21.3 C
Tirana
E enjte, 15 Maj, 2025

Franca me gjendje të jashtëzakonshme në Europian

Qeveria e Francës planifikon të zgjasë gjendjen e jashtëzakonshme deri pas Kampionatit Evropian të Futbollit Euro 2016, ka thënë kryeministri francez, Manuel Valls.
Gjendja e jashtëzakonshme është shpallur pas sulmeve terroriste në Paris, nëntorin e kaluar.
Kjo gjendje, e cila i jep policisë kompetenca shtesë për të bërë kërkime dhe për të vënë njerëz në arrest shtëpiak, skadon më 26 maj.
Propozimi për zgjatje kërkon miratimin nga Parlamenti.
Euro 2016 në Francë do të përfshijë 24 ekipe kombëtare dhe do të zhvillohet nga data 10 qershor deri më 10 korrik.
“Gjendja e jashtëzakonshme nuk mund të jetë e përhershme, por për ngjarje të mëdha si kjo, duhet të zgjatet”, ka thënë Valls.

Mosmarrëveshje të thella mes NATO-s e Rusisë

Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, ka thënë se aleanca dhe Rusia kanë zhvilluar “bisedime të sinqerta dhe serioze”, pavarësisht “mosmarrëveshjeve të thella”.
Ambasadorët e NATO-s dhe të Rusisë janë takuar sot në Bruksel për herë të parë në afro dy vjet.
Duke folur pas takimit, Stoltenberg ka thënë se palët “nuk pajtohen për faktet dhe përgjegjësitë në Ukrainë”.
“Pasi veprimet e Rusisë kundër Ukrainës kanë çuar në gjendjen aktuale të marrëdhënieve tona, aleatët e NATO-s e kanë bërë të qartë se, ata vazhdojnë të mbështesin fuqishëm sovrantitetin dhe integritetin territorial të Ukrainës. Aleatët nuk e njohin aneksimin e paligjshëm të Krimesë nga Rusia”, ka thënë Stoltenberg.
Ai ka përsëritur se, Rusia vazhdon të mbështesë separatistët në lindje të Ukrainës me municion dhe financa.
NATO-ja ka pezulluar gjithë bashkëpunimin praktik me Moskën në prill të vitit 2014, një muaj pasi Rusia ka aneksuar Gadishullin e Krimesë nga Ukraina.
Prej atëherë, Këshilli NATO-Rusi është takuar vetëm një herë, në qershor të vitit 2014.
Megjithatë, Stoltenberg është takuar me ministrin e Jashtëm rus, Sergei Lavrov, në disa raste gjatë viteve të fundit.

Trump dhe Clinton fitojnë në New York, afron gara e vërtetë

Rrjetet televizive amerikane parashikuan se republikani Donal Trump dhe demokratja Hillary Clinton kanë fituar në zgjedhjet e kandidatëve në New York, duke lëvizur para drejt garës kundër njëri-tjetrit për postin e presidentit të SHBA-ve, në zgjedhjet e nëntorit.
Të dy kandidatët fituan në shtetet e tyre lehtësisht më 19 prill dhe që të dy kishin nevojë për këto fitore, në mënyrë që t’i afroheshin më shumë numrit të votave të delegatëve, që u nevojiten për ta fituar nominimin e partive të tyre respektive në konventat që mbahen në verë.
Fitorja e fuqishme dy-shifrore e Clintonit në shtetin që dikur ajo e përfaqësonte në Senatin Amerikan këputi fillin e fitoreve të rivalit të saj demokrat, Bernie Sanders, dhe e bëri pothuajse të pamundur për Sanders-in që ta mposhtë udhëheqjen e saj në votat e delegatëve, që janë të nevojshme për nominim.
“Gara për nominimin demokrat është shtrirë në shtëpi dhe fitorja është në horizont”, ka thënë Clinton, 68-vjeçare, para një mase të përkrahësve të saj në Manhattan. Clinton ka arritur të fitojë një numër të përkrahësve të Sanders, pas një konkurrence të pavolitshme në New York, ku të dy rivalët i hodhën njëri-tjetrit akuza të ashpra.
“Ka më shumë gjëra që na bashkojnë sesa që na ndajnë”, ka thënë Clinton.
Trump, nga ana tjetër, u shfaq i gatshëm të fitojë shumicën ose të gjithë nga 95 delegatët e republikanëve në New York, duke fituar 60 për qind të votës mbarë shtetërore, me më shumë se 3/4 e rezultateve të numëruara.
“Nuk kemi kushedi se çfarë gare, bazuar në atë që po e shoh nëpër televizione”, ka thënë Trump, 69-vjeçar, para përkrahësve të tij në Manhattan.
Ai tha se, liderët e partisë republikane që janë munduar ta pengojnë fitoren e tij për nominim gjatë rundit të parë të delegatëve “ndodhen në vështirësi”.Votimi është shënuar me parregullsi, përfshirë më shumë se 125 mijë njerëz që mungonin në listat e votuesve të New Yorkut, nga rreth 4 milionë votues potencial në atë shtet.
Konventat partiake kombëtare të demokratëve dhe republikanëve mbahen në fund të verës.
Partia Republikane takohet në Klivlend, më 18 korrik, ndërsa demokratët në Filadelfia, më 25 korrik. Në konventë, përfundimisht, partia e mbështetë kandidatin e saj për president.
Pasi secila parti zyrtarisht e nominon kandidatin e saj, atëherë mbeten afro tre muaj deri në ditën e zgjedhjeve. Gjatë kësaj kohe, kandidatët kalojnë nëpër secilën pjesë të vendit për t’u takuar me votuesit, për të mbajtur fjalime me shpresë për ta konsoliduar mbështetjen brenda partisë dhe, eventualisht, për t’i fituar votuesit e tjerë të jashtëm. Shpalljet politike dhe reklamat i vërshojnë radiot dhe televizionet.
Parashihet edhe mbajtja e disa debateve televizive kombëtare, në të cilat kandidatët, kryesisht nga partia republikane dhe ajo demokrate, ballafaqohen me njëri-tjetrin dhe përgjigjen në pyetjet e moderatorit.
Përfundimisht, ditën e martë, që vjen pas të hënës së parë në nëntor, amerikanët votojnë për president.
Rivalët e tij Cruz dhe Kasich shpresojnë që të zhvillohet një kuvend i hapur, ku asnjë kandidat nuk ka marrë numrin e nevojshëm të delegatëve në hapje të kuvendit dhe zgjedhja hidhet në votë gjatë punimeve të kuvendit, ku pas votës së parë delegatët mund të votojnë për kë të duan.
Në kampin demokrat, pretendenti Bernie Sanders është përballë një realiteti të vështirë. Aktualisht zonja Clinton ka 1887 delegatë, ndërsa zoti Sanders ka 1174 delegatë. Në zgjedhjet demokrate kandidatit i duhen 2383 delegatë për të siguruar emërimin e partisë.
Por, zoti Sanders mbetet pozitiv dhe tha para një turme entuziaste se fushata e tij do të mobilizojë një pjesëmarrje më të madhe në zgjedhje dhe do të gjallërojë Partinë Demokrate.
Zonja Clinton e shfrytëzoi fjalimin pas fitores mbrëmë për t’iu drejtuar përkrahësve të zotit Sanders, duke thënë se mes saj dhe këtij grupimi ka më shumë gjëra që i bashkojnë se sa i përçajnë.

Si po e shfrytëzon Rusia krizën në Maqedoni

Tensionet në Maqedoni kanë kulmuar. Për të dytën javë me radhë, në Shkup dhe qytete të tjera mbahen protesta kundër pushtetit.
Shkak është bërë vendimi i Presidentit Gjorgje Ivanov për të falur dhjetëra politikanë, të akuzuar për shkelje nga më të ndryshmet.
Shqetësime kanë shprehur Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian, duke thënë se e ardhmja euro-atlantike e Maqedonisë është vënë në rrezik, por me teori më konspirative ka dalë Rusia.
Ministria e Punëve të Jashtme e Rusisë ka paralajmërur se përdorimi i “skenarit të Ukrainës” kërcënon destabilizimin e Maqedonisë dhe të Ballkanit në tërësi.
Sipas Moskës zyrtare, opozita maqedonase është bërë instrument i Perëndimit, me qëllim pengimin e zgjedhjeve më 5 qershor, të cilat janë vlerësuar si mënyra e vetme për të dalë nga kriza e gjatë politike.
Zhaneta Trajkovska, drejtore e Shkollës për Gazetari dhe Marrëdhënie Publike në Shkup, thotë se Rusia do që të sigurojë më shumë hapësirë në Ballkan.
Nëse Maqedonia përafrohet me Bashkimin Evropian dhe NATO-n, mundësitë për ndërhyrjen ruse janë më të vogla, thotë Trajkovska.
Sipas saj, Rusia e shfrytëzon krizën e tanishme në Maqedoni për vetëpozicionim dhe interesa të saj gjeostrategjikë në Ballkan.
“Me siguri bëhet fjalë për interesa të caktuar ekonomikë, për një bashkëpunim, për të cilin publiku nuk di shumë”, thotë Trajkovska.
Maqedonia është në krizë politike qysh vitin e kaluar. Një aferë e përgjimeve që është zbuluar nga opozita dhe ka treguar për keqpërdorime të mëdha nga ana e pushtetit, ka shkaktuar krizën.
Muaj më vonë, është nënshkruar e ashtuquajtura Marrëveshje e Përzhinos, midis katër partive politike, mbi kushtet e mbajtjes së zgjedhjeve të drejta dhe demokratike.
Dimitar Bechev, nga Qendra Evropiane për Politika, thotë se qeveria e Maqedonisë dhe ish-kryeministri Nikolla Gruevski, njëherësh kryetar i partisë në pushtet VMRO-DPMNE, është përgjegjës për tensionet e fundit, sepse nuk i përmbushin obligimet e marra.
Bechev merr si shembull amnistinë për politikanët, e cila sipas tij, nuk ka qenë e paraparë me Marrëveshjen e Përzhinos.
“Maqedonia është një vend i vogël dhe të gjithë e dinë se Presidenti Ivanov varet plotësisht nga Gruevski. Presidenti maqedonas nuk e ka marrë vetëm këtë vendim, por natyrisht është koordinuar me Gruevskin”, thotë Bechev.
Ka zëra se, Gruevski është aleat i Rusisë dhe se përpiqet të balancojë dhe kalkulojë midis Moskës dhe Brukselit.
Dhe Rusia e shfrytëzon këtë situatë në Maqedoni, si dhe të gjitha krizat e tjera në botë, thotë Bechev.
Vëzhguesit paralajmërojnë se, situata në Maqedoni do të përshkallëzohet tutje. Ata presin gjithnjë e më shumë protestues në rrugë, por edhe kundër-protestues që i organizon partia në pushtet.

Pasojat e doktrinës Obama

Jeff Jacoby

Pesë vjet më parë, Presidenti Obama përshëndeti fushatën ushtarake në Libi që përmbysi Muamar Kadafin, si një prej arritjeve të politikës së jashtme të presidencës së tij. Sot ai e quan Libinë si gabimin e tij më të madh. Por edhe pse ai mund të ketë ndryshuar notën nga 10 në 4, angazhimi i tij për të “udhëhequr nga prapa” – një eufemizëm për pasivitetin dhe abdikimin amerikan-nuk ka ndryshuar.
Ditën kur u rrëzua Kadafi në tetor 2011, Obama mbajti një fjalim prej fitimtari. “Pilotët tanë trima kanë fluturuar mbi qiellin e Libisë, marinarët tanë mbështetën rebelët në brigjet e Libisë, dhe lidershipi ynë në NATO ka ndihmuar në drejtimin e koalicionit tonë”, deklaroi ai. “Pa dislokuar në terren asnjë amerikan, ne arritëm objektivat tona”.
Ai e kishte gabim. Shumë shpejt, Libia u zhyt në kaos dhe dhunë. Ajo u shndërrua në një bazë terroriste, ku deri më sot kanë humbur jetën më shumë se 10.000 njerëz–duke përfshirë edhe ambasadorin amerikan Kristofer Stivens dhe 3 kolegët e tij, i vrarë nga islamikët në Bengazi vetëm 11 muaj pas “misionit të realizuar” të shpallur nga Obama në Rose Garden.
Presidenti e pranon tanimë se, politika e tij në Libi përfundoi në katastrofë. Në një intervistë për “Fox News”, ai e pranoi neglizhencën e tij në “dështimin për të planifikuar hapat për ditët pas” rrëzimit të diktatorit. Në intervista të tjera, Obama e mbështet fajin për përmbysjen e gjendjes në Libi më pak tek mungesën e përgatitjes për një tranzicion post-Kadafi, dhe më shumë tek dështimi i Evropës për të qëndruar e angazhuar.
“Kur kthehem pas në kohë dhe pyes veten se çfarë shkoi keq, sigurisht që ka vend për kritika”, u shpreh ai së fundmi për “The Atlantic” e Xhefri Goldbergut, “pasi unë kisha shumë besim tek evropianët, duke pasur parasysh afërsinë e Libisë, se ata do të investoheshin në vazhdimësi”. Por, kur Shtetet e Bashkuara synojnë të dalin nga një situatë, aleatët e saj priren të ndjekin shembullin. Dhe Obama, i cili kishte rënë dakord vetëm me gjysmë zemre për të ndërhyrë në Libi parë, nuk kishte asnjë interes për të qenë vërdallë.
Nuk u desh shumë kohë që Libia të dilte jashtë ekranit të radarit të Shtëpisë së Bardhë. “Mungesa e vëmendjes nuk qe vetëm një lënie pas dore. Ishte një politikë e mirëfilltë”, e përfundonte analizën e saj në fillim të këtij viti “The New York Times”, duke bërë një përmbledhje të gjatë të fiaskos libiane. Administrata imponoi “kufizime të ashpra” mbi çfarëdolloj roli të SHBA-së në metamorfozën e Libisë – kushte aq strikte sa që Amerika efektivisht i lau duart e tij e përgjegjësisë së saj për fatin e vendit. Ndaj nuk është e habitshme, pse ai qe i kobshëm.
Mund të duket e habitshme që Obama, i cili dënoi ashpërsisht gabimet e paraardhësit të tij në Irak, do të mbërrinte deri atje sa t’i përsëriste edhe më rëndë ato gabime në Libi-pra, duke mos qenë gati për paqëndrueshmërinë dhe kryengritjet që do të pasonin ndërhyrjen perëndimore. Sikurse vëren historiani ushtarak Maks Bot, deri në vitin 2011 “nuk ishte saktësisht një sekret që gjëra të këqija ndodhin nëse Shtetet e Bashkuara dhe aleatët e saj përmbysin një njeri të fuqishëm, pa pasur një plan për atë që vjen më pas”.
Por Obama është më i aftë në kritikat ndaj rrëmujes së politikës së jashtme të njerëzve të tjerë, se sa të mësojë prej tyre. Mësimi që ai nxorri nga lufta në Irak, ishte se Shtetet e Bashkuara nuk duhej të ndërhynin ushtarakisht në Lindjen e Mesme–dhe se sa më e madhe ndërhyrja, aq më e madhe fiaskoja që prodhohet. Vetë faktet nuk të çojnë në këtë përfundim. Por Obama nuk do të tërhiqej nga e vetja.
Kur Xhorxh W. Bush njoftoi në janar të vitit 2007 se kishte për qëllim të “shtonte” numrin e trupave në Irak, dhe zbatonte një strategji të re kundër kryengritësve, Obama atëherë senator deklaroi: “Unë nuk jam i bindur nëse 20.000 trupat shtesë në Irak do t’i japin fund dhunës sektare atje. Në fakt, unë mendoj se ajo do të shkaktojë të kundërtën”, tha ai.
Natyrisht në atë rast, strategjia e Bushit provoi të ishte një sukses i jashtëzakonshëm. Në kohën kur Obama mori detyrën, Al-Kaeda në Irak ishte e gjymtuar, sulmet kishin rënë me 90 për qind, dhe Iraku qe duke u qeverisur nga politikanë të zgjedhur në mënyrë demokratike. Komandanti i ri suprem, ishte i lumtur të fitonte kredi politike për fitoren në Irak, të cilën nënpresidenti Bajden e trumbetoi më herët si “një nga arritjet më të mëdha” të administratës Obama.
Por asnjë nga ato nuk e nxitën Obamën të vërë në dyshim mençurinë e tërheqjes së të gjitha forcave amerikane nga Iraku, apo të merrte parasysh paralajmërimet se zhdukja e shpejtë e dhjetëra mijëra paqeruajtësve amerikanë do të linte një vakum katastrofik, të cilin do të nxitonin ta shfrytëzonin forcat vdekjeprurëse të rajonit.
Mosangazhimi i vendosur i Obamës, ‘mbyti’ atë çfarë ishte fituar me aq shumë kujdes në Irak. Pa praninë e kufizimit amerikan, qeveria shiite e dominuar nga Nuri al-Maliki u shndërrua në një regjim të pamëshirshëm autoritar, ndikimi i Iranit u intensifikua, dhe ISIS-i filloi mbretërimin e tij të tmerrshëm të terrorit.
Më shumë “udhëheqje nga prapa” vazhdoi në Siri. Obama bëri kërcënime të ashpra mbi përdorimin e armëve kimike që shkeli “vijën e kuqe”, dhe i kërkoi Bashar Al-Asadit të jepte dorëheqjen, por fjalët e hidhura nuk u mbështetën kurrë nga veprat. Teksa kredibiliteti i Amerikës qe në rënie, pasuan pasoja të parashikueshme: rritje drastike e numrit të të vdekurve, fluks i madh refugjatësh, si dhe trimërim i regjimeve antidemokratike nga Moska në Pekin.
Edhe tani, Obama nuk arrin të shohë se një doktrinë e bazuar tek  shmangia e përfshirjes amerikane tek konfliktet në botë, është e detyruar të dështojë. Një politikë e ndërtuar rreth mosangazhimit të SHBA–së vetëm sa e përshkallëzon kaosin global. Presidenti pranon se duhet të kishte patur një plan më të mirë për “ditët që pasuan” në Libi, por ende pohon se fatkeqësia që shkaktoi qasja e tij dëshmon se tek e fundit ai kishte të drejtë.
Sipas fjalëve të Goldbergut, “Libia i provoi Obamës, se Lindja e Mesme qe më mirë të shmangej”. Ajo e përforcoi vendimin e tij të mëvonshëm, për të mos bërë asgjë mbi luftën në Siri. Obama nuk ka asnjë keqardhje për braktisjen e “vijës së tij të kuqe” – ai thotë tashmë se është “shumë krenar” që vendosi të mos ndalojë shfaqjen horror të Asadit. Deri më sot, Obama nuk e ka ndryshuar mënyrën e të menduarit: se fuqia amerikane nuk mund të ndreqë atë çfarë shqetëson lagjet e këqija të planetit, madje ka të ngjarë t’i përkeqësojë problemet.
Por politika e jashtme e kujdesshme e Obamës, na jep një leksion shumë të ndryshëm. Që nga viti 2009, besueshmëria e Amerikës është dëmtuar rëndë dhe bota është bërë shumë më e rrezikshme dhe e paqëndrueshme. Çmimi i tërheqjes amerikane ka qenë i tmerrshëm, dhe gjithçka bëhet më e rëndë falë një presidenti shumë të ngurtë për të ndryshuar mendjen e tij.

“Milani ka fituar shpirtin luftarak”

Pavarësisht fitores, e cila i mungonte Milanit prej pesë takimesh, kuqezinjtë janë rikthyer nga transferta e Xhenovas të vetëdijshëm se më në fund kanë rigjetur Balotelin e vërtetë, teksa tashmë sulmuesi i Milanit ka filluar të ëndërrojë edhe një vend në përfaqësuesen italiane. Të paktën kjo është shpresa e tifozëve dhe ajo e të gjithë ambientit. Pas paraqitjes së mirë kundër Juventusit, numri 45 ka bindur edhe ndaj Sampdorias.
Rritja e lojtarit nuk ka kaluar pa u vërejtur edhe nga administratori i Milanit, Adriano Galiani, i cili, gjatë një interviste për të përditshmen italiane “Il Corriere della Sera”, ka analizuar ecurinë e sulmuesit: “Mario po luan mirë.
Është e dukshme që lojtari po lufton për të mbrojtur vendin e tij të punës. Ai bëri një paraqitje shumë të mirë kundër Juventusit, teksa ruajti të njëjtin rendiment edhe në sfidën përballë Sampdorias. E gjithë skuadra u sakrifikua shumë”.
Përqasja e Brokit-Për të mbrojtur vendin e gjashtë, që garanton një vend në Europë, Milani nuk duhet të gabojë në sfida e ardhshme. “Zgjimi” i Lacios është një arsye më shumë për ta mbajtur të lartë përqendrimin. Pa harruar edhe ëndrrën për fitimin e Kupës së Italisë: “Ndeshjet e fundit do të jenë shumë të rëndësishme për ne, shpjegoi Galiani.
Rikthimi në kompeticionet europiane është një mision shumë i rëndësishëm, të cilin duhet ta konkretizojmë me sukses. Sigurisht kalimi nëpërmjet Kupës së Italisë do të ishte më i bukur dhe për këtë arsye skuadra duhet të motivohet për të fituar trofeun e vetëm sezonal që na ka mbetur”.
Galiani u ndal edhe te debutimi i Kristian Brokit: “Pas një ecurie negative, skuadra kishte nevojë për një shkundje, e cila erdhi kundër Sampdorias. Broki i ka idetë e qarta, por është shumë herët për të analizuar punën e trajnerit, i cili ka më pak se një javë në krye të ekipit.
Debutoi me një fitore dhe më pëlqeu shpirti luftarak i skuadrës në fushë, e cila pasqyron karakterin e trajnerit. Si futbollist, Broki jepte gjithmonë maksimumin, këtë pretendon edhe nga lojtarët e tij. Me të rinjtë e Milanit ka bërë një punë të shkëlqyer në dy vitet e fundit dhe uroj të qëndrojë sa më gjatë në stol”.
Bashkëpunëtori legjendar i Silvio Berluskonit u ndal edhe te tratativa me kinezët për shitjen e aksioneve të Milanit: “Siç e kam thënë në disa raste, unë merrem vetëm me anën sportive, por di të them se presidenti e dashuron Milanin dhe çdo vendim që do të ndërmarrë në të ardhmen do të jetë vetëm për të mirën e klubit, siç ka bërë gjatë këtyre 30 viteve”.

Kinezët rrisin ofertën

Ditë shumë të rëndësishme për të ardhmen e Milanit. Tifozët kuqezinj janë duke pritur me interes përfundimin e tratativës mes presidentit të tyre, Silvio Berluskoni dhe investitorëve kinezë. E reja e këtij lajmi që po qarkullon prej ditësh në mediat italiane është fakti që kinezët kanë rritur ofertën në drejtim të drejtuesve të Milanit nga 650 në 720 milionë euro për blerjen e 70% të aksioneve. Lajmin e bën të ditur “Corriere Dello Sport” që raporton takimin mes drejtuesve të Milanit dhe palës që është interesuar për aksionet e kuqezinjve.
Berluskoni dhe Sal Galatiolo, i cili është përfaqësuesi i Robin Li. Ky i fundit është personi që kërkon të blejë Milanin dhe është njeriu i gjashtë më i pasur në Kinë. Pasuria e tij në total mendohet të jetë afro 15 miliardë dollarë. Ai dëshiron të përfshihet në botën e sportit për t’u bërë akoma më i njohur dhe është gati të investojë për ta rikthyer Milanin në majën e futbollit italian.
Dita e djeshme ka qenë shumë e rëndësishme. Grupi i investitorëve kinezë, jo vetëm që ka rritur ofertën për 70% të aksioneve, por është gati të investojë 300 milionë euro.
Një shifër e tillë do ta ndihmonte skuadrën kuqezi për të shlyer borxhet, por edhe për të bërë merkaton për sezonin e ardhshëm. 720 milionë euro ofrohen vetëm për 70% të aksioneve, të cilat do të kalojnë në pronësi të Robin Li në fund të këtij sezoni. Aksionet e tjera të mbetura do bëhen të tijat gjatë sezonit të ardhshëm, ku pritet të ketë një tjetër ofertë. Duket se palët kanë arritur një akord paraprak.
Presidenti aktual i Milanit është duke menduar seriozisht mbylljen pozitive të kësaj marrëveshjeje dhe po kërkon të mësojë detajet e këtij operacioni. Në fakt, ende nuk ka marrë asnjë vendim përfundimtar. Ai kërkon të mësojë me përpikmëri identitetin e presidentit të ardhshëm të Milanit, numrin e investitorëve që do të marrin pjesë në këtë tratativë.
Pasi t’i pëlqejë plani i kinezëve, Berluskoni është gati ta pranojë shitjen e Milanit. Pas 30 viteve në krye të kuqezinjve si president, Berluskoni duket se e ka të vështirë të ndahet, por që Milani të rikthehet pretendent në Itali dhe Europë duhen bërë investime, të cilat Berluskoni nuk mund t’i garantojë për momentin. Vetëm ai mund të vendosë që “djajtë” të shndërrohen në “dragua”…

Napoli rikthehet tek fitorja, 6 gola Bolonjës

Skuadra e Napolit fitoi me rezultatin e thellë 6-0 ndaj Bolonjës, duke mos iu ndarë Juventusit në luftën për titull. Me tri pikët e marra, ekipi i Sarrit shkon në kuotën e 73 pikëve në vendin e dytë, ndërsa bardhezinjtë e Alegrit kryesojnë Serinë A me 79 pikë.
Serinë e golave për blutë e Napolit e hapi Gabiadini në minutën e 10′. Ai dyfishoi shifrat rreth 25′ minuta më pas, duke përcaktuar edhe rezultatin e pjesës së parë. Por seria e golave për Napolin nuk u ndal këtu. Mertens çoi shifrat në 3-0 në minutën e 58′ të pjesës së dytë dhe në minutën e 80′ dhe të 88′, ai realizoi dy gola të tjerë që i dhanë siguri ekipit për të besuar ende te titulli.
Goli i gjashtë për Napolin u realizua nga David Lopes në fund të ndeshjes. Rezultati i thellë rëndon mbi Bolonjën, e cila ndalet në kuotën e 37 pikëve në vendin e 13, 6 pikë larg zonës së rrezikut.
Formacionet zyrtare:
Napoli (4-3-3): Reina; Hysaj, Albiol, Koulibaly, Ghoulam; Allan, Jorginho, Hamsik; Callejon, Gabbiadini, Mertens
Bolonja (4-3-3): Mirante; Mbaye, Oikonomou, Rossettini, Constant; Taider, Diawara, Brighi; Zuniga, Acquafresca, Giaccherini.

Januzaj largohet nga Belgjika

Adnan Januzaj ndryshon sërish mendje. Në pranverën e vitit 2014, futbollisti kosovar ishte ylli më i ri i futbollit botëror, teksa shkëlqente në Premier League me ngjyrat e Mançester Junajtid. Ai spikati aq shumë saqë mori një ftesë edhe nga kombëtarja belge me në krye Mark Vilmots.
Gjithsesi kjo duket se nuk ka qenë zgjedhja e tij më e mirë, pasi jo vetëm që ka mbetur jashtë skuadrës së parë të Junajtid, por me shumë mundësi nuk do të jetë as pjesë e Belgjikës në Europian.
Mesfushori i talentuar që ka kaluar një sezon shumë negativ me Dortmund dhe “Djajte e Kuq” e shikon të ardhmen te Përfaqësuesja e Kosovës. Nëse më 3 maj do të vendoset në Budapest për pranimin e Kosovës në FIFA dhe UEFA, atëherë ai do të zgjedhë të kalojë te kjo përfaqësuese.
Lajmi u konfirmua nga mediat belge (sportmagazine.be), e cila nënvizon se futbollisti tashmë e ka vendosur.

Shkodran Mustafi çmend Europën

Futbollisti me origjinë shqiptare, Shkodran Mustafi, i cili luan për kombëtaren e Gjermanisë, duket se është ndër lojtarët më të kërkuar aktualisht në Europë. Mediat e huaja shkruajnë se në kërkim të kartonit të tij janë vënë ekipe prestigjioze si Interi dhe Juventusi. Sipas ‘Bild’-it, futbollisti i Valencias është kontaktuar nga bardhezinjë për një rikthim në Serinë A. Por në kërkim të ish-futbollistit të Sampdorias janë vënë edhe zikaltrit e Interit. “Derbi i Italisë nuk është i vetmi që është interesuar për Mustafin. Për kampionin e Botës në fuqi, kanë shfaqur interes edhe Bajerni i Mynihut, Bercelona, Totenhemi dhe Atletiko e Mardidit. Pritet një merkato e nxehtë, me një konkurrencë aspak të mëshirshme”, shkruan “passioneinter.com”.