29.5 C
Tirana
E mërkurë, 30 Korrik, 2025

Sot fakte tronditëse mbi lidhjet e Tahirit me trafikun e drogës

Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha paralajmëroi mbrëmë se PD do të publikojë sot fakte të reja tronditëse mbi lidhjet e ministrit të Brendshëm, Saimir Tahiri dhe personat e emëruar prej tij në trafikimin e lëndëve narkotike. Basha ndodhet në Romë ku po takohet me zyrtarë të lartë politikë duke i njohur ata me situatën kritike që po kalon Shqipëria. Në një postim në Facebook, Basha shprehet: “Në Romë me përfaqësuesit më të lartë politikë mbi gjendjen e rëndë të vendit dhe të nesërmen europiane të Shqipërisë. Nesër fakte të reja tronditëse mbi implikimin e Tahirit dhe të emëruarve të tij në kultivimin dhe trafikun e drogës!”.
Kryetari i opozitës, Basha ka denoncuar pak ditë më parë se 80 oficerë policie rezultojnë të përfshirë në trafikun e drogës në një dosje me të dhëna sensitive që disponohet nga opozita. Ai denoncoi publikisht me emra kupolën e policisë të lidhur me bandën e kryekriminelit, Shullazi.
Shefi i Operacioneve Speciale, Alban Ahmeti është një tjetër emër i denoncuar për lidhjet me bandën e Shullazit, i cili ka ngjitur shkallët e karrierës në polici. “Kanë krijuar një shtet brenda shtetit me këtë bandë”, u shpreh Basha.
Gëzim Zhupa, një tjetër shef komisariati në Tiranë është pjesë e bandës së Shullazit, i cili po ashtu është emëruar në atë post për shkak të lidhjes me bandën kriminale.
Ermal Muça, i cili mban edhe postin më të lartë të zëvendësdrejtorit për Krimet në Drejtorinë e Policisë së Qarkut Tiranë është një tjetër emër i lidhur me këtë bandë kriminale dhe i denoncuar mbrëmë nga kryetari i opozitës, Basha.
Banda e Shullazit sipas denoncimit rezulton të ketë emërimet e saj në të gjitha komisariatet e Tiranës. Engjëllush Abdyli një tjetër emër i kësaj bande rezulton të jetë drejtues i Komisariatit Nr. 2 në Tiranë.
Këta janë disa nga emrat e drejtuesve në polici, të cilët rezultojnë me lidhje dhe të katapultuar në ato poste vetëm se janë pjesë e bandës së Shullazit.
Kjo nuk mund të konsiderohet më një polici, por një bandë kriminale që ka veshur uniformën e policisë, ndërsa shteti mund të konsiderohet tërësisht i rënë në gjunjë përballë kësaj bande.

Reagimi për Reformën në Drejtësi

Më herët, në një tjetër postim në Facebook, Basha reagoi në lidhje me deklaratat e Ramës mbi Reformën në Drejtësi.
“Sot e tha me zë dhe figurë pse e donte Reformën në Drejtësi Rama: që të shpëtonte Kokëdhimën e kokëdhimët e tjerë. Sakaq kërcënoi gjyqtarët që nuk e hëngrën presionin e tij për të mbrojtur Koçon. Ky ka qenë dhe ky është koncepti i tij për reformën: Të kapë drejtësinë, të mbajë mbi ligjin klikën e tij të oligarkëve alla Koço dhe kriminelëve alla Shullaz, të marrë hak ndaj gjyqtarëve që guxojnë të ndëshkojnë për abuzime flagrante miqtë e tij, siç bëri sot me gjyqtarët e Kushtetueses, të cilët i kërcënoi hapur sepse zbatuan ligjin, sepse mbrojtën paratë e publikut. Llomotit kot, kërcënon nga marazi”, thekson kreu i PD.
Basha tha se, “Reforma ‘Rama’ për kapjen e drejtësisë ka dështuar përballë vizionit demokratik të opozitës dhe angazhimit serioz të SHBA, BE dhe Komisionit të Venecias. Reforma Rama për kapjen e drejtësisë nuk ka më asnjë shans. Kredibilitetin për të çuar në fund Reformën në Drejtësi që nuk mbron, por ndëshkon korrupsionin e ka PD në bashkëpunim me partnerët ndërkombëtarë. ‪‎Shqipëria‬ më mirë pa Edi Ramën”, shprehet Basha.

Arben Shahini

Masakrohet gazetari nga njeriu i Shullazit, qeveria nuk reagon

Gazetari i Telesport, Eduard Ilnica flet për gjendjen e rëndë ku ai mbeti i dëmtuar për shkak të dhunës së ushtruar nga Presidenti i “Kastriotit” Alban Vogli. I shtruar në Spitalin e Traumës, shenjat evidente në fytyrë dhe kokë lënë pak vend për koment. “Ishte përballje e rastësishme, më goditën menjëherë. Bëhet fjalë për një agresion nga 6-7 veta, që tentuan të më fusnin edhe në makinën tyre. Arrita të mbahesha në një dorezë te makina dhe ulërita jo vetëm nga dhimbjet, por edhe që ata të frikësoheshin, dhe kjo funksionoi”, tregon Ilnica.
Gjithçka ndodhi për shkak të detyrës, me dhunën në ndeshjen Korabi-Kastrioti që doli edhe nga fusha, duke zbritur në Tiranë, përpara mesnatës në zonën e Zogut të Zi. Nga agresorët e shumtë, gazetari Ilnica njohu vetëm presidentin e Kastriotit, Alban Vogli, edhe prej ngjarjeve të dhunës në Peshkopi.
Ilinica ka folur në një intervistë për Telesport, të realizuar nga gazetari Ilir Kadia. “Ngjarja ka lidhje me raportimin tim si gazetar në ndeshjen Korabi-Kastrioti. Në pasqyrimet e mia, duket si dikujt nuk i ka ardhur mirë që kam evidentuar dhe një fakt tjetër përveç dhunës së tifozëve që e kemi dënuar të gjithë. Në punën tonë gazetareske ne përpiqemi të nxjerrim të gjitha arsyet dhe shkaqet e një ngjarjeje, por mesa duket paskam shkelur në kallo njerëz që nuk e kuptojnë çfarë është gazetaria”, tha ai.
Gazetari ka rrëfyer edhe rrethanat e ngjarjes. “Kam parë një grup personash të udhëhequr nga Alban Vogli, emrin e të cilit e kam ndeshur për herë të parë vetëm në stadiumin e Korabit. Kurrë më parë nuk e kam njohur këtë njeri. E kam parë në stadium, kur ai ka kërcyer 4 metra për të hyrë në fushë, në momentin e shpërthimit të dhunës në fushë”, tha ai.

Po cili ishte shkaku i dhunës?

“Përmendja e emrit të tij në kronikën time, duket se është marrë personalisht prej tij. Unë nuk e kam njohur kurrë në jetën time dhe nuk kam patur asgjë personalisht me të. Kërkuan të më fusnin në makinën e tyre Fuoristradë. Mendova që po të futesha aty, mund të më eliminonin dhe fizikisht. Për dy minuta më kanë goditur pafund. Shyqyr Zotit shpëtova pa u futur në makinë, por jo nga grushtet e tyre që ishin pafund”, thotë Ilnica në intervistën e tij për Telesport.
Policia bëri të ditur se ndaloi presidentin e klubit të futbollit Kastrioti, Alban Vogli, i cili kanosi dhe dhunoi barbarisht gazetarin sportiv Eduard Ilnica mbrëmjen e së hënës në zonën e “Zogut të Zi” në kryeqytet. Dhunimi i gazetarit Eduard Ilnica besohet se ka lidhje me trazirat e ndodhura në fund të takimit mes Korabit dhe Kastriotit në fundjavë.
Ndërkohë, nuk ka patur asnjë reagim nga qeveria për dhunën e ushtruar ndaj gazetarit. As Partia Socialiste, as kryeministri Rama, as ministri i Brendshëm, as ministrja e Kulturës dhe Sporteve nuk kanë reguar ndaj dhunës së ushtruar ndaj gazetarit Ilnica.

OSBE dënon sulmin ndaj gazetarit Ilnica

Përfaqësuesja e OSBE-së për Lirinë e Medias, Dunja Mijatoviç, dënoi sulmin ndaj gazetarit Eduard Ilnica të hënën mbrëma në Tiranë, si edhe iu bëri thirrje autoriteteve shqiptare të realizojnë një hetim të shpejtë dhe të plotë të incidentit.
“E dënoj këtë sulm; dhuna ndaj gazetarëve nuk duhet të tolerohet”, u shpreh Mijatoviç. “E përshëndes reagimin e shpejtë të policisë dhe shpresoj që hetimi të japë rezultate dhe të çojë të gjithë fajtorët para drejtësisë”, tha ajo.
Mediat raportojnë se Ilnica është rrahur nga një grup personash dhe është shtruar në spital, pas një emisioni televiziv ku ai ka raportuar mbi dhunën e ushtruar gjatë një ndeshje futbolli në Peshkopi. Policia arrestoi një të dyshuar pak kohë pas sulmit.

Reagon Shoqata e Gazetarëve

Shoqata e Gazetarëve Profesionistë të Shqipërisë dënon me forcë dhunën fizike të ushtruar ndaj kolegut, gazetarit të Telesport Eduard Ilnica. “Gazetari Ilnica është goditur, keqtrajtuar dhe tentuar të merret peng nga presidenti i klubit të futbollit “Kastrioti”, Alban Vogli, për shkak të dokumentimit të akteve të dhunës të ndodhura në një ndeshje sportive mes dy ekipeve të futbollit. Dhunimi i një gazetari për shkak të detyrës është një ngjarje e rëndë, e shëmtuar dhe e papranueshme, jo vetëm si veprim i paligjshëm që vë në rrezik jetën e një njeriu, por edhe si akt që cënon drejtpërdrejtë lirinë e medias”, thuhet në reagimin e Shoqatës së Gazetarëve.
Shoqata e Gazetarëve Profesionistë përshëndet veprimin e shpejtë të Policisë së Shtetit me ndalimin e autorit të dyshuar të dhunimit barbar të kolegut Eduard Ilnica dhe u kërkon autoriteteve të larta shtetërore ta dënojnë me forcë këtë ngjarje kriminale.

Berisha: “Miku i Edvin Shullazit masakroi gazetarin Eduart Ilnica”

Ish-kryeministri Berisha ka reaguar pas ngjarjes në Tiranë, ku u rrah barbarisht gazetari Eduard Ilnica nga presidenti i ekipit Kastrioti. Në një postim në Facebook, Berisha shkruan se, gazetari u dhunua nga miku i Edvin Shullazit, Alban Vogli, ndërsa akuzon kryeministrin Rama dhe vëllain e tij se e zhytën futbollin shqiptar në mafien e zezë. “Edvin Shullazi, Olsi dhe ndrikull Jona zhytën futbollin shqiptar në mafien e zezë!”, shkruan Berisha.
“Të dashur miq, java që kaloi ishte java e përgjakjes, dhunës, masakrimit nga mafia e zezë e Edvin Shullazit, Olsit dhe ndrikull Jones, magjistares së basteve dhe rezultateve që na qetëson se ku do fitojmë. Këtë javë, arenat e futbollit u shndërruan në arenat e përleshjeve fizike, shitjes dhe blerjes së ndeshjeve nga horra dhe trafikantë të veshur me imunitet, siç ishte rasti i Ballës në ndeshjen me Butrintin, fëlliqësinë e të cilit, futbollistët e Butrinitit treguan me top dhe gisht”, shkruan Berisha.
Përleshje dhe përgjakje të egra në Tiranë, Pogradec, Peshkopi, rrahje trajnerësh në Durrës. Pra në një javë në Shqipërinë kanabiste të Edvin Shullazit pati përleshje dhe skandale në futboll më shumë se në Europë, Azi dhe Oqeani të marra së bashku.
“Kjo situateë dramatike në arenat tona të futbollit kulmoi me masakrimin e gazetarit të njohur sportiv Eduart Ilnica në një lokal të Tiranës nga miku direkt i Edvin Shullazit, Alban Vogli. Duke dënuar me ashpërsinë më të madhe dhunën e egër të ushtruar ndaj gazetarit Ilnica nga kriminelët e pushtetit, i bëj thirrje Prokurorisë të veprojë me urgjencë dhe me të gjithë rreptësinë e ligjit, kundër mafies shtetërore që po zhyt futbollin në një katastrofë të vërtetë! Sb”, përfundon reagimin e tij Berisha.

Kush e dhunoi gazetarin Ilnica

Gazetari Eduard Ilnica është dhunuar nga kushëriri i Emiljano Shullazit. Denoncimi është bërë nga tre qytetarë nga Kruja, të cilët i kanë dërguar mesazhe ish-Kryeministrit Berisha. “Qytetarët dixhitalë informojnë se gazetarin Ilnica e masakroi dhe po e rrëmbente banda e Milit të Partisë! Sb’, shkruan Berisha në Facebook, duke publikuar edhe mesazhet e tre qytetarëve.
“Përshëndetje doktor, po shikoja se është postuar nga FIFA një foto e ekipit të Krujës menjëherë më erdhi në mendje një muhabet që kisha dëgjuar për këtë ekip. Në fakt ky ekip i përket kushëririt të Emiljano Shullazit, i cili e ka marrë këtë ekip me forcë. Duke marrë parasysh nga eksperjenca jote dhe kontaktet që ke me njerëz të brendshëm të shtetit, t’i mund të zbulosh më shumë për këtë çështje. Shpresoj të mos e lësh pas dore këtë çështje. Di se në ekip ishin investuar 300 mijë euro pak para se të grabitej ekipi”, i shkruan një qytetar Berishës.
“Doktor përshëndetje, personi që ka masakruar gazetarin e Telesportit është kushëri i Emiliano Shullazit. Këta janë edhe sponsorët e “Kastriotit” të Krujës! Babai i Emiljanos është fiks daja i presidentit të “Kastriotit” të Krujës!”, shkruan një qytetar tjetër.
“Përshëndetje i nderuar Berisha. Po të dërgoj foton se si është masakruar gazetari në mes të Tiranës mbrëmë në orën 22:20, nga presidenti i “Kastriotit”, që është kushëri i Shullazit. Shyqyr që je ti, që denoncimet i bën publike. Për një shkrim ja çfarë të gjen në shtetin e kriminelëve të Edi Ramës e Sajmir Tahirit. Eshtë bërë e frikshme të jetosh në këtë vend, ndaj të lutem mos publiko se kush të ka dërguar këtë mesazh. Po të dërgoj foton e gazetarit dhe intervistën e tij, që flasin qartë se nën thundrën e kujt jemi si popull!”, shkruan qytetari.

Pollo: Shullazi nr.2 brutalizoi gazetarin, ministri nuk hap gojë, Rama jo e jo

Kryetari i Komisionit parlamentar të Medias dhe Edukimit, Genc Pollo vizitoi dje në Spitalin e Traumës gazetarin e dhunuar barbarisht, Eduard Ilnica. Pollo u shpreh se, dhunimi i gazetarit përbën një kulm pas lajmeve për dhunë të shtuar në stadiume, por më e rëndë është mungesa e reagimit nga qeveria. Kreu i Komisionit të Medias u shpreh se kjo mungesë solidariteti nga qeveria është e patolerueshme dhe e pafalshme, kur sipas informacioneve të para dhunuesi ishte kushëriri i Shullazit. “Vizitova gazetarin Eduard Ilnica të dhunuar brutalisht dje në darkë nga një personazh që e mban veten për të fortë zone dhe shef sporti. Është një ngjarje kulmore në një sërë aktesh të dhunshme që kanë përfshirë stadiumet tona, por fatkeqësisht nuk kemi parë reagime nga autoritetet, duke filluar nga qeveria dhe ministria përgjegjëse për sportin. Sot, arriti kulmin dhe unë dëshiroj që Eduard Ilnica të shërohet sa më parë.
Të gjithë dëshirojnë që dhunuesit e tij të përballen ashtu siç duhet me ligjin. Po mendoj që askush nuk e kupton që as ministri i Brendshëm dhe as ministrja e Sporteve deri në këto momente nuk janë prononcuar. Nuk kanë dënuar dhunën brutale, nuk janë solidarizuar me gazetarin e plagosur rëndë. Ndoshta kjo ka të bëjë me personin dhunues, sepse sipas informacioneve të para është kushëri i Shullazit. Por është e pafalshme, e patolerueshme. Është një izolim në raport me një opinion publik të shëndetshëm që dhunën nuk e ka pjesë të kulturës së përditshme dhe shpresoj që ky apel, që është për të gjitha ata sportdashës që ta lënë sportin në atë që është në thelbin e vetë, një garë e fisme që nxjerr në pah anët më të mira të natyrës njerëzore, dhe t’i largohen çdo akti të dhunshëm nga cilido që mund të nxitet diçka e tillë, sepse kjo vërtet na turpëron të gjithëve, të gjithë sportdashësit dhe të gjithë njerëzit e tjerë”, tha Pollo.
Më tej, kreu i Komisionit tha se shpreson që të jetë rasti i fundit i dhunimit të një gazetari në një kohë që liria e medias është përkeqësuar. “Shpresoj vërtetë që të jetë rasti i fundit i dhunimit të një gazetari. Liria e shtypit në Shqipëri është në përkeqësim dhe raportet ndërkombëtare e klasifikojnë lirinë poshtë e më poshtë. Dhunimi i një gazetari nga persona të lidhur me të pushtetshmit dhe mosdënimi publik i aktit, mossolidarizimi publik me viktimën e përkeqëson më shumë këtë liri të shtypit tashmë në rënie”, tha Pollo.
“Edhe një gazetar tjetër i dhunuar barbarisht pasi bëri detyrën, raportoi për dhunën në stadium. Në mes të Tiranës! Asnjë dënim apo solidarizim nga qeveria, ministri i Brendshëm, i Sportit. Si dhe më parë. Liria e shtypit poshtë”, deklaroi Pollo.

R.POLISI

Prokuroria nis hetimin, Roshi humbet mandatin, rrezikon burgun

Prokuroria nis hetimet për të shkuarën e kryetarit të Bashkisë së Kavajës, Elvis Roshi. Organi i akuzës njoftoi dje se ka kërkuar materialet paraprake nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve për Elvis Roshin. “Të dhënat e kryetarit të Bashkisë së Kavajës kanë qenë të pasqaruara”, thuhet në njoftimin e Prokurorisë.
“Bazuar në tagrin e tij ligjor, prokurori i Përgjithshëm, z. Adriatik Llalla, ka kërkuar nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) që të paraqesë materialet paraprake mbi subjektin e ligjit, Elvis Roshi, me funksion kryetar i Bashkisë Kavajë.
Kërkesa e prokurorit të Përgjithshëm mbështetet në faktin se, në formularin e vetëdeklarimit të këtij subjekti, ka të dhëna të pasqaruara, të cilat kërkojnë verifikim më të thelluar”.
Formulari që plotësoi Elvis Roshi nxori në pah problemet që ai kishte pasur me drejtësinë gjermane. Ai pranoi se ka qenë i skeduar në Gjermani, por në formularin e dekriminalizimit, shënoi se arsyet nuk i kujtoheshin. Po ashtu, Roshi thotë se nuk i kujtohej nëse ishte dënuar apo jo në Gjermani.

Reagimi i Prokurorisë

Prokuroria e Përgjithshme nis punën konkrete për zbatimin e Ligjit “Për dekriminalizimin”. Prokuroria e Përgjithshme, në kuadër të ligjit të konsideruar “Për dekriminalizimin”, do të ftojë javën e ardhshme një takim për koordinimin e veprimeve me organet e tjera shtetërore që kanë struktura të posaçme për zbatimin e tij.
Në bazë të Ligjit nr. 138/2015 “Për garantimin e integritetit të personave që zgjidhen, emërohen ose ushtrojnë funksione publike”, Prokuroria e Përgjithshme ka një rol kryesor në shqyrtimin e rasteve të mundshme të përfshirjes në vepra penale ose të dënuar të zyrtarëve të administratës publike, brenda apo jashtë territorit të Republikës së Shqipërisë.
Në zbatim të ligjit, Prokuroria e Përgjithshme ka ngritur strukturën e posaçme, e cila do të verifikojë integritetin e subjekteve të këtij ligji.
Bazuar në tagrin e tij ligjor, prokurori i Përgjithshëm, Adriatik Llalla, ka kërkuar nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) që të paraqesë materialet paraprake mbi subjektin e ligjit, Elvis Roshi, me funksion kryetar i Bashkisë Kavajë. Kërkesa e prokurorit të Përgjithshëm mbështetet në faktin se, në formularin e vetëdeklarimit të këtij subjekti, ka të dhëna të pasqaruara, të cilat kërkojnë verifikim më të thelluar.
Në vijim, Prokuroria e Përgjithshme, krahas angazhimit të saj, pret dhe mirëpret çdo informacion apo indicie nga institucionet përgjegjëse dhe qytetarët mbi rekordet e mundshme kriminale të zyrtarëve, brenda apo jashtë vendit, për të cilat janë parashikuar ndalimet përkatëse në Ligjin “Për dekriminalizimin”.

Formulari i Roshit

Gazeta RD publikoi në numrin e datës 7 maj  lajmin mbi formularin e vetëdeklarimit në kuadër të ligjit të Dekriminalizimit të plotësuar nga Elvis Roshi, ku sipas të dhënave të siguruara nga gazeta, Roshi pranonte se emrin e ka pasur Ervin, por e ka ndryshuar. Kjo ka ndodhur në vitin 2002 dhe kryebashkiaku i Kavajës pranon gjithashtu se më parë ka qenë në hetim nga autoritetet të huaja për vepër penale. Elvis Roshi ka plotësuar në formular se është proceduar nga Gjykata e Mynihut në Gjermani. Por, pyetjes për arsyen e hetimit, Roshi çuditërisht i përgjigjet se nuk e mban mend përse është hetuar. Në lidhje me pyetjen nëse ka ndaj është marrë ndonjë masë sigurie, Elvis Roshi pranon se ka patur masë sigurie arrest me burg. Ai shton gjithashtu se është dëbuar nga qyteti i Mynihut, por edhe në këtë rast nuk i kujtohet përse është dëbuar.

Roshi rrezikon jo vetëm heqjen e mandatit, por edhe burgun

Pyetjes në formular nëse ka qenë ndonjëherë në hetim apo gjykim nga ndonjë autoritet i huaj për kryerjen e ndonjë vepre penale, Roshi i përgjigjet me “Po”. Ai thotë se është proceduar nga Gjykata e Mynihut në Gjermani, por çuditërisht ai thotë se nuk e mban mend se përse është gjykuar. Ky hetim i gjykatës ka ndodhur në vitin 2002. Po në mënyrë të habitshme, Roshit nuk i kujtohet as cili ka qenë vendimi i Gjykatës së Mynihut në Gjermani në lidhje me hetimin penal për të cilin ai është gjykuar.
Pyetjes nëse është caktuar ndonjë masë shtrënguese e sigurisë personale ndaj tij Roshi i përgjigjet me “Po” dhe vendimi është lënë në fuqi ndaj arrestit me burg. Një tjetër pyetje që ka një përgjigje interesante nga “fenomeni Roshi” i Ramës në krye të bashkive të vendit është nëse ndaj tij është marrë ndonjëherë masa e dëbimit nga një shtet i huaj? Përgjigjja e kësaj pyetje nga Roshi është “Po”. Ai saktëson se qyteti nga ku është dëbuar është Mynihu dhe ai shton se kjo ka ndodhur përpara vitit 2002, kur ai ndryshoi edhe emrin. Çuditërisht edhe në këtë rast, Roshit nuk i kujtohen arsyet se përse ai është dëbuar nga Gjermania.
Kjo është një pjesë e përgjigjeve që gazeta ka mundur të sigurojë nga formulari i dekriminalizimit që Roshi ka dorëzuar zyrtarisht. Përgjigjet e mësipërme janë të mjaftueshme që mandati i kryebashkiakut të Ramës që mban mend shumë mirë se kur ka ndryshuar emrin, kur është arrestuar, kur është hetuar dhe kur është dëbuar nga Gjermania, por nuk mban mend arsyen se përse i kanë ndodhur të gjitha këto janë të mjaftueshme që mandati i tij të hidhet në koshin e plehrave.

Roshi ka fshehur burgun në Zvicër

Nga një investigim i gazetës i bërë kohë më parë rezulton se, kryebashkiaku i Ramës në Kavajë, Roshi rezulton me precedentë penalë edhe më parë. Ai gjatë viteve 1997-2000 ka kryer dënimin me burg për trafik droge në shtetin e Zvicrës, gjë e cila nuk deklarohet në formularin e deklarimit të pasurisë dhe kjo mbetet për t’u verifikuar përmes shenjave të gishtërinjve, pasi të zgjedhurit e Ramës kanë kryer krime dhe vepra të ndryshme penale me emra të rremë.
Fakti që kryetari i PS për Bashkinë e Kavajës, Elvis Roshi ka kryer dënimin me burg për trafik droge nga periudha 1997-2000 e kanë konfirmuar burime zyrtare zvicerane. Pasuria e tij është e pajustifikuar gjatë këtyre viteve. Ai disponon një hotel dhe pasuri të tjera, të cilat në një vend normal nuk do t’i lejoheshin një trafikanti droge qoftë edhe me mandat kryebashkiaku, por do të duhet që të sekuestroheshin. I mbetet drejtësisë që gjatë ditëve të ardhshme të bëjë punën e saj për të verifikuar të gjitha të dhënat nga i zgjedhuri i Ramës në krye të Kavajës përmes blerjes së votave me paratë e pista të drogës.

Arben Shahini

Lefteria mbledh KQZ për “RD”

Lefteria vijon të kërkojë “spiunët” brenda KQZ që kanë zbardhur formularin e trafikantit të drogës, Elvis Roshi. Në mbledhjen e djeshme për një kohë të gjatë është debatuar se si është e mundur që formulari ka dalë në media. Ka pasur një debat mes anëtarëve të KQZ-së, të cilët i janë drejtuar Lefterisë duke i thënë se transparenca në këtë proces është një detyrim ligjor. Anëtarë të Komisionit kanë kërkuar që të botohen online formularët e të gjithë politikanëve edhe administratës për të bërë transparencë të plotë në këtë proces. Ky propozim është kundërshtuar nga Lefteria, e cila ka këmbëngulur se nuk e përballon sistemi.
Deri tani KQZ nuk ka publikuar asnjë formular, ndërsa ndryshimet janë se individë me precedentë kriminalë po drejtohen në zyrat e KQZ për të ndryshuar të dhënat që kanë paraqitur në formular. “RD”, e cila disponon të dhëna të plotë mbi formularët do të ndjekë hap pas hapi këtë proces dhe nëse kryetarja e KQZ do të vazhdojë të bëjë kamikazen e trafikantëve të prostitutave dhe të drogës, atëherë do të përballet me presionin e ligjit.
Prej dy ditësh nuk ndalen mbledhjet e Lefterisë, e cila është e shqetësuar për daljen e formularit të Roshit, i cili prej ditësh së djeshme është nën hetim nga Prokuroria.

Veliaj, kryebashkiaku më ordiner që Tirana ka patur ndonjëherë

Ish-nënkryetari i Bashkisë Tiranë, Enno Bozdo ka ironizuar dje show-n mediatik të Veliajt ku ftoi publikisht qytetarët të protestonin para Gjykatës së Apelit.
“Veliaj fton njerëzit të protestojnë përpara Gjykatës së Apelit? Tipike revolucionare! Sovjetët mbi gjithçka! Ftesë për të dhunuar drejtësinë pasi ka dhunuar Tiranën. Pasi është shfaqur dje në ‘Opinion’ si kryebashkiaku më ordiner që Tirana ka patur ndonjëherë, kërkon të heqë vëmendjen nga kulla me stadium në mes të Tiranës, nga lejet për kullë në lulishten pas ‘Qemal Stafës’, nga kulla tek këndi i lojërave ‘7 xhuxhët’, nga leja te lulishtja pas TOB, nga leja për kullë në Sheshin Skënderbej dhe tek lulishtja përballë Muzeut Historik Kombëtar, si dhe nga betonizimi i Parkut të Liqenit. Kështu kërkon të fshehë përgjegjësinë para qytetarëve të Tiranës njeriu që mashtroi se nuk do të rriten taksat, mashtroi se nuk do të rritet çmimi i biletës, mashtroi se nuk do të lejonte asnjë ndërtim në Tiranë. Të gjitha këto janë bëmat e tij, vetëm në një periudhë 10-mujore. Vreri i lëshuar sot tregon shumë për mënyrën sesi ai po e qeveris Tiranën. Por qytetarët e njohin, Tirana e njeh, të gjithë e njohin. Dhe askush nuk e respekton!”, shprehet Bozdo në reagimin e tij.

Prokuroria sekuestro 600 mijë euro të djalit 9-vjeçar të Taçit

Prokuroria sekuestroi 600 mijë euro cash, në llogarinë bankare të djalit 9-vjeçar të Rezart Taçit, ky i fundit i arrestuar në Zvicër për mashtrim dhe falsifikim. ABC News ka mësuar se sekuestrimi i kësaj shume parash, ka ardhur pas regjistrimit të procedimit penal ndaj kompanisë “Everes Oil” të Gjergj Bojaxhiut, pasi dyshohet se kjo kompani bashkëpunonte ngushtësisht me kompaninë “ARMO” ish-pronë e Rezart Taçit.
Burimet thanë, se në emër të djalit, ish-manjati i naftës në vitin 2013 ka depozituar një shumë prej 1 mln eurove dhe që nga ajo kohë, kjo llogari nuk është prekur. Por, vetëm pak ditë pas publikimit të lajmit për kallëzimin ndaj Gjergj Bojaxhiut dhe kompanive të tij në Shqipëri, bashkëshortja e Rezart Taçit ka filluar boshatisjen e kësaj llogarie. Drejtoria e Pastrimit të Parave pranë Policisë së Shtetit, duke parë ndërhyrjen e familjarëve të Taçit në këtë llogari bankare, ka njoftuar prokurorin e Tiranës. Kjo e fundit, pasi ka konstatuar se brenda disa ditëve, llogaria bankare nga 1 mln euro ka përfunduar në 600 mijë euro, ka vendosur sekuestrimin e saj. Me kërkesë të Prokurorisë, Gjykata e Tiranës ka vendosur sekuestrimin preventivë të kësaj llogarie, duke urdhëruar bankat e nivelit të dytë të mos lejojnë transferimin apo tërheqje cash nga kjo llogari. Ndërkohë, për kompaninë e Gjergj Bojaxhiut, për të cilën kanë nisur hetimet nga Prokuroria ende nuk ka ndonjë vendim sekuestrimi apo bllokimi të llogarive bankare, edhe pse dyshohet se për akuzën e “mashtrimeve me kredi”, “fshehjes së të ardhurave” dhe akuzën e “pastrimit të parave” në bashkëpunim. Në kallëzimin që policia ka dorëzuar në Prokurori, krahas kompanisë së Bojaxhiut janë denoncuar edhe disa kompani të mëdha të hidrokarbureve, mes tyre edhe ARMO ish-kompania në administrim nga Rezart Taçi.
Në këtë kallëzim, një pjesë të konsiderueshme të materialeve relatuese në Prokurori zë vend edhe kompania Everest Oil e Gjergj Bojaxhiut. Pasi dyshohet se brenda një periudhe të shkurtër, kompania në fjalë ka kryer transaksione të mëdha bankare, duke përfituar shuma të mëdha në euro, në formën edhe të kreditimit që shkon në shifrën e rreth 172 mln dollarë amerikanë.
Krahas hetimit ndaj Bojaxhiut, Prokuroria po verifikon edhe të afërmit e tij, vjehrrin dhe bashkëshorten si dhe ortakët e kompanisë “Everest Oil”. Shoqëria Everst Oil ku administrator është Bojaxhiu është themeluar nga shoqëria “Superba SRL’ me seli në Napoli të Italisë. Nga ana tjetër vet kompanisë “Superba SRL” është krijuar në korrik të 2012 dhe pikërisht gjatë kësaj kohe, korrik-nëntor 2012 kompania “Everst Oil” ka qarkulluar rreth 30 mln dollarë, por që shumica e parave kanë ardhur apo janë transferuar nga banka të ndryshme të vendeve të njohur si parasja fiskale.

SHBA-BE: Reforma në Drejtësi në udhëkryq

Ambasadorët e SHBA dhe BE deklarojnë se Reforma në Drejtësi ndodhet në udhëkryq. Dje ambasadori amerikan Lu dhe ajo e BE, Vlahutin kanë qenë të pranishëm në mbledhjet e grupeve parlamentare të PS dhe LSI.
Mbledhja e Grupit parlamentar e PS-së e zhvilluar me dyer të mbyllura dhe ku ishin të pranishëm edhe ambasadori i BE-së, Romana Vlahutin dhe i SHBA-së, Donald Lu e nisur dje rreth orës 15:00 përfundoi një orë më vonë. Përmes një deklarate për median, ata treguan arsyen e kësaj situate të pazakontë ku ambasadorët marrin pjesë në mbledhjet me dyer të mbyllura të grupeve parlamentare. “Ne pranojmë që është e pazakontë që ambasadorët e huaj të takohen me grupet parlamentare. Mendojmë se jemi në një udhëkryq të pazakontë për Reformën në Drejtësi, i cili kërkon komunikim të pazakontë dhe vullnet politik. Prania ime sot këtu është shenjë e rëndësisë së kësaj reforme për qeverinë e SHBA”, u shpreh ambasadori i SHBA. Nga ana e saj Vlahutin ishte më e drejtpërdrejtë kur foli për afatet, duke kërkuar për të mos humbur kohë dhe miratimin e reformës para mbylljes së këtij sesioni parlamentar. “Nuk mendoj se është fare e pazakontë që partnerët të flasin me njëri-tjetrin. Ne jemi këtu në të vërtetë që Shqipëria të arrijë standardet e nevojshme për Bashkimin Europian dhe që të çelen negociatat për t’u arritur anëtarësimi në BE. Jemi të angazhuar në një dialog si miq dhe partnerë. E drejta sovrane e deputetëve që të votojnë në Parlament është një e drejtë e tyre, sovranitet që atyre ua kanë dhënë zgjedhësit shqiptarë kur i kanë votuar. Kjo është një gjë, të cilën ne e respektojmë plotësisht dhe kurrë nuk do ta pengonim këtë gjë apo të ndërhynim. Por siç e thashë është tejet e rëndësishme që ne të përfshihemi në një dialog si aletatë dhe ta shpjegojmë këtë në kontekstin e vet duke marrë parasysh dhe zgjerimin e BE. Ne e dimë që nga ana jonë kemi disa afate të caktuara kohore dhe dëshironim t’i ritheksonim këto çështje, në mënyrë që të fillohet puna me zbatimin e reformës”.

Nishani takime me krerët e shtetit kroat

Presidenti i Republikës, Bujar Nishani, filloi dje një vizitë dyditore në Republikën e Kroacisë, ku u prit me nderimet dhe ceremonitë e rastit nga Presidentja kroate, Kolinda Grabar-Kitaroviç si dhe krerët e tjerë të lartë të shtetit kroat. Pas ceremonisë së mirëseardhjes, Presidenti Nishani dhe Presidentja kroate, Grabar-Kitaroviç zhvilluan një takim kokë më kokë dhe më pas, kryesuan takimet zyrtare mes delegacioneve të të dy vendeve, ku u diskutua mbi forcimin e mëtejshëm të miqësisë dhe bashkëpunimit dypalësh, si dhe për axhendën rajonale dhe bashkëpunimin ndërkombëtar. Presidenti Nishani shprehu gjithashtu mirënjohjen për mbështetjen që Kroacia dhe Presidentja Grabar-Kitaroviç personalisht i kanë dhënë procesit të integrimit evropian të Shqipërisë, duke shprehur besimin se kjo mbështetje do të vijojë edhe për hapjen e negociatave të aderimit dhe zhvillimin e tyre. Presidenti Nishani e konsideroi përvojën kroate, si një shembull të vyer për Shqipërinë dhe theksoi se: “Ne e konsiderojmë Kroacinë si vendin që mund të përcjellë shpirtin, zërin dhe problematikat e rajonit në Bashkimin Evropian”, si dhe e siguroi Presidenten kroate për përkushtimin e Shqipërisë në rrugën e integrimit në BE. “Për ne shqiptarët, integrimi në Bashkimin Evropian është dhe mbetet alternativa e vetme për stabilitet dhe zhvillim të qëndrueshëm”, u shpreh Nishani. Gjatë takimit një vëmendje e veçantë iu kushtua bashkëpunimit ekonomik e tregtar mes dy vendeve, ku Presidenti Nishani theksoi nevojën e nxitjes dhe promovimit të mëtejshëm të këtij bashkëpunimi në mënyrë që edhe bashkëpunimi ekonomik të afrohet dhe të jetë në harmoni me nivelin e shkëlqyer të bashkëpunimit politik. Në mbështetje të këtij qëndrimi Presidenti i Republikës evidentoi dhe prezencën e një përfaqësie biznesi shqiptar në delegacionin e tij, si dhe zhvillimin e forumit të përbashkët ekonomik Kroaci-Shqipëri, që pritet të mbahet në ditën e dytë të vizitës zyrtare në Zagreb. Duke u ndalur në bashkëpunimin rajonal, të dy presidentët evidentuan qasjen euroatlantike dhe angazhimin për paqen dhe stabilitetin në rajonin e Evropës Juglindore. Presidenti i Republikës vlerësoi rolin e Kroacisë në rajon dhe e siguroi mikpritësen kroate se Shqipëria është tërësisht e dedikuar për përmirësimin e frymës së bashkëpunimit dhe mirëkuptimit rajonal. Presidenti përshëndeti rolin e Kroacisë dhe të Presidentes Grabar-Kitaroviç veçanërisht në Procesin e Brdo-Brijunit, duke e konsideruar atë një platformë shumë të rëndësishëm për krijimin e një fryme miqësore e bashkëpunuese mes të gjithë liderëve të rajonit. Të dy bashkëbiseduesit u ndalën edhe në çështje me karakter ndërkombëtar, si dhe angazhimet e të dy vendeve në luftën kundër terrorizmit dhe krimit të organizuar, si dhe për çështjen e refugjatëve nga zonat në konflikt. Të dy presidentët u shprehën në favor të një zgjidhjeje evropiane të çështjes së refugjatëve, duke garantuar kontributin e secilit vend në këtë zgjidhje. Pas ceremonisë zyrtare dhe takimit mes dy delegacioneve, Presidenti i Republikës, Bujar Nishani vendosi dhe një kurorë me lule, me një dedikim të posaçëm për të rënët kroatë në luftë, tek Memoriali  “Zëri i viktimave kroate – Muri i Dhembjeve”, në Varrezat Mirogoj të qytetit. Presidenti, Bujar Nishani, në kuadrin e vizitës zyrtare dyditore në Republikën e Kroacisë u takua sot edhe me Kryeministrin kroat Tihomir Orešković, me të cilin bisedoi mbi mundësitë e forcimit të mëtejshëm të bashkëpunimit mes dy vendeve, si në nivel dypalësh, ashtu edhe në nivel rajonal e ndërkombëtar. Kreu i Shtetit shprehu mirënjohjen për mbështetjen e Kroacisë gjatë procesit të integrimit evropian, si dhe besimin se kjo mbështetje do të vijojë edhe për hapjen e negociatave të aderimit, si dhe vijimin e procesit të tyre. Gjithashtu, Presidenti Nishani e siguroi Kryeministrin e Kroacisë se Shqipëria është e përkushtuar në rrugën e integrimit evropian, pasi e konsideron të vetmen alternativë për stabilitetin dhe zhvillimin e saj të qëndrueshëm. “Eksperienca e Kroacisë është një shembull i vyer për Shqipërinë dhe ne dëshirojmë të mësojmë sa më shumë nga kjo eksperiencë dhe përballur sfidën e procesit të negocimit dhe aderimit në Bashkimin Evropian.” – u shpreh Kreu i Shtetit. Presidenti Nishani, gjatë ditës së parë të vizitës zyrtare në Republikën e Kroacisë pati një drekë pune dhe me Kryetarin e Parlamentit të Kroacisë, zotin Željko Reiner, me të cilin bisedoi për shumë çështje me karakter dypalësh dhe rajonal.

Kriza, bizneset stopojnë financimet për të investuar

Banka e Shqipërisë deklaroi se kredia e re për biznesin ra me 14.6 për qind në dy muajt e parë të këtij viti krahasuar me të njëjtën  periudhë të vitit të kaluar. Në një raport të fundit, të quajtur “Tendencat në Kredim” banka vëren se rënia konfirmon kërkesën e dobët nga biznesi për financim. “Kredia e re nuk sinjalizon për rigjallërim të vazhdueshëm të kredisë për biznese ose pikë kthese në ecurinë e portofolit të kredisë. Për dy muajt e parë të vitit ajo është 14.6% më e ulët se një vit më parë për të njëjtën periudhë, duke konfirmuar praninë e një kërkese të dobët për financim nga bizneset, veçanërisht nga biznesi i madh, i cili dominon portofolin e kredisë,”- thotë raporti. Në krahasim me një vit më parë, rënia e kredisë së re ka reflektuar tkurrjen e kredisë së dhënë për nevoja likuiditeti. Pavarësisht se bankat kanë konfirmuar lehtësimin e kushteve të kreditimit për bizneset, në linjë dhe me pritjet që ato kishin, kërkesa e bizneseve mbetet e luhatshme dhe e dobët. “Kjo ecuri është e kushtëzuar nga shfrytëzimi jo i plotë i kapaciteteve prodhuese dhe hezitimi i bizneseve për të marrë përsipër rrezik,”- sqaron Banka e Shqipërisë. Sipas saj,  edhe burimet alternative të financimit jashtë sektorit bankar kanë vijuar të përbëjnë një faktor të rëndësishëm për kërkesën e ulët për financim në banka.

Pritjet për tremujorin e ardhshëm

Për tremujorin e ardhshëm, bankat presin të lehtësojnë kushtet vetëm për financimin e biznesit të vogël dhe të mesëm. Sipas Bankës së Shqipërisë, ky është segmenti që bankat private e shohin me përparësi për t’u zgjeruar, si për shkak të shumave të vogla të kreditimit me të cilat ato ekspozohen, ashtu edhe për balancimin e portofolit të kredisë. Këto biznese janë më shumë të përfshira në sektorin e agrobujqësisë, i cili është një nga sektorët e ekonomisë që së fundi ka shfaqur kërkesë të shtuar për financim nga bankat. Bankat pohojnë se ato gjenden më afër biznesit të vogël dhe të mesëm, duke ofruar produkte që i përshtaten nevojave të këtij grup biznesi. Prandaj ato presin një përmirësim të kërkesës nga segmenti i SME-ve për tremujorin e ardhshëm. Ndërkohë, situata e mirë e likuiditetit të bankave, konkurrenca midis tyre dhe politika monetare kanë qenë faktorët kryesorë për lehtësimin e standardeve.

Pesimizëm për investimet

Por një tjetër lajm shqetësues sipas raportit janë pritshmëritë për kredinë që i jepet biznesit të madh. Sipas Bankës së Shqipërisë, kushtet e kreditimit për bizneset e mëdha priten të shtrëngohen më tej në tremujorin e dytë të vitit. Faktorët kryesorë që ndikojnë në shtrëngimin e standardeve të kreditimit për ta mbeten situata e pafavorshme makroekonomike dhe rreziku i lartë i kreditimit, që lidhet si me nivelin e huave me probleme, ashtu edhe me probleme specifike në sektorë të caktuar. Në tremujorin e dytë të vitit 2016, bankat presin njëkohësisht edhe rënie të kërkesës për kredi nga bizneset e mëdha. Po kështu, kërkesë më e ulët pritet edhe për kredinë për financimin e nevojave për likuiditet dhe për atë për investime.

Klinton drejt zyrtarizimit

Kandidatja demokrate për presidente Hillary Clinton është një hap më pranë në përpjekjet për të marrë emërimin e partisë së saj si përfaqësuese e demokratëve në zgjedhjet e nëntorit. Ajo siguroi fitore dje në zgjedhjet e zhvilluara në ishullin e Guamit, një territor amerikan në Paqësor. Si rezultat ajo merr 4 nga shtatë delegatët e ishullit, rivali i saj demokrat, Bernie Sanders merr 3. Zonja Clinton ka më shumë se 93% të delegatëve që i duhen për të marrë emërimin e partisë.
Manjati amerikan Donald Trump, i cili pritet të përfaqësojë Partinë Republikane në zgjedhjet presidenciale të nëntorit, i ka intensifikuar akuzat kundër zonjës Clinton.
Gjatë një aktiviteti për fushatë në shtetin Uashington, zoti Trump bëri një seri ofezash në adresë të zonjës Clinton, duke thënë se ajo është martuar me një prej abuzuesve më të rëndë të grave në histori, një njeri që ka nëpërkëmbur një numër grash. Kjo, tha ai, e bën vetë Hillarin abuzuese të grave që ai ka lënduar, pasi ajo i qëndroi në krah të shoqit. Komentet ishin një aludim i qartë i akuzave të shumta që e shoqëruan ish-presidentin Bill Clinton për tradhëti bashkëshortore, ndër të cilat më e bujshmja, marrëdhënia me stazhieren e Shtëpisë së Bardhë Monica Lewinski.
Duket qartë se zoti Trump po përpiqet ta godasë rivalen demokrate tek mbështetja që ajo gëzon mes grave, një segment i popullatës ku Donald Trump është shumë më dobët.