9.5 C
Tirana
E martë, 29 Prill, 2025

Ajeti, titullar i padiskutueshëm

Arlind Ajeti tashmë është një titullar i padiskutueshëm i Frosinones. Te mbrojtësi shqiptar skuadra e Stellones ka gjetur sigurinë në prapavijë dhe për meritë edhe të 22-vjeçarit të Kombëtares Kuqezi ka shanse të mira për të siguruar mbijetesën, kur kanë mbetur edhe 8 ndeshje deri në përfundim të sezonit. Edhe në sfidën e radhës ndaj Genoas në transfertë, Ajeti do të luajë që nga fillimi, pasi Frosinone nuk mund të bëjë dot pa të.
Praninë e ish-lojtarit të Baselit në formacionin titullar e konfirmoi trajneri Roberto Stellone në konferencën për shtyp me këtë të fundit që pritet ta rreshtojë Ajetin në qendër të prapavijës përkrah italianit Leonardo Blanchard. Me 27 pikë të grumbulluara pas 30 ndeshjeve skuadra nga krahina e Lazios ka nevojë për një rezultat pozitiv në takimin ndaj Genoas për të patur akoma edhe më shumë shanse për të siguruar mbijetesën mes më të mirëve të futbollit italian edhe për një tjetër sezon. Për të kuptuar rëndësinë e Ajetit te Frosinone mjafton t’u hedhësh një sy statistikave.
Në 11 takime gjithsej me Ajetin në fushë skuadra e trajnerit Stellone ka pësuar vetëm 14 gola me një mesatare prej 1,27 golash për takim, ndërkohë që në këto 11 sfida Frosinone ka grumbulluar në total 13 pikë nga 27 gjithsej në 30 takime. Nëse shikojmë ndeshjet e skuadrës së Stellones pa Arlind Ajetin në formacion gjatë këtij sezoni, Frosinone ka pësuar 41 gola në 19 sfida, duke u ndëshkuar mesatarisht 2,15 herë për takim.
Edhe pikët e grumbulluara janë shumë pak vetëm 14 në 8 ndeshje më shumë. Për të përshkruar të gjitha këto stastika mjafton të thuash, te Arlind Ajeti, Frosinone ka gjetur sigurinë në prapavijë dhe nëse kjo skuadër arrin të mbijetojë në Serinë A, një meritë të madhe do ta ketë padiskutim mbrojtësi shqiptar, i cili e nisi me një gol ndaj Sassuolos që në debutim aventurën e tij italiane. Arlind Ajeti u aktivizua si titullar edhe në ndeshjen miqësore, që Shqipëria fitoi me rezultatin 2-0 përballë Lukemsburgut në transfertë, duke zhvilluar një paraqitje shumë të mirë.

Berisha, gol dhe të kuq në fitoren e Melbourne

Besart Berisha bëhet sërish protagonist në Kampionatin australian, edhe pse këtë herë nuk janë vetëm golat e tij që bëjnë bujë. Sulmuesi shqiptar u aktivizua titullar në transfertën e Wellington ku skuadra e tij, Melbourne Victory siguroi një fitore të thellë me rezultatin 4-1. Ishte pikërisht Berisha, ai që shënoi golin  e parë të sfidës në minutën e 8, por 10 minuta nga fundi, ai u ndëshkua me karton të kuq për shkak të një gjesti jo të lejueshëm, duke e lënë skuadrën e tij me 10 lojtarë. Ishte minuta e 33-të kur ndaj sulmuesit shqiptar, një prej kundërshtarëve ndërhyri ashpër me bërryl.
Berisha u rrëzua përtokë dhe pas protestave të lojtarëve të Wellington, ai shtyu një lojtar me këmbë dhe kjo skenë ndodhi në praninë e arbitrit të ndeshjes që nuk e kurseu të kuqin për numrin 8. Ky gjest mund t’i kushtojë shtrenjë Berishës dhe skuadrës së Melbourne Victory. Nëse shqiptari dënohet më shumë se një ndeshje, ai do t’i humbasë përballjen e parë play off për titullin kampion. Me suksesin në fushën e Wellington në javën e parafundit, Malbourne Victory mban vendin e dytë dhe do të luftojë për të mbrojtur titullin kampion. Berisha numëron 17 gola sezonalë me fanellën e skuadrës së Melbourne, ku u transferua rreth dy vjet më parë.

Lufta për vendin e tretë

Barazimi me Romën dhe më pas pushimet e detyruara nga miqësoret e Kombëtareve. Interi kërkon të rikthehet bindës në fushën e lojës për të mos humbur shansin e garimit për një vend në zonën Champions. Rrugëtimi rinis nga “San Siro” ku zikaltërit presin Torinon dhe trajneri Roberto Mançini është optimist.
“Kemi ende edhe shumë ndeshje në dispozicion. Roma është 5 pikë larg, por edhe ne kishim 5 pikë diferencë nga Fiorentina dhe tashmë kemi rikuperuar terren. Nuk kemi mundësi zgjedhjeje, duhet të fitojmë shumë ndeshje. Ndoshta pa pushimin do të ishte më mirë për ne, por nuk është zgjedhje në dorën tonë. Këtë sezon kemi regjistruar 18 ndeshje pa humbje, por kemi pasur edhe disa probleme. Tashmë shikojmë përpara. Do të luajmë edhe 8 ndeshje dhe shpresoj të rikuperojmë sa më shumë pikë”, u shpreh Mançini.
Në vijim, trajneri zikaltër u shpreh se shpreson që Roma të humbasë pikë në derbi, ndërsa u përqendrua edhe te çështjet e merkatos si dhe tek kundërshtari i radhës. “Nuk e di nëse duhet të shesim lojtarë të rëndësishëm. Për të ndërtuar strategjitë duhet kohë. Ne jemi Interi dhe duhet të ndërtojmë një skuadër të mirë çdo vit. Torino? Është një skuadër e vështirë për t’u kaluar, sepse ndaj tyre ke mundësinë të luash në nivele të larta. Skuadra e Venturës i vendos të gjithë në vështirësi”, tha ai.
Në fund Mançini u pyet se kë do të zgjidhte mes Ibrahimoviç e Toure, por ai preferoi të përgjigjej me diplomaci. “Nuk besoj se Thohir do të më kërkojë të zgjedh njërin prej të dyve”, përfundoi Mançini.
Ndërkohë, e ardhmja e afërt e Rey Manajt projektohet në Greqi në radhët e Panathinaikosit. 19-vjeçari shqiptar pritet të transferohet në kampionatin grek në formën e huazimit, për t’u vënë nën urdhrat e Andrea Stramaccionit, i cili është në krye të “jeshilëve” të Athinës që nga nëntori i kaluar. Në fakt 40-vjeçari italian ka këmbëngulur fillimisht për Rodrigo Palacion, por Mançini nuk ka ndërmend në privohet nga shërbimet e një sulmuesi me shumë eksperiencë, të cilin po e aktivizon në vazhdimësi.
Në këto kushte stafi teknik zikaltër i ka ofruar Panathinaikosit, Rey Manajt, në formën e huazimit, lëvizje që duhet të ndodhë me nisjen e përgatitjeve për sezonin e ardhshëm. Sipas mediave italiane tek Interi janë të bindur se Manaj do të gjejë hapësirat e nevojshme në formacion për t’i rritur si futbollist, duke e përjashtuar mundësinë që qëndrimit në “Apiano Gentile”, ku rivaliteti për një fanellë titullari është shumë e ashpër për djaloshin kuqezi, i cili ishte inspiruesi i Shpresave të Shqipërisë në fitoren 2-1 me Hungarinë në eliminatoret e Europianit.

Leicester, Ranieri: Tani besojmë vërtetë te titulli

7 ndeshje larg historisë. Leicester City i Cluadio Rainierit ka një avantazh të konsiderueshëm ndaj rivalëve për titull në Premier League dhe tashmë edhe trajneri italian beson se, skuadra e tij mund ta fitojë kampionatin. “E kemi fatin në duart tona. Dëshirojmë të vazhdojmë kështu pa menduar për skuadrat e tjera. Pas kësaj na presin edhe 6 javë të tjera që do të jenë edhe 6 javët më të rëndësishme në historinë e këtij klubi. Leicester kurrë më parë nuk e ka përjetuar një situatë të tillë. Gjithsesi tashmë nuk ndiejmë më të njëjtin presion si në fillim të sezonit dhe kjo është pozitive për ne. Do të vazhdojmë të luftojmë deri në ndeshjen e fundit”, u shpreh Ranieri.
Këtë të dielë Dhelpërat siç njihet ndryshe Leicester City do të presin në shtëpi, Southamptonit e Ronald Koman. Edhe pse formacioni i trajnerit holandez ka një pozicion komod në tabelën e klasfikimit, Ranieri nuk i zë aspak besë skuadrës së shenjëtorëve.
“Do të jetë një ndeshje shumë e vështirë për ne, sepse ata dëshirojnë të kualifikohen në Kupat e Europës dhe kanë në skuadër lojtarë cilësorë si Mane, Tadic e Pelle. Nuk do të jetë e thjeshtë për ne. Ka ndeshje në të cilat bëjmë gabime, por kjo vjen si pasojë e faktit, sepse luajmë gjithmonë në maksimumin e mundësive tona”, tha ai.

“Nga United u largova prej Van Gaal-it”

Te Paris Saint Germain, Angel Di Maria ka rigjetur formën dhe mbi të gjitha qetësinë që i mungonte, në periudhën kur ishte pjesë e Manchester United. Te Djajtë e Kuq, futbollisti argjentinas kaloi një sezon të vështirë, pasi me Louis Van Gaal në drejtim ai kishte shumë pak hapësira në formacion. Në një intervistë 28-vjeçari fajësoi pikërisht trajnerin holandez se nuk e aktivizonte në pozicionin e tij të preferuar dhe kjo ishte një nga arsyet kryesore për formën e dobët të shfaqur nga Di Maria gjatë periudhës që ishte pjesë e United. Gjithsesi, Angel tashmë është i lumtur te Parisi, teksa nënvizon se u transferua në kryeqytetin francez për të fituar tituj me skuadrën pariziene.
“Është e vështirë t’i thuash disa gjëra, por nuk kam rrugë tjetër. Unë u largova nga Manchester United, sepse ajo skuadër edhe sot vazhdon të luajë në të njëjtën mënyrë që nuk mund ta çojë asgjëkundi. Nëse vazhdon me këto ritme United do të mbetet jashtë Championsit dhe vështirë se do të ketë shanse të fitojë titullin kampion edhe në të ardhmen. Për paraqitjen time të dobët aty nuk besoj se ishte faji i shokëve i skuadrës, por i trajnerit. pasi ishte ai që ma ndryshonte pozicionin në fushë nga ndeshja në ndeshje. Gjithsesi nuk dua të flas më për Djajtë e Kuq. Tashmë jam pjesë e Paris Saint Germain-it dhe jam transferuar te kjo skuadër për të fituar trofe”, tha Di Maria.
Angel Di Maria u transferua nga Manchester United te Paris Saint Germain gjatë verës së kaluar për rreth 70 milionë euro. Me skuadrën e drejtuar nga Luarent Blanc, 28-vjeçari nga Rosario në këtë sezon ka zhvilluar në total 37 ndeshje në të gjitha kompeticionet. duke realizuar 13 gola.
Ndërkohë, skuadra e Bordeaux befason Monacon në stadiumin “Lugji i Dytë” në kuadër të javës së 32-të të Ligës së parë franceze. Reagimi i ekipit nga Principata në kohën shtesë nuk e shmangu dot humbjen 1-2, që gjithsesi nuk ia cënon vendin e dytë, pasi Nica që ndjek nga pas dhe që ka një ndeshje më shumë për të luajtur ka grumbulluar 5 pikë më pak.
Në minutën e dytë shtesë të pjesës së parë, atëherë kur skuadrat po bëheshin gati për t’iu drejtuar dhomave të zhveshjes, Thomas Toure kaloi në avantazh skuadrën mike. Në minutën e 56-të Monaco mori goditjen e dytë nga Aunas, finalizim që do të rezultonte vendimtar në fitoren e  Bordeaux. Në kohën shtesë. Monaco fitoi një 11 metërsh për Vagner Love gaboi përballë Prior. Pak para se gjyqtari të vërshëllente për herë të fundit. Gilbert e devijoi topin në portën e tij. Gjithsesi nuk pati më kohë për Monacon për të shmangur këtë humbje të papritur që shton oreksin e Nices dhe Lyonit për vendin e dytë.

A ka farë për Kryetar referendar?

Dr. Fatmir TERZIU

U la pas tymi i një referendumi. U la pas gjithë ajo shashkë që hodhi kryetari pa mandat për t’u bërë një Kryetar referendumtar, ose shkurt referendar. Jo më kot u la pas. U la pas se menjëherë solli një mrekulli tjetër. Fap, si tek filmat me magjistarë, zarfoi një letër dhe ndodhi ajo që s’pritej. Foli publikisht …, duke na kujtuar batutën e filmit “Operacioni Zjarri”: “I erdhi goja memecit!”. Foli, ama dhe me letër. Dhe fill pas lëvizjes referendare, pas asaj magjie tymnaja kartore e letrës së tij ftesë për liderin e opozitës, lindi pyetja: “Cili na ka udhëhequr deri tani?” Ashtu si në hiret dhe mrekullitë e tjera të magjisë, edhe në politikën dhe kompleksin e kryetarit referendar, Edi Rama, shfaqet thirrja për takimin me Kryetarin e PD, Basha.
Shashkë tjetër politike? Që të shkohet më tej duhet gjithmonë të zgjidhet në elemente të thjeshta ose në zbërthimin e ciflave të pashpërthyera të shashkës, që u bien në sy më pak të tjerëve. Pjesët e shashkës, duhet t’i shikojmë në lidhje me elementët e shtetit që drejton vetë ai. Në mënyrë që ne ta shohim më saktë, në atë që duket, duhet të rikrijojmë mes referendares, llojet e ndryshme të sundimit që ndryshojnë nga njëri-tjetri.
Dhe nëse ndonjë rezultat mund të arrihet në lidhje me secilin prej tyre, atëherë kuptohet qartë pse kryetari referendar hedh shashkën e dytë.
Fill pas thirrjes për referendumin debati mes Shoqërisë Civile ka hapur zona të nxehta në disa pika. Në kryeqytet këto pika herë alarmojnë nga Parku e herë nga ish-Stacioni i Trenit. Po më tej? E gjitha si sillet e përcillet është injorimi deri në detaj, deri në heshtjen që flet, për çdo komunitet. Dhe kur dihet se çdo shtet është një komunitet i këtij lloji, atëherë dihet pse hidhet shashka politike e radhës, nga vetë dora e Ramës. Çdo komunitet është themeluar mbi disa qëllime të tij. Por mbi të gjitha, vetë qëllimi i tij gjithmonë duhet të veprojë për njerëzimin.
Duhet të veprojë në mënyrë që të realizojë atë që ata mendojnë si të mirë. Por, në qoftë se të gjitha komunitetet, qofshin dhe ata politikë, synojnë disa anë më të mira në shërbim të vetë komunitetit, ku e mira është më e larta nga të gjitha të tjerat e proklamuara nga vetë shtet-komuniteti, e cila përfshin të gjithë pjesën tjetër të propaganduar nga vetë kryetari referendar, kur synon të mirën në një shkallë më të madhe se çdo të mirë tjetër të projektuar si model i së mirës, si në të mirën më të lartë të vetë njeriut të komunitetit, a ka më fuqi një Komunitet Politik, që hedh shashkën dhe hesht, të quhet qeveri, shtet? Apo më qartë, a ka vend më për një kryetar referendar?
Dihet dhe është e qartë se, shteti është një krijesë e natyrës. Dihet dhe se njeriu është nga natyra një kafshë politike, do të vinte në ndihmë Aristoteli. Dhe kjo kafshë politike sipas Aristotelit, që nga natyra dhe jo nga thjesht rastësia është zgjon këtë marifet, ose është një njeri i keq ose kërkon të vendosë veteveten më lart njerëzimit. Më qartë sipas Aristotelit, ai është “shpërfillës i konkurrentit, i pabesë, një i pashpirt”! Homeri ka denoncuar dhe mallkuar një sjellje të tillë jonatyrore, duke e cilësuar si një figurë e tillë është menjëherë një dashnor i intrigës. Një i tillë, sipas Homerit, mund të krahasohet me një pjesë të izoluar në trille dhe truke magjistricash.
Tani, kur njeriu është një kafshë politike, më shumë se bletët apo ndonjë kafshë tjetër është evidente dhe e qartë pse qëllon shashka e Kryetarit Referendar ndaj zyrave politike të opozitës, apo SHQUP-it, siç i emeton ai. Natyra, siç themi shpesh, nuk bën asgjë kot, ndaj dhe njeriu është kafshë, të cilin ajo e ka pajisur vetëm me dhuratën e të folurit. Dhe kjo është si një karakteristikë e njeriut, kryetarit referendar, që mbetet pjesëtar i qenieve të gjalla, që rrethsillen dhe dorëngrejnë këtë shashkim politik, që e bën këtë vetë, të jetë pa udhë të qartë, pa një drejtim real. Thjesht një kryetar referendar, në një udhëtim imagjinar, të vetëfryrë, magjistar… A ka farë për një kryetar referendar?

Përse e përgjakën Shkodrën?

25 vjet më parë në 2 Prillin ’91, regjimi kriminal që ishte në grahmat e fundit të tij do të përgatiste masakrën më të rëndë. Katër të vrarë dhe qindra të tjerë të plagosur në Shkodrën martire. E gjitha nisi pas një proteste paqësore të gjimnazistëve të qytetit, të cilët u përballën me hakmarrjen e policisë dhe ushtrisë. Vrasjet vinin nga godina e Partisë së Punës në Shkodër.
Po përse u zgjodh Shkodra?
Shkodra ishte qyteti i qëndresës antikomuniste. Ishte qyteti i rezistencës që e kishte luftuar diktaturën në çdo moment dhe në çdo sekondë të saj. Nga Postriba e deri tek barcaletat, Shkodra kurrë nuk ishte pajtuar me diktaturën. Në votimet e 31 marsit, Shkodra ishte në krye të qyteteve së bashku me Tiranën që kishin votuar masivisht për deputetët e Partisë Demokratike.
Manipulimi i atyre votimeve në zonat rurale solli edhe fitoren e PPSH në rang vendi. Pas kësaj fitoreje të manipuluar qytetet u ngritën në këmbë. Fillimisht Tirana. Që në momentet e para të shpalljes së rezultatit të zgjedhjeve me mijëra qytetarë të kryeqytetit u mblodhën para selisë së PD. Thirrjet ishin të një populli të revoltuar në kufijtë ekstremë. “Edhe me gjak” ishin thirrjet e atyre mijëra e mijëra qytetarëve që rrethuan selinë e Partisë Demokratike që në ato ditë ishte në Rrugën e “Kavajës”. Mesazhi ishte i qartë, qytetarët ishin gati të jepnin edhe jetën për të mos legjitimuar manipulimin e zgjedhjeve nga diktatura.
Kryetari i PD, Berisha u ngjit në ballkonin e selisë së PD në orët e vona të asaj nate përmes ovacioneve të fuqishme të njerëzve të revoltuar. Kërkonin vetëm një shenjë që zemërimi të derdhej drejt aparatit të Komitetit Qendror. Berisha duke e kuptuar se regjimi në ato grahma të fundit mund të sillej si një bishë e plagosur bëri atë që duhej. Si një burrë shteti, ai u deklaroi mijëra e mijëra të pranishmëve se beteja ndaj diktaturës nuk do të ndalej dhe më pas u kërkoi të rinjve që të mos përdorej dhuna. Orët e protestës së qytetarëve të Tiranës të revoltuar vazhduan përgjatë gjithë natës dhe mëngjesit të ditës së nesërme.
Zemërimi qytetar ishte në kufijtë e vetpërmbajtjes në Shkodër. Një protestë paqësore e gjimnazistëve të qytetit u kthye në një masakër. Atë që regjimi nuk mundi ta bënte në Tiranë e bëri në Shkodër një ditë më pas. Bisha e plagosur kishte vendosur të hakmerrej ndaj Shkodrës martire, ndaj qëndresës dhe votës së saj plebishitare për Partinë Demokratike. Pesë të vrarë dhe qindra të plagosur. Mes tyre Arben Broci, student shembullor dhe një nga drejtuesit e parë të Partisë Demokratike, studenti i Dhjetorit, i cili u përball me Alinë në pritjen e studentëve nuk jetonte më. Bashkë me të edhe Bujar Bishanaku, Besnik Ceka dhe Nazmi Kryeziu.
Shkodrën e përgjakën, sepse diktatura donte ta frikësonte dhe përmes asaj masakre edhe të gjithë Shqipërinë. Ai frikësim që nuk kishte ndodhur gjatë diktaturës nuk kishte se si të ndjte në ato ditë. Kortezhi mortor për të nderuar katër martirët ishin shenja më e mirë se Shkodra jo vetëm që nuk ishte gjunjëzuar, por ishte në këmbë, më e fortë dhe e gatshme për përballjen e re me regjimin kriminal.

A.Shahini

2 Prilli, masakra që përgjaku Shkodrën martire

Alfons GRISHAJ

Më 1 prill 1991, demokratët e Shkodrës vërshuan para selisë së PD-së, me lot në sy pyesnin për rezultatet. Dikush ishte dhe i acaruar. “Prapë këta kriminelë!”. U munduam t’i qetësonim. Folën para selisë Kolec Ndoja, Viktor Martini, Azem Hajdari. Azemi ishte shumë i qartë në fjalën e tij… Më kërkuan disa herë që të flisja.
Isha shumë i lodhur, kisha netë pa gjumë. Ngarkesa dhe barra më e madhe binte mbi mua, jo vetëm për njohjen e madhe me të rinjtë e Shkodrës, por dhe si një demokrat që nuk njihja kompromise me ish-kastën e kuqe.
Është e vërtetë që Dilaveri dhe Gjeka erdhën e kërkuan “bashkëpunim”, për të qetësuar situatën. Por, cila ishte arsyeja e vërtetë? Vetë prania e tyre ngjallte neveri tek demonstruesit. Ata nuk shihnin tek Dilaveri dhe Gjeka figurat e rendit kushtetues, por kukullat e metalta të një rendi antikushtetues dhe ilegjitim, të cilët me serumet e trurëve të tyre të lara i shërbenin një kaste gjakpirëse e delirante që, për 47 vjet kishte burgosur, torturuar e vrarë.
Pse duheshin shqetësuar aq shumë këta policë, kur demonstruesit po demonstronin si qytetarë të një bote të lirë? Ata po protestonin për manipulimin e votës së vjedhur dhe ata nuk protestonin për veten e tyre, por për Shqipërinë se, Shkodra nuk ishte Republikë më vete, ashtu siç kërkonin bashibozukët e Sigurimit, që hidhnin parulla serbe: “Shkodra Republikë!”, etj… Pse nuk u shqetësuan këta zotërinj, kur makinat e tyre të policisë dhe të ushtrisë shkonin për të votuar, sa në një zonë në tjetrën për të manipuluar?
Në lagjen “Xhabije”, populli gati sa nuk u konfrontua me këta mjeranë, që për të dytën herë donin të votonin. Vetë Sokol Shazi, përfaqësues i Frontit Demokratik, ky një njeri kurajoz dhe i ndershëm, i tha oficerit mustaqemi: “Ju keni votuar dhe njëherë, çfarë doni këtu!?”.
Devocioni i tepruar i këtyre zanatlive të pafe, që për ta nëna dhe babai ishte PP-ja, ky devocion katetonik do ta çonte në kolaps shtetin komunist.
Gjeka duhet ta dinte se, Shkodra ka qenë fuçi baruti për antikomunizëm.
Atje janë zhvilluar dy lëvizje të mëdha antikomuniste ‘45-‘46. Si i kishte harruar Gjeka të gjithë ata priftërinj e hoxhallarë shkodranë, që ishin burgosur e martirizuar?
Pra, as Dilaveri dhe as Gjeka, nuk e njihnin historinë antikomuniste të Shkodrës. Ata vinin si diletantë për të nakatosur dhe jo për të qetësuar.
Për t’i kujtuar Gjekës, se Dilaveri u plagos më 13 dhjetor, pikërisht se ai nuk e njihte situatën dhe ajo ishte një shenjë e mirë për t’i treguar atij se Shkodra nuk ishte Puka.
Më 1 prill kemi ndenjur deri në 10:30 të natës, duke qetësuar demonstruesit para KPP. Kemi qenë disa përfaqësues të PD-së: Unë, Arben Broci, Eduard Perjaku, Kolec Ndoja, Nikolin Thana, Pjetër Arbnori, Artan Broci dhe Eduard Grishaj. Me ne ishte dhe Dilaver Papare. Dilaveri tha: “Se, nëqoftëse nesër mblidhen demonstrues para KPP-së, ne do të veprojmë ndryshe”. “Cila ishte arsyeja që ky njeri që i dridheshin duart duke dredhur cigaren të ishte në atë ankth? Kush e kishte urdhëruar dhe përse!?”. Dy prilli do të ishte përgjigjja më e mirë. Pas shpërndarjes së demonstruesve, shkuam tek selia jonë. Për të nesërmen u caktuan të hapnin zyrën Arben Broci dhe Eduard Grishaj, me ta u bashkuan dhe Frano Gjergji dhe Fatmir Bërdica, përkatësisht anëtarë të Këshillit të PD-së.
Përpjekjet e zëvendësministrit Hajredin Shyti, për t’u kapur si i mbyturi pas fijes së kashtës, siç tha në gjyq, që gjoja PD e ka çuar Arben Brocin tek KPP-së Shkodër, i duhet një përgjigje e saktë këtij rrufjani. Tek KPP, nuk ka qenë vetëm Arben Broci, por ka qenë dhe Frano Gjergji, Fatmir Bërdica, Eduard Grishaj, Eduard Përjaku, unë dhe më vonë Ali Spahia dhe Pjetër Arbnori. Jam i bindur se Arben Broci, ishte piketuar që në takimin me Ramiz Alinë. Mbase, ishte i vetmi, në atë takim që e injoroi Presidentin komunist.
Shumica e të pranishmëve në atë takim ia dhanë dorën Ramizit, kurse Arben Broci jo.
Si mund të harrohej ky injorim që i bëri Arbeni të paprekshmit Ramiz Alia? Shpeshherë Arbeni shprehej: “Këta kriminelë kanë me u vra!”. Meqë rrinim dhe në një lagje ishim më afër njëri-tjetrit. Unë, Arbeni dhe Kujtim Asllani, bisedonim dhe jashtë mbledhjes për problemet e PD-së.
Të njëjtën shprehje do ta dëgjoja më vonë prej mikut tim, të paharrueshmit Hajdari, i cili një ditë më tha: “Alfons, kriminelët e Nanos janë duke u përpjekë me më vra dhe kan me e ba. Nëse gjaku im ka me i shërby demokracisë dhe Shqipërisë, ja kisha ba hallall, por nëse jo, do më vinte keq!”.

Si nisi

2 prilli filloi me një protestë model të shkollave të mesme “Jordan Misja”, “Oso Kuka” dhe “29 Nëntori”. Kjo protestë mund të krahasohej vetëm me protestat e vendeve të civilizuara botërore. E ardhmja e Shqipërisë kishte zgjedhur një model civilizues për të protestuar. Ishte një krenari dhe habi për këtë organizim ideal. Siç duket këto nxënës kishin menduar ta zbusnin klimën e protestuesve dhe komunistëve. Mbase dora e Zotit po mundohej të çlironte atë atmosferë (megjithëse komunistët nuk besojnë në Zot), të rëndë.
Çdo qytetar shkodran që e ka parë këtë skenë është mallëngjyer.
Por, jo! Engjëjt e lirisë nuk i njihnin mirë skeletonët e komunizmit. Si bisha të tërbuara u hodhën bashibozukët mbi nxënësit e pambrojtur… Pse e gjithë kjo egërsi mbi fëmijët që ishin të ulur mbi çantat e tyre!? Bashibozukët laramanë, shumica ishin pa uniformë policie, praktikë kjo e vendeve diktatoriale. Vetë kjo përzierje tregon për një taktikë dinake të përpunuar mirë nga Çapajev Taçi dhe vartësit e tij…, shkodranët, duke parë këtë skenë, u hodhën për të mbrojtur fëmijët e tyre. Babai për fëmijën, komshiu për komshiun, shoku për shokun dhe kështu reaksion zinxhir si bomba me hidrogjen plasi kjo demonstratë. Demonstrata e 2 prillit ishte e katërta brenda një viti. Nga përmasat ishte demonstrata më e përgjakshme në historinë e pluralizmit politik shqiptar. Hebrejtë kanë një shprehje, “Helkath-Hazurim”, që do të thotë, “fushëbetejë”. U vranë pesë anëtarë të PD-së dhe jo katër. Këtë e kam thënë dhe e kam shkruar në shkrimet e tjera për 2 prillin: Arben Broci, Nazmi Kryeziu, Besnik Ceka, Bujar Bishanaku dhe vdiq më vonë prej plagëve Artur Gila. U plagosën mbi 100 demonstrues, shumica me armë zjarri dhe pjesa tjetër me mjete të forta. Nuk mund të lë pa përmendur Harris Moranën, që mori plumbin në gjoks para Komitetit të PP-së, Shkëlqim Lisin, që nuk ishte më shumë se 12 vjeç, mori plumbin në bark dhe ashtu i plagosur ngrinte dy gishtat lart. Çlirim Bajri, mbeti i paralizuar, nga dy plagë zjarri etj. Mirë se këto ishin trima, po me vajzat çfarë patën ata të panderë e të pafe? Po përmend disa vajza që shkuan deri në humbje ndjenjash: Marsida Bruceti, Suela Basha, Blerina Tuzi, Elida Nika, Sidola Vata, Aida Krroqi, Flora Kurbini. Këto vajza nuk e kalonin moshën 17-vjeçare. Pra, siç shikojmë ishte një verbim total i Sigurimsave me dhe pa uniformë… Pse e gjithë kjo verbëri?!

Ballë për ballë me Çapajev Taçin

Gjatë ngjarjes së 2 prillit Blerim Çela, Kolec Ndoja, Agustin Shqalsi dhe unë, shkuam dy herë për t’i kërkuar Çapajev Taçit, që policia mos të qëllonte më me armë, as në ajër dhe as mbi popull. Kërkuam që forcat e policisë të tërhiqeshin brenda objekteve të tyre. Mbi tavolinën e tij kishte një kallashnikov dhe pesë karikatorë me fishekë. Kolec Ndoja e pyeti në mënyrë të ashpër: “Pse e mban këtë automatik dhe këto krëhëra me fishekë mbi tavolinë, për të vrarë!?”. Hyri menjëherë Agustini, që me qetësi shmangu një debat të pangeshëm. Çapajevit i shpjegova situatën, duke i kërkuar maturi dhe mençuri për kërkesën tonë, se për çdo rëndim të situatës, përgjegjësia do të binte mbi të. Ai me një triumfalizëm tha: “Forca të reja po vijnë nga Tirana, për të marrë situatën në dorë!”. U larguam për të vazhduar detyrën tonë…

Dezinformimi dhe manipulimi, formë dhe mjet i Sigurimit të Shtetit

Kam shkuar shtrat më shtrat tek të plagosurit, duke shënuar emrat e të vrarëve dhe të plagosurve (së bashku me doktor Spahinë dhe doktor Grezdën regjistruam rreth 60 të plagosur që ishin paraqitur për mjekim), të cilët tregonin plagët e tyre. Më vonë lista do të rritej…
Atë pasdreke po u jepja intervistë gazetarëve të huaj. Njëkohësisht po komunikoja direkt me Frrok Çupin, i cili shënonte ato çfarë thoja. Emrat e martirëve ia komunikova të saktë, por një spiun i Sigurimit më gjeti “fjetur”, ose më mirë ma hodhi (e shpjegova më lart kisha netë pa gjumë), më tha për Bujar Bishanakun: “Nuk është emri i tij Bujar, por është Ilir Leshanaku”, duke u përbetuar se ishte i afërm i tij.

Martirët e 2 prillit

Arben Broci
Mosha: 21 vjeç
Profesioni: Student
Vrarë: 2 prill 1991
Vendi: Shkodër
Motivi: Politik
Bujar Bishanaku
Mosha: 22 vjeç
Profesioni: Student
Vrarë: 2 prill 1991
Vendi: Shkodër
Motivi: Politik
Nazmi Kryeziu
Mosha: 22 vjeç
Profesioni: Student
Vrarë: 2 prill 1991
Vendi: Shkodër
Motivi: Politik
Besnik Ceka
Mosha: 21 vjeç
Profesioni: Student
Vrarë: 2 prill 1991
Vendi: Shkodër
Motivi: Politik

* * *

Dëshmia e Lije Brocit: Alia më ofroi miliona të mbyll çështjen

Lije Broci, e ëma e Arben Brocit, Dëshmorit të Demokracisë akuzon si vrasës të martirëve të Shkodrës, Ramiz Alinë dhe Gramoz Ruçin. Me plagën e madhe të nënës për humbjen e djalit në moshën më të bukur, rrëfen disa detaje lidhur me atë që ndodhi në atë ditë të zezë të prillit. Sipas nënës së Dëshmorit të Demokracisë, personat që urdhëruan vrasjen e katër të rinjve dhe plagosjen e disa dhjetëra të tjerëve janë Ramiz Alia e Gramoz Ruçi. Ajo thekson se ka njohur në mënyrë të rastësishme edhe personin që ka shtënë mbi të birin. Sipas Lije Brocit, vrasja ka qenë e qëllimshme. “Im bir ishte përcaktuar të vritej. Ai e dinte këtë dhe shpesh më thoshte se do të më vrasin nënë, por t’i duhet të jesh e fortë. Ishte pikasur që në dhjetor të vitit 1990, në takimin që studentët e Dhjetorit, patën me Presidentin e asaj kohe, Ramiz Alinë. Pas fjalëve mashtruese të Alisë, im bir kishte kundërshtuar, duke i kujtuar Presidentit qëllimin e atij takimi, pluralizmin”, kujton nëna e Dëshmorit të Demokracisë. “Kur dolën, shton ajo, Beni më ka treguar se Ramiz Alia i kishte kapur lehtë flokët. Ishte një veprim tipik i Enver Hoxhës, që u rrihte shpatullat atyre që donte t’i eliminonte. Beni e kishte kuptuar këtë dhe e ruajtën rastin më 2 prill”, tregon Lije Broci. Sipas saj, ajo që ka ndodhur më pas ka qenë edhe më e rëndë, kur, dy muaj pas ngjarjes, është thirrur nga Ramiz Alia. “Edhe pse nuk desha në fillim, më pas më shtyu kurioziteti. Ai më është lutur të mbyll çështjen. Ti, më ka thënë Alia, duhet të falësh, ose të dhurosh gjakun e djalit tënd dhe ne mund të të përgjigjemi edhe me lekë sa të duash në miliona. Ndërsa unë i jam përgjigjur se edhe sikur të më shtrojnë në ar të gjithë Shqipërinë nga Vermoshi në Konispol, nuk e fal gjakun e tim biri. Pas kësaj, Alia më pyeti nëse ndokush e dinte që isha aty. I thashë se kam biseduar me doktorin (Berishën) dhe se kanë ardhur me mua të paktën 2000 shkodranë. Edhe një fije floku po të më preket, do të bëhet nami në Tiranë. Kur dola nuk kam folur me askënd deri në Shkodër”, shton me tej Lija. Ajo thekson se është e zhgënjyer nga vendimi i drejtësisë lidhur me masakrën, ndërkohë që është e dukshme se sa dhimbje i shkakton kapardisja e vrasësit të të birit në Parlament si kryetar i Grupit parlamentar të Partisë Socialiste. “Nuk doli asnjë nga të vërtetat. Gjyqi dihet se u shpejtua nga që ne, nënat e dëshmorëve, e kërkuam sa më shpejt. Ata që ishin në bankën e të akuzuarve nuk ishin pa faj. Në radhë të parë, për shkak se pranuan të qëllonin me armë”, thotë Lija, duke shpresuar për një rihapje të gjyqit dhe vënien e drejtësisë në vend. Ajo rrëfen edhe për një moment tronditës, kur ka njohur njeriun që qëlloi mbi të birin. “Një ditë teksa po vija nga varrezat një polic i kohës së regjimit donte të më paguante 20 lekëshin e biletës së urbanit. I thashë të më linte të qetë dhe ai reagoi shumë keq. Nuk desha ta vrisja, më tha. Më urdhëruan. I gjithë autobusi reagoi keq. I thashë se kishte shumë për të paguar dhe për këtë jam e tronditur akoma”, thotë Lije Broci. Ajo mban të njëjtën plagë që duket se nuk ka për t’iu shëruar kurrë. Jeton në Tiranë dhe herë pas here shkon në Shkodër vetëm për të vajtur në varreza për të takuar të birin që tashmë nuk jeton më. “Kam shkuar edhe në mes të plumbave në 1997. Madje, mbaj mend se një djalë i ri më ndaloi dhe më pyeti se ku po shkoja. I thashë tek im bir, Beni. Kur mori vesh se kush isha, u foli me zë të lartë shokëve dhe i urdhëroi që të mos qëllonin, sepse isha nëna e Arben Brocit”, shprehet me lot në sy Lija. Sipas saj, Arbeni që u vra në lule të moshës, nuk është vlerësuar aq sa duhet. Lija si nënë vazhdon të jetë e zhgënjyer po njësoj si pak ditë pas ngjarjes.

2 prilli i ’91

Më 2 prill të vitit 1991, në qendër të Shkodrës vriten katër djem të këtij qyteti. Me urdhër të Gramoz Ruçit, në atë kohë ministër i Brendshëm, Arben Broci, Bujar Bishanaku, Besnik Ceka dhe Nazmi Kryeziu, morën plumbat e “bishës” që përjetonte ditët e fundit të saj. Pak kohë pas ngjarjes, të katër u nderuan me emrin “Dëshmorë të Demokracisë”, ndërsa me një vendim të Këshillit Bashkiak të qytetit, 2 Prilli do të ishte dita e “Dëshmorëve të Shkodrës”. Për 19 vite me radhë, krimi përkujtohet si një ndër më makabrit, që kishte në sfond motive politike. Festimet e çdo viti mbajnë emrin e përbashkët të shoqatës “2 Prilli”, që së bashku me Bashkinë e Shkodrës, organizojnë në sheshin me të njëjtin emër, ceremoninë përkujtimore, ku nën tingujt e bandës së qytetit, pranë përmendores së ngritur në kujtim të këtyre martirëve, kryhen ritet. Kjo ditë në qytetin verior, njihet edhe si dita e fitores së demokracisë.
Janë me mijëra familjet shqiptare në të cilat daljet publike të Gramoz Ruçit shkaktojnë dhimbje, neveri e përbuzje. Këto janë familjet, të afërmit e të cilëve u vranë me urdhrin e ministrit të fundit të Sigurimit të Shtetit nga falangat e krimit në kufijtë e vendit apo në sheshet ku protestonin kundër diktaturës. Jo vetëm për këto familje, por për shumicën e shqiptarëve fytyra bolshevike e Ruçit është simboli më i goditur i makthit 50-vjeçar që kaloi vendi, të cilin pasardhësja e Partisë së Punës po kërkon ta riciklojë. Me zgjedhjen e tij në krye të Grupit parlamentar të PS-së, duket se daljet publike të Ruçit do të jenë edhe më të shpeshta, çfarë nënkupton se dhimbja për këta qytetarë do të shumëfishohet. Çdo përvjetor, shtëpia e Lije Brocit mbushet plot me njerëz dashamirës, miq dhe të afërm. Por asaj i mungon Arbeni, djali inteligjent dhe një prej të rinjve që në vitin 1991, njihej si potencial për të ardhmen e vendit. Shfaqjet e Gramoz Ruçit dhe sidomos leksionet e tij për demokraci, e pezmatojnë aq shumë Lijen dhe mijëra nëna e baballarë të tjerë shqiptarë, fëmijët e të cilëve u vranë në lulen e rinisë për fajin e vetëm se guxuan të protestojnë kundër diktaturës apo tentuan të kalojnë kufirin për të lënë pas krahëve jetën makabre që u kishte krijuar partia-shtet. Me riciklimin e Gramoz Ruçit në krye të Grupit parlamentar të partisë kryesore të opozitës, Shqipëria shndërrohet në vendin e vetëm të Europës ish-komuniste, që ka në një post kaq të lartë politik një funksionar të Sigurimit të Shtetit. Kjo sigurisht është tepër lënduese për ata mijëra qytetarë që kanë përjetuar mort në familjet e tyre vetëm nga një urdhër që ish-ministri i fundit i Sigurimit ka dhënë për vrasjet e njerëzve të tyre të dashur.

Llalla: Njerëzit vijnë në prokurori sepse s’kanë besim tek policia

-Zoti Llalla, para se të ndalemi tek çështja e Reformës në Drejtësi, gjatë këtyre ditëve që ju keni qenë këtu në Uashington, ka patur në Shqipëri shumë spekulime lidhur me qëndrimin tuaj në Amerikë gjatë këtyre ditëve. U tha, duke iu referuar burimeve nga Prokuroria, se do të takoheshit me zyrtarë të FBI-së dhe të DEA-s. Një njoftim që u përgënjeshtrua shumë shpejt nga zyrtarë amerikanë. A mund të na sqaroni se cili është qëllimi i këtij qëndrimi këto ditë këtu në Uashington?
Këto ditë ndodhem në Uashington për të marrë pjesë në një konferencë ndërkombëtare, për marrëdhëniet ndërkombëtare në fushën penale. Është një temë e rëndësishme për të cilën Shqipëria, institucionet shqiptare vlerësojnë se është tepër e domosdoshme forcimi i marrëdhënieve me institucionet e tjera homologe ndërkombëtare për të cilën ne kemi punuar prej disa vitesh dhe me mjaft prej këtyre shteteve kemi arritur të kemi marrëdhënie shumë të mira bilaterale, shumë marrëveshje të ndryshme janë ratifikuar ose priten për t’u ndryshuar për të risjellë risitë e reja mbas ndryshimeve të legjislacionit shqiptar mbas viteve 1990, një ndër të cilat është edhe marrëveshja e ekstradimit që ka qenë me Shtetet e Bashkuara të Amerikës e nënshkruar që më 1 mars të vitit 1993, marrëveshje për të cilën po punohet për t’u riparë për shkak të ndryshimeve që ka pësuar ligji shqiptar. Lidhur me njoftimin që përmendët, të bërë nga zyra e prokurorit të Përgjithshëm, mendoj se ky është një spekulim pasi nuk mendoj se ka dalë nga zyra ime ky informacion se unë këtu kam qenë i ftuar për të vizituar FBI-në apo DEA-n.

– Është një takim vjetor i kësaj shoqate, konferencë prestigjioze, në të marrin pjesë me mijëra vetë. Konferenca është me pagesë. Dua t’u pyes për të qenë transparent deri në fund me publikun – pjesëmarrja juaj atje është si Adriatik Llalla person juridik privat, duke qenë prokuror, jurist apo është si Adriatik Llalla si kryeprokuror i Shqipërisë që shkon në këtë konferencë dhe e lidhur me këtë pyetje është kush i përballon kostot financiare të pjesëmarrjes suaj, shteti apo ju vetë?
Unë jam anëtar i kësaj shoqate dhe normalisht siç e përmendët dhe ju krahas ardhjes personalisht paguhet edhe një tarifë përkatëse që shkon rreth 500 dollarë për të qenë i pranishëm në këtë aktivitet.

– Një tjetër element që lidhej në Shqipëri me vizitën tuaj këtej ka qenë ajo e prokurorit të Durrësit. U tha në shtypin shqiptar që ai nuk arriti të merrte dot vizën për të ardhur në Shtetet e Bashkuara dhe dua t’i referohem përsëri njoftimit që u dha nga zyrtarët amerikanë në Shqipëri se mohimi i vizave për zyrtarët e korruptuar përfshin edhe Prokurorinë dhe është një proces që po vazhdon. Si është historia e këtij zyrtari të lartë shqiptar që nuk arriti të merrte vizën për të ardhur këtu?
Është një çështje për të cilën vlerësoj se duhet t’i përgjigjem. Rasti konkret, prokurori i Durrësit ishte parashikuar të ishte pjesë e delegacionit tim sot këtu në Uashington, viza për të cilin nuk u dha në kohën e duhur nga ambasada amerikane ose më pas u dha dhe u kancelua për shkaqe tashmë të bëra publike. Fillimisht ambasada njoftoi se nuk e ka dhënë vizën për shkak se dokumentacioni nuk ka qenë i plotë dhe njëherazi duke u shprehur se rasti konkret nuk ishte besimi i plotë se prokurori do të kthehej sërish në Shqipëri. Ky është njoftimi që ambasada i ka përcjellë personalisht prokurorit.

– E qartë. A përbën një lëvizje e tillë për një zyrtar kaq të lartë të sistemit të drejtësisë në Shqipëri, prokurori i një rrethi si Durrësi që është një nga rrethet më të mëdhatë në Shqipëri, a përbën kjo shqetësim për ju e futur në kontekstin e komenteve të mëparshme që ka bërë ambasada amerikane lidhur me pengesat, vështirësitë që mund t’u krijojë zyrtarëve shqiptarë që mund të ketë dyshime se janë të lidhur me korrupsion? Pra, a përbën kjo një lloj indikacioni për ju që mund të thelloni ndonjë hetim apo mund ta shqyrtoni këtë rast më në thellësi sesa ta lini thjesht si një qytetar i zakonshëm që shkon në ambasadë nuk merr dot vizën dhe kthehet i pakënaqur në shtëpi?
Nëse do të kishim informacione më të plota për arsyet normalisht do ta shihnim siç kemi parë me dhjetëra raste të tjera që kemi pasur dhe verifikuar. Dua të theksoj faktin se, Prokuroria ka qenë institucioni, i cili është angazhuar maksimalisht për të pastruar radhët e veta nga elementët problematikë shkelës të ligjit. Vetëm pak muaj më parë dhe brenda një periudhe të shkurtër kohore, ne kishim filluar hetimet dhe arritëm në arrestimet e dy prokurorëve, pjesë e trupës sonë të Prokurorisë shqiptare që tashmë janë në proces të gjykimeve në Shqipëri, të akuzuar për veprën penale të korrupsionit dhe për vepra të tjera për të cilët ata ishin implikuar. Me këtë dua të them që institucioni ynë është plotësisht i angazhuar me të gjitha format për të hetuar së pari radhët tona e më pas këdo tjetër që shkel ligjin.

– A ka pasur raste të tjera prokurorësh që u është mohuar viza nga ambasada?
Në dijeninë time, jo.

– Zoti Llalla, Reforma në Drejtësi, siç e përmendëm është ndër reformat më të thella që po zhvillohet sot në Shqipëri. Cili është qëndrimi juaj për këtë reformë? A besoni se ajo do të miratohet së shpejti? Dhe e dyta, a do të jetë në gjendje të funksionojë?
Prokuroria shqiptare, që nga momenti kur është anonçuar projekti për reformën e re të sistemit të drejtësisë, i iniciuar nga Presidenti i Republikës, që në tetorin e vitit 2014, ka qenë pjesë e tryezës së kësaj reforme, të kësaj tryeze të parë të rrumbullakët, ku edhe ne kemi mbështetur inicimin e një reforme të re të sistemit të drejtësisë, pasi vlerësuam se sistemi i drejtësisë në vend ka nevojë për përmirësim. Natyrisht, ne kemi marrë pjesë edhe në vijim të diskutimeve të mëtejshme të grupeve të punës, kemi atashuar ekspertët tanë pranë grupit të ekspertëve që merren me procesin e Reformës në Drejtësi; tashmë, pasi është arritur një konkluzion përfundimtar, mendimet e grupit të ekspertëve shqiptarë u çuan për vlerësim nga Komisioni i Venecias, të cilët kanë sjellë edhe…

– Ju vetë jeni dakord me këtë variant përfundimtar që po diskutohet, që është ende i pamiratuar, por të paktën keni marrë një opinion nga ekspertët e Venecias. Për ju personalisht, pa dyshim, por edhe si prokuror i Përgjithshëm a jeni dakord me këtë lloj forme që do të bëhet organi i Prokurorisë në të ardhmen? Keni vërejtje për të? E mbështesni plotësisht atë apo jo?
Unë kam pasur sugjerimet e mia, kam pasur vërejtjet e mia lidhur me këtë draft të paraqitur. Mendimet e mia ua kam paraqitur institucioneve përkatëse, grupit të ekspertëve, i kam bërë publike. Vlerësoj se është tepër e rëndësishme që të gjitha palët të paraqesin mendimet e tyre. Është më pas e drejta e ligjvënësit për të vlerësuar se cili mendim është i drejtë ose jo.

– Le të ndalemi për pak çaste tek Prokuroria e Përgjithshme. Ditët e fundit, kohët e fundit ju keni bërë një sërë lëvizjesh të mëdha, por unë do të ndalem vetëm tek njëra prej tyre, e kam fjalën për emërimin e fundit të drejtuesit të forcës antikorrupsion, në Prokurorinë e Krimeve të Rënda, të Arenc Çelës. Ka pasur kritika, vërejtje, mendime të ndryshme, debate në shtypin shqiptar, se një i afërm i tij është dënuar me një organizatë kriminale, por – më e rëndësishme – që ai nuk ka qenë ndonjëherë i angazhuar në struktura të tilla të posaçme. Cili është mendimi juaj? Pa dyshim ju e mbështesni se e emëruat vetë aty. Por, përse duhet vënë në një strukturë të tillë që është Thembra e Akilit kur nuk funksionon sistemi i drejtësisë në Shqipëri, pra lufta kundër korrupsionit, një person që ndoshta nuk e ka atë përvojë të duhur për të drejtuar një grup të tillë special?
Prokurori përkatës vjen nga një përvojë disa vjeçare pune në rrethe të ndryshme ku ka qenë drejtues prej disa vitesh në Prokurorinë e Beratit, më pas në Prokurorinë e Lushnjës, është vlerësuar që të vinte prej meje dhe prej stafit tim që ai të drejtonte strukturën përkatëse antikorrupsion në Prokurorinë e Krimeve të Rënda. Mendoj se zgjedhja ka qenë e drejtë, ai është një prokuror me përvojë që vjen nga Shkolla e Magjistraturës, ka cilësitë e duhura si morale, etiko-morale, ashtu edhe profesionale për të drejtuar një strukturë të tillë. Lidhur me aludimet e tjera, që bëhen lidhur me të afërmit e tij, kjo mendoj se është një temë që nuk i takon të diskutohet, aq më tepër në një shtet, aty ku flasim sot, ku nuk mund të diskutosh për biografinë, të afërmit, e të tjera me radhë. Përgjegjësia është individuale.

– Korrupsioni, siç e thamë, ka qenë një fenomen mjaft i përhapur në Shqipëri. A ndjeni ju, si prokuror, si drejtues i organit të Prokurorisë, përgjegjësi për këtë gjendje në të cilën është vendi sot?
Korrupsioni është një problem shqetësues në vendin tonë, tashmë ky është një fakt i njohur prej të gjithëve. Prokuroria, mendoj se ka përmbushur në mënyrë korrekte detyrën e saj, ka filluar hetimet në mjaft raste, ka vënë përpara përgjegjësisë zyrtarë të niveleve të ndryshme, duke filluar nga zyrtarë lokalë, kryetarë bashkish, gjyqtarë, prokurorë deri tek një ish-ministër, i cili u arrestua pak ditë më parë. Nuk them se kjo është mënyra më e mirë që është përdorur, se janë arritur rezultatet më të mira të mundshme, gjithsesi mendoj se ne e kemi bërë punën në mënyrë korrekte brenda kapaciteteve dhe mundësive tona institucionale. Është tepër e rëndësishme që të forcohet më tej bashkëpunimi me strukturat e tjera ligjzbatuese në Shqipëri, të cilat kanë për detyrim verifikimin paraprak të këtyre të dhënave, grumbullimin e informacioneve dhe vënien e tyre në dispozicion të Prokurorisë. Në Prokurorinë shqiptare, në realitetin shqiptar tashmë ndodhemi përpara një fakti të veçantë. Nga mungesa e besimit të mjaft strukturave të tjera ligjzbatuese, qytetarët shqiptarë kanë një tendencë që të gjitha kallëzimet e tyre t’i paraqesin menjëherë në institucionin e Prokurorisë, kallëzime të cilat nuk bashkëlidhen të gjitha materialet e duhura proceduriale që parashikohen në Kodin e Procedurës Penale, por vjen çdo shqetësim i tyre drejtpërdrejt në organin e Prokurorisë duke e ngarkuar institucionin tonë me një punë, e cila është pothuajse e papërballueshme për trupin e prokurorëve, të oficerëve të Policisë Gjyqësore. Normalisht këto kallëzime duhet të paraqiten paraprakisht në institucionet e tjera ligjzbatuese si në Policinë e Shtetit apo tatimet, doganat, çdo institucion tjetër, i cili ka në kompetencë edhe Policinë Gjyqësore.

– Megjithatë, për disa raste madhore, besoj Prokuroria është ajo që duhet të jetë më e angazhuar dhe po marr si shembull një moment të vogël, kur foli ambasadori amerikan, Donald Lu në një takim të prokurorëve, në mos gaboj apo të gjyqtarëve, ku përmendi simbolikisht orët e shtrenjta. Pyetja ime është kjo: përse t’i bjerë në sy një ambasadori të huaj mënyra e jetesës jo e bazuar në të ardhurat e politikanëve apo zyrtarëve shqiptarë dhe nuk i bie në sy më shpejt Prokurorisë dhe të jetë Prokuroria më agresive në ndjekjen e rasteve të kësaj natyre?
Në Shqipëri, tashmë është e njohur nga të gjithë, ka një institucion të posaçëm të njohur që merret me verifikimin e pasurive të zyrtarëve të kësaj kategorie, pra të zyrtarëve të lartë, të zgjedhurve vendorë e të tjerë. Për të tillla raste është një institucion i posaçëm shtetëror të verifikon vërtetësinë e deklarimit të pasurisë, burimin e kësaj pasurie, nëse është e ligjshme apo e kundraligjshme. Nëse një zyrtar i caktuar disponon një pasuri të caktuar, kjo nuk do të thotë se ai është një kriminel apo shkelës i ligjit. Pasuria mund të fitohet në forma të ndryshme: të trashëgimisë, biznesit e të tjera me radhë. Nuk jam këtu për të mbrojtur një zyrtar të caktuar, por edhe të akuzohet dikush se ka një orë të një përmase apo unazë të kësaj natyre, mendoj se nuk është mënyra e duhur.

– Kjo është thënë në formë simbolike, për të treguar që të ardhurat nuk e justifikojnë atë stil jetese…
Ka institucione të posaçme, të cilat merren me verifikimin e pasurive të këtyre zyrtarëve. Të gjitha rastet kur ne mund të verifikojmë, kemi filluar hetime zyrtarisht, në ato raste kur është konkluduar se zyrtari nuk e ka të justifikuar pasurinë, është shkuar më tej drejt marrjes së masave përkatëse ligjore.

– Dy raste mjaft të bujshme në Shqipëri, që janë nën hetim e sipër: bankieri Santo dhe “Albpetroli”: ku janë hetimet me rastin e bankierit? A ka ndonjë përparim, a dihet motivi, a dihet diçka?
Rasti i bankierit Santo është një çështje, e cila vijon të jetë pa autor, hetimet vazhdojnë të jenë duke u kryer.

– A ka përparim?
Në këtë fazë që jemi, besoj se prononcimi më i saktë do të jetë ky, pasi hetimet janë duke vazhduar…

– Në rastin e “Albpetrolit”, ka disa vite që dështoi privatizimi dhe firma që do ta privatizonte do të depozitonte 85 milionë dollarë në një bankë amerikane. Madje mbaj mend që një zyrtar shqiptar në atë kohë ngriti fletën e dokumentit, duke thënë se “kjo është depozita që ka bërë firma X”. Këto ishin pare që do të ktheheshin në fund në buxhetin e shtetit, nëse privatizimi do të dështonte, siç dështoi. Ju kam pyetur edhe përpara për këtë çështje dhe përgjigjja juaj ishte se hetimet janë duke vazhduar. Ç’po bëhet me këtë rast, me “Albpetrolin”?
Në këtë rast është një çështje, kur ndërthuret natyra penale me atë civile, një çështje që vijon të jetë temë e diskutimeve në Shqipëri, ku po merren të gjitha institucione ligjzbatuese dhe kontrolluese në rastin konkret, të këtyre marrëveshjeve; që zakonisht marrëveshjet nënshkruhen mes institucioneve përkatëse të qeverisë shqiptare…

– Pra, ku po çalon, tek mosbashkëpunimi i institucioneve shqiptare apo …
Ekziston edhe kjo pengesë, në mbledhjen e informacioneve, të ekspertizës përkatëse…

–  A dyshoni se ka qëllim që po pengohet procesi?
Atë do ta përcaktojë përfundimi i hetimeve.

– Një rast tjetër i Prokurorisë, për të cilin hetimet kanë përfunduar, e kam fjalën për ish-guvernatorin Fullani. Prokuroria kërkoi dy herë 5 vjet heqje lirie, në mos gaboj dhe për të dy herët, në dy shkallët e ndryshme të gjykatave, ajo u hodh poshtë. Përse nuk e çuat ju çështjen në Gjykatën e Lartë?
Në Gjykatën e Lartë shkohet në rastet kur konstatohen shkelje proceduriale të Gjykatës së Apelit apo të Gjykatës së Shkallës së Parë. Në rastin konkret është vlerësuar se nuk ka patur shkelje proceduriale. Gjykata e ka vlerësuar dhe ka vendosur në atë formë për rastin konkret, megjithëse mendimi ynë ka qenë gjithmonë se ky zyrtar ka qenë në shkelje të ligjit. Ne i kemi qëndruar deri në fund qëndrimit tonë, pavarësisht vendimit të gjykatës, tani ne nuk kemi mundësi për ta ndryshuar.
Marrë nga VOA

Afera Rama, 9 milionë e gjysmë dollarë për 950 metra rrugë

Një aferë skandaloze zbulon mekanizmin se si Edi Rama dhe qeveria e tij ndajnë paratë e shqiptarëve me miqtë e tyre. Mbi 9 milionë e gjysmë dollarë ose 9 miliardë e 720 milionë lekë i ka dhënë Edi Rama një firme ndërtuese për të bërë më pak se një kilometër, saktësisht 950 metra rrugë në Lin të Pogradecit. Kontrata në fjalë është lidhur në datën 2 shkurt të këtij viti dhe kompania që do të ndërtojë rrugën ka fituar tenderin pa asnjë garë, ndërkohë që nuk ka asnjë mbikëqyrës punimesh.
Kjo megaferë u denoncua dje nga Partia Demokratike, përmes sekretares së Marrëdhënieve me Publikun, Grida Duma. Në një deklaratë për mediat, Duma publikoi dje kontratën e shpallur nga Autoriteti Rrugor Shqiptar, sipas të cilës kompanisë “PE-VLA-KU” i është dhënë shuma prej 9.5 milionë dollarësh për segmentin rrugor Qafë Thanë-Lin-Progradec. Shërbimi prej 9.5 milionë eurosh është për asfaltimin e segmentit në fjalë, për një gjatësi qesharake prej vetëm 950 metrash.
“Nuk është një shaka e 1 prillit, por kjo është në praktikë marrëveshja e 1 prillit. Një shifër rekord abuzimi dhe korrupsioni. Përveç kësaj, ky tender ka dhe paligjshmëri të tjera, si fakti që mungon mbikëqyrësi i këtyre punimeve. Një kërkesë kjo e ligjit dhe ende nuk ka një mbikëqyrës të shpallur zyrtarisht nga autoriteti rrugor, të dhëna këto që mungojnë edhe në tabelën e objektit, siç mund ta dalloni edhe në foton në ekran. Qeveria me kontratën e lidhur më 2 shkurt ka favorizuar firmën ‘PE-VLA-KU’, pasi siç shihet qartë nga dokumentacioni, ky ndërtues ka marrë 99 për qind të fondit limit. Është e dukshme se nuk ka pasur garë. 9 milionë e gjysmë dollarë për 950 metra rrugë kanë shkuar drejt e tek miku i qeverisë”, u shpreh Duma në fjalën e saj.
“Cila është pjesa e Edi Ramës në këtë aferë, i cili jo më kot cilësohet edhe nga mediat ndërkombëtare si politikani më i pasur në Europë? Kjo është pra, oligarkia në veprim, ku 9 milionë e gjysmë dollarë jepen pa garë, me fitues të përcaktuar, për vetëm 950 metra rrugë. Ky është korrupsioni galopant dhe alarmant i Edi Ramës me paratë e shqiptarëve. Kjo është hajdutëria e al-kaponeve në pushtet”.

Vjedhjet me tendera

Vjedhjet përmes tenderave e koncesioneve janë shndërruar në rrugën më të shpejtë të pushtetit për të zhvatur fondfet publike. vjedhjet janë të shtrira në të gjithë sektorë, ku kryeson shëndetësia, arsimi, rrugët e gjithçka tjetër.  Janë me qindra miliona euro abuzime e vjedhje të pushtetit gjatë këtyre viteve vetëm përmes tenderave e koncensioneve. Në vetëm një vit, nga shkeljet e zbardhura nga Kontrolli i Lartë i Shtetit janë vjedhur plot 777 milionë euro ndërkohë që po në një vit institucionet qeveritare kanë abuzuar me 399 tendera. Rreth 31.2% e tenderëve të fondeve publike zhvillohen pa njoftim paraprak. Ndërkohë abuzimi vijon.

Arben Shahini

Skandali, si shpërndahen për miqtë e klientelën licencat e noterit

Pas një të dënuari për korrupsion, të cilit i është dhënë licenca e noterit, këtë herë është shefi i kabinetit të ministrit Ylli Manjani, Enton Lita, i cili ia ka dhënë edhe bashkëshortes së tij licencën e noteres. Në listën e publikuar është emri i Violeta Litajt, e cila është bashkëshortja e shefit të kabinetit të Ylli Manjanit. Lista e personave që kishin konkurruar për provimin e noterisë është bërë publike nga vetë ministria, ku mes tyre është edhe emri i Muli Mallkuçit, shkruan “Citynews”. Ai ka marrë 86 pikë dhe është renditur në vendin e 23. Mallkuçi është arrestuar nga policia në datën 14 shtator 2007, për veprën penale të “Korrupsionit pasiv të personit që ushtron funksione publike”, kryer në bashkëpunim parashikuar nga neni 259 i Kodit Penal.

Licencën e noterit e merr edhe një person i dënuar për korrupsion

“Citynews” ka mundur të zbardhë listën e personave, të cilët kanë konkurruar në provimin e noterisë pranë Ministrisë së Drejtësisë. Sipas listës së bërë publike nga ky institucion kanë marrë pjesë në këtë provim rreth 82 kandidatë dhe janë shpallur 32 persona, të cilët rezultojnë se kanë grumbulluar nga 95 deri në 80 pikë. Lista e shpallur me rezultatet e provimit të noterisë rezulton të ketë me 86 pikë, në vendin e 23-të Muli (Flamur) Mallkuçi. Ky person rezulton të jetë i arrestuar nga policia në datën 14 shtator 2007, për veprën penale të “Korrupsionit pasiv të personit që ushtron funksione publike”, kryer në bashkëpunim parashikuar nga neni 259 i Kodit Penal. Dënimi përfundimtar është me vendimin e datës 9 janar 2013 të Kolegjit Penal të Gjykatës së Lartë të Shqipërisë i përbërë nga Gani Dizdari kryesues, Besnik Imeraj anëtar, Fatos Lulo anëtar, Artan Zeneli anëtar, Shkëlzen Selimi anëtar. Vendimi i Gjykatës të Lartë ka lënë në fuqi vendimin nr. 147 të datës 3.3 2009 të Gjykatës të Apelit Tiranë. Muli (Flamur) Mallkuçi me vendimin e Apelit, i cili është lënë në fuqi nga Gjykata e Lartë është dënuar me 2 vjet e 6 muaj burgim dhe 1 milion e 500 mijë lekë gjobë.

Vendimi i gjykatës

“Deklarimin fajtor të të pandehurit Muli Mallkuçi për veprën penale të ‘Korrupsionit pasiv të personit që ushtron funksione publike’ kryer në bashkëpunim parashikuar nga neni 259 e 25 i Kodit Penal dhe dënimin e tij me 2 (dy) vjet, me 6 (gjashtë) muaj burgim dhe 1.500.000 (një milion e pesëqind mijë) lekë gjobë.
Në aplikim të nenit 406 të Kodit të Procedurës Penale, të pandehurit Muli Mallkuçi i ulet 1/3 e dënimit, duke u dënuar përfundimisht me 1 (një) vit e 8 (tetë) muaj burgim dhe 1.000.000 (një milion) lekë gjobë.
Vuajtja e dënimit për të pandehurin Muli Mallkuçi fillon nga dita e arrestimit të tij datë 14.09.2007.
Shlyerja e gjobës nga i pandehuri Muli Mallkuçi të kryhet brenda një viti duke filluar nga dita e marrjes së vendimit formë të prerë.
Në zbatim të nenit 35 të Kodit Penal urdhërohet për të pandehurin Muli Mallkuçi ‘Heqja e së drejtës për të ushtruar funksione publike’ për një kohë prej 5 (pesë) vjetësh”.
Ministria e Drejtësisë i ka dhënë licencë noteri në një konkurs të përfolur në qarqet mediatike dhe politike, ku pazari i një licence përflitet se e ka vlerën mbi 100 mijë euro.
Është ky institucion që ndoshta përflitet edhe “padrejtësisht”, por i jep licencë një personi të dënuar për korrupsion me vendim të Gjykatës së Lartë.
Vetëm pak javë më parë, Parlamenti ka miratuar ligjin për dekriminalizimin, i cili ndalon personat e dënuar të ushtrojnë funksione publike deri në 20 vite.
Një specialist i thjeshtë i administratës, në rast se dënohet qoftë me një ditë të vetme burg, me ligjin për dekriminalizimin ai ndalohet 20 vjet të ushtrojë detyrën. Ky është një nëpunës i thjeshtë civil, ndërkohë një ish-drejtor i arrestuar për korrupsion, i cili ka përfituar 1/3 ulje dënimi dhe nga 2.6 vite burg është dënuar me 1 vit e 8 muaj shkon në konkursin e Ministrisë së Drejtësisë dhe bëhet noter.
Skandali i Ministrisë së Drejtësisë me licencat e noterëve nuk duket të jenë thjesht fjalë dhe thashetheme.
Licencimi i Muli Mallkuçit nga Ministria e Drejtësisë është një akuzë e fortë për korrupsion dhe lincencim i personave me precedentë të rëndë penalë, siç është korrupsioni.

Citynews

Strazimiri: Kurrë s’kam pranuar dhuarata, arma e armaturës së shtetit

Deputeti i PD, Gent Strazimiri, duke folur gjate nje seance parlamentare, ku eshte debatuar mes maxhorances dhe opozites ne lidhje me projktligjin e armeve.

Deputeti demokrat, Gent Strazimiri hodhi poshtë dje shpifjet e fabrikuara nga zyra e Ramës në lidhje me çështjen e një arme që atij i është dhuruar nga një shtetas shqiptar. Përmes një reagimi për mediat, Strazimiri ka bërë të ditur pavërtetësinë e këtij lajmi, ndërsa ka sqaruar se asnjëherë nuk ka pranuar asnjë dhuratë nga askush. “Veç këtyre më poshtë, me rastin e 1 prillit unë personalisht kam marrë një “urim” të dedikuar nga çeta në pushtet! Pas dështimit të variantit “bomba e ambasadës sovjetike”, shokët e Sigurimit kanë montuar variantin “armë në altarin e kishës”… Gjithsesi më duhet të falënderoj shokët e Sigurimit dhe çetën sipas mënyrës time: KURRË në jetën time politike nuk kam pranuar dhuratë as të lirë e as të shtrenjtë, të çfarëdo lloji qoftë, nga askush! Në rastin konkret e vërteta del fare thjesht: njerëz pa pasaportë edhe gjen. Armë pa “pasaportë” jo. Madje arma pajiset me “pasaportë” ende pa dalë nga fabrika dhe quhet “enduser certificate”. Cilido që ka mbajtur, transportuar apo dhuruar një armë, duhet të paraqesë “enduser certificate” përndryshe teknikisht ka kryer veprën penale të “trafikimit të armëve”.  Nëse arma pa “enduser certificate” ka ardhur nga jashtë Shqipërisë, klasifikohet në “trafik ndërkombëtar të armëve”. Pra cilido që kërkon të vërtetën, veçanërisht media, e nxis që të kërkojë nga cilido burim zyrtar ose jo, këtë dokument që nuk lejon askënd të gënjejë apo të fshihet! Personalisht kam pranuar armë vetëm nga armaturat zyrtare të shtetit shqiptar, në bazë të të gjithë legjislacionit në fuqi. “Griseldi” i çetës këtë e di mirë, madje ka edhe të gjithë dokumentacionin e nevojshëm për ta provuar. Në lidhje me sa më sipër, do të ndërmarr të gjitha hapat ligjore, për të çuar para drejtësisë cilindo që deri në këto momente ka prodhuar, montuar mbajtur e shpërndarë skenare të çfarëdo lloji me qëllim dezinformimin e opinionit publik dhe denigrimin e personit tim” tha Strazimiri.