11.5 C
Tirana
E diel, 11 Maj, 2025

Atletiko, si Juvja!

Trajneri i Bajernit, Pep Guardiola, e njeh shumë mirë rivalin në gjysmëfinale të Champions-it. Gjatë konferencës për shtyp, strategu spanjoll analizoi me hollësi Atletiko Madridin. “Vazhdoj të jem i mendimit që Barcelona është ekipi më i mirë në Europë, edhe pse u skualifikuan. Ata kanë Mesin, më të mirin në botë, por në një apo dy takime mund të ndodhë gjithçka, Atletiko nuk ka fituar me vite ndaj Realit. Sapo erdhi Simeone u transformuan”, u shpreh Guardiola.
Pep tha më tej se, çdo rival kishte vështirësitë e veta. “Flitet gjithnjë mbi Realin dhe Barçën, por në pesë vitet e fundit Atletiko po i rivalizon seriozisht. Para dy vitesh fituan titullin në Spanjë dhe arritën në finale të 2014-ës. Atletiko është në një nivel me Realin dhe Barcelonën. Ata skualifikuan Barçën dy herë nga çerekfinalet në tre vitet e fundit. Ne kemi luajtur edhe ndaj Juventusit, një prej mbrojtjeve më të mira në botë. Na duhet sërish të çajmë betonin e radhës dhe më duhen shëndoshë e mirë të gjithë lojtarët. Do t’u tregoj gjithçka lojtarëve të mi. Na duhen 180 minuta të zjarrta për t’ia dalë mbanë. Ekipi ka një zemër të madhe dhe Bajerni ka një qëllim madhor këtë sezon”, tha ai.
“Në ‘Visente Kalderon’ mbizotëron ndoshta atmosfera më e mirë në Europë. Jam shumë kurioz për këtë duel. Edhe atmosfera në Lisbonë pas disavantazhit i surprizoi lojtarët e mi. Në Madrid do të luajnë për herë të parë ndaj Atletikos dhe ka për të qenë mjaft interesante për ta. Nuk kam luajtur apo stërvitur me të. Prandaj nuk e njoh mirë. Në jetën time mund të kem biseduar një ose dy herë. Ai ka shumë vetëbesim. Lojtarët luajnë sipas karakterit të tij. Kur ata luajnë mirë, fitojnë gjithmonë. Edhe kur nuk luajnë mirë, nuk i prishin balancat”, tha ai.
Guardiola tha se, edhe Bajerni nuk ka pësuar shumë gola. “Por, ata janë mirë, si Juventusi. Luajnë me presing, mbrohen thellë dhe janë kompaktë. Në krosime Godin është vrasës, por kanë edhe një portier të mirë si Oblak. Janë shumë të strukturuar”, përfundoi Guardiola.
Katalanasit, të cilët deri një muaj më parë shiheshin si të pagabueshëm, kanë hyrë papritur në një kolaps total, duke qenë se pas dy humbjeve në kampionat kanë pësuar atë të radhës në Europë dhe janë larguar nga turneu. Strategu Enrike pranon momentin e vështirë, por shpreson që skuadra të mos nervozohet, sepse në këtë mënyrë rrezikojnë edhe kampionatin dhe kupën. “Futbolli është edhe i tillë. Kemi fituar shumë ndeshje, por një skuadër e madhe duhet të dijë të pranojë edhe humbjet. Më e lehtë do të ishte që ta harronim sa më shpejt këtë eliminim. Duhet vetëm të qëndrojmë të qetë dhe të mendojmë se kemi ende dy trofe të tjerë për të fituar. Është normale që nga ne pritet gjithmonë shumë, por fakt është që prej disa javësh duket sikur ingranazhi është bllokuar. Gjithkush mund të japë mendimin e tij për këtë krizë tonën, ndërsa unë nuk e kam luksin ta bëj këtë. Detyra ime është të analizoj gjithçka duke parë ndeshjet e bëra dhe të mundohem të zgjidh problemin. Por e ritheksoj, nëse nuk qëndrojmë të qetë rrezikojmë që të çojmë dëm edhe kampionatin dhe kupën”, tha Enrike.

Broki: Nuk do të ketë revolucion tek Milani

Trajneri i ri  i skuadrës së Milanit, Christian Broki duket se është gati për aventurën e tij të re në krye të stolit të kuqezinjve. Është ende herët për të dhënë një opinion se sa i suksesshëm do të jetë në rolin e trajnerit, por në konferencën e tij të parë për mediat Broki ka folur për transfertën ndaj Sampdorias dhe duket se i ka idetë e qarta dhe se nuk i trembet të ardhmes.
“Besoj se kundër Sampdorias do të luajmë me formacionin 4-3-2-1. Sigurisht që jo në çdo takim të mbetur ne do të luajmë me këtë skemë. Në rolin e trekuartistit besoj se do të vendos njërin mes Bonaventura ose Kaisuke Honda. Dua nga lojtarët e mi një lojë me pasa në mesfushë, nuk më pëlqen pjesa ku topi nis me një krosim që nga mbrojtja në drejtim të sulmit”, u shpreh Broki.
Më tej Broki u shpreh se dëshiron nga të gjithë lojtarët e tij të japin maksimumin në fushën e lojës, gjithashtu ai foli dhe për sulmuesin e Milanit, Mario Baloteli. “Dua që futbollistët e mi të japin maksimumin ndaj Sampdorias. Kam besim tek ta. Përsa i përket Balotelit kam folur me të dhe më ka premtuar se do të përpiqet maksimalisht”, tha ai.
Në fund të konferencës Broki vuri theksin se nën drejtimin e tij tek Milani nuk ekziston fjala “Unë”, por “Ne”, dhe të gjithë lojtarët duhet ta kuptojnë rëndësinë që ka fanella e kuqezinjve.

“Ronaldo e Messi nuk do të shënonin kaq shumë në Itali”

Rivaliteti mes Cristiano Ronaldos dhe Lionel Messit i ka dhuruar shumë futbollit vitet e fundit, por mbrojtësi i Interit Miranda, me një të kaluar në La Liga mendon se si portugezi ashtu edhe argjentinasi do ta kishin të vështirë të shënonin edhe në Serinë A si në Spanjë. Ronaldo dhe Messi janë golashënuesit më të mirë në historinë e Realit dhe Barcelonës, me yllin e Los Blancos që ka shënuar 30 gola në La Liga këtë sezon, 8 më shumë se 5 herë fituesi i Topit të Artë Messi. Gjithsesi Miranda që ka luajtur kundër Ronaldos dhe Messit kur ishte në Spanjë beson se të dy do ta kishin të vështirë të arrinin të tilla shifra në Itali.
“Ata janë të dy lojtarë fantastikë dhe do të shënonin shumë gola në çdo kampionat. Gjithsesi këtu në Itali ata nuk do të arrinin para portës aq shpesh sa në Spanjë pasi skuadrat këtu janë shumë më të organizuara taktikisht”.
Miranda u transferua te Interi pasi i dha fund një aventure katërvjeçare me Atletikon e Madridit, skuadër me të cilën fitoi titullin kampion dhe Europa League nën drejtimin e Diego Simeones. El Cholo është përfolur për një rikthim te Interi ku ka luajtur dy sezone në vitet ‘90, tanimë si trajner, por Miranda nuk beson se Simeone mund të lërë Atletikon në të ardhmen e afërt.
“Unë e shikoj vetëm si trajnerin e Atletikos. E di që ai është i lumtur në Madrid dhe mendoj se do të qëndrojë aty edhe për shumë kohë. Ashtu si Atletiko, edhe ne kemi një trajner të madh te Interi, Roberto Mançinin”.

Tripleta e Ronaldos i kushton PSG

PSG-ja ka dalë e humbur nga fitorja 3-0 e Realit të Madridit kundër Volfsgurgut. Nuk lidhet vetëm me faktin që në gjysmëfinale do të ketë si kandidat për kundërshtar një ekip më të vështirë në letër, por ka të bëjë edhe me Kristiano Ronaldon. Media iberike bën me dije se disa javë më parë, zyrtarë të klubit francez kishin pasur takim me Florentino Perezin, ku kishin diskutuar për mundësinë e blerjes së yllit portugez. Në atë moment, lojtari 31-vjeçar nuk po kalonte një moment të mirë individual dhe mundësia e një akordi u përfol për shifra që varionin nga 80-90 milionë euro.
Një nivel pagese që u cilësua i pranueshëm nga ana e sheikut Al-Khelaifi. Por, duket se gjërat kanë ndryshuar menjëherë pas mbrëmjes së ditës së martë. CR7 arriti të shënojë tre golat e ndeshjes, duke u dhuruar kualifikimin madrilenëve. Një “dhuratë” që e bën atë më të shtrenjtë dhe më të vështirë për t’u shitur, për shkak të impaktit te tifozët.
Ndërmjetësve të PSG-së iu komunikua menjëherë se nëse duan të arrijnë një akord, bisedimet duhet të nisin me ofertë më të lartë se ajo që ishte folur paraprakisht. Nga ana tjetër, vetë sulmuesi i ka të qarta edhe kushtet e kontratës që e pret, duke u bërë futbollisti më i paguar në botë për momentin. Ai pretendon të fitojë 25 milionë euro në edicion, pa përfshirë taksat, të cilat në Francë janë mjaft të larta.

Përmbysjet e mëdha në futboll!

Liverpuli e bëri sërish të paimagjinueshmen e futbollit modern një realitet të prekshëm. Sfida spektakolare 4-3 ndaj Borusias së Dortmundit shkroi një faqe të re epike në historinë e sportit më popullor në planet, por fatkeqësisht për tifozët e Milanit përmbysja më e çmendur është dhe do të mbetet një tjetër, ndoshta për dekada. Luhet finalja e Champions League në vitin 2005, një histori e shkruar me germa të mëdha për kuqezinjtë, por vetëm për 45 minutat e para. Superioriteti gati i sikletshëm me golin e Maldinit dhe dopietën e Krespos vendosi diktatin e italianëve, por shumë shpejt do të niste ferri për Milanin në stadiumin e Stambollit. Stiven Xherrard, mesfushori çek Smicer dhe më pas Ksabi Alonso zhvlerësuan gjithçka kishin bërë italianët në vetëm 7 minuta, duke barazuar 3-3.
Më pas, në goditjet e penalltive Serzhinjo, Pirlo dhe Shevçenko gabuan duke i dhënë kupën “Reds”-ave. Por kupa me veshë të mëdhenj nuk ofron vetëm këtë përmbysje historike. Emrat e Tedi Sheringam dhe Ole Gunar Solskjaer ende janë si fantazma në ëndrrat e shumë tifozëve të Bajernit të Mynihut. Kjo për shkak të finales së vitit 1999, kur gjermanët kishin vendosur duart te trofeu deri në minutën e 91. Goli i Mario Basler i dha avantazhin formacionit të Hitzfeld, por pikërisht kur nuk pritej, “Red Devils” bënë përmbysjen epike me dy gola në më pak se dy minuta.
Në fillim një prekje e padukshme e Sheringamit që befasoi Kahnin dhe më pas devijimi i norvegjezit Solskjaer firmosën apoteozën e Sir Aleks Fergusonit, në triumfin e parë të tij në Champions. Përmbysje emocionuese ka rezervuar edhe kampionati italian, me një përballje mes Interit dhe Sampdorias. Edhe pse larg elitës europiane të futbollit dhe pa trofe në lojë, zikaltrit i dhanë jetë një sfide në kufijtë e të paimagjinueshmes. Toneto dhe Kutuzov i dhanë avantazhin dorianëve, ndërsa Martins, Vieri dhe Rekoba firmosën fitoren, një ndeshje që tifozët e Interit e kujtojnë ende me nostalgji.

Titulli është i Juves

Pas problemit muskular që pësoi në ndeshjen ndaj Torinos, Dybala është gati të rikthehet për sprintin final të Juventusit në kampionat, me grintën e nevojshme për të arritur te titulli kampion, me argjentinasin që pasqyron siguri për arritjen e misionit. Sulmuesi argjentinas, i cili la përgjysmë derbin me Torinon, më 20 mars, pritet të luajë titullar kundër Palermos së “tij”, sot në “Juventus Stadium”.
“E pamundur të humbasim titullin kampion? Kështu e mendoj edhe unë, do të ishte diçka e pabesueshme. Të gjithë kujtonin se kishim mbaruar në fillim të sezonit, por dëshira që shfaq kjo skuadër edhe në çdo stërvitje të bën të kuptosh se ky titull është i yni”, u shpreh Dybala.
Por sulmuesi argjentinas ka dhe një dëshirë që natyrisht do t’i shkonte për shtat Juventusit, edhe pse realizimi i saj për momentin mbetet një utopi. “Kur pashë Barcelonën që të eliminohej m’u morën mendtë. Me pak më shumë fat kundër Bajernit, këtë vit Champions-i mund të kishte qenë i yni. Gjithsesi, duke parë se janë gjermanët ata që na eliminuan, shpresoj që në fund të festojë Bajerni. Messi është idhulli im, bën gjëra që askush tjetër nuk mund t’i bëjë. Do të doja shumë që të vinte te Juventusi. Tani shpresoj që ta fitojë Bajerni, të paktën mund të ngushëllohemi që u eliminuam nga më të fortët”, u shpreh ai.
Dybala tani mund të japë edhe një përshtypje më të qartë për vitin e tij të parë me fanellën bardhezi, që padyshim mund të cilësohet tejet pozitiv, edhe pse për të nuk ka qenë e lehtë. “M’u desh të punoja shumë për t’u përmirësuar fizikisht dhe psikologjikisht. Të kalosh nga lufta për mbijetesë te Juventusi nuk është e lehtë, pasi këtu as nuk mund të mendosh ta barazosh një ndeshje. Për fat mësova shpejt dhe kërkoj gjithmonë të përmirësohem dhe të rritem. Jam i kënaqur që tani nuk flitet më për faktin që kushtova 40 milionë euro dhe me siguri që mund të jap akoma më tepër”, tha Dybala.
Dybala ka dhe një objektiv personal, të kalojë kuotën e 21 golave të realizuar nga Carlos Tevez, për ta bërë diçka të tillë i duhet të tundë edhe 3 herë rrjetën në ndeshjet e mbetura në kampionat.
“Në këto dy ditë të fundit i kam kryer pa probleme stërvitjet me pjesën tjetër të skuadrës. Ndihem në 100 për qind. Me 6 pikë avantazh, duket e pamundur që ta humbni këtë kampionat… Kështu mendoj dhe unë, përndryshe do të ishte shumë e rëndë. Pa dyshim që ky do të jetë një titull madhështor, sepse kur të gjithë na jepnin për të vdekur, ne ditëm të kthehemi nga ajo botë dhe të rimerrnim me forcë atë që na takonte. Prandaj ky titull është i yni”, u shpreh Dybala.

Shqipëri-Rumani, shiten të gjitha biletat

Tri stadiume të mbushur me kapacitet të plotë, me mijëra tifozë në krah të kombëtares. Në pjesëmarrjen historike në Euro 2016, Shqipëria pritet të jetë një prej skuadrave me mbështetjen më të madhe të evenimentit. Kjo jo vetëm në ndeshjen hapëse me Zvicrën apo edhe në sfidën me Francën organizatore, por edhe për duelin e fundit në Grupin A kundër Rumanisë.
Në ndeshjen që do të luhet më 19 qershor në Lion, të pranishëm në “Stade des Lumieres” do të jenë 59,286 spektatorë. Pra, impianti është i shitur me kapacitet të plotë, edhe pse vetëm një muaj më parë, UEFA njoftoi se kishte rinxjerrë në shitje bileta për sfidën Shqipëri-Rumani.
Tashmë në portalin zyrtar të Konfederatës Europiane të Futbollit, ku tifozët kanë aplikuar për bileta, shfaqet njoftimi i UEFA-s: “Momentalisht nuk ka bileta të disponueshme për ndeshjet e Euro 2016. Provoni më vonë, pasi disponueshmëria mund të ndryshojë”. Shitja e të gjitha biletave për ndeshjen e kombëtares kuqezi me Rumaninë është një lajm i mirë, jo vetëm për spektaklin, por mbi të gjitha për skuadrën e Gianni de Biasit.
Kjo për faktin se ndeshja e fundit në Grupin A pritet të jetë vendimtare për ambiciet e Shqipërisë, që të kualifikohet në fazën e 1/8-ave të turneut. Zgjerimi i Kampionatit Europian dhe ndryshimi i formulës, ku përveç dy ekipeve të para në gjashtë grupet e Euro 2016, kualifikohen edhe 4 të tretat më të mira, bëjnë që shanset për të kaluar grupin të jenë reale.

Ranieri shikon vetëm Leicester

Claudio Ranieri i dashuruar me Leicester. Trajneri i “dhelprave” është rrëfyer për të tashmen, të kaluarën dhe të ardhmen. Ai shprehet se është i gatshëm të qëndrojë tek skuadra e Leicester edhe për 8 vitet e ardhshme pavarësisht se interesi për të është i madh si pasojë e sezonit të mrekullueshëm me Leicester, me Ranierin që është një ndër kandidatët e stolit të kombëtares italiane, por vetë tekniku i premton besnikëri skuadrës angleze.
“Jam i gatshëm të qëndroj tek Leicester edhe për 8 vite të tjera. Dëshiroj që karrierën time si trajner ta mbyll këtu. Gjatë kohës kur unë drejtoja Interin, e vetmja gjë që bënë drejtuesit zikatër ishte që më shitën lojtarët më të mirë. Përsa i përket stolit të kombëtares nuk jam ende i gatshëm të marr mbi super një mision të tillë”, u shpreh Ranieri.
Më tej Ranieri ka folur dhe për marrëdhëniet mes tij dhe futbollistëve. Ai shprehet se ka një raport shumë të mirë me ta. “Djemtë janë duke përjetuar një moment fantastik. Jemi afër të bërit histori. Ky i joni është një tren që duhet të kalojë tani ose kurrë më. Kam një raport të shkëlqyer me futbollistët, i dua ata njësoj si të ishin djemtë e mi”, tha ai.
Kryesojnë renditjen me +7 pikë nga Totenhemi, kur kanë mbetur 5 javë nga fundi i Premier Ligës dhe vetëm 48 orë nga ndeshje me Uest Hemin. “Sindroma” Leicester ka përfshirë këdo, të gjithë globin, sepse ndryshe nuk shpjegohet prania e 70 gazetarëve në konferencën e djeshme të Claudio Ranierit, të cilët vinin nga çdo cep i botës: Italia, Japonia, Australia, Danimarka, Spanja, Kina, Tajlanda, SHBA dhe jo vetëm.
Leicesteri është fenomeni i ri i futbollit global dhe të gjithë bëjnë tifozllëk për Ranierin dhe skuadrën e tij, të cilët i ndajnë shumë pak sforco nga fitorja përrallore. Por nëse dikush mendon se tensioni në shtëpinë e “dhelprave” shtohet, trajneri italian nënvizon të kundërtën.
“Jam i përqendruar vetëm te ndeshja me Uest Hemin. Dua një skuadër grintoze, që të tregojë një karakter të fortë, edhe sikur gjërat të shkojnë keq. Ky sport të detyron të luftosh, sepse futbolli është shumë i çuditshëm. Hapi i sigurt i radhës për ne është pjesëmarrja në Ligën e Kampioneve. Më pëlqen himni i këtij kompeticioni, por mbi të gjitha më pëlqen kjo skuadër, tek e cila do të doja të mbyllja karrierën time, nëse pronari është dakord, normalisht. Do të qëndroja përjetë këtu”, tha Ranieri.
“Nervoz përpara Uest Hemit? Absolutisht jo. Nuk kemi arsye pse të kemi. Duhet të luajmë siç kemi bërë deri tani, duke buzëqeshur në fushë, çfarëdo gjëje që të ndodhë. Tashmë mbijetesën e kemi siguruar dhe sido që të shkojë, mrekullinë e kemi bërë gjithsesi. Ndonëse, nëse luajmë me të njëjtin shpirt siç bëmë kundër Sauthemptonit dhe Sandërlendit, ku nuk pësuam gol, mund të kalojmë edhe Uest Hemin dhe t’i afrohemi titullit kampion”.

Skema e vjedhjes së 400 milionë lekëve me barnat e veteranëve

Pas skandalit korruptiv të një viti më parë me Fondin e Rimbursimeve, një skemë e re vjedhjeje përfshin në një tjetër aferë në këtë institucion. Pak muaj më parë është bërë një kontroll në Drejtorinë Rajonale të Fondit të Sigurimeve të Kujdesit Shëndetësor Tiranë dhe është zbuluar një tjetër skemë mashtrimi, një skemë abuzive me barnat për veteranët e Luftës Nacional Çlirimtare. Kjo skemë është në vazhdën e ngritjes së skemave abuzive dhe heqjes qëllimisht të mekanizmit të kontrollit për barnat nga MSH në dy vitet e fundit. Nga kontrolli ka rezultuar se në periudhën shtator 2014 deri në fund të vitit 2015 në disa farmaci të Tiranës, Fondi i Sigurimeve Shëndetësore ka rimbursuar të ashtuquajturin Neuro AID, i cili edhe nga verifikimet nuk rezulton në Listën e Barnave të Rimbursuara nga Fondi, si edhe nuk figuron në regjistrin e Agjencisë Kombëtare të Barnave dhe çka është më e rënda rezulton se ky Neuro Aid-i nuk është bar apo medikament, por një suplement dhe për pasojë nuk është i regjistruar në Republikën e Shqipërisë. Në një situatë të tillë ky suplement nuk duhej të rimbursohej. Por për fatin e keq tonin, ky suplement është rimbursuar në rreth 4 farmaci në kryeqytet për muajt shtator 2014-tetor 2015 me një vlerë totale prej 40 milionë lekësh të reja. Këto farmaci nga të dhënat rezultojnë të jenë në pronësi të ish-drejtuesve të lartë të Fondit dhe njerëzve të lidhur me MSH (farmacia “Coli’s”, “Geni-Lori”, “Nikol 2”, etj). Nga informacioni që disponohet rezulton se ky suplement ka hyrë në Shqipëri me vlerë rreth 25.000 lekë (gjithmonë të reja), (1 kuti me 180 kapsula) dhe është rimbursuar nga Fondi për periudhën në fjalë duke variuar nga 170,000 lekë të reja për recetë çdo muaj gjatë vitit 2014 deri në vlerën 130.000 lekë të reja për recetë çdo muaj në vitin 2015. Pra, për rreth një vit e gjysmë është lejuar të funksionojë kjo skemë mashtrimi me Fondin e Rimbursimit, si edhe nga të dhënat tona rezulton se në shumicën e rasteve ky suplement nuk është marrë fare nga veteranët në Tiranë, por thjesht janë mbushur receta fiktive dhe janë rimbursuar lekët në farmacitë e pushtetit të sotëm. Mësohet se pas këtij kontrolli janë marrë masa administrative (për peshqit e vegjël), por nuk dihet se si është mbyllur vlera prej rreth 40 milionë lekësh (ose 400 milionë lekë të vjetra). (Kanë marrë vetëm vërejtje disa specialistë të Drejtorisë së Tiranës).

Vjedhjet me skemën e rimbursimit nisën më 2014

Prokuroria e Tiranës nisi hetimet vjet për veprat penale të “Mashtrimit me subvencione”, “Falsifikimit të dokumenteve shëndetësore”, “Pastrimit të produkteve të veprës penale” dhe “Shpërdorimit të detyrës” në datë 22 maj 2015, bazuar në informacionin e ardhur nga Fondi i Sigurimit të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor (FSDKSH). Skandali i vjedhjes së më shumë se 1.5 miliardë lekëve nga rimbursimi i ilaçeve ka përfshirë hetimin e disa farmacive private në Tiranë, që mësohet se janë nën pronësinë e njerëzve të zëvendësdrejtorit të Fondit të Sigurimeve të Kujdesit të Detyrueshëm Shëndetësor, Sokol Skura. Fillimisht nisën hetimet për 4 farmaci fiktive, të cilat me anë të recetave të rimbursueshme, që dyshohet se janë falsifikuar kanë përfituar rreth 550 milionë lekë. Kallëzimi u dorëzua vjet vetëm pak ditë më parë, pasi Fondi i Sigurimeve të Kujdesit të Detyrueshëm Shëndetësor ka rimbursuar të gjitha këto receta, që mendohet se janë falsifikuar. Burimet thonë se, nga verifikimi paraprak, dyshohet se recetat e rimbursuara janë lëshuar vetëm nga këto 4 farmaci, të cilat nuk ekzistojnë dhe nuk janë të regjistruar në asnjë nga institucionet shtetërore. Po ashtu, edhe recetat e rimbursuara, sipas akuzës, janë firmosur nga më shumë se 80 mjekë të ndryshëm të familjes në qendrën shëndetësore. Mësohet se çdo recetë ka emër konkret të pacientit, moshën dhe diagnozën, për të cilën kërkohet marrja e ilaçit, që në të shumtën e rasteve janë mjekime për sëmundjet kancerogjene. Vlera e këtyre ilaçeve të rimbursuara, sipas hetuesve, kap shifrën nga 350 deri 800 mijë lekë e që në total kap shifrën e rreth 550 milionë lekëve. Ky abuzim i rimbursimit tashmë, sipas burimeve nga Prokuroria e Përgjithshme ka ndodhur gjatë periudhës nëntor 2014 deri në prill të 2015, kur edhe është konstatuar abuzimi. Hetuesit thonë se referuar materialit kallëzues, thuajse të gjithë mjekët e pyetur, emrat dhe vulat e të cilëve ndodhen në recetë kanë mohuar se kanë lëshuar receta të tilla, për këtë fakt ka lindur dyshimi se po abuzohet me këto receta të rimbursimit. Hetimet e Prokurorisë kanë përfshirë rimbursimin e ilaçeve që nga fillimi i vitit 2014, ndryshe nga sa parashikohej në denoncimin e bërë nga Fondi i Sigurimeve, që përfshinte periudhën nga nëntori 2014 deri në prill të 2015. Recetat e falsifikuara nga organizatorët e kësaj skeme ishin ato të sëmundjeve kancerogjene. Kjo sepse, ilaçet për këto sëmundje kushtojnë më shtrenjtë dhe rimbursimi arrinte në shifrat e 350-800 mijë lekë për një ilaç. Gjithsej 420 mijë euro sipas padisë janë përfituar nga 4 farmaci fiktive vetëm në periudhën nëntor 2014-prill 2015. Menjëherë pas rimbursimit të kësaj shume, auditi i Zyrës së Antikorrupsionit në Kryeministri ka hartuar një raport prej 50 faqesh për këtë skandal. Por skandali është thelluar më tej, kur ky raport nuk është dorëzuar në Prokurori, por është mbajtur i fshehtë. Burime pranë Zyrës së Antikorrupsionit thanë se një kopje e raportit që evidentoi skandalin i është vënë në dispozicion zyrtarëve të Fondit të Sigurimeve Shëndetësore. Në raport konstatohen shkeljet e dhjetëra farmacive dhe shkelje të tjera që kapin shifra marramendëse, por këto u mbajtën të fshehta nga zyrtarët e Fondit.

A.Shahini

Bie ndjeshëm besimi në ekonomi në muajt e parë 2016, poshtë mesatares afatgjatë

Ndonëse ndërtimi është sektori që ka udhëhequr rritjen ekonomike në dy tremujorët e fundit të 2015, ai ka dhënë ndikimin kryesor në rënien e besimit në ekonomi në muajt e parë të 2016-ës, duke paralajmëruar se rritja e tij në muajt në vijim mund të vihet në dilemë.
Treguesi i ndjesisë ekonomike (TNE) ra me 5.7 pikë, në tremujorin e parë të vitit 2016, duke zbritur poshtë mesatares historike për herë të parë pas tre tremujorëve, raportoi Banka e Shqipërisë. Ecuria e këtij treguesi u përcaktua nga rënia e besimit në të gjithë sektorët e ekonomisë, ku rënie më të fortë regjistroi besimi në sektorin e ndërtimit. Në rënie ka qenë dhe besimi konsumator. Sipas grafikut të Bankës, ky është niveli më i ulët që nga tremujori i parë i vitit 2014.

Sektori i industrisë

Treguesi i besimit në sektorin e industrisë (TBI) u ul me 3 pikë përqindje, në tremujorin e parë të vitit 2016. Niveli i TBI-së është luhatur nëpër tremujorë, që nga fillimi i vitit 2015, por duke qëndruar sipër mesatares së tij historike. Aktualisht TBI-ja qëndron 4.5 pikë përqindje mbi mesataren. Në tremujorin e parë të këtij viti, rënia e TBI-së u përcaktua nga rënia në të tre përbërësit e tij: balanca e prodhimit ra me 8.1 pikë përqindje, balanca e gjendjes financiare ra me 7.7 pikë përqindje, dhe balanca e gjendjes së inventarëve u rrit me 6.6 pikë përqindje.
Balancat për pyetjet se si bizneset e vlerësojnë situatën ekonomike në vend dhe gjendjen e përgjithshme të biznesit, janë ulur përkatësisht me 9.7 dhe 5.8 pikë përqindje. Pritjet e bizneseve për gjendjen e përgjithshme të biznesit të tyre në tremujorin e dytë janë rritur lehtësisht (balanca u rrit me 1.3 pikë përqindje).
Balanca e kërkesës ka pësuar rënien më të theksuar në tremujorin e parë, me 12.4 pikë përqindje. Gjithashtu, kërkesa nga eksportet vlerësohet të ketë rënë (balanca ra me 2.6 pikë përqindje). Për tremujorin e dytë, bizneset presin një rikuperim të lehtë të kërkesës (balanca u rrit me 0.3 pikë përqindje).
Balanca e pyetjes mbi investimet e reja, të kryera gjatë gjashtëmujorit të fundit, si dhe ajo për investimet e pritura në gjashtë muajt e ardhshëm, janë rritur me 16.1 pikë përqindje dhe 20.2 pikë përqindje këtë periudhë. Bizneset kanë vlerësuar një rritje të lehtë të çmimeve të prodhimit për të dytin tremujor radhazi. Norma e shfrytëzimit të kapaciteteve në industri shënoi vlerën 69.0% në tremujorin e parë, 2.9 pikë përqindje më e ulët se mesatarja historike. Bizneset e industrisë i kanë shfrytëzuar më pak kapacitetet e tyre, në krahasim me tremujorin e katërt të vitit 2015 (me 4.6 pikë përqindje), por disi më shumë se i njëjti tremujor i një viti më parë (me 1.2 pikë përqindje).

Sektori i ndërtimit

Treguesi i besimit në sektorin e ndërtimit (TBN) ra me 16.7 pikë përqindje në tremujorin e parë të vitit 2016, pas dy tremujorësh me rritje. Niveli i tij qëndron poshtë mesatares historike me 15.4 pikë  përqindje dhe poshtë mesatares së periudhës 2008 – 2015 me 9.0 pikë përqindje. Në rënien e TBN-së ndikuan të treja balancat formuese të tij: balanca e kërkesës, e prodhimit dhe e gjendjes së punësimit, të cilat ranë përkatësisht me 20.0, 15.5 dhe 14.4 pikë përqindje.
Gjatë tremujorit të parë janë vlerësuar me rënie të gjitha aspektet e biznesit në sektorin e ndërtimit. Rënien më të theksuar e shënoi balanca e gjendjes së përgjithshme të biznesit, me 23 pikë përqindje. Pritjet për gjendjen e përgjithshme të biznesit, për tremujorin e dytë të vitit, janë gjithashtu me rënie. Edhe balanca e gjendjes financiare regjistroi rënie me 21.2 pikë përqindje në tremujorin e parë. Në përputhje me rënien e kërkesës, gjendja e inventarëve vlerësohet të jetë rritur në këtë tremujor. Ndërkohë, balanca e pyetjes mbi investimet e reja, të kryera gjatë gjashtë muajve të fundit, është zvogëluar me 13.8 pikë përqindje, por pritjet për gjashtë muajt e ardhshëm janë rritur me 5.7 pikë përqindje. Çmimet e prodhimit janë raportuar në rritje në sektorin e ndërtimit.
Norma e shfrytëzimit të kapaciteteve në sektorin e ndërtimit, gjatë tremujorit në analizë, vijoi rënien. Aktualisht kjo normë shënon nivelin 54.7% ose 9.5 pikë përqindje më pak se mesatarja historike e saj. Në krahasim me të njëjtin tremujor të një viti më parë kjo normë është 2.5 pikë përqindje më e ulët.

Sektori i shërbimeve

Treguesi i besimit në sektorin e shërbimeve (TBSh) vijoi tendencën rënëse në tremujorin e parë të vitit 2016, duke qenë 1.0 pikë përqindje më poshtë nivelit të një tremujori më parë. Rënia e tij rezultoi disi më e ngadalësuar gjatë periudhës në analizë. Aktualisht niveli i TBSh-së mbetet 3.7 pikë përqindje nën mesataren historike. Vijimi i prirjes rënëse të TBSh-së u shkaktua nga rënia e dy prej balancave përbërëse të tij: kërkesa (balanca ra me 5.3 pikë përqindje) dhe ecuria e përgjithshme e biznesit (balanca ra me 1.7 pikë përqindje). Në të kundërt, gjendja financiare, balanca tjetër formuese e TBSh-së, rezultoi e përmirësuar (+4.1 pikë përqindje), por në një masë të pamjaftueshme për të ndërprerë rënien e treguesit.
Balancat e pyetjeve për ecurinë aktuale dhe të pritur të ekonomisë në vend shënuan rënie me përkatësisht 2.4 pikë përqindje dhe 4.9 pikë përqindje. Ndërkohë, vlerësimet dhe pritjet e bizneseve për çmimet e shërbimeve shënuan rritje. Për sa i takon pritjeve të bizneseve për kërkesën dhe ecurinë e përgjithshme të biznesit për tremujorin e dytë, ato rezultuan të përmirësuara. Balancat përkatëse u rritën me 4.3 dhe 2.7 pikë përqindje. Rritje shënoi edhe balanca e investimeve të reja për gjashtëmujorin e ardhshëm.
Norma e shfrytëzimit të kapaciteteve nga bizneset e shërbimeve rezultoi 68.0% në tremujorin e parë, duke shënuar një rënie të fortë prej 7.2 pikësh përqindjeje krahasuar me tremujorin e mëparshëm dhe prej 4.9 pikësh përqindjeje krahasuar me të njëjtin tremujor të një viti më parë. Kjo normë përfaqëson edhe shkallën më të ulët të shfrytëzimit të kapaciteteve në këtë sektor që prej vitit 2007, duke qenë 8.1 pikë përqindje nën mesataren historike.

Sektori i tregtisë

Treguesi i besimit në tregti (TBT), megjithë rënien me 4.1 pikë përqindje në tremujorin e parë të vitit 2016 vijoi të qëndrojë mbi mesataren historike afatgjatë. Të treja balancat formuese të treguesit kontribuan në rënien e nivelit të TBT-së gjatë tremujorit në analizë. Rënie të ndjeshme shënoi balanca e gjendjes financiare, me 5.8 pikë përqindje, dhe balanca e ecurisë së përgjithshme të biznesit, me 5.7 pikë përqindje. Ndërkohë, balanca e punësimit ra në një masë më të vogël, prej rreth 0.7 pikësh përqindjeje.
Vlerësimet dhe pritjet e bizneseve të përfshira në vrojtim kanë rezultuar të përkeqësuara për të gjitha aspektet e lidhura me aktivitetin e tyre. Më konkretisht, në nivele më të ulëta rezultuan balancat për pyetjen mbi ecurinë e aktuale të ekonomisë në vend (ra me 3.1 pikë përqindje) dhe atë të pritur (ra me 1.6 pikë përqindje). Gjithashtu, balancat për treguesin e kërkesës së vlerësuar dhe të pritur nga bizneset shënuan rënie me 7.3 pikë përqindje dhe me 3.0 pikë përqindje. Bizneset vijojnë të vlerësojnë ecuri rënëse të çmimeve (balanca ra me 1.0 pikë përqindje) në tremujorin e parë, ndërkohë që presin rritje të tyre në tremujorin e dytë (balanca u rrit me 1.1 pikë përqindje).
Norma e shfrytëzimit të kapaciteteve në tregti shënoi rënie me 5.7 pikë përqindje, duke qëndruar në nivelin 73.5% në tremujorin e parë të vitit 2016. Bizneset rezultojnë të kenë shfrytëzuar kapacitetet e tyre me një normë 5.2 pikë përqindje më të ulët se norma mesatare historike dhe 2.3 pikë përqindje më të ulët se norma e të njëjtës periudhë një vit më parë.

Bie dhe besimi konsumator

Treguesi i besimit konsumator (TBK) shënoi rënie me 2.5 pikë përqindje në tremujorin e parë të vitit 2016, pas përmirësimit të lehtë të shënuar në tremujorin e mëparshëm. Zhvillimet në përbërësit e TBK-së vijuan të reflektohen në një dinamikë të luhatshme të treguesit, duke e zhvendosur atë sërish nën mesataren afatgjatë. TBK-ja reflektoi përkeqësimin e tre prej balancave të tij formuese: – blerjet e mëdha, situata financiare e pritur e familjes dhe situata e të ardhurave/shpenzimeve. Niveli më i ulët i TBK-së u drejtua kryesisht nga rënia e balancës së blerjeve të mëdha, me 7.6 pikë përqindje, dhe në një masë më të vogël nga balancat më të ulëta të situatës financiare të pritur të familjes (-1.9 pikë përqindje) dhe të situatës së të ardhurave/shpenzimeve (-1.8 pikë përqindje). Ndërkohë, balanca tjetër përbërëse e TBK-së, situata e përgjithshme ekonomike në vend gjatë tremujorit të ardhshëm, u rrit me 1.5 pikë përqindje, duke dhënë sërish një kontribut të vogël në kahun rritës për treguesin.