12.5 C
Tirana
E hënë, 12 Maj, 2025

Zhvatje me 574 milionë në Spitalin e Vlorës

Partia Demokratike denoncoi dje aferën e radhës me tenderat e shëndetësisë, fenomen që tashmë është përhapur në të gjitha qarqet e vendit. Bëhet fjalë për Spitalin rajonal të Vlorës, ku drejtuesja e këtij institucioni, njeri pranë Koço Kokëdhimës firmos për dhënien e tenderave qindra milionësh firmave klienteliste pranë saj. Përmes një deklarate për shtyp, deputetja demokrate Arbiola Halimi ka denoncuar se drejtuesja e Spitalit rajonal të Vlorës ka dhënë në një rast 226 milionë lekë firmës kliente të saj, me prokurim të drejtpërdrejtë për blerje ilaçesh, në kushtet kur nuk kishte asnjë lloj emergjence.
“Metodat Beqaj të korrupsionit në shëndetësi janë transplantuar edhe në rrethe.  Spitali rajonal i Vlorës ka arritur rekorde hajdutërie, në tendera e ndarje fondesh. Ka dhjetëra procedura me prokurim të drejtpërdrejtë, pa garë, me fitues të paracaktuar.
Titullarja e këtij institucioni, pas të cilës qëndron Kokëdhima, i ka dhënë në një rast 226 milionë lekë firmës kliente të saj, me prokurim të drejtpërdrejtë për blerje ilaçesh, në kushtet kur nuk kishte asnjë lloj emergjence pasi në magazinë gjendeshin medikamente të mjaftueshme”, u shpreh deputetja Halimi.
Gjithashtu ajo solli një tjetër rast klientelist, ku nga Spitali Psikiatrik i Vlorës i është akorduar një tender klientelist qindra milionësh një kompanie me ofertën më të lartë.
“Në një rast tjetër, janë dhënë 348 milionë lekë sërish me prokurim të drejtpërdrejtë, një kompanie për blerje ilaçesh, në shkelje të ligjit duke mos vendosur kriterin e detyrueshëm që është vërtetimi nga Qendra Kombëtare e Kontrollit të Barnave. Por kulmi i është tenderi i pastrimit të Spitalit Psikiatrik, ku janë përjashtuar të gjitha firmat që kanë ofruar më pak dhe paratë i janë dhënë kompanisë ‘SORI-AL’, që ka bërë dhe ofertën më të lartë.
Keni këtu dokumentet që vërtetojnë këtë aferë. Kjo pra, është shëndetësia e Edi Ramës, ku ai vetë i pari, me Beqajn e Koçon e gjithë zinxhirin e tyre, janë sulur në këtë grykësi, kush të kapë më shumë miliona. Milionat e ndarja e tyre me miqtë janë prioriteti i Ramës dhe jo shëndetësia e shërbimi ndaj qytetarëve”.
Sektori i shëndetësisë është një nga sektorët ku paratë publike zhvaten në masivitet. Është Kontrolli i Lartë i Shtetit ai që ka evidentuar shumë shkelje në sektorin e shëndetësisë, teksa abuzimet nisin që me tenderat e deri te emërimet në detyrë. Në raportin e KLSH për auditimin e zhvilluar në Fondin e Sigurimit të Kujdesit të Detyrueshëm Shëndetësor, raport i dërguar në Prokurori, janë evidentuar një sërë abuzimesh.
Madje shumë shkelje janë gjetur dhe nga vetë Drejtoria e Brendshme e Auditit. KLSH ka konstatuar probleme sa i takon zhvillimit të tenderave dhe sidomos përcaktimit të fondit limit. Në raport thuhet se fondi limit përcaktohej duke mbledhur ofertat e operatorëve dhe jo duke parë vlerën reale të tregut.
“Llogaritjet e fondeve limit për tenderat, që fondet janë përdorur duke studiuar tregun, janë bërë duke bashkëlidhur ofertat e operatorëve ekonomikë të ndryshëm dhe duke fiksuar vlerën më të vogël, megjithëse vlerat janë afërsisht të afërta me njëra-tjetrën.
Theksojmë se vlerat e dhëna me shkrim nga disa operatorë ekonomikë duke u shkruar dhe vulosur janë rreth 30% më të larta sesa vlera e ofertave ekonomike kur janë paraqitur në konkurrim brenda një afati fare të shkurtër 20-30 ditë. Kjo tregon për një punë të pakujdesshme e të papërgjegjshme për të dhënat që japin në treg këto ofertues në momentet e llogaritjeve të fondeve limit, prandaj studimi i tregut të bëhet vetëm në linjën e interneteve”, theksohet në raportin e KLSH. Po ashtu, ai ka evidentuar dhe plot 11 tendera me probleme dhe mangësi nga më të ndryshmet, që sipas KLSH, në disa raste duhej të anuloheshin.

Arben Shahini

Durrës-Kukës, koncesion 60 miliardë lekë për mirëmbajtjen

Qeveria ka rihapur garën për dhënien me koncesion të autostradës Durrës-Morinë. Vetëm pak kohë më parë Ministria e Transporteve lajmëroi se tenderi i hapur vitin e kaluar për koncesionin kishte dështuar, ndërsa këto ditë gara është hapur rishtaz. Qeveria e Shqipërisë, nëpërmjet Ministrisë së Transportit dhe Infrastrukturës (“MTI”), njoftoi se ka për qëllim të japë një koncesion/PPP për ndërtimin, operimin, mirëmbajtjen dhe rehabilitimin e autostradës Milot–Morinë. Autostrada është pjesë e rrjetit të rrugëve kombëtare dhe përbën projektin më të madh inxhinierik rrugor të ndërtuar në historinë e Shqipërisë. Sipas specifikimeve të Ministrisë së Transporteve në Agjencinë e Prokurimeve Publike vlera e kontratës rezulton 6.020.000.000 miliardë lekë. Duke lidhur Milotin, rreth 60 km në verilindje të Portit të Durrësit në detin Adriatik, me Morinën në kufirin e Kosovës, rruga formon seksionin qendror të autostradës Kosovë-Shqipëri, që lidh Durrësin me Prishtinën. Objektivi kryesor i këtij koncesioni/PPP për punë dhe shërbime është përmirësimi i autostradës, funksionimi dhe mirëmbajtja efektive e saj. Koncesionari i ardhshëm do të ndërtojë, përmirësojë, operojë dhe mirëmbajë autostradën në bazë të një sërë standardesh të paracaktuara të performancës gjatë koncesionit/PPP 30-vjeçar. Koncesionari i ardhshëm do të mbledhë dhe mbajë të ardhurat nga taksat dhe në këmbim do të ketë përgjegjësinë për të zbatuar dhe financuar përmirësimet e autostradës, të ndërtojë një urë të re mbi lumin Drin në Kukës dhe të zbatojë punimet më urgjente gjeoteknike të stabilizimit. Kohëzgjatja e kontratës do të jetë 30 vite dhe është e vlefshme për mirëmbajtjen nga Miloti, rreth 60 km në verilindje të Portit të Durrësit në detin Adriatik, deri në Morinë, në kufirin me Kosovën. Objektivi kryesor i këtij koncesioni/PPP për punë dhe shërbime është përmirësimi i autostradës, funksionimi dhe mirëmbajtja efektive e saj. Koncesionari i ardhshëm do të ndërtojë, përmirësojë, operojë dhe mirëmbajë autostradën në bazë të një sërë standardesh të paracaktuara të performancës gjatë koncesionit/PPP 30-vjeçar. Koncesionari i ardhshëm do të mbledhë dhe mbajë të ardhurat nga taksa dhe në këmbim do të ketë përgjegjësinë për të zbatuar dhe financuar përmirësimet e autostradës, të ndërtojë një urë të re mbi lumin Drin në Kukës dhe të zbatojë punimet më urgjente gjeoteknike të stabilizimit.
Kriteret e parakualifikimit kanë të bëjnë me:
– Përvojën e përgjithshme;
– Përvojën me operimin e rrugëve me pagesë;
– Përvojën me mirëmbajtjen e autostradave dhe urave;
– Përvojën me mirëmbajtjen dhe operimin e tuneleve;
– Përvojën në ndërtimin e autostradave;
– Kritere financiare që do të vlerësohen në aspektin e vlerës neto.
Në kohën e dorëzimit të ofertës, ofertuesve të mundshëm do t’i kërkohet të dorëzojnë sigurimin e ofertës në shumën prej 250,000 eurosh. Procedura e tenderit do të jetë e hapur. Kriteret e përzgjedhjes së fituesit do të bazohen në ofertën më të mirë bazuar në subvencionimin më të ulët të kërkuar dhe afati kohor përfundimtar për dorëzimin e kërkesës për kualifikim do të jetë më 25 prill, ora 15:00 bëjnë me dije burimet në Ministrinë e Transportit. Rreth 1 miliard euro është fatura e vjedhjes së Ramës, ministrave, deputetëve e fëmijëve të tyre nga koncesionet. Janë 11 koncesione që përfshijnë sektorë të ndryshëm, duke nisur nga doganat, tatimet, shëndetësia, transporti, hekurudhat e deri së fundmi tek mbledhja e të ardhurave apo vendosja e targave të reja me çip. Të gjitha koncesionet përveç shumave marramendëse prej qindra miliona euro kanë një tjetër të përbashkët, ato i janë dhënë klientëve apo njerëzve pranë Ramës dhe qeverisë. Brenda një harku kohor prej dy vitesh, qeveria ka dhënë me koncesion një numër të konsiderueshëm shërbimesh kundrejt shifrave marramendëse, fitimi i të cilave shkon jo për shtetin, por për klientelën e më pas ndahen mes tyre. Pas çdo koncesioni të dhënë fshihet një mik, ortak apo edhe vetë vëllai i Kryeministrit Rama.  Të gjithë koncesionarët e kontraktuar nga qeveria Rama nuk do të kryejnë asnjë investim publik, por do të përdorin paratë publike për të “ofruar” shërbime që në të shumtën e rasteve janë të panevojshme ose në të kundërt janë shërbime që edhe pas dhënies së tyre me koncesion vijojnë të ofrohen nga institucionet shtetërore, ndërsa koncesionari thjesht merr paratë për t’i ndarë sipas pazareve të bëra me Ramën e ministrat e tij.

Veliaj, të tjera fatura shtesë për qytetarët e Tiranës

Të gjithë konsumatorët familjarë që janë debitorë ndaj ndërmarrjes së Ujësjellës-Kanalizimeve Tiranë kanë mundësi të shlyejnë detyrimet e prapambetura duke paguar një tarifë fikse mbi faturën mujore të ujit të pijshëm. Për t’i ardhur në ndihmë familjeve debitore dhe për të lehtësuar barrën e pagesave të pakryera për faturën e ujit të pijshëm, UKT lajmëron se ka hyrë në fuqi akt-marrëveshja e re me konsumatorin.
Në bazë të kësaj akt-marrëveshje tani çdo konsumator familjar, i cili për arsye të ndryshme apo pamundësi financiare ka akumuluar detyrime të pashlyera për periudha kohore të gjata, do të paguaj çdo muaj 2 mijë lekë të reja plus vlerën e faturës së përmuajshme. Nëpërmjet kësaj marrëveshje të re të gjithë konsumatorëve familjarë debitor u ofrohet një skemë e cila synon të jetë e përballueshme për cilindo që ka borxhe të papaguara ndaj UKT-së.
Kjo pasi skema që ishte deri më tani në fuqi dhe që trajtonte debinë e konsumatorëve familjarë, prodhonte një faturë me një vlerë që në raste të veçanta ishte e papërballueshme. Me akt-marrëveshjen e vjetër, konsumatori duhet ta kryente pagesën me këste mujore, ku kësti i parë përbënte 20% të vlerës së detyrimit, plus faturën koherente mujore. Ndërsa këstet e tjera vijonin të përshkallëzuara, me 10% të vlerës së detyrimit të mbetur, duke i shtuar faturën e muajit.

Apeli: Arrestimi i Babasit i paligjshëm, PD: Urdhëruesit e terrorit para ligjit

Ndalimi me dhunë, me policë me maska, në mes të ditës i kryetarit të PD për degën 5, Ndriçim Babasi, më 28 mars, është shpallur i paligjshëm nga Gjykata e Apelit në Tiranë. Ndriçim Babasi u grabit me forca speciale e të armatosura mesditën e 28 marsit në një bar të Tiranës, bashkë me një grup të rinjsh aktivistë të Partisë Demokratike, studentë, mjekë e dentistë, të cilët u tërhoqën zvarrë me dhunë, me një akt të paligjshëm, të urdhëruar politikisht.
PD e konsideroi atë ditë arrestimin e tyre si një akt të paligjshëm, të urdhëruar politikisht. Babasi dhe 12 anëtarët e tjerë të PD u mbajtën 3 ditë në qelitë e Drejtorisë së Policise së Tiranës, duke thelluar paligjshmërinë e arbitraritetin e policisë.
PD deklaroi dje nëpërmjet një njoftimi për shtyp se, ndalimi i 28 marsit, ishte një ushtrim terrori ndaj opozitës, dhe një kërcënim që qeveria i bënte qytetarëve përmes skuadroneve me maska që të mos ngrejnë krye ndaj projektit të saj të paligjshëm, korruptiv e klientelist tek Parku i Liqenit.
“Llogari të bëra gabim, pasi PD, opozita dhe qytetarët nuk tremben dhe nuk tërhiqen asnjë milimetër nga qëndrimi në mbrojtje të ligjit, në mbrojtje të pasurisë së përbashkët që është Parku i Liqenit. Partia Demokratike bën përgjegjës Saimir Tahirin dhe drejtorin e Policisë së Tiranës, Ervin Hodaj, për urdhërimin dhe organizimin e këtij terrori të paligjshëm dhe i siguron ata se do të japin llogari para ligjit”, thuhet në një deklaratë të PD-së.

Gati projektet, Bashkia Kamëz kërkesë qeverisë për ndërtimin e 3 kopshteve të reja

Bashkia Kamëz ka gati projektet për ndërtimin e 3 kopshteve të reja në territorin e saj, si dhe për ndërhyrjen me rikonstruksion të disa të tjerave. Për financimin e tyre është kërkuar mbështetja e Ministrisë së Arsimit dhe Sportit, si dhe ministrive të tjera. Kjo, pasi fondet për të realizuar këto investime janë të papërballueshme nga Bashkia. Në një shkresë drejtuar ministres së Arsimit dhe Sportit, znj. Lindita Nikolla, Bashkia Kamëz kërkon financimin e investimeve të parashikuara për objektet e arsimit parashkollor, në mënyrë që t’u krijohen kushte optimale dhe cilësore për një proces mësimor-edukativ fëmijëve të qytetit të Kamzës.
Referuar reformës administrative-territoriale dhe vendimit të Këshillit të Ministrave për transfertat specifike dhe financimin e funksioneve të reja për vitin kalendarik 2016, në varësi të pushtetit vendor kalojnë të gjitha kopshtet, çerdhet dhe konviktet. Për të parë gjendjen reale të objekteve arsimore, në Bashkinë Kamëz është ngritur edhe një grup pune i posaçëm për planifikimin e objekteve ekzistuese të kopshteve dhe shkollave për rikonstruksion, si dhe për hartimin e projekteve për ndërtimin e kopshteve dhe shkollave të reja.
Nga grupi i punës është konstatuar se është domosdoshmëri ndërhyrja për ngritjen e infrastrukturës së nevojshme për arsimin parashkollor, si dhe rikonstruksionin e disa objekteve ekzistuese. Konkretisht, në Paskuqan nevojitet të ndërtohen dy kopshte të reja, pasi fëmijët e kopshteve “Tahir Sinani” dhe “Vëllazërimi” momentalisht zhvillojnë procesin mësimor-edukativ në objekte private të papërshtatshme, të marra me qira nga Njësia Administrative Paskuqan. Po ashtu, nevojë emergjente për komunitetin është edhe ndërtimi i një kopshti të ri në Bulçesh, pranë shkollës “Ibrahim Basha”, pasi kushtet e kopshtit aktual në mjediset e shkollës janë të mjerueshme, ku dy grupe nxënësish zhvillojnë procesin mësimor-edukativ në një klasë.
Gjithashtu, e domosdoshme është edhe një shtesë kati dhe rikonstruksion për kopshtin në Kamëz-Qendër, pasi mjediset e tij janë të papërshtatshme për të përballuar numrin e fëmijëve që frekuentojnë këtë kopsht. Edhe në zonën e Valiasit dhe Valiasit të Vjetër është e nevojshme të rikonstruktohen kopshtet “Niko Hoxha” dhe “Nënë Tereza”. Këto ndërhyrje në arsimin parashkollor janë emergjente, për shkak të nevojës së përmirësimit të kushteve të ambienteve parashkollore në këto zona. Bashkia i ka gati të gjitha projektet, si dhe ofron bashkëpunim edhe për garantimin e trojeve për të ndërtuar kopshtet e reja.
Për t’u theksuar është fakti se, Bashkia Kamëz ka një mungesë totale të fondeve të akorduara nga ana e qeverisë për investime në institucione arsimore, por edhe në fusha të tjera po kaq të rëndësishme dhe jetike për qytetarët e Kamzës dhe të Paskuqanit.

Eksodi i Kosovës në ‘99, Presidenti shpall Kukësin “Nderi i Kombit”

Edhe pse para 16 viteve Kukësi u bë qyteti i parë në botë që kandidonte për çmimin “Nobël” për mikëpritjen dhe bujarinë ndaj popullsisë kosovare, pasi okupatori serb i dëboi me dhunë, Presidenti i Republikës së Shqipërisë i ka akorduar këtij qyteti tutullin “Nderi i Kombit”.
Ky urdhër i jepet Kukësit për solidaritetin, mikpritjen e rrallë dhe humanizmin e pashoq të treguar ndaj motrave e vëllezërve shqiptarë nga Kosova, gjatë shpërnguljes së tyre masive me dhunë nga makineria ushtarake e Millosheviçit në vitin 1999.
Kreu i shtetit e cilësoi unike dhe të papërsëritshme pritjen që kuksianët i bënë vëllezërve e motrave kosovarë. “Mikpritja është pasuria që trashëguan shqiptarët. Ju sfiduat edhe skeptikët e kohës, meritoni të viheni në piedestal”, iu drejtua Presidenti kuksianëve në cermoninë e posaçme te organizuar në Pallatin e Kulturës “Hasan Prishtina”.
“Nuk u lejua që kriza e refugjatëve të shndërrohej në një katastrofë humanitare. Çfarë në ato kohë Milosheviçi dëshironte, padyshim për të akuzuar më pas edhe Perëndimin. Ju shpëtuat jetën e mijëra njerëzve. Ju u kujdesët për të sëmurë, të plagosur, të keqtrajtuarit nga një ushtri kriminale e kohës e Serbisë. Në cilësinë e Kreut të Shtetit, por edhe si qytetar i këtij vendi të ndaj me ju krenarine e të qenit krenar bashkëatdhetari juaj dhe t’i akordoj Bashkisë së Kukësit, dekoratën e lartë “Nderi i Kombit”, u shpreh Presidenti Nishani.
Bashkia e Kukësit ka zhvilluar një sërë aktivitetesh më këtë rast. Ndërsa Organizata joqeveritare “Eksodi ’99”-Mitrovicë, i dha Bashkisë Kukës mirënjohje për pritjen vllazërore dhe ndihmën e jashtëzakonshme dhënë eksoduesve nga Kosova gjatë luftës së vitit 1999.
Në vitin 1999 më shumë se gjysmë milioni banorësh të ardhur nga Kosova për shkak të shpërnguljes me dhunë nga forcat serbe u strehuan në kampet dhe shtëpitë e kuksianëve, ndërsa 400 mijë të tjerë kaluan përmes këtij qyteti për t’u vendosur në qytetet e tjera të Shqipërisë. Në vitin 2000, Kukësi ishte qyteti i parë që u kandidua për Çmimin “Nobël” për paqe. Titulli “Nderi i Kombit” është një ndër më të lartët në Republikën e Shqipërisë dhe ky vlerësim i jepet për herë të parë një qyteti.

Gjushi, 10 miliardë lekë për një rrugë të rikonstruktuar

Punimet e rrugës “Pavarësia” në Durrës ku u hodhën 2 milionë dollarë përfunduan para 10 muajsh, por gjithçka është shkatërruar dhe punimet kanë nisur nga e para. Dako ka urdhëruar punonjësit e Bashkisë të punojnë për rikuperimin e kësaj rruge, duke përdorur edhe makinat e Bashkisë ndonëse punimet e rrugës janë kryer nga një firmë private që kishte fituar tenderin. Skandali është denoncuar nga Shoqëria Civile. Avokati Altin Goxhaj dhe Lorisa Ylli kanë denoncuar dje në Plazhin e Durrësit këtë fakt për punimet në rrugën “Pavarësia”. Sipas tyre, kjo rrugë përfundoi vetëm 10 muaj më parë dhe tani kryebashkiaku Vangjush Dako ka vendosur të kryejë sërish punime në të njëjtin segment. Ajo që bën përshtypje është se edhe pse rikualifikimi i rrugës është bërë me tender, pra do të kryhet nga një kompani private, shihet se punimet bëhen nga punëtorët e Bashkisë Durrës dhe po përdoren mjetet e kësaj bashkie për të transportuar materialet.
Në një postim në rrjetin social Facebook, Goxhaj shkuan se, u hap gropa pa leje ndërtimi ku po fundosen edhe 10 miliardë lekë të tjera. “Kompanitë e tenderit punojnë me makinat dhe punonjësit e Bashkisë së Gjushit. Ky është një ndër abuzimet më tipike të Gropës që Rama e quan “Rilindje urbane”! 10 miliardë lekë të tjera vetëm pas 10 muajsh, pasi u haxhuan 2 milionë dollarë! Por a kanë leje ndërtimi për ndërhyrje? Pse nuk ka të dhëna as në projektin e Bankës Botërore prej mbi 6 milionë euro për lejen e ndërtimit dhe vendi është bosh dhe as në pjesën e Bashkisë prej mbi 2 miliardë lekësh ku s’ka të dhëna fare për lejen e ndërtimit!”, shprehet Goxhaj.
Avokati Goxhaj më tej shtron pyetjen: A është kjo gropë prej 10 miliardë lekësh e hapur pa leje ndërtimi? “Po makinat dhe punëtorët e Bashkisë çfarë duan aty përderisa e ka fituar “tenderin” një kompani private? Apo kompania private thjesht ka fituar tenderin dhe punën e bën Bashkia e Gjushit? Mbase kompania private është e Gjushit dhe meqë edhe Bashkia është e Gjushit, brenda shtëpisë janë shpenzimet dhe fitimet kuptohet!”, shprehet avokati Goxhaj.
Para pak ditësh, Partia Demokratike e Durrësit denoncoi në Prokurori, kryetarin e Bashkisë Vangjush Dako për shpërdorimin e fondeve për investime publike të rrugës “Pavarësia”. Investimi në këtë rrugë përfundoi vjet, por nuk dihet pse janë akorduar fonde të reja për punimet.
Stafa deklaroi për mediat se janë kryer investime 2 milionë dollarë, të cilat kanë përfunduar 1 vit më parë dhe tashmë, ai investim është shkatërruar dhe po kryhet një tjetër i ri. Po ashtu, kreu i demokratëve të Durrësit pohoi se po shkatërrohet dhe sezoni turistik.
Prej pak ditësh, ka nisur puna për rehabilitimin e rrugës “Pavarësia” në zonën e Plazhit në qytetin e Durrësit. Banorët e qytetit pohojnë se kanë vënë re mjete të rënda e punëtorë, të cilët kanë bërë rrethtimin e trotuarëve, prishjen e kuadrateve të gjelbërta të lulishteve, vendeve të parkimit si dhe të shëtitores së biçikletave, investim ky që u inaugurua në muajin qershor të vitit 2015, pak ditë përpara zgjedhjeve lokale. Poshtë këmbëve të Urës së Dajlanit është vendosur tabela me të dhënat sqaruese të firmës së ndërtimit, vlerës së projektit dhe kohëzgjatjes së përfundimit të punimeve.
Bëhet e ditur se investitori i projektit, me afat punimesh 9 muaj, është Bashkia e Durrësit. Projekti konsiston në rehabilitimin e të dyja anëve të rrugës “Pavarësia” dhe sistemimet e rrugëve dalëse në Plazh me vlerë rreth 2.2 miliardë lekë. Por investimi i dytë që po bëhet në të njëjtën rrugë, ka pasuar me reagimin e ashpër të banorëve të kësaj zone si dhe të bizneseve në plazhin e Durrësit. Të revoltuar, banorët i kanë kërkuar Bashkisë të bëjë transparencë me fondet publike, por njëkohësisht i kanë bërë thirrje të bëjë transparent projektin.

R.POLISI

Prokuroria çon në gjyq drejtoreshën e IKMT, shembi restorantin me leje

Prokuroria e Pogradecit ka përfunduar hetimet dhe dërgon për gjykim për veprën penale të “Shpërdorimit të detyrës”, Kryeinspektoren e Inspektoratit Kombëtar i Mbrojtjes së Territorit (IKMT), Dallëndyshe Bici. Po ashtu për gjykim ka shkuar edhe Drejtuesi i Njësisë Operacionale të këtij institucioni, Fatmir Meta. Dy zyrtarët akuzohen se kanë prishur në mënyrë të paligjshme objektin “Bar-Restorant” me sipërfaqe 450 m2, në pronësi të shtetasit M.C., në zonën e Liqenit të Ohrit, në ish-Komunën Udënisht.
Shtetasi i dëmtuar ka kallëzuar në Prokurorinë e Pogradecit se dy drejtuesit e IKMT, në kundërshtim të plotë me ligjin, kanë shkatërruar godinën e biznesit të tij “B…A…”, pavarësisht se ai ishte i pajisur me dokumentacionin e plotë ligjor për ndërtesën dhe ushtrimin e aktivitetit. Po sipas kallëzuesit, pas prishjes së ndërtesës, ai nuk është përfshirë në skemën e dëmshpërblimit në formën e shpronësimit publik.
Në bazë të veprimeve hetimore, Prokuroria e Pogradecit ka arritur të faktojë se godina në pronësi të kallëzuesit ka qenë e pajisur me lejen e ndërtimit nga organet kompetente. Po ashtu, ditën e ndërhyrjes së inspektorëve të IKMT për prishjen e godinës, në dt. 20.09.2014, pronarit të ligjshëm të saj nuk i është vënë në dispozicion asnjë akt administrativ përkatës. Një akt i tillë për prishjen e godinës së shtetasit M.C., nuk gjendet as në arkivin dhe protokollin e IKMT-së në Tiranë.
Në bazë të dokumentacionit zyrtar, të vendosur në dispozicion nga kallëzuesi në funksion të hetimit, rezulton se godina e prishur në mënyrë të paligjshme ka vlerën e rreth 60 milionë lekëve. Për efekte të biznesit, pronari i ligjshëm ka vendosur kolateral këtë ndërtesë për marrjen e një kredie në vlerën e mbi 18 milionë lekëve.
Në përfundim të hetimeve, Prokuroria e Pogradecit arrin në përfundimin se dy zyrtarët e lartë të IKMT-së kanë konsumuar elementët e veprës penale të “Shpërdorimit të detyrës”, bazuar në sa më poshtë, të paraqitura në mënyrë të përmbledhur:
– Vendimi datë 19.09.2014 për prishjen e lokalit “B…A…” është një vendim selektiv, arbitrar dhe haptazi në kundërshtim me dispozitat ligjore, konkretisht me Nenin 5 të Ligjit Nr.9780 datë 16.07.2007, pasi objekti ishte ndërtuar me leje të dhënë nga organi kompetent dhe ishte i regjistrtur në ZVRPP. Nëse leja e dhënë binte në kundërshtim me dispozitat ligjore,  çështja do të zgjidhej në Gjykatë.
Vendimi i mësipërm është selektiv, pasi kishte të paktën edhe dy lokale të tjerë, pjesërisht të ndërtuar në liqen, të konstatuar nga vetë punonjësit e IKMT si ndërtime në kundërshtim me lejen e dhënë. Në këto raste, asnjë prej tyre nuk u konsiderua si ndërtim i kundraligjshëm. Përkundrazi, këto raste janë trajtuar si prishje në kuadër të shpronësimeve për zbatimin e projektit  buzë Liqenit të Ohrit.
Objekti “B…A…” në pronësi të shtetasit M. C., është ndërtuar me lejen e KRRT-së të ish- Këshillit të Rrethit Pogradec, dt.12.06.2000, pjesërisht në brendësi të Liqenit të Ohrit dhe pjesërisht në breg të tij, pasi, kur është bërë ky ndërtim, nuk kishte kufizime për të mos ndërtuar në liqen. Edhe rikonstruksioni është ndërtuar me leje dhe ndërtimi është bërë mbi objektin ekzistues.
– Po kështu, vendimi për prishjen e lokalit “B…A…” është marrë pa verifikuar dokumentacionin dhe urdhëri i prishjes është dhënë në çast, duke mos respektuar kërkesat e Nenit 12 dhe 14 të Ligjit Nr.9780 datë 16.07.2007 “Për inspektimin e ndërtimit”, për afatet e kundërshtimit të aktit administrativ, duke i mohuar pronarit të objektit të drejtën e ankimit në Gjykatë.
– Nga veprimet hetimore rezulton, se në krye të operacionit për prishjen e lokalit ka qenë personalisht Kryeinspektorja e IKMT, Dallëndyshe Bici, e cila, me veprimet e saj, ka shpërdoruar detyrën, duke i shkaktuar shtetasit M. C. dëm ekonomik të konsiderueshëm.

Vrasja e 30-vjeçarit në Sarandë, familja akuzon për zhdukje të provave

Një vit pas vrasjes së 30-vjeçarit Edmond Theodhori (Mehmeti) në Sarandë, në orët e para të mëngjesit të 10 korrikut 2015, familjarët e viktimës kanë hapur një gjyq ndaj prokurorit të çështjes, që e akuzojnë për shpërdorim detyre. Seanca e mbajtur në Gjykatën e Shkallës së Parë Gjirokastër duket se ka qenë zhgënjyese për familjarët, pasi gjyqtarja e ka gjykuar ankimin e familjarëve si të pabazuar në fakte. Babai i viktimës, Hamit Mehmeti deklaron se të arrestuarit si autorë të vrasjes u akuzuan nga Prokuroria vetëm për moskallëzim krimi, pavarësisht deponimeve të tyre në polici për pjesëmarrje në vrasje. “E mori vendimin të menjëhershëm, pa lexuar provat, pa i hapur, vetëm sa i depozitoi. I paraqita edhe videon, që është filmuar nga kamera e sigurisë në vendngjarje, nuk ma pranoi. “S’pranon Gjykata gjëra të tilla”, më tha prokurori. Pa asnjë provë të re, prokurori Ilir Hoxha i ka ndarë, i ka veçuar: Tre të pandehurit që ishin në paraburgim dhe tre që janë arratisur. Unë insistova dhe kam debatuar pse u bë kjo gjë, kur ata e kanë pranuar vetë. Kur ekspertiza shkencore nga Policia e Shtetit, që ka bërë një punë shumë profesionale, e ka të vërtetuar se kanë qenë në ngjarje. Një person shkon për “moskallëzim krimi”, kur nuk ka marrë pjesë në krim dhe është pasiv, jo si në rastin konkret që ata vijnë të organizuar që nga Laçi, me makinë, me armë zjarri, me mjete të jashtë ligjshme, me shkop bejsbolli”, deklaron Mehmeti.
Ai thotë se i është drejtuar të gjitha instancave të drejtësisë, kryeministrit, ambasadave që ndodhen në vendin tonë, e Parlamentit Europian. “Tek Prokuroria e Përgjithshme kam bërë 10 ankesa të shoqëruara me provat e Prokurorisë, s’kam marrë përgjigje. I kam bërë kryetarit të KLD, kam marrë përgjigjen e parë normale “ja dërgojmë për kompetencë Prokurorit të Përgjithshëm. I kam bërë edhe dy të tjera, s’kam marrë përgjigje. Ministrit të Drejtësisë, edhe ai më ka dërguar përgjigjen që “është në kompetencat e Prokurorit të Përgjithshëm”, deklaron babai.
Edmond Theodhori (Mehmeti) u ekzekutua për hakmarrje në 10 korrik të 2015. Sipas burimeve zyrtare nga Prokuroria e Sarandës se atë kohë, katër nga gjashtë personat që morën pjesë në vrasjen e 30-vjeçarit udhëtuan nga fshati Gjorm i Krujës, ku jetonin, për në Sarandë. Konflikti me viktimën ka ndodhur nga Kevi Hysa, i cili ka njoftuar të afërmit e tij e ka kërkuar ndihmë nga ata e të 6 personat, pasi e kanë dhunuar e qëlluar për vdekje në makinën e tij Edmond Theodhorin, janë rikthyer në Krujë.
Fillimisht, Gjykata e Shkallës së Parë Sarandë vendosi masën e sigurisë “arrest me burg” për 3 nga gjashtë personat e dyshuar, me akuzën e “vrasjes me paramendim, kryer në bashkëpunim konkretisht Ledi Hysa, Ajman Zyba e Ylli Reçi, ndërsa tashmë të tre personat do të jenë të lirë, pas kryerjes së vetëm 13 muajve burg. Gani Hysi u kap në Itali, ku vijon hetimi atje edhe për një tjetër çështje, ndërsa dy të tjerët Kevi dhe Elion Hysa u arratisën menjëherë pas krimit.

Elozhe nga UEFA, Rashica ylli i momentit

Në Holandë kanë filluar ta etiketojnë si Neymari shqiptar, krahasimi ndoshta është disi i ekzagjeruar, por e sigurt është se Milot Rashica është një yll në ngjitje dhe sirenat e merkatos kanë filluar të bien për të duke paralajmëruar një verë të nxehtë. Në rubrikën e saj të përjavshme për talentet e rinj, faqja zyrtare e UEFA-s i ka dedikuar artikullin e radhës pikërisht djaloshit nga Vushtria. De Biasi thotë për të se është një lojtar i jashtëzakonshëm, edhe pse ende nuk është i sigurt nëse do ta marrë me vete në Francë, ndërsa trajneri i Vitesse Rob Mass e cilëson si një fitimtar që e di se çfarë do duke shkuar drejt e në shënjestër. Vlerësimet vijnë nga të gjitha anët ashtu si dhe kërkesat për Rashicën.
I piketuar nga Napoli që e konsideron si “Mertensin” e ri, në garë për futbollistin shqiptar janë futur edhe Lazio dhe Everton. Kështu raporton “Tuttomercatoweb.it”. Në një artikull ekskluziv faqja e specializuar italiane në lidhje me lajmet e merkatos raporton se po rritet vëmendja e disa prej klubeve më të mëdha të Europës për të riun e kombëtares shqiptare që aktualisht luan për Vitessen. Në orët e fundit edhe Lazio e Everton i janë shtuar Napolit në listën e skuadrave që kërkojnë futbollistin, të cilin ndihmësi i De Biasit, Paolo Tramezzani nuk ka ngurruar ta etiketojë si të riun më me perspektivë të kombëtares kuqezi. Për momentin, Napoli mbetet në pole position për shërbimet e Rashicës pasi ka realizuar kontaktet e para me njerëzit pranë futbollistit për të marrë informacionet e nevojshme mbi vlerën dhe kërkesat e tij. Për Rashicën ky mund të jetë sezoni i parë dhe i fundit në Eredivisie me disa klube që i kanë vënë syrin dhe padyshim një grumbullim hipotetik në Europian me kombëtaren, diçka për të cilën vetë Rashica thotë se është ëndrra më e madhe e tij për momentin do të shumëfishonte interesin për yllin e ri të kuqezinjve.
Sulmuesi që në fund të muajit mars debutoi edhe me kombëtaren shqiptare në miqësoren me Luksemburgun, krahasohet as më shumë e as më pak, por me Dries Mertens, mesfushorin belg të blerë në vitin 2013 për 9.5 milionë euro nga PSV Eindhoven. Rashica ende nuk i ka mbushur 20 vjeç, por megjithë moshën e re, ka personalitet të jashtëzakonshëm. Luan si sulmues krahu, por mund të aktivizohet edhe si mesfushor krahu apo organizator. Teknikë, vrapim dhe mbi të gjitha i rrezikshëm në zonën kundërshtare. Në këtë sezon të Eredivisies me Vitessen regjistron 7 gola dhe 6 asist në 27 javë të kampionatit holandez.