14.8 C
Tirana
E mërkurë, 14 Maj, 2025

Kontrata sekrete, si po trukohet tenderi 8.8 milionë euro i dixhitalizimit

Radio Televizioni Shqiptar po përpiqet që të gjejë artificat ligjore për të lidhur një shtesë kontrate për mirëmbajtje në vlerën e 8.8 milionë eurove me kompaninë “Rohde-Shvarz”. Kjo e fundit ka fituar në vitin 2015 kontratën prej 21.5 milionë eurosh për ndërtimin e dy rrjeteve dixhitale të RTSH-së; kontratën e firmosi ministrja Milena Harito si autoritet kontraktor. Por RTSH-ja pretendon se kjo kontratë nuk mbulon dhe nuk garanton mirëmbajtjen e disa dhjetëra pikave të përforcimit dhe transmetimit.

Kontrata e lidhur ndërmjet RTSH-së dhe firmës “Rohde-Shwarz”

“HashtagAL” ka siguruar kontratën konfidenciale të lidhur me “Rohde-Shwarz”, ndërsa në këtë kontratë shprehet qartësisht se kjo kompani ka për detyrë të përfundojë të plotë ndërtimin e sistemit të rrjetit dixhital; ta dorëzojë “me çelësa në dorë” dhe dy vite pasi e ka dorëzuar të bëjë dhe mirëmbajtjen. Pra, për të paktën 2 vite pas ndërtimit të këtij rrjeti përgjegjësia e mirëmbajtjes është e vetë kompanisë “Rohde-Shwarz”. Atëherë pse RTSH-ja kërkon një kontratë shtesë prej 8.8 milionë eurosh për 4 vite për mirëmbajtje? Janë 2.2 milionë euro në vit që do të shpenzohen për mirëmbajtje; ndërsa RTSH-ja parashikon të marrë kredi në banka për ta siguruar shumën. RTSH-ja e argumenton këtë nevojë me faktin se “kontrata e lidhur me ‘Rohde-Shwarz’ nuk ka limite dhe afate për ekzekutimin e saj”. Kjo është e vërtetë; Shqipëria nuk e kapi dot në kohë afatin e vendosur nga BE-ja për ngritjen e rrjetit dixhital ndaj dhe aktualisht nuk ka ndonjë afat të dytë të përcaktuar. Efekti ka ardhur nga një mangësi e kontratës së lidhur nga Harito; por nga ana tjetër, palët po i hapin rrugë një procesi për sigurimin e 8.8 milionë eurove për mirëmbajtjen 4-vjeçare duke shtuar barrën financiare; për më tepër në kushtet kur mirëmbajtja ishte detyrim i “Rohde-Shwarz”. Drejtori i RTSH-së, Martin Leka po përdor artifica ligjore për t’i hapur rrugë tenderit të mirëmbajtjes; ndërsa ministrja Milena Harito në dukje i ka kundërshtuar këto përpjekje gjatë letërkëmbimeve zyrtare; por nuk e ka bllokuar procesin dhe “de facto” tenderi shtesë prej 8.8 milionë eurosh është shumë pranë finalizimit. Opozita ka akuzuar ministren Harito se po favorizon kompaninë “IDEA-Tel”, e cila dyshohet se do të nënkontraktohet për të relizuar mirëmbajtjen; ndërsa e gjithë nisma për tenderin e mirëmbajtjes është e mbështetur nga Kryeministri Rama.

Kontrata

Më 15 nëntor 2015, e përditshmja “Shqiptarja.com” ka zbardhur kontratën e plotë, gati për t’u firmosur midis drejtorit të Përgjithshëm të RTSH, Martin Leka dhe administratorit të “IDEA-Tel”, Idlir Karkini. Kjo vjen në një çast kur nga ana e kompanisë gjermane “Rohde & Schwarz”, fituese e tenderit shumë të përfolur prej 21.5 milionë eurosh (pa TVSH) për kalimin në sistemin dixhital të transmetimit, nuk ka nisur ende asnjë punë. Në këtë mënyrë, kontrata e mirëmbajtjes prej 8.8 milionë eurosh në favor të “IDEA-Tel” (që rezulton si përfaqësuesi në Shqipëri i firmës gjermane “Rohde & Schwarz”), është përgatitur përpara se të nisë puna për dixhitalizimin e sistemit të transmetimit. Duket se administrata aktuale e RTSH, po nxitonte të nënshkruajë kontratën 8.8 milionëshe për të bërë të mundur zyrtarizimin e saj përpara zgjedhjes së drejtorit të ri të Përgjithshëm të Radio Televizionit Shqiptar. Nënshkrimi i kësaj kontrate do ta vinte kreun e ri të TVSH, përpara faktit të kryer, ashtu siç ka ndodhur dhe me kontrata të tjera problematike, siç është ajo e “Rapiscan”, ajo për markimin e karburanteve e “Eurocontrol”, e kolaudimit të mjeteve nga “SGS” apo koncesioni monopol i Aereoportit “Nënë Tereza”.
Vetë RTSH, në kontratën mes Ministrisë së Inovacionit dhe “Rohde & Schwarz” për dixhitalizimin e RTSH është përfitues i kontratës dhe jo autoritet kontraktues. Sipas të përditshmes “Shqiptarja.com”, nëse do të merrte përsipër këtë rol, RTSH do të ishte e detyruar të përzgjidhte me tender të hapur ofruesin e këtij shërbimi dhe jo me përzgjedhje të drejtpërdrejtë. Ndërkohë që në kontratën mes Ministrisë së Inovacionit dhe “Rohde & Schwarz”, vihet re se kjo e fundit e ka detyrim kontraktual (pra të përcaktuar si detyrim brenda vlera 21.5 milionë euro) trajnimin e stafit inxhiniero-teknik të RTSH-së për mirëmbajtjen e sistemit të transmetimit dixhital.
Një element tjetër që e bën më të çuditshme këtë kontratë, ka të bëjë me faktin që RTSH ka një strukturë të posaçme të specializuar për mirëmbajtjen e rrjetit të transmetimit, e njohur si Drejtoria e Stacioneve. Pa përmendur, që “Rohde & Schwarz” ofron garanci dyvjeçare për pajisjet nga momenti i instalimit. Të gjithë këto elemente e bëjnë krejt të pamotivuar, kontraktimin e një kompanie të tretë për mirëmbajtjen e sistemit të transmetimit, që mund të garantohet pa kosto shtesë nga personeli teknik i RTSH (i trajnuar nga firma gjermane) dhe me pjesë këmbimi të furnizuar prapë nga firma gjermane pa asnjë kosto ekstra brenda kushteve të garancisë. Ndërkohë që në kontratën me “IDEA-Tel”, RTSH jo vetëm merr përsipër t’i paguajë “IDEA-Tel” 8.8 milionë euro në katër vitet pas dixhitalizimit, por zotohet t’i sigurojë kompanisë edhe ambientet ku do të realizohet shërbimi.

Rriten me 70 për qind çmimet e biletave të avionëve drejt Italisë

Çmimet e biletave të avionëve nga AlItalia drejt Italisë kanë shënuar një rritje të ndjeshme prej 60-70% ditët e fundit. Një biletë vajtje ardhje për Romë, në gusht, që vitin e kaluar e gjeje me 160 euro, nëse e prenoton sot për gushtin 2016 nuk e gjen dot më lirë se 230 euro. Agjencitë shpjegojnë çfarë ka ndodhur. Reagimi i AlItalia…
Nëse do të presësh një biletë tani për të udhëtuar në verë në Romë, apo Milano është vështirë që të gjesh një biletë nën 200 euro (vajtje ardhje), ndërsa drejt Barit e gjen me 180 euro.
Çmimet e biletave të avionëve nga AlItalia drejt Italisë kanë shënuar një rritje të ndjeshme prej 60-70% ditët e fundit. Një biletë vajtje ardhje për Romë, në gusht, që vitin e kaluar e gjeje me 160 euro, nëse e prenoton sot për gushtin 2016 nuk e gjen dot më lirë se 230 euro.
Mesatarisht, sipas të dhënave nga agjencitë e udhëtimit, nga 120-160 euro që ishin çmimet e biletave më parë, për destinacionet e Italisë, tani ato janë mesatarisht 200-240 euro. Këto çmime i gjeni nëse prenoton tani për pas tre apo katër muajsh. Nëse në korrik do të blesh një biletë për në gusht, çmimi do i kalojnë 300 euro.
Monitor bëri një test: prenotoi në internet në faqen e Alitalia një biletë vajtje- ardhje në datat 6-13 gusht. Çmimi minimal që mund të gjesh është 227.3 euro (për këtë vendet janë të limituara) dhe çmimi maksimal (në varësi të orareve të nisjes e kthimit) arrin deri në 366.7 euro (shiko fotot).
Një vit më parë, për të njëjtin prenotim në të njëjtën kohë, çmimi maksimal ishte 160 euro.
Edhe pa këtë rritje të fundit, çmimet e biletave të avionëve në vend ishin më të shtrenjtat në rajon.

Çfarë ka ndodhur

Drejtues të agjencive të udhëtimit në Tiranë kanë shpjeguar se që prej dy javësh, AlItalia la rivendosur kontrollin mbi sistemin e rezervimit. Teknikisht kjo nënkupton që agjencitë nuk kanë më mundësi të ndërhyjnë me klasin e udhëtimeve (më parë agjencitë ndërhynin në sistem duke shitur një pjesë të madhe të biletave me klasin më të lirë). Me lëvizjen e fundit, tashmë në klasin më të lirë mund të gjesh vetëm një numër të kufizuar biletash dhe pas shitjes së tyre, çmimet I rikthehen tarifave standarde.
Burime nga AlItalia, të kontaktuara nga Monitor thanë se AlItalia nuk i ka ndryshuar çmimet, por kanë qenë agjencitë ato që kanë tentuar deri tani të ndërveprojnë me çmimet e AlItalia.
AlItalia rezulton, sipas agjencive, të ketë shkurtuar dhe disa destinacione, si ka hequr rrugën e Pizza, ndërsa ka një fluturim më pak drejt Milanos.

Çmimet i rrit dhe Blue Panorama

Edhe operatori tjetër që ofron fluturime me kosto të ulët drejt Italisë, Blue Panorama ka rritur çmimet me rreth 20-30%, duke iu afruar 200 eurove, apo dhe ka hequr bagazhet, duke i tarifuar veçmas ato, sipas informacioneve nga agjencitë.

Rezervoni sa më shpejt

Agjencitë e udhëtimit rekomandojnë që për të kapur çmime sa më të lira, indivdët apo bizneset duhet të nxitojnë të bëjnë rezervimet sa më shpejt.

Italia, 60% e fluturimeve

Italia është destinacioni më i frekuentuar nga shqiptarët. Sipas të dhënave nga Tirana Intrnational Airport (TIA), fluturimet drejt Italisë zënë 60% të totalit. AlItalia dhe low cots i saj Air One kanë rreth 38% të tregut, ndërsa Blue Panorama ka rreth 20%.

Shqiptarët, të parët në listat e azilkërkuesve në Hollandë

Shtetasit shqiptarë vazhdojnë të jenë të parët në listën e kërkesave për azil në Holandë, pavarësisht apelit të vazhdueshëm të partive politike, për të mos zbarkuar në këtë vend. Sipas shifrave të fundit zyrtare, të publikuara nga ministria për drejtësi dhe siguri, në shtatë ditët e fundit, nga 300 azilkërkues që mbërritën në Golandë, 50 janë shtetas shqiptare. Edhe muajin e kaluar, shtetasit shqiptarë, përbënin grupin më të madh të azilkërkuesve të ardhur në Holandë. 225 shqiptarë që parashtruan kërkesën për azil vetëm gjatë muajit mars, shifra këto, që befasuan edhe qeverinë holandeze, pas inicimit të masave shtrënguese, që tentonin të ulnin fluksin. Në janar një delegacion holandez vizitoi Tiranën për të arritur një marreveshje me qeverinë Shqiptare për deportime të pershpejtuara nga Holanda. Por deri sot, asnjë deportim nuk është realizuar.
E shqetësuar nga ky trend, qeveria holandeze ka ndërmarrë masa për ta kufizuar valën. Që nga vera 2015, numri i aplikimeve për azil nga Shqipëria është rritur dhe arriti 1010 në fund të vitit. Deri më 2014 vetëm disa dhjetëra shqiptarë kërkonin azil në Holandë çdo vit.
Ky trend i rritjes vazhdoi në dy muajt e parë të 2016, kur 480 shqiptarë kërkuan azil. Sipas zyrtarëve holandezë, numri u shtua në mars, megjithëse shifrat ekzakte të shqiptarëve, sirianëve dhe aplikantëve të tyre mbeten ende për t’u zbuluar. Ministria tha se shqiptarët tani renditen të parët për nga kërkesat për azil. Numrat e atyre që kanë marrë përgjigje pozitive për kërkesat mbeten të ulëta. Më 2015, vetëm katër shqiptarë fituan leje të përkohshme banimi, ndërsa 795 aplikantë u refuzuan.
Megjithëse numrat e aplikantëve shqiptarë për azil në Holandë mbeten më të ulët se në Gjermaninë fqinje, ku rreth 55,000 shqiptarë kërkuan azil vitin e shkuar, qeveria holandeze është shqetësuar nga fluksi.
Ajo ka miratuar mjete të reja në përpjekje për të kontrolluar dhe ulur numrin e azilkërkuesve nga të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor. Si pjesë e kësaj përpjekjeje, zyrtarë të qeverisë holandeze vizituan Tiranën në janar për të rënë dakord me qeverinë shqiptare për mënyra të reja të rikthimit të azilkërkuesve të refuzuar. Pas vendimit të BE-së për heqjen e vizave me Shqipërinë më 2010, shqiptarët mund të udhëtojnë në vendet Shengen pa viza. Megjithatë, kur një shtetas shqiptar aplikon për azil, ai ose ajo automatikisht shkel rregullat e regjimit pa viza. Kjo është arsyeja përse vendet e BE-së mund të ndalojnë hyrjen e shtetasve shqiptarë për shtatë vite në BE nëse nuk duan të kthehen në shtëpi.
Gjatë bisedimeve në Tiranë, dy qeveritë ranë dakord se qeveria holandeze mund të përdorë fluturime çarter për të sjellë në shtëpi azilkërkuesit e refuzuar. Kështu, Holanda nuk varet më nga fluturimet e programuara dhe mund t’i kthejë më shpejt shqiptarët. Megjithatë, pavarësisht hapave për të kthyer në shtëpi me shpejtësi aplikantët e refuzuar, numri i shqiptarëve që aplikojnë për azil në Holandë po rritet. Sipas Ministrisë holandeze të Sigurisë dhe Drejtësisë, deri më 14 mars 2016, 1074 shqiptarë u akomoduan në qendra të azilit në Holandë.
Kur “BIRN” i pyeti ata përse u larguan nga Shqipëria për në Holandë, shumica thanë prej mungesës së punës dhe situatës së vështirë ekonomike. Emiljano, 37-vjeçar, që jetonte në Oss, tha se u largua prej situatës ekonomike dhe problemeve personale në Shqipëri. Ai i tha “BIRN” se ishte hedhur nga njëri vend europian në tjetrin duke kërkuar azil, nga frika e sigurisë personale në shtëpi. Kastrioti, 58-vjeçar, i tha “BIRN” se u largua nga Shqipëria prej mungesës së kujdesit shëndetësor dhe trajtimeve mjekësore. Me diabet, ai ka mundur të marrë ndihmë mjekësore falas në Holandë, ndërsa pret një përgjigje për kërkesën për azil. Ai u largua fillimisht për në Gjermani për të kërkuar azil atje, por vazhdoi në Holandë ndërsa familja e tij qëndroi në Gjermani. Siç shkroi edhe “BIRN” në nëntor, nën të ashtuquajturat rregulla të Dublinit, vendi ku bëhet kërkesa fillestare për azil është përgjegjës për t’u marrë me atë kërkesë.
Në teori, vetëm vendi i parë ku aplikohet për azil mund të shqyrtojë një çështje. Një kërkesë në një vend të dytë do të mohohet dhe do të kthehet në vendin e parë të aplikimit. Pavarësisht kësaj, shqiptarët përdorin procedurat e ngadalta dhe burokratike të azilit për të qëndruar për një periudhë më të gjatë në Holandë. Megjithëse shqiptarëve u mungojnë arsyet për të marrë azil në Holandë, disa ankohen rreth kushteve në kampet e azilit në Holandë. Emiljano tha se ai kishte zgjedhur Holandën sepse vendi “përqafon të drejtat e njeriut dhe i ka promovuar këto vlera”. Por ai tha ishte zhgënjyer nga kushtet ku jetojnë azilkërkuesit në Holandë. Duke theksuar gjendjen e keqe të ushqimit që ai tha se ia jepnin në kamp, Emiljano shtoi se ndonjëherë ka vjedhur për të ngrënë atë që preferonte.

Kriza, askush nuk merr më kredi

Prodhimi nën kapacitete dhe klima e lartë e pasigurisë e ka tulatur kërkesën biznesit për kredi në dy vitet e fundit, por teksa konsumatorët ishin më shumë më kërkues, viti 2016 i ka gjetur edhe ata pesimistë.
Sipas të dhënave nga Banka e Shqipërisë për herë të parë kërkesa e individëve për kredi ra në nivele negative në tremujorin e parë të 2016.
Kërkesa e individëve për kredi banese shënoi rënie me 13.6 për qind në janar –mars 2016 dhe kërkesa për kredi konsumatore ra me 9.6% për të njëjtën periudhë.
Këto tregues kishin patur ritme rritjeje dyshifrore më 2015. Banka e Shqipërisë analizon se rënia e kërkesës së individëve për kredi, në tremujorin e parë të vitit 2016, është nxitur kryesisht nga zhvillimet në tregun e pasurive të paluajtshme.
Kështu, përqindja neto e balancës për këtë faktor, i cili ka pasur një kontribut pozitiv të vazhdueshëm në rritjen e kërkesës për kredi, për tremujorin në analizë, rezultoi negativ.
Bankat raportojnë se, edhe besimi konsumator ka pasur një rol negativ në ecurinë e kërkesës për kredi. Ndërkohë, kushtet e kreditimit të zbatuara nga bankat, vendimet e Bankës së Shqipërisë dhe nevoja për financimin e blerjes së banesës kanë ndikuar pozitivisht mbi rritjen e kërkesës për kredi në këtë tremujor.
Në ndryshim nga tremujorët e kaluar, përdorimi i burimeve alternative të financimit ka shfaqur një kontribut të parëndësishëm në ecurinë e kërkesës për kredi nga individët.

Ulje historike e aktivitetit të pasurive të paluajtshme

Aktiviteti në sektorin e pasurive të paluajtshme ka pësuar një rënie të fortë vjetore në tremujorin e fundit të vitit 2015 pas një rritjeje për katër tremujorë rresht.
Shifrat e INSTA treguan se, zhvillimet në tregun e pasurive pësuan një rënie vjetore me 5.9 për qind gjatë tetor-dhjetor 2015, por kjo duket të ketë qenë rënia më e madhe që sektori ka parë të paktën që nga 2013-ta.
Kjo tendencë është konfirmuar më parë edhe nga Banka e Shqipërisë, e cila ka vërejtur se Indeksi i çmimit të banesave kishte pësuar rënie me bazë vjetore me 4.8% në tremujorin e katërt, pasi ishte rritur në tremujorët e mëparshëm.
Sektori duket se po vuan pasojat e mungesës së kërkesës e mbështetur kjo edhe me shifrat negative të konsumit të vitit 2015.
Burimet nga tregu, pohojnë se, rënien më të madhe e kanë pësuar transaksionet me tokat. Kërkesa për blerje pronash për qëllime biznesi ka pësuar rënie më të madhe se, kërkesa për banesa. Ky fenomen reflektohet edhe në ulje të çmimeve për metër katror në zonat me intensitet të lartë industrial si autostrada, Tiranës-Durrës dhe ajo Tiranë-Elbasan.
Nisur nga kjo situatë që ka shfaqur tregu i pasurive të paluajtshme në tremujorin e fundit, bizneset e sektorit kanë rënë në pesimizëm në këtë fillim vitit. Treguesit e biznesit në këtë sektor pësuan rënie të fortë në janar-mars me 16.7 pikë përqindje pas dy tremujorësh me rritje. Niveli i tij i optimizmit në sektorin e ndërtimit qëndron poshtë mesatares historike me 15.4 pikë përqindje dhe poshtë mesatares së periudhës 2008 – 2015 me 9.0 pikë përqindje raportoi Banka e Shqipërisë.
Bizneset e sektorit pohojnë se, situata është përkeqësuar më tej, pasi qeveria ka ndryshuar rregullat e taksimit edhe për objektet në ndërtim, të cilat kishin kontrata e lidhura.

Bizneset kundër ligjit për dhomat e tregtisë

Komisioni i Veprimtarisë Prodhuese vijon seancat dëgjimore me grupet e interesit për projektligjin e Dhomave të Tregtisë, i cili ka hasur në kundërshtimin e biznesit vendas dhe të huaj. Përfaqësuesit e dhomave të tregtisë nga rrethet propozuan platformat e tyre duke u shprehur kundër draftit të qeverisë.  “ Nuk mundet që një dhomë tregtie të jetë barazpeshë e qartë. Ne përfaqësojmë biznesin e çdo qarku dhe biznesin në total ndërmjet Unionit të Shqipërisë.Ne nuk shkojmë në Itali dhe të themi Dhoma e Tregtisë angleze apo italiane” . “Ajo tarifa që kërkojmë ne, për shembullajo që kemi praktikuar ne: Dhoma e Durrësit, Dhoma e Shkodrës, Dhoma e Fierit por dhe dhoma të tjera nuk e kalon 0.05 % deri në 0.07 % të xhiros vjetore. Nuk është aspak taksë kundrejt shërbimeve që do të marrë biznesi nga sistemi i dhomave, nga dhomat e qarkut por edhe nga unioni i dhomave”. Projektligji që nuk është pranuar as nga dhomat e biznesit të huaj në Shqipëri ka hasur kundërshtime dhe nga deputetë të mazhorancës. Deputeti Vladimir Kosta tha se vetë bizneset nuk duhet të diktojnë me ligj përzgjedhjet e tyre. Vladimir Kosta: “Përse të mos bëhet  i detyrueshëm aty ku do ta aderojë vetë biznesi? Do biznesi ta aderojë në dhomën e ndërtuesve, të shkojë atje. Do në shoqatën amerikane të shkojë atje. Pse duhet të përkufizohet kështu? Dakort jemi ne anëtarësim i detyrueshëm. Le të shkojnë aty ku duan”. Ndërkohë edhe opozita nëpërmjet Genc Rulit ka kërkuar përmirësim të draftit në mënyrë që dhoma të ofrojë më shumë shërbime për biznesin. Genc Ruli: “Me kë do bisedojë shteti? Me individët që dalin me emra shoqatash apo me shoqata të organizuara sipas ligjit që janë Dhomat e Tregtisë? Ky është problemi më i madh. Thelbi për mua është t’i kalojë disa shërbime që i kryen shumë mirë Dhoma e Tregtisë. Anëtarësimi i detyrueshëm për mua është një element që vetëm ka të bëjë me këtë fazë të parë të vetë disiplinimit”. Projektligji i ri parashikon heqjen e aspektit vullnetar të antarësimit duke e bërë të detyrueshëm.

Gjykata e Tiranës, në katër muaj 30 çështje falimenti

Në Gjykatën e Shkallës së Parë në Tiranë numërohen aktualisht rreth 8,200 çështje civile, nga të cilat rreth 50% janë të mbartura. Të dhënat zyrtare tregojnë se pjesa më e madhe e padive kanë natyrë kontraktore, shkaktim dëmi, marrëdhenie pune, kërkim sendi apo edhe zgjidhje martese. Statistikat gjithashtu tregojnë se janë përpara togave të zeza të Shkallës së Parë të gjykimit janë 30 çështje falimenti, nga të cilat vetëm 6 janë të përfunduara. Së fundmi në këtë Gjykatë ka nisur procedura e falimentit për një nga gjigantët e eksportit shqiptar, Kurum, ndërsa përmenden edhe çështje që skanë përfunduar ende gjykimin si ajo e kompanisë së tullave Volalba, Vaporusa Alb sh.p.k ( kompani italiane). Albix, Al.p.in sh.p.k. Kërkesa për faliment në gjykatë nis kryesisht nga Tatimet dhe në më pak raste nga vetë biznesi. Është gjykata ajo e cila pas padisë vlerëson nëse do të fillojë ose jo procedura e vlerësimit të falimentimit. Nëse gjyqtari vendos për hapjen atëherë do të duhet të zgjidhet një administrator i licencuar i cili do të marrë menaxhimin e kompanisë. Në regjistrin e Ministrisë së Drejtësisë aktualisht janë 18 administratorë të licencuar. Administratori për çdo çështje të re që merr në shqyrtim njofton Agjencinë e Falimentit. Ligji nuk përcakton afate për mbledhjen e listës së pasurive dhe shpërndarjen mes kreditorëve. Në rastin kur kompania do të shlojë për organizim atëherë është administratori ai që do ta realizojë atë për aq kohë sa parashikon plani. Ligji i Falimentit parashikohet t’i nënshtrohet ndryshimeve drastike. Por, edhe pse ka kohë që diskutohet për to (drafti është gati) ende nuk i ka shkuar për miratim qeverisë.

Çfarë ndodh me elektoratin europian?

E. Wayne Merry

Në “referendumin e tij këshillues” mbi marrëveshjen e asocimit të Bashkimit Evropian me Ukrainën, elektorati holandez e refuzoi zgjerimin përtej kufijve të BE-së, duke shfaqur shqetësimin e përgjithshëm se ku po shkon BE-ja. E pra, kjo ishte një votë mosbesimi ndaj Partneritetit Lindor të BE-së, i cili i çeli rrugën marrëveshjes fatkeqe me Ukrainën.
Së bashku me politikën monetare dhe menaxhimin e krizës së emigrantëve, Partneriteti Lindor kompleton një trio politikash të BE-së, të cilat ishin qëllimmira, por të konceptuara dobët dhe të zbatuara, duke patur pak vlerësim mbi rreziqet apo pasojat. Duke provokuar një reagim të dhunshëm nga ana e Rusisë, Partneriteti Lindor e shndërroi partnerin e synuar, Ukrainën, në një viktimë.
Partneriteti Lindor u shpall në vitin 2009 për të zgjeruar marrëdhëniet politike dhe ekonomike me Armeninë, Azerbajxhanin, Bjellorusinë, Gjeorgjinë, Moldavinë dhe Ukrainën “paralelisht me partneritet strategjik të BE-së me Rusinë”. Me secilin nga këto vende, Brukseli filloi negociatat për një marrëveshje asocimi, plus një të ashtu-quajtur Zonë të Thellë dhe Gjithëpërfshirëse të Tregtisë së Lirë, të bazuar në pranimin nga ana e partnerëve të mëdhenj të rregullave dhe praktikave të BE-së.
Në asnjë rast BE nuk pranoi praktikat e vendeve partnere; lëshimet qenë tërësisht të njëkahshme. Në fakt, partneriteti rikonfirmoi një BE pothuajse jashtë kufijve të saj lindorë, duke tejkaluar zonën e deklaruar të influencës ruse në Perëndim dhe Jug. Marrëveshjet e asocimit kërkonin të eksportonin strukturën rregullatore të BE-së tek vendet partnere, në kurriz të lidhjeve të tyre të rëndësishme ekonomike dhe prej një kohë të gjatë me Rusinë.
Në fakt, avokatët më të zëshëm në BE ndaj këtij partneriteti, mburreshin se në fund të fundit, kjo do të zëvendësonte ndikimin rus. Në disa raste një objektiv anësor qe sjellja e vendit partner, jo në BE, por në NATO. Si për të shtuar fyerjet ndaj lëndimit të mundshëm, Brukseli haptazi deklaroi se Partneriteti qe një “zgjedhje civilizuese”, një karakterizim që nuk është e habitshme pse u prit keq në Moskë.
Azerbajxhani dhe Bjellorusia, i cilësuan kërkesat e partneritetit tepër të ashpra dhe i hodhën poshtë ato, ndërsa Armenia iu nënshtrua presionit rus pr të mos e nënshkruar marrëveshjen e asocimit, dhe në vend të kësaj t’i bashkohej Bashkimit Euroaziatik Ekonomik të Moskës. Gjeorgjia qe më e etura që të lidhte veten me BE, dhe më e përgatitura për të bërë reformat e brendshme që i kërkoheshin.
Ndërkohë, Moldavia qe krejtësisht e papërshtatshme për statusin e asocimit, dhe marrëveshja do t’i shërbente një ndarje të mëtejshme një popullsie tashmë thellësisht të ndarë. Kushtet në Moldavi, vendi më i varfër në Evropë, janë përkeqësuar ndjeshëm nga viti në vit. Ukraina ishte vendi kryesor në shënjestër të Partneritetit Lindor, si për shkak të madhësisë së saj dhe gjeografisë, ashtu dhe për shkak të potencialit.
Është e drejtë të thuhet, se asnjë shtet jo-Baltik nuk doli nga Bashkimi Sovjetik me shumë nga atributet e një ekonomie moderne dhe shoqërisë, se sa Ukraina. Megjithatë, korrupsioni i shumëpërhapur nga një elitë kleptokratike për më shumë se dy dekada, ia grabiti premisën e saj të madhe. Kështu, Kievi ndoshta u shfaq një kandidat i mirë për një partneritet me BE-në.
Dy faktorë dolën rrugës: kultura politike e vetë Ukrainës, dhe interesat ruse.
E para është e mirë-dokumentuar, dhe nuk ka nevojë të rishtjellohet këtu. Ndëkaq, faktori rus është jo aq i thjeshtë, sa është portretizuar shpesh. Është shumë e vërtetë se elitat në pushtet në Rusi janë sjellë në mënyrë të turpshme ndaj Ukrainës, dhe nuk e kanë pranuar atë si shtet legjitim ose të pavarur. Moska pretendon një epërsi prej vasali ndaj fqinjës së saj.
Megjithatë, lidershipi politik në Kiev i ka konfirmuar këto paragjykime ruse, duke kompromentuar sovranitetin e Ukrainës në këmbim të naftës dhe gazit natyror me çmim të lirë. Marrëdhëniet ruso-ukrainase, siç praktikoheshin në të dy kampet, qenë ato të padronit kryezot dhe shtetit të urtë klient. Edhe kur Presidenti Viktor Jushcenko shpalli një program nacionalist, kryeministrja Julia Timoshenko, zbatoi politika thuajse tërësisht të kënaqshme për Moskën.
Partneriteti Lindor e kërcënoi direkt këtë marrëdhënie, që shihet nga Kremlini si një e një interesi jetik kombëtar.
Marrëveshja një mijë faqëshe e asocimit për Ukrainën, do të ndryshojë rrënjësisht lidhjet ekonomike me Rusinë dhe detyrojë Kievin të bëjë një seri lëshimesh të sovranitetit të saj ndaj Brukselit, në kurriz të Moskës. Sigurisht, Ukraina nuk mund të aderojë si tek Partneriteti Lindor, ashtu edhe tek Bashkimi Ekonomik Euroaziatik, edhe pse shumë në Kiev i kërkojnë të dyja, për të ruajtur avantazhet e gjeografisë Lindje-Perëndim të Ukrainës.
Propozimet si nga Moska ashtu edhe Kievi për t’u angazhuar në diskutime 3-palëshe për zgjidhjen e konflikteve të mundshme, u hodhën poshtë në mënyrë të vendosur nga Brukseli. Me kalimin e kohës, Moska filloi ta shohë propozimin e BE-së më pak si një përpjekje për të angazhuar Ukrainën, se sa për të absorbuar atë në strukturat e BE-së dhe më pas në NATO.
Ngjarjet e mëvonshme janë të njohura, edhe pse ia vlen të përmendet se trazirat politike kundër regjimit të korruptuar dhe vicioz të Viktor Janukoviç nuk u përqendruan tek Rusia, por te abuzimet e brendshme të pushtetit. Shumica e opinionit publik ukrainas prirej të ishte në favor ose neutral ndaj Rusisë, ndërkohë që disa qytetarë vlerësonin se marrëveshja për asocimin ishte e nevojshme për Ukrainën për të zgjedhur një orientim europian, në kurriz të lidhjeve të saj tradicionale me Rusinë.
Aspekti më i rrallë i tragjedisë që pasoi, është se askush në Bruksel apo kryeqytetet e tjera evropiane nuk i besoi paralajmërimeve ruse, se nuk do pranonte në mënyrë pasive humbjen e pozitës së saj në Ukrainë. Duke pasur parasysh se Moska e pa primatin e saj ndaj Kievit si një interes jetik kombëtar, pse asnjë zyrtar i lartë evropian nuk mori në konsideratë mundësinë që Rusia mund të vepronte me forcë, në përgjigje ndaj sfidës së BE-së?
Edhe pse qartazi në shkelje të detyrimeve të traktateve dypalëshe, veprimet e Moskës në Krime dhe Donbas, ishin reflektim i perspektivës tradicionale të fuqive të mëdha që mbizotëron në Moskë. Prej atëherë ka patur kritika të shumta mbi Partneritetin Lindor nga shumë komentues evropiane, plus ndjesa në rrethe private brenda lidershipit të Brukselit.
Në vlerësimin e një komisioni të Dhomës Britanike të Lordëve, BE-ja “eci somnabul” drejt një përballjeje me Rusinë, në një mënyrë të ngjashme me krizën evropiane të vitit 1914. Viktima e këtij dështimi të politikës së BE-së ka qenë dhe është Ukraina, e cila pret nga Brukseli të rimbursohet të paktën në një të dhjetën e kostos që ka paguar në të para, lëre më pastaj në jetë njerëzore gjatë konfliktit me Moskën.
Mjerisht, “lodhja e Ukrainës” që tanimë dominon tek institucionet e BE-së dhe në Uashington, arsyetohet me ritmin e ngadaltë të reformave në Kiev. Në të vërtetë, ajo është produkt i vullnetit të pamjaftueshëm për të marrë përsipër barrën masive të mbështetjes së një transformimi real në Ukrainë. Ndërsa vetëm një e treta e votuesve holandezë morën pjesë në referendumin e javës së kaluar, ata pasqyrojnë një elektorat shumë të shkolluar, që gjatë dy viteve të fundit ka qenë i ekspozuar ndaj diskutimeve të konsiderueshme publike si për dështimet e vazhdueshme të reformës në Ukrainë, ashtu ndaj të metave themelore të Partneritetit Lindor.
Pas gjashtë dekadave të projektit evropian, Holanda është shumë e pjekur në lidhje me çështjet e BE-së. Siç u dëshmua edhe me referendumin që refuzoi traktatin kushtetues të BE-së në vitin 2005, holandezët i njohin mirë çështjet. Ata e kuptojnë se lidershipi në Bruksel e ka humbur kontaktin me qytetarët e thjeshtë të Evropës – famëkeqi “deficit demokratik”, dhe me kufijtë e arsyeshëm të ambicieve të BE-së.
Për shembull ata e kuptojnë se Evropa dhe Greqia do të ishin të dyja më mirë, sikur Athina të mos ishte pranuar në Eurozonë apo Shengen. Ata kanë dhënë tashmë gjykimin mbi Partneritetin Lindor: se statusi i asocimit për Ukrainën është i parakohshëm, dhe se sfidimi i Rusinë në oborrin e saj shihet si shumë i rrezikshëm. Arroganca dominuese në Bruksel, ka shumë për të mësuar nga zgjedhësit e matur dhe të ndjeshëm holandezë.

Alegri kërkon garanci për rinovimin

Trajneri i Juventusit, Massimiliano Alegri kërkon garanci teknike për të ardhmen përpara se të rinovojë kontratën dhe për drejtorin e Përgjithshëm të bardhezinjve, Beppe Marotta, misioni duket i realizueshëm. Pas përfundimit të takimit kundër Palermos në fundjavë, tekniku u shpreh se më parë duhet të shohë programin që kanë drejtuesit dhe më pas do të vendosë. Ndërkohë që nga Franca vijnë zëra se ka një interesim për Alegrin nga ana e PSG por, nga ana e tij, Marotta nuk duket i trëmbur madje, shprehet i sigurt se tekniku toskan do të vazhdojë të drejtojë bardhezinjtë.
Merkato e Juventusit varet nga Paul Pogba, gjithsesi duket se mesfushori nuk e dëshiron largimin nga kampionët e Italisë. Situatë ndryshe është ajo e sulmuesit Alvaro Moratta. Reali i Madridit ka të drejtë ta riblejë spanjollin për shumën e 30 milionë eurove dhe mundësitë që ky transferimin të mos realizohet janë të vogla. Një tjetër emër që po përmendet shpesh është ai Leonardo Bonuccit. Mbrojtësi kërkohet me ngul nga trajneri i ardhshëm i Chelsea, Antanio Conte, por drejtuesit e Juventusit nuk kanë ndërmend të heqin dorë nga shërbimet e 27-vjeçarit. Jo vetëm konfirmime, por edhe afrime.
Sulmuesi i Borussia Dortmund, Henkrik Mhkitaryan prej kohësh është vënë në krye të listës së dëshirave nga trajneri Alegri. Pjesë e saj janë dhe Andre Gomes i Valencias dhe N’Golo Kante i Leicetesterit. Mbi të gjithë qëndron sulmuesi Edinson Cavani. Dyshja Paratici-Marotta prej kohësh kanë nisur punën për transferimin e urugajanit. Sigurisht, që konkurrenca është e madhe, duke patur parasysh se për 29-vjeçarin janë të interesuara disa klube nga Premier League, por drejtuesit do të bëjnë maksimumin për të pasur shërbimet e “El Matador” në mënyrë që të kënaqin dëshirat e Alegrit.
Ndërkohë, Alessandro Del Piero, ish-ylli i Juventusit dhe Italisë ka lavdëruar trajnerin e Real Madridit, Zinedine Zidane. Ish-ikona e Juventusit, Alessandro Del Piero mendon se emërimi i Zinedine ZIdanit në krye të Real Madridit ka ndryshuar të gjithë mentalitetin e klubit. Zidane, i cili zëvendësoi Rafa Benitezin, është duke luftuar me Los Blancos në La Liga dhe Ligën e Kampionëve. Del Piero mendon se francezi ka bërë mrekulli deri më tani.
“Të gjithë punën që ka bërë ai, dhe si e ka përgatitur vetëm si trajner është e pabesueshme”, ka thënë Del Piero. “Është e vështirë të arrish atë që ka arritur Zidane për një kohë të vogël. Ai e ka ndryshuar mentalitetin e Realit”, ka theksuar italiani.

Fitore me çdo kusht

Për të shpresuar ende te vendi i tretë, në shtëpinë e Interit e dinë shumë mirë se sukseset ndaj Frosinones dhe Napolit duhen konfirmuar me të tjera fitore. Këtë mesjavë zikaltërit do të udhëtojnë në Luigi Ferraris për të sfiduar Genoan e Gasperinit në një takim, ku për Interin vlerë kanë vetëm 3 pikët. Është i vetëdijshëm për këtë trajneri Roberto Mançini.
“Duhet të konfirmohemi. Ndaj Genoas dhe Udineses do të jenë dy ndeshje vendimtare për ne, nuk duhet të hedhim poshtë gjithçka. Në garën për vendin e tretë, shumë gjëra do të varen nga këto dy sfida. Nëse i fitojmë të dyja, dhe Napoli ndal Romën fundjavën e ardhshme mund të kemi shanset tona. Ndaj Genoas nuk do ta kemi të lehtë gjithsesi. Ata janë një skuadër agresive dhe ne duhet të shpenzojmë shumë energji për ta fituar këtë takim. Për më tepër duhet të vlerësojmë deri në momentet e fundit edhe gjendjen e Icardit, por edhe atë të francezit Biabiany, të cilët kanë marrë goditje në sfidën ndaj Napolit, dhe nuk janë në formën optimale”, u shpreh Mançini.
Më pas, Mançini foli edhe për disa elementë të rëndësishëm të skuadrës së tij si për shembull, Eder që nuk po kalon një moment të mirë që nga momenti që ka mbërritur në Milano, pasi sulmuesi italo-brazilian ende nuk e ka gjetur rrugën e rrjetës me Interin.
“Eder nuk ka luajtur në ndeshjet e fundit, por në ato raste që ai ka zbritur në fushë ka bërë më të mirën e tij për skuadrën. Duhet të qëndrojë i qetë, sepse ajo që ndodhi me Icardin muaj më përpara po ndodh tashmë me të, por nuk ka asgjë për t’u shqetësuar. Perisiç ka oferta dhe mund të largohet në verë? Këto janë thjeshtë thashetheme ne sapo e kemi blerë Ivanin dhe ai është një element tek i cili do të bazohet Interi i së ardhmes”, përfundoi trajneri i Interit.

Tani mes zikaltërve është rindezur shpresa për t’u kualifikuar vitin që vjen në Ligën e Kampioneve. Por, nga ana tjetër, në shtëpinë zikaltër kanë edhe shumë brenga, duke kujtuar gabimet e shumta gjatë rrugës. Tani ata kanë në dispozicion 15 pikë për të grumbulluar, ndërkohë që ndodhen vetëm 4 pikë larg rivales më të arritshme, Roma. Fakti që Interi e bën garën, duke iu referuar ekipit të Spaletit nuk është pozitiv, pasi përtej barazimit në Bergamo, “ujkonja” nuk duket se është një ekip në rënie. Tjetër histori do të kishim nëse rivalja për t’u mundur do të ishte Napoli që tani është në krizë të plotë. Por, distanca prej 9 pikësh e bën ekipin e Sarrit që ta bëjë gjumin e qetë.