28.5 C
Tirana
E hënë, 11 Gusht, 2025

Mediat greke: Baroni i drogës lidhje me Ramën dhe Tahirin

Mediat greke tashmë kanë filluar të publikojnë të plotë dhe pa iniciale emrin e “Baronit të Ballkanit” që drejton organizatën kriminale të trafikut ndërkombëtar të drogës. “EpirusPost”, media që mbulon lajmet në veriun e Greqisë që dhe shumë media kryesore të Athinës iu referua për këtë transport droge dhe ngjarje të tjera të lidhura me shqiptarët, ka denoncuar me emër Klement Balilin, si “Escobari i Ballkanit” dhe që mban postin e kreut të Transporteve në qytetin e Sarandës.
Sipas këtij portali grek, kjo ngjarje ka shkaktuar stuhi të madhe politike në Shqipëri ditët e fundit. “Kjo për shkak se një nga anëtarët udhëheqës të bandës ndërkombëtare, kreu i Transportit në Sarandë, thuhet se ka lidhje të ngushta me Kryeministrin Rama dhe ministrin e Punëve të Brendshme”, citon “EpirusPost”.
“Më parë ai u etiketua si “Baroni i Ballkanit” nga anëtarë të Partisë Demokratike, e cila me deklarata të njëpasnjëshme, ka kërkuar arrestimin dhe dorëheqjen e ministrit Tahiri, i cili është në qendër të kritikave për trafikun e drogës prej disa muajsh. Përmes një deklarate publike, Balili tha se nuk ka të bëjë me trafikun e drogës. Për më tepër, ai iu përgjigj akuzave të PD duke i cilësuar politike”, thuhet në artikullin e medias greke “EpirusPost”.
Gazeta  greke “Kathimerini” shkruante dje se, Klement B, drejtori i Transporteve në Sarandë, përdorte pseudonimin “Kelly” gjatë veprimtarisë së tij në organizatën e trafikut. Sipas gazetës greke, grupi i trafikut të drogës vepronte në 5 vende, Spanjë Belgjikë, Holandë, Bullgari dhe Itali, ndërsa Greqia ishte vendi nga ku bëhej transporti i drogës. Në rrjet, Shqipëria përmendet si vend furnizues i drogës, prej nga transportohet kryesisht në rrugë ujore, e pastaj shpërndahet me kamionë.
Ndërkohë, mediat greke nxjerrin në skenë edhe emrin e një tjetër shqiptari, i cili thuhet se drejtonte grupin e trafikut të drogës. Ai është 50-vjeçari Dhimitër. P. i cili jeton në Belgjikë, dhe njihet me pseudonimin “Walter”. 50-vjeçari ka shtëpi në Tiranë, Athinë dhe ka depozita bankare 366 mijë euro në bankat greke, 460 mijë euro në Shqipëri dhe 100 mijë euro në Belgjikë.
Pala greke, mësohet se ki ka nisur palës shqiptare një letë porosi, në bazë të të cilës kërkohet edhe arrestimi i Klement Balilit. Janë burime diplomatike që konfirmojnë këtë informacion. Klement Balili më herët ishte shpallur në kërkim në Greqi.
Ndërkohë, sipas mediave greke, mësohen edhe emrat e bashkëpunëtorëve shqiptarë të Klement Balilit si dhe “premtimet” që ai ju bënte atyre, në rast se arrestoheshin. Mos u shqetësoni. Nëse kapeni do të paguajë unë avokatë dhe do t’u mbroj familjet”. Këtë gjë u ka premtuar sipas mediave greke Klemend Balili dy bashkëpunëtorëve të tij, Petro Dalanaj dhe Kleanth Palaj që kanë transportuar marijuanë në drejtim të Greqisë.
Klement Balili, 44-vjeç, konsiderohet nga mediat në Greqi si “Eskobar i Ballkanit” i cili drejton një kartel që trafikon sasi të mëdha lëndë narkotike në vendet e BE-së. Në një operacion gjatë ditës së martë, policia greke arrestoi në total 15 persona, ku pesë prej tyre në Zakynthos dhe dy në Belgjikë. Policia zbuloi në ishull 678 kg marijuanë, e cila në treg do të kapte një vlerë prej 1.5 milionë euro. Sipas hetuesve lënda narkotike është transportuar nga Shqipëria në Zakynthos në fund të muajit prill.
Klement Balili, një biznesmen i njohur në Sarandë, së fundmi është edhe pronar i kompleksit turistik “Santa Quaranta”. Ky kompleks është ndër më luksozët dhe më modernët në bregdetin e Sarandës dhe më gjerë. Balili, ndërkohë është edhe pronar i hotel “Olivias” në bregdetin e Butrintit, një ndër hotelet më të njohura të zonës. Po ashtu është pronar i hotel “Butrinti” në Sarandë. Së bashku me vëllezërit e tij, Klement Balili është pronar i shoqërisë së sigurisë private “Balili shpk”, e cila operon në Qarkun e Vlorës.
Ndërkohë, Ministria e Transporteve ka shkarkuar nga detyra drejtorin e Transporteve në Sarandë, Klement Balilin. Lajmi u dha nga ministri i Drejtësisë, Ylli Manjani. Ai tha se, shkarkimi ka ardhur si pasojë e hetimit të nisur ndaj Balilit, pas dyshimeve se është kreu i një grupi të madh të trafikut të drogës nga Shqipëria në Greqi e vende të tjera të BE-së.

Balili, prej dy muajsh në përgjim nga Prokuroria e Krimeve të Rënda

Prokuroria për Krime të Rënda prej dy muajsh po heton Klement Balilin, me dyshimin e përfshirjes në rrjetin e trafikut ndërkombëtar të drogës. Autoritetet greke, që në mars të këtij viti i kanë kërkuar policisë shqiptare të verifikojnë disa numra telefoni dhe pseudonimin e një personi të njohur si “Keli”. Kjo kërkesë e palës greke, është referuar nga policia pranë Prokurorisë për Krime të Rënda, të cilët kanë regjistruar edhe procedimin penal.
Gjatë këtyre muajve, thonë burimet, Prokuroria ka arritur të identifikojë numrat dhe përdoruesit e tyre si dhe personin me emrin “Keli” që rezultoi se ishte biznesmeni i njohur në zonën e jugut, Klement Balili.
Burimet pranë Policisë së Shtetit thanë se, gjatë përgjimit të numrave që kishte në përdorim Klement Balili, në bisedat me shtetas shqiptarë nuk është arritur të interceptohet ndonjë bisedë implikuese në trafikun e drogës.
Ndërsa gjatë përgjimit të numrave greke që Balili kishte në përdorim apo komunikimet me shtetasit grek, burimet thonë se këto biseda ende nuk janë zbardhur të përkthyera, për të parë ndonjë bisedë kompromentuese të tij. Për këtë fakt, mësohet se Policia dhe Prokuroria shqiptare i kanë kërkuar autoriteteve greke, të dhëna apo prova materiale shtesë që implikojnë Balilin në trafikun e drogës, për të lëshuar urdhër-arrestin ndaj tij në Shqipëri.
Nga ana tjetër, burimet zyrtare pranë organit qendror të akuzës, konfirmuan faktin se në mesin e personave të përgjuar nga Prokuroria shqiptare janë edhe dy të arrestuarit në Greqi me cilësinë e skafistëve Petro Dalanaj dhe Kleanth Palaj. Të dy këta persona, thonë burimet janë pikasur që komunikonin edhe me Klement Balilin por në shumicën e rasteve bisedat janë të shkurtra ku përcaktohet vetëm vendi i takimit mes tyre.
Emri i Klement Balilit për Prokurorinë për Krime të Rënda nuk është i panjohur, pasi në korrik të vitit 2006 është arrestuar nga ky institucion me dyshimin e implikimit të tij në trafikun e drogës.
Arrestimi ka ndodhur pas bllokimit të furgonit me targa gjermane në rrugën Qafë-Muzinë-Delvinë, ku brenda tij u gjetën dhe sekuestruan 750 kg hashash. Për këtë dosje, u arrestuan edhe dy efektivët e policisë Gentian Baba dhe Ylli Kapo, ndërsa u shpallën në kërkim Pelivan Mehmetaj dhe Ermal Nika.
Në përfundim të hetimeve, Prokuroria urdhëroi lirimin e Klement Balilit dhe dërgimin në gjyq të 4 të pandehurve të tjerë, të cilët më pas u dënuan nga Gjykata e krimeve të rënda me 34 vite burg në total.

“Eskobari i Ballkanit”/ DEA amerikane përjashtoi policinë shqiptare nga operacioni

DEA amerikane ka preferuar të bashkëpunojë vetëm me autoritetet policore greke në zbulimin e rreth 700 kg canabis sattiva, të trafikuara nga Shqipëria, duke lënë policinë shqiptare jashtë loje. Ky fakt është lehtësisht i lexueshëm, për shkak se, pas zbulimit të grupit dhe lëndës narkotike të shpërndarë në disa qytete të Greqisë, me origjinë nga Shqipëria, autoritetet policore të vendit tonë kanë dy ditë që “luftojnë” në media për të evidentuar rolin e tyre në këtë operacion.
Por ky rol është, në rastin më të mirë inekzistent, ndërsa në rastin më të keq, DEA nuk ka pasur besim të bashkëpunojë me autoritetet policore shqiptare. Media greke ka disa ditë që raporton mbi operacionin e gjerë, si edhe mbi organizatorin e dyshuar të trafikut, shqiptarin nga Saranda, Klement Balili. Po ashtu, media shqiptare i referohet vetëm medias greke lidhur me detajet e operacionit.
E gjendur nën presion, Policia shqiptare reagoi vetëm pasditen e së mërkurës, nëpërmjet një deklarate “as mish, as peshk”, ku theksohet që është duke hetuar dhe nuk mund të japim detaje. Ndërkohë që publiku shqiptar, nëpërmjet informacioneve mediatike greke, ka kuptuar se cilët janë organizatorët e dyshuar, cilët kanë realizuar trafikun dhe ku shpërndahej lënda narkotike. Po ashtu, media greke ka publikuar edhe zyrtarin sarandiot, Klement Balili, si personin kyç të këtij trafiku.
Pra, detajet dhe emrat e organizatorëve janë bërë të ditura nga autoritetet greke, ndërkohë që policia shqiptare, zyrtarisht, ruan sekretin hetimor. Por, duke parë që shumë elementë kanë dalë në publik në Greqi, atëherë pikëpyetjet mbi rolin e Policisë shqiptare vijojnë të qëndrojnë në fuqi. Përsa kohë Policia shqiptare deklaron se nuk japim detaje, ndërkohë që detajet kanë dalë, atëherë krijohet bindja që, ose Policia e Shtetit nuk ka asnjë informacion mbi operacionin që pasoi trafikimin e sasisë gjigante të lëndës narkotike nga territori ynë, ose autoritetet policore shqiptare nuk kanë qenë aspak aktivë në veprime në terren, në kuadër të operacionit ndërkombëtar.
Më e besueshme është varianti i parë, sipas të cilit, Policia e Shtetit nuk ka asnjë informacion, pasi nuk duhet të jetë njoftuar nga partnerët ndërkombëtarë, e kryesisht nga DEA amerikane. Ky variant është mëse i besueshëm, pasi, nëse policia do të dinte informacione dhe, sipas dyshimeve të autoriteteve ndërkombëtare që mund të bashkëpunonte me trafikantët, atëherë operacioni në Greqi do të dështonte.
Logjika e thjeshtë të çon në përfundimin se Policia e Shtetit ka qenë tërësisht jashtë loje në këtë operacion. Amerikanët e DEA-s kanë pikasuar se po kryhej një trafik i madh lënde narkotike nga Shqipëria në Greqi. Ata kanë njoftuar autoritetet greke, të cilat janë vënë në lëvizje, duke zbuluar, evidentuar dhe arrestuar disa persona në Greqi. Ndërkohë, prej dy ditësh, Policia Shqiptare vijon të mbështesë qëndrimet e saj në publikimet e medias greke, si edhe duke kundërshtuar opozitën mbi akuzat që hedh ndaj drejtuesve të policisë.

Baroni i drogës, PD: Tahiri të largohet dhe të vihet para drejtësisë

Partia Demokratike ka reaguar dje për lidhjet e qeverisë me baronin e drogës drejtor i Transporteve në Sarandë dhe ka kërkuar largimin e menjëhershëm të Tahirit dhe vënien e tij para drejtësisë. Nëpërmjet një deklarate për shtyp, PD shprehet se, rënia e shtetit ligjor në Shqipëri dhe triumfi i mafias me mbështetje qeveritare, është sot kryelajmi i CNN dhe mediave të tjera rajonale dhe botërore.
“Prej më shumë se 24 orësh i shpalluri në kërkim ndërkombëtar Klement Balilaj për narkotrafik nuk arrestohet, por i bën karshillëk ligjit nga zyrat shtetërore të Drejtorisë së Transporteve në Sarandë. Nëse Klement Balilaj nuk do të kishte mbrojtjen e ministrit të Brendshëm, Saimir Tahiri dhe shefit të tij, Edi Rama a mund të ndodhte kjo?”, thuhet në deklaratën e PD të shpërndarë për mediat.
Sipas CNN, policisë greke, vetë policia shqiptare i është justifikuar se, “në Shqipëri nuk mund ta prekim, sepse ky person ka lidhje me politikanë të nivelit të lartë”. “Sajmir Tahiri duhet të largohet një orë e më parë dhe të vihet para drejtësisë si garantuesi dhe mbrojtësi i bandave të trafikut ndërkombëtar të drogës, gjobvënësve, kriminelëve dhe njeriu që ka kriminalizuar Policinë e Shtetit. Por çlirimi i vërtetë i Shqipërisë nga krimi i veshur me pushtet dhe pushteti i bërë njësh me krimin vjen vetëm me largimin e kësaj qeverie”, përfundon deklarata e PD.

R.POLISI

Padia e biznesmenit ndaj Shullazit, zhduken pamjet filmike

Në dosjen e Prokurorisë së Krimeve të Rënda mungon një nga provat më të rëndësishme kundër bandës së Emiliano Shullazit, i denoncuar nga një biznesmen për gjobëvënie. Biznesmeni nga Lushnja, Adriatik Kërçuku ka dëshmuar në Prokurori se, persona të dërguar nga Emiliano Shullazi i kanë vënë një gjobë dhe kur ai nuk e ka paguar atë, i vendosën tritol në biznesin e tij. Kamerat e sigurisë së biznesit të tij kanë filmuar 4 persona që i kanë dhënë mesazhin për gjobën, por ato janë zhdukur nga dosja hetimore nga policia. Në materialet e dorëzuara në polici, ekzistojnë të gjitha pamjet filmike të periudhës kur ka ndodhur ngjarja, përveç ditës në të cilën biznesmeni tha se persona të panjohur erdhën në biznesin e tij.
Biznesmeni Adriatik Kërçuku fillimisht kishte kallëzuar në Policinë e Fierit, Emiliano Shullazin për gjobëvënie. Ngjarja ka ndodhur në janar të këtij viti, ku disa persona i janë paraqitur në biznesin e tij dhe një person i është prezantuar si Emiliano Shullazi. E gjithë kjo histori është treguar nga punëtori i Kërçukut, pasi vetë ai nuk e ka takuar asnjëherë Shullazin. Duke qenë se ai nuk ka pranuar, në oborrin e biznesit të tij ka shpërthyer një sasi tritoli disa ditë më pas.
Ndërkohë, në kohën kur mbrojtja e Emiljano Shullazit pritet t’i drejtohet Gjykatës së Lartë me kërkesën për lirimin e Shullazit, Prokuroria e Krimeve të Rënda po bashkon të gjitha dosjet ku është përmendur emri i të dyshuarit vitet e fundit. Të gjitha kallëzimet apo informacionet që janë siguruar për grupin e Emiliano Shullazit, do t’i bashkohen dosjes, të cilët po heton Prokuroria për Krimet e Rënda.
Hetimet e kryera nga Prokuroria kanë zbuluar se banda e Emiliano Shullazit rezulton me aktivitete kriminale në disa rrethe të vendit. Mësohet se aktiviteti i tre të arrestuarve ishte i shtrirë edhe jashtë Tiranës, ku sipas informacioneve janë shantazhuar disa biznesmenë.
Grupi i hetimit bëri të ditur një ditë më parë se, kallëzimit të një gruaje në Tiranë për përvetësimin e biznesit të saj pranë ish-kafe “Florës” i është bashkëngjitur edhe një dosje tjetër nën hetim prej pak muajsh te Krimet e Rënda. Në këtë kallëzim të marrë në fillim të vitit, një biznesmen nga Lushnja ka njoftuar se, Shullazi e kishte kërkuar në takim gjatë muajit shkurt, ndërsa ai nuk ka pranuar. Nga dëshmia e një punonjësi të tij është kuptuar se, personi i prezantuar si Emiliano kishte qëndruar pranë biznesit të kallëzuesit në afërsi të Lushnjës.
Emiliano Shullazi ndodhet në paraburgim në Tiranë, një javë, pasi u transferua në Burgun e Elbasanit. Avokati i tij ka deklaruar se do ta apelojë masën e sigurisë “arrest me burg”, duke kërkuar lirimin e Shullazit dhe shokut të tij Gilmando Dani. Ndërsa ka kërkuar që dosja e Blerim Shullazit të ndahet dhe të ndiqet nga Gjykata dhe Prokuroria e Krujës. Emiliano Shullazi dhe dy bashkëpunëtorët e tij akuzohen për pjesëmarrje në grup të strukturuar kriminal, gjobvënie, trafik droge, shkatërrim prone me eksploziv, kanosje për shkak të detyrës dhe armëmbajtje pa leje.

R.POLISI

Skandal i Kryebashkiakut të Peshkopisë, përdhunon 20 vjeçaren për një vend pune

Kryetari Bashkisë së Peshkopisë, Shukri Xhelili është bërë pjesë e një skandali të rëndë seksual. I zgjedhuri socialist i zgjedhjeve lokale të vitit 2013 është “kapur mat” ndërsa premton vende pune për vajzat e reja duke kërkuar favore seksuale. Ai është denoncuar nga një vajzë me një video të transmetuar nga emisioni “Të paekspozuarit” në “Ora News”. 20-vjeçarja rrëfeu: “Kisha nevojë për punë, nuk kisha mundësi se ku të kërkoja në vend tjetër. Dhe vendosa të shkoj te bashkia. E kam takuar në zyrë. Kur unë shkoja të kërkoja punë ai shfrytëzonte momentin. Herën e fundit që e takova për rritje rroge më tha që të takoheshim në një hotel në Tiranë. Kur ishim në zyrë ka tentuar disa herë të më afrohet dhe e ka bërë deri diku. Vendosa ta filmoja sepse doja që të merrte fund kjo gjë. Shkuam në hotel, por nuk pranova që të bëja gjë me të. Më ka treguar për vajza të tjera që u ka ofruar punë dhe ka përfunduar në diçka tjetër”, tha ajo.  Shukri Xhelili është kapur në shtratin e një hoteli privat në Tiranë, ku shfaqet në video madje dhe me mbathje të grisura.

Transkripti i videos

Kryetari i Bashkisë:  E kisha shkurtuar si vend pune, por e shtova veç për ty.
Pas firmosjes së kontratës për 20-vjeçaren, kryetari i Bashkisë i kërkon të dalë me të.
Kryetari i Bashkisë: Si je? Ça bën? Afrohu, kështu e ke emrin ti?
Denoncuesja: Po.
Kryetari i Bashkisë: S’ke ndonjë ndryshim shkronje?
Denoncuesja: Jo.
Kryetari i Bashkisë : A je mirë te ….? ….?
Denoncuesja: Po.
Kryetari i Bashkisë: Je shumë mirë aty.
Denoncuesja: Si është orari?
Kryetari i Bashkisë: Orari? Kur të teket ty.
Denoncuesja: Dhe sa është rroga?
Kryetari i Bashkisë: Rroga s’e di sa është, duhet me pa ato… nivelin e pagave.
Denoncuesja: Sa mund të jetë për shembull?
Kryetari i Bashkisë: Po ç’rëndësi ka tashi, nuk bëhet paga aty. Nuk bëhet paga aty.
Denoncuesja: Si?
Kryetari i Bashkisë: Do ia japësh atij, të firmosë, të plotësojë këto numra. Sot veç paraqitu dhe ditën e hënë fillon procedurat, vendin e punës, ça do të marrësh ndonjë gjë në ngarkim, mirë?
Denoncuesja: Si e kishte emrin ky?
Kryetari i Bashkisë: Do ta ftoj unë, nuk du të përmend emra.
Denoncuesja: Prit, prit një herë.
Kryetari i Bashkisë: Ça ke?
Denoncuesja: Ma shpjegoni një herë se nuk e kuptoj. Po pse s’e firmos ti?
Kryetari i Bashkisë: Po prita ta firmos kur të jesh ti…s’e more vesh këtë gjë?
Ça ke? Të duket si në ëndërr?
Kryetari i Bashkisë: Jo, çne, punë e thjeshtë është.
Denoncuesja: Hë?
Denoncuesja: Pse më shef?
Kryetari i Bashkisë: Më pëlqen.
Denoncuesja: Ça të pëlqen?
Kryetari i Bashkisë: Më dukesh e bukur sot.
Denoncuesja: Vetëm sot ë?
Kryetari i Bashkisë: Shpirti…
Denoncuesja: Urdhëro.
Kryetari i Bashkisë: Rrushi…
Denoncuesja: Do ma gjesh një punë të mirë? A qysh e ke hallin?
Kryetari i Bashkisë: Të shikoj një herë ça talenti ke, pastaj…
Denoncuesja: Të shofësh ça talenti kam? Ça domethënë me këtë?
Kryetari i Bashkisë: Të zbuloj talentet e tua që ta di se ku do të çoj…
Denoncuesja: Si?
Kryetari i Bashkisë: Ta di që… du të të njof më shumë që të di se ku do të çoj ty. A kupton? Që ta përshtas punën me personin.
Denoncuesja: Dmth, nuk kishe shku me atë gjasme?
Kryetari i Bashkisë: Hë?
Denoncuesja: Me atë nuk ke shku?
Kryetari i Bashkisë: Absolutisht, të betohem, s’kam shku. Me qenë të thosha për tjetërkënd, kam pas tjetër.
Denoncuesja: Po me të tjera përveç kësaj që më tregove?
Kryetari i Bashkisë: Bile nganjëherë thosha kur të jem me kët shoqen, të mos më shqetësojë kush.
Denoncuesja: Me kë shoqe?
Kryetari i Bashkisë: Atëherë kur e kam pas sekretare atë që kam thënë, edhe nuk linte kënd me hy aty.
Denoncuesja: Po ju në zyrë e bëjshit?
Kryetari i Bashkisë: Jo, veç muhabet bëjshim, rrijshim e i thojshim që të mos na shqetësojë kush. Në zyrë, s’bëhet në zyrë.
Denoncuesja: Po ku shkojshit?
Kryetari i Bashkisë: Ku shkojshim? Dilshim, Tiranë.
Denoncuesja: E ça bëjshit?
Kryetari i Bashkisë: Seks bëshim, ça të bëjshim.
Denoncuesja: Qeke kënaq.
Kryetari i Bashkisë: Sikur do kënaqesh ti tashti. Sa kohë ka që të kam kërku për të dal?
Denoncuesja: Kuptoj, ka, ka.
Kryetari i Bashkisë: S’ke dash ti me dal, s’ta ka mbajt b…
Denoncuesja: S’kam pas mundësi.
Kryetari i Bashkisë: Ëëë s’ke pas mundësi…
Denoncuesja: S’ma dëftove emrin?
Kryetari i Bashkisë: Jo s’ta dëftoj, mos ma kërko.
Denoncuesja: Mirë, mirë.
Kryetari i Bashkisë: Mos ma kërko se nuk është një gjë që thuhet. Ca gjëra janë për t’u mbajt..
Denoncuesja: Që nuk tregohen…
Kryetari i Bashkisë: Nuk tregohen se tashi… A të vjen mirë ty me i tregu dikujt tjetër për ty? Si i the V… për leje sot?
Denoncuesja: I thashë kam nipin sëmurë.
Kryetari i Bashkisë: Nipin?
Denoncuesja: Nipin.
Kryetari i Bashkisë: Po për nesër?
Denoncuesja: S’e di.
Kryetari i Bashkisë: A do ikësh nesër?
Denoncuesja: S’e di, kismet, të shof…
Kryetari i Bashkisë: Unë prandaj të thashë kujdes me fjalët kujt ia thua se mund të biesh në sy që s’je në punë apo je në Tiranë dhe vihet në dyshim gruaja. Unë erdha me V… erdha me çunin veç mos të dyshonte gruaja, se u mërzit pak në mëngjes kur i thashë që do iki, kot t’u më zën në sebep me më kontrollu… e shkreta…
Denoncuesja: S’ka besim hë?
Kryetari i Bashkisë: S’ka.
Denoncuesja: S’ka se e din që… ti shkon me…
Kryetari i Bashkisë: E di se kryetari të q*…
Kryetari i Bashkisë: Ma trego pak cicën.
Denoncuesja: Ça të bëj?
Kryetari i Bashkisë: Ma trego pak cicën.
Denoncuesja: Të puç pak.
Kryetari i Bashkisë: Po.
Kryetari i Bashkisë: Afrohu
Denoncuesja: A na shef kush?
Kryetari i Bashkisë: Kam xhamat e zinj.
Denoncuesja: Vërtet?
Kryetari i Bashkisë: Po, të zinj i kam.
Denoncuesja: Po këto para?
Kryetari i Bashkisë: Edhe këto para të zinj i kam.
Denoncuesja: Para të zinj? Po këto duken të bardhë?
Kryetari i Bashkisë: Duken po është dritë.
Kryetari i Bashkisë: Për ty kam dalë. Për të t’pa ty kam dalë.
Denoncuesja: Po mirë, po ku di unë si më shef ti, ndoshta nuk të pëlqej.
Kryetari i Bashkisë: Jo po të shof me vëmendje, a je ajo që kam mendu unë apo s’je?
Denoncuesja: Ou? Hë një herë si të dukem?
Kryetari i Bashkisë: Jo keq, mirë.
Denoncuesja: Mirë, jo keq hë?
Kryetari i Bashkisë: Më mirë do të shof aty te dhoma, do të shof më hollësisht
Denoncuesja: Ku?
Kryetari i Bashkisë: Te dhoma
Kryetari i Bashkisë: Eh ç’na vonoi kjo rrugë. Mezi po pres sa të shkoj në hotel.
Denoncuesja: Si?
Kryetari i Bashkisë: Mezi pritsha të shkoj në hotel, po po më vonon rruga.
Denoncuesja: Varja.
Denoncuesja: Hajde bosi.
Kryetari i Bashkisë: Hajde bosi, hajde kosi, hajde shpirti, hajde shpirti. Hajde zemra.
Denoncuesja: Ka njerëz këtu? Po me m’pa kush? Ta hap derën, të dal?
Kryetari i Bashkisë: Tani mund të dalësh.
Denoncuesja: A ka njerëz?
Kryetari i Bashkisë: Hiqi këpucët e hajde këtu.
Denoncuesja: S’duron hiç, o zot, ç’paske qenë.

Intervista me gazetarin

– Si ike nga hoteli?
Ika duke u justifikuar në mënyra të ndryshme edhe…

– Si reagoi?
Më tha që mos ta takoja më.

– E kuptoi që po e filmoje?
Jo.

– Pse ju tha që mos ta takonit më?
Sepse nuk arriti atë që deshi.

PD: Neveri për abuzimin ordiner të zyrtarëve të pushtetit të Edi Ramës

Partia Demokratike shpreh neverinë për abuzimin ordiner të zyrtarëve të pushtetit të Edi Ramës. “Partia Demokratike shpreh neverinë për abuzimin ordiner të zyrtarëve të pushtetit të Edi Ramës. “Pamjet filmike të transmetuara dje në “Ora News”, ku kryetari i Bashkisë së Peshkopisë, Shukri Xhelili kërkon favore seksuale në këmbim të një vendi pune janë një dëshmi më shumë se ku është zhytur shteti i Edi Ramës. Shtet i trafikantëve të drogës dhe prostitucionit, falsifikatorëve, gjobëvënësve, kriminelëve e tashmë dhe funksionarë publikë që shfrytëzojnë mjerimin e grave dhe vajzave ku i ka zhytur kjo qeveri për t’u kërkuar favore seksuale në këmbim të një vendi pune. Rasti i kryebashkiakut të Peshkopisë nuk është i vetmi, por pason atë të sekretarit të Koço Kokëdhimës, Agron Cane në Sarandë, të shefit të policisë së Velipojës, Ernest Paluku dhe të Luiza Tabakut në Lushnjë, ç’ka tregon se çfarë kriteresh ka kjo mazhorancë për të ofruar vende pune” thuhet në reagimin e PD.

Betejë për jetë a vdekje me EdEskobarin

Ish kryeministri Berisha deklaroi dje në Parlament se beteja kundër të inkriminuarve në pushtet është betejë për jetë a vdekje. Ai denoncoi lidhjet e Ramës me baronin e drogës Klement Balili ndërsa ironizoi Ramën me emrin EdEskobar.  Ai tha se shqiptarët duhet të çlirohen nga kjo organizatë kriminale ose në të kundërt citoi ai ardhmja e tyre është zero. Berisha shprehur bindjen se sado që është një situatë tmerrësisht e paprecedentë, qytetarët do të mund të shpëtojnë.  “Kreu i meduzës u largua, nuk pati burrërinë të qëndronte dhe të dëgjonte përgjigjet e problemeve që ai shtroi, akuzave që ai bëri, por kësaj here unë e justifikoj largimin e tij. Ai e dinte që unë sot kisha një përshëndetje për të. Kisha një përshëndetje të sinqertë: Urime EdEskobar! Të mungonte ky titull o EdEskobar, por e fitove, tani për tani je EdEskobar për Ballkanin, por ju garantoj se shumë shpejt do ta ketë për mbarë Europën, për mbarë kontinentin, madje do të shohë dhe hapësira të tjera. Ky është shefi i kanabisit shqiptar apo i Shqipërisë kanabiste, shefi i qeverisë organizatë kriminale më të rrezikshme që ekziston në Europë dhe në botë. Unë e di se këtu ka prej jush, të cilët nuk e përtypin kaq lehtë këtë fjalë, por çdo ditë që kalon, nga dita që unë kam marrë hua nga Sarah Chayce e deri sot, numri shqiptarëve që ju shohin ju si organizatë kriminale rritet me qindra dhe me mijëra” u shpreh ish kryeministri Berisha. Duke denoncuar lidhjet kriminale të qeverisë me grupet kriminale Berisha tha: “A janë pra këta, të dashur qytetarë një organizatë e rrezikshme kriminale? A janë këta, që në pafytyrësi absolute dolën para gjithë botës se fshihnin krimin monstruoz të Arben Frrokut, që fshinin krimin monstruoz të Mark Frrokut. A janë këta që mbajnë vrasës? Do t’ju nxjerr vrasësit që mbani pas vetes një nga një, të cilët sado që janë vrasës, por janë burra dhjetë herë më të mirë se ju se nuk janë frikacakë si ju. U kanë gjetur ju njerëz pa karakter, njerëz pa fytyrë, që përdorni imunitete për të mbrojtur vrasës. Ju kanë gjetur ju, se ata vrimë miu nuk do të gjenin nëse s’i mbronit ju. Do ja u nxjerr këtu siç ja u kam nxjerrë. Durim të keni. Kjo është betejë për jetë a vdekje. O do çlirohen shqiptarët nga kjo organizatë kriminale ose e ardhmja e tyre është zero. Unë kam besim se do të çlirohen. Sado që është një situatë tmerrësisht e paprecedentë, unë kam besim të madh se do të çlirohen dhe se droga nuk do t’i mbysë këta qytetarë. Kanë jetuar nëpër diktatura dhe situata të vështira, por do e kapërcejnë dhe këtë intoksikacion nga kanabisi. Tani doli Eskobari i Ballkanit, Balili. Kush është Balili? Është Koço Kokëdhima. E gjithë Saranda flet. Balili është sivëlla Kokëdhima, por po qe Kokëdhima është sivëlla Rama pas, është pleqëruesi tjetër, është ai që i ka falur pleqërimin Kokëdhimës. Nuk kanë të ndarë, janë siamezë ata”.

Presioni ndaj gjyqtarëve, të nisë procedura për shkarkimin e Veliajt

Berisha dënoi ashpër dje sulmin e paprecedent dhe presonin e Erjon Veliajt ndaj Gjyqtarëve të Gjykatës Administrative ndërsa kërkoi nisjen e procedurës për shkarkimin e tij. “Një rrugaç që s’njeh normë e s’njeh ligj organizon për herë të parë në historinë e këtij shteti, një protestë shtetërore para Gjykatës Administrative. Asnjë parti politike nuk e ka bërë këtë pavarësisht se partitë politike gjatë këtyre 20 viteve janë përballur me vendime nga më të rëndat të gjykatave, por s’kanë marrë kurrë institucionin e tyre, s’kanë rrethuar kurrë gjykatës siç bëri dje një rrugaç kushtetues, që s’ka fytyrë, një njeri që martohet me paratë e qytetarëve shqiptarë, një njeri i cili i jep tenderat vëllait të vet dhe rrethon në mënyrë të neveritshme tri burra dhe gra që do të merrnin vendimin. Kjo është reforma juaj, ju jeni për këtë reformë. I bëj thirrje Grupit parlamentar të PD të nisë menjëherë procedurën për shkarkimin e këtij rrugaçi që rrethon gjykatat, e këtij eksponenti të shpërfytyruar nga çdo lloj norme dhe standardi. I bëj thirrje të kërkojnë me urgjencë shkarkimin e tij, ndërprerjen, duke iu referuar neneve përkatëse të Kushtetutës, ligjeve të këtij vendi, të cilat ndalojnë në mënyrë kategorike dhe e kanë shpallur si vepër penale presionin ndaj gjykatësit dhe ndaj gjykatave.
I bëj thirrje prokurorit të Përgjithshëm të ngrihet fuqishëm në mbrojtje të ligjeve dhe Kushtetutës dhe të vendosë këtë rrugaç kushtetues para ligjit, para Kushtetutës dhe t’i japë vendin e merituar. Kjo është drejtësia që duhet të bëjnë këta trafikantë, këta EdEskobarë. Kurrë nuk ka ndodhur ndonjëherë në historinë 24-vjeçare të pluralizmit shqiptar ai akt i shëmtuar që ndodhi dje. Ndodhi me një njeri që ka për standard vjedhjen e parave të të varfërve shqiptarë për dasmën luksoze, me dy raunde, rregullimin me tender publik të të gjithë mjedisit të dasmës, kalasë së Gjirokastrës dhe dasmës tjetër në Pezë. Po ky me këtë gjë ju turpëron juve në radhë të parë. Jam i bindur se, ndofta dhe shumica nga ju, nuk ndan të njëjtin mendim për rrethimin e gjykatave. Gjykatat në gjithë botën japin vendime dikur të drejta e diku jo, por gjykata nuk rrethohet. Nëse t’i përdor pushtetin e një qeverie, e një mazhorance, pushtetin e një bashkie kundër tri vetëve, ti agjëson gjykatën, ti kryen një krim të shëmtuar në themel të shtetit.
Po janë ligjvendësit, ata të cilët kanë pranuar me ligj dhe Kushtetutë të ndajnë pushtetin, t’i japin gjyqësinë një sektori që nuk votohet dhe kushtetutshmëria është shtyllë kryesore për atë që ka abc-në e demokracisë të paktën prej disa shekujsh. Ju vini këtu si mazhorancë që rrethoni gjykatat. Njëri që ka pesë pallate pa leje dhe ja u tregoj të gjitha këtu po të doni (Sadri Abazi) shkon në rrethimin e gjykatës për të shpëtuar pallatet e veta. A e dëgjuat mekanizmin e ri të vjedhjes dhe rrjepjes së rrugaçit kushtetues? Një javë para bëri njoftimin se “kompanitë të cilat kanë shkelur rregullat nuk do të mund të aplikojnë për leje ndërtimi”. Në pamje të parë njeriu mund të thotë se mirë po ja u bën se shkelës ligji janë. Po çfarë fshihet? Prapa kësaj absolutisht fshihet vetëm gjoba. Sot kompanitë që kanë thyer më shumë ligjin janë kompanitë tuaja. Ja u tregoj pallatet e atij aty (Sadri Abazit). Qytetarët kanë nevojë të dinë të vërtetën”.
Berisha sqaroi ndër të tjera: “Ato leje i ka dhënë Edvin Kristaq Rama. Unë kam qenë Kryeministër dhe Edvin Rama ka sjellë në KKRRT studimin e pjesshëm për ndërtimet në atë zonë. Unë, për shkak të kundërshtive të mëdha, përpiqesha të shmang kthimin mbrapsht të kërkesave të tij si kryetar bashkie dhe si kryetar i opozitës dhe unë në njëfarë mënyre vetëpërmbahesha. I kam miratuar propozimin e Ramës, cilido të shkojë të marrë vendimin dhe do të shohë se kam miratuar pallate 5-katëshe, ndërkohë që Rama i çoi në 17-katëshe, jo Berisha, por Rama i çoi në 17-katëshe. Por po e lëmë këtë. Aty është një proces gjyqësor dhe as Edi Rama, as Sali Berisha dhe askush nuk ka të drejtë të rrethojë gjykatën me një institucion shtetëror. Ju keni asgjësuar shtetin dje, por keni asgjësuar veten tuaj jo shtetin sepse shteti ju jeni, ju jeni shumica, ne jemi opozitë. Po a ka akt më të shëmtuar? Unë dhe nëpër filma nuk kam parë. Ky është turpi juaj. Parti që rrethon gjykatën për të marrë vendimet me forcë. Po turpi juaj, turp dhe një mijë herë turp”.

Arben Shahini

Gazeta gjermane: Mimi Kodheli me helikopter për shoping në Hamburg

Gazeta e përditshme gjermane, “Hamburg Morning Post” i ka kushtuar një shkrim një shëtitje të ministres Mimi Kodheli në dyqanet e famshme në Hamburg. Tabloidi gjerman shkruan se, Kodheli ka shkuar në dyqanet e zonës Alsterhaus, duke kaluar plot të dy orë atje, por nuk jep informacion se sa mund të ketë shpenzuar ministrja shqiptare.
“Tri limuzina me drita të ndezura, një Mercedes S-Class dhe një automjet i policisë ushtarake. Vizitë shtetërore? Jo, ministrja shqiptare e Mbrojtjes, Mimi Kodheli po bën pazar. Kodheli gjendet në një vizitë zyrtare në Gjermani, ku të hënën u takua me homologen e saj, Ursula von der Leyen. Në këtë takim u diskutua kryesisht për situatën në Ballkan, konfliktin në Ukrainë dhe politikat e presidentit rus Putin. Pas vizitës në Berlin, Kodheli shkoi në Hamburg me helikopter. Në këtë qytet, ministrja e Mbrojtjes ka bërë dy orë shopping në dyqanet VIP të Alsterhaus” shkruan “Hamburg Morning Post”. Por menjëherë pas përhapjes që pati ky lajm në faqet online shqiptare ka reaguar edhe një portal që suportohet direkt nga zyra e propagandës në kryeministri, për të shpërndarë burime dezinformimi.
“Mësohet se dreka në restorantin Rickmers Rickmers dhe vizita në qendrën Alsterhaus në Hamburg që përmend Hamburger Morgenpost, ishin pjesë e pritjes së organizuar nga pala gjermane” shkroi Lexo.al. Kjo faqe gjeti “rastësisht” edhe komentin e një gazetari gjerman për këtë ngjarje. Ky gazeatar, Vincent Triest, në reagimin e tij shkruan: “Ministrja e Mbrojtjes Mimi Kodheli u akuzua sot gabimisht nga disa portale lajmesh në Shqipëri. Sipas artikullit, ministrja Kodheli ishte në një vizitë zyrtare dhe takoi atje një politikan të lartë gjerman të CDU”. Por, gazetari bën një lapsus. Sepse ministrja nuk u akuzua nga mediat shqiptare, por nga kolegët e tij gjermanë. Kështu duke dashur të mbrojë Kodhelin, Lexo.al ka bërë një autogol të dytë.

Basha në Itali: Gati platformën që garanton zgjedhje të lira

Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha u takua me drejtues të lartë të Senatit, Dhomës së Deputetëve dhe me zëvendësministrin e Jashtëm të Italisë. Basha u prit në takime të veçanta nga ish-presidenti i Italisë, senatori Giorgio Napolitano, Pier Ferdinando Cazini, President i Komisionit për Punët e Jashtme në Senatin italian, Mario Giro, zëvendësministër i Punëve të Jashtme dhe Bashkëpunimit Ndërkombëtar, Fabrizio Cicchitto, presidenti i Komisionit për Punët e Jashtme në Parlamentin italian, Imzot Vincenzo Paglia ministër për Çështjet Sociale në Shtetin e Vatikanit, kryetari i Grupit të Partisë Demokratike në Senatin italian, Luigi Zanda, Paolo Romani kryetar i grupit të Forca Italia në Senatin italian.
Situata e rëndë ekonomike, korrupsioni i përhapur kudo, dekriminalizimi dhe zgjedhjet ishin në qendër të takimeve të zotit Basha. Gjendja në vend ka precipituar sa i përket parametrave të luftës kundër krimit, korrupsionit, të demokracisë, të zgjedhjeve të lira dhe të ndershme, tha zotit Basha. Ekonomia është zhytur në krizë, niveli i papunësisë e varfërisë sa vjen e thellohet me pasoja të jashtëzakonshme për vendin. Pasoja, të cilat ndihen dhe në vendet e Bashkimin Europian, ku më shumë se 100 mijë shqiptarë kanë kërkuar azil politik.
Problemi më i madh në Shqipëri, tha zoti Basha, është inkriminimi i politikës, katapultimi në Parlamentin shqiptar dhe në zyrat kryesore të vendimmarrjes i personave me rekorde të tmerrshme kriminale. Ndokët, frrokët, prengët, bushët, roshët kanë qenë kryefjalë e aksionit politik të Partisë Demokratike dhe sot janë subjekt i një procesi të njohur tashmë ndërkombëtarisht si procesi i dekriminalizimit.
Zbatimi i ligjit të dekriminalizimit nxjerrja jashtë zyrave të shtetit të të inkriminuarve është ekzistenciale për të sotmen dhe të nesërmen e demokracisë shqiptare dhe shtetit ligjor. Një vend të veçantë në bashkëbisedimet e zotit Basha me personalitete të politikës italiane kanë zënë zgjedhjet e ardhshme parlamentare. Basha bëri të ditur se zgjedhjet janë prioritet kryesor i Partisë Demokratike. PD, theksoi kryetari i Partisë Demokratike, ka gati platformën që garanton një proces të lirë dhe të ndershëm zgjedhor, pa shitblerje votash, intimidim votuesish dhe garantim të leximit të drejtë të vullnetit të zgjedhësve. Duke e konsideruar një betejë të vështirë për shkak se oligarkia tenton ta asgjësojë votën e lirë, median e lirë, mendimin e lirë, shoqërinë civile, opozitën politike zoti Basha ka kërkuar edhe ndihmën e Italisë për të garantuar zgjedhje të lira dhe ndershme në Shqipëri.

Kryetari i Bashkisë së Kavajës, 40 milionë lekë për një makinë me qira

Bashkia e Kavajës ka hapur një procedurë prokurimi për marrjen e një makine me qira, por skandali në këtë tender është pikërisht vlera e lartë e tij, e cila kap shifrën 40 milionë lekë. Bashkinë e Kavajës e udhëheq për momentin Elvis Rroshi, i cili po hetohet edhe për dekriminalizimin.
Sipas dokumentit që mund të shihni më poshtë, Rroshi do të shpenzojë plot 40 milionë lekë të vjetra për marrjen e një automjeti 4X4 me qira për dy vjet. Në dokument thuhet se objekti i kontratës është “Marrje mjeti me qira dhe fondi limit pa TVSH është 4.000.000 lekë”. Më pas vijohet se kohëzgjatja e kontratës ose afati kohor për ekzekutimin është dy muaj. Ky tender do të bëhet më 20 maj 2016.
Mësohet se kërkohet një fuoristradë 4X4 ku motori do të jetë 4400 kubikësh i modelit V8. Mjeti do të jetë pasagjerësh me timon në krah të majtë dhe pesë vendesh. Të dhënat e tjera janë që fuqia të jetë deri në 240 kuaj fuqi, ndërsa suspensionet të jenë me ajër me nivelim. Shpejtësia maksimale e automjetit duhet të jetë deri në 210 km/h, ndërsa disqet duhet të jenë alumini. Konsumi i karburantit (ekstra urban) të jetë 8.2 litra në 100 km dhe kapaciteti i serbatorit të jetë maksimumi 100 litra. Pesha e mjetit të jetë minimumi 2.710 kg dhe pesha e tërheqjes maksimumi 3.500 kg. Në këto dokumente është e specifikuar se volumi i bagazhit duhet të jetë minimumi 535 litra.
Ndërkohë, dokumenti vijon se mjeti duhet të jetë ngjyrë e zezë metalike, sedilje lëkure, sistem navigacioni, telekamera e pasme, sensor parkimi para-mbrapa, sistemi i shkarkimit me bimarmida, shkallë elektrike. Sediljet para dhe pas me ngrohje, pasqyra elektrike me palosje, xhamat e pasim të errësuar, sedilja e shoferit të jetë elektrike me memorie, sedilja e pasagjerit elektrike. Mjeti, sipas dokumenteve, duhet të ketë sistem të frenimit ABS, përshtatës i terreneve me 4 opsione, fenerë adaptive, fenerë xenon led, sistemi i amortizimit me ajër (ulje-ngritje), sistemi i sigurisë HDC, disqe alumini, mbyllje qendrore dhe alarm volumetrik. Këto nuk janë të dhënat e një reklame, por janë marrë nga dokumentet e tenderit, ku duket se Rroshi e ka gjetur më parë automjetin dhe tashmë pret vetëm që të paguajë 40 milionë lekët për ta marrë dhe për të lëvizur, shkruan “BN”.
Disa ditë më parë, kreu i Bashkisë së Kavajës dorëzoi edhe formularin e dekriminalizimit, ku shkroi se ishte përzënë nga Gjermania, por nuk mbante mend arsyen e dëbimit. Më pas, Prokuroria njoftoi se do të verifikonte të kaluarën e këtij zyrtari vendor, duke ftuar të gjitha agjencitë ligjzbatuese që të dorëzojnë informacione në Prokurori.

VOA: Shqipëri, presioni korruptiv nga zyrtarët, në rritje

Monitorimi i Korrupsionit në Shqipëri për vitin 2016 zbuloi se 1 në 2 qytetarë (49.6%) pranon se zyrtarët publikë u kanë kërkuar ryshfet në mënyrë të drejtpërdrejtë ose të tërthortë.
Ky tregues është përkeqësuar me rreth 5% krahasuar me vitin 2014, pra zyrtarët publikë e kanë shtuar presionin korruptiv ndaj qytetarëve dhe këta të fundit janë përfshirë më shumë në korrupsion, sepse dhënia e ryshfetit në presion është rritur më tej. Një pjesë e konsiderueshme e të anketuarve (38.2%) deklarojnë se janë përfshirë në ryshfet nën presionin e zyrtarëve publikë.
Këto të dhëna tregojnë se masat antikorrupsion të ndërmarra nga qeveria, shoqëria civile dhe bashkësia ndërkombëtare nuk kanë krijuar ende rrënjë të forta, gjë që bën të domosdoshme shtimin e përpjekjeve në këtë drejtim. Të dhënat tregojnë ende një mungesë të ndryshimeve thelbësore, të cilat priten nga të dyja palët: shoqëria shqiptare dhe partnerët evropianë.
Nivelet e larta të ndjeshmërisë dhe të pranueshmërisë së korrupsionit në shoqërinë shqiptare cenojnë në vijimësi përpjekjet për të luftuar ndikimin e tij negativ.
Të pyetur nëse do të ishin në pozicionin e zyrtarit publik, 2/3 e të anketuarve (66%) janë shprehur se do të pranonin ryshfet.
Qytetarët që janë pak a shumë të ndjeshëm ndaj korrupsionit në vitin 2016 janë shumica dërrmuese e popullsisë (91%). Pjesa e të anketuarve plotësisht të pandjeshëm ndaj korrupsionit u rrit me 3% nga viti në vit.
Anketimi zbuloi se grupet që perceptohen si më të korruptuarit janë sipas radhës gjyqtarët, doganierët, prokurorët, administrata e sistemit të drejtësisë, partitë politike dhe liderët politikë.

Pajisja përgjuese e Tahirit në Polici, Prokuroria nis hetimet

Prokuroria e Përgjithshme ka nisur hetimet për ekzistencën e një pajisje përgjimi në Policinë e Shtetit të paautorizuar. Burime nga organi i akuzës bëjnë me dije për Ora News se, proçedimi për çështjen ka nisur para dy ditësh. Hetimi i Prokurorisë ka nisur pas publikimit të një shkrimi në media ku ndër të tjera shkruhej se, një pajisje përgjuese tepër e sofistikuar është instaluar prej më shumë se një muaji në zyrat e Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë, duke vënë në alarm institucionet e sigurisë. Pajisja nuk rezulton e regjistruar në asnjë regjistër zyrtar apo dokument tjetër të institucioneve të Sigurisë. Për këtë çështje ka reaguar edhe Kreu i Shtetit Bujar Nishani. I pyetur nga mediat, Presidenti Nishani tha se kjo çështje mbetet për t’u hetuar. “Nuk kam ndryshuar mendim dhe qasje ndaj sistemit të drejtësisë për asnjë arsye dhe për asnjë çështje. Kam parë ditët e fundit në media që është denoncuar një pajisje ilegale që kryen përgjime. Kjo mbetet për t’u verifikuar se sa i vërtetë është. Mbetet për t’u hetuar”, u shpreh Nishani.
Skandali i pajisjes përgjuese nga Policia e Shtetit pa autorizim nga Prokuroria u publikua para tre ditësh nga gazeta “Mapo”, me titull: Pajisja misterioze e paautorizuar nga Prokuroria: Kë po përgjon Tahiri”? “Një pajisje përgjuese tepër e sofistikuar është instaluar prej më shumë se një muaji në zyrat e Drejtorisë së Përgjithshme, duke vënë në alarm institucionet e sigurisë. Pajisja nuk rezulton e regjistruar në asnjë regjistër zyrtar apo dokument tjetër të institucioneve të sigurisë. Jo zyrtarisht, policia thotë se kjo pajisje përdoret për qëllime trajnimi nga Policia e Shtetit”, shkruante gazeta.
Historia që është në limitet e skandalit, ka nisur rreth një muaj më parë, kur institucionet e inteligjencës shqiptare kanë rënë në dijeni të një informacioni se policia shqiptare përdor një pajisje përgjimi të paregjistruar dhe të paautorizuar nga Prokurori i Përgjithshëm.
Informacioni i është dërguar Presidentit të Republikës dhe Prokurorit të Përgjithshëm, i cili mësohet se është vënë në lëvizje për të verifikuar vërtetësinë e tij.
Nëse informacioni i inteligjencës se kjo pajisje është përdorur për të kryer përgjime të paligjshme do të rezultojë i vërtetë, atëherë ky mund të përbëjë një skandal shumë herë më të madh se ai që dyshohet se ka ndodhur me pajisjet e përgjimit të Ministrisë së Mbrojtjes, pak vite më parë.
MAPO kontaktoi Zyrën e Prokurorit të Përgjithshëm, por burime pranë saj thanë se, Prokuroria nuk mund të bëjë asnjë koment për këtë çështje. Mapo gjithashtu kontaktoi zyrtarisht edhe Policinë e Shtetit dhe mori si përgjigje se në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë nuk ka asnjë pajisje të tillë përgjuese.
Por pavarësisht këtyre qëndrimeve institucionale, gjithçka është konfirmuar nga zyrtarë të Policisë, të cilët pohojnë se pajisja përdoret për qëllime trajnimi edhe pse me të mund të kryhen përgjime të paligjshme, pasi vetë policia nuk ka tagrin për të përgjuar pa marrë më parë miratimin e prokurorit.
Sipas burimeve, mësohet se pajisja që shërben për zbulimin e personave në kërkim i është dhënë policisë shqiptare nga ana e homologëve italianë. Ajo është futur pa u regjistruar në doganë dhe është instaluar në zyrat qendrore të Policisë, ku thuhet se përdoret për qëllim trajnimi të agjentëve dhe oficerëve të Policisë.
Por pavarësisht këtij qëndrimi të drejtuesve të Policisë është fakt se për këtë pajisje nuk ka dijeni asnjë prej institucioneve dhe krerëve të Sigurisë Kombëtare, pasi ajo nuk rezulton e regjistruar askund.
Po ashtu, për ekzistencën e saj nuk është vënë në dijeni as Prokurori i Përgjithshëm, i cili është autoriteti i vetëm që mund të autorizojë kryerjen e përgjimeve. Por burimet konfirmojnë jo vetëm praninë dhe instalimin e saj në zyrat e Policisë qendrore, por edhe faktin se kjo pajisje është ndër më të sofistikuarat dhe ajo mund të përdoret për çdo lloj interceptimi telefonik. Ndërkohë, mësohet se kjo pajisje e paautorizuar përgjimi është instaluar në ambientet e Policisë.

Aksidentimi i dy fëmijëve në Golem, Prokuroria urdhër ndalimi për dy zyrtarë

Prokuroria e Kavajës ka firmosur dy urdhër ndalimi për dy zyrtarë të Autoritetit Rrugor të Shqipërisë (ARRSH), Kavajë. Mësohet se dy zyrtarët për të cilët është kërkuar ndalimi janë Bib Gjomarkaj, drejtori Rajonal i ARRSH, Tiranë, dhe Dritan Fejzo, drejtori Juridik i ARRSH. Dyshohet se këta zyrtarë janë përgjegjës për mos kompletimin e aksit rrugor ku ndodhi aksidenti i humbjes së jetës së dy fëmijëve, me barrierat mbrojtëse.
Prokuroria e Kavajës ka konfirmuar këtë informacion, duke bërë të ditur zyrtarisht se oficerët e Policisë Gjyqësore urdhëruan ndalimin e dy zyrtarëve të Autoritetit Rrugor Shqiptar, të dyshuar për “Shpërdorim detyre”. Këto urdhër ndalime janë bërë në vijim të hetimit të nisur me iniciativë pas aksidentit të së dielës, ku mbetën të vdekur dy fëmijë.
Në këtë aksident rrugor humbën jetën dy fëmijë, të cilët ishin në një automjet të drejtuar nga nëna e tyre. Urdhëri i Prokurorisë së Kavajës është zbatuar pasditen e djeshme.