13.9 C
Tirana
E enjte, 15 Maj, 2025

Si e përvetësoi Shullazi ish-hotel Vollgën

Pronësia e ish-hotel “Vollga” në qendër të qytetit të Durrësit është mbështjellë për momentin me mister se si një nga asetet kryesore të qytetit bregdetar është në dorë të Emiljano Shullazit.
Në kartelën e pasurisë, e bërë publike tashmë, konstatohet lëvizja e pronësisë gjatë viteve të fundit.
Nga informacionet e siguruar nga Boldneës.al, rezulton se në vitin 2003, me Vendim të Kthimit dhe Kompensimit të Pronave, pronësia e ish-hotel “Vollga” i njihet trashëgimtares së ligjshme, Alie Fortuzi. Kjo e fundit, në të njëjtën ditë që ka bërë regjistrimin e pronës në Hipotekë, ka dorëzuar edhe një “trashëgimi testamentare” në emër të shtetasit Zamir Hasa.
Pronarja e ligjshme, Alije Fortuzi, e shkuar në moshë dhe e vetme, prej vitesh ishte ndihmuar nga Hasa për kryerjen e nevojave të përditshme. Në shenjë respekti për angazhimin e Hasës për shëndetin e saj, ajo ka vendosur që pronën, “ish-Vollgën”, t’ia japë me testament atij, i cili do të bëhej pronar i ligjshëm pas vdekjes së Alie Fortuzit.
Gjithnjë duke parë dokumentin e publikuar, rezulton se po në të njëjtën ditë me regjistrimin në Hipotekë të pronës në emër të Alie Fortuzi, rezulton se ajo i është shitur shtetasit arab Mohamad Abdullah Bavazer.
Boldneës.al ka mësuar se, për këtë kontratë shitjeje, trashëgimtari testamentar Zamir Hasa, ka ndjekur rrugën gjyqësore, pasi ka paraqitur pretendimin se është regjistruar në Hipotekë në mënyrë fiktive.
Procesi gjyqësor ka vijuar në tre shkallët e gjyqësorit. Në kohën që Gjykata e Lartë, me vendim të ndërmjetëm kishte urdhëruar pezullimin e regjistrimit të shënimit të emrit të shtetasit arab në kartelën e pasurisë, gjykata e Durrësit, në një tjetër proces, i njeh të drejtën e pronësisë shtetasit arab Mohamad Bavazer.
Me këtë vendim njohjeje pronësie, ky i fundit e regjistron pasurinë e paluajtshme të ish-“Vollga” në emër të kompanisë “Suadi Brother’s Commercial Company”, në të cilën ishte vetë ai administrator.
Pasi është bërë pronar i ligjshëm, “Suadi Brother’s Commercial Company”, në nëntor 2014, ia shet një pjesë të pasurisë për shumën 670 mijë eurove shtetasve Fejzi dhe Marjeta Kodra. Këta dy shtetas, për të cilët ka dyshime mbi mundësitë e tyre financiare për shpenzimin e një shume të tillë, vendosin që një muaj pas blerjes ta dhurojnë pronën e tyre.
Familjarët Kodra, ashtu si edhe “Suadi Brother’s Commercial Company”, në dhjetor 2014, nënshkruajnë kontratën e dhurimit, në bazë të të cilës të gjithë të drejtat pronësore të tyre, ia japin pa asnjë shpërblim Emiljano Shullazit.
Nuk ka asnjë shpjegim se përse është bërë ky dhurim.

Rama bën gati ligjin për kultivimin e marijuanës si kërp

Kryeministri Edi Rama ka kërkuar ngritjen e një grupi pune për të mundësuar lejimin e prodhimit të kërpit industrial. Vendimi i Kryeministrit vjen pas kërkesës së deputetit socialist Paulin Stërkaj për të ndryshuar ligjin për prodhimin e kërpit. Kërpi industrial është një varietet i kanabis sativa, i cili përdoret për qëllime industriale si prodhim veshjesh, produktesh kozmetike, ushqim, letër etj, por nuk ka përbërës stimulus si marjuana apo hashashi.
Diferenca mes kërpit industrial dhe marijuanës qëndron, pikërisht, në nivelin e lëndës halucilogjene, THC, së gjendur në bimë. Kërpi ka THC nën 0.3 për qind, ndërsa tek marjuana niveli i këtij përbërësi varion 2 deri në 20 për qind. Sipas ligjit aktual lejohet prodhimi dhe kultivimi i farës së kësaj bime për varietete me nivelin e THC nën 0.1 për qind. Para miratimit të këtij ligji në vitin 2001 filloi kultivimi i kërpin në zonë e Malësisë së Madhe.
Në vitin 2001, Fondacioni bamirës britanik “Partnership for Growth” në bashkëpunim me shoqatën e fermerëve të bashkuar të Shkrelit sollën rreth 40 kilogramë farë kërpi, si pjesë e një projekti në ndihmë të fermerëve të zonave të thella. Rezultati i para i këtij projekti ishte një kontratë me importues të vendeve të Europës Perëndimore, të cilët  do të blinin gjethen e kërpit për të prodhuar çaj. Madje, disa gra të fshatit arritët të prodhonin edhe qilima me fibrat e kërpit të prodhuar në fshat.
Por, në vitin 2001, policia arrestoi tetë fermerë me akuzën e kultivimit të lëndës narkotike kanabis sativa, duke gjykuar nga pamja e saj. Bima e konfiskuar u analizua dhe u vërtetua që ishte kërp industrial. Për këtë arsye, gjykata liroi të akuzuarit dhe detyroi shtetin shqiptar t’i paguante 1,500 dollarë dëmshpërblim secilit fermer. Në dhjetor të viti 2012, policia arrestoi 22 fermër të fshatit Shkrel. Të cilët sipas policisë kultivonin kërpin industrial me një përqindje të përafërt të lëndës halucinogjene me atë në kanabis sativa. Në nëntor të viti 2013, Gjykata e Apelit Shkodër pushoi akuzat ndaj këtyre fermerëve, pasi analizat vërtetuan se bima e ishte e kualifikuar si kërp industrial.
Vendimi për të lejuar kultivimin e kërpit industrial me nivel më të lartë të THC është vendim i vështirë. Nga njëra anë lejimi i kultivimit të kërpit është një mundësi e mirë për zhvillimin e ekonomik të kësaj zone të varfër, e cila burim të vetëm të të ardhurave ka emigracionin. Por, nga ana tjetër lejimi i kultivimit të saj krijon mundësinë e kultivimit bashkë me të edhe të marjuanës, duke përfituar nga mungesa e dallimeve në pamje të jashtme.

Spitalet pa ilaçe, qytetarët nuk i blejnë dot, Rama-Beqaj ndajnë milionat e shëndetësisë

Epidemia më e rrezikshme sot në vend, është mungesa e ilaçeve, sidomos për sëmundjet e rënda, çfarë po vë në rrezik jetën e qytetarëve, ndërkohë që 340 milionë euro Edi Rama dhe Ilir Beqaj kanë ndarë me miqtë e tyre, ndërkohë që qindra milionë lekë jepen çdo muaj për Vilmën, e megjithatë, medikamente nuk ka.
Deputetja demokrate, Albana Vokshi përmes një deklarate për shtyp solli në vëmendje dje situatën skandaloze ku ndodhen spitalet sot.
Ajo tha se fondi për shëndetin po vidhet çdo ditë, dhe Ilir Beqaj injoron thirrjet për ndihmë të pacientëve dhe familjarëve të tyre.
Vokshi bëri të ditur se vetëm në Spitalin Onkologjik, edhe pas denoncimeve të pacientëve, vizitës së deputetëve të PD të Komisionit parlamentar të Shëndetësisë, gjendja është katastrofike. “Akseleratori linear nuk është vënë në funksionim ende. Njëra prej aparaturave të kobaltit nuk e ka burimin e energjisë të përshtatshëm e nuk funksionon ashtu siç duhet. Ilaçet mungojnë. Në pjesën më të madhe të rasteve, qytetarët nuk e përballojnë dot faturën e kripur të këtyre medikamenteve të shtrenjta që duhet t’i marrin nëpër farmaci. E në këto raste, jo vetëm shëndeti, por edhe jeta e tyre është në rrezik çdo ditë. Për ta përditësuar kampionin e korrupsionit, po ju sjellim disa dëshmi, të publikuara ditët e fundit në gazetën “Shëndet Plus”” tha Vokshi.
Vokshi solli raste të qytetarëve konkret që vuajnë pasojat e situatës skandaloze në spitale. “ Qerimi nga Kukësi, i papunë ka dy fëmijë hemofilik, një djalë 10 vjeç dhe një vajzë 12 vjeç. Ai thotë se në QSUT nuk ka ilaçe, mungon prej kohësh faktori VIII. Mungesa e mjekimit të pështatshëm shkakton hemoragji dhe jeta e fëmijëve është në rrezik. Xhuljana 18 vjeç nga Pogradeci. Trajtohet tek Onkologjiku. Ajo dëshmon se nuk po e bën dot kurimin sepse në spital nuk ka medikamente. Në Farmaci janë shumë shtrenjtë dhe familja e saj nuk i përballon dot. Dituria, një grua e shtruar tek Hematologjia thotë se i blen vetë ilaçet. Por ai i duhuri, Velkadi, kushton miliona dhe ajo nuk e përballon dot” bëri të ditur Vokshi.
“Ndërkohë, tek Infektivi në QSUT, mungon prej javësh çdo preparat për trajtimin e të sëmurëve me HIV-AIDS.
Tek Trauma mungon çdo gjë. Barnat i blejnë vetë pacientët, analizat duhet të bëhen tek privati, protezat duhet t’i sigurojnë vetë ku më e lira kushton 800 euro.
Akoma më e rëndë është gjendja në spitalet bashkiake dhe rajonale në gjithë Shqipërinë.
Mungesa e ilaçeve është kriza më e madhe që po vuajnë qytetarët, të sëmurët dhe familjarët e tyre.
Por një tjetër shqetësim i madh, është futja e ilaçeve kontrabandë, të pakontrolluar. Tregu farmaceutik është kapur nga, “koordinatori i korrupsionit  Beqaj” .
Për shkak të politikave klienteliste, Glaxo dhe Actavis janë larguar nga Shqipëria. Jo vetëm në çdo spital, por dhe në farmaci mungojnë çdo ditë barna, edhe ato jetike.
Ndryshimet klienteliste të ligjit të barnave në Shqipëri, i hapën rrugë barnave të falsifikuara dhe atyre kontrabandë dhe të skaduara. Cilësia e barnave nuk është e garantuar. Në datën 7 mars në një seancë dëgjimi në Komisionin e Jashtëm, Beqaj u detyrua të pranojë se në treg ka barna të falsifikuara, në përpjekje për të shpëtuar nga ndjekja penale.
Me Konventën Medicrime dhe në ndryshimet në Kodin Penal, lejimi i ilaçeve kontrabandë konsiderohet krim, neni 284-d që parashikon deri në 5 vjet burg.
Partia Demokratike bën përgjegjës për këtë krim Edi ‎Ramën dhe Ilir Beqjen.
Ndaj i bëjmë përsëri thirrje Prokurorisë të përparojë me hetimet për të ndalur këtë krim të tmerrshëm në shëndetësi” tha Vokshi.

Koncesioni i ndriçimit të rrugëve në Tiranë e Durrës përplas LSI me PS

Ministria e Drejtësisë i kërkoi Ministrisë së Energjitikës të kthejë mbrapsht projektin për dhënie me koncesion të ndriçimit të rrugëve të bashkive Durrës dhe Tiranë një firme daneze, pasi projekti i saj nuk është në përputhje me legjislacionin në fuqi dhe se në mënyrën se si është hartuar del mbi ligjin.
Në datën 1 prill të këtij viti, Ministria e Energjetikës i kishte kërkuar asaj të Drejtësisë të shprehej në lidhje me një projektvendim për të zhvilluar një tender ku do t’i jepej me koncesion një firme daneze ndriçimi publik i Tiranës dhe Durrësit. Por ministri i Drejtësisë, duke i kthyer përgjigje e konsideron të paligjshëm zhvillimin e tij.
Sipas ministrit, është një cënim i autonomisë vendore në një kohë kur qeveria hyn në çështjet e administrimit të një shërbimi që i takon bashkive. Përveç tejkalimit të kompetencave, ai vë në dyshim projektin, duke u shprehur se është e paqartë zanafilla e propozimeve të kompanisë daneze “HeSaLajt”A/S, që ka kryer një studim për sistemin e ndriçimit në Bashkinë Tiranë dhe Durrës.
Ministria e Energjisë dhe Industrisë nuk duhet të jetë autoritet kontraktor për të ndërmarrë procedurat për dhënie koncesioni ndriçimin publik në territoret e bashkive, pasi ajo është autoritet politikëbërës dhe standardizues, nuk është një autoritet zbatues.
Ministria e Energjisë nuk është pronar i çdo çelësi dritash, thuhet në letër. Ndriçimi publik në rrugët kombëtare është përgjegjësi e Autoritetit Rrugor Shqiptar, ndërsa rrugët vendore i përkasin bashkive. Duke e sqaruar teknikisht, ministri i Drejtësisë shprehet se projekti propozon hapësirë për përplasje të kompetencave ndërinstitucionale dhe përplasje të kompetencave me pushtetin vendor.

A do t’i hapë Rama kutitë e manipulimit?

Deputetët socialistë Ben Blushi e Mimoza Hafizi kanë kërkuar hapjen e kutive të votimit të referendumit për kryetarin e PS-së, i cili u zhvillua më 9 prill. Deputetët, që para referendumit u bënë thirrje socialistëve të bojkotonin votimin, kërkojnë rinumërimin e votave dhe rishikimin e procesverbaleve e listave të votuesve, duke pretenduar se ka patur  manipulime, parregullsi e shkelje gjatë votimit e numërimit.
Pas referendumit, në media u publikuan disa video e foto që tregonin parregullsi gjatë procesit të votimit. Ndër të tjera, filmimet dhe imazhet e publikuara shfaqën persona që votonin dy herë, qendra që nuk garantonin fshehtësinë e votës, kuti votimi pa vula sigurie, votim në grup dhe deklarim publik i votës.
Në lidhje me këto parregullsi, deputeti Pandeli Majko deklararoi se:
“Ne kemi lejuar të votojnë edhe njerëz që nuk ishin në listat e organizatave apo dhe kur ishin me teserat me lulëkuqe [teserat e vjetra], e kemi bërë me një ndjenjë vetëdije, dashamirësie, që referendumi është i hapur. Si frymë, rezultati i referendumit është i padiskutueshëm. Proçes pa probleme vështirë se gjen në Shqipëri. Por për mua ishte një proçes demokratik. Ne mbetemi ndër partitë që e ushtrojnë këtë ushtrim demokratik”.
Kauza e hapjes së kutive të votimit ishte një nga kauzat kryesore të Partisë Socialiste në opozitë në periudhën 2009-2010. Pas zgjedhjeve të 2009-ës, kryetari Edi Rama zhvilloi një fushatë protestash e grevash, në gjithë Shqipërinë, nën moton “Hap kutitë ose largohu!” Zoti Rama kundërshtonte rezultatin e zgjedhjeve të përgjithshme që nxorën PS-në humbëse dhe i kërkonte kryeministrit të atëhershëm Sali Berisha të bënte transparencën e zgjedhjeve si një e drejtë dhe kusht themelor i demokracisë.
Në mënyrë ironike, tashmë është Kryeministri Rama që po akuzohet për manipulim të votimit dhe gjendet nën presionin për të bërë transparencë.
Motoja është e njëjtë: Hap kutitë ose turpërohu! Edhe qasja është e njëjtë: Ben Blushi do të udhëtojë në gjithë Shqipërinë për t’i treguar socialistëve se Rilindja e Edi Ramës duhet rrëzuar dhe se Rilindja nuk është Partia Socialiste.
Më tepër se sa një fushatë për hapje kutish, kërkesa e deputetit Blushi ngjan si një provë për demokracinë dhe transparencën e brendshme të PS-së: PS ngriti Shqipërinë në këmbë për hapjen e kutive dhe vuri në provë qeverinë, tani duhet të vërë veten nën të njëjtën provë.

Marseja pezullon trajnerin Michel

Klubi i Marsejës pezullon trajnerin Michel, duke i besuar drejtimin e skuadrës asistentit Franc Passi për pjesën e mbetur të këtij sezoni. Në të vërtetë ish-tekniku Michel ka qenë nën presion të vazhdueshëm për pjesën më të madhe të kohës, kur kishte drejtimin e skuadrës dhe duket se kupa u mbush pikërisht pas humbjes 2-1 ndaj Monakos ditën e dielë. Kjo disfatë bëri që Marseja të numërojë vetëm një fitore në 12 ndeshjet e fundit të të gjitha kompeticioneve, balanc që e klasifikon këtë skuadër me vetëm 6 pikë, shumë pranë zonës së rrezikshme së rënies nga kategoria. Kjo bën që e ardhmja e teknikut Michel të duket konfuze.
Në një komunikatë për shtyp klubi deklaroi:
“Duke  iu referuar mbarëvajtjes së ekipit nën drejtmin e Michel sidomos gjatë tre javëve të fundit, bordi drejtues vendosi pezullimin e menjëhershëm të trajnerit, pasi e thërriti në një seancë paraprake dëgjimi. Drejtuesit e ekipit morën vendimin që deri në fund të këtij sezoni, asistenti Franck Passi të drejtojë skuadrën, duke pasur si ndihmës Basile Boli”.
Tifozët  e Marsejës protestuan në stadiumin “Velodromë” pas barazimit 0-0 ndaj Bordeaux në 10 prill, ndërkohë që Margarita Louis Dreyfus që ka në zotërim këtë klub e ka nxjerrë atë në shitje. Ndeshja e parë e Passit në rolin e trajnerit do të jetë për gjysmë finalen e Kupës së Francës ndaj Sochaux që do të zhvillohet këtë të mërkurë.

Lorik Cana var këpucët pas Europianit

Që Lorik Cana do të tërhiqet nga kombëtarja në përfundim të Euro 2016, ky nuk është një lajm i ri për tifozët kuqezi, por nga Franca janë të bindur se kapiteni i Shqipërisë, do të varë këpucët në gozhdë për t’i dhënë fund një karriere të gjatë dhe të suksesshme, edhe pse ka kontratë me Nantën deri në verë të 2017-ës.
Zbehet gjithnjë e më shumë hipoteza që 32-vjeçari të transferohet në Shtetet e Bashkuara të Amerikës apo në një kampionat aziatik, sikurse është folur edhe gjatë verës së kaluar, para se të firmoste me Nanten. Cana, sikurse raportojnë mediat franceze, është i bindur se po vjen momenti për t’u tërhequr përfundimisht nga futbolli i luajtur dhe mënyra më e mirë për ta bërë është duke veshur për herë të fundit fanellën kuqezi, me të cilën ka luajtur më shumë ndeshje se çdo futbollist tjetër i kombëtares shqiptare. Gjatë këtij sezoni, Cana është aktivizuar në 21 ndeshje me Nanten dhe vetëm në një rast si zëvendësues.

Barça del nga kriza

Barcelona po përjeton një prej momenteve më të vështira të mundshme. Vetëm pak javë më parë, askush nuk mund ta imagjinonte që katalanët do të ishin në krizë totale. Rezultatet negative të ndeshjeve të fundit kanë bërë që blaugranat të eliminohen nga Champions ku cilësoheshin favoritë dhe të vënë në diskutim titullin në Spanjë, që pak javë më parë dukej thuajse i sigurt. Barça ka shansin të rikthehet te suksesi, prej ndeshjes me Deportivo La Coruna-n dhe trajneri Luis Enrique paralajmëron të tijtë. “Nuk kemi kujtime të mira nga dy përballjet e fundit me Deportivon. Flasim për një skuadër që ka arritur të barazojë dy herë në “Camp Nou”. Ata kanë kualitetin që të na vendosin në vështirësi”, u shpreh Enrike.
Drejtuesi i stolit katalan shpreson te reagimi i skuadrës së tij. “Të gjithë i kemi përjetuar situata të ngjashme me këtë, duhet të jemi në gjendje që t’i kalojmë vështirësitë nëpërmjet ideve tona të futbollit. Jemi mësuar të luajmë nën presion, ajo që duhet të bëjmë është të përqendrohemi më pak te kundërshtarët dhe të shënojmë më tepër. Sjellja e lojtarëve të mi më bën optimist”, tha ai.
Kriza e Barcelonës duket e lidhur me gjendjen fizike të futbollistëve, ndërsa Luis Enrique i tregon lojtarëve të tij rrugën për të hedhur pas shpine momentin negativ.
“Duhet të gjejmë zgjidhje për atë që po na ndodh, edhe pse nuk ekziston vetëm një shkak. Jemi në vështirësi dhe për të dalë nga kjo situatë, duhet të bëjmë atë që kemi bërë më parë, pra të jemi superiorë përballë kundërshtarëve. Objektivat tanë nuk kanë ndryshuar. Nëse do t’i fitojmë të gjithë ndeshjet, në fund do të jemi ne ata që festojnë”, përfundoi trajneri i Barcelonës.
Ndërkohë, mbrojtësi i skuadrës së Borussia Dortmund, Mats Hummels vazhdon të mbetet në axhendën e Barcelonës. Lajmi konfirmohet nga gazeta gjermane “Bild” ku sipas saj drejtori i përgjithshëm i blaugranave për merkaton jashtë Spanjës, Ariedo Braida, ka nisur punën që të vendosë në dispozicion të trajnerit Luis Enrique për sezonin e ardhshëm 27-vjeçarin. Hummels ka një kontratë me verdhezinjtë që përfundon në qershor të 2017 dhe nga ana tjetër duket se dhe dëshira e vet lojtarit është të ndryshojë skuadër. 32 milionë euro është shuma që duhet të paguajë Barcelona nëse dëshiron të bëjë të mundur transferimin në “Camp Nou”  të shtatlartit të kombëtares gjermane.
Për Mats Hummels janë në garë dhe dy skuadra nga Premier League,  Man.United  dhe Arsenal. Drejtuesit e Barcelonës duket se për sezonin e ardhshëm kanë ndërmend një ristrukturim të skuadrës, ku sigurisht mbrojtja mbetet një nga sektorët më të rëndësishëm ku rinovimi me elementë cilësorë është mëse i nevojshëm. Gjatë verës nga blaugranat pritet të largohen Bartra dhe belgu Vermalen, të cilët nuk kanë arritur të bindin trajnerin Luis Enrique me paraqitjet e tyre. Ndërkohë që Pique dhe Mascherano me shumë gjasa do  të qëndrojnë.

Ronaldo dhe Mourinho drejt PSG

Eliminimi në fazën çerekfinale të Champions League për të 4-in sezon radhazi, por edhe lamtumira e sigurtë e suedezit Zlatan Ibrahimoviç në fund të sezonit, ka bërë që Paris Saint Germain të hidhet në sulm në kërkim të tjerë yjeve, por edhe të një trajneri fitues. Mediat franceze raportojnë lajmin e bujshëm se në ditët e fundit ka patur një takim sekret mes presidentit të klubit parizien, Naser Al Khelaiffi me dyshen portugeze Ronaldo-Mourinho. Numri 1 i kampionëve të Francës kërkon dy emra të mëdhenj një për sulmin dhe një tjetër për stolin, pasi vetëm kështu mund të tentojë të fitojë edhe në Europë. Në këtë kontekst, Cristiano dhe Jose janë personazhet e duhur për të përforcuar akoma edhe më shumë Parisin. Vinë nga France Football detajet e takimit sekret mes Ronaldos dhe presidentit Al-Khelaiffi.
Sipas revistës franceze CR7-ta ka udhëtuar drejt kryeqytetit francez me avionin e tij privat menjëherë pas tregolëshit që shënoi ndaj Wolfsburgut në Champions, duke u takuar kështu për herë të 5-të me Al Khelaifin. Bisedimet janë në një fazë të avancuar dhe nëse 31-vjeçari vendos të largohet nga Reali me siguri do të transferohet në Paris. Por te kampionët e Francës, ylli portugez mund të rigjejë në stol një njohje të vjetër si Jose Mourinho, i cili nuk ka firmosur ende me Manchester United dhe ashtu si Ronaldo mund të zgjedhë Parisin si destinacionin e tij të ardhshëm.
Drejtuesit e klubit nga Parc des Princes nuk janë të lumtur me trajnerin francez, Laurent Blanc, i cili ka dështuar në Ligën e Kampionëve. Për këtë, drejtuesit e klubit nga Parisi kanë nisur bisedime me Mourinhon, të cilin e shohin si trajneri ideal për të triumfuar edhe në Champions, pas trofeve të fituar në Francës.

Vidal apel Bayernit të firmosë me Sanchez

Mesfushori i Bayern Munich, Arturo Vidal kërkon që drejtuesit e klubit bavarez të transferojnë në “Allianz Arena” sulmuesin e Arsenalit, Alexis Sanchez. Lojtarët njihen prej kohësh me njëri-tjetrin, pasi janë dy nga futbollistët më të rëndësishëm të Kilit dhe, nisur nga kjo Vidal kërkon që të ketë sërish mundësinë të luaj përkah Sanchez.
“Unë dhe Alexis kemi luajtuar futboll me njëri-tjetrin që nga koha kur ishim pjesë e Kombëtares Kiliane për 20-vjeçarët. Do të ishte një kënaqësi e madhe për mua nëse do të luanin sërish në të njëjtën skuadër edhe në nivel klubesh”, u shpreh Vidal.
Bayern Munich është drejt rrugës së titullit kampion në Gjermani dhe për mesfushorin Vidal, bavarezët janë kandidat potencial për të arritur këtë sezon triumfin e trefishtë. “Skuadra është duke fituar dhe duket se gjithçka po shkon mirë për në. Titulli kampion në Gjermani është prioriteti ynë dhe jam i sigurt që do tja dalim. Unë së bashku me pjesën tjetër të skuadrës kemi si objektiv sezonal fitoren e të tre kompeticioneve që janë në lojë”, tha ai.