Akuzat për korrupsion për kryeministrin e Shqipërisë, Edi Rama, nuk vijnë më vetëm nga kundështarët e tij politikë. Për herë të parë në historinë e Shqipërisë, një kryeministër shqiptar është akuzuar drejtpërdrejtë për lidhje me korrupsionin nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Duke komentuar deklaratat e Ramës kundër Donald Trump, ish–zëdhënësi i Pentagonit, J.D. Gordon, në një intervistë për emisionin Fox Business, në kanalin prestigjoz Fox News, tha se kritikat vijnë nga një kryeministër i lidhur me korrupsionin dhe që drejton një mazhorancë parlamentare të korruptuar. Ish–zyrtari amerikan theksoi se komentet e Ramës ndaj Trump vijnë për shkak të lidhjeve të ngushta që ai ka me George Soros. Dhe ai theksoi se këto komente kritike ndaj Trump vijnë nga një kryeministër i lidhur me korrupsionin, që drejton një mazhorancë parlamentare të korruptuar.“E dini që këtë javë ishte në Uashington miku i ngushtë i George Soros, i cili ka qenë i ftuar nderi në dasmën e tij. Edi Rama, kryeministri i Shqipërisë zhvilloi takime në Shtëpinë e Bardhë. Ky njeri foli për Donald Trump dhe tha që përbën rrezik për civilizimin. Dhe e dini kush e thotë këtë, Edi Rama, i cili është në krye të një Parlamenti të korruptuar, që është i lidhur me korrupsionin. Ne duhet t’u themi këtyre liderëve europianë që të mos fusin hundët në politikën tonë të brendshme”, tha ish-zëdhënësi i Pentagonit. Kjo është hera e parë në histori që emri i një kryeministri shqiptar përmendet në një televizion prestigjioz në SHBA si i lidhur me korrupsionin. Dhe këto akuza të drejtpërdrejta ndaj Ramës vijnë vetëm pak ditë, pasi Departamenti Amerikan i Shtetit, në raportin për të drejtat e njeriut, theksonte se korrupsioni është i përhapur në çdo degë të qeverisjes. Kryeministri Rama është prej kohësh në qendër të akuzave të opozitës për afera korruptive. Kundështarët e tij politikë e lidhin emrin e Ramës me disa koncesione prej qindra miliona eurosh, kryesisht në Shëndetësi e punë publike. Në raportet konfidenciale e ndërkombëtareve, Edi Rama figuron si një njeri me pasuri të dyshimtë. Raporti konfidencial i OSBE, i tetorit të vitit 2014, i botuar ekskluzivisht nga Lapsi.al, fliste për një pasuri prej 200 milionë eurosh që kryeministri shqiptar Edi Rama ka në kompani offshore dhe që menaxhohet nga vëllai i tij Olsi Rama. Por deklaratat e ish–zëdhënësit të Pentagonit mbeten akuzat e para publike që vijnë nga ndërkombëtarët për kreun e qeverisë shqiptare. Shihni më poshtë videon, duke nisur nga momenti 02:01 minuta, kur nis të flitet për Sorros dhe Ramën.
Largohet nga Shqipëria Mitri Prifti, pasi akuzoi Shullazin
Menjëherë pas publikimit të emrit të tij, si personi që ka përmendur emrin e Emiljano Shullazit, Mitri Prifti, ky që shihni në këtë foto, është larguar nga Shqipëria. 32–vjeçari nga Kuçova është kushëriri i ndërtuesit Jani Zaka, edhe ky, që shihni në këtë foton tjetër, i larguar jashtë Shqipërisë pak ditë pasi deklaroi se Shullazi e kishte kërcënuar për t’i marrë parkingun nëntokësor prej 1.200 metrash katrorë, në rrugën “Sali Butka”, pranë Policisë Bashkiake. Deklarimet ata i dhanë më 3 shkurt të këtij viti. Televizioni “Klan” publikoi dje se Mitri Prifti është nisur nga Aeroporti i Rinasit gjatë natës. Ai ka marrë një fluturim të orës 3:32 drejt një kryeqyteti të një vendi të Ballkanit. Ende nuk dihen arsyet e largimit të menjëhershëm të Priftit nga Shqipëria, por dyshohet se kjo ka qenë një masë sigurie e ndërmarrë prej tij. Mitri Prifti ka dhënë detaje edhe për takimin me Emiljano Shullazin. “Në datën 02.02.2016, Janin e kanë marrë në telefon dhe e kanë takuar dy persona, rreth orës 11:00, tek Nesheraku. Pasi i ka takuar personat, që ai nuk i njeh me emër, ata i kanë thënë, hip në makinë se të kërkon Emiljano Shullazi dhe Jani i ka thënë, që marr taksi dhe vij vetë dhe personat i kanë thënë të vish tani për dy minuta, se ai nuk do të presë ty. Jani shkon tek një lokal i kuq mbrapa qendrës ‘Globe’ dhe atje takon personalisht Emiljano Shullazin, ku ai i thotë nesër nga ora 10:00 ta kesh telefonin e hapur dhe do të vijë ky djali i xhaxhait tim, të kalojë pak atë pronën në emër të tij. Pa i lënë mundësinë që ai të flasë, Emiljano i ka thënë të dilte jashtë, pasi kishte mbaruar punë me të. Jani më tha se do të fikte telefonin që kishte komunikuar me këta persona dhe do të largohej nga Tirana, pasi personat ai i klasifikon me rrezikshmëri tej mase të lartë”. Pas këtij takimi, Jani Zaka dhe kushëriri i tij marrin një tjetër kërcënim. “Rreth orës 14 e 30 më ka ardhur një telefonatë nga numri……. dhe më thotë: Mario ti je? – unë i them – po, kush je? Më thotë jam Blerim Shullazi, i thuaj kushëririt tënd Jani të vijë për dy minuta tek lokali, se përndryshe do vish ti në vend të tij. Unë i kam thënë se, nuk kam si t’i them se nuk kam numër të tij dhe nuk kam përse të vij se nuk kam përgjegjësi për kushërinjtë e mi. Personi filloi të më ofendonte dhe të më kërcënonte, duke më thënë se, ‘o djalë do të më qash me duar, e di çfarë të bëj, por hajde urgjent për 10 minuta të jesh këtu’, por unë i kam thënë se nuk vij, se nuk jam në Tiranë dhe i kam mbyllur telefonin. Personi më ka marrë përsëri në telefon dhe më ka thënë, ku je se do të vij unë. Dhe unë i kam thënë, as dua të të njoh dhe as dua të më njohësh. Personi më tha në çfarë ore vjen në Tiranë dhe unë i kam thënë se vij në orën 19:00, por ai më tha në orën 17:00 të jesh tek lokali, pasi jam unë që i përcaktoj oraret dhe jo ti dhe duke më sharë, më mbylli telefonin”. Një muaj më pas, më 13 mars të këtij viti, në derën e garazhit të Jani Zakës shpërthen një sasi tritoli. Dëmet ishin të vogla, por për policinë dhe Prokurorinë, që kishte nisur hetimet, ky ishte një paralajmërim. Jani Zaka ishte larguar, ndërkohë jashtë vendit, bashkë me familjen. Policia, më datën 09 shkurt, materialet hetimore – proceduriale ia kishte dërguar Prokurorisë për Krimet e Rënda me materialin referues, deklarim të Jani Zakës dhe Mitri Priftit, për vlerësim dhe cilësim të saktë juridik. Rreth 40 ditë pas kanosjes, në portën kryesore të parkingut shpërtheu një sasi eksplozivi. Aktualisht, të dy personat që kanë bërë deklarimet në polici kundër Shullazit, ndodhen jashtë vendit, në pamundësi për t’u pyetur nga Prokuroria.
Dhuruesi i Shullazit për “Vollgën” është djali i xhaxhait të Ilir Beqajt
Skandali i “aktit të dhurimit” të ish-Hotel “Vollgës” Emiljano Shullazit thellohet edhe më tej. Një qytetar ka denoncuar dje se personi kyç që ka kryer aktin e dhurimit të këtij objekti ndaj Shullazit ka qenë djali i xhaxhai të ministrit të Shëndetësisë, Ilir Beqaj, akt që dëshmon lidhjet e forta të Shullazit me pushtetin dhe njerëzit e Ramës. Ish-Kryeministri Berisha publikoi dje denoncimin e një qytetari, sipas të cilit dhuruesi real i kësaj prone është i afërmi i ministrit Beqaj. “Arapi, bamirësi i madh që e bëri të lumtur Milin të Partisë duke i dhuruar Hotel ‘Vollgën’, është fiks Ylvi Beqaj, djali i xhaxhait të Ilir Beqajt. Qytetari informon se arabët e vërtetë, të paktën prej 10 vitesh nuk janë dukur në Shqipëri. Këtu na del një tjetër Shullaz në qeveri. I bëj thirrje Prokurorisë të hetojë lidhjen mafjoze të Beqajve me Milin e Partisë!”, shkruan Berisha në postimin e tij. Ndërsa në denoncimin e qytetarit citohet: “Doktor përshëndetje, përfaqësuesi i arabëve tek ‘Vollga’ është Ylvi Beqaj, djali i xhaxhait të Ilir Beqajt. Dhe arabët nuk kanë shkelur të paktën prej 10 viteve në Shqipëri. Dhuruesi real është djali i xhaxhait të Beqajt se arabët kanë deleguar tek ky pronën dhe nuk vijnë kurrë në Shqipëri”, thuhet në denoncimin e qytetarit. “Dhurim pa asnjë kusht, në shenjë mirënjohjeje”. Me këtë argumentim ligjor, shtetasi Emiljano Shullazi, i biri i Hajdarit dhe Haxhiresë, i datëlindjes 24 prill të vitit 1978 përfitoi një sipërfaqe trualli 749.6 metra katrorë, pjesë e një prone në Durrës, e cila nga të gjitha njihet si ish-Hotel ‘Vollga’. Këtë dokument, që është një akt noterial ka në dorë edhe Prokuroria, por edhe institucione të tjera shtetërore. Dokumenti mban datën 9 dhjetor të vitit 2014 dhe është hartuar nga noterja Aida Spahiu. Para saj janë paraqitur administratori i kompanisë “Saudi Brothers Commercial” , shtetasi Ylvi Beqja në rolin e dhuruesit të pronës dhe shtetasi Emiljano Shullazi në rolin e pranuesit të dhurimit.
Ish-pronarët protestë edhe në SHBA kundër qeverisë Rama
Një grup shqiptarësh që banojnë në SHBA i bënë thirrje qeverisë dhe Parlamentit të Shqipërisë të heqin dorë nga miratimi i ligjeve që, sipas tyre bien ndesh me të drejtën e qytetarëve për pronën. Ata u mblodhën dje në shenjë proteste përpara ambasadës së Shqipërisë në Uashington. Kjo protestë u zhvillua me lejen e policisë përballë ambasadës shqiptare në Uashington. Protestuesit kanë ardhur nga Nju Jorku, Bostoni dhe rrethinat e kryeqytetit. Agim Toro ka ardhur nga Bostoni. “Vërtet ne jemi një numër i vogël këtu sot. Por janë mijëra e mijëra qytetarë shqiptarë që jetojnë në SHBA dhe që kanë këtë problem”. Një ligj i ri i miratuar në Parlament vitin e kaluar pret shqyrtimin nga Gjykata Kushtetuese. Ligji i ri përmban një formulë që ul ndjeshëm barrën e shtetit për të kryer kompensime.
Ndonëse problemi i pronave shihet si tejet i ndërlikuar, pasi e vë shtetin përballë një fature të madhe financiare, veprimtarë si Agim Toro nga Bostoni, që presin prej vitesh të marrin pronat, thonë se zgjidhja nuk është aq e vështirë: “Njerëzit e korruptuar të goditen, t’u merren pronat që kanë përfituar në mënyrë të paligjshme dhe t’u kthehen pronarëve. Vetëm kjo do ta ulte nivelin e kompensimit, sepse kështu do të pranoheshin për kompensim vetëm ato prona që i shërbejnë interesit publik”. Lindita Çoku, kirurge nga Nju Jorku mban një pankartë ku shkruhet: Të respektohen të drejtat civile në Shqipëri; kundër standardeve të dyfishta: “Problemi i standardeve të dyfishta është problem korrupsioni në Shqipëri, sepse dihet shumë mirë që ndërtesat e ndërtuara pa leje janë shembur në disa raste për arsye politike, sepse ndërtuesi ka qenë oponent politik i qeverisë. Nga ana tjetër, ndërtesat e ndërtuara pa leje në tokat e pronarëve, nuk mund të shemben”.
Zonja Çoku përmend rastin e pronave të saj, që ajo thotë se i janë zaptuar: “Ne kemi një rast të tillë, ku një sipërfaqe toke në qendër të Tiranës është zënë nga një grup familjar, të cilët kanë ndërtuar shtëpi. Është e pamundur që ne t’i nxjerrim këta pushtues, si mund ta them, megjithëse kemi dokumentin e saktë të pronës. Na kanë thënë: ne jemi të armatosur dhe nuk keni ç’të na bëni”.
Luljeta Karapici ka ardhur nga Nju Jorku. “Ne si familje nuk biem dakord me çmimet, të cilat janë vënë si kompensim të pronave tona. Tani të dëmshpërblehemi me një formë të tillë është qesharake dhe e papranueshme. Qeveria të mendohet edhe një herë, ta shikojë këtë ligj”. “Nuk ka rëndësi se kush vjen në pushtet dhe gjithsecili mendon për veten e vet dhe jo për pronarët, të cilët janë pjesa e lënë pas dore nga të gjitha qeveritë që kanë qenë deri tani në pushtet. Unë jam një qytetar amerikan dhe mendoj që në Amerikë është krejt e kundërta: pronari është ai që ka të gjitha të drejtat legjitime”. “E kuptoj që është problem i vështirë, por le të veprojë edhe Shqipëria siç vepron gjithë Europa, ku çdo pushtet bazohet tek prona”, thotë Artan Guzja nga Virxhinia. “Është e pamundur që të mos respektohet prona. Dështimi me pronën do të thotë dështim për të gjithë sistemin. Praktika e këtyre 25 vjetëve e ka treguar këtë, në Shqipëri nuk ka investime, ka korrupsion të pamasë dhe një tranzicion të tejzgjatur dhe të dhembshëm qytetarët shqiptarë vazhdojnë të ikin dhe nuk ka punësim”, thotë Agim Toro i Shoqatës Pronësi me Drejtësi, Boston.
Ervini ka ardhur nga Nju Jorku. “Baza e çdo vendi të përparuar kapitalist është prona. Ajo është alfa e gjithçkaje. Po nuk u zbatua ligji i pronës dhe po nuk u ruajt prona, asnjë vend nuk mund të ketë dot zhvillim ekonomik”. Dy nga protestuesit shkojnë në hyrjen e ambasadës për të dorëzuar peticionin. Është e dielë, siç duket një ditë pushimi për ambasadën, megjithëse protestuesit thonë se e kanë lajmëruar për protestën. Por ata janë të vendosur ta vazhdojnë betejën dhe nuk pranojnë të quhen ish-pronarë.
Kosovë, institucionet, 200 milionë euro borxhe
Më shumë se 200 milionë euro ka arritur shuma e borxhit të institucioneve në fund të vitit që lamë pas. Bazuar në të dhëna zyrtare të Ministrisë së Financave shihet se pjesa më e madhe e borxhit i përket Ministrisë së Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor (MMPH), në emër të shpronësimit të pronave për ndërtim të autostradave, apo edhe realizim të projekteve tjera në vend. Ndërkaq, shuma tjetër është borxh që institucionet qendrore e lokale kanë ndaj bizneseve të cilat kanë realizuar projekte të ndryshme, por nuk i kanë marrë paratë ashtu siç është paraparë me kontratë. Bazuar në të dhënat e Ministrisë së Financave (MF) shihet se borxhi i MMPH-së deri më 31 dhjetor të vitit që lamë pas është 146 milionë euro, e derisa shuma e borxhit në periudhën e njëjtë të vitit paraprak ishte 114 milionë euro. “Shuma prej 145,571,431 e raportuar nga MMPH-ja përfshin vendimet e shpronësimit për pronat private në shumë prej 54,422,439.80 euro, pronat publike në shumë prej 15,503,859 euro, pronat shoqërore në shumë prej 45,454,998.20 euro, pronat komunale 13,584,264.00 euro, dhe objekti i Rilindjes 16,605,870.00 euro”, thuhet në raportin vjetor të Ministrisë së Financave për vitin 2015. Pas kësaj, Ministria e Infrastrukturës prin sa i përket shumës së borxhi. Bazuar në të dhëna zyrtare shuma e borxhit të kësaj Ministrie ndaj operatorëve privatë deri në fund të vitit paraprak ka arritur në 22,3 milionë euro, e derisa në fund të vitit 2014 shuma e borxhit të Ministrisë ndaj operatorëve privatë ishte vetëm 1 milion euro.
Rreth 200 punonjës të KEDS-it në Kosovë rrezikojnë të mbeten pa punë
Distribucioni i Furnizimit më Energji Elektrike – KEDS, në Kosovë ka larguar nga puna 80 punëtorë, kurse 200 të tjerë rrezikohen që muajin e ardhshëm të mbesin pa punë. Këto shqetësime i paraqesin udhëheqës të sindikatës së punëtorëve të kësaj kompanie. Ky distribucion është privatizuar në vitin 2013 nga konsorciumi turko-amerikan “Çalik -Limak” i cili e ka blerë distribucionin për 26.3 milionë euro. Para tre vitesh konsorciumi kishte premtuar se për 15 vitet e ardhshëm do të bëjë investime prej 300 milionë euro për distribuimin e energjisë elektrike. Po ashtu, kompania ishte zotuar se privatizimi siguron furnizim stabil, kosto të përballueshme për qytetarët dhe në të njëjtën kohë, ishte zotuar se do të mbrojë të drejtat e punëtorëve. Fehmi Pajaziti, kryetar i Sindikatës së Pavarur Elektro-Kosova në këtë kompani, tregon se largimi i punëtorëve po ndodh për shkak se muajin tjetër është përfundimi i mbikëqyrjes së kontratës së blerësit nga qeveria. Kjo sindikatë, edhe përkundër kërkesave zyrtare për posedim të kontratës së shitblerjes nuk ka pasur mundësi të sigurojë këtë marrëveshje. Ai për ketë shprehet kritik në adresë të menaxhmentit të KEDS-it, por edhe Qeverisë se Kosovës. Megjithatë, Pajaziti tregon se në kohën e privatizimit në kompani kanë qenë rreth 2 mijë e 600 punëtorë, kurse aktualisht numëron rreth 2 mijë e 200. ‘’KEDS po vazhdon më avazin e vjetër. Tash i ka larguar 80 punëtorë, kurse edhe 200 punëtorët të tjerë janë të rrezikuar që pas 7 majit, kur përfundon monitorimi i kontratës Qeveri – KEDS , t’ju ndërpritet kontrata”, ka thënë Pajaziti. Ndryshe, në një përgjigje dërguar Radios Evropa e Lirë përmes postës elektronike, Ministria e Zhvillimit Ekonomik thotë se në bazë të marrëveshjes për implementim, KEDS-i do të vazhdojë të ruaj numrin e punëtorëve të punësuar. “KEDS-i do të vazhdojë të ruaj punësimin për gjithë punëtorët në datën e përfundimit (ashtu siç përkufizohet ky term në Marrëveshjen për Shitblerjen e Aksioneve), për një periudhë minimale prej tri vitesh që prej asaj date”, thuhet në përgjigje. “Sa i përket punëtorëve, një nen tjetër i marrëveshjes garanton kontratat e punëtorëve për periudhën 3 vjeçare që nga data e privatizimit, që i bie deri në muajin maj 2016. Deri më tani, kontrata është respektuar dhe nuk ka pasur largime të punëtorëve nga puna”, thekson Ministria e Zhvillimit Ekonomik. Zyrtarë të KEDS-it ndërkaq kanë thënë se shumica dërmuese e kontratave po vazhdohen. Në anën tjetër përfaqësues të shoqërisë civile vazhdimisht kanë paralajmëruar për një largim eventual të punëtorëve nga kjo kompani.
Basha: Çështja “Shullazi”, rezultati i parë kuptimplotë i Reformës në Drejtësi
Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha priti dje raporterin për Shqipërinë në Parlamentin Europian, Knut Fleckenstein. Dekriminalizimi ishte një çështje e rëndësishme e diskutuar në takimin Basha-Fleckenstein. Basha ka shprehur shqetësimin e emërimit si koordinatorë të PS të personave me të shkuar kriminale. Është e domosdoshme, theksoi kryetari i Partisë Demokratike, largimi i kriminelëve jo thjesht nga institucioni, por edhe nga infrastruktura politike e vendit. “Zbatimi i ligjit të dekriminalizimit dhe më tej zbatimi i dekriminalizimit në frymë, pra largimi i kriminelëve jo thjesht nga institucioni, por edhe nga infrastruktura politike e vendit, ku për fat të keq sot ata kanë një influencë të jashtëzakonshme.
Siç janë rastet e emërimit të kriminelëve me damkë si koordinatorë të Partisë Socialiste në shumë degë të Partisë Socialiste në Shqipëri. Siç është rasti flagrant i Emiljano Shullazit, këtij banditi me nam, lordit kryesor të drogës në Shqipëri, kërcënuesit të bizneseve, të qytetarëve, gjobëvënësit, i cili e ka ushtruar këtë aktivitet pikërisht për shkak të mbështetjes së drejtpërdrejtë që ka marrë nga qeveria e Edi Ramës dhe në veçanti nga ministri i Brendshëm, Saimir Tahiri.
Dhe në këtë kuadër padyshim arrestimi i tij mund të jetë një pikë kthimi. Mes 1001 përpjekjeve të një grupi prokurorësh me integritet për të luftuar krimin dhe lidhjet politike, duket se lidhjet politike ia kanë dalë të sprapsin hetimet. Shpresoj që kjo të jetë një pikë e fuqishme kthese në këtë drejtim pavarësisht prej përpjekjeve të lidhjeve politike të Emiljano Shullazit. Një test i monitoruar nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, nga Bashkimi Europian, që të shërbejë në të vërtetë si hapi i parë kuptimplotë, rezultati i parë i Reformës në Drejtësi. Unë e shoh si një sfidë që shpirti i Reformës në Drejtësi të fillojë të japë rezultatet edhe pa u miratuar paketa ligjore. Dhe në fakt kjo ka rëndësi sepse paketa ligjore është një copë letër e vdekur në qoftë se nuk ka rezultate në luftën kundër krimit dhe korrupsionit”.
Korrupsioni i shtrirë në të gjitha nivelet e qeverisjes dhe që ditë për ditë po rëndon më shumë mbi ekonominë e çdo familjeje shqiptare ishte çështje e diskutuar në takimin mes liderit të opozitës Lulzim Basha dhe eurodeputetit Knut Fleckenstein. Zoti Basha, ndërsa ka theksuar se vitin e shkuar fatura e korrupsionit arriti në 1 miliard euro, theksoi se edhe këtë vit janë miliona euro që po iu merren shqiptarëve. Për këtë, zoti Basha bëri të ditur se do të informojë qytetarët në detaje.
“Krimi dhe korrupsioni kanë faturën e tyre dhe kjo faturë nuk është thjesht politike, por është financiare. 1 miliard euro është fatura e korrupsionit qeveritar vitin e kaluar. Një faturë e tmerrshme financiare po paguhet nga shqiptarët këto tre muajt e parë të këtij viti, për të cilin shpresoj të kem rastin t’ju informoj së shpejti përmes një materiali të detajuar që është përgatitur nga Partia Demokratike dhe që do të pasqyrojë para shqiptarëve me shifra, me emra, me fakte të pakundërshtueshme gjakpirjen që një grup oligarkësh të lidhur me qeverinë e korruptuar shqiptare po ju bëjnë qytetarëve shqiptarë në këtë kohë krize. Duke ju vjedhur edhe në këto tre muaj të parë të këtij viti miliona euro përmes tenderave me negocim dhe pa konkurrencë, përmes tenderave korruptivë dhe koncesione korruptive, duke shkatërruar më tej sistemin shëndetësor, duke eliminuar shanset e ekonomisë për rigjallërim, duke shkatërruar vende pune dhe duke kredhur në një mjerim dhe varfëri të mëtejshme Shqipërinë dhe shqiptarët”.
Zgjedhjet e lira dhe të ndershme prioritet mbi prioritetet
Zgjedhjet e lira dhe të ndershme, zbatimi në germë dhe frymë i ligjit të dekriminalizimit, lufta kundër korrupsionit dhe ngritja e një sistemi drejtësie të pavarur kanë qenë disa nga temat e diskutuara në takimin mes liderit të opozitës, Lulzim Basha dhe eurodeputetit Fleckenstein. “Tema kryesore e diskutimeve me Fleckenstein ka qenë sfida më urgjente e Shqipërisë dhe shqiptarëve: demokracia, zgjedhjet të cilat po afrojnë dhe nevoja për të punuar së bashku me Bashkimin Europian dhe me Shtetet e Bashkuara të Amerikës për të ndërtuar të gjithë garancitë që oligarkia dhe krimi i lidhur me pushtetin të mos cenojnë votën e shqiptarëve. Në këtë kuadër, Partia Demokratike ka hartuar një platformë së bashku me aleatët mbështetur mbi parime dhe mbi zgjidhje europiane, të cilat do të mundësojnë që vota e shqiptarëve të mos preket, që shqiptarët të votojnë të lirë, të paintimiduar. Kjo platformë do të mundësojë sprapsjen dhe çmontimin e dy problemeve kryesore në zgjedhjet shqiptare nën qeverisjen Rama-Meta që janë shitblerja masive e votës dhe influenca e krimit, përdorimi i kontingjentit kriminal, jo vetëm si kandidat, por edhe si kontingjente intimiduese të qytetarëve dhe administratës zgjedhore. Ashtu sikundër edhe në Uashington me personalitetet më të larta të administratës dhe ligjvënësve amerikanë edhe me zotin Kukan dhe personalitete të tjera të Parlamentit Europian dhe të Komisionit Europian, çështja e zgjedhjeve të lira dhe të ndershme është kthyer fuqimisht në fokusin e tyre, si një çështje urgjente me të cilën Brukseli dhe Uashingtoni po merren dhe përmes, të cilës do të mbështesin përpjekjet e opozitës për zgjedhje të lira dhe të ndershme”, theksoi Basha. Ndonëse Fleckenstein i përket një spektri tjetër politik nga Basha kjo nuk e ka penguar kryetarin e Partisë Demokratike t’i paraqesë platformën e demokratëve për nxjerrjen e vendit nga kriza, për t’u mundësuar qytetarëve shqiptarë zhvillim dhe punësim. “PD nuk ka vetëm një angazhim të qartë, të fortë dhe të vendosur për zgjedhje të lira dhe të ndershme, por edhe një angazhim për ta nxjerrë Shqipërinë nga kriza. Dhe padyshim ndonëse i përket spektrit tjetër politik me zotin Fleckenstein, raporterin për Shqipërinë në Parlamentin Europian ndava edhe pikëpamjet tona, platformën tonë për ta nxjerrë vendin nga kriza ekonomike si hapi i parë, nga kriza Rama. Dhe së dyti, për të siguruar nxjerrjen e Shqipërisë nga varfëria, rivitalizimin e ekonomisë shqiptare përmes platformës tonë, përmes taksave të ulëta, luftës kundër korrupsionit, luftës kundër krimit dhe rigjallërimit të portofoleve të investimeve publike që hapin vende pune dhe vende pune me paga më të mira për shqiptarët”.
Kandidatja e Shullazit kërkon të kapë sot edhe Universitetin
Procesi zgjedhor për drejtuesit në universitete zhvillohet sot në një terror dhe presion të paparë. Kandidati për Rektor të Universitetit të Tiranës, Mynyr Koni, u kërcënua nga kapobanda Emiljano Shullazi me jetën e djalit të tij dhe familjes që të tërhiqej nga gara në mënyrë që të fitonte kandidatja Klodeta Dibra, përfaqësuese e Partisë Socialiste në Këshillin Bashkiak të Tiranës.
Rektorati i Tiranës, përmes një deklarate për shtyp, dënoi ashpër kërcënimet ndaj kandidatit Koni, ndërsa u bëri thirrje pedagogëve dhe studentëve që të marrin pjesë masivisht në zgjedhje. Megjithatë, pedagogëve dhe studentëve po u bëhet presion që të votohet kandidatja e Shullazit, Klodeta Dibra për të kapur Universitetin.
Rama nuk tha asnjë fjalë dje për kërcënimet e Shullazit ndaj kandidatit për rektor të Universitetit të Tiranës, Mynyr Koni. Nuk guxoi t’ia përmendë emrin Shullazit por tha se qeveria dhe PS nuk po ndikojnë në zgjedhjet në universiteteve, ndonëse kandidatja që kërkon të emërojë Shullazi rektore është përfaqësuese e PS në Këshillin Bashkiak të Tiranës.
Ish-Kryeministri Berisha në një postim në Facebook shprehet se, edhe Edvin Shullazi foli sot në Universitet, por harroi emrin e Milit të Partisë! “Të dashur miq, sot Edvin Shullazi, për të larë m…me sh…. me atë që bëri duke futur Shullazin për të emëruar rektorin që do vetë, shkoi në Universitet. Ashtu si në rastin e Saje qorrit, edhe Rama nuk guxoi të shqipërojë emrin e Emil Shullazit as dhe një herë të vetme. Përkundrazi, ai tha se “Ajo që ndodhi para tre ditësh nuk dëshmon UT (sikur ndodhi mbrapa Dajtit dhe jo në Universitet), por dëshmon vullntin e plotë që të mos cenojë askush UT. Kjo është e vërteta e thjeshtë””, shkruan Berisha.
Berisha shkruan më tej se, Rama nuk i referohet me emër askërkund Shullazit në fjalën e tij. “Kjo, sepse burime të besueshme pohojne se Rama ka mbi 2 km biseda telefonike të regjistruara nga shërbimet partnere me Milin e Partisë dhe ka frikë të tmerrshme se mos Mili flet në Prokurori për lidhjet e tij me kreun e meduzës së krimit të organizuar të Shqiprisë, që është njëkohësisht dhe kreu i ekzekutivit i “aleancës së qelbësirave”! sb”, përfundon Berisha.
Po ashtu edhe kreu i Departamentit të Arsimit në Partinë Demokratike, Luçiano Boçi, reagoi pas deklaratave të kryeministrit Edi Rama për zgjedhjet në Universitetin e Tiranës. Rama deklaroi sot, se nuk ka asnjë kandidat që mbështetet nga qeveria, koalicioni apo Partia Socialiste, por Boçi shprehet se, Rama duhet të kërkonte ndjesë për katandisjen e garës në një garë terrori dhe rrëmbimi.
“Kur Rama pritej të thoshte të paktën dy fjalë me ngjyrime ndoshta ndjese për katandisjen e garës për Rektor të UT-së në një garë terrori e rrëmbimi, nga ata që ka kohë që i ka marrë nën sqetull, çuditërisht u mburr. U mburr paturpësisht për modelin dhe standardin politiko-kriminal që ka imponuar në këto zgjedhje. U mburr që vetë nuk kishte futur duart në proces. Ishte “duarjashtë”!!!!! Por harroi një detaj: paradite thirri në zyrën e tij kandidatët për Rektor të Universitetit Mjekësor. Dihet tensioni i kësaj gare, i shoqëruar me përjashtime të padrejta e me shkresa ministrore. I thirri si “çun tirone” “me i dhon ka i kafe” para gare?!!! Apo i thirri si Kryeministër me i tregu “arat”?!!! Apo ndoshta si kryetar i PS-së, për t’i “vënë njërit njollë” e “për t’ja heq tjetrit?”!!! Këtë të na thotë Rama!! Por këtë fakt kryeministri duarbrenda në procesin zgjedhor ka gjithë ditën që e fsheh!!! Dhe sa të tillë ka fshehur?”, shkruan Boçi në Facebook.
Vila e luksit të Dibrës
Paparazzi i Opozita.com ka mundur të sigurojë disa foto nga vila luksoze e kandidates për rektore në Universitetin e Tiranës, Klodeta Dibra. Dibra, mikeshë e Edi Ramës dhe anëtare e Këshillit Bashkiak për PS-në. është aktualisht dekane e Fakultetit të Gjuhëve të Huaja, por nëse sheh fotot e vilës e ke të vështirë të kuptosh se si e justifikon të gjithë këtë pasuri rektorja e Shullazit. Znj.Dibra e ka për detyrë t’i tregojë pedagogëve, studentëve dhe të gjithë shqiptarëve se si e ka vënë të gjithë këtë pasuri.
Koço kërcënon kandidatin e Universitetit të Vlorës të tërhiqet nga gara
Ish-Kryeministri Berisha ka publikuar mesazhin e një profesori nga Vlora, i cili denoncon deputetin e PS, Koço Kokëdhima, për presion ndaj kandidatit të Universitetit të Vlorës të tërhiqet nga gara. Në një postim në Facebook, Berisha shkruan se, pedagogu dixhital denoncon kryemafiozin e Jugut, Koço Kokëdhima. “Pedagogu dixhital denoncon terrorin, kërcënimet e kryemafiozit të Jugut, sivlla Kokëdhimës ndaj kandidatit për rektor të Universitetit të Vlorës, Prof. Dr. Shkurtit, i cili detyrohet të tërhiqet nga gara. Koçua sjell një fanatik të tij nga Gjirokastra për Universitetin e Vlorës. I bëj thirrje Prokurorisë të hetojë me seriozitetin më të madh shkaqet e dorëheqjes nga gara të Prof. Dr. Bilal Shkurtit dhe të ndëshkojë me forcën e ligjit çdo presion që mund të jetë bërë ndaj tij. Sb”, shkruan Berisha, duke publikuar të plotë mesazhin e pedagogut.
“I Nderuar Doktor! Ju ndoqa me vëmendje në konferencën Tuaj për shtyp, si pedagog i brendshëm i Universitetit të Vlorës, Ju vlerësojmë maksimalisht që përcollët zërin e qindra pedagogëve që sot ndihen të kërcënuar nga kjo diktaturë e pashembullt krimi. E njëjta situatë është dhe në Vlorë, para disa ditësh. Nga gara u tërhoq dhe Prof. Bilal Shkurti i majtë, por jo pjesë e bandës së horrave, Prof. Bilali u kërcënua nga vetë Koço Kokëdhima, pasi po mbështet mikun e tij dhe të prefektes Roland Zisin, sot i vetmi kandidat në garë. Ju as e imagjinoni presionin që po ushtrohet në universitete këto ditë. Personalisht Kokëdhima, (një lloj si Shulazi) e ka kërcënuar Prof. Bilalin, duke i thënë: “lufta ime me ty nis sot, nëse nuk tërhiqesh nga gara deri nesër do të bëj të ikësh nga Vlora për 24 orë”. Pasi pa mbështetjen që kishte Bilali, jo vetëm nga ish-rektori Qarri, por dhe nga gjithë stafi akademik. Vetëm nëse Koço do e kërcënojë për ta përgënjeshtruar, por vetë Bilali ndihet tepër i friksuar e zhgënjyer, duke thënë paskam mbështetur një bandë e Jo PS. Si mund të vijë një kandidat nga Gjirokastra për të drejtuar Universitetin e Vlorës, sepse kështu do baroni i Jugut Koço Shullazi. Me Konsideratë D.P!”, përfundon mesazhi i pedagogut të Universitetit të Vlorës.
R.POLISI
Sekuestrohet hotel “Vollga”, dosja e gjobave të Shullazit
Prokuroria e Durrësit, me vendim të Gjykatës vendosi dje sekuestro preventive për ish-hotel “Vollgën” në Durrës në të cilin rezulton bashkëpronar Emiljano Shullazi. Prokuroria e qytetit bregdetar bëri të ditur se, kërkoi sekuestron për shkak të nisjes së hetimeve mbi veprimet e dyshimta, që çuan në regjistrimin e kësaj prone në emër të Emiljano Shullazit. Prokuroria ka dyshime se është përfituar me kryerjen e veprave penale të “Falsifikimit të dokumenteve”, “Shpërdorimit të detyrës” e “Pastrim i produkteve të veprës penale apo i veprimtarisë kriminale”.
Hetimet kanë nisur në bazë të kallëzimit të bërë nga shtetasi Zamir Hasa.
Ai e ka trashëguar këtë pronë nga Alie Fortuzi, pinjollja e familjes Fortuzi, kompania e së cilës e ndërtoi hotelin në kohën e pushtimit të Italisë. Alie Fortuzit, kjo pronë i njihet në vitin 2003, me vendim të Agjencisë së Kthimit dhe Kompensimit të Pronave. Por ajo vendos t’ia dhurojë Zamir Hasës, pasi ai ishte i vetmi njeri që ishte kujdesur prej vitesh për të. Kur Zamir Hasa kërkoi të regjistronte pronën, ai zbuloi se ajo ishte regjistruar në emër të shtetasit arab, Mohamed Abdullah Bavazer.
Hasa iu drejtua Gjykatës në korrik të vitit 2013, pas 10 vjetësh, Gjykata e Lartë urdhëron pezullimin e regjistrimit të shënimit të emrit të shtetasit arab, në kartelën e pasurisë. Por Gjykata e Durrësit i njeh të drejtën e pronësisë arabit, i cili e regjistron në emër të kompanisë së tij “Saudi Brother’s Commercial Company”, që e administronte vetë.
Një vit më vonë, në nëntor të 2014-ës, ai ia shet një pjesë të pasurisë, për shumën prej 670 mijë eurosh, Fejzi dhe Marjeta Kodrës. Një muaj pas blerjes, ata ia dhurojnë pronën e tyre Emiljano Shullazit. Edhe shtetasi saudit ia dhuron në shenjë mirënjohje pjesën e tij Shullazit.
Prokuroria dyshon se, Fejzi dhe Marjeta Kodra nuk kanë patur mundësi financiare të paguanin 670 mijë euro. Sipas saj, të gjitha këto veprime kanë qenë të dyshimta. Këto veprime të dyshuara antiligjore, thotë Prokuroria, shtrihen në zyrën Hipotekore, zyrat noteriale, por edhe në Gjykatën e Durrësit.
Për Gjykatën, Prokuroria përmend faktin se ajo ka marrë vendim për t’ia njohur pronën arabit Bavazer, në kundërshtim me vendimin e Gjykatës së Lartë lidhur me këtë objekt. Organi i akuzës sqaron se grupi kriminal i Shullazit, e ka kaluar ish-hotelin e famshëm në pronësi të këtij të fundit, nëpërmjet kanosjes dhe dhunës.
Pjesë e kërcënimeve për këtë pronë janë bërë dhe drejtuesit dhe punonjësit e hipotekave, në Durrës dhe Tiranë, të cilët e kanë regjistruar pronën në kundërshtim me ligjin dhe procedurat.
Derisa hetimet të përfundojnë, kjo pronë nuk mund të shitet, të prishet apo të ndërtohet mbi të.
Në datën 24. 03. 2016, Prokuroria e Rrethit Gjyqësor në Durrës ka regjistruar procedimin penal Nr. 715, për veprat penale të parashikuara nga nenet 186, 248 dhe 287 i Kodit Penal. Neni 186 i Kodi Penal, “Falsifikimi i dokumenteve”, parashikon një dënim nga 6 muaj deri në 7 vjet. Neni 248 i Kodi Penal, “shpërdorimi i detyrës”, parashikon një dënim deri në 7 vjet. Neni 287 i Kodit Penal “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”, parashikon një dënim 5 deri në 15 vjet.
R.POLISI
Sot zhvillohet gjyqi kundër betonizimit te Parku i Liqenit
Gjyqi kundër betonizimit të Parkut të Liqenit zhvillohet sot në orën 09:15 në Gjykatën Administrative. Përfaqësuesi i Shoqërisë Civile avokati Altin Goxhaj shkruan në Facebook se, mediat nëse duan ta ndjekin në sallën e gjyqit janë të lutura të dërgojnë sot një kërkesë drejtuar Kryetarit të Gjykatës Administrative të Shkallës së Parë (kështu e kërkon procedura).
Paditëse është shoqata “Menvgroup”, person juridik sipas vendimit të Gjykatës me Nr. 1170 dt. 04.11.2004 përfaqësuar nga Studio Ligjore Aga & Goxhaj Laë Firm me Avokat Altin Goxhaj dhe Avokat Erald Aga. Qendra për Zhvillimin dhe Demokratizimin e Institucioneve (QZHDI), person juridik sipas vendimit Nr. 62/1 dt. 14.12.2002… të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë, përfaqësuar nga Studio Ligjore Aga & Goxhaj Laë Firm me Avokati Altin Goxhaj dhe Avokat Erald Aga.
Të paditur
Këshilli Kombëtar i Territorit. Agjencia Zhvillimit Territorit (AZHT). Ministria Zhvillimit Urban (MZHU), Bashkia Tiranë.
Persona të tretë: Avokatura e Shtetit. Ministria e Mjedisit. Agjencia Kombëtare e Planifikimit Territorit Sekretariati i KKT-së.
Objekti: Marrjen e masës së sigurimit të padisë për “Pezullimin e të gjithë punimeve ndërtimore apo zhvillimore objekt të Vendimit KKT-së, Nr. 1 dt. 12.02.2016 “Për Miratimin e Lejes së Ndërtimit për Objektin: Këndi i Lojërave për Fëmijë, Projekti Pilot 4, në kuadër të rehabilitimit të Liqenit, Bashkia Tiranë.
Konstatimin e Pavlefshmërisë Absolute të Vendimit KKT-së, Nr. 1 dt. 12.02.2016 “Për Miratimin e Lejes së Ndërtimit për Objektin: Këndi i Lojërave për Fëmijë, Projekti Pilot 4, në kuadër të rehabilitimit të Liqenit, Bashkia Tiranë”.
Detyrimin e Bashkia Tiranë, KKT, AZHT dhe MZHU të depozitojnë kopje të njehsuar me origjinalin për palën paditëse, të të gjithë praktikës dhe dokumentacionit tekniko-ligjor disponuese të depozituar në KKT/AZHT /MZHU apo AKPT deri në miratimin e Vendimit KKT-së, Nr. 1 dt 12.02.2016 “Për Miratimin e Lejes së Ndërtimit për Objektin: Këndi i Lojërave për Fëmijë, Projekti Pilot 4, në kuadër të rehabilitimit të Liqenit, Bashkia Tiranë”.
Baza ligjore
Neni 11/1, 15/d, 16/b/c, 17/c, 18/8, 21/2, 23, 24, 28, 29, 30 të Ligjit 49/2012 “Për Gjykatat Administrative”; Neni 39/4 i Ligjit Nr. 107/2014 “Për Agjencinë e Planifikimit Territorit” dhe akteve nën ligjore në zbatim; Ligji 146/2014 “Për Njoftim dhe Konsultim Publik”; Neni 3 dhe 15/1 i Ligjit Nr. 119/2014 “Për të Drejtën e Informimit”; Ligj Nr. 8653 i ndryshuar me Ligjin Nr 30/2015 “Për Organizimin dhe Funksionimin e Qeverisjes Vendore”; Ligj Nr. 10 448, datë 14.7.2011 “Për Lejet e Mjedisit”; Ligji Nr. 10431 dt 09.06.2011 “Për Mbrojtjen e Mjedisit”.
Drejtuar Gjykatës Administrative të Shkallës Parë, Tiranë.
Në padinë e Shoqërisë Civile thuhej se, kemi të bëjmë me një projekt që prish dhe zhbalancon ekosistemin e zonës nëpërmjet prerjes së pemëve dhe punimeve në tokë, pasi do të këtë masa të mëdha betoni. Ky projekt nuk mund të bëhet pa u bërë masterplani i Parkut të Liqenit Artificial dhe Plani i Përgjithshëm i Tiranës, pasi është i vetmi Park në një qytet prej 1 milion banorësh dhe i një rëndësie të veçantë. Ndërkohë, Prokuroria e Tiranës ka nisur hetimet për ligjshmërinë e ndërtimit të parkut të fëmijëve te Liqeni Artificial, për akuzën e “ndërtimit të paligjshëm” dhe “shpërdorim të detyrës”.
R.POLISI
A kanë rënë zgjedhjet në universitetet publike?
Myqerem Tafaj
Nëse institucionet përgjegjëse do të vërtetojnë kërcënimin që i është bërë Prof. Dh. Kules dhe Prof. M. Konit, për garën zgjedhore në UT, kjo do të thotë se zgjedhjet në universitetet publike kanë rënë.
Kjo do të ishte një ngjarje e paprecedentë për komunitetin akademik të një vendi demokratik. Nëse vërtetohet kërcënimi i bërë publik sot, sjellja normale në çdo vend të lirë, do të ishte që komuniteti akademik nuk duhet të pranojë kurrsesi zhvillimin e zgjedhjeve dhe duhet t’i kërkojë Kuvendit të Shqipërisë një zgjidhje urgjente kushtetuese, e cila garanton autonominë dhe lirinë akademike të universitetit, si dhe eviton ndërhyrjen brutale të qeverisë në zgjedhjen ose përzgjedhjen e drejtuesve dhe organeve kolegjiale të universitetit publik.
Eshtë shumë e rëndësishme të zbardhet e vërteta e kësaj ngjarjeje. Roli kryesor për këtë i takon vetëm dhe vetem komunitetit akademik. Një rol të madh mund të luajnë edhe partnerët ndërkombëtarë, në mënyrë të veçantë Delegacioni i BE, OSBE dhe Konferenca e Rektorëve e Europës. Nëse një vend nuk garanton dot zgjedhje të lira dhe të ndershme në universitete, që janë qendra të gjenerimit të demokracisë, a mund të pritet të përmbushë standardet europiane për zgjedhje të lira dhe të ndershme për Kuvendin e Shqipërisë?
Komuniteti akademik nuk duhet të pranojë quasi-zgjedhje, por vetëm zgjedhje të lira dhe të ndershme në universitetet publike, që mundësojnë përzgjedhjen e personaliteteve me cilësitë më të spikatura akademike, me integritet dhe që gëzojnë besimin e pedagogëve dhe studentëve se vërtet mund të udhëheqin universitetet, fakultetet dhe departamentet në garën e dijes, kombëtare, rajonale dhe më gjèrë.
Dhënia pushtet kandidatëve mediokër, pa kontribute të njohura akademike, dhe për më keq, arrogantë e pa integritet, do të kishte rrjedhoja tejet negative për vetë universitetin, fakultetin apo departamentin, për studentët dhe për vetë pedagogët.
Pedagogët nuk duhet të harrojnë se fati i vendit të tyre të punës dhe pagës së tyre, me këtë ligjin e ri të çuditshëm, përcaktohet vetëm e vetëm nga “humori” i përgjegjësit të departamentit, dekanit, rektorit dhe komisarit politik që do të dërgohet direkt nga qeveria dhe quhet Administrator! Prandaj duhet bërë kujdes me votën!
Përveç këtij kërcënimi nga bota e errët mbi kandidatët, ekzistojnë edhe kërcënime të llojeve të tjera në këto zgjedhje. U bëhet presion pedagogëve dhe studentëve nga kandidatët për votën dhe, për më keq, kërcënime të tilla vijnë nga zgjatimet e qeverisë. Ose për votat bëhen premtime për emërime, grada dhe tituj!
Në këto kushte, është e vështirë të besohet se zgjedhjet në universitete do të jenë të lira dhe të ndershme. Shanset janë që ato të jenë vetëm quasi-zgjedhje, që nuk premtojnë asgjë për zhvillimin e universiteteve!