14.5 C
Tirana
E diel, 11 Maj, 2025

Revolta qytetare për prishjet masive të banesave në Vlorë

Qindra qytetarë në Vlorë protestuan dje, duke bllokuar rrugën për të kërkuar të drejtën e tyre të shpronësimit sipas ligjit, për ndërtimin e rrugës transballkanike. Protestuesit kërkuan një proces të drejtë të shpronësimit, pasi me vlerat e dhëna nga qeveria, ata nuk mund të sigurojnë dot strehim. Kryetari i degës së PD të Vlorës, Moisi Meminaj thotë se Partia Demokratike është vënë në mbështetje të qytetarëve.

-Zoti Moisi, a mund të na thoni si është bërë vlerësimi i banorëve nga qeveria për ndërtimin e rrugës Transballkanike?
Në Vlorë, rruga Transballkanike e projektuar dhe financuar gjatë qeverisjes së Partisë Demokratike ka përfunduar si trase deri në asfaltimin e plotë. Ky investim për qytetarët e Vlorës po përdoret sot si pretekst për të vjedhur pronat e qytetarëve që janë afër rrugës. Rama-Kokëdhima-Leli duan të prishin shtëpitë e banorëve që janë afër rrugës, ndërkohë që ngjitur me to kanë dhënë leje për pallate. Po dhunojnë invalidë, gra dhe fëmijë, sepse janë verbuar nga lukunia për para. Duan të ndërtojnë pallate në pronat 100-vjeçare të banorëve, duke i nxjerrë në rrugë të madhe.

-A do t’i vazhdojnë protestat banorët për të kërkuar vlerësimin real të pronës së tyre?
Protesta dhe rezistenca është e vetmja rrugë për qytetarët. Banorët kërkuan mbështetjen e PD dhe ne iu përgjigjëm kërkesës së tyre. Risia në këtë protestë është se banorët kërkuan mbështetjen e PD. Brenda dy ditëve kam marrë mesazhe nga qytetarë nga Vlora, por dhe emigrantë që kërkojnë mbështetjen e PD në çështje të ndryshme. Mesazhi është i qartë PD ka fituar besimin e qytetarëve, e cila ka qenë sfida jonë kryesore pas 2013.

-Cili do të jetë qëndrimi i PD të Vlorës në vijim?
Partia Demokratike qëndron në mbështetje të plotë të tyre. Kryetari i PD së Vlorës, Moisi Meminaj dhe dega e PD Vlorë po qendron në mbrojtje të qytetarëve, duke u angazhuar maksimalisht për shqetësimin e tyre. Së bashku me Sekretaren për Marrëdhëniet me Publikun, Grida Duma, ishim në mbështetje të banorëve. PD do të mbështesë qytetarët dhe do të ndjekë në çdo hallkë institucionale grabitjen dhe dhunimin e së drejtës së pronësisë.

-A ka patur mbështetje nga qytetarët vlonjatë për banorët që nuk u është bërë vlerësimi real i pronës nga qeveria?
Mjaft qytetarë vlonjatë i janë bashkuar protestës së banorëve që kërkojnë një proces të drejtë të shpronësimit, pasi me vlerat e dhëna nga qeveria, ata nuk mund të sigurojnë dot strehim. Sot protestës iu bashkuan edhe shoferët, të cilët protestuan me banorët, duke bllokuar për më shumë se një orë rrugën.
Tashmë jam mëse i bindur se qytetarët vlonjatë e kanë kuptuar përfundimisht se Rama – Kokëdhima-Leli thjesht i kanë përdorur për t’u marrë votat dhe votëbesimin e tyre e përdorën për t’u grabitur pronat.

Reagimi qytetar

Sekretarja e Marrëdhënieve me Publikun dhe Sekretari për Aksionin qytetar në PD, Grida Duma thotë se, situata është alarmante. “Kjo është një situatë alarmante dhe emergjente. Banorët thonë që, nuk kemi dalë ne në rrugë, por ka ardhur rruga tek ne. Situata këtu është me disa standarde dhe bëhen bashkë disa padrejtësi. Bëhet bashkë fakti që këta janë banorë, të cilët janë në trojet e tyre me dhjetëra vite, janë njerëz që kanë ndërtuar në tokat e tyre dhe ata që kanë një çertifikatë shikojnë që për dikë është një çmim tjetër me 320 dhe për dikë tjetër me 395. Me këtë çmim s’mund të kenë më një shtëpi. Ata kanë ndërtuar shtëpi mbi pronën e tyre dhe kjo qeveri e legalizimit falas, është e njëjta qeveri që nuk jep mundësinë edhe pse ata kanë paguar këstet e legalizimit, e jo më falas, por që t’ia njohë për dëmshpërblim atë pjesë që e kanë ndërtuar mbi pronën e tyre.
Situata nuk mbaron këtu, pasi më poshtë është një gjendje edhe më kriminale përsa i përket pronës, pasi janë prishur me dhjetëra shtëpi për një rrugë që nuk është bërë akoma, i kanë nxjerrë jashtë dhe nuk u kanë dhënë dëmshpërblimin dhe jetojnë me qera pa e ditur si do i presë e nesërmja. Situata është e tillë që qytetarët bashkë me opozitën, me PD-në e Vlorës dhe ne të gjithë bashkë me shoqërinë civile, duhet të luftojnë për shtëpitë e tyre, sepse çdokush e di që punohet një jetë e tërë për një shtëpi. Do bllokohet rruga, do merren masa dhe ne si PD do të vijojmë t’i mbështesim qytetarët, sepse kjo që po ndodh këtu është dhunë pushteti dhe mund t’i ndodhë kujdo. Jemi në absurd të madh, sepse janë shpronësuar dhe rruga nuk është bërë dhe dikush të thotë se ka mundësi ta japin edhe për pallate. Kryetari i Bashkisë i thotë dikujt që nuk kam çfarë t’u jap. sepse e dini që kryeministri gënjen. Pra. qytetarët janë në ankth për gjënë më të rëndësishme të jetës së tyre, edhe njerëz me karrige me rroga që nuk dinë se ku të përplasin kokën me 30 mijë lekë të vjetra asistentë. Nuk do ta lëmë me kaq”, tha Duma.

76 metra katrorë është vlerësuar vetëm 29 milionë lekë

Sekretarja e Marrëdhënieve me Publikun dhe Sekretari për Aksionin qytetar në PD, e quajtën të drejtë rezistencën e banorëve dhe i siguruan për mbështetjen e opozitës. “Kam dy kate nga 76 metra katrorë dhe ma kanë vlerësuar vetëm 29 milionë lekë. Kam marrë edhe kredi dhe e paguaj çdo muaj nga 430 mijë. Po tani kush e paguan kredinë?!”, tha një protestues.
“Ne mbetemi të gjithë në rrugë me ato çmime qesharake shpronësimi, me 320 mijë lekë të vjetra për metër katrorë dhe 68 mijë lekë të vjetra për tokën, dhe nuk arrijmë dot të blejmë as një hyrje me dhomë e guzhinë. Jemi të gjithë vlonjatë dhe asnjë nuk është i ardhur”, tha një protestuese.
“Zotëria këtu që është i paralizuar, është vetë i gjashtë në shtëpi me një të punësuar dhe merr vetëm 30 mijë lekë asistencë. Nuk i kanë dhënë ende shpronësimin, sepse i thonë ke tapitë e vjetra dhe na duhen të reja. Ku të mundet ai me këtë gjendje?!”, tha një banor.
“Edi Rama të erdhi, të kërkoi votën me premtimin e një qeverie solidare që do të thotë që njerëzit e pamundur t’i ndihmojmë ne që kemi mundësi. Por ata që kanë mundësitë më të mëdha janë këta në qeverisje dhe ata s’mund t’u nxjerrin nga shtëpia dhe për të qendruar ata kryeministra, apo ministra, për të marrë pronat tuaja me 0 lekë. Të gjithë banorët këtu do të jenë në mbështetjen tënde për ta kthyer në një simbol rezistence dhe proteste këtë dhe në rast se nuk ndalin tek ty, të gjithë ne sot me këta qindra banorë dhe së bashku me PD, herën tjetër do të jemi më shumë dhe ju nuk duhet t’i lironi banesat për t’u nxjerrë në rrugë, sepse duan të bëjnë pallate. Policët nuk mund t’u nxjerrin, sepse s’mund të shkelin ligjin. PD është me ligjin, është për bërjen e investimeve dhe rruga këtu ka përfunduar, por duan t’u nxjerrin, sepse anash rrugës duan të bëjnë pallate. Të përballemi dhe këtë zotëri ta kthejmë në simbol”, u shpreh Salianji.

Katër raporte në 24 orë, shuplakë për Ramën!

Jozefina TOPALLI

Kësaj radhe nuk jam unë, është Departamenti i Shtetit, i cili thotë të kundërtën e asaj që thotë qeveria; është Banka Botërore, që thotë të kundërtën e asaj që thotë qeveria; është Doing Business, që thotë të kundërtën e asaj që thotë qeveria; është Freedom House, që thotë të kundërt e asaj që thotë qeveria, por janë një sërë raportesh të tjera: është rezoluta e Parlamentit Europian, që thotë të kundërtën e asaj që thotë qeveria. Në të gjithë këtë histori të vendit tonë ka një refren: korrupsioni.
“Korrupsioni ka kapur të gjitha degët e qeverisjes në Shqipëri”, thotë Departamenti i Shtetit. Brenda 24 orëve kanë dalë katër raporte, më të zezat për vendin tonë, realiste, duke shprehur atë që ne e ndiejmë çdo ditë; që e prekim çdo ditë; që çdo ministër e di dhe nuk e thotë, por thotë të kundërtën; që çdo deputet këtu në Parlament e sheh dhe e di më mirë se kushdo tjetër, por thotë të kundërtën, për të ruajtur vendin e deputetit, të ministrit, të interesave, të parave që kanë marrë, marrin apo shpresojnë t’i marrin.
Dje, takova disa të njohur në Shkodër. Njëri prej tyre më tha: “Në fshatin tim nuk ka më të rinj, as të reja, nuk dëgjoj më as të qarat e fëmijëve të vegjël. Ata kanë ikur. Në fshatin tim ka vetëm ndonjë shtëpi, ku jetojnë një plak apo një plakë, ose të dy të braktisur aty, sepse të gjithë kanë ikur”. Në një vit nga atdheu ynë, që quhet Shqipëri kanë ikur 100 mijë shqiptarë. Çfarë po ndodh? Të bijtë e tyre paguajnë motrën, e cila nuk ka asnjë të punësuar në shtëpi, që të mbajë nënën dhe babanë. A e kuptoni se ku kemi arritur?
Në qytetin tim, si në çdo qytet tjetër të Shqipërisë, varfëria ka arritur aty ku nuk mban më. Si mund të thotë qeveria, se varfëria është zvogëluar?
Raporti i Bankës Botërore, jo i Jozefina Topallit dhe as i opozitës, thotë: “46,2% e shqiptarëve jetojnë me më pak se 5 dollarë në ditë”. Bëjeni pak llogarinë: 5 dollarë shumëzojeni për 30 ditë, bëjnë 150 dollarë. Sa i takon një familjeje? 600 dollarë!
Më thoni ju: si ta paguajnë ata energjinë elektrike? Si t’i paguajnë librat e fëmijëve në shkolla? Si ta paguajnë qiranë e shtëpive? Me çfarë do ta paguajnë ata shtrenjtësinë e jetesës së tyre, të autobusit, të kuponit? Me çfarë? A e dini se sa ka qenë përqindja në vitet e mëparshme? Mesatarja ka qenë 20%, tani ka shkuar 46,2%, dhe në vitin më të mirë të qeverisjes së Partisë Demokratike ka qenë 12%. Varfëria është trefishuar dhe katërfishuar.
Po mjerimi, po varfëria ekstreme sa është? Jo sipas meje, jo sipas opozitës, por sipas raporteve të Bankës Botërore dhe raporteve të Departamentit të Shtetit, është 5%, ka qenë 1,2%.
Mjerimi ka shkuar aty ku nuk mban më. Po jua them shumë miqësisht: situata ekonomike në vendin tonë është e frikshme, është katastrofike. Hidheni në kosh të plehrave këtë që unë po ju them, por shkoni dhe shikojini, takojini, dëgjojini. Kujt po i thotë qeveria se është rritur punësimi? Ku është rritur punësimi, ku? Në cilin sektor? Në ndërtim? Në shërbime? Në bujqësi? Është katastrofë!
Papunësia është rritur në mënyrë progresive, prandaj njerëzit ikin, prandaj janë 100 mijë shqiptarë që e kanë lënë këtë vend.
Nuk po flas për demografinë e vendit tonë, ku absolutisht lindshmëritë kanë rënë. Shqiptarët ikën, vetëm 2,8 milionë kemi mbetur këtu. Statistikat thonë se pas pak vitesh mbi 1/3-ta e shqiptarëve do të jenë mbi 65 vjeç dhe nuk do të ketë më punonjës të rinj, forcë pune për të pagur pensionet e tyre. Po pse ndodh kjo? Sepse ka një arsye themelore: është korrupsioni. Ka një arsye që renditet e para në listë në të gjitha raportet, të cilët brenda 24 orëve janë hedhur si shuplakë mbi qeverinë aktuale: është korrupsioni, është babëzia.
Raporti i Kontrolli të Shtetit thotë se janë 1 miliard dollarë dëme, të cilat fillojnë nga OSHEE-ja, që me sjelljen kriminale të saj ka bërë që të varin veten njerëz, të ikin njerëz, të ndihen të pashpresë, të ndihen pa perspektivë në këtë vend.
Ndërkohë, çfarë ndodh në anën tjetër? Në anën tjetër kemi modelin e Koços dhe ato të Koçove: “150 tendera do t’i marr unë. Do të marr edhe koncesionet”.
Ka vetëm një arsye të kësaj varfërie dhe të këtij depresioni që ekziston në shoqërinë shqiptare, që e ka emrin korrupsion. Ka një kulturë mjerane në shoqërinë tonë, sepse ata mendojnë se po erdhe në pushtet, pushteti është për t’u shfrytëzuar për të pasuruar veten. Ky është fundi i shoqërisë sonë! Ky është fundi politikës shqiptare dhe kërkon një dënim! Por, për fat të keq, as unë nuk besoj se nëse një ligj nuk i zbatohet, zgjidhja është ndryshimi i këtij ligji, nuk mund ta besoj. Këto ligje që kemi bërë janë ligje të mira, por ne nuk kemi kulturën demokratike, ne nuk kemi ndëshkimin për t’i dënuar ata, të cilët mendojnë se karrigia e ministrit dhe e deputetit u jep mundësinë që motra, vëllai, djali, kunati, kushëriri, nipi, shoku, komshia të pasurohet, kurse të tjerët të vdesin aty ose të ikin në Gjermani.
Ne jemi një komb në hall të madh, një komb si asnjë tjetër në Europë, ndërkohë ky lideri global del në medie, për turpin e tij dhe tonin, dhe tregon se çfarë zgjidhje duhet të bëjë Amerika, kurse ne jemi groposur në krim.
Kanë kaluar dy vjet dhe jemi në vitin e tretë, zoti ministër, ndaj nuk keni më kohë të gjeni justifikime. Që ditën e parë të këtij Parlamenti, bashkë me kolegët e mi, keni folur për krimin në Parlament. Po ligji i dekriminalizimit pse nuk zbatohet? Ne i kemi këtu në Parlament, ne i kemi në krye të bashkive, ndërsa ai tregon se çfarë duhet të ndodhë midis kandidatëve amerikanë. Ne kemi mendimet tona, dhe, natyrisht, nuk biem dakord me disa deklarata, por kush jemi ne që t’u tregojmë amerikanëve se çfarë duhet të bëjnë? Është Kryeministri i Shqipërisë ai, të cilit, me të drejtë, gazetari i CNN-it i thotë: “Ti je duke folur për zgjedhjet e një vendi tjetër”, ndërkohë që vendi i tij është i krimbur në krim, në mjerim, në varfëri, në mafie dhe në korrupsion.
Të dashur kolegë, lexojini këto raporte! Nuk janë të opozitës, janë të Departamentit të Shtetit.
Lexoni raportin e Kontrollit të Shtetit! Nuk është i opozitës, por i institucioneve të pavarura. Janë 1 miliard dollarë dëme. A e kuptoni se çfarë do të thotë? Ky vend po shkon drejt fundit. Sindromi i krizës helenike është afruar, është këtu pranë derës dhe ka vetëm një zgjidhje, jua kam thënë edhe më parë, por po jua them edhe sot: nuk zgjidhet duke ndryshuar nenet e ligjeve, por zgjidhet duke u ngritur për ta përmbysur këtë qeveri; nuk zgjidhet duke ndryshuar ligjet, se ligjet janë të mira, por zgjidhet duke qenë të pastër, me integritet, me kurajë, si dhe duke i dalë përballë atij dhe për t’i thënë: “Ik, se ky vend është tepër i vogël, tepër i vuajtur për të vuajtur akoma më shumë”.
Dua të them se nuk është përsëri opozita, por Doing Business, i cili flet për një rënie jo me 1, jo me 5, por me 35 vende në klasifikimin për lehtësi ndaj biznesit. Pra, është një rrokullisje, gjë që bizneset e dinë më mirë se ne këtu në Parlament.
Jo më larg se dje, Dhoma Gjermane thotë: “Nuk ia vlen të investosh në Shqipëri. Është vendi i fundit në rajon”. Bizneset gjermane e shikojnë Shqipërinë si vendin e fundit ku do të investonin përsëri, sepse, sipas kompanive gjermane, pengesë janë: informaliteti, korrupsioni, mungesa e transparencës në tendera, mungesa e sigurisë ligjore, mungesa e paparashikueshmërisë së politikave ekonomike dhe administratës publike etj., etj. Dhe sikur të mos mjaftonin këto bashkë me 4 raportet të Departamentit të Shtetit, të Bankës Botërore, të Freedom House, të Lirisë së Medieve, Dhoma Amerikane thotë: “Kompanitë serioze miliardere amerikane po ikin nga Shqipëria”. Ky është një alarm dhe arsyeja është korrupsioni. Korrupsioni ka sjellë krimin këtu në Parlament dhe ka vetëm një arsye, sepse ka bashkëpunim të krimit në politikë, të krimit në media, të krimit në biznese etj.
Çfarë duhet bërë? Sigurisht, asgjë nuk bëhet me fjalë. Unë jam e bindur dhe mendoj një mijë herë se çfarë thonë ata qytetarë kur na dëgjojnë ne duke folur këtu në Parlament. Ju mendoni se ata e kanë mendjen nëse ne do të ndryshojmë ose jo ligjin për komisionet hetimore? Jo, as nuk u shkon ndër mend, sepse ata nuk kanë bukë për t’u dhënë fëmijëve të tyre. Ju mendoni se ata e kanë mendjen te ndryshimet që do të bëjmë në ligje apo në Kushtetutë? Jo, ata mendojnë si të mbijetojnë.
Në vitet 2014, 2015, 2016 të mendosh si do të mbijetosh kur varfëria kërcen në mënyrë progresive, është fatale. Është fatale, së pari, për ju si mazhorancë dhe në këtë aspekt ju keni humbur legjitimitetin. Nuk ka 1 milion vota. Mund t’i kesh 1 milion vota, mund t’i kesh marrë ato, por kur varfëria rritet, kur krimi rritet, kur korrupsioni rritet, kjo qeveri ka humbur legjitimitetin.
Në të njëjtën kohë, kjo është një thirrje për opozitën që të ngrihet, sepse ky vend nuk ka më kohë për të humbur; të ngrihet, sepse ky vend nuk ka më shqiptarë për të humbur.

Kur të del tym nga koka, afron ora e hetimit për Ramën e ministrat

I vetmi produkt konkret i vizitës së Ramës në Shtetet e Bashkuara ishte nënshkrimi i një marrëveshjeje në zyrat e FBI.
Rama u thirr në zyrat e FBI vetëm 24 orë pasi Sekretari Kerry deklaroi se korrupsioni në Shqipëri shtrihet në të gjitha degët e qeverisë. Asgjë nuk është rastësi. Problemi madhor që ka sot Shqipëria është korrupsioni dhe kjo është pika që shqetëson jo vetëm shqiptarët, por edhe amerikanët dhe Bashkimin Europian.
Fokusi në ditët, javët dhe muajt e ardhshëm do të jetë pikërisht tek korrupsioni dhe krimi. Pas deklaratës së Departamentit të Shtetit një tjetër deklaratë po aq e fortë erdhi dje nga Parlamenti Europian, i cili kërkonte arrestimin e zyrtarëve të lartë të akuzuar për korrupsion.
Laku në qafën e krimit dhe të korrupsionit që identifikohen direkt me këtë qeveri dhe kreun e saj Rama sa vjen dhe po ngushtohet. Dhimbjet e kokës kanë nisur për Ramën menjëherë sapo ka lënë Shtëpinë e Bardhë dhe ka vizituar FBI. Kjo qeveri dhe këta ministra duhet të nisin numërimin nga fundi. Byroja e Hetimit dhe Prokuroria Speciale kanë shumë punë përpara si në Rumani e Maqedoni. Atje e kanë nisur nga qeveria dhe kryebashkiakët. Kanë hetuar të gjitha aferat e ministrave, kryeministrave si dhe lejet e ndërtimit. Skemat e korrupsionit nuk kanë qenë të ndryshme në Shqipëri.
Në deklaratën zyrtare të Shtëpisë së Bardhë pas takimit të Biden me Ramën kishte një fjali, e cila çuditërisht nuk ishte në deklaratën zyrtare të Kryeministrisë. “Të vazhdojë konsolidimi i reformave”. Dy janë reformat kryesore të këtyre dy viteve të fundit të Shteteve të Bashkuara. Reforma e parë e artikuluar nga ambasadori amerikan menjëherë pas mbërritjes në Shqipëri ka qenë dekriminalizimi, ndërsa reforma ku është përqendruar tani puna e Shteteve të Bashkuara është ngritja e Byrosë së Hetimit dhe Reforma në Drejtësi.
Pa rezultate konkrete në këto reforma beteja ndaj oligarkisë nuk do të japë asnjë rezultat dhe vendi nuk do të mund të bëjë dot zgjedhje të lira.
Departamenti amerikan i Shtetit ka publikuar një raport të plotë mbi shkeljen e të drejtave të njeriut në Shqipëri, ku veç korrupsionit që ka përfshirë çdo sektor të qeverisjes, flitet për rikthimin e torturave dhe kapje të mediave nga oligarkia kriminale në pushtet.
Sa prioritare e kanë SHBA këtë angazhim në Shqipëri e dëshmon edhe fakti se e vetmja marrëveshje e nënshkruar në Uashington nga super delegacioni qeveritar është ajo me FBI, Byronë Federale të Investigimit, për të cilën Rama dhe Tahiri nuk dukeshin aq entuziastë. Të ndjekësh intervistën që Rama dha në televizionin e tij, më shumë gjen komente për kryeministrin e Serbisë, Vuçiç se për këtë marrëveshje, që padyshim ka të bëjë me përpjekjet dhe këmbënguljen e gjatë të SHBA për të krijuar një strukturë të ngjashme në Shqipëri.
Byroja shqiptare e Hetimit, falë angazhimit personal të ambasadorit amerikan Lu, betejës së gjatë institucionale të Partisë Demokratike dhe rekomandimeve të qarta të Komisionit të Venecias do të jetë një strukturë tërësisht e pavaruar dhe jashtë ndikimit të kryeministrit Rama, apo marionetave të tij në qeveri dhe polici.
Mesazhet e qarta të SHBA-së për Ramën në Shtëpinë e Bardhë dhe Kongres bënë që sot ushtarët e tij në Komisionin parlamentar të dakordësohen me pikëpamjet e Partisë Demokratike për qasjen në luftën kundër korrupsionit. Gjithë këto muaj kemi qenë dëshmitarë se si Rama me ekspertët socialistë të shitur si të pavarur lexonin sipas dëshirës rekomandimet e Komisionit të Venecias, apo të ekspertëve amerikanë dhe europianë, deri në atë pikë sa mashtruan opinionin, duke shitur si konsensual  me opozitën një projektligj të turpshëm, që e linte Njësinë Speciale të Hetimit në varësi të ministrit të tij.
Degradimi i institucioneve demokratike në Shqipëri është një shqetësim dhe pengesë madhore për zhvillimin ekonomik të vendit. Qeveria, parlamenti, administrata dhe policia të kontrolluara nga banda kriminale dhe korrupsioni që zhvat miliarda euro në vit janë shkak kryesor i thellimit të varfërisë në vend. Ndaj dekriminalizimi dhe Reforma në Drejtësi, krahas Njësisë Speciale të Hetimit janë beteja të opozitës që kanë marrë mbështetjen e hapur të Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe të partnerëve europianë. E pamë edhe kësaj jave në Parlament mënyrën se si Rama instruktonte deputetët e tij që atakonin dekriminalizimin dhe aplikimin e këtij ligji që do të largojë nga Parlamenti, administrata dhe policia vrasësit, trafikantët dhe kriminelët që i dhanë pushtetin Ramës në 2013 dhe morën kontrollin e një sërë bashkish në zgjedhjet e fundit vendore. Njësoj si Rama, për deputetët e tij është më kushtetuese të kesh vrasës si Prenga në Parlament, trafikantë si Ndoka, Bushi, dhe Roshi. Prania e këtyre qelbësirave në institucionet e shtetit është garanci për pushtetin e Ramës, ndaj ai injoron Kushtetutën, ligjin për t’i marrë në mbrojtje sa herë që ata duhet të përballen. E pamë në mënyrën si mbrojti Koçon, Leskajn, Sulin dhe do ta shohim kur të mbrojë Pjerin Ndreun, Sadri Abazin dhe tërë bandën e oligarkëve që merr tendera, fonde publike dhe favore në këmbim të votës dhe forcimit të pushtetit personal të Ramës mbi Partinë Socialiste dhe çdo pushteti tjetër në Shqipëri.
Vazhdimi i reformave në luftën kundër krimit dhe korrupsionit janë porosia, urdhëri ose ultimatumi që Rama ka marrë në Uashington. Implementimi i shpejtë i dekriminalizimit, Reformës në Drejtësi dhe funksionimi i Njësisë së Posaçme të Hetimit do të rikthejë normalitetin në këtë vend, duke rikthyer qeverinë, Parlamentin, dhe institucionet e tjera në këtë vend në shërbim të qytetarëve, në shërbim të zhvillimit ekonomik. Këto reforma i japin fund gallatave të Ramës me shqiptarët mbi kriminelin e Kavajës, i japin fund shërbimeve të kartonit të Prengës për një qeveri kriminale si ai vetë, i japin fund grabitjes me koncesione për shërbime që nxjerrin burrat shtatzënë, i japin fund Beqjes që pasuron Ramën, dhe i japin fund pushtetit të një të babëzituri si Edi Rama që nuk ka lënë sektor të ekonomisë së vendit pa e shkretuar me bandën e rrjepësave që ka mbledhur rreth vetes. Ndaj, këto reforma janë interesi jetik i shqiptarëve, të cilët SHBA kanë dhënë dëshmi se e mbrojnë dhe e mbështesin pa rezerva.

Arben SHAHINI

Takimi i Ramës me Obamën, jo zyrtar

Ndoshta për të justifikuar pse nuk u prit në zyrën e Presidentit Obama, por gjithsesi në mënyrë të panevojshme, Kryeministri Rama bëri disa sqarime dhe “shpjegime” publike rreth protokollit të Shtëpisë së Bardhë.
“Ata që kërkojnë transparencë nga Shqipëria nuk dinë çfarë kërkojnë pasi harrojnë që unë nuk jam Presidenti i Shqipërisë, jam Kryeministri dhe takimi nga pikëpamja protokollare zhvillohet me pritjen nga zëvendëspresidenti dhe pastaj Presidenti bëhet pjesë e takimit”.
Në fakt, pretendimi i Kryeministrit Rama është krejtësisht i pavërtetë: Presidenti Obama pret në Shtëpinë e Bardhë, madje edhe me ceremoni zyrtare protokolli, jo vetëm Kryeministra, por edhe ministra. Mjafton të shikosh takimet e përditshme të Presidentit Obama dhe e kupton që “sqarimi” i Kryeministrit Rama është i gabuar.
Por, Kryeministri Rama ndërkohë ka të drejtë: formati që iu rezervua atij dhe që ai e sqaron saktë, është formati që përdoret për takimet me zyrtarët e tjerë të Shtëpisë së Bardhë të ndryshëm nga Presidenti. Nëse një zyrtar i një vendi tjetër- i cili ka takim me ndonjë zyrtar të ndryshëm nga Presidenti- kërkon të takojë edhe Presidentin, ky i fundit mund t’i bashkohet takimit që po zhvillohet nëse dëshiron. Ky lloj takimi jo zyrtar me Presidentin në protokollin e Shtëpisë së Bardhë njihet si “seancë pune”.
Më poshtë po sqarojmë rregullat protokollare të qeverisë amerikane për vizitat në Shtëpinë e Bardhë, të renditura sipas shkallës së rëndësisë.
Vizitë shtetërore – Është vizita e nivelit më të lartë, e cila i ofrohet vetëm kryetarëve të vendeve – si President ose monarkëve – dhe duhet të jetë me ftesë të Presidentit të SHBA-ve. Vizita përfshin takimin me Presidentin, një darkë shtetërore në Shtëpinë e Bardhë dhe parakalim me roje nderi.
Vizitë zyrtare – Është vizita, e cila i ofrohet kreut të qeverisë, Kryeministrit dhe duhet të bëhet me ftesë të Presidentit të SHBA–ve.
Vizitë zyrtare pune – Është vizita, e cila i ofrohet si një kreu të shtetit ashtu dhe një kreu të qeverisë, por duhet të përcaktohet nga vetë Presidenti i SHBA-ve. Gjatë kësaj vizite diskutohet për politikat ndërmjet dy vendeve.
Vizitë pune – Është vizita, e cila i ofrohet kreut të një shteti ose kreut të qeverisë me ftesë të Presidentit të SHBA-ve. Një “vizitë pune” përfshin një takim me Presidentin në Shtëpinë e Bardhë.
Vizitë private – Është vizita e nivelit më të ulët, e cila i ofrohet një kreu shteti, kreu qeverie, ministri të Jashtëm ose çdo lloj zyrtari të qeverisë që viziton Shtetet e Bashkuara pa ftesën e Presidentit. Vizitori mund të takojë këdo përveç Presidentit. Por, nëse, ai kërkon një takim me Presidentin e SHBA-ve dhe nëse ky takim i mundësohet, ai cilësohet si një “seancë pune”.

“Exit.al”

Forumi për Tiranën me akademikë e qytetarë

Tezat iniciuese për një qytet të lirë, demokratik e të jetueshëm dhe për angazhimin aktiv qytetar në funksion të saj. Në ditët në vijim do të publikohen reflektime të këtij procesi që sapo ka nisur dje do të zgjerohet më tej!
1. Bashkia Tiranë ka nisur hartimin e Planit të Përgjithshëm Vendor (PPV). Për hartimin e këtij plani është kontraktuar një ekip me arkitektë e konsulentë kryesisht nga Italia. Titullari i këtij grupimi konsulence ka dhënë së fundi një intervistë në media duke shprehur idetë dhe konceptet e tij kryesore për “Tiranën e Nesërme” bazuar tek: i) gjelbërimi, ii) shkatërrimi-rizhvillimi, iii) dhe policentrizmi … ide dhe zhargon urbanistik tashmë i konsumuar prej kohësh në debatin lokal të zhvillimit.
Duke respektuar maksimalisht karrierën dhe përvojën e konsulentëve të huaj në vendet e tyre, jemi të shqetësuar për lehtësinë me të cilën ata konsumojnë në publikun shqiptar ide të tilla, të cilat dëshmojnë në rastin më të mirë ose njohje të kufizuar të realitetit lokal ose akoma më keq mungesë respekti për kontekstin vendor dhe një axhendë të parapërgatitur, ku interesi publik mbetet i paqartë. Kjo situatë mund ta ekspozojë qytetin ndaj rrezikut të “eksperimenteve sociale dhe urbanistike” që nuk përfaqësojnë interesa dhe vullnet vendor.
2. Tirana ndërkohë ka pësuar mjaft deformime dhe ndodhet përballë sfidave gjithnjë e më të komplikuara, të cilat kanë marrë deri më tani vetëm përgjigje të pjesshme ose sipërfaqësore. Në këtë moment, qyteti ka hyrë në një fazë edhe më kritike zhvillimi pasi mbi të është imponuar një reformë administrativo-territoriale, e cila nuk ka patur konsensus politik dhe social dhe në këtë mënyrë sfidat janë rritur edhe më shumë pasi territori i bashkisë është 10-fishuar, ndërsa kompetencat dhe burimet janë zvogëluar dhe centralizuar. Për të korrigjuar këtë deformim po imponohet mbi qytetarët një barrë financiare e pajustifikuar, e cila po jep impakt negativ social dhe ekonomik dhe iniciativën e lirë. Ndërkohë që konstatojmë se pas Reformës së Territorit autoriteti i bashkive sot është ulur në nivelin e komiteteve ekzekutive të dikurshme që ishin vetëm krah i qeverisë qendrore në nivel lokal, duke vrarë çdo shpresë për autonomi lokale dhe depolitizim të administrimit publik vendor që do ta sillte qeverisjen më afër interesave të qytetarëve. Kjo ka çuar në një situatë gati pa sens, ku qeverisja vendore përfaqëson më shumë interesat e politikës kombëtare dhe shërben si trampolinë kryesisht për promovim politik në nivel kombëtar të individëve të caktuar.
Qytetarët kanë mbetur të braktisur në hallet e tyre të përditshme, ndërsa qeverisja si model është kthyer më shumë në një “koncert” mediatik. Në vend që ajo të jetë në mbrojtje e shërbim të komuniteteve dhe nevojave të tyre, ajo çuditërisht përplaset dhe konfliktohet me përfaqësitë komunitare, grupet e interesave dhe me gjithë zërat kritikë edhe kur ata janë konstruktivë.
3. Duhet nënvizuar se që pas fundit të viteve ‘80-të autoritetet nuk kanë qenë më në gjendje të hartojnë një vizion zhvillimi për atë se çfarë do të jetë Tirana sot dhe në të ardhmen. Kjo gjendje duket se ka qenë produkt i qëllimshëm i klasës politike, për të patur “fushë veprimi” maksimale mbi zgjedhjet teknike dhe operacionet ekonomike që janë bërë në qytet, shpesh në mënyrë konfliktuale dhe aspak të qëndrueshme, pa patur më parë një dokument publik që do të ishte një instrument rregullator dhe ballafaques i ligjshmërisë, që garanton me transparencë një “pakt social” midis politikëbërjes dhe interesave komunitare. Mungesa e “planit kushtetutë zhvillimi” dhe indikatorëve të tij tekniko-ligjore, si dhe keqpërdorimi i ligjit, i konkurseve ndërkombëtare dhe i studiove të arkitekturës e konsulencës të importuara nga jashtë, po përdoren më shumë si alibi për abuzimet në zhvillimin e qytetit në kurriz të interesit publik. Instrumenti i pseudopërfshirjes publike (nënkupto – militantët) i ka shërbyer më shumë simulimit të një “elite-aliazh” me natyrë oligarkike, që bashkon interesa të caktuara të natyrës së sipërmarrjes, medias e politikës, duke monopolizuar zhvillimin dhe cilësinë e jetesës. Ky zhvillim ka dëmtuar kryesisht interesin publik, hapësirën publike e të gjelbër, kondicionet e tjera mjedisore e sociale, ka krijuar një treg të deformuar dhe çmime të pasurive
të patundshme në disavantazh të shumicës së popullsisë.
4. Në këto kushte, kur është iniciuar nga bashkia një proces planifikimi dhe vizionimi i qytetit, ndërkohë po ecet paralelisht e me nxitim me disa projekte strategjike kryesisht në qendrën e qytetit, vendimmarrja e të cilave sot mund të bjerë ndesh me procesin e planifikimit dhe zhvillimit ligjor të qytetit, nëse ky proces nuk është falso, i paracaktuar dhe i paragjykuar. Nxitimi për të zhvilluar projekte me natyrë strategjike si: parkimet nëntokësore në lulishtet e pakta të qytetit, betonizimi i Parkut të Liqenit, ndërhyrjet në Rrugën e Durrësit, projekti i besimeve në bulevardin kryesor, rindërhyrja në qendrën dhe sheshin kryesor të qytetit, etj.; e bëjnë vetë këtë proces planifikimi të pabesueshëm. Ai në këtë mënyrë bëhet më shumë një alibi për vendimet që po merren sot në mënyrë arbitrare dhe të nxituar. Akoma më keq, përqendrimi i gjithçkaje vetëm në qendër të qytetit në një kohë që territori i bashkisë sot e tejkalon konceptin tradicional të Tiranës historike, dëshmon në rastin më të mirë për politika që do të stimulojnë përfundimisht urbanizimin final edhe të frymës më të fundit të popullsisë që ka mbetur në zonat rurale e bujqësore, atje ku në fakt ndodhen edhe burimet kryesore natyrore dhe shanset reale për rritje ekonomike. Edhe idetë e hedhura nga ekspertët e huaj për rizhvillimin e banesave të vjetra, mbartin akoma më shumë rreziqe për konflikte të ashpra sociale dhe deformime serioze të tregut e të sistemit ende të pastabilizuar të pronësisë, në një qytet ku gjysmë e popullsisë është nën- ose në nivelin e varfërisë.
5. Kjo situatë bëhet edhe më shqetësuese në kushtet kur konsultimet e ashtuquajtura publike – që janë detyrim ligjor – mbeten të njëanshme, formale dhe mbi baza të pjesëmarrjes militante. Ato nuk kanë përfshirë as Këshillin Bashkiak dhe veçanërisht opozitën në këtë këshill, pa folur për përfaqësuesit e spikatur komunitarë e profesionalë, grupet reale të interesit, grupimet me natyrë kritike, mjedisorët dhe sidomos ekspertët e qytetit e shoqërisë – ata të vërtetët që e duan qytetin nuk i servilosen politikës për interesa të vogla e banale. Dhe ekspertë të tilla Tirana dhe Shqipëria i ka! Nuk është se nuk i ka! Është ofenduese që në dy takimet e para publike të ekipit hartues të planit nuk është bërë publike asnjë dokument analize apo vizioni ashtu siç rregullohen ato me ligjin shqiptar.
Edhe ato materiale që janë ekspozuar kanë një karakter më shumë ilustrativ, mbeten të paqarta e sipërfaqësore dhe tepër të përgjithshme, madje mënyra si serviren dhe arroganca i bën ato tepër fyese për publikun shqiptar. Nuk denjohet as të komunikohet në gjuhën amtare nga një institucion publik që financohet nga taksapaguesit shqiptarë! Mosrepektimi i parimeve të etikës elementare të komunikimit dhe të demokracisë lokale është shqetësues jo vetëm për hartimin e këtij plani, por tashmë për vetë natyrën e qeverisjes vendore në Tiranë, e cila duket se për arsye ekstraligjore po vetëpozicionohet si një agjenci ekzekutive e interesave politike të partisë mëmë dhe qeverisë qendrore, se sa e komuniteteve që ajo përfaqëson ligjërisht. Ne duam një Tiranë sa më të jetueshme, dhe një qeverisje të ndjeshme ndaj qytetit dhe shoqërisë, e lidhur me terrenin jo përmes filtrave të militantëve dhe mediave, por direkt përmes njerëzve dhe problematikave të tyre të përditshme. Nuk kemi nevojë për ekspertë të huaj alibi, edhe pse jemi të hapur për kontributet e tyre të sinqerta që do të luftonin bashkë me ne kundër një zhvillimi të deformuar e që e shikon qytetarin nga lart dhe me përbuzje!
Në këto kushte ju ftoj të ndajmë ide dhe përmes këtij takimi të hapur intelektual e profesional të ftojmë gjithë qytetarët e Tiranës që të dëshmojnë vigjilencë, interesim dhe mbështetje për situatën e krijuar, e cila mund të krijojë efekte jo të mira për jetën e gjithkujt. Zgjimi i shoqërisë nga apatia dhe rreshtimi i ngurtë partiak, si dhe pozicionimi përmes zërave më të spikatur të jetës publike dhe komunitare, për t’iu bashkuar pa paragjykim një aleance qyetare për Tiranën dhe qytetin në tërësi në Shqipëri, në trajtën e një forumi të pavarur, aktiv, të lirë dhe të pakufizuar, e që synon mbrojtjen e interesit publik – do të garantonte me shumë gjasa edhe një qeverisje më demokratike dhe më gjithpërfshirëse.

Syzet e ferrit

Frrok ÇUPI

Në këtë rast ferri i vërtetë është indiferentizmi.
Ai që e elaboroi i pari konceptin e indiferentizmit, Papa Gregori XVI, më në fund arriti në përfundimin se “burimi i shëmtuar” i indiferentizmit shpesh herë fshihet pas lirisë së ndërgjegjes. Por më në fund “vdekja e shpirtit është më e keqe se liria për të gabuar”, sipas Papa Gregorit XVI.
Më afër nesh…
Këtu mes nesh, jo në botën papnore të enciklikave, ngjallen e vdesin përditë faktet e këqija dhe pastaj syzet e ferrit me të cilat njerëzit zënë sytë. Kishin këto ditë, thuajse gjithë mediat, një lajm për një palë syze dielli të një djaloshi (edhe ky me emrin Gregor, si Papa i idesë së indiferentizmit), syze dielli që kushtojnë gjashtëdhjetë mijë euro. Ky është djali i kryeministrit të Republikës. Qëllimi pse mediat e botuan lajmin dhe foton, me sa kuptova, ishte për t’i treguar publikut se në çfarë luksi dhe shpërdorimesh financiare jetojnë njerëzit e kastës qeverisëse.
Po pas kësaj?…
Disa thanë pse u morën me të birin. Disa të tjerë thanë “lërë atë punë”, se para këtij djaloshi ishin kapur të tjerë, o biznesmenë o deputetë të Kuvendit, që mbanin të tillë syze dielli me vlerë gjashtëdhjetë mijë euro.
U tha me njëfarë dhimbjeje njerëzore se ky djalë e meriton më në fund një gjë; gjithë jetën është poshtëruar nga babai i tij, sipas dëshmive të mediave dhe politikanëve.
Mëkati vërtitet në rreth, si në Ferrin e Dantes.
Duket si një rreth i burimit të shëmtuar të indiferntizmit. Një jetë njeriu rri strukur diku në pamundësi për të reaguar derisa vjen një ditë “Iks”, dhe pastaj ngjall mëshirë. Njeriu i mëshiruar, kur reagon, reagon në mënyrë të gabuar, bën karshillëk me abuzimin e të atit me pushtetin. Njerëzit rrotull nuk duan të kuptojnë thelbin e të keqes që i rrethon, që në fakt nuk janë një palë syze dielli. Por e keqja është shumë e madhe, shumë e thellë. Ajo përfaqësohet me “syzet e ferrit” të indiferentizmit të të gjithëve…
Të të gjithëve?… Vallë në një fatkeqësi të tillë ndodhemi? Vallë kaq keq kemi rënë, saqë të gjithë mund të quhemi indiferentë? Ndoshta edhe jo, ndoshta nuk duhet thënë “të gjithë”.
Pse, vallë, nuk duhet thënë?
Sepse një pjesë e madhe njerëzish kthehen në shtëpi apo ulen nëpër kafe dhe shfryjnë plot duf.  “Uf, po këta hajdutë, nuk na lanë gjë pa vjedhur. Na thanë “shëndetësi falas”, po tani po na vjedhin edhe paratë e ilaçeve…. Po këta që burgosin njerëzit pa bukë e për vete vjedhin xhepat tanë… Po ç’paska qenë kjo rracë!”. Vetëm kaq. Jashtë shtëpisë dhe jashtë kafesë, asnjë gjethe peme nuk lëviz… Vallë këta nuk u dashkan quajtur indiferentë? Këta janë indiferentët klasikë që i japin “liri ndërgjegjes së tyre”, por që ndërgjegjja nuk e kapërcen indiferentizmin.
… Ndoshta vërtet jo të gjithë duhen quajtur indiferentë.
Po pse, vallë? Pse jetojmë në kohë rreziqesh, në kohë mafie dhe vrasjesh?… Ja, le të justifikoj një njeri që këto ditë u burgos për krimin e “indiferentizmit”. Këto ditë një roje i një pike karburanti në Elbasan është vënë në pranga “për indiferentizëm”. Të paktën në fjalorin e përditshëm kështu mund të quhet. Sipas akuzës së policisë që ka kryer burgosjen, roja i karburantit ka parë një vrasës tek ka vrarë një njeri dhe nuk e ka kallëzuar krimin… Mund të ketë ndodhur, por edhe mund të mos ketë ndodhur. Sepse çfarë ka parë njeriu, e dinë veç sytë e tij, askush tjetër. Domethënë e di ndërgjegjja e tij, që mund të jetë si ndërgjegjja e të tjerëve për të pasur të drejtën që të gabojë. Por edhe mund të ketë parë vrasësin e të mos e ketë treguar. Në këtë rast a quhet fajtor? Shteti në këtë vend nuk siguron as lirinë për të treguar krimin, as hapësirën për reagim. Ka ndodhur disa herë që sy njerëzish kanë parë krime, kanë takuar kriminelë, por nuk janë arrestuar. Muaj të kaluar vetë ministri i Brendshëm kishte pritur në zyrë një njeri të skeduar si autor në vepra penale. Por nuk ndodhi gjë. Ndërsa në këtë rast, shteti burgos viktimën e tij. E detyroi të ishte indiferent dhe e burgosi si indiferent…
A janë të gjithë indiferentë?
Po ta thuash këtë, bëhesh i pabesueshëm. Me të drejtë i pabesueshëm, sepse rrugët e reagimit tani janë të shumta. Teknikat e reja të komunikimit i kanë dhënë mundësi njeriut që t’i fshihet në njëfarë mënyre dhunës shtetërore dhe kamxhikut të policisë. Askush nuk do të donte që të shikonte në rrugë njerëz të gjakosur nga dhuna policore, sigurisht… Por kush e di sa po zhvillohet “nën gju”, dmth, në rrjetet dhe mediat sociale, reagimi kundër padrejtësisë, kundër korrupsionit, kundër vjedhjeve qeveritare dhe krimit?…
Sa herë e kam bërë këtë pyetje me vete. Deri tani janë dhënë shifra zyrtare që të trullosin; shifra se si nën kujdesin e qeverisë kanë “humbur”: Një herë 500 milionë euro në CEZ, një herë 920 milionë euro për një aferë tjetër, disa herë qindra milionë për shëndetësinë, për udhëtime dhe luks qeveritar, për të paguar media të huaja që t’i bëjnë reklamë qeverisë, për t’i mbyllur gojën medias në vend, për të mbledhur para që të blihen zgjedhjet e ardhshme… Të gjitha këto ndodhin në sytë tanë. Ndërsa në sytë tanë nuk shfaqet reagimi. Mos vallë po zhvillohet ky reagim nën gju, në mediat dhe rrjetet sociale?
Sa herë e kam pyetur veten… Por aq herë, mëngjes për mëngjes, më është shfaqur Parku i Madh i Tiranës që po rrënohet në një aferë korruptive të qeverisë. Mëngjes për mëngjes, aty në Park shikoj mbi njëqind policë që ruajnë krimin, dhe vetëm një djalë që fle natën në roje të Parkut. Djali është një aktivist i Shoqërisë Civile, që është betuar të mbajë gjallë tharmin e reagimit qytetar. Aty  ngryset e zgjohet mbi një platformë betoni ku bën hije edhe një statujë me një grua me bucelë. Ai dhe gruaja janë civilë e në shërbim të Parkut.
Edhe një njeri tjetër civil u shtua këto ditë. Presidenti i Republikës vizitoi Parkun tek po vdes dhe djaloshin që mëngjes për mëngjes ringjallet nga gjumi, ngre batanijet e i hedh në këmbë të policëve. Presidenti e quajti vandal aktin e shkatërrimit të Parkut. Por vetëm kaq civilë ka këtu: Një djalosh aktivist, një grua në bronz dhe Presidenti i Republikës.
Nuk e di a mund të themi se “të gjithë janë indiferentë”. Ndoshta jo. Se atëherë do të ndodheshim në ferr. Zonja e parë e Shteteve të Bashkuara, Nancy Reagan, e cila “passed away” pak kohë më parë, pat thënë se “indiferentizmi është armiku dhe vdekja e njeriut”.
Vallë veç kaq pak njerëz jetojnë apo jetuan “pa syze”?!

Si po persekutohen bashkitë e fituara nga PD

Fatmir GUDA

Qëllon që Edi Rama të jetë edhe “llaf mbajtur”, duke mos i hedhur pas krahëve të gjitha premtimet që u dha shqiptarëve. Në më pak se një vit, ashtu siç tha, AI u provoi diskriminim financiar atyre shqiptarëve, që nuk e votuan në vendoret e 2015-ës. Shefi i “rilindjes” e mbajti vëth në vesh votën që 15 bashki në vend konfirmuan fituese Partinë Demokratike, dhe pa e bërë dysh, i “qerasi” ato me buxhete qesharake, pa ç’ka se banues të tyre janë qytetarë të lirë në bindje, të djathtë, të majtë apo paparti. Varfërisë së ekonomive familjare në këto 15 bashki edhe pse përfaqësojnë komunitete masive banorësh si Shkodra, Kukësi, Lezha, Kamza, Vora, Pogradeci, Bilishti, Mallakastra e Përmeti, zotri kryeministri u bëri peshqesh edhe një pushtet vendor të rënuar, i cili gjithashtu për shkak të rikonfigurimit së territorit, nuk është në gjendje të përballojë as shpenzimet e veta, e jo më t’u shërbejë cilësisht qytetarëve. Kështu, ai zgjodhi t’u japë atyre një leksion “shembullor” për rebelimin e shfaqur, duke mos ju nënshtruar oreksit të pangopur të pushtetit, që njësoj si në motet e “nënës parti”, fitorja i shijonte vetëm në shifrat 99.99%.
Në fakt, për hir të së vërtetës, nuk është se në bashkitë e PS dhe aleatëve të saj ka plasur bollëku e paraja e madhe, por gjithsesi atyre u duhet që të ngelen të kënaqura krahasuar me njësitë ku qeverisin demokratët, pasi trajtimi i shpërndarjes së grandit transfertë e pa kushtëzuar dhe transfertë e kushtëzuar me anë të Fondit të Zhvillimit të Rajonit, u bë si të ishte plaçkë lufte dhe jo sipas formulës mbi numër popullsie apo në bazë studimesh fizibiliteti të projekteve. Për më tepër që shumica e këtyre fondeve tek bashkitë e majta janë koncentruar kryesisht me dedikim paracaktim në përmbushje të “merakut” të kahershëm dhe afeksionit të kryeministrit ish-kryebashkiak, për maskim fasadash e llustraboje nëpër qendra të kufizuara qytetesh dhe asfare nuk po u jepet vëmendje problematikave reale që shqetëson komunitetet e tyre, siç është fjala vjen uji i pijshëm apo uji për vaditjen si dhe nevoja imediate për kullimin e tokave bujqësore, të cilat dhe kanë ndikim direkt, jo vetëm në ekonomitë familjare, por edhe ekonominë kombëtare.
E ndërsa ende nuk janë larguar nga memoria të bërtiturat dhe të ulëriturat e zotit Rama në fushatën e vendoreve, shesh më shesh të çdo qyteti për fitore “publiçitare” dhe mosvotim të kandidatëve për kryebashkiakë të PD, të cilët siç justifikonte kryetari i qeverisë, nuk do i trokisnin në zyrë për projekte dhe probleme të tjera komunitare. Megjithqë realiteti paszgjedhor u pasua nga sjellja maksimalisht aktive e kryebashkiakëve të djathtë, duke ju përgjigjur pozitivisht çdo thirrje dhe eventi qeveritar, të gatshëm edhe me një mori projektesh vendore të paraqitura për financim, me shpresën për një reflektim të mundshëm ndaj qëndrimit të vjetër që pat mbajtur me zë dhe figurë kreu i qeverisë. Por ja që as lepe-peqja, as shpresa nuk kryhen punë as kësaj here, pasi Edi Rama e ka ndarë mendjen që papërjashtim tek të gjitha bashkitë e fituara nga PD në një mënyrë rreptësisht konsekuente të aplikohet me ashpërsi dhe urrejtje patologjike një embargo financiare që do t’i vendoste në situata kritike të zgjedhurit në krye të tyre, me synimin final për t’i dështuar ata në lidhje me angazhimet politike që kanë ndërmarë përballë qytetarëve që i votuan. Ky është modeli i huazuar prej vehtes, të cilin kreu i ekzekutivit e aplikoi jo pa rezultat tek Bashkia e Tiranës, në kohën që ajo qeverisej nga Lulzim Basha, ku vetëm me barriera dhe bllokim, fabrikoi për konsum elektoral fabulën se PD nuk di të qeverisë.
Fakti i klimës armiqësore ndaj bashkive që drejtohen nga opozita e djathtë, solli reagimin e pritshëm të të zgjedhurve të tyre. Më herët dhe qartazi, me anë të një letre publike drejtuar kryeministrit nga kryebashkiakja e Shkodrës, njëkohësisht kryetarja e Shoqatës së Bashkive të Shqipërisë apo dhe deklaratat e kryetarëve të Kamzës, Lezhës etj, të cilët nuk kanë hezituar të kërkojnë mbështetjen e qeverisë, kanë pohuar që edhe pse kanë depozituar një numër të konsiderueshëm projektesh të miratuar sipas prioriteteve  prej këshillave  bashkiakë respektivë, kanë hasur në veshin e shurdhët të qeverisë, e cila më shumë kujdeset t’i turpërojë kryebashkiakët e PD, në vend që t’u zgjasë atyre dorën e bashkëpunimit.
Dënimi kolektiv për shkak të “fajit” të vetëm se nuk i dhanë votat partisë së Edi Ramës është edhe një “premtim i mbajtur” i kryeministrit; edhe një marrifet për ta treguar opozitën si shkaktare të keqqeverisjes në gati 30% të territorit. Por, që në ditën e gjykimit elektoral të 2017-ës, të mund t’i pijë ujë teoria e drejtimit të gishtit të fajit tek kundërshtari, do t’i duhet së pari të gjejë një mënyrë për ta mbuluar diellin me shoshë, nën dritën e të cilit i duket lakuriq edhe Shqipëria tjetër, Shqipëria e bashkive socialiste, të cilat edhe pse nuk shihen me syrin e njerkës, reflektojnë dukshëm efektet negative të trashëguara prej keqqeverisjes qëndrore.
Në fakt, pushteti vendor përveçse po vuan me shumë zorr proçesin e implementimit të një reforme territoriale të njëanshme dhe me mjaft probleme serioze, kurrsesi nuk mund të mendohej që do të katandisej në ditë të hallit pikërisht prej kryeministrit ish-kryebashkiak 3 herë mandatuar, i cili larg mllefit dhe urrejtjes që duhej ta karakterizonte për kundërshtarin politik, i takonte të krijonte rregulla të drejta për të mos lejuar politizim të qeverisë lokale dhe të krijonte kushte për t’u gjendur më afër njësive të pamundura dhe jo vetëm pranë atyre të fituara prej partisë së vet. Duhej ta bënte këtë hap z.Rama, qoftë edhe për të reflektuar pendesë për qëndrimin refraktar dhe intimidues që shfaqi në zgjedhjet lokale 2015 ndaj qytetarëve, ku duke dashur të ndikonte tek vullneti i tyre i kërcënoi ata, se nga paratë e taksave që paguajnë nuk do përfitonin asgjë, nqs do votonin Partinë Demokratike.

Parlamenti Europian: Të dënohen zyrtarët e lartë për korrupsion

Parlamenti Europian ka publikuar dje rezolutën për Shqipërinë, ku bën thirrje për luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit, ndërsa kërkon dënimin e zyrtarëve të përfshirë në korrupsion. Rezoluta për Shqipërinë thotë se, nëse vendi ynë dëshiron të nisë negociatat për në Bashkimin Europian, duhet të intensifikojë përpjekjet për reforma në fushat kyçe, si drejtësi, luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, si dhe në administratën publike dhe të drejtat themelore. “Komisioni i Jashtëm i Parlamentit Europian mbetet i shqetësuar për zgjerimin e korrupsionit në arsim, shëndetësi, drejtësi dhe disa fusha të tjera. Shqetësim përbën edhe përhapja e vetëcensurës mes gazetarëve, të cilët ka raste që edhe pengohen fizikisht për ndjekjen e ngjarjeve specifike, sulmohen ose kërcënohen për shkak të punës së tyre”, lexohet në faqen zyrtare të Parlamentit Europian. Procesi i dekriminalizimit, abuzimet me koncesionet dhe korrupsioni kanë qenë shqetësimet e ngritura nga Parlamenti Europian në lidhje me situatën në Shqipëri, ndërsa bëhet thirrje për miratimin e Reformës në Drejtësi në përputhje të plotë me rekomandimet e Komisionit të Venecias. PE kërkon zbatimin tërësor në frymë dhe në germë i ligjit të dekriminalizimit, ndërsa shprehet shqetësimi për infiltrimin e krimit në makinerinë politike, nivelin e lartë të korrupsionit në drejtësi, shëndetësi, arsim, prokurimet publike dhe qeverisjes lokale, trafikun e drogës, kultivimin e bimëve narkotike dhe mungesën e kontrollit në nivelin e duhur të trafikut të armëve. PE kërkon nga Komisioni i BE që të monitorojë me kujdes progresin e bërë në këtë reformë nga Shqipëria. Gjithashtu në këtë raport, theksohet se një rol të rëndësishëm në hapjen e negociatave do të luajë progresi, i cili do të regjistrohet në 5 prioritetet kyçe. Komisionit i kërkohet të krijojë një strukturë monitorimi për të parë në praktikë ecurinë në realizimin e reformave dhe në mënyrë të veçantë kërkohet që theksi të vendoset tek ndëshkueshmëria dhe dekriminalizimi. Në rast vonese të konsensusit kjo vendimmarrje do të realizohet pas zgjedhjeve parlamentare. PE i bën thirrje të gjitha partive politike për të bërë përpjekje të mëtejshme për t’u angazhuar në një dialog politik më konstruktiv dhe të vërtetë që do të lejojë miratimin dhe zbatimin e reformave kyçe; fuqimisht beson se, bashkëpunimi i qëndrueshëm në mes të qeverisë dhe opozitës në Parlament është thelbësor për procesin e anëtarësimit të Shqipërisë në BE, si dhe për plotësimin e kritereve të pranimit; fuqimisht thekson rëndësinë e mbajtjes së angazhimit të tyre për ndërtimin e një kulture politike demokratike që përfshin hapjen ndaj dialogut, negociatave dhe kompromisit dhe përjashtimin e plotë të bojkotit dhe radikalizmit; mirëpret themelimin dhe punën e Këshillit Kombëtar për Integrim Evropian. Rezoluta citon se, media duhet të jetë profesionale, e pavarur dhe në shërbim të qytetarëve, ndërsa bën thirrje se nuk duhet ushtruar presion politik dhe pengimi fizik për të mbuluar ngjarje specifike. Duhet më shumë transparencë lidhur me reklamat qeveritare në media. Nga ana tjetër, qeveria këshillohet të ndalojë ndërtimin e hidrocentraleve në zonat e mbrojtura mjedisore dhe të ruajë integritetin e parqeve kombëtare. PE kërkon përmirësimin e cilësisë së vlerësimeve të ndikimit në mjedis për të arritur në standardet e Bashkimit Europian. Gjithashtu PE citon se duhet rritur transparenca dhe pjesëmarrja e qytetarëve në vendimmarrje përmes konsultimeve publike për projektet. “Duhen marrë masa për të përforcuar mbrojtjen e të drejtave të njeriut, veçanërisht të pakicave si romët apo egjiptianëve që jetojnë ende në kushte të vështira e përballen me diskriminim e përjashtim social. Duhen ngritur mekanizmat e duhura shtetërore për trajtimin e pabarazisë gjinore, diskriminimit gjinor dhe dhunës ndaj grave e fëmijëve”, thuhet në pikat e Rezolutës së PE ndër të tjera.

Korrupsioni i kudogjendur

1.    Korrupsioni i kudogjendur është shqetësues, veçanërisht në shëndetësi, drejtësi, prokurim publik, koncesione e partneritete publike private, planifikim urban, arsim dhe qeverisje lokale.
2.    Duhen ndëshkuar zyrtarët e lartë të denoncuar për korrupsion.
3.    Duhet siguruar dhe zbatuar e drejta e pronës. Problematike është situata me kthimin dhe kompensimin e pronave të marra gjatë regjimit komunist.
4.    Reforma në Drejtësi është një nga pikat kyçe për hapjen e negociatave për anëtarësimin e Shqipërisë në Bashkimin Europian. Ajo duhet të sigurojë pavarësinë e plotë dhe paanshmërinë e gjykatave, në veçanti të Gjykatës së Lartë, Gjykatës Kushtetuese dhe Këshillit të Lartë të Drejtësisë.
5.    Reforma duhet të rregullojë problemet aktuale të drejtësisë: ndërhyrjet politike, korrupsioni i lartë, mungesa e kritereve të qarta profesionale për emërimin dhe promovimin e gjyqtarëve e prokurorëve, zgjatjen dhe zvarritjen e proceseve gjyqësore.
6.    Duhet zbatuar sa më shpejt ligji i dekriminalizimit.
7.    Duhen marrë masa për zgjedhje sa më të lira e demokratike në të ardhmen, pasi politizimi i procesit, mungesa e transparencës financiare të partive, keqpërdorimi i burimeve shtetërore dhe blerja e votës janë ende të pranishme.
8.    Komisioni Qendror i Zgjedhjeve duhet të mbikëqyrë më mirë financat e partive dhe të bëjë kontrolle më të detajuara të deklaratave financiare të partive e të mos ndalet thjesht tek një kontroll formal.
9.    Media duhet të jetë profesionale, e pavarur dhe në shërbim të qytetarëve. Nuk duhet ushtruar presion politik dhe pengimi fizik për të mbuluar ngjarje specifike. Duhet më shumë transparencë lidhur me reklamat qeveritare në media.
10.    Qeveria këshillohet të ndalojë ndërtimin e hidrocentraleve në zonat e mbrojtura mjedisore dhe të ruajë integritetin e parqeve kombëtare. Duhet përmirësuar cilësia e vlerësimeve të ndikimit në mjedis për të arritur në standardet e Bashkimit Europian. Duhet rritur transparenca dhe pjesëmarrja e qytetarëve në vendimmarrje përmes konsultimeve publike për projektet.
11.    Duhen marrë masa për të përforcuar mbrojtjen e të drejtave të njeriut, veçanërisht të pakicave si romët apo egjiptianëve që jetojnë ende në kushte të vështira e përballen me diskriminim e përjashtim social.
12.    Duhen ngritur mekanizmat e duhura shtetërore për trajtimin e pabarazisë gjinore, diskriminimit gjinor dhe dhunës ndaj grave e fëmijëve.

Arben Shahini

PD kërkon ngritjen e menjëhershme të Byrosë

Partia Demokratike bën thirrje për nisjen pa humbur kohë të funksionimit të Byrosë Kombëtare të Hetimit. Pas mbledhjes së Komisionit për Reformën në Drejtësi, përmes një deklarate për mediat, deputeti demokrat Eduard Halimi bëri të ditur se përfundoi faza e parë e diskutimeve mbi të dhjetë çështjet e dialogut politik dhe në këto dhjetë çështje përfshihen dy komponentët kryesorë të paketës së ndryshimeve kushtetuese. Ai tha se, një komponent është ai i luftës antikorrupsion në sistemin e drejtësisë, largimi i gjyqtarëve dhe prokurorëve të korruptuar dhe luftën ndaj korrupsionit të zyrtarëve të nivelit të lartë dhe komponenti tjetër që ka të bëjë me arkitekturën e sistemit, që lidhet me ngritjen e  institucioneve të përhershme që do t’i shërbejnë Shqipërisë dhe Kushtetutës në vitet e mëvonshme, por ky komponent ka disa ndasi, pra mosdakortësi. Lidhur me komponentin e parë, tha deputeti demokrat, që ka të bëjë me luftën ndaj korrupsionit dhe për të cilën besoj se, edhe qytetarët kanë interes imediat dhe duhet të ketë efekte të menjëhershme, tri elementët e këtij komponenti ngritja e Byrosë Kombëtare të Hetimit sipas modelit të propozuar nga Komisioni i Vencias, pra, ngritja e Prokurorisë Speciale në luftën ndaj korrupsionit në nivelet e larta dhe luftës ndaj korrupsionit në sistemin, gjyqësor dhe komponenti tjetër që është shumë i rëndësishëm që është Vetingu, kontrolli i gjyqtarëve, i pasurive dhe i njohurive të gjyqtarëve, performancës së tyre, sipas Venecias, ka një dakortësi pothuajse të plotë mes palëve. Iu ngarkua si detyrë ekspertëve të huaj që në bashkëpunim dhe me ekspertët e palëve politike përkatësisht të mazhorancës dhe opozitës, të hartojnë dhe të implementojnë sa më shpejt të gjithë rekomandimet e opinionit final në mënyrë që, këto tri elementë, komponenti antikorrupsion, ngritja e Byrosë Kombëtare të Hetimit, ngritja e Prokurorisë Speciale dhe Vetingu, të ecin dhe të procedohet sa më shpejt, madje të veprohet sa më shpejt që ta miratojmë si një paketë në mënyrë vertikale. Halimi bëri të ditur se ka një dakortësi pothuajse dhe për këtë çështje, pra që ligje të posaçme të merren dhe të hartohen bashkë në javët në vijim, duke marrë dhe mendimet e ekspertëve.
“Ky komponent pra, ai i antikorrupsiontit është shumë i rëndësishëm dhe për këtë ka dakortësi. Lidhur me komponentin e dytë ka jodakortësi mes palëve dhe sigurisht që diskutimet do të vazhdojnë edhe në vijim. Kjo ka të bëjë me pjesën e institucioneve të reja që do të ngrihen, pra me institucionet e përhershme që kanë të bëjnë jo me çështjet kundër korrupsionit në sistemin gjyqësor dhe në Prokurori, por kanë të bëjnë me pjesën e emërimit, promovimit dhe disiplinimit të gjyqtarëve. Këtij  komponenti i mungojnë kriteret e check and balance ndërmjet pushtetit gjyqësor dhe pushteteve të tjera, pasi mungojnë edhe pjesët e llogaridhënies së pushtetit gjyqësor, ka problem dhe me kapjen politike, të cilat ne i kemi diskutuar dhe më parë dhe Komisioni i Venecias ka dhënë rekomandime që duhet të implementohen. Ka problem dhe me korporatizimin. Të trija  këto çështje të këtij komponenti u diskutuan gjerë e gjatë edhe sot. Ka mosdakortësi mes palëve, ka dhe çështje që secila palë iu adresua ekspertëve, të cilët do të përpunojnë dhe besoj se kjo çështje do të jetë pjese e një zhvillimi të mëvonshëm, pra çështja e miratimit të këtij komponenti”, bëri të ditur deputeti demokrat.

Padakordësitë për Reformën në Drejtësi

Halimi deklaroi se ka dakortësi për të gjithë komponentin që ka të bëjë me pjesën e antikorrupsionit. “Nuk janë dy, por janë rreth 4-ose 5 çështje. Ndërsa çështjet që kanë të bëjnë me ndërtimin, ngritjen e institucioneve ka padokortësi mënyra si është menduar deri tani. Por ka dakortësi sesi do të zgjidhet në të ardhmen. Pra mendoj të zgjidhen duke i kërkuar vetë ekspertëve modele, modele sesi mundet ne, të eliminojmë probleme që ka sot sistemi i drejtësisë sot me korporatizmin. Të ndërtojmë një sistem të qëndrueshëm për të ardhmen, që të ketë komponentët e luftës ndaj korporatizmit, të ketë një sistem llogaridhënës, por që do të japë efekt në kohë të mëvonshme. Pjesa e komponentit antikorrupsion është shumë e rëndësishme, sepse ka efekte të menjëhershme”, tha ai. Halimi theksoi se, Vetingu i gjyqtarëve duke përfshirë të gjithë komponentët që jep Komisioni i Venecias ka efekte të menjëhershme, sepse që nesër sapo të fillojë komisioni, procesi i Vetingut, qytetarët do të kenë mundësi të shohin kush janë gjyqtarët e korruptuar, e paaftë, gjyqtarët e kapur, të cilët duhet të largohen nga sistemi. “Ashtu sikurse elementi tjetër, ngritja e Byrosë Kombëtare të Hetimit në mënyrë të shpejtë dhe efikase, do të bëjë që hetimi penal të ketë një revolucion të menjëhershëm në dënimin e gjyqtarëve dhe prokurorëve të korruptuar dhe të zyrtarëve të lartë. Ndërsa komponenti tjetër nuk i ka efektet e menjëhershme sot, ngritja e këtyre institucioneve do ta japë efektin në vijim. Pra në këto çështje ka një ndasi, sepse nuk janë komponentë të përkohshëm, por janë të përhershëm dhe për këtë dakortësia duhet të jetë më e plotë dhe më e qëndrueshme, dhe të shërbejë për një kohë të gjatë, pasi këto institucione do të shërbejnë për një kohë të gjatë. Komisioni i Vetingut përshembull do të shërbejë vetëm për një periudhë trevjeçare ndërsa institucionet e tjera do të jenë të përhershme. Ajo që ka interes më shumë për qytetarët mendoj se është komponenti i hetimit penal i gjyqtarëve,  prokurorëve, zyrtarëve të lartë, pra ngritja e Byrosë Kombëtare të Hetimit, dhe procesi i Vetingut që ka efekt të menjëhershëm”, u shpreh deputeti demokrat.

Arben Shahini