28.5 C
Tirana
E hënë, 11 Gusht, 2025

Ekonomia në agoni, 5 mijë kompani kanë aplikuar pë falimentim

Kriza ekonomike dhe gropa në të cilën qeveria ka zhytur vendin ka qenë një tjetër denoncim i Berishës dje në Parlament. Ai bëri të ditur një statistikë, e cila pritet të publikohet sot, ku 200 kompani të pyetura mbi klimën e biznesit në Shqipëri shprehen me nota negative.  “Edi Rama ka patur një sukses të jashtëzakoshëm këto kohë, suksesi i tij është introduktimi, infiltrimi i dramës së tij shpirtërore në ekonominë shqiptare. Ju e shihni se po shkohet poshtë e më poshtë, zi e më zi. Po ju jap vetëm disa të dhëna. Kur erdhët në pushtet, veçanërisht krahu i LSI-së, por pastaj e ndoqi dhe Rama, proklamuat si flamur kryesor të platformës ekonomike fasonët. U morët me propagandimin e tyre, me shpërndarjen e tyre në Skrapar e me radhë dhe absolutisht të drejtë kishit. Sepse ai është punësim kafshate dhe unë kisha vendosur para fushatës elektorale për të favorizuar fasonët dhe ju e vazhduat. Ju nuk mbajtët mbi 40 premtime që bëtë në fushatë, por të paktën bëtë promovim. A doni t’ju them se ku janë fasonët sot? Jo sipas meje, por sipas Institutit të Statistikave të EdEskobarit. Ka rënie të eksporteve nga fasonët në 40%. Ku është ekonomia sot? Në këto 3 muaj, 5 mijë kompani, përfshi dhe gjigantë, kanë aplikuar për falimentim. Kjo është katastrofë për ekonominë.
U instalua përfundimisht deflacioni, që do të thotë ekonomi në ngordhje, ekonomi në vdekje. Një ekonomi po e zhyte në deflacion, e ke në agoni. Kjo sepse ju me politikat tuaja i kontribuoni fuqishëm kësaj situate. Së pari, me ngushtimin drastik të shpenzimeve. Ju jeni naivë, xhahilë, ju s’e dini se shpenzimet publike, në çdo vend të botës kanë peshën e tyre në punësim dhe rritje ekonomike. Po e ngordhin ekonominë shqiptare. E gjitha kjo sepse u duhet, ngaqë kanë bërë marrëzira në dy vitet e para dhe fondi ua ka futur dy këmbët në një këpucë dhe i thotë që ose shkurto shpenzimet dhe rregullo deficitin ose të ndëshkuam. Ku janë investimet e huaja? Ato janë në pikiatë. Një statistikë e fundit fare, 200 kompani të pyetura nga një dhomë e huaj tregtie, të gjitha një për një shprehen zi e më zi për klimën e investimeve në vend. Do të botohet nesër (sot) kjo statistikë. Njëra prej tyre thotë se për të shkuar në pronën që ka në Ksamil i duhet të marrë leje rojeve të sivëlla Kokëdhimës. Po nëse thoni që unë po them një të pavërtetë atëherë më thoni një kompani serioze që ka ardhur për të investuar këtu.
Mos harroni se mburrja me gjërat e mia ka dy anë dhe ju shndrit, por dhe ju nxin. Po nuk ju vjen kush juve, po ç’mund t’i vijë Ed Dramës. Si po shkon kredia? 14.6% më e ulët sesa e njëjta periudhë e vitit të kaluar. Kush do të marrë kredi në këtë vend ku krimi, mafia e ryshfeti bëjnë kërdinë. Bankat kanë para plot, por njerëzit refuzojnë t’i marrin. Pra, të gjitha këto kanë vetëm një zgjidhje, kanë revolucionin demokratik të qytetarëve shqiptarë, i cili sa më shpejt të nisë aq më shpejt do t’i japë fund këtij degradimi total të rendit, të ekonomisë, të sigurisë, të gjendjes së vendit në tërësi!” shprehet Berisha.

Dekusarizimi, ndalim rikandidimit apo emërimit të atyre që humbasin mandatin e deputetit

Partia Demokratike depozitoi në Parlament amendamentin e dekusarizimit. Fillimisht lajmi u bë i ditur nga kreu i PD, Lulzim Basha, e më pas nga kreu i Grupit parlamentar demokrat, Edi Paloka, i cili ftoi deputetët në Parlament ta miratonin atë. Basha tha se propozimi i PD ka për qëllim ndalimin e rikandidimit ose emërimit në funksione publike të atyre që humbasin mandatin e deputetit sepse shkelin Kushtetutën, duke zhvatur paratë dhe pasuritë publike të shqiptarëve. PD propozon një shtesë në nenin 69 të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë, ku të përcaktohet se nuk mund të kandidojnë e as të zgjidhen deputetë, personat që i është konstatuar papajtueshmëria e mandatit sipas nenit 70 të Kushtetutës. Në rast se ato zgjidhen, atëherë mandati do të konsiderohet i pavlefshëm. Amendamenti i propozuar nga PD për një ndryshim në Kushtetutë synon ndalimin e rikandidimit ose emërimit në funksione publike të atyre që humbasin mandatin e deputetit. Sipas relacionit të paraqitur nga PD neni 70/3 i Kushtetutës e konsideron të papajtueshme me funksionin e deputetit ushtrimin e “veprimtarisë fitimprurëse që buron nga pasuria e shtetit ose e pushtetit vendor dhe as të fitojnë pasuri të këtyre”. Ndërkohë, sipas nenit 70/2, ndalimet e tjera parashikohen me ligje të posaçme.
“Nga këto dispozita rezulton se Kushtetuta jonë ia delegon ligjeve të posaçme rastet e papajtueshmërisë (neni 70/2). Ajo ka preferuar të vendosë ndalimin në rang kushtetues dhe ta cilësojë si të papajtueshëm me funksionin e deputetit ushtrimin e aktivitetit fitimprurës prej tij, kur të ardhurat nga ky aktivitet burojnë nga buxheti i shtetit. Ky ndalim është i shprehur qartë dhe pa ekuivok nga kushtetutbërësi, i cili ka patur si qëllim eliminimin e plotë të mundësive për ta konsideruar funksionin e deputetit si një mundësi e mirë për të shtuar burimin e të ardhurave private nëpërmjet pozitës së favorshme që ka ai si anëtar i organit më të lartë përfaqësues. Nëse deputeti përveç pagës që do të merrte si i tillë, do të mund të merrte dhe të ardhura të tjera nga buxheti i shtetit për shkak të profesionit të tij primar, atëherë ky parim do të cenohej.
Mirëpo, edhe pse deputeti kryen një ‘krim’ kushtetues me vullnet të plotë, duke e konsideruar funksionin e deputetit si një mundësi të mirë për të shtuar burimin e të ardhurave private nëpërmjet pozitës së favorshme që ka ai si anëtar i organit më të lartë përfaqësues, sanksioni i parashikuar nga Kushtetuta, është vetëm mbarimi i mandatit të deputetit për legjislaturën ku evidentohet kjo shkelje kushtetuese”, thuhet në relacion.
Në vlerësimin e Grupit parlamentar të Partisë Demokratike, deputetët të cilët me vullnet të plotë, kryejnë shkelje kushtetuese, jo vetëm duhet të humbasin mandatin e deputetit, por duhet edhe t’i ndalohet kandidimi apo zgjedhja në të ardhmen. Kjo i shërben parimit të shërbimit sa më të mirë ndaj qytetarëve dhe në fund të fundit parimit të demokracisë, ku çdo funksionar publik duhet të ushtrojë me të gjitha forcat dhe energjitë e veta detyrën për të cilën është zgjedhur ose emëruar, detyrë të cilën ai e ka pranuar me vullnetin e tij të plotë dhe të lirë. E kundërta mbart, natyrshëm, dyshime lidhur me besueshmërinë e publikut në cilësinë e përfaqësimit të tij.
“Gjithashtu, ne çmojmë se dekusarizimi i Kuvendit dhe jetës publike në vend, është masë plotësuese e reformës së dekriminalizimit dhe hap jetik për mbrojtjen e interesit publik. Nëse deputeti është provuar një herë se nuk respekton parimin e shërbimit sa më të mirë ndaj qytetarëve dhe cenon parimet e demokracisë funksionale, atëherë nuk ofrohet asnjë garanci që në të ardhmen do të korrigjojë sjelljen e tij. Rizgjedhja apo rikandidimi i personave që kanë kryer ‘krimin’ kushtetues të parashikuar në nenin 70 të Kushtetutës, duke përfituar fonde apo pasuri publike, në vlerësimin tonë përbën një kërcënim të rëndë për integritetin dhe funksionimin e demokracisë dhe institucioneve demokratike, si dhe për bazat e lirisë ekonomike”, thuhet në relacion.
Nëse fondet publike dhe pasuritë publike do të përfitohen nga vetë deputetët e Kuvendit të Shqipërisë, kjo do të ishte një goditje e rëndë ndaj lirisë ekonomike dhe bizneseve të ndershme dhe pa asnjë lidhje me politikën. Askush prej tyre nuk do të besonte se në prokurimet publike zbatohet parimi i “konkurrueshmërisë” nëse pjesëmarrës në garë janë kompanitë në pronësi të deputetëve apo personave të lidhur me deputetët.
“Për këtë arsye, propozojmë një shtesë në nenin 69 të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë, ku të përcaktohet se nuk mund të kandidojnë e as të zgjidhen deputetë, personat që i është konstatuar papajtueshmëria e mandatit sipas nenit 70 të Kushtetutës. Në rast se ato zgjidhen, atëherë mandati do të konsiderohet i pavlefshëm.
Ne besojmë se miratimi i këtij amendamenti kushtetues, është kusht i domosdoshëm për forcimin e demokracisë, frenimin e fenomenit të përfitimeve të paligjshme të fondeve publike dhe pasurive publike, rritjes së besimit të qytetarët tek funksionimi i institucioneve publike, si dhe garanton parimin e shërbimit sa më të mirë ndaj qytetarëve”, thuhet në relacion.

Arben Shahini

Nishani: Drejtësia të përballë me ligjin shpifësin Veliaj

Presidenti Bujar Nishani në një dalje publike para mediave i ka cilësuar të rënda akuzat e kryebashkiakut Erion Veliaj të bëra pak ditë më parë në emisionin “Opinion”. Ky i fundit lëshoi disa akuza në drejtim të numrit një të shtetit, duke theksuar se ka vjedhur pronën publike, atë të Kishës Katolike në Elbasan. Me anë të një monitori, Presidenti shfaqi deklaratën e kryebashkiakut Veliaj në emisionin “Opinion” e më pas i kërkoi drejtësisë të merret me këtë çështje. Sipas tij, drejtësia duhet të hetojë a është Presidenti hajdut apo po përdhoset shteti shqiptar përmes shpifjes.
“Ju kam ftuar që të përcjell përmes jush tek opinioni publik dy çështje të rëndësishme shtetërore, për të cilat do të sjell shqetësimin dhe për të dhënë kontributin e institucionit të Presidencës. Madje dhe për të vijuar më tej procesin e zgjedhjes së këtyre problemeve. Çështja e parë ka të bëjë me disa deklarata publike, akuza publike në gjykimin tim të rënda adresuar nga një autoritet lokal ndaj Presidentit të Republikës së Shqipërisë. Dëshiroj t’ju kërkoj të ndiqni edhe një herë këto deklarata e më pas do të përcjell tek ju këto çështje”, tha Nishani.
“Natyrisht që një njeri kushdo qoftë, ai që vjedh ka vetëm një emër, hajdut. Shqiptarët nuk mund të kenë në zyrën e institucionit të Republikës së shtetit shqiptar një hajdut, shqiptarët nuk mund të kenë një hajdut për President. Hajduti e ka vendin në qeli, dënohet sipas ligjit. Kjo çështje i kalon për shqyrtim drejtësisë. Drejtësia duhet dhe ka përgjegjësi kushtetuese dhe ligjore ose të verifikojë akuzat për të dënuar Presidentin si hajdut ose përdhosësin e shtetit shqiptar përmes shpifjes ta dërgojë të përballet me ligjin. Kjo është një rrugë pa kthim, rrugë pa ndalesë. Unë ftoj edhe median të ndjekë gjykimin dhe sjelljen e drejtësisë”. Më tej, kreu i shtetit ndau shqetësimin e tij, për atë që e quajti sulm të dhunshëm të organizuar nga kryetari i Bashkisë ndaj Gjykatës Administrative të Apelit.
“Çështja e dytë për të cilën dëshiroj të përcjell shqetësimin tek opinioni dhe të gjitha institucionet ndërkombëtare që bashkëpunojnë ngushtë me institucionet shqiptare, në lidhje me sulmin e dhunshëm të djeshëm të organizuar nga kryetari i Bashkisë së Tiranës dhe qytetarë e individë me pushtet ndaj Gjykatës së Apelit Administrativ. Sulm i dhunshëm, qartazi terrorizues ndaj gjyqtarëve në ushtrim të detyrës, ushtrim të funksioneve të tyre kushtetuese. E dënoj me ashpërsinë më të madhe, jo vetëm për faktin se është një sulm i organizuar, i instrumentalizuar politikisht, por edhe i realizuar ndaj një pushteti të pavarur kushtetues”, tha Nishani.

– Zoti President, rreth shtatë muaj më parë ju keni deklaruar në emisionin “Top Story” rezerva lidhur me sistemin e drejtësisë, pasi sipas jush kishte influenca nga qeveria. Lidhur me çështjen për përgjimin që i është bërë familjes suaj. Çfarë ka bërë sot që ju të ndryshoni mendjen mbi sistemin e drejtësisë dhe keni besim tek sistemi i drejtësisë tashmë? Ju faleminderit!
Nëse e kuptova qartë pyetjen, nuk kam ndryshuar mendim dhe qasje ndaj sistemit të drejtësisë për as edhe një arsye dhe për as edhe një çështje. Çështja që ju i referoheni është dhe mbetet një çështje serioze. Kam parë ditët e fundit në media që është denoncuar ekzistenca e një pajisjeje ilegale që kryen përgjime. Kjo mbetet për t’u verifikuar se sa qëndron si lajm, se sa i vërtetë është. Mbetet për t’u hetuar nëse është i vërtetë, por në kontekstin e presionit më të madh, që u manifestua mbrëmë në mënyrën më të dhunshme dhe ekstreme si nuk e kishim parë në këtë vend prej 25 vitesh, besoj se shqetësimet që ngrihen për të pasur një sistem drejtësie të pavarur, të influencuar, të pakërcënuar, të pashantazhuar, por padyshim, profesional e të pastruar nga afera korruptive, besoj se jam sot në themelin e orientimit më të mirë evropian dhe të vizionit civil dhe qytetar të çdo qytetari dhe të çdo aktori sot përparimtar të shoqërisë sonë. Prandaj nuk kam ndryshuar asnjë mendim. Mbetem në atë deklaratë, në atë mendim që sistemi ynë i drejtësisë ka nevojë për një reformë, e cila të krijojë kushtet për të larguar një orë e më parë të gjithë ata prokurorë dhe gjyqtarë të korruptuar; për të larguar një orë e më parë të gjithë ata prokurorë dhe gjyqtarë të kapur e të përdorur politikisht, të shantazhueshëm, për t’u dhënë mundësinë e karrierës njerëzve dinjitozë, profesionistë dhe me dinjitet. Për të pasur një mekanizëm të drejtësisë larg çdo influence dhe të mbajmë fort shpirtin e shpresës, të integritetit dhe të kurajës. Dhe unë besoj se të gjithë së bashku, institucionet e përgjegjshme shtetërore, mediat, të cilat kanë një rol të jashtëzakonshëm dhe thelbësor në raport me këto të drejta dhe hapësirë të shoqërisë, shoqëria civile dhe çdo qytetar i thjeshtë, akademikët, profesorët, të cilëve u bëj thirrje, në një situatë jo të mirë të çështjeve të respektimit të lirive dhe të drejtave themelore të njeriut në Shqipëri, grupeve të ndryshme, intelektualëve, që të mos kenë frikë! Të kenë kurajë! Të thonë fjalën dhe mendimin e tyre siç e gjykojnë dhe siç e mendojnë! Dhe të mbajnë fort shpresën për më të mirën!

– Zoti President, mirëmbrëma! Atëherë atë të cilën ju e quajtët dhunë ndaj Gjykatës Administrative të Apelit të ndërmarrë nga kryetari i Bashkisë Veliaj, ky i fundit ka deklaruar se një gjë e tillë, një protestë para gjykatës vjen pasi vetë Presidenti i Republikës ka influencuar në trupin gjykues në një proces gjyqësor që ka Bashkia e Tiranës me ndërtimin e një pallati tek diga e liqenit. Cili është qëndrimi juaj? Ju faleminderit!
Kjo është një akuzë tjetër, tërësisht e pavërtetë, që do të ketë radhën e saj padyshim të adresimit në institucionet përkatëse për t’u verifikuar dhe për t’u vërtetuar, por në respekt në pyetjes suaj, të shqetësimit tuaj, por edhe të qytetarëve padyshim, unë jam dhe e ndiej të obliguar për të bërë një sqarim të shkurtër: Presidenti i Republikës nuk ka asnjë kompetencë as ligjore dhe as institucionale për të përcaktuar trupa gjyqësore. Procesi i emërimit dhe përcaktimit të trupës gjyqësore ndodh në gjykatë. Është tërësisht kompetencë e kryetarit të gjykatës dhe e kancelarit të gjykatës që nuk kanë asnjë lidhje me Presidentin, me institucionin e Presidentit të Republikës.

– Zoti President, pak më parë ju drejtuat gjykatësve që të kenë kurajë të mbrojnë Republikën. Çfarë nënkuptoni me “të mbrojnë Republikën”? Çfarë rrezikon të kthehet Republika shqiptare? Thirrje të tilla i kemi dëgjuar në fillim të viteve ’90-të kur studentëve u thuhej nga intelektualët shqiptarë që të vrisnin frikën dhe me kurajë të shembnin diktaturën. Sot jemi 26 vjet më pas. Sërish kjo thirrje. Çfarë rrezikojmë realisht sikundër ju e shikoni?
Këto thirrje së pari, vijnë si reagim i shfaqjes së atyre reminishencave që ju thatë, të atyre viteve. Për fatin e keq reminishencat e atyre ngjarjeve, e atyre sjelljeve, e atyre viteve, po rishfaqen. Po shfaqen në dimensione të ndryshme, në forma të ndryshme, në fusha të ndryshme nga individë të ndryshëm. Nëse njerëz me pushtet terrorizojnë funksionarët e shtetit gjatë ushtrimit të detyrës dhe për shkak të detyrës, në radhë të parë, padyshim që ka nevojë për t’u mbrojtur Republika, sepse Republika dhe vetëm Republika, Kushtetuta dhe vetëm Kushtetuta, ligji dhe vetëm ligji është garanti ynë i përbashkët për gjithsecilin prej nesh. Nga Presidenti i Republikës e deri tek qytetari më i thjeshtë. Nga njeriu, i cili ka mundësi dhe lidhje të fuqishme me pushtetin apo me paranë, deri tek qytetarët më të pambrojtur në aspektin social dhe shoqëror. Prandaj thirrja ime është për të mbrojtur Republikën si garanti i vetëm, për të mbrojtur mekanizmat që kemi ndërtuar, mekanizmat që duam t’i kemi të fortë për të garantuar pikërisht këto liri, këto të drejta, ashtu siç do të garantohet edhe gjykimi, edhe penalizimi i atyre që shkelin ligjin, dhunojnë Kushtetutën dhe cenojnë Republikën.

A.Shahini

Rama po përgatit Kokëdhimën ministër të Turizmit

Edi PALOKA

Para pak ditësh, i fundmi i listës së “Rilindjes”, Koço Kokëdhima, iu bashkua listës nr. 2 të “Rilindjes” që tashmë është ose jashtë Parlamentit ose në burg. Vendimi i Gjykatës Kushtetuese besoj se është mirëpritur jo vetëm nga opozita, jo vetëm nga publiku shqiptar, por kam përshtypjen është mirëpritur dhe nga pjesë e grupit socialist këtu në Parlament. Për fat të keq ka një njeri që nuk e mirëpriti këtë vendim të Gjykatës Kushtetuese dhe ai është Kryeministri Rama, i cili që në fillim megjithëse e dinte shumë mirë se Koço Kokëdhima kishte shkelur Kushtetutën me vetëdije me vullnet të lirë, u përpoq të pengojë vendosjen e drejtësisë, zbatimin e Kushtetutës së këtij vendi. Që në fillim e urdhëroi grupin e tij të votonte kundër vajtjes së çështjes Kokëdhima përpara Gjykatës Kushtetuese.
Më pas, kur Gjykata Kushtetuese mori vendim dhe detyroi Grupin parlamentar socialist ta dërgonte Kokëdhimën përballë drejtësisë, prapë u bënë të gjitha përpjekjet, presion ndaj gjykatës, zgjatje të zbardhjes së vendimit të parë të Gjykatës Kushtetuese dhe çdo formë tjetër për të penguar që Koço Kokëdhima të largohej nga ky Parlament, sepse duam apo s’duam ne ai dhe pjesa tjetër e rilindasve që tashmë nuk janë në këtë Parlament janë simboli i vërtetë i Parlamentit të Edi Ramës, sepse për fat të keq ky është një shtet i Edi Ramës, i atij që thotë po bëjmë shtet.
Është shteti që kalon nga Saimir Tahiri, Habilajt nga Koço tek Balilajt. Është shteti që kalon tek Erion Veliaj nga Rama tek Shullazi. Ky është shteti që ka ngritur Edi Rama, ky është shteti, të cilit ne i jemi ngritur kundër dhe jo vetëm ne, por të gjithë qytetarët shqiptarë. Brenda këtij rrethi lëvizin të gjitha segmentet e këtij të ashtuquajturi shtet, nga krimi i madh tek krimi i vogël dhe anasjelltas.
Dhe nuk e dimë se kush është kriminel më i madh ai që ka bërë trafik droge dhe prostitutash apo këta që shkelin Kushtetutën? A është krim më i rëndë ai i Mark Frrokut apo i këtij që shkel Kushtetutën?
Për këtë arsye, ne sot kemi depozituar një amendament kushtetues, ku kërkojmë që në vazhdën e logjikës së ligjit për dekriminalizimin, jo vetëm kriminelët ordinerë, trafikanë droge, prostitutash, vrasës etj., që sot janë futur në listën e dytë të Rilindjes, jashtë këtij Parlamenti, por dhe këta që kryejnë krime kushtetuese, të mos kenë të drejtë të rizgjidhen as në këtë Parlament dhe as në institucione të tjera shtetërore.
Pse? Sepse na ndodhi që Gjykata Kushtetuese i hoqi mandatin Beqajt, ja hoqi, sepse kishte shkelur Kushtetutën, sepse kishte abuzuar me fondet publike. I kishte marrë shqiptarëve paratë nga xhepi, duke përfituar nga posti i tij. Dhe çfarë ndodhi, pasi Beqaj shkoi në shtëpi? Rama na e mori dhe na e riktheu ministër. Nga i dënuar nga Gjykata Kushtetuese, na u kthye ministër në qeverinë e Ramës.
Pse u bë kjo, për çfarë ndodhi? Është kthyer në lubinë e kësaj qeverie, sepse i tillë është, ashtu është mësuar, të grabisë fondet publike. E njëjta gjë po përgatitet me Koçon. Nuk e dinë apo nuk e dinë këta, por pak rëndësi ka. Po përgatitet të sjellë Koçon ministër të Turizmit.
Qeshni, por fatkeqësisht, ky është problem që ne i marrim vesh gjërat para jush dhe ky është problemi juaj dhe jo i joni. Po përgatitet ta sjellë Koçon ministër të Turizmit. Pse? Sepse duhet të vjedhë prapë, duhet të grabisë prapë. A e patë sa i mërzitur ishte Kryeministri pas vendimit që u mor për Koçon? Dhe çfarë deklarate bëri? Dënimi i Koços tha, ky vendimi i Gjykatës Kushtetuese, është arsyeja pse ne duhet të reformojmë drejtësinë. Sipas Ramës, ky është koncepti dhe nuk është prova e parë për drejtësinë. Kush dënon oligarkët, kush dënon kriminelët e Ramës, është fajtor dhe duhet dënuar. Nuk e dëgjuat asnjëherë ta bëjë këtë deklaratë Rama, kur gjykatësit liruan Xhuvanin, kur liruan Prengën, kur liruan Frrokun. Jo! I duartrokiti madje.
Se në fakt ishte ai që i bëri presion drejtësisë të merrte ato vendime. Por kur u dënua Koço gjeti arsyen e vërtetë, sepse duhet Reforma në Drejtësi.
Sepse ky është koncepti i këtij Kryeministri për drejtësinë. Megjithatë duke u rikthyer tek propozimi ynë, unë kërkoj që pavarësisht urdhrit politik që do të marrin, që bashkë me ndryshimet e tjera kushtetuese, deputetët socialistë t’i bashkohen grupit të PD-së dhe ta votojnë këtë amendament. Ne këtë amendament e kemi cilësuar amendamenti i dekusarizimit. Pas dekriminalizimit hajde të bëjmë bashkë pa ju detyruar kush, si tek dekriminalizimi, hajde ta bëjmë dhe dekusarizimin që, Koçot, Beqajt dhe kush me vetëdije, vjedhin paratë e shqiptarëve, të mos kenë të drejtën të rikthehen në Parlament apo edhe në qeveri.

KLD dënon ashpër sulmin e Veliajt ndaj gjyqtarëve

Këshilli i Lartë i Drejtësisë dënon çdo formë presioni, që kryetari i Bashkisë Tiranë dhe një grup politikanësh, ushtruan, më datë 11 maj 2016, ndaj Gjykatës së Apelit Administrativ, lidhur me një çështje gjyqësore, e cila është ende në gjykim. Për Këshillin e Lartë të Drejtësisë, këto akte dhe veprime të pamenduara si duhet, sjellin destabilizim të parikuperueshëm, për sistemin gjyqësor, pasi çdo palë ndërgjyqëse në një proces do t’i perceptojë si të drejtë të tij, kundërshtimin me protesta dhe presione politike vendimet që jepen nga gjykatat, në emër të Republikës së Shqipërisë. Veprimet e kryera ishin një presion i hapur ndaj gjyqtarëve dhe një kërcënim i pavarësisë së gjykatave.
Në protestën e tyre, kryetari i Bashkisë Tiranë dhe eksponentë të tjerë politikë, përdorën terma poshtërues për gjykatat dhe gjyqtarët që prej vitesh japin drejtësi, duke pasur si qëllim, ndërhyrjen e drejtpërdrejtë në veprimtarinë e pushtetit gjyqësor, ç’ka mund të sjellë veçse demotivim dhe nënshtrim të sistemit të drejtësisë. Pengimi përmes protestave, i funksionimit normal të veprimtarisë së Gjykatës Administrative të Apelit për disa orë, ndikon negativisht, në mënyrë të padrejtë, në imazhin e gjykatës dhe ul besimin e publikut në sistemin e drejtësisë.
Në një shtet demokratik, çdo drejtues institucioni dhe eksponent politik, nuk do ta çonte nëpër mend, të organizohej në atë mënyrë për të cenuar apo kërcënuar gjyqtarët në përmbushjen e detyrave të tyre kushtetuese. Etiketimi i gjyqtarëve si “të duhur” apo “të paduhur” gjatë ushtrimit të detyrës nga palët ndërgjyqëse është i papranueshëm dhe i patolerueshëm. Si kurdoherë, Këshilli i Lartë i Drejtësisë, kërkon nga trupa gjyqësore të vijojë veprimtarinë e saj, duke garantuar funksionimin e shtetit të së drejtës, sigurisht, nëpërmjet rolit të pazëvendësueshëm dhe unik të sistemit gjyqësor, duke patur në fokus të punës, respektimin e procesit të drejtë gjyqësor, duke tentuar rritjen dhe cilësinë e veprimtarisë së saj gjyqësore, si dhe duke garantuar transparencë dhe përgjegjshmëri maksimale në përmbushjen e detyrave.
Sot Këshilli i Lartë i Drejtësisë garanton trupën gjyqësore, si dhe çdo qytetar, subjekt privat apo autoritet shtetëror se është i vendosur të vazhdojë përpjekjet e tij për konsolidimin e pavarësisë së sistemit të drejtësisë edhe ndaj ndërhyrjeve politike, si dhe mirëpret çdo sugjerim për përmirësimin e standardeve të tij përmes zgjidhjeve konkrete.
Edhe Unioni i Gjyqtarëve të Shqipërisë ka reaguar lidhur me protestën e organizuar nga Bashkia e Tiranës para Gjykatës së Apelit Administrativ kundër ndërtimit të pallatit 17 katësh tek diga e liqenit Artificial. Përmes një njoftimi për mediat, Bordi i këtij Unioni ngre shqetësimin për ushtrimin e trysnisë ndaj gjithë trupës gjyqësore të Gjykatës Administrative të Apelit lidhur me çështje konkrete, të cilat janë ende në gjykim. Unioni i Gjyqtarëve të Shqipërisë thotë se ushtrimi në këto përmasa i trysnisë ndaj gjykatës, nga palë ndërgjyqëse, qofshin këto edhe institucione shtetërore është i paprecedentë.
“Në datën 11.05.2016 përpara godinës ku ushtron veprimtarinë e saj Gjykata Administrative e Apelit, u mbajt një protestë e cila filloi në orën 10:30 dhe zgjati deri në orën 13:15. Nga mediat kemi ardhur në dijeni se protestën e ka thirrur dhe organizuar Kryetari i Bashkisë Tiranë Z.Erion Veliaj. Duke respektuar të drejtën e protestës së gjithkujt, në format dhe mënyrat që parashikon ligji, ngremë shqetësimin tonë në lidhje me ushtrimin e trysnisë ndaj gjithë trupës gjyqësore të Gjykatës Administrative të Apelit lidhur me çështje konkrete, të cilat janë ende në gjykim”.

Disa vende të BE-së do të vazhdojnë kontrollet kufitare

Kontrollet e kufijve mes disa vendeve anëtare të Bashkimit Evropian do të lejohen të vazhdojnë për gjashtë muaj, ndërsa këto vende vazhdojnë të përballen me fluksin masiv të refugjatëve dhe azilkërkuesve.
Këshilli Evropian vendosi sot që Austria, Gjermania, Danimarka, Suedia dhe Norvegjia të lejohen të vazhdojnë kontrollet për gjashtë muaj. Vendimi hyn në fuqi menjëherë.
Pesë vendeve do t’u kërkohet që të konsultohen me vendet fqinjë, kufijtë e të cilëve do të ndikohen, nga ky vendim, për t’u siguruar që kontrollet të zbatohen vetëm aty ku është “e nevojshme dhe në mënyrë të matur”.

Zgjedhjet e 5 qershorit në Maqedoni në pikëpyetje

Në Maqedoni u mbyll afati për dorëzimin e listave të kanditatëve për deputetë në zgjedhjet e 5 qershorit dhe vetëm partia VMRO-DPMNE i dorëzoi emrat e kandidatëve në Komisionin Shtetëror të Zgjedhjeve.
Tri partitë e tjera më të mëdha: Lidhja Social Demokrate, Bashkimi Demokratik për Integrim dhe Partia Demokratike Shqiptare nuk i dorëzuan emrat e kandidatëve.
Sipas ekspertëve, zgjedhjet pritet të shtyhen, por edhe nëse Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve, vendos t’i organizojë ato më 5 qershor, ata nuk presin që të arrihet shkalla e nevojshme prej 40 për qind e pjesëmarrjes, që zgjedhjet të quhen të vlefshme.
Nga ana tjetër, procesi i vështirë se do të pranohej nga organizatat ndërkombëtare, duke qenë se tri partitë më të mëdha do ta bojkotonin atë.
Komuniteti ndërkombëtar, përmes diplomatëve të Shkup është përpjekur të bindë autoritetet maqedonase që të krijojnë kushte për mbajtjen e zgjedhjeve, duke bërë me dije se standardet e jo data, kanë rëndësi për zgjedhje demokratike, të ndershme dhe të pranueshme.
Bashkimi Demokratik për Integrim, një parti në koalicionin qeverisës, vendosi të mos marrë pjesë në zgjedhjet e planifikuara për muajin që vjen, për shkak të mungesës së konsensusit me partitë kryesore mbi kushtet dhe datën, duke e lënë të vetëm në këtë sfidë partneren e koalicionit qeveritar, VMRO-DPMNE.
Zgjedhjet e parakohshme parlamentare u panë si zgjidhje për krizën politike në Maqedoni, të shkaktuar nga skandali i përgjimeve dhe marrëveshja për to u arrit me ndërmjetësinë e Bashkimit Evropian.
Së shpejti në Shkup pritet të shkojë diplomati gjerman Johanes Heindl për të ndërmjetësuar në ngërçin politik.

Sistemi i mbrojtjes nga raketat në Evropë, funksional

Shtetet e Bashkuara e shpallën sot zyrtarisht si funksional sistemin e tyre evropian të mbrojtjes nga raketat, pothuajse një dekadë pasi Uashingtoni propozoi vendosjen e një baze në Evropë për mbrojtjen kundër raketave balistike të Iranit. Ky sistem është vendosur në bazën ajrore Deveselu në Rumani:
Shtetet e Bashkuara thanë se, duke filluar që sot, ka hyrë në funksionim sistemi 800 milionë dollarësh për mbrojtjen nga raketat. Ky sistem synon mbrojtjen e Shteteve të Bashkuara dhe të Europës nga të ashtuquajturat “shtete të papërgjegjshme”. Por Kremlini thotë se ky progam drejtohet kundër Rusisë.
Nën tingujt e bandës ushtarake, zyrtarë të lartë amerikanë dhe të NATO-s përuruan fillimin e operacioneve në qendrën e mbrojtjes nga raketat balistike në bazën ajrore Deveselu të Rumanisë. Nga kjo bazë mund të rrëzohen raketat e hedhura nga vende si Irani, për të cilat Uashingtoni thotë se mund të arrijnë deri në qytetet kryesore europiane.
“Për sa kohë që Irani të vazhdojë të ndërtojë dhe dislokojë raketa balistike, Shtetet e Bashkuara do të bashkëpunojnë me aleatët e tyre për të mbrojtur vendet e NATO-s”, tha nënsekretari amerikan i Mbrojtjes, Robert Work.
Megjithë planet e Uashingtonit për të vazhduar modernizimin e sistemit të mbrojtes nga raketat, nënsekretari Work tha se ky sistem nuk drejtohet kundër Rusisë.
“Nuk ka fare plane për ta bërë këtë”, tha ai në konferencën e shtypit.
Rusia është zemëruar nga kjo shfaqje e forcës nga rivali i saj i periudhës së Luftës së Ftohtë në vendet dikur komuniste të Europës Lindore.
Zyra e presidentit rus Valdimir Putin tha se, Moska ka dyshime për qëllimin që ka deklaruar NATO për t’i mbrojtur vendet anëtare nga raketat iraniane, pas marrëveshjes historike bërthamore me Teheranin dhe me fuqitë botërore vitin e kaluar. “Situata me Iranin ka ndryshuar tani së tepërmi”,  tha zëdhënësi i zotit Putin, Dmitry Peskov.
Kur të përfundojë, sistemi i mbrojtjes nga raketat ai do të shtrihet nga Groenlanda, deri në ishujt Azore. Të premten, Shtetet e Bashkuara do të fillojnë punime në një tjetër qendër, e cila do të jetë e fundit, në Poloni. Ajo është në plan të përfundojë nga fundi i vitit 2018 dhe kjo do të shënojë përfundimin e linjës së mbrojtjes të propozuar thuajse një dekadë më parë.
Sistemi i plotë i mbrojtjes nga raketat përfshin dislokimin e anijeve dhe radarëve në mbarë Europën. Ai do t’i jepet në dorëzim NATO-s në korrik, nën komandën dhe kontrollin e drejtuar nga një bazë ajrore amerikane në Gjermani.

Kerry: Korrupsioni, armik i paqes globale

Korrupsioni është armik i paqes globale, shprehet Sekretari amerikan i Shtetit, John Kerry. Shefi i diplomacisë amerikane i bëri komentet sot në një takim të nivelit të lartë në Londër, të organizuar me nismë të kryeministrit britanik David Cameron për të diskutuar rrugët për të luftuar korrupsionin dhe evazionin fiskal:
Sekretari i Shtetit John Kerry tha se, korrupsioni në botë nuk është thjesht një problem ekonomik, por edhe një kërcënim për paqen, ashtu si grupet ekstremiste.
“Është fakt se, korrupsioni është po aq kërcënues, pasi shkatërron shtetet, ashtu si edhe ekstremistët me të cilët luftojmë, ose sfidat e tjera me të cilat ballafaqohemi. Ka njerëz që mund të thonë këto deklarata janë ekzagjerime. Por korrupsioni zhbën fibrat lidhëse të shoqërisë”.
Pikërisht zhgënjimi me punën e qeverive dhe udhëheqësve të korruptuar po ushqen radhët e grupeve ekstremiste, tha zoti Kerry:
“Ekstremizmi që shohim sot në botë, në një masë jo të vogël është pasqyrim i mungesës së shpresës që ndjejnë njerëzit nga sisteme të manipuluara. Ky revoltim dëshmohet gjatë zgjedhjeve në mbarë botën, përfshirë vendin tonë. Njerëzit janë të zemëruar dhe ky zemërim do të shtohet, nëse nuk i mbyllim portën korrupsionit për t’u treguar njerëzve se ka drejtësi në sistem”.
Zoti Kerry është ftuar nga Kryeministri britanik David Cameron për të bashkë-drejtuar takimin për format e luftës kundër korrupsionit. Në hapje të takimit sot në Londër, kryeministri Cameron u zotua sot të krijojë një regjistër publik që ofron transparencë për të gjithë ata që zotërojnë prona të patundshme në Londër, në përpjekje për të mos lejuar pastrim parash në tregun imobiliar të kryeqytetit britanik.
“Arsyeja përse i kushtojmë kaq rëndësi kësaj teme është sepse besoj që korrupsioni është kanceri në zemër të shumë problemeve që duhet të zgjidhim sot në botë”.
Zoti Cameron e veçoi luftën kundër korrupsionit, përfshirë edhe evazionin fiskal, si politika qendrore në axhendën që parashtroi gjatë takimit të G-8 në Londër në 2013.
Takimi zhvillohet, pasi Dokumentet e Panamasë nxorën një numër emrash nga radhët e elitës politike dhe të biznesit në Britani ndër ata që shfrytëzonin parajsat fiskale për t’u shpëtuar taksave. Kryeministri britanik thotë se, regjistri i ri synon të nxjerrë emrat e atyre që fshihen pas kompanive fantazmë dhe që kanë derdhur miliona dollarë para të pista në tregun e banesave në Londër.
Takimi u trondit që në fillim të tij nga komentet e zotit Cameron, të regjistruara nga kamera, kur ai nuk e kishte mendjen. Në to kryeministri britanik i përshkruan Nigerinë dhe Afganistanin, të dyja të pranishme në takim, si “nën korrupsion fantastik”. Më pas, zoti Cameron tha se, megjithë problemet, udhëheqësit nga të dyja vendet po punojnë për ta luftuar këtë fenomen.

Hasi, akord me Trabzonspor

Besnik Hasi duket se ka arritur një akord me skuadrën turke të Trabzonspor. Lajmi është dhënë nga mediat turke, të cilat këmbëngulin se trajneri shqiptar do të jetë në stolin e kësaj skuadre nga sezoni i ardhshëm. Sipas mediave, zyrtarët e skuadrës që renditet e 11 në klasifikim kanë kontaktuar me agjentin e Hasit, por jo edhe me trajnerin personalisht, pasi tekniku gjakovar dëshiron të jetë i përqendruar në kampionat.
Mirëpo, mediat belge emrin e Hasit e kanë lidhur edhe me kombëtaren shqiptare, si njeriu që do të pasojë De Biasin në rast largimi. Pikërisht, pavendosmëria e Hasit, që besohet se në rast oferte nga FSHF do ta pranonte menjëherë, ka bërë që Trabzonspor të ketë një emër rezervë dhe ai është i trajnerit turk Ersun Yanal.
Ndërkohë, në një intervistë për “Voetbalmagazine”, menaxheri i skuadrës së Anderleht, Herman Van Holsbeeck, duke vlerësuar lart Besnik Hasin ka thënë se, klubi dëshiron që ai të qëndrojë. “Mendoj se Hasi ka të gjitha cilësitë për ta quajtur trajner i madh. Ka qenë një sezon i vështirë për të, por kjo ka bërë që ai të rritet shumë, pasi njeriu mëson kur është në vështirësi. Mundet që Hasi të qëndrojë? Kjo do të ishte idealja”, deklaroi Van Holsbeeck.