Armando Sadiku është heroi i javës së 32 në Kampionatin zviceran për skuadrën e Vaduzit. Sulmuesi shqiptar shënoi dy golat e fitores së skuadrës së tij në suksesin e pastër 2-0 të arritur ndaj Sionit. Vaduz në luftë për mbijetesën e interpretoi ndeshjen në mënyrën më të mirë, duke e gjetur golin e parë në minutën e 31, kur bomberi kuqezi ndali në rrjetë 11-metërshin e ekzekutuar me saktësi.
Sulmuesi i lindur në Elbasan nuk u mjaftua me kaq, pasi ishte sërish ai që siguroi 3 pikëshin e Vaduzit me një tjetër gol të shënuar në minutën e 73. Fitorja e arritur ndaj Sionit në “Rheinpark Stadion” e largon përkohësisht Vaduzin nga zona e ftohtë me një pikë më shumë se Lugano, që mbyll klasifikimin me 28 pikë. Ky është dygolëshi i dytë i Sadikut me fanellën e Vaduzit, ndërsa gjatë këtij sezoni, 24-vjeçari shqiptar numëron 12 realizime personale.
Sadiku dygolësh për mbijetesën e Vaduzit
Manaj titullar në Sassuolo-Inter
Të shtunën në mbrëmje do të jetë momenti i Rey Manajt. Në Reggio Emilia luhet Sassuolo-Inter një ndeshje që për skuadrën e Mançinit vlen thjeshtë për statistika, por nga ana tjetër kjo sfidë mund t’i shërbejë sulmuesit shqiptar të Interit, i cili do të ketë mundësi të tregojë realisht sesa vlen. Është thuajse e sigurtë prania e Manajt në formacionin titullar ndaj Sassuolos, kjo edhe për faktin se në këtë sfidë Interit do t’i mungojnë shumë lojtarë titullarë siç janë Icardi, Perisiç, Handanoviç, Miranda e Medel. Në këtë mënyrë 19-vjeçarit nga Lushnja i paraqitet mundësia e shkëlqyer për të luajtur për herë të parë që nga fillimi në një ndeshje të Serisë A me skuadrën zikaltër.
Në konferencën për shtyp përpara ndeshjes ndaj Empolit, trajneri Mançini u shpreh se nëse Interi e fitonte atë takim dhe siguronte matematikisht vendin e 4-t, në sfidën ndaj Sassuolos do t’u jepte një shans për të luajtur lojtarëve të rinj në moshë dhe atyre që kanë gjetur më pak hapësira në këtë sezon. Për fatin e mirë të Manajt zikaltërt fituan ndaj Empolit dhe tashmë Mançini do ta mbajë fjalën. Mediat që qëndrojnë pranë klubit milanez raportojnë talentin shqiptar do të jetë një titullar i sigurtë në duelin e të shtunës, kjo edhe për faktin se trajneri Mançini beson jashtëzakonisht te aftësitë e Rey Manajt.
Në këtë sezon 19-vjeçari shqiptar ka luajtur në total 129 minuta me Interin, 32 prej tyre në 4 ndeshje të Serisë A, dhe 97 të tjera në dy sfida të Kupës së Italisë, ku vetëm ndaj Cagliarit e ka nisur si titullar. Ndaj Sassuolos këtë të shtunë, Rey Manaj do të kërkojë golin e tij të parë me fanellën e Interit në një ndeshje zyrtare, gol që nëse arrin të realizojë mund të rrisë ndjeshëm shanset e tij për t’u grumbulluar nga trajneri i kombëtares shqiptare Gianni De Biasi në Euro 2016.
FMN: Shqipëria me rritjen më të ulët ekonomike në rajon
Fondi Monetar Ndërkombëtar i ka dhënë një shuplakë të fortë propagandës se qeverisë shqiptare për suksese ekonomike, duke vlerësuar se Shqipëria do të jetë edhe për këtë vit një nga vendet me rritjen më të ulët ekonomike në rajon. Në raportin e fundit mbi zhvillimet ekonomike të Europës Lindore dhe asaj Qendrore, FMN vlerëson se për 2016-ën ekonomia shqiptare do të rritet me 3.4 për qind, por shumica e vendeve të tjera do të përjetojnë një rritje me të shpejtë se kjo.
Sipas FMN, vendi me rritjen më ta lartë ekonomike në rajon do të jetë Mali i Zi, ku prodhimi kombëtar këtë vit do të zgjerohet me 4.7 për qind. Në vendin e dytë vjen Turqia, ku rritja ekonomike pritet të jetë 3.8 për qind, ndërsa më pas Maqedonia me 3.6 për qind. Sipas raportit Shqipëria dhe Kosova do të rriten me 3.4 për qind, ndërsa dy vendet e vetme që do të kenë një rritje më të vogël se kjo janë Bosnja dhe Serbia, e cila po përballet me një krizë të thellë financiare.
Sërish të fundit
Ky është viti i tretë me radhë, ku Shqipëria shënon rritjen më të ulët ekonomike në rajon. Edhe vitin e kaluar Shqipëria dhe Serbia ishin sërish dy ekonomitë me rritjen më të ulët në rajonin e Ballkanit perëndimor. Sipas FMN, në 2015-ën, rritjen më të lartë e kanë shënuar Mali i Zi dhe Maqedonia, përkatësisht me 4.1 dhe 3.7%. Ekonomia e Kosovës u rrit me 3.3% dhe ajo e Bosnje-Hercegovinës me 3%. Shqipëria renditet në vendin e pestë me 2.6%, duke lënë pas Serbinë, që gjatë vitit të shkuar shënoi në rritje me vetëm 0.7%.
Ekonomia në përkeqësim
Por tendenca tjetër shqetësuese është se përveçse mbetet ndër ekonomitë me rritjen më të ulët në rajon, Shqipëria është e vetmja që po përballet me përkeqësimin e pritshmërive ekonomike, ndërsa në vendet e tjera rritja ekonomike është rishikuar për lart. Në Turqi, rritja ekonomike për 2016 u rishikua nga 2.9 për qind që vlerësohej në tetor në 3.8 për qind. Në Maqedoni shifra u korrektua nga 3.2 në 3.6%, ndërsa në Serbi parashikimi për rritjen ekonomike u përmirësua nga 1.5 në 1.8 për qind. Shqipëria ishte i vetmi vend i rajonit ku vlerësimi për rritjen ekonomike të 2016-ës mbeti i pandryshuar krahasuar me parashikimin e tetorit të vitit të kaluar, pra 3.4 për qind. Por edhe kjo shifër tashmë është e pasigurtë. Pak ditë më parë, Banka e Shqipërisë deklaroi se e rishikoi me ulje rritjen ekonomike të këtij viti dhe tashmë pret një normë rritje rreth nivelit 3 për qind.
Këshilli i Investimeve: Taksat po penalizojnë ekonominë
Këshilli i Investimeve i ka kërkuar qeverisë shqiptare që të heqë tatimin për fitimet e riinvestuara, pasi sipas tij kjo po pengon zgjerimin e bizneseve dhe ardhjen e investitorëve të huaj në vend. Në një raport të posaçëm për nxitjen e investimeve, Këshilli vëren se ekonomia shqiptare po penalizohet nga taksat e larta mbi kapitalin. “Shqipëria paraqet disavantazh ndaj vendeve të rajonit, për sa i përket ri-investimit të fitimit, duke e tatuar me 15%, ndërkohë disa vende, e kanë më të ulët si normë ose nuk e aplikojnë ndaj pjesës së fitimit të ri-investuar, si rasti Maqedonisë dhe Serbisë kundrejt disa garancive paraprake për investime kapitale dhe hapjen e vendeve të reja të punës”, thotë raporti. Këshilli i Investimeve është një platformë e ngritur nga autoritetet shqiptare me mbështetjen e BERZH-it për të rritur dialogun midis qeverisë dhe sektorit privat, për të përmirësuar klimën e biznesit dhe për të nxitur qeverisjen e mirë. Qëllimi kryesor i këtij institucioni është t’i rekomandojë qeverisë politika për nxitjen e investimeve. “Tatimi mbi fitimin e riinvestuar, është konsideruar edhe nga bizneset, si një element që kombinuar me klimën e biznesit frenon investimin e fitimeve në vend, dhe motivon transferimin e tyre jashtë për investitorët e huaj”, thotë raporti.
Taksat e rënda
Fondi Monetar Ndërkombëtar bën të ditur se, Shqipëria është një nga tre vendet e vetme në Europë që ka rritur taksat direkte mbi biznesin gjatë krizës ekonomike. Në një raport të fundit mbi politikën fiskale në Europë pas krizës, FMN vëren dy vendet e tjera që kanë rritur taksat e drejtpërdrejta mbi biznesin dhe individët janë republika Sllovake dhe Serbia. Në të gjithë vendet e tjera, pas vitit 2008, taksat mbi fitimin e biznesit apo ato mbi të ardhurat e individëve janë ulur ose mbajtur të pandryshuara për të mos dëmtuar ekonomitë. Taksimi i fitimeve të biznesit në normën 15 për qind e bën Shqipërinë vendin me taksat më të larta në rajon, së bashku me Serbinë. Në të gjithë vendet e tjera të Ballkanin Perëndimor si Mali i Zi, Maqedonia, Kosova dhe Bosnja, kjo taksë është 10 për qind. Sipas FMN, vendet e Ballkanit perëndimor janë ato me taksat më të ulëta në Europë. Në ekonomitë e avancuara të zonës euro, norma mesatare e tatim fitimit është 25 për qind, ndërsa në ekonomitë e tjera në zhvillim ajo luhatet nga 15 në 20 për qind. Por edhe pse krahasuar me ekonomitë e zhvilluara europiane, Shqipëria mbetet një vend me taksa të ulëta, sipërmarrësit ankohen se konkurrentët tanë të drejtpërdrejtë janë vendet e Ballkanit, të cilat e kanë më të vogël tatim fitimin. Ndaj në më shumë se një rast, shoqatat e biznesit i kanë kërkuar qeverisë të rishikojë politikën e taksave për të mos e bërë vendin jokunkurrues çka mund të devijonte investimet në vende fqinje.
Tabela si janë dyfishuar tarifat e pastrimit për bizneset e mesme e të mëdha
Bizneseve të mesme e të mëdha po u shkojnë faturat e Bashkisë Tiranë me tarifat e pastrimit për vitin 2016, duke i zënë shumë prej tyre në surprizë, pasi nuk ishin të informuar për rritjen e tyre. Në fakt, biznesi i mesëm dhe ai VIP në Tiranë do të paguajnë tarifa për pastrimin sa dyfishi i vitit të shkuar, ndërsa për biznesin e vogël këto tarifa nuk kanë ndryshuar. Vendimi i Këshillit Bashkiak nr. 59 i datës 30 dhjetor 2015 i ka rritur me plot 100 për qind tarifën e pastrimit për të gjitha linjat e biznesit për kategorinë në fjalë. Për bizneset e vogla tarifa nuk ka ndryshuar, ajo është 3500 lekë në vit.
Sa do paguajnë bizneset e mesme e të mëdha
Një njësi fruta perimesh i kategorizuar si biznes i mesëm do të paguajë 80 mijë lekë taksë pastrimi në vit nga 40 mijë lekë që paguante në vitin 2015. Një biznes i madh në këtë linjë do të duhet të paguajë me tarifat e reja për pastrimin 100 mijë lekë në vit nga 50 mijë që paguante më parë. Bar-kafetë të kategorizuara si biznes i mesëm do të duhet të paguajnë si tarifë pastrimi 60 mijë lekë nga 30 mijë lekë që paguanin më 2015. Magazinat, dyqanet, etj., të cilat realizojnë shitje me shumicë do të paguajnë me tarifat e reja 74 mijë lekë në vit për pastrimin nga 37, 000 lekë më 2015, ndërsa bizneset VIP në këtë fushë do të paguajnë 94,000 lekë nga 47,000 lekë që ishte tarifa e vjetër.
Njësitë e prodhimit do të paguajnë 170 mijë lekë në vit, nëse janë të listuara si biznes i mesëm nga 85 mijë lekë që paguanin më parë dhe ato VIP do të paguajnë 360 mijë lekë nga 180 mijë që paguanin me tarifën e vjetër. Subjektet e ndërtimit të regjistruara si biznes i mesëm do të paguajnë 300 mijë lekë në vit nga 150 mijë që paguanin më parë si taksë pastrimi, ndërsa ndërtuesit VIP do të paguajnë 45,000 mijë lekë në vit nga 225 mijë lekë që paguanin më parë. Ndërsa për biznesin e vogël me xhiro deri në 8 milionë lekë tarifa për pastrimin nuk ka ndryshuar. Bashkia e Tiranës e ka argumentuar dyfishimin e tarifave të pastrimit për këtë kategori të biznesit me faktin se bizneset e mëdha ndotin më shumë e për pasojë do të duhet të paguajnë më shumë.
Ndikimi i taksave vendore tek rritja e çmimit të apartamenteve
Çmimet e banesave në qytetin e Tiranës janë rritur me ritme dyshifrore në tremujorin e parë të vitit 2016. Banka e Shqipërisë referoi sot se, indeksi i çmimit të banesave, pas rënies së shënuar në tremujorin e katërt, iu rikthye normave rritëse në tremujorin e parë të vitit 2016. Indeksi i rregulluar edhe me efektin e inflacionit, u rrit 11.3% në këtë tremujor. Burimet nga tregu pohojnë se, rritja e çmimeve nuk po vjen nga kërkesa për banesa, por nga ngarkesa fiskale. Hajredin Fratari një nga ndërtuesit më të hershëm në vend dhe njëkohësisht presidenti i Konfidustrisë tha se, çmimet e apartamenteve në këtë periudhë janë ndikuar nga kostot e larta që kanë krijuar taksat. Në fillim të këtij viti, taksa e ndikimit në infrastrukturë është rritur në 8% nga 4% që ishte më parë. Fratari shpjegoi se, kosto nga taksa e infrastrukturës është rritur edhe për shkak se tani vilet mbi çmimin e objektit dhe jo mbi vlerën e investimit.
Kostot janë rënduar edhe nga aplikimi i taksës së banesës mbi inventarët. Tani ndërtuesit paguajnë tatimin për objektet e përfunduara, të cilat ende nuk janë shitur. Në Tiranë, por edhe në të gjithë Shqipërinë ndërtuesit disponojnë inventarë për shkak të kërkesës të dobët ndaj tatimin e kanë përfshirë në çmimet finale të banesave. Sektori i ndërtimit vijoi të zgjerohet me ritme të larta edhe gjatë tremujorit të katërt të vitit 2015, megjithëse tendenca e ndjekur tregon për ngadalësim të aktivitetit. Vlera e shtuar e sektorit u rrit me 12.7% në terma vjetorë në tremujorin në analizë, pas zgjerimit me 24.7% dhe 16.7% përkatësisht gjatë tremujorëve të dytë dhe të tretë të vitit.
Banka e Shqipërisë tregon se, analiza e të dhënave të tërthorta të vlerës së përafërt të lejeve të ndërtimit tregon për rritje të tyre, të drejtuar kryesisht nga shtimi i punimeve inxhinierike, me kontribues kryesor sektorin publik, si edhe në një masë më të vogël nga ndërtesat për qëllime banimi. Niveli ndjeshëm më i ulët i treguesit të besimit në ndërtim, si edhe rënia e normës së shfrytëzimit të kapaciteteve sugjerojnë ngadalësim me ritme më të shpejta të aktivitetit në sektorin e ndërtimit gjatë tremujorit të parë të vitit 2016.
Interesat zbresin në minimumet historike, humbasin qytetarët, përfiton qeveria
Interesat e Bonove të Thesarit kanë zbritur në minimumet historike, duke reflektuar politikën e Bankës së Shqipërisë për të ulur koston e lekut. Në ankandin e fundit, interesat e bonove 1-vjeçare zbritën në 1.38%, ndërsa ato 3-mujore në 0.99%. Nga ulja e interesave të Bonove të Thesarit ka përfituar qeveria, e cila e blen më lirë borxhin te qytetarët e saj, ndërkohë që këta të fundit pas humbjes së avantazhit përfitues nga depozitat, po humbasin edhe mundësinë për të fituar nga Bonot e Thesarit.
Uljet e vazhdueshme të normës bazë të interesit për lekun nga Banka e Shqipërisë, ku e fundit ishte ajo e 4 majit, janë reflektuar te Bonot e Thesarit. Interesat e këtyre letrave me vlerë të qeverisë, që deri tani janë parë si një alternativë e mirë investimi, kanë pësuar rënie të ndjeshme, duke mos qenë më të leverdisshme për qytetarët.
Në ankandin e fundit, interesat e bonove 12-mujore zbritën në 1.38%, nga 1.46% që ishin në ankandin e mëparshëm. Ndërsa interesat e bonove me afat 3-mujor kanë prekur tashmë minimumin historik të 0.99%. Nga ulja e interesave të Bonove të Thesarit ka përfitim qeveria, e cila e blen më lirë borxhin te qytetarët e saj, ndërkohë që këta të fundit, pas humbjes së avantazhit përfitues nga depozitat, po humbasin edhe mundësinë për të fituar nga Bonot e Thesarit.
Për shkak të mungesës së alternativave të investimit në vend, si pasojë edhe përkeqësimit të klimës së biznesit, qytetarët po i shihnin letrat me vlerë të qeverisë, jo vetëm bonot, por edhe obligacionet, si një mundësi e mirë për të investuar kursimet e tyre.
Të dhënat e Ministrisë së Financave tregojnë se në fund të marsit të këtij viti, individët ishin mbajtësit e 15.18% e borxhit të qeverisë, nga 14.83% që ishte pesha e tyre në fund të vitit 2015.
Ekspertët shpjegojnë se përballë uljes së vazhdueshme drejt minimumeve historike të Bonove të Thesarit, qytetarët po priren të investojnë në obligacionet me afat të gjatë 3, 5 dhe 10-vjeçar, që gjithashtu janë letra me vlerë të qeverisë me risk zero.
Bizneset shqetësohen se pas liberalizimit mund të humbasin personelin
Liberalizimi i vizave për Kosovën, përveç të mirave dhe lehtësimeve që sjell për lëvizjen e lirë të qytetarëve, ka ngritur edhe një shqetësim te komuniteti i biznesit, ngase ka rritur drojën për humbjen e punëtorëve të kualifikuar në kompanitë e tyre. Pronarë të disa kompanive private në Kosovë, tregojnë se ka zëra në kompani, që menjëherë pas zbatimit të këtij procesi në praktikë, punëtorët do të shkojnë në vende të ndryshme të Bashkimit Evropian në kërkim të pagesave më të mëdha për punën e tyre.
Pronari i kompanisë “Frutex” nga Suhareka, Shaqir Palushi, në një prononcim për Radion “Evropa e Lirë”, thotë se procesi i liberalizimit ishte i nevojshëm. Por, sipas tij, heqja e vizave rrezikon largimin e punëtorëve.
Palushi thotë po ashtu se disa punëtorë do të kërkojnë mundësi për të gjetur një vend pune për 90 ditë, me çka do të rrezikohej puna në kompaninë që ai drejton.
“Për qytetarët e Kosovës, liberalizimi i vizave është një lajm i mirë, mirëpo do të ketë një dridhje të vogël për kompanitë, sepse shumica e qytetarëve të Kosovës, nëse jo për punë, kanë familjarë në vendet e Bashkimit Evropian. Kjo paraqitet problem për kompanitë nëse mungon një numër i caktuar i punëtorëve”, ka thënë Palushi.
Shqetësimin për mundësinë e mbetjes pa kuadro profesionale në kompanitë private pas liberalizimit, i paraqet edhe Lulzim Mustafa, nga kompania për prodhimin e lëngjeve “Fluidi”, në Gjilan, kompani kjo që numëron rreth 140 punëtorë.
Mustafa tregon se largimi eventual i stafit të kualifikuar do të paraqiste problem, pasi gjithmonë nevojitet kohë për të aftësuar punëtorët e rinj.
“Në rast se punëtorët e shfrytëzojnë pushimin vjetor për të shkuar në vendet e BE-së, është normale. Por, nëse një punëtor shkon për 90 ditë, i shkëputet kontrata. Ne nuk kemi mundësi të presim, sepse nëse një punëtor është i angazhuar në makinë, ne nuk mund të presim 90 ditë, pasi që do të mbesim pa prodhim. Ky është problem, ngase për të aftësuar një punëtor të kualifikuar nevojitet dy deri në tre muaj”, ka thënë Mustafa për Radion “Evropa e Lirë”.
Për një largim eventual të punëtorëve dhe çrregullim të tregut të punës, flet edhe Shpëtim Kuqi, administrator në Fabrikën për Prodhimin e Këpucëve, “Solid” nga Suhareka.
“Një brengë do të jetë shumë e madhe për ne, është ikja masive e fuqisë punëtore që kemi në kompani. Kurse sa i përket liberalizimit kjo është lehtësi, pasi ne papritur në ambasada të ndryshme kemi mundësi që punëtorët t’i dërgojmë në trajnime të ndryshme në vendet e Bashkimit Evropian”, ka deklaruar Kuqi.
Frika e punëdhënësve se mund të mbesin pa kuadro profesionale, në disa raste është pozitive për punëkërkuesit. Shaqir Palushi, thotë se për të parandaluar shkuarjen e punëtorëve, pronarët do të detyrohen të rrisin pagat.
“Por, ndoshta kjo do të jetë një mundësi e mirë për punëtorët e Kosovës, pasi ne si punëdhënës, në njëfarë mënyre, do të detyrohemi t’i rrisim pagat, në mënyrë që të sigurohemi që punëtorët të cilët janë më të kualifikuar të mbesin në kompanitë tona”, ka thënë ai.
Sidoqoftë, me gjithë shqetësimet e kompanive të biznesit për humbjen e disa kuadrove të kualifikuara, liberalizimi i vizave, është vlerësuar se do të sjellë lehtësira për sektorin privat, pasi mundësitë janë më të lehta që punëtorët e tyre t’i dërgojnë për trajnime apo panaire të ndryshme në vendet e Bashkimit Evropian.
Kosova plan dinamik për zhvillimin e sektorit financiar
Drejtori ekzekutiv i Shoqatës së Bankave të Kosovës, Petrit Balija, ka thënë se momentalisht sistemi bankar i Kosovës është stabil, i kapitalizuar mirë dhe rentabil. Sipas tij, niveli i kredive joperformuese vazhdon të mbahet në nivele të ulëta. “Asetet kanë shënuar vlera pozitive të rritjes, duke arritur në 3.371 miliardë euro”, është shprehur ai. Ndërkaq, sa i përket raportit të kredive me depozita, Balija ka thënë se ky raport qëndron në proporcionin 75%. “Raporti i kredive ndaj depozitave është rreth 75%, që do të thotë se ka një likuiditet të mjaftueshëm në sistemin bankar, i cili mund të plasohet në ekonomi në rast se kemi një rritje ekonomike më të madhe dhe kërkesë të shtuar për financim”, ka deklaruar ai.
Balija në këtë intervistë për gazetën “Epoka e re” ka bërë me dije se, Shoqata e Bankave të Kosovës ka një plan mjaft dinamik për vitin 2016 në disa fusha, përfshirë këtu harmonizimin e legjislacionit të Kosovës me praktikat më të mira ndërkombëtare dhe implementimin e standardeve ndërkombëtare financiare, adresimin e çështjeve rreth efikasitetit të sistemit gjyqësor, çështjet me procedurat e përmbarimit, përmirësimin e regjistrit të pengut, ngritjen e kapaciteteve të sektorit etj. “Gjithashtu, Shoqata e Bankave ka lançuar fushatën e edukimit financiar, e cila tanimë është duke prodhuar efekte pozitive për klientët bankarë. Ndërsa nga bankat pritet të vazhdojë trendi i përmirësimit dhe zgjerimit të ofertës financiare, gjithnjë duke u bazuar edhe në përmirësimet që duhet të ndodhin në ambientin e të bërit biznes dhe në shkallën e zhvillimit ekonomik në vend”, ka thënë ai.
I pyetur për shtrenjtimin e shërbimeve bankare në bankat e Kosovës, Balija është përgjigjur se deri te kjo ka ardhur, pasi kostoja e fuqisë punëtore në Kosovë është në rritje e sipër. “Përveç rritjes së natyrshme të kostove që ndodhin në ekonomi në lidhje me shkallën e inflacionit, në Kosovë po shohim edhe një tendencë të ngarkesës së punëdhënësve me tatime, tarifa dhe obligime shtesë ndaj resurseve njerëzore, të cilat mund t’i ngrenë kostot e operimit, në veçanti për ofruesit e shërbimeve siç janë edhe bankat komerciale.
Në këtë drejtim edhe në sistemin bankar ka një rritje të këtyre kostove dhe bankat komerciale po ofrojnë alternativa nëpërmjet shërbimeve elektronike, të cilat janë shumë më të lira dhe më të shpejta sesa shërbimet manuale”, ka deklaruar Balija, duke shtuar se në këtë drejtim ligjvënësit dhe qeveria duhet të kenë kujdes të veçantë për ligjet mbi tatimet; Ligjin e Punës dhe aktet e tjera të ndërlidhura; sanksionet e parashikuara në ligje, të cilat duhet të përshtaten me madhësinë e bankave komerciale në Kosovë; si dhe tarifat e tjera që aplikohen në sektorin bankar nga instanca të tjera shtetërore. Sipas tij, në mënyrë që bankat komerciale ta arrijnë përafërsisht fitimin e njëjtë si në vitin e kaluar, është e rëndësishme që ligjet mbi tatimet, obligimet ndaj punëdhënësve si dhe tarifat e tjera shtetërore të mos rriten pasi, sipas tij, kjo do të ndikonte negativisht në trendin e zhvillimit të afarizmit jo vetëm për bankat, por për të gjithë sektorët.
Skandal, Policia refuzon të arrestojë baronin e drogës të kërkuar nga Greqia
BIRN
Një biznesmen shqiptar, i cili është njëkohësisht drejtor në administratën publike, u shpall të hënën (9 maj) në kërkim në Greqi i dyshuar si kreu i një grupi që ka trafikuar sasi të stërmëdha marijuane nga Shqipëria në shumë vende të Europës. Policia greke kreu një operacion masiv gjatë ditëve të fundit, duke arrestuar një duzinë njerëzish dhe duke konfiskuar rreth 678 kilogramë marijuanë të fshehur në një ishull të vogël në Greqinë e Veriut.
Sipas skemës së zbuluar nga policia greke, trafikantët përdornin skafe të shpejta për të transportuar marijuanën nga Shqipëria për në Greqi e më pas, përdornin kompani transporti rrugore false për të transportuar drogën në vende të tjera europiane. Dokumente të policisë greke të para nga “BIRN” tregojnë se Balili është shpallur në kërkim, i dyshuar si një nga krerët e grupit të trafikut.
“Të akuzuar për shkelje të Ligjit N433/13 për ‘Lëndët narkotike’, Ligjit 187 të Kodit Penal të ‘Organizatave kriminale’ dhe të nenit 8 Kodi Penal ‘Krimet e kryera në shtetin fqinj’ të akuzuar, por jo të arrestuar janë tri persona, ndër ta dhe Klement Balili, biri i Sabaudinit dhe Nazes, lindur më 20.03.72 në Shqipëri dhe banues në Sarandë për shkeljet e mësipërme”, shkruhet në dokumentet e policisë greke. “Për transportin e lëndës narkotike (kanabis të papërpunuar) nga Shqipëria në Greqi dhe Europën Lindore, Balili kishte rolin e sponsorit dhe të organizatorit dhe drejtonte transportin në sasi shumë të mëdha me rrugë tokësore me kamiona të mëdha dhe nga deti me skafe. Krahu i tij i djathtë që merrej me transportin dhe magazinimin nga Greqia e tutje ishte Alifandi Georgio”, vijon më tej dokumenti. Në regjisitrin civil shqiptar i njëjti shtetas duket se ka emrin Klemend Balili.
Policia shqiptare në dilemë
Ndërsa autoritetet greke kanë shpallur në kërkim Balilin, policia shqiptare zyrtarisht thotë se “operacioni po vazhdon”. Policia shqiptare është vënë nën akuzë nga një pjesë e medias greke dhe Partia Demokratike në Tiranë për mosbashkëpunim dhe mosveprim për shkak të aludimeve për lidhje politike të Balilit me politikanë të lartë shqiptarë. Rrjeti televiziv “CNN” në gjuhën greke, raportoi se kishte informacione se gjatë një takimi mes policisë greke dhe policisë shqiptare, oficerë të policisë shqiptare u kishin thënë se nuk mund të kryenin arrestime për shkak të lidhjeve politike të të dyshuarit. Partia Demokratike në Tiranë akuzoi ministrin e Brendshëm, Saimir Tahiri si mbështetës të Balilit duke iu referuar lajmit të “CNN” të Greqisë. Policia e Shtetit i hodhi poshtë akuzat. “Policia e Shtetit shpreh indinjatën e saj rreth akuzave tërësisht abuzive nga Partia Demokratike”, shkruhet në deklaratë. Vetë i akuzuari foli në “newsbomb.al” duke mohuar akuzat dhe duke i cilësuar ato “sulme politike”. Deri në mbrëmjen e të mërkurës, Balili nuk është arrestuar. Burime policore greke thanë për “BIRN” se ai mund të arrestohet së shpejti.
Lidhjet politike
Balili rezulton një person me lidhje të shumëfishta politike. Kryetari aktual i Bashkisë Delvinë, Rigels Balili, i ditëlindjes 1985, është nip i të dyshuarit. Ai fitoi zgjedhjet i kandiduar nga Partia Lëvizja Socialiste për Integrim me 72 për qind të votave.
Lidhjet politike të Klemend Balilit shfaqen edhe në një kronikë televizive të “Ora News”, ku kreu i Kuvendit Ilir Meta, ministri i Financave, Arben Ahmetaj dhe ish-deputeti i zonës, Koço Kokëdhima, shfaqen në ceremoninë e inaugurimit të hotelit “Santa Quaranta”, një investim multimilionësh për një hotel luksi në qytetin e Sarandës, pronë e familjes Balili.
Hetimet greke
Hetimet greke patën nisur mbi një vit më parë pas kapjes së sasive të konsiderueshme të drogës në raste të ndryshme, që dukeshin se kishin lidhje me njëra-tjetrën. Sipas policisë greke, më 25 janar 2014, në Patra, një shtetas bullgar u arrestua duke transportuar 451 kilogramë kanabis. Në prill 2014, një sasi tjetër prej 678 kilogramësh u kap në kufirin mes Greqisë dhe Maqedonisë. Në prill 2015, policia britanike kapi 23 kilogramë kokainë, ndërsa në Bullgari u kapën 531 kilogramë kanabis. Të gjitha këto ngarkesa lidhen me të njëjtën organizatë të trafikut ndërkombëtar.
Policia greke ndërhyri në mbrëmjen e së hënës duke arrestuar pesë anëtarë të bandës në Zakintho dhe sekuestrimin e një sasie tjetër të stërmadhe prej 678 kilogramësh kanabis. Në Patra u arrestuan dy anëtarë të tjerë, të cilët e kishin dërguar drogën me skaf.
“Nëndrejtoria e Antidrogës pas hetimeve prej muajsh në lidhje me aktivitetin kriminal të anëtarëve që jetojnë në Greqi, në bashkëpunim me Zyrën DEA të ambasadës së SHBA-ve në Athinë dhe me shërbimin homolog të policisë shqiptare për pjesën e veprimit të organizatës kriminale që kishte të bënte me boshtin ballkanik, së bashku me kryerjen e inspektimeve të gjera, mbledhjen e materialeve informative dhe ballafaqimit të analizës së të dhënave të informacioneve kriminale, arriti të konstatonte strukturën, mënyrën e veprimit dhe taktikat e organizatës kriminale, si dhe aktivitetin e saj ndërkombëtar si në vende të Evropës Perëndimore ashtu edhe në vendet e Ballkanit”, shkruhet në njoftimin zyrtar të policisë greke.
“Lidhur me lëvizjen e sasive të kanabisit të papërpunuar nga Shqipëria drejt Greqisë dhe Evropës Perëndimore, shtetasit shqiptar 44-vjeçar (banues jashtë shtetit) i ishte besuar roli i financuesit, por edhe drejtimit të transporteve nga Shqipëria drejt Greqisë dhe Evropës, në rrugë rrugore me kamionë, por edhe në rrugë detare me skafe”, vijon më tej njoftimi.
Policia shqiptare-Greqisë: Balilaj i paprekshëm, ka lidhje me politikanë të lartë
Në një takim dypalësh me policinë greke për të diskutuar mbi operacionin për goditjen e kartelit të drogës të drejtuar nga shqiptari Klement Balilaj, policia shqiptare është dorëzuar ndërsa u ka përcjellë autoriteteve greke mesazhin se, Balilaj është i paprekshëm në Shqipëri për shkak të lidhjeve të tij të forta me politikanë të nivelit të lartë.
“CNN” në gjuhën greke ka publikuar të tjera detaje rreth organizatës kriminale të trafikut ndërkombëtar të drogës që drejtohej nga një shtetas shqiptar.
Në artikullin me titull: “Mbrojtje politike për baronin e kartelit të Ballkanit”, “CNN” flet për një takim dypalësh mes policisë greke dhe asaj shqiptare. Kjo e fundit është dorëzuar duke thënë se, “në Shqipëri nuk mund ta prekim sepse ky person ka lidhje me parti politike dhe kontakte me politikanë të nivelit të lartë”.
PD ka thënë se bëhet fjalë për shtetasin Klemend Balili, ish-drejtori i Transportit në Sarandë, për të cilin opozita denoncoi edhe në vitin 2014. “CNN” në gjuhën greke thekson se për shkak të personit që qëndronte në krye të organizatës kriminale, takimi dypalësh i policisë greke dhe asaj shqiptare është mbajtur sekret.
Në vijim të artikullit “CNN” thotë se ende nuk është e qartë se çfarë do të bëjnë autoritetet greke me këtë person, do të lëshojnë urdhër arresti ndërkombëtar apo do t’i kërkojnë palës shqiptare që ta arrestojë.
Gjatë operacionit u arrestuan 15 persona, 13 grekë dhe 2 shqiptarë. Bastisjet u kryen të dielën në komunat e Atticas si Afidnes, Aspropyrgos, Glyka Nera, Ymittos, Korydallos, Kallithea dhe Kifissia, si dhe në ishujt Salamina, Zakynthos dhe në Veria, në Greqinë e Veriut.
Në total u konfiskuan 678.5 kg kanabis sativa të fshehur në ishullin e Zakynthos. Vlera e drogës llogaritet në qindra miliona euro. Autoritetet greke thonë se një shqiptar nga Saranda është kryefinancuesi kryesor i kësaj organizate kriminale. Përveç lidhjeve politike në Shqipëri, ai ishte edhe financues i një partie opozitare në Greqi.
Dy hotelet gjigande në Sarandë dhe pronat e tjera të Klement Balilajt
Drejtori i Drejtorisë së Shërbimeve të Transportit në Sarandë, Klement Balilaj, është shpallur në kërkim nga autoritetet greke, i dyshuar si drejtues i një grupi trafiku ndërkombëtar lëndësh narkotike.
Klement Balili, një biznesmen i njohur në Sarandë, së fundmi është edhe pronar i kompleksit turistik “Santa Quaranta”. Ky kompleks është ndër më luksozët dhe më modernët në bregdetin e Sarandës dhe më gjerë. Kompleksi turistik është inauguruar vetëm pak kohë më parë.
Balili, ndërkohë është edhe pronar i hotel “Olivias” në bregdetin e Butrintit, një ndër hotelet më të njohura të zonës.
Po ashtu është pronar i hotel “Butrinti” në Sarandë.
Së bashku me vëllezërit e tij, Klement Balili është pronar i shoqërisë së sigurisë private “Balili shpk”, e cila operon në Qarkun e Vlorës.
Prej dy vitesh, Klement Balili është emëruar drejtor i Transportit në qytetin bregdetar të Vlorës.
2 vite më parë, Sekretari i Përgjithshëm i Partisë Demokratike, Arben Ristani, në një dalje për mediat akuzoi Klement Balilin si një person i përfshirë në trafikun e drogës.
Në 2006, Klement Balili u arrestuar nga Policia e Shtetit në kuadër të një aksioni antidrogë që u finalizua me prangosjen e disa personave mes të cilëve edhe zyrtarë shtetërorë.
Klement Balili 44-vjeçari që cilësohet nga policia greke si baroni i drogës në Ballkan, prej 2 vitesh është drejtor i Drejtorisë së Transporteve në qytetin e Sarandës. Mediat greke pohojnë se sasia prej 700 kilogram Cannabis Sativa që u sekuestrua tre ditë më parë në vendin helen i përket një biznesmeni të suksesshëm shqiptar.
Si i garantonte siguri trafikantëve baroni shqiptar i Ballkanit
Mediat greke kanë publikuar të dhëna të tjera për organizatën kriminale të drogës që u shkatërrua në Greqi tre ditë më parë, e cila drejtohej nga një 44-vjeçar shqiptar nga Saranda, i etiketuar si Baroni i Ballkanit apo Pablo Escobar i Ballkanit. Dje, deputeti i PD Genc Pollo konfirmoi se ky Baron droge i kërkuar nga Greqia është Kelmend Balili, drejtor i Transporteve në Sarandë.
Policia greke ka përgjuar bisedat e tij me vartësit dhe trafikantët e tjerë të organizatës, që shpërndanin kanabisin nga Shqipëria, në Greqi dhe më pas në Evropën Qendrore dhe shtetet Nordike.
“Mos u shqetësoni. Në qoftë se ju kapin, unë do t’iu paguaj avokatët, unë do të kujdesem për familjet tuaja”, janë bisedat e përgjuara të Baronit të Ballkanit me vartësit e tij. 44-vjeçari ka lidhje të forta politike në Shqipëri dhe është financues i një partie politike të rëndësishme në vendin tonë, bënë të ditur mediat greke.
Këtë fakt e bëjnë të ditur edhe mediat greke, të cilat po i kushtojnë rëndësi të veçantë këtij rasti të trafikut ndërkombëtar të drogës. Po kështu, shtypi grek shkruan edhe se, Greqia kërkon arrestimin e 44-vjeçarit shqiptar, kjo pasi në hetim autoritetet greke kanë bashkëpunuar edhe me DEA-n amerikane dhe Ambasadën e SHBA në Athinë.
Organizata ndërkombëtare e drogës e drejtuar nga shqiptari qarkullon miliona euro, saqë mediat greke flasin se, “Baroni” ka aq para sa të paguajë borxhin e Greqisë. Nuk dihet ende dhe nuk ka një informacion zyrtar nga policia shqiptare, nëse homologët e tyre grekë i kanë vendosur në dijeni për këtë rast dhe as nëse kanë bërë kërkesë për arrestimin e bosit nga Saranda, që sipas PD është Kelmend Balili, shkruan Syri.net.
Droga e kësaj organizate shitej në Ballkan për 2500 euro një kilogramë, ndërsa në shtetet Nordike 1 kg kanabis kapte shifrat e 17 mijë eurove. 700 kg kanabis që u kap tre ditë më parë në Zakyntho të Greqisë ishte destinuar për t’u shitur në Norvegji.
Policia nuk ka asnjë informacion për baronin shqiptar të drogës
Klement Balili, 44-vjeçari që prej dy vitesh mban postin e drejtorit të Drejtorisë së Transporteve në qytetin e Sarandës, u akuza nga policia greke si baroni i trafikut të drogës në Ballkan. Në mediat greke, ai konsiderohet si “Eskobari i Ballkanit”, duke dhënë vetëm inicialet e tij, K.B.
Ndërkohë, Policia e Shtetit nuk ka asnjë informacion për këtë baron droge. ABC News u interesua tek Policia e Shtetit dhe Prokuroria e Përgjithshme, nëse ata janë njoftuar nga pala greke, për personat e arrestuar apo shpallur në kërkim për 700 kg drogë, por dy institucionet në Shqipëri mohojnë të kenë dijeni se kush janë këta persona të dyshuar nga homologët e tyre grekë.
ABC News ka arritur të sigurojë të dhënat e arrestimit të parë të Klement Balilit, të bërë më 16 korrik 2006 në qytetin e Delvinës. Sipas policisë, në rrugën Qafë Muzinë-Delvinë, rreth 15 km larg qytetit agjentët e policisë i kanë zënë rrugën furgonit me targa gjermane brenda të cilit ndodheshin 750 kg hashash, që kishte destinacion Greqinë. Në momentin e ndalimit, policia ka arrestuar dy inspektorët e policisë kriminale të Komisariatit të Sarandës që po kryenin rolin e transportuesve të 750 kg hashash, Gentian Baba dhe Ylli Kapo. Përveç këtyre dy të arrestuarve, policia në atë kohë shpalli në kërkim edhe dy bashkëpunëtorët e tjerë, Pelivan Mehmetaj dhe Ermail Nika. Pak kohë pas arrrestimit, Prokuroria i pushoi akuzën Klement Balilit, duke urdhëruar lirimin nga burgu.
Katër bashkëpunëtorët e tjerë, Gentian Baba, Ylli Kapo, Pelivan Mehmetaj dhe Ermail Nika u dërguan në gjyq ku në vitin 2008 u dënuan nga Gjykata e Krimeve të Rënda. Me 10 vjet burg u dënua Pelivan Mehmetaj, ndërsa me nga 8 vite burg u dënuan tre bashkëpunëtorët e tij, Ylli Kapo, Gentian Baba dhe Ermail Nika. Dënim ky që ju ul nga Gjykata e Lartë disa vite më pas, duke përfituar edhe uljen e 1/3 së dënimit përfundimtar për shkak të gjykimit të shkurtuar. Klement Balili, njihet në Sarandë si pronar i hotel “DEA” dhe kompleksit “Santa Quaranta” dhe sipas mediave greke pas tij fshihet një politikan i fuqishëm shqiptar.
Drejtori i Transporteve, baron i trafikut të drogës në Ballkan
Drejtori i Transportit në Sarandë, Klement Balili dyshohet se është organizatori i trafikut të 700 kg marijuanë të kapur tre ditë më parë në Greqi. Ai është konsideruar nga mediat greke si baroni i drogës apo “Escobari i Ballkanit”. Sipas mediave greke, 44 -vjeçari ishte financuesi kryesor i rrjetit të trafikut të drogës, me lidhje të forta në qeverinë shqiptare.
Pas publikimit të artikullit të bujshëm të së përditshmes greke “Kathimerini”, me titull “Kërkohet shqiptari trafikant i drogës”, gazeta “Ethnos” e së mërkurës jep përmasa të reja për të ashtuquajturin kartel të drogës, që kanë shkatërruar organet greke para dy ditësh.
Në krye të këtij grupi, siç thekson “Ethnos”, gjendet një 44-vjeçar shqiptar që jeton në qytetin e Sarandës dhe që financonte, koordinonte, rekrutonte dhe udhëhiqte të gjithë rrjetin. Në disa media të tjera greke thuhet se, ai punon në Drejtorinë e Transporteve në këtë qytet, ndërsa bëhen publike dhe inicialet e emrit dhe mbiemrit të tij, Κ.Β. Ndërsa mediat online në Shqipëri publikuan emrin e plotë të tij, i cili është Klement Balili, aktualisht drejtor në Drejtorinë Rajonale të Transportit në Sarandë.
I ashtuquajtur baroni i drogës, sipas mediave greke, bashkëpunonte me një shtetas grek, ndërsa rrjeti ka qenë i shtrirë në Bullgari, Austri, Belgjikë, Angli, Spanjë, Holandë dhe Norvegji. Vepronte prej vitit 2014 dhe trafikonte sasi të mëdha lëndësh narkotike nga Shqipëria në Greqi, e më pas në këto shtete të Europës.
“Përsa i përket trafikimit të një sasie të lëndëve narkotike nga Shqipëria drejt Greqisë dhe Europës Perëndimore, shtetasi shqiptar 44 vjeç, me banim jashtë vendit, kishte rolin e sponsorit, por edhe qendrën e transportit nga Shqipëria në Greqi dhe në Europë, nëpërmjet kamionëve, apo me motoskaf nëpërmjet detit, me bashkëpunëtor të drejtpërdrejtë dhe koordinator të transportit, të magazinimit të përkohshëm dhe trafikimit të mëtejshëm, një 46-vjeçar grek”, tha Christos Papazafiris, drejtori i Policisë së Athinës.
Siç bëjnë me dije mediat greke, baroni shqiptar i drogës, që vepron jo vetëm në Greqi, por edhe në vendet e Europës Qendrore dhe Veriore është person me tepër peshë, me lidhje të fuqishme me qeverinë shqiptare.
Ngarkesa e fundit e rrjetit ishin 678 kg hashash, që kishin mbërritur me një motoskaf nga Shqipëria në ishullin e Zakynthos, siç përshkruajnë edhe hartat e policisë, dhe që atje droga do të çohej në Athinë, me destinacion përfundimtar Oslon e Norvegjisë. Deri tani, policia ka arrestuar 15 persona, 13 grekë dhe dy shqiptarë, dhe ka sekuestruar përveç drogës edhe një motoskaf, 3 kamionë në të cilët fshiheshin lëndët narkotike që më pas shkonin në Europë, 39 telefona celularë, një kompjuter dhe një sasi parash. Burime policore theksojnë se, ende nuk është zbuluar i gjithë rrjeti dhe se hetimet po vazhdojnë.
Karteli do trafikonte 60 kg kokainë në Bruksel
Gazeta greke “Ethnos” shkruan se banda ka dërguar sasi të mëdha droge në Evropë, në nëntor të vitit të shkuar kishte planifikuar të niste për në Bruksel një sasi prej 60 kg kokainë. Transferimi i mallit të bardhë nuk është kryer për shkak të frikës së shoferit se mund të arrestohej nga policia teksa masat e sigurisë ishin rritur tejet shumë pas sulmeve terroriste të Parisit, që lanë pas dhjetëra të vdekur.
Për këtë arsye, autoritetet hetimore greke kanë shkëmbyer informacion me DEA-n amerikane si dhe me agjencitë ligjzbatuese në Belgjikë, Holandë, Bullgari, Itali, Spanjë dhe Austri. Më 26 janar të vitit 2016, organet hetimore greke ka kërkuar ndihmë ligjore në Hagë nga agjencia EUROJUST, transmeton “OraNews”. Kjo vinte pas një takimi me autoritetet shqiptare në vitin 2015 ku ishte diskutuar pikërisht për shkatërrimin e klanit të drogës.