26.5 C
Tirana
E mërkurë, 30 Prill, 2025

Falimentime masive të bizneseve, mbyllin dyqanet se nuk ka xhiro

Një kombinim i konkurrencës së shtuar nga qendrat tregtare, rënies së fuqisë blerëse, taksave të rritura bashkiake, por edhe ndryshimit të preferencave të konsumatorëve, po çon në krizën dhe fillimin e falimentit të dyqaneve të veshjeve në kryeqytet…
Dyqanet e shitjeve me pakicë në kryeqytet kanë raportuar rënie të shitjeve të tyre në muajt e parë të këtij viti. Disa prej tyre janë detyruar të shpallin në dy faza “dështimin e tregtisë”, fillimisht nëpërmjet uljeve të mëdha në artikujt e pranishëm në dyqane dhe më pas, në braktisjen e dyqanit. Një përfaqësuese e shitjes së një dyqani në rrugën “21 dhjetori” në Tiranë ka treguar për “Monitor” se në 2 vite që merret me shitjet e dyqanit me artikuj këpucësh, ky vit ka pësuar rënien më të ndjeshme të shitjeve.
E pyetur për shkaqet, ajo tregon se shqiptarët kanë nisur të tregojnë gjithnjë e më shumë tendenca të kërkimit të artikujve më të lirë dhe të shumë skontove për një artikull, gjë që shpesh është e pamundur, duke qenë se secili nga artikujt e pranishëm në dyqan ka një kosto të caktuar për të mbuluar. Nga ana tjetër, ajo tregon, duke mos lënë pa përmendur edhe ekzistencën e tregjeve në kryeqytet, se janë shtuar shumë dyqanet e shitjeve me pakicë, tendencë e 2-4 viteve të fundit, ndaj konkurrenca është bërë më e ashpër duke qenë se çdo lagje ka një mori dyqanesh. “Edhe kur tentuam që të krijonim diferencën me cilësinë, u gjendëm përpara faktit që shqiptarët duan të blejnë lirë dhe mirë, kështu që jemi bërë të gjithë rrugët kryesore që tregtojmë me të njëjtin mall”, vijon të tregojë ajo.
Shitësja nga ana tjetër, pohon se me vendimin për të mbyllur aktivitetin nga pronari, e me uljet që kanë nisur të bëjnë që të heqin mallin, gjysmës së tyre nuk u nxirret dot as kosto fillestare. Të tjerë fqinj tregtarë në të njëjtën rrugë konfirmojnë rënien ‘ekstreme’ të shitjeve sipas tyre, teksa tregojnë se përpiqen që herë pas here, të bëjnë “ulje reale’ që të tërheqin blerës.
Edhe tregtarët e tregut të njohur me emrin e Çamëve raportojnë se kanë pasur një rënie të shitjeve në muajt e parë të këtij viti, si mungesë e fuqisë blerëse sipas tyre. Konkurrenca nga qendrat tregtare, ndërkohë është shtuar ndjeshëm, teksa më të mëdhatë synojnë gjithashtu klientin e mesëm dhe të ulët dhe tërheqin blerësit me zbritje të mëdha, por dhe forma të tjera argëtimi.
Një pjesë e klientëve, ata më kërkues për cilësinë dhe markat, që gjithsesi mbetet më e vogël në numër (ka vetëm 81 mijë përdorues të kartave të kreditit në 2.8 milionë banorë), po orientohen drejt blerjeve të leverdisshme online. Sipas të dhënave të Shoqatës së Bankave, volumi i transaksioneve online ishte 34.6 miliardë lekë në dhjetor 2015, nga 21.7 miliardë lekë në dhjetor 2014.

Banka Botërore: Gjysma e shqiptarëve jetojnë në varfëri

Gjysma e popullisë në Shqipëri jeton në varfëri, me më pak se 5 dollarë në ditë. Shifrat tronditëse vijnë nga Bank Botërore, institucioni më i specializuar në botë për matjen e varfërisë. Në një raport të fundit Banka vëren se 6.1 për qind e shqiptarëve jetojnë në mjerim të plotë me më pak se 2 dollarë në ditë. Kjo është ajo që banka konsideron si varfëri ekstreme. Ndërsa nëse shifra rritet në 5 dollarë në ditë, që është kufiri i varfërisë së moderuar, atëherë rezulton se 46.2 për qind e familjeve shqiptare janë të varfra. Të dhënat janë shprehur sipas standardit të fuqisë blerëse për të përfaqësuar të ardhurat reale dhe për të bërë të mundur krahasimin mes vendeve.

Të mjerët e rajonit

Të dhënat dëshmojnë se  Shqipëria është vendi më i varfër i rajonit.  Sipas tyre në të gjitha ekonomitë e ngjashme fqinje familjet kanë një nivel më të lartë të ardhurash. Në Bullgari, shifra e popullsisë që jeton me më pak se 5 dollarë në ditë është vetëm 14.8 për qind, në Kroaci 9 për qind ndërsa në Serbi 14.4 për qind. Sipas Bankës Botërore, edhe  Mali i zi dhe Maqedonia kanë një standard dukshëm më të lartë jetese se ai i familjeve shqiptare. Në Malin e Zi pjesa e popullsisë që jeton me më pak se 5 dollarë në ditë llogaritet në 11.9 për qind, ndërsa në Maqedoni shifra është  31.4 për qind. Edhe Moldavi një ekonomi, ndër më pak të zhvilluarat në botë, ka një standard jetese më të mirë se Shqipëria.

Varfëria nuk zbutet

Përveçse vendi më i varfër në rajon, Shqipëria është duke ecur më ngadalë se të tjerët në zbutjen e varfërisë, veçanërisht gjatë viteve të fundit. Të dhënat zyrtare nga Banka Botërore tregojnë se në tre vitet e fundit, popullsia që jeton në varfëri është ulur me vetëm 1 pikë përqindje, nga 47.2 për qind që ishte në vitin 2013 në 46.2 për qind në fund të 2015. Me këto ritme do të duhen dhe 50 vjet të tjera përpara se familjet shqiptare të dalin nga kurthi i varfërisë. Ndërkohë që vendet e tjera, të cilat kanë sakaq një standard më të lartë jetese, janë duke e ulur më shpejt varfërinë.

Bizneset: Doganat mashtruan në lidhje me oraret e zhdoganimit për eksportuesit

Dhoma Kombëtare e Prodhuesve të Veshjeve dhe Këpucëve, në bashkëpunim më Dhomën Italiane të Tregtisë i është rikthyer çështjes së vendosjen e orareve nga DPD për kryerjen e procedurave për subjektet që kryejnë eksport-import, duke kërkuar anullimin e urdhrit. Nëpërmjet një letre drejtuar kryeministrit dhe Ministrisë së Financave dhe Ekonomisë, DHKPVK kanë bërë me dije se, edhe pas reagimit të Doganës lidhur me tërheqjen e vendosjes së orareve dhe ofrimin e fleksibilitetit, kjo gjë nuk ka ndodhur. “Edhe pse urdhri i Doganave kishte për qëllim t’u jepte përparësi kryerjes së procedurave për subjektet që kryejnë eksport apo rieksport dhe premtonte angazhimin maksimal për të qenë në ndihmë të biznesit, ai ka penguar në mënyrë thelbësore veprimtarinë e sipërmarrjes sipas pikave më poshtë”
– veprimtaria ekonomike e bizneseve tona është e lidhur me klientë të ndryshëm të cilët kërkojnë prodhimin në sasi dhe kohën e caktuar.
-Urdhri po bllokon veprimtarinë me firmat e huaja, të cilat kanë reflektuar menjëherë qendrimin për bllokimin e kontratave dhe anullimin e porosive
-Urdhri ka sjellë edhe penalizim në pagesa nga ana e kontraktorëve tanë për dëmin nga vonesa
-Kufizimi i orarit ka shkaktuar rritje të shpenzimeve të transportit, rritje të kostove për parkim doganor
-Në rastin e anijeve kontenierike, pamundësia për të përfunduar procedurën doganore Brenda ditës, sjell mosngarkim të kontenierit në mjetin lundrues që nisët të nesërmen në mëngjes. Për rrjedhoje, kontenieri i eksportit duhet të pres në Durrës edhe 7 ditë të tjera. Kjo sjell kosto në magazinim, mosrespektim kontratash, problem me lektër kreditet etj.
-Orari i reduktuar i përfundimit të zhdoganimit sjell rritjen e presionit për të përfunduar sa më shpejt. Për rrjedhojë, shtohen shanset dhe rastet e gabimeve njerëzore nga punonjësit që pregatisin dokumentacionin.”- thuhet në shkresën e dërguar.
DHKPVK dhe Dhoma Italiane kanë shprehur gatishmërinë për të kryer një takim sqarues për këtë çështje, me qëllim sqarimin e dëmeve që pësojnë bizneset e përfshira, si dhe ka kërkuar anullimin e këtij urdhri. Më herët, Dogana Shqiptare, në një përgjigje për ankesën e Biznes Albania, Dhomës Amerikane të Tregtisë, Dhomës Britanike, Dhomës së Fasonistëve, Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë i bën me dije se urdhri i hyrë në fuqi prej datës 16.12.2015 është një tërheqje vëmendje për të gjitha degët doganore për dhënien prioritet të veçantë procedurave të eksportit dhe rieksportit. “Ky urdhër nuk ka për qëllim aspak kufizimin e orarit të veprimit për subjektet apo operatorët ekonomikë, por përkundrazi të ndihmojë në planifikimin në kohë të aktivitetit të tyre, për të shmangur radhët e gjata pranë Degës Doganore Durrës, si degë doganore përmbyllëse në procedurat e eksportimit dhe rieksportimit”, thuhet në përgjigjen e dërguar shoqatave të biznesit.

Urdhri i datës 16 dhjetor

Në një shkresë të mëparshme, Doganat sqaronin se Urdhri i datës 16 dhjetor 2015, për përcaktimin e orareve në kryerjen e procedurave për eksport dhe rieksport, me zyrë doganore dalëse Durrësin ka qëllim orientues dhe jo kufizues për operatorët ekonomikë. Me anë të tij, synohet disiplinimi i lëvizjes së mjeteve me mallra për eksport apo rieksport me zyrë doganore dalëse Durrësin, si dhe i ndihmon operatorët ekonomikë që të planifikojnë në kohë përshtatjen me oraret e nisjes së trageteve. Kjo për shkak se, aktualisht, procedurat e skanimit në Portin Detar të Durrësit nuk mund të realizohen në kohën e pikut të lëvizjes për eksport (dalje nga territori doganor). Në kushtet kur në kuadër të forcimit të masave për rritjen e shkallës dhe efikasitetit të kontrolleve kundër terrorizmit dhe trafiqeve të paligjshme do të skanohet një numër më i lartë mjetesh me mallra që kryejnë procedurat për eksport dhe rieksport në Degën Doganore Durrës, fluksi i lartë i këtyre mjeteve bëhet shkak që subjektet të humbasin tragetin, sqarojnë me tej burimet zyrtare në dogana. Referuar këtij Urdhri, Drejtoria e Përgjithshme ka udhëzuar Degët Doganore të marrin të gjitha masat e nevojshme dhe të njoftojnë paraprakisht operatorët ekonomikë dhe agjencitë doganore, në mënyrë që atyre t’u jepet mundësia për të përshtatur aktivitetin e eksportit me oraret e përcaktuara, në rastet kur subjekti kërkon të nisë mallin për eksport brenda ditës. Në të kundërt, ata mund të kryejnë procedurat edhe pas orarit të përcaktuar në urdhër, por duhet të llogarisin që nisjen për eksport ta bëjnë ditën e nesërme. Drejtoria e Përgjithshme e Doganës siguroi se urdhri në fjalë ka për qëllim t’u japë përparësi kryerjes së procedurave për subjektet që kryejnë eksport apo rieksport dhe ka angazhimin maksimal për të qenë në ndihmë të biznesit.

Pse na ka rënë xhiroja?

Nikollaq NERENXI

Tatimet po i kërkojnë llogari biznesit pse u ka rënë xhiroja!!! Dhe kanë të drejtë. Po ç’patët ju? Taksat u ulën, tatimet u ulën, pagat dhe pensionet u rritën, uji u ul, energjia elektrike dhe karburanti u ulën, mbi 200 mijë shqiptarë lanë Shqipërinë dhe ngaqë këtu të mirat u rritën e të këqijat u ulën, duket se nuk duan të kthehen më dhe kur shqiptari pazarin e bën në Gjermani, nuk ka se si të rritet xhiroja në Shqipëri. Pastaj, duhet thënë, edhe ne jemi pak dembelë dhe ia kemi varur punës. Unë personalisht e pranoj që nuk po punoj sa duhet, sepse kohën që më duhej ta harxhoja duke gjetur mënyra të reja për zgjerimin e aktivitetit, rritjen e të punësuarve dhe të shitjeve, më duhet ta kaloj në dyert e Gjykatave për të hedhur poshtë ligjet dhe vendimet anti demokratike, anti sipërmarrje e lirë dhe anti kushtetuese, të cilat na i kanë bërë peshqesh me dashuri pushtetarët tanë që i zgjodhëm vetë për të bërë pikërisht të kundërtën e këtyre që po bëjnë. Megjithatë, unë nuk rri dot pa e dhënë një përgjigje për këtë pyetje kaq të “shtrenjtë”, duke i këshilluar si fillim tatimorët që teatrot t’ju a lënë t’i bëjnë atyre që kanë mbaruar një shkollë arti. Duke pranuar që për të gjitha arsyet që dihet, konsumi ka rënë, sepse niveli ekonomik i popullsisë ka rënë, përsëri ka një rrugë për ta luftuar informalitetin dhe rritur xhiron, por pa hipokrizi. Nuk ka nevojë të terrorizoni tregtarët nëpër dyqane me kontrolle kot sa për show. Shkoni në dogana dhe mbyllini dyert e kontrabandës. Ju a thanë edhe anglezët e Crown Agents se çfarë katraure bëhet aty. Ai mall del në treg pa asnjë faturë dhe normalisht ju nuk mund të vilni tatimet e mallit të hajdutëve. Kështu edhe ne që deklarojmë çdo qindarkë në shtet, shpëtojmë nga kjo konkurrencë e pandershme që po na e merr frymën. Gjithashtu hiqini fashot biznesit të vogël dhe lëreni të punojë sa të dojë kundrejt taksave dhe tatimeve normale. Mos i detyroni njerëzit të jenë të pasinqertë me shtetin. Nëse nuk i bëni këto, atëherë e them me plot gojë se kjo situatë skandaloze, jo vetëm që nuk iu shqetëson, por përkundrazi iu leverdis shumë.
(P. S. Një milion dollarët e përgjigjes nuk i dua) Nikollaq Neranxi

Bashkia, burokraci e pengesa ndaj bizneseve që duan të ankimojnë

Nëse ke një biznes dhe do të ankohesh, të bësh një kërkesë apo  të marrësh një vërtetim më parë të duhet të bësh gati një tufë me letra dhe vërtetime. Drejtoria e Përgjithshme e Taksave dhe Tarifave vendore në Bashkinë e Tiranës ka vënë një barrikadë me dokumente për komunikimin e bizneseve me bashkinë. Nëse kërkon një sqarim më shkrim për një tatim të llogaritur gabim ose një vërtetim se i ke paguar taksat, të duhet të depozitosh të paktën katër dokumente si më poshtë: -Fotokopje e kartës së identitetit ( e administratorit ose personit të autorizuar) -Certifikate familjare (e tre mujorit të fundit) -Fotokopje e mandatit të pagesës së taksës së banesës për 2015 dhe Libreze nga Njësa Bashkiake që i përkisni. -Në jetoni me qira vërtetim që nuk keni pronë nga hipoteka. Të gjitha vërtetime duhen thjesht për një ankesë. Një shef finance në zonën e Bllokut tha se, nuk mundi të depozitojë një ankesë në Bashkinë e Tiranës pasi, administratori i kompanisë nuk ndodhet në Shqipëri dhe ai nuk mund të sigurojë një vërtetim nëse ai e ka paguar taksën e banesës. Një tjetër biznes i vogël pohoi se i duhej një vërtetim se i ka paguar të gjitha detyrimet për taksat vendore, mirëpo për marrjen e tij duhen shumë dokumente, plotësimi i të cilave kërkon shumë kohë. Bashkia e Tiranës në këtë mënyrë ka përkeqësuar edhe më tej klimën e biznesit në kryeqytet pas masave të mëparshme per rritjen e tarifave dhe taksave.

Ulen në 1.55 % interesat për bonot e thesarit

Në ankandin për shitjen e Bonove të Thesarit sipas Bankës së Shqipërisë, bonot me maturim 12-mujor u emetuan me një interes mesatar të ponderuar prej 1.55%, më i ulëti i regjistruar ndonjëherë. Në rënie të mëtejshme rezultuan edhe bonot me maturim 6-mujor, që u emetuan me një interes mesatar të ponderuar prej 1.26%. Sipas ekspertëve, ulja e normës bazë nga Banka e Shqipërisë të mërkurën pritet të ndikojë në një ulje të mëtejshme të interesave të bonove, që për bonot 3-mujore dhe 6-mujore janë tashmë poshtë normës bazë dhe që po i afrohen gjithnjë e më shumë zeros. Veç uljes së normës së referencës, kjo situatë është rezultat i rënies së ndjeshme të kërkesës për financim nga qeveria shqiptare gjatë muajve të fundit, por edhe i gjendjes shumë likuide të sistemit financiar.

Garda merr në mbrojtje miun e haleve të Kuvendit

Deputeti i PS Erion Brace, duke folur gjate nje seance parlamentare, ku maxhoranca dhe opozita kane debatuar ne lidhje me situaten politike ne vend.

Parlamenti është përfshirë dje nga një incident i rëndë, pas provokimeve dhe gjuhës prej ordineri të deputetit Braçe. Kjo situatë, e cila ka vazhduar për disa minuta nuk është ndërprerë menjëherë nga kryetari i Kuvendit Meta, por është lejuar duke rrezikuar edhe një konfrontim fizik mes deputetëve.
Gjithçka ka nisur pas denoncimit të një tenderi në Divjakë, Bashkia e cila drejtohet nga Fredi Kokoneshi, i cili njihet edhe si një mik i ngushtë i deputetit Braçe. Në Prokurori madje ka edhe një padi penale për një aferë korruptive mes Kokoneshit dhe Braçes në lidhje me shfrytëzimin e Karavastasë si projekt biznesi mes këtyre dy personazheve. Denoncimi i Berishës ka sjellë edhe reagimin e Braçes, duke përdorur një fjalor prej ordineri fillimisht ndaj deputetit Ristani dhe më pas ndaj ish-Kryeministrit. Kjo ka sjellë fillimisht reagimin e Berishës dhe më pas në drejtim të podiumit është drejtuar edhe kryetari i Grupit parlamentar të PD, Paloka. Kjo ka bërë që Garda të marrë në mbrojtje deputetin që konsiderohet edhe si miu i haleve të Kuvendit, Braçen. Me rifillimin e seancës, PD ka kërkuar mbledhjen urgjente të Byrosë së Kuvendit për të marrë masa për të përjashtuar deputetin, Braçe. Kjo kërkesë është pranuar pjesërisht nga Meta. Ai është shprehur se do ta mblidhte Byronë, por pas përfundimit të seancës. Kjo është kundërshtuar nga deputetët e PD. Në mënyrë provokuese Meta i ka dhënë sërish fjalën Braçes dhe ndërsa ai është afruar në podiumin e Kuvendit, një tjetër deputet i PD është drejtuar drejt tij për t’u sqaruar. Kjo ka sjellë sërish ndërhyrjen e Gardës së Republikës për të shpëtuar miun e haleve të Kuvendit. Meta është detyruar që të ndërpresë sërish seancën e Kuvendit dhe pas diskutimeve të gjata në Byronë e Kuvendit nuk është konkluduar në përjashtimin e deputetit Braçe. Kjo ka sjellë edhe bllokimin e plotë gjatë ditës së djeshme të Kuvendit.

Byroja provokon, nuk përjashton goren

Në mënyrë të paprecedent, Byroja e Kuvendit ka refuzuar dje kërkesën e PD për përjashtimin e deputetit socialist, Erion Braçe, pas fjalorit shthurës të këtij të fundit ndaj deputetëve të mazhorancës nën pretekstin se kërkonte më shumë kohë.
Nënkryetari i Byrosë së Kuvendit, Edmond Spaho ka deklaruar dje se nuk do të marrë më pjesë në mbledhjet e këtij organi në shenjë proteste ndaj sjelljes së mazhorancës, e cila sipas tij nuk ka pranuar kërkesën e opozitës për përjashtimin e deputeti Erion Braçe. Ndërsa PS ka kërkuar përjashtimin e 4 deputetëve të PD-së. Pas mbledhjes së Byrosë për sherrin e ndodhur në Kuvend, Spaho informoi se nuk është marrë asnjë vendim, pasi mazhoranca punon me 2 standarde.
Partia Demokratike ka kërkuar 10 ditë përjashtim të deputetit Erion Braçe pas situatës së tensionuar që ndodhi dje në Kuvend. Pas mbledhjes së Byrosë së Kuvendit, deputetit Edmond Spaho tha se nuk do ta marrin më pjesë në Byronë e Kuvendit, pasi ajo nuk është më produktive. Ai tha se mazhoranca kërkoi kohë për të shqyrtuar çështjen.
“Nëse do të vazhdohet me standarde të dyfishta gjendja do të percepitojë keq e më keq. Është negative për Parlamentin të përdoret fjalor fyes. Tolerimi i akteve të tilla, kur janë dënuar vetëm njëra palë po çon në eskalimin e këtyre ngjarjeve. Jemi që të ballafaqohet kushdo që thyen rregullin. Qëndrimi i mazhorancës ishte në përkrahje të deputetëve të vet që ishin iniciuesit. Së bashku me zotin Shehu shprehëm pakënaqësinë tonë. Byroja nuk e mori vendimin për shkak të standardit të dyfishtë. E pavlerë të mblidhemi. Unë vetë nuk kam për të marrë më pjesë në punimet e Byrosë. Braçe theu rëndë rregulloren e Kuvendit”, deklaroi Spaho.
Sipas tij, është në praktikën e kësaj mazhorance që përpiqet t’i “balancojë” çështjet. “Në çdo rast tolerimi i sjelljeve të tilla çon në përkeqësimin e situatës. Nëse do të ishte vepruar nga Byroja që në mbledhjen e kaluar, nuk do të kishte ndodhur kjo. Kemi kërkuar largimin e Braçes për 10 ditë. Unë gjykoj që është pa kuptim të marrim pjesë në mbledhjen e Byrosë. Nuk zgjidh asnjë çështje. Nuk u mor asnjë vendim sepse mazhoranca dëshiron kohë të shqyrtojë këtë rast, për ta shtyrë derisa të dalë nga vëmendja e Kuvendit”, tha Spaho.
“Fjalori i Braçes ishte pjesë e një qëndrimi arrogant, por është një sjellje e përsëritur e këtij deputeti ndaj kolegëve të palës tjetër. Ky deputet i është drejtuar me fjalor fyes deputetëve, por Byroja m’i hodhi poshtë këto pretendime me argumentin se nuk kemi prova filmike. Për çudi sot u ndeshëm me një qëndrim të kundër. Ata thanë se duhet kohë për ta shqyrtuar ngjarjen dhe të marrin një vendim. Duan kohë më shumë. Tolerimi i akteve të tilla, siç ka ndodhur në të shkuarën, po na çon në eskalimin e këtyre ngjarjeve. Kushdo që thyen rregullin jemi që të ballafaqohet me masat. Por qëndrimi i mazhorancës ishin në përkrahje të deputetëve të vet. Ne shprehëm pakënaqësinë tonë që Byroja e Kuvendit meqenëse i kishin të gjitha provat nuk dhanë vendim. Bashkë me Shehun vendosëm që është e pavlerë të marrim pjesë në mbledhjet e Byrosë. Unë nuk do të marr më pjesë në mbledhjen e Byrosë së Kuvendit. Kemi kërkuar largimin e tij për 10 ditë. Ne vendosëm mos marrim pjesë në Byronë e Kuvendit”, tha Spaho. Më herët, Grupi parlamentar i Partisë Demokratike kërkoi mbledhjen e Byrosë së Kuvendit për të analizuar sjelljen e kreut të Komisionit të Ekonomisë, Erion Braçe. Deputeti i PD-së, Edmond Spaho tha se deputeti Braçe duhet të përjashtohet. “Kemi bërë kërkesë që të mblidhet Byroja dhe të marrë në shqyrtim sjelljen e kreut të Komisionit të Ekonomisë që ofendon nga foltorja me fjalor nga më banalët deputetët e opozitës. Është shprehje sistematike e qëndrimit të mazhorancës. Arrogancë që është manifestuar gjatë këtyre 3 viteve me mosrespektimin e Kushtetutës së vendit apo në përdorimin e fondeve publike nëpërmjet formave dhe mënyrave që po prodhojnë para për individë të mazhorancës”, tha Spaho. Ai tha se beson në dënimin maksimal të Braçes. “Ne kemi bërë kërkesë që të merret masë ndaj zotit Braçe. Në përputhje me rregulloren besoj se do të marrë dënimin maksimal”, u shpreh deputeti demokrat. Spaho tha se kjo është sjellje e përsëritur duke kujtuar ofendimet ndaj deputetëve të PD-së. “Rasti ndaj kolegeve tonë dhe nga Kuvendi u tha se nuk kemi rekorde, gjurmë të fjalorit që përdori dhe e kaloi pa u përjashtuar ndërkohë që ndaj deputeteve të opozitës u morën masa”, deklaroi Spaho.

A.Shahini

Berisha: Beteja me kusarët, një betejë për jetë a vdekje

“Beteja me kusarët është një betejë për jetë a vdekje”. Kështu deklaroi ish kryeministri Berisha në një prononcim për mediat pas daljes nga Parlamenti ndërsa bëri të ditur se denoncimet ndaj vjedhjeve, aferave dhe skandaleve të Ramës e pushtetit të tij nuk do ndalen.

– A ju duket normale që një deputeti t’i cenohet siguria? Ju e patë vrapin që bëri zoti Keta drejt foltores?
Cila siguri? Nuk kërcënoi njeri zoti Keta. Aty deputetët janë të mbrojtur. Normale nuk është që ai që akuzohet për këtë, para zgjedhësve të tij dhe para shqiptarëve t’u thotë se si ka mundësi kjo, kjo është më normale, edhe për ju është më normale kjo. Këtu janë 120 milionë lekë diferenca midis kompanisë që ka dhënë çmimin më të mirë dhe kësaj që ka dhënë çmimin më të shtrenjtë. Këtu normale është që ai të dalë dhe t’u thotë shqiptarëve se si ka mundësi, ku shkuan 1 milion e 200 mijë dollarë të tyre. Kush i vodhi, kush i mori? Kjo është gjëja më normale. Normale janë që këta kusarë s’duhet të kenë vend në Parlament, normale janë që paratë e shqiptarëve s’duhet të vidhen në këtë mënyrë, normale janë që veprimet e Kokoneshit, të cilin e kam denoncuar së bashku me këtë deputet që përdor gjuhë rrugaçi. A e dini ju që laguna paguante taksa 400 mln lekë në vit, në mos 600, s’paguajnë asnjë qindarkë se të gjitha ia paguajnë Kokoneshit dhe Braçeve të tjerë. Këto janë gjërat normale, të cilat duhet të zgjidhen. Pastaj natyrisht që gjëra të tilla të revoltojnë vërtet. Se duke lexuar këto mendoja se çfarë dua unë në këtë Parlament, çfarë duhet të bëjë njeriu në këtë Parlament dhe këto ishin vetëm disa, ato që më kapi dora, por janë dosje të tëra me këto.

– Do t’i çoni në Prokurori këto informacione?
I ka Prokuroria këto.

– Për kë nga deputetët do të mblidhet Byroja sot?
Nuk kam dijeni.

– Zonja Leskaj dhe zoti Suli shprehën vullnetin për t’iu drejtuar Kushtetueses, a do t’i rikthehet opozita tryezës së dialogut të Reformës në Drejtësi?
Problemi është a do të dalin nga vagoni këta deputetë apo jo. Ti bën një pyetje me shumë të drejtë dhe kërkon që shikuesit të marrin transparencë të plotë. Ju e patë, zoti Suli dhe zonja Leskaj e bënë punën e tyre, deklaruan që ata kërkojnë të shkojnë në Kushtetuese sepse nuk duan të personalizojnë dhe të bëhen si bllokatorë të Reformës në Drejtësi. S’duan ata, por do Edi Rama, në vagon do rrini u tha socialistëve dhe sado që shoferi i lokomotivës u largua, ata rrinë aty. Sa kohë do të rrinë? S’varet nga unë kjo. Ne natyrisht besojmë që reforma është e domosdoshme dhe do të bëhet. Këto janë përpëlitje për ta penguar. E kishin në dorë ta bënin që sot, s’kishte asnjë vështirësi që t’i votonin që sot, mund ta shtynin madje seancën në mënyrë që nesër të uleshin për reformën, fituan një javë kohë, por ajo do të bëhet.

– Zoti Berisha, a ka ndikim në qëndrimin e PD me Parlamentin?
Jo, qëndrimi i PD, çfarëdo që të bëjnë ata, këto dokumente, të paktën në atë platformë do të shkojnë pa asnjë lloj hezitimi. Por atyre as u nxihet as u skuqet fytyra prej tyre, por ne shqiptarëve do t’jua themi se janë avoketër të krimit. Është po ky eksponent që ka një gjuhë prej rrugaçi, që kur denoncoja avionët thoshte se aty nuk ka rrugë, pra maskonte dhe mohonte pistën e avionëve të drogës sepse është i pudrosur. Është po ky, që me Kokoneshin, pasi i dështoi flota ajrore u kthye tek Laguna dhe vjedhin paratë e Lagunës, kur ky që i shet tenderin për hesap të xhepit të vet me Kokoneshin për 1 mln e 200 mijë dollarë më shtrenjtë.

– Zoti Berisha, ju thatë që zoti Braçe përdori një fjalor fyes, por dhe ju u përgjigjët në të njëjtën mënyrë?
Deputeti që thoni ju, që u akuzua direkt nga unë për një seri tenderash të Bashkisë së Divjakës, njëri prej të cilëve është ky që thotë: Fondi limit për sistemim dhe asfaltim të rrugës Mërtish-Tre Ura 337 milionë. E fiton kompania “Salillari” me 317 milionë dhe përjashtohet pa asnjë motiv kompania “Alba Konstruksion” me ofertën 212 mln. Nëse këta në 3.3 milionë dollarë vjedhin 1.2 milionë, atëherë fatura ka shkuar në 40%. Ndaj dhe ai duhet të dilte të fliste për këtë akuzë, pasi unë e thashë që nuk është vetëm Kokoneshi, por është edhe deputeti i Kokoneshit dhe deputeti është ky (Braçe).

– Ju thatë se flisni me fakte, pse nuk treguat edhe dokumentet që implikojnë deputetin?
Fakt më të madh se ky nuk ka. Po të isha deputet i asaj zone unë, nuk do të bëja atë që bëri ky, por e denoncoja aty dhe zotohesha para zgjedhësve të mi se Kokoneshin do ta çoj në Prokurori. Po nuk i thotë dot këto asnjë prej tyre sepse kanë mbushur xhepat me para. Po të isha deputet i asaj zone nuk do të thoja që s’ka pistë avioni apo që fshati nuk ka rrugë, ndërkohë që rrugën e kisha shtruar unë dhe që është e shkëlqyer, jo për avionë droge, por për fshatarët, nuk do të thoja për Lagunën që paguan taksa në një kohë që nuk paguan asnjë qindarkë. Kur përdor mandatin për këto avokatira do të thotë që je në tavë.

– Panama Papers ka pushtuar opinionin….
Siç e dëgjove unë bëra një sqarim që besoj se duhet ta kishit kapur. Në mars të 2013, me një kompani kanadeze prestigjioze, të njohur për teknikën e markimit dhe shënjuesin sepse e ka patentë të vetën, firmosëm një kontratë, e cila parashikonte markimin e të gjithë naftës që prodhohej dhe shitej në Shqipëri. Sepse kishim konstatuar që kriminelët merrnin naftën nga pusi dhe vinin e ja u shisnin qytetarëve në benzinate. Krim më të shëmtuar se ky nuk ka. Sasia e squfurit në këtë naftë, në tërësi është shumë e lartë kurse në naftën shqiptare është stratosferike. Sa erdhën këta, thanë do e përjashtojmë naftën që nxirret. Kush do e përjashtojë? Koçoja, sepse donte t’u shiste shqiptarëve naftën bruto të puseve për naftë të rafinuar. Çfarë ndodhi? Kontrollet kapën 4 milionë litra naftë, të cilat janë sasi kolosale squfuri në ajër, janë sasi kanceri për njerëzit. E çuan në Gj. Kushtetuese, e cila e shqyrtoi këtë kontratë dhe e gjeti kushtetuese dhe ligjore në çdo aspekt. Më 2015 ndodhi që Edvin Rama, kundrejt xhepit, pranon që GFI të largohet në shtator dhe të vijë “Global Edvin International”, absolutisht në shkelje të kontratës dhe në mënyrë kategorike nuk bëhej pa një ryshfet shumë të madh. “Global” kishte kompani linje dhe kompania e linjës në kundërshtim me kontratën u la të ikte. Pse u la të ikte? Ajo gjeti e shiti, Kryeministri mori paratë, sepse pa para nuk bëhet kurrë ajo. Unë e kam mësuar këtë vetëm mbrëmë vonë, gjë e pabesueshme, se kur ma thanë një herë e verifikova nja tre herë. Dhe për të maskuar këtë operacion megakorruptiv kanë krijuar një kompani me emër të ngjashëm, mbrapa të cilit është Olsi, Ahmetaj, cili të doni mund të jetë, mund të jetë Rama, kryesisht ai.
Siç më thonë specialistët, të cilëve unë ju besoj, është bërë në kundërshtim me kontratën. Besoj se kjo flet vetë.
Panama Papers është një procedurë absolutisht ligjore. Çdo kompani ka të drejtë të shkojë të regjistrohet atje me dy kushte: të mos bëjë evazion fiskal dhe të mos bëjë transferim të çmimit, nëse do të operojë që andej mund ta bëjë. Një gjë është e sigurtë, që GFI, kanadezja, u bllokua dhe nuk ka patur aktivitet kështu që nuk besoj që të ketë arritur të transferojë kapitale nga Shqipëria në Panama për operacione. Në shtator të 2015 ajo paska ikur, këta e kanë përzënë atë. A e dini që dy javë më parë Arben Ahmetaj ka urdhëruar që të shenjohet dhe nafta e nxjerrë e puseve? A mund ta pyesni pak se pse e bllokoi tre vjet dhe e bën tani? Ja ai që tha se ka emra, ka emrin e vet me të Edi Ramës.

– Qeveria po bën një ligj që të deklarohen të gjithë aksionerët përsa i përket off shoreve. Jeni dakord?
Plotësisht dakord, çdo ligj dhe vendim që i shërben transparencës ka mbështetjen tonë. Por problemi është ky: Panama off shore është Surreli, Panama off shore është një pallat aty afër shtëpisë sime, Panama off shore është Beqaj, Panama off shore është Kokëdhima, këta kanë parajsën këtu s’kanë nevojë të shkojnë atje.

– Ata thonë se është edhe djali juaj…
Të shkojnë e të japin një fakt të vetëm, i kanë të gjitha pushtetet, të gjitha institucionet. Ata mbrohen me mashtrime, por mashtrimet nuk i shpëtojnë.

Braçe-Kokoneshi shpallën fituese kompaninë me ofertën 1 milion USD më të lartë

Në datën 15 dhjetor të vitit të kaluar, Bashkia e Divjakës zhvilloi një tender me objekt: “Sistemim dhe asfaltim i rrugës “Mertish-3 Urat”. Fondi limit i tenderit ishte 337. 4 milionë lekë pa TVSH dhe burimi i financimit ishte qeveria shqiptare përmes Fondit të Zhvillimit të Rajoneve. Sipas dokumenteve të disponuara nga SYRI.net në tender kanë paraqitur ofertat 5 kompani të ndryshme. Oferta e parë ishte e kompanisë “Alba Konstruksion sh.p.k”, e cila ka ofruar çmimin 212 milionë e 197 mijë lekë. Në vendin e dytë është renditur oferta e kompanisë A.N.K shpk me 279.7 milionë lekë, ndërsa në vendin e tretë dhe të katërt janë renditur “Salillari” dhe “G.P.G Company”, të cilat kanë ofruar respektivisht një çmim prej 317 milionë dhe 324.6 milionë.  Në tender është paraqitur edhe një kompani tjetër e quajtur Çaushi, por ajo nuk ka dorëzuar ofertë financiare. Por në mënyrë të çuditshme Bashkia e Divjakës ka skualifikuar dy ofertat e para, atë të “Alba Konstruksion” dhe “A.N.K” dhe ka shpallur fituese në tender kompaninë “Salillari”, e cila kishte një ofertë prej gati 1 milion dollarë më të lartë se sa ajo e dy kompanive të mësipërme. Bashkia e ka justifikuar vendimin me arsyen se oferta e “Alba Konstruksion” ishte anomalisht e ulët, por ky arsyetim ka ngritur dyshime të forta.

Kokoneshi-Braçe

Kryetari i Bashkisë së Divjakës, Fredi Kokoneshi njihet si një njeri i bindur i deputetit socialist Erjon Braçe. Nga salla e Parlamentit ish-kryeministri Sali Berisha akuzoi se për këtë tender është paguar ryshfet dhe paratë janë ndarë mes deputetit Braçe dhe kryetarit të Bashkisë së Divjakës, Kokoneshi.
“Kokoneshi kryetari i Bashkisë së bashku me deputetin ka ndarë 1 milion dollarë. Ai përjashton kompanitë që japin 220 milionë dhe tenderin e fiton kompania me 317 milionë lekë, 120 milionë lekë më shumë mbasi thuhet se, Kokoneshi bashkë me Kokoneshin tjetër këtu në Parlament ka futur në xhepa 1 milion USD”, tha ish-Kryeministri Sali Berisha, duke ju referuar deputetit socialist Braçe.

Lum fondesh për Divjakën

Edhe pse është një nga Bashkitë më të vogla në vend, ajo e Divjakës rezulton të jetë një nga përfitueset më të mëdha të fondeve publike nga qeveria qendrore. Vetëm projekti i rrugës “Mertish-3 Urat”, me një fond prej 320 milionë lekësh është sa 3-fishi i fondeve që kanë marrë së bashku, Bashkia e Shkodrës, ajo e Lezhës dhe Bashkia e Kukësit, të cilat janë të fituara nga e djathta.
Por rruga “Mertish-3 Urat” nuk është projekti i vetëm në Bashkinë e Divjakës. Në këtë rreth janë duke u ndërtuar një sërë projektesh të tjera në infrastrukturë, shëndetësi dhe energji, të financuara me paratë e taksapaguesve nga qeveria qendrore.
Ky favorizim i Divjakës në ndarjen e fondeve publike lidhet pikërisht me Erjon Braçen, i cili është deputet i kësaj zone dhe njëkohësisht mban postin e kryetarit të Komisionit parlamentar të Ekonomisë, një institucion kyç në hartimin e buxhetit të shtetit.
Por së fundmi, shumë nga këto tendera janë përfolur si të dyshimtë.

Denoncimi i Berishës në Parlament

Ish-Kryeministri Berisha akuzoi për një skemë të mirëfilltë korrupsioni dhe ryshfetesh të ndërtuar nga dyshja Kokoneshi-Braçe, e cila kontrakton punë publike kundër ryshfetit. “Po marrim Divjakën, ku qeveris sipas informacioneve të shumta, të paverifikuara natyrisht, një trafikant prostitucioni, njëfarë Fredi Kokoneshi. Zotëri, ligji i dekriminalizimit do të tregojë është apo jo. Po ja çfarë bën Fredi, se si e fut në xhep milionin e dollarëve. Kemi një tender, i cili është tender i hapur për asfaltimin e rrugës Mërtish-Tre Ura, merr pjesë “Alba Construction”, më kanë thënë, por nuk e di sa është e vërtetë është, që është kompani e të vëllait të Bashkisë së Vlorës. Ndoshta nuk është e vërtetë. Dhe kjo “Alba Construction”, që më thonë se është një kompani serioze, ka ofruar për të fituar tenderin 212 milionë lekë. Tenderi i jepet kompanisë tjetër “Salillari”, me 317 milionë lekë, me 1 milion dollarë më shumë. 1 milion, po kjo është “kafe” bëri të ditur Berisha në Parlament.

“Panama Papers” po ndihmojnë kandidaturën e Sanders në SHBA

Matthew Turner

Për disa amerikanë, Hilari Klintoni është mishërimi i një elite globalem që përfiton prej skemave të shmangies së taksave. Bernie Sanders, kundërshtari i saj, është antiteza.
Zbulimi se të pasurit dhe të pushtetshmit po fshehin para në parajsa fiskale jashtë vendeve të tyre nuk është befasues. Megjithatë, përmasa e 11.5 milionë dokumentave të dalë prej kompanisë panameze Mossack Fonseca, ka shkaktuar një furtunë dhe ka rikthyer në agjendë problemin e drejtësisë së taksimit. Me shumë gjasë, Panama Papers është vetëm maja e ajsbergut, dhe nëse zbulohen të tjera gjëra për punët financiare të udhëheqësve botërorë, pasojat për politikën globale do të jenë shumë të mëdha.
Zgjedhjet primare mes demokratëve në SHBA janë karakterizuar nga rritja e zemërimit ndaj elitës globale. Skandali i Panama Papers vetëm sa do të rrisë indinjatën popullore ndaj veprimeve të figurave të establishmentit – atyre që kanë ndenjur duarkryq dhe kanë lejuar të ndodhë kjo gjë.
Ndonëse deri në këto momente nuk ka patur “viktima” amerikane pas daljes së dokumentave, të gjithë kandidatët presidencialë do të pyeten për skandalin. Dhe askush nuk do të gjendet në më shumë presion, se sa Hilari Klintoni, ajo është mishërimi i “elitës globale”, ndërkohë që Bernie Sandersi është antiteza.
Rrjedhja e madhe e dokumentave ekspozon qeveritë përreth globit që me vetëdije injorojnë shmangien e taksave prej të pasurve. Ndonëse Klintoni nuk është lidhur me asnjë transaksion pas rrjedhjes së dokumentave, ka një ndjesi se ajo është mes elitës së të pasurve, disa prej atyre anëtarëve pra, që kanë përfituar prej skemave të tilla.
Eshtë zbuluar se Clintoni nxiti Marrëveshjen e tregtisë së Lirë me Panamanë, në të njëjtën kohë që Sandersi e kundërshtoi me forcë, duke cituar studime që thoshin se ajo do të kufizonte aftësinë e qeverisë për t’iu kundërvënë në raste aktivitetesh të paligjshme. Edhe nëse Klintonët mbeten të papërmendur në dokumentat e ardhshme, Sandersi mund të vazhdojë të shfrytëzojë narrativën që Klintoni është pjesë e demografisë përgjegjëse, dhe se ka asistuar abuzimet flagrante përmes marrëveshjeve tregtare.
Ndërkohë që duket se skandali do të shtrihet në kohë, tani ka gjithnjë e më shumë gjasa që votuesit e pavendosur do të priren drejt Sandersit në primaret e ardhshme, duke përfshirë Nju Jorkun. Në zgjedhjet e përgjithshme, e kaluara Donald Trumpit me shmangien e taksave do ta lërë të ekspozuar shumë, përballë të kaluarës tejet të pastër të Sandersit. Ai është madje i vetmi kandidat që përmend 1 përqindëshin kundrejt 99 përqindëshit. Nëse siguron kandidimin, sondazhet e tanishëm tregojnë se do të fitonte edhe kundër Trumpit.
Por më shumë se betejë kandidatësh, kjo është betejë idesh.
Sa më gjatë të zgjasë ky skandal, aq më mirë do të jetë për Bernie Sandersin. Dhe nëse më shumë skelete në sirtarin e Klintonëve shohin dritën, kjo do ta parashutonte Bernie Sandersin në Shtëpinë e Bardhë.

Fitorja e radhës
Sanders doli fitimtar ditën e martë në zgjedhjen e kandidatëve demokratë në Wisconsin, duke e vazhduar kështu radhën e fitoreve kundrejt Hilari Klintonit. Gjatë fjalimit të fitores nga Wyoming, Sanders tha se kjo ishte një arritje shumë e madhe dhe argumentoi përse ishte një kandidat më i fortë se Klinton për president.
“Jemi duke mposhtur Trampin me shifra tepër domethënëse”, tha ai për kandidatin deri tani kryesor të republikanëve, përpara se të vinte në shënjestër klasën e bilionerëve që ishin duke financuar me para fushatat e tjera. “Po, mund ta ndryshojmë status kuonë, kur mendojnë gjëra të mëdha dhe kur kemi vizion”, tha Sandersi. “Unë nuk jam naiv, e njoh mirë pushtetin e Wall Streetit  dhe furnizimet e tyre të pashtershme të parave”.
Klinton postoi në Twitter urime për fitoren e Sanders duke shtuar: “për të gjithë votuesit dhe vullnetarët që dhanë zemrën e tyre në këtë fushatë: Përpara!” me këtë fitore të madhe, Sanders ka futur në xhep plot gjashtë nga shtatë betejat e mëparshme edhe pse e ka kaluar me shumë pak kandidaten tjetër rivale.
Megjithatë, duket se Klinton nuk i ka humbur aspak shpresat. “Nuk do të dorëzohemi, do të vazhdojmë të luftojmë me çdo mundësi që kemi dhe me çdo shans që do të na paraqitet”, tha ajo. Klinton do të duhet të luftojë më shumë dhe për më gjatë nga sa kishte planifikuar për të arritur fitoren e kandidaturës. Tani që gara do të spostohet drejt New Yorkut, një shtet që ajo priste ta fitonte me një marzh të madh, duket se beteja do të jetë e ngushtë, sipas Dan Gerstein, drejtues i “Gotham Ghostwriters” dhe analist i pavarur politik në New York. “Do të jetë një vazhdim i një dinamike më globale”, tha Gerstein. “Klinton ka për të fituar, por fitorja do të jetë më e ngushtë nga sa duhet të ishte”.
Megjithatë, një fitore më e ngushtë nga ç’pritej nuk përkthehet detyrimisht në disavantazh dhe demokratët janë duke fituar garën demokratike të vitit 2008 si provë që Klinton nuk ndodhet në rrezik të vërtetë. Ishte pikërisht në ditët e fundit të betejave për kandidaturën, kur senatori i atëhershëm Barack Obama arriti të fitonte garën e madhe të kandidaturës presidenciale. Vetëm atëherë Klinton u përball me humbjen përfundimtare.