Juventusi ka një objektiv të ri në merkaton e verës. Siç raporton “Corriere dello Sport”, bardhezinjtë kërkojnë me ngulm Andre Gomes të Valencias. Kampionët e Italisë po përgatisin një ofertë të rëndësishme, ku kanë menduar për të gjitha detajet. Për mesfushorin portugez, “Zonja e Vjetër” është gati të paguajë 50 milionë euro, 30 milionë plus 20 milionë bonus. Një ofertë kjo që mund të tundojë jo pak presidentin e Valencias, Peter Lim.
Juve dhe, në të tilla shifra, Valencia tundohet jo pak, ndonëse kjo tratativë është vetëm në hapat e saj të parë dhe bisedimet pritet që të bëhen më serioze, pas datës 21 janar, kur Juventusi të mbyllë zyrtarisht këtë sezon, me finalen e Kupës së Italisë kundër Milanit.
Juventusi kërkon të bëjë gjëra të mëdha në të ardhmen e afërt dhe këtë e tha qartë edhe presidenti Andrea Anjeli, në konferencën e së mërkurës, me rastin e rinovimeve të Bufonit dhe Barzaljit.
Por për të synuar fronin europian kërkohen edhe investime të mëdha dhe lojtarë cilësorë, prandaj, për të festuar më së miri titullin e pestë radhazi, padroni bardhezi ka vendosur që të mos kursehet, por kërkon t’i shtojë një emër të madh në mesfushë Juventusit, një organizator, lojtarin e shumëkërkuar nga trajneri Masimiliano Alegri prej dy vitesh. Pistat që po ndiqen tashmë njihen nga të gjithë, por risia është se në klubin torinez kanë vendosur që të hapin thesin dhe të paguajnë shifra stratosferike.
Prej më sumë se një jave, Juventusi po shqyrton edhe organizatorin e Realit të Madridit, Hames Rodriguez. Kolumbiani, i cili nuk po shkëlqen në radhët e “galaktikëve” është shndërruar në një objektiv serioz, aq sa pas mediave italiane, tashmë edhe ato spanjolle konfirmojnë kontaktet dhe lejen që ka marrë “Zonja e Vjetër” për të ngritur në këmbë një tratativë serioze. Në këto bisedime përfshihet pagesa e 50 milionë eurove, plus rikthimin gratis të Alvaro Moratës në “Santiago Bernabeu”, për një total prej 80 milionësh, e njëjta shifër që Reali pagoi dy vite më parë, për të siguruar amerikanojugorin.
Emri i dytë dhe ndoshta dëshira më e madhe e Alegrit është fantazisti boshnjak i Romës. Pjaniç ka një klauzolë prej 38 milionë eurosh me klubin kryeqytetas dhe Juventusi është i gatshëm për ta paguar atë. Verdhekuqtë, nga ana e tyre, janë të vendosur me shpatulla pas murit, sepse klauzola e vendosur u lejon bardhezinjve që të kontaktojnë lirshëm me futbollistin, i cili duket se nuk e ka përjashtuar mundësinë e një transferimi, madje duket i gatshëm për t’u veshur bardhezi.
50 milionë euro për Andre Gomes
Rivaldo: Olimpiada? Nuk duhet të vini në Brazil
Lojërat Olimpike “Rio 2016” rrezik për sportdashësit. Kur kanë mbetur më pak se tre muaj nga nisja e këtij kompeticioni sportiv, Brazili, që është dhe vendi mikpritës i zhvillimit të lojërave olimpike është ende një kantier ndërtimi. Por, përveç kësaj, kohët e fundit Brazili është pushtuar nga destabiliteti politik, si dhe kriza ekonomike. E si pasojë e kësaj, situata kriminale në rrugët e Brazilit është në rritje. Për këtë të fundit alarmin e jep ish-kampioni i botës me kombëtaren e Brazilit, Rivaldo.
Sipas tij, në ndryshim nga Botërori i vitit 2014 të zhvilluar në Rio, gjendja duket se është edhe më alarmante. Në faqen e tij në Instagram, ish-sulmuesi ka publikuar foton e një vajzë 17-vjeçare, e cila është gjendur e vrarë në rrugët e Rios. Më tej, Rivaldo në postimin e tij paralajmëron të gjithë ata që kanë planifikuar t’i shijojnë nga afër lojërat olimpike, të bëjnë kujdes, pasi rrezikojnë të kenë fatin e 17-vjeçares. Gjithashtu, ai shprehet i keqardhur për situatën e rëndë që po kalon vendi i tij. Postimi i tij shkon edhe më tej, duke përshkruar gjendjen e rëndë në të cilën ndodhen spitalet e Brazilit, ku sipas tij stafi mjekësor e ka të pamundur të japë ndihmën e parë. I gjendur përballë këtij kaosi, Rivaldo e mbyll postimin e tij me fjalinë se vetëm Zoti mund ta ndihmojë Brazilin në këto momente.
Boca Juniors pranë gjysmëfinales
Misioni i Carlos Tevez për të fituar një tjetër Copa Libertadores me Boca Juniors pas asaj të vitit 2003 vazhdon. Skuadra nga Buenos Aires me Apashin në fushë hodhi një hap të rëndësishëm drejt kualifikimit në gjysmëfinalet e këtij kompeticioni, pasi barazoi 1-1 në transfertën e Uruguait përballë vendasve të Club Nacional. Ishin miqtë që kaluan të parët në avantazh, pikërisht me mbrojtësin e krahut të majtë Fabra, i cili në minutën e 70-të i shërbyer nga Chavez goditi saktë brenda zone, duke mposhtur portierin Conde. Por, avantazhi i Boca Juniors nuk zgjati shumë, sepse Club Nancional vuri sërish barazpeshën, 6 minuta më pas kur Fernandez me një goditje fluturimthi e dërgoi topin në fundin e rrjetës. Goli i barazimit ngriti peshë tifozët e pranishëm në stadiumin “Gran Parque Central” të Montevideos, ndërkohë që nga ana tjetër dëshpëroi në maksimum trajnerin e ekipit argjentinas Schelotto.
Në ndeshjen tjetër çerekfinale Rosario Central kaloi 1-0 kolumbinët e Atletico Nacional, duke hedhur një hap të sigurtë drejt fazës tjetër në Copa Libertadores. Finalizimi i Montoyas që në minutën e 5 ishte i mjaftueshëm për skuadrën argjentinase që tashmë në Kolumbi për ndeshjen e kthimit dukshëm është e favorizuar.
Ironizohet Guardiola
Tripleta nuk u realizua, por fitoi tri herë radhazi titullin. Në cilin vend pozicionohet Pep Guardiola në historinë e trajnerëve të Bajernit? Cili është numri 1 mes emrave të mëdhenj dhe legjendave të rekordmenëve? Dy pyetjeve të mësipërme u ka dhënë përgjigje rekordmeni gjerman Lotar Mateus, i cili luajti për Bajernin në vitet 1984-1988 dhe 1992-2000.
Për shumë analistë është surprizuese që Mateus rendit Guardiolën në vend të gjashtë. Dhe çudit nga ana tjetër që e vendos spanjollin poshtë Çik Çajkovskit, të cilin e rendit në vend të katërt, edhe pse nuk fitoi asnjë titull në krye të bankinës bavareze.
“Natyrisht renditja që kam bërë nuk është totalisht objektive. Ajo bazohet më shumë tek eksperienca dhe shija që u ka lënë tifozëve. Titujt nuk luajnë rol kyç duke iu referuar situatës dhe gjendjes ndër vite që Bajerni ka përjetuar.
Duhet pasur parasysh dhe u dhënë përgjigje pyetjeve: Si ka qenë Bajerni nga ana financiare dhe çfarë konkurrentë kishte? Sipas mendimit tim ishte shumë e vështirë ta çoje titullin në Mynih para 20 vitesh, sesa në ditët e sotme ku Bajerni nuk ka konkurrencë”, sqaron kampioni i botës 1990, duke shtuar: “Me disa prej trajnerëve shkoja shumë mirë, ndërsa me disa të tjerë pata probleme.
Për sa i përket Guardiolës, suksesin madhor të pritshëm në tri vite nuk e arriti, pasi i humbi shanset që një javë më parë ndaj Atletiko Madridit. Pep vërtet nuk e fitoi Championsin, por në konkurrencën kombëtare pati sukses. Ai i ndryshoi stilin e lojës, i dha dimension tjetër duke përmirësuar lojtarët. Por, Guardiola nuk u fut kurrë në zemrat e tifozëve. Kjo është diferenca mes tij dhe trajnerëve të renditur para tij”.
Të gjithë janë të impresionuar nga aftësia njerëzore dhe sportive e ish-trajnerit Jup Hajnkes, i cili ka korrur suksese si me Bajernin, Gladbahun, Leverkusenin dhe Realin e Madridit. Mateus ka qenë një nga “nxënësit” e 71-vjeçarit gjerman.
“Për Hajnkesin kam debulesë të veçantë. Ai më zbuloi te Gladbahu. Te Bajerni ai nuk arriti dot të fitonte zemrat e bavarezëve gjatë angazhimeve. Qëndrimi ndryshoi në vitin 2013, kur ai fitoi tripletën e parë në historinë e Bajernit. Imazhin dhe vlerësimet ndaj tij nuk u shuan edhe me ardhjen e Pep Guardiolës”, përfundoi Mateus komentin e tij në “Sportbild”.
Ibrahimoviç konfirmon largimin nga PSG-ja
“Erdha si një mbret, largohem si një legjendë”. Në këtë mënyrë, Zlatan Ibrahimoviç i thotë lamtumirë PSG. Javë të tëra spekulimesh në lidhje me të ardhmen e tij, suedezi ka bërë të ditur largimin nëpërmjet një postimi në profilin e tij zyrtar në Twitter ku shkruan: “Nesër është ndeshja ime e fundit në ‘Parc De Princes’”. Suedezi kështu lë klubin e kryeqytetit francez ku kishte shkuar më 2012, pas një sezoni të katërt prej rekordesh me 36 gola të shënuar në Ligue 1, pas 30 prezencash dhe pasi ka fituar gjithçka në Francë. PSG gjithsesi me të nuk ia doli të shkonte më tej se çerekfinalet e Champions League dhe tani duket se do të vërë bast gjithçka mbi Cavanin që më në fund mund të luajë si qendërsulmues.
Ibrahimoviçit tani i duhet të zgjedhë se ku do të luajë, pasi synimi që ka përsëritur në javët e fundit është ai për të qëndruar në fushën e blertë. Në moshën 34-vjeçare, Ibrahimoviç ka theksuar shpesh se po përjeton periudhën më të mirë të karrierës. Hipotezat për të vazhduar të luajë diku tjetër janë të shumta, duke nisur që nga Italia te Milani, të cilin e përkufizoi para pak ditësh si klubin më të madh ku ka luajtur e deri te një kontratë e re në Premier League ku Manchester United përpiqet ta joshë prej muajsh. Gjithsesi mbeten të hapura dhe pistat që e çojnë në Shtetet e Bashkuara apo dhe në Kinë ku janë gati ta peshojnë në ar. Gjithsesi para se të shkojë në një skuadër të re, sulmuesi që ka shënuar më shumë gola në historinë e PSG do të fokusohet te Europiani që do të luajë pikërisht në Francë.
Sadiku në formacionin e javës në Zvicër
Për të disatën herë në këtë sezon, Armando Sadiku është përfshirë nga gazeta prestigjioze “Blick” në formacionin më të mirë të javës të Superligës zvicerane. Falë një dygolëshi të sulmuesit shqiptar, Vaduzi triumfoi me shifrat 2-0 në javën e 33-të të kampionatit helvet ndaj Sionit, duke hedhur një hap të rëndësishëm drejt sigurimit të mbijetesës.
Sadiku në pjesën e parë kthehu në gol një 11-metërsh, ndërsa në fraksionin e dytë me një goditje të saktë me kokë mposhti për herë të dytë portierin kundërshtar, duke hipotekuar fitoren e skuadrës nga Lihtenshtejni. Me meritë bomberi nga Elbasani është përfshirë nga “Blick” në 11-shen më të mirë të javës. Që nga transferimi i tij te Vaduzi në formë huazimi në janar, 24-vjeçari shqiptar ka arritur të shënojë 7 gola në 14 takime të Superligës zvicerane me skuadrën e tij të re, duke shfaqur një formë të shkëlqyer vetëm pak kohë përpara fillimit të Euro 2016.
Armando Sadiku ishte heroi i skuadrës së Vaduzit në fitoren 2-0 ndaj Sionit ku shënoi një dygolësh shumë të rëndësishëm për mbijetesën e ekipit të tij. Një paraqitje që tërhoqi vëmendjen e mediave, por dhe konfirmon sulmuesin e kombëtares si një prej lojtarëve më të mirë të këtij ekipi. Vetë Sadiku në përfundim të sfidës u shpreh i lumtur për 3 pikët, por dhe golat e shënuar.
“Jam me fat, që u aktivizova 90 minuta të plota dhe që dhashë kontributin tim për skuadrën me dy gola. Megjithatë nuk ishte vetëm paraqitja ime e mirë, por e gjithë skuadrës, që ndaj Sionit bëri një superndeshje”, tha ai.
Me Vaduzin këtë vit ka shënuar 7 gola, ndërsa në pjesën e parë të kampionatit realizoi pesë me fanellën e Zyrihut. Gjuha që 24-vjeçari flet më mirë është ajo e golit.
Xhaka e Shaqiri s’ikin nga Zvicra
Anëtarësimi i Kosovës me të drejta të plota në UEFA ka bërë që në Zvicër gjatë kësaj periudhe të diskutohet për vetëm një çështje dhe ajo është: çfarë do të bëjnë Granit Xhaka dhe Xherdan Shaqiri, do të vazhdojnë të luajnë për përfaqësuesen helvete apo do të zgjedhin Kosovën? Në lidhje me këtë temë ka folur edhe trajneri i Zvicrës, Vladimir Petkoviç me këtë të fundit që ka lënë gjithçka të hapur edhe pse boshnjaku ka shprehur bindjen se Granit Xhaka dhe Xherdan Shaqiri nuk do t’i japin lamtumirën përfaqësueses helvete pas “Euro 2016”.
“Xhaka dhe Shaqiri do të largohen nga Zvicra? Ka gjasa të mëdha që Graniti të ndryshojë skuadër, por vetëm në rang klubesh. Siç e tha edhe Berhami pranimi i Kosovës në UEFA i ka lumturuar të gjithë futbollistët kosovarë që janë pjesë e Zvicrës, por Valoni e bëri shumë mirë të qartë se të gjithë futbollistët kosovarë që janë pjesë e Zvicrës luajnë me zemër për këtë përfaqësuese dhe ata nuk mund të largohen nga Zvicra. Nuk e di nëse duhet t’i friksohemi një largimi të mundshëm të Xhakës dhe Shaqirit, por mendoj se nuk kemi përse ta bëjmë një gjë të tillë, pasi vetë Graniti dhe Xherdani nuk kanë frikë”, u shpreh Petkoviç.
Zvicra është një nga tre skuadrat kundërshtare të Shqipërisë në Grupin A të Euro 2016 dhe aventura e kombëtares kuqezi në europianin francez do të nisë pikërisht me duelin e 11 qershorit në Lens ndaj përfaqësues helvete. Por sa shanse ka Zvicra për të kaluar grupin dhe për të shkuar sa më larg në këtë kompeticion, sipas Petkoviç skuadra që ai drejton i ka të gjitha mundësitë për të bërë surprizën në Euro 2016.
“Objektivi jonë është të sigurojmë kualifikimin pas dy ndeshjeve të para në grup. Duam të shkruajmë historinë në Francë. Kjo skuadër më kujton përfaqësuesen U-17 që fitoi kampionatin botëror përpara disa vitesh. Ky ekip ka shumë potencial, por duhet ta tregojmë në fushë diçka të tillë”, tha ai.
Rama, 3 orë telefonatë me gjykatës të Kushtetueses për të shpëtuar Kokëdhimën
Ish kryeministri Berisha denoncoi dje presionin e papreccedent që Rama ka ushtruar ndaj anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese ku përmes kërcënimeve u ka kërkuar që të votojnë kundër heqjes së mandatit të Kocco Kokëdhimës. Gjatë fjalës së tij në Parlament, Berisha tha se Rama ka biseduar rreth 170 minuta biseda telefonike me gjyqtarët, me qëllim të shpëtonte mandatin e Kokëdhimës.
“Hipokrizia juaj më e madhe është Reforma për Drejtësi. Ajo do të bëhet, por 8 muaj rresht jeni ju që nuk pranuat në asnjë mënyrë opozitën, në kushtet normale që duhet të punonte opozita. Bëtë një draft në të cilin shpallët EdEskobarin kryehetues, kryegjykatës, kryeprokuror të vendit. Ky ishte një turp kombëtar, një turp ndërkombëtar, një turp i paimagjinueshëm, nxorët fytyrën se cila ishte për ju Reforma në Drejtësi. Çfarë bëri opozita? Opozita nuk u largua, e mori draftin, bëri rreth 40 vërejtje nga të cilat mbi 34 u morën parasysh nga Venecia dhe drafti u përmbys.
Përsëri vazhduat me qëllim për të sabotuar reformën. Ne absolutisht do ta votojmë reformën, por jo reformën që ju bën ju kryehetuesë, kryegjykatës, kryeprokurorë të vendit. Ta harrojë kush se mund të imponojë një reformë të tillë. Ne jemi garantë të një reforme të vërtetë në drejtësi. Ky është qëndrimi ynë. Cilido që lexon Venecian dhe lexon vërejtjet tona gjen se procesi i vërtetë është në duar e opozitës, gjen faktikisht se ju keni bërë gjithçka për të krijuar drejtësinë oruelliane, keni bërë gjithçka për të krijuar një sistem drejtësie që s’ka ekzistuar edhe në diktaturë. Edhe diktatori që vendoste për çdo gjë mbi tokë kishte hetuesi, kishte Prokurori dhe gjykata, kurse ju me ligj doni t’ja jepni ato që të gjitha në dorën e një njeriu dhe mbetët të zbuluar.
Tani reforma është në komisionin ad hoc që ju më në fund, e vonuat një vit dhe e pranuat, por unë kam besim se reforma do të ecë. Cili ishte koncepti juaj për reformën? Koncepti juaj për reformën është “drejtësia në duart tona”. Çfarë bëtë ju gjatë këtyre kohëve? Ju keni ushtruar terrorin më të madh ndaj drejtësisë. Edi Rama ka fiks 170 min biseda telefonike me gjykatës të Gj. Kushtetuese për të shpëtuar sivëlla Kokëdhimën. Përveç bisedave telefonike dhe kërcënimeve nga më të ulëtat ndaj gjykatësve, ka dërguar jo një, por disa herë, sekretarin e Përgjithshëm të mafies qeveritare, njeriun që i përshtat atij fjalimet e Bennito Mussolini-t, mafiozin Engjëll Agaçi.
I bëj thirrje Prokurorisë së Shtetit, kryeprokurorit të marrë të gjitha tabulatet e bisedave të EdEskobarit, të marrë të gjitha kamerat e ndërtesave të Gjykatës Kushtetuese, për të parë se cilat janë vizitat që ka bërë aty sekretari i Përgjithshëm i mafies shtetërore, përshtatësi Engjëll Agaçi. I bëj thirrje prokurorit të Përgjithshëm të marrë kamerat e Gjykatës së Lartë e të shohë se sa herë viziton ky mafioz i paskrupullt. A e dini ju që ky me Gysin që i jep vizat e kokainës Ramës, kanë instaluar në Kryeministri makinerinë e numërimit të parave, në zyrën e antikorrupsionit është e vendosur makineria e numërimit të parave, se këta janë të besuarit e Ramës kur shkojnë qeset me para ndaj duhet të numërohen, janë të pamëshirshëm” tha Berisha.
Si u shkurtua gjilpëra e pistoletës së “ushtarit” të Shullazit nga Ermal Muça
Ish-kryeministri Sali Berisha denoncoi dje në sallën e Kuvendit një skandal, në lidhje me ndalimin e dy personave, njëri prej të cilëve oficer i policisë së burgjeve. Berisha iu referua një dokumenti zyrtar të hartuar nga vet Policia e Shtetit ku bëhet fjalë për një ngjarje të ndodhur në 17 janar të vitit 2015, ku një qytetar nga Librazhdi është plagosur me armë nga Valmend Pelivani dhe Bekim Zenollari, punonjës i policisë së burgjeve. Të dy këta persona njihen si “ushtarë” të Emiljano Shullazit. Gjatë ndalimit të tyre mësohet se është sekuestruar edhe një armë, të cilës më pas i është shkurtuar gjilpëra, kjo në bazë edhe të akt-eskertimit të bërë nga dy ekspertë të Laboratorit të Policisë Shkencore.
“Unë sot jam këtu për t’ju lexuar një dokument tuajin, që fakton se çfarë organizate kriminale, e turpshme, e paimagjinueshme jeni. Unë kam këtu dokumentin zyrtar, i cili lexon “Akt ekspertimi – Ministria e Brendshme, Drejtoria e Policisë së Shtetit”, por unë po lexoj përmbledhjen. Në datën 21.12.2015, shtetasi me iniciale X.X., nga Librazhdi po qëndronte tek Rruga e Kavajës, në afërsi të një lokali duke pritur një të afërmin e vet. Në këtë kohë, i janë afruar dy shtetas dhe e kanë pyetur se përse po qëndron afër atyre ambienteve. Shtetasi nga Librazhdi ka deklaruar se po priste një të afërmin e vet. Të dy shtetasit i kanë kërkuar dokumentin e identifikimit dhe i kanë bërë foto dokumentit dhe ja kanë nisur për verifikim ‘gjeneral’ Emiljano Shullazit, për të konfirmuar nëse ky person është i rrezikshëm apo jo.
Gjithçka nga këto janë në aktin e OPGJ. Pas konfirmimit nga shtetasi Shullazi, se ky person nuk ka rrezikshmëri, ata e kanë goditur disa herë shtetasin, qytetar të Librazhdit dhe më pas e kanë lënë të lirë. Qytetari, pasi është shkëputur dhe ka përshkruar një distancë rruge prej afro 10 min, ka takuar një patrullë policie dhe i thotë se dy qytetarë, të cilët nuk i njihte, e kishin kërcënuar me jetë dhe u tregoi atyre vendin se ku kishte ndodhur ky kërcënim. Kjo konfirmohet dhe nga salla operative e Drejtorisë së Policisë së Tiranës, që ‘më datën 21.12.2015 ka mbërritur telefonata në këtë sallë se dy persona po kanosin me armë zjarri një person tek Rruga e Kavajës në afërsi të një lokali. Policia ka mbërritur menjëherë në adresën e dhënë dhe ka bërë shoqërimin e shtetasve Valmend Pelivani, 24 vjeç, të cilit iu gjet një pistoletë TT e mbushur dhe gati për qitje, si dhe Bekim Zelollari, 32 vjeç, të cilit iu gjet një armë, pistoletë TT me fishekë në gojë, por që pretendonte se ishte polic burgjesh dhe kishte dy dokumente policie”. Në fakt e vërteta është se ai ishte polic burgjesh.
Këto të dhëna janë të shkruajtura në procesverbalin e kapjes në flagrancë. “Në akt thuhet se këta shtetas, Valmend Pelivani dhe Bekim Zelollari dyshohet se kanë kanosur një tjetër shtetas, i cili ka depozituar një kallëzim në Komisariatin nr. 2. Pra, kjo thuhet në komunikatën e Komisariatit nr. 2 në Tiranë. Të dy shtetasit, Pelivani dhe Zelollari, janë të evidentuar në kartotekën e Policisë Kriminale si lidhje të Emiljano Shullazit dhe në momentin kur kanë kontaktuar, kanosur shtetasin nga Librazhdi kanë qenë pranë territorit të shtëpisë së Shullazit, për të kryer shërbim për ruajtjen e ambienteve të shtëpisë së Gjeneralit socialist Mili i Partisë.
Pas shoqërimit në polici, oficeri i Policisë Gjyqësore të Komisariatit nr. 2, emrin e të cilit nuk po ja lexoj, ka kryer të gjitha veprimet e nevojshme hetimore, ka bërë detyrën, ka kryer aktin e ekspertimit, ka bllokuar armën konform procedurave të Kodit të Procedurës Penale dhe ka kërkuar akt ekspertimi dhe armën ja ka nisur për ekspertim Laboratorit të Policisë Shkencore dhe më pas është larguar, pra kur ka mbaruar shërbimin.
Burime të sigurta brenda policisë dëshmojnë se pas një ore që Shullazi është vënë në dijeni se janë shoqëruar dy rojet e tij të shërbimit në lagje, i është kërkuar punonjësit të policisë që ka kryer veprimet, të paraqitet në Drejtorinë e Policisë Tiranë, ku u prit nga shefi i Komisariatit nr. 2, një Arsen Sinemati, të cilin e ka zhdepur Shullazi një herë se e ka dhe mik atë. Ky oficer policie është pritur dhe nga zv/drejtori Ermal Muço dhe drejtori i forcës së posaçme operacionale në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë, famozi, Shullazi tjetër Artjon Duka. Me këta ishte dhe Arsen Sinemati dhe këta i kërkojnë oficerit të Policisë Gjyqësore, ku është arma i thonë. Ai u thotë se e ka dërguar në Laboratorin Shkencor të Policisë. I kanë thënë shko tërhiqe menjëherë armën. Oficeri ka zbatuar urdhrin, ka marrë armën nga laboratori. Këta zotërinj, pra Arsen Sinemati, Ermal Muça, Artjon Duka, anëtarë të bandës së “gjeneralit” e kanë nxjerrë jashtë oficerin dhe e kanë mbajtur 30 minuta pistoletën. Çfarë kanë bërë si kriminelë të pafytyrë? I kanë prishur gjilpërën pistoletës, në një kohë kur në këtë akt është përshkruar intakte arma dhe me fishekë në grykë.
(ndërhyrje nga salla) O avoketër të krimit, o EdEskobarë pushoni të flas unë pastaj hajde flisni ju. Janë të gjitha të shkruajtura këtu. Ti që flet nga vendi (Pirro Lutaj) po i lë ata 1200 punëtorët e Ballshit pa rroga, se duket të paguan “çorapja e partisë” ty për të mbyllur gojën. Pra, pasi e prishin armën i thonë ta dërgojë në laborator. Akti i ekspertimit natyrisht doli revolveri me gjilpërë tjetër. (sërish ndërhyrje nga salla) Ju bërtisni dhe në këtë mënyrë tregoni se jeni valmendër, ju tregoni se jeni shullezër, tregoni se cenollarë, ju tregoni se jeni ushtarë të turpshëm. Çfarë deputetësh jeni ju? Ju jeni mjerim. Po ky që po lexoj është akt shtetëror, akt i policisë që drejtoni ju. Ja ku e keni. Urdhri për të bërë këtë falsifikim erdhi direkt nga Saje Qorri, me dijeninë e plotë të Edvin Shullazit” tha Berisha.