25.5 C
Tirana
E premte, 1 Gusht, 2025

Banka: Ka rënë besimi tek ekonomia, rënia ekonomike

Banka e Shqipërisë, në një takim informal me mediat për prezantimin e raportit mujor të politikës monetare të tremujorit të dytë 2016, ka zbardhur arsyet që kanë ngadalësuar rritjen ekonomike gjatë muajve të fundit, ku rënia e besimit në ekonomi dhe ambienti i jashtëm i përkeqësuar citohen si arsyet kryesore.
“Informacioni i ri ka qenë në krahun e poshtëm të pritjeve të Bankës së Shqipërisë. Rritja ekonomike e tremujorit të katërt të vitit 2015 rezultoi më e ulët se parashikimi, inflacioni i tremujorit të parë të 2016 shënoi rënie të papritur. Ambienti i huaj ka rezultuar i përkeqësuar dhe besimi i biznesit nuk shfaqi përmirësim të qëndrueshëm. Këto zhvillime kanë shtyrë në kohë kthimin e ekonomisë në ekuilibër”.
Indeksi i besimit në ekonomi (Treguesi i ndjesisë ekonomike-TNE) ra me 5.7 pikë, në tremujorin e parë të vitit 2016, duke zbritur poshtë mesatares historike për herë të parë pas tre tremujorëve, ka raportuar më parë Banka e Shqipërisë. (Ecuria e këtij treguesi u përcaktua nga rënia e besimit në të gjithë sektorët e ekonomisë, ku rënie më të fortë regjistroi besimi në sektorin e ndërtimit. Në rënie ka qenë dhe besimi konsumator.
Rritja ekonomike rezultoi 2.2% në tremujorin e katërt dhe 2.6% për 2015. Ajo është udhëhequr nga aktiviteti në ndërtim dhe shërbime, vlerëson Banka e Shqipërisë. Aktiviteti industrial ka vuajtur konjukturën e pafavorshme në tregjet botërore dhe në partnerët tanë tregtarë. Nga këndvështrimi i kërkesës agregate, rritja ekonomike është udhëhequr nga zgjerimi i konsumit familjar dhe i investimeve private.
Ekspertët e Bankës së Shqipërisë e vunë theksin dhe në rënien e investimeve kapitale, që janë zëri që kanë pësuar tkurrjen më të madhe në të gjithë zërat e shpenzimeve buxhetore. Në kahun tjetër, eksportet e mallrave janë në rënie, ndërsa ato të shërbimeve në rritje.
Në kahun tjetër, inflacioni ka qenë afër zeros, në intervalin për tre tremujore radhazi. Sipas ekspertëve të Bankës së Shqipërisë, kjo rënie ishte e papritur, pasi ata nuk kishin informacion paraprak për një gjë të tillë. Efekti kryesor vlerësohet të ketë ardhur nga rënia e naftës, ndërkohë që edhe partnerët tregtarë kanë rishikuar me rënie të fortë inflacionin. Ata kanë rishikuar me ulje dhe rritjen ekonomike, thanë specialistët e Bankës së Shqipërisë.
Inflacioni mesatar i tremujorit të parë rezultoi në nivelin e 0.7%. Rënia e inflacionit, sipas Bankës së Shqipërisë, ka ardhur nga goditje të ofertës:
-Inflacioni i ulët i ushqimeve
-Përcjellja e rënies së çmimit të naftës në tregun ndërkombëtar
-Faktorë teknikë të bazës së lartë krahasuese
Ndikimi i tyre në inflacion pritet të jetë kalimtar dhe të shuhet në gjysmën e dytë të vitit.
Niveli i inflacionit në fundit të 2016 pritet të luhatet rreth vlerës 1.9%, krahasuar me parashikimin 2.3% të raportit të mëparshëm.
Presionet e përgjithshme inflacioniste në vend vazhdojnë të mbeten të ulëta. Kapacitetet prodhuese shfrytëzohen vetëm pjesërisht dhe presionet në tregun e punës mbeten të dobëta. Inflacioni bazë, i cili sinjalizon presionet afatgjata nga ana e kërkesës mbi inflacion, ka mbetur në vlera të ulëta.

Normat e interesit nuk do rriten para vitit 2017

Banka e Shqipërisë paralajmëroi se stimuli monetar mund të rritet më tej gjatë vitit 2016, ndërkohë që cikli rritës i normave të interesit nuk do të fillojë para vitit 2017. Pak ditë më parë, me qëllim respektimin e objektivit të inflacionit, Këshilli Mbikëqyrës vendosi që: Të ulë normën bazë të interesit në nivelin 1.25%; Të ngushtojë korridorin e lehtësirave të përhershme, duke ulur normën e interesit të kredisë njëditore në nivelin e 2.25%

Në afat të mesëm rritja do të përmirësohet

Megjithatë, Banka e Shqipërisë mbetet optimiste për të ardhmen. “Banka e Shqipërisë gjykon se, ekonomia shqiptare vazhdon të mbetet në një trajektore pozitive zhvillimi. Në horizont afatmesëm, presim një rritje ekonomike në përmirësim dhe një kthim gradual të inflacionit në objektiv. Ekonomia parashikohet të kthehet në ekuilibër gjatë vitit 2017, duke ndihmuar kthimin e inflacionit në objektiv rreth fundit të vitit 2018.
Konsumi dhe investimet private pritet të jenë mbështetësit kryesorë të rritjes ekonomike gjatë vitit 2016. Ekonomia pritet të rritet me ritëm më të lartë se vitin e kaluar.
Tregjet financiare janë likuide dhe kjo është reflektuar në norma të ulëta interesi. Interesat për huadhënien në lekë janë ulur gradualisht në tre vitet e fundit. Megjithatë, kushtet financiare stimuluese nuk janë përkthyer në rritje të qëndrueshme të kredisë, si pasojë e hezitimit të agjentëve ekonomikë dhe financiarë.
Transmetimi i plotë i efekteve të politikës monetare në tregjet financiare dhe zbatimi i planit të masave për reduktimin e kredive me probleme do të ndihmojë në rritjen e interesimit të bankave ndaj kreditimit. Megjithatë, përmirësimi i qëndrueshëm i klimës së biznesit dhe rritja e interesit për kredi, për investime afatgjata do të varet edhe nga përshpejtimi i reformave strukturore.
Këto të fundit, përcaktojnë rritjen e qëndrueshme të ekonomisë së vendit në afat të gjatë, thekson Banka e Shqipërisë.

Leicester, Ranierit i ofrohet kontratë e re

Claudio Ranieri nuk largohet nga Leicesteri. Kampionët e Anglisë nuk kanë ndërmend të heqin dorë nga trajneri i tyre Claudio Ranieri dhe do të bëjnë të pamundurën për të mbajtur teknikun Roman, në krye të stolit të “Dhelprave”. Italianit pritet t’i ofrohet një rinovim kontrate. Këtë fakt e pohon zëvendëspresidenti i Leicesterit, Srivaddhanaprabha. “Në fund të sezonit do të ulemi me Ranierin për të diskutuar mbi të ardhmen e tij. Do të bisedojmë për një projekt afatgjatë dhe dëshirojmë me patjetër që Claudio të jetë pjesë e tij”, tha ai.
Numri dy i kampionëve të Anglisë, foli dhe për disa nga yjet e skuadrës së tij. Konkretisht për Vardy, Mahrez dhe Kante, të cilët janë vënë në shënjestër nga shumë klube të mëdha europiane:
“Do të bëjmë gjithçka është mundur, që asnjëri prej lojtarëve që kemi të mos largohet. Dëshirojmë që ky grup futbollistësh të jetë edhe për sezonin e ardhshëm. Sigurisht që do të bëjmë dhe përforcime nëse do të jetë e nevojshme”.
Pasi arritën ta bëjnë ëndrrën realitet, duke fituar titullin në Premier League, drejtuesit e Leicester duket se po mendojnë seriozisht jo vetëm për një paraqitje sa më dinjitoze sezonin e ardhshëm në Champions League, por po mendojnë edhe për të ardhmen për të qëndruar në këto nivele. Sipas ESPN, drejtuesit e Leicester janë të gatshëm të shpenzojnë deri në 30 milionë euro për të siguruar shërbimet e 18 vjeçarit, i cili duket se ka një ta ardhme të sigurt në majat më të larta të futbollit botëror.

Bllokimi i ndërtimeve rrit çmimet e qirave të banesave

Çmimet e qirave për herë të parë nisën rritjen në muajin prill që nga fundi i 2014, duke frenuar rënien nisur që nga fillimi i vitit 2015.
Sipas INSTAT në muajin prill rritja vjetore e çmimeve të qirave rezultoi 0.5 për qind, teksa për më shumë se një vit ndryshimi i vjetor i treguesit ka qenë në vlera negative.
Ekspertë të sektorit bëjnë me dije se, çmimet e qirave me rritje janë nxitur nga masat e ashpra për ndërtimet pa leje, të cilat kanë penguar ofrimin e kapaciteteve shtesë për banim. Ambientet që shfrytëzohen për qira në të shumtën e rasteve janë shtesa pa leje në banesat me leje pse ambiente tërësisht informale.
Këtë vit çmimet e qirave nuk e kanë ndjekur logjikën e tregut. Kur kërkesa për banesa pëson rënie, siç ka ndodhur gjatë 2015, çmimet e qirave priren të rriten, pasi ka kërkesë më të lartë për këtë shërbim. Por viti 2015 ka bërë një përjashtim nga kjo logjikë, pasi edhe çmimet për qiratë dhe ato për shtëpitë kanë rënie po njësoj.
Agjencitë imobilare pohojnë se ulja e qirave vitin e kaluar është ndikuar nga sjelljet jo normale të tregut. Ikja e shumë familjeve për qëllime emigrimi jashtë vendit ka krijuar mbiofertë në treg për qira e për pasojë edhe rënie të çmimeve.
Por teksa emigrimi është kthyer në ciklin normal dhe nga ana tjetër ndërtimi është bllokuar, çmimet e qirave kanë rinisur rritjen në muajin prill.
Çmimet e banesave dhe të qirave kanë pësuar luhatje ekstreme vitin e kaluar. Indeksi i çmimit të banesave ra me 4.8% në tremujorin e katërt, pasi ishte rritur me 2.3 dhe 5.4% dy tremujorët e mëparshëm. Luhatje të ngjashme regjistroi dhe indeksi i qirasë së banesave. Pasi ishte rritur me 7.7% tremujorin e tretë, indeksi i qirasë regjistroi rënie vjetore prej 14.8% në tremujorin e katërt.
Ecuria e çmimeve në tregun e banesave gjatë vitit 2015 është ndikuar në përgjithësi nga gjallërimi i kërkesës së vlerësuar për blerje banese, siç sinjalizojnë të dhënat nga vrojtimet e besimit dhe të aktivitetit kreditues.
Nga këndvështrimi i bizneseve, sektori i ndërtimit raporton një rritje të ngadaltë të kërkesës gjatë vitit 2015. Nga këndvështrimi i bankave, kërkesa e individëve për kredi për blerje banese është ndjeshëm më e lartë gjatë këtij viti.

Dënime përjetë për tifozët huliganë

Shembulli më i fund, që ka rezultuar edhe si mënyra më e mirë për të luftuar dhunën në futboll vjen nga Anglia. Pas sulmit ndaj autobusit të Manchester United, klubi i West Ham-it njoftoi se do të punojë me policinë që të evidentojë personat e përfshirë në ngjarjen skandaloze përpara sfidës në “Upton Park”. Skuadra londineze premtoi se do të vendosë dënime të përjetshme për tifozët huliganë, që u përfshinë në mënyrë aktive gjatë incidenteve me mjetin që transportonte skuadrën rivale. Fitorja 3-2 përballë Djajve të Kuq dhe ndeshja e fundit në impiantin Upton Park kaluan në plan të dytë, pas ngjarjeve skandaloze ku u përfshinë disa dhjetëra tifozë të West Ham, ndërsa edhe trajneri Louis van Gaal u godit me shishe në momentin që zbriti në fushë.
Ajo ishte ndeshja e fundit e skuadrës në shtëpinë 112-vjeçare, përpara transferimit në stadiumin “Olimpik” gjatë sezonit të ardhshëm. Të gjithë këto episode bën që ndeshja të niste me 45 minuta vonesë. Por, tani që gjithçka mbaroi, klubi i kryeqytetit anglez nisi bashkëpunimin me policinë, për të identifikuar të gjithë tifozët e përfshirë dhe premtoi përjashtime të përjetshme nga stadiumi. Nga ana e saj, policia e Londrës konfirmoi se, asnjë person nuk u arrestua prej ngjarjeve, megjithatë ka nisur menjëherë puna për një plan të detajuar policor, që të ndalohen të gjithë personat përgjegjës.
Ndodh që edhe në vendin ku është shpikur futbolli, sjelljet e dhunshme të tifozëve t’i detyrojnë organizatorët ta nisin ndeshjen me 45 minuta vonesë. Bëhet fjalë për takimin West Ham-Manchester United, që u shty për tre çerek orë pas sulmit ndaj autobusit të Djajve të Kuq nga ana e tifozëve londinezë, që në fakt duhet të festojnë për ndeshjen e fundit në stadiumin historik “Upton Park”.
Gjatë rrugës për në stadium, autobusi i Manchester United u dëmtua nga goditjet e shumta me mjete të forta. Sikurse tregojnë dhe pamjet filmike, autobusit iu thyen xhamat, ndërsa për të qetësuar situatën u desh ndërhyrja e menjëhershme e forcave të rendit. Mbërritja me vonesë në stadium e stafit dhe futbollistëve të United, i detyruan organizatoren që ta nisnin takimin jo në orën 20:45, por në 21:30.
Kapiteni i Djajve të Kuq, Wayne Rooney u shpreh se nuk e priste një sjellje të tillë nga tifozët e West Hamit, për të cilët kishte ruajtur konsiderata të larta. Më i ashpër në deklaratën e tij ishte trajneri Louis Van Gaal, i cili theksoi se situata të tilla influencojnë negativisht te futbollistët.

Bankers, më 31 maj përmbyllet marrëveshja me kinezët

Bankers Petroleum Ltd, kompania që shfrytëzon zonën naftëmbajtëse në Patos Marinëz nëpërmjet një marrëveshje koncesionare me qeverinë shqiptare njoftoi se marrëveshja e shitjes tek kinezët, e Geo Jade, mbyllet më 31 maj.
Në një njoftim zyrtar për median, Bankers bëri me dije se, transaksioni i propozuar ka marrë miratimet e nevojshme nga Autoriteti i Konkurrencës në Shqipëri, Komisioni i Zhvillimit Kombëtar dhe Reformës në Kinë (NDRC) dhe Çertifikata e Investimeve të Huaja të Ndërmarrjeve dhënë nga Ministria e Tregtisë së Republikës Popullore të Kinës (MOFCOM) përmes Komitetit të Menaxhimit të Zonës së Tregtisë së Lirë në Shanghai.
Të dyja palët vazhdojnë të ndjekin ecurinë e miratimeve që nuk janë marrë ende nga Akti i Investimeve (Kanada) dhe Administrata Kineze Shtetërore e Këmbimit Valutor (SAFE).
Bankers do të mbajë mbledhjen e veçantë të aksionerëve më 31 maj 2016, duke kërkuar miratimin e aksionerëve për marrëveshjen. Nëse miratohet në Mbledhjen e Posaçme, mbyllja e marrëveshjes mbetet në rrugën e duhur për t’u përfunduar në qershor të vitit 2016, në vijim aksionet e Bankers nuk do të tregtohen më në bursën e Torontos ( “TSX”) dhe në tregun AIM të Bursës së Londrës.
Aksionerët e regjistruar të Bankers deri në 19 prill 2016, kanë të drejtë të votojnë në Mbledhjen e Posaçme. Marrëveshja duhet të miratohet nga jo më pak se 2/3 e aksionerëve të Bankers të pranishëm personalisht ose të përfaqësuar me prokurë në Mbledhjen e Posaçme. Aksionerët janë të inkurajuar për të lexuar Informacionin e Qarkores së Menaxhimit të përgatitur në lidhje me Marrëveshjen, pasi ajo ofron informacion të rëndësishëm për Bankers dhe marrëveshjen.
Takimi i veçantë do të mbahet në Qendrën e Metropolitan (Strand/Tivoli Rm), 333 4th Avenue SW, Calgary, Alberta, të martën, 31 maj, 2016. Bankers do të japë informacion të mëtejshëm në lidhje me kohën e mbylljes së marrëveshjes.

Bankat shtrëngojnë kushtet e kredive, braktiset biznesi i madh

Përkundër politikës lehtësuese të Bankës së Shqipërisë, bankat tregtare kanë rritur normat e interesit të kredive ndaj biznesit në tremujorin e parë, kryesisht si pasojë e normave më të larta për kredinë për investime.
Banka e Shqipërisë në raportin e periodik për tendencat në kreditim në tremujorin e parë të 2016, të publikuar sot shpjegoi se duke përjashtuar disa kredi me norma jotipike të dhëna në këtë periudhë, normat për biznese kanë mbetur të krahasueshme me nivelin e tremujorit të katërt 2015.
Nga ana tjetër, individët kanë përfituar nga reduktime të vazhdueshme të çmimit të kredisë, për të gjitha llojet e saj. Normat e interesit të kredisë në lekë për individë u janë afruar normave të interesit të kredive për biznese, të cilat historikisht kanë qenë më të ulëta. Në dy muajt e parë të vitit, vërehet vetëm një rritje e lehtë e normave të interesit për kreditë overdraft në krahasim me tremujorin e fundit të vitit të kaluar.
Banka e Shqipërisë vërën se normat e interesit të kredisë në muajt janar-shkurt janë lehtësisht më të larta se në tremujorin e fundit të vitit. Ato janë shfaqur të luhatshme dhe vijojnë të ndikohen nga kredi të veçanta, në kushtet kur vëllimet e kredisë së re mbeten të ulëta. Në një krahasim më afatgjatë, ato vijojnë të ndjekin trend rënës, ndonëse jo aq të shpejtë sa ai i normave të interesit të depozitave.
Sipas klientit, reduktimi i normave të interesit është më i dukshëm tek individët. Marzhet e ndërmjetësimit janë rritur në dy muajt e parë, por mbeten pranë mesatareve të viteve të fundit. Kushtet jo çmim të kreditimit kanë qenë kryesisht në kahun lehtësues, si për individët, ashtu edhe për bizneset. Normat e interesit të kredisë në lekë kanë pësuar rritje në muajt janar-shkurt.
Norma mesatare e tyre rezultoi 7.91%, nga 7.68% që shënonte në tremujorin e katërt të vitit të kaluar. Kjo rritje i dedikohet kryesisht normave të larta për disa kredi për biznese të dhëna në dy muajt e parë të vitit. Pavarësisht luhatjeve afatshkurtra të tyre, normat e interesit për kreditë në lekë kanë ndjekur përgjithësisht një trajektore rënëse, në ndjekje të politikës monetare lehtësuese të zbatuar nga Banka e Shqipërisë. Kështu, çmimi mesatar i kredisë në lekë në dy muajt e parë të vitit është rreth 0.23 pikë përqindje më i ulët se një vit më parë dhe 0.66 pikë përqindje më i ulët se para dy vitesh.
Normat e interesit për kreditë në euro në fillim të vitit kanë ecur në mënyrë të ngjashme me ato në lekë. Norma mesatare e interesit ka rënë për individët, e nxitur nga reduktimi i normave të interesit për kredinë hipotekare dhe për financimin e konsumit afatgjatë.
Ndërkohë, ajo rezulton e rritur për bizneset krahasuar me fundin e vitit të kaluar, por kjo rritje reflekton nivele veçanërisht të ulëta të normave të interesit në tremujorin e fundit të vitit të kaluar. Duke mënjanuar këtë efekt, normat e interesit për kreditë në euro për bizneset janë gjithashtu në rënie.
Në krahasim me një vit më parë, çmimi i kredisë në euro ka rënë, si për individët, ashtu edhe për bizneset. Nga ana tjetër, normat e interesit të depozitave në euro kanë zbritur në nivele të ulëta historike, prej mesatarisht 0.27% në janar dhe shkurt. Për rrjedhojë, marzhi i ndërmjetësimit në euro rezulton i rritur kundrejt tremujorit të fundit të vitit të kaluar, në 5.22 pikë përqindje. Kundrejt një viti më parë, ai është rreth 0.75 pikë përqindje më i ulët.

Investitorët e huaj në Kosovë kërkojnë kushte lehtësuese

Përfaqësues të investitorëve evropianë në Kosovë, iu bëjnë thirrje institucioneve të Kosovës, që të fokusohen në krijimin e një klime më të favorshme për investitorët e huaj, pasi që në të kundërtën, ata siç do të vijnë, ashtu edhe do të largohen nga Kosova pa investuar. Ata tregojnë se vendet e rajonit kanë krijuar politika më të favorshme ekonomike për investitorët ndërkombëtarë, dhe kjo sipas tyre, bën që investitorët potencial që vijnë në Kosovë të largohen në kërkim të një ambienti më të favorshëm afarist. Drejtori ekzekutiv i Këshillit të Investitorëve Evropian në Kosovë, Shpend Balija, i ka thënë Radios Evropa e Lirë, se investitorët e huaj duhet të ndihen të sigurt që të investojnë dhe se këtë siguri mund ta krijojnë vetëm institucionet e shtetit të Kosovës. “Klima për investime të huaja direkte në Kosovë është një gjë që duhet fokusuar më me efikasitet, përqendrim dhe përkushtim më të madh, për arsye se nëse e marrim shtetin fqinj të Maqedonisë ata e kanë filluar këtë proces me një seriozitet më të lartë dhe me një dinamikë të punës më të përshpejtuar në këtë drejtim. Tani Maqedonia ofron kushte për investitorë të huaj, të cilat janë me një impakt më të lartë ekonomik për investitorin”, shprehet Balija. Të hyrat vjetore mesatare të investimeve të huaja, sipas të dhënave të Bankës Qendrore të Kosovës, gjatë periudhës 2009-2013 kanë qenë 400 milionë euro, por, që shënuan rënie në vitin 2014, dhe atë në vetëm 151 milionë euro. Derisa, në vitin 2015 investimet e huaja kanë qenë rreth 320 milionë euro. Njohësi i çështjeve ekonomike, Alban Zogaj, thekson se niveli i ulët i investimeve të huaja në Kosovë dhe rënia e tyre, ishte si pasojë e krizës politike në të cilën kishte kaluar Kosova. Megjithatë, Zogaj konsideron se do të ketë rritje të investimeve të huaja në të ardhmen. “Do të ketë lëvizje më të mëdha sa i përket investimeve të huaja, kjo për shkak se po përmirësohet klima e biznesit gradualisht. Lajmet e fundit në Kosovë do të japin një sinjal shumë të mirë edhe për ekonominë. Anëtarësimi në UEFA pavarësisht se ne e konsiderojmë një aspekt i sportit, por do të ketë efekte pozitive edhe në ekonomi, po ashtu edhe liberalizimi vizave do të jep sinjale të mira për tërheqjen e investitorëve të huaj”, thekson Zogaj. Ndërkaq, investitorët të cilat kanë shtrirë tanimë kapitalin e tyre në Kosovë, sipas Shpend Balija nga Këshilli i Investitorëve Evropian në Kosovë, kishin identifikuar si probleme thelbësore në të bërit biznes, moszbatimin e ligjeve dhe nivelin e lartë të korrupsionit. “Mos-harmonizimi i ligjeve aktuale, që bien ndesh më njëra tjetrën krijon amulli dhe probleme për investitorët e huaj, po ashtu një problem tjetër është ndërrimi i legjislacionit shumë shpesh dhe nuk ka një koherencë të legjislacionit në vazhdimësi për të cilin investitori duhet të ketë një siguri të madhe, dhe të mos ndryshojnë ligjet çdo tre apo katër vite. Zbatimi i ligjit në Kosovë mungon. Në ligj ekziston mbrojtja e investitorit, por në praktikë kjo nuk ndodhë”, thekson Balija. Ndërkohë, për ndërtimin dhe zhvillimin e përgjithshëm ekonomik të Kosovës investimet e huaja janë shpëtimtare, thotë njohësi i çështjeve ekonomike Alban Zogaj. “Një prej, po e quaj “ilaçeve” të ekonomisë në Kosovë është investimi i jashtëm direkt, pasi që investitorët lokal kanë mungesë të kapitalit dhe financave dhe e vetmja mundësi për të hyrë në investime të mëdha të themi të prodhimit në Kosovë, duhet gjithsesi të krijohen kushte për investitorët e mëdhenj të cilët kanë orientim eksportin”, shton Zogaj. Ndryshe, Qeveria e Kosovës ka përgatitur një projektligj për Investimet Strategjike, përmes së cilit thuhet se do të eliminohen pengesat e deritanishme për nxitjen dhe realizimin e investimeve të huaja, si burokracia e tepërt, procedurat e stërzgjatura, mungesa e transparencës, infrastruktura ligjore jo e favorshme të cilat kanë penguar dhe vështirësuar realizimin e investimeve të huaja në Republikën e Kosovës.

Kosovë, e ligjin e ri, Trepça ndërmarrje publike

Gjiganti metalurgjik “Trepça” pritet që shumë shpejt të bëhet me status të ri. Ndërmarrja më e madhe në Kosovë do të ketë karakterin e ndërmarrjes publiko-qendrore me mundësi të partneritetit publiko-privat. Ky është definimi i kësaj ndërmarrjeje që është bërë në projektligjin për “Trepçën”, i cili projektligj pritet të dërgohet gjatë javës së ardhshme në Qeveri të Kosovës. Këtë e ka bërë të ditur për gazetën “Zëri” Ahmet Tmava, drejtor i ndërmarrjes “Trepça”, i cili njëkohësisht ka qenë edhe në komision ndërinstitucional. Sipas tij, ky emërtim do të jetë një mundësi e zhvillimit të mëtutjeshëm të kësaj ndërmarrjeje. “‘Trepça’ do të ketë karakterin e ndërmarrjes publiko-private dhe do të shndërrohet në ndërmarrje publike-qendrore me mundësi të partnerit publiko-privat. Po mendoj një alternativë e mirë që jep mundësinë e zhvillimit. Ne presim që gjatë javës të procedohet kjo në Qeveri, meqenëse jemi në fazën finale të këtij projektligji i cili është punuar nga një grup ndërinstitucional dhe përfaqësues të tjerë”, ka thënë ai. Ndërsa në Ministrinë e Zhvillimit Ekonomik kanë thënë se projektligji për “Trepçën” është në fazën finale dhe shumë shpejt pritet të dërgohet në Qeveri.

Shkrirja e Gjykatës Kushtetuese dhe amendamentet e Ergysit

Rama dëshmoi dje një tërbim publik kur paralajmëroi marrjen e hakut për Koço Kokëdhimën. Për sivëllaun e tij që humbi mandatin e deputetit pse përfitonte fonde publike në mënyrë antiligjore dhe antikushtetuese, Rama kërcënoi me shkrirje të Gjykatës Kushtetuese. I vetmi që e ka të sigurtë vendin në këtë gjykatë është kunati i Xhafës, Berberi që bëri një piruetë të paparë juridike për të nxjerrë – megjithëse pa sukses – të palagur Koçon.

Për të gjithë anëtarët e tjerë të Gjykatës Kushtetuese, Rama ka kërcënimin mafioz “për këtë më duhet Reforma në Drejtësi”. Që në variantet e para të socialistëve, Reforma në Drejtësi dhe institucionet e reja të sistemit që synohet të krijohen, ishin strukturuar për t’i dhënë pushtet Ramës për të bërë gjueti shtrigash në politikë dhe në drejtësi. Pavarësisht se reforma ka kaluar nëpër duar ekspertësh të huaj dhe është konsultuar dy herë me Komisionin e Venecias, Rama nuk e fsheh bindjen e tij se kjo reformë i jep nesër pushtetin e dëshiruar të ndëshkojë çdo prokuror dhe gjykatës që i ka prekur Koço Kokëdhimën, Frrokët, Roshin, Prengën dhe tufën e madhe të kriminelëve dhe të korruptuarve me të cilën ai qeveris prej tre vitesh.

Aktualisht nga mënyra se si plasin në komisionin e posaçëm parlamentar amendamentet “alla Rama” të draftit të reformës, duket se eksperti më i madh i kësaj reforme ka dalë Ergysi, furnitori i kokainës së Kryeministrit. Të rikthesh si pjesë të reformës dhe për më tepër si përmirësim të draftit, një ndryshim kushtetues që hedh në kosh ligjin e dekriminalizimit për të lënë të paprekur në politikë dhe në të gjitha sferat e pushtetit banditët, vrasësit, trafikantët dhe të korruptuarit është si të thuash se nesër kryetari i Gjykatës Kushtetuese do të zgjidhet Emiljano Shullazi, Parlamenti dhe qeveria do të mbushen me të dënuarit e përjetshëm, krerët e bandave famëkeqe.

Reformën në Drejtësi shqiptarët e duan që të largojnë Koçot nga grabitja e parave dhe pasurive publike, të largojnë Prengët nga Parlamenti, Saimirët nga qeveria, Roshët nga bashkitë, Gazmendët nga policia dhe administrata. Reforma në Drejtësi synon të largojë kapobandën që është Kryeministër, t’i presë çdo mundësi, hapësirë për të kërcënuar qytetarë a gjykatës dhe ta ndëshkojë lirisht për krimet e pafundme që ka bërë që nga dita e parë që ka shkelur në zyrat e shtetit.

Reforma në Drejtësi duhet të jetë një hakmarrje, por kurrë e Kryeministrit me popullin dhe me kundërshtarët e tij. Shqiptarët kanë të drejtë të kërkojnë hakmarrje ndaj Ramës dhe të gjithë atyre që e kanë përdorur çdo orë të ditës dhe çdo pozicion publik për t’u pasuruar, duke mjeruar populllin dhe vrarë shpresat në këtë vend.

Shumë prej nesh prisnin dje që Rama, të ishte të paktën në nivelin e dhembjes së Koços dhe të mos kalonte publikisht në krizat e tij mendore. Por Koço është thjesht një prej humbjeve që po përjeton ky Kryeministër i zhytur në krime dhe korrupsion. Janë të paktën 11 parlamentarë të shumicës që preken nga dekriminalizimi dhe dekusarizimi, janë me qindra në administratë dhe polici që kanë lënë dhe do të lënë detyrën me plotësimin e formularëve, janë Frrokët dhe Shullazët në qeli, është Prenga që e liroi skuadra e berberëve të drejtësisë, por e burgos dekriminalizimi, janë organizatat kriminale që po goditen dhe tonelatat e drogës që po sekuestrohen nga partnerët tanë perëndimorë. Ka një koalicion të madh shqiptar dhe ndërkombëtar kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar në Shqipëri dhe ndaj Rama ndjehet i sulmuar, i kërcënuar dhe pa shpresë. Ndaj Reformë në Drejtësi është ajo që i rikthen dhe ia mban Koçot dhe banditët e tjerë në Parlament dhe qeveri, ndaj dhe amendamentet i bën ekspert Ergysi.

Sovraniteti dhe integriteti

Enver Bytyçi

 

Paskal Milo më në fund, rreth të 70-ve, u shfaq sovran. Ndërsa Jozefina Topalli thjesht përsëriti qëndrimin e saj në kontinuitet sa i përket sovranitetit të vendit. Dallimi midis tyre është thelbësor, por kundërshtia është e njëjtë. Nuk do analizoj qëndrimet, sidomos të Jozit, e cila edhe në rastin e fundit nuk bëri kompromis me filozofinë e të djathtës që përfaqëson. Do ndalem te Prof. Paskali, se është dhe profesor dhe se praktika e filozofia e tij nuk ka qenë asnjëherë sovranizmi, madje as integriteti. Por Paskal Milo ka një meritë: Si himariot që është nuk ka thënë vetë kurrë se është grek. Ne të tjerët ia kemi thënë këtë kur ai lëshonte sovranitet e integritet në favor të Greqisë.

Sot zoti Milo pretendon se sovranitetin po na e shkelin ambasadori Lu dhe ambasadorja Vlahutin. Pse? Se ata të dy po marrin pjesë në mbledhjet e grupeve parlamentare të PD, PS e LSI. Dhe çfarë kërkojnë? Thjesht një ligj për Reformën në Drejtesi për Shqipërinë, për ne qytetarët shqiptarë. Milo tha se ambasadorët po shkelin vijën e kuqe, sikur ata të kishin ardhur në Shqipëri me tanke e topa dhe me autoritetin ushtarak t’i imponoheshin deputetëve shqiptarë. Pastaj tha se kjo nuk lejohet në një vend anëtar të NATO-s. Ndërkohë që anëtarësia në NATO e BE janë arsyet e intervenimit të dy ambasadorëve të nderuar.

Qenia në NATO është meritë e shqiptarëve dhe dy burrave të kohës, Xhorxh W. Bush dhe ish-kryeministrit Berisha. Nuk është meritë e Milos as e Ramës, as e Spartak Ngjelës që manipulojnë me ndërhyrjen amerikane dhe ligjin e Reformës në Drejtësi. Por ka edhe një raport midis sovranitetit dhe integritetit. Të dyja këto kanë një lidhje logjike. Sa më me integritet, dmth sa më e pakorruptuar dhe painkriminuar të jetë qeverisja, aq më shumë forcohet vendimmarrja shtetërore sovrane. Po ne jemi bërë të na qajnë e të na vajtojnë edhe pjesa afrikane joshtetformuese.

Çdo ditë gjykatat po japin vendime me të cilat dëshmohet se deputetët tanë janë hajdute, kusarë, trafikantë e vrasës. Madje “nuk mbajnë mend” kë kanë vrarë e çfarë trafiqesh kanë bërë. Betohen se nuk kanë shkelë ligjin e kur Gjykata ua provon, si në rastin e Kokëdhimës, ngrejnë kokën e mburren. Ky lloj integriteti politik, moral e shtetëror mund ta bëjë NATO-n të marrë vendim për vendosjen e pranisë ushtarake të saj neë Shqipëri, jo më të detyrojë Donald Lu-në të jetë i pranishëm në komisione e grupe parlamentare. Me këtë integritet qeverisjeje ne meritojmë të shpallemi protektorat, duke e kthyer vendin në situatën e periudhës së principatës së Princ Vidit. Edhe në këtë pike ndryshojnë reagimet e Jozefina Topallit e Paskal Milos. Ndryshe nga demokratja Topalli, demokrati social, Milo nuk e hodhi shashkën e Ramës për shkak të parimit të sovranitetit. Vija e kuqe që ai përmendi ishte presioni i radhës i kryeministrit antiglobslist, drejtuar ambasadorit amerikan. Ndërsa sovraniteti i Milos është kujdestari që oligarkia kriminale e këtij vendi të ruajë pasuritë, pushtetin e privilegjet e pjesëmarrjes në krim.