Paketa e ndryshimeve kushtetuese nuk do të shkojë në Parlament për votim nëse nuk gjendet konsensusi për to. Deputeti demokrat, Oerd Bylykbashi, njëkohësisht nënkryetar i Komisionit për Reformën në Drejtësi përmes një prononcimi për mediat thekson rëndësinë e përputhjes së çdo pike të reformës me rekomandimet e dhëna nga Komisioni i Venecias. “Minimumi janë dhjetë pika kardinale që pa u zgjidhur ato nuk mund të ecet. Ai draft pa e zgjidhur këtë çështje, që do të zgjidhen me kompromis. Ne mund të kemi ndërmend një zgjidhje, pala tjetër një zgjidhje, në fund fare shkruajmë një të tretë së bashku. Pa e zgjidhur këtë çështje ai draft ka probleme të mëdha dhe këtë e thotë Komisioni i Venecias”, thotë Bylykbashi. Përveç Reformës në Drejtësi, Bylykbashi ka thënë se duhet edhe një reformë e plotë kushtetuese në të gjitha hallkat e saj, duke garantuar një sistem të qëndrueshëm. “Vetë fjala e plotë nënkupton shumë. Ne sot jemi përpara, për fat të keq me ndryshime masive, drastike që po i bëhen Kushtetutës sot, jemi përpara një zhbilancimi shumë të fortë të gjithë arkitekturës kushtetuese, nuk po flas vetëm për sistemin në drejtësi. Pjesa e sistemit në drejtësi është më vete problematike, por është një nga tre kolonat. Dhe asnjë nga tre kolonat nuk funksionon e vetme, e shkëputur. Nëse një pjesë zgjidhet keq dhe fillon dhe jep probleme në harkun e disa viteve, kjo do të marrë me vete dhe dy kollonat e tjera të pushtetit, ekzekutivin dhe legjislativin”, është shprehur Bylykbashi. Duke folur për reformën zgjedhore, deputeti demokrat ka theksuar problematikën e financimit të partive, duke shprehur edhe propozimin e PD, si dhe u shpreh kundër listave të hapura të kandidatëve në garë. “Ne po bëjmë një propozim që është shumë i fortë. Kemi shkuar deri aty sa të propozojmë 100% të financimit publik, të mos ketë financim privat. Belgjika e ka bërë këtë lloj sistemi pas një numri skandalesh në vitet ’90, skandale shumë të forta financiare, politike. Financim politik korruptiv me probleme të rënda. Korrupsioni politik është themeli i gjithë të këqijave. Ne po propozojmë që politika të mos jetë pre e parasë, aq më keq kriminale, qoftë korruptive apo krimi i organizuar, ta pastrojmë”, thekson ai. Kjo bëhet duke ulur koston e politikës dhe shqiptarët nuk kanë pse paguajnë një çmim të lartë. Mund të paguajmë shumë para nga buxheti i shtetit, por është akoma më shumë paraja që vjen nga privati. Ne listat e hapura në një version të tyre i kishim deri në vitin 2005 dhe ajo që u provua, komenti i një eksperti ndërkombëtar nga më të mirët, ka qenë: “Ajo që kam parë në Shqipëri me këtë votim preferencial që bëni ju është mënyra më e shëmtuar e vjedhjes, ku shoku vjedh shokun”. Pse? Sepse kandidatët e partisë fillonin dhe konkurronin me njëri-tjetrin dhe jo me kundërshtarin.
Shqiptarët depozituan jashtë vendit 114 milionë euro më 2015

Për vitin 2015, shqiptarët depozituan jashtë vendit 114 milionë euro. Sipas të dhënave nga Banka e Shqipërisë, viti i kaluar regjistroi një rritje të ndjeshme të sasisë së parasë që ekonomia shqiptare e ka vendosur jashtë vendit. Për vitin 2014, bilanci i depozitimeve jashtë vendit ishte negative në vlerën e 93 milionë eurove, çka tregon shumën neto të riatdhesuar nga pronarët e kapitaleve. Në bilancin e pagesave, kjo klasifikohet në zërin “monedha dhe depozita”, çka përfshin vetëm vendosjet në para. Statistikat nuk detajojnë sa prej këtyre parave i takojnë bankave, shoqërive tregtare apo individëve, megjithatë, kjo shumë nuk përfshin format e tjera të transfertave, si ato kapitale dhe investimet financiare. Duke llogaritur edhe këto të fundit, vlerat janë edhe më të larta. Vitin e kaluar, transfertat kapitale të shqiptarëve jashtë vendit arritën në 101 milionë euro, nga 94 milionë që patën qenë në vitin 2014. Nga pikëpamja teknike, transfertat kapitale përfshijnë kryesisht pagesat për transferimin e pronësisë së një aseti fiks. Për shembull, nëse një individ rezident në Shqipëri blen një pasuri të paluajtshme jashtë vendit, kjo klasifikohet si transfertë kapitale. Mes depozitave dhe shpenzimeve kapitale, llogarisim se shqiptarët kanë investuar jashtë 215 milionë euro gjatë vitit të kaluar. Ndërkohë, investimet direkte të individëve dhe kompanive shqiptare jashtë vendit vitin e kaluar, në terma neto, ishin vetëm 11 milionë euro, nga rreth 58 milionë euro që patën qenë në vitin 2014. Nëse llogarisim së bashku depozitat jashtë vendit, transfertat kapitale dhe ato financiare, shqiptarët investuan jashtë vendit 226 milionë euro gjatë vitit 2015.
“Panama Papers” të korruptuarit dhe kriminelët nuk do të mund të flenë
Rrjedhja e mbi 11 milionë dokumenteve nga një firmë ligjore në Panama ka zbuluar se si elitat globale, përfshirë bashkëpunëtorë të Presidentit rus, Vladimir Putin, kanë të fshehura shuma të mëdha parash.
Në lidhje me këtë çështje, korrespondenti i Radios “Evropa e Lirë”, Pamir Sahill, ka biseduar me zotin John Christensen, drejtor ekzekutiv i Rrjetit të Drejtësisë Tatimore, që është një mekanizëm i pavarur ndërkombëtar.
– Si e interpretoni rrjedhjen e Letrave të Panamasë (Panama Papers)? A është ky një zbulim i habitshëm?
Mendoj se Letrat e Panamasë janë një nga rrjedhjet më të mëdha të kohës moderne. Janë rrjedhja e parë e madhe nga një firmë ligjore, që ka çuditur shumë njerëz. Miliona letra janë zbuluar dhe vazhdojnë të zbulohen.
Ato përfshijnë njerëz të nivelit shumë të lartë, jo vetëm politikanë, por edhe njerëz të biznesit dhe elita në gjithë botën. Mendoj se kjo rrjedhje është në të njëjtën shkallë me zbulimet e Edward Snowdenit (ish-kontraktor i inteligjencës amerikane, i cili ka publikuar dokumente sekrete të SHBA-së), sepse ajo zbulon nivelin e korrupsionit në mes të elitave globale, politike dhe të pasura.
Ky korrupsion ka vazhduar me dekada. Kjo është hera e parë që kemi një zbulim në këtë shkallë.
– Dhe, kur politikanët dhe elitat bëjnë përpjekje të krijojnë kompani jashtë vendeve të tyre ose t’iu shmangen taksave, a është kjo ligjore?
Le të jemi krejtësisht të qartë. Evazioni fiskal është i paligjshëm në të gjitha rrethanat. Edhe kur shmangia e taksave ndodh përmes strukturave jashtë vendit, pothuajse në të gjitha rastet, edhe kur apelohet në gjykatë, del të jetë e paligjshme.
Mendoj se publiku e di këtë shumë mirë. Publiku e di se kur njerëzit krijojnë struktura jashtë vendit, kompani jashtë vendit ose besim në juridiksionet si ato të Panamasë, kjo është diçka e paligjshme ose korrupsion.
– Pra, kompanitë jashtë vendit janë të paligjshme?
Jo, e keqja është se kompanitë jashtë vendit janë ligjore. Problemi real me kompanitë jashtë është fakti se vendet si Panamaja nuk kërkojnë që pronarët, pronarët e vërtetë të kompanive jashtë vendit të bëjnë të ditur identitetet e tyre.
Kompanitë si Mossack Fonseca, nga e cila kanë rrjedhur Letrat e Panamasë, sigurojnë emrat e aksionarëve dhe emërojnë drejtorët. Këta janë njerëz që japin emrat e tyre për të vepruar si drejtorë ose aksionerë, për të fshehur identitetin e njerëzve të vërtetë. Kjo është ajo pjesa tronditëse në lidhje me kompanitë jashtë vendit, që nuk bëjnë të ditur identitetin e njerëzve të vërtetë që fshihen prapa kompanive jashtë vendit.
– Rrjedhja e letrave është duke vazhduar. A mendoni se do të ketë reagim të madh nga njerëzit në gjithë botën?
Shpresoj shumë që publiku në të gjitha vendet e botës do të nisë të bëjë presion serioz mbi politikanët, që të ndërmarrin hapa. Çfarë hapash kërkojmë ne? Para së gjithash, duam një traktat global ose kërkesë që çdo juridiksion në botë të krijojë një regjistër publik të pronësive të kompanive jashtë vendit dhe të fondacioneve jashtë vendit. Kjo nuk do të ndodhë derisa politikanët të mos detyrohen nga publiku për të ndërmarrë hapa, sepse shumë politikanë janë vetë ose i kanë familjet e tyre të përfshira në struktura jshtë vendit.
Ata do ta bëjnë një gjë të tillë vetëm kur të kenë presion nga publiku, presion real global. Për dekada të tëra, politikanët kanë premtuar se do të ndërmarrin veprime kundër parajsave të taksave dhe nuk kanë bërë asgjë. Tani është koha. Rrjedhjet nga Panamaja janë zile alarmi për pjesën tjetër të botës, që të ndërmarra hapa.
– Si e shihni të ardhmen e këtyre firmave ligjore? A mendoni se elitat financiare dhe politike të botës do të jenë tani më të kujdesshme kur të transferojnë para jashtë vendit?
Le të shohim. Politikanët, tregtarët e drogës dhe të gjithë njerëzit e tjerë që kanë përdorur kompani jashtë vendit, kanë qenë të kujdesshëm. Ata kanë operuar në atë mënyrë që firmat ligjore të mbrojnë identitetin e tyre.
Kjo do të bëjë që shumë njerëz të mos flenë në javët e ardhshme, sepse ata e dinë se nuk do të mund të mbështeten më në firmat ligjore. Mendoj se, kriminelët dhe eliatat e bizneseve, ashtu si edhe elitat e pasura në gjithë botën, që u janë shmangur tatimeve dhe nuk i kanë zbuluar konfliktet politike të interesit, nuk do të mund të flenë, sepse niveli i sekretit që kanë pasur për dekada të tëra, nuk mund të garantohet më.
Gruaja e Komisionerit të BE në skandalin “Panama”
Bernd RIEGERT
Micaela Domecq Solis-Beaumont – ky emër gjendet krah mijërave të tjerëve në dokumentet e publikuara nga të ashtuquajturat “Panama Papers”. Bëhet fjalë për gruan e komisionerit të BE-së për Energjinë e Mbrojtjen e Klimës, Miguel Arias Canete. Micaela Solis-Beaumont, e cila vjen nga një familje e pasur, nga viti 2005 ka pasur të drejtën e nënshkrimit për firmën “Rinconado Investment Group”, një firmë fiktive në Panama. Kjo firmë ka ekzistuar edhe në kohën kur Miguel Arias Canete kishte poste në Spanjë, por edhe nga viti 2014, kur ai mori një post në Bruksel. Kur një gazetar i rrjetit investigativ që kishte vlerësuar dokumentet i bën një telefonatë eurokomisionerit, për ta njoftuar, ky i fundit e kap vetë telefonin për t’ia bërë me dije presidentit të KE-së, Jean-Claude Juncker se ka mundësi për publicitetit negativ për Komisionin.
Pranohen dokumentet
Çiftit Canete nuk i janë provuar veprime ilegale biznesi dhe as evazion fiskal, por megjithatë për komisionerët e BE-së, steka e moralit është shumë e lartë. Para fillimit të punës në postin e tij, sipas rregullores, Canete i kishtëe bërë publike aktivitetet e biznesit të njerëzve të tij të afërt. “Deklaratat e komisionerit Canete nuk bien ndesh me rregullat e Komisionit”, tha Margaritis Schinas, zëdhënësi i Komisionit Europian të hënën (04.04) në Bruksel, me kujdes, por duke theksuar se ky vlerësim bazohet në të dhënat e Canetes. Firma në Panama ku bën pjesë edhe gruaja e tij nuk është aktive prej vitesh, ka deklaruar Canete, pra, nuk ka pasur konflikt interesi që do ta pengonin punën e tij. Avokatët e Micaela Demecq Solis-Beaumont pohuan se, klientja e tyre i ka bërë të gjitha deklaratat e duhura për autoritetet fiskale spanjolle.
Përmasa “skandaloze” të fshehjes së taksave
Komisioni Europian e ka shpallur prioritet luftën kundër fshehjes së taksave e evazionit fiskal në të ashtuquajturat parajsa fiskale. Një komision i KE-së po heton nëse presidenti i tij, Jean-Claude Juncker gjatë kohës si kryeministër i Luksemburgut përmes modeleve të mënjanimit të taksave e ka shndërruar këtë vend në një parajsë fiskale për shumë koncerne të mëdha, Juncker i hedh poshtë akuzat e ngritura para dy vjetësh. Deputeti liberal gjerman, Michael Theurer, i cili trajton çështjen e “Lux-Leaks” në komision i shikon si “skandaloze” zbulimet. “Sigurisht, komisioni për tatimet do të shqyrtojë edhe gjurmët e faktet që dalin nga ‘Panama Papers’. Dihej që Panamaja ishte një parajsë fiskale. Por përmasat e evazionit fiskal dhe dyshimi se janë përfshirë edhe krerë shtetesh e qeverish, madje gjurmët të çojnë deri tek Siemens, të gjitha këto janë ‘skandaloze'”, thotë deputeti gjerman.
BE kërkon futjen e tatimit aty ku fitohet
Në Luksemburg ka tatime shumë të ulta për fitimet që rrjedhin nga vende të tjera të botës. Një praktikë e tillë, e njohur edhe në vende të tjera si Irlanda, Holanda, do duhet të reduktohet me një ligj të ri të BE-së. Komisioneri europian për tatimet, Pierre Moscovici, ka propozuar në fillim të këtij viti që fitimet të tatohen aty ku edhe nxirren. Kështu modelet e kursimit të tatimeve si psh. në Luksemburg nuk do të jenë më interesante. Moscovici i ka thënë televizionit francez, RTL se në BE nuk ka më parajsa fiskale. Megjithatë edhe ekzistenca e një firme fiktive, pra thjesht një kuti postare nuk është shkelje ligjore. Shumë qeveri në Europë bënë të ditur se do të bëjnë hetime lidhur me publikimet e Panama Papers.
Të penalizohen bankat?
Eksperti për financat i Partisë së Gjelbër, Sven Giegold, kërkon penalizimin e bankave europiane, të cilat bëjnë pazare me firma të dyshimta fiktive. “Anëtaret e BE-së përmes pasivitetit të tyre u mundësojnë elitave të pasura të fshehin pasuritë e tyre në vende të treta për t’i ikur tatimit në vend. Është skandaloze që nuk ka asnjë lloj transparence për biznese të tilla dhe që ne jemi të varur nga informacionet e zbuluesve apo gazetarëve”, thotë Giegold. Komisioni Europian u kundërpërgjigj eurodeputetit Giegold. Bankat europiane që tani duhet t’i bëjnë publike veprimet e tyre për tatimet dhe të publikojnë pjesëmarrjen e tyre, thotë një zëdhënës i Komisionit. Ndërkohë në listat e Panama Papers dalin emra të njohur nga Europa, si kryeministri islandez, Sigmundur David Gunnlaugsson dhe dy ministra të tij, një punonjës i afërt i ish-kryeministrit grek, Antonio Samaras dhe babai i ndarë nga jeta i kryeministrit britanik, David Cameron.
Bashkia Kamëz, projekt për rikuperimin dhe përmirësimin e mjedisit në qytet
Një nga hapat e rëndësishëm të ndërmarrë nga Bashkia Kamëz për vitin 2016 është rikuperimi dhe përmirësimi mjedisor i qytetit, me qëllim përmirësimin e dukshëm të mjedisit dhe për rrjedhojë edhe të jetesës së qytetarëve. Përmirësimi mjedisor është një nga objektivat themelorë të punës së Bashkisë Kamëz për të arritur standarde të qyteteve me një mjedis të pastër si brenda ashtu dhe jashtë vendit. Kështu, është përzgjedhur një zonë me shtrirje të konsiderueshme gjeografike për të zbatuar këtë vit një projekt-pilot për unazën e brendshme të qytetit të Kamzës.
Projekti për unazën e qytetit përfshin rrugët kryesore, rrugët dytësore si dhe një rikuperim të hapësirave publike për t’i kthyer në një mjedis të përshtatshëm për t’u frekuentuar. Zbatimi i këtij projekti-pilot do ta shndërrojë këtë zonë në një nga zonat më të frekuentuara, pasi do të kthehet në një shëtitore të vërtetë, jo vetëm për qytetarët që kanë afërsinë gjeografike me të, por edhe për cilindo që do të kishte dëshirën për të parë nga afër një nga ndryshimet e rëndësishme që do të pësojë infrastruktura dhe mjedisi në këtë zonë.
Kjo iniciativë e rregullimit urban, e cila do të diskutohet edhe me grupet e ndryshme të interesit, përfshin mbjelljen e pemëve dhe bimëve dekorative për të gjithë zonën; vendosjen e ndriçuesve në të gjitha segmentet rrugore; vendosjen e konteinerëve dhe koshave mbledhës të mbetjeve të ndryshme urbane. Gjithashtu do të ndërtohen rrugë për këmbësorët (pedonale), çezma uji dhe do të bëhet një rikuperim tërësor i mjedisit.
Kjo zonë pilot do të shërbejë si një nxitje për pjesën tjetër të zhvillimit të qytetit, ku do të tentohet për të harmonizuar në vijimësi raportin ndërtime urbane-gjelbërim mjedisor. Ky zhvillim sjell ndryshimet që pasqyrojnë punën që bëhet në Bashkinë Kamëz, duke ofruar kështu shërbime dhe investime me rëndësi jetike për banorët e qytetit.
Shifrat e pikiatës ekonomike në 2015
Këto javë po publikohen, njëra pas tjetrës, disa të dhëna ekonomike për vitin e shkuar. Sipas këtyre të dhënave bëhet e ditur se eksportet në vitin 2015 kanë qenë në vlerën rreth 1,8 miliard euro, kanë pësuar rënie të ndjeshme dhe parashikohet të bien edhe më tej. Përsa i përket importeve, ato paraqiten me rreth 4 miliardë euro, janë të qëndrueshme pa patur ndryshime të ndjeshme. Defiçiti tregtar me 2,2 miliardë euro është rritur e pritet që do të rritet më tej përderisa pritet ulje e eksporteve. Të ardhurat nga emigrantët, me rreth 600 milionë euro, duken stabël në krahasim me dy vitet e fundit. Investimet e huaja janë deklaruar më shumë se 900 milionë euro, të rritura në krahasim me 2014, por nuk ka patur asnjë informacion mbështetës apo shenjë të dukshme që kjo të jetë e vërtetë. Borxhi i jashtëm, publik e privat, u rrit me 700 milionë euro gjatë vitit. Totali i borxhit të jashtëm në fund të 2015 arriti në rreth 7,6 miliardë euro. Totali i depozitave bankare në fund të 2015-ës ishte rreth 7,6 miliardë euro. Shifrat e mësipërme, në një shpjegim të thjeshtësuar do të thonë që: gjatë 2015-ës kemi konsumuar 2,2 miliardë euro mallra më shumë nga sa kemi eksportuar, të cilat i kemi paguar me ato pak të ardhura nga emigracioni (600 milionë), me investimentet e huaja (900 milionë) dhe pjesën tjetër me borxhe nga jashtë vendit (700 milionë). Kjo gjendje zgjat prej vitesh, në mënyrë të pandryshueshme. Kemi arritur në një situatë financiare, ku borxhi i jashtëm i kompanisë Shqipëria (shteti 43 për qind, bankat 18 për qind dhe privatët 22 për qind) është i njëjtë me depozitat ( kryesisht të privatëve) në bankat e vendit. Me pak fjalë, në qoftë se do shlyenim të gjitha borxhet, nuk do të mbetej asnjë gjë në bankë. Në realitet, nga 7,6 miliardë euro në depozita më tepër se gjysma janë angazhuar si kredi të dhëna ekonomisë shqiptare, ku rreth një e katërta janë, tashmë, borxh i keq. Përtej parashikimeve pompoze të qeverisë, ecuria e eksporteve dhe huave do të vazhdojë e tillë, në mos do të përkeqësohet këtë vit, në rastin që shteti do të ndërhyjë financiarisht për të shpëtuar nga falimentimi i paralajmëruar në kompanitë më të mëdha debitore. Investimet e huaja janë tepër të vështira për t’u matur dhe akoma më të vështira për t’u vlerësuar si parashikim—vetëm për projektet e mëdha shumëvjeçare si Hidrocentrali i Devollit apo TAP-i mund të bëhet ndonjë parashikim. Deri tani, përveç këtyre dy investimeve që do të përfundojnë relativisht shpejt, në horizont nuk duket asgjë tjetër. Natyrisht ka thashetheme që nuk bëhen asnjëherë realitet për konçesione që kërkojnë vite të tëra të fillojnë. Me pak fjalë, gjatë dy viteve të fundit ekonomia po mbahet me investimet e projektet e projektuara dhe vendosura në të shkuarën, ndërkohë që mungojnë projektet që duhet të garantojnë shëndetin ekonomik në të ardhmen.
Si po degradon ekonomia
• Eksportet, në vlerën rreth 1,8 miliard euro, kanë pësuar rënie të ndjeshme dhe parashikohet të bien edhe më tej.
• Importet, me rreth 4 miliardë euro, janë të qëndrueshme pa patur ndryshime të ndjeshme.
• Defiçiti tregtar me 2,2 miliardë euro është rritur e pritet që do të rritet më tej përderisa pritet ulje e eksporteve.
• Të ardhurat nga emigrantët, me rreth 600 milionë euro, duken stabël në krahasim me dy vitet e fundit.
• Investimet e huaja janë deklaruar më shumë se 900 milionë euro, të rritura në krahasim me 2014, por nuk ka patur asnjë informacion mbështetës apo shenjë të dukshme që kjo të jetë e vërtetë.
• Borxhi i jashtëm, publik e privat, u rrit me 700 milionë euro gjatë vitit.
• Totali i borxhit të jashtëm në fund të 2015 arriti në rreth 7,6 miliardë euro.
• Totali i depozitave bankare në fund të 2015-ës ishte rreth 7,6 miliardë euro.
Skandali i “Panama Papers”, dorëhiqet Kryeministri i Islandës
Pas presioneve të vazhdueshme nga deputetët e opozitës si dhe nga protestat masive të qytetarëve, Kryeministri i Islandës, Sigmundur David Gunlaugson, ka dhënë dorëheqjen. Megjithatë, dorëheqja e tij nuk është zyrtarizuar ende pasi ende nuk është bërë njohja nga Presidentit si dhe nga aleatët e koalicionit qeverisës. Gunlaugson dyshohet se ka fshehur miliona dollarë pasuri nëpërmjet kompanive off-shore me ndihmën e kompanisë ligjore Mosak Fonseka.
Kryeministri i Islandës, Sigmundur David Gunlaugson, ka dhënë dorëheqjen pas presionit të ushtruar nga deputetët e opozitës si dhe nga protestat masive të qytetarëve për shkak të dyshimeve mbi përfshirjen e tij në skandalin e kompanive off-shore. Megjithatë, pavarësisht vendimit të Kryeministrit, zyrtarizmi i dorëheqjes mund të bëhet vetëm pas njohjes nga aleatët e koalicionit qeverisës si edhe nga Presidenti i vendit.
Në bazë të materialeve të publikuara nga grupi investigativ i gazetarëve, Kryeministri i Islandës raportohet se kisthe në bashkë-pronësi një kompani off-shore me bashkëshorten e tij.
Sipas akuzave, ai dyshohet të ketë fshehur miliona dollarë nëpërmjet parajsave fiskale.
Dorëheqja e tij shënon pasojën e parë madhore të skandalit të Panamasë. Mediat kanë raportuar gjithashtu se postin e tij mund t’a zërë ministri i agrokulturës në qeverinë aktuale, Sigurður Ingi Jóhannsson.
Më herët, mijëra njerëz kanë protestuan përpara godinës së parlamentit, duke kërkuar dorëheqjen e kryeministrit Sigmundur Gunnlaugsson.
Mediat lokale thonë se në sheshin përpara parlamentit në Rejkjavik ishin mbledhur rreth 10 mijë persona, një shifër kjo që sipas policisë nuk ishte parë kurrë më parë në një demonstratë.
Vjedhje edhe me mirëmbajtjen e tuneleve, 2.2 milionë euro në vit
Mirëmbajtja e dy tuneleve, atij të Krrabës dhe Kalimashit kushtuan në vitin 2015 mbi 304 milionë lekë ose 2.2 milionë euro. Sipas të dhënave zyrtare nga Autoriteti Rrugor Shqiptar 134 milionë lekë ose pak më shumë se 1 milion euro janë shpenzuar për mirëmbajtjen e tunelit të Krrabës dhe pjesa tjetër prej 168 milionë lekësh ose 1.2 milionë euro u shpenzuan për mirëmbajtjen e tunelit të Thirrës pjesë e rrugës së “Kombit”. Ndërtimi i akseve të mëdha rrugore si autostrada e “Kombit” dhe ajo e Elbasanit e kanë rritur ndjeshëm koston e mirëmbajtjes së rrugëve, teksa përpjekjet e qeverisë shqiptare për dhënien me konsecion të këtij shërbimi kanë dështuar për rrugën e “Kombit”. Gjatë vitit 2015 janë shpenzuar për mirëmbajtjen e rrjetit rrugore në vend 2,2 miliardë lekë ose 16 milionë euro. Kjo shumë është sa 14 për qind e fondeve në dispozicion të rrugëve për 2015. Autoriteti Rrugor Shqiptar ka nën administrimin e tij 3947.51 km rrugë shtetërore të ndara sipas Drejtorive Rajonale. Rajoni Verior i Shkodrës ka në inventarin e rrjetit rrugor 1436.02 km. Ne vitin 2015 janë lidhur 23 kontrata mirëmbajtjeje nga 27 që janë gjithsej. Drejtoria e Rajonit Qendror Tiranë ka në inventarin e rrjetit rrugor 867.79 km. Në vitin 2015 janë lidhur 14 kontrata mirëmbajtje me bazë performance nga 14 që janë gjithsej. Drejtoria e Rajonit Jugor Gjirokastër ka në inventarin e rrjetit rrugor 1643.7 km. Në vitin 2015 janë lidhur 24 kontrata mirëmbajtje me bazë përformancë nga 34 që janë gjithsej. Në total të gjitha akset rrugore janë të grupuara në 71 kontrata mirëmbajtjeje me bazë performance nga të cilat 34 përfshijnë edhe mirëmbajtjen dimërore. Gjatë vitit 2015, janë realizuar në zërin “Investime” 2,232,869,725 lekë, të cilat në kuadër të mirëmbajtjes, konsistojne në; përmirësime të gjendjes së shtresave rrugore, për rritjen e sigurisë rrugore.
Mashtrimi i qeverisë me të dhënat ekonomike
Gjatë ditëve të fundit, qeveria ka publikuar një seri të dhënash “triumfale”, ndër të cilat bie në sy suksesi i të ardhurave fiskale në dy muajt e parë të vitit 2016, të cilat mund të sjellin një shtesë prej 4 milionë eurosh në krahasim me parashikimet e buxhetit për këtë vit.
Por, në periferi të lajmeve triumfuese për të ardhurat fiskale, ishte njoftimi se, shpenzimet për investimet publike nuk i kaluan 50 për qind të planit, i shoqëruar me një koment, i cili shpjegonte se kjo gjë konsiderohet normale në muajt e parë të vitit për shkak të një buxheti të ri.
Po këto ditë, raporti periodik i Fondit Monetar përsëriti vlerësimin se rritja reale e prodhimit për vitin 2016 pritet të jetë rreth 3,4 për qind, shifër e parashikuar më parë dhe e përllogaritur nga qeveria në buxhetin e vitit 2016. Kjo pritshmëri do të bëjë të mundur që totali i shpenzimeve publike, pa përfshirë pagesat e interesit të borxhit publik, do të jetë më i vogël se totali i të ardhurave, pra pritet të kemi (në gjuhën teknike) sufiçit parësor buxhetor.
Ndërkohë nga burime të Bankës Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH) bëhet e ditur se ajo po përgatitet të ofrojë një kredi për KESH-in prej afërsisht 218 milionë euro, për t’i lejuar kësaj të fundit për të zvogëluar kreditë afatshkurtra ndaj sistemit bankar vendas.
Toni i mediave gjatë përcjelljes së këtyre lajmeve nënkuptonte, se bëhej fjalë për informacione pozitive, madje në disa raste pati edhe deklarata se më në fund ekonomia shqiptare po shkonte “në drejtimin e duhur”: rriten të ardhurat fiskale, ngadalësohen shpenzimet, zvogëlohet borxhi dhe, së fundi, forcohen zërat e bilancit të kompanisë publike elektrike, pra e ardhmja ekonomike është më e mirë.
Më saktë në mënyrën e njoftimeve mediatike lexohet përpjekja e vazhdueshme e qeverisë për të manipuluar opinionin publik, ndihmuar nga zgjedhja që FMN ka bërë për të mos e përgënjeshtruar apo kundërshtuar qeverinë, që në fund të fundit është një nga aksionerët e saj, dhe në parim vendimmarrës dhe kontribues në emërimet dhe karrierat e burokratëve të FMN-së.
Si një vëzhgim i parë, borxhet e KESH dhe të gjithë sistemit elektrik publik kanë përmasa katastrofike, duke variuar nga 1,5 deri në 2 miliardë euro, por që falë trukeve kontabël dhe interpretimeve të qëllimshme nuk janë të përfshira në shumicën e tyre në përllogaritjen e borxhit publik. Por, nëse KESH i drejtohet BERZH-it për hua, kjo nuk është thjesht për të bashkuar borxhin afatshkurtër, por me shumë ngjasa për ta rinovuar dhe konsoliduar (që do të thotë për ta transformuar në një borxh afatgjatë) dhe, natyrisht, me kosto më të lartë financiare. Kjo gjë mund të jetë bërë e detyrueshme edhe për faktin se bankat vendase kanë vështirësi në rinovimin e overdraftit për klientë, aftësia paguese e të cilëve nuk përmbush kriteret e nevojshme për këtë lloj financimi.
Azilkërkuesit protestojnë kundër kthimit në Turqi
Duke parë se autoritetet kanë nisur procesin e kthimit pas të emigrantëve drejt Turqisë, azil-kërkuesit që ndodhen në ishullin grek Lezbos, kanë zhvilluar një protestë paqësore në shenjë kundërshtimi ndaj marrëveshjes së firmosur më herët mes qeverisë së Ankarasë dhe Bashkimit Europian. Ata kanë thirrur së bashku fraza të ndryshme ku kërkojnë liri në përzgjedhjen e vendit se ku duan të kërkojnë azil. Ndërkohë, vëzhguesit e të Drejtave të Njeriut japin alarmin se azil-kërkuesit nuk po trajtohen në një mënyrë të përshtatshme.
Emigrantët që ndodhen në ishullin grek Lezbos kanë zhvilluar një protestë paqësore duke kërkuar që autoritetet të mos i kthejnë pas në Turqi. Ata mbajtën në duar pankarta si dhe thirrën fraza të ndryshme ku kërkonin liri në përzgjedhjen e vendit se ku duan të kërkojnë azil.
Aktualisht në ishullin Lezbos ndodhen mbi 5.000 emigrantë. Ndërkohë, vëzhguesit e të Drejtave të Njeriut japin alarmin se azil-kërkuesit nuk po trajtohen në një mënyrë të përshtatshme.
“Shqetësimi ynë më i madh është se këtyre njerëzve nuk po u ofrohet një proces i drejtë për të kërkuar azil. Situata është mjaft e rënduar. Autoritetet po tregohen mos-kokëçarëse dhe asnjë prej emigrantëve nuk po dëgjohet në mënyrë individuale. Ata nuk kanë as të drejtë që të apelojnë mbi një vendim negative.” Janë fjalët e këtij vëzhguesi.
Një situatë problematike paraqitet edhe në kampin e Idomenit, ku të paktën 11.000 azil-kërkues ndodhen të bllokuar tashmë prej disa javësh. Vëzhguesit e Agjensisë së OKB-së për Refugjatët raportojnë se kampi është krejtësisht jashtë standarteve dhe se mungesa e kushteve higjenike mund të kontribojë në përhapjen e sëmundjeve epidemike.
Një tjetër fakt shqetësues është se rezervat ushqimore dhe medikamentet janë drejt fundit. Qeveria greke ka ndërtuar kampe të reja qëndrimi, por azil-kërkuesit refuzojnë të transferohen me shpresën për të vazhduar rrugëtimin e tyre drejt Europës Perëndimore.
Nga ana tjetër, edhe emigrantët që ndodhen në portin e Pireut kanë mbajtur një qëndrim të njëjtë duke refuzuar largimin. Ata thonë se nuk mund të kthehen pas pasi kanë sakfrikuar gjithcka dhe se nuk mund të kthehen pas.