19.3 C
Tirana
E enjte, 15 Maj, 2025

Shqipëria, vendi më i rrezikuar nga niveli i lartë i borxhit

Raporti global mbi borxhet që u publikua së fundmi nga dy organizatat gjermane Misereor dhe Erlassjahr.de ka shkaktuar diskutime në radhët e ekspertëve dhe analistëve shqiptarë të ekonomisë. Panaroma e raportit ishte e zymtë, duke vlerësuar edhe se borxhet shtetërore kundrejt donatorëve të jashtëm në vendet në zhvillim dhe ato në ekspansion janë në rritje prej vitesh dhe kanë arritur, ndërkohë një shumë të përgjithshme prej rreth 5,4 bilionë dollarë, rritje e cila përshkruhet si pesë herë më e madhe se para 25 vjetësh.
Referuar raportit, 108 shtete konsiderohen si “me borxhe kritike”. Raste dramatike paraqiten në periferinë europiane si në Kroaci, Serbi, Ukrainë e Shqipëri. Këtyre u shtohen edhe vende si Gambia, Gana dhe Mauritania në Afrikë, India e Pakistani si dhe Libani e Jordania në Lindjen e Mesme.
Dr. Selami Xhepa, dekan i Fakultetit të Biznesit, në Institutin Kanadez të Teknologjisë thotë se, shqetësimi i ngritur në raportin e Misereor dhe Erlassjahr.de është i njohur dhe diskutuar prej kohësh në ambientet e brendshme akademike dhe kërkimore, duke e konsideruar atë si një nga rreziqet serioze me të cilat vendi mund të përballet në të ardhmen. Sipas tij, një arsye është se edhe në nivelet më modeste te borxhit publik, nën 60% të PBB-së, kostoja e shërbimit të borxhit ka qendruar në nivele 3.4-3.8% të PBB-së, një shumë kjo e konsiderueshme, pothuaj sa 60% e totalit të investimeve publike të vendit.
“Duke qenë se, pesha e borxhit aktualisht e ka kaluar 72% të PBB-së; kushtet e financimit të borxhit janë kushtet e tregut, në dallim nga kushtet e borxhit të trashëguar nga fillimi i tranzicionit që ishte borxh jotregtar; struktura e borxhit është zhvendosur drejt borxhit të huaj në sajë të huamarrjes së shtuar në tregjet e huaja kapitale, duke shtuar përveç normës së interesit edhe rrezikun e kursit të këmbimit – pra, të gjithë këto faktorë e rëndojnë edhe më shumë problematikën e menaxhimit të borxhit publik në të ardhmen. Për këtë arsye, prej kohësh ekspertë vendas i kanë kërkuar dhe rekomanduar qeverisë që të vendosë rregulla strikte në kufirin e borxhit publik dhe të kryejë rregullime institucionale për të kufizuar diskrecionin e qeverisë”, thotë për “Deutsche Welle”-n Dr. Xhepa.
Ai kujton se FMN-ja e ka ngritur gjithashtu këtë problem, por deri më tani nuk ka pasur një adresim konkret të tij. Programi trevjeçar i ardhshëm i qeverisë ka vendosur disa objektiva që e vënë huamarrjen publike në trajektoren rënëse të tij, por sërish mendoj se rregullimet institucionale duhet të jenë më të forta dhe më angazhuese për të penguar shkeljen e tyre nga autoritetet, vëren eksperti Xhepa.

Borxh i ri për të shlyer borxhin e vjetër

Për drejtorin e Qendrës Shqiptare për Kërkime Ekonomike, Dr. Zef Preçi, problem për borxhin publik të Shqipërisë nuk është vetëm niveli i lartë i tij, gjë që vijon të mbetet një kërcënim në vijimësi për ekonominë vendase. Në një bisedë me “Deutsche Welle”-n ai shprehet se po kaq problem mbetet edhe mungesa e vizionit të qeverisë në ndërmarrjen e politikave publike pro zhvillimit dhe rritjes ekonomike, pro rritjes së prodhimit vendas, pro eksportit. Vendi ka tre vjet në stanjacion dhe janë të gjitha gjasat që kjo situatë të vazhdojë edhe për dy-tri vitet e ardhshme, thotë Dr. Preçi.
“Ndërkohë qeveria aktuale e ka konsumuar mekanizmin e njohur të marrjes së borxhit të ri për të shlyer borxhin e vjetër, ndërsa huatë bankare me kushte favorizuese të siguruara nga Banka Botërore po ndeshen me kapacitetet e kufizuara absorbuese të ekonomisë dhe mungesën e ekspertizës në administratën publike, si dhe për fat të keq, një pjesë e këtyre huave nuk po përdoren për investime në konceptin klasik të kësaj fjale, por për punime në infrastrukturën publike si qendrat e qyteteve, etj., të cilat nuk kanë asnjë lidhje as me nevojën e ngutshme për të krijuar vende të reja pune, e aq më pak me rritjen e aftësisë ripaguese të ekonomisë në tërësi. Për më tepër, që edhe raportimet në lidhje me borxhin publik të marrë në bankat e vendit nuk përfshijnë shuma të mëdha borxhesh pa garanci sovrane të qeverisë të disa shoqërive publike-kryesisht utilitetet publike, si ujësjellësat, sektori i prodhimit dhe transmetimit të energjisë elektrike, etj., gjë që do të thotë se niveli real i borxhit është dukshëm më i lartë nga të dhënat e raportuara zyrtarisht nga qeveria në Parlament”.
Në këtë këndvështrim, sipas Dr. Preçit, fantazma e krizës greke të lidhur me keqmenaxhimin e borxhit publik, qendron si “Shpata e Damokelut” mbi ekonominë e brishtë shqiptare.
“Struktura e ekonomisë shqiptare, me eksporte të bazuara kryesisht në lëndët e para të papërpunuara, tipike për vendet koloniale, nuk premton një rimëkëmbje të shpejtë p.sh., një rritje ekonomike mbi 6% që të mund të zbusë papunësinë e lartë ndër të rinjtë dhe sidomos pjesën më të shkolluar të tyre. Për rrjedhojë qytetarët po humbasin shpresën dhe janë shtuar tentativat e shumë familjeve për të braktisur përgjithmonë vendin”. Në analizën e tij për “Deutsche Welle”-n, drejtori i Qendrës Shqiptare për Kërkime Ekonimike, Dr. Zef Preçi, përmend edhe faktin se përveç familjeve në kushtet e varfërisë ekstreme, vihet re një rritje e largimeve drejt BE-së dhe posaçërisht drejt Gjermanisë edhe e familjeve që disponojnë një minimum kursimesh apo mundësish për të jetuar në Shqipëri. “E kjo humbje e shpresës së qytetarëve shqiptarë për një jetesë më të mirë brenda vendit e vështirëson edhe më shumë mundësinë e ripagimit të borxhit publik në dekadat që vijnë”.

Reformat, rruga e vetme për konsolidimin e ekonomisë

Inxhinieri Kolë Gjoka ka dy dekada që jeton dhe punon në Gjermani dhe prej kohësh është përfaqësues i Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë së Tiranës në Hamburg dhe Schleswig-Holstein. Pasi u njoh me raportin e publikuar së fundmi nga Misereor dhe Erlassjahr.de ai shprehet se kriza ekonomike disa vende i ka gjetur të papërgatitura dhe më shqetësuese akoma kur disa prej këtyre qeverive nuk kanë ende të përpiluar ndonjë strategji të qartë dhe afatgjatë për të dalë nga kriza. Kjo i shtyn ato drejt marrjes së borxheve, e cila është relativisht e lehtë, por shlyerja e tyre shumë e vështirë dhe kështu këto ekonomi futen në vorbullën e “ciklonit” krizë, thotë Gjoka për “Deustche Welle”-n.
“Një nga çështjet e diskutueshme, sipas mendimit tim është arsyeja e marrjes së borxheve për të paguar administratën apo për investime direkte. Edhe afrimi i investitorëve potencialë në një vend me përqindje të lartë borxhi është shumë i vështirë. Në vështrimin tim, bashkëfajtor të kësaj gjendjeje janë edhe FMN-ja, Banka Qendrore Europiane dhe donatorët e tjerë. Vendet me një ekonomi të brishtë janë shumë të pambrojtura përballë politikave financiare të viteve të fundit të ndjekura nga Banka Qendrore Europiane. Asistenca e kësaj banke duhet të jetë në një standard tjetër”.
Rruga e vetme për konsolidimin e ekonomisë, sipas Gjokës, janë reformat e shpejta, të cilat i japin frymëmarrje sipërmarrjes. “Por këto reforma duhen bërë në bashkëpunim me biznesin dhe me përfaqësuesit e tij, siç janë Dhomat e Tregtisë dhe Industrisë”.

Indeksi i Shoqatës së Investitorëve: Përkeqësohet ndjeshëm klima e biznesit

Indeksi i Klimës së Biznesit, një publikim i Shoqatës së Investitorëve të Huaj (FIAA) ka shënuar rënie radhazi për 4 tremujorët e vitit të shkuar. Ndër elementët të cilët janë perceptuar si faktorë me impakt negativ në klimën e biznesit gjatë të 4 tre-mujorëve të vitit 2015 janë: Zbatimi i ligjit, efektiviteti i gjyqësorit, Ndryshueshmeria e Legjislacioni dhe atij tatimor ne vecanti, stabiliteti i tij (kompleks dhe i ndryeshueshem, shpesh i pakuptueshem si dhe me veshtiresi ne zbatim), Prania e burokracisë  dhe e korrupsionit në institucionet publike, Prania e konkurrencës së pandershme. Ndërkohë që faktorë të tjerë si legjislacioni i punës, rregulloret që lidhen me licencat dhe certifikimet, infrastruktura dhe aksesi në financë jane perceptuar si pozitive nga ky grup kompanish. Një element tjetër i marrë në studim është Monitorimi i Klimës së Biznesit në vend nëpërmjet impaktit të ligjeve dhe rregulloreve ekonomike e sociale të miratuara nga parlamenti me ndikim në kushtet e të bërit biznes gjate vitit 2015. Disa nga Ligjet e kaluara gjatë periudhës në studim të cilat janë perceptuar me impakt negative nga biznesi ishin: Paketa Fiskale 2015, Ligji i ri për Taksën mbi Vlerën e Shtuar, Ligji mbi të Ardhurat, Projekt Ligji i ri për Procedurat Tatimore në Shqipëri, Ndërkohë që janë parë me perceptim pozitiv ligjet e mëposhtme:
Ligji për Investimet Strategjike
Ligji për Turizmin në Shqipëri
Ligji mbi Procedurat Tatimore
Ligjin për Partneritetin Publik Privat në Shqipëri
Udhëzimi i ri për Ligjin e Transferimit të Çmimit në Shqipëri
Studimi u pergatit ne kuader te projektit “Përmirësimi i Mjedisit të Biznesit në Shqipëri” i cili financohet nga Ndihma Zyrtare e Republikës Sllovake dhe zbatohet nga Aleanca e Biznesit të Sllovakisë (PAS) në bashkëpunim me Shoqatën e Investitorëve të Huaj në Shqipëri- FIAA. Ky projekt ka për qëllim të përmirësojë mjedisin e biznesit në Shqipëri, si një element kyç për rritjen e zhvillimit ekonomik të Shqipërisë dhe zvogëlimin e varfërisë së saj.

Berisha, thirrje shqiptarëve: Ligj për armatosjen e vetmbrojtjen

Ish-Kryeministri Berisha u ka bërë thirrje nga Parlamenti, shqiptarëve që të armatosen me të gjitha mënyrat sepse qeveria është kthyer në një organizatë kriminale që po i terrorizon për ditë. Berisha ka paralajmëruar Ramën dhe bandën në qeveri se në rast se do të vazhdojnë të terrorizojnë qytetarët dhe opozitën do të gejnë vrimë ku të futen. Berisha ka bërë thirrje për miratimin e ligjit që lejon qytetarët të armatosen për vetmbrojtje duke marrë si shembull Shtetet e Bashkuara.

Universiteti u çlirua, në rradhë qeveria e media

Arben SHAHINI

Universiteti i Tiranës i shpëtoi dje kriminalizimit, pasi kandidatja e Ramës dhe e Shullazit u ndëshkua në mënyrën më të ashpër nga trupa e studentëve dhe e pedagogëve që nuk e lanë këtë vatër të dijes në duart e mafias. Zgjedhjet ia dolën të shpëtojnë Universitetin e Tiranës nga pushtimi i pushtetit të krimit, duke shërbyer edhe si një udhërrëfyes për mënyrën sesi do të mund të shpëtohet Shqipëria nga sundimi i oligarkëve të krimit dhe të korrupsionit.
Me Shullazin në skenë, zgjedhjet për rektorin e Universitetit të Tiranës u shndërruan në një garë të elitës akademike me pushtetin kriminal të Edi Ramës, pushtet që rezultoi më i pavotuari nga studentët dhe pedagogët e kryeqytetit. Niveli i mbështetjes së auditoreve për Partinë Socialiste nuk ka qenë në këto nivele kaq të ulëta as në vitet e para të pluralizimit politik në Shqipëri, kur antikomunizmi ishte frymë kombëtare.
Rama, Shullazi dhe Dibra me metodat e tyre mafioze dhe korruptive provuan se, shqiptarët jo vetëm refuzojnë të nënshtrohen para tyre, por zgjedhjet i shohin si shpresë për të ndëshkuar mafian në pushtet. Mbrojtja e Universitetit të Tiranës është një provë se krimi në burg, pushteti nën thundrën e ligjit dhe një demokraci funksionale janë kushte për të patur institucione të pavarura, drejtues legjitimë dhe qytetarë të lirë që ushtrojnë të drejtat e tyre kushtetuese.
Çlirimi i Universitetit të Tiranës ndodhi me arrestimin e Emiljano Shullazit, të dërguarit të Ramës për të vënë nën tutelë një universitet, që nuk i bën fresk regjimit. Zgjedhjet u bënë të mundura, pasi skema e Ramës për të zgjedhur fanatiken e partisë së tij duke përdorur Shullazin dështoi, kur Prokuroria dhe SHISH goditën bandën e kryeministrit, që ka vrarë dhe kryer një sërë krimesh për llogari të Ramës dhe pushtetit mafioz që ai ka instaluar në këtë vend.
Largimi i Shullazit nga Universiteti i Tiranës i dha liri studentëve dhe pedagogëve që të zgjedhin drejtuesit e tyre dhe të mbrojnë pavarësinë nga pushteti që funksionon me forcën e bandave. Largimi i Ramës, Tahirit dhe oligarkëve të tjerë do t’i japë lirinë e nevojshme edhe Partisë Socialiste, që socialistët të mund të zgjedhin lirisht drejtuesit e tyre dhe të mos shkojnë nëpër skemat korruptive të me nder me thënë “rilindjes”. Kjo liri është jetike për socialistët, që kanë shtatë vite që nuk zgjedhin as kryetar dhe forume, dhe janë detyruar të pranojnë të përfaqësohen nga listat personale të Ramës, edhe kur mbushen me vrasës, trafikantë dhe budallenj.
Arrestimi i Shullazit dhe shembulli i çlirimit të Universitetit të Tiranës do të jetë një model i mirë për të çliruar edhe qeverinë median. Ishte për të ulëritur kur konstatoje se shumë gazeta, televizione dhe analistë ose heshtën, ose morën në mbrojtje Shullazin, Ramën, Tahirin dhe Dibrën.
Ndërsa Universiteti u clirua nga arrestimi i Shullazit, qeveria, PS dhe mediat do të clirohen ditën kur do të largohen tutorët e Shullazit, Rama dhe Tahiri.
Departamenti Amerikan i Shtetit në raportin e fundit shprehej qartë se mediat janë të kontrolluara nga qeveria dhe organizatat kriminale. Janë shumë media që punojnë për qeverinë dhe pronarët e tyre janë klientë të kryeministrit, por një gazetë që njihet si gazeta e Ramës është e kontrolluar drejtpërdrejt nga siamezët e Shullazit. Disa krime të Shullazit, si grabitje pronash janë kryer sëbashku me organizatën kriminale që ndan paratë dhe editorialin e gazetës me Ramën. Kjo organizatë kriminale është gjithashtu nën hetime, sikurse është edhe vetë Rama dhe kupola e oligarkëve të mafias në pushtet.
Çlirimi i Universitetit të Tiranës nga përpjekjet e pushtetit të Ramës dhe bandave të Shullazit për ta vënë nën kontroll është një shpresë se edhe qeveria, edhe media do të çlirohen së shpejti. Shullazi do të mbetet në burg, pasi hotel “Vollgën” në Durrës dhe 100 prona të tjera që i ka vënë duke vrarë dhe shantazhuar biznesmenë, nuk i garantojnë dënim më të lehtë.
Edhe Rama nuk do ta ketë të lehtë, kur t’i duhet të japë shpjegime për milionat që ka transferuar në parajsat fiskale, për sarajet e Surrelit, për sarajet në qendër të Tiranës dhe në mbarë vendin. Largimi i tij do të jetë një çlirim për politikën. Goditja e afërt e organizatave kriminale që kontrollojnë gazeta, apo televizione do të jetë çlirimi për median, pavarësisht se skalionet e shpifësve të propagandës së vjetër sigurimse e komuniste do të mbesin pa punë dhe do të refuzohen përjetësisht nga shqiptarët, kur të mësojnë se kush i paguante dhe i kontrollonte për të mbetur qelbësira.

Emiliano

Reltar DEDAJ

Ka diçka që s’bind në arrestimin e një prej emrave më të përfolur të botës së krimit në Shqipëri, Emiliano Shullazi. Është një fshehtësi e thellë, e pazbulueshme. Sepse ai, për t’u ngritur deri në majë të suksesit, tek kapo, iu desh të kalojë të gjitha etapat e njeriut që gjakoset. Por edhe nga aty beteja e tij nuk ka mbaruar; Shullazi për të qenë i besueshëm e di mjaft mirë se çfarë duhet për të bërë, ndaj dhe heshtja e tij na duket e njohur, ndaj e ndjejmë porsi të ishte e jona, ndaj dhe trembemi, sepse është diçka më tepër se e thjeshtë, diçka shumë përtej kësaj.
Shullazi nuk është një emër dosido, mish dhe gjak, pikërisht për këtë arsye, misteri i tij nuk mund të jetë vetëm i një force politike të caktuar; është shumë më tepër se kaq; te çdo njeri i përkulur, te çdo kundërshtar i socialistëve, te çdo individ që priste një të ardhme të ndritur, te çdo njeri i rastësishëm pëlcet lufta midis njeriut dhe pushtetit; e, njëherazi, zë fill dëshira për pajtim.
Ai nuk është asgjë tjetër veçse simbiozë e gjithë kësaj.
Në historinë e tij, të mbushur me shantazhe, kërcënime dhe presione, ajo që bën përshtypje është diçka që media e ka lënë të shurdhër.
Në tre vitet e fundit, Emiliano Shullazi ka regjistruar mbi 100 prona në emrin e tij. Si ka mundësi që Drejtoria e Parandalimit të Pastrimit të Parave nuk e ka verifikuar dhe as kontrolluar këtë njeri se nga kush dhe në çfarë mënyrë e mori gjithë këtë pasuri?!
Dhe mbi të gjitha, kur rasti në fjalë tregon për një individ që asnjë person nuk i ka thënë qoftë edhe njëherë të vetme; “puna e mbarë ore zotri”. Pavarësisht, se në botën tonë mediatike ai identifikohet si një person me precedent penal dhe i akuzuar për vrasje, presione, grabitje dhe rrëmbime pronash.
Megjithatë, rasti i raportimit të lajmit për Emiliano Shullazin dhe shokët e tij është një rast i paprecedent për institucionet shqiptare, një izolim total i informacionit, asnjë plan i saktë i fytyrës së tij, por veçse një kakofoni elementësh dhe detajesh që më tepër të ngatërrojnë se të sqarojnë mbi çështjen Shullazi.
Raportimi me nota romantike ku personazhi negativ i historisë stilizohet me elementë dhe detaje heroike si të tipit, lërini djemtë të qetë, unë jam Emiliano Shullazi dhe ju keni punë me mua, apo raportimi i të dashurës së tij, fytyra njerëzore e një krimineli, apo edhe ushtarët me tatuazhe, armë dhe makina luksi tregojnë, as më pak dhe as më shumë, një ngjarje, e cila kërkon të mbulohet me elementë anësorë dhe krejt të parëndësishëm për vetë rëndësinë e çështjes që duhet të ketë.
Emiliano Shullazi po trajtohet nga media dhe institucionet e shtetit si një humbës, por një humbje e një lloji të veçantë, e një race tjetër.
Ky është realiteti. Humbja, si e tillë, është shumë joshëse. Pjesa më e madhe e njerëzve, krahas prekjes, rezervojnë një ekzaltim të pashembullt ndaj humbësit. Historia këtë ka treguar gjithmonë. Heronjtë tanë ishin humbës, Tony Montana ishte një humbës, Al Capone ishte një humbës. Është e mërzitshme të ekzaltohesh ndaj fitimtarëve. Humbësit janë më tërheqës.
Është një realitet, ndonjëherë, më magjepsës sesa imagjinata.
Dhe, duke qenë i tillë, meqë është e vështirë të përcaktosh se çfarë është e vërtetë dhe e gënjeshtërt, rruga më e thjeshtë për të arritur te e vërteta është përmes analizës së falsiteteve.
Vetëm për këtë arsye, ndonëse ka shumë arsye të tjera, ne duhet t’i rezistojmë “metamorfozës” së Emiliano Shullazit, thjesht si historia e një njeriu që shndërrohet nga ai i thjeshti si gjithë të tjerët në një “hero”. E kur kjo ndodhi, fill; pas humbjes.
Gjithmonë, njerëzit janë dashuruar dhe vazhdojnë ende të dashurohen me humbësin. Atyre u ka interesuar qenia njerëzore në situata ekstreme, ai që po shkon të ekzekutohet, ai që kanë vjedhur, i braktisuri nga të gjithë, i mashtruari, pak a shumë, njeriu ndjek këshillën kristiane: Qëndro me ata që janë më keq se ty, sepse mjeku nuk rri me të shëndoshin, çfarë i duhet? Ndërsa i lumturi qëndron në lumturinë e tij, i pashqetësuar.
Ky është njeriu.
Nuk është aspak ndryshe as letërsia. Ajo që shpreh më bukur se askush tjetër ndjenjat e fshehura të kësaj bote, gjithmonë është magjepsur nga humbësit. Dostojevski shkruante për humbësit, Franc Kafka shkruante për humbësit, personazhi kryesor i Iliadës, Hektori, ishte një humbës, zonja Bovari është humbëse. Kënaqësia e të shprehurit ka arritur kulmin kur është shkruar për humbësit.
Si e tillë, humbja nuk shkakton turp. Ajo ka rrëmbyer dhe vazhdon të rrëmbejë turma të mëdha admiruesish. Kështu ka qenë gjithmonë. Ne jetojmë në një kohë kur bota mund të rrotullohet plotësisht dhe krejt papritur, me 180 gradë, prandaj është e padobishme që të rrish e të spekulosh se si do të bëhet më vonë. Por, shumëçka na tregon se “heroi” i tanishëm nuk do të na shqetësojë më, p.sh, pas dy apo tre vitesh.
Sepse në këtë rrugë, nuk do ketë më vend për të…

Al Kapone, dekriminalizim i ministrit të Brendshëm

Dosja e krimeve të Shullazit dhe bandës së tij peshon shumë. Kërcënime, tjetërsim pronash, tritol, vrasje dhe lidhje me krerët e qeverisë. Al Kapone, ai që plot një muaj më parë ambasadori amerikan e konsideroi si të paprekshmin, tani i ka punët keq.
Ushtari i krimeve të Ramës dhe Tahirit është në burg, ndërsa detajet e para të aktivitetit kriminal kanë nisur të dalin. Bëhet fjalë për vrasje, tritol, trafik droge, kërcënime dhe gjoba të shumta. Biznesi ende ndjehet i trembur dhe e ka të vështirë të besojë që të gjenden prokurorë dhe gjykatës në këtë sistem që të mund të dënojnë kreun e krimit të organizuar në Shqipëri, sikurse e konsideroi dje ambasadori amerikan.
Dosja është e rëndë dhe në të pritet të dalin disa nga krimet më monstruoze të këtij baroni të krimit të organizuar, i cili vepronte nën mbrojtjen e plotë të Policisë dhe ministrit. Bëhet fjalë për vrasje dhe gjoba. Zhdukje si aksidentale të trashëgimtarëve të pronave, që pronat e tyre të tjetërsohen. Familjarë deputetësh të përfshirë në këto krime monstruoze dhe që me kontrollin që kanë në media përpiqen që të zhvlerësojnë sa më shumë këtë provë force të sistemit dhe të shoqërisë.
Kë do të marrë me vete Shullazi? Kjo është pyetja që mundon Tahirin dhe Ramën. Kjo pritet të shihet gjatë ditëve dhe javëve të ardhshme, por është fakt se pushteti ka rënë. Në fakt para drejtësisë nuk është Shullazi, por sozia e tij në krye të qeverisë.
Ky është gjyqi ndaj atij që e ngriti krimin gjatë këtyre tre viteve në sistem, që i zëvendësoi zyrat e shtetit me strofullat e kriminelëve më të rrezikshëm. Ky është gjyqi i Ramës dhe asaj perandorie që ai ka ngritur në këtë qeverisje. Nuk do të jetë e lehtë. Ky është vetëm fillimi. Emra të tjerë të krimit dhe politikës të përfshirë në krim do të dalin dhe nuk do të mund t’i shpëtojnë drejtësisë. Kjo është një luftë e shtetit ndaj krimit dhe në të cilën nëse do të kërkohet do të përfshihet edhe shoqëria. Ky vend nuk do të mund të mbetet më peng i një të çmenduri që mendonte se mund të përjetësonte pushtetin e tij përmes diktaturës së krimit.
Shqipëria ka nisur të çlirohet nga ky regjim kriminelësh. Dje ishte prova e parë e çlirimit të universiteteve nga kandidatura e Shullazit, tani në radhë që presin të çlirohen janë qeveria dhe mediat. Politika nuk mund të vazhdojë më të jetë një zgjatim i klaneve kriminale të pushtetit dhe as të jetë e nënshtruar ndaj tyre. Aksionet e krimit në politikë do të zhduken dhe kjo kërkon njerëz me kurajo në radhë të parë në radhët e njerëzve të sistemit të drejtësisë, të prokurorëve dhe të gjyqtarëve.
Koha kur Shullazi futej në zyrat e policisë duke rrahur policë, sepse kishin ndaluar miq të tij për vrasje duhet t’i jepet fund dhe hapi i parë për të shkuar drejt saj është dekriminalizimi i Ministrisë së Brendshme, e cila nis me largimin e Tahirit. Pa këtë dekriminalizim të Ministrisë së Brendshme është e kotë që të shpresohet se punën e policisë do të vijojnë ta bëjnë Prokuroria dhe Shërbimi Informativ. Peshku është qelbur nga koka dhe zgjidhja duhet të nisë nga protektori i krimit në Ministrinë e Brendshme.

SHBA përshëndet arrestimin e kapos të krimit të organizuar

Shtetet e Bashkuara përshëndetën dje arrestimin e shefit të krimit të organizuar, Emiljano Shullazi. Ambasadori amerikan tha se, përgëzon këto hapa pozitivë dhe pret që të vazhdojnë të hetohen në mënyrë të pavarur.
Ambasadori amerikan Donald Lu e vlerësoi si një hap pozitiv arrestimin e Emiljano Shullazit dhe tha se, pret që çështja të shkojë përpara në mënyrë serioze dhe të pavarur.  Gjykata e Krimeve të Rënda vendosi masën “arrest me burg” për Emiljano Shullazin dhe dy bashkëpunëtorët e tij, Gilmando Dani dhe Blerim Shullazi. Prokuroria ka ngritur ndaj tyre një seri akuzash të rënda, mes të cilave edhe kërcënime ndaj disa biznesmenëve. Por avokati i Shullazit i hodhi poshtë ato, duke pretenduar se ndaj klientit të tij nuk ka prova.
Disa muaj më parë, emri i Emiljano Shullazit u përmend nga ambasadori i Shteteve të Bashkuara në Tiranë Donald Lu, si shembulli i kriminelëve që lëvizin lirshëm në Shqipëri. Sot, ai foli sërish, ndërsa theksoi se gjatë vitit të fundit në Shqipëri janë vërejtur gjëra pozitive. “Janë arrestuar dhe hetuar gjykatës, prokurorë, deputetë, dhe një ish-ministër dhe tani një bos i dyshuar i krimit të organizuar, Emiljano Shullazi. Ne i mirëpresim këto hapa pozitivë dhe presim që këto raste do të ecin përpara në mënyrë serioze dhe të pavarur”, deklaroi ambasadori amerikan në një fjalë të shkurtër gjatë një takimi të Dhomës Amerikane të Tregtisë.
Sot për Shullazin ishte dita kur Gjykata do të duhej të shprehej për arrestimin e tij. Ai u shoqërua veçmas nga dy bashkëpunëtorët e tij, Gilmando Dani dhe Blerim Shullazi, kur nga Drejtoria e Policisë mjete të shumta u nisën drejt Gjykatës së Krimeve të Rënda, ku paradite, u zhvillua seanca për masën e sigurisë. Një numër i konsiderueshëm forcash policore kishin rrethuar ndërkohë godinën e Gjykatës. Gjatë seancës, mediat nuk u lejuan të ishin të pranishme, ndërkohë që mësohet se Shullazi përveç dhënies së gjeneraliteteve, ja ka besuar gjithçka avokatit të tij.
Ambasadori amerikan e cilësoi Reformën në Drejtësi si një rrugë të detyrueshme për politikën shqiptare. Por, duke folur në një forum ekonomik të rëndësishëm si Dhoma Amerikane e Tregtisë, Lu u shpreh se, kjo reformë do të ndihmojë biznesin, por dhe do të tërheqë investitorë të mëdhenj në Shqipëri.
“Një nga çështjet që kam diskutuar më shumë me ju është reforma dhe më keni thënë se, nëse do të keni një sistem të besueshëm drejtësie do të bëjë një ndryshim të madh në rritjen e bizneseve tuaja. Një reformë drejtësie do të tërheqë investitorët e mëdhenj, do të rrisë besueshmërinë e bizneseve”, theksoi Lu.
Ambasadori amerikan lëshoi thuajse një ultimatum ndaj politikanëve vendas kur, duke paralajmëruar miratimin e shpejtë të reformës në drejtësi, la të kuptohej se kjo do të vendoste vijën ndarëse mes së mirës dhe së keqes, edhe në politikë.
“Po jua them sinqerisht se jemi shumë pranë përfundimit të kësaj reforme. Liderët e partive duhet të influencojnë në përshpejtimin e Reformës në Drejtësi, sepse është e rëndësishme që të kemi politikanë që punojnë për popullin e tyre”, shtoi Lu.
Akuzat ndaj Shullazit janë mjaft të rënda që nga gjobëvënia, te kanosja për shkak të detyrës, shkatërrim prone me eksploziv, armëmbajtje pa leje, trafik droge e deri te organizim grupi të strukturuar kriminal. Gjykata mori parasysh kërkesën e Prokurorisë, duke vendosur masën e “arrestit me burg” paafat për të dhe dy bashkëpunëtorët e tij. Përveç rastit të Arjan Zakës, i cili ka bërë kallzim në Polici, duke rrëfyer se është kërcënuar nga Shullazi në mënyrë që të tërhiqet nga pronësia mbi një garazh nëntokësor me sipërfaqe mbi 1000 metra katrorë, Prokuroria deklaron se ka informacione se janë disa biznesmenë, të cilët mendohet të jenë shtrënguar me anë të kërcënimeve që t’i japin para Shullazit dhe grupit të tij. Por, gjatë ditës së djeshme disa prej tyre, përmes deklaratave të shpërndara në media mohuan të jenë kërcënuar apo kontaktuar prej Shullazit apo njerëzve të tij.

Deklaratat e Lu për të paprekshmit dhe Shullazin

Në nëntorin e vitit të kaluar, ambasadori amerikan lëshoi një nga deklaratat më të forta kundër kriminelëve, Froku dhe Shullazi. “Javën e kaluar pyeta se kush i trembet më shumë kësaj reforme. Thashë se shumë zyrtarë të qeverisë dhe gjyqësorit i tremben asaj. Personat e tjerë që duhet t’ia kenë frikën janë kriminelët, autorë të krimeve të rënda që ecin lirisht në rrugë çdo ditë. Persona si Arben Frroku, që vrau një shef policie, por që në mënyrë të mistershme u lejua të largohej nga vendi, derisa ishte në pritje të apelimit në gjykatë. Persona si trafikanti i dënuar për drogë, Emiljano Shullazi, që haptazi është akuzuar nga media për trafikim të vazhdueshëm të narkotikëve dhe vrasje, por nuk është çuar përpara drejtësisë. Dhe persona si Sokol Mjacaj, i cili u dënua për vrasjen e një djali 13-vjeçar, por që më herët u lirua në mënyrë të dyshimtë nga burgu dhe më pas vrau një çift çek. Këto janë llojet e personave që duhet të kenë frikë nga një sistem drejtësie efikas”, deklaroi ambasadori amerikan në tryezën e organizuar në Ministrinë e Drejtësisë.
Jo shumë kohë pas kësaj deklarate të bërë nga ambasadori amerikan, Prokuroria dhe Shërbimi Informativ kanë nisur punën për të mbërthyer atë që ambasadori amerikan Lu në muajin mars të këtij viti i konsideroi si të paprekshëm.
Deklarata e Lu bëhej me qëllim të miratimit të Byrosë së Hetimit. “Një njësi e pavarur hetimore për të luftuar korrupsionin dhe krimet e kryera nga zyrtarë të lartë. Ka një propozim që do të jetë pjesë e funksioneve të BKH sipas modeleve të FBI-së amerikane. Po pse duhet të besojnë shqiptarët që këta policë duhet të jenë përtej ndikimeve të korrupsionit. Sepse SHBA do të investojë. Kemi vënë mënjanë miliona dollarë për të trajnuar policët. Trajnimi i tyre do të bëhet nga FBI. Një agjent i FBI do të vendoset në Tiranë”, tha ambasadori.
Më tej ai tregoi një episod me filmin “Të paprekshmit”.
“Kur ishim në universitet, Hollwood nxori filmin e titulluar “The untouchables” ose në gjuhën shqipe “Të paprekshmit”. Aktori i famshëm shqiptaro-amerikan Robert De Niro luante rolin e gangsterit Al Capone. Historia zhvillohej mbi njësinë elitare hetimore të quajtur “Të paprekshmit”. Ata nuk ishin quajtur të tillë për shkak se qenë mbi ligjin, por sepse ishin të imunizuar prej korrupsionit dhe frikësimit në një kohë, kur Chicago ishte i mirënjohur për korrupsionin në nivele të larta dhe kontrollin e mafias të ngulitur thellë kjo njësi e pakorruptueshme e pavarur që ishte në gjendje të arrestonte Al Capone-n e famshme. Kjo është ajo që ne shpresojmë se do të krijohet në Shqipëri, një njësi e pavarur hetimore për të luftuar korrupsionin dhe krimet e kryera nga zyrtarë të lartë”, tha Donald Lu. Një muaj pas kësaj deklarate i paprekshmi ka rënë në pranga dhe Shullazi nuk bredh më i lirë, natyrisht në sajë të punës së Prokurorisë dhe SHIK.

Universiteti zgjedh Konin jo kandidaten e Shullazit

Profesor Mynyr Koni ka fituar përballë kandidates së Shullazit, Klodeta Dibra, në zgjedhjet për Rektor të Universitetit të Tiranës. Numërimi i votave për stafet akademike në Universitetin e Tiranës ka përfunduar rreth orës 20:00 të mbrëmjes së djeshme. Nga numërimi ka rezultuar se kandidati për Rektor, Profesor Mynyr Koni ka marrë 460 vota, kundrejt Klodeta Dibrës, e cila ka marrë 243 vota. Pritet të përfundojnë numërimi i votave të studentëve, por vota e tyre ka 10% të peshës në rezultat, ndërsa vota e pedagogëve 90%, çka tregon se rezultati është i vështirë të përmbyset, nisur nga diferenca e madhe mes dy kandidatëve.
Pjesëmarrja e studentëve në zgjedhjen e Rektorit të ri të Universitetit të Tiranës ka qenë e ulët. Nga burime zyrtare mësohet se kanë votuar vetëm 50% e studentëve. Ndërkohë, gjatë paradites, një grup studentësh protestuan, duke bërë thirrje që procesi të bojkotohej.
Megjithë terrorin dhe presionin e bandave për të votuar kandidaten e Ramës, në votimet për Rektor të Universitetit të Tiranës ka triumfuar Profesor Koni, duke e shpëtuar Universitetin nga kandidatja e Shullazit.
Pjesëmarrja në zgjedhjet e Universitetit të Tiranës ka qenë 98%. Pedagogë dhe studentë i kanë thënë “Jo” me votë kapjes së Universitetit nga bandat pranë qeverisë. Megjithë terrorin e ushtruar gjatë ditëve të fundit, procesi zgjedhor në Universitetin e Tiranës vijoi normalisht. Studentët votuan normalisht në Fakultetet e tyre, për të zgjedhur strukturat drejtuese. Sipas Komisionit institucional zgjedhor, pjesëmarrja në votime ka qenë 98%.

Koni: Studentët dhe stafi akademik dëshmuan vlerat reale të UT-së

Në përfundim të procesit zgjedhor për rektor në Universitetin e Tiranës, kandidati Mynyr Koni ka komentuar zgjedhjet, duke theksuar se pjesëmarrja e stafit akademik ishte në nivelin 98%, ndërsa numri i studentëve që votan ishte 7 mijë. Në një postim në rrjetin social Facebook, Koni shkruan se studentët dhe stafi dëshmuan vlerat reale të UT dhe modelin  e zgjedhjeve të lira dhe demokratike.
“Procesi zgjedhor në Universitetin e Tiranës ka përfunduar. Pjesëmarrja e stafit akademik në këto zgjedhje është në nivele maksimale me 98%. Nga të dhënat paraprake janë rreth 7.000 studentë të cilët kanë ushtruar të drejtën e tyre të votës për përzgjedhjen e drejtuesve të niveleve të ndryshme të UT-së. Vlerësoj maksimalisht faktin, që në këtë ditë të rëndësishme për universitetin, studentët dhe stafi akademik dëshmuan vlerat reale të UT-së dhe modelin më të mirë për zgjedhje të lira dhe demokratike. Do doja të falenderoj studentët, stafin akademik dhe të gjitha strukturat që kanë ndihmuar në mbarëvajtjen e procesit të sotëm dhe njëkohësisht për gjithë mbështetjen e dhënë gjatë kësaj kohe”, shkruan Profesor Koni në Facebook.

Bashkëshorti i ministres Nikolla, në garë për dekan pa konkurent

Bashkëshorti i Lindita Nikollës ka konkuruar për dekan në një prej fakulteteve të Tiranës. Ka pasur reagime në rrjetet sociale lidhur me këtë kandidim, ndërkohë që është i vetëm në garë. Kështu, te Inxhinieria Matematike u shpall fitues Ligoraq Nikolla, bashkëshorti i Ministres së Arsimit, Lindita Nikolla, pasi ka qenë i vetëm në garë. Qëllimisht nuk është lejuar të kandidojë asnjë pedagog tjetër. Qytetarët konsiderojnë se ky është një rast i konfliktit të interesit.
Numërimi i votave ka përfunduar edhe në Fakultete. Rektor i Universitetit Politeknik të Tiranës u zgjodh Andrea Maliqari. Ai u shpall fitues që me votat e pedagogëve. Dekan i Fakultetit Teknologji Informacioni u zgjodh Vladi Koliqi. Në Fakultetin e Inxhinierisë Mekanike fitoi Jorgaq Kacani. Dekan i Fakultetit Inxhinieri Ndërtimi u shpall Gëzim Hasko. Te Gjeologji-Minierat fitoi Vasil Jorgji. Dekan i Gjeoshkencave u shpall Fatos Hoxha. Tek Fakulteti i Mjekësisë kryeson Arben Gjata.
Dekani i Fakultetit të Artit Skenik, Kastriot Çaushi ka fituar me një diferencë të madhe votash ndaj 2 kandidatëve të tjerë në garën për Rektor të Universitetit të Arteve. Ai ka marrë 92 vota.

Gjykata pezullon zgjedhjet në Universitetin e Sporteve, Ministria nuk e zbaton

Gjykata vendosi pezullimin e zgjedhjeve në Universitetin e Sporteve, Ministria nuk e zbaton.
Denoncimin e bëri kreu i Departamentit të Arsimit, deputeti Luçiano Boçi. “Kemi këtu një nga rastet flagrante të ndërhyrjes së ministrisë në procesin zgjedhor dhe madje të shkeljes së ligjit. I referohemi Fakultetit të Veprimtarive Fizike të Universitetit të Sporteve, ku një prej kandidatëve pa bërë padi ndaj Komisionit të Apelimit në Gjykatën Administrative, e cila ka marrë vendimin e saj për pezullimin e procesit zgjedhor dhe bazuar në vendimin e Gjykatës, që po e tregoj këtu, Komisioni i Fakultetit ka ndjekur vendimin e Gjykatës dhe ka marrë vendimin për pezullimin e procesit zgjedhor për dekan të këtij fakulteti, por përsëri është Komisioni i Apelit ai që vendos me ndërhyrjen e njerëzve të dërguar nga ministria që vendos, që procesi të vazhdojë dhe përjashtimin e njërit prej kandidatëve që është Agron Kasa”, shprehet Boçi.
Duke denoncuar edhe futjen e duarve nga ana e qeverisë në procesin zgjedhor, në universitete, për deputetin e PD-së, kjo është jo vetëm shkelje e kompetencave, por edhe shkelje e rëndë e ligjit. “Kjo është jo vetëm shkelje e kompetencave të ndërhyrjes brutale të ministrisë në procesin zgjedhor, ndërhyrje që ne e kemi denoncuar, por është njëkohësisht një shkelje e rëndë ligjore që për të cilën anëtarët e Komisionit të Apelit do të mbajnë përgjegjësi penale, pasi do të bëhet edhe denoncimi përkatës nga kandidati, por jemi këtu edhe për të faktuar atë që kemi thënë këto ditë që ministria dhe qeveria është duarbrenda procesit zgjedhor në universitete në rastin e zgjedhjeve për rektorët dhe dekanët. Gjërat janë e zeza mbi të bardhë dhe nuk mund të mohohen”, përfundon denoncimin e tij deputeti Luçiano Boçi.

Manipulohen zgjedhjet universitare në Durrës, FRESH presion studentëve

Zgjedhjet në Universitetin e Durrësit “Aleksandër Moisiu”, janë manipuluar nga të rinjtë socialistë. Vëzhguesit kanë deklaruar se, procesi i votimit në Fakultetin e Shkencave Politike është manipuluar. Isa Myzyri, vëzhgues nga radha e studentëve gjatë procesit të votimit, tha se ka pasur ndërhyrje nga strukturat politike, kryesisht nga Forumi Rinor i Partisë Socialiste, FRESSH-i. Sipas Myzyrit, në këto zgjedhje po bëhet manipulim.
“Disa të rinj të FRESSH u kanë bërë presion studentëve që të vtojnë për kandidatin e preferuar prej tyre. Njerëz të paautorizuar janë futur në qendrat e votimit dhe orientojnë studentët se për cilin kandidat duhet të votojnë. Nuk janë lejuar kamerat që të filmojnë. Situata ka qenë mjaft e tensionuar”, u shpreh një student.
Në zgjedhje merr pjesë i gjithë stafi akademik, i punësuar me kohë të plotë. Përjashtohen nga kjo e drejtë ata anëtarë të veçantë stafit akademik që, për shkak të moshës, nuk kanë të drejtë të zgjidhen, por vijojnë të jenë të punësuar për shkak të titujve shkencorë që mbajnë. Në zgjedhje marrin pjesë të gjithë studentët, e të gjitha cikleve të studimit, që studiojnë me kohë të plotë.

Manipulime edhe në Gjirokastër

Edhe në Gjirokastër janë manipuluar zgjedhjet për strukturat drejtuese të Universitetit “Eqerem Çabej”. Akuzat për presione dhe manipulim të procesit janë bërë nga pedagogët dhe studentët. Ndërsa kandidati për rektor, Kostaq Hila deklaroi se, studentët janë vënë nën presion nga kreu i qeverisë studentore për të votuar kandidatin tjetër Bektash Mema.
“Persona që nuk kanë asnjë lidhje me universitetin po bëjnë kërcënime të hapura ndaj trupës zgjedhore për të deformuar vullnetin zgjedhor. Një rol po luan edhe kreu i qeverisë studentore i cili ka kohë që edhe në FB në emër të qeverisë studentore ka dalë hapur me këtë qëndrim dhe sot po zhvillon këtë aktivitet që lidhet me këta persona”, u shpreh kandidati Kostaq Hila. Hila tha më tej se, ka njoftuar Policisë dhe Prokurorinë për manipulimet.
Edhe në Vlorë, procesi i votimit është zhvilluar nën presion. Një ditë më parë, një profesor deklaroi se deputeti i PS, Koço Kokëdhima ka ushtruar presion tek pedagogët që të votojnë kandidatin e preferuar prej tij.
Universitetet publike në vend zhvilluan zgjedhjet për drejtuesit e rinj, të cilët përfshijnë 14 rektorë, 55 dekanë dhe 155 shefa departamentesh. Në mjaft Universitete zgjedhjet u zhvilluan në presion nga të rinjtë socialistë dhe mbështetës të kandiatëve të majtë.
Gara më e ashpër ishte në Universitetin e Tiranës. Kjo për shkak se njëri nga kandidatët për Rektor, Mynyr Koni u kërcënua të tërhiqte kandidaturën e tij. Votimit i janë nënshtruar stafet akademike dhe studentët. Nuk kanë munguar edhe protestat dhe bojkoti i një pjese të studentëve. Ata thanë se nuk përfaqësohen në këtë proces për shkak të peshës 10% të votës së tyre në këto zgjedhje.

R.POLISI

Drogë vietnameze që rritet për 45 ditë, plantacione në gjithë vendin

Një farë e re e kanabisit ka mbërritur në Shqipëri, nga e cila bima rritet për 45 ditë. Zëvendëskryetari i Komisionit të Sigurisë në Parlament, deputeti Flamur Noka i ka drejtuar një letër kryeministrit të vendit, ku ngre shqetësimin për të dhënat që tregojnë pesëfishimin e sipërfaqes së mbjellë me cannabis-sativa. Në letrën drejtuar Kryeministrit Noka shprehet se, fenomeni i kanabisit është shtrirë në gjithë territorin e vendit, si dhe për faktin që grupet kriminale po përdorin një farë të veçantë, vietnameze çka mundëson kryerjen e ciklit të plotë në 45 ditë.
Nisur nga këto të dhëna shqetësuese, Noka, i kërkon kryeministrit të marrë masa e të nisë para kohe misionin e monitorimit nga ajri, përmes policisë italiane sipas marrëveshjes së vitit 2011.
Noka kërkon shtrirjen e monitorimit në të gjithë territorin e vendit, pa kufizim apo paracaktim të itinerarit, dhe publikimin e plotë të të dhënave të përftuara nga ky monitorim.
“Me shqetësim të thellë konstatojmë se, në vitet e fundit situata e rendit dhe sigurisë, e posaçërisht kultivimi dhe trafikimi i bimëve narkotike ka njohur një përkeqësim të thellë. Vetëm pak ditë më parë, raporti i BE-së për drogat, përgatitur nga EUROPOL, konfirmoi situatën dramatike sa i takon kultivimit masiv dhe trafikimit të bimëve narkotike në vendin tonë, duke e renditur Shqipërinë si vendin kryesor në kultivimin dhe trafikimin e cannabis-sativa drejt vendeve të BE-së, kryesisht drejt Italisë. Ky fakt është nënvizuar po me të njëjtin preokupim dhe shqetësim nga Raporti i DASH, për drogat, bërë publik në mars të vitit 2016”, thuhet në letrën që Noka i ka dërguar Kryeministrit.
Investimet mediatike dhe denoncimet e qytetarëve tregojnë qartë se, fenomeni i kultivimit të cannabis-sativa tashmë kryhet pothuajse në të gjithë territorin e vendit tonë. “Këto burime bëjnë me dije se, gjatë këtij viti sipërfaqet e kultivuara janë drejt pesëfishimit në krahasim me një vit më parë, si edhe për faktin që tashmë grupet kriminale po përdorin një farë të veçantë, të ashtuquajtur ‘fara vietnameze’, e cila e kryen ciklin e plotë të kultivimit, rritjes dhe korrjes brenda 45 ditëve”, shkruan Noka në letrën drejtuar Ramës”, shprehet më tej Noka.
Nisur nga këto të dhëna shqetësuese, Noka i kërkon Kryeministrit të marrë masa e të nisë para kohe misionin e monitorimit nga ajri, përmes policisë italiane sipas marrëveshjes së vitit 2011.
“Ky aktivitet kriminal ka mbështetje nga segmente të larta të Policisë së Shtetit dhe nga drejtimi i lartë politik i Ministrisë së Brendshme si rezultat i kapjes së këtyre strukturave policore dhe politike, por edhe si një shpërblim për kontributin e grupeve kriminale në fushatën e fundit elektorale. Këto segmente kanë nxitur përfundimin e mbjelljes brenda datës 20 prill në të gjithë territorin me objektiv korrjen e plotë deri në javën e parë të qershorit”, thekson Noka.
Noka kërkon shtrirjen e monitorimit në të gjithë territorin e vendit, pa kufizim apo paracaktim të itinerarit dhe publikimin e plotë të të dhënave të përftuara nga ky monitorim. “Në këto kushte ju kërkojmë marrjen e masave për nisjen e parakohshme të misionit të monitorimit nga ajri të strukturave të policisë italiane sipas marrëveshjes së vitit 2011, shtrirjen e tij në të gjithë territorin e Republikës së Shqipërisë pa asnjë kufizim apo paracaktim të itinerarit të vëzhgimit ajror, si dhe publikimin e plotë të të dhënave dhe imazheve të përftuara nga ky monitorim”, shkruan Noka në fund të letrës drejtuar Ramës.

R.POLISI