Granit Xhaka pritet të jetë transferimi i parë i Arsenal në merkaton e verës. “Topçinjtë” duan që të kompletojnë kalimin e mesfushorit në Londër para Europianit të Francës që fillon më 10 qershor. Mediat britanike raportojnë se Arsenal e Borussia Monchengladbach tashmë kanë rënë dakord për 35 milionë paund, ndërsa edhe Xhaka iu ka bërë të qartë zyrtarëve të skuadrës angleze që pret që sezonin e ardhshëm të jetë në “Emirates”.
Arsene Wenger dëshiron të shmang ndonjë surprizë të pakëndshme të minutave të fundit, kur ndonjë skuadër tjetër mund t’ia rrëmbejë lojtarin, pasi rreziku është i madh nëse Xhaka bën një Europian për t’u vlerësuar. Edhe emri i mesfushorit të Leicester, N’Golo Kante, ka qenë i lidhur me skuadrën nga veriu i Londrës, por “topçinjtë” vendosën për Xhakën, pavarësisht mungesës së eksperiencës në futbollin anglez.
Arsenal-Xhaka, transferimi para Europianit
Januzaj jashtë Belgjikës
Adnan Januzaj nuk do të jetë pjesë e kombëtares belge në Euro 2016. 21-vjeçari shqiptar i lindur në Bruksel është lënë jashtë skuadrës nga trajneri Mark Wilmots, ai i cili para pak kohësh e cilësonte si talent të madh, duke i prishur mendjen që të zgjidhte Belgjikën para Shqipërisë. Madje për t’i djegur mundësinë për t’u veshur kuqezi, Wilmots e aktivizoi Januzajn për shumë pak minuta në Botërorin e shkuar. Duke qenë se Belgjika i mbylli derën, mediat britanike shkruajnë se 21-vjeçari i Manchester United dëshiron që tashmë të luajë për kombëtaren e Kosovës. Kjo e fundit u pranua pak ditë më parë me të drejta të plota në UEFA, ndërkohë që të premten pritet të pranohet edhe nga FIFA.
Adnan Januzaj është gati t’i kthejë kurrizin “djajve të kuq”, por nuk bëhet fjalë për Manchester United, por për skuadrën përfaqësuese të Belgjikës. Sulmuesi me origjinë nga Kosova nuk është përfshirë në listën që ka bërë trajneri Marc Wilmots për finalet e Euro 2016, pas një sezoni personal katastrofik.
Januzaj u dërgua në formë huazimi në fillim të sezonit te gjermanët e Dortmund, por ata e kthyen mbrapsht në fund të fazës së parë me justifikimin e mungesës së dëshirës. Me vetëm 18 ndeshje në të gjithë sezonin 2015-2016 shpresat e Januzajt për në Euro 2016 dihej që ishin shumë të pakta. Dhe tani 20-vjeçari ka vendosur të mos luajë më për vendin e lindjes, por të bashkohet me kombëtaren më të re të njohur nga UEFA, Kosovën.
Dhe FIFA ja krijon një mundësi të tillë me mekanizmat e saj. Marrëdhënia mes familjes së futbollistit (babai i Januzaj është edhe manaxheri i tij) dhe ekipit kombëtar të Belgjikës (veçanërisht trajneri aktual Wilmots) janë prishur plotësisht, pas “mosveprimeve” të këtij të fundit, pra mos grumbullimin.
Dhe ky është rasti që futbollisti të zgjedhë një tjetër përfaqësim ndërkombëtar, shkruajnë mediat britanike. Januzaj është e mundur që të luajë për Kosovën, pasi në kohën kur ai pranoi të përfaqësonte Belgjikën, Kosova nuk njihej nga UEFA dhe FIFA.
Futbollisti duhej të zgjidhte mes Belgjikës (vendi i lindjes), Kosovës, Serbisë, Turqisë dhe Shqipërisë (të gjitha vende me të cilat është i lidhur nga trungu i tij familjar).
Pas shumë negociatash, ku pjesë padyshim u bë edhe përfaqësuesja e Shqipërisë dhe trajneri De Biasi, Januzaj, nëpërmjet babait të tij, vendosi të zgjidhte Belgjikën, e cila kishte siguruar kualifikimin për në Kampionatin Botëror “Brazil 2014”. Por, atje ai luajti vetëm për disa minuta. Tani duket më se e qartë që Kosova nuk do ta refuzojë mbërritjen e tij në Prishtinë.
Dështimi i Benitez, nga shkarkimi i Realit tek rënia e Newcastle
Viti katastrofë i Rafa Benitez. Një sezon për t’u harruar ky, për trajnerin spanjoll. Në fillim dështimi në krye të stolit të Real Madrid, që u pasua me shkarkimin nga detyra për shkak të një sërë rezultatesh negative. Në momentin kur Benitez firmosi për klubin “Los Blancos”, trajneri u shpreh mjaft entuziast, duke theksuar se ishte rikthyer në shtëpi. Po aq i gëzuar për ardhjen e tij, ishte dhe presidenti i klubit merengeues Florentino Perez. Por, entuziazmi zgjati fare pak. Pas 5 muajsh 56-vjeçari u shkarkua nga stoli i Real Madrid dhe në vend të tij erdhi Zinedin Zidanë, i cili në një kohë të shkurtër arriti të dërgontë skuadrën në finalen e Champions League.
Nga Spanja në Angli. Benitez rikthehet pas shumë vitesh të drejtojë një skuadër në Premier League. Newcastle, rrezikon rënien nga kategoria dhe misoni i shpëtimit iu besua spanjollit. Në daljen e tij të parë përpara mediave britanike, Benitez ishte po aq entuziast sa në Madrid. Deklaroi se rikthehej në Angli për të qëndruar pranë familjes. Gjithashtu ai shtoi se ishte i bindur se do tja dilte mbanë në detyrën që i ishte ngarkuar. Rezultati? Një tjetër dështim për të. Newcastle bie nga Premier League. Duket se koha kur Benitez ishte një trajner triumfues ka përfunduar dhe e vetmja gjë që i ka mbetur është të bëjë një analizë të detajuar se çfarë nuk shkon në skemat e tij, në mënyrë që të rikthehet denjësisht në botën e futbollit.
Mourinho: Rikthehem në korrik
Jose Mourinho paralajmëron rikthimin. Pas largimit nga stoli i Chelsea, Special One ka folur në lidhje me të ardhmen e tij. Trajneri 53-vjeçar është i sigurt që do t’i rikthehet punës së tij si trajner dhe kjo gjë pritet të ndodhë brenda 2 muajve të ardhshëm. “Më mungon puna ime si trajner, por mund të them se në korrik do t’i rikthehem profesionit tim. Nevojiten edhe 2 muaj deri sa të vijë momenti im. Kështu që deri atëherë do të shijoj pushimet së bashku me familjen time”, u shpreh Murinjo.
Emri i Jose Mourinho është i lidhur ngushtë me stolin e Mananchester United. Madje, në disa raste mediat e kanë paraqitur si të sigurtë se do të jetë pikërisht portugezi, trajneri i ri i Manchester United. Ndërkohë nga ana tjetër është trajneri Louis Van Gal, i cili driblon herë pas here zërat e merkatos, duke lënë të hapur mundësinë se do të jetë në krye të “Djajve të Kuq” dhe për sezonin e ardhshëm. Ndërkohë, që drejtuesit e Mananchester United nuk i kanë mohuar kurrë zërat për një divorc të mundshëm me trajnerin Van Gal.
Hajnkes refuzon Guardiolën
Trajneri i Bajernit, Pep Guardiola ia dedikoi titullin rekord legjendës Jup Hajnkes, i cili u dha bavarezëve tripletën historike në vitin 2013 dhe është pjesë e këtij suksesi historik. “Jup, titulli është për ty! Uroj që të jesh edhe në festën tonë ditën e shtunë”, tha nga Ingolshtadi trajneri spanjoll. Për herë të parë në historinë e Bundesligës, një ekip gjerman fiton katër herë radhazi titullin kampion dhe këtë sukses e arriti Bajerni me Hajnkesin (2013) dhe Guardiolën (2014-2016).
Pas dedikimit dhe ftesës së Guardiolës ditën e shtunë, “Bild” ka arritur të sigurojë përgjigjen e Jup Hajnkesit nëpërmjet një interviste ditën e hënë. Në përfundim ish-trajneri gjerman ka uruar Guardiolën për suksesin, por e ka refuzuar ftesën e spanjollit për të qenë pjesë e festës së madhe. Për këtë jep edhe arsyet.
“Faleminderit për ftesën. Por, ai titull i përket Pepit. Jo vetëm se është titulli i katërt radhazi dhe rekord, por edhe titulli i lamtumirës”, deklaroi Jup Hajnkes, i cili ditën e hënë festoi edhe 71- vjetorin e lindjes. Më pas 71-vjeçari ndan sukseset e titujve rekord.
“Unë kam fituar vetëm çerekun, pasi tre i fitoi Pep. Vepra e tij duhet vlerësuar, pasi ka dhënë shumë për futbollin gjerman. Më vjen shumë mirë për të. Së bashku kemi relata shumë të mira. Jemi kuptuar direkt dhe shkëmbejmë shpesh mendime mbi futbollin. Shpresoj që të gjejmë kohë tjetër për t’u takuar sërish”, u shpreh Hajnkes.
Ish-trajneri ka dhënë edhe mendimet e tij mbi skualifikimin nga Champions-i si dhe sheh favorit ish-ekipin e tij në finalen e kupës. “Bajerni e meritoi të ishte në finale. Gaboi vetëm në një vend: Nuk shënoi gol Përgatiti: ENIAR IBRO në Madrid. Ky ka qenë një nga disavantazhet e mëdha në ndeshjen e kthimit. Atletiko bëri lojë të fortë dhe rezistoi me fat, pasi Bajerni mund të kishte shënuar golin e tretë. Në vija të përgjithshme e shoh si skualifikim aksidental”, analizoi Hajnkes duke shtuar në fund mbi finalen e kupës dhe Ançelotin: “Në finalen e kupës shanset janë 50 me 50. Lehtësisht mund të ndihet favorit Bajerni. Karlo? Kam respekt të veçantë. Bajerni gjeti zëvendësin ideal”.
Frank De Boer largohet nga Ajaksi
Frank De Boer largohet nga Ajax-i pas 5 vjetëve e gjysmë. Trajneri dha dorëheqjen nga posti në krye të stolit. Klubi nga Amsterdami konfirmoi se vendimi është i pakthyeshëm dhe hyri në fuqi menjëherë. 45-vjeçari mori drejtimin e ekipit në vitin 2010, duke fituar 4 tituj kampionë të Holandës radhazi. Por, në këtë sezon, Ajaxi e humbi titullin në Eredivisien në javën e fundit, duke barazuar me modestët e De Graafschap, ndërsa festa ishte e rivalëve të PSV Eindhoven. De Boer, i cili kishte edhe një vit kontratë, njoftoi bordin drejtues të klubit se, pas zhgënjimit, nuk dëshironte të vazhdonte më punën me skuadrën dhe kërkesa e tij për mbylljen e bashkëpunimit u pranua.
Nëpërmjet faqes zyrtare të klubit, trajneri dha edhe një deklaratë për mediat, ku deklaroi se ka kaluar vite të shkëlqyera te Ajax-i, duke u shprehur mirënjohës për mundësinë e dhënë. Humbja e titullit në javën e fundit ishte sinjali më i qartë se tashmë duhet ndjekur një tjetër rrugë, në të mirën e klubit, por edhe të karrierës së vetë teknikut, po nënvijëzoi se Ajax-i do të mbetet gjithmonë klubi i tij. Një lamtumirë e dhimbshme dhe dramatike për Frank De Boer, nga skuadra ku ka qenë lojtar, kapiten i skuadrës dhe së fundmi trajner.
Milan, Bacca drejt largimit, vjen Dzeko

Mund të përfundojë pas vetëm një sezoni aventura e Carlos Baccës te Milani. Sulmuesi kolumbian është vënë në qëndër të vëmendjes nga disa klube kineze. 29-vjeçari duket se nuk është i pashitshëm, madje, gjatë muajit janar në dyert e kuqezinjve erdhi një ofertë që kapte shifrën e 60 milionë eurove, por në fund transferimi nuk u krye. Gjashtë muaj më vonë duket se tratativat mund të rihapen dhe nisur nga kjo administratori i deleguar i Milanit, Adriano Galliani është vënë në kërkim të një tjetër qëndërsulmuesi.
Endrra e drejtuesve të Milanit mbetet Zlatan Ibrahimoviç. Tratativat për të risjellë suedezin janë nën regjinë e menaxherit të tij Mino Raiola. Konkurrenca është e madhe për gjigantin suedez, pasi shumë klube me emër janë në ndjekje të tij. Por, nëse nuk arrihet dot te Zlatan, alternativa tjetër është boshnjaku Edin Dzeko. Sulmuesi me formën e tij jo të mirë duket se ka zhgënjyer drejtuesit e skuadrës së Romës, e si pasojë e kësaj transferimi i tij duket i mundshëm, duke parë dhe vlerën e ulët të kartonit si dhe marrëdhëniet e mira që kanë dy drejtuesit e klubeve më njëri-tjetrin. Kështu pas një viti në radhët e Milanit, Bacca, i cili është dhe autor i 17 golave këtë sezon me fanellën e kuqezinjve mund t’i thotë lamtumirë kuqezinjve, ndërsa vendin e tij në skuadër mund ta marrë Edin Dzeko.
Rrezikon 3 vite burg

Trajneri i Interit Roberto Mançini akuzohet për mashtrim financiar. Sipas gazetës italiane “La Gazzeta dello Sport”, prokurori i Romës Stefano Roko, ka kërkuar dënimin e tij me tre vite e gjysmë burg lidhur me kolapsin financiar të shoqërisë “IMG Costruzioni”. Ndërsa “sportmediaset” thotë se Mançini akuzohet në skemën e mashtrimit me një shumë prej 1 milion e 800 mijë euro.
Trajneri i Interit bashkë me një biznesmen tjetër nuk janë të përfshirë në mënyrë direkte me aksione në këtë skemë, por nëpërmjet kompanisë “Mastro” në të cilën ata janë ortakë. Mediat italiane thonë se transaksionet e rreme janë kryer për gjatë viteve 2006-2009.
Ndërkohë, në kampin interist kanë filluar të mendojnë që tani për sezonin e ardhshëm. Interi i sezonit të ardhshëm do të rinisë gjithçka nga Mauro Icardi. Gjatë muajve të fundit është folur shumë për një largim të bomberit argjentinas nga skuadra zikaltër, por kapitenit sa herë që i jepet rasti nuk nguron të theksojë se ajo mes tij dhe Interit është një dashuri që do të zgjasë edhe për shumë vite.
“Kam një kontratë deri në vitin 2019 dhe do të qëndroj këtu absolutisht. Unë si Zanetti? Duhen edhe shumë vite t’i marrim gjërat avash, avash. Unë jam i lumtur që jam pjesë e Interit dhe që po mbaj në krah shiritin e Javier Zanettit. Nëse do të qëndroj për shumë vite siç ka bërë ai do të jem akoma edhe më i lumtur”, u shpreh Icardi.
Jo vetëm, Icardi pasi nga Interi nuk do të largohet as trajneri Roberto Mançini është i bindur për këtë sulmuesi 23-vjeçar.
“Mançini ka edhe një vit kontratë dhe mendoj se do të qëndrojë edhe pse për këto gjëra do të flitet në korrik. Unë kam bindjen se do të vazhdojë projektin e nisur, sepse këtu Mançini ka ndërtuar një grup shumë të bukur”, tha ai.
Edhe pse e nisi mirë sezonin, Interi dështoi për të arritur objektivin Champions. Vendi i 4-t nuk e demoralizon gjithsesi Icardin, por kapiteni shpreson që ky të jetë viti i fundit që Interi të mos marrë pjesë në kompeticionin më të rëndësishëm për klube.
“Blinduam vendin e 4-t në ndeshjen e fundit që zhvilluam në “San Siro” dhe për këtë jemi të gjithë të kënaqur. Gjithsesi duhet të punojmë për t’u rikthyer në Champions League, sepse ky kompeticion është në ADN-në e Interit”, tha më tej Icardi.
Por nëse Icardi është i bindur për qëndrimin e tij te zikaltërit, nga Interi mund të largohen shumë lojtarë të tjerë. Të pakënaqurit janë Handanoviç e Jovetiç, ndërsa pritet të japin lamtumirën skuadrës edhe emra të tillë si Felipe Melo, Santon e Juan Jesus.
Euro kuriozitet, Shqipëri-Zvicër ndeshja më e lirë e kompeticionit
Me europianin në prag, mediat ndërkombëtare nxitojnë të nxjerrin fakte të evenimentit që do të zhvillohet në Francë. Kuriozitetet kanë të bëjnë sigurisht me gjëra që nuk i përkasin fushës së lojës, duke nisur nga qytetet më të shtrenjta apo më të lira, ndeshjet më të kushtueshme apo më të lira të europianit, tifozeritë më të nxheta e të tjerë. “Gazzetta Dello Sport” në Itali nxjerr 10 fakte interesante për lexuesit e saj, midis të cilave përmendet edhe Kombëtarja Shqiptare. Kështu sipas prestigjiozes italiane ndeshja më e shtrenjtë do të jetë Itali-Irlandë, ku në të përfshihen çmimet e hoteleve dhe të biletës së stadiumit. Nga 10 qytetet organizatore më i shtrenjti çuditërisht nuk është konsideruar Parisi, por Lila.
Në mënyrë ironike qyteti më i lirë është Lens që gjendet vetëm 27 km larg Lilës, teksa në të nuk do të luhen ndeshjet më të rëndësishme të turneut. Dhe këtu lidhja bëhet me Kombëtaren Shqiptare, pasi sfida debutuese e kuqezinjve ndaj Zvicrës është konsideruar si ndeshja më pak e kushtueshme, kjo duke parë çmimet e hoteleve. Një dhomë dyshe për një natë kushton 134 euro, çka duke i shtuar çmimin e biletës e bën këtë sfidën më të lirë ekonomikisht të turneut. Ndër kuriozitetet e tjera “Gazzetta” rendit edhe tifozët më të interesuar, që shihen hungarezët, skuadër që rikthehet në një europian pas 44 viteve. Ndërsa më pak të interesuar duken tifozët e Rusisë. Gjithashtu është bërë edhe një renditje që sheh tifozët çek si më dorështrënguarit e turneut dhe ata të Zvicrës të gatshëm të paguajnë edhe 436 euro për një mbrëmje.
Duke qëndruar tek tifozët, më entuziastët duken ata të Francës, që nuk tremben aspak nga forma e Gjermanisë dhe Spanjës. Vendasit kanë besim tek skuadra e Dechamps dhe kërkesat e tyre për të qenë në kryeqytet për finalen janë të mëdha.
Ançeloti këshillon Gotze të largohet nga Bayern
Duket se aventura e Mario Gotze me Bayern Munich do të përfundojë këtë verë. Sipas “Bild”, sulmuesi gjerman ka biseduar me trajnerin e ri të skuadrës, Carlo Ançelotin, i cili e ka këshilluar të gjejë një skuadër të re, pasi nuk e ka të garantuar vendin e titullarit. Gotze ka një kontratë me bavarezët deri në vitn 2017 dhe klubi nuk ka ndërmend ta shesë me parametër zero 23-vjeçarin. Megjithatë ofertat për të nuk mungojë, pasi lojtari kërkohet nga Borussia Dortmund, Juventus dhe Liverpool.