15.5 C
Tirana
E martë, 29 Prill, 2025

Hyn në fuqi MSA ndërmjet BE-së dhe Kosovës

Të premten filloi zyrtarisht zbatimi i Marrëveshjes së Stabilizim Asocimit Ndërmjet Bashkimit Evropian dhe Kosovës. E nënshkruar më 27 tetor të vitit 2015, kjo marrëveshje u miratua në fillim të vitit edhe Parlamenti Evropian dhe nga një prilli është në fuqi. Në një ceremoni të organizuar në Prishtinë, kryeministri i Kosovës Isa Mustafa tha se për vendin po fillon një kapitull i ri dhe kjo ditë do të jetë e shënuar në historinë e zhvillimit të shtetit të ri, meqë “Kosova po e vë gurthemelin e marrëdhënieve kontraktuale me BE-në, që kushtëzon të drejta dhe detyrime të ndërsjella një spektër të gjerë sektorësh, duke përfshirë respektimin e parimeve demokratike, aplikimin e standardeve evropiane të tregut, konkurrencës, shtetin ligjor dhe pronën e përgjithshme dhe atë intelektuale”.  Ai tha se “Marrëdhëniet kontraktuale me BE-në do të ndihmojnë në adoptimin e standardeve evropiane, në avancimin e dialogut politik, në përmirësimin e standardeve të edukimit, punësimit, energjisë dhe ambientit;  forcimin e shtetit ligjor dhe rritjen e efiçiencës së qeverisjes së brendshme.” Sipas tij nga dita e djeshme, prodhuesit e Kosovës do të kenë mundësinë të eksportojnë në një treg prej mbi 500 milionë konsumatorësh. Edhe zyrtarët e Bashkimit Evropian e kanë cilësuar si fillim të ri për Kosovën, Ballkanin dhe tërë Evropën, hyrjen në fuqi të Marrëveshjes s Stabilizim Asocimit. Por, ata njëkohësisht u kanë bërë thirrje udhëheqësve të Kosovës që të punojnë më shumë në luftën kundër krimit të organizuar e korrupsionit, pavarësinë e gjyqësorit dhe transparencën e administratës publike. Po ashtu ata kanë bërë thirrje kundër dhunës dhe që udhëheqësit e qeverisë dhe opozitës të vënë në rend të parë interesat dhe pritjet e qytetarëve të Kosovës. Nënshkrimi i MSA-së u bë i mundur pas marrëveshjeve të arritura në bisedimet me Serbinë, të cilat ndërkaq Serbisë, i siguruan  negociatat për anëtarësim në Bashkimin Evropian, të cilat u hapën në dhjetor të vitit të kaluar. Por, marrëveshjet me Serbinë çuan në një krizë politike në Kosovë. Që nga 22 shtatori i vitit 2015, parlamenti i Kosovës kaloi një periudhë tensionesh në seancat e të cilit u përshkuan me gaz lotsjellës e skena dhune edhe në rrugët e Prishtinës, gjatë protestave të opozitës kundër marrëveshjes  për asociacionin e komunave me shumicë serbe. Opozita i ka bërë thirrje qeverisë që të jap dorëheqje dhe të hapet rruga për zgjedhje të jashtëzakonshme, zgjidhje kjo sipas tyre e vetme pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese e cila vlerësoi se pjesë të marrëveshjes për asociacionin nuk janë në përputhje me Kushtetutën e Kosovës. Qeveria është zotuar se do të respektojë vendimin e gjykatës ndërsa i ka bërë thirrje opozitës që të heq dorë nga veprimet e dhunshme.

Rënie e lirë e investimeve të huaja direkte

Investimet e huaja direkte dhe remitancat pësuan përsëri rënie gjatë tremujorit të katërt të vitit 2015, duke përvijuar një ecuri negative në gjysmën e dytë të vitit. Pas një ecurie pozitive në 6­mujorin e parë, këta dy tregues dhanë sinjale të qarta dobësimi, duke ulur burimet hyrëse të valutës në ekonominë shqiptare. Sipas Bankës së Shqipërisë, investimet e huaja direkte për tremujorin e katërt të vitit kishin vlerën e 169 milionë eurove, me një rënie prej 24% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Sidoqoftë, për të gjithë vitin 2015, investimet e huaja arritën në 871 milionë euro, në rritje me 7.2% krahasuar me vitin 2014. Megjithëse investimet ngelen në rritje pozitive, rritja është dobësuar gradualisht gjatë vitit, po të kemi parasysh që për gjysmën e parë të vitit 2015 kishte qenë në nivelin 35%. Sipas Instat, në tre tremujorët e parë të vitit rritja ekonomike u mbështet kryesisht nga investimet dhe ato të huaja në veçanti kanë dhënë një kontribut të konsiderueshëm. Rënie në tremujorin e katërt të vitit shfaqën edhe dërgesat e emigrantëve, që prekën vlerën e 154 milionë eurove, në rënie me 10% ndaj të njëjtës periudhë të vitit 2014. Për vitin 2015, remitancat prekën vlerën e 598 milionë eurove, në rritje vjetore modeste prej rreth 1%. Edhe në rastin e remitancave ritmi i rritjes është ndjeshëm më i ulët nga niveli prej 19% që u regjistrua në fund të 6­mujorit të parë. Pas një rënieje të vazhdueshme deri në vitin 2013, remitancat i janë kthyer rritjes në dy vitet e fundit, çka mund të shpjegohet me një përmirësim të lehtë në ekonomitë e vendeve ku emigrantët shqiptarë janë më të përqendruar, por, ndoshta në një masë më të madhe me kthimin përfundimtar të shumë prej tyre në Shqipëri. Kjo lloj rritje me shumë të ngjarë ka për të qenë e shkurtër në kohë dhe zbehja gjatë gjysmës së 4/1/2016 RTV SCAN : Investimet në zbehje gjatë gjysmës së dytë të 2015 http://scan­tv.com/v/index.php/kryesore/18623.html 2/2 dytë të vitit 2015 mund të jetë një sinjal. Bilanci i llogarisë korrente, që mat diferencën mes flukseve hyrëse dhe dalëse të valutës, ngelet negativ, në vlerën e 1.15 miliardë eurove. Megjithatë, deficiti këtë vit paraqitet më i ulët me 10%, sidomos falë përmirësimit të ndjeshme të bilancit të të ardhurave nga shërbimet, kryesisht nga turizmi.

Në tre muaj, 2067 familje të tjera u hoqën nga ndihma ekonomike

Për çdo muaj qeveria shkurton listën e personave që përfitojnë ndihmë ekonomike. Sipas të dhënave zyrtare të vet INSTAT, numri i familjeve të varfra që përjashtohen nga skema e ndihmës ekonomike shtetërore sa vjen dhe rritet. Sipas të dhënave, në tre mujorin e fundit të 2015.

Numri i familjeve që përfituan ndihmë ekonomike ra në tremujorin e fundit të vitit 2015 me 2.6 %. Sipas të dhënave në buletinin statistikor të INSTAT shihet se gjatë tremujorit të katërt të vitit 2015 numri mesatar i familjeve të trajtuara me ndihmë ekonomike është 79.530 familje, nga të cilat 40.339 familje u trajtuan me ndihmë ekonomike të pjesshme dhe 39.191 familje me ndihmë ekonomike të plotë. Numri mesatar i familjeve që përfituan ndihmë ekonomike gjatë tremujorit të katërt 2015 është ulur me 2067 familje krahasuar me tremujorin e tretë 2015.  Qarku i Elbasanit ka numrin më të madh të familjeve në skemën e ndihmës ekonomike (18,6 % të të gjitha familjeve në skemë në rang vendi) të cilat përfitojnë ndihmën ekonomike. Familjet me katër anëtarë zënë peshën më të madhe (30 %) në numrin e familjeve në skemën e ndihmës ekonomike, 51 % e të cilave përfitojnë ndihmë ekonomike të plotë. Ndihma ekonomike janë fonde publike dhe para për familjet e varfra dhe shpërndahet çdo muaj. Ajo mund të jetë e pjesshme ose e plotë, në varësi të të ardhurave të familjes. Ndihma përfitohet nga familjet pa të ardhura ose me të ardhura të pamjaftueshme, jetimët e papunë,mbi 25 vjeç, jetimët e moshës 18- 25 vjeç,të cilët nuk janë vendosur në institucionet e shërbimeve shoqërore ose nën kujdestari, prindërit e fëmijëve të lindur trinjak e më shumë, që u përkasin familjeve në nevojë. Gjatë vitit 2015 qeveri uli shpenzimet buxhetore për ndihmën ekonomike me 19 për qind. Nga 22.3 miliardë lekë të shpenzuara në këtë zë për vitin 2014 gjashtë vitit që shkoi u shpenzuan 18.3 miliardë lekë.

Kriteret e reja skandaloze për ndihmën ekonomike

Qeveria miratoi më datën 9 të këtij muaji (mars 2016) disa ndryshime për përcaktimin e kritereve, të procedurave dhe dokumentacionit të përfitimit të ndihmës ekonomike. Bashkë me ndryshimet u miratua edhe formulari i verifikimit të situatës social-ekonomike të familjeve në nevojë. Formulari, prej 3 faqesh, do të duhet të plotësohet 2 herë në vit. Nëse deklaratat do të jenë të rreme, atëherë deklaruesit i hiqet ndihma ekonomike. Ky penalitet iu shtua VKM–së së vitit 2012, në pikën 8. Paragrafi i shtuar thotë: “Pas shkronjës ‘b’, të pikës 8, shtohet shkronja ‘c’, me këtë përmbajtje: ‘c) Deklarimin e rremë apo mosdeklarimin e ndryshimeve të situatës social-ekonomike në deklaratën e paraqitjes çdo tre muaj të familjes’”. Familjeve që përfitojnë ndihmë ekonomike do t’u bëhet llogaria dhe për gomerët, mushkat, demat apo dhe peshqit që kanë në shtëpi. Sipas ndryshimeve të vendimit nr. 904, 12.12.2012 Këshilli i Ministrave ka vendosur rishikimin e procedurave të përfitimit. Tashmë do të jenë tre formularë që do të plotësohen nga administratorët në prezencë të kryefamiljarit. Në rast se kryefamiljari ka gënjyer për pasurinë që ka, atëherë përjashtohet menjëherë nga skema. Për këtë në VKM saktësohet plotësimi për “Formularin e verifikimit të situatës social-ekonomike të familjeve në nevojë, kur futen për herë të parë në skemë dhe dy herë në vit atë të të gjitha familjeve që përfitojnë ndihmë ekonomike, sipas formularit bashkëlidhur këtij vendimi”. Ndërsa në nenin 5 ku saktësohen rastet e përjashtimit nga skema është përfshirë rasti për “c) Deklarimin e rremë apo mosdeklarimin e ndryshimeve të situatës social-ekonomike në deklaratën e paraqitjes çdo tre muaj të familjes”. Në formularët e deklarimit do të plotësohen tabelat nëse familja ka gomar, mushkë, lepuj, dem, dele, dhi, peshk etj. Për sa i përket banesës do të verifikohet nëse në familje ka biçikletë, frigorifer televizor etj. Apo dhe nëse ka kuzhinë të ndarë, dush, vaskë, ashensor, si dhe do të shihet cili është burimi i ngrohjes gaz, energji dru apo tjetër. Por çfarë do të duhet të deklarojnë familjet në nevojë, me qëllim që deklarimi i tyre të mos quhet i rremë. Janë një sërë asetesh jetësore. Përveç të dhënave personale, çdo aplikant për ndihmë ekonomike duhet të deklarojë nëse ka: televizor, frigorifer, makinë larëse (lavatriçe), pjatalarëse, sobë me gaz apo energji elektrike, sobë me vajguri apo me dru zjarri, kalorifer, mikrovalë, makinë qepëse ose thurëse, bolier dushi, antenë satelitore, biçikletë, motoçikletë apo makinë.  Lista nuk mbaron këtu. Aplikanti duhet të deklarojë edhe nëse në familjen e tij ndokush ka gjë të gjallë si: lopë, derra, dele, dhi, shpezë, kuaj, gomar apo mushkë, dem, bletë, lepuj, peshk apo ndonjë kafshë tjetër. Për të gjitha këto duhet bërë kujdes. Nëse nuk deklaroi qoftë edhe një të vetme, për shembull të harroni ndonjë nga derrat apo pulat që keni në shtëpi, përjashtoheni nga skema e ndihmës ekonomike. Edhe nëse nuk deklaroni kaloriferin apo bolierin, jeni të përjashtuar. Kini parasysh se do të duhet të mbushni një fletë edhe për të pranuar nëse informacioni rreth anëtarëve të familjes është i saktë, a është deklaruar saktë paaftësia, statusi i të punësuarit apo arsimimi. Çdo gabim ju nxjerr jashtë skemës, sado që mund të jeni të varfër.

Strasburgu, Rama ligj të ri për të mos kompensuar pronarët

BIRN

Qeveria shqiptare po përpiqet të ndalojë valën e kompensimeve të shtrenjta nga Strasburgu në favor të pronarëve të tokave, asetet e të cilëve u sekuestruan nga regjimi komunist. Qeveria shqiptare shpreson se legjislacioni i ri do të ndalojë vendimet e mëtejshme nga Gjykata Europiane e të Drejtave të Njeriut në favor të ish-pronarëve, që e kanë detyruar atë t’i paguajë atyre sasi të mëdha kompensimi financiar. Në vitin 2006, gjykata e Strasburgut lëshoi vendimin e parë në favor të pronarëve që kërkonin kompensim për pronat e marra nga regjimi komunist – dhe të cilëve u njohën të drejtat nga një komision shtetëror. Zyra e Avokaturës së Shtetit që funksionon brenda ministrisë së drejtësisë dhe përfaqëson shtetin shqiptar në gjykatë të Strasburgut i tha BIRN se shuma totale e kompensimit që u desh të paguhej në 2014 ishte 2,462,015 euro dhe 10,751,416 euro në 2015. Fatura për 2016 pritet të jetë gjithashtu e lartë. Më 17 mars, gjykata e Strasburgut e urdhëroi Shqipërinë të paguajë 11 milionë euro të tjera në një vendim në lidhje me gjashtë ish-familje pronare. Qeveria ka tre muaj kohë të gjejë fondet për këtë rast të ri kompensimi. Burime nga Zyra e Avokaturës së Shtetit dhe shoqata e pronarëve i thanë BIRN se një vendim tjetër multi-milionë euro nga Strasburgu mbi të njëjtën çështje do të jepet së shpejti. “Norma e çmimit të tokës që gjykata përdor për të kompensuar ish-pronarët është më e lartë sesa ajo e qeverisë. Kjo krijon një barrë financiare për shtetin, që është arsyeja përse po përpiqemi të ndalojmë praktikën e vendimmarrjes së Strasburgut për pronarët shqiptarë të tokave,” tha për BIRN Alma Hiçka, kreu i Zyrës së Avokaturës së Shtetit. Me shpresën për t’i dhënë fund vendimeve të kripura për nga çmimi i kompensimit, qeveria miratoi një ligj të ri për kompensimin e pronarëve për pronat dhe asetet në dhjetor 2015. Ky synon të mbledhë rreth 438 milionë euro dhe 23,000 hektarë tokë bujqësore për 10 vite në mënyrë që të kompensohen rreth 26,000 raste. “Do ta prezantojmë këtë ligj të ri në fillim të prillit në gjykatën e Strasburgut ngaqë e kemi hartuar sipas sugjerimeve të tyre,” tha Hiçka. “Ne shpresojmë që gjykata do ta vlerësojë si një zgjidhje të qëndrueshme për ish-pronarët dhe do t’i japë fund vendimmarrjes së tyre për pronat,” shtoi Hiçka. Megjithatë, në një shenjë se ligji i ri nuk do t’i japë fund mosmarrëveshjes së kompensimit mbi asetet e sekuestruara, shtatë padi të ndara janë drejtuar në Gjykatën Kushtetuese kundër ligjit të ri, përfshirë mocione nga Presidenti i Shqipërisë, Avokati i Popullit dhe shoqatat e ish-pronarëve. Gjykata Kushtetuese pritet të lëshojë një vendim për ligjin në javën e parë të prillit. Ish-pronarët thonë se ata kanë pritur vite për të rimarrë pronat – ose të marrin kompensim financiar për to – që është arsyeja përse shumë prej tyre i janë drejtuar Strasburgut.

Shkelja e të drejtave të pronësisë

Shqipëria renditet e fundit për vitin 2015, në indeksin e të Drejtave të Pronësisë, krahasuar me vende të tjera të rajonit të Ballkanit, sipas indeksit të Forumit Ekonomik Botëror. Duke analizuar zhvillimet në të drejtat e pronësisë qeveria shqiptare referon se, reforma ka kontribuar pak në forcimin e të drejtave të pronësisë dhe në eliminimin e pasigurive ligjore. Legalizimi i ndërtimeve ende nuk është finalizuar, ndërsa rikthimi e kompensimi i ish-pronarëve është një proces në viijimësi, përfundimi dhe kostoja totale e të cilit nuk është e përcaktuar, thuhet në një analizë të posaçme të qeverisë për këtë çështje publikuar së fundmi. Ndër sfidat kryesore që duhen adresuar është finalizimi i regjistrimit të fillestar të pronave, me qëllim garantimin për sigurinë e pronësisë dhe zgjidhur mosmarrëveshjet e lidhura me pronësinë. “Këto dhe çështje të tjera për sigurimin e të drejtave të pronësisë dhe vendosjen e një sistemi të shëndoshë të menaxhimit të tokës janë të shumta, komplekse dhe duan një kohë të gjatë për t’u zgjidhur”, thuhet në raport. Për këto arsye, qeveria e ka identifikuar çështjen e tokës dhe menaxhimin e qëndrueshëm të saj si një nga gjashtë përparësitë e saj për pesë vitet në vijim. Reforma në fushën e të drejtave të pronësisë synon mbrojtjen e të drejtës së qartë të pronësisë dhe eliminimin e pasigurisë ligjore. Megjithatë, problemet vazhdojnë të ekzistojnë, duke qenë se mekanizmat për sigurimin e të drejtave të pronësisë i bëjnë bisht zgjidhjes përfundimtare të saj.

Kriza greke dhe ngadalësimi i Italisë godasin dërgesat

Dërgesat e emigrantëve ranë me 10.5 për qind në tremujorin e katër të vitit të kaluar  duke konfirmuar tendencën negative të nisur një tremujor më parë. Të dhënat e fundit zyrtare nga Banka e Shqipërisë, tregojnë se në periudhën tetor-dhjetor 2015, shqiptarët që punojnë jashtë dërguan pranë familjeve të tyre 154.2 milionë euro, nga 172.3 milionë që ishte shifra në të njëjtën periudhë të një viti më parë. Të ardhurat e emigrantëve u rritën me 21 për qind në gjysmën e parë të vitit 2015. Por tendenca pozitive u përmbys menjëherë pas shpërthimit të krizës greke në qershor, kur vendi fqinj rrezikoi daljen nga euro. Si rezultat, dërgesat ranë me 15 për qind në tremujorin e tretë dhe 10.5 për qind në atë të fundit. Veç rikthimit të Greqisë në recesion, gjashtëmujori i dytë i vitit të kaluar shënoi përkeqësim thuajse në mbarë ekonominë e eurozonës. Ekonomia italiane, e cila përbën burimin tjetër kryesor të dërgesave për Shqipërinë gati u rikthye në stanjacion në tremujorin e katërt, me rritje ekonomike të papërfillshme vetëm 0.1 për qind.

Dërgesat

Në total për të gjithë vitin 2015 emigrantët shqiptarë kanë dërguar pranë familjeve të tyre rreth 599 milionë euro me një rritje prej 1 për qind krahasuar me një vit më parë. Rritja e fortë e dërgesave në gjashtëmujorin e parë ka shmangur rënien e tyre në terma vjetorë. Dërgesat nga jashtë janë një burim i rëndësishëm për dhjetëra mijë familje në Shqipëri. Ato arritën rekordin në vitin 2007, kur Shqipëria përfitoi rreth 1 miliardë euro remitancat. Por menjëherë sapo ekonomia europiane u përfshi nga kriza dërgesat filluan të binin me shpejtësi dhe aktualisht luhaten nga 500 deri në 600 milionë euro në vit.

Kosovë, mbi 30 milionë euro vetëm nga akciza e duhanit

Për dy muaj e gjysmë në arkën e shtetit janë grumbulluar mbi 30 milionë euro vetëm nga akciza e duhanit. Krahasuar me periudhën e njëjtë janar – 15 mars të vitit të kaluar kjo shumë ka shënuar ngritje për më shumë se 12 milionë euro, pasi nga janari i këtij viti akciza në duhan është ngritur nga 28 euro për 1 000 copë që ishte në vitin 2015, në 41 euro. Sipas njohësve të ekonomisë, ngritja e akcizës së duhanit ka efekt pozitiv, sepse e mbush arkën e shtetit, ndërsa efekt negativ sepse e stimulon rritjen e kontrabandës. Zëdhënësi i Doganës së Kosovës, Adriatik Stavileci, ka thënë për gazetën “Epoka e re” se gjatë periudhës janar 2016 – 15 mars 2016 sasia e importit të duhanit ka qenë 555.917.95 kg, që në total kap vlerën e 30.934.473,58 eurove. Sipas tij, krahasuar me vitin e kaluar, kjo shumë është rritur për më shumë se 12 milionë euro si shkak i rritjes së akcizës në duhan. “Në Kosovë gjatë periudhës janar – 15 mars të këtij viti janë importuar sasi neto kg 555.917,95 duhan. Akciza për këtë sasi të duhanit kap vlerën e 23.606.657,30, ndërkaq TVSH-ja për këtë shumë ka qenë 6.294.722,89 euro. Në total të hyrat nga akciza e duhanit janë 30.934.473,58 euro”, ka thënë Stavileci, duke shtuar se sasia e duhanit e importuar për të njëjtën periudhë të vitit të kaluar ka qenë 18.792.335,65 euro. “Gjatë së njëjtës periudhë të vitit 2015 sasia neto në kg e importuar ka qenë 407.877,67 euro, akciza 14.218.440,00 euro, TVSH-ja 3.741.038,94 euro. Në total të hyrat kapin vlerën e 18.792.335,65 eurove”, ka thënë Stvileci. Njohësi i çështjeve ekonomike, Mustafë Kadriaj, ka thënë për gazetën “Epoka e re” se vendimin e Qeverisë së Kosovës për ngritje të akcizës së duhanit duhet konsideruar pozitiv sa i përket aspektit të mbushjes së arkës buxhetore dhe destimulimit të duhanpirësve.

Në Kosovë ulet çmimi i energjisë për bizneset por jo për konsumatorët

Në Kosovë, Bordi i Zyrës së Rregullatorit për Energji ka vendosur që për vitin 2016 të ruajë të njëjtat tarifa për energji për konsumatorët shtëpiak (familjarë) dhe të njëjtën strukturë tarifore, ndërsa ka vendosur ulje nga 7.17% deri në 8%, të tarifave për konsumatorët industrial dhe komercial, bazuar në kostot e shërbimit për këto kategori të konsumatorëve. Ulja e tarifave për konsumatorët industrial dhe komercial ka ardhur si nevojë e fillimit të eliminimit të ndërsubvensionimit ndërmjet kategorive të konsumatorëve shtëpiak dhe jo shtëpiak. Kështu thuhet në komunikatën e lëshuar nga Bordi i Zyrës së Rregullatorit për Energji (ZRRE),i cili në mbledhjen e mbajtur sot, ka vendosur se tarifat e reja të energjisë elektrike do të hyjnë në fuqi me datë 1 prill 2016, dhe do të mbesin në fuqi deri me 31 mars 2017. Bordi po ashtu ka miratuar të hyrat e lejuara maksimale për KEK, KOSTT, KEDS, KESCO, si dhe tarifat e energjisë elektrike për konsumatorët tariforë me pakicë për vitin 2016. Bordi i ZRRE-së me vendimet e tij, ka vlerësuar se tarifat e aprovuara të energjisë elektrike sigurojnë të hyra të nevojshme për KEK, KOSTT, KEDS dhe KESCO për kryerjen e veprimtarive sipas legjislacionit në fuqi. ZRRE po ashtu është në proces të studimit të kostove të sistemit dhe mundësisë së ndryshimit të strukturës tarifore, që pritet të përfundojë gjatë muajve në vazhdim.

Presidenti kthen ligjin për mediat: Cenohet pavarësia

Presidenti i Republikës, Bujar Nishani ka kthyer për rishqyrtim në Kuvend ligjin për mediat audiovizive, i cili u miratua në Parlament më 10 mars 2016.

Kreu i shteti ka renditur arsyet përse ka kthyer ligjin për mediat, duke shpjeguar se bie ndesh me Kushtetutën. Sipas Nishanit, përmes ligjit të ri, mazhoranca ka thyer konsensusin që duhet të arrihet për të garantuar pavarësinë e Radio Televizionit Shqiptar, duke shfaqur se emërimi apo lirimi i drejtorit të Përgjithshëm të RTSH është më tepër çështje politike se sa ligjore.

Dekreti i Presidentit Nishani për kthimin e ligjit për mediat

Në seancën plenare të datës 10 mars 2016, Kuvendi i Shqipërisë ka miratuar Ligjin nr. 22/2016 “Për disa shtesa dhe ndryshime në Ligjin nr. 97/2013, ‘Për mediat audiovizive në Republikën e Shqipërisë’”. Ky ligj është paraqitur për shpallje më datë 16 mars 2016. Grupi i deputetëve propozues të ligjit në relacionin shoqërues të projektligjit në fjalë ka vlerësuar se Ligji nr. 97/2013 “Për mediat audiovizive në Republikën e Shqipërisë” i miratuar tri vite më parë merrte përsipër të rregullonte veprimtarinë e transmetimeve audiovizive në Republikën e Shqipërisë, në përputhje me standardet demokratike të funksionimit të medias. Por, pavarësisht se ky ligj u hartua në përputhje të plotë me legjislacionin europian dhe në bashkëpunim të ngushtë me ekspertët e Këshillit të Europës, Komisionit Europian dhe OSBE-së, deputetët propozues të ligjit kanë vlerësuar se janë konstatuar pengesa gjatë zbatimit të ligjit, të cilat kanë sjellur pasoja të rënda në drejtim të funksionimit të RTSH-së, si transmetuesi i vetëm publik në Shqipëri.

Përmes këtij ligji, është përcaktuar rregullimi ligjor që nëse dështohet në zgjedhjen e drejtorit të Përgjithshëm të Radio Televizionit Shqiptar (RTSH) në tri raunde përmes një shumice të cilësuar, atëherë në raundin e katërt dhe të pestë të kalohet në shumicë të thjeshtë. Ndërsa, për lirimin e tij, sipas propozimit të deputetëve, është mbajtur shumica e cilësuar 2/3 e anëtarëve të  Këshillit Drejtues të Radio Televizionit Shqiptar (KDRTSH), si një element që garanton pavarësinë në ushtrimin e funksionit të drejtorit të Përgjithshëm. Gjithashtu, sipas ligjit është parashikuar që këto ndryshime ligjore të zbatohen edhe për zgjedhjet që janë duke u zhvilluar në momentin e hyrjes në fuqi të ligjit, me qëllim që të veprohet sa më shpejt për zgjidhjen e situatës.

Në bindje të Kushtetutës së Shqipërisë dhe në ushtrim të së drejtës të parashikuar në pikën 1, të nenit 85 të Kushtetutës kam vlerësuar se ky ligj, duhet kthyer për rishqyrtim Kuvendit mbështetur në arsyet dhe argumentet e mëposhtme:

Së pari: Presidenti i Republikës është plotësisht i angazhuar në zbatimin e Kushtetutës, jurisprudencës së saj dhe për më tepër në plotësimin e rekomandimeve të dhëna nga Komisioni i Bashkimit Europian, në drejtim edhe të pavarësisë së RTSH-së dhe lirisë së medias.

Ligji 97/2013 “Për mediat audiovizive në Republikën e Shqipërisë” është miratuar pak muaj para zgjedhjeve parlamentare të vitit 2013 dhe ishte baza e duhur për një transmetues publik të ringritur. Kuorumi në 2/3 i anëtarëve të KDRTSH-së ishte kushti i vendosur nga opozita parlamentare, si dhe më pas konsensusi i arritur mes forcave politike me qëllim garantimin e menaxhimit të pavarur profesional të RTSH-së.

Referuar relacionit të projektligjit dhe raportit të Komisionit për Edukimin dhe Mjetet e Informimit Publik, rezulton se shkaku i ndryshimit ligjor ka qenë pikërisht mosarritja e kuorumit të kërkuar nga ligji për zgjedhjen e drejtorit të RTSH-së dhe qëllimi ka qenë në drejtim të gjetjes së një zgjidhje fundore.

Referuar dokumenteve parlamentare, domosdoshmëria e një ndryshimi të tillë ka ardhur sa kohë që palët politike nuk kanë arritur një konsensus dhe si rezultat është cenuar mirëfunksionimi i RTSH-së në përballjen e sfidave që ky organ ka në procesin e dixhitalizimit të RTSH-së, të zbatimit të ligjit apo edhe vetë detyrimit që autoritetet shqiptare kanë në drejtim të procesit të integrimit europian.

Referuar nenit 1, të Ligjit 22/2016, që ndryshon nenin 102/3 të Ligjit 97/2013 parashikohen pesë raunde për zgjedhjen e drejtorit të Përgjithshëm të RTSH-së, ku në tri raundet e para kërkohet një kuorum prej 3/5 e të gjithë anëtarëve të KDRTSH-së dhe  në dy raundet e tjera shumicë e thjeshtë. Një zgjidhje e tillë krijon premisat e zgjedhjes së një personi të parapëlqyer nga mazhoranca në KDRTSH, i cili gëzon votëbesimin e supermazhorancës parlamentare.

Në dokumentet parlamentare, me qëllim justifikimin e një ndërhyrje të tillë ligjore është bërë referencë në progres raportin 2015, ku theksohet si domosdoshmëria e zgjedhjes sa më parë të drejtorit të RTSH-së, por edhe pavarësia e RTSH-së. Pra, është e kuptueshme që zgjedhja e drejtorit të RTSH-së është e domosdoshme, por pa u cenuar pavarësia e RTSH-së, që mund të ndikohet nga një drejtor politik që nuk është produkt i kompromisit mes anëtarëve të KDRTSH-së të mbështetur nga forcat përkatëse politike. Në rastin konkret, anëtarët e KDRTSH-së të mbështetur nga mazhoranca kanë votuar me insistim të preferuarin politik të tyre dhe nuk qenë të hapur për të konsideruar kandidatë të tjerë potencialë të pranueshëm nga mazhoranca kuvendore, duke thyer rregullin e vendosur përmes Ligjit 97/2013, që orienton drejt konsensusit në përzgjedhjen e drejtorit të Përgjithshëm të RTSH-së. Për të realizuar qëllimin, mazhoranca politike duket se ka gjetur një zgjidhje përmes ligjit të ri, që thyen konsensusin që duhet të arrihet për të garantuar pavarësinë e RTSH-së.

Pragu i duhur i votave që duhet të vendoset për emërimin apo lirimin e drejtorit të Përgjithshëm të RTSH-së, duket se është më tepër një çështje politike sesa një çështje kushtetuese dhe ligjore. Por, referuar parimit të ndarjes dhe kontrollit të pushteteve dhe lirisë së medias dhe si rrjedhojë pavarësisë së RTSH-së, një çështje e tillë nuk është thjesht politike, por kthehet edhe në kushtetuese. Për analogji, Komisioni i Venecias në opinionin e dhënë për Reformën në Drejtësi në drejtim të zgjedhjes së organeve/zyrtarëve që kërkojnë shumicë të cilësuar, ka konfirmuar se: “shumicat e cilësuara normalisht kërkohen në fusha më të ndjeshme sidomos në zgjedhjen e zyrtarëve të institucioneve shtetërore”.

Me qëllim që të garantohej ndalimi i censurës paraprake të mjeteve të komunkimit dhe të arrihej objektivi i lirisë së medias dhe pavarësisë së RTSH-së, gjë e kërkuar nga Bashkimi Evropian, u dakordësua mes forcave politike në vitin 2013 që zgjedhja e një zyrtari të tillë të bëhej me 2/3 e votave të KDRTSH-së. Kjo është dakordësuar së fundi mes raporterit Fleckenstein dhe deputetëve të tjerë në Komisionin e Punëve të Jashtme të Parlamentit Europian, ku kërkohet që drejtori i RTSH-së të jetë konsensual. Zgjidhja e gjetur përmes Ligjit 22/2016, jashtë çdo konsensusi mes forcave politike, duket se dëmton rëndë lirinë dhe pavarësinë e medias të garantuar me Kushtetutë dhe të kërkuar me forcë nga faktori ndërkombëtar. Respektimi i konsensusit është garant i stabilitetit, ndërsa thyerja e këtij konsensusi në mënyrë të njëanshme dhe të papritur dëmton rëndë themelet e shtetit dhe nxit destabilizim.

Së dyti: Ndërkohë, që për emërimin e drejtorit të Përgjithshëm të RTSH-së është parashikuar një shumicë 3/5 apo edhe shumicë të thjeshtë, në nenin e shtuar pas nenit 102/3, përcaktohet se lirimi i drejtorit bëhet me 2/3 e votave të të gjithë anëtarëve të KDRTSH-së. Referuar relacionit të projektligjit diçka e tillë është parashikuar me qëllim garantimin e pavarësisë së RTSH-së dhe lirinë e medias. Pra, referuar ligjit dhe dokumenteve parlamentare, nëse për emërimin e drejtorit të RTSH-së nuk është i nevojshëm asnjë konsensus mes palëve politike, në rastin e lirimit duket se medoemos do të duhet të arrihet ky konsensus që të garantohet dhe pavarësia e RTSH-së. Pra, është e qartë që ndryshimi ligjor kërkon që realizimi i qëllimit të momentit për përzgjedhjen e kandidatit që nuk po arrin të marrë 2/3 e votave të anëtarëve të KDRTSH-së dhe më pas të garantojë qëndrimin e tij në atë detyrë.

Së treti: Këtij ligji i është dhënë fuqi prapavepruese, pasi rregullat e reja të përcaktuara për zgjedhjen e drejtorit të Përgjithshëm të RTSH-së do të fillojnë të zbatohen edhe për zgjedhjet që janë duke u zhvilluar në momentin e hyrjes në fuqi të ligjit. Pra, ndërkohë që procesi i deritanishëm është zhvilluar sipas ligjit ekzistues, ku kandidatët kanë dështuar të marrin 2/3 e votave të anëtarëve të KDRTSH-së, legjislatori i pranon të mirëqena tri raundet në të cilat nuk është arritur kuorumi i kërkuar referuar ligjit të mëparshëm dhe kalon menjëherë në raundin e katërt, duke kërkuar të aplikohen rregullat e reja ku kërkohet një shumicë e thjeshtë nga anëtarët e KDRTSH-së dhe qartazi nxjerr të fituar kandidatin e parapëlqyer nga supermazhoranca politike, i cili vazhdon të jetë në garë.

Ndalimi i fuqisë prapavepruese të ligjit është një element përbërës i parimit të sigurisë juridike. Një gjë e tillë diktohet para së gjithash për shkak të domosdoshmërisë së garantimit të stabilitetit dhe të sigurisë së marrëdhënieve juridike që vendosen mes subjekteve të ndryshme të së drejtës. Justifikimi i paraqitur në rastin konkret është që të veprohet sa më shpejt për zgjidhjen e situatës së krijuar, ndërkohë që ky nuk duket të jetë interesi publik për të cilin ligjit mund t’i jepet fuqi prapavepruese, për sa kohë interesi publik është pavarësia e RTSH-së, liria e medias dhe garantimi nga çdo censurë e mundshme ndaj mjeteve të komunikimit. E kjo mund të realizohet veç përmes përcaktimit të një zgjidhjeje fundore në ligj që garanton edhe zgjidhjen konsensuale të drejtorit të Përgjithshëm të RTSH-së.

Në përfundim, referuar sa më sipër kërkoj mirëkuptimin tuaj në rishqyrtimin e Ligjit nr. 22/2016 pasi bie ndesh me Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë dhe parimet bazë të funksionimit të shtetit të së drejtës.

Me respekt,             

 

Presidenti i Republikës

Bujar Nishani      

Pollo: Kthimi i ligjit për RTSH-në, thirrje për konsensus

Kryetari i Komisionit Parlamentar të Medias, Genc Pollo e cilësoi dje kthimin e ligjit për RTSH nga ana e Presidentit Nishani si një apel ndaj mazhorancës për konsensus me opozitën. Në një reagim për mediat, Pollo kujton se ka qenë vet Rama gjatë kohës kur ishte në opozitë që kërkonte një ligj konsensual për RTSH. “Do do doja të falenderoja Presidentin e Republikës i cili, duke dëgjuar zërin e opinionit publik, zërin e Unionit të Gazetarëve, zërin e 156 firmëtarëve të peticionit, zërin e Opozitës, si dhe së fundmi por jo për nga rëndësia, zërin e Komisionin e Punëve të Jashtme të Parlamentit Europian në ushtrimin e duhur të kompetencës kushtetuese e ktheu në Kuvend për rishqyrtim  amendimin e njeanshëm të ligjit të Medias për Radio Televizionin Shqiptar. Do të përgëzoja Unionin e Gazetarëve dhe 156 reporterë e njerëz të penës që apeluan e nënshkruan peticionin ku kërkohej kthimi i ligjit në Kuvend dhe rivendosja e procedurës konsensuale për Drejtorin e Përgjithshëm të RTSH. Do të falennderoja edhe Komisionin e Punëve të Jashtme të Parlamentit Europian i cili të martën e javës së shkuar në rezolutën që miratoi për Shqipërinë shprehte shqetësim për amendimin e njeanshëm e apelonte për mënyrë konsensuale në emërimin e Drejtorin e Përgjithshëm të RTSH.  Të mos harrojmë se ishte PS e Ramës në opozitë që në vitin 2012 vuri si kusht për konsensusin ndaj këtij ligji shumicën e cilësuar në Këshill Drejtues të RTSH për emërimin e Drejtorit të Përgjithshëm. Mazhoranza e PD asokohe e pranoi kushtin e opozitës dhe e votoi kështu ligjin. Sot  mes dy kandidatëve të përzgjedhur nga Këshilli Drejtues, që të dy me jetë aktive politike në PS prej 25 vjetësh, si shenjë kompromisi e bashkëpunimi, anëtarët nga opozita përkrahin njërin prej tyre. Por jo detyrimisht mikun familjar të Edi Ramës. Ndryshimi i ligjit ad hominem, ishte veprim shumë i  gabuar i mazhorancës PS-LSI. Uroj që mazhoranca të reflektojë  e të mos votojë me nxitim e me inat për ligjin e RTSH” thekson Pollo në reagimin e tij.

Shpërthim në Paris, arsyet ende të paditura

Kryeqyteti i Francës, Parisi, është tronditur gjatë ditës së sotme nga një shpërthimi i ardhur si pasojë e një rrjedhje gazi.

Incidenti ka ndodhur në afërsi të qendrës së Parisit, teksa në vendin e ngjarjes kanë mbërritur menjëherë autoambulanca dhe forca sigurie.

Ende nuk dihet nëse ka viktima apo të plagosur, por njoftohet se trupat zjarrfikëse kanë evakuuar banorët e zonës.

Incidenti për një moment riktheu edhe njëherë ethet e sulmeve terroriste, por ishin zyrtarët francezë të cilët komunikuan menjëherë se bëhej fjalë për një shpërthim të ardhur si pasojë e gazit natyror.

Autoritetet pritet që të dalin edhe më një komunikatë zyrtare për të dhënë më shumë detaje rreth shpërthimit.