12.6 C
Tirana
E enjte, 15 Maj, 2025

Bayerni në finale të Kupës së Gjermanisë

Bayerni i Mynihut është skuadra e parë finaliste e Kupës së Gjermanisë. Kampionët e Bundesligës fituan 2-0 në gjysmëfinale ndaj Verder Bremenit, në një sfidë që u vendos nga një dygolësh i Thomas Mullerit. Në fakt edhe pse ndeshja u luajt në “Allianz Arena”, bavarezët u treguan të kujdesshëm për të mos rrezikuar në fazën mbrojtëse çka u reflektua edhe me rastet e pakta të pastra për shënim, sidomos në pjesën e parë. Kinsley Coman iu afrua fillimisht golit në minutën e 28-të më një goditje brenda zonës që përfundoi mbi tra, për të ardhur më pas te goli që i dha kualifikimin Bayernit.
Goditje këndi për bavarezët në minutën e 30-të. Muller, pasi iu shmang me zgjuarsi mbulimit të mbrojtjes, i vetëm në qendër të zonës goditi saktë me kokë, duke e bërë të pavlefshme ndërhyrjen e Widewald. Në pjesën e dytë, Verderi ushtroi më shumë presion në gjysmëfushën e Bayernit, por në të 71-ën miqtë shkaktuan një 11-metërsh që u shndërrua në gol po nga Muller. Në finale të Kupës së Gjermanisë, Bayerni do të përballet me fituesin e çiftit Herta e Berlinit – Borussia e Dortmundit.

Neuer rinovon për 5 sezone

Bayerni i Mynihut blindon portierin, Manuel Neuer. Gardiani gjerman ka nënshkruar një kontratë të re 5-vjeçare me klubin bavarez, duke e zgjatur bashkëpunimin deri në vitin 2021. 30-vjeçari që fitoi Kupën e Botës në vitin 2014, u bashkua me Bayernin në vitin 2011 pas eksperiencës me Schalke 04. Ai numëron 248 ndeshje me kampionët e Gjermanisë, 3 tituj kampion dhe një UEFA Champions League. Neuer numëron 64 ndeshje me fanellën e Kombëtares dhe kontrata e re e nënshkruar me Bayernin e Mynihut, hedh poshtë zërat për tërheqjen e tij nga futbolli.
Me firmën e hedhur nga Neuer, shkon në 5 numri i lojtarëve aktualë të Bayernit që kanë pranuar të qëndrojnë në “Allianz Arena” deri në vitin 2021. Një gjë të tillë më parë e kanë bërë edhe Jerome Boateng, Thomas Muller, David Alaba e Javi Martinez. Fushata e rinovimeve që kanë nisur drejtuesit, synon hedhjen e themeleve edhe për vitet e ardhshme, duke u bazuar në organikën aktuale. Në këtë mënyrë, të mëdhenjtë e futbollit europian do ta kenë shumë të vështirë të shkëpusin lojtarët e ekipit bavarez. “Bild” shkruan ndër të tjera se, tashmë Pep Guardiola duhet ta braktisë idenë për ta transferuar portierin në ishull me Manchester City-n, pasi Neuer ishte një nga emrat në listën e katalanasit.

Reagim i Bashkisë Kamëz: Tahiri, ushtar i Shullazit ndodhet në panik

Bashkia e Kamzës ka reaguar pas deklaratave të ministrit të Brendshëm, Saimir Tahiri i cili tha se PD-ja duhet të reagojë për dënimin e Mziut për korrupsion. Në një njoftim për shtyp thuhet se, Saimir Tahiri, ky ushtar i Emiliano Shullazit, që prej 2 ditësh nuk guxonte t’i përmendte as emrin padronit që ndodhet pas hekurave në panik e sipër, sot sikundër të tjerë eksponentë të kësaj mazhorance të lidhur me krimin, guxuan që nga Kamza të atakonin kryebashkiakun e Kamzës, Xhelal Mziun.

“Bashkia Kamëz i kujton Saimir Tahirit që njerëzit e lidhur me krimin si ai duhet të përgjigjen për atë që tashmë di çdo qytetar shqiptar. Saimiri, ky ushtar i Shullazit, duhet të jetë mërzitur, pasi ka frikë se mos ai flet në organet e drejtësisë dhe opinioni publik mëson më shumë nga sa di. Saimir Tahiri dhe soji i tij përgjigjen nga Kamza dhe Xhelal Mziu e kanë marrë më 21 qershor 2015, ku me gjithë makinerinë e pushtetit, presionin, blerjen e votës dhe mënyra të tjera antiligjore dështuan, pasi qytetarët e Kamzës dhe Paskuqanit votuan bindshëm Xhelal Mziun për një mandat të tretë”, thuhet në njoftimin për shtyp të Bashkisë Kamëz.

Bashkia Kamëz I drejton 5 pyetje ministrit Tahiri. Saimir Tahiri duhet t’u japë përgjigje disa pyetjeve që sot pret me padurim i gjithë opinioni publik: Kush i jepte imunitet Shullazit në gjobat që u ka vënë biznesmenëve? A është ai ushtar i Shullazit? Çfarë e lidh Saimir Tahirin me Shullazin, vjedhjen e votave? Kush ndërhyn për lirimin e kriminelëve nga qelitë e komisariateve? Përse u përplas policia me prokurorinë në rastin e Shullazit? Nga vinin urdhrat në Drejtorinë e Policisë Tiranë? Këtyre pyetjeve duhet t’u përgjigjet Saimir Tahiri në detyrën që mban pasi ai nuk është as prokuror dhe as gjykatës, me Kamzën merret Xhelal Mziu i votuar 3 mandate nga bashkëqytetarët.

Edmond DURAKU

Raporti i BMI-Fitch: Deficiti i lartë tregtar, rrezik për Shqipërinë

Raporti i fundit i BMI Research, pjesë e grupit vlerësues së njohur Fitch, në parashikimin për vendet e Europës Juglindore jep panoramën ekonomike të Shqipërisë dhe analizon sfidat për vitet në vijim, duke e vënë theksin në nivelin e lartë të deficitit të llogarisë korente.
Llogaria korente e Shqipërisë do të mbetet në mënyrë të vendosur sërish në deficit gjatë viteve të ardhshme, për shkak të deficitit të lartë tregtar të vendit. Megjithatë, një nivel relativisht i lartë i IHD-ve dhe rezervave ndërkombëtare e ulin rrezikun e një shpërthimi të krizës së pagesave në vitet e ardhshme. BMI parashikon që deficiti i llogarisë korente të Shqipërisë të mbetet i lartë, por i qëndrueshëm në vitin 2016 dhe 2017, duke arritur në nivelet e 12.3% të PBB-së dhe 12.2% në 2017. Eksportet e ulëta do të jenë faktori kryesor që do ta mbajnë në nivele të larta deficitin e llogarisë korente në vitet e ardhshme.
Përshpejtimi i kërkesës në eurozonë, sidomos nga Italia, do të ndikojë pozitivisht në eksportet në vitin 2016 dhe 2017. Shqipëria është shumë e varur për eksportet e saj në Itali, e cila importon 52.0% të totalit të eksporteve të Shqipërisë. BMI parashikon një ulje çmimi të naftës, mesatarisht 40 dollarë fuçia në vitin 2016 dhe 53 dollarë në vitin 2017, gjë që mund të ketë një efekt të dobët në bilancin e pagesave, duke qenë se vendi është një importues neto i naftës.
Megjithatë, thekson raporti, Shqipëria nuk do të jetë në gjendje që të zhvillojë prodhimin e mallrave kryesore gjatë viteve të ardhshme, gjë që do ta pengojë vendin që të arrijë një bazë më të diversifikuar të eksportit. Për më tepër, importet do të rifitojnë terren në vitin 2016 dhe 2017. Çmimet e ulëta të naftës do të reduktojnë faturën e importit të Shqipërisë gjatë muajve të ardhshëm. Shërbimet janë duke u bërë gjithnjë e më të rëndësishme për Shqipërinë, kryesisht për shkak të zgjerimit të sektorit të turizmit. Këshilli Botëror i Udhëtimit dhe Turizmit, me bazë në Londër, vlerëson se kontributi i turizmit në PBB do të rritet me 5.4% në vit midis 2015 dhe 2025, norma e dytë më të lartë e rritjes në Evropë, pas Malit të Zi. Shqipëria do të përfitojë nga situata relativisht e qëndrueshme në rajon që të vazhdojë të shndërrohet në vend tërheqës për turistët.
Rimëkëmbja në ekonomitë e eurozonës do të ndikojnë pozitivisht në fluksin e remitancave në Shqipëri në vitet që vijnë. Duke kontribuar më shumë se 9% të PBB-së, remitancat e bëjnë Shqipërinë një nga vendet e Evropës Juglindore, me shkallën më të lartë të varësisë të remitancave.
Kriza e eurozonës ka goditur ekonominë shqiptare në vitet e fundit, thekson raporti i BMI. Më shumë shqiptarë që punojnë jashtë vendit – veçanërisht në Itali dhe Greqi – fluksi i remitancave ka rënë në mënyrë të konsiderueshme. Megjithatë, një parashikim i fundit i raportit tregon se, ndonëse ata ranë në TM3 të 2015, remitancat neto do të rifitojë terren përsëri në 2016 dhe 2017.

Eksportet e fasonit nën presion, bie importi i lëndëve të para

Importet e lëndëve të para për industrinë fasone kanë pësuar ulje për tremujorin e parë të 2016 krahasuar me vitin e kaluar, duke paralajmëruar një ecuri më të moderuar të eksportit për këtë industri gjatë periudhës në vijim. Sipas të dhënave nga doganat në tremujorin e parë të vitit importi në regjim të përpunimit aktiv arriti në 22,9 miliardë lekë nga 23.2 miliardë lekë që ishte në të njëjtën periudhë të një viti më parë, duke pësuar një ulje me 1.2 për qind. Ekspertët e Bankës së Shqipërisë kanë pohuar se importet e destinuar të regjimit të përpunimit aktiv janë një sinjalizim i parë për ecurinë e eksporteve të mëvonshme në industrinë fason.
Lënda e parë për industrinë fason pa një rritje të shpejtë në vitin 2014, me zgjerim mbi 35 për qind krahasuar me vitin 2013. Sakaq pjesëtarë të tregut në parashikimet e tyre për këtë vit nuk janë treguar shumë optimistë. Rritja e taksave, çmimit të energjisë elektrike dhe ikja e krahut të kualifikuar të punës në emigracion ka përkeqësuar klimën e biznesit në industrinë fasone. Flamur Hoxha, administrator i kompanisë Kler dhe Donika Mici nga kompania Doniana, dy kompani që kanë realizuar ciklin e mbyllur e shohin të vështitë këtë vit. Eksportet e sektorit në maksimumin e tyre do të zgjerohen nga 6-10 për qind parashikojnë ata.
Eksportet e tekstile e këpucëve u rritën me 5%, në gati 90 miliardë lekë për vitin 2015, duke u bërë grupi më i madh i eksportuar në vend, me 37% të totalit (një vit më parë kryesonin lëndët djegëse dhe energjia me 34% të totalit). Ndonëse ky grup e ka marrë vetëm në gjysmën e dytë të vitit, pas rënies në muajt e parë të vitit dhe ka qenë pozitiv në muajt e parë të 2016-s, sërish ai mbetet larg rritjeve dyshifrore që u panë në 2014-ën.
Në kërkim të kostove të lira pas krizës financiare të vitit 2008, Shqipëria u bë një oaz i kërkuar për prodhuesit e këpucës dhe tekstilit. Të dy grupet kanë parë një rritje të admirueshme gjatë dekadës, por duket se ecurinë më të mirë e kanë pasur këpucët, eksportet e të cilave janë trefishuar që nga 2005. Duket se përfshirja në cikël të mbyllur të kompanive të mëdha të prodhimit të këpucës i ka dhënë vlerë më të shtuar eksportit në krahasim me tekstilin, rritja e të cilit, ndonëse e lartë, nuk ka qenë e admirueshme sa e këpucëve. Por me rritjen e barrës fiskale dhe shtimin e konkurrencës në rajon, sektori nuk pret të zgjerohet më shumë se 6% sipas burimeve nga tregu.

Renta minerare, të ardhurat bien me 14.3% në janar-mars

Çmimet e ulëta të lëndëve të para në tregjet ndërkombëtare, janë duke i dhënë efektet negative në të ardhurat buxhetore edhe këtë vit. Fenomeni është më i dukshëm në arkëtimet nga renta minerare, të cilat për tremujorin e parë të këtij viti ranë me 14.3% krahasuar me janar-mars 2015. Të ardhurat neto nga renta ishin 536 milionë lekë nga 626 milionë lekë në tremujorin e parë 2015. Krahasuar me faktin e së njëjtës periudhë të vitit 2014 ata ishin gjithashtu rreth 60% më të ulta. Burimet nga tregu pohojnë se, çmimet e ulëta të naftës dhe mineraleve janë, duke e goditur  industrinë vendase në dy kahe. Përveç çmimeve në kosto, tregu ndërkombëtar është i ngopur me lëndë të para të cilësisë së lartë. Ndaj nafta dhe mineralet shqiptare aktualisht nuk janë të shitshme edhe me çmimet e ulëta. Qindra tonë naftë dhe krom tani janë në inventarët e kompanive shqiptare në pritje të ndryshimit të situatës. Çdo person fizik ose juridik, i cili është i licencuar dhe/ose vepron në industrinë minerare, sipas një marrëdhënieje kontraktuale me ministrin përgjegjës për ekonominë, duhet të paguajë qira për burimet natyrore të nxjerra nga, mbi dhe nën tokën e Republikës së Shqipërisë. Renta minerare llogaritet si një detyrim mujor i tatimpaguesit, në kohën kur ai shet produkte minerale. Në rastin e eksportit të produkteve minerale, qiraja paguhet në kohën kur bëhet deklarata e eksportit. 25 për qind e të ardhurave nga renta minerare i kalon pushtetit lokal, ku kryhet aktiviteti.

Mbyllja e ARMO-s rrit importin e naftës me 33%

Importet e naftës janë rritur në tremujorin e parë me 33 për qind në krahasim me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Importet në sasi shënuan 109 mijë tonë në 2016 nga 73 mijë vitin e kaluar. Burimet pranë tregut pohuan se, shkaku kryesor për rritjen e importeve të karburanteve është mbyllja e rafinerisë së ARMO-s, nafta e cilës vitin që shkoi zuri rreth një të tretën e tregut vendas.
Për shkak të problemeve të administrimit që po kalon ARMO, e cila tashmë është zhytur në borxhe dhe në sekuestro nga dhjetëra kreditorë, ka mbyllur tërësisht aktivitetin e prodhimit. Ekspertët pohojnë se, nëse rafineria nuk do të kishte akumuluar keqadministrimin e dy dekadave, ky vit do të ishte një periudhë e artë për të. Çmimet e ulta në tregjet ndërkombëtare favorizojnë përpunimin në vend të naftës që nxirret nga nëntoka shqiptare.
Për shkak të cilësisë së ulët, (ku nafta bruto shqiptare prodhon vetëm 20% diesel) ajo aktualisht është e pashitshme në tregjet ndërkombëtare. Tregu botëror është i tejngopur me naftë të cilësisë së lartë dhe për prodhimin shqiptar nuk ka pothuajse fare kërkesë, shpjegojnë burimet pranë kompanive. Aktualisht i gjithë prodhimi po depozitohet në pritje të ndryshimit të situatës. Nëse ARMO do të ishte në punë, nafta e nxjerrë në vend do të mund të përpunohej në vend dhe të shitej po në vend, duke e mbyllur ciklin dhe po kështu, duke shpëtuar industrinë drejt falimentit të pashmangshëm.

Biznesi po fik motorët, ulet shfrytëzimi i kapaciteteve

Bizneset kanë ulur më tej normën e shfrytëzimit të kapaciteteve gjatë tremujorit të parë të vitit. Në një anketim të fundit, Banka e Shqipërisë referon se normat e shfrytëzimit në katër sektorët kryesorë të ekonomisë kanë rënë shumë poshtë mesatares historike, duke lajmëruar kështu një situatë jo të mbarë në rritjen afatmesme ekonomike dhe në eksportet e këtij viti.
Norma e shfrytëzimit të kapaciteteve në industri shënoi vlerën 69.0% në tremujorin e parë, 2.9 pikë përqindje më e ulët se mesatarja historike. Banka e Shqipërisë tregon se, bizneset e industrisë i kanë shfrytëzuar më pak kapacitetet e tyre, në krahasim me tremujorin e katërt të vitit 2015 (me 4.6 pikë përqindje).
Kjo ecuri në sektorin e industrisë është shkak i çmimeve të ulta të naftës në tregun ndërkombëtar, çka ka nxitur kompanitë Bankers Petroleum, Albpetrol dhe koncensionarët e tjerë të naftës të mbajnë prodhimin në nivele të ulëta.
Por situata duket se nuk është aspak optimiste as për sektorin e ndërtimit . Norma e shfrytëzimit të kapaciteteve në këtë sektor gjatë tremujorit në analizë, vijoi rënien. Aktualisht kjo normë shënon nivelin 54.7% ose 9.5 pikë përqindje më pak se mesatarja historike e saj. Në krahasim me të njëjtin tremujor të një viti më parë, kjo normë është 2.5 pikë përqindje më e ulët. Ekspertët e tregut, pohojnë se pas një përmirësimi në gjashtëmujorin e dytë të vitit, rritja e taksave në sektorin e ndërtimin (dyfishimi i taksës se ndikimit në infrastrukture nga 4 në 8% për qind, e cila vilet jo më mbi koston po mbi shitjen) ka përkeqësuar klimën e biznesit në sektor. Shumë objekte të nisura vitin që shkoi kanë pezulluar punimet për shkak të taksave të reja.
Gjithashtu norma e shfrytëzimit të kapaciteteve nga bizneset e shërbimeve rezultoi 68.0% në tremujorin e parë, duke shënuar një rënie të fortë prej 7.2 pikësh përqindjeje krahasuar me tremujorin e mëparshëm dhe prej 4.9 pikësh përqindjeje krahasuar me të njëjtin tremujor të një viti më parë.
Norma e shfrytëzimit të kapaciteteve në tregti shënoi rënie me 5.7 pikë përqindje, duke qëndruar në nivelin 73.5% në tremujorin e parë të vitit 2016. Bizneset rezultojnë të kenë shfrytëzuar kapacitetet e tyre me një normë 5.2 pikë përqindje më të ulët se norma mesatare historike dhe 2.3 pikë përqindje më të ulët se norma e të njëjtës periudhë një vit më parë.
Tregtia dhe shërbimet janë vënë në presionin e konsumit të dobët. Treguesi për herë të parë pas dy dekadash ra në nivele negative më 2015.

Klimë e rënduar ndaj investitorëve të huaj

Nuk kanë të sosur ankesat e shoqatave të investitorëve të huaj për klimën e biznesit në Shqipëri. Pas Dhomës Amerikane të Tregtisë dhe Dhomës Gjermane, ka reaguar dhe Shoqata e Investitorëve të Huaj në Shqipëri (FIAA), që ka në gjirin e saj disa nga sipërmarrjet më të mëdha të huaja në vend. FIAA e ka vënë theksin në reformën tek gjyqësori, sipas deklaratës së mëposhtme: “Reforma e shumë kërkuar në gjyqësorin shqiptar dhe realizimi i saj është në vëmendjen më të lartë të Komunitetit të Biznesit të Huaj në Shqipëri. Investitorët ekzistues dhe ata potencialë ndjehen optimistë se të gjithë politikanët shqiptarë e kuptojnë rëndësinë e kësaj reforme. Ne jemi të gjithë të vetëdijshëm se, çdo ditë, vonesa e realizimit te reformës i kushton Shqipërisë  investime të reja, vende të reja pune, rritjen e eksporteve si dhe fillimin e negociatave drejt anëtarësimit në Bashkimin Europian. Ne duhet të pranojmë se reformat kyçe politike dhe administrative të nevojshme në Shqipëri janë duke përparuar, por ende nuk kanë arritur një fazë në të cilën negociatat e pranimit në BE të mund të fillojnë. Është e qartë nga BE se nëse vendi dëshiron të nisë negociatat për anëtarësimin në BE, së pari duhet të intensifikojë përpjekjet për reforma në fushat kryesore prioritare, të tilla si funksionimi i ligjit, reforma në gjyqësor, lufta kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, reforma në administratën publike dhe të drejtat themelore, të cilat janë të gjitha elementë kyç për rritjen e investimeve të huaja në vend. Qëndrueshmëria e Investimeve të Huaja në Shqipëri është komponent kryesor në rritjen ekonomike të suksesshme dhe të qëndrueshme dhe gjithashtu një rrugë drejt përmirësimit social te vendit. Ne besojmë se çdo qytetar i ketij vendi është i vetëdijshëm mbi përfitimet e investimeve të reja në vend, të cilat do të avancojnë në transferimin e teknologjisë, rritjen e punësimit, rritjen e konkurrencës së biznesit dhe të tregtisë ndërkombëtare. Të gjitha këto përfitime do të kontribojnë në rritje më të lartë ekonomike, e cila është instrumenti kryesor për zbutjen e varfërisë në Shqipëri. Si biznese të huaja që operojmë në këtë vend, ne do të vazhdojmë të theksojmë se roli dhe cilësia e institucioneve shqiptare, ka një rëndësi të madhe për mbarëvajtjen e biznesit. Kontrolli i korrupsionit dhe formalizimi i ekonomisë, funksionimi më i mirë i ligjit duke përfshirë respektimin e rregullave të arbitrazhit ndërkombëtar, si dhe stabiliteti politik, janë treguesit e një qeverisje të mirë dhe cilësie institucionale të këtij vendi. Ne duam të qëndrojmë këtu dhe të vazhdojmë të investojmë më shumë. Por që kjo të jetë e mundur dhe që Shqipëria të tërheqë investime të reja, ne kemi nevojë për një mjedis biznesi ku të mbizotërojë funksionimi i ligjit. Realizimi i reformave në sistemin gjyqësor shqiptar do të ndikojë në masë të madhe kushtet ekonomike në vitet që do të vijnë si dhe do të ndikojë konsiderueshëm në vendimet e sotme për investime”.

Topalli: Shqipëria është në udhëkryq të rrezikshëm

Deputetja demokrate, Jozefina Topalli ka sjell në vmendje dje situatën kritike në të cilën është katandisur vendi ndërsa bëri thirrje për protesta në mbarë vendin.
Në një prononcim për mediat, Topalli tha se vendi ndodhet sot në një udhëkryq të rrezikshëm.
“Siç e ndoqët edhe nga raportimi i Ministrisë së Punëve të Brendshme dhe Ministrisë së Punëve të Jashtme ne kemi një alarm tjetër për Shqipërinë dhe për shqiptarët. Tashmë shqiptarët që emigrojnë dhe kërkojnë azil, nuk janë vetëm të dytët në Gjermani, pas Sirisë që është në luftë prej pesë vjetësh dhe që ka humbur në këtë luftë rreth 350 mijë qytetarë të saj, por ne jemi edhe të parët në Holandë. Kjo është një thirrje që duhet të alarmojë Kryeministrin, qeverinë, çdo ministri. Kjo nuk është një çështje e imazhit, siç po flitej që do të përcillej nga MPJ.
Imazhi është i përkeqësuar për shkak të realitetit në Shqipëri dhe zhvillimeve të fundit në Shqipëri, qoftë këto edhe të orëve të fundit tregojnë se, Shqipëria është në një udhëkryq të rrezikshëm.
Ajo rrezikon të rrokulliset në qoftë se nuk do të ketë një ndryshim rrënjësor në zhvillimet politike në Shqipëri. Informacioni i fundit që vjen nga Holanda është vetëm shprehje e një realiteti që bërtet këtu në Shqipëri, për zbrazjen në Shqipëri, për një arsye shumë të thjeshtë, që qytetarët kanë humbur shpresën dhe perspektivën në vendin e tyre” tha deputetja demokrate.
Topalli th se Shqipëria nuk është një vend për t’u braktisur e as një vend për t’u humbur.
“Ne nuk kemi tepër asnjë shqiptar, por sigurisht arsyeja është tek qeveria, e cila është e kompromentuar me krimin dhe ku korrupsioni ka arritur nivelet më alarmante.
Ashtu siç thuhet dhe në Raportin e fundit të Departamentit të Shtetit, ku korrupsioni ka kapur të gjitha degët e qeverisë. Ndërkohë që varfëria është 4-fishuar, ndërsa mjerimi, varfëria ekstreme është 3-fishuar. Më keq nuk ka qenë asnjëherë në këto 25 vitet e fundit. Një situatë e tillë, në shifrat e papunësisë, mund të ketë qenë, vetëm në periudhën kur ndryshoi sistemi, në vitin 1991-1992. Ndaj dhe ka vetëm një zgjidhje që opozita të dalë në ballë dhe t’i prijë qytetarëve për të dorëzuar këtë qeveri dhe për të krijuar një realitet tjetër.
Duke larguar të korruptuarit. Duke larguar krimin nga politika dhe pozicionet kyçe që kanë në administratë dhe duke pasur një vizion të qartë, për të ndihmuar qytetarët që ato të zhvillojnë jetën e tyre, projektet e tyre, të ardhmen e tyre dhe të rrisin fëmijët e tyre në vendin e tyre” u shpreh Topalli.
E pyetur në lidhje protestat dhe se a ka kërkuar protesta në mbledhjen e grupit demokrat, Topalli tha:  “Ja kam kërkuar dhe do të vazhdoj t’ja kërkoj vazhdimisht. Unë nuk di se ka një moment më të vështirë për Shqipërinë se sa kjo që po jetojmë sot. Zhvillimet e fundit me kërcënimet që i janë bërë kandidatëve për Rektor ka qenë një tronditje dhe një ngritje e frikës dhe alarmit në ato nivele dhe situata që nuk janë imagjinuar kurrë gjatë këtyre 25 viteve.
Çfarë do të presim. Në qoftë se krimi vendos dhe në universitete, ashtu siç krimi është ulur në Parlament, apo vendosur në zyrat e policisë, apo në zyra të larta të tjera të shtetit, ky vend ka marrë fund.
Dhe rrokullisja e asaj është e pashmangshme. Për të shpëtuar nga kjo rrokullisje, për të mos shkuar në zgrip të greminës, ku në fakt po vrapojmë duhet një zgjidhje e menjëhershme. Rruga është kombinimi i protestave. Kombinimi i protestave në çdo qytet me betejën parlamentare për çështje kaq madhore.
Çështja e krimit dhe lidhja e krimit me politikën, median, biznesin është alarm më i madh. Realitet i cili nuk ekziston në asnjë vend të Evropës”.

Manipulohen zgjedhjet universitare në Durrës, FRESSH presion studentëve

Në universitetin e Durrësit “Aleksandër Moisiu”, sot kanë nisur zgjedhjet, por për herë të parë, nuk është lejuar që asnjë media të hyjë në qendrat e votimit. Ndërkohë në Fakultetin e Shkencave Politike, vëzhguesit kanë deklaruar se procesi i votimit është manipuluar. Isa Myzyri, vëzhgues nga radha e studentëve gjatë procesit të votimit, thotë se ka pasur ndërhyrje nga strukturat politike, kryesisht nga Forumi Rinor i Partisë Socialiste, FRESSH-i. Sipas Myzyrit, në këto zgjedhje po bëhet manipulim.
Në zgjedhje merr pjesë i gjithë stafi akademik, i punësuar me kohë të plotë. Përjashtohen nga kjo e drejtë ata anëtarë të veçantë stafit akademik që, për shkak të moshës, nuk kanë të drejtë të zgjidhen, por vijojnë të jenë të punësuar për shkak të titujve shkencorë që mbajnë. Në zgjedhje marrin pjesë të gjithë studentët, e të gjitha ciklieve të studimit, që studiojnë me kohë të plotë.