Udhëheqësit financiarë botërorë u shprehën ‘dëshpërues’ mbi ekonominë globale të enjten, duke treguar për daljen e mundshme të Britanisë nga Bashkimi Evropian si një kërcënim serioz së bashku me rrugën problematike të rritjes së Kinës dhe mospajtimit mbi normat e interesit në eurozonë. Shqetësimi se votuesit britanikë ka të ngjarë të largohen nga BE me referendumin e 23 qershorit ka trembur ministrat e financave, bankierët qendrorë dhe zyrtarë të tjerë të mbledhur për takimet e pranverës së Fondit Monetar Ndërkombëtar dhe Bankës Botërore. Drejtori Administrativ i FMN-së, Christine Lagarde sinjalizoi frikën e thellë të politikëbërësve se ‘Brexit ‘mund të ‘nxjerrë nga binarët’ rimëkëmbjen e lëkundur ekonomike të Evropës dhe të shkojë edhe më larg se kaq. Lagarde, e cila tha se personalisht shpresonte që Britania të qëndrojë në BE, parashikoi se një divorc i mundshëm do të çojë drejt viteve të pasigurisë financiare. Komisioneri i Çështjeve Monetare dhe Ekonomike të BE-së, Pierre Moscovici referoi në në një ngjarje të veçantë, duke përshkruar pasojat politike të votimit britanik për tu larguar nga blloku si ‘një lajm shumë i keq.’ Komentet e tyre pasuan paralajmërimet e qarta nga Banka e Anglisë se ekonomia e Britanisë ka të ngjarë të vuajë rëndë dhe monedha e saj do të bjerë në qoftë se e mbyll historinë me BE-në. Moscovici ka shtuar se perspektivs rreth rritjes së afërt evropiane tashmë është përkeqësuar.
Borxhi publik dhe privat i Kosovës arriti në 1.9 miliard euro

Banka Qendrore e Republikës së Kosovës (BQK) ka njoftuar se deri në shtator 2015 borxhi i jashtëm i Kosovës, borxhi i jashtëm privat dhe borxhi i jashtëm publik arriti në 1.9 miliard euro, që është për 12.3 për qind më i lartë se në shtator 2014. “Si përqindje e BPV-së, borxhi i jashtëm bruto arriti në 33.2 për qind. Borxhi i jashtëm publik në shtator 2015 kishte vlerën prej 436.8 milionë eurosh, një pjesëmarrje prej 22.8-përqindësh në gjithsej borxhin e jashtëm bruto. Pjesa më e madhe e borxhit të jashtëm përbëhet nga huat ndërmjet kompanive. Në strukturën e borxhit të jashtëm, FMN-ja ka një pjesëmarrje prej 10.3-përqindësh, pasuar nga Banka Botërore që ka një pjesëmarrje prej 10.9-përqindësh, si dhe kreditorët e tjerë (më shumë se gjysma e borxhit ndaj kreditorëve të tjerë është kreditim ndërmjet kompanive) që kanë një pjesëmarrje dominuese prej 78.9-përqindësh”, thuhet në raportin e BQK-së për Zhvillimet Makroekonomike.
City, i vështirë!
Manchester City-Real Madrid dhe Atletico Madrid-Bayern Munchen janë sfidat e fazës gjysmëfinale të Ligës së Kampionëve, prej nga do të dalin edhe dy finalistët e këtij sezoni, të cilët do të luftojnë për trofeun me “veshë të gjatë”. Shorti që u hodh paraditen e së premtes në Nyon të Zvicrës, lë të hapur mundësinë e një finaleje të njëjtë sikurse në vitin 2014, kur për herë të parë u përballën dy skuadra nga i njëjti qytet, Real-Atletico.
Megjithatë, Ronaldo do të rikthehet në Manchester dhe si një yll i United dhe do të bëjë të pamundurën për të eliminuar ish-kushërinjtë e urryer të Cityt. Ndërkohë, Guardiola mund të përballet me ekipin e ardhshëm të tij, Cityn, në rast se skuadra e tij aktuale dhe ajo angleze mund të kalojnë edhe këtë fazë. Ndeshjet e para gjysmëfinale do të luhen më 26 dhe 27 prill, ndërsa ato të kthimit më 3 dhe 4 maj.
Drejtori Sportiv i Real Madridit, Emilio Butragueno, parasheh një ndeshje shumë të vështirë kundër Manchester Cityt në gjysmëfinale të Ligës së Kampionëve. Ai tha se, ata do të jenë të motivuar për këtë takim dhe dëshira e tyre është që të shkojnë në Milan. “Ndeshja do të jetë e barabartë. Po flasim për lojtarë të mëdhenj. City është skuadër e madhe dhe motivimi do të jetë i madh. Ne do të luajmë dy ndeshje të nivelit të lartë, por dëshira jonë është të shkojmë në Milano”, tha Butragueno pas shortit.
Trajneri i Real Madridit, Zinedine Zidane ka folur për ndeshjen kundër Manchester Cityt në gjysmëfinale të Ligës së Kampionëve. Ai tha se do të jenë dy ndeshje të vështira dhe do të jetë një sfidë totale. “Është një gjysmëfinale shumë e vështirë. E vetmja gjë pozitive është që luajmë ndeshjen kthyese në shtëpi. Shoh dy ndeshje të komplikuara dhe do të jetë një luftë totale”, tha Zidane gjatë konferencës për media.
Menaxheri Gjeneral i Manchester Cityt, Txiki Begiristain e ka pranuar se Real Madrid është favorite, por insiston se ata mund të shkojnë në finale. Ai tha se, City ka sulm të mirë dhe mund të mposhtë Realin. “Mendoj se Real Madrid është favorite, pasi ka luajtur në 26 gjysmëfinale, gjashtë rresht në vitet e fundit. Por, ne kemi sulm shumë të mirë dhe mund t’i eliminojmë ata”, tha Begiristain.
Trajneri i Manchester Cityt, Manuel Pelegrini, mendon se shorti i ka vu përballë një skuadre tejet të vështirë. Ai ka shtuar se në këtë fazë të Championsit nuk ka asnjë skuadër të lehtë dhe se janë duke shikuar që të bëjnë paraqitje të mira ndaj Realit. “Përballja me Realin nuk është një motivim shtesë. Motivi jonë është se do të luajmë dy ndeshje gjysmëfinale të Ligës së Kampionëve”, ka thënë Pelegrini. “Është një short shumë i vështirë. Nuk ka rëndësi kundër cilit ekip luajmë, të gjithë në këtë fazë janë të vështirë. Ne tentojmë që të bëjmë paraqitje të ngjashme si deri më dhe presim ndeshje të mira kundër një ekipi të madh”, ka shtuar ish-trajneri i Real Madridit.
Jaja Ture kërkohet nga Juventusi
Jaja Ture flirton me Juventusin. Mesfushori i Mançester Sitit i është vetofruar skuadrës bardhezi dhe shpreson që sezonin e ardhshëm të luajë në Torino. Sipas mediave italiane, 33-vjeçari do të divorcohet në fund të sezonit me Sitin dhe kërkon të ndryshojë skuadër.
Interesant është fakti se, deri në këto momente ai ka qenë një nga dëshirat e mëdha të Interit dhe Roberto Mançinit, por duket se Ture ka “tradhtuar” dashurinë e vjetër për të veshur fanellën e kampionëve të Italisë. Interi e ka shumë të vështirë t’i plotësojë kërkesat ekonomike futbollistit nga Bregu i Fildishtë dhe për këtë fakt ky i fundit ka vendosur t’i shkelë syrin “Zonjës”. Pavarësisht se Ture kërkon të transferohet në Torino, Masimiliano Alegri dhe drejtuesit e Juventusit nuk emocionohen nga ky fakt dhe kanë vendosur ta lënë në pritje lojtarin e Sitit. Ai nuk mund të jetë kurrsesi alternativa e parë në rolin e mesfushës, duke parë që bardhezinjtë po kërkojnë të bëjnë revolucion, duke afruar futbollistë të rinj. Për më tepër, Ture kërkon 7 milionë euro në sezon dhe Juventusi nuk shquhet për të bërë çmenduri të tilla lidhur me pagat e lojtarëve. Gjithçka do të varet nga Pogba, por edhe nga Andre Gomes, i cili është objektivi kryesor i Juventusit në merkaton e verës.
Milani në prag të shitjes
Presidenti i Milanit Silvio Berluskoni është në prag të shitjes së klubit drejt investitorëve kinezë. Mediat italiane thonë se kuqezinjtë priten të shiten shumë më lirë se çfarë thuhej më parë. “Milani është një hap larg fundit të një epoke dhe nisjes së një tjetre të re. Silvio Berluskoni është duke lëshuar 70 për qind të aksioneve të klubit për një shifër të përafërt me 400 milionë euro.
Pak, shumë më pak nga 1 miliard euro që duhej të shitej nga operacioni Taechaubol. Përfituesi është një maniak kinez, ndërsa këshilltari është një ekspert amerikan. Nga burime të besueshme konfirmohet se firmosja e marrëveshjes është e afërt, ndoshta brenda javës që vjen”, shkruan e përditshmja italiane “Corriere dello Sport”. Rreth 70 për qind e aksioneve pritet të shiten së shpejti, ndërsa 30 për qind që mbeten do të shiten në fund të sezonit të ardhshëm.
Ndërkohë, mirënjohjen më të madhe për punën që bëri gjatë periudhës që drejtonte Milanin, Sinisha Mihajloviç e ka marrë si dhuratë nga ana e tifozëve kuqezi, të cilët menjëherë sapo mësuan për vendimin e Berluskonit për të shkarkuar trajnerin, u pozicionuan në krah të serbit. Mbështetësit e Milanit nuk e kanë pritur aspak mirë vendimin e klubit për t’i besuar stolin Kristian Brokit, teksa kanë premtuar protesta në adresë të Berluskonit dhe Galianit. Ndërkohë, rikthehemi tek aktualiteti.
Valerio Stafeli, gazetari i famshëm i emisionit popullor në Itali “Striscia la Notizia”, i ka dhuruar ditën e djeshme “Tapirin e Artë”, ish-trajnerit të kuqezinjve, Sinisha Mihajloviçit. Ky i fundit, në prononcimin e tij të shkurtër përpara kamerave, ka evituar që të polemizojë me presidentin e Milanit, Silvio Berluskoni. I pyetur për shkarkimin e tij, Mihajloviç tha: “Nuk duhet të më pyesni mua pse sot nuk jam më trajneri i Milanit. Unë nuk jam njeriu më i përshtatshëm për t’i dhënë një përgjigje kësaj pyetjeje. Për më tepër informacione duhet t’i drejtoheni presidentit Silvio Berluskoni.
Përfitoj nga ky rast për të falënderuar të gjithë tifozët e Milanit, të cilët kanë qenë gjithmonë shumë të dashur me mua. Kjo do të thotë se ndoshta kanë vlerësuar aspektin njerëzor të Sinisha Mihajloviç”, u përgjigj në mënyrë ironike serbi.
Erdogani me mentalitet sulltani
Kritikët shpesh thonë se Presidenti turk, Recep Tayyip Erdogan, ka mentalitet të sulltanit, për shkak se nuk toleron kritika dhe burgos gazetarë.
Së voni, ai ka kërkuar nga Berlini të përdorë një ligj të vjetëruar, për të ndjekur penalisht një komik gjerman, i cili e ka tallur atë. Ky ligj ndalon qytetarët të fyejnë udhëheqësit e huaj.
Në programin e tij, më 31 mars, komiku televiziv, Jan Boehmermann, ka lexuar një poezi, duke e quajtur Erdoganin “idiot profesionist” dhe duke thënë se “ai ka pasur marrëdhënie seksuale me kafshë”.
Lideri turk ka kërkuar që Zyra e Jashtme gjermane ta dërgojë Boehmermannin në gjykatë, në bazë të pikës 103 të Kodit Penal të Gjermanisë, e cila rrallë aplikohet.
Klauzola pak e njohur, e cila parasheh dënim me burg deri në pesë vjet, daton nga koha kur monarkët e Evropës ndëshkonin njerëzit që sulmonin dinjitetin e tyre personal. Kërkesa e Erdoganit për ta aplikuar atë, e ka nxjerrë ligjin nga errësira. Ligji tani është bërë një tjetër sfidë për kancelaren gjermane, Angela Merkel, e cila veçmë është e shqetësuar me krizën e borxhit grek, krizën me migrantë dhe daljen e mundshme të Britanisë nga Bashkimi Evropian.
Ligji i ka rrënjët në kodin ligjor të Prusisë, të vitit 1794, i cili ka ndaluar sulmet në personalitetin ose nderin e sundimtarëve të huaj, thotë Holger Heinen, avokat që e ka studiuar këtë ligj për tezën e tij të doktoraturës.
Ai shpjegon se një nen në kodin ligjor prusian thotë se, secili që ofendon një udhëheqës të huaj ose një ambasador duhet të trajtohet si kriminel, sepse ofendimet e tilla mund të bëhen pretekst i një fuqie të huaj për të nisur hakmarrje kundër Prusisë.
Ky lloj krimi ka humbur kuptimin me kohë, pasi Evropa ka zhvilluar demokraci parlamentare. Por, neni prapëseprapë është përfshirë në kodin ligjor gjerman, i cili ka hyrë në fuqi në vitin 1871.
Prej atëherë, në këtë ligj janë thirrur herë pas here, por ai rrallë është aplikuar.
Në një rast, shahu i Iranit, Mohammad Reza Pahlavi, i ka kërkuar Gjermanisë Perëndimore të përdorë klauzolën 103 për të ndëshkuar protestuesit, që janë mbledhur gjatë vizitës së tij në Berlinin Perëndimor më 1967 – protesta në të cilat një student është vrarë nga policia. Por, Shahu ka hedhur poshtë kërkesën e tij pas një vizite pajtuese nga ministri i Brendshëm gjerman në Teheran.
Në vitin 2003, Shtetet e Bashkuara po ashtu kanë kërkuar nga qeveria e Gjermaisë të ndjekë penalisht një pronar dyqani në qendër të qytetit Marburg, i cili e ka quajtur “terrorist shtetëror” presidentin e atëhershëm amerikan,George Bush. Por, Zyra e Prokurorit në Frankfurt ka vendosur se deklaratat e pronarit të dyqanit nuk përbëjnë vepër penale.
“Klauzola kurrë nuk ka pasur rëndësi të madhe praktike”, thotë avokati Heinen.
Tani shtrohet pyetja nëse ankesa e Erdoganit mund të bëhet përjashtim.
Partneriteti i kancelares gjermane, Merkel me Erdoganin në çështjen e migrantëve është kritikuar për shkak të mosrespektimit të të drejtave të njeriut nga autoritetet turke. Tani, Merkel duhet të vendosë nëse do të çojë përpara kërkesën e Erdoganit në Ministrinë e Drejtësisë të Gjermanisë.
Në burgun ku lindi ISIS, embrionet e terrorit
Një rrugë me pluhur të çon në Bucca. Nga qyteti i dytë më i madh irakian, Basra deri në Bucca janë vetëm 94 kilometra, por askund nuk sheh ndonjë tabelë që të sinjalizon vendin e burgut të dikurshëm më të madh të Irakut. Duhet të pyesësh banorët: Papritur në mesin e shkretëtirës shfaqen fusha të gjelbërta në anë të rrugës: Ullinj dhe portokalle: Një kullë vëzhgimi, mure betoni e një postbllok: “Po”, thotë roja, “kjo është Bucca”.
Ndërkohë që në ndërtesën e dikurshme të administratës amerikane ka zënë vend një firmë logjistike nga Basra, qelitë e burgut po përdoren nga një njësi e ushtrisë irakiane. Nuk ka ndryshuar gati asgjë, qëkur amerikanët u larguan nga ky kamp në fundin e vitit 2009. Asgjë nuk është shkatërruar, siç është raportuar në media. Aty gjen edhe sheshin kryesor me prozhektorë të mëdhenj, ku bënin shëtitjen e ditës të burgosurit. Më pas barakat që mbanin secila rreth 200 të burgosur brenda.
Në kohën kur Marvan shërbeu për katër vjet tek Kryqi i Kuq Ndërkombëtar në Bucca, në burg qëndronin 30.000 vetë. Disa qëndruan për vite, disa pak muaj, e të tjerë vetëm disa javë. Sa kohë qëndroi këtu koka e të ashtuquajturit “Shteti Islamik”, Abu-Bakr al-Bagdadi nuk mund të thuhet me saktësi. Ka burime që thonë se, ai qëndroi vetëm katër muaj, të tjerë thonë disa vjet. Ka gjasë që kreu i IS-it të jetë burgosur disa herë. “Arrestimet kryesore janë bërë nga viti 2007 dhe 2008”, thotë Marvan që nuk do të përmendë emrin e plotë. Kryqi i Kuq Ndërkombëtar ka premtuar heshtje, punonjësit e tij punojnë në ilegalitet. Marvani vetë ishte përgjegjës për vizitat që iu bëheshin të burgosurve nga familjet që bënin rrugë të gjatë. Dy vjet me radhë ka negociuar ai me pushtuesit amerikanë e britanikë derisa iu mundësua të hynte e jetonte në ndërtesën e administratës.
Në fillim ka pasur vetëm sunitë
“Shumica e të burgosurve vinin nga rajonet sunite, që sot kontrollohen nga IS-i: Ramadi, Falluxha, Salahudin, Dijala dhe Nineva. Edhe rezistenca kundër amerikanëve e pati origjinën e saj tek popullsia sunite. Gati përditë shpërthenin bomba të atentatorëve vetëvraës apo lëndë eksplozive për të vrarë amerikanë e ata që punonin bashkë me ta. Bucca ishte burgu i rebelëve, që konkurronin mes tyre se kush kishte vrarë më shumë njerëz: “Kam vrarë 300 prej tyre”, citon Marvan një nga fjalitë e të burgosurve. Deri në vitin 2007 në këtë burg gjeje vetëm sunitë. Kur filloi lufta qytetare erdhën të burgosur shiitë. Para barakave ata qëndronin të gjithë të veshur me kostumet e verdha: kasta drejtuese e “Shtetit Islamik” përreth strategut dhe ideologut të vrarë në vitin 2014 në Siri, Haji Bakr, simpatizantë e anëtarë të terrorit sunit të Al-Kaidës, ish-oficerë sekretë të Sadam Huseinit, dhëndri i tij, ish-ministri i Brendshëm, dhe në fund edhe krerë të rezistencës shiite dhe milicisë së tyre. Në Bucca skicoheshin plane, diskutoheshin ideologji, krijoheshin aleanca, ujdi për kalifatin. “Sunitët duhej të ndaheshin nga shiitët”, kujton anëtari i Kryqit të Kuq, Marvan. “Ndryshe do të kishim edhe në burg luftë civile”.
“Varrezë e të mbijetuarve”
Në një nga rrugët anësore në breg të Shat-Al-Arab në Basra rri ulur në zyrën e tij, Saad Abdulla-Al Fatlavi dhe rrotullon në gishta tespihet. Abu-Khaled, siç e thërrasin miqtë, ka qenë dy vjet në burgun e Buccas. Tani ai shet udhëtime në Iran, si punë dytësore ai lufton krah milicisë Hizbollah kundër IS-it dhe Abu-Bakr-Al Bagdadit në frontin e Samarës, aty ku filloi konflikti mes sunitëve dhe shiitëve para dhjetë vjetësh. Tani ai është përhapur në të gjithë rajonin “Bucca ishte për mua një varrezë e të mbijetuarve”, e komenton ai kohën në burgun amerikan. “Ata erdhën natën me helikopter, thyen derën e shtëpisë më futën pistoletën në gojë, më lidhën duart në banjo dhe më goditën në gjunjë”, rrëfen 47-vjeçari arrestimin e tij nga ushtarë britanikë e amerikanë. “Ata erdhën drejt e tek unë e më akuzuan si burim i mbledhjes së parave për Hezbollahun. Duhej të jepja informacione, të tradhtoja shokët”. Hetimi u bë në Bagdag, pastaj Al-Fatlavi u zhvendos në Bucca, në burg ndodhej ndërkohë, al-Bagdadi dhe “trupa” e tij, rrëfen ish-i burgosuri.
Kur amerikanët filluan të tërhiqen nga Iraku, nga shtatori 2009 ata filluan të boshatisnin njëri pas tjetrit burgjet: Në intervale të rregullta 170 të burgosur dërgoheshin në Bagdad. Vetëm 250 iu kaluan qeverisë irakiane. Ndër ta ishin kryesisht përfaqësues të lartë të regjimit të Sadam Huseinit, si ish-ministri i Jashtëm, Tarek Azis. Të tjerëve iu jepej liria me një “happy bus”. Saad Abdulla-Al Fatlavi u kthye fillimisht tek dy gratë dhe pesë djemtë e tij në Basra. Abu Bakr al-Bagdadi krijoi një vit më vonë organizatën ISIS – “Shteti Islamik në Irak dhe Siri”. Ndërkohë IS-i ka vënë nën kontrollin e tij pjesë të mëdha të Irakut dhe ka shpallur kalifatin. Edhe Hezbollahu i Fatlavit është kthyer në një nga milicitë shiite më të fuqishme. “Në Bucca të gjithë u bënë ata që janë sot”, i komenton ish-punonjësi i Kryqit të Kuq, zhvillimet në Irak.
Guardiola do Manajn tek Manchester City
Paraqitjet e Rey Manajt me Interin, ndonëse me “pikatore” kanë tërhequr vëmendjen e disa klubeve në Europë. Sipas “goal.com”, klubi i Manchester Cityt ka dërguar disa vëzhgues në Itali për të parë nga afër sulmuesin shqiptar, i cili është paraqitur pozitivisht sa herë që trajneri Mançini i ka dhënë mundësinë që të zbresë në fushën e lojës.
Klubi zikaltër nuk ka ndër mend ta shesë kartonin e këtij sulmuesi, pasi e sheh si një yll të së ardhmes. Por Interi do të ishte i hapur ndaj huazimit të tij në Serinë A apo B në sezonin e ardhshëm, në mënyrë që Manaj të luajë më rregullisht.
Ndërsa menaxheri i Hysajt, Mario Giufredi ka bërë disa herë deklarata në favor të klientit të tij, duke u kujtuar drejtuesve të Napolit se shqiptari meriton rinovim dhe mbi të gjitha rishikim të pagës. “Hysaj është mirë te Napoli dhe kërkon që të rrijë gjatë këtu. Mirëpo, në fund të sezonit do të ketë një rishikim të parametrave ekonomikë. Ai ka treguar se është një futbollist i niveleve të larta. Deri tani nuk jemi ulur që të diskutojmë, pasi ka ende objektiva që duhen realizuar, por në fund të kampionatit do të ketë vend për përmirësime”, ka deklaruar agjenti i mbrojtësit të Kombëtares dhe Napolit
Ndërkohë, portieri i Kombëtares shqiptare të futbollit, Etrit Berisha është përfshirë në iniciativën e fundit të Lacios për të folur nga afër me nxënësit e shkollavë në Romë kundër fenomenit të racizmit. Në ndeshjet e fundit të Serisë A, klubi i Lacios ka pasur probleme me koret raciste në stadium, duke marrë edhe penalizime. Mediat italiane shkruajnë se Berisha, Biglia dhe Konko ishin përzgjedhur në takimin e radhës për të biseduar me fëmijët romanë.
“U fol për futboll dhe racizëm dhe më pas selfie kolektive”, shkruan e përditshmja italiane ‘Corriere dello Sport’. Berisha i është përgjigjur pyetjeve të fëmijëve, duke pranuar incidentet raciste që kanë ndodhur në ndeshjet e Lacios. “Po, ndodh ndonjëherë dhe është e gabuar. Njerëzit e zgjuar duhet t’a izolojnë këtë minorancë”, ka thënë Berisha.
Ai ka rrëfyer edhe disa nga emocionet e para që provoi kur u aktivizua me klubin kryeqytetas: “Sapo erdha te Lacio isha nervoz, sepse nuk isha mësuar me shumë tifozë. Shokët më kanë ndihmuar dhe tani ndihem i qetë”, ka theksuar portieri i Kombëtares shqiptare të futbollit.
11 vjet më parë!
Një mbrëmje fantastike, një ndeshje në kufijtë e legjendës, një himn për futbollin dhe magjinë që vetëm ai mund ta dhurojë. “Kishim një plan, por pastaj pësuam dy gola dhe planin na u desh ta hidhnim në koshin e plehrave”. Jurgen Klopp shpjegon kështu atë mbrëmje epike, atë që gjithë bota do ta kujtojë për përmbysjen e çmendur 4-2 të Liverpulit të tij, kundër Dortmundit të tij të vjetër.
Origi që i dha jetë përmbysjes me të parin e katër golave e shpjegon në një tjetër mënyrë. “Në pushimin e ndeshjes Klop na tha të luanim një ndeshje që do të mund t’ua tregonim fëmijëve dhe nipërve tanë”.
Dhe lojtarët e dëgjuan. “The Sun” dilte në shitje me këtë titull “Stambolli II”. Referimi për finalen e Championsit të 2005 kundër Milanit, kur “The Reds” triumfuan nga pika e bardhë e penalltive, pasi ishin në disavantazh 3-0 në fundin e pjesës së parë është i qartë.
Klopp është heroi i momentit, në rrjetet sociale simpatia për të është plebishitare, një njeri që i dhuroi futbollit një përrallë për t’u treguar. Ai e shijon në mënyrën e tij, si gjithmonë duke i lënë me gojë hapur gazetarët. “Më pranë triumfit dhe Championsit? Ju lutem mos më bëni këto pyetje koti”.
Klopp kishte dëshirë që thjesht të fliste për mrekullinë e djemve të tij. “Ishte diçka speciale. Sjellja e skuadrës time ishte fantastike. Ka ditë të vështira dhe të lehta. Në ato të lehtat të gjithë mund të fitojnë, në ato të komplikuarat është e vështira. Duhej të bënim 3 gola, ishte diçka që dukej jashtë logjikës, diçka e pamundur. Por unë ja kisha thënë skuadrës time, tifozët na mbështetën, e bënë dhe në Stamboll kur ndryshuan rrjedhën e ndeshjes”.
Edhe Klopp kujton mbrëmjen magjike të ‘’The Reds”, 11 vjet më parë. Të gjithë të çmendur, për Klopp dhe natyrisht, për Liverpulin. Pepe Reina këtë herë nuk irriton askënd, nëse përdor një fjalë jo dhe aq etike për të përshkruar golin e 4-3 të Lovren. Xabi Alonso, mes protagonistëve të mëdhenj të përmbysjes në finalen e Championsit me Milanin, zgjedh një foto me mbishkrimin. “Ky është Anfield”. Nuk ka nevojë për të shtuar diçka tjetër. Kjo ishte vërtet një festë e futbollit.
Emocione të pabesueshme, 7 gola, një fund përrallash për Liverpoolin dhe një mankth për Borussian e Dortmundit që i jep lamtumirën Europa League në një ndeshje të çmendur të luajtur në “Anffield Road”. “The Reds” nuk e braktisën asnjëherë shpresën ashtu siç tifozët e pranishëm në stadium nuk e braktisën asnjëherë skuadrën për të regjistruar një nga fitoret më të pabesueshme që futbolli dhuron. 4-3 e mbylli 90 minutëshin e dytë skuadra e Jurgen Klopp që besoi deri në fund te kualifikimi edhe pse në pjesën më të madhe të kohës u detyrua të luante në ndjekje të kundërshtarëve me 2 gola disavantazh.
Isco, Pastore apo Oscar? Një fantazist për Juven
Juventusi në kërkim të një trekuartisti. Do të jetë ky një nga objektivat kryesorë për sesionin e ardhshëm të merkatos. Pasi dështuan të transferonin në “Juventusit Stadium” njeriun e duhur për këtë rol, drejtuesit bardhezi në momentet e fundit siguruan shërbimet e Hernanes, i cili në asnjë moment nuk e bindi Alegrin, ndërsa tani kanë ndërmend t’i bëjnë një dhuratë të çmuar trajnerit për ta reshtuar pas dy sulmuesve në skemën 4-3-1-2. Ky reshtim është i preferuar nga Alegri, që në këtë sezon për shkak të problemeve me dëmtimet, u detyrua t’i kthehej 3-5-2-shit.
Sezoni i ardhshëm mund të jetë ndryshe, sepse në shënjestrën e bardhezinjve janë emra të rëndësishëm, si Isco i Realit të Madridit, Oscar i Chelseat dhe Pastore i Paris Saint Germmain. Të tre janë lojtarë me shumë cilësi, por që po mbyllin një sezon të vështirë me skuadrat respektive. Në të tre rastet lojtarët dëshirojnë të ndryshojnë ambient. Pengesa është gjithmonë e njëjta: çmimi i lartë i kartonit të futbollstëve që pak a shumë vlerëson me të njëjtën shifër nga 35-40 milionë euro.
Mundësia më e madhe është për të arritur te argjentinasi i Paris Saint Germmain, si për çmimin e kartonit, por edhe për përshtatjen e tij në futbollin italian. Pastore e njeh mirë Serinë A, pasi para se të transferohej në kryeqytetin francez ka luajtur në radhët e Palermos, ku luajti për tre sezone duke shënuar 14 gola në 69 ndeshje.