektin e Rehabilitimit të Linjës Hekurudhore 10” është nënshkruar me Bankën Evropiane për Investime me vlerë prej 42 milionë euro si huazim direkt. Ndërsa, kredia “Rehabilitimi i Rrugëve Rajonale”, ka vlerën e 29 milionë eurove si huazim direkt dhe është marrë nga Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim.
Sipas “Trading Economics”, bazuar në modelet makroekonomike dhe analizën e pritjeve, vlerësimet e borxhit të përgjithshëm publik janë se ky borxh në Kosovë deri në fund të këtij tremujori të vitit 2016 pritet të jetë 832.85 milionë euro, apo 13.24 për qind të Produktit të Brendshëm Bruto.
Nga këto pritje del se borxhi i përgjithshëm publik prej 914.70 milionë euro do të arrijë në 12 muajt e ardhshëm, përkatësisht 14.21 për qind të Produktit të Brendshëm Bruto. Në periudhë afatgjatë, ky borxh është parashikuar të arrijë në 16.9 për qind të këtij produkti, ose në 1.11 miliardë euro deri në vitin 2020.
Edhe pse borxhi i Kosovës është rritur për 166.1 milionë euro në vitin 2015, niveli i borxhit të përgjithshëm e bën Kosovën vendin me shkallën më të ulët të borxhit publik në rajon, gjë që mesatarja e këtij borxhi në vendet e Evropës Juglindore është mbi 55.1 për qind të Produktit të Brendshëm Bruto.
Nëse kemi parasysh rregullën fiskale që përcakton kufirin maksimal të borxhit të përgjithshëm publik në 40 për qind të Produktit të Brendshëm Bruto, atëherë kjo tregon për një shkallë të ulët të borxhit publik në Kosovë.
Mirëpo, Banka Botërore në raportin e saj të fundit thotë se, borxhi publik i Kosovës është ende i vogël, por po shënon rritje të shpejtë.
Borxhi publik i Kosovës përbëhet nga borxhi shtetëror, borxhi i nën-huazuar dhe garancitë. Kosova ende nuk ka borxh komunal.

Ushtria gjermane pritet të shtohet

Me 14.300 ushtarë pritet të shtohet ushtria gjermane Bundeswehr deri në vitin 2023 – ky është objektivi, ministres së Mbrojtjes, Ursula von der Leyen (CDU). “Bundeswehri është përballur muajt e fundit me detyra si rrallë më parë”, e arsyetoi von der Leyen shtimin e planifikuar. Fjala është për misionet e reja jashtë vendit, shpëtimin e refugjatëve në det dhe përgjegjësitë në NATO. Përveç 14,300 ushtarëve shtesë Bundeswehri ka në plan që të punësojë në shtatë vitet e ardhshme edhe 4,400 më shumë punonjës civilë. Këto shifra nuk janë përcaktuar një herë e përgjithmonë – ato do të rishikohen çdo vit dhe do të përshtaten nga një “bord për personelin”. Synimi kryesor i ministres është për të modernizuar forcat e armatosura në tërësi. Më shumë para, materiale më të mira dhe një politikë personeli më fleksibile – këto janë themelet e strategjisë së saj.Fakti që numri i ushtarëve do të rritet përsëri të habit, sepse që prej një çerek shekulli Bundeswehri, i cili pas ribashkimit gjerman të kishte një total prej 800.000 të punësuarish, ushtarë dhe punonjës civilë, po zvogëlohet. Që prej asaj kohe numri i personelit u ul deri sa në vitin 2011 u vendos si kufi tavan shifra 185.000 ushtarë. Republika Federale e Gjermanisë nuk ka nevojë për më shumë u tha pas heqjes së shërbimit ushtarak të detyrueshëm. Ky kufi është në fuqi ende dhe sot.
Mungesë specialistësh
Aktualisht numri i ushtarëve është vetëm 177.000. Ministria e Mbrojtjes ankohet se nuk ka specialistë për mbrojtjen kibernetike, si dhe mjekë, ndihmësmjekë dhe ekspertë për analizimin e fotografimeve nga ajri, vetëm për të përmendur disa prej specialistëve që mungojnë. Mungesa e specialistëve është prej kohësh një problem i madh për Bundeswehr-in, i cila konkuron në kërkim të të rinjve të kualifikuar me ekonominë dhe në këtë garë del shpesh e humbur. Ministrja von der Leyen nuk pret se do t’i gjejë të gjithë 14,300 ushtarë shtesë në tregun e punës. Ajo synon të vazhdojë punësimin e atyre që mund të kenë arritur moshën e pensionit dhe të zgjasë kontratat me afat. Sa u përket punonjësve civilë Ministria e Mbrojtjes nuk sheh ndonjë problem për të plotësuar deri në vitin 2023 me personel 4.400 vende të reja pune.
“Planifikim larg realitetit”
Heqja e kufirit tavan për numrin e ushtarëve nuk mund t’i zgjidhë problemet e Bundeswehr-it me personelin, mendon opozita në Bundestag. “Kush e përkthen një përgjegjësi më të madhe gjermane në politikën e jashtme dhe të sigurisë verbërisht vetëm me më shumë misione të Bundeswehr, nuk duhet të befasohet nëse barra do të bëhet dikur shumë e madhe”, kritikoi Agnieszka Brugger, zëdhënëse për politikën e mbrojtjes e Partisë së Gjelbër. Duke pasur parasysh ndryshimin demografik dhe mungesën e mundësive financiare është krejtësisht e paqartë se si do të gjendet personeli shtesë. “Dështimi i këtij shtimi jorealist të personelit është i pashmangshëm”, tha Brugger. Edhe partia E Majta i kritikoi planet e ministres së Mbrojtjes, Ursula von der Leyen. Zëdhënësja e kësaj partie për politikën e mbrojtjes, Christine Buchholz, tha se problemi është se ministrja e Mbrojtjes von der Leyen nuk lë rast pa kërkuar që të dërgojë ushtarë gjermanë në zonat e luftës ose në manovra të NATO-s në periferitë lindore të aleancës.

Vrasja e kreut të operacioneve të fshehta të Hezbollahut nga Izraeli dhe pasojat

Guido Olimpio/ Corriere della Sera

Mustafa Badreddine, 55 vjeç, kreu i operacioneve klandestine të Hezbollahut libanez, është vrarë nga një bombardim izraelit. Drejtuesi i lartë është zënë në befasi – sipas informacioneve që kanë dalë – në territorin sirian, pranë kufirit me Libanin, një zonë e përdorur nga lëvizja për kalimin e furnizimeve. Fundi i tij – nëse konfirmohet – përbën një goditje vdekjeprurëse pasi ishte një njeri jo vetëm ekspert por edhe çelësi i shumë lidhjeve dhe rojtari i sekreteve.
Vrasja e Haririt
Milici shiit ishte aktiv që prej viteve ’80. Emeri i tij ka qenë i lidhur mje atentatet në Kuvajt në vitin 1993, me sulmet anti-perëndimore, me planet terroriste dhe ëprfundoi me stë hetuarve edhe për vrasjen e ish-kryeministrit libanez Rafiq Hariri, që u ekzekutua më 2005-n në Beirut nga një shpërthim i tmerrshëm. Badreddine ndër të tjera ishte i lidhur me Imad Mughnieh, kreun e famshëm të Hezbollahut të eliminuar fizikisht gjithnjë nga izraelitët, në Damask. Një marrëdhënie profesionale e bërë edhe më solide nga lidhjet familjare. Ata ishin kunetër. Me luftën në Siri, eksponentni i Hezbollahut ishte bashkuar me forcat e regjimit se bashku me qindra milicë sdhiitë dhe – sipas disa informacioneve – ata jo vetëm që po i jepnin një dorë Assadit por po përgatitnin edhe aksione anti-izraelite në zonën e Golanit.
Tensioni Rusi-Iran
Vrasja e tij konfirmon një zhvillim domethënës. Mburoja e Putinit mbron pjesërisht qeverinë siriane por nuk shtrihet te Hezbollahu, të cilët janë gjithsesi pjesë e të njëjtit koalicion. Në të kaluarën, nga ana tjetër, Izraeli i ka goditur kur ia ka dashur qejfi autokolo0nat me armë (edhe prodhim rus) të mbërritura në Siri dhe që kishin si marrës lëvizjen shiite libaneze. Nga ana tjetër në këtë fazë duket se ka njëfarë tensioni mes Moskës dhe Teheranit pikërisht për dossierin e konfliktit. Ayatollahët dyshojnë se Kremlini po manovron së bashku me SHBA-të për të gjetur njëfarë marrëveshjeje dhe mendojnë se në këtë mënyrë rusët iu kanë lejuar rebelëve që të rifitojnë disa pozicione.

FMN-ja kundër Brexit

Drejtoresha menaxhuese e FMN-së, Christine Lagarde tha dje se dalja e Britanisë nga Bashkimi Evropian do të paraqiste një “rrezik negativ të konsiderueshëm “ dhe do ta çonte vendin potencialisht në recession. “Shumica e analizave ekonomike që janë kryer arrijnë në përfundimin se largimi nga BE-ja do të ishte i kushtueshëm në aspektin afatgjatë”, tha Lagarde në një konferencë për shtyp sot në Londër. “Ka gjithashtu një rrezik për një reagim negativ të tregut në se Britania voton për t’u larguar nga BE-ja, indikimet e së cilit mund të jenë veçanërisht të rënda.” Ajo shpjegoi se goditja për ekonominë britanike mundet që të variojë nga “shumë keq në shumë, shumë keq.” FMN-ja lëshoi një deklaratë paralajmëruse në fillim të vitit duke thënë se Britania rrezikon të bjerë në një dobësim të vetë-shkaktuar ekonomik dhe rënie të çmimeve të banesave dhe aksioneve nëse votuesit zgjedhin të largohet nga BE-ja në referendumin e 23 qershorit.
FMN-ja i bashkohet një liste të gjatë shtetesh dhe organizatash ndërkombëtare të shqetësuara për pasojat ekonomike të daljes së Britanisë nga blloku i BE-së. Ish-shefat e NATO-s thanë në një letër drejtuar gazetës Daily Telegraph se e ashtuquajtura Brexit do të ndihmonte armiqtë e Perëndimit “dhe do të çonte padyshim në një humbje të influencës britanike në një kohë kur “ne duhet të qëndrojmë të bashkuar ndaj kërcënimeve të përbashkëta. ” Presidenti Obama i ka bërë gjithashtu thirrje Britanisë të qëndroj në BE, duke thënë në një konferencë të përbashkët për shtyp me kryeministrin David Cameron në Londër muajin e kaluar se anëtarësimi i vendit mund ta bëj Britaninë “një lojtare më të vlefshme.” Vetë kryeministri David Cameron ka paralajmëruar kundër daljes,duke cituar arsye të sigurisë dhe ato ekonomike.
“Izolimi nuk i ka shërbyer asnjëherë këtij vend,” tha kryeministri. “Prova është e qartë -. Ne do të jetë më mirë në BE, dhe më të varfër në qoftë se largohemi”. Britanikët janë të ndarë në çështjen nëse duhet të qëndrojnë apo të largohen nga BE-ja.

Broki: Mirënjohës Berlusconit edhe nëse iki

Objektivi Europa League kalon nga ndeshja me Romën për Milanin e Christian Brocchit. Kuqezinjtë duhet të mposhtin në sfidën e “San Siros”, skuadrën e Spalettit dhe të shpresojnë që Interi të ndalë Sassuolon për të kapur vendin e 6-të në kampionat. Dueli ndaj Romës mund t’u shërbejë kuqezinjëve edhe si parapërgatitje për finalen e Kupës së Italisë ndaj Juventusit, që do të zhvillohet javën e ardhshme, e di shumë mirë diçka të tillë Christian Brocchi.
”Ndeshja kundër Romës është shumë e rëndësishme për ne, sepse mbi të gjitha do të vlerësoj edhe lojtarët që do të më japin më shumë garanci për finalen. Kush do të luajë duhet të tregojë sesa vlen dhe sa dëshirë ka për të dhënë maksimumin në fushë për Milanin dhe për të qenë në 100% të formës për finalen ndaj Juves”, u shpreh Broko.
Më pas, Brochi bëri një koment edhe për të ardhmen, pasi sëfundmi në mediat italiane po flitet se sezonin e ardhshëm drejtimin e Milanit do ta marrë tekniku aktual i Empolit Marco Giampaolo.
“Nëse qëndroj, do t’i shikoni rezultatet, por edhe nëse largohem do t’i jem gjithmonë mirënjohës presidentit Berlusconi që më dha një mundësi të tillë. Sachi ka sponsorizuar Giampaolon si trajnerin e ri të Milanit? Do të më pëlqente nëse Arrigo do të njihte punën time dhe idetë që kam mbi futbollin, gjithsesi nëse mbështetet Giampaolon ai ka arsyet e tij”, tha ai.
Portieri i Milanit, Kristian Abiati përballë Romës në “San Siro” do të luajë ndeshjen e fundit për ngjyrat kuq e zi. Ka qenë vetë lojtari, i cili ju ka bërë të ditur drejtuesve të klubit se në fund të këtij sezoni do të varë këpucët në gozhdë. Edhe pse dëshira e drejtuesve të klubit ishin që të rinovonin edhe për 1 vit me portierin, ky i fundit ka vendosur që të japë lamtumirën nga futbolli i luajtur.
Abiati u bashkua me Milanin në vitin 1998, ku zëvendësoi në portë Aldo Rosin dhe luajti për kuq e zinjtë deri në vitin 2005-së. Për 1 vit, Abiati u huazua tek Juventusi, pastaj tek Torino, më pas tek Atletiko Madrit derisa u rikthye sërish në Milano në vitin 2008-të.
Ndërkohë, milanistët shpresojnë tek afrimi i Zlatam Ibrahimoviç, pasi ai nuk do të jetë pjesë e PSG-së sezonin e ardhshëm. Lajmin e ka bërë të ditur vetë sulmuesi suedez përmes një postimi në rrjetin social “Facebook”. “Nesër ndeshja e fundit në Parc des Princes. Erdha si mbret dhe po largohem si legjendë”, shkruan Ibra.

Qëndroj nëse më duan

E ardhmja e tij te Interi është në dyshim. Megjithatë Roberto Mançini në konferencën e fundit për të shtyp gjatë këtij sezoni, foli qartë madje më qartë se kurrë më parë, duke vendosur pikat mbi I, nëse do të qëndrojë apo jo te skuadra zikaltër edhe sezonin e ardhshëm. “Fakti që kam vetëm një vit kontratë me Interin nuk përbën asnjë lloj problemi për mua. Nuk synoj rinovimin por dua vetëm të kem sigurinë sa i përket programeve që ka klubi dhe sa mund të ndikojnë ato në objektivat e skuadrës. Do të flas me presidentin Thohir dhe nëse Interi ka nevojë për mua do të qëndroj me shumë dëshirë në të kundërt jami i gatshëm të prish kontratën”,u shpreh Mançini.
Këtë të shtunë, Interi do të sfidojë Sassuolon në një takim që ka pak rëndësi për zikaltërit, por që vlen shumë për skuadrën emiliane. Edhe pse fillimisht u përfol shumë për një rotacion masiv të Mançinit në këtë duel, duke parë edhe mungesat e shumta që kanë zikaltërit, trajneri mesa duket ka ndërruar mendje, edhe pse kur u pyet mbi këtë temë la të kuptohet se do të ketë minuta edhe për futbollistë si sulmuesi shqiptar Rey Manaj apo mesfushori nga Bregu i Fildishtë, Asane Gnoukouri.
Inter e mbyll sezonin në vendin e katërt, që i jep mundësinë të marrë pjesë në Europa League. Tashmë te klubi zikaltër po mendohet për të ardhmen dhe priten ndryshime të mëdha në skuadër. Sipas asaj që publikohet te Tuttosport, disa prej futbollistëve të interit janë drejt largimit. Një prej atyre që mendohet të lënë skuadrën milaneze është Handanovic. Pavarësisht rinovimit të kontratës, drejtuesit e Interit nuk e konsiderojnë të pashitshëm portierin slloven, për zëvendësimin e të cilit janë shfaqur emrat e Ederson e Perin.
Brozoviç është një tjetër lojtar që po përgatitet të bëjë gati valixhet, me mesfushorin që është vënë në shënjestërn e Arsenalit, që mund të paguajë për kartonin e tij një shiofër prej 20-25 milionë euro. Interi do të blejë përfundimisht kartonin e Jovetiç nga Manchester City, por më pas do ta shesë futbollistin sië bëri edhe në rastin e Xherdan Shaqirit. Dhe në fund Adam Ljajiç do të kthehet te Roma, pasi zikaltrit nuk kanë ndërmend ta blejnë. Do të jenë verdhekuqtë ata që so të vendosin më pas për të ardhmen e Ljajiç.
Në një event të organizuar në ambientet e Universitetit të Milanos, “Luigi Boçoni”, Havier Zaneti u është përgjigjur pyetjeve të gazetarëve, duke zbuluar të ardhmen e disa prej lojtarëve që aktualisht janë pjesë e skuadrës së Interit.
Zëvendëspresidenti, në eventin e organizuar me rastin e finales së Ligës së Kampioneve, u shpreh i sigurt mbi qëndrimin e trajnerit. Ndërkohë që me fjalë “të buta” u tregoi derën disa prej futbollistëve që nuk janë pajtuar me kushtet e klubit.

Cana sfidon të shkuarën, do të luajë ndaj PSG-së

Në festën e titullit të Paris Saint Germain, do të jenë edhe Lorik Cana e Ermir Lenjani. Dy futbollistët e kombëtares shqiptare janë grumbulluar nga trajneri Michel Der Zakarian për duelin që Nantes do të zhvillojë ndaj kampionëve të Francës në Parc Des Princes këtë të Shtunë. Për Canën kjo mund të jetë ndeshja e fundit me fanellën e kanarinave, pasi gjatë muajve të kaluar është folur shumë, për një largim të mundshëm të kapitenit të përfaqësues kuqezi nga Nantes në përfundim të këtij sezoni, edhe pse 32-vjeçari ka një kontratë deri në 30 qershor të 2017-ës me klubin nga La Beaujoire.
Në 4 takimet e fundit të Nantes në kampionatin francez Cana nuk është aktivizuar për asnjë sekondë, por sipas asaj që raportojnë mediat, në sfidën ndaj Paris Saint Germain do të ketë minuta edhe për lojtarin shqiptar. Për Canën, sfida ndaj Parisit konsiderohet edhe si përballje me të shkuarën, pasi kapiteni i Shqipërisë e ka nisur karrierën pikërisht në radhët e klubit nga Parc Des Princes. Shanse për të luajtur në sfidën ndaj kampionëve në fuqi edhe Emrir Lenjani që nuk aktivizohet prej 3 takimesh nga trajneri Michel Der Zakarian.

Klose i jep fund tek Lacio

Pas përfundimit të aventurës me Lacion, Miroslav Klose mund të kthehet në Gjermani.
Ish-sulmuesi i Kombëtares së Gjermanisë, përflitet për një transferim në Amerikë, por mediat italiane shkruajnë se lojtari është duke menduar rikthimin në Gjermani. Klubi gjerman, Eintracht Frankfurt është i interesuar për shërbimet e Klose, madje, thuhet se ish-futbollisti i Bayern Munchen preferon rikthimin në Bundesligën gjermane.

Reali “blindon” kolumbianin James Rodriguez

Reali i Madridit nuk ka ndërmend të nxjerrë në merkao James Rodriguezin. Sipas asaj që publikohet te e përditshmja spanjolle “AS”, presidenti i klubit “merengues”, Florentino Perez ka vendosur të mbajë në Madrid talentin kolumbian, duke e cilësuar si të pashitshëm. Në kryeqytetin spanjoll të gjithë kujtojnë paraqitjet e mira dhe potencialin e Rodriguez në sezonin e tij të parë me fanelën e “Los Blancos”, kur ai shënoi 17 gola dhe dha 18 asist për futbollistët e tjerë të skuadrës, statistika ndaj të cilave as vetë Perez nuk ka ndenjur indiferent. Kjo do të thotë se te Reali i Madridit nuk do të merret në konsideratë asnjë ofertë që mund të vijë në drejtim të kolumbianit, për të cilin vetë Reali përpara 2 vitesh i pagoi Monacos plot 80 milionë euro.